Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj,
Është e pesta herë që vij këtu para jush, para këtij auditori të Universitetit Evropian të Tiranës e Shtëpisë botuese UET PRESS për të përuruar librat e mi në vitet 2017, 2019, 2021, 2024 e sot më 2025, te botuar nga kjo shtëpi botuese.
Në këtë rast të gëzuar ju falënderoj përzëmërsisht të gjithë juve për këtë respekt që tregoni kundrejt meje, për të cilin ndjehem shumë mirënjohës. Krahas atij falënderimi shtoj atë, tejet të sinqertë, ndaj Shtëpisë botuese, personelit të saj, kryesisht zotit Henri Çili, drejtuesit të merituar dhe energjik të tyre, që është bërë një mik i dashur i imi, pamvarësisht largësisë e rasteve të rralla të takimeve tona. Falënderoj gjithashtu edhe kolegun Skënder Buçpapaj e koleget Alda Bardhyli e Suadela Balliu, për ndihmesat e tyre të rëndësishme në shkrimin e parathënieve të librave publiçistikë. Një falënderim tejet i veçantë i shkon zonjës së nderuar Suela Mino, për gjithë bashkëpunimin e saj në vitet e botimit të librave e në ndihmesën bujare të saj në vënien në dispozicion të disa materialeve, që përbëjnë pjesën kryesore të këtij vëllimi e që janë “Bisedimet Parlamentare”.
Po e filloj këtë fjalë përshëndetëse me një thënie të filozofit e shtetarit anglez të shekullit të Shekspirit e të Elizabetës, Frank Bacon, mbi përkufizimin e historisë në funksionin e saj parësor të njohjes së ndodhive njerëzore në rrjedhë të shekujve e mijëvjeçarëve, për më tepër të edukimit të brezave me thelbin e asaj përvoje:
“Detyra e vërtetë e historisë është të paraqesë ngjarjet së bashku me synimet e tyre, e të lerë vërejtjet përkatëse e përfundimet lirisë e aftësisë së gjykimit të secilit”.
Nëse një koncept, sa i thjeshtë aq edhe bindës e i drejtë, na vjen nga një epokë e ndritur e Rilindjes evropiane të pesë shekujve më parë, ne bijtë e shekullit të atomit e të luftërave botërore, që patëm fatin të lindim në fundin e tyre, në atdheun tonë të stolisur nga natyra me bukuri mahnitëse, më duket se kemi detyrë sot të pyesim veten se si e kemi sendërtuar në përvojën tonë, gati shekullore, këtë mësim të madh të filozofit anglez.
Duhet të jetë një provim ndërgjegjeje, i mprehtë e i thellë, me një përfundim tejet zhgënjyes, sepse fatkeqësisht, kemi vënë në sistemin e jetës së katër brezave të kundërtën e atij mësimi.
Në këta tetë dhjetëvjeçarë të rrugës sonë si shoqëri, pesë prej të cilëve ishin shprehje e një diktature, ndër më të ashprat e kontinentit, dhe tre të tjerët që shënuan tjetërsimin e sistemit me hapa breshke, në jetën intelektuale të shoqërisë e të kombit, një nga disiplinat shkencore më të gjymtuarat, më larg së vërtetës objektive, më të nënështruarës sistemit politik ka qënë shkrimi i historisë sonë. Përgjegjësia për këtë katrahurë të qëllimëshme të kulturës sonë kombëtare, sigurisht bie mbi klasën politike të regjimit dyzet e shtatë vjeçar dhe levat e saj të panumurta në fushën e dijes, me pasoja rrënuese përsa i përket njohjes të së vërtetës historike, ndriçimit e përhapjes së saj në shoqëri, duke filluar nga mësim dhënia në bangat e shkollave.
Kjo dukuri ka prodhuar një histori, edhe në nivel akademik, të politizuar plotësisht, simbas shijeve të diktatorit, i cili vinte në majë të pjedistalit të ngjarjeve figura si Haxhi Qamili e kolegët e tij të “vitit të mbrapshtë 1914”, aq të dëmshëm për Shtetin e sapo krijuar shqiptar të pavarur. Po ashtu ai i vishte meritën e një epopeje të rëndësishme kombëtare si ajo e Vlorës më 1921, jo drejtuesit të zgjedhur nga populli, Qazim Koculit; por një personazhi pa asnjë farë ndikimi, si Selam Musa Salaria.
Mora këta dy shëmbuj, nga të shumtët e asaj praktike të shëmtuar, për të vërtetuar pohimin që shpreha më sipër, por që tregojnë prirjen e asaj epoke, për të krijuar “atë pirg të përbindshëm pluhuri të quajtur histori”, simbas përkufizimit të një tjetër shkrimtari e kritiku anglez të shekullit të shkuar, Agustin Birrell. Sigurisht dëmet e asaj prirjeje, kanë shndërruar fizionominë e vetë shkencës historike shqiptare në një parodi të saj, tejet larg së vërtetës së rrugës së Shqipërisë të tridhjetë vjetorit të parë të Shtetit të pavarur. Sot jemi ende të vonuar në ndreqjen e katrahurës së studimeve historike, në rishkrimin e së vërtetës e në rivendosjen në vendin e duhur të protagonistëve të asaj së vërtete në kujtesën historike të kombit.
Për shumë arsye subjektive periudha e kalesës së tjetërsimit të sistemit, me gjithë përpjekjet sporadike të studjuesve të veçantë, nuk ka sjellë një prirje të re e të fuqishme në drejtim të rishkrimit të historisë. Institucionet përkatëse, duke filluar nga akademia e shkencave, mbeten ende të ankoruara në mendësinë e gjysmë shekullit komunist, e nuk plotësojnë as nevojën e botimit të dokumenteve të vetë jetës politike t’asaj periudhe.
Në këtë hulli paqartësie ndërmorra nismën e shkrimit të këtij libri, që po paraqes sot para jush, me shpresën dhe bindjen për të sjellë para lexuesit të historisë së Vëndit tim figurën e vërtetë të njërit prej veprimtarëve politikë e intelektualë të Shqipërisë parakomuniste, Mustafa Merlika Krujës. Jam munduar të ve në jetë, nëpërmjet këtij studimi, mësimin që n’a la filozofi i përmendur anglez, i cituar në fillimin e kësaj fjale, të paraqes materialet e ndryshëm të botuar dhe të pabotuar, që pasqyrojnë jetën e tij politike, pa ndërhyrë në mënyrë të zgjeruar në ndërpretimin e tyre, duke i lënë “vërejtjet përkatëse e përfundimet lirisë e aftësisë së gjykimit të secilit”.
Përunjësisht shpreh bindjen se lexuesi, mbasi t’a ketë lëçitur librin, do të arrijë në përfundimin tim, të shprehur thukët në titullin e tij.
Në ndryshim nga 19 vëllimet e tjera, të botuar nga viti 2001 e këtej, që përbëjnë krijimtarinë e Mustafa Krujës në fushën gjuhësore, historike, kujtimore e të letërkëmbimeve të ndryshme, ky vëllim i kushtohet vetëm veprimtarisë politike. Kjo ndodh sepse, në këtë fushë, figura e tij është paraqitur me ngjyrat më të errëta nga historiografia komuniste, e zotëruar jo nga objektivizmi, por nga paragjykimet enveriste.
Shpresoj që ky libër, mbasi të jetë plotësuar edhe me pjesën e dytë të tij, nëse Zoti do të më japë jetë e mundësi, do të frymëzojë të tjerë studjues, për të thënë fjalën e tyre mbi figurën atdhetare të tij.
Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për praninë tuaj tejet të rëndësishme në këtë veprimtari dhe ju uroj mbarësi e gëzime në jetën tuaj familiare e krijuese.
Tiranë, 19 shtator 2025