VOAL

VOAL

Ish-presidenti Trump përforcon teoritë konspirative QAnon

VOA/Marrë nga Associated Press

Ish-presidenti Donald Trump po përqafon dhe po mbështet gjithnjë e më shumë teorinë e konspiracionit QAnon, edhe pse numri i ngjarjeve të frikshme të botës reale të lidhura me lëvizjen, po rritet. Duke përdorur platformën e tij “Truth Social”, zoti Trump ripostoi këtë javë një imazh të tij me mbishkrimin “Stuhia po vjen.” Në botën e QAnon-it, stuhia i referohet fitores përfundimtare të ish-presidentit, kur kundërshtarët e tij supozohet se do të gjykohen dhe ndoshta do të ekzekutohen. Është ndër dhjetra postime të fundit të lidhura me lëvizjen Q nga ish-presidenti republikan. Ekspertët që studiojnë teoritë e grupit QAnon thonë se zoti Trump mund të përpiqet të mbledhë pas vetes mbështetësit e tij më të vendosur, ndërsa hetimet për sjelljen e tij përshkallëzohen.

Ndërsa zoti Trump mendon një tjetër kandidim për presidencën dhe është bërë gjithnjë e më i sigurt në procesin e zgjedhjeve paraprake republikane për në Kongres, veprimet e tij tregojnë se ai jo vetëm nuk po distancohet nga politika, por po e mirëpret përfshirjen përsëri.

Ai ka publikuar dhjetëra postime të fundit të lidhura me Q, ndryshe nga viti 2020, kur ai pretendoi se megjithëse nuk dinte shumë për QAnon, ai nuk mund të hidhte poshtë teorinë e tij të konspiracionit.

I pyetur mbi teoritë e QAnon-it se Trumpi gjoja po e shpëton kombin nga një kult satanik i trafikantëve të seksit të fëmijëve, ai pretendoi të mos dinte gjë për grupin kur pyeti: “A supozohet të jetë diçka e keqe?”

Postimet e fundit të Trumpit kanë përfshirë imazhe që i referohen vetes si një martir që lufton kriminelët, psikopatët dhe të ashtuquajturin shtet i korruptuar.

Edhe kur postimet e tij nuk i janë referuar drejtpërdrejt teorisë së konspiracionit, Trumpi ka përkrahur përdoruesit që e bëjnë këtë. Një analizë e Associated Press zbuloi se nga gati 75 llogari që Trumpi ka ripostuar në profilin e tij të Truth Social muajin e kaluar, më shumë se një e treta e tyre kanë promovuar grupin QAnon duke shpërndarë sloganet, videot ose imazhet e lëvizjes. Rreth 1 në 10 përfshijnë gjuhën e përdorur nga QAnon ose lidhje në biografinë e tyre të profilit.

Në fillim të këtij muaji, Trumpi zgjodhi një këngë të lëvizjes QAnon për të mbyllur një tubim në Pensilvani. E njëjta këngë shfaqet në një nga videot e fushatës së tij të fundit dhe titullohet “WWG1WGA”, një akronim i përdorur si një thirrje për adhuruesit e lëvizjes .

Ish-presidenti mund të jetë duke kërkuar solidaritet me mbështetësit e tij më besnikë në një kohë kur ai përballet me hetime në rritje dhe sfidues të mundshëm brenda partisë së tij, sipas Mia Bloom, një profesore në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias, e cila ka studiuar QAnon dhe së fundi ka shkruar një libër për grupi.

Në Truth Social, llogaritë e lidhura me QAnon e përshëndesin Trumpin si një hero dhe shpëtimtar dhe poshtërojnë Presidentin Joe Biden duke e krahasuar atë me Adolf Hitlerin ose djallin. Kur Trumpi ndan përmbajtjen, ata urojnë njëri-tjetrin. Disa llogari tregojnë me krenari se sa herë Trump i ka “ri-postuar” në biografitë e tyre.

Duke përdorur gjuhën e tyre për t’iu drejtuar drejtpërdrejt mbështetësve të QAnon-it, ish-presidenti Trump po u thotë atyre se ata kanë pasur të drejtë gjatë gjithë kohës dhe se ai ndan misionin e tyre sekret, sipas Janet McIntosh, një antropologe në Universitetin Brandeis që ka studiuar përdorimin e gjuhës dhe simboleve nga QAnon.

Ajo gjuhë gjithashtu i lejon atij të mbështesë besimet e tyre dhe shpresën e tyre për një kryengritje të dhunshme pa e thënë shprehimisht këtë, thotë studiuesja, duke përmendur postimin e tij të fundit për “stuhinë” si një shembull veçanërisht të frikshëm.

“Stuhia po vjen” është stenografi për diçka vërtet të errët që ai nuk po e thotë me zë të lartë,” tha zonja McIntosh. “Kjo është një mënyrë që ai të nxisë dhunën pa bërë thirrje në mënyrë eksplicite për të. Ai është princi i mohimit të besueshëm.”

Zonja Bloom parashikoi që Trumpi më vonë mund të përpiqet të tregtojë mallra të lidhura me levizjen Q ose ndoshta t’u kërkojë ndjekësve të QAnon të dhurojnë fonde për mbrojtjen e tij ligjore.

Pavarësisht nga motivi, tha zonja Bloom, është një veprim i pamatur që ushqen një lëvizje të rrezikshme.

Një listë në rritje e episodeve kriminale është lidhur me njerëz që kishin shprehur mbështetje për teorinë e konspiracionit, për të cilën zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë paralajmëruar se mund të shkaktojë më shumë dhunë.

Mbështetësit e QAnon-it ishin midis atyre që sulmuan dhunshëm Kapitolin në 6 janar 2021.

Platformat kryesore të mediave sociale, duke përfshirë YouTube, Facebook dhe Twitter kanë ndaluar përmbajtjet e lidhura me QAnon-in dhe kanë pezulluar ose bllokuar llogaritë që synojnë ta përhapin atë. Kjo ka detyruar shumë nga aktivitetet e grupit në platforma që kanë më pak mbikqyrje, duke përfshirë Telegram, Gab dhe platformën e Trumpit, Truth Social.

Shtëpia e Bardhë organizon takim të nivelit të lartë kundër urrejtjes

VOA/Patsy Widakuswara

Në një takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë të enjten që kishte në qendër përpjekjet kundër ndasive dhe dhunës së nxitur nga urrejtja, presidenti Joe Biden kritikoi supremacistët e bardhë dhe i kërkoi kombit të kapërcejë mosmarrëveshjet “toksike” politike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara, njofton se kritikët e zotit Biden thonë se është vetë presidenti ai që nxit përçarjen.

Presidenti Joe Biden iu referua tubimit të supremacistëve të bardhë në vitin 2017 në Charlottesville, Virxhinia gjatë të cilit u vra një kundërprotestuese, kur foli të enjten në takimin e nivelit të lartë “Qëndrojmë të Bashkuar”.

“Supremacistët e bardhë nuk do të thonë fjalën e fundit dhe ky helm dhe dhunë nuk mund të jenë historia e kohës sonë”, tha presidenti.

Shtëpia e Bardhë tha se takimi nderon komunitetet që kanë përjetuar sulme me bazë urrejtjen, duke përfshirë të shtënat masive që ndodhën në një tempull të Sikhëve në Uiskonsin në vitin 2012; një klub nate homoseksualësh në Florida në vitin 2016; një sallon aziatik në Xhorxhia në vitin 2021; një supermarket në Teksas në vitin 2019, që vuri në shënjestër hispanikët; dhe një supermarket në Nju Jork në fillim të këtij viti, që kishte në shënjestër njerëzit me ngjyrë.

Të dhënat e FBI-së tregojnë se krimet e urrejtjes janë rritur vitet e fundit.

Disa faktorë kanë kontribuar në rritjen e tyre, duke përfshirë stresin e lidhur me pandeminë dhe retorikën e ashpër politike.

“Ky ka qenë një faktor kryesor për gjashtë vitet e fundit, ku ne dëgjojmë politikanë të zakonshëm që thonë gjëra që janë plotësisht në përputhje me atë që thonë supremacistët e bardhë dhe ekstremistët”, thotë Phyllis Gerstenfeld, profesore e drejtësisë penale.

Një sondazh i revistës Economist dhe organizatës YouGov tregon se 66% e amerikanëve besojnë se ndasitë politike në vend janë përkeqësuar që nga fillimi i vitit 2021 dhe se 62% presin një rritje të tyre vitet e ardhshme.

“Dhuna e nxitur nga urrejtja lind në tokën pjellore të një ndarjeje toksike. Nuk do ta zgjidhim problemin vetëm duke shkuar pas skajeve ekstreme. Ne duhet të përballemi me mënyrat në të cilën kjo ndarje toksike nxit këtë krizë për të gjithë ne.”

Kritikët e tij argumentojnë se vetë presidenti Biden po nxit ndarjen teksa shton sulmet javët e fundit kundër të ashtuquajturve republikanë të MAGA-s – ndjekës besnikë të ish-presidentit Donald Trump – duke e quajtur këtë retorikë të ashpër politike që përfshin akuzimin e tyre si “gjysmë-fashistë”.

Janusz Bugajski: Të zbulohen lidhjet zyrtare të vullnetarëve serbë që luftojnë me shokët e tyre kriminelë në Ukrainë me qeverinë Vuçiç

Voal.ch – Pas deklarimit të Vladimir Solovyev, propagandistit të Putinit direkt në prorgamin e tij se “në Donetsk, krahas rusëve po luftojnë edhe vëllezërit serbë”, ka reaguar në Twitter eksperti i njohur Janusz Bugajski:

Solovyev po e konfirmon gjithashtu se vullnetarët serbë po luftojnë së bashku me shokët e tyre kriminelë lufte në Ukrainë. Duhet një hetim i plotë për të zbuluar emrat dhe lidhjet zyrtare me qeverinë Vuçiç.”/EB

 

 

 

*Foto e Janusz Bugajski nga arkivi i europeanwesternbalkans.com

 

Solovyev, besniku i Putinit do ushtri me trupa ndërkombëtare për të luftuar në Ukrainë – si po luftojnë vëllezërit serbë në Donetsk!

Emërohet gjyqtari që do të rishikojë dokumentet e konfiskuara nga Trumpi

RFE/RL

Gjyqtari federal, Raymond Dearie, është emëruar si zyrtar i posaçëm për të rishikuar dokumentet që ka konfiskuar Byroja Federale e Hetimeve (FBI) nga shtëpia e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Dearie, 78-vjeçar, do të marrë vendim – si avokat i pavarur – nëse ndonjë dokument tejkalon limitet ligjore.

Ai është propozuar nga ekipi i Trumpit dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk e ka refuzuar atë.

Ish-presidenti amerikan është duke u hetuar për mënyrën si ka menaxhuar materialet e klasifikuara.

Përfaqësuesit e Trumpit kanë pretenduar rrejshëm se kanë kthyer të gjitha materialet e klasifikuara në Qeveri, pasi FBI ka konfiskuar 33 kuti me më shumë se 11.000 dokumentet qeveritare – në mesin e tyre më shumë se 100 të klasifikuara.

Zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, ka thënë më parë për dokumentet që ka mbajtur Trump në shtëpinë e tij në Florida, se ka pasur tendenca për fshehje të tyre, në kuadër të përpjekjeve për të penguar hetimet e FBI-së.

Autoritetet besojnë se këto dokumente do të duhej t’iu ishin dorëzuar Arkivave Kombëtare.

Presidentët amerikanë duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet që kanë në këtë institucion, pas përfundimit të mandatit.

Trump mohon ndonjë keqbërje, duke argumentuar se sa ka qenë president, ka deklasifikuar të gjitha dokumentet që ka mbajtur në shtëpinë e tij në Florida.

Më herët gjatë këtij muaji, një gjyqtare ia ka miratuar kërkesën ekipit të Trumpit për të emëruar një zyrtar me pozitë të tillë.

Emërimi i një zyrtari të posaçëm bëhet për raste të ndjeshme.

Diçka e ngjashme ka ndodhur në rastet kur janë bastisur shtëpitë dhe zyrat e dy ish-avokatëve të Trumpit – Rudy Giuliani and Michael Cohen.

Ndahet nga jeta Ken Starr, prokurori për shkarkimin e ish-presidentit Bill Clinton

Ken Starr ka vdekur

VOAL- Ken Starr, prokurori për shkarkimin e ish-presidentit Bill Clinton ka vdekur nga një sërë komplikimesh nga operacioni në Hjuston. Këtë e raporton Cnbc duke cituar familjen e tij. Ai ishte 76 vjeç.

I emëruar nga Presidenti i atëhershëm i Gjykatës së Apelit të Uashingtonit, atëherë Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit nën George Bush, ish-magjistrati ishte më i njohur për koordinimin e hetimit të Whitewater në vitet 1990 kundër Klintonëve.

Hetimi mbahet mend mbi të gjitha për pjesën që lidhet me marrëdhëniet mes Presidentit të atëhershëm Bill dhe praktikantes Monica Lewinksy, por ishte shumë më i madh dhe nisi nga një sërë investimesh në prona të paluajtshme nga Klintonët në Arkansas. Hetimi më pas u zgjerua në sex-gate dhe fajësimin e presidentit në Dhomën e Përfaqësuesve për dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë. Clinton u shpall i pafajshëm më vonë në Senat. rsi-eb

Austin: Po shohim suksese në Herson dhe Harkiv, kjo është inkurajuese

RFE/RL

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se forcat ukrainase po tregojnë shenja suksesi në fushë betejë në dy kundërofensiva dhe se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Kievin në betejën e tij kundër trupave pushtuese ruse “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Këto komete të sekretarit të Mbrojtjes, të bëra më 9 shtator në Pragë, vijnë në mes provave në rritje të trupave ukrainase për përparime në rajonin jugor të Hersonit dhe në rrethet në lindje dhe juglindje të Harkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.

Hersoni ka qenë në fokus të luftimeve të mëdha për disa javë, ndërsa shtytja nga Harkivi është shpalosur gjatë dy ditëve të fundit.

“Tani po shohim sukses në Herson”, u tha Austin gazetarëve në Pragë, pas takimit me homologen e tij çeke, Jana Cernochova.

“Po shohim disa suksese në Harkiv dhe kjo është shumë inkurajuese”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi më 8 shtator se trupat ukrainase kishin “çliruar dhjetëra vendbanime” dhe kishin rimarrë më shumë se 1.000 kilometra katrorë nga forcat ruse gjatë javës së kaluar.

Zyrtarët rusë nuk janë deklaruar as për frontet e as për sukseset e Ukrainës.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.

Gjenerali amerikan: Pushtimi rus i Ukrainës, dështim ushtarak

RFE/RL

Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm tha se pushtimi rus i Ukrainës është një dështim ushtarak, pasi forcat e Moskës që kanë arritur vetëm “sukses të vogël taktik në pjesë të ndryshme të Ukrainës lindore”.

“Deri më tani objektivat strategjike ruse janë mposhtur”, u tha Milley mbështetësve të Ukrainës, të cilët ishin mbledhur në bazën ajrore amerikane në Ramstein, Gjermani.

“Kjo është për shkak të dështimeve të tyre. Dhe gjithashtu për shkak të trimërisë së … ushtrisë ukrainase, trimërisë së popullit ukrainas dhe mbështetjes së vendeve që ishin sot në Grupin e Kontaktit”.

Ai tha se ukrainasit kanë goditur mbi 400 objektiva.

“Linjat ruse të komunikimit dhe zinxhirët e furnizimit janë shumë të tendosura. Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në aftësinë ruse për të projektuar dhe mbajtur fuqinë luftarake. Komanda dhe kontrolli rus në selinë qendrore janë ndërprerë,” tha Milley, duke shtuar se Moska ka ” vështirësi të mëdha për të rifurnizuar forcat dhe për të zëvendësuar humbjet në luftë”.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.

Microsoft: Besim të lartë se pas sulmeve kibernetike në Shqipëri, qëndron qeveria iraniane

VOA

Kompania amerikane “Microsoft” thotë se ka besim të lartë se pas sulmeve kibernetike të ndodhura në Shqipëri në 15 korrik të këtij viti që sulmuan faqet online të qeverisë si dhe të shërbimeve publike, qëndrojnë aktorë të sponsorizuar nga qeveria iraniane.

“Microsoft” vlerëson se përveç sulmit shkatërrues kibernetik, një “aktor tjetër” i sponsorizuar nga shteti iranian ka marrë informacione të ndjeshme muaj më parë.

Disa media onlie dhe platforma të mediave sociale u përdorën për të publikuar informacionet e ndejshme.

Sulmi, sipas kompanisë “Microsofti” është zhvilluar në katër faza: Ndërhyrja fillestare; vjedhja apo lëvizja e të dhënave; Kriptimi dhe shkatërrimi i të dhënave si dhe faza e fundit publikimi i një pjesë të këtyre të dhënave.

Microsoft thotë se “aktorët e përfshirë në marrjen e aksesit fillestar dhe vjedhjen e të dhënave janë të lidhur me EUROPIUM-i, i cili ka qenë i lidhur publikisht me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS) dhe u zbulua duke përdorur tre grupime unike të aktivitetit”.

Njësia e “Microsoft-it” për zbulimin e sulmeve kibernetike u angazhua me kërkesë të qevrisë shqiptare për të bërë hetime mbi sulmin. Microsoft do të vazhdojë partneritetin me Shqipërinë për të rritur mbrojtjen nga sulme të tilla në të ardhmen, theksohet në një deklaratë.

Lajmi do të përditësohet shumë shpejt…

SHBA ndalon firmat e teknologjisë që të investojnë në Kinë

Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo.
RFE/RL

Kompanitë amerikane të teknologjisë, që marrin fonde federale, do të ndalohen që të ndërtojnë objekte “të teknologjisë së avancuar” në Kinë për 10 vjet, tha administrata e presidentit Joe Biden.

Kjo ndalesë është pjesë e një plani prej 50 miliardë dollarësh, që synon të fuqizojë industrinë lokale të gjysmëpërçuesve.

Po ashtu, njoftimi vjen pasi grupet e biznesit kanë kërkuar më shumë ndihmë nga Qeveria amerikane me qëllim që të ulin varësinë nga Kina.

Në botë ka mungesë të mikroçipëve që po ngadalëson edhe prodhimin e pajisjeve të tjera.

“Ne do të zbatojmë këta udhëzues për t’u siguruar se të gjithë ata që marrin fonde federale nuk do ta rrezikojnë sigurinë kombëtare… ata nuk do të lejohet që t’i përdorin këto para për të investuar në Kinë, ata nuk mund të zhvillojnë teknologji të avancuar në Kinë për një periudhë 10-vjeçare”, tha sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo.

Kompanitë amerikane që veçse kanë fabrika në Kinë mund t’i zgjerojnë ato vetëm që t’i shërbejnë tregut kinez.

SHBA-ja dhe Kina kanë mosmarrëveshje për çështjet tregtare dhe ato të teknologjisë.

Në gusht, presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar një ligj sipas të cilit janë ndarë 280 miliardë dollarë për prodhimin e teknologjisë së lartë dhe të hulumtimeve shkencore, pas frikës se SHBA-ja po humb avantazhin e teknologjisë që ka ndaj Kinës.

Aktualisht, SHBA-ja prodhon rreth 10 për qind të furnizimeve botërore të gjysmëpërçuesve, që janë kyç për të ndërtuar shumë gjëra duke filluar nga makinat e deri te telefonat mobilë. Në vitet ’90, SHBA-ja prodhonte afër 40 për qind të furnizimeve botërore të gjysmëpërçuesve.

Gjykatësja pranon kërkesën e ish-presidentit Trump për një ekspert të posaçëm

VOA/Marrë nga Associated Press

Në një fitore ligjore për ish-Presidentin Donald Trump, një gjykatëse federale pranoi të hënën kërkesën e tij që një ekspert i pavarur ligjor të shqyrtojë dokumentet e sekuestruara nga FBI-ja nga shtëpia e tij në Florida, si edhe ndaloi përkohësisht përdorimin nga Departamenti i Drejtësisë të të dhënave për qëllime hetimi.

Vendimi i gjykatëses Aileen Cannon autorizon një ekspert të jashtëm për të shqyrtuar të dhënat e marra gjatë kontrollit të 8 gushtit dhe për të përjashtuar nga hetimi çdo dokument që mund të mbrohet nga privilegji avokat-klient ose privilegji ekzekutiv. Disa nga ato dokumenta ka mundësi që t’i kthehen ish-presidentit Trumpi, por gjykatësja e shtyu vendimin për një gjë të tillë.

Gjykatësja e dha urdhrin pavarësisht kundërshtimeve të forta të Departamentit të Drejtësisë, i cili tha se një ekspert i jashtëm ligjor nuk ishte i nevojshëm dhe një nga arsyet ishte se zyrtarët e kishin përfunduar tashmë shqyrtimin dokumenteve që mund të mbroheshin nga marrëdhënia avokat-klient ose privilegji ekzekutiv.

Emërimi i një eksperti ka gjasa ta ngadalësojë ritmin e hetimit të Departamentit të Drejtësisë për praninë e informacioneve tepër sekret në Mar-a-Lago, veçanërisht duke pasur parasysh udhëzimin e gjyqtares që Departamenti i Drejtësisë nuk mund të përdorë për momentin asnjë nga materialet e sekuestruara si pjesë e hetimit të tij për mbajtjen e sekreteve qeveritare në rezidencën e Floridës.

“Gjykata konstaton se këto rrethana të pashembullta kërkojnë një pauzë të shkurtër për të lejuar rishikimin e paanshëm nga palë të treta, për të siguruar një proces të drejtë, me masa të pështatshme”, shprehet gjykatësja Cannon, e cila është emëruar nga ish-presidenti, në urdhrin e saj prej 24 faqesh.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse vendimi do të ketë një efekt të konsiderueshëm afatgjatë tek hetimi apo përfundimet e tij.

Një vlerësim i veçantë nga komuniteti i zbulimit amerikane për rrezikun e paraqitur nga keqpërdorimi i mundshëm të dhënave të klasifikuara do të vazhdojë me urdhër të gjyqtares.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka komentuar ende dhe një avokat i zotit Trump, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Avokatët e zotit Trump kishin argumentuar se ishte i nevojshëm emërimi i një eksperti të posaçëm ligjor, për të garantuar një analizë të pavarur të të dhënave të marra gjatë kontrollit dhe në mënyrë që informacione ose dokumenta personale të mund të shqyrtoheshin dhe t’i ktheheshin zotit Trump.

Në këtë rast, të dhënat e sekuestruara “përfshijnë dokumente mjekësore, korrespondencë në lidhje me taksat dhe informacione financiare”, sipas urdhrit të gjyqtares.

Gjyqtarja tha se ishte shumë herët për të ditur nëse ndonjë nga dokumentat apo objektet do t’i kthehet zotit Trump, por “për momentin, rrethanat që lidhen me sekuestrimin në këtë rast dhe nevoja për masa mbrojtëse procedurale të përshtatshme janë mjaft bindëse.”

Departamenti i Drejtësisë kishte argumentuar kundër emërimit, duke thënë se ishte i panevojshëm sepse kishte shqyrtuar tashmë dokumente që mund të ishin të mbrojtura nga privilegji dhe kishte identifikuar një numër të kufizuar materialesh që mund të mbuloheshin nga privilegji avokat-klient.

“Mendoj se pengesa kryesore, është se dokumentet me privilegj ekzekutiv janë përfshirë” në vendimin e gjyqtares, tha Richard Serafini, një ish-prokuror i Departamentit të Drejtësisë dhe avokat në Florida. Ai tha se priste që departamenti ta apelonte urdhrin.

Departamenti i Drejtësisë kishte argumentuar gjithashtu se zoti Trump nuk kishte të drejtë ligjore të pretendonte privilegj ekzekutiv për asnjë prej të dhënave presidenciale që ishin marrë pasi ai nuk është më president dhe për rrjedhojë dokumentet nuk i përkasin atij. Po ashtu Departamenti tha se objektet personale që u gjetën ishin përzierë me informacione të klasifikuara, duke u dhënë atyre vlerë të mundshme si prova.

Megjithëse Departamenti i Drejtësisë kishte argumentuar se zoti Trump, si ish-president, nuk kishte bazë ligjore për të pretenduar privilegjin ekzekutiv mbi dokumentet, gjyqtarja tha se ai kishte të drejtën ta ngrinte shqetësimin dhe lejoi që eksperti i posaçëm të kontrollonte për dokumenta që mund të mbulohen nga ai privilegj.

Gjykatësja Cannon, e cila u emërua nga zoti Trump në vitin 2020, kishte sinjalizuar me një urdhër të shkurtër muajin e kaluar se ajo ishte e prirur të emëronte një ekspert të posaçëm.

Agjentët e FBI-së gjetën dosje të zbrazëta në Mar-a-Lago

VOA/Marrë nga Associated Press

Agjentët e FBI-së që kontrolluan shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida muajin e kaluar gjetën dosje të klasifikuara sekret që ishin të zbrazëta, sipas një liste më të detajuar të materialit të sekuestruar, të bërë publike të premten nga Departamenti i Drejtësisë.

Inventari i objekteve zbulon pa detaje specifike përmbajtjen e 33 kutive të marra nga Mar-a-Lago gjatë kontrollit të 8 gushtit. Megjithëse inventari nuk përshkruan asnjë nga dokumentet, ai tregon se informacione të klasifikuara, përfshirë materiale tepër sekrete, ishin mbajtur në kuti në shtëpi, mes gazetave, revistave, veshjeve dhe objekteve të tjera personale.

Departamenti i Drejtësisë ka thënë se në Mar-a-Lago nuk kishte masa të posaçme sigurie për të mbajtur sekrete kaq të ndjeshme qeveritare dhe ka hapur një hetim penal për mbajtjen e tyre atje si edhe për ato që i cilëson përpjekje në muajt e fundit për të penguar atë hetim.

Sipas inventarit, 43 dosje të zbrazëta të klasifikuara u morën nga një kuti në zyrë, së bashku me 28 dosje të tjera të zbrazëta me etiketën “Të rikthehen tek Sekretari i Personelit” ose këshilltari ushtarak. Dosje të ngjashme të zbrazëta u gjetën gjithashtu edhe në një dhomë me objekte të magazinuara.

Nuk është e qartë nga lista e inventarit se pse ishin të zbrazëta dosjet ose çfarë mund të ketë ndodhur me dokumentet që kishin qenë brenda tyre.

SHBA: Organizatat e mediave kërkojnë bërjen publike të dokumentave të mëtejshme mbi Mar-a-Lagon

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Organizatat amerikane të mediave i kërkuan të mërkurën një gjykatësi të bëjë publike më shumë detaje rreth të dhënave që u sekuestruan gjatë kontrollit të paprecedentë të FBI-së në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Kërkesa u bë vetëm disa orë pasi Departamenti i Drejtësisë dorëzoi të martën në mbrëmje një dokument 54 faqesh që paraqet kronologjinë më të detajuar deri tani të shkëmbimeve të tensionuara mes zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë dhe përfaqësuesve të ish-presidentit Trump, lidhur me zbulimin e sekreteve qeveritare.

Prokurorët thanë se agjentët gjetën disa dokumente të klasifikuara në sirtarët e tavolinës në zyrën e zotit Trump në Mar-a-Lago. Ata thanë gjithashtu se FBI-ja gjeti pasaportat e ish-presidentit në një nga sirtarët së bashku me dokumente të klasifikuara dhe thanë se ata e konsideronin vendndodhjen e pasaportave si “provë të rëndësishme”.

Në një përgjigje ndaj dosjes së departamentit, zëdhënësi i zotit Trump, Taylor Budowich u shpreh në Twitter: “Mjaftuan më pak se dy faqe nga një përgjigje prej 40 faqesh që administrate Biden të pranonte se kjo bastisje e paprecedentë dhe e panevojshme nuk kishte të bënte me ndonjë krim, por më tepër një mosmarrëveshje mbi të dhënat presidenciale.”

Megjithatë, urdhri i kontrollit i Departamentit të Drejtësisë u miratua bazuar në shqetësimet se kishte shkelje të tre ligjeve të tjera, mes së cilave një dispozitë e ligjit për spiunazhin dhe pengimit të drejtësisë. Akti i të dhënave presidenciale nuk përmendej në urdhër.

Organizatat e medias i kërkuan gjykatëses Aileen Cannon të bënte publike dy dokumente të tjera që Departamenti i Drejtësisë i depozitoi si konfidenciale më herët të martën.

Njëra është një listë më e detajuar e objekteve që FBI ka konfiskuar nga Mar-a-Lago, ku përfshiheshin 33 artikuj dhe kuti që përmbanin më shumë se 100 të dhëna të klasifikuara.

Procesverbali tjetër që kërkohet është një dokument që do të ketë më shumë detaje rreth një procesi të departamentit, sipas të cilit agjentët që nuk janë të përfshirë në hetim shqyrtojnë dokumentat, për të ndarë veç çdo gjë që mund të mbulohet nga privilegji avokat-klient.

“Të dhënat gjyqësore të identifikuara këtu janë thelbësore që publiku të kuptojë më mirë atë që ndodhi në Mar-a-Lago më 8 gusht 2022, dhe këtë proces të pazakontë civil, dhe gjithashtu do të ndriçojnë më tej veprimet e qeverisë në ekzekutimin e kontrollit”, argumentojnë organizatat e medias ABC, Associated Press, Bloomberg, CNN, CBS, botuesin e Wall Street Journal, Dow Jones & Co, NBC, New York Times dhe Washington Post.

Departamenti i Drejtësisë thotë se ka gjasa që dokumenta të klasifikuara “të jenë fshehur dhe zhvendosur” brenda shtëpisë së ish-presidentit Donald Trump në Florida, si pjesë e një përpjekjeje për të penguar hetimin federal për gjetjen e dokumentave zyrtare.

Dokumenti nxjerr në pah se hetimi penal është përqendruar jo vetëm tek arsyeja se pse të dhënat janë ruajtur në mënyrë të parregullt, por edhe tek çështja nëse ekipi i ish-presidentit Trump ka gënjyer qëllimisht në lidhje me praninë e vazhdueshme dhe të paligjshme të dokumenteve tepër sekrete në Mar-a-Lago.

Kronologjia e ngjarjeve e detajuar nga Departamenti i Drejtësisë bën të qartë se kontrolli i jashtëzakonshëm në rezidencën e ish-presidentit Trump erdhi vetëm pasi përpjekjet e tjera për të marrë dokumentet kishin dështuar. Po ashtu kishte dyshime se në Mar-a-Lago kishin mbetur ende dokumente të klasifikuara, megjithë garancitë e përfaqësuesve të ish presidentit, se ato ishin dorëzuar të gjitha.

Megjithëse përmban detaje të reja të rëndësishme mbi hetimin, dokumenti i Departamentit të Drejtësisë nuk i jep përgjigje një pyetjeje thelbësore: pse ish-presideti Trump i mbajti dokumentet pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe pse ai dhe ekipi i tij u rezistoi përpjekjeve të përsëritura për t’i kthyer ato.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, gjatë një vizite të 3 qershorit në Mar-a-Lago nga zyrtarët e FBI-së “avokati i ish-Presidentit nuk dha asnjë shpjegim se pse kutitë me të dhëna zyrtare, përfshirë 38 dokumente të klasifikuara, mbetën në rezidencë gati pesë muaj pas dorëzimit të 15 kutive të para dhe gati një vit e gjysmë pas përfundimit të mandatit.”

Synimi i dokumentit të djeshëm që Departamenti i Drejtësisë dorëzoi në gjykatë, ishte për të kundërshtuar një kërkesë të ekipit ligjor të zotit Trump për caktimin e një eksperti të posaçëm për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara dhe për t’i kthyer atij disa prej tyre. Gjyqtarja Aileen Cannon do të dëgjojë argumentet mbi këtë çështje të enjten.

Ajo tha të shtunën se “mendimi i saj paraprak” ishte që të emëronte një person të tillë, por shtoi se i dha Departamentit të Drejtësisë një mundësi për t’u përgjigjur.

Të hënën, departamenti tha se kishte përfunduar shqyrtimin e dokumenteve, disa prej të cilave mund të ishin të mbrojtura nga privilegji avokat-klient. Departamenti tha se një ekspert i posaçëm ishte “i panevojshëm” dhe se të dhënat presidenciale që u morën nga shtëpia nuk i përkasin zotit Trump.

Gjykatësi planifikon të emërojë një prokuror të posaçëm mbi dokumentet e sekuestruara në Mar-A-Lago

VOA/Marrë nga ABC

Një gjykatëse federale në Florida po i kërkon Departamentit të Drejtësisë që të ofrojë të dhëna më të detajuara lidhur me dokumentet e klasifikuara të gjetura në rezidencën e ish-Presidentit Donald Trump. Gjykatësja po konsideron mundësinë e emërimit të një prokurori të posaçëm për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara.

Një gjykatëse federale duket se po anon drejt emërimit të një prokurori special për të mbikëqyrur shqyrtimin e provave të mbledhura nga hetuesit federal gjatë kontrollit të rezidencës së ish-Presidentit Trump në Mar-A-Lago. Kërkesa u bë nga ekipi ligjor i zotit Trump.

Përmes një njoftimi të shtunën, gjykatësja e emëruar nga Presidenti Trump kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë, caktoi 1 shtatorin si ditë për paraqitjen e argumenteve.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar do të vlerësojë “rreziqet e mundshme ndaj sigurisë kombëtare” që mund të kenë rezultuar nga mbajtja e dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e zotit Trump.

Kërkesa për shqyrtim erdhi nga udhëheqësit e lartë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Pas publikimit të dokumentit që sherbeu për marrjen e autorizimit të gjykatësit për kontrollin e rezidencës së ish-Presidentit, ata thanë se: “Është kritike që komuniteti i zbulimit të veprojë me shpejtësi për të vlerësuar, dhe nëse është e nevojshme, për të zvogëlojë dëmin e shkaktuar”.

Dokumenti prej 38 faqesh, i publikuar me redaktime të theksuara, u përdor nga Byroja Federale e Hetimeve, FBI, për të marrë miratimin e gjykatës për kontrollin në Mar-A-Lago.

Departamenti i Drejtësisë dha shpjegime për redaktimin e dokumentit.

“Qeveria ka shqetësime të bazuara se mund të ndërmerren hapa për të penguar ose për të ndërhyrë në këtë hetim nëse faktet bëhen publike para kohe”.

Madje, në dokument theksohet kërkesa për mbajtjen e tij sekret, sepse ka palë të paidentifikuara të cilat ende po hetohen, çka mund të rezultojë në ngritjen e akuzave të tjera.

Ish-Presidenti Trump e ka kritikuar hetimin dhe pretendon se nuk ka bërë asgjë të gabuar. Megjithë kritikat për redaktimin e dokumentit, ekipi i tij ligjor nuk argumentoi në gjykatë për publikimin e tij.

Grenell thirrje Bidenit: Përfshini në axhendë dialogun Kosovë-Serbi. Zbatoni marrëveshjet e mëparshme!

I dërguari special i ish-Presidentit amerikan Donald Trump mbi dialogun me Prishtinës e Beogradit Richard Grenell i ka bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të përfshijë në axhendën e saj këtë çështje.

Përmes një mesazhi në Twitter Grenell thekson se “nëse njohja e targave është shumë e vështirë tani, atëherë kërkoni njohjen e ID-ve për të filluar”.

REAGIMI
Shtëpia e Bardhë e Biden duhet të përfshihet më shumë në ngecjen aktuale të dialogut mes Kosovës-Serbisë. Dhe këtu është një ide: nëse njohja e targave është shumë e vështirë tani, atëherë kërkoni njohjen e ID-ve për të filluar (siç kam postuar në Twitter 4 javë më parë). Dhe një ‘bonus’: shtyhuni të zbatoni marrëveshjet e mëparshme!bw

Shqetësimet e FBI-së për dokumentat në Mar-a-Lago, rezidencën e ish-Presidentit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – 14 nga 15 kutitë e marra më herët këtë vit nga rezidenca e ish-Presidentit Donald Trump në Florida përmbanin dokumenta të klasifikuara, përfshirë edhe në nivelin tepër sekret, thuhet në një deklaratë të FBI-së të publikuar të premten. Dokumenti shpjegon arsyet për kontrollin që u bë këtë muaj në këtë objekt.

Asnjë hapësirë në Mar-a-Lago nuk ishte e autorizuar për ruajtje të materialeve të klasifikuara, thuhet në dokumentat e gjykatës, ku paraqiten argumentat e FBI-së për kontrollin e bërë në këtë objekt më herët këtë muaj, dhe ndër të tjera edhe “baza për të besuar se do të gjendet evidencë për pengim të drejtësisë”.

Dokumenti prej 32 faqesh, megjithëse i redaktuar në masë, ofron përshkrimin më të detajuar deri më tani të dokumentave qeveritare që mbaheshin në Mar-a-Lago për një kohë të gjatë pasi ish-Presidenti Trump ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, si dhe zbulon rëndësinë e shqetësimeve të qeverisë se dokumentat mbaheshin atje në mënyrë të paligjshme.

“Qeveria po bën një hetim penal në lidhje me marrjen dhe mbajtjen e informacionit të klasifikuar në hapësira të paautorizuara, ashtu si edhe për fshehjen apo heqjen e paligjshme të të dhënave qeveritare”, shkruhet në faqen e parë të dokumentit të FBI-së, ku kërkohet leja e gjykatësit për të marrë një urdhër kontrolli në objekt.

Dokumenti nuk jep detaje të reja për 11 volumet e dokumentave të klasifikuara që u morën më 8 gusht gjatë kontrollit në Mar-a-Lago, por ka të bëjë me një tjetër sasi prej 15 kutish me dokumentacion që Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Dokumentacionit mori nga Mar-a-Lago në muajin janar.

Sipas dokumentit, zyrtarët identifikuan në këto kuti 184 dokumenta të klasifikuara, përfshirë 25 dokumenta me klasifikimin tepër sekret. Agjentët që inspektuan kutitë konstatuan informacion të klasifikuar të ofruar nga burime konfidenciale njerëzore, si dhe informacion në lidhje me Ligjin për Survejimin e Zbulimit të Jashtëm.

Dokumenti paraqet në tërësi detaje të mëtejshme për një hetim penal në vazhdim, i cili ka sjellë telashe të reja ligjore për ish-Presidentin Trump, ndërsa ai po përgatit terrenin për një kandidim të ri për president. Dokumenti gjithashtu tregon me detaje sasinë e dokumentave konfidenciale qeveritare që mbaheshin në Mar-a-Lago, në vend që të dorëzoheshin në Arkivat Kombëtare.

Ish-Presidenti Trump ka këmbëngulur prej kohësh se, megjithë provat për të kundërtën, ka bashkëpunuar plotësisht me zyrtarët e qeverisë. Ai ka siguruar mbështetjen e republikanëve duke e paraqitur kontrollin nga FBI-ja si një gjueti shtrigash të motivuar politikisht, që synonte të dëmtonte shanset e tij në zgjedhje. Ai e përsëriti këtë të premten në median e tij sociale, duke thënë se ai dhe përfaqësuesit e tij kishin ruajtur një marrëdhënie të ngushtë pune me FBI-në dhe “U KISHIN DHËNË ATYRE SHUMË”.

 

FBI-ja ia paraqiti deklaratën një gjykatësi në mënyrë që të merrte autorizimin për të bërë kontroll në rezidencën e ish-presidentit. Dokumenta të tilla zakonisht përmbajnë informacion jetik për hetimet. Agjentët zbërthejnë arsyet përse duan të kontrollojnë një objekt të caktuar dhe përse besojnë se ka gjasa të gjejnë atje evidencë për vepra të mundshme penale.

Në një tjetër dokument të publikuar të premten, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë shpjegonin se ishte e nevojshme të redaktohej informacioni për “të mbrojtur sigurinë dhe privatësinë e një numri domethënës dëshmitarësh civilë, krahas personelit të zbatimit të ligjit, si dhe për të mbrojtur integritetin e hetimit në vazhdim”.

Dokumentat e tillë zakonisht nuk publikohen gjatë hetimeve në vazhdim. Kjo e bën edhe më befasues vendimin e Gjykatësit Bruce Reinhart për të bërë publike pjesë të tij.

Duke vënë në dukje interesimin e jashtëzakonshëm të publikut për këtë hetim, Gjykatësi Reinhart urdhëroi Departamentin e Drejtësisë të enjten që të paraqiste një version të redaktuar të dokumentit brenda ditës së premte. Ky udhëzim u dha vetëm pak orë pasi zyrtarët e agjensive federale të zbatimit të ligjit paraqitën të vulosura pjesët e deklaratës që dëshirojnë të mbeten sekret ndërsa vazhdojnë hetimet.

Dokumentat e bëra publike më parë tregojnë se FBI-ja mori nga objekti 11 volume dokumentash të klasifikuara, përfshirë informacion në nivelin tepër-sekret. Ato gjithashtu tregojnë se agjentët federalë po hetojnë shkelje të mundshme të tre statuteve federale, përfshirë njërin që përcakton rregullat për mbledhjen, transmetimin apo humbjen e informacionit për fushën e mbrojtjes, bazuar në Ligjin për Spiunazhin. Statutet e tjera kanë të bëjnë me fshehjen, dëmtimin apo heqjen e dokumentave, si dhe shkatërrimin e tyre, modifikimin apo falsifikimin e të dhënave në hetime federale.

 

Është e mundur që dokumenti, në veçanti në formën e tij të paredaktuar, mund të hedhë dritë edhe mbi çështjet kyçe që nuk kanë marrë përgjigje, përfshirë arsyet përse dokumenta konfidenciale presidenciale, ndër to edhe të klasifikuara, u transportuan drejt Mar-a-Lagos pasi ish-Presidenti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, si dhe përse ish-presidenti dhe përfaqësuesit e tij nuk ofruan të gjithë sasinë e materialeve megjithë kërkesat e përsëritura të Administratës Kombëtare të Arkivave dhe Dokumentacionit.

Dokumenti mund të ofrojë edhe detaje të mëtejshme për marrje-dhëniet mes ish-Presidentit Trump dhe FBI-së, përfshirë një fletëporosi për dorëzim dokumentash të paraqitur në pranverë, si dhe një vizitë në qershor të zyrtarëve të FBI-s dhe Departamentit të Drejtësisë për të vlerësuar se si mbaheshin dokumentat.

Departamenti i Drejtësisë kishte kundërshtuar fillimisht argumentat e mediave për ta bërë dokumentit publik, duke thënë se kjo do të publikonte të dhëna private për dëshmitarët dhe për taktikat hetimore. Por Gjykatësi Reinhart, duke pranuar interesin e jashtëzakonshëm të publikut tek ky hetim, tha javën e kaluar se nuk ishte në favor të mbajtjes sekret të të gjithë dokumentit dhe u kërkoi zyrtarëve federalë t’i paraqesnin atij privatisht redaktimet që dëshironin të bënin.

Në urdhërin e tij të enjten, zoti Reinhart tha se departamenti kishte paraqitur argumenta të qëndrueshme për të mos publikuar pjesë të mëdha të dokumentit, dhe se nëse do të bëheshin publike, mund të zbulonin të dhëna për jurinë e madhe, identitetin e dëshmitarëve dhe të “palëve që nuk janë nën akuzë”, si dhe detaje për strategjinë, drejtimin, shtrirjen, burimet dhe metodat e hetimit.

Por, ai gjithashtu tha se “qeveria ka plotësuar detyrimin e saj për të treguar se redaktimet ishin konceptuar për t’i shërbyer interesit legjitim të qeverisë për integritetin e hetimit në vazhdim dhe se janë alternativa më pak e rëndë për publikimin e dokumentit”.

SHBA: Bëhen publike detaje të mëtejshme për hetimin mbi dokumentat e kërkuara nga FBI në Mar-a-Lago

VOA

Departamenti i Drejtësisë publikoi të premten një variant të redaktuar të një dokumenti ku detajohen të dhënat mbi të cilat ishte justifikuar urdhri për kontrollin e FBI-së më 8 gusht në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Megjithëse pjesë të konsiderueshme të dokumentit janë mbuluar nga Departamenti i Drejtësisë, ai ofron disa detaje të reja mes së cilave fakti që 14 nga 15 kutitë me të dhëna të gjetura në Mar-a-Lago në fillim të këtij viti përmbanin 184 dokumenta të klasifikuara, disa prej të cilave tepër sekret.

Pasi i mori dokumentet fillestare në fillim të vitit, Departamenti i Drejtësisë kërkoi që të kontrollohet rezidenca e Presidentit Trump në Florida, nga shqetësimi se zbulimi i tyre mund të komprometonte “burime njerëzore” të përdorura për mbledhjen e informacionit, sipas dokumentit të redaktuar të bërë tashmë publik.

Dokumenti prej 32 faqesh përmban detaje shtesë në lidhje me një hetim penal që paraqet probleme të reja ligjore për zotin Trump, ndërsa ai shqyrton mundësinë e një kandidimi tjetër presidencial.

Ai e vë theksin tek vëllimi i dokumenteve të ndjeshme qeveritare të mbajtura në Mar-a-Lago dhe zbulon shqetësimet e FBI-së se të dhënat mbaheshin në mënyrë të paligjshme.

Megjithëse zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i kanë fshirë disa informacione të ndjeshme rreth dëshmitarëve, si dhe synimin e hetimit, varianti i publikuar ofron një shpjegim më të plotë për kontrollin në Mar-a-Lago.

Gjykatësi federal Bruce Reinhart, duke argumentuar që publikimi ishte në interes të publikut, urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që të bënte publike deklaratën e redaktuar.

Gjatë kontrollit më 8 gusht, FBI-ja mori më shumë se 20 kuti që përmbanin 11 dosje të dhënash të klasifikuara qeveritare, disa prej të cilave të etiketuara si “tepër sekret”.
Urdhri për kontrollin që tashmë është bërë publik, tregon se Departamenti i Drejtësisë po heton shkelje të mundshme të tre ligjeve të ndryshme federale, përfshirë atë për spiunazhin.

Publikimi i dokumentit vjen pas kërkesës së disa organizatave të mediave që argumentuan se përmbajtja e tij ishte në interes të publikut. Departamenti i Drejtësisë i kishte kundërshtuar më herët këto argumente, duke thënë se publikimi mund të përmbante informacion privat për dëshmitarët dhe për taktikat hetimore.

Gjykata urdhëron publikimin e provave që autorizuan kontrollin në pronën e Trumpit

RFE/RL

Departamenti Amerikan i Drejtësisë do të publikojë të premten një version të reduktuar të dokumentit që shpjegon arsyen e kontrollit që FBI-ja kreu në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida në fillim të këtij muaji, ku agjentët konfiskuan të dhëna dhe dokumente të tjera të klasifikuara.

Publikimi i këtij versioni të dokumentit, që përfshin provat e mbledhura nga prokurorët, mund të çojë në zbulimin e detajeve të reja mbi hetimet që po kryen mbi ish-kreun e shtetit amerikan që mund të komprometojnë ambiciet e tij për të ri-kandiduar në zgjedhjet presidenciale.

Departamenti i Drejtësisë e kishte kundërshtuar publikimin e versionit origjinal për shkak se procesi hetimor, që ka në fokus keqpërdorimin e dokumenteve sekrete nga Trump, është ende në zhvillim e sipër.

Sipas mandatit të kontrollit, agjentët e FBI-së donin të verifikonin nëse ish-presidenti kishte kryer një krim duke përvetësuar dokumente qeveritare, duke i lëvizur ato nga Shtëpia e Bardhë në kompleksin e tij Mar a Lago, sapo i kishte përfunduar mandati.

Presidentëve amerikanë u kërkohet t’i transferojnë dokumentet dhe email-et në Arkivën Kombëtare kur lënë detyrën.

Vetë Trump mohon çdo keqpërdorim të dokumenteve dhe insiston se dosjet e klasifikuara që sipas hetuesve u gjetën në Florida, ishin deklasifikuar prej tij.

Sidoqoftë, gjyqtari Bruce Reinhart urdhëroi që dokumenti të publikohet në versionin e tij të redaktuar. Ai tha se prokurorët kishin treguar “arsye bindëse” për të censuruar pjesë të dokumentit, që mund të çojë në zbulimin e identiteteve të dëshmitarëve, oficerëve të agjencive ligjzbatuese, por edhe strategjinë hetimore, drejtimin, qëllimin dhe metodat e saj.

Sot publikohet dokumenti që shpjegon arsyet e kontrollit në rezidencën e Donald Trumpit

 

Ish-presidenti Donald Trump po hetohet nga FBI për spiunazh (Reuters)

VOAL- Sot, e premte, në mesditë (18:00 me orën tonë) pritet publikimi i deklaratës për bastisjen e FBI-së në rezidencën e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Florida. Këtë e kanë raportuar mediat amerikane. Me urdhër të gjyqtarit, Departamenti i Drejtësisë kishte afat deri dje, të enjten e 25 gushtit, të shqyrtonte dokumentin dhe ta dorëzonte atë pjesërisht të censuruar.

Kjo është deklarata nën betim në të cilën shpjegohen arsyet e operacionit të kryer më 8 gusht në vilën e Mar-a-Lago. Një operacion ku u sekuestruan mbi treqind dokumente të klasifikuara. Publikimi i mandatit është kërkuar nga disa gazeta.

Sipas asaj që doli javët e fundit, FBI kishte hyrë në aksion në kërkim të dokumenteve që lidhen me armët bërthamore dhe sigurinë kombëtare. Ish-presidenti po hetohet nga Byroja për spiunazh dhe për fshehje, asgjësim apo heqje dokumentesh të klasifikuara.

Trump kohët e fundit pretendoi se dokumentet publike të sjella nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago u deklasifikuan. Një deklaratë që tetëmbëdhjetë ish-zyrtarë të lartë të administratës së tij e mohuan më vonë, duke e cilësuar atë si “të rreme dhe qesharake”.

Padia ndaj Qeverisë

Për sulmin e FBI-së, ish-presidenti paditi edhe qeverinë amerikane. Dhe ai paraqiti një mocion në Distriktin Jugor të Floridës, duke kërkuar caktimin e një eksperti të pavarur për të ekzaminuar dokumentet e gjetura nga agjentët federalë në shtëpinë e tij.

Pas kontrollit, gjyqtari dhe agjentët e FBI-së u sulmuan gjithashtu nga politikanët republikanë. Udhëheqësi republikan në Dhomë, Kevin McCarthy foli për politizim të armatosur, ndërsa disa deputetëve të krahut të djathtë iu kërkua të shkurtojnë fondet e agjencisë së inteligjencës. Në ditët pas bastisjes u regjistruan edhe episode dhune. rsi-eb

Janusz Bugajski: Rusia përveç Serbisë nuk ka aleatë, ka vetëm  pengje

Ka patur një reagim në Twitter nga Janusz Bugajski, eksperti i njohur i rajonit të Ballkanit, ku shkruan:
“Rusia përveç Serbisë nuk ka aleatë, ka vetëm  pengje”

Ditët vendimtare për marrëveshje, Sekretari Blinken mund t’u telefonojë ose t’i takojë personalisht Kurtin e Vuçiqin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është i gatshëm të përfshihet edhe personalisht në dialogun Kosovë-Serbi nëse është nevoja për të arritur diçka përfundimtare.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, kur u pyet nëse është e mundshme që Blinken të mirëpresë një takim në Washington para 1 shtatorit.

“Nëse e shohim të udhës se angazhimi i Sekretarit përmes telefonit ose personalisht është diçka e domosdoshme për të arritur diçka të tillë në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda”.

Price shtoi se janë duke i përcjellë me vëmendje bisedimet dhe se i mbështesin ato, duke potencuar se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në qendër të rezultatit përfundimtar, raporton Gazeta Express.

“Ne jemi të angazhuar në këtë. Ne kemi qenë thellësisht të angazhuar si vëzhgues në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç thashë javën e kaluar, ne besojmë se bisedimet janë duke vazhduar. Ne jemi duk i parë. Ne po e bëjmë këtë në partneritet me BE-në dhe po inkurajojmë të dyja palët që ta përdorin dialogun në mënyrë efektive. Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi në plotëni për të çuar përpara diskutimet e tyre për normalizim të marrëdhënieve, të përqendruara edhe në njohjen reciproke”.

Ai ka thënë se për të dëshmuar këtë mbështetje për dialogun, SHBA ka dërguar emisarin Escobar në Bruksel dhe ka konfirmuar se ai do të vijë në Prishtinë dhe më pas do të shkojë në Beograd.

“Ai udhëtoi, natyrisht, në Bruksel javën e kaluar dhe së shpejti do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd për të vazhduar mbështetjen tonë për dialogun”.

Escobar dhe Lajçak pritet që sot të arrijnë në Prishtinë dhe pas vizitës këtu do të vazhdojnë për Beograd.

Trump kërkon emërimin e një prokurori neutral për shqyrtimin e dokumenteve të marra në Mar-a-Lago

VOA/Marrë nga Associated Press

Avokatët e ish-presidentit Donald Trump të hënën i kërkuan një gjykatësi federal që të ndalojë shqyrtimin nga FBI-ja të dokumenteve të marra nga shtëpia e tij në Florida në fillim të këtij muaji derisa të mund të emërohet një prokurori të posaçëm neutral.

Avokatët pohuan në një dosje gjyqësore, e para që nga kontrolli i FBI-së në Mar-a-Lago dy javë më parë, se dokumentet e marra nga shtëpia e ish-presidentit Trump “supozohej” të ishin të mbuluara nga privilegji ekzekutiv.

“Kjo çështje ka tërhequr vëmendjen e publikut amerikan. Thjesht masat mbrojtëse ‘adekuate’ nuk janë të pranueshme kur çështja në fjalë përfshin jo vetëm të drejtat kushtetuese të Presidentit Trump, por edhe privilegjin ekzekutiv”, thanë avokatët.

Po të hënën, një gjykatës federal pranoi se redaktimet e një dokumenti të FBI-së që përshkruan bazën për kontrollin dhe marrjen e dokumenteve në shtëpinë e zotit Trump mund të jenë aq të gjera sa ta bëjnë “të pakuptimtë” publikimin e dokumentit. Por ai tha se vazhdon të besojë se dokumenti nuk duhet të mbetet i mbyllur në tërësi për shkak të interesit “të madh” publik për këtë hetim.

Një urdhër me shkrim nga gjykatësi Bruce Reinhart, përsërit në masë të madhe atë që ai tha në gjykatë javën e kaluar, kur ai udhëzoi Departamentin e Drejtësisë të propozonte redaktimet në lidhje me informacionin në dokument që dëshiron të mbetet sekret. Dorëzimi i këtij dokumenti duhet të bëhet të enjten në mesditë.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kanë kërkuar ta mbajnë të gjithë dokumentin të mbylluar, duke thënë se zbulimi i ndonjë pjese të tij rrezikon të komprometojë një hetim penal në vazhdim, zbulimin e informacionit për dëshmitarët dhe zbulimin e teknikave hetimore. Ata e kanë këshilluar gjykatësin se korrigjimet e nevojshme në dokukument do të ishin aq të shumta sa do të zhvishnin dokumentin nga çdo informacion thelbësor dhe do ta bënin efektivisht të pakuptimtë për publikun.

Disa agjenci lajmesh, duke përfshirë Associated Press, i kanë kërkuar gjykatësit të zbardhë të dhënat shtesë të lidhura me kontrollin e këtij muaji në Mar-A-Lago, ku zyrtarët e FBI thanë se gjetën 11 grupe dokumentesh të klasifikuara (sekrete), përfshirë të dhëna tepër sekrete.

Me interes të veçantë është dokumenti, në të cilin bazohet kërkesa për të kontrolluar shtëpinë e zotit Trump, i cili me sa duket përmban detaje kyçe në lidhje me hetimin e Departamentit të Drejtësisë çështjen nëse ish-presidenti Trump ka mbajtur dhe keqpërdorur të dhëna të klasifikuara (sekrete) dhe të ndjeshme të qeverisë. Donald Trump dhe disa nga mbështetësit e tij kanë bërë gjithashtu thirrje që dokumenti të publikohet, duke shpresuar se ai do të ekspozojë atë që ata pretendojnë se ishte tejkalim i përgjegjësive të qeverisë.

Republikania Liz Cheney zotohet të bllokojë rikandidimin e ish Presidentit Trump

VOA/Michelle Quinn

Humbja e ligjvënëses Liz Cheney në zgjedhjet e javës së kaluar brenda partisë republikane në shtetin Uajoming (Wyoming) ka nxitur reagime në të dy krahët e spektrit politik lidhur me hapin e saj të radhës. Republikanes Liz Cheney, një kritike e ashpër e ish-Presidentit Donald Trump, i përfundon mandati në fillim të janarit të vitit që vjen.

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 vazhdon të ketë pasoja edhe sot. Pasi ligjvënësja republikane Liz Cheney, kritike e ish-Presidentit Donald Trump, humbi garën brenda partisë në shtetin Uajoming, ajo tha se po krijonte një organizatë politike për të ndaluar Trump-in dhe ish zyrtarë të tjerë, që ajo i quan “mohues të zgjedhjeve”, që të rizgjidhen për poste publike.

“Nuk kemi asnjë shans për të fituar zgjedhjet nëse ndodhemi në një pozitë ku partia jonë i ka braktisur parimet, vlerat dhe besnikërinë ndaj Kushtetutës, për të përqafuar kultin e një individi. Mendoj se kjo është vërtet e rrezikshme për një sërë arsyesh”, tha ligjvënësja Cheney për rrjetin televiziv ABC.

Zoti Trump, i cili pritet të kandidojë përsëri për president në vitin 2024, mbështeti sfiduesen e zonjës Cheney, Harriet Hageman, e cila fitoi me rreth 30% më shumë vota. Rezultatet e zgjedhjeve shihen si tregues i mbështetjes së thellë që gëzon zoti Trump mes republikanëve.

“Nuk ja dola e vetme. Natyrisht, i jemi shumë mirënjohës Presidentit Trump, i cili e pranon se Uajoming (Wyoming) ka vetëm një përfaqësues në Kongres dhe duhet të sigurohemi që të ketë peshën e vet. Mbështetja e tij e qartë dhe e palëkundur na çoi drejt fitores”, tha në fjalimin e fitores kandidatja republikane për Kongres Harriet Hageman.

Zoti Trump në mënyrë të rreme ka ngritur pretendimin se ai ishte fitues i zgjedhjeve të vitit 2020 dhe jo Presidenti Joe Biden. Zonja Cheney la të kuptohet se po shqyrtonte mundësinë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, një synim jo vetëm për ndaluar zotin Trump që të rizgjidhet sërish.

“Marrja e një vendimi kaq të rëndësishëm dhe serioz do të ishte me synimin për të fituar dhe nëse do të isha kandidatja më e mirë”, tha zonja Cheney.

Një faktor që ndikoi në garën në Uajoming, mund të ketë qënë kontrolli nga FBI-ja i shtëpisë së zotit Trump në Florida lidhur me dokumentet e klasifikuara. Disa republikanë e kanë kritikuar veprimin si tejkalim të pushtetit dhe janë shprehur në mbrojtje të zotit Trump.

“Mendoj se kjo është arsyeja e reagimeve të shumta nga republikanët që i ka bashkuar. Nuk ka rëndësi çfarë mendojnë për Trumpin por janë të bashkuar për këtë çështje sepse u duket e padrejtë”, tha për rrjetit CNN ligjvënësi republikan i Teksasit Dan Crenshaw.

Zonja Cheney nuk pranoi të shprehej nëse do të kandidonte si republikane apo si e pavarur nëse vëndos të hyjë në garën për president.

Zyrtari amerikan: Serbia është kërcënim për paqen në Ballkan, jo Kosova

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie ka thënë se “Serbia përbën kërcënim real për paqen në Ballkan dhe jo Kosova”.

Nëpërmjet një postimi në Twiterr, ai shkruan se NATO duhet ta bëjë punën saj, duke iu referuar kërcënimit potencial të paqes.

Warmongering in the Balkans from Vucic. Make no mistake, Serbia is the real threat to peace here, not Kosovo. #KFOR, the #NATO peacekeeping force, will do its job. This is a well-written story that does not “both sides” the situation. https://t.co/Hlmt8RvPun

— Amb Greg Delawie (@GregDelawie) August 22, 2022

“Luftënxitës në Ballkan nga Vuçiç. Mos gaboni, Serbia është kërcënimi real për paqen këtu, jo Kosova. KFOR, forca paqeruajtëse e NATO-s, do të bëjë punën e saj. Kjo është një histori e shkruar mire”, ka shkruar ai.

Të dielën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmes një adresimi ka thënë se “nëse NATO s’i mbron serbët atëherë këtë do ta bëjë Serbia”.

Kjo deklaratë ka ngjallur shqetësime dhe reagime në arenën ndërkombëtare./dita

 

DASH: SHBA do të mbështesë çdo qeverisje demokratike, pro-perëndimore në Mal të Zi

Milena Durdic

Departamenti amerikan i Shtetit tha se vota për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi, përbënte demokraci parlamentare në veprim, përmes së cilës populli i Malit të Zi mban qeverinë përgjegjëse nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur.

Komenti ishte në përgjigje të një kërkese të Zërit të Amerikës për një koment lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazovic.

“Shtetet e Bashkuara presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat ligjore ose për formimin e shpejtë të një qeverie të re në shërbim të vendit, ose për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike, e cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e rolit në NATO, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar, dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës”, vazhdon reagimi.

Në përgjigje të pyetjes së shërbimit serb të Zërit të Amerikës, nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin përfshirjen e partisë pro-ruse Fronti Demokratik, në një qeveri të re, zëdhënësi rikonfirmoi qëndrimin ndaj kësaj force.

“Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane, përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE”, tha zëdhënësi.

Ish-Presidenti Trump iu bashkohet figurave botërore që janë përballur me mundësinë e akuzave penale

VOA/Cindy Saine

Ekspertët thonë se kontrolli i FBI-së në Mar-a-Lago dhe bërja publike e urdhërit për këtë kontroll, e përqëndrojnë më tej vëmendjen tek ish-Presidenti Donald Trump si subjekt i mundshëm i një hetimi penal për marrjen nga Shtëpia e Bardhë të dokumentave sekrete dhe mbajtjen e tyre diku tjetër. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar tashmë vendeve të tjera demokratike që kanë hetuar një ish-udhëheqës të vendit.

Një gjykatës federal në West Palm Beach të Floridas, tha këtë javë se mund të lejojë bërjen publike të disa të dhënave të përdorura nga Departamenti i Drejtësisë për të kërkuar urdhrin për kontrollin në rezidencën e ish-Presidentit Trump, si pjesë e një hetimi për zhvendosjen e dokumentave nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago.

Ndër veprat penale që po hetohen është “mbajtja e qëllimshme e informacionit të mbrojtjes kombëtare”. Një eksperte që ka punuar si diplomate amerikane për gati 40 vjet thotë se është e alarmuar nga rreziku që krijohet për sigurinë kombëtare nëpërmjet marrjes së dokumentave të klasifikuara.

“Nuk dimë ende se cilat janë dokumentat. Unë kam patur për 26 vite çertifikatë sigurie për nivelin tepër sekret dhe për shumicën e këtyre viteve kam patur edhe çertifikatën për informacion të posaçëm të klasifikuar. Nuk është thjesht fakti që ai u largua nga Shtëpia e Bardhë duke i marrë këto dokumente në Mar-a-Lago, por se ato mund të jenë lexuar nga persona të tjerë”, thotë Cecile Shea, nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale.

Ish-Presidenti Trump mohon të ketë bërë ndonjë shkelje, dhe mbështetësit e tij shprehen të revoltuar nga kontrolli që FBI-ja bëri në Mar-a-Lago. Disa zyrtarë republikanë janë shprehur se hetimi i bën Shtetet e Bashkuara t’i ngjasojnë një “republike bananesh”.

Por një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës se vendet demokratike në mbarë botën kanë hetuar, dhe në disa raste kanë dënuar me burg ish-presidentë dhe ish-kryeministra, pa shkaktuar reagime të mëdha.

“Ka patur cikle hetimesh në Amerikën Latine për shembull, në Brazil ndaj disa ish-presidentëve, apo ndaj Nicholas Sarkozy-së në Francë, Jacob Zumas në Afrikën e Jugut dhe Benjamin Netanyahut në Izrael”, thotë James Long, profesor i asociuar për shkencat politike në Universitetin e Uashingtonit.

Por zoti Long gjithashtu vë në dukje se nëse do të ngriheshin akuza ndaj ish-Presidentit Trump, kjo do të ishte hera e parë për Amerikën.

“Ky është vërtet një terren i panjohur për Shtetet e Bashkuara. Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara u përballën me këtë çështje ishte pas Watergate-it, me Richard Nixon-in. Dhe në atë kohë, Presidenti i atëhershëm Ford vendosi t’i japë amnisti Nixon-it, me idenë për të lëvizur përpara dhe për ta shëruar kombin”, thotë zoti Long.

Ndikimi i vazhdueshëm i ish-Presidentit Trump në Partinë Republikane dhe klima e polarizuar politike i bën Shtetet e Bashkuara të dallojnë nga vendet e tjera, thotë një tjetër ekspert.

“Kemi një ish-president që kontrollon partinë politike që shërben si njëra prej dy forumeve kryesore të debatit politik, të elitave politike të vendit tonë, që janë të ndërlidhura me individin ndaj të cilit ka gjasa të ngrihen akuza. Në të njëjtën kohë kemi një revoltim, kemi një problem me armët që nuk e ka Koreja e Jugut, që nuk e ka Franca, që nuk e ka Izraeli”, thotë Aaron David Miller, nga Fondacioni Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Presidenti demokrat Joe Biden mësoi për kontrollin e FBI-së në Mar-a-Lago nëpërmjet njoftimeve në media, dhe se Departamenti i Drejtësisë bën hetime në mënyrë të pavarur.

Tetëmbëdhjetë ish-zyrtarë të lartë të administratës së tij përgënjeshtrojnë Trumpin

VOAL- Tetëmbëdhjetë ish-zyrtarë të lartë të administratës Trump mohuan pretendimin e këtij të fundit se dokumentet publike të sjella nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago ishin deklasifikuar, duke e cilësuar atë si “të rremë” dhe “qesharake”.

“Asgjë që i afrohet një urdhri kaq të marrë nuk është dhënë kurrë,” tha John Kelly, ish-shefi i shtabit të Trump për 17 muaj nga 2017 deri në 2019. “Dhe nuk mund ta imagjinoj askënd që ka punuar në Shtëpinë e Bardhë pas kësaj. mua që përballë një urdhri të tillë ka dhe ka dërguar kërkesën”, theksoi ai.

“Kjo është absurditet total. Nëse është e vërtetë, ku është urdhri me firmën tuaj?” – tha një zyrtar tjetër i lartë.

Donald Trump dyshohet nga FBI për “vjedhje vullnetare të dokumenteve të sigurisë kombëtare të SHBA”, për “fshehje ose vjedhje të dokumenteve publike” dhe për “pengim të një hetimi federal”. Dokumentet procedurale të lidhura me kontrollin e kryer nga detektivët federalë në rezidencën e tij në Mar-a-Lago e zbulojnë këtë, sipas CNN. Të njëjtat u zbuluan dje, të enjten, nga gjyqtari Bruce Reinhart. rsi-eb

 

Gjykatësi amerikan thotë se mund të deklasifikojë disa prova për kontrollin në shtëpinë e zotit Trump

VOA/Marrë nga Reuters

Një gjykatë shqyrtoi të enjten nëse do të bënte publike të dhënat që përmbajnë prova të paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për të justifikuar kontrollin në shtëpinë e presidentit Donald Trump në Florida javën e kaluar, një rast ky që i vendos mediat përballë prokurorëve federalë.

Mediat po përpiqen të bindin një gjykatës federal se publiku ka të drejtën të njihet me provat që janë përdorur për të siguruar miratimin e gjykatës për kontrollin në rezidencën Mar-a-Lago të ish-presidentit.

Por Departamenti i Drejtësisë e ka kundërshtuar zbulimin e dokumentit që përmban prova, të cilat u dhanë hetuesve arsye të mundshme për të besuar se ishin kryer krime në shtëpinë e zotit Trump në Palm Beach të Floridas.

Jay Bratt, kreu i seksionit të kundërzbulimit të departamentit, i tha gjykatësit të enjten se zbulimi i dokumentit nuk është në interesin publik sepse mund të dëmtojë hetimin që po vazhdon.

“Ekziston një tjetër interes publik që rrezikohet dhe ky është interesi publik që hetimet penale të mund të ecin përpara pa pengesa”, tha ai.

Kontrolli ishte pjesë e një hetimi federal nëse zoti Trump mori ilegalisht dokumentet kur u largua nga detyra në janar të vitit 2021 pasi humbi zgjedhjet presidenciale nga demokrati Joe Biden.

Departamenti i Drejtësisë po heton shkeljet e tre ligjeve, duke përfshirë një dispozitë në Ligjin e Spiunazhit që ndalon mbajtjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe një statut tjetër që e bën krim shkatërrimin, fshehjen ose falsifikimin me vetëdije të të dhënave me qëllimin për të penguar një hetim.

Avokatët e disa mediave, duke përfshirë “The New York Times”, botuesin e “Wall Street Journal”, “ABC News” dhe “NBC News” i kërkuan gjykatësit, Bruce Reinhart të enjten që të zbulojë dokumentin në fjalë dhe materiale të tjera që janë dorëzuar në gjykatë, duke thënë se e drejta e publikut të dihet dhe rëndësia historike e kërkimit tejkalon çdo argument për të mbajtur të dhënat e mbyllura.

“Publiku nuk mund të kishte një interes më bindës për të siguruar transparencë maksimale mbi këtë ngjarje,” tha Charles Tobin, një nga avokatët që argumenton për mediat.

Zoti Trump në deklaratat në rrjetet sociale i ka bërë thirrje gjykatës që të zbulojë versionin e pa redaktuar të dokumentit “në interes të transparencës.”

Por, asnjë nga avokatët e zotit Trump nuk ka bërë mocion për t’i kërkuar gjykatës federale të West Palm Beach, ta bëjë këtë. Avokatja e tij, Christina Bobb, megjithatë, ishte e pranishme në sallën e gjyqit të enjten për të vëzhguar procedurat.

Presidenti Trump thotë se kërkimi ishte i motivuar politikisht. Ai gjithashtu ka thënë, pa dhënë prova, se e kishte të gatshëm urdhrin për deklasifikimin e dokumenteve në fjalë për çka edhe u bë kontrolli në shtëpinë e tij.

Megjithatë, asnjë nga tre ligjet e cituara nga Departamenti i Drejtësisë në urdhrin e kërkimit nuk kërkon të konfirmojë se dokumentet e marra ishin sekrete.

Kërcënimet e drejtuara ndaj agjentëve të FBI-së janë shtuar që nga kontrolli.

Në shtetin amerikan, Ohio javën e kaluar, policia qëlloi për vdekje një burrë të armatosur pasi ai u përpoq të depërtonte në një ndërtesë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI). Një tjetër person në shtetin, Pensilvania, ndërkohë, është akuzuar për kërcënime kundër agjentëve të FBI-së.

Zoti Bratt tha të enjten se dy agjentët, emrat e të cilëve u shfaqën në një kopje të urdhërit për kontroll që kishte rrjedhur në media, kanë marrë gjithashtu kërcënime.

Ai gjithashtu tha se departamenti “është shumë i shqetësuar për sigurinë e dëshmitarëve në këtë rast”.

Retorika e zotit Trump kundër FBI-së është dëgjuar nga votuesit republikanë, 54% e të cilëve thonë se zyrtarët federalë të zbatimit të ligjit u sollën në mënyrë të papërgjegjshme në këtë rast, sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos këtë javë.

Kontrolli në Mar-a-Lago shënoi një përshkallëzim të rëndësishëm në një nga hetimet e shumta federale dhe shtetërore me të cilat përballet zoti Trump që nga koha e tij në detyrë si president dhe si udhëheqës i biznesit të tij privat.

Ish-presidenti republikan ka sugjeruar se mund të kandidojë sërish për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, por këtë nuk e ka zyrtarizuar ende.

Javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland ndërmori hapin e pazakontë duke e zbuluar urdhrin për kontroll, dy dokumente shtesë dhe një version të redaktuar të listës që tregon sendet që FBI mori gjatë kontrollit të saj më 8 gusht.

Të dhënat treguan se FBI-ja sekuestroi kuti që përmbanin 11 grupe materialesh të klasifikuara, disa prej të cilave kishin vulën “tepër sekret” që përbënë nivelin më të lartë të klasifikimit i rezervuar për informacionet më të rëndësishme për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Dokumentet e tilla zakonisht mbahen në objekte të posaçme qeveritare sepse zbulimi mund të shkaktojë dëme të rënda për sigurinë kombëtare.

Në fillim të kësaj jave, Departamenti i Drejtësisë tha se ishte i hapur për të nxjerrë disa materiale shtesë të redaktuara nga urdhri, të tilla si fletët e kopertinës, mocioni i qeverisë për të mbyllur këto dokumente dhe urdhri i gjykatës për të kryer mbylljen e dokumenteve.

Edhe mediat kanë kërkuar që të zbardhen edhe ato dokumente.

Gjyqtari i rastit, Reinhart e tha në fillim të seancës të së enjtes se do t’i zhbllokonte ato pjesë të tjera të dokumenteve me disa redaktime.

Janusz Bugajski: Jepini Beogradit afatin 1 shtator për njohjen reciproke

Pas deklarimit të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se nuk është arritur ndonjë marrëveshje në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka patur një reagim në Twitter nga Janusz Bugajski, eksperti i njohur i rajonit të Ballkanit:

Janusz Bugajski: “Jepini Beogradit afatin 1 shtator për njohjen reciproke ose mohojini Serbisë fondet e taksapaguesve të BE-së.

Njohja reciproke duhet të rezultojë gjithashtu në rritjen e fondeve të BE-së për të dy shtetet pasi do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit.”

 

Zyrtari kryesor financiar i kompanisë së Donald Trumpit, pranon fajësinë për mospagim taksash

VOA/Marrë nga Associated Press

NJU JORK (AP) – Zyrtari kryesor financiar i kompanisë së Donald Trumpit, Allen Weisselberg, pranoi sot fajësinë për shkelje që lidhen me mospagim taksash. Pranimi i fajësisë ishte në kuadër të një marrëveshjeje që ai arriti me prokurorët, në bazë të së cilës, ai duhet të dëshmojë për praktikat e paligjshme të biznesit në Organizatën Trump, thanë për agjencinë Associated Press dy burime në dijeni me këtë çështje.

Zoti Weisselberg është akuzuar për pranimin e më shumë se 1.7 milionë dollarëve në formë kompensimi nga kompania e ish presidentit, por që nuk është pasqyruar në deklarimet e tij për taksat për vite të tëra. Përfitimet përfshijnë pagesën për qiranë e shtëpisë, pagesat për makinave si dhe për koston e shkollës private të nipërve e mbesave.

Në bazë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, zoti Weisselberg do të fliste sot në gjykatë për rolin e kompanisë në marrëveshjen e pretenduar të kompensimit, si dhe ndoshta ai do të dalë si dëshmitar kur Organizata Trump të dalë në gjyq në tetor për akuza penale, thanë burimet.

Dy personat, që nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për rastin, komentuan në kushte anonimiteti.

Zoti Weisselberg, 75 vjeç, ka të ngjarë të marrë një dënim prej pesë muajsh heqje lirie, në kompleksin famëkeq Rikers Island të Nju Jorkut dhe mund t’i kërkohet të paguajë rreth 2 milionë dollarë dëmshpërblim, përfshirë taksat, gjobat dhe interesat. Nëse ky dënim qëndron, zoti Weisselberg do të kualifikohej për lirim pas rreth 100 ditësh.

Zoti Weisselberg është i vetmi person që përballet me akuza penale deri më tani në hetimin e gjatë të prokururisë së qarkut të Manhatanit për praktikat e biznesit të kompanisë së ish presidentit Trump.

I parë si një nga bashkëpunëtorët më besnikë të biznesit të Trumpit, zoti Weisselberg u arrestua në korrik të vitit 2021. Avokatët e tij kanë argumentuar se zyra e prokurorit të qarkut të udhëhequr nga demokratët, po e ndëshkonte atë sepse ai nuk do të ofronte informacione, që do të dëmtonin zoti Trump.

Prokurori i qarkut gjithashtu po heton për një çështje tjetër, nëse zoti Trump, ose kompania e tij, kanë gënjyer bankat ose qeverinë, duke zmadhuar vlerën e pronave për të marrë kredi, ose për të ulur pagesën e taksave.

Prokurori i atëhershëm i qarkut Cyrus Vance Jr., i cili filloi hetimin vitin e kaluar, i udhëzoi zëvendësit e tij që të paraqesin prova para një jurie të madhe dhe të kërkojnë një aktakuzë ndaj zotit Trump, sipas ish-prokurorit Mark Pomerantz, i cili i kishte drejtuar hetimet më parë.

Por pasi prokurori Vance u largua nga detyra, pasardhësi i tij, Alvin Bragg, lejoi që juria e madhe të shpërbëhej pa ngritur akuza. Të dy prokurorët janë demokratë. Zoti Bragg ka thënë se hetimet janë duke vazhduar.

Organizata Trump nuk është e përfshirë në pranimin e fajësisë nga zoti Weisselberg. Ajo pritet të dalë në gjyq për skemën e pretenduar të kompensimit në tetor.

Prokurorët pretendojnë se kompania u dha përfitime të pataksuara drejtuesve të lartë, përfshirë zotin Weisselberg, për 15 vjet. Vetëm zoti Weisselberg u akuzua se kishte mashtruar qeverinë federale, shtetin dhe qytetin me më shumë se 900,000 dollarë taksa të papaguara dhe rimbursime të pamerituara të taksave.

Sipas ligjit të shtetit, dënimi për akuzën më të rëndë kundër zotit Weisselberg, vjedhje të një shume të madhe, mund të shkonte deri në 15 vjet burg. Por akuza nuk mbart asnjë minimum të detyrueshëm dhe shumica e shkelësve për herë të parë për çështje të lidhura me taksat nuk përfundojnë kurrë pas hekurave.

Akuzat për mashtrim tatimor kundër Organizatës Trump dënohen me një gjobë sa dyfishi i shumës së taksave të papaguara, ose 250,000 dollarë, cilado qoftë shifra më e lartë.

Ndaj vetë zotit Trump nuk janë ngritur akuza. Ai i ka dënuar hetimet e Nju Jorkut si një “gjueti politike shtrigash”, dhe ka thënë se veprimet e kompanisë së tij janë një praktikë standarde në biznesin e pasurive të paluajtshme dhe në asnjë mënyrë një krim.

Javën e kaluar, zoti Trump u thirr për të dëshmuar në kuadër të një çështjeje civile ndaj tij, që po heton Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James, nën akuzat se kompania e tij ka mashtruar huadhënësit dhe autoritetet tatimore për vlerat e pasurive. Zoti Trump përdori të drejtën që i garanton Amendamenti i Pestë i Kushtetutës, duke mos iu përgjigjur asnjë prej të 400 pyetjeve.

Mike Pence, thirrje republikanëve të ndalojnë sulmet ndaj FBI-së

VOA/Marrë nga Associated Press

Ish-nënpresidenti Mike Pence po u kërkon republikanëve që të ndalojnë sulmet ndaj FBI-së pas kontrollit që ajo kreu në shtëpinë e Donald Trumpit në Florida.

Zoti Pence po denoncon thirrjet e disa prej aleatëve të ish-presidentit për të mos financuar FBI-në, duke thënë se kjo është “po aq e gabuar” sa një thirrje e aktivistëve demokratë për të mos financuar policinë.

Zoti Pence tha gjithashtu se do ta “shqyrtonte rastin” nëse i kërkohet të dëshmojë para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton trazirat e 6 janarit 2021.

Thirrjet e zotit Pence për përmbajtje vijnë pasi zyrtarët e zbatimit të ligjit paralajmërojnë për një numër në rritje të kërcënimeve të dhunshme ndaj agjentëve federalë dhe objekteve qeveritare, që kur agjentët kontrolluan javën e kaluar banesën e zotit Trump në Mar-a-Lago.

Duke folur në Nju Hemshër, zoti Pence u pyet se çfarë i shkoi në mendje kur dëgjoi për kontrollin e FBI-së në shtëpinë e zotit Trump. Ish nënpresidenti Pence, i cili ashtu si zoti Trump po shqyrton mundësinë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, tha se ishte i shqetësuar nga ai që ai e quajti politizim të FBI-së. Ai tha gjithashtu se Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland duhet të jenë më transparentë në lidhje me atë që i shtyu autoritetet të kryenin kontrollin.

Por ish-nënpresidenti kishte gjithashtu një mesazh për partinë republikane.

“Dua t’u kujtoj kolegëve të mi republikanë, se mund ta mbajmë përgjegjës prokurorin e përgjithshëm për vendimin që ai mori, pa sulmuar personelin e forcave të zbatimit të ligjit në FBI”.

“Partia Republikane është partia e rendit dhe ligjit”, vazhdoi më tej zoti Pence. “Partia jonë është me burrat dhe gratë që qëndrojnë në pozita delikate në nivel federal, shtetëror dhe lokal dhe këto sulme ndaj FBI-së duhet të ndalen. Thirrjet për të ndaluar financimin e FBI-së janë po aq të gabuara sa edhe thirrjet për të shkurtuar fondet për policinë.”

Autoritetet federale dhe vëzhgues privatë të ekstremizmit kanë paralajmëruar se një numër në rritje i mbështetësve të flaktë të zotit Trump duket se janë të gatshëm të kundërpërgjigjen ndaj FBI-së ose të tjerëve që, sipas tyre, po shkojnë shumë larg në hetimin e ish-presidentit.

Në Ohajo, një burrë i veshur me anti-plumb dhe i armatosur, u qëllua dhe u vra, pasi u përpoq të hynte në zyrën e FBI-së në Cincinati. Në Pensilvani, një burrë u arrestua pasi postoi kërcënime me vdekje ndaj agjentëve në mediat sociale.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka thënë se kërcënimet ndaj agjentëve dhe Departamentit të Drejtësisë janë “për të ardhur keq dhe të rrezikshme”. FBI-ja ka paralajmëruar agjentët e saj që të marrin masa paraprake, duke përmendur një rritje të kërcënimeve në mediat sociale ndaj personelit dhe objekteve të byrosë. Disa ligjvënës republikanë dhe të tjerë po kërkojnë që FBI-ja të shpërbëhet dhe të mos financohet.

Zoti Pence, i cili është përpjekur të distancohet nga ish-shefi i tij, i parapriu pyetjes duke thënë: “Dihet mjaft mirë se presidenti Trump dhe unë kemi pasur mosmarrëveshjet tona”. Megjithatë, zoti Pence ka qenë i kujdesshëm të përmendë shpesh arritjet e “administratës Trump-Pence”, duke shpresuar se ai mund t’u bëjë thirrje votuesve që mund të kenë mbështetur politikat e Trumpit, por jo sjelljen e tij.

Rrugët e tyre ndanë më 6 janar 2021, kur një turmë mbështetësish të zemëruar të zotit Trump sulmuan Kapitolin në një përpjekje për të ndaluar çertifikimin zyrtar në Kongres të fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Joe Biden. Donald Trumpi denoncoi nënpresidentin e tij për refuzimin për të kundërshtuar, ose vonuar çertifikimin – diçka që zoti Pence nuk kishte fuqi ligjore ta bënte.

Zoti Pence më parë kishte refuzuar të thoshte nëse ai do të angazhohej me komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton mbi sulmin e 6 janarit nëse komisioni do t’i kërkonte të jepte dëshminë e tij. Të mërkurën, ai tha se do ta merrte në konsideratë këtë kërkesë.

“Do të ishte e paprecedentë në histori, që një nënpresident të thirret për të dëshmuar në Kongres, por siç thashë, nuk dua të paragjykoj,” tha ai. “Nëse do të më bëhej ftesë zyrtare, do ta konsiderojë atë”.

Biden nënshkruan ligjin mbi klimën, kujdesin shëndetësor, taksat dhe inflacionin

RFE/RL

Presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi të enjten më 16 gusht një projektligj prej rreth 740 miliardë dollarësh që synon të luftojë ndryshimet klimatike, të rrisë taksat mbi korporatat e mëdha dhe të zgjerojë mbulimin për kujdesin shëndetësor.

Projektligji, i quajtur “Akti i Reduktimit të Inflacionit”, është një arritje e madhe legjislative për demokratët ku përfshihet paketa më e madhe klimatike në historinë e SHBA-së dhe bëhet menjëherë një nga elementët kyç të presidencës së tij dyvjeçare.

Ajo kaloi në votim si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senatin javën e kaluar me mbështetjen e çdo demokrati por të asnjë republikani.

Në këtë paketë përfshihen masa të dizajnuara për të mbështetur alternativat e energjisë me emetim të ulët dhe për të ulur emetimet e gazrave serrë, si dhe për të ulur çmimet e barnave me recetë dhe për të rritur taksat ndaj korporatave dhe të pasurve.

Legjislacioni do të mbledhë rreth 700 miliardë dollarë nëpërmjet rritjes së taksave të korporatave dhe kursimeve të barnave me recetë, dhe do të shpenzojë rreth 400 miliardë dollarë për energjinë e pastër dhe dispozitat e kujdesit shëndetësor.

Biden u kthye shkurtimisht nga pushimet për të nënshkruar projektligjin, i cili u miratua sipas linjave partiake pa asnjë mbështetje nga republikanët e opozitës.

“Ky projekt-ligj është hapi më i madh përpara për të luftuar ndryshimet klimatike,” tha ai në një ceremoni nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë.

Kritikët republikanë kanë sulmuar shumë elementë të projektligjit, duke pohuar se shpenzimet e tij do të përshpejtojnë inflacionin në vend që ta frenojnë atë.

Ekspertët, shqetësime për sfidat e sigurisë në rezidencën e ish-Presidentit Trump

VOA/Marrë nga Reuters

Konfiskimi i dokumenteve të klasifikuara të qeverisë amerikane nga rezidenca Mar-a-Lago e ish-Presidentit Donald Trump ka nxjerrë në pah shqetësimet e vazhdueshme të sigurisë kombëtare të paraqitura nga ish-presidenti dhe shtëpia të cilën ai e quante “Shtëpia e Bardhë e Dimërore”, thonë disa ekspertë të sigurisë.

Zoti Trump po hetohet nga organet federale të rendit lidhur me mundësinë e shkeljes së ligjit të spiunazhit, i cili e bën të paligjshëm spiunimin për një vend tjetër ose keqpërdorimin e të dhënave të mbrojtjes së SHBA-së, përfshirë ndarjen e informacioneve me njerëz që nuk janë të autorizuar, thuhet në urdhërin e gjykatës për kontrollin e shtëpisë së ish-presidentit.

Kur shërbeu në Shtëpinë e Bardhë, në disa raste Presidenti Trump ndau informacione, pavarërisht sa sensitive ishin ato. Në fillim të mandatit, ai i dha spontanisht të dhëna shumë sekrete kryediplomatit rus, ndërsa ishte në Zyrën Ovale, lidhur me planet e Shtetit Islamik, thanë zyrtarët amerikanë në atë kohë.

Por rrezikun më të madh për organet amerikane të zbulimit e paraqiste rezidenca e zotit Trump në Mar-a-Lago ku kishte shumë të ftuar të rëndësishëm dhe organizoheshin darka për mbledhje fondesh në oborrin dhe verandën përkarshi valëve të detit.

Kur zoti Trump ishte president, Shërbimi Sekret tha se nuk përcaktonte se kujt i jepet qasje në rezidencën Mar-a-Lago por vetëm bën kontrolle fizike për t’u siguruar që askush nuk sjell sende të ndaluara dhe zhvillon kontrolle të mëtejshme për të ftuarit që ndodhen afër presidentit dhe figurave të tjera të larta.

Urdhri i Departamentit të Drejtësisë për kontrollin e rezidencës së ish-presidentit ngre shqetësime për sigurinë kombëtare, tha ish-zyrtarja e drejtësisë, Mary McCord.

“Duket qartë se ata menduan se ishte shumë serioze që këto materiale të ktheheshin në një vend të sigurt”, tha zonja McCord. “Mbajtja e dokumentave tejet sekrete në vend të papërshtatshëm, duke patur parasysh rezidencën, vizitorët e huaj atje dhe të tjerë që mund të kenë lidhje me qeveritë dhe agjentët e huaj, përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare”.

Përmes një deklarate në median e tij sociale, zoti Trump tha se dosjet ishin “të gjitha të deklasifikuara” dhe të vendosura në “vend të sigurt”.

Zonja McCord tha se ajo nuk kishte parë asjnë “argument të besueshëm se ai kishte marrë një vendim të vetëdijshëm për secilën prej tyre (dosjeve) për t’i deklasifikuar para se të largohej”. Pas largimit nga detyra, tha ajo, ai nuk kishte autoritetin për t’i deklasifikuar dosjet. Departamenti i Drejtësisë nuk ka dhënë detaje se si dhe ku janë ruajtur dosjet dhe fotot, por dobësitë e rezidencës janë dokumentuar mirë.

Një shembull i profilit të lartë është edhe rasti i vitit 2017, kur zoti Trump shtroi një darkë me kryeministrin e atëhershëm të Japonisë, Shinzo Abe, në mjediset e jashtme, ndërsa të ftuarit qëndronin pranë duke dëgjuar dhe bërë foto të postuara më vonë në rrjetin Twitter.

Darka u ndërpre nga një provë me raketë nga Koreja e Veriut. Të ftuarit dëgjonin ndërsa zoti Trump dhe zoti Abe diskutonin lidhur me reagimin e tyre ndaj situatës. Pas publikimit të deklaratës, zoti Trump ndaloi tek një dasëm që organizohej në klubin e rezidencës.

Donald Trump nën hetim për spiunazh

VOAL- Donald Trump po hetohet nga FBI për spiunazh. Kjo u zbulua nga faqja Politico pas shikimit të urdhrit të kontrollit të rezidencës së ish-presidentit në Florida dhe lajmi u konfirmua më vonë nga media të tjera pasi Trump dhe avokatët e tij i dhanë dritën jeshile publikimit të urdhrit të kontrollit të rezidencës së tij në Mars. -a-Lago.

Ndaj ish-presidenti është nën hetim për shkelje të ligjit të spiunazhit, ligjit për spiunazhin, por edhe për “pengim hetimi” dhe “heqje apo asgjësim të dokumenteve zyrtare”. Krime të rënda që përfshijnë disa vite burg ose dënim.

Përgjigja e Trumpit

“Numri një, gjithçka ishte e deklasifikuar. Numri dy, ata nuk kishin nevojë të ‘kapnin’ asgjë. Mund ta kishin marrë sa herë të donin pa u përfshirë në politikë dhe pa u futur në Mar-a-Lago.” Kështu shkruan në llogarinë e tij në Truth Social Donald Trump për dokumentet e marra nga agjentët e FBI-së gjatë kontrollit në Florida. “Ata ishin në një vend të sigurt, me një bllokues shtesë të vendosur pasi më kërkuan,” shtoi ai. sda-eb

Trump: Dokumentet e marra nga FBI ishin të gjitha të deklasifikuara

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi pas disa raportimeve se FBI ka gjetur në shtëpinë e tij dokumente të klasifikuara.

Në një postim në Truth Social, presidenti tha se të gjitha dokumentet e marra nga FBI janë të deklasifikuara.

“Së pari, të gjitha ishin të deklasifikuara. Së dyti, ata nuk kishin nevojë të ‘sekuestronin’ asgjë. Ata mund t’i kishin pasur sa herë donin, pa luajtur politikë dhe pa u futur në Mar-a-Lago. Ishin në një magazinë të sigurt, me një bravë shtesë të vendosur sipas kërkesës së tyre”.

“Problemi më i madh është se çfarë do të bëjnë ata me 33 milionë faqet e dokumenteve, shumica të klasifikuara, që presidenti Obama mori në Çikago”.

Si reagim, Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrave dha në një deklaratë për shtyp se ish-presidenti Obama nuk ka kontroll mbi të dhënat presidenciale nga administrata e tij.

Kurse gjykata federale e Floridës ka zbardhur arsyet e bastisjes së shtëpisë së ish-presidentit amerikan Donald Trump nga ana e agjentëve të FBI-së.

Trump po hetohet për tre akuza, ku më e rënda është një shkelje e ‘Espionage Act’, praktikisht një akuzë për spiunazh, por edhe për mbajtje ilegale të dokumenteve qeveritare si dhe për tentativë për të penguar hetimet.

Gjatë kontrolleve në shtëpinë që politikani miliarder ka në Mar-a-Lago të Floridës, FBI ka sekuestruar 20 kuti me dokumente të ndryshme.   syri.net

SHBA – ‘Agjentët të kontrollojnë zyrën 45’- Zbulohet urdhri i FBI që bastisi vilën e Trump në Florida

Agjentët e FBI sekuestruan materiale të klasifikuara në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago të Florida, gjatë bastisjes së saj të paprecedentë ditën e hënë, duke përfshirë disa të dhëna të shënuara si top sekret, sipas dokumenteve që ka parë Fox News. 

Ish-presidenti Trump kundërshton klasifikimin, duke thënë se të dhënat janë të deklasifikuara.

Sipas urdhrit që ka parë Fox News të premten, gjykatësi amerikan Bruce Reinhart nënshkroi urdhrin më 5 gusht, duke i dhënë autoritetin FBI të kryejë kërkimin e tij “më ose përpara datës 19 gusht 2022” dhe “në orën 6:00 të ditës, deri në orën 10:00”.

Urdhri u vulos zyrtarisht të premten pasdite nga Reinhart.

“Vendndodhjet që do të kontrollohen përfshijnë ‘zyrën 45’, të gjitha dhomat e mbledhjeve dhe dhomat ose zonat e tjera brenda ambienteve të përdorura nga stafi i Trump ku mund të ruhen kutitë ose dokumentet“, thuhet në urdhër.

Sipas Fox News, agjentët e FBI kanë marrë katër dosje me dokumente tepër sekrete, tre grupe dokumentesh sekrete dhe tre dosje me dokumente konfidenciale.

Në procesverbal nuk bëhen publike detaje në lidhje me përmbajtjen e tyre.

Nga ana tjetër, ish-presidenti dhe ekipi i tij, megjithatë, po kundërshtojnë klasifikimin dhe besojnë se informacioni dhe të dhënat janë deklasifikuar.  syri.net

FBI konfiskoi dokumenta “tepër sekrete” nga shtëpia e ish-presidentit Trump në Florida

VOA/Marrë nga Associated Press

FBI-ja gjeti dokumente të klasifikuara “tepër sekret” nga rezidenca e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago në Florida, sipas dokumenteve të gjykatës të lëshuara të premten pasi një gjykatës federal bëri publik përmbajtjen e urdhrit që autorizonte kontrollin e paprecedentë këtë javë.

Një listë e bërë publike nga gjykata tregon se agjentët e FBI-së morën gjatë kontrollit të hënën 11 dosje të dhënash të klasifikuara sekret nga Mar-a-Lago.

Të dhënat e sekuestruara përfshijnë disa dokumente të etiketuara jo vetëm si tepër sekrete, por edhe të një kategorie të veçantë që përcaktohet për të mbrojtur sekretet më të rëndësishme të vendit që nëse zbulohen publikisht mund të shkaktojnë dëme “jashtëzakonisht të rënda” për interesat e SHBA-së.

Procesverbalet e gjykatës nuk jepnin detaje konkrete në lidhje me informacionin që mund të përmbajnë dokumentet.

Sipas urdhrit, agjentët federalë po hetonin shkelje të mundshme të tre ligjeve të ndryshme federale, përfshirë atë që rregullon mbledhjen, transmetimin ose humbjen e informacionit të mbrojtjes sipas Aktit për Spiunazhin. Ligjet e tjera parashikojnë masat për fshehjen, dëmtimin ose zhvendosjen e të dhënave, si edhe shkatërrimin, ndryshimin ose falsifikimin e të dhënave në hetimet federale.

Lista e objekteve tregon gjithashtu se agjentët federalë kanë mbledhur të dhëna të tjera të mundshme presidenciale, përfshirë urdhrin për faljen presifenciale të aleatit të zotit Trump, Roger Stone, një “kuti prej lëkurë me dokumenta ” dhe informacione për “Presidentin e Francës”.
Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithashtu një dosje me fotografi, një shënim me dorë, “dokumente të ndryshme sekrete” dhe “dokumente të ndryshme konfidenciale”.

Avokatja e zotit Trump, Christina Bobb, e cila ishte e pranishme në Mar-a-Lago kur agjentët kryen kontrollin, nënshkroi dy dokumenta me listën e objekteve, njëra ishte dy faqe dhe tjetra një faqe.

Në një deklaratë më herët të premten, ish-presidenti Trump tha se dokumentet e sekuestruara nga agjentët ishin “të gjitha të deklasifikuara” dhe argumentoi se ai do t’i kishte dorëzuar ato vetë nëse Departamenti i Drejtësisë do t’i kishte kërkuar.

Megjithëse presidentët në detyrë në përgjithësi kanë autoritetin të deklasifikojnë informacion, ky autoritet skadon sapo largohen nga detyra dhe nuk është e qartë nëse dokumentet në fjalë janë deklasifikuar.

Madje edhe kompetencat e një presidenti në detyrë për të deklasifikuar mund të jenë të kufizuara kur bëhet fjalë për sekrete të lidhura me programet e armëve bërthamore, operacione të fshehta dhe operativë, dhe disa të dhëna që shkëmbehen me aleate.

Trump mbajti posedimin e dokumenteve pavarësisht kërkesave të shumta nga agjencitë, duke përfshirë Arkivin Kombëtar, për të dorëzuar të dhënat presidenciale në përputhje me ligjin federal.
Është ende e paqartë nëse Departamenti i Drejtësisë e dha urdhrin thjesht për të marrë dokumentat, apo si pjesë e një hetimi më të gjerë penal.

Një gjykatës federal pritet të vendosë të premten nëse do ta miratojë kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të bërë publik urdhrin që autorizonte FBI-në të kontrollonte rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Vendimi për bërjen publike të dokumenteve u mor nga Bruce Reinhart, i njëjti gjykatës që nënshkroi urdhrin për kontrollin. Departamenti i Drejtësisë kishte afat deri të premten pasdite që ta njoftonte gjykatësin nëse avokatët e zotit Trump janë dakord ose jo me propozimin për ta bërë atë publik.

Ish-Presidenti bëri thirrje të enjten vonë për bërjen “menjëherë” publike të urdhrit federal që përdori FBI-ja për të kontrolluar rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, disa orë pasi Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland i kërkoi një gjykate ta publikonte urdhrin, duke përmendur si argument “interesin e konsiderueshëm publik për këtë çështje.”

Zoti Trump shkruajti në platformën e tij “Truth Social”, se jo vetëm që nuk e kundërshtonte publikimin e dokumenteve, por po shkonte një hap më tej “duke inkurajuar lëshimin e menjëhershëm të tyre.”

Ai vazhdoi të kritikonte ashpër kontrollin nga FBI-ja të Mar-a-Lagos si “joamerikan, të pajustifikuar dhe të panevojshëm”.

“Nxirrini dokumentat tani!” shkruan ai.

Ndërkohë të premten ish-presidenti reagoi ndaj një artikulli të gazetës Washington Post, sipas së cilit agjentët e FBI-së që kontrolluan shtëpinë e tij në Mar-a-Lago po kërkonin për dokumenta mbi çështje bërthamore, duke thënë se “është një gënjeshtër”.

Gazeta shkruan se nuk është e qartë nëse u gjetën dokumente të tilla në Mar-a-Lago.

Zoti Trump nuk ofroi asnjë provë për të vërtetuar pretendimin e tij se njoftimi i gazetës ishte gënjeshtër dhe as për pretendimin tjetër që ai bëri, se provat mund të ishin vënë me qëllim në shtëpinë e tij.
Kërkesa që Departamenti i Drejtësisë bëri të enjten për publikimin e urdhrit, është e pazakontë sepse dokumente të tilla zakonisht mbahen konfidenciale ndërsa vazhdon hetimi. Por mesa duket Departamenti kishte arritur në përfundimin se heshtja e tij, që kur u bë kontrolli, kishte krijuar një hapësirë për retorikë të ashpër nga zoti Trump dhe aleatët e tij dhe se publiku kishte të drejtën të njihej me versionin e FBI-së për arsyet që sollën kontrollin në shtëpinë e ish-presidentit të hënën.

Për të marrë një urdhër kontrolli, autoritetet federale duhet t’i provojnë një gjyqtari se ekziston një shkak i mundshëm për të besuar se është kryer një vepër penale. Prokurori i Përgjithshëm Garland tha se ai personalisht e kishte miratuar urdhrin, një vendim që ai tha se departamenti nuk e mori lehtësisht duke pasur parasysh se praktika standarde është që nëse është mundur të zgjidhen praktika më pak ndërhyrëse sesa kontrolli i shtëpisë.

Në këtë rast, sipas një personi që ka dijeni për çështjen, kishte pasur një komunikim të konsiderueshëm me zotin Trump dhe avokatët e tij përpara urdhrit të kontrollit, përfshirë një kërkesë zyrtare për të dorëzuar dokumenta dhe një vizitë në Mar-a-Lago disa muaj më parë nga FBI dhe zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë për të vlerësuar se si ishin ruajtur dokumentet.

As zoti Trump dhe as FBI-ja nuk kanë thënë asgjë në lidhje me dokumentet që FBI mund të ketë marrë, ose çfarë saktësisht po kërkonin agjentët.

Ish-presidenti, i cili për vite me radhë ka kritikuar FBI-në dhe ka kërkuar të mbjellë mosbesim mes mbështetësve të tij për vendimet e saj, tha se kontrolli u krye pavarësisht bashkëpunimit të tij me Departamentin e Drejtësisë.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, zoti Trump tha se “avokatët dhe përfaqësuesit e tij po bashkëpunonin plotësisht” përpara kontrollit dhe se zyrtarët e qeverisë “mund të merrnin gjithçka që dëshironin, kurdo që të dëshironin, nëse ne do ta kishim. ”

FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë nuk diskutojnë publikisht lidhur me hetime që janë në vazhdim e sipër, si për të mbrojtur integritetin e hetimeve, ashtu edhe për të shmangur trajtimin e padrejtë të dikujt që po shqyrtohet, por mbi të cilin përfundimisht mund të mos ngrihen akuza. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e urdhrave për kontroll, ku dokumentet gjyqësore mbështetëse mbahen zakonisht sekret ndërsa vazhdon hetimi.

Megjithatë, në këtë rast, zoti Garland përmendi faktin se vetë zoti Trump kishte dhënë konfirmimin e parë publik për kontrollin e FBI-së, “siç është e drejta e tij”.

“Pjesa më e madhe e punës sonë kryhet larg syve të publikut. Ne e bëjmë këtë për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të të gjithë amerikanëve dhe për të mbrojtur integritetin e hetimeve tona,” tha ai. “Ligji federal, rregullat e departamentit dhe detyrimet tona etike nuk më lejojnë për momentin të jap detaje të mëtejshme në lidhje me bazën mbi të cilën u bë kontrolli “, tha ai të enjten.

Departamenti i Drejtësisë nën drejtimin e zotit Garland ka qenë i përmbajtur me deklaratat publike në lidhje me hetime delikate për çështje të ngarkuara politikisht, ose për të konfirmuar se deri në çfarë mase mund të jetë duke e hetuar zotin Trump si pjesë e një hetimi më të gjerë për trazirat e 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Departamenti është përpjekur të shmangë perceptimin se po ndërhyn në politikën presidenciale, siç ndodhi në vitin 2016 kur drejtori i atëhershëm i FBI-së, James Comey bëri një deklaratë të pazakontë publike duke njoftuar se FBI-ja nuk do të rekomandonte akuza penale kundër zonjës Clinton lidhur me mënyrën se si ajo kishte përdorur emailet dhe kur foli përsëri pak më shumë se një javë para zgjedhjeve, për të njoftuar Kongresin se hetimi po rihapej për shkak të zbulimit të emaileve të reja.

Urdhri për kontrollin në Mar-a-Lago të hënën ishte pjesë e një hetimi të Departamentit të Drejtësisë për të zbuluar nëse zoti Trump kishte marrë të dhëna të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë në rezidencën e tij në Florida.

Arkivi Kombëtar i kishte kërkuar departamentit të hetonte pasi tha se 15 kuti të dhënash që mori nga ajo residencë përfshinin dokumente të klasifikuara.

Prokurori i Përgjithshëm dënoi gjithashtu sulmet verbale ndaj personelit të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë lidhur me kontrollin.

Disa aleatë republikanë të zotit Trump kanë bërë thirrje që FBI-ja të mos mbështetet me fonde. Një numër i madh mbështetësish të ish-presidentit kanë bërë thirrje që të publikohet përmbajtja e urdhrit, duke shpresuar se kjo do të vërtetonte se zoti Trump ishte vënë pa të drejtë në shënjestër.

“E ka shpëtuar një polic”, shkrimtari Salman Rushdie i mbijeton sulmit

Governatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka deklaruar se shkrimtari britanik me origjinë indiane, që prej rreth dy dekadave jeton në Shtetet e Bashkuara, i ka mbijetuar një atentati teksa ndodhej në një konferencë.

Shkrimtari 75 vjeçar, i njohur për ”Vargjet Satanike”, është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas guvernatores, shpëtimtari i tij ishte një polic i cili arriti të bllokojë autorin e sulmit, një person që vishte një maskë të zezë, dhe që është bllokuar nga forcat e rendit, edhe pse identiteti i të cilit mbetet ende i paqartë.

Sipas burimeve, fituesi i çmimit Booker Prize është goditur me grushte dhe të paktën 10 goditje me thikë, njëra prej të cilave në qafë, e cila ka shkaktuar edhe dëmet më të mëdha dhe gjakderdhje. Express

Sulmohet me thikë gjatë një seminari në Nju Jork autori i librit “Vargje Satanike”

RFE/RL

Salman Rushdie, një shkrimtar me origjinë indiane, i cili para disa viteve u urdhërua të vritej nga Irani për shkak të shkrimeve të tij, u sulmua në skenë gjatë një eventi në Nju Jork, sipas një dëshmitari që foli për agjencinë e lajmeve Reuters.

Një burrë nxitoi në skenën e Institutit Chautauqua në shtetin e Nju Jorkut dhe sulmoi Rushdie teksa po prezantohej, tha dëshmitari. Sulmuesi mësohet se është ndalur në vendngjarje. Aktualisht nuk dihet gjendja e Salman Rushdie.

“Ne kemi të bëjmë me një situatë emergjente. Nuk mund të ndaj detaje të mëtejshme në këtë moment,” tha një zëdhënës i Institutit Chautauqua kur u kontaktua nga agjencia e lajmeve Reuters.

Rushdie, i cili ka lindur në një familje muslimane indiane, është përballur me kërcënime me vdekje për romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”, për të cilin disa muslimanë thanë se përmbante pasazhe blasfemuese. Romani u ndalua në shumë vende me popullsi të madhe myslimane pas botimit të tij në vitin 1988.

Një vit më vonë, Ayatollah Ruhollah Khomeini, asokohe lideri suprem i Iranit, shpalli një “fetva”, ose dekret fetar, duke u bërë thirrje muslimanëve të vrisnin shkrimtarin për blasfemi.

Irani më vonë u tërhoq nga urdhri dhe Rushdie ka jetuar relativisht i pashqetësuar në vitet e fundit.

Rushdie ishte në Institutin Chautauqua për të marrë pjesë në një diskutim rreth shërbimit të Shteteve të Bashkuara si azili për shkrimtarët dhe artistët në mërgim dhe “si një shtëpi për lirinë e shprehjes krijuese”, sipas faqes së internetit të institucionit.

Agjencia Wylie, e cila përfaqëson Rushdie, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Mbështetësi i Trumpit qëllohet për vdekje pasi sulmoi zyrën e FBI

Ngjarja e paprecendentë që ndodhi pak ditë më parë ku rezidenca e ish-presidentit Donald Trump u bastis nga FBI, ka trazuar ujërat në SHBA.

Mbështetësit e Trump që në nisje e kanë kundërshtuar urdhrin e organeve të drejtësisë për kontrollin, por një prej tyre duket se ka shkuar një hap më larg.

Ricky Walter Shiffer, një nga mbështetësit e ish-presidentit, tentoi sot të sulmonte zyrën e FBI-së në Ohio, ndërkohë që humbur jetën pasi u qëllua nga agjentët.

Policia tha se Shiffer u përpoq të shkelte një zonë të kontrollit të sigurisë së vizitorëve në zyrën e FBI në Cincinnati të enjten në mëngjes.

“Ai u pikas nga policia rreth 20 minuta pasi u përpoq të largohej nga vendi i ngjarjes. Ai u ndoq në një zonë rurale ku doli nga makina e tij, qëlloi kundër policisë dhe u plagos. Askush tjetër nuk u lëndua”, tha Nathan Dennis, një zëdhënës i Patrullës së Autostradave të Shtetit të Ohajos.

Ai u qëllua pasi dështuan të gjitha mjetet e tjera, që nga negociatat e deri tek përdorimi i mjeteve jo vdekjeprurëse, por pasi qëlloi kundër efektivëve, Shiffer u plagos dhe më pas ndërroi jetë në vendngjarje pa arritur të marrë ndihmë mjekësore në spital.

Të mërkurën, drejtori i FBI-së, Christopher Wray, denoncoi kërcënimet e bëra kundër agjencisë që nga bastisja në rezidencën e Trump, duke i quajtur ato “thellësisht shqetësuese për të gjithë amerikanët”.

Ai tha se zyrtarët kishin ndjekur një sërë postimesh shqetësuese në mediat sociale që kërcënonin të përdornin dhunë kundër agjentëve federalë.

“Dhuna kundër zbatimit të ligjit nuk është zgjidhja, pavarësisht se me kë jeni të mërzitur”, tha Wray.

Shiffer më parë kishte deklaruar në rrjetet sociale se donte të vriste agjentët e FBI-së.

“Nëse nuk dëgjoni më nga unë, dijeni se kam sulmuar FBI, dhe kjo do të thotë se ose më hoqën nga interneti, ose FBI më kapi, ose dërguan policët…”, thuhej në mesazhin e shpërndarë nga ai.

Ky nuk është kërcënimi i parë që marrin agjentët e FBI, pasi pas kontrollit në rezidencën e Mar-a-Lago në Florida të tilla kërcënime janë bërë të zakonshme. Për diçka të tillë foli mbrëmjen e djeshme në një konferencë urgjente për shtyp edhe Prokurori i Përgjithshëm. bw


Send this to a friend