VOAL

VOAL

Shefi i NATO-s jep alarmin: Rusia po bëhet gjithnjë më e rrezikshme dhe më agresive

Pas vrasjes së një ish-agjenti në Britani të Madhe, Stoltenberg paralajmëron nga kërcënimet e reja ruse. Në samitin e ardhshëm të NATO-s duhet të jepen përgjigje.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka paraqitur një konstatim tepër dramatik për strategjinë e Kremlinit në vitet e kaluara. Kjo strategji shtrihet prej aneksimit ilegal të Krimesë, stacionimit të trupave ushtarake në Gjeorgji, sulmet e shumta kibernetike e deri tek helmimi i fundit në Britaninë e Madhe, për të cilin thuhet se e ka kryer Rusia. Sulmi në Salisbury “është kryer sipas një modeli të caktuar”, që është vërejtur prej disa vitesh, thotë Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”. Ai paralajmëron: “Rusia po bëhet gjithnjë e më e pallogaritshme dhe më agresive”.

Sulmi atomik?

Shefi i NATO-s shkon edhe një hap më larg: “Ne po shohim kohët e fundit se si Rusia po i fut në doktrinën e saj ushtarake dhe në stërvitjet ushtarake armët atomike”. Kjo shton frikën për sulme me armë bërthamore nga ana e Moskës. “Ne duhet të gjejmë përgjigje ndaj kësaj mundësie”, paralajmëron shefi i NATO-s. Tek e fundit, “ekziston rreziku që qeveria ruse të lëvizë gradualisht nga përdorimi i armëve konvencionale drejt përdorimit të armëve bërthamore”.

Brüssel NATO Generalsekretär Stoltenberg PK zur neuen Strategie (picture-alliance/abaca/D. Aydemir)

Përgatitja serioze

Aleanca perëndimore duhet të përgatitet për mbrojtje dhe duhet t’i përmirësojë aftësitë e veta. Stoltenberg llogarit me vendime të reja të kancelares Merkel dhe kolegëve të saj në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor, në Bruksel. “Ne duhet të jemi të zgjuar”, thotë Stoltenberg. Rusia nuk duhet të bëjë kalkulime të gabuara, “sepse ne jemi të gatshëm të përgjigjemi në çdo moment, nëse cënohet një prej anëtareve të NATO-s”. Aleanca duhet të tregojë qartë aftësitë e veta, me qëllim që të evitojë ndonjë luftë të re.

Stoltenberg hedh poshtë kërkesat për çarmatime bërthamore. “Përderisa në botë ekzistojnë armët bërthamore, edhe NATO duhet të ketë armët e veta”. Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut “posedojnë arsenale sinjifikante të këtyre armëve”. Shefi i NATO-s e mbron në këtë kontekst paralajmërimin e SHBA që të modernizojë bombën atomike B-61. “Duhet të jemi të sigurt se ato janë në funksion.”

Lufta kibernetike

Një temë tjetër e mundshme në takimin e Këshillit NATO-Rusi është lufta e mundshme hibride, një përzierje e mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake. NATO pohon se një strategji të këtillë Moska është duke e zbatuar në lindje të Ukrainës. Sulmet kibernetike dhe fushatat për dezinformim bëjnë pjesë në këtë strategji të luftës kibernetike.

Stoltenberg ka kumtuar para disa ditësh në emër të NATO-s se ai nuk dyshon në pohimet e Britanisë së Madhe se Rusia qëndron pas sulmeve ndaj ish-agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe vajzës së tij. Por ai ka paralajmëruar nga konfrontimet me Rusinë si në kohën e Luftës së Ftohtë dhe ka kërkuar që të mos fillojë një fazë e armatimeve të reja.

DW

Çekia hedh poshtë akuzat e Rusisë mbi origjinën e agjentit nervor

Policët britanikë qëndrojnë në afërsi të vendit ku ka ndodhur sulmi me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus

Ministri i Jashtëm çek Martin Strionicky ka hedhur poshtë sot akuzat e Moskës se agjenti nervor, që është përdorur kundër ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani, ka ardhur nga Republika Çeke.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova i ka thënë sot televizionit Rossiya 24 se ka shumë gjasa që burimi i agjentit nervor, i tipit Noviçok, të jetë në Britani, Republikën Çeke, Sllovaki, Suedi ose Shtetet e Bashkuara, transmeton agjencia Reuters.

Rusia ka dëbuar 23 diplomatë rusë, në kundërpërgjigje ndaj masave të ndërmarra nga Londra, e cila e akuzon Kremlinin se qëndron prapa sulmit me agjent nervor.

“Ne hedhim poshtë këto pretendime mbi origjinin e agjentit nervor, prentendime këto që nuk qëndrojnë”, ka shkruar ministri Stropnicky në Twitter.

“Kjo është formë standarde e manipulimit të informacionit, përmes mesazheve shumë spekulative të cilat po prezantohen dhe nuk mund të provohen nësa janë të sakta”, ka shkruar tutje ai.

Ndërkaq, ministrja e Mbrojtjes së Çekisë, Karla Slechtova, në një postim në Twitter ka thënë se është “absurde” të mendohet se agjenti nervor, që është përdorur për të helmuar ish-spiunin rus, të ketë origjininë në Republikën Çeke.

Poloni, hapet kafeneja e parë për të fjetur

Sipas hulumtimeve, dremitja 20-minutëshe u mundëson njerëzve që janë nën presionin e punës dhe punojnë në një mjedis konkurrues të pastrojnë mendimet e tyre dhe të jenë më kreativ

WROCLAW – Në Wroclaw të Polonisë është hapur kafeneja e parë për të fjetur, Vinci Power Nap Sleep Cafe, ku qytetarët mund të bëjnë një gjumë të shkurtër dhe të mbushin “bateritë” për pjesën e mbetur të ditës.

Ky është një objekt inovativ i projektuar nga Magdalena Filcek. Kafeneja e parë për “ëndrrat” qetëson shqisat dhe atyre që e vizitojnë u ofron dizajn unik të enterierit me çarçafë të varur ku mund të shtrihen. Rreth tyre është bari i butë artificial si dhe muzikë e posaçme qetësuese.

Sipas hulumtimeve, dremitja 20-minutëshe u mundëson njerëzve që janë nën presionin e punës dhe punojnë në një mjedis konkurrues të pastrojnë mendimet e tyre dhe të jenë më kreativ.

Magdalena, një artiste dhe admiruese e Leonardo da Vinçit, gjithashtu një pjesë të emrit e përfshiu në emrin e kafenesë. aa

Merkel: Edhe myslimanët edhe Islami i përkasin Gjermanisë

“Në ditët tona tanimë në Gjermani jetojnë 4 milionë myslimanë. Pra, edhe myslimanët i përkasin Gjermanisë si dhe feja e tyre Islami”, tha kancelarja gjermane, Merkel

BERLIN – Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se edhe myslimanët dhe feja e tyre Islami i përkasin Gjermanisë.

Merkel pas takimit me kryeministrin e Suedisë, Stefan Löfven mbajti një konferencë për media ku u përgjigj në pyetjen e një gazetari lidhur me atë se çfarë mendon për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Ndërtimit dhe Atdheut të Gjermanisë, Horst Seehofer se “Islami nuk i përket Gjermanisë”.

Ajo tha se krishterizmi dhe judaizmi kanë lënë gjurmë në të kaluarën e Gjermanisë, por që në ditët e sotme edhe Islami është shndërruar në një pjesë të shtetit për shkak të 4 milionë muslimanëve që jetojnë në këtë vend.

Merkel vuri në dukje se duhet treguar përpjekje për një jetesë të përbashkët dhe paqësore në mes të feve.

“Shtetin tonë në masë të madhe e ka formësuar krishterimi. Edhe judaizmi ka lënë gjurmë. Por në ditët tona tanimë në Gjermani jetojnë 4 milionë myslimanë. Pra, edhe myslimanët i përkasin Gjermanisë si dhe feja e tyre Islami. Ne kërkojmë një Islam në bazë të kushtetutës dhe që i përshtatet kushtetutës. Edhe në të kaluarën e kam thënë këtë qartazi. Duhet të tregojmë çdo lloj të përpjekjes për tolerancë fetare ndërsa Konferenca Islame është mjet i rëndësishëm në këtë fushë”, theksoi Merkel.

Ndërkaq lidhur me pyetjen për helmimin e ish agjentit rus Sergey Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani të Madhe, Merkel tha se të gjitha gjetjet e ngarkojnë Rusinë. Ajo tha se këtë çështje do ta diskutojnë në Këshillin Evropian.

Merkel tha se në takimin me Löfven kanë diskutuar për çështjet në interes për Evropën si dhe për marrëveshjen e arritur me Turqinë për çështjen e refugjatëve. Kancelarja gjermane shtoi se mbështesin iniciativat e Suedisë për ndërmjetësim lidhur me mosmarrëveshjet bërthamore me Korenë e Veriut.

Nga ana e tij kryeministri Löfven potencoi se ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho ndodhet në Suedi për të zhvilluar takime dhe se Suedia është e gatshme të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund krizës me Korenë e Veriut, pa arritur kjo krizë në nivele edhe më të larta.

Lidhur me helmimin e ish-agjentit rus dhe vajzës së tij, Löfven thotë se ndan mendimin e njëjtë me Merkel-in. Lidhur me muslimanët në shtetin e tij kryeministri suedez tha se çdo kush në shtetin e tij mund të zgjedhë secilën fe që do, por që janë kundër dhunës fetare dhe terrorizmit. aa

Ministri gjerman: Islami nuk i përket Gjermanisë

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, tha se beson se “Islami nuk i përket” vendit të tij.

Në një intervistë për gazetën Bild, Seehofer tha se Gjermania “është e formësuar nga krishterimi” dhe se ajo nuk duhet të heqë dorë nga traditat e veta.

Seehofer po ashtu premtoi se do të rrisë dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar.

Komentet e tij janë në kundërshtim me qëndrimin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Më shumë se një milion emigrantë kanë arritur në Gjermani pasi Merkel ka hapur dyert për azilkërkuesit sirianë në vitin 2015.

Hungarezë e polakë marshojnë në mbrojtje të kryeministrit Orban

Kryeministri hungarez, Viktor Orban në marshin e mbajtur sot në Budapest.

Dhjetëra mijëra mbështetës të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban kanë marshuar sot në përkrahje të tij, duke shpresuar se ai do ta fitojë edhe një tjetër mandat në zgjedhjet e 8 prillit që mbahen në këtë vend.

Atyre u janë bashkuar edhe mijëra mbështetës të partisë konservatore PiS, që udhëheq në Poloni.

Sikur partia polake ashtu edhe partia Fidesz e Orbanit po përballen me Bashkimin Evropian pasi kanë mendime të ndara për emigrimin si dhe për lëvizjet rreth rritjes së kontrollit në gjykata dhe media.

Organizatorët kanë dërguar me autobusë protestuesit polakë dhe ata hungarezë drejt Budapestit, për të marshuar në ditën e cila përkon edhe me revolucionin e vitit 1848 në këtë shtet.

Orban dhe kryeministri polak, Mateusz Moraëiecki udhëheqin qeveri konservatore, nën presionin e Brukselit për shkak të refuzimit që të pranojnë migrantë sipas sistemit të kuotave.

Mbështetësit e të dyja partive kanë ecur në rrugët e Budapestit duke bartur banerë me slloganet “Hungaria e mbron Evropën” dhe “Ne jemi me ty Viktor”.

Orban ka thënë në marsh se armiqtë, “dëshirojnë të na e marrin shtetin”.

Pas vrasjes së gazetarit dhe të dashurës së tij, dorëhiqet kryeministri sllovak

Kryeministri sllovak, Robert Fico ka thënë se ai është i gatshëm për t’u dorëhequr nëse presidenti pranon që koalicioni aktual të vazhdojë qeverisjen pa mbajtur zgjedhje të parakohshme, transmeton BBC.

Fico ka thënë se ai është gati të prezantojë një kandidat për kryeministër nga partia e tij.

Deklarata e tij vjen pas skandalit të shkaktuar nga vrasja e gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova.

Kuciak ishte duke hetuar korrupsionin qeveritar kur është vrarë.

“Sot kam ofruar dorëheqjen time te presidenti i republikës”, ka thënë Fico në një konferencë për media.

“Nëse presidenti pranon, jam i gatshëm të dorëhiqem nesër”, ka shtuar ai. /Rel

Hungaria riatdheson 3 tonë ar nga Londra

Banka Kombëtare e Hungarisë (MNB) ka njoftuar se do të sjellë në shtëpi rreth 3 tonë rezerva ari nga Londra.

Vendimi për riatdhesimin e rezervave të arit, gjithsej me vlerë 33 miliardë forintë hungarezë (130 milionë dollarë amerikanë), u shpjegua për arsye të sigurisë, në rast të ndonjë krize të mundshme gjeopolitike.

Tërheqja e rezervave të arit është një thuajse një tendencë ndërkombëtare, pasi ruajtja jashtë vendit konsiderohet e rrezikshme nga shumë banka qendrore, duke përfshirë ato austriake, gjermane dhe holandeze. Kohët e fundit ata kanë vendosur të riatdhesojnë rezervat e tyre të arit.

Banka qendrore e Hungarisë ka ruajtur rezervat e arit që nga themelimi i saj në 1924. Shuma u rrit vazhdimisht deri në Luftën e Dytë Botërore. Shuma më e madhe e arit të mbajtur ishte rreth 65-70 ton në fillim të viteve 1970.

Banka më pas vendosi të ulë rezervat e arit në nivelin më të ulët të mundshëm dhe të investojë në borxhin sovran të vendit.

Në fillim të vitit 2010, tendenca për të mbajtur rezervat jashtë vendit ka ndryshuar përsëri dhe bankat qendrore kanë filluar të grumbullojnë arin si një përgjigje të mundshme ndaj një krize financiare.

SHBA dhe Gjermania janë aktualisht mbajtësit më të mëdhenj në botë të arit. Hungaria ka një nga sasitë më të vogla të metaleve të çmuara krahasuar me vendet e tjera të Evropës Qendrore. Që nga viti 1992, aktiviteti i Budapestit ka mbetur i qëndrueshëm pasi MNB nuk ka blerë ose shitur asnjë nga rezervat e saj të arit.

Angela Merkel zgjidhet kancelare për herë të katërt

Angela Merkel arrin mandatin e katërt. Të mërkurën Bundestagu votoi me 364 vota pro zgjedhjes së kancelares, Angela Merkel. Tani qeveria e re mund të filllojë nga puna.

Ishte një rrugë e gjatë kësaj here, por kancelarja Angela Merkel arriti të zgjidhet në mandatin e katërt nga Bundestagu, gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Të mërkurën ( 14.03), 364 deputetë nga 709 gjithsej i dhanë votën kancelares Merkel. Shumica e kërkuar ishte 355 vota. Në votimin e fshehtë, Merkel mori 35 vota më pak se 399 vendet e aleancës qeveritare mes CDU/CSU dhe Partisë Socialdemokrate, SPD: Rizgjedhja e Merkelit u bë e mundur pas koalicionit me socialdemokratët dhe votës Po të bazës së Partisë Socialdemokrate më 4 mars.

Tani qeveria e re mund të filllojë nga puna. Sfida më e madhe konsiderohet aktualisht përplasjet tregtare me SHBA, pas vendimit të Donald Trump për vendosjen e doganave ndaj çelikut dhe aluminit të importuar. Nga kjo preken ndër të tjera edhe firmat gjermane.

Ish-deputeti moldav burgoset pasi spiunoi për Rusinë

Një ish-deputet i Parlamentit të Moldavisë u dënua me 14 vjet burgim, nën akuzat për tradhti dhe spiunim për Rusinë.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Moldavisë tha se Yuri Bolboceanut i është ndaluar edhe shërbimi në zyra publike për katër vjet pasi të lirohet nga burgu.

Bolboceanu është arrestuar më 17 mars të vitit të kaluar.

Inteligjenca e Moldavisë dhe Shërbimi i Sigurisë kanë thënë në atë kohë se ai është kapur në një takim me një spiun rus.

Moldavia, ish-shtet sovjetik, për kohë të gjatë është duke luftuar midis ndikimit rus dhe aspiratave të saj evropiane.

Juncker: Britania do të pendohet për Brexit-in

Mbretëria e Bashkuar “do të pendohet” për largimin nga Bashkimi Evropian, tha presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Duke iu adresuar Parlamentit Evropian në Strasburg, Juncker tha se negociatat për Brexit-in tashmë janë bërë urgjente.

Ai tha se nuk dëshiron që qytetarët e BE-së “të bien viktimë e Brexit-it” dhe shtoi se është e rëndësishme që të sigurohen të drejtat e tyre.

“Unë do të doja më shumë që Britania të mos kishte vendosur për t’u larguar nga BE-ja, por secili që e lë BE-në duhet të dijë se çfarë do të thotë kjo. Nëse vendosni të ikni, t’i lini prapa rregullat dhe marrëveshjet e përbashkëta, atëherë duhet të pranoni se gjërat nuk mund të mbeten ashtu siç janë”, tha Juncker.

Ai po ashtu i kërkoi kryeministres britanike, Theresa May, të japë “më shumë qartësi se si Mbretëria e Bashkuar e sheh marrëdhënien e saj të ardhshme me BE-në”.

Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian deri në mars të vitit 2019. Ajo e ka marrë këtë vendim në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ritmi i negociatave midis Britanisë dhe BE-së ka ngecur për shkak të tregtisë dhe Irlandës Veriore.

Parlamenti Evropian: Me Britaninë marrëdhëniet nuk do të jenë si ato me Zvicrën

VOAL – “Ne nuk do të përsërisim gabimin që kemi bërë me Bernën,” shkruajnë eurodeputetët në një rezolutë mbi marrëdhëniet e ardhshme midis Londrës dhe Brukselit, e cila do të diskutohet të martën (sot) në Parlamentin Evropian dhe do të votohet të mërkurën. “Ne nuk duam – vazhdojnë – që marrëdhëniet të cilat do t’i kemi me Britaninë e Madhe në të ardhmen të bëhen si ato që kemi sot me Zvicrën”. Një tekst që thotë shumë për atë që mendojnë në Bashkimin Evropian për mënyrën dypalëshe.

Janë shtatëmbëdhjetë dosje të nënshkruara nga “Mister Brexit” i Parlamentit Europian – udhëheqësi liberal Guy Verhofstat – dhe nga folësit e tjerë, përfshirë italianin Roberto Gualtieri për grupin socialist. Një dokument jo detyrues, por Parlamenti Europian do të duhet të ratifikojë marrëveshjet e Brexit, prandaj është mirë të merret seriozisht.

Në marrëdhëniet e ardhshme midis Londrës dhe Brukselit, kur divorci dhe madje edhe tranzicioni janë të konsumuar, eurodeputetët shpresojnë jo një marrëveshje të fuqishme të tregtisë së lirë, gjë që është vënë në tryezë nga qeveria britanike dhe udhëheqësit evropianë, por një marrëveshje asociimi, me një mekanizëm solid për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Dhe kjo është për shkak se – nënvzojnë ata – duhet të shmangim shumëfishimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe mangësitë që karakterizojnë marrëdhëniet e BE-së me Zvicrën. Këtë mënyrë dypalëshe, siç është sot, dihet se nuk e pëlqen Bashkimi Europian i njohur, por gjithmonë synon për ta parë atë të shkruar në të zezë dhe të bardhë.

Ne nuk e dimë se çfarë sjell e ardhmja, thonë në thelb eurodeputetët, por ai me Zvicrën nuk është një model. Duhet thënë, megjithatë, se Londra kurrë nuk ka pohuar të kundërtën. Avokatët e Brexit folën për një model zviceran, siç bëri Nigel Farage para referendumit, por edhe ata gjithashtu prej kohësh nuk e zënë në gojë.

Mbetet një gjetje e pakëndshme (e pakëndshme për Brukselin): pasi alternativat, si p.sh. aderimi apo hapësira ekonomike, në Zvicër nuk i pëlqejnë pothuajse askujt, rruga dypalëshe mbetet e vetmja e zbatueshme. Ose asgjë.rsi

Pas akuzave të opozitës, shkarkon zëvendësministrat

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, tha se 17 zëvendësministra në qeveri janë shkarkuar për të përmirësuar punën e kabinetit dhe ta bëjnë atë “më pak politik”.

Morawiecki njoftoi këtë e bënë në një kohë kur opozita ngriti pyetje rreth shpenzimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe bonuse të larta të paguara anëtarëve të ekipit të mëparshëm qeveritar vitin e kaluar, raporton AP.

Kritikët thonë se niveli i konsumit është në përputhje me mesazhin e moderimit të partisë konservatore në pushtet.Morawicki nuk përmendi konsumin, por theksoi që shkurtimet duhet të kontribuojnë në konsolidimin e vendeve të punës dhe në përmirësimin e bashkëpunimit. Nga 100 zëvendësministra, 17 u shkarkuan, tha agjencia.

Deputetët e opozitës kanë thënë se këto shkurtime nuk do të thotë shumë, sepse shumica e këtyre njerëzve do të vazhdojnë të punojnë në funksionet më të ulëta.

Industria belge tronditet sërish – Produktet e eksportuara në Kosovë, me rrezikshmëri

Më pak se një javë pas skandalit të mishit i cili u zbulua në thertoren “Veviba”, në qytetin belg “Bastogne”, industria ushqimore belge është tronditur me zbulimin e ri.

Sipas gazetës flamene “Het Laatste Nieuws”, një kamion ishte larguar nga thertore “Veviba” në shtator të vitit 2016 për ta furnizuar Kosovën me mish të cilin e kishin prodhuar në vitin 2004.

Një profesor i Universitetit të Belgjikës në Ghent ka thënë për gazetën “Het Laatste Nieuws” se “ngrirja e mishit gjatë një periudhe 12-vjeçare nuk është domosdoshmërisht i rrezikshëm për shëndetin”, shkruan Insajderi.

“Por për të shmangur edhe rrezikun më të vogël, asnjë zinxhir i mishit nuk do të duhej të ruhej në mënyrë të qëndrueshme në një temperaturë prej minus 18 gradë Celsius”, ka thënë profesori belg.

Shumica e etiketave të markës “Veviba” i janë hequr nga ambalazhi. Viti 2004 ishte vetëm në disa prej etiketave.

Gazeta holandeze shkruan se Inspektorati i Ushqimit në Kosovë ka paralajmëruar Agjencinë Belge për Sigurinë e Zinxhirit të Ushqimit (Afsca) në kohën e incidentit. Përveç kësaj, disa thertore dhe disa industri tjera të mishit në veri të Belgjikës, në Izegem dhe Harelbeke, janë përfshirë në ngarkimin e këtij kamioni me mish.

Rasti Kuciak – shkarkime të reja, largohet Kalinak, zëvendëskryeministër e ministër i Brendshëm

Largimi i tij ishte kërkuar nga protestat

VOAL – Bie një kokë tjetër në Sllovaki pas vrasjes së gazetarit Jam Kuciak: ministri i Brendshëm dhe zëvendëskryeministër Robert Kalinak ka dhënë dorëheqjen e kërkuar nga opozita dhe nga manifestuesit e zbritur në sheshe, por edhe nga njëra prej partive të koalicionit qeveritar.

“Ka rëndesi të ruhet stabiliteti, prandaj kam vendosur të largohem nga detyra, ” deklaroi Kalinak gjatë një konference shtypi.

Vendimi i politikanit mund ta shpëtojë pozicionin e kryeministrit Robert Fico, largimi i të cilit është kërkuar gjithashtu me zë të lartë nga protestat.

 

AFP/Reuters

Marine Le Pen kërkon ndryshimin e emrit të partisë së saj

Liderja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen ka propozuar ndryshimin e emrit të partisë së saj nga Fronti Kombëtar në Marshi Kombëtar, në tentimet për të përmirësuar imazhin e partisë, transmeton BBC.

Ajo u ka thënë anëtarëve se emri aktual është “ndalesë psikologjike” për votuesit.

Plani për ndërrimin e emrit është miratuar dhe do të votohet sërish për këtë propozim.

Le Pen është mposhtur nga presidenti Emmanuel Macron në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Që nga ajo kohë partia ka humbur votuesit dhe Le Pen është përballur me presion nga babai i saj Jean-Marie Le Pen, i cili e ka themeluar partinë më 1972.

Babai i lideres, i ka thënë agjencisë Reuters muajin e kaluar se ndryshimi i emrit do të ishte “vetëvrasje” politike.

Mirëpo liderja shpreson se me ndryshimin e emrit do të ndryshohet edhe qasja ndaj partisë, pasi ajo shpesh lidhet me racizmin dhe anti-semitizmin.

“Për shumë francezë, madje edhe për ata që janë të sinqertë është ndalesë psikologjike”, ka thënë ajo.

“Ne fillimisht kemi qenë parti e protestave. Nuk duhet të ketë dyshim tani se ne mund të jemi parti udhëheqëse”, ka shtuar ajo.

Partia ka thënë se 52 përqind të anëtarëve e kanë përkrahur ndryshimin e emrit të partisë.

Anëtarët e tjerë do të votojnë përmes postës për emrin e ri.

Ankand: Leica e vitit 1923 shitet për 2,4 milionë euro

VOAL – Një aparat fotografik Leica (Lajka)  i vitit 1923 u shit në një ankand në Austri për 2.4 milionë euro dje, çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për një aparat fotografik.

Kjo u njoftua nga Muzeu Fotografik i Westlicht në Vjenë, ku u mbajt ankandi.

Çmimi bazë për Leica, një Seri-0 n. 122, ishte 400 mijë euro, por çmimi u rrit për shkak të modelit të rrallë të ofruar dhe gjendjes së tij të përsosur: është në fakt një nga 25 prototipet e prodhuara dy vjet para se kompania të fillojë të tregtojë aparatet fotografike në seri. Një blerës aziatik është fitues i ankandit.

Rekordi i mëparshëm për një Leica të vitit 1923 – Seria-0 n. 116 – ishte 2.16 milion euro paguar për një ankand të Westlicht më 2012.

Kongresi i Frontit Nacional: Jean-Marie Le Pen jashtë partisë

VOAL – Jean-Marie Le Pen, themelues historik dhe udhëheqës i Frontit Nacional për shumë vite, është jashtë partisë. Pas një beteje të gjatë gjyqësore kundër vajzës së tij, anëtarët e partisë – gjatë kongresit të Lille – votuan 79.9% për statutin e ri.

Rregullat e reja përfshijnë, ndër të tjera, heqjen e zyrës së presidentit të nderit, në të cilin Jean-Marie Le Pen (89 vjeç) u konfirmua nga gjykata pas dëbimit të dekretuar nga Marine.

Marine është rizgjedhur kryetare e partisë, me 100% të votave. Ajo ishte e vetmja kandidate për rizgjedhje. Rezultatet u njoftuan këtë mëngjes.

Marine Le Pen, 49 vjeçe, filloi kështu mandatin e tij të tretë në krye të partisë që çon që, në vitin 2011, ai e pasoi babain e tij.

Mogherini niset drejt Ukrainës pak para përvjetorit të aneksimit të Krimesë

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini është duke udhëtuar drejt Kievit për të biseduar me zyrtarë të lartë të qeverisë ukrainase, pak para përvjetorit të katërt të aneksimit ilegal të Krimesë nga ana e Rusisë.

Gjatë vizitës së saj dy-ditore, Mogherini do të takohet me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, kryeministrin, Volodymyr Hroysman, ministrin e Jashtëm, Pavlo Klimkin dhe ministrin për territoret e okupuara përkohësisht, Vadym Chernysh.

Zyra e Mogherinit ka thënë se udhëtimi vjen, “në një moment të rëndësishëm për zbatimin e reformave vendimtare” të lidhura me Marrëveshjen e Asociimit që fuqizon marrëdhëniet në mes të Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.

Kjo vizitë, “do të jetë mundësi për të konfirmuar përkushtimin afatgjatë të Bashkimit Evrooian për popullin ukrasinas dhe aspiaratat e tyre për të ndërtuar një Ukrainë më të fortë”, është thënë në deklaratë.

Pas largimit nga pozita të mikut të Moskës, ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych, nga protestat masive më 2014, mijëra ushtarë rusë të paidentifikuar kanë marrë kontrollin e Krimesë, para se Moska ta aneksonte atë edhe zyrtarisht më 18 mars, 2014.

Rusia po ashtu ka nxitur konflikt në lindje të Ukrianës, nga luftimet e të cilave mes forcae qeveritare dhe separatisëve pro-rusë, kanë vdekur 10,300 persona nga viti 2014.

Në Ukrainë, Mogherini pritet të flasë edhe për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut, të mbështetura edhe nga Perëndimi, përmes të cilave është synuar armëpushimi mes dy palëve ne konflikt.

Bannon tek Le Pen: Historia është me ne

VOAL – “Historia është me ne dhe do të na çojë nga fitorja në fitore.” Kështu tha mbrëmë në Paris Steve Bannon, ish këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump, në Kongresin e Frontit Nacional në Lille, ku ai ishte ftuar në mënyrë të papritur.

“Ju – ka thënë Bannon nga tribuna – bëni pjesë në një lëvizje që është më e madhe dhe që shkon përtej Italisë, Polonisë, Hungarisë.”

Bannon, prania e të cilit është shpallur vetëm mbrëmë, ka drejtuar fazën finale të fushatës fitimtare presidenciale të Donald Trumpit para se të bëhej këshiltar i tij në Shtëpinë e Bardhë për 7 muaj.

(ANSA)

Budapesti, qytet i historisë, kulturës dhe traditës

Vëmendjen e turistëve të kryeqytetit hungarez fillimisht e tërheq kombinimi unik i historisë, kulturës dhe traditës së pasur, por po ashtu edhe qyteti modern

BUDAPEST – Budapesti, qytet në brigjet e lumit Danub dhe kryeqytet i Hungarisë, me ndërtimin e tij kulturor dhe historik çdo ditë tërheq turistë nga e mbarë bota, ndërsa këtë e regjistroi edhe objektivi i fotoreporterit të Anadolu Agency (AA).

Vëmendjen e turistëve të kryeqytetit hungarez fillimisht e tërheq kombinimi unik i historisë, kulturës dhe traditës së pasur, por po ashtu edhe qyteti modern. Ky është një nga qytetet më të bukura evropiane, ka shumë atraksione, duke përfshirë edhe Kështjellën Budim, Avenynë Andrash, Sheshin e Heronjve dhe Hekurudhën Nëntokësore të Mijëvjeçarit.

Në mesin e kurioziteteve veçohet bazilika Shën Stefani e lartë 96 metra, ndërsa në të gjenden mbetjet e mumifikuara nga mbreti i parë hungarez Stefani I. Kjo është kisha e tretë për nga madhësia në Evropë.

Godina e Parlamentit hungarez është e ndërtuar në stilin neogotik dhe konsiderohet si një nga shembujt më të mirë për historicizmin.

Dikur ishte godina më e madhe e parlamentit në botë, ndërsa sot ende është e treta. Me bazilikën e Shën Stefanit është ndërtesa më e lartë në Budapest.

Këtu po ashtu është edhe Bastioni i Peshkatarëve, tarraca neogotike me një pamje madhështore të qytetit.

Afgani pranon kryerjen e sulmeve me thikë në Vjenë

Eksperti i mjekësisë ligjore duke kërkuar për të dhëna në vendin ku ka ndodhur sulmi në Vjenë.

Autoritetet austriake kanë thënë se afgani 23 vjeçar ka pranuar therjen me thikë të katër personave në Vjenë, me arsyetimin se “ka qenë shumë i shqetësuar për situatën e jetës së tij”.

Policia ka thënë më 8 mars, se i dyshuari, emri i të cilit nuk është bërë publik, ka pranuar therjet e një 20 vjeçari afgan dhe tre anëtarëve të një familje tjetër.

Emrat e viktimave po ashtu nuk janë bërë të ditur.

I dyshuari është ndaluar shumë pak kohë pasi ka therur një 20 vjeçar në kryeqytetin austriak, ka thënë policia.

Autoritetet kanë thënë se motivet e sulmit ndaj tre anëtarëve të një familje nuk janë bërë të ditura.

Mirëpo ata kanë thënë se i dyshuari e ka njohur burrin afgan, duke thënë se e ka sulmuar pasi “ai e mban atë përgjegjës për varësinë e tij ndaj drogës në të kaluarën”.

I dyshuari po ashtu ka thënë se ai ka qenë në “disponim të keq dhe i shqetësuar për situatën e jetës së tij”, kur ka kryer sulmet, ka njoftuar policia.

Gratë në Spanjë në grevë, anulohen trenat

Madrid, Spanjë

Shumë shërbime të trenave në Spanjë janë anuluar, pasi punëtorët kanë hyrë në grevë për të nxjerrë në pah pabarazitë gjinore në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Treqind trena nuk do të operojnë gjatë ditës së sotme, ka bërë të ditur Ministria e Transportit e Spanjës.

Greva 24-orëshe, e thirrur nga dhjetë sindikata, ka qenë temë e shumë debateve.

Grupet feministe po ashtu kanë kërkuar nga gratë të mos shpenzojnë para sot dhe të mos i bëjnë punët e shtëpisë. Por, disa kanë dalë kundër grevës.

Partia në pushtet Partido Popular ka thënë se aksioni është për “elitat feministe dhe jo për gratë me probleme të përditshme”.

Aktorja spanjolle, Penelope Cruz, ka anuluar ngjarjet e planifikuara publike dhe do të hyjë në grevë.

BE përgatitet për kundërmasa ndaj SHBA-ve për tarifat doganore

Anëtarja e Komisionit të BE-së përgjegjëse për tregtinë Cecilia Malmström tha se Unioni po përgatitet për masat që do të merren ndaj prodhimeve amerikane

BRUKSEL – Anëtarja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) përgjegjëse për tregtinë Cecilia Malmström tha se Unioni po përgatitet për masat që do të merren ndaj prodhimeve amerikane.

“Ne jemi në konsultim me vendet anëtare të BE-së dhe së shpejti do të ndajmë me publikun këtë listë të përkohshme të produkteve. Në këtë listë ndodhen produkte të çelikut, industriale dhe bujqësore”, tha ajo.

Malmström ka zhvilluar në Bruksel një konferencë për media në lidhje me tarifat shtesë doganore që SHBA-të planifikojnë të vendosin për eksportet e çelikut dhe aluminit.

Ajo thekson se në këtë çështje strategjia e BE-së është në tri faza. Malmström tha se këto janë zhvillimi i një qasjeje të koordinuar me vendet e tjera brenda rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), përgatitjen e masave që duhen marrë në rast se kjo situatë ka një ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe marrjen e masave kundër produkteve të tjera të SHBA-ve sipas ndikimit ekonomik.

“Ne dyshojmë se tarifat që SHBA-të planifikojnë t’i zbatojnë janë në përputhje me rregullat e OBT-së”, tha Malmström duke bërë të ditur se nuk i sheh të drejta tarifat doganore që SHBA-të dëshiron t’i zbatojë.

Pasi ka rikujtuar se SHBA-të ende nuk kanë marrë vendim zytar, Malmström potencoi se “Këto tarifa dëmtojnë BE-në. Ndaj këtyre tarifave do të jepet kundërpërgjigje në mënyrë të drejtë dhe propocionale”.

Lidhur me deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump për tarifa shtesë ndaj automjeteve evropiane, Malmström tha se “Kompanitë evropiane prodhojnë 2 milionë automjete në SHBA dhe se këto kompani sigurojnë vende pune në SHBA”. aa

Arrestohet për drogë mbesa e Federica Mogherinit

Policia italiane ka arrestuar 21 persona në një operacion të madh në Romë, të cilët shpërndanin kokainë në lokalet e natës.

Armë dhe drogë u sekuestrua gjatë operacionit

Ajo quhet Gaia Mogherini, dhe është vajza e vëllait të Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE-së për punët e jashtme.

Vajza, 28 vjeçare, është lënë në arrest shtëpiak me akuzën për posedim të lëndëve narkotike. Gaia Mogherini edhe në tetor të vitit 2016 u arrestua për të njëjtën akuzë.

Spanjë, gratë nesër hyjnë në grevë të përgjithshme

Me qëllim të sensibilizimit të pozitës nënshtruese të grave në shoqëri, në Spanjë është formuar Komisioni i 8 Marsit i cili për nesër ka paralajmëruar grevë të përgjithshme të grave

MADRID – Gratë në Spanjë nesër me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas do të hyjnë në grevë të përgjithshme, si ato që punojnë poashtu edhe gratë amvise.

Të tubuarat rreth të ashtuquajturit Komisioni i 8 Marsit, feministet spanjolle paralajmëruan protesta masive në rrugët në mbarë vendin ku gratë spanjolle do të ngrenë zërin kundër dhunës, abuzimit, pabarazisë dhe të gjitha llojeve të diskriminimit me të cilën gjinia e butë përballet në botë.

Në deklaratë thuhet se numri i grave viktima të dhunës seksuale rritet çdo ditë dhe se pozita e grave në shoqëri po përkeqësohet.

Ç’ndodh në Itali? Lideri i Lega flet prerë: Jo koalicion me Di Maio, ne…

Lideri i Lega, Matteo Salvini ka nje JO te prere. “Më pyesin: a do të shkosh ne qeveri me Di Maio? Përgjigjja është Jo”.

Udhëheqësi i Liga dëshiron të pastrojë çdo keqkuptim të mundshëm: “Kam lexuar hipoteza të çuditshme. Por skuadra është ajo e qendrës së djathtë. E njëjta me te cilen hyme ne ‘loje dhe luajtem”.

Salvini përjashton “qeveri teknike” dhe shton se eshte i detyruar te flase me te gjithe.  “Liga fitoi brenda koalicionit dhe do të mbetet në krye të qendrës së djathtë”-thote ai.

Por me cilin synojë udhëheqësi i Liga të ndërtoje shumicën parlamentare të qeverisë?

“Mos me beni te them emra”, thote ai e shton se “qëllimi është që ekipi i qendrës së djathtë të ofrojë propozimin per qeverine e re”.

Lideri i Lega: S’ka koalicione të çuditshme, Qendra e Djathtë qeveris vendin

“Unë e thashë gjatë fushatës elektorale që do i degjoj te gjithe, do flas me te gjithe, por ekipi qeverises tashme eshte i qendres”. Ka qene i prere Matteo Salvini, lideri i Lega, duke mohuar nje koalicion te mundshem me 5 Yjet.

 

“Nuk ka koalicione të çuditshme, une jam nje nga ata qe e mbajne fjalen”- thote ai dhe shton se qendra e djathte ka fituar dhe mund te qeverise.

Lega qëndron si partia e parë e koalicionit të qendrës së djathtë, duke prekur në nivel kombëtar 18% të votave.

Dhe edhe pse Salvini pranon se Pesë Yjet janë “padyshim e parë”, duke i dhene urimet, thekson se Lega është rritur 4-18%.

Renzi jep dorëheqje pas disfatës në zgjedhje

Matteo Renzi, kryetar i Partisë Demokratike në Itali, ka dhënë dorëheqje sot nga drejtimi i partisë, pas disfatës në zgjedhjet parlamentare.

Renzi, 43 vjeçar, gjithashtu ka thënë se beson që partia e tij nuk duhet të bëjë marrëveshje paszgjedhore me “partitë ekstremiste” dhe se duhet të qëndrojë në opozitë këtë mandat, raporton agjencia Reuters.

Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën në Itali, asnjë parti nuk ka fituar votat e nevojshme që të qeverisë e vetme.

Ndërkaq, në epërsi ka dalë koalicioni i krahut të djathtë i ish-kryeministrit Silvio Berluskoni. Formimi i Qeverisë së re në Itali, pritet të marrë disa javë kohë.

Në Itali sot mbahen zgjedhjet parlamentare

Lideri italian, Silvio Berlusconi duke folur në një organizim parazgjedhor në Milano, foto nga arkivi

Italianët kanë nisur të votojnë sot në zgjedhjet parlamentare.

Në garë janë partitë e ekstremit të djathtë dhe ato populiste, duke përshirë koalicionin e Silvio Berlusconit, që ka shërbyer si kryeministër për tri mandate dhe aleancën e qendrës së majtë e cila kërkon fitojë të drejtën për krijimin e qeverisë së re.

Sipas analistëve votat mund të ndahen në mes të Lëvizjes Pesë Yjet, asaj kundër migrimit Partia e Lidhjes, partisë së Berlusconit Forza Italia dhe Partisë Demokratike.

Rezultatet preliminare pritet të bëhen të ditura më 5 mars.

Berlusconi, 81 vjeçar e ka të ndaluar kandidimin për shkak të një dënimi për mashtrim me taksa. Mirëpo ai pritet të ketë një rol kyç në qeverinë e ardhshme, mbrapa të nominuarit për kryeministër, Antonio Tajani.

Në rast se asnjëra nga partitë nuk i fiton votat e mjaftueshme, partitë mund të tentojnë të krijojnë koalicion me njëra-tjetrën, apo presidenti, Sergio Mattarella, mund të formojë një qeveri të përkohshme dhe të kërkojë zgjedhje të reja.

Në sondazhet e bëra para zgjedhjeve, koalicioni i Berlusconit ka fitur rreth 37 përqind.

Fushata është karakterizuar me përplasjet në mes të së djathtës ekstreme dhe aktivistëve antifashistë.

Itali – “Damkosen” antifashistët

Fushata për të shënuar shtëpitë e kundershtarëve në Pavia na i kujton shkrimet famëkeqe naziste në dyqane e hebrejve

VOAL – “Këtu banon një antifashist”: ky është shkrimi që shfaqet në hyrjet e shtëpive, shtypur me shkronja të përdorurua nga formacionet neofashiste e neonaziste, vendosur nëpër dyert e atye që janë kundër fashizimit dhe racizmit në Pavia të Italisë.

Fushata e shënimit të shtëpive të kundërshtarëve në Pavia na i kujton shkrimet famëkqe naziste e fashiste me të cilat, në vitet ’30, pasuesit e Hitlerit dhe Mussolinit damkosnin dyqanet e hebrejve. Episodi i ndodhur në Pavia ka shkaktuar indinjatë në rrjetet sociale

Parullë e publikuar nga shoqata e partizanëve (ANPI Pavia/Facebook)

Laura Boldrini, presidente e Dhomës së Deputetëve, ka telefonuar Giacomo Galazzon, përgjegjës i kulturës i komunës së Pavia, për t’i shprehur solidaritet atij dhe të gjithë banorëve të Pavias.

“Ja çfarë ndodh kur i lënë neofashistët të lirë për të hapur seli të partive, për të bërë manifestime dhe për t’u paraqitur në zgjedhje, duke i lënë të üandëshkuara agresionet e tyre skuadriste. Të shpërndahen menjëherë CasaPound e Forza Nuova”, ka postuar njëri prej aktivistëve, Alessandro Caiani, në përgjigje të një akti përfrikësues ndaj tij.

Polonia pretendon se Gjermania i detyrohet 850 miliardë dollarë

Polonia pretendon se Gjermania i detyrohet 850 miliardë dollarë dëme si pjesë e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore.

Pretendimin e polakëve e ka shprehur Arkadiusz Mularczyk i partisë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi.

Ai drejton një ekip parlametar që u ngrit në muajin shtator për të vlerësuar dëmshpërbliminn që Gjermania duhet të japë si pasojë e pushtimit që kreu në vitin 1939.

“Po flasim për shuma të mëdha. Kjo është arsyeja pse Gjermania po ndjek një politikë që sfidon çdo pretendim dhe po e ndjek këtë politikë në të gjithë botën”, citohet ai në një deklaratë që tregon se Varshava po ngre çështjen e dëmshpërblimeve si kundërpeshë ndaj presionit të Berlinit në Bruksel.

Për Gjermaninë kjo çështje është zgjidhur në vitin 1953 përmes një rezolute të qeverisë komuniste të Polonisë që deklaronte se Gjermania kishte përmbushur detyrimet e veta dhe se nuk do të kërkohej më kompensim.

Sipas konservatorëve polakë, ai vendim nuk ka vlerë sepse u mor nën presionin sovjetik.

Suedi, vitin e kaluar 12 fëmijë refugjatë janë vetëvrarë

STOCKHOL – Vitin e kaluar në Suedi janë vetëvrarë 12 fëmijë refugjatë bën të ditur raporti i Institutit Karolinska me sili në kryeqytetin Stockholm.

Sipas raportit shumica e fëmijëve në fjalë janë nga Afganistani dhe se mospranimi i kërkesës së tyre për azil ka nxitur vetëvrasjen.

Njëra nga hulumtueset e cila ka përgatitur raportin Ellenor Mittendorfer Rutz, eksperte e Shëndetit Mendor dhe Shërbimeve Sociale, thotë se në të kaluarën e fëmijëve të cilët janë vetëvrarë janë të pranishme përjetimet nga traumat e mëdha dhe se gjatë emigrimit ata u janë nënshtruar masakrave dhe dhunës.

Ndërsa në një deklaratë nga Qendra Psikiatrike për Fëmijë dhe Adoleshentë (PUP) thuhet se numri i refugjatëve të vetëvrarë nuk e pasqyron të vërtetën e plotë dhe se gjendja është edhe më e rëndë.

Sipas të dhënave të Zyrës së Emigrantëve, në vitin 2015 në Suedi kanë hyrë 35 mijë e 360 fëmijë refugjatë pa ndonjë shoqërues. Ky numër në vitin 2016 u zvogëlua në 2.199 kurse në vitin 2017 në 1.334. aa

Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina shqetësohen për prezencën ruse në territoret e tyre

Trupat ruse gjatë një ceremonie në Moskë, foto nga arkivi

Liderët pro-evropianë nga Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia kanë thënë se prezenca e vazhdueshme e trupave ruse në vendet e tyre është destabilizuese.

Anëtarët e parlamentit nga të tri shtetet kanë nisur një deklaratë të përbashkët në fund të konferencës një-ditore për siguri, të mbajtur në kryeqytetin e Moldavisë, Kisinau.

Ata kanë shprehur shqetësimet e tyre të thella për prezencën ushtarake të Rusisë në tri ish-republikat Sovjetike.

Në deklaratë duhet se të tri shtetet janë “thellësisht të shqetësuara për trupat ruse”, në Moldavi, si dhe për “okupimin rus dhe intervenimet e tjera ushtarake”, në disa pjesë të Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

Ndër të tjera janë dënuar edhe “operacionet ruse në rrjetet sociale”, për të diskredituar qeveritë pro-evropiane.

“Pas 26 vjetëve, Moldavia ka ende territor të okupuar”, ka thënë përfaqësuesi i këtij shteti, Andrian Candu.

“Me të njëjtin realitet po përballet Gjeorgjia dhe Ukraina”, ka shtuar ai.

Rusia ka rreth 1,500 trupa të stacionuar në rajonin separatist, Transdniester në Gjeorgji.

Ky rajon e ka shpallur pavarësinë nga Kisinau më 1990 me mbështetjen e Moskës.

Rusia pretendon se duhet të qëndrojë në Transdniester, për të siguruar paqe si dhe për depot e municionit të periudhës Sovjetike në këtë rajon.

Luftimet në mes të Gjeorgjisë dhe Rusisë më 2008, rezultuan me ndarjen e dy rajoneve të Gjeorgjisë, Osetinë Jugore dhe Abkazinë.

Të dyja këto rajone kanë shpallur pavarësinë dhe nga ajo kohë Rusia i mbështet me ndihmë financiare dhe ushtarake.

Ukraina është në konflikt me separatistët pro-rusë në lindje të shtetit, në të cilin kanë vdekur më shumë se 10,000 persona nga prilli i vitit 2014.

Moldavia, Ukraina dhe Gjeogjia kanë nënshkruar marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian më 2014, pavarësisht kriticizmit të ashpër të Rusisë.

Gjermani: Sulmi kibernetik i supozuar rus cilësohet “i dëmshëm”

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, foto nga arkivi

Një sulm masiv kibernetik i raportuar gjatë kësaj jave në qeverinë gjermane është cilësuar të ketë qenë “serioz”, “i dëmshëm” dhe që ka qenë në vazhdimësi, kanë thënë zyrtarët dhe ligjvënësit gjermanë.

Komentet në një takim emergjent në Komitetin e Kontrollit të parlamentit në Berlin, kanë vënë në kontraditë deklaratat e mëparshme të qeverisë se rreziku për sigurinë është “izoluar dhe tani është nën kontroll”.

Ministri në largim i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Thomas de Maiziere e ka quajtur sulmin kibernetik “të sofistikuar teknikisht” dhe “akt serioz”, i cili sipas tij është planifikuar për një kohë të gjatë.

Mediat gjermane, duke cituar zyrtarë anonim dhe disa dokumente, kanë raportuar më 1 mars, se sulmi duket të ketë ardhur nga një grup rus i quajtur “Snake” apo “Turla”, të cilat kanë qenë aktive nga viti 2005.

Raportet e mëparshme kanë akuzuar grupe të tjera ruse siç është “APT28”, e cila besohet të ketë lidhje me agjencinë e inteligjencës ruse dhe më parë është akuzuar për sulmet në fushatën e demokrates Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Burimet e sigurisë i kanë thënë dpa-së, se sulmi duket të ketë qenë në vazhdimësi nga fundi i vitit 2016.

“Kjo konfirmon atë që kemi thënë një kohë të gjatë”, ka thënë De Maiziere.

“Palë të ndryshme me qëllime të ndryshme rrezikojnë sigurinë tonë kibernetike”, ka thënë ai.

Bundestagu gjerman ka qenë cak i një sulmi masiv kibernetik më 2015, për të cilin është fajësuar “Fancy Bear”.

Pavarësisht frikës se informacionet e marra nga ky sulm mund të përdorën për të ndikuar në zgjedhjet e vitit të kaluar në Gjermani, të njëjtat nuk janë prezantuar asnjëherë.

Padi ndaj Marine Le Pen, publikoi fotografi të ISIS-it

Në rast se dënohet, Le Pen i kanoset dënim me burg prej tre vitesh dhe 75 mijë euro gjobë

PARIS – Prokurorët francezë kanë ngritur padi kundër anëtares së Frontit Nacional djathtist radikal Marine Le Pen për shkak të vendosjes në Twitter të fotografisë së dhunshme të organizatës terroriste DEASH (ISIS).

Nga zyra e prokurorit në paralagjen parisiene Nanterre theksuan se padia është ngritur sot për shkak të shpërndarjes së fotografisë me përmbatje të dhunshme.

Në rast se dënohet, Le Pen i kanoset dënim me burg prej tre vitesh dhe 75 mijë euro gjobë.

Le Pen ende nuk është prononcuar lidhur me padinë e cila është mundësuar pasi Parlamenti francez vitin e kaluar hoqi imunitetin nga përndjekja penale.

Vendimi i sotëm është goditja e fundit mbi Le Pen, partia e së cilës Fronti Nacional hasi në krizë pas disfatës së saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Le Pen në vitin 2015 vendosi një fotografi në Twitter me krime të DEASH-it (ISIS-it), ku në njërën tregohej gazetari amerikan James Foley, të cilit ekstremistët ia hoqën kokën.

Vrasja e reporterit sllovak – arrestohen tre italianë

VOAL – BRATISLLAVË, 1 MARS – Sipërmarrësi italian Antonino Vadalà është arrestuar nga policia sllovake, e cila po heton për vdekjen e gazetarit Jan Kuciak. Lajmin e jep e përditshmja vendëse. Korzar. Sipas saj, sot në mëngjes policia ka vërshuar në apartamentet e sipërmarrësit në Michalovce e në Trebisov, në lindje të Sllovakisë. Bashkë me të janë arrestuar edhe vëllai Bruno e kushëriri, Pietro Catroppa. Për familjen Vadalà dhe lidhjen e saj me miafian kalabreze ‘ndrangheta ka shkruar Kuciak në reportazhet e botuara në gazetën e tij. ANSA

Video – Gazetari i vrarë sllovak po hetonte lidhjet e mafies me njerëz të afërt me kryeministrin Robert Fico

Gazetari i vrarë sllovak po hetonte rreth krimit të organizuar

Gazetari hulumtues sllovak Jan Kuciak, i vrarë javën e kaluar, po punonte për një shkrim mbi aktivitetet e mafias italiane në vendin e tij dhe të lidhjeve të saj, me njerëz të afërt me kryeministrin Robert Fico.

Shkrimi, i fundit për të dhe i papërfunduar ende, u botua sot në portalin e tij “Aktuality.sk”. Në të ai flet për aktivitetet e organizatës kriminale “Ndrangheta” në rajonet lindore të Sllovakisë, si dhe lidhjet e një anëtari të saj me një ndihmës të lartë të zotit Fico si dhe me një zyrtar tjetër të afërt me kryeministrin.

27 vjeçar Kuciak dhe mikesha e tij Martina Kusnirova u gjetën të vrarë të djelën në mbrëmje në shtëpinë e tyre në Bratisllavë. Mendohet se vrasja është kryer midis të enjtes dhe të djelës. Ai është gazetari i parë që vritet në Sllovaki.

 

 

 

Gjykata në Çeki liron liderin kurd

Lideri kurd, Salih Muslim

Gjykata në Çeki ka liruar të martën liderin e kurdëve të Sirisë Salih Muslim, i cili është ndaluar në Pragë më 24 shkurt, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Ankaraja, ka bërë të ditur avokati i tij.

“Gjykata ka liruar klientin tim” ka thënë avokati Miroslav Krutina para gazetarëve.

Ai tha se Salih Muslim është zotuar të marrë pjesë në të gjitha procedurat e ekstradimit të kërkuara nga Turqia.

Ish-kreu Partisë së Unionit Demokratik (PYD) ende konsiderohet një figurë e respektuar për kurdët në Siri.

Të hënën gjatë ditës rreth 200 njerëz kanë protestuar në Pragë të Çekisë, kundër kërkesës së Turqisë për ekstradimin e liderit të kurdëve të Sirisë.

Në Itali: Populistët në avnatazh gjatë luftës elektorale

Në Itali populistët janë në avantazh. “Lega” e djathtë mund të jetë fituesja e zgjedhjeve. Kryetari i saj Matteo Salvini nxit tani kundër emigrantëve për të fituar vota.

Leonardo dhe shokët e tij të partisë kanë një mision: Sllogani i tyre elektoral „Italianët së pari” mirëpritet në Pulja – prej një partie që dikur donte ta shkëpuste veriun nga jugu. Tani Lega bën fushatë edhe në jug! Leonardo Calò, aktivist i partisë: „Ky do të jetë një çast historik, kur Pulja të dërgojë politikanë të Legas në parlament, në mënyrë që atje të përfaqësohen interesat e jugut.”

„Jugu” është këtu në Leçe, perla e barokut në Pulja – një atraksion turisitk. Përkrahësit e Legas duan ta shpëtojnë Leçen – sikurse thonë ata – nga të huajt, emigrantët. Këtu ka shumë syresh, sepse anijet e shpëtimit i zbarkojnë anijet me refugjatë direkt në jug të Italisë.

Burrat e Legas duan, që Italia tani të mbyllë kufijtë e vet ndaj refugjatëve, në mënyrë që zonat e qytetit si këtu përrreth stacionit të trenit të jenë sërish në duart e italianëve.

Leonardo Calò: „Ne jemi e vetmja parti, që i përmend me emër problemet: sa i përket rendit publik dhe sigurisë. Ne nuk i zbukurojmë gjërat. Ne duam t’i zgjidhim problemet, që ndodhin në rrugë para syve tanë.”

Ndaj edhe sallat janë plot në jug, kur flet shefi i Legas. Matteo Salvini, 44 vjeç. Ai është një superstar dhe do të bëhet kryeministri i ri i Italisë.

Për këtë ai do ta shndërrojë Legan etij në një parti kombëtare – me një politikë kundër të huajve, që të bashkojë veriun dhe jugun e Italisë.

Matteo Salvini: „Nga Bolcano deri në Lampeduza ne kemi shumë migrantë dhe rreth 240.000 vepra penale në vit të kryera nga të huajt. Kjo do të thotë 700 vepra penale në ditë.”

Por jo kudo në Leçe e mirëpresin atë

Sipërmarrësit Salvatore Mazzotta dhe Massimo Maffei nuk presin gjë prej slloganit „Jashtë të huajt”. Salvatore Mazzotta: „Si do t’i dëbojë Salvini të gjithë migrantët nga vendi?! Këto janë premtime boshe, që Lega nuk do t’i realizojë asnjëherë.”

Ish-separatistët nga veriu po falsifikojnë etiketat – edhe me kursin politik këtu në jug.

Massimo Maffei: „Para dhjetë vjetësh ne këtu në jug ishim si djalli për Legan, sot djalli janë migrantët. Si dikur edhe sot ata thonë: ata janë të rrezikshëm, na marrin punët, dhe nguliten këtu.”

Si grafist dhe shaptilografues Massimo Maffei gëzohet për luftën elektorale – sepse me këtë ai ka marrë mjaft porosi që i kanë mbushur librat e zbrazur të mandatimeve. Por parullat që ai duhet të stampojë janë boshe. Massimo Maffei: „Kjo është një Lega, që prezantohet tërësisht e transformuar. Pas zgjedhjeve asgjë nuk do të mbetet prej kësaj. Reklama elektorale mund të hidhet në kosh qysh tani.”

As Salvatore Mazzotta nuk do të influencohet prej Legas. Ai merret me sipërmarrjen e tij të furnizimit për një fabrikë traktorësh për pesë të huaj – të shkolluar si ky bojaxhi pakistanez, apo të pashkolluar si ky djalë i ri nga Gambia. Sipërmarrësi është pragmatik … për të ka vlerë vetëm komportimi i duhur ndaj punës. „Dikur ne emigronim drejt Gjermanisë dhe üunonim edhe të shtuna e të diela. Gjermanët të premteve janë në shtëpi. Kështu është edhe me të huajt këtu. Ata nuk kanë familje dhe mendojnë vetëm për punën. Për ne ky është një avantazh.”

Fare të lehtë me politikën e tij ndaj të huajve nuk e ka aktivisti i Legas

Sepse madje edhe lokali më i preferuar i tij ka punësuar një senegalez të ri: Modi – legalisht, i mbështetur prej programit të qytetit për integrimin. Modit, i cili normalisht punon në bar, i dhemb që migrantët këtu në Leçe armiqësohen politikisht vetëm për hirë të ngjyrës së lëkurës. „Kam dëgjuar prej shokëve, që ata i akuzojnë në mënyrë përgjtihësuese, se nuk duan të punojnë. Kjo nuk është korrekte. Secilit prej nesh duhet t’i jepet një shans.”

„Italianët së pari” është sllgari elektoral për Leonardon. Me idhullin e tij Matteo Salvini ai shpreson, që Lega të pushtojë me këtë edhe jugun.


Send this to a friend