“Qëllimi i sulmit është të përhapë frikë mes popullatës dhe të ndalojë Turqinë nga objektivat, pretendimet, përparimin e bekuar të saj. Por kurrë nuk do t’ia arrijnë këtij qëllimi, kjo është e pamundur”
ANKARA – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.
Presidenti Erdogan dhe homologu i tij Aliyev pas takimit dypalësh morën pjesë në takimin e 5-të të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Azerbajxhan.
Ndërsa më pas mes dy vendeve janë nënshkruar “protokolli për shkëmbimin e personelit ushtarak-civil me qëllim kulturor dhe social”, “marrëveshja për punësimin me qëllim për përfitim të të ardhurave të anëtarëve të familjeve të zyrtarëve me misione diplomatike dhe konsullore”, “marrëveshja e bazuar në bashkëpunimin në fushën e ekzaminimit mjeko-ligjor”, “marrëveshja për ndryshimin e lejeve të drejtimit dhe njehsimin e ndërsjellë”, “protokollin e bashkëpunimit teknik me deklaratën e përbashkët të takimit të 5-të të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë”.
Erdoğan ka rikujtuar se takimi i 5-të i Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Azerbajxhan do të mbahej në Baku, por për shkak të sulmit terrorist presidenti Aliyev vendosi që bashkë me delegacionin e tij të vinin në Ankara.
Presidenti Erdogan u shpreh më tej se: “Sulmi i ndërmarrë ditën e dielë në Ankara është një sulm i kryer kundër Turqisë, ndaj të gjithë 79 milionëve. Me këtë sulm organizata terroriste e ka treguar edhe njëherë fytyrën e saj të ulët dhe vrasëse. Qëllimi i sulmit është të përhapë frikë mes popullatës dhe të ndalojë Turqinë nga objektivat, pretendimet, përparimin e bekuar të saj. Por kurrë nuk do t’ia arrijnë këtij qëllimi, kjo është e pamundur. Ata që përdorin terrorizmin si mashë, ata që duan të mbyllin llogaritë mbi gjakun e të pafajshmëve nuk do ta gjunjëzojnë kurrë Turqinë, përkundrazi ato do të gjunjëzohen vetë”.
– “Azerbajxhani mik i ditëve të vështira”-
Presidenti turk ka theksuar se Azerbajxhani me solidarizimin e treguar menjëherë pas sulmit terrorist në Ankara ka treguar se është mik i ditëve të vështira. “Ata që mbështetjen ndaj terrorizmit, mbulimin e terroristit e paraqesin si ‘liri‘, ata që rendin pas përfitimeve politike pa u varrosur ende të vrarët duhet të marrin mësimin e duhur nga ky mesazh vëllazërie. Këto ngjarje dhe reagimet e dhëna vendosin qartë se çështja nuk është një bashkim vendesh, por bashkimi i frymës së unitetit dhe paqes e cila është edhe më e rëndësishmja”- u shpreh Erdoğan.
Ai ka vënë në dukje se si komb me mbështetjen e vendeve mike dhe vëllezër do të kapërcejnë këto probleme dhe sëbashku do të ndërtojnë Turqinë e re. Gjithashtu ka shprehur falënderimet në emër të popullit turk për Aliyev-in dhe për të gjithë azerbajxhanasit.
Erdoğan, ndër të tjera u shpreh se Turqia vazhdon të qëndrojë në mënyrë të vendosur në anë të Azerbajxhanit në çdo fushë dhe kryesisht në çështjen e Karabakut të Sipërm i cili mbahet i okupuar dhe ka shtuar se do të vazhdojnë të japin këtë mbështetje. aa
Komentet