Nuk e di për sa kohë e krijoi Zoti Shqipërinë, por e ka bërë me shumë dashuri. Këtë po mendoja gjatë udhetimit tonë në verë nëpër ato parajsa të natyrës shqiptare. Më duket se është Fishta që shkruante se “Zoti kurrë nuk e ka braktisur Shqipërine. Por, për fat të keq, as Djalli”. Ajo bukuri, e rrethuar me kështjella e shenjtorë, është gjithmonë e kërcënuar nga “djajt” dhe nga zjarret. Fotografia e kalit me shenja djegje, i hijshëm e fisnik në vuajtjen e tij, nuk më hiqet nga mendja.
Në Durrës, Klubi i Librit Gjergj Vlashi na ftoi në takimin vjetor përmbyllës. E dija që ky Klub, i cili drejtohet nga dy zonja të kulturuara, Mirela dhe Teuta, është një kështjellë e padukshme në mbrojtjen e së Bukurës, por ajo mbrëmje në Currila, aty ku janë perëndimet më magjepse mbi det, do mbetet e paharruar për mua. Biseduam për dy librat “Bonsai, tregime të shkurtera” të Gjergj Vlashit. Bonsai është pemë e shenjtë për japonezet, është simbolika e lidhes së njerëzores me hyjnoren. Në atë mbrëmje, secili lexoi nga një tregim ku kish gjetur qty diçka nga vetja. Kur Frosina lexoi “Një grua e vërtet”, nuk mundi ta perfundojë se e penguan lotët. Ashtu i pambaruar ai tregim ishte akoma më i bukur. Kurrë nuk e kam ndjerë tim atë aq afër sa atë natë.
Pas Shqipërisë udhëtuam drejt Malit të Zi. Qëndruam në qytetin mesjetar të Kotorit i ruajtur me kujdes dhe i ndriçuar me një dritë të butë. Në rrugët e tij dëgjuam vetëm muzikë klasike. Ndërsa në Kroaci ndalesa jonë ishte në Zarë (Zadar). Qyteti ka Universitetin më të vjetër ne Kroaci i krijuar si vijim i Universitetit të Durrësit (Dyrrhachium) i vitit 1302. Atje rruga Skënderbeg kryqezohej me rrugën Gjergj Fishta. Dy Gjergjat… Ç’simbolikë e bukur! Dhe si për të shtuar magjinë më shumë ishte Organoja Detare; ajo tingëllonte …me valët e detit. Tingujt hipnotizues të saj më ravijëzonin turbull në mendje një botë që nuk është më.
Në Rijeka (Fiume), qytet sa Durresi, pamë portin, Teatrin Kombëtar (1883) dhe Bibliotekën madhështore që ishte ndoshta më imponuese edhe se sa vetë Katedralja San Vito.
Por në Rijeka ndaluam për një arsye tjetër: ai qytet është vendlindja e gjyshes së Redianës. Quhej Leopoldina Zelco. Kjo grua e bukur la vendlindjen në vitet 30 për dashuri dhe u vendos përgjithmonë në Durrës. Nuk e pa më kurrë familjen e saj dhe ashtu u shua në moshën 62 vjeçare, e djegur nga malli… Tani skulptura e saj ndodhet në studjon e të birit, skulptorit Nelo Lukaçi. Nëse demi i Picasso-s tek “Guernica” ka sytë e Dora Maar, mua më duket se kuajt e djegur të pyjeve shqiptare kanë sytë e Leopoldinës së bukur.


“Shen Dhimitri” 1781 nga vëllezérit Çetiri. (Fragment i kalit)
Muzeu Kombetar Ikonografik Onufri, Berat

Leopoldina Zelco (Rijeka 1898 – Durrës 1960) Vepër nga i biri, skulptori i madh durrsak Nelo Lukaçi.