Sa herë shkruaj për prapësitë e liderëve shqiptarë, e bëj me zor e me trishtim, sepse nuk dua as të ndjell e as të shoh zi. Por, sa herë detyrohem të shkruaj, e bëjë për shkak të detyrimit që kemi ndaj të vërtetës, ndaj kombit dhe ndaj atyre që na lexojnë. Sepse, mjerisht, në kohën tonë, shypet po përbijnë, me lehtësinë e puhisë, edhe akte e veprime që kanë vetëm një emër…
Para tre ditësh, gazeta e djathtë franceze me shumë ndikim, Le Figaro, publikoi një artikull hulumtues me titull që t’i hapë sytë si me dorë :
“Zonat e errëta të Kolegjit të Europës, shkolla që formon “mafien” e eurokratëve“
Këtu përshkruhet skandali që personazh kryesor ka Fredirica Mogherinin, ish-Nënkryetaren e Komisionit Evropian, dhe ish-Ministren e Punëve të Jashtme e të Sigurisë të BE-së (1. 11. 2014 – 30. 11. 2019)
Në këtë skandal konkret e madhor, lakohet edhe emri i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili një fond prej 17 milionë eurosh që i dedikohej një campusi të Universitit Publik të Tiranës, e devijoi në favor të Kolegjit Europian, që e udhëheqte Mogherini.
Ky veprim dëshmon afërsinë e posaçme të Ramës me Mogherinin, por ajo që mbetet në heshtje në artikull është se miqësia e këtyre pushtetarëve me shumë ndikim, lidhet me një krim tjetër e shumë të rëndë ; përpjekjet e përbshkëta për ndarjen e Kosovës.
Mogherini, 5 vjet rresht, ishte “lehtësuese e dialogut“ mes Kosovës dhe Serbisë.
Falë përpjekjeve direkte e këmbëngulëse të saj, ky “dialog“ nga synimandati për zgjidhjen e problemeve mes dy shteteve e popujve, u kthye gradualisht në përpjekje serioze për ndarjen e Kosovës.
Në këtë veprim antiKosovë e antishqiptar, një rol të veçantë ka luajtur Edi Rama, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë.
Ani se shqiptarët kanë mbamendje të cekët, megjithatë kjo dihet botërisht, por ajo që nuk dihet është se a më shumë ndikoi te Frederika e famshme Edi Rama apo Aleksandar Vuçiqi, kur dy të fundit bashkërëndonin përpjekjet për ta gjymtuar Kosovën përgjithmonë?
Imagjinojeni, nëse kryeministri i Shqipërisë do ta përdorte për mirë miqësinë me ish-Ministren e Jashtme të krejt Kontinentit të vjetër, ku do të ishte sot Kosova?
Por ka edhe më keq, dhe s’guxojmë ta harrojmë kurrë e përjetë, sepse në varrmihjen e Kosovës, këtyre u ka ndihmuar me mish e me shpirt edhe kryetari i saj i dikurshëm, Hashim Thaçi.