Në 32 vjetorin e themelimit LDK’në e përcjellin shumë hije nga e kaluara. Personazhi Isa Mustafa është më kontraversi. Të tjera vendime, sidomos sa i përket udhëheqjes së luftës, mbeten njolla të zeza për partinë.
Pikërisht në ditëlindjen time të dymbëdhjetë, Serbia suprimoi autonominë e Kosovës. Pesë ditë përpara, më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës votoi ndryshimet në kushtetututën jugosllave, që ia hiqnin Kosovës autonominë dhe e kthenin nën pushtetin e Beogradit.
Autonomia e fituar në vitin 1974 u hoq me votat e delegatëve (deputetëve) të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. Më 28 mars 1989, ndryshimet kushtetuese u votuan në Kuvendin e Serbisë. Tre muaj më vonë, Slobodan Milosheviqi mbajti fjalimin ogurzi në Gazimestan.
Më 8 dhjetor 1989 u konsituua Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, respektivisht qeveria e Kosovës, në krye me Jusuf Zejnullahun. Anëtarët e këshillit, në mesin e të cilëve edhe Isa Mustafa, dhanë betimin solemn para kryetarit të Kuvendit të Kosovës Gjorgje Bozhoviq, kryetarit të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Rrahman Morina dhe zyrtarëve të tjerë komunistë të kohës. Në fjalimin e tij, Bozhoviq kërkonte që të zbatohej kushtetuta e re e Serbisë.
Vetëm dy javë pasi nisi të funksionojë qeveria e re e Kosovës, sipas kushtetutës së Serbisë, e në të cilën Isa Mustafa ishte një ndër sekretarët (pozitë ekuivalente me ministër) dhe nëntë muaj pasi Kosovës iu hoq autonomia, më 23 dhjetor 1989 u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Mustafa u emërua atëbotë sekretar krahinor për zhvillim, shkencë, informatikë dhe bashkëpunim shkencor-teknik me botën. Pra, në kohën kur LDK u themelua, Mustafa ishte në anën e tjetër, në anën e kundërt të historisë. Andej ngeli deri në qershorin e vitit pasardhës.
* * *
Para dy ditësh Isa Mustafa zgjodhi fjalë miradie për 32 vjetorin e LDK’së, kryetar i cilës parti ia doli të bëhej më pas. Ia doli të bëhet edhe kryeministër. Madje, ishte një rastësi e çuditshme: më 8 dhjetor 1989 ai u betua si ministër në qeverinë e Kosovës me autonomi të suprimuar nga Serbia dhe po më 8 dhjetor 2014 u betua si kryeministër i Republikës së Kosovës. Pra, njeriu i cili dikur bënte pjesë në qeverinë që dënonte “nacionalizimin dhe seperatizmin shqiptar”, ia doli të bëhej kryetar i qeverisë së Kosovës së pavarur.
Ish-ministër i Financave i qeverisë në ekzil, përgjegjës për Fondin e Trepërqindëshit, nuk dha asnjëherë llogari për milionat e fondit. Pasi koketoi e bashkëqeverisi me PDK’në dhe Hashim Thaçin, ai më në fund u lagua nga udhëheqja e partisë, por u caktua në pozitën e kryetarit të nderit. Dhe, nga kjo pozitë, ai nuk po di të ndalet së kritikuari e sulmuari partinë në pushtet. Idhnak e plot mllef, ai nuk po mund ta kontrollojë veten.
Është punë e studiesve të fushës se si ky njeri ia doli që të vijë në krye të partisë, ndërkohë që ishte në anën e kundërt të historisë në kohën kur ajo u themelua. Është punë e studiuesve që të hulumtojnë se si të tillët ia dalin të ngjiten në majat e pushtetit. LDK’në do ta ndjek gjithnjë hija e së kaluarës e Isa Mustafës, hije që po i rri mbi kokë edhe lidershipit të ri të partisë.
* * *
Por, në 32 vjet jetë, edhe plot hije të tjera e ndjekin partinë më të vjetër në vend. Më e errëta është ajo e mosmarrjes së përgjegjësisë për të udhëhequr luftën e armatosur. Votuesit e saj ia zënë për të madhe bashkëpunimin me PDK’në, që e bëri edhe Mustafën kryeministër, e rivalë politikë ia përmendin nënshkrimin e marrëveshjes së dëmshme për themelimin e Asociacionit.
LDK, e cila vazhdimisht ka dëshirë ta quajë veten “parti institucionaliste”, nuk është se ka vepruar kështu. Përkundrazi.
Është e vërtetë, LDK ka dhënë kontribut në shtetndërtimin e Kosovës, por nuk i ka pjesën dërmuese të meritave, qysh përpiqen t’ia atribuojnë vetes zyrtarë të saj. Njerëz të rëndësishëm të partisë, kontribues të pashoq në etapa të ndryshme, ka kohë që nuk janë pjesë e saj. Të tjerë, që nuk kanë pasur kurrfarë lidhje me të, tash janë bërë të rëndësishëm në parti. Mund të jenë të kuptueshme ndryshimet e tilla. Por asnjëherë, në asnjë mënyrë, nuk mund të kuptohet personazhi i quajtur Isa Mustafa dhe hapërimi i tij brenda partisë, madje deri në pozitën e kryeministrit. Vetëm një shoqëri si kjo e jona iu jep këso mundësish të tillëve. LDK, në 32 vjetorin e themelimit, është në një udhëkryq – ndërmjet dëmit që ia ka bërë vetes e që ia kanë bërë udhëheqësit dhe perspektivës për të ardhmen. Pranimi i gabimeve në të kaluarën qoftë në funksionimin e partisë, qoftë në mënyrën e qeverisjes, do të duhej të ishte gjëja më normale në një ambient të përgjegjshëm politik. LDK e ka rastin ta dëshmojë këtë.
Komentet