Nismën ligjore të kryeministrit Edi Rama për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale që mbrojnë atë vetë, ministrat dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë nga pezullimi, cilësohet si ‘ligj nominativ’ nga juristi Marash Logu.
I ftuar në studion e edicionit të lajmeve sot në ‘Syri Tv’ me gazetare Armela Ferko, Logu thotë se qëllimi i nismës ligjore u garanton pandëshkueshmërinë 29 zyrtarëve.
“Qëllimi i nismës është që këtyre zyrtarëve t’u garantohet me ligj pandëshkueshmëria, duke penguar SPAK-un të marrë masa sigurimi si pezullimi nga detyra, pavarësisht akuzave me të cilat mund të përballen, si shpërdorimi i detyrës, shkelja e barazisë në tendera apo shkaktimi i dëmeve të mëdha financiare në buxhetin e shtetit.
Nisma që ka ndërmarrë Edi Rama ka për qëllim që për 29 zyrtarë të lartë, t’ju garantojë paprekshmërinë dhe pandëshkueshmërinë ta sanksionojë me ligj. Gati, gati ky është ligj nominative.
Pra për këta 29 individë, SPAK-u duhet të kursehet në hetimet e veta dhe në masat që mund të ndërmarrë ndaj këtyre individëve. Pavarësisht se ata nga hetimet e SPAK-ut mund të rezultojnë që abuzojnë me detyrën, kanë shpërdoruar detyrën, shkelin barazinë në tendera, i shkaktojnë dëme qindra miliona euro buxhetit të shtetit SPAK-u nuk mund të vendosë pezullimin nga detyra të këtyre 29 zyrtarëve, ku përfshihet Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryeministri, zv/kryeministri dhe anëtarët e qeverisë.”
Logu argumenton se përfshirja në këtë nismë ligjore dhe e presidentit, Avokatit të Popullit, kreut të KLSH-së dhe gjyqtarëve të Kushtetueses është vetëm garniturë, pasi qëllimi i vërtetë është mbrojtja e tij, Belinda Ballukut dhe ministrat.
“Përfshirja në këtë nismë ligjore e Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit, kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është thjesht për garniturë, se qëllimi kuptohet që është për të mbrojtur veten, zv/kryeministren apo anëtarët e tjerë të qeverisë. Këta të tjerët u përfshinë për një lloj garniture, sepse qoftë në Kushtetutë dhe qoftë në ligjet organike, këta zyrtarët e tjerë që janë përfshirë e kanë të sanksionuar mënyrën se si ata mund të pezullohen nga detyra.
Për shembull marrim gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese në Kushtetutë parashikohet që mund të pezullohet nga detyra në qoftë se ai merret i pandehur për një vepër penale, dënohet për një vepër penale dhe këtë vendim e merr vetë Gjykata Kushtetuese. Pra, parashikimi i propozuar sot vjen në kundërshtim me dispozitën kushtetuese që e parashikon mundësinë e pezullimit nga detyra edhe për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese”
Logu më tej e quan një rast të pastër të konfliktit të interesit dhe e argumenton pse:
“Propozimi i sotëm në fakt është një nga rastet e pastra të konfliktit të interesit. Sepse Edi Rama ka propozuar një nismë ku është drejtpërdrejtë përfshirë në këtë nismë. Sepse ka garantuar një imunitet të zgjeruar për veten e tij. Ligji për konfliktin e interesit parashikon që zyrtarët nuk mund të parashikojnë, nuk mund të propozojnë as të miratojnë nisma ligjore, akte nënligjore që janë individuale, siç është ky rasti konkret. Sepse prek një numër të kufizuar zyrtarësh, favorizon vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë zyrtarin.
Ligji për konfliktin e interesit thotë që nisma të tilla janë absolutisht të pavlefshme sepse janë kushtet e konfliktit të interesit. Kryeministri dëshiron të sanksionojë nëpërmjet kësaj nisme ligjore që SPAK-u dhe GJKKO-ja, nuk mund të sanksionojnë pezullimin e tij nga detyra, pavarësisht se çfarë mund të rezultojë nga hetimet e SPAK-ut, edhe sikur të zbulohet që ka abuzuar me detyrën, ka shpërdoruar detyrën, është përfshirë në veprimtari të paligjshme, është i korruptuar apo, ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit miliarda euro. Është një rast i paprecedentë. Unë nuk di një rast të ngjashëm as në historitë e vendeve të Bashkimit Evropian. Nuk di një rast të ngjashëm as në Shqipëri, pavarësisht problemeve të mëdha që ka pasur Shqipëria në këto 35 vite.
Nuk di një rast të ngjashëm që kryeministri në detyrë ka propozuar një nismë ligjore qoftë ligj në parlament, apo akt nënligjor të miratuar nga qeveria, që synon t’i ofrojë atij vetë, personalisht dhe anëtarëve të kabinetit mbrojtje nga hetimet që mund të kryejnë organet ligjzbatuese.”