Për ne gazetarët dhe botuesit po të ishte një kohë normale do të mjaftoheshim të raportonim faktet si lajmëtarë, përcjellës të lajmit e opinioneve
si dhe qendrimet ndaj cënimit të standarteve apo shkeljes së ligjit t’i vendosnin institucionet përgjegjëse.
Kështu duhej të ndodhte.
Nëse në Shqipëri do të funksiononte sistemi demokratik me shtetin e së drejtës me përfshirjen e shoqërisë civile, jo si hallkë dhe shërbyese e partisë shtet, të sindikatave, organizatave të grave, shoqatave të studentëve, organizimeve shoqërore, etj. etj.
Do të duhej të reagonin elitat,
që nuk do të vareshin nga projektet sipas preferencave partiake apo që lavdinë dhe vendin e punës nuk do ta shihnin si dhuratë nga partia uzurpatore,
elitat, pavarësisht simpative politike, do të duhet të kenë pika të përbashkëta të patundëshme interesin kombëtar, mbrojtjen, ruajtjen e zhvillimin e kulturës, gjuhës, historisë, kujtesës, traditës, trashëgimisë shpirtërore e materiale, të zhvillimit të ekonomisë, infrastrukturës, furnizimit të qytetarëve me ujë, energji elektrike, të kujdesit shëndetësor, për pastërtinë e ajrit, ujit, ushqimeve, çmimeve, mirëqenies së popullit, rritjes me përkushtim të brezit të ri, përkujdesje ndaj shtresave vulnerabël, rritjes së pensioneve që pensionistët të jetojnë një jetë me dinjitet dhe
një informimi të pavarur, profesional në interes të publikut.
Mjerisht nuk kemi elita aktive, larg formatit konformist.
Nga diktatura në trazicion elita e vjetër që u përfshi dhe përfitoi pushtet në politikë nuk ndryshoi dhe as u konvertua, pra i qendroi besnik prejardhjes nga superstruktura komuniste dhe segmentit të Sigurimit të Shtetit.
Ndërsa sa i përket elitave të reja egzaktësisht:
Kemi elita me doktoratura të plagjiatuara, dmth të vjedhura, që vjedhjen e kanë standart.
Kemi edhe elita që e mbajnë veten me të drejtë si të tilla, sepse e përmbushin kriterin e meritokracisë, por të cilat mbyllin njërin sy e tjetrin vesh dhe presin,
mjaftohen me komoditetin e jetës së tyre
duke mbajtur qendrime indiferente ndaj kësaj katrahure dhe kaosi, kur kambanat ulërijnë se këmbët i bien kokës dhe rinia po e braktis vendin nga sytë këmbët.
Këto elita presin indiferente dhe koshiente duke e lidhur vendin e tyre me emra kryetarësh partish dhe jo me fuqinë e sovranit për të ndryshuar Shqipëria për të mirë,
pa e llogaritur veten në lista interesi,
kur interesi i Atdheut thërret kush asht trim
Ata e dinë, më mirë se askush, se mrekullitë nuk ndodhin me magji dhe se indiferenca e tyre e vret të ardhmen e Shqipërisë
sepse e ardhmja që duam t’ju lemë fëmijëve tanë nuk bëhet pa pjesmarrje.
Sikur thotë Giorgio Gaber tek refreni i këngës së tij “La Libertà” – se “Liria nuk është të qendrosh sipër një peme”
duke pritur të na e dhurojnë të tjerët nga qielli, liria fitohet, si një angazhim kombëtar, sepse lirinë nuk mund ta parcializojnë patronazhistët as një uzurpator shallvarexhi apo çdo soj kryepartiaku –
liria na takon të gjithëve, si ajri dhe qielli i Shqipërisë që Zoti na e ofron të përbashkët pa e ndarë e përçarë nëpër parti –
Liria dhe shteti i së drejtës na grish e fton si stadi më i lartë i qytetërimit dhe emancipimit, ta fitojmë sepse e meritojmë qoftë si europianë apo ballkanas, nga metropolet, qytetet e qytezat e vogla tek fermerët që i falin tokës dashuri –
Por liria nuk e pranon indiferencën dhe indiferentët –
Poshtë indiferenca!
Sikur e thotë Giorgio Gaber, të gjithë bashkë të pjesmarrim sepse
“Libertà è participazione” –
“Liria është pjesmarrje.”
Liria dhe e ardhmja e Shqipërisë sonë të përbashkët varet nga pjesmarrja jonë për ne dhe brezat që vijnë !