11 Maj 2026, 18:48Nga E.d
Monika Kryemadhi dhe Kujtim Cakrani
TIRANË- Avokati i ish-presidentit Meta, Kujtim Cakrani tha se shpenzimet në familje i ka kryer Monika Kryemadhi. Gjatë një prononcimi për mediat pas mbylljes së seancës së sotme në GJKKO, Cakrani e cilësoi Kryemadhin “ministre e brendshme në shtëpi”.
“Në fakt nuk është se hodhi përgjegjësinë, atë e ka marrë vetë zonja që kur është pyetur në prokurori. Ministri i brendshëm në familje padyshim është gruaja”, tha ai.
Nga ana tjetër, Kryemadhi deklaroi për gazetarët se ka qenë klasa punëtore që zbatonte mbarëvajtjen e shtëpisë. Ajo theksoi se ish-presidenti Meta për shkak të politikës, ka kaluar pak kohë me fëmijët e tyre.
“Nuk ka asnjë shpenzim te tepruar siç pretendon SPAK. Bëhet fjalë për një ndërhyrje shëndetësore të vajzës time, timen dhe zotit Meta, që janë të gjitha të deklaruara. Për fatin e tij të mirë, duke qenë se ka qenë burrë shteti nuk është marrë asnjëherë me gjërat e shtëpisë, nuk është pjesë e asnjë lloj shpenzimi dhe marrëdhënie time me kushëririn tim Adrian Sharku. Për fat të keq Ilir Meta për shkak të politikës, ka kaluar pak kohë me fëmijët e vet”, tha ajo.
Avokati i ish-presidentit të vendit Ilir Meta, Kujtim Cakrani ka shpjeguar simbolin që Meta përdori në gjyq. Pas seancës në GJKKO, Cakrani u shpreh se Meta bëri me duar simbolin e shqiponjës dhe jo atë të numrit 7, për të cilin tha se nuk lidhet me asnjë përvjetor.
Cakrani deklaroi se Meta ishte mirë nga ana fizike, i palestruar edhe nga ana mendore.
“Nuk bëri simbolin 7. Bëri shqiponjën. Nuk ka përvjetor. Është në lartësinë që e kërkon funksioni i tij si kryetar i PL-së. Ishte mirë nga ana fizike, i palestruar edhe nga ana mendore”,-tha Cakrani.
Seanca gjyqësore e cila u zhvillua ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar rreth orës 17:15. GJKKO e ka ndarë çështjen për të pandehurit në dosjen ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Bëhet me dije se për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar ndërsa dosja ndaj ish-presidentit Meta dhe Monika Kryemadhit do të vijojë veçmas.
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndarë çështjen Meta për të pandehurit ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
Në një prenoncim për mediat fund të seancës, avokati Kujtim Cakrani u shpreh se prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte Metën dhe se mbrojtja do të provojë pafajësinë. Sipas Cakranit, ish-presidenti nuk ishte përfshirë në asnjë bisedë, e-mail apo takim lidhur me çështjen.
“Janë rreth 120 dëshmitarë. Ka prova të reja që do t’i paraqesim në gjykatë. Çështja i bashkohet gjykimit të zakonshëm. Do të provojmë pafajësinë. Sot, prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte Metën. Zoti Meta nuk përfshihej në asnjë bisedë, e-mail apo takim. Do të vazhdojmë betejën tonë, edhe pse gjykata nuk na e pranoi kërkesën për masën e sigurimit.
Nuk e di çfarë ka dashur të thotë me numrin 7. Nuk bëri numrin 7, por shqiponjën. Meta është në lartësinë që kërkon pozicioni i tij si kryetar i PL-së. Përgjegjësinë Kryemadhi e ka marrë vetë që kur u pyet për hetimet paraprake në prokurori. 120 dëshmitarët janë pjesë e procesit hetimor dhe janë pyetur nga vetë organi i procedurës. Ne do të thërrasim edhe disa dëshmitarë të tjerë dhe do të paraqesim prova të reja”, u shpreh avokati Kujtim Cakrani.
Dosja Meta:
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.
/Dosja.al