A e mban mend kush se nga erdhi i gjithë frymëzimi për pushtet absolut prej Rilindjes Socialiste?
Po!
Po ta kthesh kokën një vit pas, më 2025 madje edhe më 2024 premtimet e Ramës brenda Shqipërisë dhe në diasporë ishin aeroporte, porte, hekurudha, rrugë të asfaltuara, turizëm, arsim, shkencë, mjedis, shëndetësi, drejtësi, Pasaporta Evropiane dhe BE-ja në vitin 2030.
Sot jemi përpara murit të grupkapitujve dhe ku vala e kthimit të emigrantëve nga Evropa drejt vendeve të hyrjes dhe e origjinës, e ndërlikojnë ca si shumë rolin e Ramës në marrëdhëniet ndërkombëtare në se kaosi nuk i jep atij epërsi për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit, pastrimit të parave dhe kriminalizimit të ekonomisë me anë të qarkullimit të parave të narkotrafikut.
Faktet e medias ndërkombëtare dhe vendase e kanë kapërcyer tashmë këshillën dhe mundësinë e parandalimit për këto aspekte që u përmendën më sipër.
Ajo që të bën përshtypje është se pas disa javësh qetësi pushimesh, kryeministri e mblodhi qeverinë për dhënie llogarie. Pra të të gjithë ministrat dhe deputetët socialistë ishin në Pikën Turistike-Tushemisht të qytetit të Pogradecit. Një “risi” nga ato që i hidhen për konsum medias ishte edhe dalja e Diellas përpara tij. Aplikacioni i kryeministrit, pas pyetjeve të bëra ishte në dijeni që Zj. Kumbaro ishte Ministre e Arsimit. Pas “pyetjes” së Ramës se çfarë opinioni kishte Diella për të, përgjigja e përpunuar nga fjalët kyçe CV-t dhe raportet administrative nënvizonte me zërin e robotik atë që :-“Mirela Kumbaro është një kolege më përvojë të çmuar në shërbimin publik. Bashkëpunimi i qartë mes ministrive, është ajo që i kthen prioritetet e kabinetit në rezultate për qytetarët. Përvoja e saj në shërbimin publik është vlerë për punën kolegjiale. Ajo merr forcë të plotë kur shndërrohet në bashkërendim të qartë dhe rezultate për qytetarë.”
Nuk dihet mirë arsyeja se përse tani Diella do të duhej të jepte njohjen si kolege apo të paraqiste performancën e jetës së Kumbaros në qeveri, por këto teatro morën më shumë kujdes për t’u paraqitur si lajme se sa dhënia llogari dyditore e ministrave përpara Ramës.
Përtej dyerve me kangjella ku herë pas here ndalonin makinat qeveritare, grupet e xhirimit u kujdesën dy ditë resht për të rejat nga ku nuk doli ndonjë gjë e veçantë veç lodhjes dhe veshjeve të ndërruara.
E përsa më së fundi u dol me një mesazh ku u tha më në fund se pas 85 Ditësh Protestë Qytetare në Sheshin përpara kryeministrisë, Rama është shprehur se “kemi reflektuar për protestat” dhe se akronimi ‘BESA’ mbledh ato fjalë kyçe si Besimi, Empatia, Shërbimi dhe Angazhimi. Fjalë të kërkuara për t’i mbushur mendjen anëtarëve të GPS dhe ministrave që mbledh rreth vetes. Por jo për t’u treguar përgjegjësitë, pasi ajo me germën ‘P’ të madhe që do të kishte rëndësi si Përgjegjësia, apo edhe ‘U-në’ si Urtësia nëse PS socialiste do ta kishte një mbetur në familjen e vet politike, ose edhe me ‘N-në’ po të duhej që është Ndërgjegjja,… pa e harruar ‘A-në’ që është e Ardhmja.
Pra PUNA nuk është as lojë fjalësh dhe as një akronim.
Është djersë dhe përpjekje që Rilindja Socialiste e ka përvetësuar dhe e shfrytëzon që prej 13-14 vitesh.
Ashtu sikurse dy ditët e mbledhjes qeveritare bënë zhurmën mediatike, dita e fundit që siguronte shikueshmëri nga lidhjet online të rrugës së kthimit, jepnin fort mesazhin e “Pasqyra Albania”, atë se si kjo forcë politike në pushtet po përpiqet të shtrihet dhe të influencojë në territor. Rama shprehet se:“-Kemi konsoliduar pozicionin lidhur me qasjen e re të partisë në territor përmes pranisë besnike dhe kemi konsoliduar disa pozicione, në raport me vitin e dytë të disa programeve të qeverisë”. Njerëzit duhet ta vlerësojnë mirë oreksin e pushtetit të Ramës. Gjërat që premton nuk i mban, por pushtetin ai vazhdon ta drejtojë. Pra pas kësaj gënjeshtre dy ditore kur Protesta vazhdoi në Ditën e 86, kryeministri veç “Dhënies Llogari me dyer të mbyllura”, “Paradës së funksionarëve në një Pikë Turistike”, “Rizbulimit të Diellës në detyrë” dhe “Kultit të Ramës si lider i Rilindjes Socialiste”, nuk kishte fakt më të dhimbshëm dhe ofendues njëkohësisht përdorimi i një pensionisti 78 vjeçar si personazhi i ditës në media dhe në rrjetet sociale. Çelnik Shtupalli, 78-vjeç ishte nga fshati Homçan i Pogradecit, pasi mbledhja qeveritare e ditës së dytë kishte filluar thuhej se priti për pesë orë për të realizuar një takim me kryeministrin i cili rezultoi se ndodhi dhe nga ku dolën urata dhe falënderime për Ramën si “një ndër udhëheqësit më të mirë në botë dhe i qeverisë më të mirë në botë”.
Kjo përshtypje që vjen nga populli dhe jo nga racionaliteti si dhe ftohtësia e Diellës (përpunimi ‘google map’ i saj), përsa i përket gjykimeve kishte të bënte në thelb me një segment rruge prej 4 km. Qeveria Shqiptare ofron në mandatin e katërt me Ballukun ish Ministre Infrastrukturës dhe Karakaçin tani koston për 1 km nga 800 mijë deri në 4 milion euro, ndarë kjo sipas kategorive (Kategoria F, E/C dhe B). Pra sipas bisedës premtimi që do të mbahet tani nga dy pushtetarë si Rama kryeministër dhe Ilir Xhakolli Kryetar Bashkie i Pogradecit xhaxha Çelniku 78 vjeçar do të shohë investimin deri në zgjedhjet e ardhshme lokale me një vlerë nga 2.4- 16 milion euro.
Nuk e dimë se fjala e dhënë në këtë rast a do të mbahet.
Deri tani dy gjëra i kemi të qarta.
Xhaxha Çelniku ka qënë 64-65 vjeç kur Rama e mori pushtetin. Fshati Homçan nuk ka qenë prioritet ndoshta, por asfaltimi shkoi nga Qafë Plloça deri në Kriçkovë tani në atë terren të rrezikshëm ka nevojë për 4-5 km asfalt sipas hartave.
Takimi dy ditor i punëve të mëdha të qeverisë siç i paraqet media dhe propaganda kanë nevojë për shumë transparencë dhe “frena” pa arritur as tek njohuritë e Diellas dhe as tek përdorimi i pensionistit 78 vjeçar Çelnik Shtupalli.
Populli ka një shprehje që thotë:-“mos i bëj petullat me ujë”, por kësaj urtësie që ndoshta ka dalë edhe prej skamjes shumë pak i duhet qeverisë. Në rastin më të keq të vonesës së shtrimit të rrugës dhe jo mbajtjes së fjalës shkak me siguri do të jenë prokurimet dhe tenderat, ndërsa vlerat financiare mbase nuk kanë kurrë rëndësi(!)
Prandaj me këtë pandalshmëri të korrupsionit dhe propagandës, kjo qeverisje e Rilindjes jo vetëm që ka nevojë për t’ia kontrolluar kutinë e shpejtësisë, por se në rast humbje drejtimi ajo ka nevojë për një “kuti të zezë”, çka do të bënte vlerësimin e gjithë komandave të gremisjes fatale për vendin.