Me një shpejtësi gati 60 km në orë në ndenjësen e pasme të automjetit, kryetari i GPS Taulant Balla të ngrin gjakun më shumë për sigurinë se sa për mesazhin e vëzhgimit mjedisor që ai do të përcjellë.
Zgjidhja klasike e vëzhgimit mund të bëhej në atë territor buzë rrugës drejt Spillesë ashtu sikurse ATSH-ja e paraqet aksionin e Ballës. I kudondodhur dhe që i përgjigjet ankesës së një bashkatdhetari nga Kavaja në diasporë për të treguar se administrata dhe kryetari oponent politik i tij nuk punojnë dhe nuk merren me pastrimin e qytetit. Balla tek sa makina përshkon rrugën është bërë mjeshtër i lajmit të shkurtër thotë se:-“Nuk do presim Fisnikun, se Fisniku, Halili e të tjerë, kanë halle të tjera. Do duhet ta pastrojmë se s’bën atë vendgrumbullim mbetjesh në anë të rrugës. Asnjë ankesë nuk duhet lënë pa u dëgjuar dhe pa u përpjekur për ta zgjidhur”.
Emergjenca e kryetarit të GPS ngjan me imitimin e video mesazhit të kryeministrit Rama kur ai me të njëjtën “skenografi” sqaronte “Pasqyra Albania”. Zë për zë me propagandën ditore parazgjedhore të partisë.
Fakt është se zona e plehrave të hedhura duket pak e vjetër pranë Spillesë. Është shqetësuese dhe është bërë nga njerëz të pandërgjegjshëm. Por zgjidhja mund të vijë edhe nga dronët e policisë të vendosur rishtazi për të gjobitur shkelësit e rregullave të qarkullimit të cilët mund të identifikojnë edhe shumë vatra të tjera veç asaj të Spillesë. Para disa ditësh ishte një zonë parkingu në një lagje të Durrësit, … ke më lart drejt Tiranës pa shkuar tek Inceneratori jo ekzistues i Sharrës, Shajakun me disa vatra mbetjesh që shtohen përditë pa folur për Fushë-Krjujën dhe kryeqytetin që janë në një tejngopje prej mos përpunimit, por që paratë thithen çdo ditë nga Buxheti.
Së fundi kur duhet t’i godasë oponentët politikë të Kavajës, përse nuk pranon Balla se kriza e mbetjeve urbane dhe përpunimi i plehrave u shpik nga Rilindja Socialiste. Kavaja, Peqini, Spilleja ishin fushat e djegies dhe tymit para pesë viteve që e bënë qeverinë të projektonte tre inceneratorë rajonal. As Fieri, as Elbasani dhe as Tirana tani më nuk punojnë ose nuk kanë gjurmë ndërtimi. Por para ama kanë thithur boll nga 110-120 milion euro dhe një kosto e plotë për rreth 180 milion euro që do të dalin nga pagesa koncesionare. Shkrepësen ndoshta para 5 vitesh ja vuri një ish deputet socialist si Sadri Abazi sa për të ndezur projektin e emergjencave mjedisore.
Sot sikur Spilleja të ishte e vetmja vatër ndoshta do t’ja falnim Ballës nxitimin. Ndaj këshilla mbetet:-“Taulant vëre rripin!”. I duhesh qarkut të Tiranës si drejtues i lartë rilindës. Mos e vini jetën tuaj dhe të shoferit në rrezik me shkelje të përsëritura dhe të pa zëna mend.
_____
25 Gusht, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)