Dritare te Larta
Kur shoh disa fëmijë
dhe hamendësoj, ai është duke bërë seks me atë,
ajo duke marrë tabletë apo përdorur kontraceptiv
E di, kjo është një parajsë.
Të gjithë të vjetrit kanë ëndërruar tërë jetën-
Lidhjet dhe gjestet të lihen mënjanë
si një autokombajnë e dalë mode,
të gjithë të rinjtë të zbresin rrëshqitses së gjatë.
drejt lumturisë së pafund, vras mendjen nëse
ndonjëri më shikonte kështu, dyzet vjet më parë
dhe mendonte: Ashtu duhet të jetë jeta;
s’ka zot më apo djersitje natën
për mëkatet apo për ta fshehur
çfarë mendon për priftin. Ai
dhe shokët e tij do të zbresin rrëshqitses së gjatë
si zogj të lirë bastardë. Dhe fill
më tepër sesa fjalët vjen mendimi i dritareve të larta:
xhami që gjithë rrezet e diellit i përhumb
dhe përtej tij, ajri blu, i thellë që tregon
asgjë, që nuk është askund dhe është e pafund.
Dashuria Përsëri
Dashuria përsëri, duke masturbuar në tre e një çerek
(e sigurtë, ai e ka marrë atë në shtëpi tani?)
Dhoma e gjumit e nxehtë si një furrë
të bërë rrafsh nga pija, pa treguar sesi
do të takohen të nesërmen dhe më pas
dhimbja e zakonshme si dizenteri.
Dikush tjetër duke i ndjerë gjinjtë dhe fundbarkun e saj
Dikush tjetër i mbytur në atë vështrim të qerpikëve
Dhe unë që duhet të bëj të paditurin,
ta quaj qesharake, apo mos ta vras mendjen
Madje… përse ta thuash me fjalë?
Harroje më mirë atë gjë.
që përhapet në gjallesat e tjera si një pemë,
i lëkund edhe ato në një lloj kuptimi
dhe thotë, përse nuk funksionoi kurrë për mua.
Ka diçka që ka të bëjë me dhunën,
shumë kohë më përpara dhe mësimet e gabuara
dhe arrogancën që nuk m’u hoq kurrë.
Shpërthimi
Në ditën e shpërthimit,
hije të drejtuara drejt grykës së pusit:
nën diell pirgu i dheut i ngjeshur.
Nga rruga vijnë njerëzit me çizmet e minierës,
duke kollitur, sharë nën zë, tymosur me llullë
dhe prishur qetësinë e mëngjesit.
Njëri iu vu në ndjekje lepujve, i humbi,
u kthye me një fole vezësh laureshe,
ua tregoi shokëve dhe i vendosi prapë mbi bar.
Kështu kaluan me mjekra dhe guna shajaku,
baballarë, vëllezër, me nofka, hokatarë,
përmes portave të gjata që qëndrojnë të hapura.
Në mesditë, ndodhi dridhja, lopët
ndaluan përtypjen për një sekondë, dielli
mbështjellë me një si perde zhegu, u vagëllua.
Të vdekurit shkojnë përpara nesh; ata
janë ulur tani në shtëpinë e zotit në prehje.
Duhet t’u biem edhe njëherë për f’tyre.
Të thjeshtë si mbishkrimet në faltore,
u tha për ta dhe për një sekondë,
gratë i panë burrat e tyre pas shpërthimit
më të mëdhenj sesa kishin qenë në jetë,
të artë si mbi një monedhë apo duke ecur
të lëkundur nën diell drejt tyre.
Njëri duke treguar vezët e pathyera.
Përkthyer nga Kujtim Morina
Komentet