VOAL

VOAL

SHBA, reagime për fjalimin e Vladimir Putinit drejtuar vendit

March 1, 2018

Komentet

SHBA-ja do t’i ashpërsojë rregullat e vizave për studentët dhe gazetarët e huaj

Një pasagjer duke ecur nëpër Aeroportin Ndërkombëtar Ronald Reagan në Arlington, Virxhinia, SHBA, 15 mars 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Administrata Trump ka vendosur të enjten ta shkurtojë kohëzgjatjen e vizave për studentët e huaj, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit arsimor dhe gazetarët.

Rregullorja e re përfundimtare e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) përcakton një periudhë fikse qëndrimi për vizat F (për studentët ndërkombëtarë), vizat J (që u lejojnë pjesëmarrësve në programet e shkëmbimit kulturor të punojnë në SHBA) dhe vizat I (për përfaqësuesit e mediave).

Aktualisht, këto viza janë të vlefshme për të gjithë kohëzgjatjen e programit të studimit ose të punësimit në SHBA.

Sipas rregullave të reja, periudha e vlefshmërisë për vizat e studentëve dhe të shkëmbimit nuk do të jetë më e gjatë se katër vjet.

Viza për gazetarët – e cila aktualisht mund të zgjasë për vite me radhë – do të kufizohet në 240 ditë, ose 90 ditë në rastin e shtetasve kinezë.

Rregullorja do të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, nëse nuk pengohet nga procesi i shqyrtimit në Kongres.

Presidenti Donald Trump nisi një fushatë të gjerë kundër emigracionit menjëherë pasi mori detyrën në janar 2025.

Administrata e tij ka shtuar kontrollin ndaj emigracionit të ligjshëm, duke revokuar vizat studentore dhe kartat e gjelbra (green cards) të studentëve universitarë për shkak të pikëpamjeve të tyre ideologjike dhe duke u hequr statusin ligjor qindra mijëra emigrantëve.

Veprimi më i fundit do të krijojë pengesa të reja për studentët ndërkombëtarë, punonjësit e programeve të shkëmbimit dhe gazetarët e huaj.

Sipas DHS, mbajtësit e këtyre vizave do të kenë mundësi të aplikojnë për zgjatje të afatit të qëndrimit.

Kufizime të reja për studentët

Rregullorja ua ndalon studentëve të ciklit pasuniversitar t’i ndryshojnë qëllimet e tyre arsimore në çfarëdo kohe, ose të transferohen në një universitet tjetër pa autorizim.

Gjithashtu, ajo përgjysmon afatin që studentët kanë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara pas përfundimit të studimeve ose trajnimit, nga 60 ditë në 30 ditë.

“Shumica e amerikanëve e kuptojnë vlerën e mirëpritjes së studentëve ndërkombëtarë dhe të eliminimit të burokracive të panevojshme”, tha Doug Rand, ish-zyrtar i DHS. “Kjo rregullore do të bëjë pikërisht të kundërtën”.

David J. Bier, drejtor i studimeve mbi emigracionin në Institutin Cato, tha se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për kufizimet e reja që lidhen me studimet dhe transferimin e studentëve.

“Studentët ndërkombëtarë, shumë prej të cilëve do të kenë kaluar vite në SHBA, tani do të kenë vetëm 30 ditë kohë për të gjetur një punëdhënës që t’u sponsorizojë vizën ose, përndryshe, do të konsiderohen menjëherë si emigrantë të paligjshëm. A nuk e kuptojnë këta njerëz se si funksionon jeta?” shtoi ai.

Në njoftimin e tij, Departamenti përmendi rritjen e ndjeshme të numrit të këtyre vizave.

Sipas DHS, në vitin 2024 u regjistruan më shumë se 1.8 milionë hyrje me vizë studentore, një rritje prej mbi 11% krahasuar me një vit më parë.

Ky ndryshim në vizat studentore pritet t’i prekë edhe kosovarët që shkojnë për të studiuar në SHBA.

Çdo vit regjistrohen deri në 200 studentë nga Kosova në universitete në SHBA, sipas raporteve të Open Doors, të publikuar nga Instituti i Arsimit Ndërkombëtar (IIE).

Në vitin e kaluar u regjistruan 190 studentë nga Kosova, sipas raportit të fundit.

Gjithashtu, SHBA lëshoi viza për më shumë se 500.000 pjesëmarrës në programet e shkëmbimit dhe për 37.300 përfaqësues të mediave gjatë vitit fiskal 2024, i cili filloi më 1 tetor 2023.

DHS tha se rritja e konsiderueshme e numrit të këtyre vizitorëve “paraqet sfidë për aftësinë e Departamentit për të monitoruar dhe mbikëqyrur këta joemigrantë gjatë qëndrimit të tyre në Shtetet e Bashkuara”.

Departamenti shtoi se ka shumë raste të studentëve dhe pjesëmarrësve në programet e shkëmbimit që kanë qëndruar për dekada në SHBA me këto lloj vizash.

Sipas rregullave të reja, mbajtësit e vizave që dëshirojnë të qëndrojnë në SHBA edhe pas përfundimit të periudhës së lejuar të qëndrimit do të duhet të aplikojnë pranë DHS për zgjatje të afatit ose të largohen nga vendi dhe të rikthehen sërish për të marrë një leje të re hyrjeje.

DASH për REL: Dialogu Strategjik me Kosovën kur të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara thanë se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ato përfshijnë edhe përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik u pezullua në shtator të vitit 2025, “për një periudhë të pacaktuar”, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Departamenti i Shtetit nuk dha një afat se kur mund të nisë Dialogu Strategjik dhe nuk i specifikoi më shumë hapat që i pret nga autoritetet e Kosovës.

Përgjigjja vjen në ditën kur Uashingtoni nis rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë – një proces që synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si: siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.

“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Kur dhe pse u pezullua Dialogu Strategjik me Kosovën?

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më 12 shtator 2025 se Shtetet e Bashkuara e kishin pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën.

Në atë kohë, Ambasada tha se vendimi është marrë për shkak të “shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”, të cilat, sipas saj, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë” dhe kanë kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Vendimi erdhi pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën veprime ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.

Ato, po ashtu, kritikuan publikisht Gjykatën Kushtetuese të vendit për një vendim lidhur me mandatin e deputetëve.

Uashingtoni i cilësoi këto zhvillime si faktorë që rritën tensionet politike dhe vështirësuan bashkëpunimin, ndërsa Qeveria në detyrë tha se ato ishin “të ligjshme dhe kushtetuese”.

Çfarë pritet nga Kosova në raport me serbët?

Prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ato përfshijnë, mbi të gjitha, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.

Po ashtu, Perëndimi kërkon që Kosova t’i zgjidhë kontestet me Kishën Ortodokse Serbe, të mbrojë liritë fetare dhe të shmangë veprime të njëanshme në veriun e vendit, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet me komunitetin serb.

Kosova argumenton se zbatimi i obligimeve nga dialogu duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa veprimet e saj në veri – nga heqja e dinarit serb nga përdorimi deri te mbyllja e shumicës së institucioneve paralele serbe – kanë pasur për qëllim shtrirjen e sundimit të ligjit.

Prishtina, gjithashtu, kërkon ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, gjë të cilën Beogradi e ka refuzuar.

Për vazhdimin e dialogut me Serbinë , autoritetet e Kosovës kërkojnë ekstradimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Radoiçiq është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për përfshirje në korrupsion dhe aktivitete të krimit të organizuar, ndërsa ndaj tij është ngritur aktakuzë në Kosovë për terrorizëm dhe vepra të tjera penale.

Po planifikonin atentat me dronë ndaj Donald Trumpit dhe liderëve të tjerë në Shtëpinë e Bardhë, tetë persona përballen me akuza për terrorizëm dhe komplot për vrasje

Tetë persona përballen me akuza për komplot për vrasje dhe terrorizëm, pasi sipas aktakuzës dyshohet se planifikonin një sulm me dronë dhe armë zjarri për të vrarë presidentin amerikan Donald Trump gjatë një eventi të UFC-së, i cili u zhvillua në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në muajin qershor.

Aktakuza, e depozituar para një jurie federale në shtetin e Ohajos, ngarkon të arrestuarit me dy akuza të veçanta, ofrim të mbështetjes materiale për terroristë dhe komplot për kryerjen e një vrasjeje në territorin e qeverisë amerikane, përfshirë vrasjen e një zyrtari qeveritar.

Nga dokumentet gjyqësore mbetet e paqartë se sa pranë zbatimit të planit kishin arritur autorët e dyshuar përpara se ai të parandalohej.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi muajin e kaluar se komploti ishte zbuluar dhe goditur, ndërsa të paktën pesë persona u vunë në pranga dhe 23 të tjerë u identifikuan si pjesë e një rrjeti të mundshëm bashkëpunëtorësh.

Sipas aktakuzës, tetë burra, të moshës nga 19 deri në 32 vjeç, akuzohen se morën pjesë në planin për vrasjen e presidentit amerikan Donald Trump, zëvendëspresidentit JD Vance, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, miliarderit dhe themeluesit të Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk, si edhe të “objektivave të tjerë me vlerë të lartë” gjatë aktivitetit “UFC Freedom 250”, të zhvilluar më 14 qershor.

Të akuzuarit janë: Abraham Alvarez, Daniel Eskridge, William Faulkner, Tycen Proper, Jordan Rinker, Brian Roa, Chandler Skaggs dhe Michael Thomas.

Në aktakuzë thuhet se grupi nisi të organizonte planin në muajin maj, duke siguruar fonde, armë zjarri, municione, jelekë antiplumb, eksplozivë, dronë, pajisje mjekësore, mjete komunikimi dhe materiale të tjera.

Përmes platformave online dhe rrjeteve sociale si Signal, SimpleX, Discord, TikTok dhe Instagram, grupi dyshohet se krijoi një sistem me “nivele” (tiers), përmes të cilit klasifikonte pjesëmarrësit sipas rolit të tyre të pretenduar në komplot.

Sipas dokumenteve, pjesëtarët e “nivelit të parë” kishin marrë përsipër të ekspozoheshin ndaj rrezikut, të shkelin ligjin dhe, nëse ishte e nevojshme, të fshiheshin. Gjithashtu, grupi dyshohet se kishte rënë dakord të vriste çdo punonjës të agjencive qeveritare amerikane që do të ishte në shërbim gjatë aktivitetit të UFC-së.

Anëtarët e grupit kishin planifikuar të udhëtonin nga Nebraska, Missouri, Washington, Ohio, Virxhinia Perëndimore dhe Kalifornia drejt Shtëpisë së Bardhë, ndërsa sipas aktakuzës ishte përcaktuar edhe mënyra e largimit pas sulmit.

Brian Roa dhe Michael Thomas akuzohen se iu nënshtruan stërvitjeve për qitje dhe luftime në Kaliforni gjatë muajit maj. Prokurorët pretendojnë se Daniel Eskridge mbante në telefon shënime mbi sistemin e niveleve, ku përfshiheshin edhe të dhënat personale të secilit pjesëmarrës. Ndërkohë, William Faulkner kontaktoi të paktën një person në Instagram duke kërkuar, kundrejt pagesës, printimin 3D të skeleteve për dronë.

Dokumentet tregojnë se Brian Roa u nis me makinë nga Kalifornia drejt Uashingtonit më 11 qershor, por një ditë më vonë hasi probleme me automjetin. Më 12 qershor, Abraham Alvarez u takua me Jordan Rinker në Omaha të Nebraskës për t’i dorëzuar një printer 3D. Në këmbim, Alvarez dyshohet se mori një jelek antiplumb, dylbi nate, maskë mbrojtëse për fytyrën, një karabinë dhe një brez për municione.

Si u parandalua sulmi

Dokumentet më të fundit gjyqësore u depozituan pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi muajin e kaluar një seri procedimesh penale në disa shtete të SHBA-së lidhur me këtë komplot.

Policia mori informacion për kërcënimin e mundshëm ndaj Donald Trump dhe aktivitetit të UFC-së më 10 qershor, katër ditë përpara zhvillimit të eventit.

Një dokument gjyqësor i depozituar më 15 qershor tregon se policia u thirr fillimisht në një banesë në qarkun Knox, në verilindje të Columbusit, pasi nëna e Tycen Proper shprehu shqetësimin se djali i saj komunikonte me persona në internet dhe kishte blerë kohët e fundit armë.

Babai i Proper u tha autoriteteve se 19-vjeçari planifikonte misione zbulimi dhe sulme të shpejta “godit dhe largohu”, ndërsa kishte shpenzuar të paktën 3 mijë dollarë për pajisje kampingu, ushqime, pajisje mbrojtëse dhe sasi të mëdha municionesh.

Autoritetet deklaruan se grupi mbështeste teori konspirative ekstremiste dhe shpresonte se sulmi do të destabilizonte qeverinë amerikane. Nëna e Proper u tha hetuesve se djali i saj komunikonte me persona që pretendonin se ishin të krishterë dhe ish-ushtarakë.

“Njerëzit me të cilët komunikonte shprehnin pikëpamje ekstreme fetare dhe antiqeveritare, duke përmendur korrupsionin qeveritar, mënyrën e trajtimit të dosjeve Epstein, qendrat e të dhënave që konsumojnë burimet ujore të komuniteteve lokale, si edhe veprime të tjera të qeverisë”, thuhet në dokumentet gjyqësore.

Proper u deklaroi më vonë hetuesve se grupi komunikonte përmes një grupi në TikTok me emrin “Vanguard of the Old” (“Pararoja e të Vjetërve”). Ai u dha autoriteteve edhe emrat e Brian Roa dhe Michael Thomas, në banesat e të cilëve FBI-ja zhvilloi kontrolle më 13 qershor.

Sipas një deklarate federale nën betim, një nga të akuzuarit u tha hetuesve se plani parashikonte përdorimin e dronëve të mbushur me eksplozivë mbi zonën e aktivitetit dhe më pas hapjen e zjarrit ndaj turmës së panikosur që do të përpiqej të largohej.

Donald Trump mori pjesë në eventin e UFC-së, i cili u zhvillua pa incidente në ditën e 80-vjetorit të lindjes së presidentit, në prani edhe të disa politikanëve republikanë. Benjamin Netanyahu nuk ishte i pranishëm.

Tycen Proper dhe katër persona të tjerë u arrestuan dhe u akuzuan në Missouri, Nebraska dhe Kaliforni gjatë fundjavës kur u zhvillua eventi. Dy të tjerë u arrestuan nga FBI një javë më vonë në Washington dhe Missouri.

Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se 21-vjeçari Chandler Skaggs ishte personi i tetë ndaj të cilit u ngritën akuza këtë javë, pasi u arrestua në Virxhinian Perëndimore. Sipas prokurorëve, atij i ishte caktuar roli i snajperit në planin e dyshuar të sulmit. Avokati i Skaggs deklaroi se po shqyrton me kujdes akuzat dhe nuk pranoi të komentojë më tej.

Sipas legjislacionit amerikan, komploti për ofrimin e mbështetjes materiale për terroristë dënohet me deri në 15 vite burg, ndërsa komploti për kryerjen e vrasjes mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm.

250-vjetori i pavarësisë së SHBA- Spektakël ngjyrash e muzike pranë Statujës së Lirisë

SHBA– Për herë të parë në historinë e saj, Statuja e Lirisë është në qendër të një spektakli audiovizual, të iniciuar nga Franca, për të festuar 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së. DJ dhe producenti muzikor francez Michel Canitreau ishte truri ideator pas kësaj shfaqjeje pesëmbëdhjetë minutëshe që synonte prezantimin e Statujës, një dhuratë nga Franca për Shtetet e Bashkuara 140 vjet më parë.

“Nga të gjitha shfaqjet që kam organizuar, kjo ishte padyshim më komplekse”, tha artisti, i cili specializohet në spektakle të tilla monumentale.

Sipas mediave të huaja, në të kaluarën, ai ka organizuar shfaqje të ngjashme në Kullën Eiffel, Mont-Saint-Michel dhe, së fundmi, në inaugurimin e Notre Dame de Paris, e cila u restaurua pas zjarrit. Shfaqja në Nju Jork kërkonte leje të posaçme nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare të SHBA-së, një agjenci federale që menaxhon shumë monumente, pas muajsh negociatash.

Statuja e Lirisë, e cila u vendos në Portin e Nju Jorkut në vitin 1886, ishte vepër e skulptorit francez Auguste Bartholdi dhe tani është një nga monumentet më të famshme në Shtetet e Bashkuara. Ajo ndodhet në Ishullin Liberty, në jug të Manhattanit, dhe pret rreth 4 milionë vizitorë në vit.

Fakti që ndodhet në një ishull i bëri gjërat edhe më të komplikuara kur erdhi puna te organizimi i shfaqjes”, tha Canitro.

Vendi gjithashtu mbeti i hapur për vizitorët gjatë punës përgatitore, e cila i detyroi ekipet të punonin natën në mënyrë që të mos ndërhynin në funksionimin e saj. Ideja për shfaqjen erdhi nga konsulli i përgjithshëm i Francës në Nju Jork, Cedric Fouriscou, i cili tha se spektakli ilustron rëndësinë e aleancave. Në një sfond tensionesh gjeopolitike, Franca dhe Shtetet e Bashkuara po krijojnë gjëra së bashku, si Statuja e Lirisë ose kjo shfaqje, diçka që do të jetë e paharrueshme.

Shfaqja, me muzikë tekno dhe drita lazeri, është tërësisht e financuar privatisht. U xhirua të mërkurën para rreth 250 të ftuarve, përfshirë Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessant, dhe Kryetarin e JPMorgan Chase, Jamie Dimon./Dosja.al

Amendamenti i kongresmenit amerikan: SHBA të hetojë lidhjet e qeverisë Rama me drogën

Amendamenti i depozituar dy javë më parë, ka kaluar tashmë fazat e para të shqyrtimit, përkatësisht në Komisionin e Rregulloreve dhe Komisionin e Ligjeve.

TIRANË- Kongresmeni amerikan, Joe Wilson, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, duke propozuar një amendament që kërkon një hetim të thelluar nga shërbimet e inteligjencës amerikane mbi përfshirjen e mundshme të qeverisë shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Amendamenti i depozituar dy javë më parë, ka kaluar tashmë fazat e para të shqyrtimit, përkatësisht në Komisionin e Rregulloreve dhe Komisionin e Ligjeve. Tashmë pritet votimi i tij në seancën plenare të Kongresit Amerikan.

Nëse ligji miratohet, Sekretari i Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, do të ketë një afat prej 180 ditësh për të hartuar dhe dorëzuar në Kongres një raport të klasifikuar.

“Jo më vonë se 180 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Sekretari i Shtetit në koordinim me drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, do tu paraqesë komiteteve përkatëse të Kongresit një raport të klasifikuar, të përgatitur në përputhje me mbrojtjen e burimeve dhe metodave të inteligjencës i cili shqyrton: -shkallën e narkotrafikut në Shqipëri; -rolin e qeverisë së Shqipërisë në lehtësimin ose mundësimin e këtij narkotrafiku”, shkruhet në amendament./Dosja.al

Amendamenti i kongresmenit amerikan: SHBA të hetojë lidhjet eAmendamenti i kongresmenit amerikan: SHBA të hetojë lidhjet e

shba joe wilson

 

‘ ‘ ‘

 

Presidenti Trump rinovon Emergjencën Kombëtare për Ballkanin: Tensionet Serbi-Kosovë dhe kriza e korrupsionit në Shqipëri Nga Kastriot Haxhiaj

 

Më 20 qershor 2025, Presidenti Donald Trump firmosi vazhdimin për një vit të gjendjes së emergjencës kombëtare për Ballkanin Perëndimor. Dokumenti, i publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, rinovon një mekanizëm të vjetër që tani fokusohet fort te korrupsioni sistemik, sfidat ndaj sovranitetit dhe pengesat për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Tensionet Serbi-Kosovë në qendër të shqetësimeve

Në veri të Kosovës, situata mbetet e tensionuar. Gjatë viteve të fundit, autoritetet kosovare kanë zbuluar disa herë në fshatrat me popullullsi kryesisht serbe sasi të mëdha armësh, municionesh, uniformash ushtarake dhe pajisje komunikimi, që sugjerojnë përgatitje për veprime destabilizuese.

Incidentet kufitare, stërvitjet ushtarake serbe pranë vijës kufitare dhe raportet për drone mbi territorin kosovar kanë shkaktuar alarm në të gjithë rajonin. Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur këto provokime të hapura, ndërsa misioni i KFOR-it po monitoron me kujdes çdo lëvizje për të parandaluar një përshkallëzim të ri. Këto zhvillime përforcojnë pikërisht shqetësimet që Presidenti Trump përmend në dokument: minimi i sovranitetit dhe marrëveshjeve të pas-luftës.

Shqipëria dhe protestat e vazhdueshme kundër korrupsionit

Në Shqipëri, korrupsioni në nivele të larta ka nxitur protesta masive në Tiranë me thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe hetim të plotë të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas hetimeve të SPAK-ut dhe raportimeve të medias perëndimore, Balluku dyshohet se ka manipuluar tendera të mëdhenj infrastrukturorë. Mesazhet e zbuluara tregojnë ndërhyrje të drejtpërdrejta për të favorizuar kompani të caktuara.

Rama e mbrojti atë për muaj të tërë, duke vonuar dorëheqjen dhe krijuar përshtypjen se po pengon drejtësinë. Mesazhi i protestuesve është i qartë: mjaft me korrupsionin që po e gllabëron vendin.

Migrimi masiv dhe shpresa për një Shqipëri ku rinia nuk detyrohet të largohet

Kjo krizë vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me një migrim madhor të të rinjve. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT dhe analizave të censusit, rreth 500,000 shqiptarë janë larguar nga vendi midis viteve 2012 dhe 2023-2025. Kjo valë e re emigracioni ka kontribuar në tkurrjen dramatike të popullsisë, që tani është rreth 2.36 milionë banorë.

Protestuesit e shohin korrupsionin si shkakun kryesor të kësaj “ikjeje të madhe”. Synimi i tyre është të ndryshojnë vendin: ta bëjnë Shqipërinë një shtet të begatë, me mundësi reale pune, drejtësi dhe transparencë, ku të rinjtë të mos detyrohen të emigrojnë, por të qëndrojnë, të investojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.

Çfarë do të thotë kjo për rajonin?

Duke vazhduar emergjencën, Presidenti Trump po sinjalizon se Uashingtoni i sheh këto probleme – tensionet territoriale dhe korrupsionin e thellë – si kërcënim real për stabilitetin e Ballkanit. Pa reforma të vërteta në drejtësi, transparencë dhe dialog, rajoni do të vazhdojë të mbetet larg synimeve evropiane. Qytetarët po kërkojnë ndryshim konkret. Pyetja e madhe është nëse klasa në pushtet do ta dëgjojnë këtë zë para se të jetë vonë.

SHBA-ja zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor

Radio Evropa e Lirë

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2026.

Kjo emergjencë ishte shpallur për herë të parë me urdhër ekzekutiv më 2001, por sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, të publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, ajo do të zgjatet edhe përtej 26 qershorit të këtij viti shkaku i gjendjes në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe gjendja e tanishme në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

“Për këtë arsye… emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor, duhet të vazhdojë përtej qershorit 2026”, thuhet në njoftim.

Urdhri ekzekutiv për gjendjen në Ballkanin Perëndimor u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në këtë rajon.

Më pas, më 2021, SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, pasi që u tha se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.

Ky vendim mund të jetë sinjal se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor si shqetësim për sigurinë dhe stabilitetin, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, cilat shihen si vende ende të cenueshme.

Në një raport në maj, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e paraqiti Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Raporti i DASH-it identifikoi Rusinë dhe Kinën si aktorë keqdashës që synojnë të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, por nënvizon gjithashtu angazhimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre.

Gjendja e sigurisë në Kosovë ka qenë e qetë në vitet e fundit, por vendi është përballur me një krizë institucionale duke mbajtur zgjedhjeve të njëpasnjëshme në gati dy vjetët e fundit për shkak të mungesës së konsensuseve politike brenda partive partiake.

Në anën tjetër, NATO-ja njoftoi më 12 qershor se, gjatë vitit të ardhshëm, do ta bëjë një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, duke reflektuar vlerësimin për një situatë të qëndrueshme të sigurisë në vend.

Ndërkohë, Bosnje e Hercegovina është ende në pritje të emërimit të një përfaqësues të ri ndërkombëtar, pasi Christian Schmidt njoftoi dorëheqjen më herët këtë muaj.

Kjo çështja ka shkaktuar përplasje në Bosnje lidhur me zyrën ndërkombëtare që mbikëqyr zbatimin e paqes.

Entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, miratoi në maj deklaratënpër mbylljen e zyrës së përfaqësuesit të lartë, gjë që u kundërshtua nga partitë politike nga entiteti tjetër, Federata e Bosnje e Hercegovinës, të cilat thanë se ajo duhet të mbetet në Bosnje me kompetenca të plota.

Indeksi i Dhomës Amerikane: Klima e biznesit e përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit! Shkak, burokracia e qeverisë dhe korrupsioni! Sipërmarrjet raportuan rënie të marrëdhënies me autoritetet Tatimore

Klima e biznesit rezulton që të jetë përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane (AmCham) për vitin 2025, i sapopublikuar, ka shënuar një rënie të fortë në raport me vitin e mëparshëm, ku ndikimin kryesor e ka dhënë klima e brendshme politike, infrastruktura, performanca e ekonomisë, burokracia e qeverisë, dhe korrupsioni.

 

Sipas të dhënave të publikimit, Indeksi i Biznesit të AmCham për vitin 2025 arriti në 40.34 pikë nga 100 të mundshme, duke shënuar një rënie prej 6.13 pikësh krahasuar me vlerën 46.47 që ishte në vitin 2024.

“Treguesit sinjalizojnë një përkeqësim sistemik të integritetit të tregut në Shqipëri, me disa prej komponentëve kyç që kanë shënuar rënien më të fortë krahasuar me vitin 2024.

Ndër treguesit më problematikë rezultojnë klima e brendshme politike, infrastruktura dhe perceptimi i korrupsionit, të cilët kanë regjistruar nivelet më të ulëta në 14 vitet e publikimit të këtij vlerësimi.

Përqendrimi i një numri kaq të madh treguesish në trajektore negative sugjeron se dobësimi nuk është i izoluar, por prek disa dimensione themelore të mjedisit të biznesit.

Sipas të dhënave, kjo prirje përbën një sinjal alarmi për institucionet, komunitetin e biznesit dhe të gjitha palët e interesuara për konkurrueshmërinë dhe klimën e investimeve në vend”, deklaroi kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Neritan Mullaj.

Kjo është rënia më e fortë historike, që nga viti 2012, kur ka filluar të publikohet indeksi.

Perceptimi i përgjithshëm i anëtarëve të AmCham lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri pësoi gjithashtu rënie në vitin 2025, duke u zvogëluar me 9.54 pikë dhe duke zbritur në vlerën 37.02.

Shqetësimet kryesore të identifikuara nga pjesëmarrësit në anketë për vitin 2025 ishin: monopoli dhe konkurrenca e ndershme, burokracia qeveritare, klima e brendshme politike, ekonomia informale, disponueshmëria e stafit vendas të kualifikuar dhe korrupsioni.

“Treguesi i informalitetit mbetet një nga shqetësimet kryesore për bizneset në Shqipëri. Sipas rezultateve të anketimit, 73% e të anketuarve e perceptojnë nivelin e informalitetit si të lartë ose shumë të lartë. Vlerësimi i këtij treguesi ka rënë në nivelin 3 këtë vit, duke regjistruar një përkeqësim krahasuar me edicionin e mëparshëm. Kjo prirje tregon se masat e ndërmarra kundër informalitetit nuk kanë arritur të prodhojnë rezultate të qëndrueshme në kohë dhe se perceptimi i biznesit vijon të reflektojë sfida të konsiderueshme në zbatimin e rregullave të konkurrencës dhe formalizimin e ekonomisë”, nënvizoi Mullaj.

Megjithëse “gjetja e stafit vendas të kualifikuar” ishte i vetmi tregues që shënoi përmirësim në vitin 2025 (+1.45 pikë), ai përsëri mbetet ndër shqetësimet kryesore për bizneset që operojnë në Shqipëri.

Perceptimet u përkeqësuan pothuajse në të gjithë treguesit kryesorë të klimës së biznesit gjatë vitit 2025. Rëniet më të theksuara u regjistruan në klimën e brendshme politike (-14.00 pikë), infrastrukturë (-12.29 pikë), performance e ekonomisë shqiptare (-11.4), burokracinë qeveritare (-9.54 pikë), korrupsion (-9.36 pikë), klima e biznesit (-9.34), ekonominë informale (-6.08 pikë), rendin dhe sigurinë në vend (-6.17 pikë), si dhe në monopolin dhe konkurrencën e pandershme (-4.85 pikë).

Bizneset raportuan gjithashtu një rënie të perceptuar në marrëdhëniet me autoritetet publike. Rënia më e madhe u regjistrua në marrëdhëniet me pushtetin vendor (-7.04 pikë), e ndjekur nga autoritetet tatimore (-5.56 pikë), ministritë (-5.45 pikë), autoritetet doganore (-3.67 pikë) dhe gjykatat (-3.21 pikë).

Perceptimet e pjesëmarrësve në anketë mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare u dobësuan gjithashtu ndjeshëm në vitin 2025, duke rënë me 11.44 pikë. Kjo u shoqërua me një rënie të perceptimit për kërkesën e brendshme për mallra dhe shërbime (-2.89 pikë), ndërsa perceptimet lidhur me kërkesën për eksport të mallrave dhe shërbimeve mbetën gjerësisht të qëndrueshme gjatë së njëjtës periudhë.

Tre shqetësimet më të vogla të biznesit janë furnizimi me energji, kërkesa për mallra e shërbime në eksport dhe marrëdhëniet me administratën doganore.

Për herë të parë, anketa e viteve 2025-2026 përfshiu një seksion të dedikuar për mjedisin digjital në Shqipëri. Sa i përket infrastrukturës digjitale, 39.2% e të anketuarve e vlerësuan atë pozitivisht, krahasuar me 23.9% që e vlerësuan negativisht, ndërsa 36.9% mbetën neutralë. Lidhur me e-government (shërbimet qeveritare elektronike) dhe shërbimet digjitale publike, 30.1% e pjesëmarrësve shprehën një vlerësim pozitiv, ndërsa 35.8% i vlerësuan këto shërbime negativisht dhe 34.1% mbetën neutralë.

Pritshmëritë mbeten pesimiste

Kur u pyetën për pritshmëritë për vitin 2025, gjatë hartimit të indeksit të 2024-s, bizneset u shfaqën optimiste, duke pritur një përmirësim të tij. Realiteti tregoi se ata u zhgënjyen, pasi viti 2025 ishte më keq sesa pritshmëritë, me indeksin që shënoi një rënie të fortë.

Për 2026-n, pritshmëritë e biznesit nuk janë më optimiste, teksa indeksi nuk pritet të shënojë ndonjë përmirësim nga nivelet ku rezultoi realisht në 2025-n.

Grafiku i dytë tregon pritshmëritë për Indeksin e Biznesit të AmCham për vitin 2026. Gjithashtu, grafiku krahason pritshmëritë me rezultatin real për secilin prej viteve të kaluara.

Të dhënat historike tregojnë se përgjithesisht pritshmëritë me realitetin kanë shkuar në të njëjtin drejtim, me përjashtim të 2015-s, që përkon dhe me peroudhë zgjedhore dhe të 2025-s.

Metodologjia

Anketa e Indeksit të Biznesit të AmCham për vitin 2025 u zhvillua online nga data 30 mars deri më 16 prill 2026. Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në anketë ishte 208, nga të cilët 175 e plotësuan atë plotësisht, duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve. Anketa iu drejtua ekskluzivisht anëtarëve të AmCham Shqipëri (Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri) dhe kërkoi mendimin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri gjatë vitit të kaluar (2025), si dhe vlerësimin e tyre për vitin aktual (2026)./Monitor

Protestat për largimin e Ramës, mesazhi i fortë i kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë: Luftoni korrupsionin, rrisni dialogun

Teksa vendi është përfshirë në protesta masive antiqeveritare prej 24 ditësh, një mesazh i fortë ka ardhur nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Van Cleve, në një konferencë të zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

 

Ai tha se duhet të luftohet korrupsioni në fushën e investimeve dhe gjithashtu që të ketë progres duhet dialog.

“Shpresoj të ketë dialog, kam parë edhe investimet shqiptare, ka pasur një dialog konstruktiv, ka psur rezultate konkrete. Duhet luftuar korrupsioni në këtë aspekt për të cilin jemi duke folur, le ta marrim këtë mesazh të fortë, në mënyrë që të ecim përpara.
Theksin do ta vendosja te dialogu”, tha ai. Panorama

Gjenerali Eric Wendt konfirmohet nga Senati si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri

Ambasadori Eric Wendt është konfirmuar nga Senati i SHBA-së me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke marrë miratimin përfundimtar për detyrën e tij diplomatike.

Sipas burimeve, votimi në seancë plenare vjen pas miratimit të mëhershëm në komisionin përkatës të Senatit, ku kandidatura e tij mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve.

Më herët, kandidatura e tij kishte marrë mbështetjen e Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan me votim 19-3, duke hapur rrugën për miratimin përfundimtar në seancën plenare të Senatit.

Me këtë votim, procedura e konfirmimit përfundon dhe pritet që ambasadori të marrë detyrën në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane. bw

SHBA: Shqipëria të mirëpresë investimet e huaja, por të garantojë siguri për sektorët strategjikë

Jetmira Delia-Kaci

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Shqipëria të garantojë sigurinë e sektorëve strategjikë dhe të infrastrukturës kritike, ndërsa mirëpresin investimet e huaja që nxisin ekonominë.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, tha më 15 qershor se investitorët kërkojnë siguri, rregulla të qarta dhe mbrojtje nga aktorë që nuk veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare.

VanHorn mori pjesë në një prezantim mbi draft-kornizën e shqyrtimit të investimeve të huaja, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë e Shqipërisë dhe Oda Amerikane e Tregtisë.

Qeveria e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e cilëson këtë mekanizëm si hap të rëndësishëm për përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.

“Kur presidenti [amerikan, Donald] Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt”, tha VanHorn.

Ajo shtoi se qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim dhe kjo, sipas VanHorn, është e rëndësishme.

Diplomatja amerikane e cilësoi këtë mekanizëm jo si burokraci, por si deklaratë strategjike, pasi tha tregon se Shqipëria është e hapur për biznes në një mënyrë që mbron interesat kombëtare dhe plotëson standardet ndërkombëtare.

“Kompanitë amerikane janë këtu – në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por, investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne”, tha diplomatja amerikane.

Ajo tha se miratimi i një ligji është vetëm fillimi, por zbatimi i tij tregon nëse do të dështojë apo do të ketë sukses. Dhe, për të arritur suksesin, VanHorn tha se SHBA-ja do të mbështesë Shqipërinë gjatë procesit të zbatimit.

Duke theksuar se këto mekanizma do të mbrojnë investitorët, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Tiranë e bëri të qartë se “kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë – dhe ky është mjedisi që tërheq llojin e investimeve afatgjata dhe cilësore që Shqipëria meriton”.

Korniza e re e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte të Shqipërisë është hartuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim dhe komunitetin e biznesit, përfshirë me Odën Amerikane të Tregtisë.

Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane në Shqipëri, theksoi se korniza nuk është krijuar për të kufizuar investimet e huaja, por për të rritur besimin e investitorëve përmes transparencës, parashikueshmërisë dhe procedurave të qarta rregullatore.

Ndërkaq, presidenti i Odës Amerikane në Shqipëri, Grant Van Cleve, e cilësoi miratimin e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve si kulmin e një përpjekjeje afatgjatë të udhëhequr nga Oda në bashkëpunim me institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Kjo kornizë pasqyron vite bashkëpunimi dhe përkushtimi”, deklaroi Van Cleve. “Ajo përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në forcimin e klimës së investimeve në Shqipëri, duke siguruar që interesat strategjike kombëtare të mbeten të mbrojtura”.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, tha se ky mekanizëm i ri rrit transparencën, sigurinë juridike dhe besueshmërinë e mjedisit të investimeve, si dhe forcon kapacitetet për të mbrojtur sektorët strategjikë të vendit.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar investimet e huaja direkte arritën mbi 1.6 miliard euro.

Oda Amerikane e Tregtisë në Shqipëri mbështet mekanizmin e shqyrtimit të investimeve të huaja, por kërkon që ai të jetë më i qartë, më i parashikueshëm dhe i bazuar në ligj të plotë për të mos krijuar pasiguri për investitorët.

Mekanizmi i ri i kontrollit të investimeve të huaja është përfshirë në Ligjin për investime të huaja, ndërkaq paralelisht Qeveria shqiptare ka njoftuar se Ligji për investime strategjike, që u jep projekteve të caktuara statusin e investitorit strategjik, do të shfuqizohet në përputhje me angazhimet ndaj Bashkimit Evropian.

Njoftimin për shfuqzimin e Ligjit për investime strategjike ditë më parë e bëri kryeministri Rama, i cili tha se ky ligj kishte arritur qëllimin e tij. Shfuqizimi i ligjit është kërkesë edhe e protestuesve kundër projektit turistik në Zvërnec dhe atij në Sazan, projekte që janë lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Trump.

Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 me një afat trevjeçar, por që prej asaj kohe afati i funksionimit të tij është shtyrë gjashtë herë. Ligji ofron lehtësira procedurale, fiskale dhe administrative, investime publike, dhënien e tokës publike dhe ndërhyrjen e shtetit për shpronësim të pronës private, e të tjera lehtësira për ata që përfitojnë statusin “investitorë strategjikë”.

Prej katër vjetësh, BE-ja në raportet e progresit për Shqipërinë ka kërkuar rishikimin e këtij ligji. Dy vjet më parë ambasadori i BE në Tiranë u shpreh se ky ligj i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. Ai kishte shprehur shqetësimin se i gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të Shqipërisë.

Në dhjetor të 2024 Qeveria e Shqipërisë i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit.

Në lidhje me projektin që Kushner tha se do të investonte në Zvërnec, Rama ka thënë më herët se nuk ka pasur kërkesë për status të investitorit strategjik.

Ditë më parë, kreu i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale tha se për katër vjet kanë punuar në krijimin e një destinacioni të klasti botëror në bregdetin shqiptar “një destinacion me dizajn të menduar mirë, që kujdeset për aspektin mjedisor dhe që ofron mundësi afatgjata ekonomike”.

Ai tha se qëllimi është i thjeshtë, dhe ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës dhe ndërtimit të diçkaje për të cilin brezat e ardhshëm do të jenë krenarë.

“E ardhmja [e projektit] në fund të fundit përcaktohet nga Shqipëria dhe populli shqiptar”, tha Abehsera.

Mijëra njerëz po protestojnë prej 16 ditësh në Tiranë, në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në disa shtete të botës, duke kundërshtuar punimet për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës, mes shqetësimeve lidhur me ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Zvërneci gjendet në zonë të mbrojtur që është habitat për flamingot, fokat dhe shumimin e breshkave të detit. Flamingoja është shndërruar në simbol të protestave, me demonstruesit që mbajnë në duar zogjtë rozë dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingos”.

Ambasada Amerikane në Tiranë uron Donald Trumpin për ditëlindje: Një patriot i palodhur që lufton çdo ditë për vendin që do

Ambasada Amerikane në Tiranë, ka uruar presidentin amerikan dhe njëherësh Presidentin e 45-të dhe të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, me rastin e ditëlindjes së tij.


Në një mesazh publik, ambasada vlerëson figurën e Trump si një “patriot të palodhur”, i cili sipas deklaratës “lufton çdo ditë për vendin që do, për njerëzit të cilëve u shërben dhe për Ëndrrën Amerikane”.

“Gëzuar ditëlindjen Presidentit të 45-të dhe të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump. Një patriot i palodhur që lufton çdo ditë për vendin që do, për njerëzit të cilëve u shërben dhe për Ëndrrën Amerikane”, thuhet në urimin e publikuar, krahas një fotoje të Trump. gsh


Send this to a friend