Sot u përcoll në banesën e fundit në kodrinëzën e varrezave të Pogradecit, e fundmja e brezit të prindërve tanë nga ana e nënës sime. Nusja e dajës iku nga kjo botë më 20 shkurt, të premten, në kohë Ramazani, mjaftueshëm për të thënë se ishte një shpirt i pastër, 10 vjet 11 ditë pas kunatës së saj, njërës prej dy motrave të bashkëshortit. Në ditët e fundit të jetës ajo nuk pati mundësi të lidhej me aktualitetet shqiptare sepse kishte nisur udhëtimin atje ku jeta është e pasosje. Ishte me fat se pranë kishte djalin, Anin që nuk iu nda asnjë çast, por sytë i mbante nga dera ku priste vajzën, Bonën, t’i vinte nga Amerika me mbesën e nipin dhe mbesa arriti kur fryma gjyshes kishte vetëm një orë që qe ngritur lart dhe trupi i saj i brishtë si prej fëmije ishte ende i ngrohtë.
Jemi larguar nga dheu i Atit, por faleminderit Zotit në Shqipëri kanë mbetur brezi i dytë, i tretë e i katërt për të ndarë vijueshmërinë me gaze e dhimbje dhe mrekullinë e të jetuarit, si dhuratë e Zotit!
Me shumë dhimbje e them, nuk do të jem në përcjelljen e Teze Lumit si e thërrisja kur isha e vogël, e Lumit si e quaja kur u rrita dhe Lumkës si e përkëdhelnim ne fëmijët e brezit të dytë tashmë vetë prindër kur i moshuari ngjan me fëmijën.
Për të mbuluar kohën kur dheu mbulon jetën, kthehem në arkivin e kujtimeve kur ishim të gjithë të vegjël në shtëpitë tona dhe sjell ndër mend ndodhi të vogla të bukura.
Një herë daja që ishte inxhinier topograf me uniformë kishte sjellë tek ne në Tiranë Bonën rreth 3 vjeçe e bukur dhe delikate si kukull dhe unë desha ta ushqeja me zor deri kur ajo nisi të ankohej e të pyeste “ku është babi?” dhe unë që posa kisha nisur të mësoja gjeografinë fizike të botës ju përgjigja “në Tajvan” dhe ajo ngriti syçkat lart dhe me shqiptimin fëmijënor më tha “nuk ëçtë në tavan”. Kaq u desh dhe unë u shkriva së qeshuri e sapo u kthyen të rriturit në shtëpi ua tregova si histori që mbeti në historitë familjare. Anin, Lumi e Dajo e sollën në Tiranë tek ne kur ishte bebe, disa muajshe, me syçka të bukura blu, si të mamit të vet, dhe tek ne ishte festë, unë me porosi të Teze Lumit rrija urtë kur ai flinte, laja duart kur e prekja se Teze Lumi ishte shumë meraklie e pastërtore e madhe e shtëpinë e mbante si farmaci.
Familja e dajës së vogël u transferua nga Korça në Pogradec atje ku i ka rrënjët. Kur shkoja në Korçë, Bona dhe Ani kënaqeshin me mua, u tregoja përralla dhe histori dhe i bëja të gajaseshin, Lumi ishte aty gjithmonë me ne. Unë haja fshehurazi likonë e pjeshkës që ajo e bënte të mrekullueshme pasi e kisha gjetur vendin ku e ruante për të gostitur miq, por kur e zbuloi se kavanozi ishte boshatisur as më qortoi dhe as e përmendi kurrë as për shaka.
Me kalimin e viteve, diferenca e moshës midis meje Bonës e Anit nuk vihej re e ne tashmë ishim tre shokë, sidomos kur shkonim me pushime në Pogradec e qendronim në shtëpinë e dajës së vogël, aty të treve na lindte shpirti i aventurës dhe kaq mjaftonte të gjenim arsye për të qeshur, ndërsa teze Lumi nuk na ndahej me shërbimet, gatimet dhe me këshillat që nuk i rreshte kurrë!
Dhe dukej se kështu do të vazhdonte gjithmonë.
Por jeta paska ligjet e saj. Tek ne shqiptarët e Shqipërisë, ligjet e jetës u përfshinë në diçka të paparashikuar më parë, që e kishim lexuar pa vemendje në orën e letërsisë tek lirikat e nizamëve, aq të largëta dukeshin largimet e shqiptarëve nga Mëmëdheu, që papritmas u kthyen në një realitet, duke krijuar një boshllëk prej mungesave fizike, që u zëvendësuan me telefonata, video dhe takimet e rralla, që nuk i përmbushin kurrë kohët e munguara.
Teze Lumi përcolli në atë botë bashkëshortin, vëllain, motrat e tij dhe kunatën e kunatin. Po ashtu nuk mungonte kurrë në sebepet e bukura dhe ndarjet nga kjo jetë të pjestarëve të fisit si riti përfundimtar i jetës. Me ne të emigruarit, kur flisnim e shiheshim në telefon nga Teze Lumi autoritare, që na edukonte disiplinën, kishte mbetur vetëm malli dhe sytë tona të përlotura që qanim ndarjen e kohët e pajetuara në Familjen e madhe, kur bashkoheshim për dasmat, lindjet, ditëlindjet, ndarjet e festat.
.
Edhe dje, kur po jepje frymën e fundit e di që sytë e kaltra me vështrimin nga dera i kishte të njomura nga lotët në pritje që dera të trokiste e të hynte gjithë vrull Tracy e cila fluturoi nga Amerika të përcillte gjyshen e saj të shtrenjtë.
.
Por që Teze Lumi nuk arriti ta priste dot! Jo se nuk deshi, ah sa deshi, por aty ishte vendosur të këputej filli i jetës që ndan dy botët. Bota jonë poshtë në tokë dhe bota lart tani që Lumka është bërë banore e saj dhe është bashkuar me të dashurit tanë të shtrenjtë.
.
Lus Zotin dhe jam e bindur që të paktën në parajsë nuk ka emigracion, sepse ata që ua bëjnë jetën e pajetueshme shqiptarëve në Atdhe dhe i detyrojnë të largohen, është e sigurt se shkojnë në Ferr!