Politika perëndimore ndaj Shqipërisë gjatë dekadës së fundit, e përqendruar tek pragmatizmi që i dha përparësi stabilitetit gjeopolitik mbi integritetit demokratik, ka arritur në një pikë dështimi të plotë moral dhe strategjik. Këtë e tregojnë hapur protestat e vazhdueshme në Tiranë.
Për më shumë se një dekadë, diplomatët në Uashington dhe Bruksel vepruan nën supozimin se Kryeministri Edi Rama përfaqësonte një forcë të qëndrueshme dhe modernizuese në një rajon historikisht të paqëndrueshëm.
Në shkëmbim të mbështetjes së përparësive të sigurisë së NATO-s, strehimit të të evakuuarve ndërkombëtarë (përfshirë refugjatët afganë pas tërheqjes amerikane) dhe shërbimit si një shtet që nuk krijon “probleme” në Ballkanin Perëndimor, Perëndimi i ofroi administratës së Ramës një mbrojtje diplomatike.
Rama e shfrytëzoi këtë mbështetje për centralizimin alarmant të pushtetit, erozionin e mbikëqyrjes parlamentare dhe rivendosjen graduale të dominimit të një partie të vetme nën udhëheqjen e një individi, instinktet politike dhe e kaluara familjare e të cilit rrjedhin drejtpërdrejt nga aparati shtetëror i ish-regjimit komunist.
Ironia historike e tolerancës perëndimore ndaj Edi Ramës është e dukshme kur shqyrtohet përmes lentes së aspiratave demokratike të Shqipërisë. Si i biri i Kristaq Ramës, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të regjimit komunist, Kryeministri Rama përfaqëson një linjë pushtetmbajtëse me rrënjë të thella tek shteti totalitar.
Ishte Kristaq Rama ai që, së bashku me zyrtarët më të lartë të regjimit nënshkroi vendimin me vdekje për Havzi Nelën, poetin disident pro-perëndimor që u var publikisht në Kukës më 10 gusht 1988 sepse mbrojti lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut.
Dekada pas rënies së atij regjimi, i biri i një zyrtari të epokës komuniste drejton një një shtet ku zërat e pavarur anashkalohen në mënyrë sistematike, punonjësit e shërbimit civil përdoren për të siguruar fitoren e zgjedhjeve dhe pasuritë publike bregdetare u dorëzohen njerëzve të lidhur me pushtetin nën petkun e ligjeve për investimet strategjike.
Qasja se kjo administratë përfaqëson një qeverisje moderne të modelit evropian nuk mund të mbijetojë më nën peshën tronditëse të skandaleve të veta kriminale.
Një seri ish-ministrash dhe zyrtarësh të lartë, dikur të vlerësuar në kryeqytetet perëndimore si reformatorë, ose janë dënuar, ose janë burgosur, ose janë detyruar t’i ikin drejtësisë.
Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri (2013–2017) u dënua për shpërdorim detyre të lidhur me një rrjet të trafikut të drogës ku përfshiheshin të afërm të tij (vëllezërit Habilaj). Ai u dënua përfundimisht me tre vjet e katër muaj burg (pas shërbimit të provës dhe apelimeve); ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikut të drejtpërdrejtë të drogës.
Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka u burgos për skandalin e inceneratorëve, një skemë masive që kaloi fondet publike te kompanitë guaskë përmes koncesioneve korruptive për inceneratorët e mbetjeve në Fier, Elbasan dhe Tiranë. Ai mori dënime prej 6 vitesh e 8 muajsh (për Fierin) dhe dënime të tjera (përfshirë deri në 10 vjet të reduktuara për shkak të gjykimit të shkurtuar) për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Ish-Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u arratis nga Shqipëria në vitin 2023 për t’i shpëtuar ndjekjes penale nga SPAK-u për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë lidhur me ryshfetet e inceneratorëve.
Ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u arrestua në korrik 2024 pas hetimeve të SPAK-ut për keqpërdorimin e koncesioneve shëndetësore, fondeve të BE-së (SASPAC) dhe parregullsive me tendera.
Sot, madje edhe udhëheqës të lartë aktualë apo të rinj, përfshirë ish-zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, janë përballur me hetime të rrepta nga SPAK-u për tenderat e infrastrukturës.
SPAK-u e akuzoi atë për shkelje të barazisë në tenderat publikë. Parlamenti ka bllokuar në mënyrë të përsëritur heqjen e imunitetit të saj, ndërsa Rama e shkarkoi gjatë hetimit dhe kritikoi publikisht SPAK-un—çka nxiti reagime dhe dënime nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Shqipërisë për kërcënim të pavarësisë së drejtësisë.
Ky kalbëzim i brendshëm përputhet me vlerësimet e publikuara vit pas viti nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara. Raportet Zyrtare të Strategjisë Ndërkombëtare për Kontrollin e Narkotikëve (INCSR) e identifikojnë Shqipërinë si një bazë kryesore operacionale dhe korridor tranziti për krimin e organizuar transnacional, prodhimin e trafikimin e kanabisit dhe lëvizjen e kokainës e heroinës drejt tregjeve evropiane.
Rrjetet kriminale shqiptare bashkëpunojnë me homologët në Evropë dhe Amerikën Latine ndërsa të ardhurat pastrohen rregullisht në ekonominë vendase, veçanërisht përmes lulëzimit të ndërtimeve në zonat urbane, zhvillimeve luksoze bregdetare dhe koncesioneve të mbështetura nga shteti.
Korrupsioni, koordinimi i dobët ndërinstitucional dhe boshllëqet në kuadrin ligjor vazhdojnë ta lehtësojnë këtë situatë.
Kufiri midis aparatit shtetëror, sipërmarrjeve komerciale dhe rrjeteve të krimit të organizuar është zbehur deri në atë pikë sa korrupsioni sistemik shkatërron konkurrencën në treg dhe minon sundimin e ligjit.
Analistët amerikanë e kanë akuzuar Tiranën se ka përdorur të njëjtën taktikë kundër opozitës sikurse u përdor ndajt opozitarit Trump në Shtetet e Bashkuara.
Në të dyja rastet, kritikët argumentojnë se institucionet që supozohet t’i shërbejnë sundimit të ligjit janë përdorur kundër rivalit kryesor politik në shërbim të pushtetit, duke krijuar perceptimin e një drejtësie selektive, zbehjes së besimit publik dhe hapave mbrapa të demokracisë.
Partneriteti i vërtetë me Shqipërinë (ose me çdo demokraci tjetër) duhet të bazohet në një përkushtim të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtave demokratike të qytetarëve, jo në mbrojtjen e mbijetesës politike të atyre që janë në pushtet, qoftë në Tiranë apo gjetkë.
Duke vazhduar t’i japin legjitimitet të pamerituar një administrate të zhytur në korrupsion sistemik dhe krim të organizuar, Uashingtoni dhe Brukseli rrezikojnë të humbasin mbështetjen e një prej popujve më pro-perëndimore në Evropë.
Shqiptarët që protestojnë në rrugë kundër kapjes së shtetit dhe grabitjes së pasurive publike ndihen thellësisht të tradhtuar kur ambasadat perëndimore zgjedhin heshtjen diplomatike apo shtrëngimet ceremoniale të duarve.
Është koha që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të distancohen zyrtarisht nga ekzekutivi i Tiranes në pushtet, veprimet e të cilit bien ndesh me çdo parim perëndimor, madje rrënojnë lidhjet historike.
Council of Europe U.S. Embassy Tirana U.S. Department of State European Commission FBI – Federal Bureau of Investigation Drug Enforcement Administration – DEA The United States Department of Justice Edi Rama Sali Berisha