VOAL

VOAL

Teksas, 1 milion të infektuar me koronavirus

Teksasi u bë shteti i parë amerikan që kaloi të mërkurën 1 milion raste me koronavirus; Kalifornia është në vend të dytë me një diferencë që po ngushtohet.

Zyrtarë të shëndetësisë në shtetin e dytë më të madh për nga popullsia regjistruan 10 800 raste të reja të martën – një shifër e re rekord. Megjithëse nuk ka sinjale që zyrtarët do të vënë në zbatim masa emergjente kufizuese për të ngadalësuar përhapjen, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se një zyrtar bashkiak në Fort Uorth, qyteti i pestë më i madh në këtë shtet, po bën thirrje për pezullimin e aktiviteteve sportive për fëmijët dhe të rinjtë. Disa spitale rurale kanë ngritur tenda që shërbejnë si klinika shëndetësore.

Të mërkurën, zyrtarë shtetërorë të shëndetësisë njoftuan për 6,779 pacientë të shtruar në spitale, pasi pati 609 pacientë të rinj – një ndër rritjet më të theksuara ditore të regjistruara në këtë shtet.

Gjendja në Vend

SHBA regjistroi 61,964 pacientë të shtruar në spitale të martën, duke thyer me më shumë se 2000 pacientë nivelin rekord për rastet brenda një dite të shënuara në mes të prillit.

Me keqësimin e gjendjes së pandemisë, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka rishikuar udhëzimet lidhur me maskat, duke thënë të martën se vënia e maskave nuk mbron vetëm të tjerët, por edhe personin që mban maskë.

Qendra citon disa studime që konfirmojnë se “vënia e maskave ndihmon për të kontrolluar përhapjen e virusit, përfshirë një studim me dy stiliste që mbanin maska, megjithëse ishin të infektuara dhe kishin simptoma të sëmundjes. Studimi arrin në përfundimin se nga që kishin vënë maskë, stilistet nuk infektuan 67 klientë që më pas u kontaktuan nga gjurmuesit e përhapjes së infeksionit”.

SHBA, rreziku i rikthimit të një vale të dytë të pandemisë

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo vendosi të mërkurën një raund të ri kufizimesh që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit ndërsa niveli i infeksioneve dhe shtrimeve në spital po rritet në shtetin që ishte epiqendra e shpërthimit në SHBA, në fazat e hershme të pandemisë.

Zoti Cuomo urdhëroi mbylljen e bareve, restorante dhe palestra në të gjithë shtetin duke filluar prej orës 10:00 në mbrëmje si dhe kufizoi në 10, numrin e njerëzve që mund të marrin pjesë në festa private.

Masat e reja, të cilat hyjnë në fuqi të premten, vijnë një ditë pasi Kalifornia dhe disa shtete të Amerikës qendrore forcuan kufizimet ndaj banorëve të martën në një përpjekje për të frenuar përhapjen e shpejtë të virusit.

Ky është shansi ynë i fundit për të ndaluar një valë të dytë“, shkruante në një postim në twitter të mërkurën kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut Bill de Blasio.

Ndërsa numri i infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve si pasojë e COVID-19-s po rriten në të gjithë vendin, po shtohen gjithnjë e më shumë sinjalet se një valë e dytë mund të përfshijë zonat në verilindje, të cilat ia kanë dalë deri tani të vendosin nën kontroll pandeminë pas goditjes që morën në pranverë.

CDC-ja ka raportuar rreth 240 mijë vdekje nga koronavirusi.

Shtetet e Bashkuara raportuan më shumë se 1,450 vdekje të martën, shifra më e lartë e regjistruar brenda një dite që nga mesi i gushtit, sipas një analize të agjencisë Reuters.

Në Nju Xhersi, një nga pikat e nxehta të hershme në SHBA, një rritje e madhe e rasteve në Newark, qyteti më i madh i shtetit, detyroi Kryetarin e Bashkisë Ras Baraka të zbatojë masa agresive, përfshirë një ndalim-qarkullimi për zona të caktuara.

Në Newark, niveli i rasteve pozitive me koronavirus u rrit në 19 për qind, më shumë se dyfishi i mesatares shtatë-ditore të shtetit prej 7.74 për qind siç tha zoti Baraka në një deklaratë të martën.

Guvernatori i Nju Xhersit Phil Murphy njoftoi disa kufizime të hënën si përgjigje ndaj rritjes së rasteve me COVID-19 në shtet dhe shpërthimit të rasteve pozitive mes banakierëve.

Në shtetin e Marilendit, ku shkalla e rasteve pozitive me COVID-19 u regjistrua 5.6 për qind të mërkurën, zyrtarët njoftuan për rritje të numrit të shtrimeve në spital.

Më shumë se 800 persona po trajtohen për koronavirus në spitalet e këtij shteti që nga e mërkura, numri më i lartë ditor që nga muaji prill sipas Mike Ricci, drejtori i komunikimit i Guvernatorit Larry Hogan.

Të martën një numër rekord njerëzish kanë vdekur si pasojë e COVID-19 në disa shtete qendrore e perëndimore, përfshirë Alaskën, Indianën, Mizurin, Dakotën e Veriut, Uiskonsin dhe në shtetin Uajoming.

Zyrtarët në shtetet më të goditura nga virusi iu lutën banorëve të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi e të dëgjojnë këshillat e ekspertëve duke vendosur maska, duke larë duart dhe duke ruajtur distancën fizike.

zëri i amerikës

Ndryshimi i politikave amerikane të emigracionit

Aline Barros

Administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Joe Biden mund të ndryshojë me shpejtësi një varg politikash të emigracionit të Presidentit Donald Trump, shumë prej të cilave mbeten ndër iniciativat më të debatueshme të administratës së tij. Zoti Biden mund të shfuqizojë shumë udhëzime duke përdorur të njëjtin mekanizëm që presidenti Trump përdori për t’i zbatuar ato – urdhrat ekzekutivë. Megjithatë, vendime të tjera do të kërkojnë më shumë se kaq, thonë ekspertët. Në katër vitet e fundit, presidenti Trump ishte autori i më shumë se 400 akteve rregullatore që i ndërmori përmes autoritetit të tij ekzekutiv.

Michele Waslin, koordinatore e programit në Institutin për Kërkime të Imigracionit në Universitetin George Mason, i tha Zërit të Amerikës se lista përfshin kufizime të gjera të udhëtimit, ndryshimin e përparësive për imigracionin, ndryshimin e rregullave të azilit, një deklaratë emergjente për ndërtimin e murit të kufirit dhe pakësimin e numrit të pranimit të refugjatëve.

“Në teori, dekretet presidenciale dhe urdhërat ekzekutivë mund të anulohen nga presidenti i ri; megjithatë, në shumë raste, ndryshimi nuk do të jetë i menjëhershëm pasi do të duhet të emërohet personel në këto agjenci, udhëzuesit dhe manualët në terren duhet të përditësohen dhe do të duhet të bëhen plane për të kryer ndryshimet”, shpjegon ekspertja.

Zonja Waslin thotë se zhbërja e politikave të tjera pritet të jetë më komplekse.

“Politikat që u ndryshuan përmes rregulloreve ka të ngjarë të kërkojnë rregullore të reja dhe një periudhë të re për të dëgjuar komente nga publiku,” shpjegon ajo.

100 ditët e para

Brenda 100 ditëve të para, Biden-i pritet të shfuqizojë urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump që ndaloi shumicën e shtetasve nga vende të caktuara të vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Fillimisht, kufizimet shënjestruan qytetarët e disa vendeve me shumicë myslimane por u zgjeruan për të përfshirë vende të tjera që Uashingtoni i konsideron si kërcënuese për sigurinë.

Urdhri i fundit përfshin Mianmarin, Eritrenë, Kirgistanin, Nigerinë, Sudanin, Tanzaninë, Iranin, Libinë, Somalinë, Sirinë dhe Jemenin, së bashku me Venezuelën dhe Korenë e Veriut.

Një tjetër ndryshim që ekspertët thanë se do të ishte i thjeshtë për t’u bërë është rihapja e programit DACA për të gjithë aplikantët e kualifikuar.

DACA është një program i nisur nga administrata Obama që mbron nga deportimi njerëzit e sjellë në moshë të mitur, në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Nën administratën e presidentit Trump, agjencia e Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara, USCIS, ndaloi pranimin e aplikimeve të reja për programin DACA.

Në vitin 2019, administrata Trump propozoi një plan që premtonte një ndryshim “të drejtë, modern dhe ligjor” të sistemit të emigracionit amerikan. Ai nuk adresonte programin DACA dhe Kongresi nuk veproi pas asaj.

Pritet gjerësisht që një administratë e presidentit të zgjedhur Biden të zgjerojë mbrojtjen nga deportimi, si dhe autorizimin për të punuar për qindra mijëra emigrantë të tjerë pa dokumenta që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara si fëmijë.

“Gjykata e Lartë kishte urdhëruar tashmë agjencinë USCIS që të fillonte pranimin e aplikacioneve DACA përsëri, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Administrata e re duhet të jetë në gjendje të rihapë procesin e aplikimit; megjithatë, një zgjidhje legjislative është e nevojshme për të ofruar me të vërtetë mbrojtje të përhershme për atë grup njerëzish që kanë ardhur në SH.B.A. si fëmijë të vegjël,” tha zonja Waslin.

Barra Publike

Sipas një raporti nga Instituti i Politikave të Migracionit (MPI), përmbysja e rregullores së agjencisë USCIS mbi barrën publike do të kërkojë më shumë sesa një firmë. Agjencia ka të ngjarë të duhet të kalojë një periudhë njoftimi dhe dëgjimi të komenteve nga publiku.

Rregulli i barrës publike, ose testi i pasurisë siç e quajnë kritikët, kërkon të përcaktojë nëse një emigrant ka të ngjarë të mbështetet në programet e ndihmës publike të Amerikës. Megjithëse rregulli nuk është një koncept i ri dhe ka qenë në manuale për më shumë se 20 vjet, administrata Trump po e përdor atë shumë më tepër sesa paraardhësit e saj.

Biden gjithashtu është zotuar t’i dërgojë Kongresit legjislacionin për t’u siguruar status ligjor shumë emigrantëve pa dokumenta në vend.
“Megjithatë, nxitja e Kongresit për të vepruar për një nga çështjet më të debatueshme të imigracionit do të ishte në mënyrë të pashmangshme një hap i parë sfidues për administratën e re, edhe pse mbështetja publike për reforma në imigracion në përgjithësi është rritur në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë”, sipas MPI-së.

Programi i refugjatëve

Shtetet e Bashkuara kanë marrë për vite me rradhë dhjetëra mijëra refugjatë, por nën administratën Trump, pranimet kanë rënë në një nivel të ulët rekord. ((h

Biden pritet të rrisë pragun e pranimit të refugjatëve për vitin fiskal 2021, të cilin administrata Trump e vendosi në 15,000. Gjatë fushatës, zoti Biden premtoi një tavan të pranimeve të refugjatëve deri në 125,000.

Rregullat e azilit

Premtimi i përsëritur shpesh i Presidentit Trump për të ndalur imigracionin e paligjshëm dhe për të marrë kontrollin e kufirit jugor të Amerikës solli një sërë politikash dhe rregulloresh që dobësuan qasjen për mbrojtjen humanitare të migrantëve.

Ato përfshinin Protokollet e Mbrojtjes së Migrantëve (MPP), e njohur gjithashtu si politika e Mbetjes në Meksikë, e cila detyroi mijëra emigrantë të qëndronin në qytetet kufitare meksikane ndërsa prisnin seancat gjyqësore të imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Administrata kufizoi gjithashtu azilin për emigrantët që udhëtonin përmes vendeve të Amerikës Qendrore nëse nuk aplikonin për mbrojtje në një vend tranzit para se të mbërrinin në një pikë kufitare të SHBA. ((https://www.dhs.gov/sites/default/files/publications/assessment_of_the_migrant_protection_protocols_mpp.pdf))

Zhbërja e kësaj politike dhe rivendosja e mbrojtjes për azilantët do të jetë më e vështira, parashikojnë ekspertët.

“Unë besoj se veprimet e administratës Trump ndaj refugjatëve, azilantëve dhe të tjerëve që kërkojnë ndihmë humanitare, do të ndihen për një kohë shumë të gjatë,” tha zonja Waslin.

Administrata Trump ka mbrojtur politikën e Protokolleve të Mbrojtjes së Migranëve (MPP) për të parandaluar mbipopullimin në ambientet e paraburgimit të migrantëve në SHBA.

Biden cakton Ronald Klain në postin e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë

Marrë nga Associated Press

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka zgjedhur këshilltarin e tij të vjetër Ron Klain për të shërbyer përsëri në rolin e shefit të stafit të tij, duke vendosur një ndihmës me përvojë prej disa dekadash në rolin kryesor në stafin e presidentit.

Zoti Klain do të drejtojë një Shtëpi të Bardhë që ka të ngjarë të jetë e përqëndruar tek përgjigja ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila vazhdon të përhapet pa kontroll në të gjithë vendin. Ai do të përballet gjithashtu me sfidën për të punuar me një Kongres të ndarë që mund të përfshijë një Senat të udhëhequr nga republikanët. Zoti Klain shërbeu si koordinator për përgjigjen ndaj Ebolës gjatë shpërthimit të virusit në vitin 2014.

Në një deklaratë të mërkurën mbrëma, zoti Biden u shpreh se ai zgjodhi zotin Klain për këtë post sepse përvoja e tij e gjatë në Uashington e kishte përgatitur atë për sfida të tilla.

“Përvoja e tij e thellë dhe e larmishme dhe aftësia për të punuar me njerëz të të gjithë spektrit politik është pikërisht ajo që më duhet në një shef të stafit të Shtëpisë së Bardhë ndërsa përballemi me këtë moment krize dhe bashkojmë vendin”, tha zoti Biden.

Zoti Klain shërbeu si shef i personelit të zotit Biden gjatë mandatit të parë të presidentit Barack Obama, ishte shef i personelit të nënpresidentit Al Gore në mes të viteve 1990 dhe ishte një nga këshilltarët kryesorë në fushatën e zotit Biden, duke udhëhequr përgatitjet e debatit të tij dhe përgjigjen ndaj koronavirusit. Ai është njohur dhe ka punuar me zotin Biden që nga fushata presidenciale e demokratëve në vitin 1987.

Zgjedhja e zotit Klain nënvizon përpjekjen që administrata e ardhshme Biden do të bëjë në përgjigjen e saj ndaj koronavirusit qysh ditën e parë. Klain ka përvojë në shëndetin publik si koordinator i përgjigjes për Ebolën dhe luajti një rol kryesor në hartimin dhe zbatimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike të administratës Obama në vitin 2009. zëri i amerikës

Trump shpallet fitues në Alaska

Me tri vota të Alaskës, sa ka Kolegji Elektoral në këtë shtet, numri total i pikëve të Trumpit arrin në 217, ndërkohë që presidenti tashmë i zgjedhur, Joe Biden ka 279 vota, apo nëntë më shumë sesa nevojiten për të shpallur një kandidat fitues.

Arizona, Xhorxhia, ku Biden aktualisht udhëheq, dhe Karolina Veriore, ku Trump është më përpara, pritet të shpallin fituesit.

Mirëpo edhe nëse Trump arrin të fitojë të trija shtetet, 42 votat e tyre të Kolegjit Elektoral nuk do të mund të ndryshonin rezultatin.

Numërimi i të gjitha votave ka rezultuar po ashtu me fitoren e senatorit Dan Sullivan, duke i dhënë Partisë së tij Republikane gjysmën e ulëseve në Senatin me 100 ulëse.

Demokratët kanë 48 ulëse, derisa për dy të tjera – në Xhorxhia – pritet që fituesit të bëhen të ditur në janar, meqë asnjëri kandidat nuk ka fituar më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Teksa numërimi i votave ka arritur në fazën finale, të gjitha mediat e mëdha amerikane kanë shpallur Bidenin fitues të zgjedhjeve.

Trump nuk e ka pranuar rezultatin, derisa fushata e tij dhe republikanët kanë nisur disa kërkesa ligjore, duke sfiduar procesin e numërimit në shtetet kyçe.

Gjyqtarët kanë hedhur poshtë shumicën prej tyre, ndërkohë që Trump nuk ka ofruar të dhëna për mashtrime zgjedhore apo vjedhje të votave.

Biden dhe ekipi i tij kanë nisur përgatitjet për administratën e re amerikane, nëse fitorja konfirmohet.

Biden takohet me zyrtarët e tij të tranzicionit

Ken Bredemeier

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden po takohet me këshilltarët e tij të tranzicionit ndërsa vazhdon planifikimet për të marrë kontrollin e qeverisë kur ai të inaugurohet më 20 Janar.

Zoti Biden ka emëruar një varg këshilltarësh për të shqyrtuar operacionet e agjencive në të gjithë qeverinë. Ai tha të martën se mund të njoftonte disa emërime kryesore përpara festës vjetore të Falënderimeve më 26 nëntor.

Lista e këshilltarëve të tij të tranzicionit është e gjatë, me emra ekspertësh të njohur për çështjet me të cilat ai do të përballet qysh herët në administratën e tij.

Kathleen Hicks, nënpresidente në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, po drejton punën për shqyrtimin e operacioneve të Departamentit të Mbrojtjes.

Në Departamentin e Shtetit, Linda Thomas-Greenfield, ish ndihmës sekretare e shtetit për çështjet afrikane, po drejton shqyrtimin e operacioneve. Don Graves, ekzekutiv në KeyBank, po shqyrton operacionet e Departamentit të Thesarit, ndërsa Martha Gimbel, menaxherja e lartë e kërkimit ekonomik në Schmidt Futures, po studion Grupin e Këshilltarëve Ekonomikë.

BIDEN: ASGJË NUK E NDAL TRANZICIONIN

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden tha të martën se nuk është i shqetësuar për refuzimin e Presidentit Donald Trump për të pranuar humbjen pas zgjedhjeve të javës së kaluar, por se ai mendon se kjo e vë në pozitë të vështirë si Presidentin Trump ashtu edhe vendin.

“Unë mendoj se nuk do ta ndihmojë trashëgiminë e presidentit,” u tha zoti Biden gazetarëve në Uilmington të shtetit Delauer, ku ai po punon për tranzicionin e tij në pushtet dhe po planifikon hapat e parë pas inaugurimit të tij të pritshëm më 20 Janar.

Ai tha se asgjë nuk e ndal transferimin e pushtetit.

Presidenti Trump, pa ofruar prova të rëndësishme për parregullsi në votim ose në numërimin e votave, ka ngritur më shumë se 10 procese gjyqësore në disa shtete, duke u përpjekur të përmbysë fitoren e shpallur nga organizatat kryesore mediatike të zotit Biden në zgjedhje.

Por Presidenti i zgjedhur Biden tha, “Ne tashmë e kemi filluar tranzicionin” dhe se refuzimi i zotit Trump për të pranuar humbjen “nuk e ndryshon dinamikën”. Zoti Biden po përqendrohet së pari në çështjen e pandemisë së koronavirusit, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 238,000 amerikanëve, më tepër se në çdo vend tjetër.

Zoti Biden tha se ai mund të bënte disa emërime me rëndësi në administratën e tij përpara festës vjetore të Falenderimeve, që është 26 nëntori i këtij viti.

“Fakti që ata nuk janë të gatshëm të pranojnë fitoren tonë nuk ka shumë pasoja,” tha ai.

Presidenti Trump, në përpjekje për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve, i ka ndaluar zyrtarët e administratës së tij të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e zotit Biden për të ndihmuar në kalimin e pushtetit.

Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, një agjenci qeveritare e SHBA, ka refuzuar të njohë zotin Biden si president i zgjedhur. Kjo nuk po i lejon zyrtarët e zotit Biden të marrin hapësira për zyra në agjencitë federale dhe fonde federale për të financuar tranzicionin.

Por zoti Biden nuk shprehu ndonjë shqetësim.

“Ne mund të bëjmë edhe pa financim,” tha ai, ndërsa pranoi gjithashtu se ende nuk kishte filluar të merrte Informimin e Përditshëm Presidencial nga inteligjenca amerikane.

“Informimi i Inteligjencës do të ishte i dobishëm,” tha ai, “por unë nuk jam presidenti aktual.”

Zoti Biden tha se nuk ishte nevoja që ekipi i tij të ngrinte proces gjyqësor për të detyruar administratën aktuale të pranonte fitoren e tij.

“Unë mendoj se gjithçka do të realizohet në 20 Janar,” tha ai.

I pyetur se çfarë do t’i thoshte Presidentit Trump nëse ai po shikonte në TV konferencën për shtyp, zoti Biden buzëqeshi dhe tha: “Zoti President, mezi po pres të flas me ju.”

Dita e Veteranëve: Trump vendos kurorë në Arlington, Biden në Pensilvani

Ndërsa amerikanët në të gjithë vendin po bëjnë homazhe për të gjithë ata që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura të vendit, Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë morën pjesë në një ceremoni me rastin e Ditës së Veteranëve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë kryeqytetit.

Në shiun që vazhdonte të binte, Presidenti Trump vendosi një kurorë përpara monumentit të ushtarit të panjohur, në shoqërimin e nënpresidentit Mike Pence.

Kjo është një nga paraqitjet e para publike të Presidentit Trump që kur rivali i tij demokrat Joe Biden siguroi votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor për të fituar presidencën, sipas vlerësimit të organizatave të mëdha mediatike.

Ceremonitë e vendosjes së kurorave në në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit kanë tërhequr mijëra njerëz në të kaluarën. Por ceremonia e këtij viti është e mbyllur për publikun dhe e ndryshuar në format, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund të zbatojnë udhëzimet e sigurisë për pandeminë e koronavirusit.

Të gjithëve u është kërkuar të mbajnë maska fytyre dhe të praktikojnë distancimin shoqëror në mjediset e varrezave.

Me rastin e Ditës së Veteranëve, Presidenti i zgjedhur Joe Biden bëri një ndalesë në Përmendoren e të rënëve të Luftës së Koresë në Filadelfia.

zëri i amerikës

Republikanët fitojnë 50 vende në Senat

Senatori republikan Dan Sullivan i Alaskës ka fituar rizgjedhjen, sipas parashikimeve të së mërkurës nga “Edison Research”. Por marrja e kontrollit të Senatit do të përcaktohet në muajin janar nga dy balotazhe zgjedhore balotazh në shtetin Xhorxhia.

55-vjeçari Sullivan mundi Al Gross, një i pavarur që kandidoi si demokrat në një zgjedhje, të cilën shumë analistë politikë e përshkruan si një shans të mundshëm për fitore të demokratëve.

Një ditë më parë Senatori republikan Thom Tillis u shpall fitues për një mandat tjetër në Karloninën e Veriut. Por fitorja në Alaska e republikanit Sullivan tregon se shpresat e demokratëve për të fituar shumicën, që do të mbështeste axhendën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, do të varen tek zgjedhjet në Xhorxhia më 5 janar.

Me fitoren e Shtëpisë së Bardhë nga zoti Joe Biden, demokratët duhet të mposhtin rizgjedhjen e tre senatorëve republikanë për të siguruar 50 vende në Senatin prej 100 anëtarësh. Në një rast të tillë, balanca do të shkonte për demokratët me votën shtesë nga Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris, që do të luante rolin e presidentes së Senatit.

Zoti Biden ka tejkaluar kufirin prej 270 votash të Kolegjit Elektoral të nevojshme për mundur Presidentin Donald Trump.

Demokratët fituan vende që mbaheshin nga republikanët në shtetet Arizona dhe Kolorado në zgjedhjet e javës së kaluar. Por ata humbën një vend në Alabama, duke zvogëluar fitoren me një vend të vetëm.

Në shtetin Xhorxhia, senatorët republikanë David Perdue dhe Kelly Loeffler përballen përkatësisht me demokratët Jon Ossof dhe Raphale Warnock.

zëri i amerikës

Punëtori i postës pranon se i kishte trilluar akuzat për manipulim votash

US mail ballots

Një punonjës i postës amerikane në Pensilvani, pretendimet e të cilit janë cituar nga republikanë të rangjeve të larta si provë e mundshme për parregullsi të përhapura në votime, pranoi se i kishte sajuar akuzat, sipas tre zyrtarëve të informuar për hetimin dhe një deklarate nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Pretendimi i punonjësit Richard Hopkins se një drejtor postash në Erie të Pensilvanisë kishte udhëzuar postierët që të ndryshonin datën në zarfet me vota të hedhura pas dotës së zgjedhjeve, u citua nga senatori republikan Lindsey Graham në një letër drejtuar Departamentit të Drejtësisë, ku kërkonte hapjen e një hetimi federal.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr më pas autorizoi prokurorët federalë të hapnin hetime rreth aludimeve të besueshme për parregullsi dhe mashtrim në votime, një akti i pazakontë nga Departamenti i Drejtësisë.

Por të hënën, 32-vjeçari Hopkins, u tha hetuesve të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Shërbimit Postar se pretendimet nuk ishin të vërteta dhe ai nënshkroi një deklaratë ku hiqte dorë nga pretendimet e tij, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti.

Republikanët i quajtën pretendimet e zotit Hopkins si ndër më të besueshmet, sepse ai kishte nënshkruar një deklaratë ku thoshte se kishte dëgjuar një epror duke udhëzuar kolegët për t’u ndryshuar datën zarfeve me vota të postuara pas 3 nëntorit.

Edhe Drejtori i postës në Erie, Rob Weisenbach, i quajti akuzat “100% të rreme” në një postim në Facebook dhe tha se ato u bënë “nga një punonjës që ishte disiplinuar shumë herë kohët e fundit”.

zëri i amerikës

Anketa: 79 përqind e amerikanëve besojnë se Biden është fitues i zgjedhjeve

Marrë nga Reuters

Pothuajse 80 përqind e amerikanëve, përfshirë më shumë se gjysmën e republikanëve, njohin presidentin e zgjedhur Joe Biden si fitues të zgjedhjeve të 3 nëntorit pasi shumica e agjencive të lajmeve e shpallën atë fitues të garës bazuar në epërsinë e tij në shtetet fushëbetejë, sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë Ipsos.

Ndërsa gara me presidentin e tanishëm republikan Donald Trump ende mbeti e papërcaktuar në tre shtete deri të martën vonë pasdite, Biden, të cilit i duheshin 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar, kishte 279 kundrejt 214 votave elektorale të Presidentit Trump, sipas organizatës kërkimore “Edison Research”.

Biden mori 76.3 milionë vota, ose 50.7 përqind të të gjitha votave të numëruara deri të martën, ndërsa Presidenti Trump mori 71.6 milionë, ose 47.6 përqind të totalit të votave.

Anketa kombëtare Reuters/Ipsos, e cila u bë mes të shtunës dhe pasditës së të martës, zbuloi se 79 përqind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara besojnë se Biden fitoi zgjedhjet presidenciale. 13 përqind e pjesëmarrësve në anketë thanë se zgjedhjet nuk janë vendosur ende, 3 përqind thanë se Trump fitoi dhe 5 përqind thanë se nuk e dinin rezultatin.

Rezultatet u ndanë disi përgjatë vijave partiake: rreth gjashtë në 10 republikanë dhe pothuajse çdo demokrat thanë se Biden i fitoi zgjedhjet.

“Edison Research”, organizata e cila bëri exit-pollet për agjencinë e lajmeve Reuters dhe mediat kryesore, të shtunën e shpallën zotin Biden fitues të zgjedhjeve pasi ai e zgjeroi epërsinë ndaj Presidentit Trump në Pensilvani.

Presidenti Trump ende nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ai shpalli fitoren para kohe, shumë kohë para përfundimit të numërimit të votave dhe është ankuar pa dhënë prova se ai është viktimë e manipulimit të gjerë të votave.

Pretendimet e tij janë përsëritur nga anëtarë të kabinetit të tij.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr ka autorizuar nisjen e hetimeve federale mbi pretendime “substanciale” për parregullsi në votime dhe sekretari i shtetit Mike Pompeo të martën tha se ai parashikon “një tranzicion të qetë në një administratë të dytë të Presidentit Trump”.

Sondazhi i Reuters/Ipsos ishte pjesë e një sondazhi më të gjerë të zhvilluar mes ditës së premte dhe të martës, dhe përfshinte përgjigje të marra para shpalljes së fituesit të garës presidenciale nga mediat.

Sondazhi tregoi se 70 përqind e amerikanëve, përfshirë 83 përqind të demokratëve dhe 59 përqind e republikanëve besojnë se zyrtarët e tyre lokalë të zgjedhjeve e “bënë punën me sinqeritet”.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 72 përqind e pjesëmarrësve mendojnë se kandidati që ka marrë më pak vota elektorale duhet të pranojë humbjen, dhe 60 përqind e tyre mendojnë se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit kur mandati i Presidentit Trump të përfundojë në janar.

zëri i amerikës

Biden: Asgjë nuk e ndal transferimin e pushtetit

Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha të martën se asgjë nuk do ta ndalë transferimin e pushtetit në SHBA, megjithëse Presidenti Donald Trump pretendon pa prova se zgjedhjet u karakterizuan nga mashtrime dhe disa prej aleatëve të tij republikanë mbështesin proceset ligjore të hapura për këtë qëllim.

Kreu i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell ka mbështetur të drejtën e Presidentit Trump për të ndërmarrë sfida ligjore ndaj fitores së zotit Biden në disa shtete “fushëbetejë” si Pensilvania. Disa të republikanë me pozita të larta në Senat janë përpjekur të ngjallin dyshime për rezultatin.

Mitch McConnell

Mitch McConnell

Zoti Biden siguroi më shumë se 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, duke fituar Pensilvaninë të shtunën pas katër ditësh të tensionuara të numërimit, i cili u vonua për shkak të rritjes së numrit të fletëvotimeve me postë.

Zoti Biden tha në një fjalim në Delauer se ekipi i tij po vazhdon punën për formimin e një administrate të re që do të nisë funksionimin në Ditën e Inaugurimit, më 20 Janar 2021, sido që të jetë.

Ne do të vazhdojmë, duke ecur së bashku, në mënyrë konsistente për të formuar administratën tonë, Shtëpinë e Bardhë, dhe për të shqyrtuar se cilët njerëz do të zgjedhim për pozitat e Kabinetit. Asgjë nuk do ta ndalë këtë,” tha ai.

Zoti Biden tha se ishte “turp” që zoti Trump nuk i ka pranuar zgjedhjet.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo parashikoi një administratë të dytë Trump në komentet që bëri të martën, të cilat ishin në kundërshtim me urimet e bëra në biseda telefonike midis zotit Biden dhe udhëheqësve të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Irlandës.

“Me disa përjashtime të kuptueshme, e gjithë Partia Republikane është vënë në një pozicion frikësimi të butë nga presidenti, por ka vetëm një president në një kohë,” tha zoti Biden, i cili buzëqeshi kur u pyet në lidhje me komentet e zotit Pompeo.

Më pas, në një intervistë me Fox News, zoti Pompeo duket se i zbuti komentet e tij. Ai tha: “Unë kam shumë besim se do të kemi një tranzicion të mirë,
se do të sigurohemi që kushdo që është në detyrë në mesditën e 20 janarit do t’i ketë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbajtur të sigurt amerikanët.”

Në seancën e parë me pyetje-përgjigje që nga fitorja e tij, zoti Biden u pyet se çfarë do t’i thoshte zotit Trump, nëse ishte duke e parë në televizion atë moment.

Presidenti i zgjedhur u përgjigj: “Zoti President, mezi pres të flas me ju”.

zëri i amerikës

Barr autorizon hetime lidhur me pretendimet mbi manipulim në zgjedhje

Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka autorizuar prokurorët federalë të hetojnë ato që ai i quan “pretendime të forta” për parregullsi, gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit. Një vendim i tillë nxiti zyrtarin e Departamentit të Drejtësisë që mbikëqyr krimet elektorale të japë dorëheqjen. Në dokumentin e lëshuar të hënën, të publikuar nga disa organizata mediatike, nuk citohej ndonjë rast specifik rreth manipulimeve të pretenduara.

 

Zoti Barr shkruante se hetimet “mund të kryhen nëse ka pretendime të qarta e të besueshme për parregullsi, të cilat nëse janë të vërteta, mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në një shtet të caktuar”.

 

Ai shtonte se “ndërsa është e domosdoshme që pretendimet e besueshme të trajtohen në një kohë dhe në mënyrë efektive, është po aq e domosdoshme që personeli i Departamentit të tregojë kujdesin e duhur, e të ruajë angazhimin absolut të këtij Departamenti, për drejtësi, paanësi e qasje jopartiake”.

 

Lëvizja e zotit Barr nxiti dorëheqjen e prokurorit kryesor që mbikëqyr krimet e lidhura me zgjedhjet në Departamentin e Drejtësisë Richard Pilger. Në një email drejtuar kolegëve të tij të hënën ai shkruante se “dorëhiqej me keqardhje” pas udhëzimit të zotit Barr “dhe pasojave që ai mund të prodhojë”.

 

Zoti Pilger do të vazhdojë të shërbejë në Departamentin e Drejtësisë, por në një detyrë tjetër.

 

Prej kohësh Departamenti i Drejtësisë ka ndjekur një politikë që synonte të ndalonte hetime të kësaj natyre derisa zyrtarët e zgjedhjeve në secilin shtet të çertifikonin rezultatet, për të shmanmgur çdo lloj perceptimi të ndërhyrjes nga qeveria federale.

 

Shtetet kanë afat deri më 8 dhjetor për të kryer rinumërime të mundshme ose për të zgjidhur proceset gjyqësore lidhur me zgjedhjet. Më pas më 14 dhjetor Kolegji Zgjedhor do të mblidhet për të zgjedhur zyrtarisht fituesin e zgjedhjeve presidenciale bazuar në rezultatin e 3 nëntorit.

 

Nëpërmjet një deklarate të hënën Bob Bauer, një prej avokatëve të fushatës zgjedhore të presidentit të zgjedhur Joe Biden, shprehej se është “thellësisht për të ardhur keq që Prokurori i Përgjithshëm Barr zgjodhi të lëshojë një udhëzim që do të ushqejë vetëm pretendime çorientuese, spekulative, imagjinare apo të pabesueshme. Këto janë nga ato lloj pretendimesh që presidenti dhe avokatët e tij po hedhin pa sukses çdo ditë, ndërsa paditë e tyre po bëhen qesharake nga një gjykatë në tjetrën”. “Por në fund të fundit, demokracia amerikane është më e fortë se çdo skenar politik i çalë e cinik”, shtonte më tej ai.

 

Presidenti Donald Trump nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjet dhe ka pohuar, por pa ofruar prova, se procesi i votimit në shumë shtete u manipulua. Organizatat kryesore mediatike e kanë shpallur zotin Biden fitues bazuar informacionet e numrit të votave të lëshuara nga shtete të ndryshme. zëri i amerikës

Sfidat historike të administratës Biden

Brian Padden

Pas fitores me rezultat të ngushtë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të marrë drejtimin e vendit të ndarë politikisht që po përballet me pandeminë vdekjeprurëse dhe ekonominë e dëmtuar rëndë prej saj. Analistët mendojnë se suksesi i demokratit të moderuar mund të varet nga tejkalimi i dallimeve politike me republikanët dhe sigurimi i përkrahjes së progresistëve të partisë së tij.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden premtoi gjatë fushatës të zgjerojë mundësitë për qasje në kujdesin shëndetësor, ndihma për punëtorët me pahë të ulët dhe investime në energjinëp e pastër duke krijuar miliona vende të reja pune. Por sfida e tij e parë do të jetë trajtimi i pandemisë së koronavirusit, që sipas Universitetit Johns Hopkins ka shkaktuar mbi 237 vdekje në ShBA.

“Nuk do të kursejë përpjekjet dhe angazhimin për të frenuar pandeminë“, tha Presidenti i zgjedhur, Joe Biden.

Zoti Biden të hënën themeloi grupin e punës kundër koronavirusit, i cili do të përqëndrohet në shtimin e testimeve, rritjen e prodhimit të pajisjeve mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësorë si dhe zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave.

Por, suksesi i axhendës së tij, varet nga lëvizjet e zotit Biden për të tejkaluar dallimet partiake që janë shtuar gjatë mandatit të Presidentit në largim, Donald Trump.

“Ndarjet janë të thella. Shpresoj të futemi në një shteg shërimi. Nuk do të ndodhë as shpejtë e as lehtë“, thotë David Redlawsk, Profesor i Politikave në Universitetin e Delauerit.

Zoti Biden mund të përballet me kundërshtim të madh nga udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i cili do të përcaktojë axhendën e kësaj dhome të kongresit, nëse republikanët fitojnë një nga dy garat e balotazhit në Xhorxhia në janar.

“Zoti McConnel mund të mos lëvizë nga qëndrimet e tij dhe të mos lejojë nisma liberale”, thotë Shannon O’Brien, Profesore e Politikave amerikane.

Presidenti i zgjedhur shihet si njeriu i përshtatshëm për të tejkaluar dallimet, pasi ai ka shërbyer për dekada si senator dhe më pas nënpresident në administratën Obama. Raporti i tij me zotin McConnel dhe të tjerët do të vihet në provë.

“Ai mund të shfrytëzojë marrëdhëniet e tij për të ndërtuar koalicione të mundshme që mbase nuk i kemi parë në katër vitet e fundit”, tha Jeff Bennet, Profesor komunikimi në Universitetin Vanderbilt.

Zoti Biden ka theksuar nevojën e bashkëpunimit midis partive për të arritur të mirën e përgjithshme.

“Për të pasur sukses, duhet të mos i shohim kundërshtarët si armiq. Nuk jemi armiq, jemi amerikanë“, deklaroi Presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Por udhëheqësi demokrat do të përballet gjithashtu me presionin e krahut më liberal të partisë së tij, të ashtuquajturit progresistët, që duan një sistem të përgjithshëm shëndetësor të financuar nga qeveria dhe masa agresive për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Disa demokratë të ekstremit të majtë, si ligjvënësja e Nju Jorkut, Aleksandria Ocasio-Cortez, kanë shprehur tashmë zhgënjimin, pasi sipas saj demokratët e moderuar, pasi zgjidhen braktisin kauzat progresive dhe kërkojnë marrëveshje me republikanët.

Cila është Kamala Harris, e zgjedhur në postin e nënpresidentes?

Katherine Gypson

Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris hyri në histori këtë javë duke u bërë gruaja e parë që fiton zgjedhjet. Materiali në vazhdim na njeh me rrugën që e solli zonjën Harris në pozicionin e dytë më të fuqishëm në qeverinë amerikane.

Një moment historik në Shtetet e Bashkuara…

“Ndërsa mund të jem gruaja e parë në këtë post, nuk do të jem e fundit”, tha nënpresidentja e zgjedhur.

56-vjeçarja Harris falënderoi presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe votuesit…. që e zgjodhën atë për t’u bërë gruaja e parë me ngjyrë dhe indiano-amerikane që do të shërbejë si nënpresidente e Shteteve të Bashkuara.

“Ne kemi pasur gra në Gjykatën e Lartë. Kemi Nancy Pelosin si kryetare të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, por asnjëherë nuk kemi patur një grua në degën ekzekutive si nënpresidente – ende jo si presidente. Dhe jo vetëm kaq, por kemi një grua me ngjyrë, një grua nga prindër emigrantësh që erdhën në këtë vend për një jetë më të mirë”, thotë Barbara Perry me Universitetin e Virxhinias.

Vajza e një nëne indiane dhe një babai xhamajkan, zonja Harris u rrit në Oakland, të Kalifornisë. Një pikturë murale e saj është tani në shkollën ku ajo çohej me autobuz si fëmijë, si pjesë e përpjekjeve të integrimit racor.

“Ajo theu kaq shumë barriera të ngurta për kaq shumë gra”, tha ligjvënësja demokrate Barbara Lee.

E diplomuar në Universitetin Howard, një kolegj i përbërë kryesisht nga studentë me ngjyrë në Uashington, Harris u bë prokurorja e parë grua me ngjyrë në San Francisko në vitin 2004 dhe më pas Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010.

Gjatë protestave të lëvizjes “Black Lives Matter” këtë verë, disa përfaqësues progresistë u ankuan se zonja Harris kishte qenë një prokurore shumë e ashpër, kishte marrë pozicione kontradiktore mbi dënimin me vdekje dhe nuk arriti ta mbante policinë përgjegjëse për sjellje të ashpra.

Kamala Harris për herë të parë hyri në histori në Kaliforni kur u zgjodh në Senatin amerikan.

“Është e rëndësishme që amerikanët të shohin në pushtet, njerëz që duken si vetë ata”, thotë Shannon Bow O’Brien me Universitetin e Teksasit.

Kamala Harris – e cila flet shpesh për rolin e saj si teze dhe nënë e fëmijëve të bashkëshortit të saj – është e martuar me avokatin Doug Emhoff, i cili tani do të jetë zotëria i dytë – një pozicion krejtësisht i ri në historinë e Shtëpisë së Bardhë. Dhe ndërsa puna më e rëndësishme për një nënpresidente është të jetë gati të marrë rolin e presidentit nëse është e nevojshme, analistët thonë se Kamala Harris mund të trumpetojë arritjet e saj historike.

“Ajo mund të jetë një grua-shteti që do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara jashtë, por mendoj se ajo ashtu do të udhëtojë kudo edhe brenda Shteteve të Bashkuara, për të përhapur simbolikën e asaj që po bën”, thotë Barbara Perry.

Një rol i ri global në Shtëpinë e Bardhë – që po festohet deri në gjysmën tjetër të botë, në fshatin e paraardhësve të saj në Indi.

SHBA, shkon në 244.519 numri i të vdekurve nga COVID-19

New York

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 244.519, prej të cilëve 722 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.

Të dhënat nga faqja e internetit “Worldometer” tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është rritur për 132.627, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 10.428.517.

Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 6,55 milionë të infektuar, ndërsa numri i testeve ka arritur në mbi 159 milionë.

Aktualisht, shteti i Teksasit është më i godituri në SHBA, me 1.030.227 raste të konfirmuara, ndërkohë që numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në New York, me gjithsej 33.853 viktima.

Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar India me mbi 8,59 milionë raste dhe Brazili me mbi 5,67 milionë.

Agjencia qeveritare e ngarkuar me tranzicionin nuk e ka njohur fitoren e zotit Biden

Ken Bredemeier

Ndërsa Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen e zgjedhjeve dhe pretendon për manipulime në numërimin e votave, administrata e tij ende nuk ka filluar të ndihmojë fituesin e parashikuar, Presidentin e zgjedhur Joe Biden, në fazat fillestare të marrjes së kontrollit të qeverisë.

Emily Murphy, Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme

Emily Murphy, Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme

Agjencia qeveritare që njihet shkurtimisht si GSA ose Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, ka përgjegjësinë për të njohur zyrtarisht zotin Biden si presidentin e ri dhe për të filluar procesin e kalimit të pushtetit, që zyrtarisht bëhet ditën përurimit të presidentit me 20 janar. Agjencia cakton zyrat për ekipin e tranzicionit të zotit Biden në mjediset qeveritare dhe ndihmon në detyra të tjera të nevojshme. Por Emily Murphy, kreu i agjencisë nuk e ka filluar procesin.

Një zëdhënës i Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) tha se agjencia nuk do të fillojë procesin e tranzicionit deri sa fitorja e zotit Biden të çertifikohet zyrtarisht, por është e paqartë se kur mund të ndodhë kjo, meqënëse ende vazhdon numërimi i votave në një pjesë të madhe të vendit.

Rezultati i zgjedhjeve është i paqartë vetëm në pak shtete dhe organizatat kryesore të medias kanë nxjerrë demokratin Biden si fitues. Presidenti Trump nuk ka pranuar të njohë rezultatin ndërsa fushata e tij ka hapur disa padi ligjore duke pretenduar, pa prova deri tani, se parregullsitë në votimet e së martës, dhe ditët pasuese të numërimit të votave i kushtuan atij fitoren e zgjedhjeve.

Zoti Trump shpreson që paditë ligjore do ta ndihmojnë atë të përmbysë rezultatin e votave të fituara nga zoti Biden në Kolegjin Elektoral, që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale, dhe jo të votës popullore, megjithëse zoti Biden udhëheq edhe me votën popullore.

Udhëheqësi i shumicës së senatit Mitch McConnell tha të hënën se Presidenti Trump, “ka 100% të drejtë të shqyrtojë akuzat për parregullsi dhe të peshojë alternativat ligjore”. “Institucionet tona janë ndërtuar pikërisht për këtë,” tha zoti McConnel në Senat, ndërsa shtoi se procesi do të zhvillohet dhe “do të arrijë në zgjidhjen e tij”.

Zoti Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris po vazhdojnë me planet e tyre të tranzicionit, fillimisht duke u takuar me ekspertë të shëndetit lidhur me përpjekjet për frenimin e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, virusi u ka marrë jetën 237 mijë amerikanëve ndërsa 10 milionë të tjerë rezultojnë të infektuar. Ndërkohë, kampi i zotit Biden po kërkon bashkëpunim për tranzicionin nga zyrtarët e Presidentit Trump.

Jen Psaki, ndihmëse e zotit Biden në procesin e tranzicionit

Jen Psaki, ndihmëse e zotit Biden në procesin e tranzicionit

Zonja Jen Psaki, ndihmëse e zotit Biden në procesin e tranzicionit, tha të dielën në rrjetin Twitter se, “Siguria kombëtare dhe interesat ekonomike të Amerikës varen nga sinjalet e qarta dhe të shpejta të administratës se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të respektojë vullnetin e popullit amerikan dhe do të angazhohet për një transferim të qetë dhe paqësor të pushtetit.”

Akti i njohjes së “fituesit të pritshëm” nga GSA, i hap rrugën ekipit të tranzicionit të adminisitratës së re të ketë qasje në kompjuterat qeveritarë, i siguron atij mbështetje logjistike, si dhe i paguan pagat.e tyre. Buxheti i tranzicionit për këtë vit është parashikuar në 10 milionë dollarë.

Zyrtarët e rinj pajisen me adresë emaili qeveritare dhe kanë zyra në çdo agjenci qeveritare. Zyrtarët po ashtu mund të fillojnë të plotësojnë formularët përkatës mbi të ardhurat financiare dhe konfliktet e interesit, para se të marrin detyra e reja qeveritare.

Qendra për Tranzicionin Presidencial, një organ jopartiak, po ashtu u kërkoi zyrtarëve të administratës së zotit Trump që të “fillojnë menjëherë procesin e tranzicionit paszgjedhor, që ekipi i zotit Biden të përfitojë plotësisht nga burimet e disponueshme sipas Aktit të Tranzicionit Presidencial”. Grupi tha se, “Kjo ishte një fushatë e ashpër, por historia është e mbushur me shembuj të presidentëve që dolën nga fushata të tilla dhe që ndihmuan me mirësjellje pasardhësit e tyre.”

Presidenti Trump shkarkon Shefin e Pentagonit Mark Esper

Presidenti Donald Trump njoftoi të hënën se ka larguar nga detyra Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper dhe se e ka zëvendësuar atë me drejtorin e Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Christopher Miller. Ai tha se zoti Miller do të fillonte menjëherë detyrën si Sekretar i Mbrojtjes në detyrë.

Mark Esper e ka përfunduar detyrën“, shkruante zoti Trump në Twitter. “Jam i kënaqur të njoftoj se Christopher C. Miller, drejtori shumë i respektuar i Qendrës Kombëtare Kundër-Terrorizmit (i konfirmuar unanimisht nga Senati), do të jetë sekretari në detyrës i Mbrojtjes, vendim që hyn në fuqi menjëherë“, siç shkruante ai.

Largimi i zotit Esper pritej prej muajsh pasi në qershor ai ndërmori hapin e pazakontë për të kundërshtuar publikisht presidentin, duke thënë se trupat nuk do të dërgoheshin për të kontrolluar valën e protestave në qytetet amerikane./VOA

Presidenti i zgjedhur Joe Biden fillon pa vonesë përgatitjet për tranzicion pushteti

Ken Bredemeier

Demokrati Joe Biden, i parashikuar si fitues i zgjedhjeve presidenciale në garën me Presidentin Trump, filloi pa vonesë të dielën përgatitjet për të marrë në dorë qeverisjen dhe anulimin e disa politikave të administratës Trump pasi të bëhet inaugurimi më 20 janar.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe zëvendësja e tij e zgjedhur Kamala Harris, hapën një faqe interneti për transferimin e pushtetit, duke thënë se do të përqëndrohen pa vonesë tek pandemia, recesioni ekonomik, ndryshimet klimatike dhe racizmi sistematik.

“Po përgatitemi të udhëheqim që në ditën e parë, që administrata Biden-Harris të jetë në gjendje të përballet me sfidat më urgjente: mbrojtjen e shëndetit të kombit, rikthimin e mundësive për sukses, avancimin e barazisë racore dhe luftën kundër krizës klimatike”, duke shtuar se “ne qëndrojmë së bashku si një Amerikë. Ne do të ngrihemi më të fuqishëm se më parë”.

Ndihmësit e tij thanë se në ditët e para në detyrë, zoti Biden planifikon që të ribashkojë SHBA me Marrëveshjet e Parisit për klimën si dhe të anulojë daljen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Zoti Biden ka në plan të anulojë urdhëresën për ndalimin e udhëtarëve thuajse nga të gjitha vendet me shumicë myslimane dhe të riaktivizojë programin që lejon qëndrimin në vend të të rinjve të sjellë në SHBA në mënyrë të paligjshme nga vende të tjera si të mitur të pashoqëruar nga prindër.

Gjatë fushatës, zoti Biden tha gjithashtu se ka në plan të rikthejë vendin në marrëveshjen ndërkombëtare për të kufizuar ambicjet bërthamore të Iranit. Administrata Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja.

Tranzicioni i pushtetit shpesh sjell ndryshime politike të shpejta, por pritet që kalimi nga administrata Trump në atë Biden të jetë zhvendosja më e ndjeshme në dekadat e fundit të politikës amerikane.

Një ndihmës i zotit Biden tha në intervistën për rrjetin CNN “Në çdo aspekt ne do të hedhim themelet për administratën Biden-Harris për të kthyer me sukses besimin në institucione dhe për të udhëhequr qeverinë federale”.

Gjatë katër viteve në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump nuk e ka fshehur kënaqësinë që sfidonte normat politike dhe ka të ngjarë që përmbyllja e mandatit të tij katër vjeçar të mos jetë ndryshe.

Presidenti Trump Nuk Ka Pranuar Humbjen

Presidenti nuk i ka telefonuar rivalit për ta uruar për fitore dhe nuk ka pranuar humbjen.

Ekipi i presidentit republikan Donald Trump tha të shtunën se kishte ngritur padi në Arizona, në të cilën pretendon se qarku më i populluar i këtij shteti jugperëndimor skualifikoi në mënyrë të gabuar një numër votash të hedhura ditën e zgjedhjeve nga disa votues.

Në padinë, e ngritur në Gjykatën e Lartë shtetërore të Qarkut Marikopa, thuhet se punonjësit e zgjedhjeve u kishin thënë disa votuesve të shtypnin një buton, pasi një makinë kishte zbuluar një votë të tepërt.

Paditësit thonë se ditën e zgjedhjeve janë përdorur makineri të reja votimi dhe se ato vota mund të kenë qenë “përcaktuese” në rezultatin e garës Trump-Biden, i cili u shpall fitues të shtunën nga rrjetet e mëdha televizive.

Presidenti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë të shtunën që të shkonte për të luajtur golf dhe nuk bëri ndonjë paraqitje publike, ndërsa komentoi në rrjetin Twitter se ai “fitoi zgjedhjet me një diferencë të madhe”.

Fushata e zotit Trump lëshoi një dekleratë ku tha se zoti Biden “po nxiton të paraqitet në mënyrë të gabuar si fitues”, duke premtuar sfida ligjore për të “sigurar që fituesi i ligjshëm të marrë drejtimin”, një pretendim për të cilin shumica e ekspertëve thonë se nuk ka gjasa të ndodhë. Jeff Bennet është profesor në Universitetin Vanderbilt.

Emrat që mund të drejtojnë politikën e jashtme të Bidenit

Mike Eckel

Po kërkoni ndonjë shenjë se çfarë drejtimi mund të marrë politika e jashtme e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden?

Provoni ta kujtoni kohën e katër vjetëve më parë, kur Biden ka punuar në Shtëpinë e Bardhë si nënpresident.

Janë rreth 4 000 emërime politike që çdo administratë e re duhet t’i bëjë, në politikën e jashtme dhe të tjera.

Biden, i cili ka shërbyer me dekada në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe e ka kryesuar atë me vite, ka në orbitën e tij njerëz nga koha e administratës së presidentit Barack Obama. Shumë nga ta kanë përvojë qeveritare dhe njohuri të dorës së parë.

Biden dhe ndihmësit e tij janë përpjekur ta bëjnë të qartë se, edhe pse shumë nga figurat e tij kryesore të politikës së jashtme pritet të jenë veteranë të administratës Obama, kjo nuk do të thotë thjesht një vazhdimësi e politikave të Obamës.

Rusia, Kina, Irani, NATO: të gjitha këto janë çështje që do të trajtohen ndryshe, dukshëm në disa raste.

Biden mund të përballet me pengesa nëse zgjedhjet e balotazhit në janar i lënë republikanët në kontroll të Senatit, i cili ka autoritetin kushtetues për të konfirmuar shumë pozicione të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare.

Këta janë disa nga emrat që qarkullojnë për pozicionet më të rëndësishme të politikës së jashtme në administratën e ardhshme Biden:

Sekretari i Shtetit

Pozicioni i kryediplomatit amerikan është një nga më të rëndësishmit në kabinet.

Presidenti Donald Trump ka pasur dy të tillë.

I pari, Rex Tillerson, i cili është përplasur vazhdimisht me stilin qeverisës të Trumpit, është shkarkuar nga presidenti në mars të vitit 2018, pas pak më shumë se një viti në post. Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, e ka marrë më pas detyrën.

Tani, së paku dy senatorë demokratë duken të interesuar për këtë punë. Chris Coons aktualisht shërben në Komitetin e Senatit për Drejtësi dhe në Komitetin për Punë të Jashtme.

Muajin e kaluar, Coons ishte autor i një artikulli të gjatë në revistën Foreign Affairs, me titull “Një politikë e jashtme dypartiake është akoma e mundur”. Kjo është parë si përpjekje e tij për ta portretizuar veten si dikush që dëshiron të punojë me republikanët.

Senatori tjetër, Chris Murphy, aktualisht është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë. Ai po ashtu e ka portretizuar veten si person të gatshëm për bashkëpunim dhe si ligjvënës progresiv.

Murphy ka folur fuqishëm kundër Rusisë dhe në mbështetje të Ukrainës dhe vendeve të tjera të Evropës Lindore. Ai ishte bashkautor i një projekt-ligji për financimin e projekteve energjetike në Evropën Lindore, për të zvogëluar varësinë e rajonit nga nafta dhe gazi rus.

Emërimi i një senatori në pozicionin e sekretarit të Shtetit do të nënkuptonte ndoshta humbjen e një vendi demokrat në Senat, i cili aktualisht kontrollohet nga republikanët.

Kandidatët e tjerë përfshijnë Antony Blinken, i cili ka përvojë të gjatë në çështjet e jashtme të Uashingtonit. Ai ka shërbyer si anëtar stafi në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nën presidentin Bill Clinton, në vitet 1990.

Nga viti 2009 deri më 2013, ai ka shërbyer si këshilltari kryesor i Bidenit për siguri kombëtare. Ai ka qenë po ashtu zyrtari numër dy në Departamentin e Shtetit, nën sekretaren Hillary Clinton, në vitet e saj të fundit. Dhe ka qenë një nga këshilltarët kryesorë gjatë fushatës presidenciale të Bidenit.

Në një forum të sigurisë në muajin gusht, Blinken ka thënë se administrata e ardhshme e Bidenit do të përballej me “mjedisin më sfidues dhe më kompleks të sigurisë në dekada”.

Nicholas Burns shihet po ashtu si kandidat i mundshëm. Tani profesor i Shkollës Kennedy në Harvard dhe këshilltar i jashtëm i fushatës së Bidenit, Burns ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë të presidentit demokrat, Bill Clintron, në vitet 1990. Por, ai ka shërbyer edhe në administratën e presidentit republikan, George W. Bush, si ambasador në NATO dhe zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Në intervistat e fundit, Burns ka bërë thirrje për rindërtimin e marrëdhënieve SHBA-Evropë, që, sipas tij, janë në gjendjen më të keqe që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Sekretari i Mbrojtjes

Në vitet e kaluara, disa presidentë kanë zgjedhur për shef të Pentagonit një anëtar të partisë tjetër. William Cohen, Robert Gates dhe Chuck Hagel kanë qenë republikanë që kanë shërbyer nën presidentë demokratë.

Sekretari i parë i Mbrojtjes i Trumpit, Jim Mattis, është konsideruar i pavarur, por më vonë është ndarë nga Trump, duke e kritikuar publikisht atë dhe duke e mbështetur Bidenin.

Michele Flournoy, e cila ka shërbyer si nënsekretare e Mbrojtjes për dy sekretarë të ndryshëm gjatë administratës Obama, shihet si kandidatja kryesore për udhëheqjen e Pentagonit. Ajo do të ishte gruaja e parë në atë pozitë.

Përpara se t’i bashkohej administratës Obama, ajo ka bashkëthemeluar një institut në Uashington, të quajtur Qendra për një Siguri të Re Amerikane.

Gjatë diskutimeve në një forum të sigurisë në muajin gusht, Flournoy u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të investojnë më shumë në teknologjitë e reja, për të penguar veprimet keqdashëse të Rusisë dhe Kinës.

Derek Chollet, këshilltar i lartë i dy sekretarëve të Mbrojtjes në administratën e Obamës, është po ashtu në listën e ngushtë të administratës Biden për postin e mbrojtjes ose të politikës së jashtme. Chollet, tani në Fondacionin gjerman Marshall, ka qenë po ashtu zyrtar i lartë në departamentin e sekretares Hillary Clinton.

Këshilltari për sigurinë kombëtare

I krijuar në fillim të Luftës së Ftohtë për të ndihmuar në koordinimin e çështjeve të huaja, ekonomike, të mbrojtjes dhe inteligjencës për presidencën, ndikimi i këtij posti padyshim se ka arritur kulmin nën Henry Kissingerin, i cili i ka shërbyer presidentit Richard Nixon në vitet 1970.

Trump ka pasur katër këshilltarë për sigurinë kombëtare. I fundit ishte Robert O’Brien.

Obama, për krahasim, ka pasur tre, përfshirë Susan Rice, e cila shihet si kandidate e fortë për t’u kthyer në pozitën e njëjtë, në administratën Biden.

Rice, e cila ka qenë edhe ambasadore në Kombet e Bashkuara, gjatë administratës Obama, njihet në Uashington për gjuhën e mprehtë dhe si luftëtare e ashpër ndërinstitucionale.

Antony Blinken thuhet se është kandidat edhe për këtë pozitë. Ashtu edhe Tom Donilon, krej kohësh ndihmës i Bidenit, i cili ka shërbyer si këshilltar i Obamës për siguri kombëtare, përpara Rice.

Donilon ka qenë edhe zëdhënës i Këshillit të Obamës për Siguri Kombëtare dhe oficer i CIA-s për 11 vjet, i cili publikisht ka dhënë dorëheqje nga agjencia, pasi Trump ka marrë detyrën më 2017.

Kandidat i përfolur është edhe Michael McFaul, i cili ka qenë këshilltar për Rusinë në Këshillin e Obamës për Siguri Kombëtare. Tani profesor në Universitetin Stanford, McFaul ka qenë ambasador i Obamës në Rusi.

Një tjetër ndihmës i Bidenit që mund të marrë një post kyç është Michael Carpenter, i cili tani udhëheq një institut në Universitetin e Pensilvanisë. Carpenter ka qenë zyrtar i lartë i Pentagonit, që ka mbikëqyrur politikën për Rusinë, Ukrainën, Euro-Azinë dhe Ballkanin. Ai, gjithashtu, ka qenë kritik i zëshëm i Trumpit dhe politikave të tij dhe mbështetës i flaktë i Bidenit.

Ambasadori në Kombet e Bashkuara

Fakti që ky post konsiderohet si pozitë e nivelit të lartë, i befason shpesh njerëzit. Por, është një pozitë diplomatike, që lehtë mund ta rivalizojë atë të sekretarit të Shtetit në dukshmëri. Gjatë luftës në Irak, më 2003, ambasadori John Negroponte ka shfrytëzuar pozicionin e tij, për të ndihmuar në ndërtimin e çështjes për pushtimin e Irakut nga SHBA-ja.

Ambasadorja e Obamës në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, është konsideruar po ashtu si një nga ambasadorët më me ndikim, kryesisht për shkak të afërsisë me Obamën. Tani profesoreshë në Harvard, Power është edhe këshilltare e fushatës së Bidenit për politikë të jashtme. Disa vëzhgues spekulojnë se ajo mund të kthehet në qeveri. Është e paqartë nëse ajo do të donte të kthehej në Nju Jork si ambasadore e Kombeve të Bashkuara.

Susan Rice është një tjetër emër që qarkullon këtu, por, përsëri, është një post që konfirmohet nga Senati, i cili mund të shkaktojë telashe për të.

Drejtori i CIA-s

Pasi Mike Pompeo është larguar nga agjencia kryesore e inteligjencës amerikane për t’u bërë sekretar i Shtetit, Gina Haspel është zgjedhur drejtore e re.

Edhe pse Haspel mbështetet gjerësisht nga personeli i agjencisë dhe shumë të tjerë në komunitetin e inteligjencës, shumë demokratë dyshojnë në përfshirjen e saj në politikat e marrjes në pyetje, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ato teknika konsiderohet se kanë qenë torturuese.

Për këtë arsye, shumë vëzhgues dyshojnë se administrata e Bidenit do ta mbajë në detyrë.

Në mesin e kandidatëve kryesorë për këtë pozitë është Avril Haines, zëvendësdrejtore e CIA-s gjatë administratës Obama – gruaja e parë në histori që ka mbajtur atë pozitë.

Haines, e cila ka qenë këshilltare e fushatës së Bidenit, ka shërbyer edhe si zëvendëskëshilltare në Këshillin e Obamës për Siguri Kombëtare.

Pozita të tjera, personel tjetër

Këto janë disa nga pozitat e shquara të politikës së jashtme në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, por ka edhe shumë të tjera që luajnë rol në përcaktimin e politikave ndërkombëtare të SHBA-së: nga sekretari i Thesarit deri te pozitat e nivelit të dytë në departamentet e Shtetit dhe Mbrojtjes.

Figura të tjera të njohura të administratës Obama, që do të garojnë për këto apo poste të tjera, përfshijnë Wendy Sherman, e cila ka qenë nënsekretare e Shtetit për çështjet politike dhe një arkitekte e marrëveshjes bërthamore me Iranin, dhe Jake Sullivan, ndihmës për sigurinë kombëtare në administratën Obama dhe zyrtar i lartë i fushatës së Hillary Clintonit më 2016.

Përgatiti: Valona Tela

Biden zgjedhet president pas gjysmë dekade në politikë

Presidenti i zgjedhur Joe Biden, një figurë e njohur në qarqet politike të Uashingtonit prej gati gjysmë shekulli, do të pasojë Presidentin Donald Trump në janar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan i hedh një vështrim karrierës së politikanit me përvojë, i cili arriti fitoren e tij më të madhe në politikë, katër vjet pas largimit nga posti i nënpresidentit.

Rezultati i zgjedhjeve u përcaktua nga pak shtete, duke përfshirë edhe Pensilvaninë, ku dallimi në vota midis kandidatëve ishte shumë i ngushtë.

Presidenti aktual dhe mbështetësit e tij pretendojnë se parregullsitë përmbysën rezultatin dhe se gjithçka mund të ndryshojë.

Por kur rrjetet amerikane të lajmeve parashikuan se epërsia e zotit Biden ishte e pakapërcyeshme, ai deklaroi fitoren dhe bëri thirrje për tejkalimin e ndarjeve politike në vend.

“Për të gjithë ata që votuan Presidentin Trump, e kuptoj zhgënjimin tuaj sonte, edhe unë kam humbur disa herë. Por tani, le t’i japim një mundësi njëri tjetrit”, tha Presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Gjatë fushatës, Presidenti Trump u përqëndrua tek çështje si trazirat shoqërore, rendi dhe ligji, ndërsa zoti Biden e kritikoi Presidentin për mënyrën se si e trajtoi pandeminë.

Presidenti Trump gjatë gjithë kohës mbeti prapa në sondazhe. Ai mbante tubime të mëdha në shtete si Miçigan dhe Uiskonsin, ku votuesit dukeshin të përçarë.

Për tetë vite, zoti Biden ka qenë nënpresident, duke luajtur rol të rëndësishëm në administratën e presidentit Barak Obama.

Ndryshe nga Presidenti Trump, që ishte risi politike kur u zgjodh më 2016, zoti Biden është një politikan me përvojë, diçka që ai e përdori edhe gjatë fushatës.

“Do të them diçka të pazakontë. Unë di të vë një qeveri në punë“, deklaroi Presidenti i zgjedhur, Joe Biden.

Zoti Biden hyri në Senat në moshën 29 vjeçare, detyrë që e mbajti për gati 50 vite.

78 vjeçari do të jetë presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ai është neutral në sjellje dhe kjo do ta dëmtonte shumë përballë Donald Trumpit. Kjo në të vërtetë u ofron njerëzv dy alternativa mjaft të mprehta,” u shpreh Larry Sabato i Universitetit të Virxhinias.

Zoti Biden u zgjodh si kandidat i Partisë Demokrate pasi mposhti pretendentët më liberalë në zgjedhjet paraprake. Një prej tyre ishte ajo që do të bëhet nënpresidente e tij e zgjedhur, Kamala Harris.

Tubimet zgjedhore të zotit Biden ishin të vogla dhe pa shumë njerëz për shkak të pandemisë.

Presidenti i zgjedhur mbajti një fjalim në shtetin kyç të Pensilvanisë, një ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Nesër mund t’i japim fund një presidence që dështoi të mbrojë vendin. Nesër mund t’i japim fund një presidence që ndezi flakën e urrejtjes në të gjithë vendin”, tha zoti Biden.

Një ditë para zgjedhjeve, edhe zoti Trump shfaqi besim në Usikonsin.

“Mbani në mend çfarë kam thënë katër vite më parë. Unë jam zëri juaj dhe të gjithë së bashku do ta bëjmë Amerikën madhështore sërish. Kjo është ajo që kemi bërë dhe që po bëjmë“, kishte deklaruar zoti Trump.

Në këto zgjedhje amerikanët votuan në shifra rekord, gati 90 për qind e qyetarëve me të drejtë vote.

Rezultati i ngushtë tregon se sa i ndarë është elektorati amerikan.

Sfidat ligjore nënkuptojnë se zgjedhjet mund të vendosen përfundimisht në gjykatë.

Presidentin e ardhshëm të ShBA-së e pret detyra e vështirë: bashkimi i një vendi të ndarë.

SHBA, shkon në mbi 238 mijë numri i të vdekurve nga COVID-19

New York

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 238.677, prej të cilëve 1.646 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.

Të dhënat nga faqja e internetit “Worldometer” tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është rritur për 125.254, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 9.696.175.

Ndërkaq, në mbarë vendin, deri tani janë shëruar mbi 6,23 milionë të infektuar, ndërsa numri i testeve ka arritur në mbi 150 milionë.

Aktualisht, shteti i Teksasit është më i godituri në SHBA, me 977.686 raste të konfirmuara, ndërkohë që numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në New York, me gjithsej 33.710 viktima.

Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar India me mbi 8,33 milionë raste dhe Brazili me mbi 5,56 milionë.

(Video) Ish Kongresmeni Joe DioGuardi: Shqiptarët do të kenë miq në Washington edhe nëse fiton Biden edhe nëse fiton Trump!

voal.ch – Ndërsa Amerika voton për Presidentin e SHBA, presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish Kongresmeni Joe DioGuardi jep një intervistë me  Xhemajl Rexha tek Kanal 10 ku midis të tjerave thotë se Shqiptarët do të kenë miq në Washington edhe nëse fiton Biden edhe nëse fiton Trump!

Ju ftojmë që ta shikoni intervistën:

Zgjedhjet presidenciale 2020 shkaktojnë ankth tek amerikanët

Dora Mekouar

Ka një gjë për të cilën demokratët dhe republikanët në Shtetet e Bashkuara mund të bien dakord: Ata janë të stresuar. Shumë. Dhe fajin për këtë e kanë zgjedhjet presidenciale 2020.

“Lajmet thjesht më bezdisin kur i dëgjoj dhe më shkaktojnë ankth në një shkallë që nuk më zë dot gjumi”, thotë Betty Mattimore, një profesioniste e shërbimeve financiare në Virxhinia e cila mbështet Presidentin Donald Trump.

“Kam shumë ankth, nuk fle mirë … Jam jashtëzakonisht e stresuar”, thotë Julie, një avokate nga shteti i Merilendit që mbështet ish-Nënpresidentin Joe Biden. “Jam aq e stresuar saqë nuk mund të flas për zgjedhjet, ose të mendoj apo të lexoj për to”. Julie i kërkoi Zërit të Amerikës të mos përdorë mbiemrin e saj për arsye privatësie.

Shumica e të rriturve amerikanë mund ta identifikojnë veten me zonjën Mattimore dhe Julie-n. Sipas një raporti të fundit të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, rreth 68% e të rriturve në SHBA i shohin zgjedhjet presidenciale si një burim i madh stresi në jetën e tyre.

Është një shqetësim dypartiak – 76% e demokratëve, 67% te republikanëve dhe 64% e të pavarurve ndjejnë stres.

Gjithashtu, 77% e të rriturve amerikanë thonë se janë të shqetësuar për të ardhmen e vendit.

“Ka shumë strese që njerëzit po kalojnë tani dhe të gjithë do të ndikohen, në një mënyrë ose një tjetër, nga rezultati i këtyre zgjedhjeve”, thotë Dr. Vaile Wright, një psikologe dhe bashkëautore e raportit mbi stresin e zgjedhjeve.

“Gjëra të tilla si qasja në kujdesin shëndetësor, ndryshimi i klimës, pandemia, trazirat sociale, vrasjet masive, të gjitha këto probleme kanë një ndikim vërtet domethënës në nivel kombëtar,” shton zonja Wright.

A counterprotester, left, confronts a supporter of President Donald Trump, Aug. 19, 2017, in Boston.

A counterprotester, left, confronts a supporter of President Donald Trump, Aug. 19, 2017, in Boston.

Përqindja e të rriturve afrikano-amerikanë që janë të stresuar për zgjedhjet është dukshëm më e lartë se sa ishte gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale, duke u ngritur nga 46% që ishte në vitin 2016 në 71% këtë vit. Dhe të rriturit me simptoma kronike kanë më shumë gjasa të raportojnë zgjedhjet si burim të stresit.

Julie, mbështetësja e zotit Biden, është e shqetësuar se si do ta përballojë gjendjen në se Trumpi fiton përsëri.

“Zgjedhjet e fundit ishin një tronditje e madhe”, thotë ajo. “Dhe vendi ka përjetuar kaq shumë trazira dhe humbje që nga ajo kohë, por unë ende ndihem e traumatizuar nga zgjedhjet. Dhe nëse kjo do të ndodhë përsëri, thjesht nuk e di se si do t’i kalojë edhe katër vjet të tjera.

“Pasiguria është një nxitës i madh i stresit. Ne jemi në një situatë të pashembullt ku pothuajse gjithçka është e pasigurt në këtë moment. Ne kemi zgjedhjet e ardhshme ku, siç e dini, kemi të ndërthurrur votimin te hershëm, dhe votimin përmes postës dhe kjo shton shumë pasigurinë”, thotë psikologia Wright.

Votimi përmes postës, mashtrimi i votuesve dhe integriteti i zgjedhjeve janë në mendjen e Brendan Mattimore, bashkëshorti ti Betty-t, gjithashtu një mbështetës i presidentit Trump.

“Jam shumë i shqetësuar dhe shumë i stresuar. … Unë gjithmonë kam besim te populli amerikan për marrjen e vendimeve dhe këto gjëra zakonisht funksionojnë, por mendoj se ka shumë të faktorë që duhet të merren në konsideratë” thotë Brendan, i cili punon si ekspert për buxhetin dhe financat. “Ka shumë hapësirë për mashtrim dhe këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme kështu që është naive të mendosh se nuk ka njerëz ose organizata që kërkojnë të përfitojnë nga kjo situate dhe të manipulojnë procesin.”

Dhe cilët beson ai se do të jenë ata që do të bënin një mashtrim të mundshëm?

“Mendoj se do të ketë më shumë nga ana demokrate,” thotë ai. “Mund të ketë disa raste edhe nga pala republikane, por thjesht nuk mendoj se do të jetë shumë i përhapur manipulimi mes republikanëve.”

Lëvizja nga një shtet më liberal të bregut lindor, në shtetin konservator të Indianës ka qenë një përvojë ndërgjegjësuese për mbështetësen e zotit Biden, Adrienne LaBorwit.

“Tani që jetoj këtu, e kuptoj se si u zgjodh Trump-i. Ndërsa, kur jetoja në (Uashington) D.C., thjesht, nuk e kuptoja, se si mund të përkrahej ai në këtë vend?” thotë zonja LaBorwit, e cila punon në sferën e zhvillimit të biznesit. “Mendoj se ata janë thjesht të lodhur nga politikanët e vjetër … gjë që nuk e ndihmon Joe Biden-in që ka qenë në Kongres për 36 vjet.”

Dhe me këtë këndvështrim të ri, vjen më shumë tension.

“Tani, e kuptoj”, thotë LaBorwit. “Njohja e këtij qëndrimi më shton ankthin.”

Ndërkohë, Betty Mattimore, mbështetëse e zotit Trump, është përqendruar në atë që do të ndodhë pas zgjedhjeve.

“Me të vërtetë shpresoj se vendi mund të ecë përpara. Megjithatë, mendoj se, kushdo që të fitojë … do të ketë një lloj kaosi pas këtyre zgjedhjeve”, thotë ajo. “E ndjej që ne kurrë nuk e kemi pranuar me të vërtetë Presidentin Trump si president pas zgjedhjeve të vitit 2016. Dhe sikur të fitojë përsëri? A do të kenë edhe katër vjet të tjera procedura për fajësimin e tij nga Kongresi? ”

“Unë thjesht dua që politikanët të qeverisin,” shton ajo. “Dua që ata të bëjnë atë që supozohet të bëjnë për vendin, për familjet. Jam lodhur nga e gjithë politika”.

Joe Biden përmend Kosovën gjatë fushatës: Një rrugë atje mban emrin e djalit tim!

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e ka përmendur Kosovën gjatë fushatës së tij elektorale në Michigan.

Biden ka kujtuar se në Kosovë një rrugë ka marrë emrin e djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin e tij.

Ai ka folur edhe për përmendoren e ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton që ndodhet në Prishtinë.

“Pas një viti të qëndrueshëm kur shërbeu si zyrtar ligjor i SHBA-së, shkoi në Kosovë – o baba, do të jem baba tipik – atje është një përmendore prej mbi 3.5 metrash kushtuar atij, një rrugë e rëndësishme që ata ndërtuan – Rruga ‘Beau Biden’. për përkushtimin e tij. Biri im u kthye në atdhe me një tufë medaljesh (për shërbim), si shumë të tjerë, para se ta humbte jetën”, tha Biden.

Më 6 qershor të vitit 2016, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që rrugës nacionale Gjilan – Ferizaj t’ia vë emrin “Beau Biden”. Kjo ishte bërë me propozim të kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafës.

Mustafa, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kishte thënë se emërtimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme të Kosovës me emrin e Beau Biden, ishte diskutuar në të gjitha nivelet dhe ishte një disponim i përgjithshëm që përmes këtij vendimi të tregohet falënderimi dhe mirënjohja për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçmas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trump kundër Biden – FOX News publikon sondazhin, shihni për kë kanë votuar amerikanët

Sondazhi i fundit i kryer nga Fox News, tregon se votuesit amerikanë e kanë humbur besimin e tyre ndaj presidenti Donald Trump.

Sipas sondazhit, vetëm 36% e personave të pyetur mendojnë se ekonomia është në gjendje të mirë. Ndërsa në lidhje me koronavirusin, 51% e përsonave mendojnë së është jashtë kontrollit.

Menaxhimi i situatës aktuale me pandeminë botërore i ka humbur shumë pikë presidentit në fushatën elektorale dhe votuesit mendojnë se kanditati Joe Biden do kryente një punë më të mirë.

Gjithashtu, 56% e amerikanëve mendojnë se Biden është një njëri më i besueshëm dhe më i ndershëm sesa Trump.

Ata gjithashtu tregojnë se kanditati demokrat është më pak i korruptuar sesa Donald Trump.

Vetëm 47% e 1,246 personave që morën pjesë në sondazh mendojnë se Trump do të vazhdojë të mbajë postin e tij si president.

The Wall Street Journal: Të dhënat e fundit të sondazheve për garën Trump-Biden

Sondazhi i fundit i gazetës amerikane “The Wall Street Journal” tregon se Trump është 10 pikë prapa Biden me përqindje. Ish-zëvendëspresidenti Biden dominon Trumpin me 52%, kundrejt 42% të mbështetjes sa ka presidenti aktual shumë pak para zgjedhjeve, transmeton Gazeta Express.

Sondazhi i WSJ në veçanti zbulon se gratë dhe të moshuarit janë kthyer kundër presidentit, me të dy grupet që favorizojnë Bidenin me diferencë dyshifrore.

Sidoqoftë, sondazhi tregon se gara po bëhet më interesante kur diferenca ngushtohet në 12 shtete. Në këto, Biden mban një epërsi prej 6 pikësh, përkatësisht 51%, kundrejt 45% sa ka Trump. Muajin e kaluar, epërsia e Biden në këto shtete ishte 10 pikë.

Avantazhi i Biden në shtetet më të papërcaktuara korrespondon me shumë sondazhe që tregojnë një garë të ngushtë dhe rrugë të mundshme që Trump të ndërtojë një shumicë të Kolegjit Zgjedhor pa fituar votën e popullit, siç ndodhi në vitin 2016.

Zgjedhjet në SHBA mbahen më 3 nëntor, ndërsa vëmendja është përqëndruar në shtetin më të fuqishëm në botë.

Mbi 9 milionë raste me COVID-19 në SHBA

Shtetet e Bashkuara prijnë për nga numri i rasteve me COVID-19 në botë me rreth 9 milionë të infektuar. Ndërkohë të dhënat tregojnë se të premten u regjistrua numër rekord prej 100 mijë rastesh të reja brenda një dite.

Në shtete si Uiskonsin autoritetet u kërkuan qytetarëve të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit.

“Duhet të ndërmarrim veprime të rëndësishme e kolektive. Duhet të qëndrojmë në shtëpi. Shmangni kontaktin me njerëzit që nuk jetoni”, tha Andrea Palm i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Uiskonsin.

“70 nga 72 qarqet e shtetit tonë kanë nivele shumë të larta të sëmundjes. Spitalet janë të mbingarkuara. Dje, një në pesë spitale në Uiskonsin raportoi shkurtim kritik të stafit”, tha Julie Willems Van Dijk, e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Uiskonsin.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në çdo 1.2 sekonda një amerikan rezulton pozitiv ndërsa një vdes çdo 107 sekonda.

Vendi i dytë më i prekur në botë është India që të enjten raportoi mbi 8 milionë raste prej fillimit të pandemisë. Ministria e shëndetit tha se ka një rritje prej 50 mijë infektimesh të reja ditore.

“Arritëm në 8 milionë infektime sepse njerëzit nuk po respektojnë distancimin fizik. Po ashtu, njerëzit nuk po i lajnë shpesh duart. Kemi shumë pacientë që vijnë pa një maskë në spitale dhe nuk u shmangen turmave”, tha Dr. Pankaj Yadav nga një spital nëDistriktin Moradabad.

Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes ndërsa paralajmërojnë një valë të dytë të pandemisë.

“Nuk duhet ta ulim vigjilencën, sepse mund të vuajmë një valë të dytë. Ajo që kemi mësuar nga sëmundjet SARS dhe MERS, vala e dytë është më e rrezikshmja”, këshillon Prasanna Kumar T, Pulmologe në Spitalin MS Ramaiah.

Brazili është vendi i tretë më i goditur pas SHBA-së dhe Indisë, por zë vendin e dytë në botë për nga numri i viktimave me COVID-19.

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro kritikoi vendet që rikthyen masat e izolimit me qëllim bllokimin e përhapjes së mëtejshme të virusit. Ndërsa numri i vdekjeve rritet, Brazili është kthyer në vendin kyç të testimit të vaksinës kundër koronavirusit si dhe ka miratuar provat klinike të fazës të fundit për katër vaksina.

zëri i amerikës

SHBA: Shifra rekord votimi para datës zyrtare të zgjedhjeve

Katër ditë para datës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, rreth 84 milionë amerikanë kanë hedhur votën, një shifër rekord që është e barazvlefshme me afro 62 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve në vitin 2016, që ishte 138.8 milion.

Amerikanët po votojnë herët për zgjedhjet presidenciale të së martës në shifra të pashembullta, si rezultat i bindjeve të forta pro ose kundër dy kandidatëve kryesorë dhe për t’iu shmangur turmave të mëdha të Ditës së zgjedhjeve në qendrat e votimit gjatë pandemisë.

Rreth dy të tretat e votuesve të hershëm të Amerikës kanë postuar ose hedhur fletëvotimet e tyre në kuti të posaçme, dhe pjesa tjetër votuan personalisht në vendet e votimit në të gjithë vendin.

Zoti Biden votoi të mërkurën në Uilmington, Delauerë, ndërsa zoti Trump e hodhi votën e tij të shtunën në një bibliotekë në West Palm Beach, Florida, pranë vendpushimit të tij Mar-a-Lago.

Ekspertët thonë se pjesëmarrja e votuesve për garën midis republikanit Trump dhe rivalit të tij demokrat Biden mund të jetë përqindja më e lartë e elektoratit që nga viti 1908, kur ajo ishte 65%.

Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat Biden i përqendruan përpjekjet e tyre të fushatës të enjten në shtetin juglindor të Floridas, të cilin presidenti e fitoi në vitin 2016.

“Nëse Florida voton blu, fitorja është e jona”, tha zoti Biden në një tubim ku mbështetësit morën pjesë duke mos dalë nga makinat para kolegjit Broward, duke iu referuar ngjyrës së Partisë Demokrate.

Zoti Biden kritikoi Presidentin Trump për mbajtjen e tubimeve plot me njerëz mes pandemisë së koronavirusit ku shumica e të pranishmëve nuk mbajnë maska, duke i quajtur ato “aktivitete super përhapëse”.

Presidenti “nuk po përhap vetëm koronavirusin. Ai po përhap përçarje dhe mosmarrëveshje”, tha Biden në një tubim të dytë me makina gjatë ditës në Tampa që u ndërpre nga një shi i dendur.

Presidenti Trump, duke iu drejtuar një turme të madhe në një stadium në Tampa, përsëri parashikoi pjesëmarrje të madhe të votuesve republikanë – “një valë e madhe e kuqe” – më 3 nëntor, duke iu referuar ngjyrës së republikanëve.

“Ne do të kemi një fitore dërrmuese. Do ta shikoni”, parashikoi presidenti.

Zoti Trump ishte planifikuar të zhvillonte një tjetër tubim të enjten më vonë në Karolinën e Veriut, por për shkak të “motit shumë të keq”, përfshirë erërat e forta, aktiviteti u shty për të hënën, u tha ai gazetarëve.

Në fjalimin e tij në Tampa, presidenti tha gjithashtu se vendi do të kishte një vaksinë për COVID-19 “brenda disa javësh”, duke premtuar se “të moshuarit do të jenë të parët që ta merrnin atë”. Në Florida, njerëzit mbi moshën 65 vjeç këtë vit mund të përbëjnë rreth një të tretën e atyre që votojnë për president.

Në çdo zgjedhje që nga viti 1996, kandidati që ka fituar Floridën ka fituar presidencën. Fituesi atje merr 29 nga 270 votat elektorale të nevojshme për të siguruar fitoren e zgjedhjeve.

Kandidatët për president në Shtetet e Bashkuara, po i përqendrojnë përpjekjet e tyre të fushatës të premten në katër shtete me rëndësi vendimtare.

Presidenti Donald Trump do të bëjë fushatë në Miçigan, Minesota dhe Uiskonsin, ndërsa ish-nënpresidenti Joe Biden do të bëjë fushatë në Minesota, Uiskonsin dhe Ajova.

Miçigani ka 16 vota elektorale, Minesota dhe Uiskonsin kanë nga 10, dhe Iova 6.

Sipas një mesatareje të sondazheve kryesore të përpiluara nga faqja Real Clear Politics, kandidatët Biden dhe Trump kanë praktikisht të njëjtën mbështetje në Florida dhe Karolinën e Veriut, ndërsa presidenti është pas ish-nënpresidentit në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Sipas sondazheve në shkallë vendi, zoti Biden ka një epërsi prej 7 ose 8 përqind ndaj zotit Trump, edhe pse në disa shtete vendimtare që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin në Kolegjin Zgjedhor, diferenca është sa një e dyta e diferencës kombëtare.

zëri i amerikës

Engel: SHBA duhet të luajë rol aktiv për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi

Keida Kostreci

Më pak se një javë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kongresmeni demokrat Eliot Engel thotë se çfarëdo administrate të jetë në fuqi, duhet t’i kushtojë rëndësi zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe Serbisë dhe rajonit të Ballkanit në përgjithësi. Në një diskutim organizuar nga prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, si edhe ish- Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark folën për të ardhmen e Kosovës.

Demokrati Eliot Engel, i bëri jehonë faktit se gjatë dekadave, republikanët dhe demokratët kanë ndjekur një politikë dypartiake ndaj këtij rajoni.

Unë shpresoj që çfarëdo administrate të kemi, (cilindo) President, apo Kongres duhet ta kuptojmë se është mirë për Shtetet e Bashkuara të sigurohet që liria të përparojë në të gjithë botën, jo vetëm për të mirën e këtij rajoni, por edhe për të mirën e Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit gjatë administratës së ish-Presidentit Bill Clinton, Madeleine Albright, tha se diskutimi vinte në një moment shumë të rëndësishëm për politikën e jashtme amerikane.

Shpresa ime është që javën e ardhshme të shënojmë një pikë kthese ku të mund të kemi një fillim të ri pas katër vitesh dështimi dhe të fillojmë të largohemi nga qasja e pabalancuar e administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo duke përdorur një gjuhë të ngjashme me atë të kandidatit demokrat Joe Biden.

Edhe zoti Engel tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara t’i kthehet një roli tradicional në marrëdhëniet e jashtme.

Por administrata e Presidentit Trump thotë se është pikërisht mënyra e saj jotradicionale, që i dha një shtysë të re bisedimeve Kosovë-Serbi, me rënien dakord për normalizimin ekonomik muajin e kaluar, në një takim të parë të një profili të tillë të lartë në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se pas “vitesh negociatash të dështuara, administrata ime, propozoi një rrugë të re për të kapërcyer ndasitë”.

Duke u përqendruar tek krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike, të dyja vendet ishin në gjendje të realizonin një arritje të madhe”.

Nuk është ende e qartë se si do të ndikojë një politikë e tillë tek një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, pengesa më e madhe ndaj së cilës është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Për organizatorin e diskutimit, Profesorin e Universitetit të Kolumbias, David Phillips, thotë se nuk do të ketë paqe derisa të ketë normalizim.

Sipas mendimit tim normalizim do të thotë që Serbia ta pranojë se e ka humbur Kosovën për shkak të krimeve që Millosheviçi bëri, që Kosova është një vend i pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Nuk ka kthim mbrapa”, tha ai.

Pasojat e trashëgimisë së luftrave të viteve 90 në Ballkan, rëndojnë ende mbi rajon. Gjenerali Wesley Clark, ishte komandanti i forcave të NATO-s, kur aleanca ndërmori bombardime për të ndalur fushatën e Millosheviçit dhe forcave serbe ndaj Kosovës. Ai vlerësoi arritjet e Kosovës.

Tani sfida është të ndërtohet një shtet të fortë ekonomikisht dhe politikisht në një nga rajonet më të vështira të botës”.

Kongresmeni Engel, duke vlerësuar angazhimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, gjë që u bë e njohur për herë parë, si një nga pikat e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë, tha se ashtu si Izraeli dhe vendet arabe po punojnë bashkë, ashtu duhet të ndodhë edhe në Ballkan.

Do të doja ta shihja në Ballkan, me shqiptarë dhe serbë dhe malazezë dhe të gjithë popujt që punojnë së bashku që jetojnë në një rajon shumë të vogël, por është më mirë për të dyja palët, ose të gjitha palët nëse ata punojnë së bashku dhe e njohin njëri-tjetrin”, tha ai.

Ish-zyrtari amerikan thotë se ishte autori “anonim” i artikullit anti-Trump

Një ish-zyrtar i administratës Trump, i cili shkroi një artikull-opinion shumë kritik ndaj presidentit dhe më pas botoi një libër nën emrin letrar “Anonim” e zbuloi identitetin të mërkurën. Ai quhet Miles Taylor dhe ka qenë shefi i stafit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

 

Zoti Taylor doli publikisht me akuzat e tij gjashtë ditë para ditës së zgjedhjeve duke kritikuar presidentin si “njeri pa karakter”. Ai tha se shpresonte që zyrtarë të administratës do “të gjejnë tek vetja ndërgjegjen kur të zgjohen” dhe do të ngrenë zërin si ai.

Ish-zyrtari ka shprehur kritika të shumta në adresë të presidentit gjatë muajve të fundit por deri vonë e kishte mohuar para kolegëve si dhe në intervistë me kanalin CNN se ai ishte autori i artikullit opinion dhe librit. Ai u largua nga administrata Trump në qershor 2019 dhe këtë verë shprehu mbështetjen për kandidatin demokrat Joe Biden.

Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë menjëherë u hodhën në kundërsulm duke e cilësuar zotin Taylor si zyrtar që nuk kishte peshë dhe mbështetje në institucionin ku kishte punuar.

“Ky është një njeri ordiner, me nivel të ulët. Nuk e di kush është, vetëm se e kam parë para ca kohësh në televizor,” tha Presidenti Trump gjatë një tubimi për fushatë në Arizona. Kur po e cilësonte si “njeri të ndyrë“ dhe bënte thirrje për ndjekjen e tij penale, turma që ishte mbledhur për të ndjekur presidentin brohoriste “thaje kënetën,” një referencë për burokracinë federale në Uashington.

Si shef i stafit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, zoti Taylor ka qenë i pranishëm në një numër takimesh në Shtëpinë e Bardhë lidhur me politikat kufitare dhe projekte të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Gjatë kohës që ishte në këtë detyrë zoti Taylor, Presidenti Trump kërcënoi se do të mbyllte kufirin dhe administrata e tij vuri në zbatim rregullore për të detyruar azil-kërkuesit të prisnin në anën meksikane të kufirit ndërsa shqyrtohej kërkesa e tyre.

Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows i cilësoi pohimet e zotit Taylor “një turp monumental” duke postuar në Twitter komentin “kam parë sekrete më interesante në filma me kartona”.

 

Gjatë një interviste me gazetarin Chris Cuomo të kanalit CNN të mërkurën në mbrëmje, zoti Taylor tha se nuk e kishte bërë publik identitetin e tij si autori “anonim” më parë sepse akuzat që ai ngre do të harroheshin brenda 48 orësh.

“Askush nuk do t’ia vinte veshin. Aktualisht amerikanët po analizojnë punën e presidentit, karakterin e tij, prandaj është shumë kritike që njerëz si unë të flasim pasi votuesit po dëgjojnë. Duhet t’u tregojmë se si është ai në realitet”.

Artikulli-opinion, i shkruar nga zoti Taylor nën emrin “anonim” dhe i botuar në shtator 2018 në gazetën New York Times e irritoi presidentin dhe vuri në lëvizje një përpjekje të ethshme në Shtëpinë e Bardhë për të identifikuar autorin.

Në artikull, autori i cili prezantohej vetëm si një zyrtar i lartë i administratës, thoshte se ishte pjesë e një force sekrete “rezistence” që punonte për të kontrolluar “impulset e gabuara” të presidentit si dhe për të minuar disa elementë të axhendës së tij.

Autori shkruante “Shumë prej të emëruarve të presidentit janë zotuar të bëjnë ç’është e mundur për të mbrojtur institucionet tona demokratike, ndërkohë që përpiqen të kontrollojnë impulset e gabuara të zotit Trump, gjatë kohës që është në pushtet”.

Gazeta e indentifikoi autorin si një “zyrtar i lartë” në administratë dhe të mërkurën u ndesh me kritika në platformën online sepse e kishte fryrë postin zyrtar të zotit Taylor. Gazeta, e cila tha se e kishte fshehur identitetin e autorit pasi do të ishte në rrezik të humbiste punën, pohoi të mërkurën se ai ishte vërtetë autori, pasi zoti Taylor kishte hequr dorë nga e drejta e anonimitetit. Gazeta nuk ofroi komente të mëtejshme.

Pas botimit të artikullit të zotit Taylor, Presidenti Trump, tepër i revoltuar, përsëriti akuzat se brenda administratës ka “forca të fshehta” që komplotojnë kundër tij. Presidenti, i cili është ankuar shpesh për nxjerrjen e informatava të brendshme nga operacionet në Shtëpinë e Bardhë, u kishte dhënë urdhër ndihmësve të zbulonin identitetin e autorit, madje kishte ngritur argumentin e “sigurisë kombëtare” si justifikim për hapjen e një hetimi nga Departamenti i Drejtësisë.

Pas artikullit, zoti Taylor botoi vjet në nëntor një libër me titull “Paralajmërimi” ku zgjeronte akuzat e mëparshme duke e përshkruar presidentin si të paqëndrueshëm, të paaftë dhe të papërshtatshëm për rolin e komandantit të përgjithshëm.

Që nga ajo kohë, këto akuza kanë dalë në plan të dytë pasi ish-zyrtarë të tjerë të administratës kanë ngritur kritikat e tyre kundër presidentit.

Pyetje të tjera mbeten pa përgjigje lidhur me intervistën e zotit Taylor për kanalin CNN në gusht ku gazetari Anderson Cooper e pyeti nëse ai ishte autori “anonim” dhe ai u përgjigj: “Unë mbaj maskë për dy gjëra, për Halloween dhe kundër pandemisë. Jo, nuk jam”.

Josh Campbell, korrespondent i rrjetit CNN për sigurinë kombëtare, komentoi në Twitter se edhe ai e kishte pyetur zotin Taylor nëse ishte autori “anonim” dhe ai e kishte mohuar.

 

Zoti Taylor tha të mërkurën se i detyrohejgazetarit Anderson Cooper një birrë dhe një ndjesë. Ai tha se e kishte shkruar në librër se nuk do të pranonte se ishte autori “anonim” nëse e pyesnin, sepse donte që vëmendja të ishte tek argumentet dhe jo tek autori.

“E dini se çfarë problemi del kur gënjen nëse je apo jo autori: tani njerëzit thonë se je gënjeshtar dhe do ta kenë të vështirë të të besojnë,” tha gazetari i CNN-it, Chris Cuomo.

Por gazetari e vazhdoi intervistën për gjysmë ore, gjatë së cilës zoti Taylor vazhdoi kritikat ndaj presidentit. CNN-i tha se zoti Taylor do të vazhdojë të punojë si opinionist kontribues për këtë rrjet.

 

Zoti Taylor tha se beson që presidenti do t’u mëshonte edhe më fort politikave të dëmshme, sidomos ato të ndarjes së familjeve në kufi nëse siguronte një mandat të dytë.

“Ata duan ta kthejnë vendin në kështjellë dhe jo më në qytetin e shndritshëm në majë të kodrës,” tha ai.

Ai tha se e kishte menduar të jepte dorëheqjen që më herët nga administrata Trump dhe tani mendon se bëri gabim që nuk u largua një vit më parë.

Reed Galen, ish-këshilltar i Partisë Republikane dhe një nga themeluesit e grupit anti-Trump Projekti Linkoln, komentoi në Twitter se Taylor “nuk është hero”. Ai shtoi se Taylor “shkonte në dhomat e mbledhjeve, në këshillet e pushtetit dhe lejonte këtë banalitet të lig të vazhdonte. Heroizmi nuk gjendet tek heshtja deri në momentin kur të leverdis dhe është në interesin tënd që të ngresh zërin”.

zëri i amerikës

Shtohet numri i votave me postë të refuzuara; paqartësitë mbi zgjedhjet

Masood Farivar

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, me qindra mijëra fletëvotimi me postë refuzohen nga zyrtarët zgjedhorë për një larmi arsyesh, që nga mbërritja e tyre me vonesë, tek mungesa e firmës në zarf.

Por këtë vit, kur më shumë se gjysma e amerikanëve kanë votuar më herët ose me postë, janë refuzuar edhe më shumë fletëvotime, duke ngritur pikëpyetje rreth të drejtës për të votuar, si dhe nxitur shqetësime për pasiguri paszgjedhore në ato shtete, të cilat mund të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve, si Florida apo Xhorxhia. Në këto shtete sipas anketave të deritanishme, të dy kandidatët, Donald Trumpin dhe Joe Biden, janë mbërthyer në një garë të ngushtë mes tyre.

Ndërsa Florida dhe Xhorxhia nuk publikojnë të dhëna mbi numrin e votave të refuzuara para zgjedhjeve, dy akademikë, profesori i kolegjit Dartmouth, Michael Herron dhe profesori i universitetit të Floridës, Daniel Smith kanë analizuar të dhënat zyrtare të shteteve lidhur me votat e hedhura me postë, për të llogaritur numrin e votave në rrezik për t’u refuzuar.

Në Florida, nga 3.8 milionë vota me postë të hedhura deri më tani, më shumë se 15,000 mund të refuzohen, pra rreth 0.4 për qind e tyre, sipas profesorëve Herron dhe Smith. Në Karolinën e Veriut, shkalla e refuzimit është edhe më e lartë. Prej 25 tetorit nga më shumë se 780 mijë fletëvotime të postuara në këtë shtet, më shumë se 10 mijë përballen me një refuzim të mundshëm, një normë skualifikimi prej rreth 1.3 për qind, sipas gjetjeve të studimit.

Votuesit e komuniteteve pakicë

Ashtu si në disa procese të fundit zgjedhore, votuesit e komuniteteve pakicë po përballen me më shumë refuzime të votës së tyre, sesa amerikanët e bardhë. Sipas gjetjeve të studiuesve në Karolinën e Veriut për shembull, votat e afro-amerikanëve kishin tre herë më shumë gjasa të skualifikoheshin, sesa ato të amerikanëve të bardhë.

Kjo është diçka që demokratët mund ta përdorin si bazë ankimimi atje ku rezultati është i ngushtë.

Por jo çdo fletëvotimi e konsideruar me mangësi do të refuzohet automatikisht. Në të dy shtetet, si në shumë të tjera, votuesve u jepet një mundësi për t’i korrigjuar gabimet në fletët e tyre të votimit.

Do të ishte e parakohshme në këtë moment të dilnim në përfundimin se fletëvotimet e kthyera janë refuzuar nga bordi vlerësues dhe nuk janë llogaritur“, thotë Mark Ard, drejtori i përkohshëm i Komunikimit për Departamentin e Shtetit të Floridës.

Në Karolinën e Veriut, zyrtarët kanë filluar të kontaktojnë votuesit me pasaktësi në fletëvotimi, thotë Patrick Gannon, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Bordin Shtetëror të Zgjedhjeve të Karolinës së Veriut.

Një votues i cili nuk ka kohë për ta korrigjuar fletët e votimit mund të votojë fizikisht gjatë periudhës së hershme të votimit deri më 31 tetor ose në ditën e zgjedhjeve“, thotë zoti Gannon në një përgjigje me email.

Në pamje të parë, numri i fletëve të votimit në Florida dhe Xhorxhia të klasifikuara për t’u refuzuar duket i vogël. Sidoqoftë, në Florida dhe Xhorxhia, si dhe në shtetet e tjera ku historikisht rezultati zgjedhor ka qenë tejet i ngushtë, ndonjëherë 10,000 vota mund të jenë përcaktuese për fituesin.

Diferenca në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush (i cili u shpall në fund fitues) dhe demokratit Al Gore zbriti në 537 vota në Florida. Sipas studiuesve edhe gjatë zgjedhjeve paraprake për Senatin në Florida në vitit 2018, republikani Rick Scott fitoi me vetëm 10,033 vota.

Ndërsa në ditë e ardhshme priten të mbërrijnë edhe më shumë fletëvotime me postë, numri i votave të refuzuara nga zyrtarët zgjedhore ka të ngjarë të rritet, në disa raste duke tejkaluar potencialisht diferencën mes kandidatit fitues dhe atij humbës në garat me një rezultat të ngushtë qoftë për president, për një vend në Kongres,.

Ky është një skenar që shkakton vërtet makth kur rezultati është i gushtë dhe numri i votave të refuzuara (ose të shpallura si të pavlefshme) është më i madh sesa diferenca mes dy kandidatëve“, thotë zoti Herron në një intervistë.

Deri të mërkurën 49 milionë amerikanë kishin votuar me postë, sipas një vlerësimi nga organizata “Projekti i Zgjedhjeve”, që jep të dhëna mbi zgjedhjet në SHBA.

Zoti Herron dhe zoti Smith i botuan fillimisht gjetjet e tyre tek “The Conversation”, një publikim me studime e analiza nga ekspertë e akademikë. Ata ndanë me Zërin e Amerikës edhe më shumë të dhëna lidhur me Floridën dhe Karolina e Veriut.

Betejat gjyqësore

Çështja se si do të trajtohen fletëvotimet që kanë probleme me firmat dhe se sa ditë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit do të lejohet pranimi i fletëvotimeve që të quhen të vlefshme për t’u numëruar, ka qënë prej muajsh objekt i betejave gjyqësore mes republikanëve e demokratëve në të gjithë vendin. Në kushtet kur më shumë demokratë sesa republikanë kanë zgjedhur të votojnë me postë, republikanët kanë kërkuar ndërhyrje të gjykatës, me shkallë të ndryshme suksesi, për të mos lejuar që fletëvotimet që vijnë me vonesë të konsiderohen për t’u numëruar.

Në javët e fundit, Gjykata e Lartë amerikane e kontrolluar nga konservatorët vendosi kundër përpjekjeve për të ndryshuar procedurat zgjedhore, përfshirë afatet e mbërritjes së fletëvotimeve, duke u bazuar tek një doktrinë, sipas së cilës, rregullat zgjedhore nuk duhet të ndryshohet shumë pranë procesit zgjedhor.

Më 19 tetor, para se të konfirmohej e emëruara më e fundit e zotit Trump për Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barrett, gjykatësit u ndanë në një votim 4 me 4 lidhur me planin e Pensilvanisë për të numëruar votat që mbërrijnë deri në tre ditë pas datës së zgjedhjeve (3 nëntorit) edhe nëse nuk kanë një vulë postare të mund të shihet qartë.

Të mërkurën, gjykasit refuzuan të ndjekin me procedura të përshpejtuara një ankim të ri nga ana e republikanëve ndaj afatit të zgjatur të numërimit të votave për Pensilvaninë.

Por në fillim të kësaj jave, në një vendim që u pa si kthim pas për demokratët, Gjykata e Lartë bllokoi një plan të Uiskonsinit për të numëruar fletëvotimet që vijnë me postë deri në gjashtë ditë pas datës së zgjedhjeve (3 nëntorit).

Hans von Spakovsky, bashkëpunëtor ligjor i organizatës “Heritage Foundation” në Uashington, tha se fletëvotimet me postë që shpallen të pavlefshme mund të shërbejnë si shkak për ankimime pas procesit zgjedhor.

Dyshoj se mund të kemi vonesa të mëdha në numërimin e votave nëse ka një rritje të konsiderueshme të fletëvotimeve në mungesë (kur zgjedhësit nuk shkojnë fizikisht në qendrat e votimit). Mendoj se mund të ketë çështje gjyqësore mbi refuzimin e votave në mungesë të cilat nuk pajtohen me ligjin e shtetit“, tha në një intervistë von Spakovsky, një ish-anëtar republikan i Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Historikisht, më pak se 1 për qind e votave në mungesë refuzohen ose shpallen të pavlefshme për shkak të gabimeve administrative. Por në kushtet kur një numër rekord njerëzish po votojnë me postë këtë vit, shumë prej të cilëve votues për herë të parë, të paktën 1 milion vota mund të shpallen të pavlefshme, sipas një parashikimi të fundit nga një hulumtim i përbashkët i gazetës USA Today, projektit “Columbia Journalism Investigations” në universitetin Columbia dhe programit “Frontline” të rrjetit televiziv PBS.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, më shumë se 550 mijë fletëvotime me postë janë konsideruar të pavlefshme në 30 shtete, shumë më tepër sesa gjatë zgjedhjeve presidenciale 2016, sipas një analize të muajit gusht të organizatës mediatike NPR. Në pjesën më të madhe kjo ndodhi sepse shtetet ishin të papërgatitura për rritjen e votimeve me postë gjatë pandemisë, vë në dukje Tammy Patrick, një ish-zyrtare e zgjedhjeve në Arizona, i cila aktualisht punon me fondacionin Fondi për Demokraci.

Megjithatë në muajt që pasuan zgjedhjet paraprake, shumë shtete kanë miratuar një numër praktikash më të mira votimi përmes postës, ndryshime që ka të ngjarë të zvogëlojnë numrin e fletëve të votimit të refuzuara, thotë zonja Patrick.

Ata i kanë rishikuar udhëzimet e tyre mbi votimin, kanë rimodeluar zarfet e votimit dhe kanë adoptuar praktika si gjurmimi i votave”, thotë zonja Patrick.

Tashmë votuesit mund të kontrollojnë statusin e tyre të votimit në internet dhe në të paktën 19 shtete bëhen njoftime kur fletët e votimit kanë nevojë të korrigjohen.

Në Kolorado, votuesit me mangësi në fletët e tyre të votimit njoftohen me mesazh në telefon dhe u lejohet ta korrigjojnë gabimin përmes telefonit. Si rezultat, thotë zonja Patrick, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme do të refuzohen më pak vota.

Shifra mund të jetë pak më e lartë se zgjedhjet tradicionale presidenciale sepse do të ketë shumë votues të rinj, por shpresoj se nuk do të shohim të njëjtat shifra që pamë në zgjedhjet paraprake“, thotë zonja Patrick.

Sidoqoftë ajo që nuk mund të parashikohet është çështja e numrit të fletëvotimeve me postë që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve. Ndërsa disa shtete i kanë zgjatur afatet e tyre për të pranuar vota për t’u llogaritur në numërim, 32 shtete, përfshirë Floridën, nuk i pranojnë fletëvotimet që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve, duke u dhënë votuesve pak kohë për të korrigjuar fletët e tyre të votimit. Karolina e Veriut i pranon fletëvotimet deri në gjashtë ditë pas datës së zgjedhjeve, nëse ato kanë një vulë postare që daton më 3 nëntor, ose para kësaj date. Republikanët i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë t’i bllokojë këto plane.

Mendoj se pyetja më e rëndësishme për të cilën nuk ka përgjigje është se sa fletëvotime do të mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve“, thotë zoti Herron.

(Video) Arkiv – LQSHA e kryesur nga Joe DioGuardi nderon Senatorin Joe Biden në vitin 2002 me çmimin Ballkanik për Paqe

voal.ch po ju sjell një video nga aktivitetet me impakt të jashtëzakonshëm të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, lobit më të fuqishëm shqiptaro-amerikan deri më sot në SHBA, në sajë të roli të ish Kongresmenit Joe DioGuardi dhe gruas së tij Këshilltares për Çështjet Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi.

Më 28 prillin e vitit 2002 Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane në praninë senatorit Joe Biden, senatorit Charles Ellis Schumer, kongresmenëve Ben Gilman e Tom Lantos dhe kryetarit të bashkisë të New Yorkut Michael Bloomberg organizon një manifestim të madh “Salute to Albanian Freedom” – “Përshëndetje Lirinë e Shqiptarëve” me rastin e 12 vjetorit të darkës historike në Sheraton të 28 Prillit 1990.

Me këtë rast Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane kishte ftuar një delegacion të liderëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si Pjeter Arbnori, Ramush Haradinaj, Iliaz Halimi, Rufi Osmani, NikollëCamaj, Ferhat Dinosha dhe Riza Halimi për të marrë pjesë në këtë manifestim.

Disa ditë pas darkës, Joe DioGuardi çon në Washington delegacionin shqiptar me udhëheqësit të Kongresit dhe të administratës Bush për të nxjerrë në pah rolin e shqiptarëve në paqen dhe stabilitetit në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Presheve.

Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane sjell Pjeter Arbnorin, Ramush Haradinajn, Iliaz Halimin, Rufi Osmanin, NikollëCamajn, Ferhat Dinoshën dhe Riza Halimi në Washington për të informuar Komitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Dhomës dhe Grupin e Kongresit për të Drejtat e Njeriut, ku ata priten zyrtarisht si përfaqësuesit e “kombit shqiptar”.

Në korrikun e vitit 2002 Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane nën drejtimin e kongresmenit Joe DioGuardi i jep Senatorit Biden në Capitol Hill Club në Washington DC Çmimin Ballkanik për Paqe në praninë e kryetarit të asaj kohe të parlamentit të Kosovës Nexhat Daci. Këtë çmin presitigjioz Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane në 2002 e ndante për herë të dytë. I pari që e kish marrë këtë çmimi ishte Gjenerali Wesley Clark.

Ndërsa në qershorin e 2002 pas një udhëtimi në Kosovë, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes bindin Kongresmenët Benjamin Arthur Gilman dhe Tom Lantos të paraqesin përpara Kongresit Rezolutën 467 në mbështetje të “Pavarësisë së Kosovës tani”, duke thyer heshtjen e vendosur nga bashkësia ndërkombëtare për statusin përfundimtar të Kosovës.

Të gjitha aktivitetet e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane të drejtuar nga kongresmeni Joe DioGuardi dhe Këshilltarja për Ballkanin Shirley Cloyes DioGuardi i ka mbuluar asaj kohe në mënyrë besnike gazeta kombëtare Bota Sot. Jo më kot kjo gazetë asaj kohe arriti një tirazh të paparë në historinë mbi njëqind vjeçare të shtypit shqiptar duke shkuar deri në 200 mijë kopje, në Europë, Kosovë, SHBA dhe një periudhë edhe në Maqedoni. /Elida Buçpapaj

 

 

(Video) Ish Kongresmeni Joe DioGuardi u bë një urë lidhëse midis shqiptarëve dhe Presidentit George H W Bush (1984-1992) e djalit të tij Presidentit George W Bush (2000-2008) 

Voal.ch – E kanë harruar shqiptarët ?! Kaq shpejt i ka kapluar harresa ! Shumë keq nëse i harrojnë ata që i kanë shpëtuar nga rreziku i zhbërjes.

Një nga Ëngjëjt e kombit shqiptar është ish Kongresmeni Joe DioGuardi i cili u bë një urë midis Shqiptarëve dhe administratave Amerikane të drejtuara nga nënPresidenti dhe Presidenti George H W Bush (1984-1992) dhe administrata e birit të tij Presidentit Presidentit George W Bush (2000-2008), duke i kthyer edhe dy Presidentë të SHBA Ëngjëj të kombit shqiptar.

A ju kujtohet “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” që Presidentit George HW Bush  i dha kasapit të Ballkanit Milosheviç ?

A ju kujtohet kur Presidenti George W Bush e deklaroi pavarësinë e Kosovës në mes të Tiranës më 10 qershorin e 2007 dhe pastaj do ta njihte shtetin e Kosovës më shkurtin e 2008!

Mos harroni!

voal.ch po ju sjell videon që ta shihni me sytë tuaj dhe sytë e mendjes!

 

 

 

SHBA konfirmojnë vdekjen e eksponentit të lartë të al-Kaidas

Jeff Seldin

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e një eksponenti të lartë të al-Kaidas në Afganistan, duke e quajtur këtë zhvillim një goditje të rëndësishme ndaj grupit terrorist, megjithë konfuzionin në njoftimet fillestare për pozicionin e tij në hierarkinë e Al-Kaidas.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi vdekjen e Abu Muhsin al-Masrit të hënën, duke thënë se forcat amerikane ofruan mbështetje gjatë operacionit afgan në provincën lindore Ghazni.

Në vazhdim, Shtëpia e Bardhë ofroi edhe konfirmimin e saj, duke e lavdëruar operacionin afgan për eliminimin e al-Masrit si një “lajm të mirëpritur”.

Komentet nga zyrtarët amerikanë vijnë dy ditë pasi Drejtoria Qendrore e Sigurisë së Afganistanit (NDS) njoftoi e para vdekjen e al-Masrit nëpërmjet një mesazhi në Twitter në orët e vona të së shtunës, duke e përshkruar atë si numrin dy të njërës prej degëve të Al-Kaidas në Nënkontinentin Indian (AQIS).

NDS gjithashtu tha se al-Masri kishte lidhje të afërta me udhëheqësin e al-Kaidas, Ayman al-Zawahiri, dhe se jetonte në Afganistan nën mbrojtjen e talibanëve.

Në përgjigje të mesazheve në Twitter të palës afgane, Drejtori i Qendrës Kombëtare Amerikane Kundër Terrorizmit, Christopher Miller, i tha të shtunën vonë agjencisë së lajmeve Reuters se vrasja e al-Masrit ishte “një goditje e rëndë” për al-Kaidan, megjithëse nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme.

Sidoqoftë, disa zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë kundër terrorizmit i thanë Zërit të Amerikës se megjithëse me domethënie, vdekja e al-Masrit nuk është goditja që u përshkrua në disa variante.

Ata thanë se në veçanti raportet që thonë se al-Masri ishte i dyti në hierarki pas Zawahirit janë të gabuara, dhe se e kanë ngatërruar me një tjetër eksponent që ndonjëherë përdor pseudonimin al-Masri.

Ata thonë se al-Masri i vrarë në provincën Ghazni të Afganistanit është Abu Muhsin al-Masri, i njohur gjithashtu si Husam Abd al-Ra’uf, një udhëheqës i lartë i cili së fundmi ishte caktuar të punonte me talibanët për bashkëpunimin operacional dhe koordinimin e strehëve të sigurta për luftëtarët e al-Kaidës.

Këta zyrtarë thonë se udhëheqësi numër dy i al-Kaidës, dhe pasardhës i mundshëm i al-Zawahiri, është një al-Masri tjetër, Abu Muhammad al-Masri, i njohur gjithashtu si Abdullah Ahmed Abdullah.

Ndërsa të dy burrat kanë qenë në listën e më të kërkuarve të FBI-së, Departamenti i Shtetit po ofron një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacionin që sjell Abu Muhammad al-Masrin para drejtësisë.

Në një seri mesazhesh në Twitter të dielën, Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani lavdëroi forcat afgane për operacionin që vrau Abu Muhsin al-Masrin.

Por zoti Ghani paralajmëroi se operacioni tregon se, “terrorizmi mbetet ende një kërcënim i madh për Afganistanin, rajonin dhe botën dhe se talibanët nuk i kanë ndërprerë ende lidhjet e tyre me rrjetet e tjera terroriste, përfshirë al-Kaidën”.

Zyrtarët lokalë i mbështetën këto deklarata duke i thënë shërbimit afgan të Zërit të Amerikës të hënën se luftëtarët talebanë ishin me Abu Muhsin al-Masri kur hynë forcat afgane.

“Një komandant taliban, Emran Hanzalah, dhe disa luftëtarë të tjerë u vranë”, tha Vahidullah Jumah Zada, një zëdhënës i guvernatorit të provincës Ghazni.

Një zyrtar tjetër i tha Zërit të Amerikës se nuk është e zakonshme të shohësh të huaj që duket se janë nën mbrojtjen e talibanëve.

“Njerëz të tillë shihen shumë në rrethet Qarah Bagh, Andar dhe Giru”, tha Esmatullah Jamoradwal, një anëtar i Këshillit Krahinor të Ghaznit. “Ata flasin urdu, arabisht dhe gjuhë të tjera”.

“Talibanët nuk i lënë vendasit t’i shohin ata nga afër dhe është e qartë se mes tyre janë shumë luftëtarë të huaj”, shtoi ai.

Disa zyrtarë të antiterrorit të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po nënvlerësojnë forcën e al-Kaidës në Afganistan.

Një raport i OKB-së i publikuar në korrik paralajmëroi se grupimi “është fshehtazi aktiv në 12 provinca afgane”, duke shtuar se komandon ndoshta 400 – 600 luftëtarë.

Raporti tha se AQIS besohet të ketë deri në 200 luftëtarë të tjerë në dispozicion; shumë prej të cilëve po u ofrojnë mbështetje talibanëve.

Senati miraton emërimin e Gjyqtares Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë

Senati amerikan konfirmoi të hënën Gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Amy Coney Barrett si anëtaren më të re të Gjykatës së Lartë me 52 vota pro dhe 48 kundër.

Senatorja republikane nga shteti Mejn, Susan Collins iu bashkua të gjithë demokratëve të Senatit që votuan kundër emërimit të zonjës Barrett. Senatorja Collins tha se nuk do të votonte për emërimin e Gjyqtares Barrett për shkak të momentit të zhvillimit të këtij votimi, kur mbeten tetë ditë deri në zgjedhjet presidenciale.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, në bazë të arkivave ekzistuese historike, asnjë anëtar tjetër i Gjykatës së Lartë nuk është konfirmuar pa mbështetjen e asnjë prej senatorëve të partisë opozitare, në të paktën 150 vjet.

Zonja Barrett është e treta anëtare e Gjykatës së Lartë e emëruar nga Presidenti Donald Trump, gjë që ndikon fuqimisht në balancën ideologjike të gjykatës më të lartë në vend. Me përfshirjen e zonjës Barrett, gjykata me nëntë anëtarë ka tani një shumicë të konsiderueshme konservatore prej 6-3.

Shtëpia e Bardhë, gati për ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett

Shtëpia e Bardhë, gati për ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett

Anëtari i Gjykatës së Lartë Clarence Thomas pritet të kryesojë ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett të planifikuar të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë në orët e vona të së hënës.

Demokratët kanë kundërshtuar emërimin e zonjës Barrett, duke shprehur rezerva si për përgatitjen e saj, ashtu edhe për procesin e plotësimit me kaq nxitim të vendit të gjykatëses Ruth Bader Ginsburg.

Demokratët kishin argumentuar se vendimi për zgjedhjen e një anëtari të ri të gjykatës duhet t’i lihej kandidatit që do të fitonte zgjedhjet presidenciale, një qëndrim që republikanët mbajtën për plotësimin e një vendi të zbrazët në gjykatë në fillim të vitit zgjedhor 2016.

“Senati po vepron siç duhet,” tha të dielën udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell. “Ne po vazhdojmë me procesin e emërimit”.

Senati votoi 51- 48 të dielën për t’i mbyllur fjalimet e gjata që synojnë të bllokojnë votimin, duke i hapur rrugën votimit përfundimtar.

“Demokratët po marrin fjalën gjithë natën për të luftuar këtë proces të rremë nga Republikanët e Senatit,” tha udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer. “Ne nuk do të ndalemi së luftuari.”

Senatorja demokrate Elizabeth Warren e cilësoi votën “të papërligjshme” dhe “grahmat e fundit të një partie të dëshpëruar,” njoftoi agjencia e lajmeve Associated Press.

Gjyqtarja Barrett mund të jetë një ndër gjykatësit që mund të peshojnë padi të ngritura lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse nuk është e sigurtë nëse ajo do të kërkojë të përjashtohet pasi u emërua nga Presidenti Trump. Gjatë seancave të konfirmimit ajo nuk pranoi të jepte një përgjigje të qartë ndaj pyetjes.

Zonja Barrett do të jetë një nga gjyqtarët që do të vendosin më 10 nëntor nëse do të shfuqizohet Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, të cilin zoti Trump ka kërkuar ta rrëzojë.

Ligji, i njohur gjerësisht si “Obamacare”, i miratuar gjatë administratës së ish-Presidenti Barack Obama në 2010, është një masë që siguron kujdes shëndetësor për miliona amerikanë. Fati i ligjit është një shqetësim thelbësor për shumë njerëz mes numrit të shtuar të rasteve të reja të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Republikanët kanë argumentuar prej kohësh që Obamacare u kushton shumë taksapaguesve dhe i jep qeverisë shumë kontroll mbi kujdesin shëndetësor. Kongresi i udhëhequr nga Republikanët në vitin 2017 eliminoi klauzolën e ligjit e cila e bënte të detyrueshme blerjen e sigurimit shëndetësor. Ata tani duan që Gjykata e Lartë të shfuqizojë ligjin në tërësi, duke thënë se pa këtë dispozitë, pjesa tjetër e ligjit nuk mund të qëndrojë.

Shtëpia e Bardhë: “Nuk do ta kontrollojmë koronavirusin”

Me rritjen sërish të rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows deklaroi të dielën se vendi “nuk do ta kontrollojë pandeminë”.

Zoti Meadows i tha gjithashtu televizionit CNN, “Ne do të kontrollojmë faktin që do të marrim vaksina, terapi dhe masa lehtësuese në aspekte të tjera”.

Në një intervistë me gazetarin Jake Tapper, zoti Meadows mbrojti politikën për pandeminë të Presidentit Donald Trump. Komentet vijnë vetëm nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit mes kandidatëve Donald Trump dhe Joe Biden.

“Jemi shumë më mirë se sa do të kishim qenë. Presidenti i ka bërë të gjitha,” tha zyrtari, i cili shtoi se kandidati Biden “do t’i fuste të gjithë në izolim”.

Zoti Biden, i cili është më përpara se Presidenti Trump në shumicën e sondazheve në shkallë vendi si dhe në shtetet fushë-betejë, u kundërpërgjigj menjëherë, duke thënë se Presidenti Trump ka provuar që është i paaftë për të kontrolluar shpërthimin e virusit.

“Nuk ishte një lajthitje nga zoti Meadows,” tha kandidati Biden në një deklaratë. “Ishte një pranim i sinqertë i asaj që strategjia e Presidentit Trump ka qenë e qartë që nga fillimi i kësaj krize: të valëvitësh flamurin e bardhë të humbjes dhe të shpresosh që duke e injoruar atë, virusi thjesht do të zhduket. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë.”

Zoti Biden shtoi, “Presidenti Trump dhe administrata e tij duhet t’i kishin dëgjuar me kohë shkencëtarët, të kishin marrë masa dhe ta kishin marrë seriozisht kërcënimin e një virusi që kushton mijëra jetë çdo javë, duke mbyllur shkollat ​ dhe duke detyruar miliona amerikanë të mbeten pa punë.”

SHBA kanë regjistruar deri tani një rekord botëror prej 225,000 vdekjesh dhe 8.6 milion infektimesh, sipas Universitetit Johns Hopkins. Më shqetësuese është rritja e shpejtë e numrit të rasteve të reja, me 32% duke arritur në më shumë se 68,000 në ditë javën e fundit dhe në 84,000 të shtunën e kaluar.

Zyrtarë të shumtë të administratës Trump nuk i kanë ndjekur me rreptësi këshillat e ekspertëve qeveritarë të shëndetit për të mbajtur maska dhe për distancim fizik nga njerëzit e tjerë. Të shtunën vonë, zyrtarët njoftuan se Marc Short, shefi i kabinetit të Zëvendës Presidentit Mike Pence, dhe disa ndihmës të tjerë të zoti Pence janë infektuar me koronavirus.

Presidenti Trump mban tubime të përditshme fushate, ku pak nga mbështetësit e tij mbajnë maska, shpesh vetëm ata që ulen në radhët prapa tij dhe që kapen nga kamerat televizive, por jo ata të cilët qëndrojnë grumbull përpara presidentit.

Zoti Meadows tha se fushata e zotit Trump shpërndan maska nëpër tubime por nuk i detyron njerëzit t’i mbajnë ato.

“Është një shoqëri e lirë,” tha zoti Meadows, duke e lënë në dorë të secilit përdorimin e maskës. Presidenti Trump rrallë shihet në publik me maskë, ndërkohë që rivali i tij demokrat e përdor vazhdimisht atë kur bën fushatë para grupeve të vogla të mbështetësve ose virtualisht.

zëri i amerikës

Trump dhe Biden përplasen për koronavirusin, racën, taksat…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden mbajtën debatin e fundit, në më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Trump, i cili qëndron prapa në shumicën e sondazheve të opinionit, e mbrojti trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit, e cila ishte tema kryesore e debatit.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara “po mësojnë të jetojnë” me virusin dhe se ato do ta kenë një vaksinë kundër tij deri në fund të vitit.

“Duhet të rikuperohemi. Nuk mund ta mbyllim kombin tonë”, tha Trump, i cili vetë ka qenë i infektuar me koronavirus dhe është shëruar.

Biden tha se derisa pandemia përhapet, Trump nuk ka ndonjë plan për të ndaluar një “dimër të errët” të vdekjeve nga koronavirusi.

“Kanë vdekur 220,000 amerikanë. Nëse nuk dëgjoni asgjë tjetër që them sonte, dëgjojeni këtë”, tha Biden. “Kushdo që është përgjegjës për kaq shumë vdekje, nuk duhet të mbetet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Biden po ashtu i hodhi poshtë akuzat se ai do ta mbyllte përsëri të gjithë vendin, për shkak të pandemisë, duke thënë se në vend të kësaj, do të merrte një qasje shumë më shkencore.

Të dy fajësuan njëri-tjetrin dhe partitë politike të njëri-tjetrit për dështimin për të siguruar një raund të ri të ndihmës financiare për koronavirus, që aktualisht është bllokuar në negociata.

Një faktor kyç në zgjedhjet e këtij viti është votimi i hershëm, për shkak të pandemisë. Deri më tani, rreth 47 milionë amerikanë kanë votuar.

Akuza dhe kundërakuza për korrupsion

Trump po ashtu e sulmoi Bidenin, duke e quajtur politikan “të korruptuar”, ndërsa përsëriti edhe akuzat kundër djalit të tij Hunter, i cili ka shërbyer në bordin e drejtorëve të kompanisë ukrainase të energjisë, Burisma, për pesë vjet, duke filluar nga viti 2014.

Roli i Hunter Bidenit në Burisma është vënë nën vëzhgim të ri, pas akuzave nga Trump, që, sipas tij, janë prova të korrupsionit.

Biden tha se djali i tij nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme derisa ka punuar në Burisma. Ai më pas kaloi në ofensivë, duke thënë se Trump është ai që është fajësuar për marrëdhëniet e tij me Ukrainën.

Biden po ashtu tha se akuzat kundër djalit të tij janë hetuar në mënyrë të përsëritur dhe se ato nuk lidhen me ndonjë keqbërje.

Biden e sulmoi presidentin, duke vënë në dyshim taksat dhe lidhjet e tij me biznese të huaja.

Ata i adresuan edhe çështjet racore në SHBA dhe Biden e akuzoi Trumpin për nxitje të racizmit.

Trump, në anën tjetër, tha se ka bërë për afrikano-amerikanët më shumë se çdo president tjetër, përveç Abraham Lincolnin, i cili i ka liruar skllevërit.

Ai vuri në dukje përpjekjet e tij për reforma në drejtësinë penale dhe përsëriti se, para pandemisë, papunësia në mesin e afrikano-amerikanëve ishte e ulët.

Trump gjithashtu e akuzoi Bidenin se nuk ka bërë asgjë për afrikano-amerikanët gjatë dekadave të tij në politikë.

Ai e kritikoi atë edhe për mbështetjen e një ligji për krimin në vitet 1990, i cili ka rritur nivelet e burgimit në SHBA, veçanërisht për burrat afrikano-amerikanë dhe ata që janë gjetur fajtorë për vepra jo të dhunshme të drogës.

Debati përfshiu edhe sigurinë kombëtare, sigurinë e zgjedhjeve, Kinën, imigracionin, ndryshimin e klimës dhe energjinë e ekonominë.

Debati u mbajt me një rregull të ri, me të cilin i fikej mikrofoni kandidatit që nuk fliste. Rregulli u miratua pas debatit të parë Trump-Biden, i cili u përshkua me ndërprerje të fjalës së njëri-tjetrit.

Debati i parë është mbajtur më 29 shtator. I dyti, i planifikuar për 15 tetor, është anuluar, për shkak të infektimit të Trumpit me koronavirus.

Komisioni për Debatet Presidenciale ka dashur ta shndërrojë atë në debat virtual, por Trump nuk ka pranuar të marrë pjesë në një ngjarje të tillë.

Zakonisht në SHBA mbahen tri debate presidenciale përpara zgjedhjeve dhe temat që diskutohen në to janë shpesh çështjet më kontroverse të kohës.

Përgatiti: Valona Tela

Biden propozon krijimin e një komisioni për reformimin e gjyqësorit amerikan

Marrë nga Reuters

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, tha se nëse i fiton zgjedhjet, ai do të krijojë një komision dypartiak për të shqyrtuar reformimin e sistemit të drejtësisë që ai e quajti “të dalë nga binarët”, duke vënë në dukje se ka alternativa të tjera që mund të merren parasysh përveç zgjerimit të Gjykatës së Lartë.

Biden, sfiduesi i Presidentit republikan Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, i bëri komentet në një intervistë për emisionin “60 minuta” të kanalit CBS që do të transmetohet këtë fundjavë. Një pjesë e intervistës u bë publike të enjten.

Ish-nënpresidenti amerikan tha se ai do të krijojë një komision dypartiak të studiuesve ligjorë që do të përfshinte demokratë, republikanë, liberalë dhe konservatorë për të rishikuar gjyqësorin amerikan.

“Unë do t’u kërkoj atyre që, pas më shumë se 180 ditësh, të kthehen tek unë me rekomandime se si të reformohet sistemi gjyqësor sepse ai tani po del nga binarët, dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjen e shtimit të numrit të anëtarëve të gjykatës”, shtoi zoti Biden.

“Ka një numër alternativash që … shkojnë përtej mbushjes (së gjykatave me më shumë gjyqtarë)”, tha zoti Biden.

Disa njerëz nga e majta kanë hedhur idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht ka nëntë gjyqtarë, nëse zoti Biden fiton, për t’iu kundërvënë zhvendosjes në të djathtë të gjykatës si rezultat i veprimeve të republikanëve të Senatit në vitin 2016 dhe tani. Republikanët e kanë hedhur poshtë idenë duke e quajtuar atë një përpjekje për të “mbushur gjykatën (me anëtarë të partisë në pushtet)”.

Zoti Biden tha javën e kaluar se ai nuk është “një tifoz” i idesë së rritjes së numrit të gjyqtarëve, por i ka lënë të hapura të gjitha opsionet. Numri prej nëntë anëtarësh i Gjykatës së Lartë është caktuar me ligj më shumë se një shekull më parë. Propozimi për krijimin e një komisioni mund të shërbejë si justifikim për zotin Biden që të mos japë një përgjigje përfundimtare mbi rritjen e numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë para zgjedhjeve.

Komentet e zotit Biden u bënë publike në të njëjtën ditë që Komisioni Juridik i Senatit amerikan, i kontrolluar nga republikanët votoi për t’i hapur rrugë konfirmimit të plotë të gjyqtares konservatore Amy Coney Barrett, të emëruar nga Presidenti Trump për të mbushur vendin bosh në Gjykatën e Lartë. Senati ka në plan të votojë për konfirmimin përfundimtar të gjyqtares Barret të hënën.

Konfirmimi i saj do t’i jepte organit më të lartë gjyqësor të Shteteve të Bashkuara një shumicë konservatore 6-3, që mund të jetë e rëndësishme në rastet ligjore që përfshijnë abortin, kompetencat presidenciale, të drejtat fetare dhe të armëmbajtjes, të drejtat e komunitetit LGBT dhe çështje të tjera.

Demokratët janë të zemëruar që republikanët e senatit filluan procesin e emërimit të gjyqtares Barrett kaq afër ditës së zgjedhjeve pasi refuzuan në vitin 2016 të fillonin procesin e konfirmimit të kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë të emëruar nga Presidenti demokrat Barack Obama, me arsyetimin se ishte një vit zgjedhjesh.

Zbulimi amerikan: Rusia, Irani kanë shtënë në dorë të dhëna të votuesve amerikanë

John Ratcliffe, Drejtori i shërbimeve amerikane të zbulimit

Marrë nga Associated Press

Rusia dhe Irani kanë shtënë në dorë informatat e regjistrimit të votuesve amerikanë, tha në një konferencë të rrallë për shtyp kreu i shërbimeve amerikane të zbulimit.

John Ratcliffe, drejtor i shërbimeve amerikane të zbulimit dhe drejtori i FBI-së, Chris Wray thanë se SHBA do të përgjigjej me masa ndëshkuese ndaj çdo vendi të huaj që ndërhynte në zgjedhjet amerikane të 2020.

“Kemi konfirmuar se i njëjti informacion mbi votuesit është shtënë në dorë si nga Irani, ashtu edhe nga Rusia,” tha zoti Ratcliffe gjatë një konference për shtyp të zhvilluar pa paralajmërim. “Kemi diktuar Iranin duke dërguar emaile me emra të sajuara për të frikësuar votuesit, për të nxitur trazira sociale dhe për të dëmtuar Presidentin Trump,” tha ai gjatë komenteve të mërkurën në mbrëmje.

zëri i amerikës

Çfarë ndodh nëse nuk ka fitues të qartë të zgjedhjeve presidenciale në SHBA?

Dy javë nga zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti, ekspertët politikë po analizojnë një sërë skenarësh me të cilat vendi mund të përballet në ditën e zgjedhjeve dhe në javët në vijim. Mundësitë ndryshojnë midis një fitoreje të qartë nga Presidenti Donald Trump ose ish-nënpresidenti Joe Biden, dhe një beteje të pazgjidhur ligjore që e lë rezultatin të pasigurt në janar, kur Kongresi i ri duhet të çertifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Ekspertët thonë se përcaktimi i fituesit të këtyre zgjedhjeve është veçanërisht i tensionuar për shkak të një niveli të paprecedent të votimit në mungesë të nxitur nga pandemia e koronavirusit. Dallimet e ligjeve mes shteteve mbi mënyrën dhe kohën e numërimit të fletëvotimeve në mungesë lenë të kuptohet se mund të duhen ditë ose javë për të përfunduar numërimin e votave.

Në atë që ai e quan “skenar makthi”, studiuesi politik William Galston i Institutit Brookings thotë se kontestimi i zgjedhjeve me rezultat të ngushtë për të cilin ka dyshime do ta “[zhyste] vendin në kaos në rrethana shumë të pafavorshme”.

Presidenti Trump ka ngritur vazhdimisht shqetësimin që përdorimi masiv i fletëvotimeve me postë do të çonte në një rezultat të manipuluar të zgjedhjeve dhe ka refuzuar vazhdimisht të angazhohet paraprakisht për një transferim paqësor të pushtetit nëse ai humbet. Zoti Biden ka thënë se ai do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve, me kusht që të ketë një numërim të drejtë të votave.

Duke patur parasysh trazirat e mundshme që mund të shkaktojnë zgjedhjet e kontestuara, skenari më i mirë do të ishte një rezultat i qartë ose gati i sigurt natën e zgjedhjeve, që edhe mund të ndodhë. Por natyra e sistemit amerikan të zgjedhjes së presidentit lë të hapura rezultate të ndryshme.

Një proces kompleks

Joe Biden, sfiduesi demokrat, aktualisht gëzon një epërsi afërsisht prej 9 deri në 10 pikësh në sondazhet në të gjithë vendin, por presidenca nuk fitohet në bazë të votës popullore. Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen përmes një sistemi kompleks me dy hapa në të cilin votat në nivelin shtetëror pasohen nga një votim i dytë në një organ të njohur si Kolegji Zgjedhor. Shteteve individuale u caktohet një numër i dhënë “elektorësh”, bazuar në popullsinë, dhe pasi të jenë numëruar votat çertifikohet një listë personash që mbështesin fituesin e votës popullore në secilin shtet. (Vetëm në dy shtete, Mejn dhe Nebraska, është e mundur që kandidatët t’i ndajnë mes tyre votat elektorale.)

The U.S. Electoral College

The U.S. Electoral College

Sondazhet në disa shtete të caktuara nxjerrin se pavarësisht se është prapa në sondazhet në nivel vendi, Presidenti Trump mund t’i fitojë zgjedhjet edhe nëse ai nuk merr më shumë vota se rivali i tij, siç bëri në vitin 2016, duke fituar në Kolegjin Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor mblidhet më 14 dhjetor për votimin që përcakton zyrtarisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Për të arritur fitoren, një kandidat duhet të marrë të paktën 270 nga gjithsej 538 votat e Kolegjit Zgjedhor. Votat numërohen zyrtarisht në një seancë të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit më 6 janar.

Ndërsa shumë shteteve do t’u duhen ditë ose edhe javë për të përfunduar numërimin e të gjitha votave, një numër shtetesh kyçe për rezultatin e zgjedhjeve pritet të shpallin rezultatet e plota ose gati të plota në mbrëmjen e zgjedhjeve ose në fillim të ditës pasuese.

Mes tyre është Florida, një shtet që Presidenti Trump e fitoi në vitin 2016 dhe ku ai dhe zoti Biden tani janë në një garë të ngushtë. Një fitore e zotit Biden në këtë shtet do t’i siguronte atij 29 vota elektorale dhe do t’ia mbyllte gati të gjitha rrugët e fitores zotit Trump. Karolina e Veriut, me 15 vota elektorale dhe Arizona me 11, gjithashtu të rëndësishme për shumicën e skenarëve që mund t’i japin fitoren Presidentit Trump, ka të ngjarë t’i njoftojnë rezultatet herët.

“Ka një arsye për të besuar se ato shtete mund të jenë në gjendje të përfundojnë numërimin e plotë të votave natën e zgjedhjeve, ose mëngjesin e ditës tjetër”, tha Richard H. Pildes, ekspert i ligjit të zgjedhjeve dhe profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Nju Jorkut . “Nëse ne e dimë, për shembull, se Presidenti Trump ka humbur Floridën, atëherë edhe nëse Miçigani, Pensilvania dhe Uiskonsini nuk do të kishin përfunduar numërimin e votave, do të kishim një arsye shumë të fortë për të besuar se zoti Biden do t’i fitonte zgjedhjet.”

Miçigani ka 16 vota elektorale, Pensilvania 20 dhe Uiskonsini 10.

Zoti Pildes shton se në një skenar ku rezultati në Florida është shumë i ngushtë dhe nuk mund të përcaktohet fituesi natën e zgjedhjeve, ndërsa shtetet e tjera janë të ndara midis kandidatëve, gjërat shumë shpejt mund të bëhen të debatueshme.

Betejat e mundshme ligjore

“Nëse rezultati është i pasigurt nga, le të themi herët në mëngjes të nesërmen, sepse ka shtete që nuk mund të përfundojnë numërimin e plotë për shkak të vëllimit masiv të fletëvotimeve në mungesë që ende duhet të numërohen … atëherë unë do të prisja mosmarrëveshje të forta në ato shtete për secilën prej atyre fletëvotimeve në mungesë, dhe debate nëse ato duhet të trajtohen si të vlefshme”, thotë Pildes.

Ka disa momente kryesore midis ditës së zgjedhjeve dhe çertifikimit të rezultatit nga Kongresi më 6 janar. I pari prej tyre është 8 dhjetori, e ashtuquajtura data “e sigurt” deri në të cilën shtetet pritet të paraqesin listat e çertifikuara të zgjedhësve tek Arkivisti i Shteteve të Bashkuara.

Early voting Arlington, Virginia

Early voting Arlington, Virginia

Në rast se një shtet nuk e ka përfunduar numërimin e votave deri në atë datë, ose për shkak të vazhdimit të numërimit apo veprimeve ligjore, ekziston një dispozitë në ligjin federal që lejon legjislaturën e shtetit të mblidhet dhe të caktojë një listë të elektorëve pa e ditur numrin përfundimtar të votave. Kjo krijon mundësinë që një legjislaturë partiake të caktojë një listë elektorësh që mbështesin kandidatin, i cili në fund humbet votën popullore të shtetit.

Në shtetet ku guvernatori dhe legjislatura janë të ndara midis palëve, ekziston një faktor tjetër komplikues. Për shkak se është guvernatori që zyrtarisht çertifikon listën e zgjedhësve pas një votimi, është e mundur që një shtet mund të paraqesë dy lista elektorësh, të dyja me një pretendim të besueshëm legjitimiteti.

Sipas ligjit federal, nëse Kongresi i ri paraqitet me dy lista konkurruese elektorësh nga i njëjti shtet, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati votojnë për të përcaktuar se cila do të pranohej. Nëse bien dakord, atëhere merret propozimi që ata zgjedhin. Nëse ata nuk bien dakord, fiton lista e çertifikuar nga guvernatori.

Një rezultat i barabartë në Kolegjin Zgjedhor

Është gjithashtu e mundur, megjithëse nuk ka gjasa, që të mos ketë asnjë fitues të presidencës edhe pas numërimit të votave elektorale. Nëse të dy kandidatët përfundojnë me nga 269 vota secili, është Dhoma e Përfaqësuesve që vendos për fituesin. Megjithatë, në vend të një vote për secilin nga 438 anëtarët Dhomës së Përfaqësuesve, delegacionet për secilin shtet votojnë si një grup, që do të thotë se partia dominuese në secilin shtet do të kontrollonte votën e saj.

Një rezultat i tillë do t’u jepte afërsisht të njëjtën peshë të 600,000 qytetarëve të shtetit Uajoming në zgjedhjen e presidentit sa 40 milionë qytetarëve të Kalifornisë.

Një alternativë e fundit në sistem është mundësia që disa nga zgjedhësit e dërguar për të votuar për presidentin më 14 dhjetor të rezultojnë “të pabesë”. Në një numër të kufizuar rastesh gjatë viteve, elektorët që duhet të votojnë për një kandidat të caktuar kanë hedhur votat e tyre në Kolegjin Zgjedhor për kandidatin tjetër.

Disa shtete kanë miratuar ligje që detyrojnë zgjedhësit të votojnë ashtu siç ka votuar shumica e votuesve të shtetit dhe Gjykata e Lartë ka vendosur që kufizime të tilla janë të ligjshme. Mbetet e mundur që zgjedhësit “e pabesë” të përpiqen të ndikojnë në rezultatin zgjedhjeve, por ekspertët theksojnë se rezultati duhet të jetë tepër i ngushtë që një përpjekje e tillë të jetë e suksesshme dhe do të duhej një shkallë e lartë koordinimi mes anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të ishte e vështirë për t’u realizuar.

Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa janë të mundur, shumica e këtyre skenarëve nuk ka të ngjarë të ndodhin.

Profesori Pildes, nga Universiteti i Nju Jorkut, thekson se edhe pa një numërim të plotë ë natën e zgjedhjeve, në fund mund të jetë e qartë se kush do të jetë fituesi.

“Edhe në shtetet që nuk mund ta përfundojnë dot numërimin e votave, qarqet e veçanta në ato shtete mund ta përfundojnë numërimin”. “Dhe media do të bëjë krahasimin e rezultatit të votimit të vitit 2020 për Presidentin Trump në ato qarqe me ato të vitit 2016. Dhe nëse nuk paraqitet mirë në mënyrë sistematike ose paraqitet shumë mirë bazuar në këtë krahasim, ky do të jetë një informacion që mund të sinjalizojë shumë fort se në cilin drejtim po shkojnë zgjedhjet, edhe nëse fituesi nuk mund të deklarohet zyrtarisht … Unë mendoj se kjo është e mundur ashtu si çdo skenar tjetër”, thotë profesor Pildes.

zëri i amerikës


Send this to a friend