Një ekran i madh në një qendër tregtare në Pekin ka transmetuar takimin virtual mes presidentit kinez, Xi Jingping dhe atij rus, Vladimir Putin më 15 dhjetor 2021.
Reid Standish
Sa shumë gjëra mund të ndryshojnë për një vit.
Duke e konsideruar veten fituese në aspektin e menaxhimit të pandemisë brenda kufijve, Kina ka shënuar fitore gjeopolitike duke nënshkruar marrëveshje masive për tregti me Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2020, e cila ka dërguar mesazh të fuqishëm te administrata, atëbotë në ardhje, e presidentit amerikan, Joe Biden.
Mirëpo viti 2021 ka rezervuar plane tjera për Pekinin.
Marrëveshja për investime ka mbetur anash pas valës së sanksioneve që Kina dhe BE-ja kanë aplikuar ndaj njëra-tjetrës, për shkak të abuzimeve që u bën Pekini ujgurëve dhe minoriteteve tjera në provincën perëndimore, Ksinjiang.
Prej atëherë, Tajvani ka përmirësuar lidhjet me Evropën.
Si rezultat, ministri i Jashtëm tajvanez, Joseph Wu ka realizuar një turne në disa shtete të Evropës Qendrore në muajin tetor.
Lituania, vend i vogël baltik me 2.7 milionë banorë, ka qenë po ashtu në qendër të lidhjes kinezo-evropiane.
Ky shtet është tërhequr nga një format diplomatik i udhëhequr nga Pekini në muajin shkurt dhe më pas ka zgjeruar lidhjet me Taipein.
Pekini është përgjigjur me propagandë, sanksione ekonomike dhe mosmarrëveshje diplomatike, që e kanë bërë Vilniusin të largojë ambasadën nga Pekini më 15 dhjetor.
Ndërkohë që Evropa ende nuk ka një plan të qartë si të veprojë kundrejt Kinës, zhvillimet e vitit 2021 kanë forcuar qëndrimet e zyrtarëve dhe qeverive evropiane që të kërkojnë qasje më të ashpër ndaj Pekinit.
Gjithë ky episod përfaqëson një mori të mundësive diplomatike dhe gabimeve strategjike, që kanë definuar politikën kineze nga Evropa Qendrore e deri të Azia Jugore përgjatë vitit 2021.
Më 2022, Kina pritet të vazhdojë synimet për të rritur ndikimin në Euroazi.
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë ndihmuar në krijim të marrëdhënieve edhe më të ngrohta në mes të Kremlinit dhe Pekinit, si dhe largimi kaotik i Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, që ka rezultuar me kthim të talibanëve në pushtet, ka hapur derën për mundësi, por edhe për rreziqe në të njëjtën kohë.
Viti 2022 pritet të sjellë edhe zhvillime të rëndësishme në historinë moderne të Kinës, pasi presidenti, Xi Jinping pritet t’iu japë fund mandateve dhe të udhëheqë i vetëm, pa kufizime.
Ndonëse në horizont shihen një mori zhvillimesh, më poshtë rendisim pesë gjëra që duhet vëzhguar teksa Kina thellon ndikimin në Euroazi.
Shtrirja e Kinës në fushën e sigurisë
Shqetësimet për sigurinë kufitare, grupet ekstremiste dhe sigurinë e personelit kinez në Azinë Qendrore dhe atë Jugore, janë rritur më 2021, pas marrjes së pushtetit nga ana e talibanëve në Afganistan dhe pas disa sulmeve ndaj punëtorëve kinezë në Pakistan.
Pekini ka qenë i shqetësuar për kohë të gjatë rreth terrorizmit në atë rajon, sidomos për grupet ekstremiste ujgure, andaj edhe ka krijuar marrëdhënie për siguri me të gjithë fqinjët – nga qeveritë e Azisë Qendrore e deri te talibanët – të cilat lidhin aparatin e brendshëm të sigurisë së Kinës me homologët e huaj.
“Deri më tani (Pekini) ka treguar se çështjet e sigurisë kombëtare i lidh ngushtë me gjërat që frikësohet se mund të ndikojnë drejtpërdrejt në Kinë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Raffaello Pantucci, hulumtues i lartë në Institutin Mbretëror për Shërbime të Bashkuara, me bazë në Londër.
Shumë prej këtyre bashkëpunimeve kanë vazhduar të rriten më 2021.
Në muajin tetor është bërë e ditur se Kina do të financojë dhe do të ndërtojë një bazë policore në Taxhikistan për personelin taxhik dhe një hulumtim i Radios Evropa e Lirë ka treguar se prezenca kineze në këtë bazë, ashtu sikurse në kufirin afgano-taxhik, vazhdon të rritet, pasi edhe personeli kinez patrullon në atë zonë.
“Kina ka treguar se dëshiron të fokusohet në ndërtim të marrëdhënieve (me qeveritë lokale) për të adresuar shqetësimet për sigurinë”, ka thënë Pantucci.
“Pyetja e madhe është nëse shënjestrimi i madh i interesave kineze, e bën Pekinin të mendojë se duhet të ketë tjetër lloj prezence në këto zona”.
Ndërkohë, lidhjet aktuale pritet të zgjerohen në fushën e zbatimit të ligjit dhe agjencive të sigurisë më 2022.
Pekini vazhdon të investojë në trajnim të disa vendeve fqinje dhe Kina është raportuar të ketë nënshkruar 59 traktate për ekstradim me shtetet e huaja në vjetët e fundit.
Një epokë e re për Pekinin dhe Moskën?
Presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin kanë përshëndetur lidhjet e tyre të ngushta më 15 dhjetor, gjatë një bisede virtuale 90-minutëshe, përmes së cilës kanë tentuar të shfaqin një front të përbashkët në kohën e rritjes së presionit të Perëndimit ndaj të dyja vendeve.
Moska dhe Pekini nuk janë zyrtarisht aleatë, mirëpo gjatë bisedës, Putin ka thënë se “modeli i ri i bashkëpunimit mes shteteve tona është krijuar mbi parimin e mosndërhyrjes në çështjet e brendshme dhe në respektimin e interesave të njëri-tjetrit”, derisa Xi e ka falënderuar homologun e tij për “mbështetje të fuqishme në përpjekjet e Kinës për të mbrojtur interesat ndërkombëtarë”.
Lidhjet e tyre thellohen edhe më shumë, ashtu sikurse edhe dallimet me Shtetet e Bashkuara.
Rusia dhe Kina madje kanë kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe i kanë ofruar njëra-tjetrës mbështetje për një mori çështjesh.
Putin ka kritikuar paktin AUKUS (i nënshkruar nga Australia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania) derisa Xi ka mbështetur kërkesën e Moskës që të ketë garanci se Perëndimi do të kufizojë ndikimin rreth vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik.
“Ato duket se janë gjithmonë e më afër njëra-tjetrës dhe ndonëse nuk dëshirojnë të zyrtarizojnë një aleancë, ato kanë gatishmëri për të ndihmuar palën tjetër në çështjet që nuk i prekin vetë ato drejtpërdrejt”, ka thënë Pantucci.
Mbetet të shihet sa e fortë do të jetë kjo marrëveshje, sidomos në kohën kur Rusia e sheh me ankth zgjerimin e Kinës në fushën e sigurisë dhe atë politike në Azinë Qendrore.
Por meqë tensionet vetëm pritet të rriten me Perëndimin më 2022, pritet që Putini dhe Xi të mbështeten te njëri-tjetri edhe më shumë në të ardhmen.
“Jemi duke parë transformimin e marrëdhënies në kohë reale”, ka thënë Pantucci.
“Neve na duhet të përditësojmë mënyrën e të menduarit, ndërkohë që kjo dinamikë vazhdon të ndryshojë dhe potencialisht të bëhet më e qëndrueshme”.
Përsosja e Iniciativës Brezi dhe Rruga
Në më pak se 10 vjet, Iniciativa Brezi dhe Rruga e ka pozicionuar Kinën në qendër të sistemit ndërkombëtar përmes urave dhe linjave të reja hekurudhore, kabllove me fibra optikë dhe rrjeteve 5G, më pas gazsjellësve dhe porteve që kanë ndihmuar në rritjen e ndikimit financiar, teknologjik dhe politik të Pekinit përmes qindra miliarda dollarëve investime në projekte nga Amerika Latine në Azinë Juglindore.
Mirëpo ky projekt është përcjellë edhe me telashe, duke përfshirë shqetësime për borxhe të lidhura me projekte kineze, më pas dyshime për korrupsion, ndërtime të dobëta, trajtim të keq të punëtorëve dhe moskujdes për ambientin.
Nivelet e investimeve janë ulur dukshëm prej vitit 2016 dhe Iniciativa Brezi dhe Rruga ka nisur të fokusohet në fusha të reja, përfshirë artin dhe kulturën, sistemet e pagesave elektronike dhe satelitë.
Kjo gjë ka hapur rrugën për iniciativa tjera konkurruese nga Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Nga aspekti i dizajnit, projekti duket abstrakt dhe i paqartë. Secili sipërmarrës kinez ka mundur të krijojë një projekt që të mund të bëhej më pas pjesë e Iniciativës Brezi dhe Rruga”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Niva Yau, hulumtuese e lartë në akademinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) në Bishkek.
“Nuk duhet ta mendojmë si një gjë të vetme, pasi është diçka që po ndryshon vazhdimisht dhe ka të bëjë me Kinën, e cila po rrit ndikimin në të gjitha aspektet në nivel global”.
Më 2022 ky projekt i rëndësishëm për presidentin kinez pritet të vazhdojë rritjen dhe Yau ka thënë se ai veçse ka nisur të zgjerohet përmes ndihmave mjekësore, eksportit të kulturës kineze dhe krijimit të vendeve lokale të punës, në vend të fitores në nivel të elitave politike.
“Iniciativa Brezi dhe Rruga është duke shënjestruar publikun secilën herë e më shumë. Natyrisht, kjo gjë nuk është gjithmonë efektive, mirëpo nuk ka edhe shumë rëndësi tani për tani”, ka thënë ajo.
“Nëse ata vazhdojnë të investojnë në fuqi të buta, kjo gjë do të ketë rezultatet e veta”.
“Ujqit luftarakë” do të vazhdojnë të jenë aktivë
Ndërkohë që Iniciativa Brezi dhe Rruga vazhdon të shtrihet në fusha të reja me qëllim të rritjes së ndikimit të Kinës, Pekini do të përballet me pikëpamje negative për shtetin kinez, i cili ka dëmtuar imazhin në vjetët e fundit.
Një sondazh i kryer nga Instituti Pew në muajin qershor, kryesisht në vendet e Perëndimit, ka gjetur se pikëpamjet jo të favorshme për Kinën kanë prekur nivele tejet të larta, pasi vetëm në Greqi dhe Singapor, pjesa më e madhe e respodentëve kanë shfaqur pikëpamje të mira për politikat e Kinës.
“Është e pamohueshme se imazhi i Kinës nuk është në gjendje të mirë dhe duket se nuk do të jetë i qëndrueshëm edhe për një kohë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Charles Dunst, hulumtues në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Diplomacia me koronavirus e Kinës, e cila ka shënuar disa fitore të vogla në fillim të pandemisë në shtetet si Serbia dhe Italia, është zbehur tash e një kohë.
Të ashtuquajturit “ujqit luftarakë” të diplomacisë, të cilët kanë miratuar një stil agresiv të shënjestrimit të qeverive, kompanive dhe individëve që kanë kritikuar Kinën, do të vazhdojnë të jenë aktivë përmes kërcënimeve për të ndalur ndihmat apo qasjen në vaksina.
Nëse dikush ka përhapur dezinformata për origjinën e koronavirusit, Pekini është përgjigjur me kufizime dhe tarifa.
Shembull në Australi, Kina ka marrë masa ndaj disa prej eksporteve kyçe, pasi Kanberra ka kërkuar që të hetohet origjina e koronavirusit.
“Shtetet në gjithë botën janë të shqetësuara për gatishmërinë e Pekinit që të krijojë marrëdhënie ekonomike për qëllime politike”, ka thënë ai.
“Vështirë se do ta shohim ndryshim të qasjes së Kinës më 2022, marrë parasysh qëllimet e presidentit Xi për politikë të jashtme dhe nacionalizëm kinez”.
Kufizimet në tregti për shkak të pandemisë
Kina është një prej vendeve të vetme në botë që vazhdon të zbatojë strategjinë “zero raste me koronavirus”, dhe me raste mbyll gjithçka nëse raportohet një rast i vetëm infektimi.
Tani me përhapjen e variantit Omicron të koronavirusit, kjo strategji do të gjejë sërish zbatim.
Ky është lajm i keq për disa vende të Azisë Qendrore, të cilat varen nga tregtia kufitare me Kinën.
“Kina dhe Azia Qendrore do të përballen me shumë vështirësi në marrëdhëniet tregtare, jo vetëm në vitin 2022 por edhe në të ardhmen, varësisht në kahjen që merr pandemia”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Temur Umarov, ekspert për Kinën në Qendrën Carnegie në Moskë.
Pjesa më e madhe e tregtisë kineze me rajonin është e fokusuar në burime natyrore, sidomos në naftë dhe gaz, mirëpo presioni në tregtinë e mallrave dhe kufizimet për pandeminë, e kanë përzier këtë situatë me elemente politike.
Qeveria e Kirgizisë ka thënë se rikthimi i tregtisë në nivele para pandemisë është çështje me prioritet dhe zyrtarë nga Bishkeku kanë zhvilluar bisedime me homologët kinezë dhe madje disa prej tyre kanë propozuar edhe sisteme të reja, në përputhje me rregulloret kineze për pandeminë.
Ndërkohë që variantet e reja të koronavirusit vazhdojnë të shtohen, Umarov ka thënë se qasjet e reja janë mundësitë e vetme të qeverive lokale për t’i negociuar në tavolinë.
“Natyrisht se kjo gjë do ta zemërojë Azinë Qendrore”, ka thënë ai, “por në të njëjtën kohë, atyre iu duhet Kina në aspektin ekonomik dhe për këtë arsye ata duhet të marrin masa dhe të negociojnë çfarë mund të bëjnë lidhur me trafikun kufitar”.
VOAL- Një grevë e përgjithshme 24-orëshe u zhvillua dje (e enjte) në Argjentinë kundër politikave të qeverisë së presidentit Javier Milei. Greva u nxit nga sindikata kryesore CGT, së cilës iu bashkuan edhe sindikatat CTA-A dhe CTA-T. Ky është aksioni i dytë i këtij lloji i kryer nga sindikatat argjentinase që kur ultra-liberali Milei mori detyrën në Casa Rosada më 10 dhjetor.
Pjesëmarrja është e madhe në transport, me ndalimin e lidhjeve ajrore dhe të shërbimeve hekurudhore në nivel kombëtar, ndërsa në Buenos Aires metroja nuk funksionon dhe shërbimi i autobusëve të qytetit është në minimum.
Bankat publike dhe private janë mbyllur, spitalet funksionojnë vetëm për raste urgjente, ndërsa shkollat publike i bashkohen grevës. Gjithashtu duhet theksuar se grumbullimi i mbetjeve është pezulluar që prej mbrëmjes së së mërkurës në qytete të ndryshme.
Në qendër të kërkesave të sindikatave është çështja e pagave, në vazhdën e inflacionit që kaloi 280% me bazë vjetore në muajin mars. Sektori është gjithashtu në trazira për shkak të perspektivës gjithnjë e më konkrete të miratimit të paketës së ligjit për derregullimin dhe privatizimin. Në fakt, legjislacioni përfshin shitjen e linjës ajrore kombëtare Aerolineas Argentinas, si dhe të kompanive të transportit hekurudhor, si për pasagjerë ashtu edhe për mallra.
Nga ana e saj, ish-presidentja Cristina Fernández de Kirchner kishte nisur një sulm të rëndë ndaj politikës së qeverisë Milei më 27 prillin e kaluar, duke denoncuar se për shkak të saj, “njerëzit po vdesin nga uria”. Ish-kreu i shtetit kritikoi politikën ekonomike të Mileit, duke pretenduar se “argjentinasit i nënshtrohen sakrificave të panevojshme”.
Pasi përgënjeshtroi shpalljen e një suficiti buxhetor “historik” në tremujorin e parë të këtij viti, i arritur sipas saj duke “bllokuar pagesat që duhej të kishte bërë shteti”, Kirchner e quajti doktrinën presidenciale të anarko-kapitalizmit, duke shtuar se “ nuk është as anarko-kapitalizëm, por anarko-kolonializëm”.
Më pas duke iu drejtuar drejtpërdrejt Mileit, ai nënvizoi se “ndoshta 60% e argjentinasve kanë votuar për ty, por nëse kur je në qeveri njerëzit vdesin nga uria, humbasin punën, nuk ia dalin mbanë, ç’kuptim ka?”.
Në fund të fjalimit që zgjati pak më shumë se një orë, përgjigja e Mileit erdhi përmes llogarisë X: “Nëse njerëzit po vdesin nga uria, kjo është sepse për dekada ju keni mbrojtur një model të bazuar në shpenzime të pakufizuara dhe falsifikime kontabël për të mbuluar deficitin. Rezultati është një vend i shkatërruar me 60% të varfër. Dhe ajo që ne po bëjmë është të rindërtojmë vendin që ju shkatërruat.”/ nga ATS
Disidenti dhe gazetari i burgosur rus, Vladimir Kara-Murza, u nderua me çmimin Pulitzer për artikujt e tij që u botuan në Washington Post.
Kara-Murza “fitoi për rubrikat pasionante të shkruara në rrezik të madh personal nga qelia e tij e burgut, duke paralajmëruar për pasojat e mospajtimit në Rusinë e Vladimir Putinit dhe duke këmbëngulur për një të ardhme demokratike për vendin e tij”, tha Komiteti Pulitzer në një deklaratë më 6 maj.
Kara-Murza, aktualisht, është duke vuajtur një dënim me 25 vjet burgim – më i gjati që i është dhënë një kundërshtari të Kremlinit në Rusinë post-sovjetike, për diskreditim të ushtrisë ruse dhe tradhti, pas komenteve që ai bëri në fjalimet jashtë Rusisë duke kritikuar politikat e Moskës.
Kara-Murza, i cili mban pasaporta ruse dhe britanike, u arrestua fillimisht në prill të vitit 2022 pasi u kthye në Rusi nga jashtë dhe u akuzua për mosbindje ndaj një oficeri policie.
Ai u akuzua më vonë për diskreditimin e ushtrisë ruse, një akuzë që rrjedh nga agresioni i plotë i Rusisë në vitin 2022 kundër Ukrainës dhe një shtytje e Kremlinit për t’i zhdukur kritikat për këtë temë.
Ai u akuzua më vonë për tradhti, për komentet që ai bëri gjatë fjalimeve jashtë Rusisë që kritikonin politikat e Kremlinit.
Në prill të vitit të kaluar, Kara-Murza u shpall fajtor për të gjitha akuzat dhe u dënua me 25 vjet burgim.
Ligjvënësit evropianë miratuan më 25 prill një rezolutë që bën thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të të gjithë të burgosurve politikë në Rusi.
Rezoluta e miratuar më 25 prill është pjesë e një mocioni të përbashkët në PE që dënon zgjedhjet “jodemokratike” presidenciale të mbajtura në Rusi dhe “zgjerimin e paligjshëm” të zgjedhjeve në territoret brenda Ukrainës që Moska ka aneksuar paligjshëm.
Rezoluta bën thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte, por edhe kompensimin e të gjithë të burgosurve politikë…. për lirimin e gazetarëve të arrestuar padrejtësisht, përfshirë Alsu Kurmashevan dhe Evan Gershkovichin, dhe familjet e tyre, për rivendosjen e lirisë së shprehjes dhe tubimit në Rusi dhe rritjen e kontrollit ndërkombëtar dhe monitorimit e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi”.
Në rezolutë, po ashtu, përmenden Vladimir Kara-Murza, Oleg Orlov, Ksenia Fadeeva, Ivan Safronov dhe Ilya Yashin, të cilët PE-ja tha se janë të burgosur politikë dhe duhet të lirohen. REL
Një ushtar amerikan është arrestuar në Rusi dhe akuzohet për vjedhje, thanë dy zyrtarë amerikanë.
Zyrtarët thanë se rreshteri Gordon Black, 34 vjeç, ishte i dislokuar në Korenë e Jugut dhe po ndiqte procesin e rikthimit për në bazën Fort Cavazos, në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Por në vend të kthimit në atdhe, zyrtarët thanë se ai udhëtoi drejt Rusisë.
Zyrtarët amerikanë folën për gazetarët me kusht ruajtjen e anonimitetit.
Zëdhënësja e ushtrisë, Cynthia Smith, konfirmoi se ishte arrestuar një ushtarak me akuza për shkelje penale të enjten, në Vladivostok, një qytet-port i rëndësishëm nga pikëpamja ushtarake dhe tregtare në bregdetin e Paqësorit. Ajo tha se Rusia njoftoi për këtë Shtetet e Bashkuara dhe se ushtria amerikane njoftoi familjen e ushtarakut.
“Departamenti amerikan i Shtetit po jep mbështetjen e duhur konsullore për ushtarin në Rusi”, tha zonja Smith.
Nuk ishte e qartë të hënën nëse ushtari konsiderohet i larguar me apo leje.
Ky arrestim vjen më pak se një vit pasi ushtari amerikan Travis King kaloi me vrap drejt Koresë së Veriut, përmes kufirit të fortifikuar rëndë mes dy Koreve. Koreja e Veriut njoftoi më vonë se do ta dëbonte zotin King dhe ia dorëzoi atë autoriteteve amerikane. Ai u akuzua më pas për dezertim.
Rusia njihet për mbajtjen në burgjet e saj të disa amerikanëve, ndër të tjerë drejtuesin e kompanive private të sigurisë, Paul Whelan dhe gazetarin e gazetës “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich. Qeveria amerikane i ka përcaktuar të dy si “të mbajtur padrejtësisht” dhe është përpjekur të negociojë për lirimin e tyre.
Ndër të burgosurit e tjerë janë Travis Leake, një muzikant që jetonte prej vitesh në Rusi dhe u arrestua vitin e kaluar për akuza që kishin të bënin me drogë; Marc Fogel, një mësues në Moskë i dënuar me 14 vite burgim, gjithashtu me akuza për drogë; si dhe dy gra me dyshtetësi amerikane dhe ruse, gazetarja Alsu Kurmasheva dhe Ksenia Khavana.
Arrestimi i ushtarit amerikan u raportua fillimisht nga kanali televiziv NBC News.
Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron gjatë vizitës në Kiev duke parë mjete ushtarake ruse të shkatërruara (2 maj 2024)
VOA
Moska paralajmëroi të hënën se do të godasë objektiva ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe gjetiu, nëse forcat ukrainase godasin Rusinë me raketat me rreze të gjatë të furnizuara nga Britania. Dërgimi i këtyre raketave drejt Ukrainës u miratua nga sekretari i Jashtëm britanik David Cameron.
Gjatë një vizite në Kiev javën e kaluar, sekretari Cameron tha se forcat ukrainase do të mund të përdorin raketat britanike me rreze të gjatë për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë. “Ndërsa Rusia po godet brenda Ukrainës, mund ta kuptoni përse Ukraina ndjen nevojën të sigurohet që po mbrohet”, tha zoti Cameron gjatë një interviste me agjencinë e lajmeve Reuters javën e kaluar.
Zoti Cameron tha gjithashtu se Londra nuk ka vendosur parakushte për mënyrën se si do t’i përdorin forcat ukrainase armatimet e dhëna nga Britania.
Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi nëpërmjet një deklarate se ka thirrur në takim ambasadorin britanik në Moskë, Nigel Casey dhe e paralajmëroi atë se nëse forcat ukrainase përdorin për të goditur Rusinë armatime të furnizuara nga Britania, Moska mund të kundërpërgjigjet ndaj “çdo objekti ushtarak britanik dhe paisjeve në territorin ukrainas apo më gjerë”.
“Ambasadorit iu bë thirrje të reflektojë për pasojat e pashmangshme katastrofike nga hapa të tilla armiqësore nga Londra dhe të refuzojë menjëherë në mënyrën më të fortë dhe pa ekuivok deklaratat luftarake dhe provokative nga drejtuesi i Zyrës së Jashtme”, thuhet në deklaratën e Rusisë.
Më herët, Rusia njoftoi se po planifikonte stërvitje të reja bërthamore pranë kufijve të Ukrainës, duke përmendur “kërcënimet” e bëra nga udhëheqës perëndimorë, përfshirë kryeministrin francez Emmanuel Macron dhe zyrtarët britanikë, si dhe në formë përgjigjeje ndaj manovrave të gjera stërvitore të NATO-s pranë kufijve të Rusisë.
UKRAINA VAZHDON RIPARIMIN E RRJETIT ENERGJITIK, NDËRSA SHTOHEN SULMET E RUSISË
Ukraina njoftoi ndërkaq të hënën se ka rikthyer energjinë për qindra mijëra persona që kishin mbetur pa drita pas sulmeve të forcave ruse gjatë natës. Ukraina pranon megjithatë se po përballet me “sfida urgjente” për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së saj energjitike.
Forcat ruse kanë goditur vazhdimisht objektet energjitike ukrainase, duke shkaktuar terr dhe furnizimin e energjisë në kuota të pakësuara në mbarë vendin. Mbi 400 mijë shtëpi patën mbetur pa energji në rajonin Sumy pasi forcat ruse goditën linjat e voltazhit të lartë, thanë zyrtarët ukrainas të energjitikës.
Forcat ruse kanë shtuar sulmet në rajonet Sumy dhe Kharkiv gjatë muajve të fundit, duke rritur frikën se Rusia mund të jetë duke përgatitur një ofensivë tokësore në këto rajone, që u morën vetëm pjesërisht në fillimet e sulmit të forcave ruse.
Kievi gjithashtu thotë se Moska ka shtuar sulmet nga ajri dhe toka, ndërsa afron 9 maji, dita kur Rusia shënon fitoren ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ukraina ndërkohë nuk ka municione të mjaftueshme dhe është në pritje të furnizimeve jetike nga Shtetet e Bashkuara.
Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjencitë e lajmeve Reuters, Associated Press dhe AFP.
Perëndimi, dhe si rrjedhim NATO, përballen me një lloj të ri kërcënimi, i cili nuk është më teorik pasi rrjetet e mëdha të të dhënave nënujore dhe transmetimit të energjisë janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve dhe sulmeve të jashtme keqdashëse. Ky kërcënim është kritik pasi këto rrjete janë të prekshme ndaj sulmeve jo vetëm nga Rusia, por edhe nga sulme të pakontrolluara terroriste ose kriminale.
Duke qenë se 95% e internetit në botë qarkullon përmes rrjeteve nënujore, është i dukshëm ndikimi masiv që ndërhyrja e dhunshme dhe ndërprerja e trafikut të të dhënave do të kishte në ekonominë globale dhe në të gjitha fushat e jetës, madje edhe në kryerjen e operacioneve ushtarake. Nëpërmjet transferimit të të dhënave nga rrjeti nënujor i kabllove me fibra optike, vlerësohet se transaksionet ditore kryhen në nivel global që arrijnë në 8 trilionë dollarë.
Gjatësia prej mijëra kilometrash e kabllove nënujore e bën atë të pambrojtur si sistem dhe i jep përparësi kujtdo që kërkon të dëmtojë këto rrjete.
Në NATO vitet e fundit ka pasur një shqetësim të madh për ruajtjen e sigurisë së rrjeteve të nëndetëseve. Vetëm pak ditë më parë, një oficer i lartë i NATO-s, zëvendës-admirali Didier Malleterre, paralajmëroi në një intervistë për TheGuardian se kabllot dhe tubacionet kritike nënujore janë në rrezik.
Zëvendësadmirali, i cili është zëvendës komandant i Shefave të Përbashkët të Operacioneve Detare (MARCOM) dhe ka shërbyer në nëndetëse, tha se ka aktivitete të dyshimta dhe raste dëmtimi që ngrenë alarmin për kërcënimet e mundshme nga Rusia dhe që vendet e NATO-s po përdorin softuer të inteligjencës artificiale, sensorë dhe më shumë për të mbrojtur rrjetet e cenueshme nënujore pasi rrezikohet siguria e 1 miliard qytetarëve të vendeve anëtare të Aleancës.
Sipas zëvendës-admiralit, NATO ka identifikuar disa raste të aktivitetit të dyshimtë rreth infrastrukturës nënujore në vitet e fundit dhe shtoi se rusët “kanë zhvilluar shumë luftën hibride nën det për të prishur ekonominë evropiane”.
Në një kohë të tensioneve në rritje, vendet e NATO-s po detyrohen të skanojnë gjerësisht ujërat e tyre duke përdorur sensorë, satelitë dhe madje edhe pajisje nënujore për të zbuluar lëvizjet e dyshimta dhe për të mbrojtur rrjetet nënujore.
Më 16-17 prill, një takim i madh midis përfaqësuesve të industrive të teknologjisë së lartë dhe kompanive dhe qeverive u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar sfidat detare. Qëllimi i Simpoziumit të Industrisë Dixhitale të Oqeanit ishte forcimi i aftësive të NATO-s për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit detar, të cilat janë kritike për sigurinë e rajonit Euro-Atlantik, me kapitullin më të rëndësishëm mbrojtjen e infrastrukturës nënujore.
Në Samitin e NATO-s në Vilnius në vitin 2023, liderët e Aleancës vendosën të krijojnë një Qendër të Sigurisë Detare Kritike të Infrastrukturës Nënujore, në kuadër të Komandës Detare të Aleancës (Komanda Detare – MARCOM), ndërsa në fillim të vitit 2023 Bërthama e Koordinimit të Infrastrukturës Nëndetare u krijua në selinë e NATO-s në Bruksel.
Në të kaluarën, ka pasur incidente të dyshimta që kanë të bëjnë me infrastrukturën nënujore. Në tetor 2023, u gjetën dëmtime në kabllot e telekomunikacionit dhe një tubacion gazi natyror midis Estonisë dhe Finlandës për një shkak të panjohur. Hetimet treguan se dëmi ishte shkaktuar nga një spirancë, por anija përgjegjëse nuk u identifikua, megjithëse, sipas provave, një anije ruse dhe një kineze po lundronin pranë zonës në atë kohë. Në shkurt të vitit 2022, pas hetimeve u zbulua se kishte ndërhyrje njerëzore në shkaktimin e dëmtimit të një kabllo norvegjeze me fibër optike nënujore për transmetimin e të dhënave, ndërsa disa muaj më parë një pjesë e kabllit ishte zhdukur.
Gjithashtu, një episod që ndezi alarmin u regjistrua në shtator 2022 kur u dëmtua tubacioni i gazit natyror Nord Stream midis Rusisë dhe Gjermanisë. Perëndimi fajësoi Rusinë, ndërsa Moska akuzoi Ukrainën, SHBA-në dhe Britaninë për sabotim.
Shumë përpara luftës në Ukrainë në 2017, zyrtarët e NATO-s si Komandanti i Nëndetëseve po paralajmëronin se kishte një aktivitet intensiv nënujor nga rusët pranë kabllove të nëndetëseve. Por edhe një vit më parë, shefi i inteligjencës së NATO-s, David Cutler paralajmëroi se “ka shqetësime në rritje se Rusia mund të synojë kabllot nënujore dhe infrastrukturën tjetër kritike në një përpjekje për të prishur jetën në Perëndim, për të fituar leva dhe levë kundër atyre shteteve që ofrojnë siguri. në Ukrainë”.
Të përballur me faktet e reja, Britania dhe Franca tani përfshijnë sigurinë e infrastrukturës nënujore të kabllove dhe tubacioneve në Doktrinën e tyre Detare për të siguruar aftësitë e nevojshme për këtë “luftë” të re të madhe të shtratit të detit. sn
Vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik mbështetën rezolutën e propozuar nga Kombet e Bashkuara për të shpallur 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.
Deklarata, e cila shpreh mbështetje për miratimin e rezolutës, u soll në takimin dyditor të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili përfundoi të dielën në kryeqytetin e Gambisë, Banjul.
Për miratimin e saj votuan 57 vende anëtare të Organizatës, në të cilën Bosnje e Hercegovina ka statusin e vëzhgueses.
Organizata e Bashkëpunimit Islamik është organizata më e madhe pas Kombeve të Bashkuara, dhe anëtarët e saj përfshijnë vende nga katër kontinente.
Propozimi përfundimtar për rezolutën për Srebrenicën iu dërgua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB, njoftoi më 2 maj ambasadori i Bosnjës në OKB, Zllatko Llagumxhija.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një debat për Bosnje e Hercegovinën për datën 15 maj, por nuk u bë e ditur se cila do të jetë tema konkrete dhe as kush do ta mbajë seancën.
Drafti përfundimtar i rezolutës, të cilin e pa Radio Evropa e Lirë, thekson vendimin e OKB-së për ta shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, e cila do të shënohet çdo vit.
Në Srebrenicë, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë, në korrik të vitit 1995.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi këtë krim si gjenocid në vitin 2007.
Më shumë se 50 persona u dënuan për të nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe gjykatat vendase, me rreth 700 vjet burg në total.
Me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera në Bosnje e Hercegovinë u dënuan komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në kohën e luftës, Ratko Mlladiq, dhe udhëheqësi i atëhershëm i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.REL
Kur gazetarja kineze Su Yutong u largua nga vendi i saj në vitin 2010, ajo mendoi se do të gjente sigurinë. Por korrespondenti i Zërit të Amerikës, Liam Scott, njofton nga Berlini se zonja Yutong po sulmohet nga Kina, ndërsa qëndron si azilante në Gjermani.
Su Yutong është bërë një kuzhiniere e mirë. Përgatitja e gatimeve që i pëlqenin në Pekin, e lidh gazetaren me vendin e saj të origjinës dhe e ndihmon të mbushë ditët e gjata që i kalon e vetme në shtëpi.
Arsyeja për vetëizolimin e saj janë sulmet dhe kërcënimet prej vitesh nga Kina.
“Vazhdoj të them të vërtetën. Kështu që duan të më heshtin, edhe duke më kërcënuar”, thotë zonja Yutong.
Shpërndarja e një libri të ndaluar në Sheshin Tiananmen në vitin 2010 ishte fillimi i problemeve për zonjën Su. Policia kineze i bastisi shtëpinë në Pekin dhe ajo u vendos nën arrest shtëpiak.
Por, me ndihmën e miqve, ajo u arratis drejt Evropës.
Për ca kohë, kryeqyteti i Gjermanisë i dha një ndjesi sigurie. Zonja Su shkruajti artikuj për të drejtat e njeriut për rrjetin Deutsche Welle dhe më pas Radion Azia e Lirë. Por në vazhdim ajo e humbi ndjesinë e sigurisë.
Në vitin 2022, burra të çuditshëm filluan të shfaqeshin tek godina e saj, të sjellë aty nga një faqe e paligjshme për seksin në internet ku ishte publikuar adresa e saj.
“Ndjeva neveri dhe poshtërim. Kisha edhe probleme mendore në atë kohë dhe kisha frikë të ecja në rrugë”, thotë ajo.
Më pas gjërat u përkeqësuan. Në vitin 2023, identiteti i zonjës Su dhe dy aktivistëve të tjerë u përdorën për t’u regjistruar në hotele në Berlin dhe qytete të tjera. Nga ato dhoma u bënë telefonata për të lajmëruar për vendosje bombash.
Ekspertët thonë se rasti i saj është ekstrem edhe për Pekinin, që radhitet megjithatë ndër vendet që bëjnë represionin më të madh ndaj personave në vende të tjera.
“Taktikat bazë të represionit transnacional janë përgjithësisht të krijuara me qëllimin për t’i treguar njerëzve se nuk mund t’i shpëtojnë qeverisë kineze”, thotë Marieke Ohlberg, nga Fondi Marshall Gjerman.
Objektivi kryesor është ndalja e kritikave ndaj Kinës në vende të tjera. Ambasada e Kinës në Berlin dhe ministria e Jashtme kineze nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të Zërit të Amerikës.
Të qenit objekt i këtyre sulmeve është një përvojë shumë vetmitare. Për një periudhë dyvjeçare, zonja Su pothuajse nuk dilte fare nga apartamenti i saj. Ajo thotë se edhe diçka e thjeshtë, si një shëtitje në park, mund të shoqërohet me ndjesinë e rrezikut.
“Kur dilja, kontrolloja gjithë kohës se mos kishte njerëz të dyshimtë përreth meje dhe rrallë dilja nga shtëpia”, tregon zonja Yutong. Një reagim i këtillë është i pritshëm, thonë ekspertët.
“Paranoja është një reagim i zakonshëm në komunitete të ndryshme. Njerëzit shpesh frikësohen se faktorë të tjerë, apo individë brenda komunitetit mund t’i spiunojnë. Dhe kjo nuk është frikë e pabazë”, thotë Gozde Bocu, nga organizata për teknologjinë dhe të drejtat e njeriut “Citizen Lab”.
Megjithatë, zonja Su thotë se tani ndjehet më pak e frikësuar.
“Nuk e prisnin që pak nga pak unë do të arrija të dal nga hija ku më futën. Mendoj se janë ata që duhet të më kenë frikë mua dhe jo e anasjellta. Nuk munden të më heshtin. Nuk ia arrijnë dot kësaj”, thotë zonja Yutong.
Jeta e saj është përmbushur sërish, por në apartamentin e saj ka mobilje të pakta. Pas incidenteve të vitit 2023, policia gjermane rekomandoi që ajo të ndërronte vendbanimin. Ajo u zhvendos dhe la pothuajse gjithçka pas.
“Kina bllokon të vërtetën. Duhen gazetarë të shumtë që të thonë historitë e vërteta, të tregojnë ngjarjet reale dhe të vërtetën”, thotë ajo.
Në një njëfarë mënyre, zonja Su thotë se të jep një ndjesi të mirë kur mëson se edhe Pekini frikësohet. Nëse nuk do t’ja kishin frikë, mendon zonja Su, nuk do të ishin përpjekur kaq shumë që ta heshtin.
Është përshkallëzuar debati dhe përplasja mes Buenos Aires dhe Madridit, pas komentit të një ministri spanjoll, se presidenti i Argjentinës Javier Millay po merrte drogë.
Buenos Aires nga ana tjetër akuzoi kryeministrin Pedro Sanchez se rrezikonte gratë dhe e çoi Spanjën në varfëri, një deklaratë e karakterizuar si “e pabazë” nga Madridi.
Gjithçka nisi nga komenti, mbrëmjen e së premtes, e ministrit të Transportit të Spanjës, Oscar Puente.
“E pashë Miley-n në TV” kur ishte në fushatë. Nuk e di nëse ka qenë para apo pasi ka marrë substanca. Mendova, nuk është e mundur të fitosh zgjedhjet. Ka shumë njerëz të këqij, të cilët, duke qenë ata që janë, arritën në krye ”, tha ministri duke përmendur si shembuj Miley-n dhe ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Millay ishte i shpejtë për t’iu përgjigjur deklaratave të Puente me një postim shumë të mprehtë në Platformën X, ku ai akuzon Sánchezin se e çoi popullin spanjoll drejt varfërisë dhe vdekjes, raporton Politco.
“Sanchez rrezikon klasën e mesme me politikat e tij socialiste që sjellin vetëm varfëri dhe vdekje dhe minoi unitetin e mbretërisë duke bërë një marrëveshje me separatistët, duke lejuar në të njëjtën kohë emigracionin e paligjshëm e duke vënë gratë spanjolle në rrezik”, është shprehur ai.
Millay tha gjithashtu se Sanchez “ka çështje më të rëndësishme për t’u marrë, siç janë akuzat për korrupsion kundër gruas së tij”, të cilat prokurorët kanë sugjeruar që të hiqen.
Madridi nga ana e tjetër iu përgjigj Millay, me një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme, në të cilën thuhet se “refuzon kategorikisht deklaratat të pabaza të presidentit argjentinas, që nuk korrespondojnë me marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve të tyre vëllezër”.
Ndërkohë, sipas mediave të huaja, Millay do të vizitojë Spanjën pas dy javësh për të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga partia e ekstremit të djathtë, anti-imigracioni Vox. Por ai nuk do të takohet as me kryeministrin dhe as me mbretin e vendit.
Në zgjedhjet presidenciale të Argjentinës, Pedro Sanchez mbështeti hapur kundërshtarin e Miley-t, Sergio Massa dhe nuk e thirri presidentin e ri për ta uruar pas fitores.
Ministria e Jashtme e Spanjës e kufizoi veten duke i uruar “fat të mirë Argjentinës në këtë hap të ri”, pa përmendur emrin e Javier Millay. Në vend të kësaj, udhëheqësi i Vox Santiago Abascal shkoi në Buenos Aires dhe mori pjesë në ceremoninë e Millay. sn
Astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor po përgatiten për mbërritjen e ardhshme sondës së parë hapësinore me njerëz në bord të kompanisë Boeing. Anëtarët e ekuipazhit të fundit mbërritën me sondën e kompanisë SpaceX në laboratorin orbital më 5 mars. Astronautja e NASA-s, Jeanette Epps, thotë se ajo është mahnitur nga fluturimi dhe pamjet që “të lënë pa frymë” të Tokës nga hapësira.
Astronautët e NASA-s Jeanette Epps dhe Michael Barratt mbërritën në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më 5 mars, ku do të mbikëqyrin ardhjen e një sonde të re gjatë periudhës së tyre gjysmë-vjeçare.
Ata zëvendësuan një ekuipazh nga Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Japonia dhe Rusia, të cilët ishin atje që nga gushti.
Qëndrimi gjashtëmujor i ekuipazhit përfshin përgatitjet për mbërritjen e një sonde të re të NASA-s.
Sonda e re “Starliner” e kompanisë Boeing me pilotë testues pritet të mbërrijë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor javën e ardhshme.
“Do të analizojmë çdo detaj të fluturimit, ankorimin dhe çdo gjë tjetër të vogël gjatë këtij operacioni. Kjo është emocionuese sepse kemi të bëjmë me në automjet të ri”, tha astronauti i NASA-s Michael Barratt lidhur me mbërritjen e kapsulës “Starliner”.
Astronautja e NASA-s Jeanette Epps nga qyteti Sirakus i shtetit të Nju Jorkut, është gruaja e dytë me ngjyrë e caktuar në një mision të gjatë në Stacionin Ndëkombëtar Hapësinor.
Ajo tha para fluturimit se është veçanërisht krenare që do të jetë një shembull për afrikano-amerikanet, duke demonstruar se fluturimi në hapësirë “është një opsion për ato, se kjo gjë nuk është vetëm për njerëzit e racave të tjera”.
Si inxhiniere, ajo punoi për kompaninë Ford dhe CIA-n përpara se të bëhej astronaute në vitin 2009.
Ajo thotë se mbërritja në hapësirë ishte shumë emocionuese pas shumë vitesh pritjeje.
“U mahnita nga shumë gjëra që pashë në hapësirë, përfshirë Tokën dhe planetet e tjera”, thotë ajo.
Michael Barratt, një mjek në misionin e tij të tretë, është astronauti më i moshuar që ka fluturuar në hapësirë. Ai mbushi 65 vjeç më 16 prill.
“Çfarëdo faktori që mund të ketë luajtur mosha, e kam tejkaluar me sukses, sepse u përshtata më shpejt. Ky ishte fluturimi im i tretë në hapësirë”, tha ai.
Sigurisht, së shpejti NASA do të dërgojë sërish astronautë në Hënë.
Ndonëse zbarkimi i parë i njeriut në Hënë në më shumë se 50 vjet u shty për një vit, ai pritet të realizohet në vitin 2026.
Astronautët Epps dhe Barratt do të qëndrojnë në hapësirë për gjashtë muaj. Ata do të kthehen në Tokë në muajin shtator.
Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky u shfaq në listën e të kërkuarve të Ministrisë së Brendshme ruse ditën e sotme. Vepra e saktë për të cilën ai akuzohet mbetet e paqartë sipas mediave në Rusi.
Faqja e internetit e ministrisë thotë se presidenti ukrainas kërkohet sipas një neni të Kodit Penal të Rusisë dhe përmban emrin dhe fotografinë e tij të plotë, si dhe datën dhe vendin e lindjes. Nuk ka të dhëna për procedimin penal ndaj tij.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Aleksandr Litvinenko, u vu gjithashtu në listën e të kërkuarve të Rusisë. Ai e mori postin nga paraardhësi i tij Aleksey Danilov në mars. Edhe në këtë rast, nuk janë specifikuar detaje të akuzave.
Në prill, Litvinenko pretendoi se ishte e nevojshme të niseshin sulme me dron thellë brenda territorit rus, për të ushtruar “presion” mbi Moskën. Ai e përshkroi këtë taktikë si një element kyç të strategjisë së Kievit.
Moska e ka akuzuar vazhdimisht Kievin për përdorimin e metodave terroriste gjatë gjithë konfliktit të vazhdueshëm midis dy fqinjëve. Muajin e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kërcënimet e Zelensky për të shkatërruar infrastrukturën civile ruse ishin provë e synimeve terroriste të qeverisë së tij.bw
Kremlini i ka quajtur përshkallëzim i rrezikshëm dhe i drejtpërdrejtë komentet e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike kundër caqeve brenda Rusisë, nëse dëshiron.
Të enjten, Cameron i premtoi Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.
Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.
“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.
Në javët e fundit, Rusia e ka bombarduar pareshtur me dronë dhe raketa infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Komentet e Cameronit e bëjnë Britaninë të mbajë qëndrim më luftarak karshi Rusisë – së paku publikisht – sesa SHBA-ja, e cila thekson se armët me të cilat e furnizon Ukrainën duhet të përdoren vetëm brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, dhe jo kundër caqeve brenda territorit të Rusisë.
Ukraina thotë se i përdor dronët e vet dhe armë të tjera për të kryer sulme kundër caqeve brenda Rusisë, si për shembull, kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi komentet e Cameronit si të rrezikshme.
“Ky është përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve në lidhje me konfliktin ukrainas, i cili ka mundësi të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për tërë sigurinë evropiane”, tha Peskov.
“Këtu e shohim ne një trend të rrezikshëm të përshkallëzimit të tensioneve në deklarata publike”, shtoi ai.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se kjo është “hera e parë që një politikan perëndimor ka pranuar kaq haptazi një fshehtësi të njohur për kohë të gjatë për shumicën e vendeve të botës: Se Perëndimi po kryen luftë të fshehtë kundër Rusisë përmes ukrainasve”.
Rusia do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike, shtoi ajo. REL
Skema e thjeshtëzuar dhe orbita e misionit Chang’e 6 (Wikipedia)
Kina ka lansuar një sondë për të mbledhur mostra nga pjesa e largët e Hënës. Kjo është sonda e parë që dërgohet për një mision të tillë në botë, përderisa Pekini po shtyn përpara programin ambicioz që synon të dërgojë një mision me ekuipazh në Hënë deri më 2030.
Një raketë që bartte sondën hënore Chang’e-6 u lëshua nga Qendra e Hapësirës, Wenchang në provincën Hainan më 3 maj.
Uashingtoni ka paralajmëruar se programi i Kinës po përdoret si mbulesë për synime ushtarake dhe është një përpjekje e Pekinit për të pasur një dominim në hapësirë.
Sonda Chang’e-6 synon të mbledhë rreth 2 kilogramë mostra hënore nga pjesa e largët e Hënës dhe t’i sjellë në Tokë për analizim.
Media shtetërore, Xinhua, tha se ky është “misioni i parë i këtij lloji në historinë e eksplorimit të Hënës nga njeriu”.
Ky mision, që teknikisht është i ndërlikuar, do të zgjasë për 53 ditë. Sonda do të tentojë të bëjë një nisje të paprecedent nga pjesa e Hënës që gjithmonë është kahen e kundërt me Tokën.
“I gjithë misioni është i mbushur me sfida të shumta”, tha për Xinhua zëvendësshefi i projektimit të këtij misioni, Wang Qiong.
Sonda pritet të zbarojë në Pellgun Aitken në polin jugor, që është një prej kratereve më të mëdha të ndikimit në sistemin diellor. Kur të arrijë atje, sonda do të mbledhë dhe hënor dhe shkëmbinj dhe do të kryejë eksperimente të tjera në zonën e zbarkimit.
Më pas sonda, me gjithë mostrat e marra do të niset nga Hëna për në Tokë. REL
Komentet