VOAL

VOAL

Drejtori i FBI-së ‘shumë i shqetësuar’ nga ‘stacionet policore’ kineze në SHBA

November 18, 2022

Komentet

Aktpadi ndaj 11 republikanëve që deklaruan në mënyrë të rreme se Trumpi i fitoi zgjedhjet në Arizona në vitin 2020

VOA7Marrë nga Associated Press

Njëmbëdhjetë republikanë që paraqitën një dokument në Kongres duke deklaruar në mënyrë të rreme se republikani Donald Trump mundi demokratin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Arizona, përballen me aktakuza për komplot, mashtrim dhe falsifikim. Arizona është shteti i katërt që ngre akuza kundër “elektorëve të rremë”.

Të njëmbëdhjetë personat që ishin emëruar për të qenë elektorë republikanë të Arizonës u takuan në Feniks më 14 dhjetor 2020, për të nënshkruar një certifikatë ku thuhej se ata ishin “elektorë të zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe të kualifikuar” dhe duke pretenduar se zoti Trump i kishte fituar zgjedhjet në atë shtet.

Një video nga ajo ceremoni nënshkrimi u postua në atë kohë në rrjetet sociale nga Partia Republikane e Arizonës. Certifikata më pas iu dërgua Kongresit dhe Arkivit Kombëtar, por nuk u mor parasysh. Padi janë ngritur edhe ndaj shtatë të tjerëve, emrat e të cilëve do të bëhen publik pasi ata të njoftohen zyrtarisht.

Zoti Biden i fitoi zgjedhjet në Arizona me më shumë se 10,000 vota. Nga tetë paditë që sfiduan pa sukses fitoren e zotit Biden në atë shtet, njëra u ngrit nga 11 republikanët të cilët më vonë do të nënshkruanin certifikatën që e shpallte zotin Trump si fitues.

Padia e tyre i kërkoi një gjykate që të anulonte certifikimin e rezultatit që i dha demokratit Biden fitoren në Arizona dhe ta bllokonte shtetin që t’i dërgonte dokumentet në Kolegjin Zgjedhor.

Gjykatësja e qarkut, Diane Humetewa, e hodhi poshtë padinë e republikanëve duke argumentuar se nuk kishte baza ligjore, kishin pritur shumë gjatë për ta ngritur çështjen e tyre dhe kishin “dështuar që të ofronin para gjykatës fakte që mbështesnin pretendimet e tyre të jashtëzakonshme”.

Disa ditë pas rrëzimit të padisë, të 11 republikanët morën pjesë në nënshkrimin e certifikatës. Aktpaditë në Arizona vijnë pas padive të ngritura kundër elektorëve të rremë në shtete të tjera, mes tyre Nevada, Miçigani, Uiskonsin, Xhorxhia, Pensilvania dhe Nju Meksiko.

Detaje të reja nga dëshmia e ish botuesit të “National Inquirer” në gjyqin ndaj ish presidentit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Ish botuesi i tabloidit “National Inquirer” dëshmoi të martën në procesin penal kundër ish Presidentit Donald Trump se ai u zotua të ishte “sytë dhe veshët” e zotit Trump gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016. Ai tha se si i premtoi kandidatit të atëhershëm republikan se do të ndihmonte që të mos bëheshin publike historitë që mund ta dëmtonin atë dhe madje orkestroi blerjen e historisë së një personi pa pasur synimin ta botuar, në mënyrë që ajo të mos bëhej publike.

Me dëshminë e David Peckerit, prokurorët syonin të përforconin argumentet e tyre për miqësinë e ngushtë prej disa dekadash mes zotit Trump dhe ish-botuesit të “National Enquirer”. Kjo miqësi kulmoi me një marrëveshje për t’i dhënë avokatit të zotit Trump informacion mbi mbulimet e mundshme negative në media, në mënyrë që ato të mos publikohen.

Kjo përpjekje, sipas prokurorëve, ishte një mënyrë për të ndikuar në mëmyrë të paligjshme në zgjedhje. Ky është rasti i parë penal me të cilën përballet ish Presidenti amerikan nga katër çështjet me të cilat ai përballet.

Kandidati i pritshëm republikan për President në garën e këtij viti përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me pagesat që dyshohet se janë bërë në këmbim të heshtjes për histori që po të bëheshin publike mund ta dëmtonin gjatë fushatës së vitit 2016.

Ndërsa ish Presidenti Trump ishte i ulur vetëm disa metra larg në sallën e gjyqit, zoti Pecker, dëshmitari i parë në këtë rast, foli me detaje për rolin e tij në prapaskenë në ngritjen e zotit Trump nga një i sapoardhur në politikë në kandidatin që arriti të marrë emërimin e partisë në garën për Shtëpinë e Bardhë. Ai shpjegoi se si ai dhe “National Enquirer” botoi shkrime tabloidësh që njollosnin kundërshtarët e zotit Trump, me të dhëna të dyshimta. Ata gjithashtu përdorën lidhjet e tij për të bllokuar historitë dëmtuese kundër zotit Trump, përfshirë pretendimin e një aktoreje të filmave për të rritur për një marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore me kandidatin republikan për President, vite më herët.

Zoti Pecker tha se origjina e miqësisë me ish Presidentin fillon nga një takim në vitet 1980 në pronën zotit Trump Mar-a-Lago në Florida dhe shtoi se miqësia e tyre lulëzoi krahas suksesit të programit televiziv të zotit Trump, “The Apprentice”.

Lidhjet e tyre u forcuan gjatë një takimi në muajin gusht të vitit 2015 në Kullën Trump gjatë të cilit ish Presidenti, ish-avokati i tij personal Michael Cohen dhe këshilltarja, Hope Hicks, e pyetën zotin Pecker se çfarë mund të bënin ai dhe botimet që ai drejtonte, për fushatën.

Zoti Pecker tha se ai doli vullnetar për të publikuar histori pozitive për zotin Trump dhe histori negative për kundërshtarët e tij. Kjo nuk ishte e tëra, tha ai, duke iu treguar anëtarëve të jurisë së i kishte thënë zotit Trump: “Unë do të jem sytë dhe veshët e tu”.

“Unë thashë se nëse dëgjoj ndonjë gjë negative për ju, ose nëse marr vesh ndonjë gjë për gratë që janë të gatshme të shesin historitë e tyre në lidhje me ish Presidentin, do të njoftoja ish avokatin e zotit Trump, Michael Cohen”, në mënyrë që të drejtat mbi ato histori të bliheshin dhe ato të mos dilnin kurrë publikisht.

“Kjo u bë që ato të mos publikohen?”, pyeti prokurori Joshua Steinglass.

“Po, që ato të mos publikoheshin”, u përgjigj zoti Pecker.

Për të sqaruar më tej këtë çështje, prokurorët shfaqën imazhe të titujve të ndryshëm që “National Enquirer” publikoi për zotin Trump, përfshirë “Donaldi Mbizotëron!” dhe “Ekskluzive: Donald Trumpi siç nuk e njeh askush”. Jurisë iu shfaqën gjithashtu histori nënçmuese dhe të pazakonta për kundërshtarët e zotit Trump, përfshirë ish kandidatët e tjerë republikanë për President si Ben Carson dhe Senatorin Marco Rubio.

Zoti Pecker e karakterizoi ish avokatin Cohen si një redaktor në hije të artikujve pro-Trump në “National Enquirer”, duke e drejtuar tabloidin që gjithashtu të sulmonte kandidatët republikan që tregonin sukses të vrullshëm në garën e brendshme partiake në vitin 2016.

“Michael Cohen me telefononte duke më treguar mua dhe Dylan Howardit me cilin kandidat të merreshim dhe në çfarë mënyre ta trajtonim”, tha Pecker, duke iu referuar redaktorit të atëhershëm të tabloidit.

Ai tha se ia kishte bërë të qartë zotit Howard se marrëveshja me zotin Trump ishte “shumë, shumë sekrete”. Ai tha se donte që përgjegjësit e redaksive të tabloidit të ishin në vëzhgim për çdo histori që përfshinte zotin Trump dhe tha se donte që ata të verifikonin historitë përpara se të njoftonin avokatin Michael Cohen.

“Nuk doja që dikush tjetër të dinte për këtë marrëveshje që kisha dhe çfarë doja të bëja”, shtoi ish-botuesi Pecker.

Michael Cohen e pranoi se ishte fajtor në vitin 2018 në lidhje me akuzat federale për rolin e tij në pagesat e bëra në këmbim të heshtjes së dy grave mbi lidhje të dyshuara jashtëmartesore me zotin Trump. Ai dikur ishte një person besnik i zotit Trump, por marrëdhënia e tyre u përkeqësua. Zoti Cohen pritet të jetë dëshmitari kryesor i prokurorisë, ndërsa publikon rregullisht komente përbuzëse në mediat sociale kundër zotit Trump.

Avokatët e ish Presidentit Trump pritet të sulmojnë besueshmërinë e zotit Cohen. Kjo vlerësohet të jetë themeli i strategjisë së mbrojtjes së avokatëve të ish Presidentit. Por që në hapje të procesit, duke ftuar zotin Pecker si dëshmitarin e parë, prokurorët shpresojnë të përqendrojnë vëmendjen te një dëshmitar që nuk vlerësohet të ketë një histori personale të debatueshme. Përveç pohimit se zoti Trump është i pafajshëm, avokati i ish Presidentit, Todd Blanche u tha anëtarëve të jurisë se zotit Cohen nuk mund t’i besohet dhe se ai “po bën të gjitha përpjekjet për ta dëmtuar Trumpin”.

Dëshmia e zotit Pecker të martën pasoi një seancë tjetër të njejtën ditë, gjatë të cilës prokurorët i kërkuan gjyqtarit Juan M. Merchan që ta dënonte ish Presidentin për mospërfillje të urdhërave të gjykatës. Ata duan që gjyqtari ta gjobisë zotin Trump me 1000 dollarë për secilin prej 10 publikimeve në media sociale që ata thonë se shkelin urdhërin e gjyqtarit për të mos sulmuar dëshmitarët, anëtarët e jurisë dhe të tjerët të përfshirë në këtë rast.

Gjyqtari Merchan nuk vendosi për këtë menjëherë, por nuk dukej i bindur nga argumentet e mbrojtjes të zotit Trump që thonin se përmes publikimeve në media sociale ai po i përgjigjej sulmeve të të tjerëve dhe ishte përpjekur të zbatonte urdhrin.

Prokurorët thonë se zoti Trump u përpoq të ndikojë në mënyrë të paligjshme në garën zgjedhore të vitit 2016 përmes një praktike të deabtueshme të industrisë së tabloidëve sipas së cilës, blihen histori që mund të dëmtojnë dikë jo për t’i botuar por për t’i zhdukur përgjithmonë, përmes marrëveshjeve që ndalonin publikimin e tyre diku tjetër.

Në këtë rast, kjo përfshin një pagesë prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave pornografik Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj lidhur me për një marrëdhënie jashtëmartesore që zoti Trump e mohon.

Prokurorët përshkruan gjithashtu marrëveshje të tjera, përfshirë dyshimin se i pagoi një ish-modeleje të revistës për të rritur “Playboy”, 150,000 dollarë për të heshtur pretendimet për një lidhje gati njëvjeçare me zotin Trump, i cili ishte i martuar gjatë asaj kohe. Këtë lidhje zoti Trump gjithashtu e mohon.

Zoti Pecker gjithashtu përmendi pagesën prej 30 mijë dollarësh që tabloidi “National Inquirer” për një roje në hyrjen e Kullës Trump për të blerë të drejtën mbi një pretendim të tij se ai kishte dijeni se zoti Trump ishte babai i një fëmije me një punonjëse të Kullës Trump.

Tabloidi arriti në përfundimin se historia nuk ishte e vërtetë dhe gruaja dhe zoti Trump i kanë mohuar akuzat.

Ndërsa zoti Pecker fliste për këtë gjë në gjykatë, zoti Trump tundi kokën.

Ish botuesi Pecker tha kur dëgjoi për pretendimin, menjëherë telefonoi avokatin Cohen, i cili tha se ishte “absolutisht e pavërtetë”, por se ai do të shikonte nëse njerëzit e përfshirë kishin punuar me të vërtetë për kompaninë e zotit Trump.

“Unë mora vendimin që megjithatë të blija historinë për shkak të dëmit që ky thashethem mund t’ia shkaktonte fushatës dhe zotit Trump”, tha zoti Pecker.

Kur ia tha këtë avokatit të zotit Trump, zoti Pecker tha se ai mori falenderim duke i thënë “se shefi do të ishte shumë i kënaqur”.

I pyetur nga prokurori se për kë mendonte kur thoshte shefi, zoti Pecker u përgjigj: “Donald Trumpi”.

Duke shpjeguar pse ai vendosi që “National Enquirer” të paguajë, zoti Pecker kujtoi se i kishte thënë avokatit Cohen: “Kjo mund të jetë një histori shumë e madhe. Besoj se është e rëndësishme që të hiqet nga tregu.”

Nëse ai do ta publikonte këtë, zoti Pecker tha se kjo ndoshta do të kishte ndikim të siguronin “shitjen më të madhe të kopjeve të ‘National Enquirer’ që nga vdekja e Elvis Presleyt”.

Anëtarët e jurisë panë një email të “National Enquirerit” dhe faturën që përshkruante pagesat ndaj rojes në këmbim të heshtjes për pretendimin e tij. Një dokument përshkruan fondet që vijnë nga llogaria e tabloidit. Një faturë i referohet një pagese “të menjëhershme” prej 30,000 dollarësh për “historinë e pabotuar të Trumpit”.

34 akuzat penale kundër ish Presidentit Trump kanë lidhje me rimbursimet që prokurorët thonë se kompania e zotit Trump i ka bërë avokatit Cohen për pagesat në këmbim të heshtjes për këto histori dhe që janë regjistruar në mënyrë të rreme si shpenzime ligjore.

Çdo akuzë ka dënim maksimal prej katër vitesh burg, megjithëse është e paqartë nëse gjyqtari Merchan do të kërkonte ta dënonte ish Presidentin me burgim. Një dënim nuk do ta pengonte zotin Trump që të bëhej përsëri president, por për shkak se është një çështje që po zhvillohet në nivel shtetëror e jo federal, ai nuk do të mund të falte veten nëse shpallet fajtor. Ai vazhdimisht ka mohuar çdo keqbërje.

Gjyqi vazhdon të enjten.

Akuza: “Trumpi kishte një plan kriminal për të manipuluar votën”

Donald Trump para mediave teksa del nga gjykata

Akuza ndaj ish-presidentit amerikan ngre shiritin, ditën kur merr jetë gjyqi për çështjen e porno yllit Stormy Daniels – Mbrojtja e manjatit: “Ai është i pafajshëm”

VOAL- Gjyqi i Donald Trump nuk është një skandal seksual, por një “përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2016” për të fshehur informacione negative për kandidatin për Shtëpinë e Bardhë nga votuesit. Në ditën kur gjyqi për çështjen e porno yllit Stormy Daniels merr jetë, duke hapur betejën mes palëve, prokuroria ngre shiritin, duke u përpjekur ta cilësojë procedimin jo si një krim të lehtë (falsifikimi i dokumenteve të kontabilitetit) , por si krim më i rëndë (shkelje e ligjit për financimin e fushatës).

“Ky rast ka të bëjë me një komplot kriminal. I pandehuri, Donald Trump, orkestroi një plan për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2016, ai më pas e mbuloi atë duke gënjyer vazhdimisht në dosjet e tij të korporatës në Nju Jork, argumentoi Matthew Colangelo, një nga tre prokurorët në sallën e gjyqit, në “deklaratën e tij hapëse”. “.

“Në fund, ne kemi besim se nuk do të keni asnjë dyshim të arsyeshëm se Trump është fajtor për falsifikimin e dokumenteve të korporatës me qëllimin për të fshehur një komplot të paligjshëm për të minuar integritetin e zgjedhjeve presidenciale”, vazhdoi ai, duke iu drejtuar jurisë, ndërsa manjati tundi kokën. Një akuzë paradoksale për dikë si Trump që ndërtoi fushatën e tij të re për Shtëpinë e Bardhë duke nxitur teorinë e pabazuar të zgjedhjeve të vjedhura dhe duke e shpallur veten viktimë e hetimeve politike të cilësuara si “ndërhyrje zgjedhore”. Por Todd Blanche, një nga avokatët e tij, u befasua duke u përgjigjur se “nuk ka asgjë të keqe në përpjekjen për të ndikuar në zgjedhje. Ajo quhet demokraci”.

Sipas prokurorëve, komploti filloi disa muaj pasi Trump shpalli kandidaturën e tij më 2015 në një takim mes tij, avokatit të tij artizanal Michael Cohen dhe botuesit (mikut) të National Enquirer, David Pecker. Të tre “vendosën të fshehin informacione negative për manjatin për ta ndihmuar atë të zgjidhet” duke përdorur praktikën “kap dhe vras” të tabloidit: blerjen e të drejtave ekskluzive për një histori për ta mbuluar atë.

Kështu që Pecker i pagoi fillimisht 30 mijë dollarë një portieri në Kullën Trump për të varrosur thashethemet e atësisë jashtëmartesore, më pas 150 mijë dollarë lepurushes së Playboy Karen McDougal për të heshtur lidhjen e saj të mëparshme me manjatin. Ai nuk u rimbursua, por ai e ndihmoi vetë Trumpin kur Stormy Daniels iu afrua tabloidit për të zbuluar “aferën” e saj të vjetër me manjatin, menjëherë pas shpërndarjes së audios së turpshme “Access Hollywood” në të cilën Donaldi mburrej se ishte në gjendje të merrte gratë për organet gjenitale. Pecker njoftoi Cohen, i cili pagoi 130,000 dollarë nga xhepi i tij dhe më pas u rimbursua nga shefi i tij me një sërë çeqesh për shërbime ligjore fiktive.

“Donald Trump është i pafajshëm, ai nuk ka kryer asnjë krim”, siguroi avokati Blanche, i cili më pas sulmoi besueshmërinë e Cohen dhe Daniels duke i portretizuar ata si gënjeshtarë patentë, të motivuar nga pakënaqësia dhe paratë. Më pas ishte radha e dëshmitarit të parë, Pecker, të cilit iu dha imuniteti në këmbim të dëshmisë së tij, e cila megjithatë do të marrë jetë të martën. Botuesi është shndërruar nga një aleat i ngushtë i Trump në një super dëshmitar të prokurorisë dhe me deklaratat e tij rrezikon ta inkuadrojë: kur e përshëndeti me një “hi”, ish-presidenti nuk iu përgjigj.

Ndërkohë, Trump merr frymë lehtësim pasi zyra e prokurorit të Nju Jorkut kundërshtoi legjitimitetin dhe kapacitetin financiar të Knight Specialty Insurance Company për të garantuar 175 milionë obligacionet në pritje të apelit kundër gjobës prej 454 milionë në gjyqin e pasurisë: shuma ka mbetur njëjtë, ndërkohë që kushtet janë modifikuar dhe bërë më të rrepta për të garantuar disponueshmërinë e shumës. Të enjten do të ketë një seancë vendimtare në Gjykatën e Lartë për imunitetin në gjyqin për sulmin në Kapitol. rsi-eb

Zgjidhet juria për gjyqin penal ndaj ish-presidentit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Një juri prej 12 anëtarësh, shtatë burra dhe pesë gra, u zgjodh të enjten në Nju Jork për gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump për pagesat e bëra për të fituar heshtjen e dy grave, të cilat thonë se kanë patur marrëdhënie seksuale me të.

Juria do të shqyrtojë akuzat se presidenti i 45-të bëri një komplot në vitin 2016, pak përpara fillimit të fushatës së tij të suksesshme presidenciale, për të fshehur pagesat me para për dy grate, të cilat pretendojnë se kishin marrëdhënie jashtëmartesore me të.

Prokurorët pohojnë se zoti Trump u përpoq të fshihte informacione komprometuese rreth jetës së tij private nga votuesit amerikanë, pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Por zoti Trump, i cili ka mbajtur postin e presidentit nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe pritet të jetë kandidat i republikanëve në zgjedhjet e 5 nëntorit të këtij viti, i ka mohuar të gjitha 34 akuzat për krime në padinë e ngritur kundër tij një vit më parë.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri me katër vjet burg.

Anëtari i Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut, Juan Merchan tha se hapja e argumenteve në këtë çështje mund të fillojë të hënën në mëngjes në një gjyq që mund të zgjasë gjashtë javë.

Përzgjedhja e jurisë pasoi heqjen e dy nga 7 anëtarët e jurisë, që u zgjodhën të martën. Një anëtare e përzgjedhur për jurinë gjyqësore u tërhoq pasi ngriti dyshime nëse do të ishte në gjendje të vepronte me paanshmëri dhe drejtësi. I dyti u hoq pasi nuk u paraqit në gjykatë për të qartësuar disa nga përgjigjet e dhëna gjatë pyetjeve të drejtuara më herët.

Të martën kishin bërë betimin shtatë anëtarë të jurisë.

Prokurorët i kërkuan të enjten gjykatësit Juan M. Merchan të marrë masa ndaj zotit Trump për shkak të shtatë postimeve të reja në mediat sociale, që prokurorët thonë se shkelin urdhrat e mëparshëm që i ndalonin atij të sulmonte dëshmitarët. Prokurorët kishin kërkuar të hënën që zoti Trump të gjendej fajtor për shpërfillje të urdhrit të gjykatës dhe të gjobitej për tre postime të tjera.

Ish-presidenti Trump ka thënë se është i pafajshëm për 34 akuzat e ngritura për falsifikim të të dhënave të biznesit në përpjekje për të fshehur historitë që mund të dëmtonin fushatën e tij elektorale në vitin 2016.

Akuzat kanë të bëjnë me pagesat për dy gra, aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen e revistës “Playboy”, Karen McDougal, të cilat kanë thënë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump vite më parë. Akuzat kanë të bëjnë edhe me rastin e një roje tek hyrja e kullës Trump, i cili ka pretenduar se ka patur njohuri për një fëmijë që zoti Trump ka patur nga një lidhje jashtëmartesore. Ish-presidenti ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë nga këto lidhje seksuale.

Kjo është çështja e parë penale ndaj zotit Trump që shkon në gjyq.

SI U TËRHOQ ANËTARJA E PARË E JURISË

Një anëtare e përzgjedhur e jurisë u tërhoq pasi i tha gjykatës se ndjehej e shqetësuar për aftësinë e saj që të tregohej e paanshme.

Megjithëse emrat e anëtarëve të jurisë nuk janë bërë publikë, gruaja me profesion infermiere tha se “pasi e kishte menduar gjatë natës, kishte patur shqetësime për aftësinë për t’u treguar e drejtë dhe e paanshme në këtë çështje gjyqësore”, tha gjykatësi Merchan përpara se ta thërriste në sallë për t’i drejtuar pyetje.

Ajo tha se anëtarët e familjes dhe miqtë kishin ngritur pikëpyetje rreth rolit të saj të ardhshëm si anëtare e jurisë.

Duke kritikuar mediat që publikuan detaje për anëtarët e jurisë, gjykatësi Merchan tha se: “Ka një arsye përse kjo është një juri anonime. I kundërvihet këtij qëllimi kur kaq shumë informacion bëhet publik, që mund ta bëjë shumë të lehtë për çdokënd që të identifikojë se kush janë anëtarët e jurisë”.

“Shtypi ka qartësisht të drejtën të shkruajë për çdo gjë që përfshihet në të dhënat zyrtare”, shtoi gjykatësi.

ÇFARË NDODHI ME ANËTARIN E DYTË TË LARGUAR NGA JURIA

Statusi i anëtarit të dytë të larguar nga juria të enjten u vu në dyshim pasi personi nuk ishte paraqitur në gjykatë për t’iu përgjigjur disa pyetjeve të mëtejshme. Prokurorët patën zbuluar një artikull të viteve 1990, për një person me të njëjtin emër që ishte arrestuar për grisje të reklamave politike në qarkun Westchester. Reklamat kishin qenë të krahut të djathtë të politikës, tha ndihmës prokurori Joshua Steinglass. Ai gjithashtu informoi se një i afërm i po këtij personi mund të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje për pushimin e një hetimi të prokurorisë së Manhatanit në vitin 1990, e cila është e njëjta zyrë hetimore për çështjen ndaj zotit Trump.

Gjykatësi Juan M. Merchan e pati udhëzuar personin të paraqitej në gjykatë në 9:15 të mëngjesit të së enjtes, për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëtejshme rreth tij apo të afërmve të tij. Ai nuk u paraqit në gjykatë.

Gjykatësi përmendi “ngurrimin me sa duket për t’u paraqitur” dhe i pyeti palët nëse do të ishin dakord për heqjen e këtij personi nga juria, pa patur nevojë për pyetje të mëtejshme. Avokati i ish-presidentit Trump, Todd Blanche tha fillimisht se do të dëshironte të dëgjonte se çfarë përgjigjesh do të jepte anëtari i jurisë. Kur ishte pyetur më herët këtë javë, personi kishte thënë se nuk ishte dënuar ndonjëherë.

PROKURORËT KËRKOJNË MARRJEN E MASAVE NDAJ ISH-PRESIDENTIT TRUMP PËR POSTIMET E REJA NË MEDIAT SOCIALE

Prokurorët i thanë gjykatësit Merchan të enjten se dëshirojnë që ish-presidenti të gjendet fajtor dhe të ndëshkohet për shtatë postime të reja që ata thonë se shkelin urdhrat e dhënë më herët nga gjykata.

Postimet e reja të zotit Trump u bënë pasi prokurorët kishin kërkuar më herët të hënën vendosjen e një gjobe prej 3 mijë dollarësh për tre postime të tjera në rrjetin Truth Social.

Prokurori Christopher Conroy tha se disa nga postimet e reja kishin të bënin me një artikull ku përshkruhej ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, si “një mashtrues serial”. Në një tjetër postim të bërë të mërkurën përsëritet një pretendim i bërë fillimisht nga një drejtues emisioni në kanalin televiziv Fox News se aktivistët liberalë po gënjenin me qëllimin që të arrinin të bëheshin anëtarë të jurisë.

Avokati i zotit Trump, Emil Bove tha se zoti Cohen “e ka sulmuar presidentin Trump në deklarata publike” dhe se zoti Trump vetëm po i përgjigjej.

Gjykatësi Merchan ka caktuar një seancë për javën e ardhshme me kërkesë të prokurorisë për të shqyrtuar mundësinë e ndëshkimit për postimet e zotit Trump.

GJYKATËSI URDHËRON GAZETARËT TË MOS RAPORTOJNË SE CILËT JANË PUNËDHËNËSIT E ANËTARËVE TË JURISË

Gjykatësi Juan M. Merchan kritikoi mediat që patën raportuar detaje për anëtarët e jurisë, të cilat mund të përdoren për t’i identifikuar ata. Gjykatësi urdhëroi të mos raportohen përgjigjet e dhëna nga kandidatët për anëtarë të jurisë, në lidhje me punëdhënësit e tyre në të kaluarën, apo të tanishëm.

“Siç është provuar nga çfarë ka ndodhur deri më tani, ky është një problem”, tha gjykatësi të enjten.

Ai gjithashtu i udhëzoi gazetarët “t’i përmbahen logjikës” dhe të shmangin raportimin për karakteristikat fizike të anëtarëve të jurisë.

“Sapo humbëm dikë që mund të kishte qenë një anëtare shumë e mirë e jurisë”, vazhdoi gjykatësi. “Ajo tha se ndjehej e frikësuar nga shtypi, nga i gjithë shtypi”.

Mesazhet – Ambasadori amerikan, Christopher Hill kërcënohet me vdekje në Serbi

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe profesori i Universitetit të Novi Sadit, Dinko Gruhonjiq janë kërcënuar për vdekje pas vizitës së djeshme të zyrtarit amerikan në Fakultetin Filozofik.

‘Plumb për të dy’, ‘Varje në dru’, janë disa prej mesazheve të drejtuar ndaj zyrtarit amerikan dhe profesorit serb, raportojnë mediat.

Fakulteti Filozofik njoftoi se ambasadori amerikan vizitoi Fakultetin dhe Departamentin e Studimeve të Medias.

Shtohet se ambasadori amerikan ka folur me mësues dhe studentë për gjendjen e lirisë së mediave në Serbi dhe kërcënimet e gazetarëve, profesorëve dhe studentëve në Novi Sad.

Për të njëjtën temë, ambasadori pati një bisedë të veçantë në fakultet me Dink Gruhonjiq nga Departamenti i Studimeve Mediatike të Fakultetit Filozofik, thuhet në komunikatë.

Parlamenti Studentor i Fakultetit Filozofik ka paraqitur një ankesë kundër profesorit Dink Gruhonjiq për gjoja gjuhë urrejtjeje në Komisionin e Etikës të fakultetit të tij.

Ai u akuzua për gjuhë urrejtjeje në bazë të një video të edituar nga forumi në Dubrovnik të një viti më parë, ku ai gjoja glorifikonte një kriminel lufte nga Lufta e Dytë Botërore, të cilën profesori e mohoi me forcë dhe kujtoi se ai kishte shpenzuar gjithë gazetarinë dhe karrierën e profesorit si një luftëtar konsekuent kundër nacionalizmit dhe kundër glorifikimit të politikës së krimeve të luftës në rajon.

Gruhonjiq mori kërcënime të shumta me vdekje dhe në hyrje të ndërtesës ku ai jeton me familjen ishin shkruar mbishkrime, duke bërë thirrje drejtpërdrejt për vrasjen e tij.

Për herë të parë në historinë e SHBA- Akuza për ryshfet ish-yllit të pornos, nis sot gjyqi ndaj Trumpit

Donald Trump do të bëhet ish-presidenti i parë në historinë e SHBA-së që përballet me akuza penale sot, ndërsa në Nju Jork fillon një gjyq që e bën edhe më të paparashikueshme përballjen e tij me Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Miliarderi republikan është planifikuar të dalë sot në orën 09:30 me orën lokale, përpara një gjykate në Manhatan për një çështje pagesash për të blerë heshtjen e ish-yllit të pornos Stormy Daniels, ditë para zgjedhjeve presidenciale 2016 që e bëri atë presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara.

Pak më shumë se tre vjet pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në kaos, Trump rrezikon teorikisht deri në katër vjet burg. Kjo nuk do ta pengonte atë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, në të cilat ai ëndërron të rimarrë vendin e Joe Biden, por do ta vendoste fushatën në një situatë krejtësisht të paprecedentë.

Nëse ai shpallet i pafajshëm, do të jetë një fitore e madhe për kandidatin republikan. “Aksionet janë shumë të larta sepse Trump dhe avokatët e tij deri më tani kanë arritur të ngadalësojnë gjyqet e tjera” në të cilat ai akuzohet për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 2020 dhe keqpërdorim.

Kështu rasti i Stormy Daniels, i cili karakterizohet si i brishtë nga ekspertët, “mund të jetë i vetmi që do të gjykohet përpara zgjedhjeve”, shton ai. Deri në ditët e fundit avokatët shumëfishuan më kot apelimet për zvarritjen e gjykimit. Të shtunën mbrëma, në një tubim në Pensilvani, Donald Trump u shfaq edhe një herë si viktimë e persekutimit gjyqësor dhe politik.
(BalkanWeb)

Analistja: Ndihma ushtarake për aleatët, e nevojshme edhe për industrinë amerikane të mbrojtjes

Një nga sulmet e marinës amerikane kundër militantëve jemenas Houthi 3 shkurt 2024

 

VOAL/Carla Babb

Ndërsa administrata e Presidentit Biden dhe Senati kërkojnë nga Dhoma e Përfaqësuesve të miratojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, një eksperte e Institutit Amerikan Enterprise thotë se aleatët e Shteteve të Bashkuara nuk janë të vetmit që kanë nevojë për rritjen e përkrahjes financiare. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, edhe industria e mbrojtjes amerikane gjithashtu ka nevojë të madhe për mbështetje.

Mbështetja e Amerikës për ushtritë e Ukrainës dhe Izraelit ka rritur kërkesat në industrinë amerikane të mbrojtjes.

Fabrikat në të gjithë vendin kishin duhet të prodhonin armë dhe municione me një ritëm të paparë në dekada.

Por një eksperte paralajmëron se kjo industri nuk po mundet të mbajë ritmin para kërcënimeve komplekse, duke filluar nga agresioni rus në Evropën Lindore …te sulmet e militantëve që kanë mbështetjen e Iranit në Detin e Kuq.

“Marina po përdor më shumë raketa ‘Tomahawk’ brenda një jave se sa ka blerë gjatë gjithë vitit të kaluar. Kjo ka të bëjë me normat e prodhimit në kohë paqeje që duhet të ndryshohet përmes përkrahjes shtesë për sigurinë kombëtare”, thotë Mackenzie Eaglen, eksperte për gatishmërinë ushtarake në Institutin Amerikan Enterprise.

Fjala është për projekt-ligjin e miratuar nga Senati me miliarda dollarë mbështetje ushtarake për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe vetë Shtetet e Bashkuara.

“Pesëdhjetë miliardë dollarë nga kjo, do të shfrytëzohen nga industria jonë e mbrojtjes. Kjo ka rëndësi të madhe edhe për sigurinë tonë kombëtare. Por Ukraina ka rëndësi jo vetëm për Evropën. Ka rëndësi për të gjithë botën”, thotë Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Rëndësia kuptohet edhe nga fakti se Kina po vëzhgon se si SHBA-të dhe aleatët e saj reagojnë ndaj situatave të vështira.

“Pekini e di se sa raketa po blejmë apo prodhojmë në vit dhe sigurisht ato që kemi nuk mjaftojnë për të parandaluar një luftë në Azi”, thotë ekspertja Eaglen.

Kina ka kërcënuar të pushtojë Tajvanin nëse është e nevojshme, një veprim që do të trondiste të gjithë rajonin e Paqësorit.

Demokratët dhe republikanët në Senat këtë javë i kërkuan Dhomës për të votuar projekt-ligjin për sigurinë kombëtare.

“Sigurisht shpresoj që ky projekt-ligj do të miratohet shumë shpejt”, thotë Roger Wicker, senator republikan.

Projektligji financon dërgimin e më shumë nëndetëseve amerikane për një patrullim më të mirë të Paqësorit, një pjesë e të cilës mbulon operacionet e vazhdueshme të Ushtrisë në Evropë.

U ndaluan të shihnin eklipsin diellor, të burgosurit e New York-ut ngrenë padi ndaj autoriteteve

Gjashtë të burgosur kanë paditur departamentin e korrigjimeve të Nju Jorkut për vendimin e tij për të mbyllur burgjet gjatë eklipsit të plotë diellor të ditës së sotme, 8 prill.

Avokatët e gjashtë burrave të burgosur në Institucionin Korrektues Woodbourne në veri të Nju Jorkut, thanë se ata kanë arritur një marrëveshje me shtetin që do t’i lejojë burrat të shohin eklipsin diellor “në përputhje me besimet e tyre fetare”.

Ata ngritën një padi federale javën e kaluar duke argumentuar se bllokimi i 8 prillit shkel të drejtat kushtetuese të të burgosurve për të praktikuar besimet e tyre duke i penguar ata të marrin pjesë në një ngjarje të rëndësishme fetare.

Gjashtë burrat përfshijnë një besimtar baptist, një mysliman, një adventist, dy praktikues të Santerias dhe një ateist.

Thomas Mailey, një zëdhënës për departamentin e korrigjimeve, tha se departamenti ka rënë dakord të lejojë gjashtë individët të shohin eklipsin, ndërsa paditësit kanë rënë dakord të heqin dorë nga padia e tyre me paragjykim.

Daniel Martuscello III, komisioneri në detyrë i departamentit, lëshoi ​​një memo muajin e kaluar duke urdhëruar të gjithë individët e burgosur të qëndrojnë në njësitë e tyre të banimit të hënën e ardhshme nga ora 14:00 deri në orën 17:00, të cilat janë përgjithësisht orët normale për rekreacion në natyrë në burgje.

Ai tha se departamenti do të shpërndajë syze sigurie ndaj eklipsit diellor për stafin dhe të burgosurit në burgje, në mënyrë që ata të mund ta shohin eklipsin nga vendi i caktuar i punës ose njësitë e banimit.

Komunitetet në zonat perëndimore dhe veriore të shtetit pritet të kenë pamjen më të mirë të momentit kur hëna kalon midis Tokës dhe Diellit, duke bllokuar përkohësisht diellin.gsh

Tërmeti i pazakontë tronditi Nju Jorkun dhe qytetet përreth

Lëkundjet të kujtojnë tërmetin e 23 gushtit të vitit 2011 që tronditi dhjetëra miliona njerëz nga Xhorxhia në Kanada
VOA/Marrë nga Associated Press

Një tërmet tronditi zonën metropolitane me popullsi të dendur të Nju Jorkut mëngjesin e së premtes, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Banorët e pjesës verilindore të vendit njoftuan se i kishin përjetuar lëkundjet e tërmetit me një magnitudë paraprake 4.8.

Agjencia amerikane tha se epiqendra e tërmetit ishte në shtetin e Nju Xhersit, rreth 72 kilometra nga qyteti i Nju Jorkut dhe 80 kilometra nga qyteti i Filadefias në veri.

Lëkundjet u ndjenë deri në Baltimorë dhe në Boston. Pati raportime edhe për lëkundje pasuese që u përjetuan nga banorët si të forta. Pati njoftime për mbi dymbëdhjetë lëkundje pasuese gjatë orëve në vazhdim, madje sipas USGS-së, më i forti gjatë mbrëmjes së të premtes ishte i magnitudës 4.

Departamenti i Zjarrfikësve në Nju Jork tha se njoftimet paraprake nuk tregojnë për dëmtime. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, është informuar për tërmetin, tha zëdhënësi i tij Fabien Levy, duke shtuar se, “Ndërsa për momentin nuk kemi asnjë njoftim për ndikime të mëdha, jemi ende duke vlerësuar efektet”.

Në pjesën qendrore të Manhatanit, zhurma e trafikut të makinave dhe njerëzve u bë edhe më e zëshme ndërsa shoferët u binin borive në rrugët që dridheshin nga lëkundjet e tërmetit.

Disa banorë të Bruklinit thanë se dëgjuan një tingull të zhurmshëm ndërsa ndërtesa e tyre dridhej. Njerëzit në Baltimorë, Filadelfia, Konektikat dhe zona të tjera të Bregut Lindor, të pamësuar me tërmetet, gjithashtu raportuan se kishin ndjerë lëkundjen e tokës.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, shkroi në rrjetin X se tërmeti u ndje në të gjithë shtetin. “Ekipi im po vlerëson efektet dhe çdo dëm që mund të ketë ndodhur, dhe ne do ta informojmë publikun gjatë gjithë ditës”, tha zonja Hochul.

Tërmetet janë më pak të zakonshme në bregun lindor të Amerikës, pasi kjo zonë nuk është në kufijtë e pllakave tektonike.

Lëkundjet të kujtojnë tërmetin e 23 gushtit të vitit 2011 që tronditi dhjetëra miliona njerëz nga Xhorxhia në Kanada. Tërmeti i vitit 2011 me magnitudë 5.8 dhe epiqendër në Virxhinia është më i forti që ka goditur Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tërmeti shkaktoi të çara në monumentin e Uashingtonit dhe nxiti evakuimin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, duke tronditur njujorkezët tre javë përpara 10 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

SHBA: një tërmet trondit 42 milionë njerëz

Qytetarët të çorientuar në Mollën e Madhe

Tërmeti nuk shkaktoi dëme, por u ndje në të gjithë zonën metropolitane të Nju Jorkut dhe zonat përreth

VOAL- Një tërmet tronditi zonën metropolitane të Nju Jorkut të premten, raportoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS): banorët në të gjithë verilindjen ndjenë tinguj gjëmimi në një rajon ku njerëzit nuk janë mësuar të dëgjojnë lëvizjen e tokës.

Agjencia raportoi një tërmet me magnitudë 4.8, epiqendra e të cilit ishte afër Libanit, Nju Xhersi, rreth 70 km në perëndim të Nju Jorkut dhe 80 në veri të Filadelfias. Të dhënat e USGS tregojnë se tërmeti mund të jetë ndjerë nga mbi 42 milionë njerëz.

Për momentin nuk ka të dhëna për dëme, njoftojnë autoritetet. Guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul shkroi në X se tërmeti u ndje në të gjithë shtetin. “Ekipi im po vlerëson ndikimin dhe dëmin e mundshëm dhe ne do të përditësojmë publikun gjatë gjithë ditës”, tha Hochul.rsi-eb

(Video) “Shpëtimtari i Kosovës” – Dokumentar kushtuar ish Kongresmenit Joe DioGuardi, kryelobistit në Washington DC

Dokumentar kushtuar Kryelobistit në Washington DC – ish Kongresmenit Joe DioGuardi, “Shpëtimtarit të Kosovës”.

Ne sot dëgjojmë përralla me pseudolobistë inekzistentë që kërkojnë veç pare – të cilët në mënyrën më të poshtër ose bëjnë sikur e harrojnë ose e minimizojnë rolin e Kongresmenit Joe DioGuardi i cili përfshiu emrat më të shquar të Kongresit dhe Senatit Amerikan në çështjen e Kosovës.

Pa Joe DioGuardin – Kosova nuk do të ishte këtu ku është sot.

Të gjithë emrat e politikës shqiptare, duke nisur me Ibrahim Rugovën – do të ishte Kongresmeni Joe DioGuardi që do t’i sillte dhe faktorizonte në Washington DC.

Mirënjohje e pafundme!

Nuk ka mbetur ish Sigurims i Shteti që ka zbarkuar në SHBA që nuk ka marrë medalje nderi nga Presidentët e Shqipërisë, përveç Joe DioGuardit dhe Shirley DioGuardit.

Shame, turp!

“Shpëtimtari i Kosovës”, premiera e dokumentarit do të shfaqet në New York City gjatë muajit prill.

Autor & producent Hysen Zeqaj – Regjisor Florent Zeqaj

Më poshtë një trailer nga dokumentari.

 

 

Trumpi jep 175 milionë dollarë garanci

Kështu, ish-presidenti amerikan shmangi sekuestrimin e aseteve të tij dhe do të jetë në gjendje të apelojë në rastin e mashtrimit civil

VOAL- Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, depozitoi të hënën në gjykatë një garanci prej 175 milionë dollarësh për të shmangur sekuestrimin e aseteve të tij, sipas një dokumenti gjyqësor të bërë publik. Ai kishte kohë deri të enjten për ta bërë këtë.

Në mes të shkurtit, politikani u gjobit me 454 milionë dollarë në një proces civil së bashku me djemtë e tij Eric dhe Don junior për mashtrim financiar brenda perandorisë së tyre të pasurive të paluajtshme, Organizatës Trump. Një javë më parë, një gjykatë apeli në Nju Jork lehtësoi presionin financiar ndaj përfaqësuesit republikan, duke ulur lirimin me kusht në 175 milionë dollarë.

Dorëzania u mbulua nga një kompani sigurimesh dhe është e barabartë me një garanci, në këtë çështje civile në të cilën kandidati që kërkon të kthehet në Shtëpinë e Bardhë ka apeluar. Në këtë rast, Donald Trump dhe fëmijët e tij u akuzuan se kishin fryrë kolosalisht asetet e tyre gjatë gjithë viteve 2010, për të marrë kredi më të favorshme nga bankat.

Trump do të gjykohet më 15 prill, këtë herë në gjykatën penale, për një rast tjetër që përfshin pagesa të fshehura për të mbuluar marrëveshjet e turpshme të biznesit në vitin 2016, një e para historike për një ish-president të SHBA.rsi-eb


Send this to a friend