Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm.
Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe.
Tetë subjekte politike u bashkuen për me garu në nji listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kundër regjimit autokratik të Vuçiç. Këto zgjedhje vijnë si pasojë e presionit të protestave disa mujore dhe i gjejnë shqiptarët ma të bashkuem.
Qeveria jonë as reagoi e as e mbështeti nji akt të tillë vendimtar për përfaqësimin që u bahet shqiptarëve në Serbi. Rrallëherë ngrihet çështja e tyne edhe në takime të diplomacisë shqiptare, përveçse kur bahet fjalë për marrëveshje të mbrapshta siç ishte rasti i konsullatës serbe në Shkodër.
Shqiptarët në Serbi përveçse shtypen prej vitesh sidomos si pasojë e spastrimit me mjete administrative, nuk marrin as mbështetjen e meritueme nga qeveria e Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës çdo vit e ka rrit me nga 1 milion euro mbështetjen për shqiptarët në Serbi. Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?