VOAL

VOAL

Presidenti Trump kritikon përsëri Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions

March 1, 2018

Komentet

SHBA-ja zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor

Radio Evropa e Lirë

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2026.

Kjo emergjencë ishte shpallur për herë të parë me urdhër ekzekutiv më 2001, por sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, të publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, ajo do të zgjatet edhe përtej 26 qershorit të këtij viti shkaku i gjendjes në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe gjendja e tanishme në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

“Për këtë arsye… emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor, duhet të vazhdojë përtej qershorit 2026”, thuhet në njoftim.

Urdhri ekzekutiv për gjendjen në Ballkanin Perëndimor u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në këtë rajon.

Më pas, më 2021, SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, pasi që u tha se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.

Ky vendim mund të jetë sinjal se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor si shqetësim për sigurinë dhe stabilitetin, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, cilat shihen si vende ende të cenueshme.

Në një raport në maj, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e paraqiti Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Raporti i DASH-it identifikoi Rusinë dhe Kinën si aktorë keqdashës që synojnë të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, por nënvizon gjithashtu angazhimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre.

Gjendja e sigurisë në Kosovë ka qenë e qetë në vitet e fundit, por vendi është përballur me një krizë institucionale duke mbajtur zgjedhjeve të njëpasnjëshme në gati dy vjetët e fundit për shkak të mungesës së konsensuseve politike brenda partive partiake.

Në anën tjetër, NATO-ja njoftoi më 12 qershor se, gjatë vitit të ardhshëm, do ta bëjë një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, duke reflektuar vlerësimin për një situatë të qëndrueshme të sigurisë në vend.

Ndërkohë, Bosnje e Hercegovina është ende në pritje të emërimit të një përfaqësues të ri ndërkombëtar, pasi Christian Schmidt njoftoi dorëheqjen më herët këtë muaj.

Kjo çështja ka shkaktuar përplasje në Bosnje lidhur me zyrën ndërkombëtare që mbikëqyr zbatimin e paqes.

Entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, miratoi në maj deklaratënpër mbylljen e zyrës së përfaqësuesit të lartë, gjë që u kundërshtua nga partitë politike nga entiteti tjetër, Federata e Bosnje e Hercegovinës, të cilat thanë se ajo duhet të mbetet në Bosnje me kompetenca të plota.

Indeksi i Dhomës Amerikane: Klima e biznesit e përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit! Shkak, burokracia e qeverisë dhe korrupsioni! Sipërmarrjet raportuan rënie të marrëdhënies me autoritetet Tatimore

Klima e biznesit rezulton që të jetë përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane (AmCham) për vitin 2025, i sapopublikuar, ka shënuar një rënie të fortë në raport me vitin e mëparshëm, ku ndikimin kryesor e ka dhënë klima e brendshme politike, infrastruktura, performanca e ekonomisë, burokracia e qeverisë, dhe korrupsioni.

 

Sipas të dhënave të publikimit, Indeksi i Biznesit të AmCham për vitin 2025 arriti në 40.34 pikë nga 100 të mundshme, duke shënuar një rënie prej 6.13 pikësh krahasuar me vlerën 46.47 që ishte në vitin 2024.

“Treguesit sinjalizojnë një përkeqësim sistemik të integritetit të tregut në Shqipëri, me disa prej komponentëve kyç që kanë shënuar rënien më të fortë krahasuar me vitin 2024.

Ndër treguesit më problematikë rezultojnë klima e brendshme politike, infrastruktura dhe perceptimi i korrupsionit, të cilët kanë regjistruar nivelet më të ulëta në 14 vitet e publikimit të këtij vlerësimi.

Përqendrimi i një numri kaq të madh treguesish në trajektore negative sugjeron se dobësimi nuk është i izoluar, por prek disa dimensione themelore të mjedisit të biznesit.

Sipas të dhënave, kjo prirje përbën një sinjal alarmi për institucionet, komunitetin e biznesit dhe të gjitha palët e interesuara për konkurrueshmërinë dhe klimën e investimeve në vend”, deklaroi kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Neritan Mullaj.

Kjo është rënia më e fortë historike, që nga viti 2012, kur ka filluar të publikohet indeksi.

Perceptimi i përgjithshëm i anëtarëve të AmCham lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri pësoi gjithashtu rënie në vitin 2025, duke u zvogëluar me 9.54 pikë dhe duke zbritur në vlerën 37.02.

Shqetësimet kryesore të identifikuara nga pjesëmarrësit në anketë për vitin 2025 ishin: monopoli dhe konkurrenca e ndershme, burokracia qeveritare, klima e brendshme politike, ekonomia informale, disponueshmëria e stafit vendas të kualifikuar dhe korrupsioni.

“Treguesi i informalitetit mbetet një nga shqetësimet kryesore për bizneset në Shqipëri. Sipas rezultateve të anketimit, 73% e të anketuarve e perceptojnë nivelin e informalitetit si të lartë ose shumë të lartë. Vlerësimi i këtij treguesi ka rënë në nivelin 3 këtë vit, duke regjistruar një përkeqësim krahasuar me edicionin e mëparshëm. Kjo prirje tregon se masat e ndërmarra kundër informalitetit nuk kanë arritur të prodhojnë rezultate të qëndrueshme në kohë dhe se perceptimi i biznesit vijon të reflektojë sfida të konsiderueshme në zbatimin e rregullave të konkurrencës dhe formalizimin e ekonomisë”, nënvizoi Mullaj.

Megjithëse “gjetja e stafit vendas të kualifikuar” ishte i vetmi tregues që shënoi përmirësim në vitin 2025 (+1.45 pikë), ai përsëri mbetet ndër shqetësimet kryesore për bizneset që operojnë në Shqipëri.

Perceptimet u përkeqësuan pothuajse në të gjithë treguesit kryesorë të klimës së biznesit gjatë vitit 2025. Rëniet më të theksuara u regjistruan në klimën e brendshme politike (-14.00 pikë), infrastrukturë (-12.29 pikë), performance e ekonomisë shqiptare (-11.4), burokracinë qeveritare (-9.54 pikë), korrupsion (-9.36 pikë), klima e biznesit (-9.34), ekonominë informale (-6.08 pikë), rendin dhe sigurinë në vend (-6.17 pikë), si dhe në monopolin dhe konkurrencën e pandershme (-4.85 pikë).

Bizneset raportuan gjithashtu një rënie të perceptuar në marrëdhëniet me autoritetet publike. Rënia më e madhe u regjistrua në marrëdhëniet me pushtetin vendor (-7.04 pikë), e ndjekur nga autoritetet tatimore (-5.56 pikë), ministritë (-5.45 pikë), autoritetet doganore (-3.67 pikë) dhe gjykatat (-3.21 pikë).

Perceptimet e pjesëmarrësve në anketë mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare u dobësuan gjithashtu ndjeshëm në vitin 2025, duke rënë me 11.44 pikë. Kjo u shoqërua me një rënie të perceptimit për kërkesën e brendshme për mallra dhe shërbime (-2.89 pikë), ndërsa perceptimet lidhur me kërkesën për eksport të mallrave dhe shërbimeve mbetën gjerësisht të qëndrueshme gjatë së njëjtës periudhë.

Tre shqetësimet më të vogla të biznesit janë furnizimi me energji, kërkesa për mallra e shërbime në eksport dhe marrëdhëniet me administratën doganore.

Për herë të parë, anketa e viteve 2025-2026 përfshiu një seksion të dedikuar për mjedisin digjital në Shqipëri. Sa i përket infrastrukturës digjitale, 39.2% e të anketuarve e vlerësuan atë pozitivisht, krahasuar me 23.9% që e vlerësuan negativisht, ndërsa 36.9% mbetën neutralë. Lidhur me e-government (shërbimet qeveritare elektronike) dhe shërbimet digjitale publike, 30.1% e pjesëmarrësve shprehën një vlerësim pozitiv, ndërsa 35.8% i vlerësuan këto shërbime negativisht dhe 34.1% mbetën neutralë.

Pritshmëritë mbeten pesimiste

Kur u pyetën për pritshmëritë për vitin 2025, gjatë hartimit të indeksit të 2024-s, bizneset u shfaqën optimiste, duke pritur një përmirësim të tij. Realiteti tregoi se ata u zhgënjyen, pasi viti 2025 ishte më keq sesa pritshmëritë, me indeksin që shënoi një rënie të fortë.

Për 2026-n, pritshmëritë e biznesit nuk janë më optimiste, teksa indeksi nuk pritet të shënojë ndonjë përmirësim nga nivelet ku rezultoi realisht në 2025-n.

Grafiku i dytë tregon pritshmëritë për Indeksin e Biznesit të AmCham për vitin 2026. Gjithashtu, grafiku krahason pritshmëritë me rezultatin real për secilin prej viteve të kaluara.

Të dhënat historike tregojnë se përgjithesisht pritshmëritë me realitetin kanë shkuar në të njëjtin drejtim, me përjashtim të 2015-s, që përkon dhe me peroudhë zgjedhore dhe të 2025-s.

Metodologjia

Anketa e Indeksit të Biznesit të AmCham për vitin 2025 u zhvillua online nga data 30 mars deri më 16 prill 2026. Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në anketë ishte 208, nga të cilët 175 e plotësuan atë plotësisht, duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve. Anketa iu drejtua ekskluzivisht anëtarëve të AmCham Shqipëri (Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri) dhe kërkoi mendimin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri gjatë vitit të kaluar (2025), si dhe vlerësimin e tyre për vitin aktual (2026)./Monitor

Protestat për largimin e Ramës, mesazhi i fortë i kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë: Luftoni korrupsionin, rrisni dialogun

Teksa vendi është përfshirë në protesta masive antiqeveritare prej 24 ditësh, një mesazh i fortë ka ardhur nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Van Cleve, në një konferencë të zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

 

Ai tha se duhet të luftohet korrupsioni në fushën e investimeve dhe gjithashtu që të ketë progres duhet dialog.

“Shpresoj të ketë dialog, kam parë edhe investimet shqiptare, ka pasur një dialog konstruktiv, ka psur rezultate konkrete. Duhet luftuar korrupsioni në këtë aspekt për të cilin jemi duke folur, le ta marrim këtë mesazh të fortë, në mënyrë që të ecim përpara.
Theksin do ta vendosja te dialogu”, tha ai. Panorama

Gjenerali Eric Wendt konfirmohet nga Senati si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri

Ambasadori Eric Wendt është konfirmuar nga Senati i SHBA-së me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke marrë miratimin përfundimtar për detyrën e tij diplomatike.

Sipas burimeve, votimi në seancë plenare vjen pas miratimit të mëhershëm në komisionin përkatës të Senatit, ku kandidatura e tij mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve.

Më herët, kandidatura e tij kishte marrë mbështetjen e Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan me votim 19-3, duke hapur rrugën për miratimin përfundimtar në seancën plenare të Senatit.

Me këtë votim, procedura e konfirmimit përfundon dhe pritet që ambasadori të marrë detyrën në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane. bw

SHBA: Shqipëria të mirëpresë investimet e huaja, por të garantojë siguri për sektorët strategjikë

Jetmira Delia-Kaci

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Shqipëria të garantojë sigurinë e sektorëve strategjikë dhe të infrastrukturës kritike, ndërsa mirëpresin investimet e huaja që nxisin ekonominë.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, tha më 15 qershor se investitorët kërkojnë siguri, rregulla të qarta dhe mbrojtje nga aktorë që nuk veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare.

VanHorn mori pjesë në një prezantim mbi draft-kornizën e shqyrtimit të investimeve të huaja, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë e Shqipërisë dhe Oda Amerikane e Tregtisë.

Qeveria e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e cilëson këtë mekanizëm si hap të rëndësishëm për përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.

“Kur presidenti [amerikan, Donald] Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt”, tha VanHorn.

Ajo shtoi se qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim dhe kjo, sipas VanHorn, është e rëndësishme.

Diplomatja amerikane e cilësoi këtë mekanizëm jo si burokraci, por si deklaratë strategjike, pasi tha tregon se Shqipëria është e hapur për biznes në një mënyrë që mbron interesat kombëtare dhe plotëson standardet ndërkombëtare.

“Kompanitë amerikane janë këtu – në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por, investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne”, tha diplomatja amerikane.

Ajo tha se miratimi i një ligji është vetëm fillimi, por zbatimi i tij tregon nëse do të dështojë apo do të ketë sukses. Dhe, për të arritur suksesin, VanHorn tha se SHBA-ja do të mbështesë Shqipërinë gjatë procesit të zbatimit.

Duke theksuar se këto mekanizma do të mbrojnë investitorët, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Tiranë e bëri të qartë se “kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë – dhe ky është mjedisi që tërheq llojin e investimeve afatgjata dhe cilësore që Shqipëria meriton”.

Korniza e re e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte të Shqipërisë është hartuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim dhe komunitetin e biznesit, përfshirë me Odën Amerikane të Tregtisë.

Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane në Shqipëri, theksoi se korniza nuk është krijuar për të kufizuar investimet e huaja, por për të rritur besimin e investitorëve përmes transparencës, parashikueshmërisë dhe procedurave të qarta rregullatore.

Ndërkaq, presidenti i Odës Amerikane në Shqipëri, Grant Van Cleve, e cilësoi miratimin e mekanizmit të shqyrtimit të investimeve si kulmin e një përpjekjeje afatgjatë të udhëhequr nga Oda në bashkëpunim me institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Kjo kornizë pasqyron vite bashkëpunimi dhe përkushtimi”, deklaroi Van Cleve. “Ajo përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në forcimin e klimës së investimeve në Shqipëri, duke siguruar që interesat strategjike kombëtare të mbeten të mbrojtura”.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, tha se ky mekanizëm i ri rrit transparencën, sigurinë juridike dhe besueshmërinë e mjedisit të investimeve, si dhe forcon kapacitetet për të mbrojtur sektorët strategjikë të vendit.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar investimet e huaja direkte arritën mbi 1.6 miliard euro.

Oda Amerikane e Tregtisë në Shqipëri mbështet mekanizmin e shqyrtimit të investimeve të huaja, por kërkon që ai të jetë më i qartë, më i parashikueshëm dhe i bazuar në ligj të plotë për të mos krijuar pasiguri për investitorët.

Mekanizmi i ri i kontrollit të investimeve të huaja është përfshirë në Ligjin për investime të huaja, ndërkaq paralelisht Qeveria shqiptare ka njoftuar se Ligji për investime strategjike, që u jep projekteve të caktuara statusin e investitorit strategjik, do të shfuqizohet në përputhje me angazhimet ndaj Bashkimit Evropian.

Njoftimin për shfuqzimin e Ligjit për investime strategjike ditë më parë e bëri kryeministri Rama, i cili tha se ky ligj kishte arritur qëllimin e tij. Shfuqizimi i ligjit është kërkesë edhe e protestuesve kundër projektit turistik në Zvërnec dhe atij në Sazan, projekte që janë lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Trump.

Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 me një afat trevjeçar, por që prej asaj kohe afati i funksionimit të tij është shtyrë gjashtë herë. Ligji ofron lehtësira procedurale, fiskale dhe administrative, investime publike, dhënien e tokës publike dhe ndërhyrjen e shtetit për shpronësim të pronës private, e të tjera lehtësira për ata që përfitojnë statusin “investitorë strategjikë”.

Prej katër vjetësh, BE-ja në raportet e progresit për Shqipërinë ka kërkuar rishikimin e këtij ligji. Dy vjet më parë ambasadori i BE në Tiranë u shpreh se ky ligj i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. Ai kishte shprehur shqetësimin se i gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të Shqipërisë.

Në dhjetor të 2024 Qeveria e Shqipërisë i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit.

Në lidhje me projektin që Kushner tha se do të investonte në Zvërnec, Rama ka thënë më herët se nuk ka pasur kërkesë për status të investitorit strategjik.

Ditë më parë, kreu i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale tha se për katër vjet kanë punuar në krijimin e një destinacioni të klasti botëror në bregdetin shqiptar “një destinacion me dizajn të menduar mirë, që kujdeset për aspektin mjedisor dhe që ofron mundësi afatgjata ekonomike”.

Ai tha se qëllimi është i thjeshtë, dhe ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës dhe ndërtimit të diçkaje për të cilin brezat e ardhshëm do të jenë krenarë.

“E ardhmja [e projektit] në fund të fundit përcaktohet nga Shqipëria dhe populli shqiptar”, tha Abehsera.

Mijëra njerëz po protestojnë prej 16 ditësh në Tiranë, në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në disa shtete të botës, duke kundërshtuar punimet për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës, mes shqetësimeve lidhur me ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Zvërneci gjendet në zonë të mbrojtur që është habitat për flamingot, fokat dhe shumimin e breshkave të detit. Flamingoja është shndërruar në simbol të protestave, me demonstruesit që mbajnë në duar zogjtë rozë dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingos”.

Ambasada Amerikane në Tiranë uron Donald Trumpin për ditëlindje: Një patriot i palodhur që lufton çdo ditë për vendin që do

Ambasada Amerikane në Tiranë, ka uruar presidentin amerikan dhe njëherësh Presidentin e 45-të dhe të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, me rastin e ditëlindjes së tij.


Në një mesazh publik, ambasada vlerëson figurën e Trump si një “patriot të palodhur”, i cili sipas deklaratës “lufton çdo ditë për vendin që do, për njerëzit të cilëve u shërben dhe për Ëndrrën Amerikane”.

“Gëzuar ditëlindjen Presidentit të 45-të dhe të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump. Një patriot i palodhur që lufton çdo ditë për vendin që do, për njerëzit të cilëve u shërben dhe për Ëndrrën Amerikane”, thuhet në urimin e publikuar, krahas një fotoje të Trump. gsh

Ombrella amerikane fillon të mbyllet për Ballkanin

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi një raport për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor – në përgjigje të një kërkese të Kongresit amerikan – ku thekson se epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar.

 

Valona Tela

Politika e re amerikane kërkon më shumë nga Ballkani Perëndimor dhe premton më pak nga vetja. Ajo zhvendos fokusin te bashkëpunimi ekonomik, dhe lë në plan të dytë rolin tradicional politik dhe të sigurisë.

Në një rajon me institucione të brishta dhe tensione të hapura, kjo qasje nuk është pa rrezik.

Bashkëpunëtorja e Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve, Heather Conley, veçon Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën si vendet më të cenueshme – e para për shkak të strukturës së fragmentuar shtetërore dhe ndarjeve etnike, e dyta për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Serbinë dhe varësisë nga bashkësia ndërkombëtare për sigurinë.

Ajo thotë se zhvendosja drejt “pronësisë lokale”, pa lidership të qartë dhe pa strategji të detajuar, mund të thellojë bllokadat ekzistuese dhe të forcojë aktorët nacionalistë dhe të korruptuar, ndonëse e konsideron të nevojshme qasjen e re.

“Unë mendoj se zgjidhjet duhet të vijnë dhe të mbështeten nga vetë vendet, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Përpjekjet e forcave të jashtme transatlantike për të imponuar zgjidhje, nuk kanë pasur sukses, pavarësisht se janë provuar si mbi njërën, ashtu edhe mbi tjetrën palë. Kosova dhe Serbia, për shembull, i kanë shfrytëzuar marrëveshjet për të rritur nacionalizmin në të dyja anët”, thotë Conley për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi nga fundi i majit një raport të ri për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, në përgjigje të një kërkese të Kongresit amerikan.

Dokumenti thekson se epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar dhe se angazhimi i SHBA-së do të fokusohet më shumë në stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë, sesa në ndërhyrje direkte për rindërtim apo “shpëtim” të rajonit.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës për koment mbi dokumentin amerikan, por nuk mori përgjigje nga asnjëri institucion.

Ajo që vihet re është se qasja amerikane tani, dallon qartë nga politika e viteve ’90, kur Shtetet e Bashkuara luajtën rol të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e konflikteve në Ballkan.

Atëkohë, Uashtingtoni udhëhoqi procesin e arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit për t’i dhënë fund luftës mbi trevjeçare në Bosnje, ndërsa më vonë drejtoi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik në Kosovë.

“Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë… dhe një fuçi baruti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë gjatë këtij shekulli – me pasoja katastrofike. Po veprojmë për të qëndruar të bashkuar me aleatët tanë për paqe”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 24 mars 1999 – ditën kur NATO-ja nisi bombardimet.

Pas asaj periudhe, roli amerikan mori formën e një “patronazhi” të vazhdueshëm për ndërtimin e shteteve dhe institucioneve në Ballkan, duke mbështetur sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe veçanërisht sigurinë.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Departamentit amerikan të Shtetit me pyetje lidhur me qasjen e re në rajon dhe ndikimet e saj, por nuk mori përgjigje.

Conley, e cila në fillim të viteve 2000 ka shërbyer si zëvendëse e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, vlerëson se dokumenti nuk përbën një strategji të plotë, por më tepër një përpjekje për të pasqyruar prioritetet aktuale të administratës amerikane.

Sipas saj, ai ndërthur elemente të politikës tradicionale të Shteteve të Bashkuara në rajon – si lufta kundër krimit të organizuar – me fokusin ekonomik të epokës së presidentit Donald Trump.

“Është koha të provohen disa qasje të reja, ku liderët marrin përgjegjësi për një drejtim të ri, pa i fajësuar faktorët e jashtëm se po i detyrojnë drejt tij. Evropianët dhe amerikanët mund të ofrojnë mbështetje, por edhe masa korrigjuese nëse situata fillon të devijojë dhe të rrisë paqëndrueshmërinë. Pra, jam e hapur ndaj qasjeve të reja, por nuk shoh detajet dhe njerëzit që do t’i çojnë përpara ato”, thotë Conley.

Ajo që bie në sy, sipas Conleyt, është edhe mungesa e një elementi tradicional të politikës amerikane: perspektiva evropiane.

Në dokumentet e mëparshme amerikane për Ballkanin Perëndimor, integrimi në BE ishte objektiv qendror. Në këtë rast, Evropa është pothuajse e padukshme. Ky ndryshim, sipas Conleyt, sinjalizon një ndarje më të madhe të roleve mes SHBA-së dhe BE-së.

“Ne kemi të njëjtat interesa me BE-në për stabilitet dhe zhvillim ekonomik në rajon, por BE-ja ka pasur vështirësi ta përmbushë këtë rol. Dhe, kur krizat fillojnë, zakonisht SHBA-ja ndërhyn dhe përpiqet t’i menaxhojë ato. Por, do të donim të shihnim një qasje më të qëndrueshme të BE-së në këtë drejtim. Prandaj, dokumenti amerikan e thekson qartë se SHBA-ja do të ndjekë politikën e vet dhe, në njëfarë mënyre, e ndan veten nga ajo që bën BE-ja”, thotë Conley.

Politikë afatgjate e Bashkimit Evropian ka qenë integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në këtë proces, Mali i Zi konsiderohet më i avancuari, ndërsa Kosova është e vetmja pa status kandidati.

E, së fundmi, disa shtete anëtare të BE-së kanë propozuar që vendet e ardhshme anëtare të kenë të drejta të kufizuara gjatë një periudhe kalimtare, pas pranimit në bllok – gjë që ka nxitur reagime të ndryshme në rajon.

Për Mark Montgomeryn, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, BE-ja nuk mund ta zëvendësojë SHBA-në në Ballkan, sepse i mungon si aftësia e besueshme ushtarake, ashtu edhe uniteti politik.

Ai vlerëson se as vetë Ballkani Perëndimor nuk është ende i gatshëm për qasjen e re amerikane, pasi balanca e sigurisë – veçanërisht në raportin Kosovë-Serbi – mbetet e brishtë.

Edhe pse raporti i Departamentit amerikan të Shtetit e konsideron praninë e forcave amerikane në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt, Montgomery thotë se ka zëra se Elbridge Colby, nënsekretar i Mbrojtjes për Politika, është duke konsideruar disa ndryshime në KFOR.

“Mendoj se reduktimi i forcave amerikane në KFOR do të ishte në masë të madhe destabilizues. Do të nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara nuk janë më plotësisht të angazhuara në menaxhimin e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës, që unë e konsideroj si pikën më të rrezikshme të tensioneve në Ballkan. Po ashtu, do të dërgonte sinjal për Rusinë dhe Serbinë se SHBA-ja po tërhiqet nga një rol i rëndësishëm i sigurisë në rajon”, thotë Montgomery për Exposenë.

Raportimet për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga KFOR-i, ku aktualisht shërbejnë rreth 590 ushtarë amerikanë, nuk janë të reja dhe kanë qarkulluar edhe përpara.

Hera e fundit kur Pentagoni iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, ishte në shkurt, kur deklaroi se nuk ka për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave.

Pyetjes tani, nëse nënsekretari Colby po shqyrton ndryshime, siç pretendon Montgomery, nuk iu dha përgjigje.

Vetë NATO-ja paralajmëroi më 12 qershor se do të zvogëlojë praninë në Kosovë – gradualisht gjatë vitit te ardhshem – për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend, por nuk është ende e qartë se cili kontingjent mund ose do të tërhiqet.

Montgomery e lidh çdo ndryshim të pranisë amerikane në Evropë edhe me implikime më të gjera strategjike.

Ai e sheh Ballkanin Perëndimor si një hapësirë ku ndikimi rus dhe ai kinez mbeten të pranishëm përmes rrjeteve politike, ekonomike dhe të sigurisë, ndaj paralajmëron se këta aktorë e lexojnë me shumë kujdes çdo ndryshim në angazhimin amerikan.

“Gjëja më e rëndësishme për të qenë të përgatitur për Kinën, është që ajo të besojë se SHBA-ja do të jetë realisht e përfshirë kur siguria të jetë në rrezik. Nëse ne e dobësojmë besueshmërinë e pranisë sonë ushtarake në Evropë, atëherë dërgojmë sinjale se nuk na intereson. Prandaj, jam shumë i shqetësuar se si do të reflektohet kjo në dinamikën Rusi-Kinë”, thotë Montgomery.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit identifikon Rusinë dhe Kinën si aktorë keqdashës që synojnë të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, por nënvizon gjithashtu angazhimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre.

Vedran Xhihiq, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës, thotë se, ndonëse dokumenti amerikan i paraqet Kinën dhe Rusinë si faktorë që veprojnë kundër interesave të SHBA-së, këto pozicione nuk janë të pandryshueshme.

Sipas tij, zhvillimet globale dhe interesat ekonomike mund ta kthejnë Rusinë nga kërcënimi në partner.

“Nëse përfundon lufta në Ukrainë dhe SHBA-ja ka interesa të mëdha ekonomike – si në krijimin e bizneseve me Rusinë, apo në shfrytëzimin e burimeve minerare dhe sektorit të energjisë në Ukrainë – atëherë mund të përfundojmë në një situatë ku Rusia bëhet partnere e SHBA-së edhe në Ballkanin Perëndimor. Në një skenar të tillë, mund të imagjinohet që Rusia dhe SHBA-ja të angazhohen bashkë në projekte biznesi, për shembull në sektorin e energjisë në Bosnje apo në Serbi”, thotë Xhihiq për Exposenë.

Xhihiq e veçon raportin Kosovë-Serbi si një çështje thellësisht politike dhe të pazgjidhur, për të cilën thotë se qasja e re amerikane – e fokusuar tek ekonomia dhe marrëveshjet transaksionale – nuk është e mjaftueshme.

Për Kosovën, sipas tij, rruga më e sigurt afatgjatë është afrimi me BE-në dhe forcimi i brendshëm përmes reformave, në mënyrë që t’i përballojë më mirë si luhatjet e politikës amerikane, ashtu edhe presionin nga Serbia.

“Angazhohuni me Uashingtonin aty ku është e dobishme, por mos e trajtoni mbështetjen e SHBA-së si automatike ose të mjaftueshme”, është porosia e tij.

“E di që kjo nuk varet plotësisht nga Kosova, për shkak të pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin, por, gjithsesi, vendi duhet të ecë përpara, të përqendrohet te reformat e brendshme, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit e të tjera. Duhet të dëshmojë funksionalitetin e shtetit, të lobojë vazhdimisht dhe të jetë i qëndrueshëm në përpjekjet e tij”, thotë Xhihiq.

Në linjë të ngjashme, Montgomery argumenton se Kosova dhe vendet fqinje duhet të forcojnë rolin e tyre si partnerë të besueshëm politikë dhe ekonomikë, përfshirë edhe përparimin drejt pavarësisë energjetike.

Por ai, gjithashtu, sugjeron që aleatët rajonalë të NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia – të lobojnë si në strukturat e NATO-s, ashtu edhe drejtpërdrejt në SHBA, për ruajtjen e rolit amerikan në Ballkan.

“Do të ishte në interesin më të mirë të Kosovës të zgjedhë një qeveri funksionale që mund të marrë përgjegjësitë dhe të qeverisë në mënyrë efektive. Kjo është gjithmonë e rëndësishme, por bëhet veçanërisht kritike në rastet kur SHBA-ja mund të mos jetë plotësisht bashkëpunuese”, thotë Montgomery.

Kështu, edhe pse nga këndvështrime të ndryshme, vëzhguesit mbërrijnë te një pikë e përbashkët: çdo hap prapa i SHBA-së nuk mbetet bosh, por krijon hapësirë që mund të mbushet nga pasiguria ose nga ndikimi i aktorëve konkurrues.

Ndaj, një qasje pragmatike dhe e balancuar nga të gjitha palët mbetet kyç për të shmangur përshkallëzimin e rreziqeve në një rajon ende të brishtë.

I hiqet ‘non grata’ Berishës nga SHBA, Nancy VanHorn ia konfirmon në telefon

 

 

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i është hequr sanksionimi i shpallur pesë vite më parë ku nuk lejohej që të hynte në SHBA. Ky vendim i marrë, i është komunikuar nga Departamenti i Shtetit Berishës, gjatë një bisedë telefonike disa minutëshe nga e ngarkuara me punë e SHBA-së Nancy VanHorn.

Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA më 19 maj 2021. Vendimi u njoftua nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili deklaroi se Berisha ishte përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm” gjatë ushtrimit të detyrave publike. Si pasojë, atij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara. Sipas deklaratës zyrtare amerikane, akuzat lidhen me shpërdorim fondesh publike, ndërhyrje në procese publike dhe përdorim të pushtetit për përfitime personale dhe për aleatët e tij politikë. Berisha i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

Pas më shumë se 5 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur t’i heqin non gratën kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

I pyetur sot nga gazetarët në hyrje të Kuvendit nëse informacioni është i vërtetë, Berisha zgjodhi të mos japë asnjë koment. Ai i përshëndeti gazetarët me buzëqeshje dhe hyri në sallën e Kuvendit pa iu përgjigjur pyetjes.

Unë erdha, u krye”, tha Berisha nga foltorja.

Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA më 19 maj 2021. Vendimi u njoftua nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili deklaroi se Berisha ishte përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm” gjatë ushtrimit të detyrave publike. Si pasojë, atij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara. Sipas deklaratës zyrtare amerikane, akuzat lidhen me shpërdorim fondesh publike, ndërhyrje në procese publike dhe përdorim të pushtetit për përfitime personale dhe për aleatët e tij politikë. Berisha i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar./Dosja.al

Intervista juaj ishte thellësisht zhgënjyese i dashur Amb. Jeff Hovenier ! Nga Ramazan Bekteshi

 

I dashur Amb. Jeff Hovenier,

Z. Ambasador, me gjithë respektin, intervista juaj në TV Klan, vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ishte thellësisht zhgënjyese dhe, sipas mendimit tim, e padobishme për demokracinë.

Kosova është e pavarur, në masë të madhe, falë mbështetjes historike dhe të pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara. Por Kosova duhet ta ketë gjithashtu të drejtën sovrane që, përmes institucioneve të saj të zgjedhura, të vendosë vetë për të ardhmen e saj ekonomike. Mospajtimi, refuzimi apo vënia në pikëpyetje e një projekti të caktuar nuk e bën Kosovën antiamerikane.

Kosova është ndoshta vendi më pro-amerikan në botë, dhe pikërisht për këtë arsye marrëdhënia jonë duhet trajtuar me kujdes, respekt dhe vizion afatgjatë. Asnjë politikan apo diplomat, qoftë Hovenier, Grenell, Escobar apo kushdo tjetër, nuk duhet ta ushtrojë presion mbi Kosovën në një mënyrë që duket sikur e anashkalon mandatin demokratik apo interesin kombëtar.

Qeveritë, diplomatët dhe udhëheqësit politikë në të dyja vendet do të vijnë e do të shkojnë. Por lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më e thellë, më e fortë dhe më jetëgjatë se çdo administratë, intervistë apo mospajtim politik i përkohshëm.

Nuk e di nëse koha e kësaj interviste ishte e qëllimshme apo thjesht rastësi, por paraqitja në TV Klan, një medium që nga shumëkush perceptohet si politikisht i njëanshëm, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, krijoi përshtypjen se fjalët tuaja po përdoreshin për ta dëmtuar Kryeministrin Kurti dhe për të ndikuar në atmosferën politike. Kjo është për keqardhje dhe do të duhej të ishte shmangur.

Si shqiptaro-amerikan dhe si përkrahës i përhershëm i aleancës SHBA–Kosovë, e them këtë me zhgënjim, jo me armiqësi: miqtë e Kosovës duhet ta forcojnë demokracinë e saj, jo të duken sikur po i diskreditojnë udhëheqësit e saj të zgjedhur në prag të zgjedhjeve.

Me respekt,

Ramazan Bekteshi,

Alexandria, Virginia

Dear Amb. Jeff Hovenier,

Mr. Ambassador, with respect, your interview with TV Klan only two days before Kosova’s parliamentary election was deeply disappointing and, in my view, unhelpful to democracy.

Kosova is independent thanks in large part to the historic and irreplaceable support of the United States. But Kosova must also have the sovereign right to decide its own economic future through its elected institutions. Disagreeing with, rejecting, or questioning a particular project does not make Kosova anti-American.

Kosova is perhaps the most pro-American country on earth, and that is precisely why our relationship should be treated with care, respect, and long-term vision. No politician or diplomat, whether Hovenier, Grenell, Escobar, or anyone else, should pressure Kosova in a way that appears to override its democratic mandate or national interest.

Governments, diplomats, and political leaders in both countries will come and go. But the bond between Kosova and the United States is deeper, stronger, and more enduring than any single administration, interview, or policy disagreement.

I do not know whether the timing was intentional or merely coincidental, but appearing on TV Klan, an outlet widely perceived by many as politically one-sided, just two days before the election gave the impression that your words were being used to damage Prime Minister Kurti and influence the political atmosphere. That is unfortunate and should have been avoided.

As an Albanian-American and a lifelong supporter of the U.S.–Kosova alliance, I say this with disappointment, not hostility: Kosova’s friends should strengthen its democracy, not appear to discredit its elected leaders on the eve of an election.

Respectfully,

Ramazan Bekteshi,

Alexandria, Virginia

Me 19 vota pro- Eric Wendt merr miratimin e Komitetit të Senatit, do jetë ambasadori i SHBA në Tiranë

Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara ka miratuar me votim 19-3 emërimin e Eric Wendt si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i SHBA-ve në Republikën e Shqipërisë.

Emërimi i Wendt u mbështet nga 19 anëtarë të komitetit dhe vetëm tre kundër, çka i hap rrugë emërimit pa pengesa në Senat.

Seanca e 4 qershorit vjen pas seancës publike të konfirmimit të mbajtur më 20 maj në Uashington, ku Wendt prezantoi vizionin dhe prioritetet e tij për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

Ndryshe nga seanca publike në maj, takimi i djeshëm u zhvillua në një format Sesioni Ekzekutiv, gjatë të cilit komiteti diskuton dhe voton mbi emërimet përpara se t’i dërgojë ato në seancën e Senatit.

Në paraqitjen e tij në Senat, Wendt theksoi se prioritetet kryesore të qëndrimit të tij në Tiranë do të përfshinin luften ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e partneritetit ushtarak midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen e përpjekjeve për sigurinë kibernetike dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investimet amerikane në vend. bw

Protesta kundër projektit të Zvërnecit bën jehonë edhe ne ShBA! ‘New York Times’ raporton ngjarjen: Kundër resortit luksoz 1.4 miliardë USD

Protestat qytetare në Tiranë kundër ndërtimit luksoz në zonën e Zvërnecit ka bërë jehonë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prestigjiozja New York Times shkruan se ditët e fundit protestat në Shqipëri kundër projektit turistik të dhëndrit të Trump janë rritur.

“Protestat e zhvilluara në Tiranë dhe në disa qytete bregdetare janë shndërruar në simbol të pakënaqësive më të gjera në Shqipëri, një vend që për dekada ka qenë ndër më të varfrit në Europë.

Prej vitesh, projektet e propozuara kanë ngjallur debate dhe shqetësime lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe mungesën e transparencës. Bëhet fjalë për një investim prej 1.4 miliardë dollarësh që përfshin ndërtimin e një kompleksi hotelier luksoz në Ishulli i Sazanit, si dhe një tjetër zhvillim turistik në një gadishull me zona të ndjeshme mjedisore”, shkruan gazeta.

Më tej New York Times shkruan se “kryeministri Edi Rama i ka mbështetur vazhdimisht projektet, duke i cilësuar ato si një mundësi për të zgjeruar industrinë turistike në rritje të vendit dhe për të tërhequr investime të huaja”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se projektet përfaqësojnë “ambicien për të krijuar destinacionin më tërheqës në këtë anë të Mesdheut”.

Kryeministri ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet e kundërshtarëve se Kushner ka përfituar trajtim preferencial për shkak të lidhjeve familjare me presidentin amerikan Donald Trump. gsh

Misteri i vdekjeve të shkencëtarëve në SHBA vazhdon! Punonjësja e Laboratorit të Los Alamos u gjet e vdekur një vit pas zhdukjes së saj, pranë trupit…

Misteri që rrethon një sërë vdekjesh dhe zhdukjesh të shkencëtarëve, studiuesve dhe drejtuesve të lidhur me programet amerikane të teknologjisë bërthamore, hapësinore dhe të mbrojtjes, po merr një dimension të ri pas zbulimit të trupit të Melissa Cassia, një punonjëse në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos në New Mexico.

 

Punonjësja administrative 54-vjeçare ishte zhdukur që nga 26 qershori 2025.

Siç raportohet nga New York Post, mbetjet e saj u gjetën gati një vit më vonë në Pyllin Kombëtar Carson, rreth 10 kilometra nga vendi ku ajo u regjistrua për herë të fundit në kamerat e sigurisë duke ecur vetëm (foto poshtë).

Një pistoletë u gjet pranë trupit të saj , ndërsa autoritetet ende nuk kanë njoftuar shkakun e vdekjes së saj ose nuk kanë sqaruar nëse arma i përkiste asaj.

melissa cassia3

Të dhënat që shqetësojnë autoritetet

Rasti i 54-vjeçarit paraqet disa elementë të pazakontë.

Sipas informacioneve, përpara se të zhdukej, ajo kishte fshirë të gjitha të dhënat nga telefonat e saj celularë, kishte lënë dokumentet e identifikimit dhe kishte dalë nga shtëpia e saj në Ranchos de Taos në këmbë.

Trupi i saj u gjet 10 kilometra larg vendit ku u pa e gjallë për herë të fundit më 26 qershor 2025.

Disa orë më parë, ajo e kishte çuar me makinë bashkëshortin e saj, gjithashtu një punonjës në Los Alamos, në punë, ndërsa i kishte thënë vajzës së saj se do të punonte nga shtëpia sepse kishte harruar kartën e punës.

Zbulimi i trupit të saj i shtohet një serie incidentesh që kanë ngjallur interes dhe diskutime të mëdha në Shtetet e Bashkuara.

Vetëm shtatë javë para zhdukjes së saj, ish-punonjësi 79-vjeçar i Los Alamos, Anthony Chavez, u zhduk pa lënë gjurmë. Disa muaj më vonë, kontraktori qeveritar Steven Garcia u zhduk në Albuquerque.

melissa cassia2

Lista përfshin gjithashtu zhdukjen e inxhinieres së hapësirës ajrore të NASA-s, Monica Reza, e cila u zhduk ndërsa bënte ecje në Kaliforni, si dhe rastin e komandantit të pensionuar Ëilliam Neil McCasland, një ish-kreu i programeve kërkimore për Forcat Ajrore të SHBA-së, për të cilin hetimet janë duke vazhduar me pjesëmarrjen e FBI-së.

Në të njëjtën kohë, vdekja e shkencëtarëve të shquar si fizikani portugez i bashkimit bërthamor Nuno Loureiro i MIT dhe astrofizikani Carl Grillmeyer i Caltech kanë nxitur një raund të ri diskutimesh. Panorama


Send this to a friend