Nuk e njoh Vlora Hysenin dhe nuk dua as ta rëndoj, as ta gjykoj për skandalin që shpërtheu.
Por, në sytë e mi, ajo e zhvlerësoi veten duke akuzuar kot një gazetare, gjë që një oficer i zbulimit nuk do ta bënte as me e qitë cullak në prush.
Sepse, në pikëpamjen time, një oficer i mirëfilltë i zbulimit është pjesë e elitës së një kombi dhe nuk guxon të gabojë.
Por ajo që duhet ta dinë shqiptarët lidhur me këtë skandal është kjo:
Vlora Hyseni është emëruar drejtore e SHISH-it me një prapavijë sherri të madh, që ajo, jam i sigurt, nuk e ka menduar kurrë. Përmes saj, Edi Rama mëtonte t’i bënte karshillëk AKI-së, shërbimit sekret të Kosovës, të cilin zonja Hyseni e kishte udhëhequr deri në shkarkimin e saj.
Me këtë emërim, Rama sfidonte sidomos kryeministrin Kurti, i cili e ka lexuar mirë e qartë veprimtarinë pykore të të parit të Shqipërisë në raport me Kosovën dhe me çështjen shqiptare.
Kryeministri Rama në asgjë nuk është treguar aq këmbëngulës sa në përpjekjet e parreshtura e konkrete për ta defaktorizuar Kosovën. Për ta përçarë, për ta copëtuar atë dhe për ta ndarë bashkë me Serbinë.
Të gjitha emërimet e “kosovarëve” në poste të ndryshme, Edi Rama i ka bërë në funksion të këtij synimi.
Asnjë pushtetar i Shqipërisë deri sot nuk i ka dhënë një grusht kaq të rëndë idesë historike të Rilindjes sonë Kombëtare për ta parë çështjen shqiptare si një të vetme e të pandarë.
Edi Rama e ka bërë këtë shumë herë radhazi dhe publikisht, prandaj Kosova nuk guxon ta harrojë kurrë.
Me veprimet e tij antiKosovë, Edi Rama ka vënë në pah edhe një fakt të rëndësishëm e historik:
Tirana nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë Piemonti i shqiptarëve.