VOAL

VOAL

Haradinaj: Askush nuk ka të drejtë të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë, ndërsa ritheksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër dhe kjo do të dëshmohet në të gjitha proceset.

Komentet e kryeministrit Haradinaj, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, i bëri këto komente pasi që disa ish pjesëtarë të asaj ushtrie janë ftuar nga prokuroria e posaçme për krime lufte në Kosovë për t’u intervistuar.

Prokuroria e posaçme nuk ka folur për këto ftesa që janë bërë publike nga avokatët mbrojtës të të ftuarve.

Në mesin e tyre janë Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, Sami Lushtaku e Sokol Dobruna. Në mesin e atyre që kanë marrë ftesë është edhe Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës si “Molla e kuqe”, i cili u ka thënë medieve lokale se nuk do të paraqitet në intervistë meqë nuk i beson Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është përballur dy herë me Gjykatën për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe është shpallur i pafajshëm, shkroi në facebook se “sakrifica e popullit të Kosovës deri te liria e pavarësia ishte e pashembullt në historinë e re të Evropës. Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e shenjtë dhe kjo është dëshmuar tashmë. Nga ne, janë kërkuar gjithnjë e më shumë sakrifica e përballje me drejtësinë, ndonëse ne ishim viktima të agresionit. Përgjigjja e qytetarëve të Kosovës dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, filtrave të drejtësisë ndërkombëtare ka qenë e menjëhershme dhe pa hezitim”.

Ai shkroi pos tjerash se “Gjykata Speciale, edhe një dëshmi se sa larg ka shkuar sakrifica jonë për një shtet të së drejtës, është edhe një sfidë në rrugën tonë përpara, të cilën së bashku do ta tejkalojmë dhe nga ajo do të dalim më unikë dhe më të fortë. Siç kemi kaluar shumë vështirësi për të arritur këtu ku jemi, të gjithë duhet ta kuptojnë se si shtet e shoqëri edhe këtë dhembje, pas Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut e EULEX-it, do ta kalojmë faqebardhë së bashku, sepse luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën. Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë”.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe “nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni”.

Çfarë e lidhë të arrestuarin për trafik droge me familjen Thaçi?

Enis Qerka është arrestuar nga Policia e Kosovës të shtunën në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ai, së bashku me vëllain e tij, një polic të Kosovës dhe një person tjetër, po dyshohen se janë pjesë e grupit që para një jave u kapën më 113 kilogramë heroinë në Prishtinë. Ndaj tyre gjykata të hënën ka caktuar 1 muaj paraburgim.

Qerka është një mbështetës i madh i familjes Thaçi, dhe në veçanti i presidentit Hashim Thaçi, shkruan Insajderi.

Në media u raportua se Qerka e kishte shef vëllain e presidentit Thaçi, Gani Thaçin, shefin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, duke shërbyer si shofer i tij dhe si zyrtar në BKS.

Ndërkaq Gani Thaçi ka mohuar se Qerka ka qenë shofer i tij.

“Emri im është lakuar sot nëpër portale se gjoja shoferi im është arrestuar, unë dua ta demantoj se Enis Qerka nuk është shoferi im. Enisi është punëtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit që 6 vite në pozitën e shefit të logjistikës”, kishte thënë Thaçi për një portal.

“Megjithatë, Enis Qerka nuk është shoferi im”, ishte shprehur ai.

Mirëpo Qerka, bashkë me shefin e tij, Ganiun, në tetor të këtij viti kishin sulmuar dy zyrtarë në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Në atë kohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës, Qekres i referoheshin si shofer i Ganiut.

Gani Thaçi provon ta lërë në lloç Enis Qerkën, por Prokuroria konfirmon se është shoferi i tij

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, kishte deklaruar se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij kanë qenë duke u hetuar si të dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaçi dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është iniciuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, kishte thënë Berisha.

Se Enis Qerka është një admirues i madh i familjes Thaçi, kjo vërehet nga postimet e tij në Facebook.

Qerka mbështet publikisht në mënyrë të veçantë, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Në qershor të 2014-ës, Qerka postonte fotografi bashkë me Thaçin.

Për të, Hashim Thaçi është numër një.

 

Ai në zgjedhjet e 2017-ës kishte mbështetur edhe Evgjeni Thaçin, mbesën e presidentit Thaçi.

Ndërkaq, edhepse ekzistojnë fotografi të Qerkës me vëllain e presidentit Hashim Thaçi, Ganiun, në Facebook Qerka momentalisht nuk ka fotografi me të.

Aksioni i së shtunës ishte vazhdim i atij të 2 dhjetorit të këtij viti, ku policia kapi 113 kg drogë në Prishtinë, me ç’rast kishte arrestuar 4 shtetas të Shqipërisë.

Por, ndryshe nga aksioni i 2 dhjetorit, kur Policia e Kosovës kishte thirrur edhe konferencë për media pas arrestimit të katër shtetasve shqiptarë, të njëjtën gjë nuk e kanë bërë kur u kap të shtunën pjesa tjetër e të njëjtit grup, e që në mesin e të arrestuarve ishte edhe Enis Qerka.

Për këtë rast, Policia ka dhënë vetëm një njoftim të shkurtër në raportin e zakonshëm 24 orësh. /Insajderi.com

Qeveria pranon bashkëkryesimin e dialogut me opozitën

Arton Konushevci

Qeveria e Kosovës po i vazhdon përpjekjet për gjetjen e një konsensusi që do t’i siguronte mbështetjen e opozitës për të marrë rolin prijës në dialogun politik me Serbinë. Dialogu në këtë nivel, kryesisht është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por, së fundmi, zyrtarët e Qeverisë i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për t’i dhënë Qeverisë rol prijës në këtë proces.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka prezantuar në vazhdimësi një pozicion ndryshe me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, duke kundërshtuar sidomos idenë për ndryshimin e kufirit, e cila kishte dalë si ide nga dy aktorët kryesorë të bisedimeve në Bruksel, përkatësisht nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria ka propozuar që kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj të marrë rolin e kryesuesit të ekipit negociator.

Endrit Shala, nga Nisma Socialdemokrate, njëherësh ministër i Tregtisë dhe Industrisë tha se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili është propozuar si udhëheqës i ekipit, ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë unitet nga të gjitha subjektet politike për dialogun me Serbinë.

“Kryetari Limaj që nga emërimi i tij si udhëheqës i delegacionit për negociata me Serbinë, ka shprehur qëndrimin e tij se është i interesuar që pjesë e këtij ekipi të jetë edhe opozita. Përpjekjet e zotit Limaj që në këtë ekip ta ketë edhe opozitën kanë qenë të parreshtura dhe ne shpresojmë që shumë shpjet do të kemi rezultat në këtë aspekt”, tha Shala.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se për çështjen e dialogu nuk duhet të ketë ndarje midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Aktualisht, Qeveria Haradinaj po mbështetet nga dy parti opozitare, Partia Socialdemokrate e cila ka 12 deputetë në Kuvend dhe Alternativa për Kosovën, që përfaqësohet nga dy deputetë.

Po ashtu, Haradinaj ka marrë edhe konfirmimin e një pjese të shoqërisë civile për angazhim në dialog, nëse ndërkohë arrihet të krijohet një konsensus i gjerë politik. Por, nisma e Haradinajt, nuk e ka mbështetjen e dy partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy të fundit, po insistojnë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe dialogu të udhëhiqet nga institucionet e reja që do të dalin më pastaj.

Zyrtarët e Partisë Socialdemokrate (PSD), thonë se ka kaluar më shumë se një javë kur subjekti i tyre, bashkë me disa të tjera, kanë paraqitur para grupeve parlamentare rezolutën dhe projektligjin për dialogun me Serbinë.

PSD thotë se rezoluta pas votimin në Kuvend, do ta themelojë ekipin shtetëror si organin përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, kurse me Ligjin për dialogun, Kuvendi i Kosovës do të mbajë rolin qendror në procesin e dialogut. Visar Ymeri, nënkryetari i PSD-së ka deklaruar se i gjithë procesi tashmë ka mbetur në Partinë Demokratike të Kosovës për të thënë mendimi e saj përfundimtar.

“Ne kemi qenë gati që nga e marta e kaluar dhe jemi gati edhe sot. Kjo varet tash nga vullneti i partive politike dhe prapë po them të një partie, në këtë rast të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila duhet ta thotë po-në përfundimtar, në mënyrë që të votohen këto dy dokumente”, tha Ymeri.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti është përfolur se mund të jetë bashkëkryesues i ekipit negociues, së bashku me Fatmir Limajn.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se PDK-ja nuk është pengesë për të shkuar tutje në miratimin e rezolutës edhe ligjit që ka të bëjë me dialogun.

Ai tha se fakti që është pranuar Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti që të jenë bashkëdrejtues, tregon për hapjen e mirëfilltë që ka PDK-ja në raport me këtë temë dhe seriozitetin, të cilin e shtron ajo.

“Do të thotë ne mendojmë që Kosova duhet ta ketë një ekip, i cili përbëhet prej partive të koalicionit në Qeveri, prej kolegëve që vijnë nga opozita dhe kemi siguruar mbështetje të nevojshme. Por, si do të duket rezoluta, si do të duket platforma për negocim, si do duket projektligji apo rregullorja e cila do të duhej ta rregullojë çështjen e ekipit negociator, këto janë çështje që duhet të trajtohen prej grupeve parlamentare”, tha Hoxhaj.

“Çdoherë përmes kompromisit, përmes negocimit, mund të arrihet përafrimi i pozicioneve mes subjekteve politike. Por, ne e kemi një qasje serioze, jemi të vendosur, dhe shpresojmë që gjatë këtyre ditëve ta votojmë ekipin, i cili në bashkëpunim dhe koordinim me presidentin, duhet ta përfaqësojë vendin në Bruksel. Unë mendoj se ky ekip, së bashku me presidentin, do ta krijojë një unitet të brendshëm. Ajo për të cilën ka nevojë Kosova është që ta kemi një unitet të brendshëm”, tha ai.

Hoxhaj tha se qasja e Partisë Demokratike është që mbështetë dialogun dhe siç tha ai, kërkohet shpejtësi në dialog, pasi ai procesi do të jetë i vështirë dhe duhet unitet i brendshëm.

“PDK-ja për temat e karakterit nacional, çdoherë konsultohet, koordinohet me liderët institucionalë. Ne jemi parti e cila ka qëndruar shumë gjatë në pushtet, kushdo që ka qenë në pushtet e ka pasur respektin dhe mbështetjen tonë, siç e ka edhe presidenti Thaçi, dhe unë mendoj se tema e dialogut nuk është temë as Qeverisë, as e Kuvendit, as e presidentit, por është temë e të gjithëve, mbi të gjitha është temë e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoxhaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha për Radion Evropa e Lirë, se mes grupeve parlamentare kanë një dakordim për rregulloren dhe Ligjin për dialogun, por sipas tij, tashmë ka mbetur që kryetarët e partive politike të pajtohen dhe të marrin një vendim të shpejt.

Sherifi thekson po ashtu se Partia Demokratike e Kosovës, ka disa kërkesa të veçanta sa i takon Ligjit dhe kompetencave për presidentin.

“Ajo që unë di është se PDK-ja ka rezervat e saja sa i takon ligjit, sidomos ligjit ku bëhet fjalë për kompetencat e presidentit në ketë proces. Pra, ata duan një rol më të madh të presidentit në krejt këtë proces”, tha Sherifi.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë Kosovës, Ahmet Isufi, tha se ka përparime në drejtim të miratimit të rezolutës dhe Ligjit për dialogun.

“Ka mbetur që Partia Demokratike e Kosovës me Partinë Socialdemokrate ta shikojnë çështjen në nivel liderësh tani, sepse grupet parlamentare kanë kryer punën e vet, ndërsa ka mbetur në nivelin e liderëve të rregullohet”, tha Isufi.

Në projekt-rezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, thuhet se delegacioni shtetëror do të përbëhet nga përfaqësues politikë të votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Delegacioni shtetëror sipas rezolutës, ka dy bashkëdrejtues që vijnë nga radhët e opozitës dhe pushtetit. Të dy bashkëdrejtuesit do të duhej të votoheshin nga Kuvendi, së bashku me delegacionin shtetëror.

Po ashtu, duke synuar përfaqësimin sa më të gjerë dhe të barabartë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, sipas rezolutës, do që duhej që një përfaqësues të jetë nga shoqëria civile, si anëtar i rregullt i delegacionit shtetëror. Edhe ky anëtar, do të duhej të merrte votat nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të votimit të platformës për dialog. Delegacioni shtetëror është paraparë që të ketë 11 anëtarë.

Delegacioni i Kosovës vizitë në Zyrën Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq

GJENEVË – Një Delegacion i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Jahja Lluka, Këshilltar i Kryeministrit, i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Ibrahim Makolli, Kryetar i Delegacionit për bisedime me Serbinë për çështjen e të zhdukurve, Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të shoqëruar edhe nga Benjamin Nikoliqi, Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, ka qëndruar në Gjenevë, ku krahas konferencës të mbajtur për mediat zvicerane dhe ndërkombëtare për çështjen e personave të zhdukur, kanë zhvilluar edhe një vizitë në Zyrën Qendrore të Komitetit Ndërkombëtat të Kryqit të Kuq.

Delegacioni êshtë pritur nga Drejtori i KNKK-së për Evropë dhe Azi Qendrore, Patrick Vial, dhe Koordinator i Operacioneve për Evropë dhe Azi Qendrore, Nicolas Fleury. Më këtë rast, Këshilltari i Kryeministrit, i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, falenderoi Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, për përkrahjen e vazhdueshme në procesin e ndricimit të fatit të personave të zhdukur. Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e intesifikimit të bashkëpunimit dhe rritjes së përpjekjeve të përbashkëta për më shumë rezultate në këtë proces të ndjeshëm por edhe më rëndësi jetike për familjet e personave të zhdukur dhe mbarë qytetarët e Kosovës. Vizita në Gjenevë e Delegacionit të Republikës së Kosovës është duke u zhvilluar me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Prishtina stoliset me flamuj amerikanë

Sheshet kryesore të Prishtinës janë stolisur me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shenjë falënderimi për një grant të ndarë për Kosovën nga bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

MCC ka njoftuar se i ka dhënë Kosovës, Marrëveshjen Kompakt, përmes së cilës, Kosova do të marrë dhjetëra milionë dollarë shtesë për investime strategjike infrastrukturore, veçmas në sektorin e energjisë.

“Qeveria i ka vendosur flamujt. Dje kemi marrë lajmin për MCC (Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit), që i ka ndarë edhe miliona euro për Kosovën, investime në infrastrukturë dhe energji, dhe si shenjë falënderimi për këtë lajm dhe partneritet i kemi vendosur flamujt”, tha për Radion Evropa e Lirë, Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës.

Ky grant i ri i marrë nga MCC, bazohet në grantin e nënshkruar prej 49 milionë dollarësh nga Marrëveshja e mëhershme e Pragut.

Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar këtë mekanizëm për këtë grant dhe ka thënë se “viti 2018 po na kurorëzohet me ngjyrat e shenjta të flamurit amerikan dhe aleancës se bekuar të Kosovës me SHBA”.

Korporata e Sfidave të Mileniumit është një degë e Qeverisë amerikane që sjell investime në fusha kritike për krijimin e vendeve të reja të punës.

Fehmi Agani për çështjen e ndarjes: Kosova është një dhe e pandashme – Nga AGIM HYSENI

 

Derisa Serbia të mos gjejë mbështetje në ndonjë shtresë shqiptare, synimet e saj në lidhje me Kosovën janë të dështuara dhe me plot të drejtë sot mund të themi se Serbia luftën në Kosovë e ka humbur” (Agani, 1994).

Nga periudha e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, fillojnë dhe zhvillohen idetë, projektet dhe praktikat për copëtimin e copave të trojeve shqiptare, përfshirë edhe vetë Shqipërinë. Trojet e banuara me shumicë popullatë autoktone shqiptare, u ndanë  nga aneksimet e rianeksimet klasike të dhunshme ushtarake të shteteve përkatëse apo aleancave në mes tyre (ish-MSKS; ish-RSFJ).

“Ndarja e shqiptarëve me krijimin e Shqipërisë në kufijtë e sotëm, ishte një tragjedi e madhe e popullit tonë e cila pamundësoi përparimin në zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor…” theksonte Fehmi Agani (1992). Tragjeditë e mëdha, është thënë, dalin nga portat e kombeve të vogla. Shqiptarët, paraqesin një fenomen se si mbijetuan.

Idetë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, që nga periudha e okupimit serb e deri në fund të nëntëdhjetave, kanë ardhur nga intelektualët serbë të proviniencës raciste, pavarësisht rreshtimeve të tyre politike. Me pushtimin dhe aneksimin e Kosovës, Serbia “ka zhvilluar një represion të pandërprerë, të gjitha këto në një funksion themelor me qëllim të arritjes së realizimit të atij programi që në Serbi u themelua në vitin 1910, program i ashtuquajtur për Kosovë, i cili parashihte që një prej objektivave kryesore të jetë ndërrimi i strukturës etnike të Kosovës…me dëbimin e shqiptarëve…” (Agani,1994). Kjo ngase ideja e doktrinës së shenjtë serbe, përkatësisht ideja për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve duke shfarosur shqiptarët përmes terrorit sistematik shtetëror serb dhe institucionalizimit të kolonizimit me serbë e malazezë nuk u realizua në plotni. Zgjidhje përfundimtare nënkuptonte dhe nënkupton: Kosova pa shqiptarë. Prandaj Kosova, me shqiptarët që mbijetuan terrorin shtetëror serb dhe mbetën në vatrat e tyre, për ta  u shndërrua në problem në rritje.

Teza për ndarjen e Kosovës është tezë serbe. ‘Babai i nacionalizmit serb’ Dobrica Qosiq, shkrimtar e politikan, është autori i idesë për ndarjen e Kosovës Dobrica Qosiq njihej si  ‘Ideolog i pastrimit etnik’ siq do e quaj Jasques Delors, kryetari i komisionit të Bashkimit Evropian. Idenë e vet për ndarjen e ka paraqitur në Mbledhje të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë që me 1968. Me rastin e Demonstratave të  shqiptarëve e viteve 80 për Republikën e Kosovës, do të shënojë në ditarin e vet: ”Kosova për një ose dy dekada do të bëhet një shtet shqiptar. Ajo duhet të ndahet me Shqiptarët”. Qosiqi me 1992 i ka propozuar ndarjen e Kosovës edhe Warren Zimmerman-it, ambasadorit të atëhershëm amerikan ne Beograd, që një pjesë e Kosovës, pjesa lindore, të mbetet në Serbi. Në këtë kohë Ambasadori Amerikan Zimmerman publikisht e gjykon raportin kolonial të Serbisë në Kosovë dhe deklaron se shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë nuk mund të haset në Evropë. Një qëndrim i tillë kolonialist ishte edhe ideja për ndarje të Kosovës. Po më 1992, si ka publikuar një gazetë italiane, propozimi i Qosiqit ka qenë pak më ambicioz: që pjesa qendrore dhe lindore e Kosovës t’i mbetet Sërbisë, ndërsa pjesa tjetër Shqiptarëve.

Nga vitet e ’90-ta, ideja e ndarjes së Kosovës do aktualizohet edhe nga vendet mike të Beogradit zyrtar dhe asokohe të Qosiqit si kryetar i ish-Jugosllavisë së mbetur (1992/’93). Kështu, nga fundi i vitit 1992, aso kohe kryeministri i Greqisë, Konstantinos Mitsotakis, ka shtruar po ashtu një plan për ndarjen e  Kosovës, që kanë provuar inicimin, bindjen dhe arritjen e një marrëveshje eventuale për ndarjen e Kosovës, që do të nënkuptonte pëlqim për ndarjen e Kosovës në mes të Shqipërisë dhe të Serbisë. Sipas vet Qosiqit Greqia ka qenë “më e interesuara për marrëdhëniet serbo-shqiptare sepse çështja shqiptare ishte edhe çështje greke”. Projekti i ndarjes nga Qosiqi ju paraqitet në Gjenevë edhe Sajrus Vensit dhe Robert Ovenit, të cilët e refuzojnë nga frika e ndarjes së  BeH dhe Maqedonisë. Në Gjenevë,  Sajrus Vensi e këshillon Qosiqin: “Mos e shtroni çështjen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme”.

Në një pyetje lidhur me takimin e një grupi, me gjasë, të kolonistëve e pushtetarëve serb nga Kosova, “i  grupit të delegacionit nga Kosmeti me Dobrica Qosiqin mbi njëfarë ndarje të Kosovë-Metohisë” siç është shtruar e  drejtuar nga gazeta Borba e Beogradit, në Janar të ’93-shit, Agani i përgjigjet: ”Kemi dëgjuar dhe përmendet ndarja e Kosovës. E dimë që ideja e tillë ekziston, por kjo për ne është absolutisht e papranueshme. Kosova është edhe në pikëpamje gjeografike, edhe ekonomike dhe shoqërore dhe në çdo pikëpamje tjetër, një tërësi dhe me ndarjen e saj nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje” (1993).

Në rrethana  të krizës dhe shpërbërjes së ish-RSFJ-së, kësaj ‘Perandorie të pabarazisë’ siç e quante Agani, si rezultat  i presionit i brendshëm përmes organizimit të lëvizjes paqësore aktive në shkallë vendi, qëndresës e vendosmërisë së  shqiptarëve, kompaktësisë së bindjeve dhe e veprimit të tyre, si edhe presionet e opinionit e shteteve demokratike, veçmas të Presidentit të SHBA-së, Kosova arriti të zhvillojë një lëvizje paqësore aktive masive dhe të fitojë përkrahjen e botës demokratike që deri atëherë pak dinte, nëse dinte për vendin tonë.

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush në përcaktimin e vijave të kuqe për Sërbinë ndaj Kosovës, në letrën e tij të vitit 1992, atëherë presidentit të atëhershëm të Serbisë Slobodan Millosheviç, e paralajmëroi atë të mos shkaktojë me veprimet e veta  një konflikt në Kosovë, ende pjesë nën okupimin e Serbisë, pas shkatërrimit të Jugosllavisë. “Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi.” (Presidenti George H.W. Bush në letrën drejtuar Sllobodan Millosheviçit, atëherë President i Sërbisë, 25 dhjetor 1992). Ky qëndrim është konfirmuar pas më pak se dy muajve edhe nga Sekretari Shtetërori i ShBA-së, Warren Christopher: “Ne mbetemi të përgatitur për t’u përgjigjur kundër serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb” (Sekretari i Shtetit, Warren Christopher, 13 shkurt 1993).

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush, vdiq dhe u varros javën e kaluar, me nderimet më të larta shtetërore në SHBA. Në Kosovë u mbajt ditë zie dhe përherë do kujtohet si hero dhe figurë historike me rëndësi kombëtare në vendin tonë dhe ndër shqiptarë. Një shenjë e vogël e respektit të madh u shënua nga mësuesit në të gjithë vendin në Kosovë të cilët i kushtuan orën e parë të mësimit ish-Presidentit Bush të SHBA-ve për kontributin e tij për lirinë e Kosovës dhe marrëdhënieve midis dy vendeve.

Rezultanta e presionit të brendshëm dhe presionit ndërkombëtar të vendeve demokratike me në krye SHBA-të do të bëjnë të tejkalohet bllokada e Kosovës.

“…Duhet t’i jemi mirënjohës asaj pjese të botës e cila na ka sugjeruar të evitojmë luftën për të cilën nuk kemi qenë të përgatitur dhe e cila do të ishte vetëm një aventurë” duke patur parasysh rrethanat, pasojat e mundshme tragjike dhe shembullin e luftës në Bosnje me 200.000 të vrarë e me më shumë se 1.000.000 të shpërngulur.

“Liria është punë shumë e madhe, ka kuptim për të gjallët e jo për të tjerët dhe përderisa  të ketë mundësi njeriu të arrijë diçka pa humbje njerëzore, duhet të provojë vazhdimisht.” Në këto rrethana gjithnjë e më të rënduara lëvizja e shqiptarëve “ka arritur të legjitimojë përfaqësimin politik të interesave të shqiptarëve” (Agani, 1996).

Kosova është e pandashme (1994)

Kosova është e pandashme, është qëndrim i bazuar në të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje që e shpjegon qartë Profesor Fehmi Agani, sa i përket mundësisë së ndarjes së Kosovës. Argumenton në mënyrë analitike, shpjegon dhe parashikon se: “projektet për ndarjen e Kosovës janë fare të papranueshme. Për shkak të ndërlidhjeve të veta etnike, ekonomike dhe të ndërlidhjeve të tjera, Kosova është e pandashme. Në Mbretërinë Jugosllave Kosova ishte e ndarë në tri banovina, kurse  gjatë Luftës së Dytë Botërore në tri zona të okupuara (të Italisë,  të Gjermanisë dhe të Bullgarisë), megjithatë Kosova ka bërë jetë si një tërësi ekonomike,  shoqërore, madje edhe politike. Fundja, nuk është e mundur ndarja e Kosovës pa zhvendosjen e disa qindra mijë njerëzish. Kush do ta dëshironte apo mund ta pranonte një gjë të tillë?” (Agani, 1994).

Në Kosovën e kohës, pavarësisht peshës së presionit serb nuk ka pasur kurrfarë shtresimesh karshi çështjeve kryesore që kanë pasur të bëjnë me statusin e Kosovës, madje edhe për mënyrën e realizimit të tij. Rreth kësaj çështje në të gjitha partitë politike dhe në mbarë opinionin shqiptar ekzistonte një pajtim i plotë.

Qëndrimet e kryetarit të Republikës, Dr. Rugova, dhe të  kryeministrit “ishin caktuar në mënyrë obligative me Referendumin e vitit 1991 për Kosovën sovrane dhe të pavarur. Përfundimet e referendumit përcaktojnë autorizimet e tyre si dhe përcaktimet e tyre personale rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, nënvizonte Agani interpretimin e tij kompetent dhe te përgjegjshëm të autorizimeve obligative të autoriteteve  institucionale te Republikës, pavarësisht nga shpërputhjet eventuale që mund të jenë rezultat i pasaktësive të ndonjë deklarate ose të pasaktësisë së transmetimit të saj.

Qëndrimi i njëjtë i vendosur do të mbahet deri në fund të jetës aq të angazhuar publike dhe do  përsëritet edhe në intervistën e Aganit dhënë Nasa Borba-s më 1998, një vit para çlirimit të vendit: “ Së pari mendoj se Kosova nuk është e mundur të ndahet. Kosova… e paraluftës shtrihej në tri banovina, gjatë okupimit në tri zona okupuese, ndërkaq, megjithatë, ka frymuar me një jetë të përbashkët. Ishte njësi relativisht organike. Së dyti, ju në Kosovë nuk keni komunë ku popullsia serbe është shumicë dhe, për këtë arsye, ndarja do të thotë transferim i mijëra njerëzve andej e këndej. Nuk ka “ transferim human”. Ta përjashtosh dikë nga shtëpia e tij, nga mjedisi i tij, është gjëja më johumane.”

Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin” (1996).

Në kohëra të paparashikueshme të parashikohen saktë rrjedhat e ngjarjeve, madje të ndikojnë në to në rrjedhat e duhura, është e mundur vetëm nga subjekte aktive dhe studiues e njohës të thellë te realiteti kompleks shoqëror të ndarë në ‘ne’ dhe ‘ata’, në ‘miq’  dhe ‘armiq’, me të gjitha karakteristikat shoqëruese. Gjithnjë në interes të mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale njerëzore, pavarësisht origjinës. Në një kohë si kjo, Agani shpjegonte se nuk shihte mundësinë për realizimin e idesë së protektoratit për arsye se “në atë moment që Serbia do ta pranonte protektoratin njëherit do të pranonte se ka marrë fund puna e Kosovës”, dhe vazhdon se Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin. Por, theksimi i kërkimit të një protektorati ka domethënie ngase  e demonstron përparësinë tonë. Si i këtillë vërtet është shumë i mirë” (Agani, 1996).

Për këto zhvillime i pranojnë ‘gabimet’ e veta vet autorët e Memorandumit serb që inicuan  krimet në ish-RSFJ-në, të Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencës dhe të Arteve ku thuhet se është gabim pse është lejuar  që edhe shqiptarët në Kosovë të quhen Albanci. Pra është fjala për tendencën paramenduar që të krijohet përshtypja se ‘këta’, shqiptarët në Kosovë janë diç tjetër, ndërsa ‘ata’ shqiptarët në Shqipëri janë diçka tjetër; Për krijimin dhe përhapjen përmes termit ‘Shiptar’ të stereotipit racist, ekstrem negativ për shqiptarët.

Pavarësisht oscilimeve të qëndrimeve politike rreth statusit të Kosovës , “Shteti shqiptar dhe vetë doktor Sali Berisha, në të gjitha instancat e ka shtruar çështjen e Kosovës”, nënvizon Agani, “si një prej objektivave kryesore të politikës së Shqipërisë,” i përkushtuar për ta mbështetur Kosovën e për të kundërshtuar të gjitha opsionet për ndarjen e saj.

Kërkesa legjitime për subjektivitetin e shqiptarëve dhe për barazi, si një koncept politik që u shfaq dhe u  artikulua qartë në diskutimet kushtetuese dhe në demonstratat e vitit 1968 për Republikën e Kosovës, që zhvillohet në demonstratat masive më 1981, që vazhdoi me greva e demonstrata kundër suspendimit antikushtetues të Kushtetutës e institucioneve legjitime të Kosovës, u kodifikua si kërkesë gjithëpopullore  dhe u shndërrua në një platformë politike më 1989-1990 kur fillon lëvizja paqësore aktive në shkallë vendi. Këto kërkesa legjitime të shqiptarëve nga forcat e  dominimit e të racizmit institucional serb u refuzuan dhe u ndoqën gjoja si kërkesa për Shqipëri të Madhe. “Pasi s’ishin argumentet, arsyeja, e drejta që të mund t’u kundërviheshin kërkesave normale e legjitime të shqiptarëve, këto kërkesa duhej të pamundësoheshin, madje jo vetëm realizimi, por edhe shprehja, paraqitja e tyre. Kërkesat e shqiptarëve duhej të ilegalizoheshin, t’u merrej e drejta e shfaqjes publike. Dhe për këtë qëllim përdorej etiketa: Shqipëria e Madhe!” (Agani, 1991).

Për aq sa kërkesat legjitime e normale të shqiptarëve  për të drejta e  për barazi do shtrohen për zgjidhje e do shënojnë ndonjë hap përpara (Universitetit, Kushtetuta e vitit ’74…) në një  progresion aritmetik, të drejtë, hap pas hapi, për aq do të shpeshtohet përsëritja e sintagmës ‘Shqipëria e Madhe’ nga Serbia, me një progresion gjeometrik, si  Hitleri që ”akuzon armiqtë e tij pikërisht për ato që haptas i pranon si qëllime të veta! (E.Fromm), që nga ndryshimi i strukturës etnike përmes terrorit shtetëror ushtarak, policor e paramilitar, përmes dëbimit e modelit të kopjuar nga Hitleri i ‘zgjidhjes përfundimtare te çështjes shqiptare’ të Çubrilloviqit e deri te gjenocidi e shfarosja,  kampet e përqendrimit dhe dëbimi i shqiptarëve nga shtëpitë e veta. Si në vendin e origjinës Ideologjia nacional-socialiste si edhe ajo fashiste serbe “shndërrohej lehtë dhe shpesh nga vetëdija e rrejshme në rrenë të vetëdijshme, ishte demagogji e lakuriqur, proklamim i gënjeshtrave” (Agani); sepse vazhdojnë të ju humbin projektet e bazuara në gjenocid shtetëror, e mbi këtë bazë të ju rrezikohen privilegjet kolonialiste të fituara ndaj të tjerëve, dhe  për ta humbja e privilegjeve  vazhdon të përjetohet, vajtohet e të paraqitet si humbje e barazisë me të tjerët. Serbia për aq sa ka dështuar për zmadhimin dhe ruajtjen e ‘Serbisë së Madhe’ për aq do të vazhdojë të luajë rolin e viktimës së rrezikuar nga “Shqipëria e Madhe”—sintagmë e krijuar nga okupatori dhe kuislingët e tyre, “Bullgaria e Madhe”, “Kroacia e Madhe”…

“S’ka dyshim se politika e sotme serbe ndaj shqiptarëve  është një neoqubrilloviqizëm, një variant i ri, por jo edhe i moderuar, i koncepteve të dëbimit ose të reduktimit maksimal të numrit të shqiptarëve në këto troje”, shpjegon Agani në një nga intervistat e shumta përmbajtjesore e të guximshme të kohës.

Me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë shqiptarët janë në një situatë mjaft të vështirë, bile, mund të themi se janë në rrezik, pasi tash ndahen të Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë – shpjegonte Agani në fillim të vitit 1994.”Ndërkaq, sa i përket  pozitës së shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanovc dhe shqiptarëve në Mal të Zi… “Është një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në cdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në çdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor…”. Shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanovcit ishin në pozitë të diskriminuar. Ngjashëm ishin edhe “shqiptarëve të Malit të Zi që momentalisht  janë mjaft të diskriminuar duhet t’u njihet autonomia” (1994).

Fehmi Agani, mendimtari më i thellë i angazhuar për pavarësinë e Kosovës, profesori i njohur i shumicës së udhëheqësve shqiptarë të lëvizjes politike për barazi dhe pavarësi në Kosovë e ish-jugosllaviku luajti rolin integrues të pa zëvendësueshëm deri më sot,  kryediplomati ynë që gëzonte prestigjin dhe respektin edhe të krye-diplomatëve botërorë si Richard Holbrook e Christofer Hill, studiuesi që çështjen e të drejtës së Kosovës për pavarësi si kusht të çlirimit kombëtar e ngriti në nivel shkencor,  për Kosovën si një dhe të pandarë, bëri miq e përkrahës të shumtë si në mesin e shqiptarëve ashtu edhe në botën demokratike.

Në Konferencën e Rambujes u shqua edhe për angazhimin për gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme në rrethanat e luftës, në interes të një Kosove të tërë dhe të pavarur.

Për angazhimet në këtë Konferencë, gjatë bisedës, Profesor Agani pat veçuar rolin konstruktiv veçmas të pjesëmarrësve Jakup Krasniqi, Veton Surroi dhe David Philips, që mbajnë qëndrimet e tyre parimore, të përgjegjshme e të qarta edhe kundër idesë së korrigjimit të kufijve: të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndarja e Kosovës kundërshtohet edhe nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Marrëveshja e Brukselit (19 Prill 2013), si dhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 1, alinete 1 dhe 3).

Sokol Dobruna ftohet nga Gjykata Speciale

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, ka folur rreth themelimit të Gjykatës Speciale që pretendon të hetojë krimet e supozuara gjatë dhe pasluftës në Kosovë.

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna është ftuar nga Gjykata Speciale që të paraqitet në zyrat e saj më datë 12 të këtij muaji.

Ai nuk e di në çfarë roli është ftuar, si dëshmitar apo i dyshuar.

‘Më 12 ma ka caktu terminin kur duhet me u paraqit. Më është paraqitur një person që është prezantuar si slloven dhe punëtor i Prokuririsë së Gjykatës Speciale. Unë supozoj se mund të jem qoftë dëshmitar qoftë i akuzum, por nuk e di pse duhet me qenë”, tha ai për Pressing me Leonard Kerqukin në T7.

Tha se UÇK nuk ka kryer krime, por se ai do të bashkëpunoj me këtë Gjykatë.

“Jo nuk ka kryer krime. Kuptohet se do të bashkëpunoj, por në çfarë rrafshi në çfarë aspekti nuk e di”, tha ai.

Gjeneral Ramadan Qehaja-Komandant i Ushtrisë – Nga Gani Qarri

Fatbardhësisht njëjtë si për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, ashtu edhe për formimin e ushtrisë sonë, vendi ynë mori mbështetjen më të fuqishme dhe vendimtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa ajo që gëzon pafundësisht shqiptarët kësaj radhe në gjithë vendin, është fakti se SHBA, për shkak të tradhtive të pareshtura të tij, ndaj shtetit tonë të brishtë, përjashtuan tërësisht kuislingun Hashim Thaçi nga të gjitha procedurat e formimit të Ushtrisë së Kosovës!

Ambasadori i ri i sapoardhur amerikan në Kosovë, z.Philip Kosnett,poashtu ritheksoi edhe një herë në mënyrën më domethënëse se Kosova është dhe vazhdon të mbetet ndër prioritetet më të larta në politikën e jashtme amerikane, kurse evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura tha se është hap pozitiv dhe mese i natyrshëm që Kosova si vend sovran dhe i pavarur, të ketë ushtrinë e vet dhe zotërojë garancitë e nevojshme vetëmbrojtëse.

Megjithatë, kuislingut Hashim Thaçi, duket sikur nuk i mjafton as një shekull i tërë robërie dhe okupimi afro 100 vjeçar serb, shtypja e dëbimi permanent i shqiptarëve nga Serbia, dhjetëra mijëra të dhunuara, mijëra të burgosur, të vrarë e të masakruar, 1600 të kidnapuar, që ende as sot e kësaj dite, ky shtet agresor nuk ia kthen vendit tonë, dhe pas çlirimit të Kosovës nga SHBA dhe NATO, njohjes nga 116 vende ndërkombëtare, përveç mbulimit të pavarësisë së shtetit me Fusnotë*, tani kërkon edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për copëtimin e Kosovës me armiqtë si Serbia, duke shkelur kështu mbi gjakun e mijëra të rënëve ndër shekuj, të cilët u flijuan për lirinë dhe çlirimin e këtij vendi.

Ndaj me tu vënë në dyshim ideja për ndryshimin e kufijve, ai vrapoi në takim privat me Toni Blerin tash këshilltar personal i Aleksandër Vuçiqit, që të bëjë sa më parë koordinimin e veprimeve më të reja anti-Kosovë me kryetarin serb për ndarjen e Kosovës, në mënyrë që pas dorëheqjes së kryetarëve serb të komunave në veri të vendit, me tu votuar ushtria e Kosovës, të nxitet nga Serbia rebelimi edhe me detyrim i popullatës serbe në veri, me qëllim të çuarjes së tyre në kryengritje me ndihmën e BIA-s dhe agjentëve të Serbisë, të cilët që nga paslufta, janë aktiv në këtë pjesë të vendit.

Dhe kur kanë ngelur vetëm 4-5 ditë nga data e përcaktuar për votimin e transformimit të FSK-s, në Ushtri të Kosovës,ka zëra se Beogradi zyrtar me në krye pasardhësin e kriminelit Millosheviq, Aleksandër Vuçiqin do të shfrytëzoj amullin që mund të krijohet me burgosjen apo ftesat për intervistim të komandantëve të UÇK-s, nga Gjykata Speciale dhe inskenojnë formimin e të ashtuquajturës “Armatë e veriut” me në krye ish kapobandën e rojeve të urës Zvonko Veselinoviq dhe bashkëortakun si dhe kumbarën e tij nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojiçiq, kinse për të mbrojtur serbët e “frikësuar”, “çliruar” veriun nga shqiptarët  dhe bashkuar këtë pjesë të vendit tonë Serbisë.

 

Si Zvonko Veselinoviq, biznesmen kontrovers nga veriu i Kosovës, ashtu edhe kumbara i tij Milan Radoiçiq, nënkryetar aktual i Listës Serbe,të cilët konsiderohen lojtarët kryesorë edhe politikë në veriun e vendit, u gjykuan disa herë për krime të ndryshme.

Zvonko Veselinoviq u akuzua -që nga shitja e drogës, falsifikimi i dokumenteve, vjedhja e makinave, e deri te shpërdorimi i detyrës, por nuk u dënua asnjëherë. Ai u bë i njohur edhe për publikun e gjerë shqiptar kur nisi të organizonte barrikadat në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës në vitin 2011.

Në dosjet e policisë që nga viti 2001,Veselinoviq akuzohej për krim të organizuar dhe si udhëheqës i grupit që merrej me vjedhje të rënda, grabitjen dhe konfiskimin e automjeteve jo vetëm në veri por edhe në jug të Ibrit,deri në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës, duke bartur ato me ndihmën e bashkëpuntorëve shqiptar, ilegalisht në pjesën veriore të Kosovës dhe në Serbi.

Megjithëse dokumentohet se në vitin 2003 Veselinoviq u kap pranë Novi Pazarit me tre kilogram drogë të llojit heroinë dhe u arrestua në flagrancë nga policia, vetëm pse në gjyq deklaroi kinse drogën e kishte inskenuar vet policia, ai u lirua dhe nuk u dënua më kurrë.

Më 2012 Veselinoviq dhe Radoiçiq u akuzuan se kamionët e marrë me qira (lising) pas kalimit të afatit, në vend se ti kthenin në firmën që i kishin huazuar, ata i transferuan për përdorim ilegal në Kosovë, megjithatë në gjykimin e mbajtur më 2016, që të dy sërish u shpallën të pa fajshëm, përderisa një bashkëpunëtorë i tyre me rëndësi dytësore u dënua me tri vite burg.

Në tetor të vitit të kaluar vet Oliver Ivanoviqi në një intervistë të dhënë për media pati deklaruar hapur se Milan Radoiçiqi ishte një kriminel i lidhur ngushtë me partinë e Aleksandër Vuçiqit e cila mbanë pushtetin në Serbi dhe ka caktuar Radoiçiqin përgjegjës kryesor për Veriun e Kosovës.

Ndërsa në fillim të këtij viti u tronditë i gjithë opinioni jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, me të kuptuar se pikërisht Milan Radoiçiqi mbahej përgjegjësi kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit më 16 janar 2018 në Mitrovicë.

Në kërkim të Zvonko Veselinoviqit më herët, kurse tani edhe të Milan Radoiçiqit është vën edhe policia e Kosovës, por përderisa Veselinoviq ka kohë që strehohet në Serbi, së fundmi edhe Radoiçiqi arriti të ikte po atje, prej nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq po planifikon që me tu votuar transformimi i FSK-s në Ushtri, ai ti kthejë atë dhe Zvonko Veselinoviqin si udhëheqës formal të kryengritjes së serbëve të veriut, kurse luftën do ta udhëheqin oficerët e ushtrisë dhe policisë serbe,për aneksimin dhe okupimin e kësaj pjese të Kosovës nga Serbia.

Ky do të ishte aduti i parë për intervenim, fillimisht me mercenar serb dhe rus, ku nën petkun e vullnetarëve,do të merrnin pjesë edhe njësi elite të Serbisë, të udhëhequr nga oficerë në “pensionim”, ose të lajmëruar si të tillë, por me detyra ekskluzive për të krijuar terrenin e përshtatshëm në Kosovë, që në momentin e parë të mundshëm,Serbia të vërshoi edhe me ushtri të rregullt dhe të aneksoi këtë pjesë të vendit tonë, e nëse ky shtet agresor nuk e arrin ta realizojë këtë, atëherë me njerëz të tillë, të krijojë dhe mbajë gjendjen kaotike sa më gjatë, në mënyrë që ta lodhë Kosovën dhe ajo të heq dorë vet prej një pjese të saj.

Në veri të vendit tonë, siç dihet tanimë botërisht jo vetëm nga shqiptarët,por edhe nga vet ndërkombëtarët, ka kohë që ekzistojnë dhe manovrojnë disa grupe të rrezkshme kriminale të nxitura dhe themeluara nga Serbia, madje ndonjëra si organizata paramilitare “Srpskicast” (nderi serb),nga viti 2014 e këtej, është e regjistruar edhe si OJQ “humanitare”!.

Veprimi i grupimeve të tilla kriminale, përbënë jo vetëm kërcënim serioz për sigurinë, por edhe rrezik të njëmendtë dhe të paprecedent për Kosovën.

Organizata “Nderi Serb”, (“srbskicast”) udhëhequr nga krimineli Bojan Stojkoviq mercenar i luftës së Krimes, vitet e fundit është parë disa herë duke mbajtur trajnime ushtarake edhe në malet e veriut të Kosovës, e cila bashkpunon ngushtë me organizatën “Ujqërit e natës” në krye me kriminelin Dejan Vujiq, njeri i afërt jo vetëm me ish presidentin Nikoliq por edhe me vet Aleksandër Vuçiqin.

Në veri vepron po ashtu edhe organizata ruso-serbe, e ashtuquajtur “Kosovski Front” e formuar një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e cila udhëheqet nga një ish-luftëtar rus,me emrin Aleksandër Kravçenko, pjesëmarrës luftërash edhe në ish-Jugosllavi që nga viti 1991.
Organizata tjetër paramilitare serbe që përbën rrezik permanent për Kosovën është e ashtuquajtura‘’Patriotic Front’’ e themeluar nga ish-udhëheqës të ushtrisë, ish-ushtarë dhe ish-oficerë të policisë së Serbisë dhe aktive që nga viti 2007 në Kosovë, pa harruar këtu organizatën kryesore terroriste të ashtuquajtur “Armata e Veriut” në të cilën Aleksandër Vuçiq mendon ti inkorporojë të gjitha grupimet e lartcekura paramilitare,mercenare e terroriste dhe nën emrin “Armata e Veriut”, të nisë kryengritjen në Veri të vendit tonë.

Ndaj do të ishte mirë që në krye të Ushtrisë së Kosovës, me vendim të menjëhershëm të vendosej gjeneral Ramadan Qehaja. Ai jo vetëm se është kuadri më i përgatitur ushtarak që kemi, por edhe konsiderohet si gjeneral “Bobetko” i Kosovës, i cili njëjtë si oficeri i mirënjohur kroat që diti ta mbrojë Dubrovnikun nga barbarët serb dhe çlirojë pikat më vitale të Dalmacisë dhe Kroacisë jugperëndimore nga terroristët e Serbisë, edhe gjeneral Qehaja, do të dijë të mbrojë nga agresori asetet tona kryesore në Veri,pikat kufitare, Ujmanin, Trepçën,Mitrovicën dhe gjithë territorin e Republikës në atë pjesë të vendit, duke përdor mjetet e duhura dhe implementuar masat e nevojshme ndaj mercenarëve dhe kriminelëve e terroristëve të nxitur dhe grumbulluar nga Serbia, për të organizuar “luftë”, “kryengritje” apo çfarëdo lloj problemi të natyrave të ngjashme në veri të Kosovës.

Qeveria po shqyrton vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë

Luljeta Krasniqi – Veseli

Qeveria e Kosovës po paralajmëron masa shtesë reciprociteti ndaj Serbisë. Këto masa edhe pse ende nuk janë definuar se cilat do të jenë, do të pasonin vendimin e 21 nëntorit, për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet e importuara me orgjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ndonëse nuk janë ende definitive, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, është e pritshme që Qeveria si masa reciprociteti ndaj Serbisë të vendosë ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, duke vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës.

Një masë tjetër kundër Serbisë paralajmërohet të jetë mosnjohja e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk është vendosur për ndonjë masë të re, por, sipas tij, është diskutuar për këto masa.

“Në mbledhjen e Qeverisë që është nesër (të martën) nuk ka të paraparë një gjë të tillë vetëm nëse vendoset diçka si e jashtëzakonshëm. Është fjala për tri masa që janë të një natyre të ngjashme me 100 për qindëshin e që lidhen me pranimin ose mos pranimin e dokumenteve, të njëjta dokumente që Serbia nuk i njeh nga Kosova, pastaj si masë tjetër është ndalimi i hyrjes së automjeteve me targa të Serbisë, e cila aplikohet për veturat e qytetarëve nga Kosova si dhe një masë ka të bëjë me regjistrimin e kompanive të huaja që furnizojnë Kosovën nga Serbia”, sqaron Shatri.

Qeveria e Kosovës me arsyetimin për mbrojtje të produkteve vendore vendosi që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë. Serbia, e cila eksporton në Kosovë mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.

Ndërkohë, mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që të hiqet taksa, duke e konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA.

Por Qeveria e Kosovës, të paktën deri tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi dhe se parasheh masa të tjera për Serbinë.

Përfaqësues të bizneseve të cilët dolën në përkrahje të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, thonë të mbështesin edhe masat tjera të reciprocitetit.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se masat e reciprocitetit i kanë anët negative dhe pozitive, por që masa të tilla, Qeveria e Kosovës, sipas tij, ishte e nevojshme që t’i zbatonte.

Ai tregon se bizneset nga Kosovë në vazhdimësi janë përballur me mosnjohjen nga Serbia të dokumenteve të cilat janë lëshuar nga autoritetet e Kosovës dhe se një masë e tillë do të duhej të merrej shumë kohë më parë.

“Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës se mund të rris masat kundër Serbisë në forma të ndryshme qoftë duke kërkuara masa reciprociteti mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të ketë parasysh që masa 100 për qind a e ka arritur efektin dhe nëse është arritur efekti nuk ishte dashur të merren masa tjera, por nëse nuk është arritur efekti atëherë kjo duhet të merr masa të reja. Tani 18 vjet Serbia nuk njeh dokumentet, targat e veturave dhe certifikatat e ndryshme që lëshohen nga autoritetet tona”, thotë Shahini.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e taksës doganore në vlerën 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të disa artikujve të domosdoshëm ushqimor në Kosovë. Nga produktet e domosdoshme ushqimore të shtrenjtuara, janë, mielli, buka, sheqeri dhe vaji.

Kosnett: Në Kosovë disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre përpara të mirës publike

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të hënën se qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se mund të dënojë zyrtarët e korruptuar dhe atë duke filluar nga zyrtarët e lartë.

Ai i bëri këto komente në një veprimtari të përbashkët me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Kosovë në hapje të Javës kundër korrupsionit

Ambasadori Kosnett tha se përgëzon qeverinë për përparimet e shënuara në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë është ende e pamjaftueshme.

“Transparenca dhe ligjet janë thelbësore, qeveria tani duhet të dëshmojë se është e gatshme të dënojë zyrtarin e korruptuar, për të ndëshkuar praktikat dhe sjelljet korruptive, duke filluar nga lart poshtë”, tha ai duke nënvizuar se ligjet e mira funksionojnë vetëm kur zbatohen dhe atë në mënyrë të barabartë dhe me drejtësi për të gjithë.

“Siç e dimë të gjithë, disa zyrtarë qeveritarë marrin ryshfet, punësojnë miqtë dhe ndërhyjnë në gjyqësor. Disa vazhdimisht abuzojnë me pozicionet e tyre zyrtare me një qëllim; që të përfitojnë për veten e tyre, anëtarët e familjes dhe madje edhe miqtë e tyre. Në Kosovë fatkeqësisht, disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre personal përpara të mirës publike. Korrupsioni në të gjitha nivelet, ndëshkon imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, zvogëlon besimin e qytetarëve në qeveri dhe dekurajon investimet dhe rritjen ekonomike”, tha ambasadori Kosnett, duke nënvizuar se tashmë është koha për të lëvizur nga transparenca te përgjegjësia.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se vendet perëndimore kanë nevojë për një partner në këtë pjesë të botës që lufton korrupsionin, krimin e organizuar, që sipas tij, cenojnë jo vetëm Kosovën por edhe vendet tjera.

“Kur flasim për politikanë që cenojnë prokurorët që të mos hetojnë korrupsionin, ne e dimë për kënd po flasim. Kur flasim për nepotizëm, për punësimin e njerëzve pa meritë dhe pa transparencë, por vetëm për lidhjet partiake dhe personale, ne e dimë për kënd po flasim. Dua të them që është shumë e rëndësishme që Kosova të kuptoj që ka përkrahjen nga partnerët ndërkombëtarë dhe e keni parë sot sa përkrahjen e keni”, tha ambasadori O’Connel.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova, tha se për Evropën lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet përparësi. Ajo tha se Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të ndryshëm është duke shtyrë Kosovën që të luftojë korrupsionin.

“Luftimi i praktikave korruptive është shumë i lidhur me një qeverisje më të gjerë dhe agjendë të reformës së administratës publike. Kjo është arsyeja pse në strategjinë e Ballkanit Perëndimor të këtij viti, ne jemi përqendruar në çështjen e kapjes së shtetit dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme publike dhe private në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës. Zgjidhja e kësaj situate kërkon një përzgjedhje në bazë të meritës, pa ndërhyrje politike, komerciale ose të ndonjë patronazhi”, tha zonja Apostolova.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke bërë përpjekje që të luftojnë korrupsionin duke hartuar legjislacion që ashpërsojnë masat ndaj keqpërdorimeve.

Muajin e kaluar, parlamenti i Kosovës miratoi nëntë projektligje që lidhen me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Organizatat e shoqërisë civile që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thonë se edhe gjatë vitit 2018 me gjithë përmirësimet në legjislacion, lufta kundër korrupsionit në praktikë ka shënuar ngecje dhe se sipas tyre se sfida kryesore mbetet mosndëshkimi i zyrtarëve të profilit të lartë të përfshirë në raste të korrupsionit dhe lidhjet e ndikimet e tyre mbi prokurorët dhe gjyqtarët.

FOTOT – Amerika furnizon me mjete ushtarake Kosovën

Njëzet e katër automjete ushtarake “Humvee” kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë. Këto mjete pritet të jenë në dispozicion të Forcave të Armatosura të Kosovës, e cila pritet të themelohet me miratimin e tri ligjeve në Kuvendin e Kosovës.

Seanca për themelimin e Ushtrisë së Kosovës është parashikuar për në datën 14 dhjetor në Parlamentin e Kosovës.

Në pritje të kësaj dite, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po qëndron në Shtetet e Bashkuara. Ditë më parë ai ka vizituar automjete të blinduara të Ushtrisë amerikane në shtetin e Iowas, për të cilat flitet se do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Kosovës, shkruan RTK.

Në korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë për blerjen e 51 automjeteve të blinduara ‘Humvee’. Ceremonia është zhvilluar në ambientet e kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në të kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë vendorë dhe të Ambasadës amerikane.

Ekspertët: Dialogu dëmtoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës

Bekim Bislimi

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka lehtësuar një varg çështjesh teknike në të mirët e qytetarëve të të dyja vendeve, por kalimi në fazën e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e ka dëmtuar subjektivitetin e Kosovës në planin ndërkombëtar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Dëmet për Kosovën, sipas tyre, për më shumë vazhdojnë të rriten për shkak të mosarritjes edhe më tej të marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është duke humbur nga dialogu që po zhvillon me Serbinë, sepse kjo e fundit, në të gjitha shkresat zyrtare që po ua dërgon vendeve të ndryshme, kërkon mosnjohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, kjo po sjellë dëme, sepse të gjitha vendet po rezervohen që të marrin qëndrime të fuqishme për përkrahjen e Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke e pritur rezultatin, me arsyetimin që ‘ne nuk do të paragjykojmë asnjë zgjidhje’. Simptomatike ishte tërheqja e njohjeve – ndonëse në diplomaci nuk njihet si e tillë, por si ngrirje e marrëdhënieve – që disa vende po e bëjnë ndaj Kosovës, sepse po u thonë që derisa të përfundojë marrëveshja, ne nuk do të kemi marrëdhënie ose do t’i ngrijmë marrëdhëniet”, theksoi Tahiri.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare dhe juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka krijuar hapësirë për të kuptuar se të dy vendet kanë ende çështje të hapura.

“Kjo mund të ndikojë te vendet skeptike që ato të mos e njohin Kosovën, me të drejtë, për shkak se konsiderojnë që çështja e statusit të vendit nuk qenka mbyllur në vitin 2008, me shpalljen e pavarësisë, mirëpo paska ende probleme për t’u zgjidhur me Serbinë. Kjo, natyrisht që do të ndikojë në këtë aspekt dhe ka ndikuar edhe deri më tash, duke pasur parasysh tërheqjen e njohjeve nga disa shtete, që ka ndodhur edhe me ofensivën e madhe të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës dhe kundër subjektivitetit të saj”, tha Mushkolaj.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se Kosova dhe diplomacia e saj deri më tash kanë dështuar që dialogun e Brukselit ta kthejnë në favor të vendit, në planin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Politologu Tahiri, thotë që institucionet e Kosovës, e veçanërisht ato që merren me politikën e jashtme, kanë dështuar që të bëjnë një dokument përmbledhës përmes të cilit do të shpjegohej historia e çështjes së Kosovës.

“Askush në botë, e as në Serbi, nuk mund të mendojë që Kosova mund të kthehet në çfarëdo kushte nën Serbinë – ndonëse si e tillë nuk ka qenë kurrë, përveç periudhës së dhunshme të Milosheviqit – ose në asnjë formë nuk mund të mendoj që Kosova mund të jetë në një bashkësi me Serbinë. Kjo kundërshtohet edhe në kuadër të Serbisë, në kuadër të Kosovës, por edhe në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare. E vetmja mundësi është pranimi i shtetit të Kosovës, si realitet i krijuar tash e 20 vjet, si shprehje e vullnetit të popullit dhe si faktor paqeje dhe stabiliteti. Këto argumente nuk ka arritur që t’i bëjë diplomacia e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Edhe analisti Mushkolaj vlerëson që diplomacia e Kosovës ka dështuar që t’ua shpjegojë esencën e dialogut të Brukselit vendeve që janë skeptike ose të luhatshme për ta njohur shtetin e Kosovës.

“Është dashur që t’iu bëhet e qartë që ne kemi çështje të pazgjidhur me Serbinë, çfarë mund të kemi edhe me shtetet tjera fqinje. Mirëpo kjo nuk nënkupton që ne nuk jemi shtet i pavarur dhe që nuk e kemi integritetin territorial tonin. Në këtë aspekt, unë besoj që ka dështuar diplomacia e Kosovës dhe institucionet tjera. Po të bëhej kjo e qartë, atëherë edhe hezitimet, respektivisht, hamendjet e shteteve, qoftë atyre që na kanë njohur, qoftë të atyre që nuk na kanë njohur, do të ishin më të vogla ose nuk do të ekzistonin fare”, theksoi Mushkolaj.

Dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur fillimisht si dialog për çështje teknike, në vitin 2011 dhe pastaj ky dialog ka kaluar edhe në nivelin politik. Bashkimi Evropian u ka kërkuar që në fund të bisedimeve, të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila përveç tjerash, do t’u hapte të dy vendeve rrugën e integrimit në BE.

Ndalimi i deputetit nga policia serbe, reagon qeveria e Kosovës

 

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas ndalimit të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petrovic nga xhandarmëria serbe në Merdar.

 

Përmes një njoftimi qeveria e Kosovës thotë se dënon këtë akt të xhandarmërisë serbe dhe sipas saj deputeti i Kosovës është ndaluar pa asnjë arsye duke iu refuzuar hyrja në Serbi.

Qeveria e Republikës së Kosovës me shqetësim ka pranuar sot informatën se në vendkalimin kufitar në Merdare, është ndaluar pa asnjë arsye nga policia serbe, deputeti i Republikës së Kosovës, z. Slobodan Petroviç, dhe se i njëjti është mbajtur për orë të tëra në këtë vendkalim.

Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Republikës së Kosovës, posaçërisht ata të komunitetit serb, që punojnë nëpër institucionet e Kosovës e që janë subjekt i hetimeve, keqtrajtimeve dhe fyerjeve nga autoritetet serbe.

Qeveria e Republikës së Kosovës e quan të pa tolerueshëm rastin e sotëm dhe kërkon që këto praktika nga ana e Serbisë të ndërpriten sa më shpejtë dhe që në të ardhmen asnjë qytetarë i Kosovës, nga asnjë përkatësi etnike të mos ketë problem të tilla.

Serbia duhet ta kuptojë njëherë e mirë se situata të tilla nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë“, thuhet në deklaratën e qeverisë së Republikës së Kosovës.

ZONJA FANË RUGOVA NUK DUHET TA PRANOJË PAGËN QË JA OFRON RAMUSH HARADINAJ – Nga Bardh M. Nengurra

 

Asht nji fjalë dukagjinase që thuhet ; .. byr n`odë t`migjes.
Kryeministri i Dardanisë muskulozi i Gllogjanit Ramush Haradinaj ja ban shpesh njerzve “sajginë” me para të taksapaguesve të Dardanisë apo para të buxhetit të shtetit. Po harron ky i shkretë se ato para nuk i ka trashëgim nga baba Ilmi tash i ndjerë e as miras nga nana Rukë.
Mbramë kur ndëgjova në lajme në RTK se qeveria ka aprovue njizani që ti ndaj nji pagë mujore ish zonjës së parë të Dardanisë, zonjës Fanë Rugova që asht e veja e Presidentit të ndjerë Dr. Ibrahim Rugova ndjeva indinjatë dhe neveri per të saten here me sjelljet gangsteriste të të parit të qeverisë së shtetit ku kam lindë e ku gjithmonë andërrojë të riatdhesohem ,por jan gjithmonë politikajt gangstera te Dardanisë që ma bajnë këthimin e pamundun sepse i frigohem ardhmënisë së fëmijve e nipave të mi në at vend ku ska ligj as rregull, ku ska siguri e as mirqenje.
Asht shumë e natyrshme dhe kjo praktikohet në secilin shtet normal që Presidentve pasi ata mbarojnë karieren e edhe pensionohen tu ndahet nji pagë e perjetshme me të cilen ata mund ta kalojnë jetën normal ashtu si të gjithë qytetarët e ati vendi. Asht poashtu e ligjëshme kudo nëper botë që edhe pas vdekjes së Presidentit bashkëshortja e ti e vejë të gezojë pension të bashkëshortit , por ai pension asht i reduktuem dhe asnjihere nuk mirret në sasinë qe ju ka dhanë Presidentit, por mirret ma pak.
Tash unë shprehu habinë time këtu. Presidenti Ibrahim Rugova iku në amshim në janar 2006. Edhe nji muej po bahen 13 vjet nga ikja e Ti në botën e amshueshme. Pse asnji qeveri deri sot nuk i ndau pagë apo pension si e ve e ish Presidentit zonjës Fanë Rugova ?! Pse tash kjo i kujtohet Ramush Haradinaj ? A ka diçka serioze dhe me respekt këtu ?
Nuk thotë kot populli; dardha ka bishtin mas. Ramush Haradinaj ka vite që i vardiset familjës së Ibrahim Rugovës. Ka vite që ai kur asht afër far kohe e zgjedhjeve rrah gjoksin si i vetmi mik i Ibrahim Rugovës dhe i familjës së Rugovës.
Tashma nuk asht sekret që deren e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, Ramushit ja hapi matrapazi faqezi Nexhat Daci. Po ky Daci bashk me kriminelin e paskrupullt Bujar Bukoshin ja kidnapuen në njifar mënyre djalin e Rugovës z. Ukë Rugova. Bukoshi me sejmenet e vetë Astrit Haraqija dhe Dardan Gashi e futen Ukë Rugovën në ujnat pise sipas shtypit , por unë them se ja montuen aferat per korrupsion e krim dhe , sikur kjo nuk ju mjaftojë ata ja kidnapuen edhe vajzen Teuten dhe tash me vite me këtë familje Ramush Haradinaj po luen si maca me miun.
Ramushi me sukses arriti ta bajë me familjen e Ibrahim Rugovës atë që menjihere pas luftës e pat ba Hashim Thaçi me familjen e Jasharajve. Mirpo Ramushi u tregue edhe ma dinak. Ky permes njerzve të vetë që i ceka ma naltë, pra permes Nexhat faqezi Dacit, Bujar kriminel Bukoshit dhe mafiozve Astrit Haraqija e Dardan Gashi ka arritë ta ketë në dorë familjen e Presidentit Ibrahim Rugova pasi permanent e kerrcnon atë familje me burgosjen e Ukës po që se nuk veprojnë si deshron Ramushi.
Kjo tashma dihet. Nuk po tham diçka të re.
Ramush Haradinaj mjeshtrishtë po mundohet me mbajt gjallë partinë e vetë në Parlament. Ai per secilen votë asht në gjendje me ba të pamunduren. Nuk zgjedh mjeta as metoda. Unë mendojë se edhe vendimi per t`ja nda zonjës Fanë Rugova nji pagë mujore prej 1000 eurove plus makinë dhe shofer personal asht nji perfiditet i radhes i Ramushit. Ai padyshim me këtë veprim do e fiton simpatin e shumë naivëve që jan votues tradiciona të LDK-së dhe që jan emocionalisht të lidhun me Familjen e Presidentit Ibrahim Rugova . Ramushi llogaritë që nji pjesë të ketyne njerzve ti baj votues per veti. Jo pa qellim Ramushi dhe bashkveprimtaret e ti ma të afërt sa munden luftojnë liderin e LDK-së Akademikun Isa Mustafa dhe me sulme qoftë në publikë e shtyp, qoftë në foltore të Parlamentit AAK e Ramushit asht anmikja ma e paskrupullt e LDK-së ndër të gjitha partitë tjera të vendit.
Tash me ndamjen e pagës mujore per Fanë Rugovën , Ramushi tenton me arritë simpati te populli si mik i familjës së Presidentit Ibrahim Rugova e poashtu llogaritë ma së shumti se masat e popullit simpatizant e votues të të gjitha partive do irritohen deri në skajshmëri dhe do e sulmojnë e shajnë Familjen e Ibrahim Rugovës.
Andaj unë permes këti shkrimi ketu apelojë të të gjithë adhuruesit dhe perkrahësit e Familjes së Ibrahim Rugovës, që të senzibilizohen dhe ta këshillojnë zonjën Fanë Rugova që ajo asesi mos ta pranon këtë privilegj perfid që ja ndau Ramush Haradinaj. I baj thirrje zonjës Fanë Rugova që ta refuzojë pagën dhe ta vazhdojë jetën me hallet që i ka e mos ta lejoj veten e as femijet e nipa e mbesa të bahen peng e mafiozve të pushtetit dhe perjetësishtë të jetojnë me shantazhe e kerrcnime prej tyne. Duhet ta ngritesh zanin edhe Ti zonja Fanë ashtu si e pat ngritë Rifat Jasharaj dhe ua ndalojë shkumjen në familjen e tyne Hashim Thaçit e disa banditve tjerë. Edhe ti zonjë si kreu i familjës që je duhet me ua ndalue shkumje ardhjet në shtëpinë tande banditve si Astrit Haraqija, Dardan Gashi, Bujar Bukoshi , e Nexhat Daci,
Nuk ke pse frigohesh. Po të kerrcnoj dikush denoncoje menjihere. Thirë Ambasaden Amerikane në raste të tilla. Ta dishë se po veprove prerazi dhe shkëputë lidhjet me bandit të pushtetit ti dhe familja e jote do e riktheni respektin e popullit dhe edhe do baheni shembull i familjës Atdhetare. Tash per tash në popull keni fare pak respekt dhe llogariteni si familje mafioze dhe si perkrahëse e pushtetarve, njerzve që deri dje e luftuen tmerrshem Kryefamiljarin e juej Dr. Ibrahim Rugovën.
Mos e prano pagen Zonja Fanë Rugova. Shpetoje familjen tande e edhe Dardaninë që na la amanet njeriu i jetës tande Shejti i Dardanisë Dr. Ibrahim Rugova.
Ti zonja Fanë e ke pensionin tand të moshes ( pleqnisë ) rejat kan bizneset e tyne dhe edhe Mendimi ka punën dhe keni mjete të mjaftueshme per ta jetue jetën me modesti e qetë pa bujë e pa telashe. Krejt çka ta kan borq qeveritë e vendit asht pensioni e vejushkes që ligjerishtë të ka takue dhe ate kerkoje dhe duhet me ta pague retroaktivisht prej ditës që na la Presidenti Rugova. Tjera para mos prano.
Te dalin dardhë me bisht ato ma vonë dhe pasojat do i bartin pasardhesit e tu.

Sarpsborg
Norvegji

Ish-e dashura e Arkanit futet në Kosovë, takon zyrtarët serbë

Këngëtarja serbe, Svetlana Raznatovic e njohur si Ceca, sipas mediumit serb “Tv Prva”, është futur në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Jarinje, pa asnjë problem.

Ajo është futur në Kosovë edhe përkundër thirrjeve të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, që ajo të mos lejohet të futet në Kosovë.

Ajo do të mbajë një koncert në qendrën studentore në veri të Mitrovicës, si pjesë e protestës kundër taksës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve serbe, shkruan Express.

Autoritete e Kosovës më herët ua kishin ndaluar hyrjen në Kosovë, basketbollistëve të klubit të Partizanit dhe zëvendës drejtorit të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’.

Ceca ishte e dashura e shefit të mafias serbe, Zheljko Raznatovic, i njohur si Arkani. Arkani ishte udhëheqës paramilitar dhe vrasës i mijëra shqiptarëve në luftën e Kosovës.

Sulmi kibernetik bllokon komplet ambasadat e Kosovës

Burime të Gazetës Express kanë treguar në orët e mbrëmjes se përfaqësuesit diplomatik të Kosovës, në kryeqendrat botërore, nuk po munden t’u qasen e-mailave zyrtar. Ky sulm ka filluar para 24 orëve dhe po vazhdon.

Faqet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës kanë qenë sot cak i një sulmi të fort kibernetik.

Sulmi i fuqishëm kibernetik që vjen nga Serbia, Bosnja dhe Maqedonia ka prekur edhe ambasadat e Kosovës.

Gazeta Express merr vesh se përfaqësuesit diplomatik të Kosovës e kanë të pamundur qasjen në emailet zyrtare.

Sulmi që po vazhdon prej 24 orësh është konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

“Është e vërtetë që në 24 orët e fundit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera të RKS kanë qenë të njoftuara për një sulm kibernetik dhe është thënë përmes komunikimit zyrtarë nga Agjencia e Shoqërisë Informative është bërë e ditur se target ka qenë ministria e Punëve të Jashmte, repsketivisht përfaqësuesit diplomatikë të RKS, komunikimi me ta ose përmes tyre”, ka treguar Fatmir Haxholli, këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme.

Ndërkohë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se kanë nisur hetimet lidhur me sulmin.

Ftesë nga Gjykata Speciale kanë marrë edhe disa ushtarakë të lartë të UÇK-së

Komandanti i zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale që me 14 janar të udhëtojë për në Hagë.

Por ish deputeti i PDK’së nuk është i vetmi që i është dërguar kjo ftesë.

Deri tash, ftesë për t’u paraqitur para Gjykatës Speciale kanë marrë edhe disa ish pjesëtarë të UÇK’së.

Në mesin e tyre ka edhe udhëheqës të lartë ushtarak gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Megjithatë Gucati thotë se nuk do reagojnë vrullshëm ndaj këtyre veprimeve.

Ai thekson se këto ftesa janë dërguar me një arsye.

E ftesa për dëshmi me 14 janar për komandant Remin e ka shqetësuar bashkëluftëtarin e tij, Valon Muratin.

Kurse avokati i Mustafes, Arianit Koci nuk ka pranuar të deklarohet për ftesën që i është bërë klientit të tij. Një paraqitje për emisionin Pressing ai ka folur shumë shkurt.

Ndërkohë, Gjykata Speciale do fillojë me ngritjen e aktakuzave  në muajin janar.

20 milionë euro më pak importe nga Serbia

Dikur vlera e importit nga Serbia, vetëm brenda një dite ka qenë 1.2 milion euro, ndërsa që prej 6 nëntorit, kur është marr vendimi nga Qeveria e Kosovës për rritjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, importi është vetëm 140 mijë euro.

Që prej marrjes së vendimit për rritjen e tarifës, efekti i saj është se ka rënë vlera e importit për 20 milionë euro.

Nga këto masa, zyrtarë të Doganës së Kosovës thonë se vlera e importit nga Serbia është mjaft e ulët.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se 2 deri 3 mijë euro kanë qenë rreth 48 dërgesa për import të lëndës së parë.

“Krahasimi në mes të dy periudhave, në mes të nëntorit 2017 dhe të vitit 2018, ku qeveria ka ndërmarrë masat mbrojtëse, tregon që rënia e vlerës së importit prej Serbisë, është 20 milionë euro deri në këtë moment”, ka thënë Stavileci.

Ai ka treguar se importi nga Serbia ka rënë vetëm pas masës 100 për qind.

Zëdhënësi i Doganës ka treguar se më datën 6 nëntor ka filluar aplikimi i masës mbrojtëse prej 10 përqind, e cila ka qenë rreth dy javë, dhe në javën e parë me 10 për qind taksë, ka pasur një vazhdimësi të importit të rregullt, edhe përkundër masës prej 10 për qind, ndërsa në javën e dytë ka pasur një ulje të importit.

“Pas aplikimit të masës së dytë prej 100 për qind, më 21 nëntor, ne kemi vërejtur stagnim total të importit nga Serbia. Nëse dikur brenda një dite janë importuar nga Serbia rreth 1.2 milionë euro produkte, tani kjo ka rënë në disa qindra euro. Për arsye se në këto dy javët e para të aplikimit të masës prej 100 për qind, ne kemi vërejtur që kemi pasur vetëm 140 mijë euro importe prej Serbisë. Kjo është një vlerë shumë minimale. Të gjitha këto importe kanë qenë me vlera shumë të ulëta, 2 – 3 mijë euro kanë qenë rreth 48 dërgesa, të cilat kanë paguar këtë taksë pasi ka qenë edhe lëndë e parë”, tha Stavileci.

Mirëpo, pas këtij vendimi për mallrat serbe, ka pasur disa produkte ushqimore të kontrabanduara.

“Deri tani gjatë këtyre dy jave kemi pasur kapje të rasteve të kontrabandimit me disa produkte si me vezë, me produkte ushqimore, por sidoqoftë nuk ka qenë në nivelin shqetësues”, theksoi ai.

Ai ndër të tjera ka thënë se pas vendimit të ministrit të MTI-së, rreth 17 kamionë janë kthyer mbrapa, në Serbi, me produkte të cilat kanë pasur mbishkrime “Kosovo i Metohija”.

Prokuroria e Posaçme në Hagë do të intervistojë Rrustem Mustafën

Një nga komandantët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, ka marrë një ftesë për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorisë së Posaçme për krime lufte me seli në Hagë.

Lajmi u bë i ditur nga avokati i tij, Arianit Koci, i cili në një postim në rrjetin social Facebook, tha se ftesa është datën 14 janar të vitit 2019 dhe zoti Mustafa “do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën Zyra e Prokurorit është duke e hetuar”.

Në zyrën e prokurorit të posaçëm nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj ftese.

Zoti Mustafa, është ish deputet i Parlamentit të Kosovës dhe zyrtar i lartë i Partisë Demokratike.

Ftesa është dërguar diç më shumë se një muaj që kur kryeprokurori në Dhomat e Specializuara, siç quhet Gjykata e Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, Jack Smith, vizitoi Kosovën për të takuar udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe “nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni”.

Haradinaj: “Taksa 100 për qind nuk rrezikon marrëdhëniet Kosovë-BE”

PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se çështja e taksës 100 për qind të vendosur për produktet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina nuk rrezikon marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Bashkimit Evropian (BE).

Haradinaj pas takimit me Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili gjendej për vizitë zyrtare në Kosovë, mbajti një konferencë për media. Me këtë rast, Haradinaj tha se gjatë takimit komisioneri Hahn ka kërkuar të zgjidhet gjendja e krijuar me vendosjen e taksave.

“Ai kërkonte një zgjidhje për gjendjen e krijuar me taksën. I dhashë shpjegimet se po, zgjidhja ekziston, është një marrëveshje gjithpërfshirëse, pra për njohje, ku njëra nga temat për të cilën do të mirreshim vesh do të ishte edhe tregtia e lirë, pra pa tarifa dhe pa barriera tjera jotarifore”, tha Haradinaj.

Në lidhje me atë se a mund të rrezikojë çështja e taksave marrëdhëniet Kosovë-BE, Haradinaj tha se “Ne nuk i kemi vënë taksë BE-së. Pra, as një vendi të BE-së nuk i kemë vënë taksë. Nuk është e rrezikuar marrëdhënia Kosovë-BE. Ne kemi një kërkesë nga BE-ja për heqjen e taksës, është e vërtetë që e kemi, mirëpo partneriteti ynë me BE-në në kuadër të MSA-së (Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim) dhe të CEFTA-s (Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore) pra ekziston, kjo është një masë ndaj dy vendeve që na kanë rrezikuar subjektivitetin tonë dhe është në përputhje pikërisht me obligimet që ka Kosova”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me atë se a do të futet çështja e liberalizimit të vizave në axhendën e Këshillit të Ministrave të BE-së, Haradinaj tha se BE-ja nuk jep një garancë të fuqishme që kjo do të ndodhë tash.

“Ne kemi mbajtur shpresë dhe ende mbajmë shpresë që mund të ndodhë që të hyjmë në axhendën e Këshillit të Ministrave. Sido që të jetë, nga BE-ja është një spekticizëm. Ata japin shumë arsyetime, prej atyre që kjo është diçka e logjikshme. Thonë se me Ukrainën e Gjeorgjinë ka zgjatur një vit e gjysmë periudha kohore mes komisionit edhe vendimit. Me këtë nuk e përjashtojmë mundësinë që në një të ardhme të afërt, meqë Këshilli mbledhet çdo tre muaj, për çdo tre muaj ka një takim si ky, mirëpo nuk na japin një garancë të fuqishme që do të ndodhë tash”, tha ai.

Më tej gjatë kësaj konference, Haradinaj informoi për zhvillimet rreth taksës 100 për qind të vendosur për produktet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, duke theksuar se ky vendim po respektohet në tërësi nga dogana dhe të gjithë mekanizmat e tjerë. Ai shtoi se në të njëjtën kohë është shtuar kujdesi për produktet që kanë të bëjnë për spitalet, kishën ose në rastet e kërkesave humanitare dhe ato të donacioneve.

“Nëse qeveria e Kosovës ka informata se diku është ndonjë krizë e mungesës së ndonjë produkti vital, ne do të ndërmarrim veprime. Ne jemi në gjendje të furnizojmë spitalin e Mitrovicës së Veriut me ilaçe, apo ambulantat e tjera në Kosovë. Nuk do të mungojnë ilaçet, as materialet e tjera të nevojshme për të gjithë. Mirëpo, po ashtu ne do të respektojmë vendimin e marrë të qeverisë dhe ky vendim, sikurse e dini, mund të anulohet me rastin e njohjes së pavarisë së Kosovës nga Serbia. Ndoshta na duket shumë larg kjo, por ne do të punojmë që tani të shkruajmë një marrëveshje gjithpërfshirëse, me të gjithë kapitujt e tjerë, borxhet, të zhdukurit, të drejtat e komunitetit serb në Kosovë dhe plotë tema tjera, e njëra nga këto do të jetë edhe tregtia e lirë mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është qëndrimi që ka paraqitur qeveria dhe unë në takimet e sotme”, tha Haradinaj.

Ai vuri në dukje se serbët e Kosovës nuk janë të rrezikuar nga ky vendim dhe ftoi Listën Serbe për të biseduar për këtë çështje për t’i siguruar se ky vendim nuk u drejtohet serbëve të Kosovës.

Eurokomisari Hahn, gjatë vizitës në Kosovë u takua edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ndryshe, qeveria e Kosovës më 21 nëntor mori vendim për rritje të taksës për 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina. Ky vendim mori reagime të shumta si nga Serbia, si dhe nga komuniteti serb në Kosovë. Ndërkaq, vizita e komisionerit Hahn erdhi pas situatës së krijuar pas këtij vendimi. aa

Ja përse na e vrau “shpresën” e liberalizimit komesari Hahn – Nga Fadil Maloku, kryetar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës

Ose, s’ka liberalizim,por do ketë: tensionim, destabilizim, riintervenim, ristrukturim,… të Ballkanit Perëndimor
Pikat ugurzeza sorosiane për Ballkanin Perëndimor që presin të implementohen përmes (“kalit trojan”) Mr. Hahnit dhe trojkes; thaçi&vuçiq&rama

1. TENSIONIMI (përmes; korigjimit, taksave, arrestimeve, abstenimeve serbe..); ku do të krijohen alibi e pretekste nga më të ndryshme, vetëm e vetëm që të arrihet kulmi i një tensionimi (të kontrolluar dhe të menagjuar) ndëretnik;
2. DESTABILIZIMI (rreziku nga kërcnimi i sigurisë dhe stabilitetit rajonal..); më pastaj, qendrat globale (Washingtoni) dhe ato kontinetale (Brukseli), do e japin gjykimin e tyre për alarmin e rrezikut të sigurisē rajonale;
3. RIINTERVENIMI (i qendrave kontinentale e globale); Washingtoni dhe Brukseli, më pastaj në emër të sigurisë dhe stabilitetit, Serbisë dhe Kosovës, do i propozojnë dialogun (që nënkupton një ala Dejton të ri), si mjet të vetēm të ripajtimit dhe qetësisë rajonale;
4. RIPROFILIZIMI (sipas interesave të reja; globale, kontinentale e rajonale); dialogu, i përmasave ala dejtoniane, midis shumë paqartësive në rajon, e kinse me brisk biluri do shpërfaqë dhe riprofilizoj interesat (ruso-amerikane) globale, të Ballkanit;
5. RIKONFIGURIMI (demografik, gjeografik, e gjeostrategjik); qendrave vendimarrēse globale dhe kontinentale, me ekspertizat e tyre, matematikore, u duhet një rikonfigurim (lexo; pacifikim ndëretnik); social, ekonomik e kulturor, edhe shkaku se Brukseli, në mënyrë që situatat e dobësimit të ndikimit në “periferinë” e këtij rajoni (qē përherë është identifikuar si; arenë konfliktesh e “ca fiseve barbare”) të rikuperohen, dhe të mbahen nën rrogoz…;
6. RISTRUKTURIMI (rindarje e sferave të reja të interesit…); është në fakt, një rishpërndarje e re sverave të interesit, midis Washingtonit dhe Brukselit. Pra, një “plan B”, apo një alter ego e BE
7. ZHVILLIMI PROGRESIV, proces ky që pretendohet si një lloj “paqeje kantiane”, ku “qendrat”(SHBA-t dhe BE-ane) globale, do arrijnë marrëveshje afatgjata dhe konsenzus të plotë pêr dekada të tëra… Shqiptarët, që tani duhet t’i kenë përgjigjet (A.B.C), në këto sfida e rirreshtime të reja globale e kontinentale, ku gabimet eventuale mund shndrrohen në fatalitet…
Me respekt
Fadil Maloku, kryetar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës

Kosnett: Marrëdhëniet Kosovë –SHBA – të pakrahasueshme në botë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të hënën se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të pakrahasueshme në botë, ndërsa vlerësoi siç tha përparimin që ka shënuar Kosova viteve të fundit, në rrugën e saj të zhvillimit si shtet.

Ai i bëri këto komente pasi i dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kam shërbyer shkurtimisht në ambasadën amerikane në Kosovë para 15 vjetësh. Është nder i jashtëzakonshëm që të kthehem e të shoh përparimin që ka bërë tashmë Kosova në rrugën e saj drejt zhvillimit, drejtësisë, paqes dhe krijimit të marrëdhënieve të mira me fqinjët. Marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të pakrahasueshme në botë, nuk ka dy vende të tjera që kanë miqësi më të afërt sesa ne”, theksoi ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se beson në një mbështetje të tillë edhe gjatë përmbylljes së dekadës së tretë të lirisë së Kosovës.

“Ambasadori Kosnett është njeri me fat që do të shërbejë në një vend me popullatën më pro amerikane në botë, popullata e Kosovës. Ambasadori ka shërbyer edhe më herët në Kosovë dhe e njeh Kosovën e ka përvojën e Kosovës kështu që vetëm do të vazhdojë me punë. Ju jam shumë mirënjohës i nderuar ambasador për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Philip Kosnett, arriti të premten në Prishtinë, pak ditë pasi u betua si ambasadori i pestë amerikan në Kosovë ku do të pasojë ambasadorin , Greg Delawie, i cili drejtoi misionin diplomatik amerikan që nga viti 2015.

Zoti Kosnett gjatë karrierës së tij në Shërbimin e Jashtëm, ka punuar në tetë misione të Shteteve të Bashkuara në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme si dhe në pozita të larta drejtuese në Departamentin e Shtetit.

Pjesa më e madhe e karrierës së zotit Kosnett ka qenë e përqendruar në bashkëpunimin ndërkombëtar të sigurisë dhe pajtimin politik.

Ai ka shërbyer si Zëvendës Shef Misioni në Uzbekistan dhe në Islandë; si dhe në pozita politike, politiko-ushtarake dhe ekonomike-tregtare në Afganistan, Irak, Holandë, Japoni dhe në Kosovë ku po kthehet pas 15 vitesh.

Në Uashington ai ka punuar në zyrat e Departamentit të Shtetit për Evropën, kundër-terrorizmit, politiko-ushtarake, të zbulimit e kërkimeve etj.

Ambasadori Kosnett është diplomuar në Universitetin e Harvardit. Ai është nderuar me 10 çmime të Departamentit të Shtetit, ka marrë Medaljen e Zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes për Shërbim Civil të Jashtëzakonshëm dhe Medaljen Departamentit të Këmbësorisë për Shërbim Civil të Shkëlqyer. Ai flet turqisht, rusisht, holandisht dhe japonisht.

Ambasadori Kosnett mori detyrën e re në Kosovë në një periudhë tensionesh të larta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kusht për integrimet evropiane e kanë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Aeroporti i Prishtinës arriti sot shifrën 2 milionë udhëtarë të këtij viti

PRISHTINË – Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka arritur sot shifër rekorde duke shërbyer udhëtarin e 2 miliontë të këtij viti.

Rekordi i arritur është shoqëruar me një ceremoni solemne të mbajtur në terminalin e ANP “Adem Jashari” me ç’rast është shpërblyer udhëtari i 2 miliontë me një biletë ktheyese njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun të Aeroportit.

“Kjo shifër është arritur për herë të parë brenda një viti qysh nga fillimi i funksionimit të Aeroportit të Prishtinës dhe vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të kompanisë Limak në krijmin e lehtësirave ndaj kompanive ajrore, mundësimin e infrastrukturës më të avancuar si dhe të shërbimeve shtesë të aeroportit, me qëllim të përhershëm në mbajtjen e kënaqshmërisë së udhëtarëve në nivelet më larta”, thuhet në komunikatë.

“Numri i udhëtarëve tanë po rritet në vazhdimësi dhe në të njëjtën kohë po mbajmë kënaqshmërinë e klientëve tanë në nivelet më të larta. Këto rezultate dëshmojnë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është një nga projektet më të suksesshme të privatizimit në Evropë”, ka thënë me këtë rast, Gokmen Aritay, drejtor i operimeve në Limak Kosovo International Airport.

Njoftohet se deri në fund të vitit pritet që ANP “Adem Jashari” të frekuentojnë mbi 2 milionë e 150 mijë udhëtarë.

“Shtimi i shumë linjave të reja ka ndikuar në rritjen e shpejtë të numrit të udhëtarëve gjatë viteve të fundit. Në anën tjetër, linjat e reja të parapara si dhe stacionimi i kompanisë ajrore ‘Germania’ në Aeroportin e Prishtinës gjatë vitit të ardhshëm, pritet të ndikojnë dukshëm në vazhdimin e këtij trendi të rritjes”, njofton më tej Zyra për Marrëdhënie me Publikun të Aeroportit.

Kujtojmë se për rreth 7 vite aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës është në menaxhim të kompanisë turke Limak. aa

Fundi i gënjeshtrave të pushtetarëve! – Nga Florim Zeqa

Liberalizimi i vizave, ishte “karta” e të gjithë pushtetarëve të pas 17 shkurtit 2008.

Pas votimit në PE në favor të liberalizimit të vizave, tek pushtetarët dhe qytetarët e vendit shpërtheu një eufori e paparë, gati sa nuk u shndërrua në festë shtetërore. Në njërën anë festuan pushtetarët për shpërqendrimin total të vëmendjes së opinionit kosovar nga problemet e mëdha të përditshmërisë, në tjetrën anë festuan qytetarët, duke e uruar njëri-tjetrin për largimin sa më parë nga ferri që u krijuan pushtetarët në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Padyshim liberalizimi i vizave është mundësi e mirë, por jo edhe zgjidhja e më e duhur! Për shkak se, nëse iu referohemi kushteve ekonomike të vendit tonë, atëherë vetëm një pjesë e vogël e popullatës mund ta shijojnë këtë gjysmë-liberalizim të kushtëzuar.
Fundi i vitit po e zë Kosovës pa lajmin për liberalizim të vizave, pa ushtri dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.
Lajm më i mirë dhe shpresëdhënës për qytetarët se sa liberalizimi i vizave do të ishte: krijimi i vendeve të punës, investimet kapitale, përmirësimi i sistemit të drejtësisë si kusht për luftimin serioz të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, etj.

Shitja moderne e vendit dhe mbrojtja primitive janë e njëjta gjë

Dualizmi i veprimeve të pushtetarëve, përveç qytetarëve të vendit i ka vënë në lajthitje edhe ndërkombëtarët.
Përderisa presidenti i vendit po lobon dhe nuk po lë gur pa lëizuar për faljen e territorit të vendit pushtuesve shekullorë, kryeministri ndërmerr veprime krejtësisht tjera, në dukje të parë të drejta, vështirë të realizueshme dhe pa llogaritur konseguencat për qytetarët e vendit.
Veprimet e ndara dhe kokë në vete të dy liderëve shetëror, përkatësisht presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj i kanë shkaktuar dëme jashtëzakonisht të pariparueshme Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane.
Me këtë kurs qeverisës, politikanët tanë, Kosovën janë duke e dërguar pashmangshëm në greminë, apo në rrugë të pa krye dhe të pambarim, sepse orekset serbomëdha ndaj Kosovës nuk do të mbarojnë me ndarjen e veriut.
Me këtë diskurs të politikës kosovare, Serbia do të vazhdojë edhe më tutje agresionin e saj politik ndaj shtetit tonë, pasi pushtetarët e papërgjegjshëm kosovarë, integritetin dhe sovranitetin tonë e kanë vënë në “ankand publik”, duke e shndërruar në tortë të shijëshme për orekset garbitëçare, ku secili nga fqinjët dëshiron të merr pjesën që dëshiron!

Pushtetarët servilë e bënë Serbinë hisedare në Kosovë

Nënshkrimet nga ana e Thaçit dhe Mustafës e (mos) marrëveshjeve me Daçiqin dhe Vuçiqin në Bruksel, Serbinë gjakatare e bënë hisedare në sovranitetin e shtetit të Kosovës në njërën anë, ndërsa në tjetrën i hapën rrugën Serbisë për anëtarësim në BE, përderisa kjo e fundit kosovarëve të viktimizuar ua ofroj liberalizimin e vizave me kushtin e humbjes së territorit të shtetit,…për ironi të faktit edhe kësaj pushtetarët kosovar i thonë sukses!
Po i thonë kështu pushtetarët sepse dështimet dhe rrëshqitjet e njëpasnjëshme janë bërë çelës i suksesit të tyre personal, në pasurimin dhe ngritjen e tyre politike.

Dilemat pas votimit në Parlamentin Europian

Votimi politik në parlamentin evropian në mesin e shtatorit të këtij viti për liberalizimin e vizave për Kosovën, pa e plotësuar Kosova kushtin themeltar për liberalizim-atë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e kishte lenë derën hapur për mëdyshje të mëdha!
Tre muaj më pas u vërtetua se askush nuk të falë asgjë pa një arsye të fortë. Liberallizimi i vizave për shtetasit kosovarë, pa përmbushjen kushtit themeltarë nga ana e pushtetarëve, flet qartë për prapaskenat e vendimeve të “mira”.
Në rrethana të tilla, vendimi i PE-së për më shumë se liberalizim i vizave për qytetarët, nënkupton liberalizim të krimit dhe korrupsionit, favorizim të pushtetarëve të korruptuar dhe stimulim i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shantazhuar kosovarë.

Zbrazja e Kosovës nga të rinjtë e saj

Një shoqëri njerëzore që mbanë në pushtet një klasë tërësisht të korruptuar dhe inkriminuar politike, nuk ka pse pret liberalizimin vrastar të vizave! Ngase liberalizimi i vizave në rrethanat aktuale, të uzurpimit të shtetit nga antivlerat, gjegjësisht të kapjes së tmerrshme të institucioneve të shtetit nga grupet kriminale,…keqqeverisja e vendit, parregullsitë dhe anarkia në sistemin gjyqësorë do të vazhdojnë akoma, ndoshta deri në pambarim.
Derisa të vie në pushtet një klasë e përgjegjshme politike, me etikë dhe integritet profesional për të udhëhequr shtetin dhe dikasteret përkatëse qeveritare, të gjitha dëshirat dhe shpresat e qytetarëve do të mbesin iluzione.
Mbase sjelljet e fundit të pushtetarëve, përkatësisht dualizmi i veprimeve të pushtetarëve aktualë do të jenë një “alibi” më shumë për getoizimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të këtij vendi dhe talljen me liderët shtetëror të Kosovës dhe mosdhënjen e vizave nga shtetet e BE-së.
Si pasojë e kësaj, javëve dhe ditëve të fundit është shtuar dukshëm fluksi i qytetarëve kosovar para ambasadave të huaja në Prishtinë, për të kërkuar vizën për largim nga ferri që u shkaktuan politikanët e papërgjegjshëm në dekadën e fundit në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës pa mirëqënje qytetare dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.
Përderisa gënjeshtrat e pushtetarëve zgjasin getoizimin e qytetarëve, vazhdon zbrazja në heshtje e Kosovës nga të rinjët e saj!

Deputetët e Listës Serbe po qëndrojnë në Kuvend në pritje të komisionerit Hahn

Deputët e Listës Serbe janë mbyllur në Kuvendin e Kosovës duke kërkuar një mbledhje me komisionerin evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi Johannes Hahn, i cili të hënen pritet të vizitojë Prishtinën.

Në një komunikatë të Listës Serbe, thuhet se ata kërkojnë mbledhje me komisionerin Hahn, në mënyrë që ta njoftojnë atë me krizën humanitare e cila “e kërcënon popullin serb për shkak të vendimit të Prishtinës që ta vendos taksën prej 100% ndaj produkteve serbe dhe me këtë praktikisht e bllokon shpërndarjen e ushqimit,barërave, shtypit dhe produkteve tjera të nevojshme”.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas mbledhjes së Shtabit të krizës në Mitrovicën Veriore, në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë.

“Si përfaqësues politik legjitim, të popullit serb, ata (deputetët) dëshirojnë që komisionerit Hahn t’i tregojnë për veprimet anti-serbe të Prishtinës përmes të cilave nxitet kriza humanitare e drejtuar kundër serbëve në hapësirat e Kosovës”, ka thënë Rakiq, duke shtuar se deputetët po bëjnë luftë në mënyrë paqësore dhe demokratike, në mënyrë, sic ka thënë ai, që fëmijët e tyre të kenë të drejtën për jetesë, për mjekim dhe për ardhmëri.

Qeveria e Kosovës ka rritur taksën nga 10% në 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, si kundërpërgjigjje ndaj fushatës agresive të Serbisë për Kosovën, veprim ky që ka nxitur reagime të shumta.

Protestat në Mitrovicë

Protestat në Mitrovicë

Katër kryetarët e komunave veriore, të banuara me shumicë serbe, ditë më parë dhanë dorëheqje, si dhe u organizuan protesta në Mitrovicën veriore në kundërshtim të taksës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.

Liderët e Kosovës shprehin ngushëllime për vdekjen e George H.W Bush

Liderët e institucioneve të Kosovës kanë shprehur ngushëllime ndaj popullit amerikan për humbjen e ish presidentit të Shteteve të Bashkuara, George H.W Bush.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes rrjetit social Facebook, tha se Kosova ka humbur një mik të madh.

“I pikëlluar për vdekjen e presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George H.W Bush. Bush gjithë jetën e tij e dedikoi në shërbim të popullit amerikan dhe paqes në botë. Presidenti Bush do të mbahet në mend për denoncim direkt ndaj represionit dhe terrorit serb ne Kosovë. Ai do te mbahet në mend për “mesazhin e Krishtlindjeve” drejtuar presidentit serb në vitin 1992, me të cilin vendos vijën e kuqe për luftë në Kosovë duke e mbrojtur popullin tonë nga tendenca dhe kërcënimi për shfarosje nga regjimi i Milloshevicit në atë kohë. Prehu në paqe, njeru i Kosovës. Do të kujtojmë gjithmonë!”, tha Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Bush do të kujtohet për deklaratën se Kosova është vija e kuqe për SHBA-në, që ja bëri regjimit të Millosheviqit.

“Popullit amerikan, në emër të qytetarëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush. SHBA dhe bota do ta kujtojnë si patriot të pashoq dhe shembull të përkushtimit për të punuar për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë. Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA. Bashkëndjejmë me familjen Bush dhe tërë popullin amerikan në këtë humbje të madhe”, tha Thaçi në Facebook.

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, tha se Kosova gjithmonë do të jetë falenderuse ndaj kauzës për pavarësi të Kosovës së ish presidentit George H.W Bush.

“Presidenti George H. W. Bush ishte një nga zërat e parë të lidershipit botëror që kuptoi vuajtjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Mbështetja që ai i ka dhënë kauzës sonë të shenjtë për liri ishte një mesazh i qartë anekënd botës. Kjo do të mbetet përherë në kujtesën tonë dhe do të na shërbejë që ta forcojmë edhe më tej miqësinë me Shtetet e Bashkura të Amerikës. Ngushëllime të përzemërta për familjen dhe popullin amerikan. Zoti e bekoftë këtë misionar të paqes dhe demokracisë!”, tha Veseli.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dërguar telegram ngushëllimi për humbjen e presidentit George H.W Bush.

“Bush do të përkujtohet gjithmonë nga Kosova dhe qytetarët e saj, veçanërisht për paralajmërimin e tij ndaj Serbisë në vitin 1992 se ‘në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e Serbi. Këtë dashuri ndaj Kosovës e trashëgoi edhe te Presidenti i 43-të i SHBA-ve George W. Bush, gjatë mandatit të së cilit edhe u shpall pavarësia e Kosovës. Zoti e bekoftë shpirtin e Presidentit George H.W. Bush”, ka thënë Mustafa në telegramin e ngushëllimit.

Haradinaj: Taksa 100% nuk hiqet edhe nëse rrezikohet rrëzimi i Qeverisë

Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës vijon t’i qëndrojë besnik vendimit të tij për vendosjen e taksës 100% ndaj hyrjes së mallrave Serbe në Kosovë.

Ai u shpreh se nuk do të tërhiqej nga ky vendim edhe në qoftë se kjo do t’i kushtonte rrëzimin e qeverisë të cilën ai drejton.

Në një intervistë për “Interaktiv” në KTV, Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ndryshimi i kufijve bëhet vetëm me luftë.

Ajo çfarë më së shumti ka përbërë lajm nga deklarata ka qenë deklarimi i tij se, “nëse largohem nga posti i kryeministrit, do të marr me vete edhe Thaçin e Veselin”.

Haradinaj u shpreh gjithashtu se Kosovën e 17 shkurtit 2008, nuk mund ta zhbëjë askush përfshirë edhe presidentin.

Intervista – Mustafa: Situata në veri, përgatitje për ndarje nga Kosova

Taulant Qenaj

Dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore, janë paralajmërime për ndarjen e veriut nga Kosova, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Idetë e lansuara nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë për ndryshim apo korrigjim të kufirit, Mustafa thotë se mund të bëhen realitet dhe kritikon Qeverinë e Kosovës për inferioritet ndaj këtyre zhvillimeve. Mustafa konsideron se taksa 100 për qind që Qeveria e Kosovës ua ka vënë mallrave të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, nuk është vlerësuar e menduar mirë nga autoritetet e Prishtinës.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka vënë një taksë 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. Si e shihni ju efektin e këtij vendimi dhe sa e mbështetni Qeverinë për këtë masë?

Isa Mustafa: Efektet akoma nuk janë shumë të qarta. Efektet politike, si duket, nuk janë ato që i ka pritur Qeveria e Republikës së Kosovës, sepse propaganda e Serbisë tani po i shfrytëzon këto efekte për interesa të veta. Tani kemi një situatë, e cila ka eskaluar në veri të vendit, me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave, dhe po ashtu me ankesat nëpër tubime se ata kanë problem me bukë, kanë problem me barna, kanë problem me artikuj të tjerë dhe se janë të diskriminuar me këtë. Ndërkaq, kjo masë nuk ka qenë e orientuar ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ka, po ashtu, paralajmërime për ngritje të çmimeve brenda vendit.

Kështu që, unë konsideroj që është një masë, e cila nuk është paramenduar mirë nga Qeveria. Jo që s’e ka merituar Serbia një masë të tillë, porse Qeveria nuk i ka pasur parasysh të gjitha pasojat e kësaj mase.

Ndërkaq, kemi po ashtu edhe reagime ndërkombëtare, edhe të Bashkimit Evropian, dje ka qenë reagimi i Qeverisë gjermane. Kemi pasur, po ashtu, reagime edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të thotë se opinioni ndërkombëtar dhe shtetet mike, e konsiderojnë një masë të tillë si masë të papranueshme, e cila është në kundërshtim me CEFTA-n dhe nuk është në frymën e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.

Radio Evropa e Lirë: Përveç reagimeve nga Serbia, kishte edhe një kundërpërgjigje nga kryetarët e komunave veriore me dorëheqjet e tyre. A shihni ju rrezik nga rrëshqitja, kushtimisht thënë, e veriut në organizimin paralel institucional?

Isa Mustafa: Unë mendoj se, siç thuhet, rreziku është para dere. Rreziku është shumë i madh. Për mua është e pakuptimtë një sjellje totalisht inferiore e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj kësaj çfarë po ndodh në veri, sepse as Qeveria, as Kuvendi nuk po merren me atë çështje. Mendoj se është një çështje shumë serioze.

Dhënia e dorëheqjes nga ana e kryetarëve, pastaj rezoluta që ato do të ndërpresin komunikimin me Prishtinën, përkatësisht me institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, pastaj edhe dorëheqja e prokurorëve dhe gjykatësve në veri të vendit, janë çështje, të cilat duhet të kundërpërgjigjen ose të reagojnë institucionet e Kosovës.

Ne kemi harxhuar një kohë mjaft të gjatë që ta integrojmë këtë pjesë të veriut në institucione të Republikës së Kosovës, konsideroj se ishte arritur mjaft shumë, jo krejt çfarë kemi dashur, prandaj rrëshqitja e veriut nga institucionet e Republikës së Kosovës, është mjaft brengosëse.

Unë e shoh këtë edhe një parapërgatitje për ndarje e veriut nga vendi, sepse ata tani po shfrytëzojnë një propagandë të kulluar në tubimet e tyre. Sigurisht të dirigjuar nga Beogradi dhe nga Vuçiqi në mënyrë të drejtpërdrejtë, kinse ata janë të diskriminuar. Prandaj, unë konsideroj se institucionet e Kosovës, po sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj situatës në veri dhe është rrezik se ajo çfarë është thënë publikisht se duhet të bëhet korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve, ndarja etj, ajo po na ndodh para syve, për shkak të një indolence dhe një sjelljeje të papërgjegjshme të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Të gjitha këto zhvillime po ndërlidhen edhe me procesin e dialogut marrëveshjes eventuale që mund të pritet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Cila duhet të ishte marrëveshja, sipas jush, që Kosova duhet ta synojë në dialogun me Serbinë?

Isa Mustafa: Edhe për opinionin në Kosovë, edhe për gjithë ne, edhe liderët e partive politike, unë flas në këtë rast edhe për LDK-në edhe për mua, është e paqartë se çfarë po synohet me këtë. Kjo, sepse përderisa unë kam qenë kryeministër në asnjë rast në tavolinë nuk është shtruar çështja e një marrëveshjeje përfundimtare ose çështja e kufijve ose çështje tjera, të cilat janë të ndjeshme, të cilat e vënë në pikëpyetje atë çfarë kemi arritur deri në këtë kohë.

Unë konsideroj që Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe pasi të ndodhë kjo, pastaj ne duhet të ulemi dhe për gjërat, për të cilat konsiderojmë bashkërisht se duhet të përparojnë edhe më tutje, duhet të bëjmë progres, të merremi vesh bashkërisht që ato çështje t’i çojmë përpara. Por, për neve është e papranueshme që këto çështje paraprakisht kushtëzohen ose lidhen me afat dhe të thuhet se afati i Komisionit Evropian, është deri në fund të pranverës së vitit të ardhshëm, dhe kjo çështje duhet të përfundohet, sepse janë çështje shumë të rëndësishme për Kosovën, të cilat mund të lidhen dhe të afatizohen.

Radio Evropa e Lirë: A konsideroni se është ende si opsion ideja e ndryshimit të kufijve?

Isa Mustafa: Për LDK-në në asnjë rast nuk është opsion. Ne assesi s’do të pajtohemi me ndryshimin e kufijve, me korrigjimin, me shkëmbimin e territoreve, sepse ne konsiderojmë se ajo është çështje e përfunduar, kufijtë e Kosovës janë përcaktuar ashtu siç janë përcaktuar kufijtë e republikave të tjera të ish-Jugosllavisë, të cilat janë shndërruar para Kosovës në shtete. Janë kufijtë, në të cilët Kosova e ka shpallur pavarësinë. Janë kufijtë, në të cilët e ka shpallur Kosova pavarësinë, janë kufijtë për të cilët Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë opinionin pozitiv për të drejtën tonë, që kemi shpallur pavarësinë dhe janë kufijtë të cilët janë të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ne nuk kemi asnjë arsye që tash të merremi me kufij.

Janë çështje të tjera, për të cilat mund të bisedojmë me Serbinë dhe janë çështje për të cilat natyrisht që duhet të gjejmë hapësirë, në mënyrë që të bëhet njohja reciproke nga të dyja vendet, pra njohja e pavarësisë, por jo assesi që kjo të bëhet përmes kompensimit me anë të kufijve ose territorit të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Po sa i përket pozitës së komunitetit serb në Kosovë, çfarë zgjidhje mund të ofrojë Kosova?

Isa Mustafa: Unë konsideroj se ne kemi dhënë maksimumin sa i përket të drejtave të qytetarëve që nuk janë shumicë në Kosovë dhe të serbëve dhe me Pakon e Ahtisarit, ata kanë përfaqësues më shumë se sa, proporcionalisht me numrin e popullsisë, u takon në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Komunat me shumicë serbe, po ashtu, kanë të drejta asimetrike më të mëdha në krahasim me komunat e tjera të Kosovës.

Mirëpo, unë shoh gjithmonë hapësirë që maksimalisht ne t’i shfrytëzojmë të gjitha standardet evropiane për të bërë progres dhe për t’i përparuar të drejtat e popullatës jo shumicë, sepse ajo nuk na dëmton ne, vetëm sa krijon një komunikim apo një atmosferë më të mirë të jetës së të gjithë qytetarëve në Kosovë – në këtë rast unë konsideroj se çështja nuk shtrohet nga Beogradi në këtë formë, por ata janë të interesuar që të marrin një pjesë të Kosovës.

Janë të interesuar që praktikisht ta shkatërrojnë atë çfarë ne kemi arritur deri më tani, e kam fjalën për pavarësinë e Kosovës, sepse unë dyshoj që çështjet janë duke u trajtuar në mënyrë serioze nga ana e Serbisë, por vetë fakti që ata po punojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes një propagande për çnjohjen e Kosovës nga shtetet, të cilat e kanë njohur,ata nuk janë të interesuar që ky proces të shkojë përpara. Ata janë të interesuar që të shkatërrojnë atë çfarë ne kemi arritur gjatë kësaj periudhe dhe ne nuk duhet ta lejojmë në asnjë mënyrë.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë vitit të ardhshëm, LDK-ja do të mbajë zgjedhjet e brendshme. A do të kandidoni përsëri për kryetar të partisë?

Isa Mustafa: Ne nuk e kemi biseduar këtë çështje në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ne do të lëmë një proces të hapur. Unë vlerësoj që do të ishte mirë që të kemi sa më shumë kandidatë, të cilët do të tregojnë interesimin e tyre për kryetar të LDK-së. Natyrisht se e gjithë kjo varet nga disponimi që ne e kemi nëpër degë, nëpër nëndegë të LDK-së, në strukturat tona. Dëshirojmë që këtë proces ta përfundojmë dhe ta përmbyllim me një unitet të plotë në LDK, në një pajtueshmëri të plotë.

Unë konsideroj se gjithmonë janë pozitive për partitë politike, veçmas për ne në Kosovë, që të bëjmë tranzicione, të cilat janë pozitive, të cilat krijojnë frymë pozitive dhe për të cilat, natyrisht është e interesuar anëtarësia e LDK-së.

Komunat në veri krijojnë distancë me serbët në jug të Kosovës

Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, duke iu adresuar protestuesve serbë në këtë komunë, pas vendimit të kryetarëve të komunave veriore për të dhënë dorëheqje. 27 nëntor, 2018.
Bekim Bislimi – Vendimi i kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore, që të japin dorëheqje nga postet e tyre, është vendim jo i mirë, jokorrekt dhe potencialisht me pasoja, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike në vend.

Vendimin e tillë, kryetarët e komunave veriore, të cilët i takojnë Listës Serbe, e kanë arsyetuar si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet e Serbisë, si dhe kanë thënë se “administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri më nuk ekziston”.

Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore, është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe integrimeve, të cilat siç thotë ajo, kanë qenë esenca e këtij projekti. Rritjen e taksës për mallrat serbe ajo e cilësoi si vendim politik, i cili si i tillë, do të jetë me afat të kufizuar kohorë.

“Sa i përket vendimit të serbëve, ajo është para së gjithash jokorrekte ndaj bashkëqytetarëve tjerë serbë që jetojnë në anën e poshtme të lumit Ibër, sepse kryetarët e komunave dhe institucionet e komunave serbe në jug të lumit Ibër, nuk kanë dhënë dorëheqje, nuk po demonstrojnë. Me vet këtë, ata po i hapin rrugë pikëpyetjes se çfarë në fakt është esenca e protestës. Ky është paralajmërimi i ndarjes së ngadaltë të veriut të Kosovës nga pjesa tjetër e Kosovës. Kjo për mua është një projekt mjaft i rrezikshëm, të cilin po provojnë ta zbatojnë (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiqi me (presidentin e Kosovës, Hashim) Thaçin dhe të krijojnë një gjendje faktike”, theksoi Trajkoviq.

Ish-deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Petar Miletiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore, janë paralajmërim për një raund të ri të dialogut në Bruksel.

“Mendoj që ky është një vendim histerik, i cili nuk është i mirë. Duket që të dyja palët në dialog, tashmë do të vazhdojnë dialogun me mjete tjera. Prishtina i ka dërguar njësitet speciale të Policisë në veri dhe ka vendosur taksat prej 100 për qind për produktet serbe. Ndërkaq, si përgjigje ndaj kësaj, kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunal në veri kanë dhënë dorëheqje dhe kërkojnë që kryetarja e Kuvendit të Serbisë të shpallë zgjedhjet sipas sistemit të Serbisë. Këtë e shoh si vendosje në pozicionet fillestare për raundin e ri të bisedimeve”, tha Miletiq.

Situata e krijuar, sipas njohësve serb të zhvillimeve politike, mund të prodhojë pasoja të padëshirueshme, të paktën për qytetarët e bashkësive etnike që jetojnë në Kosovë.

Trajkoviq thekson që një nga pasojat e mëdha do të jetë rikthimi i antagonizmave ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

“Kjo është më e keqja. Do të thotë, shembja e sërishme e asaj që ka qenë qëllimi i Marrëveshjes së Brukselit, që është pajtimi dhe normalizimi i jetës. Tash po shkojmë drejt destabilizimit dhe urrejtjes ndaj njëri-tjetrit. A do të shkojnë ata me Thaçin që ta rrëzojnë Qeverinë e Ramush Haradinajt, si dhe cili do të jetë fati i tyre, ne ende nuk e dimë. Kjo do të shkaktonte homogjenizim shtesë të shqiptarëve në Kuvendin e Kosovës, të opozitës dhe të një pjese të partive shqiptare që mbështesin Haradinajn. Kjo do të ishte një sfidë e re për përplasje shtesë në këtë hapësirë”, u shpreh Trajkoviq.

Edhe Miletiq nuk i përjashton pasojat e rrezikshme nga gjendja e krijuar pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave vendore dhe vendimit të tyre për të ndërprerë vetëqeverisjen lokale sipas sistemit të Kosovës.

“Pasojat mund të jenë nga ato më të këqijat, pra, siç është konflikti fizik, por, mund të përfundojë pikërisht kështu siç është aktualisht ose gjithçka ndërmjet këtyre të dyjave. E kam të vështirë të parashikojë se çfarë mund të jenë pasojat, por se do të vije deri te një ashpërsim i caktuar, kjo është krejtësisht e sigurt”, theksoi Miletiq.

Qytetarët me flamuj të Serbisë gjatë protestës në Mitrovicën e Veriut më 27 nëntor.

Qytetarët me flamuj të Serbisë gjatë protestës në Mitrovicën e Veriut më 27 nëntor.

Liderët serbë në veri kanë organizuar protesta të qytetarëve në Mitrovicën Veriore, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës për mallrat serbe. Organizatorët kanë njoftuar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, derisa Kosova nuk e tërheqë këtë vendim.

Kosovë, Lorenzo D’Addario mori detyrën e komandantit të KFOR-it

PRISHTINË – Gjeneral majori italian Frances Lorenzo D’Addario prej sot edhe zyrtarisht është komandant i ri i KFOR-it. Në ceremoninë zyrtare të mbajtur në selinë kryesore të KFOR-it në Prishtinë, mori përsipër detyrën nga ish-komandanti, bashkëkombasi i tij, gjeneral major Salvatore Cuoci.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të komandës morën pjesë, përveç tjerash, komandanti i forcave të bashkuara të NATO-s në Napoli admiral James Foggo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha. Komandanti në largim Cuoci tha se është krenar që KFOR-i, jo vetëm që është operacioni më i gjatë i NATO-s, por edhe rrëfimi më i suksesshëm për Aleancën dhe partnerët e saj.

“Pa dyshim dhe me siguri të plotë, mund të thuhet se pavarësisht rritjes së tensioneve, gjendja e përgjithshme në Kosovë është shumë më e mirë se sa ishte dhe po përmirësohet vazhdimisht. Përveç kësaj, suksesi i KFOR-it në krijimin e një mjedisi më të sigurtë u shoqërua jo vetëm nga reduktimi gradual i forcave, por në të njëjtën kohë duke transferuar përgjegjësinë për sigurinë e Kosovës”, tha Cuoci.

Pas një viti të qëndrimit në Kosovë, Cuoci tha se është veçanërisht krenar për përparimin e arritur në ndërtimin e një marrëdhënieje midis KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë, e cila siç tha, solli deri te rritja e numrit të patrullave të KFOR-it në sinkronizim të plotë me ushtrinë serbe përgjatë vijës kufitare.

Kryeministri Haradinaj në solemnitet tha se prania e KFOR-it dhe NATO-s ka ndihmuar Kosovën dhe rajonin, si dhe zhvillimin e përgjithshëm për pothuajse dy dekada.

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah për krah me KFOR-in dhe NATO-n. Qëllimi ynë është t’i bashkohemi NATO-s, ndërsa besojmë se rajoni do të ketë dobi nëse të gjitha vendet nisen rrugës që shpie në NATO”, tha Haradinaj.

Pas ceremonisë së pranim-dorëzimit, u mbajt një konferencë e shkurtër për media e komandantin e ri të KFOR-it D’Addario dhe admiralit amerikan Foggo. D’Addario tha se motoja e re e misionit të KFOR është “Të bashkuar në përkushtim”, dhe kjo do të thotë se KFOR-i është i angazhuar për një mjedis më të sigurtë dhe në veçanti për përparimin e brezave të rinj.

Foggo tha se NATO është e interesuar për një mjedis të sigurtë dhe rrethim të sigurtë për çdo gjë dhe për të bërë përparim ekonomik. Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për gjendjen në veri të Kosovës, tha se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe se ai e kupton zemërimin e tyre, sepse janë prekur personalisht nga tarifat e vendosura për mallrat nga Serbia.

I pyetur nëse ndarja e Kosovës mund të përbëjë rrezik, Foggo tha se udhëheqësit politikë të zgjedhur të të dyja vendeve po zhvillojnë dialog që NATO e mbështet.

“Për vendin tuaj, për Kosovën, është shumë i rëndësishëm dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, ka gjëra mbi të cilat mund të bisedohet dhe mbi të cilat bisedohet. Kjo pyetje më shumë është për përfaqësuesit tuaj të zgjedhur që kanë më shumë njohuri për këtë”, tha Foggo.

Lidhur me procesin e transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, admirali theksoi se ka pasur reagime të ndryshme në Kosovë dhe jashtë Kosovës dhe se beson se transformimi duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, por kjo ende nuk është parë. Ai shtoi se anëtarët e FSK-së dhe ministria kompetente janë duke bërë një punë të madhe, por pyetja mbetet se si do të bëhet trajnimi, pajisja dhe i gjithë procesi, që është shumë i shtrenjtë.

Pas luftës së vitit 1999, KFOR-i ka pasur rreth 50.000 ushtarë në Kosovë ndërsa momentalisht ka rreth 4.000 ushtarë nga 28 vende. aa

NATO-ja i kërkon Kosovës heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe

Komandant i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, u shpreh i shqetësuar të mërkurën me veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës për të ngritur tarifat për mallrat serbe dhe kjo sipas tij, rrezikon të izolojë më shumë Kosovën.

Ai i bëri këto komente gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

“Besoj se edhe Serbia edhe Kosova aspirojnë të jenë më të integruara me institucionet euro-atlantike, besoj se kjo është e rëndësishme për të dy kombet. Megjithatë jam shqetësuar me disa veprime të fundit, siç është një ngritje e dukshme e tarifave mbi mallrat e Serbisë dhe Kosova rrezikon për t’u bërë më e izoluar. Pra, pyetja ime për ata që janë në këtë dhomë, a synoni qëllimin për integrim euro-atlantik? Nëse po, si do të mund të ecim përpara në vitin 2019?”,tha ai duke u bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të bashkëpunojnë për ulur tensionet në vend.

Forcat e KFOR-it që nga dje filluan stërvitje në veriun e Kosovës duke pohuar se kjo është një stërvitje normale që nuk lidhet me zhvillime të caktuara. Admirali Fogo tha se stërvitjet ishin vendim i tij dhe komandantit të KFOR-it.

“Në çdo kohë që ne shpërndajmë trupat tona, është një shenjë që ne nuk kemi arritur qëndrueshmëri për një mjedis të qetë dhe të sigurt, në fakt është kthim prapa. Unë jam i interesuar për të ecur përpara, kështu që pyetja ime për Beogradin dhe Prishtinën është si do të mund të zvogëlojmë nevojën që KFOR-i të përgjigjet gjatë vitit 2019. Veprimi juaj duhet të jetë më i qartë se fjalët tuaja”,tha ai.

Beogradi dhe serbët e Kosovës, reaguan me zemërim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. Beogradi tha se do të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me heqjen e kësaj tarife, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit komunal në veriun e banuar me shumicë serbe dhanë dorëheqje dhe shkëputën cdo komunikim me Prishtinën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Prishtina heqjen e tarifave.

Qeveria e Kosovës pohon se tarifat duhet të mbeten në fuqi dhe ato janë vendosur si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.

Gjashtë kryetarët serbë të komunave nuk ndjekin shembullin e veriut për dorëheqje

Protesta në Mitrovicën veriore të martën pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave veriore.

Kryetarët e gjashtë komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilat gjenden në anën jugore të lumit Ibër, përmes një komunikate për medie, të dalë nga Lista Serbe, kanë shprehur mbështetjen për kryetarët e katër komunave veriore, të cilët ditën e martë kanë dhënë dorëheqje.

Në komunikatë thuhet se ata i mbështesin kolegët e tyre në veri, por nuk do të marrin masat e njëjta.

“Ndonëse nuk do të marrim masat e njëjta për shkak të rrethanave të ndryshme në të cilat jetojmë, në mënyrë solidare ne do të luftojmë që të pushojë diskriminimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut për popullin tonë për shkak të futjes së taksës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

A manipuluan publikisht, Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare, me simbolikën dykrenarësh? – Nga FADIL MALOKU

(E di që atyre që kanë rënë në folklorizëm patriotik, ky mendim i imi nuk do u pelqej. Por, e vërteta… këtu diku fshihet😉)

1. Per mendimin tim, simbolika e dykraheve nga ana e politikanëve, përveç tjera mesazheve (që mund të jenë të natyrës; elektorale, patriotike, kombëtare e shtetërore)shpalos, edhe një lloj mediokriteti social.
2. Që thënë me gjuhēn dhe gjykimin sociologjik, është edhe një lloj “rikolonizimi” e mendjes së turmes, e cila për bindjen e kesaj elite aktuale politike, ende ka nevojë për “infuzione” të tilla manipulative, që imperativ të vetëm e kanë “mirëmbajtjen” e deliriumit të pushtetit të tyre, mbi turmen amorfe (lexo; kopenë e pavetëdijshme sociale), dhe zgjatjen e jetës së tyre hedoniste, që u mundëson mu vota e kësaj turme apo kopeje (sipas tyre, gjithnjë ende fëmijërore, dhe e paemancipuar politikisht!) ushtrimin e profesionit të lidershipit…
3. Kjo i bie, që manifestimi publik i simbolikës në fjalë, nga ana e dy qeverive shqiptare, është një manipulim shumë i sofistikuar social…Sepse, në një Projekt serioz shtetërorë, të bashkimit kombëtar, nuk ndëgjuam as pamë, as edhe një të dhënë konkrete… për të arriturat e kësaj ideje! Andaj, rrjedhimisht, kjo ikonografi i bie një manipulim i llojit të vetë që për qëllim të vetëm kishte; ate tē “mirëmbajtjes” se pushtetit

Qeveria e vendosur të mbajë tarifën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës

Luljeta Krasniqi – Veseli

Qeveria e Kosovës është shprehur e vendosur të mbajë në fuqi taksën prej 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina pavarësisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për të hequr tarifat.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.

Increased tariffs on #CEFTA members = increased pain for #Kosovo citizens, increased tensions, and increased damage to Kosovo’s reputation. Strategic leadership, not emotional reaction, is needed to secure Kosovo’s European future and a normalized relationship w/ #Serbia.

— Chargé d’Affaires Colleen Hyland (@USAmbKosovo) November 26, 2018

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se i respektojnë vlerësimet e miqve ndërkombëtarë, por që vendimi për taksën nuk mund të largohet në këto rrethana që po dominojnë.

“Ne kur e kemi vendosur taksën kemi pasur parasysh që do të kemi vërejtje dhe sugjerim nga miqtë tanë ndërkombëtarë, por ne mendojmë që tani për tani jemi të vendosur që taksa të mbetet në fuqi derisa të mos ndërrojnë sjelljet e palës tjetër, në këtë rast të Serbisë. Këto janë vendime që i kemi bërë për të mbrojtur vendin tonë nga veprimet e dëmshme që ka bërë Serbia karshi shtetit tonë”, thotë Shatri.

Qeveria e Kosovës më 21 nëntor vendosi që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë.

Serbia, e cila eksporton në Kosovë mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdim e dialogut ndërmjet dy shteteve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës të tërheqë vendimin duke e cilësuar atë si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA-s, anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2007.

Edhe pas kërkesës nga mekanizmat ndërkombëtarë për heqjen e taksës doganore prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, shumica e bizneseve në Kosovë, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, janë deklaruar për të mbajtur taksën në fuqi.

“Janë tre kategori të bizneseve: bizneset që importojnë, bizneset që prodhojnë dhe një pjesë e bizneseve që importojnë edhe prodhojnë. Në këto tri kategori ka çështje të caktuara që lidhen me taksën të cilat duhet të adresohen në mënyrë që zbatimi të jetë më i lehtë, por në përgjithësi disponimi është pozitiv, ka solidaritet më këtë vendim ka një përkrahje popullore çka nënkupton se bizneset, pjesa më e madhe e bizneseve e përkrah këtë taksë, por ajo që mbetet me rëndësi për bizneset është parashikushmëria se deri kur mund të zgjat taksa”, thekson Rukiqi.

Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se taksa ka një objektiv të caktuar dhe se Serbia duhet të reflektojë.

“Kemi një varg marrëveshjesh që lidhen me qarkullimin e lirë të mallrave, por edhe një marrëveshje që lidhet me shërbimet në këtë rast është çështja e energjisë elektrike të cilat besoj që Serbia duhet t’i respektojë dhe të tregojë që po i respektin dhe nuk po i saboton për të arritur efektin për çka ka vendosur masa, ndërsa sa i përket aspektit politik nuk dua t’i komentojë”, thekson ai.

Rukiqi, po ashtu bën të ditur se bizneset prodhuese, por edhe tregtare në Kosovë, kanë filluar që të gjejnë alternativa për zëvendësimin e produkteve apo lëndës së parë në shtetet tjera.

“Unë kam qenë në Turqi dhe sot do t’ja përcjelli një listë kryetarit të Odës Ekonomike në Turqi për disa mallra- lëndë të parë që nuk prodhohet në Kosovë, në mënyrë që të bëhen furnizimet më të shpejta që mos të ketë mungesa në treg. Edhe bizneset tregtare tani më kanë filluar që të gjejnë alternativa për zëvendësim të produkteve”, thotë Rukiqi.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e taksës doganore në vlerën 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të disa artikujve të domosdoshëm ushqimorë në Kosovë. Nga produktet e domosdoshme ushqimore të shtrenjtuara, janë, mielli, buka, sheqeri dhe vaji.

Mustafa: Shteti nuk drejtohet me folklorizëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se pas dorëheqjeve të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, duhet të mbledhet Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Në një postim në Facebook, Mustafa ka thënë se “shteti nuk drejtohet me folklorizëm”.

“Veprimet e sotme të serbëve në veri të vendit, dorëheqjet e kryetarëve te katër komunave dhe Rezoluta për të ndërprerë komunikimin me ‘Prishtinën’, siç shprehen ata, janë sinjal i qartë se kah po shkon vendi. Qeveritarët tanë nuk janë për të bërë figura me duar por për tu kujdesur për funksionimin kushtetues të vendit, sa nuk është bërë vonë”, ka deklaruar ai.

Duke përmendur vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosje të taksës prej 100 për qind në importet e mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Dorëheqjet i kanë dhënë, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ai i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq dhe kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.

Rakiq përndryshe është edhe kryetar i Listës Serbe, njëherësh subjektit më të madh politik që përfaqëson komunitetin serb në institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është kundërshtuar edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili ka bërë thirrje për tërheqje të masës së vënë nga autoritetet e Kosovës.

Ndahet nga jeta ish deputeti Bujar Gjurgjeala, udhëheqësi i mbledhjes që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 (video)

Ka ndërruar jetë Bujar Gjurgjeala, i përbërjes që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut

Mbrëmë, në Prizren, në moshën 72 vjeçare ka ndërruar jetë Bujar Gjurgjeala, ish-delegati i Kuvendit të Kosovës, i asaj përbërje që 28 vjet më parë shpalli Deklaratën Kushtetuese, që në histori tash më njihet si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, me të cilën institucionalisht iu vunë themelet shtetit të pavarur të Kosovës.

Vdekja e tij ishte e papritur. Ai vdiq nga një atak kardiak.

Inxhenieri Bujar Gjurgjeala, bashkë me delegatët (kështu quheshin atëherë deputetët) e Kuvendit të Kosovës, 111 sish, manifestoi guximin njerëzor, intelektual e politik dhe në rrethana të një okupimi klasik nga regjimi i Beogradit, në ambientet para ndërtesës së Kuvendit institucionalisht shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, një akt që do të ndiqej pas disa muajsh, më 7 shtator të atij viti (1990), me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur me emrin Kushtetuta e Kaçanikut.

Pas këtij akti historik, ai dhe delegatët e tjerë, të përndjekur nga regjimi i Beogradit, vazhduan aktivitetin jashtë Kosovës, në Slloveni e gjetkë, ndërsa Gjurgjeala një kohë qëndroi edhe në Çeki e Sllovaki, që të kthehej menjëherë pas çlirimit në vendlindjen e tij, Prizren.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër (28 nëntor), në varrezat e Prizrenit, në orën 12:00.

Japin dorëheqjen të gjithë kryetarët e komunave në veri të Kosovës

Konferenca për media e zyrtarëve në veri të Mitrovicës.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Dejan Gureshiq, njoftoi se të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje.

“Organet e administratës shqiptare, të Prishtinës, në veri të Kosovës nga sot nuk ekzistojnë. Funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar. Autoritetet dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe kuvendet komunale nuk do të mbajnë më takime. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbetet në fuqi derisa Prishtinë nuk i tërheq të gjitha masat diskriminuese“, tha Gureshiq.

Vendimi vjen pasi autoritetet në Kosovë, javën e kaluar, kanë rritur nga 10% në 100% taksën mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i ka bërë thirrje Kosovës që të heqë këtë detyrim doganor.

Jep dorëheqje kryetari i Mitrovicës Veriore për shkak të taksës

Udhëheqësi i Listës Serbe në Kosovë, Goran Rakiq, dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Njoftimi u bë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Rakiq tha se jep dorëheqje për shkak të “shtypjes së vazhdueshme institucionale”, përkatësisht vendosjes së taksës 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia.

Javën e kaluar, Kosova ka rritur nga 10% në 100% taksën mbi të gjitha mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i ka bërë thirrje Kosovës që të heqë këtë detyrim doganor.

Edi Rama – Bashkimi kombëtar më 2025 – Haradinaj i kërkon Edi Ramës: Përmbylle Rrugën e Kombit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që ta përfundojë Rrugën e Kombit.

Ai ka thënë se pagesa do të bëhet aq sa duhet, por se Rruga e Kombit duhet të përfundohet dhe se kjo është detyrë e kryeministrit Rama.

“Rruga nuk është kry, dhe i takon Kryeministrit Rama që ta përmbyllë këtë rrugë. Është kërkesë legjitime. Ne jemi në gjendje me pagu aq sa duhet vetëm rruga duhet të përfundohet se pasandaj kostoja rritet”, tha Haradinaj.

Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka prezantuar idenë e një projekti për bashkim kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen mes dy qeverive në Pejë, Rama i bëri ftesë Haradinajt që të nisë puna nga dy Ministritë e Jashtme për hartimin e një strategjie të përbashkët për bashkimin e shqiptarëve deri në vitin 2025.

Rama shtoi se Shqipëria nuk mund të presë pafundësisht BE-në në lidhje me pranimin në këtë organizëm, sikurse Kosova është e lodhur nga pritja për liberalizimin e vizave.

Duke u ndalur te marrëveshjet mes dy vendeve, Rama tha se brenda 6-mujorit të vitit të ardhshëm do të ketë 0 taksa në doganat mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa 100% taksa në veri, pra në kufirin Kosovë-Serbi.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës se “qenësia e normalizuar e Kosovës është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”.

“Për Shqipërinë, Kosova është shtet i pavarur, sovran, me regjim demokratik, garancia dhe qenësia e normalizuar e të cilit është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”, theksoi Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare shtoi se “e drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë-shtete dhe nuk njeh gjysmë-njerëz”, duke nënvizuar se “prandaj jemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj”.

“INTERPOL-i ishte shfaqje dekurajuese për shfaqjen e partnerëve potencialë në rajon”, shtoi Rama.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/rama-bashkimi-kombetar-deri-ne-vitin-2025-599143/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright


Send this to a friend