VOAL

VOAL

“Charlie Hebdo” – ja ëndrra e ardhshme e Donald Trumpit

Në mes të javës elektorale në Shtetet e Bashkuara, revista satirike franceze “Charlie Hebdo” ka publikuar një karikaturë të presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Në imazh shihet politikani republikan i ulur para laptopit të tij.

“Objektivi i ardhshëm i Donald Trump është Çmimi Nobel në Letërsi”, komentohet në karikaturën duke iu referuar Nobelit të Paqes që mori presidenti në ikje Barack Obama në fillim të karrierës së tij presidenciale dhe polemikës së gjeneruar nga dhënia e Nobelit të Letërsisë këngëtarit Bob Dylan.

Dita

trumpcharlie2

Ministrja gjermane e mbrojtjes i thotë Trumpit të mos e trajtojë NATO-n si ‘biznes’

Ministrja gjermane e mbrojtjes, Ursula von der Leyen

Ministrja gjermane e mbrojtjes, ka këshilluar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që të mos afrohet shumë më presidentin rus, Vladimir Putin dhe ta trajtojë NATO-n si një aleancë të shteteve të një mendjeje, më parë se sa një ‘biznes’.

“Ajo që, me shpresë, këshilltarët e tij do t’ia thonë dhe ajo që duhet ai ta mësojë është se NATO-ja nuk është vetëm një biznes. Nuk është kompani”, i tha televizionit gjerman ZDF Ursula von der Leyen.

Ajo tha se aleanca ushtarake është e udhëhequr nga “vlerat e përbashkëta dhe përvojat e përbashkëta historike.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka kërcënuar se do t’i braktisë aleatët e SHBA-së në Evropë nëse nuk shpenzojnë sa duhet në mbrojtje.

Von der Leyen e ka paralajmëruar Trumpin për mos afrohet me Putinin, duke theksuar se NATO ka qëndruar me SHBA-të pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2011

“Donald Trump duhet ta thotë qartë në cilën anë është. Nëse është në anën e ligjit, paqes dhe demokracisë apo nuk e çan kokën për këtë dhe në vend të kësaj po kërkon për një mik të mirë”, tha ajo.

Trumpi ka shprehur admirim për Putinin dhe tha se do të kërkojë përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë.(REL)

Juncker: Presim qartësime për çështje të ndryshme nga Trumpi

Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Evropian

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker tha se është i nevojshëm një qartësim nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, rreth çështjeve siç janë tregtia, marrëdhëniet me NATO-n dhe ndryshimet klimatike.

“Do të donim që të dijmë se si do të zhvillohen gjërat me politikat e tregtisë globale’, tha Juncker në një takim të biznesit në Berlin.

“Do të donim të dinim se çfarë qëllimesh ka për aleancën e NATO-s. Ne duhet të dijmë se çfarë politikash për klimën ai synon të zbatojë. Kjo duhet të qartësohet në muajt e ardhshëm”, tha ai.

Juncker tha se nuk pret që marrëveshja tregtare ndërmjet SHBA dhe BE-së, e negociuar, të kryhet brenda dy viteve.

“Marrëveshjen tregtare me SHBA-në nuk e shoh si diçka që mund të bëhet brenda dy viteve të ardhshme”, tha ai. (REL)

Kaliforni: Një person është vrarë afër një vendvotimi

Pamje e vendvotimit në Azusa të Kalifornisë i cili ishte mbyllur pas të shtënave në një lokalitet të afërt

Një person është vrarë dhe së paku 3 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë afër vendvotimit në qytetin Azusa në Kaliforni, duke i nxitur autoritetet që ta mbyllin vendvotimin, ka njoftuar policia.

Konsiderohet se i dyshuari për këto të shtëna ishte fshehur në afërsi.

Nuk ka pasur indikacione të menjëhershme se incidenti ishte i ndërlidhur me Ditën e Zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara ose për vendovimin, tha zëvendës sherifi i Los Anxhelosit, Vincent Plair.

Por, zyra e regjistrimit në Los Anxhelos, në rrjetin Twitter, i kishte këshilluar dje zgjedhësit që votën e tyre ta hedhin në ndonjë vendvotim tjetër.

Oficerët e agjencive të zbatimit të ligjit ishin sulmuar me të shtëna derisa kishin arritur në vendin e ngjarjes.

Hahn: Tregu i përbashkët në Ballkan i mundshëm brenda dy-tre vjetësh

Komisioneri i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn

Komisioneri i BE-së për zgjerim, Johanes Hahn i tha Radios Evropa e Lirë se një treg i përbashkët i Ballkanit Perëndimor mund të jetë i mundshëm brenda dy ose tre vjetësh, nëse ka vullnet politik në rajon.

Hahn tha se “njerëzit duhet ta ndjenjë vlerën e shtuar të angazhimit evropian”. A tha se “mendoj se kjo është diçka ku duhet një vullnet politik dhe do të mund të jetë e mundshme brenda dy sose tre vjetësh”

Hahn i bëri këto komente para publikimit të raportit vjetor për zgjerim të Komisionit Evropian ku vlerësohen të arriturat dhe mungesat e rezultateve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë t’i bashkohen BE-së.

“Qëllimi ynë është ndalimi i ikjes së trurit nga rajoni, që t’i jepet rajonit një perspektivë dhe për shembull një treg i përbashkët në Ballkan do të mund të ishte njësynim dhe kjo përfundimisht do të krijonte vende pune”, tha Hahn për REL.

Një treg i përbashkët që përmbanë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallërave, shërbimeve dhe kapitalit tashmë ekziston ndërmjet 28 vendeve të BE-së, por Hahn nuk specifikoi se si një treg, i përbashkët i vendeve aspiruese për t’u bërë anëtarë të BE-së, do të dukej.

Asnjëri nga vendet nuk pritet t’i bashkohet BE-së përpara vitit 2020, por blloku do të shoh mundësitë tjera për ta bërë BE-në më të pranishme në vendet aspiruese. Ndërtimi i infrastrukturës që lidh vendet më ngushtë me njëra-tjetrën është një nga mënyrat që Brukseli shpreson se do të rris popullaritetin në rajon. (REL)

Schulz: Fitorja e Donald Trumpit është e padiskutueshme dhe duhet respektuar

Fitorja e Donald Trump është e padiskutueshme dhe duhet respektuar, tha presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz

BRUKSEL – Presidenti i Parlamentit Evropian (PE) Martin Schulz është shprehur se “Në SHBA folën votuesit. Fitorja e Donald Trumpit është e padiskutueshme dhe duhet respektuar. E uroj Trumpin dhe Partinë Republikane për fitoren”.

Schulz ka bërë një deklaratë me shkrim pas fitores së kandidatit Republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA. “Në SHBA folën votuesit. Fitorja e Donald Trump është e padiskutueshme dhe duhet respektuar. E uroj Trumpin dhe Partinë Republikane për fitoren”, ka deklaruar ai.

Ai theksoi se Trump ka arritur të jetë bartësi i brengave dhe problemeve të miliona amerikanëve. “Duhet interesuar për këto brenga, politika dhe oferta të besueshme. Kjo fushatë nuk do të mbahet në mend si më e mira në Amerikë. Kiritkat e ashpra dhe polarizimi u bënë katalizator i mosmarrëveshjeve. Trump do të ketë detyrë frikësuese, që është bashkimi i një populli që është ndarë”, ka thënë Schulz. aa

Gjermania ka nisur një hetim kundër kreut të Facebookut

Zuckernerg akuzohet se me vetëdije ka ndihmuar në nxitjen publike të dhunës dhe urrejtjes

BERLIN – Prokuroria Shtetërore e Gjermanisë ka nisur një hetim kundër njërit nga themeluesit dhe drejtuesit e rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg i cili akuzohet se “me vetëdije ka ndihmuar në agjitacionin e opinionit” Zuckernerg akuzohet se me vetëdije ka ndihmuar në nxitjen publike të dhunës dhe urrejtjes duke injoruar realitetin se përdoruesit e rrjetit Facebook publikojnë thirrjet për vrasje, kërcënojnë me dhunë, mohojnë gjenocidin mbi hebrenjtë si dhe mesazhe të tjera që janë në kundërshtim me normat dhe liritë ndërkombëtare. aa

Përmbyten dy anije me refugjatë në Mesdhe, 239 të vdekur

Si pasojë e përmbytjes së dy anijeve në ujërat mes Libisë dhe Italisë në Mesdhe kanë vdekur 239 persona, tha zëdhënësi i IOM-it, Joel Millman

ANKARA – Zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Emigrim (IOM), Joel Millman, njoftoi se si pasojë e përmbytjes së dy anijeve me refugjatë në ujërat mes Libisë dhe Italisë në Detin Mesdhe jetën e kanë humbur 239 persona.n Millman, në deklaratën për gazetarin e AA-së tha se ”Si pasojë e përmbytjes së dy anijeve me refugjatë në ujërat mes Libisë dhe Italisë në Mesdhe kanë vdekur 239 persona”.

Ai bëri të ditur se numri i refugjatëve që kanë humbur jetën në Mesdhe këtë vit është rritur në 4.220.

Me rritjen e shpejtë të numrit të refugjatëve të vdekur në fatkeqësitë në përpjekjen për të kaluar në Evropë, Mesdheu u shndërrua në një varrezë të madhe.

Papa i telefonon ipeshkvit të Norcias: pranë të dëmtuarve nga tërmeti

Gjest i ri i Papës për të dëmtuarit nga tërmeti. “U çoj afërsinë time, lutjen  time, bekimin tim të gjithë njerëzve të Norcias e të Valnerinës”- tha Papa në një bisedë telefonike me kryeipeshkvin e Spoleto-Norcia-s, imzot Renato Boccardo. “Jam shumë i hidhëruar për trashëgiminë e fesë, që po humbet”, vijoi akoma Papa. E ndoqa, nga Skandinavia, këtë tragjedi të re të njerëzve tuaj e u luta për ju” – vijoi Françesku. Imzot Boccardo i foli Papës për njerëzit e tij, të vënë në këtë provë të rëndë, tejet të shqetësuar për ardhmërinë e tyre. E Françesku u përgjigj: “Duhen inkurajuar njerëzit, duhen mbështetur, që ta shikojnë me optimizën të  ardhmen”. Më pas Papa e porositi ipeshkvin: “Rrini pranë njerëzve, që të mos e humbasin shpresën edhe për të vijuar të jetojnë në trojet e tyre”.

Në zonën e dëmtuar nga tërmeti, në Qendër të Italisë, numërohen mbi 200 mijë banesa të dëmtuara dhe rreth 22 mijë të shpërngulur, të asistuar. “Duam të rrimë këtu e të ushqejmë thirrje të reja” – thotë atë Benedetto Nivakoff, zëvendës-drejtor i Abacisë benediktine të Norcia-s,  duke folur në mikrofonin tonë:

Përgjigje: – Shpresa riniset gjithnjë nga Krishti, jo nga rrënojat, por nga themelet shpirtërore. Jeta murgare e, si pasojë, jeta e të gjithëve, duhet t’i ketë themelet në shtegtimin drejt Parajsës, në udhën shpirtërore… Jo se ndërtesat nuk kanë pikë rëndësie, madje janë tepër të rëndësishme, por çaste të tilla na sjellin në mendje gjëra edhe më të rëndësishme.   Radio Vatikani

Presidenti çek injoron të mbijetuarin e Holokaustit, shkakton zemërim

Dhjetëra institucione të Çekisë dhe grupe civile kanë nxituar ta nderojnë personin 88 vjeçar, George (Jirzhi) Brady, i mbijetuar i Holokaustit, pasi presidenti i tyre, Milos Zeman, e tërhoqi ofertën për nderim shtetëror, që qartazi ishte koncesion ndaj Kinës.

brady
Zoti Brady, hebre nga Kanadaja, me origjinë çeke, i cili është i mbijetuar i kampit nazist të vdekjes në Aushvic, u tha mediave çeke se ai ka marrë shumë ftesa pas tërheqjes së minutës së fundit të presidentit çek, para ceremonisë së dhënieve të nderimeve shtetërore, më 28 tetor, saqë nuk është i sigurt se do të mund të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet.

Ai, po ashtu, tha se tashmë nuk dëshiron ta marrë çmimin shtetëror për shërbim publik, për të cilin Zyra e presidentit Zeman paraparakisht e kishte ftuar në Pragë, që personalisht nga presidenti ta pranojë mirënjohjen.

“Nuk jam i interesuar. Kam plane të tjera”, i tha zoti Brady programit të radios çeke, Radiozhurnal, më 24 tetor.

Por, ai ka theksuar se ishte jashtëzakonisht krenar me çmimet që ia dhanë organizatat e tjera, duke treguar vetëdijen e çekëve për mizoritë e Holokaustit.

Ky person, i cili jeton në Toronto të Kanadasë, ka marrë mirënjohje për përpjekjet e tij për mbështetjen e fushatave globale për përkujtimin e Holokaustit. Në të kaluarën, Brady për punën e tij, pos të tjerëve, ishte nderuar nga mbretëresha britanike, Elizabeta, dhe nga qeveria gjermane.

Lidhja tibetiane

Kthesa e Zemanit ndaj zotit Brady, para festës kombëtare të Çekisë, më 28 tetor, i ka zemëruar shumë shtetas të këtij vendi, pasi duket se kishte lidhje me armiqësinë e presidencës me nipin e zotit Brady, Daniel Herman, i cili është ministër i Kulturës i Çekisë.

Herman ishte takuar me liderin shpirtëror tibetian, Dalai Lama, në Pragë, në mesin e muajit tetor, kundër dëshirës së presidentit Zeman, që kishte synuar shtimin e tregtisë me Kinën, e cila Dalai Lamën e konsideron separatist të dhunshëm.

Ministri Herman i tha Televizionit të Çekisë se “presidenti në mënyrë direkte më tha se nëse unë takohem me Dalai Lamën, atëherë daja im do të hiqet nga lista (e çmimeve) dhe kjo ndodhi”.

Personalitete udhëheqëse në Republikën e Çekisë, që kanë lëvizur ta njohin veprën e zotit Brady, pas tërheqjes së befasishme të Zemanit, përfshinë kryetaren e qytetit të Pragës, kryetarin e qytetit të dytë çek, Bërno, dhe rektorin e e Universitetit Palacky në Ollomouc.

“Jam e turpëruar me atë që po ndodhë lidhur me çmimin për zotin Brady”, ka shkruar në faqen e saj personale në internet, kryetarja e Pragës, Adriana Kërnacova, duke shtuar se kjo është arsyeja përse ajo e ka shfrytëzuar autoritetin e saj për ta nderuar Brady-n zyrtarisht me Çelësin e Pragës, si shprehje e mirënjohjes.

Rektori i Universitetit Palacky në Ollomouc, Jaroslav Miller, ka shprehur ndjenja të njejta.

“Nëse presidenti me të vërtetë e ka tërhequr atë nga lista e të nderuarve për shkaqe të pakuptueshme, Universiteti Palacky në Ollomouc do të jetë i nderuar që zoti Jirzhi (George) Brady ta pranojë çmimin tonë akademik”, ka shkruar Miller në rrjetin Facebook, dhe ka shtuar se “së paku ne do ta shpëtojmë nderin e Republikës Çeke dhe do ta nderojmë njeriun që bëri diçka për vendin e tij”.

Ndryshim i rrugës së Havelit

Ministri i financave i Çekisë, Andrej Babis, i ka hedhur poshtë pretendimet për çfarëdo lidhjeje ndërmjet këtyre zhvillimeve.

Por, ai ka konfirmuar se presidenti i ka thënë ministrit Herman që të mos takohej me Dalai Lamën.

Gjatë presidencës së tij, Zeman synon fuqishëm lidhje më të afërta ekonomike me Kinën, megjithë kundërshtimet nga grupet për të drejta të njeriut në Çeki, për shkak të politikave represive të Kinës në Tibet, i cili është aneksuar në vitin 1951.

Pekini i dekurajon shtetet e jashtme që të mos e pranojnë Dalai Lamën, i cili është lider shpirtëror dhe e udhëheq qeverinë e Tibetit në ekzil, në Indi.

Qasja e Zemanit dhe e paraardhësit të tij, Vaclav Klaus, në raport me Dalai Lamën, që është fitues i Çmimit Nobel për Paqe, është diametralisht e ndryshme nga ajo e presidentit të ndjerë, Vaclav Havel, disident çekosllovak dhe shkrimtar, që ishte ndërkombëtarisht i nderuar për promovimin e të drejtave të njeriut dhe mik i liderit shpirtëror tibetian, Dalaj Lama.

Familja hebreje që u ndëshkua nga nazistët

Familja e George (Jirzhi) Brady-t ishte e vetmja familje hebreje në qytetin e vogël, Nove Mesto, në ish-Çekosllovaki, e cila kishte jetë të qetë të klasës së mesme, derisa Gjermania Naziste e okupoi vendin në vitin 1939.

Prindërit e Brady-t u dëbuan menjëherë në fillim të luftës dhe raportohet se kanë vdekur në Aushvic.

George, 13 vjeçar, dhe motra e tij më e re Hana, së pari ishin dërguar për të jetuar me një familje të farefisit katolik në Çekosllovaki, por në vitin 1944 ishin dërguar në Aushvic.

George ishte dërguar në Aushvic, por mbijetoi. Motra e tij, Hana, u vra në dhomën e gazit, në moshën 13 vjeçare.

George pastaj u kthye në shtëpinë e dajës së tij, e përfundoi shkollën dhe në vitin 1951 iku nga Çekosllovakia komuniste.

Pasi e mori shtetësinë e Kanadasë, ai e themeloi një kompani të instalimeve hidrosanitare në qytetin Toronto.

Përvoja e familjes Brady është temë e librit “Valixhja e Hanës”, të botuar në vitin 2002, të autores Karen Levine.

Ky libër është përkthyer nga anglishtja në afro 20 gjuhë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Suedia e shpall zyrtarisht të vdekur heroin Wallenberg

Diplomati suedez Raoul Wallenberg, që shpëtoi dhjetëra mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

Autoritetet suedeze zyrtarisht e kanë shpallur të vdekur heroin e Luftës së Dytë Botërore, Raoul Wallenberg, pas zhdukjes së diplomatit, i cili pati shpëtuar dhjetëra mijëra hebrenj nga forcat naziste gjermane.

Wallenberg, qe emëruar diplomat në Budapestin e okupuar nga nazistët në vitin 1944, dhe iu dha merira për ndihmë të mbi 20 mijë hebrenjëve në Hungari, duke iu lëshuar atyre pasaporta mbrojtëse gjatë muajve të fundit të Holokaustit.

Ai u arrestua nga forcat sovjetike në fillim të vitit 1945 dhe më pastaj u zhduk.

Rrethanat dhe data e vdekjes së tij mbeten misterioze, por Autoritetet Suedeze të Taksave, thanë se Wallenberg zyrtarisht u deklarua i vdekur, ka njoftuar e përditshmja suedeze Expressen.

Agjencia, që regjistron lindjet dhe vdekjet në vend e konfirmoi lajmin për AP.

Cesky Krumlov, qyteti i cili vizitorëve u mundëson kthim në mesjetë

Qyteti i vendosur në lumin Vltavi, është ndërtuar në shekullin e 13-të me dominim të elementeve gotik, të renesancës dhe barokut

PRAGË– Njëri nga qytetet më të vizituara çeke pas Pragës padyshim se është Cesky Krumlov, nga fakti se arkitektura e paprekur e tij, vizitorëve u mundëson kthim në mesjetë. Qyteti i vendosur në lumin Vltavi, është ndërtuar në shekullin e 13-të me dominim të elementeve gotik, të renesancës dhe barokut. aa

Tërmet në Itali – dëme të mëdha materiale

Një tërmet i fuqishëm prej 6.6 shkallësh goditi të dielën Italinë qendrore, duke shkatërruar ndërtesa dhe kisha historike në qytetet dhe fshatrat e vogla, tashmë të goditura nga lëkundjet e javës s kaluar.

Tërmeti i së dielës ishte më i fuqishmi që nga ai i 24 gushtit që la pas vetes rreth 300 të vrarë dhe rrënoi disa qytete.

Nuk ka njoftime për viktima nga tërmeti që goditi në mëngjes në orën 7:40 sipas kohës lokale dhe epiqendra e të cilit ishte afër qytetit Perugia. Ai la pas vetes dëme të mëdha.

Në mesin e ndërtesave të dëmtuara janë edhe Bazilika historike e Shën Benediktit dhe ndërtesa e administratës së qytetit në Norcia.

Krijohet zona e parë detare e mbrojtur në botë

Antarktiku

Delegatët nga 24 vende dhe të BE-së, janë pajtuar që në detin Ross në Anatarktik të krijohet zona e parë detare e mbrojtur në botë.

Rreth 1.57 milionë kilometra katrorë të Oqeanit Jugor do të mbrohen nga peshkimi komercial në një periudhë prej 35 vjetësh, njofton BBC.

Aktivistët për mbrojtjen e natyrës e kanë përshëndetur këtë hap dhe thonë se bëhet fjalë për një ekosistem të vecantë detar në rruzullin tokësor. Shpresojnë se kjo do të jetë zona e parë në mesin e shumë të tjerave në ujërat ndërkombëtare.

Në takimin e mbajtur në qytetin Hobart të Australisë, Komisioi për ruajtjen e resurseve të gjalla detara në Antarktik (CCAMLR) është arritur pajtueshmëria, njëzëri, që deti Ross të shënohet si një zonë e mbrojtur, pas shumë viteve të bisedimeve, ka thënë ministri i Jashtëm i Zelandës së Re Murray McCully.

Deti Ross përbën dy për qind të Oqeanit Jugor por është shtëpi e rreth 38 për qind e pinguinëve në botë dhe një numri të madh të botës ujrore, përfshirë edhe balenat. (REL)

Hungaria thërret ambasadorin rus për kritikat ndaj kryengritjes më 1956

Revolta në Hungari më 1956

Hungaria e ka thirrur ambasadorin rus pas deklaratave kritike në mediat shtetërore ruse për kryengritjen anti-sovjetike në vitin 1956.

“Do ta bëjmë shumë të qartë se nuk do të tolerojmë asnjeri që të bëjë deklarata denigruese për kryengritjen e vitit 1956 dhe heronjtë e tij”, tha, të martën, ministria e jashtme hungareze.

Televizioni shtetëror rus e ka përshkruar kryengritjen si një “trazirë” gjatë së cilës, sic thuhet, “mijëra ish-nacistë janë liruar nga burgjet”. Televizioni rus gjithashtu sugjeroi se perëndimi e kishte orkestruar kryengritjen.

Hungaria ka shënuar 60 vjetorin e kryengritjes me një ceremoni të madhe shtetërore më 23 Tetor.

Trupat sovjetike brutalisht shtypën kryengritjen anti komuniste në vitin 1956, gjatë se cilës 2.500 hungarezë dhe 700 trupa sovjetike u vranë dhe që nxiti largimin e mbi 200 mijë hungarezëve nga vendi i tyre. (REL)

Spanja po e rivlerëson lejen për furnizim të luftanijeve ruse

Ministria e jashtme e Spanjës po e rivlerëson lejen e cila i është lëshuar flotës së Marinës ruse me të cilin i mundësohet që të furnizohet në portin Ceuta.

E përdtishmja El Pais njoftoi se një flotë ruse, me aeroplanmbajtësen Admirali Kuznetsov, pritet të arrijë në Ceuta gjatë ditës së mërkurë.

Ceuta ndodhet në bregun verior të Afrikës përballë Gjibraltarit në Spanjë. Ajo është pjesë e mosmarrëveshjes ndërmjet Spanjës dhe Marokut por konsiderohet pjesë e Bashkimit Evropian.

Anijet luftarake ruse janë ankoruar aty të paktën 60 herë që prej vitit 2011.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka shprehur shqetësimin për “mundësinë e përdorimit të tyre në sulmet ajrore ndaj civilëve në Alep”. (REL)

Greqisë i livrohet kredi prej 2.8 miliardë eurosh

Mekanizmi Evropian për Stabilitet (ESM) ka lëshuar pjesën e kredisë prej 2.8 miliardë eurosh për Greqinë pas përmbushjes së reformave në kuadër të programit të tretë të shpëtimit

BRUKSE – Mekanizmi Evropian për Stabilitet (ESM) ka lëshuar pjesën e kredisë prej 2.8 miliardë eurosh për Greqinë pas përmbushjes së reformave në kuadër të programit të tretë të shpëtimit.

E themeluar për të siguruar mbështetje financiare për vendet me probleme financiare në Eurozonë, ESM ka njoftuar se ka lëshuar pjesën prej 2.8 miliardë eurosh të kredisë për Greqinë.

Kryetari i ESM-së Klaus Regling, në vlerësimin e tij rreth këtij zhvillimi, tha se kredia është lëshuar pasi Greqia ka vazhduar procesin e reformave pa ndërprerje.

“Qeveria greke ka sjellë në vend reforma të rëndësishme në lidhje me pesionimin, drejtimin e bankave, sektorin e energjisë dhe administratën e të ardhurave. Greqia po ashtu ka bërë hapa drejt privatizimeve të reja dhe funksionalizimit të fondit për investime”, ka thënë Regling. aa

Norvegji: Lejohet vendosja e ushtarëve amerikanë afër kufirit rus

Pamje e ushtarëve amerikanë gjatë një operacioni në kuadër të NATO-s

 

Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin 330 ushtarë në Norvegji, ka njoftuar mbrëmë qeveria e këtij vendi, në një lëvizje që me gjasë do ta shqetësoj Rusinë fqinje.

Këta ushtarë amerikanë do të vendosen në bazën ushtarake Vaernes, afro 1 mijë kilometra nga kufiri i Rusisë.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë pasisje ushtarake në Norvegji, që është aleate e NATO-s, por jo ushtarë.

“Është madhore për sigurinë e Norvegjisë, që aleatët tanë të vijnë këtu për të marrë njohuri se si të operohet në Norvegji dhe me forcat norvegjeze”, tha ministrja e mbrojtjes e Norvegjisë, Ine Eriksen Soreide.

Javën e kaluar, Ambasada e Rusisë në kryeqytetin Oslo të Norvegjisë, ka shprehur befasi për idenë e vendosjes së trupave amerikane në Norvegji, duke theksuar deklaratat e shpeshta të liderëve norvegjezë se Rusinë nuk e shohin si kërcënim.

Gjermania refuzon azilkërkuesit – 68 549 janë shqiptarë të Kosovës

Më shumë se gjysmë milioni azilkërkues të cilëve u është refuzuar kërkesa vazhdojnë të qëndrojnë në Gjermani, e me gjasë shumica prej tyre nuk do të deportohen, thonë të dhënat qeveritare gjermane.

Rreth 77,600 prej 549,209 azilkërkuesve të refuzuar janë turq, raporton “Die Welt”, të përcjellë nga ata nga Kosova (68,549) dhe Serbia (50,817).

Nga totali, vetëm një numër i vogël prej tyre do të deportohen, ka raportuar mediumi gjerman, transmeton Koha.net. rreth gjysma e azilkërkuesve tashmë kanë të drejtën e përhershme të qëndrimit në Gjermani, ndërsa rreth një e treta kanë leje të përkohshme qëndrimi.

Nga pjesa tjetër, disave u është kërkuar që të largohen por deportimi i tyre është suspenduar, ndërsa disa të tjerëve që u është kërkuar të largohen nuk e kanë këtë përjashtim, dhe si rrjedhojë rrezikojnë të deportohen.

Disa të tjerë e kanë të pamundur të deportohen duke “iu falënderuar” sëmundjeve, shtatzënive apo atyre që kanë fëmijë të vegjël, transmeton Koha.net.

Në bazë të ligjit gjerman, është e mundshme që të fitojnë leje qëndrim edhe njerëzit pa fëmijë për tetë vjet ndërsa për familjet me fëmijë pas gjashtë vjetësh, me kusht që nuk kryejnë ndonjë vepër penale, kanë së paku shkathtësitë e gjuhës të nivelit A2 dhe “mbijetesën” e kanë të siguruar nga punësimi apo pritet të punësohen në të ardhmen.

Madje, gjithnjë sipas ligjit gjerman, ka mundësi që leje të tilla të fitojnë edhe personat nën 21 vjeç nëse ata kanë jetuar në Gjermani për katër vjet.

Kancelarja Merkel pret nesër Presidentin Putin

Për herë të parë prej fillimit të krizës në Ukrainë, presidenti rus Putin udhëton në një samit në Berlin.

Presidenti i Rusisë Putin këtë të mërkurë do të takohet në Berlin me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, Presidentin e Francës François Hollande dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, në të ashtuquajturin samiti i Normandisë, për procesin e paqes në lindje të Ukrainës. Këtë lajm e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

Ai bëri të ditur se në këtë takim do të bëhet fjalë në radhë të parë për zbatimin e Marrëveshjes së Minskut për Ukrainën, si dhe për hapat e tjerë që duhet të bëhen për vendosjen e armëpushimit të plotë dhe arritjen e paqes. Kjo është vizita e parë e Putinit në Berlin, prej fillimit të krizës në Ukrainë.

Merkeli ka qenë për vizitë në Moskë në maj 2015, pas aneksimit të Krimesë nga forcat ruse. Zëdhënësi i qeverisë, Seibert e ka konfirmuar të premten se Berlini është një vend ku mund të mbahet një takim i tillë. Vetë Moska e ka përmendur Berlinin si një vend të mundshëm për negociatat e ardhshme, më 19 tetor. Palët kanë pasur mosmarrëveshje të shumta rreth takimit të ardhshëm katërpalësh.

Takimi i fundit është mbajtur në tetor të vitit të kaluar në Paris.

Marrëveshja e Minskut pa rezultatet e shpresuara 

Marrëveshja e paqes është arritur në shkurt të vitit 2015, por deri sot nuk është zbatuar në tërësi dhe nuk i ka arritur rezultatet e shpresuara, që do të rezultonin me marrëveshjen për armëpushimin mes Ukrainës dhe forcave proruse në këtë vend.

Presidenti rus Putin e ka anuluar papritur javën e kaluar një vizitë të planifikuar për këtë të mërkurë në Paris. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se për shtyrjen e kësaj vizite ekzistojnë disa shkaqe. Sipas tij, pala franceze ka hequr nga programi i vizitës disa pika të rëndësishme. Kohët e fundit ka pasur dallime shumë të mëdha mes Francës dhe Rusisë për gjendjen dhe zhvillimet në Siri.

Qeveria e Austrisë do të shembë shtëpinë ku lindi Hitleri

Shtëpia ku lindi Adol Hitleri do të shembet dhe do të zëvendësohet me një ndërtesë të re, e cila nuk do të ketë të bëjë asgjë me diktatorin nazist, ka njoftuar sot qeveria e Austrisë.

Qeveria austriake ka për qëllim që të shkatërrojë këtë shtëpi me qëllim që të zhduk trashëgiminë neo-naziste, e cila shpesh përdoret për pelegrinazh, njofton AP.

Plani për shkatërrimin e shtëpisë së Hitlerit tash duhet të votohet në Parlament. Por Ministria e Brendshme, ka thënë se shkatërrimi i këtij objekti është rekomanduar nga një komision i përcaktuar nga qeveria. rel

Partitë në pushtet por edhe ato në opozitë pritet që ta mbështesin këtë plan.

Skocia sërish aktualizon çështjen e referendumit për pavarësi

Ministrja e Parë e Skocisë Nicola Sturgeon, deklaroi se nga java e ardhshme do të dorëzojë për debat publik një projekt-ligjin të ri rreth referendumit për pavarësi nga Britania e Madhe

LONDËR – Ministrja e Parë e Skocisë Nicola Sturgeon, deklaroi se nga java e ardhshme do të dorëzojë për debat publik një projekt-ligjin të ri rreth referendumit për pavarësi nga Britania e Madhe.

Skocezët në vitin 2014 ishin kundër pavarësisë, ndërsa kjo çështje sërish u aktualizua më 23 qershor të këtij viti, kur britanikët përmes referendumit votuan për dalje nga Bashkimi Evropian (BE). aa

Gjermania nën presion për vdekjen e “terroristit të dyshuar”

Jaber al-Bakr

Qeveria e Gjermanisë ka kërkuar hetime të menjëhershme të vdekjes në burg të një refugjati sirian, i akuzuar për planifikim të sulmit me bombë.

Jaber al-Bakr ka vrarë veten në burgun në Lajpcih, mbrëmjen e së mërkurës, me sa duket me bluzën e tij.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, ka kërkuar “hetime të shpejta dhe të plota”.

“Ajo çfarë ka ndodhur dje, kërkon hetime të gjera dhe të shpejta nga ana e autoriteteve ligjore lokale. Po supozoj se kjo tani po bëhet”, tha de Maiziere.

Avokati i al-Bakr e përshkroi vdekjen si skandal gjyqësor, duke thënë se burgu ka qenë në dijeni se klienti i tij është në rrezik të vetëvrasjes.

Al-Bakr, i cili ka arritur në Gjermani si refugjat vitin e kaluar, është arrestuar në një banesë në qytetin Lajpcih, mëngjesin e së hënës.

Ai ka kërkuar ndihmë për sulme nga tre sirianë tjerë, të cilët kanë alarmuar policinë.

Autoritetet besojnë se ai ka pasur lidhje me grupin militant Shteti Islamik.

Vetëvritet siriani që planifikonte sulme në Gjermani

Në fotografi: Jaber Al-Bakr.

Një refugjat sirian, i dyshuar për planifikim të sulmeve terroriste në aeroportin e Berlinit, është vetëvrarë në qelinë e tij në Lajpcih, thanë zyrtarët gjermanë.

Ministria e Drejtësisë e landit të Saksonisë tha se Jaber al-Bakr është gjetur i vdekur dhe se hetimet kanë nisur.

Al-Bakr, i cili ka arritur në Gjermani si refugjat, është arrestuar në një banesë në qytetin Lajpcih, mëngjesin e së hënës.

Al-Bakr ka kërkuar ndihmë për sulme nga një sirian tjetër, i cili ka alarmuar policinë.

Që prej arrestimit, Al-Bakr, 22 vjeç, ka qenë në grevë urie, raportoi gazeta Der Spiegel.

Autoritetet besojnë se ai ka pasur lidhje me grupin militant Shteti Islamik.

Rusi: Raketat me kapacitet atomik vendosen në Kaliningrad

Pamje e raketave Iskander-M të Rusisë

Ministria e mbrojtjes e Rusisë ka konfirmuar se raketat me kapacitet atomik janë vendosur në Kaliningrad, që është enklavë e vogël ruse në bregdetin baltik, ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë.

U tha se kjo vendosje është pjesë e ushtrimeve të zakonshme ushtarake të raketave të tipit Iskander-M, me rreze të veprimit afro 500 kilometra.

Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se raketat me qëllim u ishin ekspozuar kamerave të spiunimit të Shteteve të Bashkuara.

Rusia shpeshherë është kërcënuar për vendosjen e sistemit raketor në Kaliningrad, direkt në tokën e Bashkimit Evropian dhe të aleancës ushtarake të NATO-s.

Hungari: Papritmas është mbyllur gazeta më e madhe opozitare

Pronari i gazetës më të madhe opozitare në Hungari thotë se e ka pezulluar botimin e saj, në një lëvizje që me siguri i thekson shqetësimet për demokraci dhe shprehje të lirë, që po paraqiten në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian, me 10 milionë banorë.

Megjithatë, pronarja e së përditshmes Nepszabadsag,kompania Mediaworks, e mbështetur nga investitorët austriakë, tha sot se mbyllja ishte vendim biznesor, i ndërmarrë për të lejuar “formulimin dhe realizimin e konceptit të ri”.

Opozitarët socialistë, pavarësisht nga kjo, kanë vlerësuar se kjo ishte “ditë e zezë për shtyp” dhe kanë kërkuar që të mbahet protestë para zyrave të gazetës.

Kjo gazetë, shpeshherë ka qenë kritike ndaj qeverisë së qendrës së djathtë të kryeministrit, Viktor Orban, të cilën liderët evropianë, po ashtu, e kanë kritikuar për sulme të perceptuara kundër mediave të lira dhe për shkak të politikës në rritje kundër migrantëve.

Zgjidhet presidentja e parë grua në Estoni

Presidentja e re e Estonisë, Kersti Kaljulaid

Parlamenti i Estonisë, për herë të parë, ka zgjedhur një grua në postin e presidentes.

Kersti Kaljulaid, 46-vjeçare, ish anëtare e Gjykatës Evropiane të Auditimit, ka fituar 81 vota nga 101 anëtarët e parlamentit.

Kaljulaid do të zëvendësojë në këtë post Toomas Hendrik Ilves. Presidentja e sapozgjedhur mbështet thirrjet e paraardhësit e tij për rritjen e prezencës së NATO-s në rajonn e Baltikut dhe vazhdimin e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Në vendet Baltike, presidenti ka një rol simbolik.

Erdogani thotë se BE nuk i dha mjetet për emigrantët

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi Bashkimin Evropian, duke thënë se ka dështuar të përmbushë zotimin për të siguruar tre miliardë euro ndihmë për emigrantët në Turqi.

Zotimi ka qenë pjesë e një marrëveshjeje të rëndësishme për të frenuar flukset e refugjatëve në Evropë.

“Viti po përfundon. Ata premtojnë, por nuk japin”, tha Erdogan në një konferencë në Ankara.

Marrëveshja Turqi-BE, e arritur në muajin mars, ka ndaluar pothuajse plotësisht migrantët të udhëtojnë me anije nga Turqia drejt brigjeve greke.

Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, ka thënë se ndarja e mjeteve bazohet në projekte dhe nuk bëhet si shumë parash.

Turqia strehon numrin më të madh të refugjatëve sirianë. rel

Referendumi për emigrantët – goditje për Orbanin

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shpalli fitore në referendumin e së dielës mbi kutotat e detyrueshme të Bashkimit Evropian për emigrantët, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët që e bën atë të pavlefshëm.

Gati 98 përqind e atyre që kanë marrë pjesë, kanë mbështetur thirrjet e qeverisë për të refuzuar planin e BE-së.

”Nuk është sekret. Kam votuar me ‘jo’. Nuk do të doja që migrantët të vijnë këtu”, tha një qytetare hungareze me emrin Erzsebet Leszak.

Pjesëmarrja në referendum ka qenë 43 përqind, ndërsa për të qenë i vlefshëm duhet së paku 50 përqind.

Një zëdhënës i qeverisë tha se rezultati është i detyrueshëm “politikisht dhe ligjërisht”, por, sipas opozitës, qeveria nuk e ka pasur mbështetjen e nevojshme.

Orban u bëri thirrje vendimmarrësve të BE-së që të marrin parasysh rezultatin dhe tha se do të ndryshojë Kushtetutën e Hungarisë për ta bërë vendimin të detyrueshëm.

Plani i diskutueshëm i BE-së për të rivendosur 160,000 migrantë nëpër vendet anëtare do të kërkonte nga Hungaria që të pranojë 1,294 azilkërkues.

“Brukseli nuk mund ta detyrojë Hungarinë”, tha Orban para mbështetësve në Budapest.

Ferenc Gyurcsany, udhëheqës i opozitës Koalicioni Demokratik, tha se pjesëmarrja e ulët tregon se shumica e nejrëzve nuk e kanë mbështetur qeverinë.

“Në bazë të këtij rezultati, që tregon pjesëmarrje të ulët, njerëzit nuk e mbështesin qeverinë. Dhe, kjo është mirë. Çështja e migrantëve i tejkalon kufijtë e Hungarisë”, tha Gyurcsany.

Gjatë krizës me migrantë, vitin e kaluar, Hungaria është bërë shtet tranzit në rrugën nga Ballkani Perëndimor për në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së.

Në përpjekje për të frenuar fluksin, ajo ka mbyllur kufijtë me Serbinë dhe Kroacinë. Kjo masë ka qenë popullore brenda Hungarisë, por është kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut.

Votuesit në referendum janë pyetur: “A dëshironi që Bashkimi Evropian ta bëjë të detyrueshme rivendosjen e qytetarëve johungarezë në Hungari, madje edhe pa miratimin e Asamblesë Kombëtare?”

Plani i BE-së ka për qëllim të lehtësojë presionin mbi Greqinë dhe Italinë, dy pika kryesore hyrëse të migrantëve dhe refugjatëve në bllok.

Analistët thonë se rezultati i referendumit është goditje për Orbanin.

“Gjasat kanë qenë shumë të mëdha; ata kanë udhëhequr fushatë të ashpër për disa muaj. Secili ka menduar se Orbani mund të ketë sukses, por ky është dështim për të”, tha për gazetën “Guardian” Robert Laszlo, specialist për zgjedhjet në Institutin Politik në Budapest.

Përgatiti: Valona Tela

Çështja Çame, përgjigjja e Brukselit pas reagimit të ashpër grek: Dialogoni!

Voal – Komisioni Europian nxit dialogun mes Shqipërisë dhe Greqisë për të diskutuar për çështjet e mbartura mes dy vendeve. Këtë qëndrim e përforcoi zëdhënësja Maja Koçijançiç, në daljen përpara mediave, kur është pyetur nga gazetarët grekë në Bruksel për deklaratat e Komisionerit Hahn, i cili përmendi edhe Çështjen Çame.

“Kur flitet për Shqipërinë dhe Greqinë, Komisioni është informuar në fillim të vitit nga të dy vendet se ka qëllime për të thelluar dialogun mes tyre dhe të diskutojnë një sërë çështjesh të mbartura, që kërkojnë qartësi për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe. Dhe në këtë kontekst, Komisioneri rekomandoi veçanërisht propozimin e palës greke për të caktuar një platformë e cila mund të lejojë më shumë dialog konstruktiv, lidhur me të gjitha çështjet që duhet të qartësohen mes dy shteteve. Po në këtë konktekst, Komisionieri inkurajoi të dy vendet që të vijojnë bashkëpunimin. Kjo është dhe fryma në të cilën Komisioneri i përgjigjet një numri pyetjesh nga anëtarët e Parlamentit Europian dhe ato duhet të shihen në këtë dritë. Ne jemi të informuar mbi qëndrimet e dy vendeve për të thelluar dialogun dhe duke i inkurajuar ata që të shmangin keqkuptimet e mundshme mbi çështjet më të rëndësishme”, tha Koçijançiç.

Por, sërish gazetarja greke ka këmbëngulur nëse ekziston apo jo një çështje e tillë.

“Komisioni po ndjekn angazhimin e të dyja vendeve për të diskutuar çështje të mbartura që kërkojnë sqarim në mënyrë që të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet dypalëshe. Nuk ka shkuar përtej kësaj, nuk marr një pozicion”, deklaroi Koçijançiç.

Por, Athina zyrtare sërish është e revoltuar me qëndrimet e Komisionit Europian. Menjëherë ka reaguar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Stratos Efthimiu, duke deklaruar se “disa njerëz në Bruksel nuk e kuptojnë rëndësinë e të mosgënjyerit”.

Përplasja BE-Greqi nisi pak ditë më parë, pasi Komisioneri Johanes Hahn deklaroi se mes Shqipërisë dhe Greqisë ka ende çështje të hapura, duke përmendur si një prej tyre dhe Çështjen Çame.

Papa: të mos i përgjigjemi urrejtjes me urrejtje

Papa Françesku u takua dje në Vatikan me rreth 180 të afërm të viktimave, si dhe persona që i mbijetuan sulmit me kamion në Nice, më 14 korrik, në Ditën e Bastijës.

Ai shprehu dhemshuri dhe u tha të pranishmëve që “të mos i përgjigjen urrejtjes me urrejtje dhe dhunës me dhunë”.

Në takim ishin ftuar edhe 150 persona, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare: myslimanë, hebrej, të krishterë katolikë, ortodoksë e protestantë. Papa tha se marrëdhëniet e mira ndërfetare mund të ndihmojnë në lehtësimin e plagëve të krijuara nga ngjarjet tragjike.

GJEDNJ refuzon çështjen e familjeve të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Gjykata hodhi poshtë çështjen të enjten duke shpjeguar vendimin e tyre me faktin se autoritetet holandeze kanë “hetuar mjaftueshëm rastin dhe kanë dhënë sqarime të duhura parashtruesit të kërkesës për ndjekje penale”

STRASBURG – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg refuzoi çështjen e nisur nga familjet e tre civilëve boshnjakë të vrarë gjatë gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995. Në rastin Mehida Mustafiç-Mujiç dhe të tjerët kundër Holandës, familjet e viktimave të gjenocidit kanë vendosur të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit të prokurorit holandez, për të mos ngritur akuzë penale të përgjegjësisë kundër tre paqeruajtësve holandezë të Kombeve të Bashkuara.

Gjykata hodhi poshtë çështjen të enjten duke shpjeguar vendimin e tyre me faktin se autoritetet holandeze kanë “hetuar mjaftueshëm rastin dhe kanë dhënë sqarime të duhura parashtruesit të kërkesës për ndjekje penale”.

“Në lidhje me hetimin, Gjykata konsideron se janë kryer hetime të gjera dhe të përsëritura nga autoritetet ndërkombëtare dhe kombëtare. Nuk kishte asnjë pasiguri afatgjate në lidhje me natyrën dhe shkallën e përfshirjes së tre ushtarëve, prandaj është e pamundur të arrihet në përfundim se hetimi ishte i paefektshëm ose i papërshtatshëm. Gjykata hodhi poshtë ankesat e parashtrueseve se vendimi ishte i njëanshëm, në kundërshtim, i paarsyeshëm apo i pajustifikuar nga pikëpamja e fakteve”, thuhet ndër të tjera nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të afërmit e viktimave të Srebrenicës për vite kërkojnë ndjekje penale ndaj komandantit Thom Karremans dhe për dy ndihmësit e tij nga radhët e forcave paqeruajtëse holandezë të cilët ishin të vendosur në enklavën e mbrojtur të OKB-së, në Srebrenicë gjatë gjenocidit.

Prokurorët holandezë në vitin 2013 refuzuan të depozitojnë padi kundër tre paqeruajtësve, ndërsa një gjykata në prill 2015, ka refuzuar ankesën kundër këtij vendimi, pas së cilës familjet e viktimave vendosën ti drejtohen Gjykatës Evropiane.

Forcat serbe të Bosnjës të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç morën Srebrenicën në korrik 1995 dhe vranë më shumë se 8,000 boshnjakë. Ky njëherësh është edhe krimi më i madh i kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. aa

Mbi 300 mijë refugjatë brenda këtij viti kaluan në Evropë përmes Mesdheut

Duke theksuar se në 9 muajt e parë të këtij viti numri i refugjatëve që kanë arritur në ishujt grekë është 165 mijë, Spindler tha se kjo shifër është 57 për qind më e ulët se vitin e shkuar

GJENEVË – Zëdhënësi i Komisionerit të Lartë për Refugjatët pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR), William Spindler, ka deklaruar se deri më tani numri i refugjatëve që kanë kaluar detin Mesdhe drejt Evropës ka kaluar 300 mijë. aa

Luksemburgu kërkon largimin e Hungarisë nga BE-ja

Secili që vepron si Hungaria, ndërton gardhe kundër refugjatëve apo që shkel lirinë e medias dhe pavarësinë e gjyqësorit duhet të përjashtohet nga BE-ja, tha Asselborn

BERLIN – Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn tha se Hungaria duhet të përjashtohet përkohësisht madje edhe përgjithmonë nga Bashkimi Evropian (BE) për shkak të qasjes së saj ndaj refugjatëve, por dhe për çështje të tjera.

Komentet e Aselborn të martën në të përditshmen gjermane “Die Welt”, erdhën vetëm disa ditë para Samitit të 27 liderëve të BE-së që do të takohen në Bratislavë për të diskutuar rreth të ardhmes së Unionit. Ai theksoi se BE-ja nuk duhet të tolerojë shkeljen e vlerave të saj themelore. aa

BE premton angazhim më të madh për të ardhmen evropiane të Turqisë

Nga e majta në të djathtë: Johannes Hahn, Federica Mogherini, Mevlut Cavusoglu dhe Omer Celik.

Turqia dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për të lehtësuar tensionet që kanë errësuar perspektivën evropiane të Ankarasë, pas puçit të dështuar më 15 korrik.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe komisionari për zgjerim, Johannes Hahn, gjatë qëndrimit në Ankara, thanë se duhet të hapen kapituj të rinj për Turqinë dhe se liberalizimi i vizave mbetet në tryezë.

“Kemi vendosur të vazhdojmë punën në të gjitha fushat, në liberalizimin e vizave e përditësimin e unionit doganor. Do të përfshijmë po ashtu mbështetjen tonë për Turqinë në përpjekjen e saj për të strehuar një numër të madh të refugjatëve sirianë”, tha Mogherini.

Zyrtarët evropianë kanë takuar ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, dhe minsitrin për Çështje Evropiane, Omer Celik.

Përpjekja e Turqisë për t’iu bashkuar BE-së daton qysh në vitet 1960.

Bisedimet formale kanë nisur në vitin 2005, por kohëzgjatja e procesit ka shkaktuar zemërim në Ankara.

Mon Blan – Shpëtohen turistët e bllokuar në teleferik

Dhjetra pasagjerë të bllokuar në kabinat e teleferikut në Alpe, u shpëtuan nga ekipet e shpëtimit. Turistët, mes tyre edhe një fëmijë, kaluan një natë të tmerrshme mbi malin e mbuluar nga bora Mont Blanc dhe mundën të shpëtoheshin vetëm sot në mëngjes. Incidenti i së enjtes u shkaktua nga ngatërrimi i linjave të teleferikut. Ekipet e shpëtimit u dërguan tek kabinat e teleferikut që vareshin në lartësi ajër në lartësi të mëdha, pasi punonjësit e kompanisë së teleferikëve nuk mundën t’i zgjidhnin kabllot e linjave të ngatërruara.

Dhjetra njerëz u shpëtuan me helikopterë, por dhjetra të tjerë mbetën në kabina, kur operacioni i shpëtimit i ndërpre për shkak të keqësimit të motit.Turistëve që mbetën të bllokuar në lartësi iu dërguan batanije, ushqime dhe ujë gjatë natës.

Pasagjerët që ndodheshin në kabinat më pranë Tokës u transferuan të enjten nëpër kabina të tjera, për të bërë të mundur zbritjen e tyre nga mali. Teleferiku lidh pjesën franceze të Alpeve, malin “Aiguille du Midi”, me atë “Pointe Helbronner” në kufirin italian.

Droni ndërpret trafikun ajror në Suedi

Një dron i cili fluturonte përreth aeroportit “Arlanda” në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, shkaktoi ndërprerje të trafikut ajror

STOKHOLM – Një dron i cili fluturonte përreth aeroportit “Arlanda” në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, shkaktoi ndërprerje të trafikut ajror.

Kompania suedeze “Swedavia” që operon me këtë aeroport njoftoi se trafiku ajror është ndërprerë pasi mbi aeroportin “Arlanda” u vërejt se ndodhej një dron i cili nuk u përcaktua se nga kush drejtohej në fluturim.

Pas 20 minutash ndërprerjeje sërish u dhanë lejet për uljen dhe ngritjen e avionëve pasi u vërejt se droni u largua nga aeroporti.

Ndër të tjera u bë e ditur se policia suedeze ka nisur një hetim në lidhje me këtë çështje. aa

Zjarr në qendrën e emigrantëve në Francë

Ndërtesa ku ishte parashikuar që në muajin tetor të strehoheshin afërsisht 90 emigrantë në rajonin Forges-les-Bains është përfshirë nga zjarri

PARIS – Njoftohet se është përfshirë nga zjarri ndërtesa ku ishte parashikuar që në muajin tetor të strehoheshin emigrantët në rajonin Forges-les-Bains, 30 kilometra nga Parisi.

Sipas lajmit të radios Europe 1 në orën 02.30 të mesnatës ndërtesa ku ishte parashikuar që në muajin tetor të strehoheshin afërsisht 90 emigrantë në rajonin Forges-les-Bains është përfshirë nga zjarri.

Gjithashtu theksohet se si pasojë e zjarrit një pjesë e madhe e ndërtesës kryesisht çatia është dëmtuar dhe se nuk ka të vdekur dhe të plagosur për shkak se në ndërtesë nuk ka patur njerëz.

Ndër të tjera radioja disa orë para se ndërtesa të përfshihej nga zjarri ka raportuar se në bashkinë Forges-les-Bains është mbajtur një tubim kundër qendrës së emigrantëve. Mësohet se afërsisht një grup prej 100 personash kanë mbajtur protestë para ndërtesës së bashkisë. aa

Partia kundër emigrantëve e mposht partinë e Merkelit

Partia e kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, është mposhtur në zgjedhjet në shtetin Mecklenburg-Vorpommern.

Partia e Merkel ka dalë e treta në zgjedhjet e mbajtura sot, prapa SPD-së dhe partisë kundër migrantvë Alternativa për Gjermaninë (AfD), tregojnë sondazhet e publikuara në televizionet gjermane.

Sipas sondazheve AfD ka fituar 21 për qind të votave në Mecklenburg-Vorpommern. Kjo parti ka bërë fushatë kundër politikave të kancelares Merkel për refugjatët.

Kandidati i AfD-së, Leif-Erik Holm ka thënë se këto janë rezultate të mira dhe ka shtuar se është i gëzuar që ka lënë prapa “CDU-në e Merkelit… ndoshta ky është fillimi i fundit të kohës së Merkelit si kancelare”, ka thënë ai.

Sipas sondazheve, SPD ka fituar 30.5 për qind të votave. Partia e Merkelit, CDU ka fituar 19 për qind, që sipas mediave gjermane, është rezultati më i keq i kësaj partie në këtë shtet.


Send this to a friend