VOAL

VOAL

Krerët e Vetëvendosjes marrin nënshtetësi shqiptare – Ja dekreti i Presidentit Nishani

August 22, 2016

Komentet

Grafikët – Anketa e ‘Monitor’, nga kapja e shtetit te korrupsioni, arsyet pse po protestohet

 

Rezultatet e anketës që “Monitor” ka organizuar për lexuesit e saj lidhur me argumentet pse prej javësh qytetarët po protestojnë. Nga kapja e shtetit te korrupsioni, janë të shumta arsyet që çojnë në një mbështetje masive prej 90% të protestave. Pritshmëritë e të anketuarve shkojnë deri te ndryshimi i Kodit Zgjedhor, shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura dhe krijimi i një force të re politike që mund të lindë nga vetë protesta. Edhe pse anketa nuk është në asnjë rast përfaqësuese për të gjithë popullsinë, ajo përcjell një zë të një audience të arsimuar, profesionale dhe të angazhuar me zhvillimet e vendit.

Tirana nuk ka qenë e qetë që nga 1 qershori. Një incident në Zvërnec, ku po planifikohet të ndërtohet një resort i madh, ku është i përfshirë dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, nxiti një protestë, që për herë të parë pas shumë kohësh, tërhoqi sidomos të rinjtë e më pas gjeti mbështetje masive.

Koha do të tregonte se incidenti ishte vetëm shkëndija që ndezi fitilin e zemërimit, që duket se po akumulohej prej kohësh për mënyrën se si po qeveriset vendi.

Për të kuptuar arsyet që shtynë shumëkënd për të protestuar, “Monitor” organizoi një anketim në faqen e saj, përmes platformës ERC (“Engaged Citizens Reporting – Raportimi nga qytetarët e angazhuar” është një platformë digjitale e sigurt, e zhvilluar për të ngushtuar hendekun mes medias dhe publikut).

Anketa qëndroi e hapur për 5 ditë dhe u plotësua nga 1114 qytetarë, duke arritur nivelin më të lartë të angazhimit në këtë platformë, që kur “Monitor” filloi ta përdorë. Më herët, anketa me më shumë interes kishte qenë ajo për emigracionin me 1044 plotësime, duke treguar që tema të tilla janë të ndjeshme për audiencën e “Monitor”.

Theksojmë se ky nuk është një kampion përfaqësues i popullsisë shqiptare. Pjesëmarrësit nuk janë përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe përgjigjet janë dhënë vullnetarisht, çka do të thotë se në anketë kanë më shumë gjasa të marrin pjesë personat që kanë interes ose qëndrim më të fortë ndaj temës. Për më tepër, audienca e “Monitor” përbëhet kryesisht nga ekonomistë, profesionistë të lirë, sipërmarrës, punonjës të sektorit bankar, teknologjisë së informacionit dhe profile të tjera urbane e të arsimuara, ndaj rezultatet nuk mund të përgjithësohen për të gjithë popullsinë.

Megjithatë, anketa ka vlerë si një matje e perceptimeve të një segmenti aktiv dhe të angazhuar të publikut, ku dominojnë ata me arsim universitar dhe pasuniversitar “që kërkon të jetë i përfaqësuar”.

Ajo ndihmon për të identifikuar arsyet që motivojnë mbështetjen ose kundërshtimin ndaj protestave, shqetësimet që përsëriten më shpesh dhe intensitetin me të cilin këto çështje përjetohen nga audienca e “Monitor”.

Rezultatet nuk duhen lexuar si një projeksion elektoral, apo si pasqyrë statistikore e së gjithë shoqërisë, por si një sinjal i qartë i klimës së opinionit brenda një grupi me interes të lartë për zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike.

Metodologjia

Theksojmë se ky nuk është një kampion përfaqësues i popullsisë shqiptare. Pjesëmarrësit nuk janë përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe përgjigjet janë dhënë vullnetarisht, çka do të thotë se në anketë kanë më shumë gjasa të marrin pjesë personat që kanë interes ose qëndrim më të fortë ndaj temës. Për më tepër, audienca e “Monitor” përbëhet kryesisht nga ekonomistë, profesionistë të lirë, sipërmarrës, punonjës të sektorit bankar, teknologjisë së informacionit dhe profile të tjera urbane e të arsimuara, ndaj rezultatet nuk mund të përgjithësohen për të gjithë popullsinë.

Audienca

Anketa u plotësua nga 1114 persona. Dominojnë në përgjigje meshkujt, me 63.5% të totalit. 70% e të anketuarve ishin në Tiranë dhe 6.3% e përgjigjeve erdhën nga diaspora, duke treguar dhe për interesin e audiencës jashtë Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e të anketuarve ishin të grupmoshës 30-39 vjeç, me 34% të totalit, të ndjekur nga grupmosha 40-49 vjeç, me 32.5%. Më pas renditen të rinjtë, 20-29 vjeç, me 15%. Grupmosha 50-59 vjeç realizoi 12.3% të plotësimeve. Të rinjtë, deri në 20 vjeç, përbënin vetëm 1.3% të plotësimeve.

Image

Në nivelin arsimor dominojnë të anketuarit me arsim universitar dhe pasuniversitar, me përkatësisht 44.3% dhe 46.9% të totalit.

85% ishin të punësuar apo me aktivitet privat, 11.5% nuk ishin në marrëdhënie pune dhe 3.5% ishin studentë.

Sipas aktivitetit ekonomik, dominuan përgjigjet e atyre që janë profesionistë të lirë (25% të totalit) dhe në aktivitetet financiare bankare e të sigurimeve (16%), të ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni (11.4%). 10% e të anketuarve thanë se kanë biznesin e tyre privat. 5.5% e atyre që u përgjigjën ishin të angazhuar në sektorin e arsimit, 4.9% në administratën publike.

Image

91% e të anketuarve i mbështesin protestat, argumenti kryesor është korrupsioni

Në protestë gjen thuajse çdo profil të shoqërisë: të rinj që dalin për herë të parë në shesh, familje me fëmijë të vegjël, të moshuar, profesionistë, qytetarë të zakonshëm dhe madje edhe pjesëtarë të diasporës që kanë ardhur enkas në Tiranë për t’iu bashkuar tubimeve.

Kjo larmi pjesëmarrjeje pasqyrohet edhe në rezultatet e sondazhit të “Monitor”, i cili evidentoi një mbështetje masive për protestat.

Rreth 90.7% e të anketuarve deklaruan se i mbështesin protestat, 6.1% thanë se i mbështesin pjesërisht, ndërsa vetëm 2.8% u shprehën kundër tyre.

Rezultati tregon se, të paktën brenda audiencës së anketuar, protestat kanë arritur të bashkojnë shtresa dhe grupmosha të ndryshme rreth një pakënaqësie të përbashkët.

Mbështetja e larë që i jep protestës shtresë me arsim universitar dhe pas universitar dhe grupmosha 30-59 vjeç, tregon që i pakënaqur është pikërisht grupi i popullsisë në moshe pune dhe që kontribuon në financat e shtetit.

Perceptimi i shtresës së mesme

Anketa ka vlerë si një matje e perceptimeve të një segmenti aktiv dhe të angazhuar të publikut, ku dominojnë ata me arsim universitar dhe pasuniversitar. Ajo ndihmon për të identifikuar arsyet që motivojnë mbështetjen ose kundërshtimin ndaj protestave, shqetësimet që përsëriten më shpesh dhe intensitetin me të cilin këto çështje përjetohen nga audienca e “Monitor”. Mbështetja e larë që i jep protestës kjo shtresë dhe grupmosha 30-59 vjeç, tregon që i pakënaqur është pikërisht grupi i popullsisë në moshe pune dhe që kontribuon në financat e shtetit.

Image

Nga të dhënat e anketimit rezulton se arsyet e mbështetjes së protestës shkojnë përtej atyre ekonomike dhe lidhen me shqetësimin për mënyrën se si po qeveriset vendi.

Korrupsioni është zgjedhur nga të anketuarit si arsyeja kryesore që ka bërë që të anketuarit të votojnë “Po”, në mbështetje të protestave, i zgjedhur nga 722 persona (të anketuarit mund të zgjidhnin deri në 3 alternativa). Arsyeja e dytë lidhet me keqqeverisjen dhe mungesën e llogaridhënies, me 530 përgjigje, e ndjekur nga mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i abuzuesve, me 342 përgjigje.

Arsyeja e katërt më e zgjedhur është mbrojtja e interesit publik (arsimi, shëndetësia, mjedisi, hapësirat publike). Mungesa e perspektivës për të ardhmen është argumenti i pestë. Varfëria dhe rritja e çmimeve janë argumenti i gjashtë, që i shtyn të anketuarit të mbështesin protestat.

“Protestojmë për mijëra halle që ka ky vend. Për varfërinë që është ulur këmbëkryq. Për spitalet që nuk kanë shërbim. Për mungesë drejtësie. Për shkatërrimin e arsimit.

Për pasuritë natyrore që po shkatërrohen. Për lumenjtë që thahen. Për punë në administratë që duhet vetëm të paguash edhe nëse je i aftë, përndryshe s’të llogarit askush.”, thotë A.A, komentuese.

“Nuk ka meritokraci. Nuk ka kontroll mbi përdorimin e fondeve. Nuk ka një pyetësor mbi shërbimet, qeveria nuk merr parasysh mendimin e njerëzve”, thotë E.T.

Image

79.2% e të anketuarve thanë se kanë marrë pjesë të paktën një ditë në protestë. 11.1% thanë se megjithëse nuk kanë marrë pjesë, sërish ata i mbështesnin ato. 3.1% deklaruan se mendonin të merrnin pjesë dhe 6.9% u përgjigjën “Jo”.

Image

Edhe ata që u përgjigjën se nuk i mbështesin protestat (gati 3% e të anketuarve) nuk rezultojnë të jenë kundër tyre, më shumë sesa nuk e shohin këtë rrugë si zgjidhje. Si argument kryesor ata japin mungesën e besimit tek organizatorët e tyre.

Një tjetër element që i bën ata mosbesues lidhet me faktin që protestat shpesh politizohen dhe përdoren për interesa partiake. Argumenti i tretë që ata japin është se problemet duhen zgjidhur përmes institucioneve dhe zgjedhjeve.

Image

Revolta ndaj kapjes së shtetit, arsyeja kryesore pse protestohet

“Monitor” i kufizoi deri në 3 alternativa zgjedhjen e të anketuarve për arsyet pse protestohet. Kishte nga ata lexues që na shkruan se pse u kishim lënë kaq pak alternativa, sepse ata donin t’i zgjidhnin të gjitha!

“Revolta ndaj kapjes së shtetit dhe mosfunksionimit të një shteti demokratik” është argumenti më i zgjedhur nga të anketuarit (me 606 vota) që i shtyn ata të protestojnë.

Argumenti i dytë është “Protestë kundër korrupsionit galopant që evidentohet nga hetimet e BKH/SPAK” (568 përgjigje), i ndjekur nga “Protestë kundër shkatërrimit të ambientit nga projekte zhvillimi masive dhe betonizimit të bregut të detit” (374).

“Arsyet pse protestojmë lidhen me arrogancën e kësaj qeverie, emigrimin e të rinjve, mungesën e besimit në institucione, mungesën e drejtësisë, paga të ulëta dhe kosto të lartë jetese”, thotë një i anketuar nga Tirana, 30-39 vjeç, me arsim pasuniversitar, i angazhuar në aktivitetet e informacionit dhe komunikacionit.

“Protestojmë kundër cilësisë së ulët në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, arrogancës dhe paaftësisë së deputetëve dhe çdo drejtuesi në institucione”, thotë një e anketuar 40-49 vjeç, me arsim pasuniversitar, e cila menaxhon biznesin e saj privat.

“Protestoj kundër lejimit të ndërtimit në zonat e mbrojtura, zhbërjes së ligjit 21/2024, paketës së maleve, investitorëve strategjikë etj., si ligje në dëm të Kombit, qeverisje në interes vetëm të një grushti njerëzish dhe Jo për qytetarët!”, komenton një i anketuar nga Fieri, 40-49 vjeç, me arsim pasuniversitar, i cili është i punësuar në aktivitetin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese.

Protesta filloi nga mënyra se si u menaxhua situata në projektin e parashikuar në Zvërnec, por pyetjet e lidhura me këtë çështje janë renditur ndër të fundit në listën e argumenteve, me “Protestë ndaj arrogancës që Qeveria tregon në rastin e Zvërnecit”, që mori 230 përgjigje dhe “Protestë kundër faktit që Qeveria u bë bashkëdhunuese e qytetarit në Zvërnec duke u bërë palë me privatin që ka uzurpuar bregun e detit”, me 184 përgjigje.

Ndonëse mediat e huaja i trajtuan protestat që po zhvilloheshin në Shqipëri si një revoltë kundër përfshirjes së Kushner/Trump në projektin e Zvërnecit, të anketuarit nuk mendojnë kështu. Alternativa “Protestë kundër përfshirjes së Kushner/Trump në projektin e Zvërnecit?” mori 37 përgjigje, më pak nga të gjitha.

Vetëm 18 të anketuar janë shprehur se protestat u duken të paarsyeshme, alternativa më pak e zgjedhur.

Image

“Revolta ndaj kapjes së shtetit dhe mosfunksionimit të një shteti demokratik ” është argumenti më i zgjedhur nga të anketuarit (me 606 vota) që i shtyn ata të protestojnë.

Argumenti i dytë është “Protestë kundër korrupsionit galopant që evidentohet nga hetimet e BKH/SPAK” (568 përgjigje), i ndjekur nga “Protestë kundër shkatërrimit të ambientit nga projekte zhvillimi masive dhe betonizimit të bregut të detit” (374).

 Skepticizëm për rezultatin e protestave

Është hera e parë në Shqipëri, që protesta të tilla, me një përfaqësim relativisht të madh dhe pa një përkatësi të qartë politike janë kaq këmbëngulëse dhe kanë zgjatur për të paktën 5 javë. Por, publiku sërish është skeptik për rezultatin e tyre.

Në krahasim me mbështetjen prej mbi 90% ndaj protestës, vetëm 58.8% e të anketuarve mendojnë që ajo ka dhënë rezultat. 18.7% mendojnë se është ende herët. 16% thonë që protesta ka dhënë shumë pak rezultat dhe 6.6% përgjigjen se nuk ka dhënë asnjë rezultat.

Image

16.9% e të anketuarve pohojnë se protestat duhet të vazhdojnë, por me kërkesa të qarta dhe 79% u përgjigjën që protestat duhet të vazhdojnë. Duke i mbledhur këto dy kategori, shumica dërrmuese e të anketuarve janë të bindur se protestat duhet të vijojnë, me 95.9% të tyre, që shprehen pro.

Vetëm 3.7% thonë se protestat nuk duhet të vazhdojnë.

Image

Çfarë duhet të kërkojnë protestuesit, anulim i ligjit për zonat e mbrojtura, ndryshim të Kodit Zgjedhor

Dorëheqja politike është kërkesa kryesore e të anketuarve, e ndjekur nga hetimet për korrupsion. Kërkesa e tretë më e shpeshtë është ajo për zgjedhje të parakohshme dhe reformë në drejtësi.

Krahas alternativave me zgjedhje, të anketuarit kishin dhe mundësinë që të shtonin propozimet e tyre në një pyetje të hapur.

Një argument i shtuar nga të anketuarit se çfarë duhet të kërkojnë protestuesit lidhet me Ligjin nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 ‘Për zonat e mbrojtura’”. Ai u miratua në vitin 2024 dhe ndryshoi rregullat për mënyrën se si mund të menaxhohen dhe zhvillohen zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Ndryshimet hapën mundësi më të gjera për zhvillime turistike dhe infrastrukturore brenda ose pranë zonave të mbrojtura, përfshirë struktura akomoduese të kategorive të larta, agroturizëm dhe infrastrukturë mbështetëse.

Pikërisht kjo është arsyeja pse ligji është kundërshtuar nga organizatat mjedisore dhe protestuesit, të cilët kërkojnë shfuqizimin e tij dhe rikthimin e kufizimeve më të forta të ligjit të mëparshëm.

Një tjetër kërkesë e shtuar nga të anketuarit lidhet me Kodin e ri Zgjedhor, që të garantojë që çdo votë të jetë e barabartë. Ata kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me synim hapjen reale të listave të kandidatëve, dobësimin e kontrollit të kryetarëve të partive mbi përzgjedhjen e deputetëve dhe forcimin e përfaqësimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve në Parlament.

Në korrik 2024, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke vendosur një sistem të kombinuar për listat e kandidatëve: rreth një e treta e tyre renditen në një listë të mbyllur, të përcaktuar nga drejtuesit e partive, ndërsa pjesa tjetër garon në listë të hapur me votë.

Ndryshimet mundësuan gjithashtu votimin me postë të emigrantëve, por ruajtja e listës së mbyllur u kritikua sepse garanton zgjedhjen e një pjese të deputetëve sipas renditjes së vendosur nga partitë dhe kufizon ndikimin e drejtpërdrejtë të votuesve mbi kandidatët. Pikërisht për këtë arsye, protestuesit kërkojnë rishikimin e Kodit dhe hapjen reale të listave.

Image

Të anketuarit janë optimistë se protestat mund të sjellin ndryshim, me 68.1% të tyre që janë përgjigjur “shumë” dhe 22.2% që kanë zgjedhur alternativën “disi”.

Të anketuar pesimistë, janë në pakicë, me vetëm 2.9% që thonë aspak dhe 6.8% që thonë disi./Monitor

 

“Nuk ndalemi pa dhënë dorëheqjen!” Sot dita e 49 e revoltës në Tiranë, qytetarët sërish në shesh kundër Ramës dhe qeverisë së tij

Revolta qytetare kundër kryeministrit Edi Rama, qeverisë së tij dhe gjithë klasës politike shënon sot, më 18 korrik 2026, ditën e saj të 49-të radhazi. Pas një tjetër marshimi masiv mbrëmjen e djeshme, ku protestuesit u stacionuan para godinës së Kryeministrisë, organizatorët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje akoma më të madhe pasditen e sotme.

Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje, e cila ka mbushur sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej javësh, mbetet e pandryshuar: dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i plotë i asaj që ata e konsiderojnë si “kasta politike” që ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.

Si çdo natë, edhe në protestën e fundit nuk kanë munguar pankartat me mesazhe të forta ironike dhe satirike të drejtuara si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj opozitës. Sheshi ka jehuar nga brohoritjet që tashmë janë kthyer në simbolin e kësaj kryengritjeje qytetare:

-“Shqipëria kërkon revolucion”

-“Shqipëri e re”

-“Ju erdhi fundi”

-“Rama SPAK you!”

-“Parlament i krimit”

Pas 48 ditësh rezistencë të pandërprerë, koordinatorët e protestës konfirmojnë se revolta nuk ka ndërmend të ndalet dhe se tubimi i sotëm do të jetë një tjetër tregues i vendosmërisë qytetare.

“Ne do të jemi në shesh çdo ditë. Kjo lëvizje vetëm sa do të rritet derisa zëri i sovranit të dëgjohet dhe të plotësohen të gjitha kërkesat tona,” janë shprehur organizatorët, duke ftuar sërish të gjithë qytetarët t’iu bashkohen në Bulevard.

Sulm me dronë 800 km larg kufirit, Ukraina i shkatërron Rusisë bombarduesin strategjik me vlerë 26 mln dollarë

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka njoftuar se ka ndërmarrë një sulm të suksesshëm me dronë me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus, duke shënjestruar një bazë ajrore në rajonin e Saratovit, qindra kilometra larg vijës së frontit. Objektiv i këtij operacioni ka qenë një bombardues strategjik rus Tu-95, i cili ka pësuar dëmtime kritike.

Sipas të dhënave të bëra publike nga SBU, dronët ukrainas kanë përshkuar një distancë prej rreth 800 kilometrash për të arritur te objektivi. Nga goditja, raportohet se pjesa e pasme e avionit luftarak është dëmtuar rëndë.

Bombarduesi Tu-95 konsiderohet si një nga kolonat vertebrore të aviacionit strategjik të Moskës. Rusia e ka përdorur rregullisht këtë lloj avioni gjatë agresionit në Ukrainë për të lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi drejt qyteteve dhe infrastrukturës kritike ukrainase.

Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai e ka përshëndetur operacionin e SBU-së, duke e cilësuar si një tjetër goditje të rëndësishme me rreze të gjatë ndaj kapaciteteve ushtarake të Rusisë.

Ky sulm vjen në kuadër të strategjisë së intensifikuar të Kievit për të goditur objektivat ushtarake ruse larg kufirit, me qëllim gjymtimin e logjistikës dhe fuqisë ajrore të armikut. Edhe në operacione të mëparshme, Ukraina ka pretenduar se ka dëmtuar ose shkatërruar disa avionë ushtarakë rusë përmes përdorimit efikas të dronëve. bw

Diaspora vjen në protestën para Kryeministrisë- Pankarta me firmat e shqiptarëve, simbolikë e veçantë e revoltës qytetare

Një prej pjesëmarrësve në protestën e 48-të para Kryeministrisë prezantoi një pankartë me firmat e shqiptarëve të diasporës, duke e cilësuar atë një simbol të mbështetjes për revoltën qytetare.


Sipas tij, pankarta përmban firmat e shqiptarëve që janë larguar nga vendi, ndërsa u shpreh se ajo përfaqëson zërin e emigrantëve që, sipas tij, janë detyruar të emigrojnë.

“Këtë pankartë e kam sjellë nga diaspora. Ajo mban firmat e shqiptarëve që janë detyruar të largohen nga ky vend. Është një simbol i revoltës qytetare dhe i mbështetjes së diasporës për këtë kauzë”, deklaroi ai.

Protestuesi theksoi se lëvizja do të vijojë deri në përmbushjen e objektivave të saj.

“Kjo është një rrugë pa fund. Jemi në ditën e 48-të dhe nuk do ta lëmë deri sa këtij sistemi t’i vijë fundi”, u shpreh ai. Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë bojkotin ndaj mediave, duke e konsideruar atë pjesë të aksionit të protestës. gsh

Asnjë hap pas- Revolta në ditën e 48, qytetarët sërish në shesh: Jo negociata! Rama të japë dorëheqjen

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike hyn sot në ditën e saj të 48-të. Edhe këtë pasdite, qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, duke konfirmuar se revolta e nisur prej javësh nuk ka ndërmend të ndalet.

Organizatorët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe, ndërsa ritheksojnë se kërkesa kryesore mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i kastës politike që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.

Mesazhi i protestës u bë edhe më i qartë në ditën e 47-të, kur organizatori Edison Lika deklaroi se lëvizja nuk do të hyjë në asnjë negociatë dhe nuk do të lejojë askënd ta përfaqësojë politikisht.

“Kjo lëvizje nuk do futet kurrë në negociata sepse kërkesat i ka të qarta. Nuk kemi për të negociuar me askënd. Pika e parë e kësaj proteste është dorëheqja e Ramës”, u shpreh ai.

Gjatë protestës së djeshme, aktivistët kritikuan edhe përpjekjet që, sipas tyre, synojnë të krijojnë idenë e një reflektimi brenda mazhorancës, duke theksuar se qytetarët nuk do të mjaftohen me lëvizje kozmetike apo ndryshime emrash në qeveri.

Një nga momentet më simbolike ishte pjesëmarrja e studentëve të veshur me pelerinat e diplomimit. Me mesazhin “Ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi”, ata deklaruan se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa rininë.

Po ashtu, aktivistja Sidorela Vatnikaj kërkoi që hetimet të mos ndalen te ish-zyrtarët, por të shtrihen deri te drejtuesit më të lartë të qeverisë.

“Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë”, deklaroi ajo.

Edhe pankartat vijuan të ishin një nga elementët më të spikatur të protestës, me mesazhe ironike dhe satirike ndaj qeverisë, opozitës dhe gjithë klasës politike. Nuk munguan as brohoritjet që tashmë janë kthyer në simbol të kësaj lëvizjeje: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, “Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament i krimit” dhe “Rama SPAK you!”.

Pas 47 ditësh radhazi në shesh, organizatorët këmbëngulin se protesta do të vijojë çdo ditë, duke ftuar qytetarët të bashkohen edhe sot në tubimin e 48-të, që sipas tyre do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të protestuesve. bw

Dita e 47 e rezistencës, qytetarët lënë shënimin gjigand për klasën politike: Rama-Balluku “SPAK YOU”

Në ditën e 47-të të protestës kundër qeverisë, qytetarët kanë lënë një mesazh gjigant të shkruar në tokë, në sheshin përballë Kryeministrisë, aty ku zhvillojnë çdo ditë tubimet e tyre.

Në shkrimin e madh drejtuar klasës politike, protestuesit kanë vendosur frazën: “Rama-Balluku SPAK YOU!”, duke iu referuar thirrjeve të tyre për hetime nga SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Edhe gjatë protestës së sotme, të shumtë ishin qytetarët dhe aktivistët që shprehën mbështetjen e tyre ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, por theksuan se kërkojnë prej tyre hetime ndaj zyrtarëve të korruptuar, duke nisur nga kryeministri, të cilin e konsideruan edhe si “kokën e një bande kriminale”.

“Sigurisht, e kemi thënë dhe do ta themi, kërkojmë nga SPAK hetimin e Edi Ramës si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar“, tha aktivisti Edison Lika.

Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi nga protesta se qytetarët kërkojnë hetim për të gjithë zyrtarët e dyshuar për korrupsion, duke nisur nga kryeministri Edi Rama.

“Kemi thënë që i mbështesim, por jemi kërkues. Jemi mbështetës të procesit të hetimit ndaj zyrtarëve, por kërkojmë që të hetohen të gjithë, duke filluar nga Edi Rama, si koka e një organizate kriminale dhe jo më si një kryeministër”, tha ajo. Panorama

 

Ambasadori i Spanjës i bashkohet protestës së qytetarëve para Kryeministrisë

Një detaj mjaft interesant është fotografuar pasditen e djeshme përgjatë zhvillimit të protestës në ditën e saj të 47-të përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.


Gjatë kohës që qytetarët dhe aktivistët po grumbulloheshin në shesh dhe po mbanin fjalimet e tyre të revoltuar me qeverinë, në trotuarin ngjitur me godinat qeveritare është parë të kalojë Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Gabriel Cremades.

 

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, diplomati spanjoll ka zgjedhur të kalojë shumë pranë zonës ku po zhvillohej revolta qytetare.

Kujtojmë se në ditët e para të protestës, edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato u pa duke ecur mes protestuesve në bulevard. gsh

Protesta në ditën e 47- Bulevardi para Kryeministrisë në epiqendrën e revoltës kundër Ramës dhe gjithë klasës politike

Sot shënohet dita e 47-të e protestës qytetare, e cila prej më shumë se një muaji e gjysmë ka kthyer bulevardin para Kryeministrisë në epiqendrën e revoltës kundër qeverisë së Edi Ramës dhe gjithë klasës politike.


Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar tashmë në një lëvizje qytetare me një axhendë shumë më të gjerë.

Çdo mbrëmje, qytetarë nga Tirana dhe rrethe të ndryshme të vendit mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku mbahen fjalime dhe përsëritet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime rrënjësore në sistemin politik.

Edhe në protestën e 46-të, qytetarët deklaruan se nuk do të ketë tërheqje dhe se qëndresa do të vijojë deri në arritjen e objektivave të saj. Nga podiumi para Kryeministrisë u theksua se revolta nuk është më vetëm kundër qeverisë, por kundër modelit politik që, sipas protestuesve, ka mbajtur peng vendin për më shumë se tri dekada.

Mesazhet e mbrëmjes së djeshme u fokusuan te vazhdimësia e protestës, roli i të rinjve në këtë lëvizje dhe thirrjet për pjesëmarrje edhe më të madhe në ditët në vijim. Protestuesit u shprehën se nuk do të ketë pushim dhe se tubimet do të vazhdojnë çdo ditë, duke e konsideruar këtë një betejë qytetare për ndryshim. gsh

“Rrëzohu ose dorëzohu”- 47 ditë revoltë! Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës: Ju erdhi fundi!

Sot shënohet dita e 47 e protestës qytetare, e cila prej më shumë se një muaji e gjysmë ka kthyer bulevardin para Kryeministrisë në epiqendrën e revoltës kundër qeverisë së Edi Ramës dhe gjithë klasës politike.

Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar tashmë në një lëvizje qytetare me një axhendë shumë më të gjerë.

Çdo mbrëmje, qytetarë nga Tirana dhe rrethe të ndryshme të vendit mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku mbahen fjalime dhe përsëritet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime rrënjësore në sistemin politik.

Edhe në protestën e 46-të, qytetarët deklaruan se nuk do të ketë tërheqje dhe se qëndresa do të vijojë deri në arritjen e objektivave të saj. Nga podiumi para Kryeministrisë u theksua se revolta nuk është më vetëm kundër qeverisë, por kundër modelit politik që, sipas protestuesve, ka mbajtur peng vendin për më shumë se tri dekada.

Mesazhet e mbrëmjes së djeshme u fokusuan te vazhdimësia e protestës, roli i të rinjve në këtë lëvizje dhe thirrjet për pjesëmarrje edhe më të madhe në ditët në vijim. Protestuesit u shprehën se nuk do të ketë pushim dhe se tubimet do të vazhdojnë çdo ditë, duke e konsideruar këtë një betejë qytetare për ndryshim. bw

Aktivisti Arben Kola: Rama dhe Berisha janë bashkë, ne jemi këtu për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes

Aktivisti Arben Kola iu është përgjigjur zërave se ai është larguar nga protesta, po ashtu ka shpjeguar edhe një herë kuptimin e sloganit “Shqipëri e re”. Ai tha se është bazuar në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” dhe i ftoi qytetarët ta lexojnë dhe kuptojnë.


“Shpesh herë na pyesin çfarë është parrulla Shqipëria e re janë mosha e tretë, ne dhe fëmijët që përbëjmë këtë mozaik. Shqipëria e re është themeluar nga Rilindasit, ju ftoj ose të blini “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet? Ky manifest u hartua në Bukuresht. Lexojeni, kuptojeni dhe zbatojeni. Pjesa më e madhe kanë exuar librat e George Orëell, por në kohën e Covid u dorëzuan, disa këtu në shesh nuk u dorëzuan kundërshtuan diktaturën komediane. Manifesti për Shqipërinë e re është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”?

Jam këtu çdo ditë në shesh, s’kam nevojë për protagonizëm, ëndrra ime është një Shqipëri e lirë dhe demokratike, synimi është zgjimi i kombit shqiptar. Prania juaj këtu është rezultat i keqqeverisjes, nisi me betejat për lumenjtë detet, korrupsionin. Rama dhe Berisha janë bashkë për shkatërrimin e Valbonës, janë bashkë në Rrjoll ku u tërhoqën zvarrë banorët. Mos u dorëzoni dhe mos u ndikoni nga propaganda, jemi bashkë për rrëzimin e Edi Ramës”, tha ai. gsh

Revolta qytetare nuk njeh pushime! Mbahet sot protesta e 46, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Shqipëria hyn sot në ditën e 46-të të protestës qytetare, ndërsa organizatorët kanë bërë të qartë se revolta nuk do të ndalet as gjatë sezonit veror.

Edhe këtë mbrëmje, qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku do të vijojnë protestën kundër qeverisë së Edi Ramës dhe gjithë klasës politike.

Ajo që nisi si një reagim kundër projektit
në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë qytetare, e cila prej 46 ditësh kërkon dorëheqjen e kryeministrit, ndryshimin e sistemit politik dhe, sipas protestuesve, ndërtimin e një Shqipërie të re.

Ditët e fundit aktivistët kanë ritheksuar se nuk do të ketë asnjë ndërprerje të protestës gjatë verës. Ata deklaruan se qytetarët do të vazhdojnë të dalin çdo mbrëmje në shesh deri në muajin shtator, duke e cilësuar qëndresën si mënyrën e vetme për të mbajtur presion ndaj qeverisë.

Gjatë protestës së 45-të, nuk munguan thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa nga podiumi u bë thirrje që pjesëmarrja të rritet çdo ditë.

Organizatorët kanë ftuar sërish qytetarët nga e gjithë Shqipëria, por edhe diasporën, t’i bashkohen protestës, duke theksuar se “nuk ka pushime për revoltën” dhe se tubimet do të vazhdojnë pa ndërprerje deri në realizimin e kërkesave të saj. BW

UGSHPD: E “MARTA E MADHE” APO E MADHJA MARTA?

(Shtytja e fundit për Ramën prej Komisioneres së Zgjerimit, Kos)


Edhe pse zhvillohet e drejtpërdrejtë një konferencë shtypi në Bruksel, titujt paraprijës nuk kombinojnë me ata përfundimtarët kur bëhet fjalë për Shqipërinë. Nuk kombinojnë sepse protokolli dhe rregullat ose shkurt ‘burokracia e dobishme’ që e nxjerr produktin finalizohet në një dokument, përcillet ndryshe si informacion. Pra Brukseli dhe qeveritë e interesuara që në datën 10 Korrik e dinin se do mbërrinin në këtë pikë. Kjo është thënë më thjeshtë është angazhim, punë dhe shërbim i qeverisë ndaj qytetarëve për çka ata janë zgjedhur për të drejtuar. Kësisoj ajo që arriti Shqipëria ishte
 një hap përpara. Mbyllja provizore e negociatave të anëtarësimit me tre kapitujt; kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”. Konferenca e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE e 14 Korrikut 2026 ka ndërmjet të sotmes dhe hapjes zyrtare të negociatave me Shqipërinë plot 4 vite 19 Korrik, 2022 atëherë kur në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE u parashtrua metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.

Në konceptin ‘kohë’, fillimi i këtij procesi ishte edhe një parapërgatitje që lidhet me kohëzgjatjen. Tani pas katër vitesh kemi mbylljen provizore të tre kapitujve ç’ka na tregon se deri në mbylljen e plotë janë edhe 30 të tillë të përmbledhur në gjashtë grup-kapituj. 
Interesante është të kuptohet se si politika shqiptare e administron kohën në këtë proces. Sepse katër vite janë një kalendar ku minimalisht futen tre raunde zgjedhorë, të përgjithshme apo vendore kjo pak rëndësi ka, por shanset pas çdo raundi zgjedhor konfigurimi pluralist dhe shkalla e përfaqësimit detyrimisht reflekton rezultate dhe pëlqyeshmëri për t’i besuar drejtimin një force politike, një aleance forcash politike dhe gjithshka tjetër që i jep kuptim zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe integritetit kombëtar dhe sidomos përmirësimet në të gjitha fushat e jetës për mirëqenien e popullit shqiptar. E parë në këtë proces mbyllja e kapitujve është një përgjegjësi e ndërqeveritare e orientuar si Shqipëri- BE dhe jo një monopol i vetëm i një qeverie. 
Këta tre të parët nuk mund të thuhet thjeshtë se janë më të lehtë apo më pak të rëndësishëm, por janë një fillim i mirë edhe për të mësuar procesin. Është kontribut i një qeverie që ka rradhën në drejtimin e vendit, por jo me do e mos vetëm i një force të vetme kur bëhet fjalë se ka një Kuvend ku do të duhej të dëgjohej mendimi ndryshe, pra jeta pluraliste. Transparenca dhe bashkëpunimi sikurse ka edhe ngjarje jo të vogla që tregojnë se kur përfaqësuesit e zgjedhur nuk japin drejtësi dhe rezultate atëherë natyrshëm do të gjejë shpërthim vullneti i popullit. Dukshëm në ngjarjet e deritanishme një protestë qytetare paqësore i ka bërë të pandjeshme gëzimet që mund të vijnë nga lajme të tilla. Mbyllja e tre kapitujve që vijnë në ditën e 45 të pandërprë të protestës mban të mbërthyer të 33 kapitujt së bashku dhe ka forcën dhe presionin e duhur për të shtruar kërkesat madhore dhe kërkuar zgjidhjen e tyre. Shifra se 93 % e shqiptarëve e duan BE tregon më së miri se përse ky organizim mbarëkombëtar duke përfshirë edhe diasporën, përkrah zhvillimin dhe kërkon ndryshime.
Kush e ka ndjekur protestën me siguri ka dëgjuar se arsimi, kultura, shkenca dhe kërkimi shkencor të përfshira në dy kapituj kanë problematikat e tyre që lidhen me mplakjen dhe lëvizjen e popullsisë brenda vendit dhe në emigracion.
Vetëm një statistikë e INSTAT-it duke ju referuar vitit 2024-2025 se në arsimin para universitar ka një rënie të numrit të studentëve me 3% ose 10.000 nxënës më pak në bankat e shkollës sado që ta thuash bombastike, propagandistike, kritikuese, “armiqësore” frazën kjo e dhënë është mjaft goditëse. Sikur 1 nxënës të kësaj moshe ta shoqërosh me dy prindër, gjysh e gjyshe pra një familje me lidhje tradicionale kjo tregon se vendi përjeton një dallgë demografike që lëviz brenda apo jashtë vendit. Ke pasojat e përshtatjes me kushtet e reja sikurse ndesh dhe prishjen e bërthamës së familjes shqiptare në kërkim të punës, të ardhurave për plotësimin e nevojave ekonomike apo edhe largimin nga vendi.
Pra le ta mendojmë se njerëzit e zakonshëm i dëgjuan deklaratat nga konferenca për shtyp në Bruksel. Po veçojmë Komisioneren për Zgjerimin në BE, Marta Kos:-Sot është një ‘super e martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër Konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi, po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.”
Kjo është një ndjenjë gëzimi dhe përgjegjësi e detyrave të saj që i sheh se marrin rrugë me vendet përkatëse. Dikush më para dikush në start, por e rëndësishme është metodologjia e zgjerimit. Në drejtim të Shqipërisë duke ju drejtuar edhe me emër kryeministrit Rama, kur në konferencë ishte gjithashtu i pranishëm Thomas Byrne, ministër i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, Komisionerja Marta Kos u shpreh se:- “ Tre përfunduan, kanë mbetur edhe 30 të tjerë. Këto janë fusha kur Shqipëria është tashmë pjesë e familjes evropiane.” 
Me taktin diplomatik ky leximin politik i bërë duke e marrë në konsideratë periudhën prej një muaji e gjysmë që në Tiranë zhvillohet protesta paqësore qytetare është edhe një sinjal paralajmërues për kryeministrin Rama i cili është shprehur më shumë se një herë mes anëtarëve të Rilindjes Socialiste se rasti kur Shqipëria të ulet zyrtarisht si anëtare në tryezën e Bashkimit Evropian do të jetë koha e duhur për t’u larguar nga drejtimi i Partisë Socialiste dhe i qeverisë. 
Pra kur Marta Kos thekson se:-“Këto janë fusha kur Shqipëria është tashmë pjesë e familjes evropiane.”
Gjithë kuptimi i përmban këshillën e një hapi të duhur të nevojshëm ndoshta për t’u larguar si edhe respektin e gjithë këtyre viteve të bashkëpunimit mes BE-së dhe Shqipërisë. 30 kapitujt e tjerë lënë të kuptohet se ata duan kohën e tyre, duan një administratë të përgjegjshme, kanë nevojë për gjithpërfshirje dhe nuk mund të mbeten as vetëm me fuqinë e kartonit në Kuvend, as të ndërvaruara në premtimet e kaluara elektorale dhe as duke e trembur procesin e zhvillimit me faktorin e opozitës si gogol ose e paaftë për realizimin e gjërave që lënë të kuptohet se është vetëm një parti politike që vepron. Është vetëm një njeri në krye të asaj partie që po ashtu mendon. Kuvendi i Shqipërisë sidomos gjatë kësaj periudhe dallon për cilësinë dhe etikën më të dobët të performancës së saj e krahasuar me problematikat që po kalon vendi dhe bota.
Pikërisht Korriku, është fatkeqësisht muaji që shënon edhe mbylljen e sesionit të XI të Kuvendit për pushimet e verës në një kohë që qytetarët protestojnë. Kjo përforcon zvarritjen e detyrave në vendimmarrjet emergjente që i nevojiten shoqërisë shqiptare. Problematikat janë të shumta dhe protesta qytetare i ka bërë të qarta ato për t’i ballafaquar dhe bërë transparente ashtu siç e kërkon marrëdhënia e shtetit me qytetarët. Sikur nga sot të marrim si shembull detyrat e shtëpisë që BE-ja i ka lënë Shqipërisë për rishikimin e dy ligjeve një për mjedisin dhe çështjeve të pronësisë , Zonat e Mbrojtura dhe tjetri për Investimet Strategjike gjatë formulimit në Konferencën e Shtypit, Komisionerja Marta Kos ishte gjithashtu shteruese përsa pyetjet u drejtuan duke u shprehur se:-” E dimë që kjo është një çështje shumë e rëndësishme në debatin publik shqiptar. Protestat janë pjesë e proceseve më të gjera demokratike dhe e mënyrës se si vendet, mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta janë pjesë thelbësore e proceseve pluraliste demokratike. Kështu që inkurajoj që qeveria shqiptare të marrë hapa përpara trajtojë shqetësimet e qytetarëve, por është ajo çfarë thashë që procesi i anëtarësimit është një proces në vazhdimësi. Kapitulli 27 është një prej kapitujve më kërkues, kështu që sigurisht jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti sepse Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin për të cilin kemi rënë dakord kur çelëm grup kapitujt.”  Ajo që e përforcon të gjithë këtë kërkesë është edhe ky theksim që veçohet prej përgjigjes së Marta Kos:-Jemi të sigurtë që asgjë nuk do të ndodhë në këtë fushë që nuk do të jetë harmonizuar me Legjislacionin Evropian.” 
 
E parë në këtë vështrim, ndryshe nga sa e sheh propaganda qeveritare dhe amplifikojnë mediat pranë saj se mbyllja e tre kapitujve ishte një fitore e Rilindjes Socialiste, elitës drejtuese dhe kreut të saj, aq sa edhe disa ide absurde dilnin në konkluzionet se “Protesta Mbaroi”, duhet thënë se tek qëndrimi i Evropianëve vihet re tërheqja me kulturën dhe popullaritetin e protestës, me ndërkombëtarizimin e problemeve të mbrojtjes së mjedisit, me luftë kundër korrupsionit kur po provohet se nivele të larta dhe politika janë përzier në to.
 
E përsa zhurma propagandistike përcillej si “Super e Marta”, më i pakënaquri për detyrat  që janë ngarkuar dhe zotimet e pamundura që u detyrua t’ thotë se do t’i mbajë ishte kryeministri Rama. Ai i detyruar nga fundi i konferencës u shpreh se:-… sepse dua të sigurohem që nuk ka një tjetër keqinterpretim të formulimit. Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike që është diçka për të cilin kemi disa kohë që kemi rënë dakord sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vetë dhe po punojmë ngushtësisht edhe me komisionin për atë që do ta zëvendësojë këtë ligj. Kur bëhet fjalë për ligjin tjetër, nuk kemi asgjë për të shfuqizuar edhe pse ka pasur një rezolutë në Parlamentin Evropian që ka kërkuar këtë, por na duhet ta trajtojmë ligjin mbështetur në të gjitha standardet evropiane dhe të ndryshojmë brenda këtij ligji gjithçka që nuk është në pajtim me standardet, evropiane, sepse shfuqizimi nënkupton anulim dhe ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet, do të anulohet ndërkohë që ligji për zonat e mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi. Është një ligj për të cilin kemi punuar shumë fort për ta hartuar. Ligji i parë në vend për zonat e mbrojtura.”
 
Në fakt Ligji 21/2024 do të vërtetohet që është shkaktari. Prapësimi i tij nënkupton shumë faktorë ku ndër kryesorët janë pjesëmarrjen e publikut, të ekspertëve, ruajtjen e sovranitetit të territorit Shqiptar, mbrojtjen e gjallesës me rëndësi për vendin dhe planetin dhe duart larg të sipërmarrjeve klienteliste dhe legjislacionit posaçërisht për ta.
Në këtë kuptim 14 Korriku në takimin e nëntë Ndërqeveritar Shqipëri-BE mund të kuptohet edhe si e “Marta e Madhe”. Një leksion i qytetarisë ndaj arrogancës.
 
14 Korrik, 2026
 
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Send this to a friend