Dre i trembur
Dre i trembur. Ujk i tredhur…
Thonj në mish… Brirë në dritë.
Të dy fshehur nëpër mjegull.
Rreth e rrotull frikë e ngricë.
Guvë e vjetër… Ujk i tredhur
Nxjerr me kthetra sytë e vet!
As i frikshëm, as i trembur.
Ditë a net, nuk di se ç’pret.
Dre i trembur, shpirtin shtjellë.
Brirët qiejve, gjurmët vjeshtës.
Kush s’e ndjek. Dikush e ndjell,
Tej lirishtave të zemrës…
Dre i trembur, bishë e vjetër.
Thonj në thela… Brirë në dritë.
Njëri hov me vrull në mjegull,
Tjetri ngecur nëpër ngricë!
Parandjenja
Tani, kur jemi kaq të lumtur
Dhe “s’rrojmë dot pa njëri-tjetrin”.
Në kohën kur “do jesh e humbur”
Mërgoj… dhe ind e asht më therin!
Një hon që s’e kam parë më parë,
Më hapet gjer në fund të shpirtit.
Skërmitet ankthi në damarë,
Më egër se acar i dimrit.
Ndërkohë ti butë më puth te zemra
Më flet me sy, kur frymë të jap.
(Kafshon në parandjenjë dhembja,
Më fort se kur e ke në shtat!)
Më ulesh mbi rënkim me puthjen…
Në shpirt më sheh, me sy më flet:
“Kur jemi ne, s’ka jetë për humbjen.
Kur humbja është, s’ka vend për jetë…”
Ti qan
Ti fle atje
Dhe unë e di që fle.
(Këtej s’fryn era për andej.)
Ti qan matanë
Dhe unë e shoh që qan.
(Këtej s’ka më hapësirë për qiej)
Ti qesh përtej
Dhe unë them po qesh.
(Midis dy ditësh ditë gjej.)
Më ndjen diku
Sepse dhe unë të ndjej..
(Gjithçka gjithkund frymon këtu.)
Shtatore bore
Mungesa e qiellit është e bukur,
Po aq sa dhe prania jote.
Kur ti dhe retë do jeni zhdukur,
Vetmisë do ngrij shtatore bore.
Do ndrijë mbi mua qiell i ftohtë.
Kur nuk do të ta ndjej praninë…
“Po ky këtu?”, dikush do thotë,
“Ç’puhizë pret, të vijë ta shkrijë?!”
Shqipëri, 2001
Shtatorja e lartë në bronz
Lavdi a lëmoshë kërkon!?
Segmente
Nga Unë te Ti!
Nga dje, tani,
Nga zjarr në hi,
Asgjë-Gjithësi
E kthim!
Dhe në fund:
Nga Ti tek Unë!
…
Nga A në B!
Unë…, aq sa ti…
Aq e bardhë sa e ftohtë kjo dëborë,
Aq e errët sa e ngrohtë nata jonë.
Aq i largët sa i kthjellët lart ky qiell,
Aq i fshehtë sa i pafajshëm shpirti thellë.
Aq e imja fryma jote sa dhe erë,
Gjaku im po aq i yti sa dhe verë.
Sharm…
Pudër ëndrrash, zhubra, rrudha,
Përmbi shtrat i shkund përgjumësh,
Fshin vetminë nga lëkura,
Në dremitje abazhurësh.
Thellë shpirtit zbulon hiret.
Ia kërkon pasqyrës sharmin,
Del e ditës ia tremb hijet,
Pjalme bryme gjurmët zbardhin.
Hijshëm ikën përmes dimrit,
Si kometa natës pis.
Pamjen dhe stolitë e shpirtit,
Në hapësirë peizazh i nis!
Mosqenia
Në flokë, muzg e pluhur udhe,
Në sy, ca pjalm nga dritë e pakët.
Në eshtra lodhja dhemb si lutje,
Tek ia trazon trishtimit plagët.
Pas ditës-hon pa ardhjen tënde,
Një natë-shpellë si ta përcjell?
Si ta krijosh një hënë ëndrre
Kur s’ka asnjë dritare qiell?!
Në mure mbyllur dhe në heshtje,
Trishtimi lutet për pak gjumë:
Një gjumë të rëndë përmbi dhembje,
Ku në vetvete gjithçka humb!
Origjinë
Të zbutësh një ari të egër,
Pjellë në akull a në guvë,
Mos e quani kryevepër.
S’është kushedi se ç’punë.
Mjaft t’ia përkëdhelësh emrin;
Nga ari, t’ia bësh arush,
T’ia lësh thellë në shpellë leshin
Dhe ta veshësh me pellush.
Pastaj jepja një vogëlushi,
Personazh në një përrallë.
Menjëherë arush pellushi,
Do t’i bëhet mik i rrallë!
Veç kujtoja vogëlushit,
Vesin që të gjithë e dinë:
Se arushi i pellushit,
Ndodh të kthejë në origjinë!
Spiunët
S’kam parë gjëkund
E kurrë
S’kam pasur punë
Me spiunë.
Dhe as ta di nuk dua,
Ç’kanë ata
Me mua!
Përderisa
S’pi unë
Llum në lumë
E s’vjell vrer në det,
S’më prish punë,
Në ka kjo gjithkund spiunë!
Aromë
-Etyd-
Tinëz,
Në fund të ditës,
Si në fund të galaktikës,
Para portës,
Dhe para errësirës,
Yjtë erdhën e u ndezën
Degëve të mimozës!
I plagosur prej aromës,
Hapa portën…
I përlotur,
Hodha hapat përtej jetës,
Përtej botës!
Shpirti!
-A cappella-
Një flakëz
Ndrit pakëz
Uratës
Së Pashkës!
Shpirt në ajër
Ikur palcës,
Digjet natës…
Dylli në qelë,
Ylli në qiell,
Nata në shpellë!
Përralla
Di një përrallë të rrallë
E kohë s’kam t’ua them.
Di një përrallë,
Që në përrallë po më kthen!
Ora-t’or-io
I mundur mundi në udhët pa ura,
Mpirë gjymtyrët nga shpresat në ndryshk,
Shkretuar shpirti nga retë e sëmura,
Shurdhuar, verbuar, urtuar, shtrënguar në qyrk,
Fundi i Fundit, Fundit Fundin prej Fundit ia ndau më dysh:
Gjysmën, në varrin e vet e shembi përmbys,
Gjysmën, në besë ia la dashurisë.
Dhe gjysma e dytë, flatruar gjymtyrët në qiejt e lirisë,
Dallgëzuar shpirtin përtej gjithësisë,
Pa urën në udhën që shkonte shpresës midis…
Fillimi i Fillimit, Fillimit Fillimin prej Fillimit ia nis!
Sa të jem i yti!
Sa të jem i yti!
…
Udhërrëfyes i dritës që ngjizet në mitër,
Fuqi shkatërrimi rënkimit të virgjër,
Përbindësh krijimi midis errësirës.
…
Sa të jem i yti!
…
Pastaj mbyllma shpirtin brenda psherëtimës!
Lodhja
Shije kripe,
Nikotine,
Psherëtimë e etjes tënde mushkërive,-
Lodhja ime!
Muskujt u bien tambureve!
Sytë s’u ikin dot mureve..
Gjumi trembet veç prej teje!
Vetëtima
Vetëtima s’kishte kohë.
Kishte flakë dhe forcë!
Shkrepi Zanafillës, në Mbarim u fik!
Kaq ishte bota, kaq dhe dashuria!
Kthema tani shpinën! Vetëtimës ik!
Gabimisht!
–Preç Zogajt-
Gabimisht të mora në bar.
Këtu po të lexoj gabimisht!
Gabimisht s’më shohin si më parë
E ngjasojnë me mua,
Gabimisht:
Sytë rigojnë shi,
Gojët brerojnë dritë.
Kafe “për matanë”,
Çaj me manxuranë,
Porositin për të gjithë
Motivet dhe strofat.
Gabimisht filxhanët kthehen përmbys,
Të thonë, se jeta
A dita u ngrys?
Në shqiptim të heshtur zanoresh,
Buzët marrin forma hojesh,
Gabimisht!
Jare këndojnë të gjithë
Gabimisht:
“E një letër Zotnisë Sate, breee”!
Ishulli
Gjoksi yt
I njomë,
I ngrohtë,
I fortë,
Sytë m’i mban rob.
Deti ngujon brigjesh
Madhështinë,
Marrëzinë,
Lirinë
E vet!
Të dua
D.m.th.,
m’u bëj kufi
O udha,
Që s’e di!
Pa fytyrë!
Kur flatrat e fatit,
U hapën,
Më mbartën prej fshatit,
Më plasën
Në mes të asfaltit,
Përmbysa pasqyrën,
Që fshihte mynxyrën
Në llak të spektaklit!
Si hije pasqyrës i ika.
Qytetit i dola në skaj,
Që dritën e syve ta shihja
Te pellgjet e gjelbër në maj,
Pa qelqet verbër të saj.
Shkrirja e dëborës
Luginash ikën gjëmë e bardhë,
Përbindshëm shtrihet hija e tokës.
Ç’të bëj me sytë e mi më parë;
T’i kthej nga vetja a drejt botës?!
T’i zhyt në lot? T’i mbyt me dritë?
T’i fus në luftë me sytë e tu?
Apo t’i lë në ndonjë pritë,
Të bëj sikur s’i kam këtu?!
S’kam kohë të mëdyshem gjatë,
E bardha gjëmë gjëmon në det!
Vështrimi yt, shigjetë në hark,
Me ndjek, më djeg, “beleg më qet”!
Portreti yt në dimër
Ndriçim ndryshe në fytyrë,
Jo si ky mbi luledimri…
Pakëz dritë të zbret nga yjtë.
Pjesa tjetër është shpirti!
Komentet