Zakonisht, për të shprehur gjendjen kënetore prej mosreformimit të PD për shkaqe të ndryshme,
që lidhen edhe me ndryshimet demografike për pasojë të shpopullimit,
edhe prej politikave përjashtuese të elitave prej klaneve e kastës, përdor dy terma:
establishmenti i PD dhe kupola e PD.
Me kupolë nënkuptoj Kolonën e Pestë brënda PD që punon në favor të Edvin Ramës.
Ndjej dhimbje të madhe se pasojat e këtyre aranzhimeve nën rrogoz i vuajnë demokratët, elektorati që i ka votuar!
Ky elektorat i vuan çdo ditë pasojat e të qenit votues i PD,
i diskriminuar në tregun e punën,
i përjashtuar nga administrata publike, e cila ka arritur sipas INSAT rreth 200 mijë vetë, tërësisht patronazhistë dhe anëtarësi e PS,
i përjashtuar nga projektet,
i përjashtuar nga jeta publike sociale,
ku gjithçka, nga polici që ngre traun e doganës
e deri tek artistët e poetët me promovimet e tyre që na vijnë me paret e taksapaguese në diasporë, kanë përzgjedhje kulturore sipas shijeve politike dekulturuese vulgare me vulën dhe logon e PS.
Kemi arritur degradim soc-kulturor kombëtar nën hijen e opozitës që, me rrogat e majme, jeton në rehati të plotë duke vegjetuar,
ndërsa elektorati që i voton është i privuar nga e drejta e një jete të dinjitetshme e normale.
Nga Rithemelimi i PD deri tek Ripërtritja nuk shoh asnjë metamorfozë si mohim i 14 viteve opozitë për të pohuar një ndryshim strategjik mbështetur në ideale dhe kauza të shpallura nga ky formacion politik.
Nuk i dëgjoj kurrë të flasin për dekomunistizim, një proces i domosdoshëm si vijë e kuqe midis dy sistemeve, i pakryer dhe me pasoja të rënda, sepse ka favorizuar lulëzimin e shtetit të kapur në një regjim hybrid.
Nuk i dëgjoj kurrë të flasin për shtresën e të përndjekurve, ku, edhe sot e kësaj dite, 6000 viktima të diktaturës kanë mbetur të pagjetur e pavarre,
nuk dëgjoj kurrë të flasin për gjendjen e Akademisë së Shkencave,
për hierarkinë kulturore të eleminuar, zëvendësuar nga çinovnikë, që boshllëkun intelektual e plotësojnë me cinizëm dhe bindje të verbër
për mungesën e kritikës së specializuar të fushave të ndryshme,
për vdekjen e filmit shqiptar, të dramës shqiptare varrosur nën rrënojat e Teatrit Kombëtar,
kur dramat dhe tragjeditë e shoqërisë shqiptare jetohen live ndërkohë që në skena dhe ekranë shfaqet vulgariteti
për indiferencën e dënueshme ndaj politikave sllaviste dhe miteve serbe që u mëkohen studentëve në aulat e Universitetit të Tiranës duke censuruar historinë kombëtare nga themelet,
për mungesën e zërit kritik i anatemuar dhe ekskomunikuar sapo ngre krye,
për vuajtjet e përditëshme të njerëzve që përballen me jetën e pamundur nga sportelet e spitaleve, mungesat e medikamenteve e kurave jetike për pacientët e Onkologjikut, gjendjen e mjerueshme të familjeve me të ardhura minimale, e fëmijëve pa minimumin e kujdesit jetik, e pensionistëve që luftojnë çdo ditë me çështje të ekzistencës dhe mendohen 1000 herë ta pinë një kafe apo jo.
Për përjashtimin e elitës e zëvendësuar nga anonimë për të plotësuar celulat në luftën brënda llojit në parti,
ku nuk ndëgjohet asnjë zë i ri, kur ekrani politik nuk promovon idè, as energji, as frymëzim por vetëm i shërben zgjatjes së pushtetit të opozitës tash 14 vjet në opozitë !
Ku asnjë nuk pyet e përse e humbëm kredibilitetin tek ata që na besuan.
Moralin gjejeni vetë!
Prandaj një nga sloganet kryesore të protestuesëve se “opozita jemi ne” dhe ky parlament nuk i përfaqëson më!