I pyetur nëse këto zhvillime mund të krijojnë shqetësim apo përçarje te demokratët, Bardhi shtoi se Partia Demokratike nuk i ndalon anëtarët dhe deputetët të shprehin mendimin e tyre apo të takohen me qytetarët dhe mbështetësit.
TIRANA– Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar mbrëmjen e sotme takimin që Ervin Salianji zhvilloi me një pjesë të strukturave të PD-së në Durrës. I ftuar në Euronews Albania, Bardhi u shpreh se qëndrimi i tij është në linjë me atë të kryetarit Sali Berisha, i cili e ka cilësuar këtë mbledhje si joformale.
I pyetur nëse këto zhvillime mund të krijojnë shqetësim apo përçarje te demokratët, Bardhi shtoi se Partia Demokratike nuk i ndalon anëtarët dhe deputetët të shprehin mendimin e tyre apo të takohen me qytetarët dhe mbështetësit.
“Nuk ka lidhje intervista ime me ato që bën Salianji. Mbeshtes qëndrimin zyrtar të PD-së dhe të kryetarit Berisha, që ka thënë se çdo mbledhje jashtë forumeve është private. PD nuk pengon askënd që të shprehë lirisht mendimin e tij apo të takohet me demokratët. PD ka institucione që nuk i kanë kufizuar të drejtën e fjalës askujt dhe nuk kanë për të penguar askënd të shprehë lirshëm mendimin. Sikurse takime me demokratë, secili prej anëtarëve të kryesisë së PD-së dhe kolegëve bën çdo ditë zgjedhjen e tij se këto takime do t’i bëjë publike apo do të marrë realisht mendimin e demokratëve,” tha Bardhi.
Më tej u pyet nëse takime të tilla, nëse vazhdojnë, mund të tërheqin demokratë të pakënaqur dhe të krijojnë konfuzion në bazë. Bardhi u përgjigj se nuk ekziston asnjë keqkuptim mes drejtimit të partisë dhe strukturave në terren ku edhe theksoi se debati i ngritur rreth këtyre takimeve është i stisur dhe i parëndësishëm krahasuar me sfidat reale që përballon vendi.
“Nuk ka keqkuptim te baza në raport me këto që po ndodhin në PD dhe Shqipëria ka shumë më shumë probleme që meritojnë kohë dhe vëmendje sesa kjo temë. Nuk shikoj asnjë problem të jem i vërtetë”, tha ai./ Dosja.al