Bajram SEFAJ
Dy janë arsyet, por jo të vetmet, pse rrëfehet ky rrëfim!
E para, (që mund të jetë e dyta!) është së përmes këtij kallëzimi, mbi tregimin “Gjumi i pagjumë”, shprish një ble kujtimesh, (kurrë të përgjumura!) mbi një kohë e një vakt të trazuar, të shkuar, por jo të harruar. Arsyeja e dytë (që mund të jetë e para!), është ideja, origjinale, fisnike e kolegut dhe mikut të shtrenjtë, Nijazi (Muhamedi). Është meritë dhe kabahat i tij. Fajtor, e përgjegjës, jam unë, çfarë rendimenti në mjeshtërinë e rrëfimit, të narracionit, do të arrij!
Të shohim!
*
Rrëfimi është ky: kur pasioni dhe kureshtja ngadhënjejnë mbi arsyen, si të shkelja mbi gaca qarri, i avitëm kabinës telefonike, në sheshin kryesor të Prishtinës.
Ishte fillimi i muajt prill të vitit të mbrapshtë 1981. Kur krejt Kosova, veçmas kryeqyteti i saj, ishte në tym e flakë!
-Alo, redaksia e kulturës së Flakës së Vëllazërimit? Telefonoj nga Prishtina. Desha të di për vendimet e jurisë së gazetës suaj, të konkursit letrar për tregim, për ketë vit!
*
Akoma ende pa e përfunduar mirë fjalinë, zëri nga skaji tjetër i telit, më përgjigjet: po, koleg, tregimi yt, ai me titull “Gjumi i pagjumë”, është vlerësuar me shpërblimin e tretë. Çmimi i parë dhe i dytë nuk janë ndarë fare sivjet!
*
E mundur kjo!
Befasi befasuese, e shkuar saj!
Nuk isha prezantuar fare në bisedën telefonike!
Tregimi ishte nënshkruar me shifër!
Kolegu, ashtu si e njohu zërin tim në telefon, e kishte njohur edhe “dorëshkrimin” e tregimit tim në letër!
A nuk kjo, një mrekulli qe meriton të veçohet e të shënohet!
*
Tregimi “Gjumi i pagjumë” atë ditë e sot, për jurinë e respektuar të “Flakës…” dhe lexuesit e saj, ngeli anonim nga se, juria e kishte marrë si shkrim të një autori tjetër, kur për kohë të gjatë, afro tridhjetëvjeçare, nuk kishte bërë Gjumë të rehatshëm në(për) birucat e zi të armiku shekullor.
*
Ec e paraqitu, ec e dëshmoje autorësinë!
Që të rri urtë e të mos e nguc “grejzin me kra’ne, se… ”, me këshilluan edhe shumë miq e dashamirë!
*
Rrëfimi për këtë tregim, përfundon me kreshendo. “Gjumi i pagjumë”, pos që ishte një nga dhjetë tregimet e vëllimit “Rruga deri në kallëzim”, (Rilindja – 1983), shumë vjet më vonë (1995), përkthyer nga Sébastien Gricourt, u botua në frëngjisht, në numrin 5, të revistës “Encres Vagabondes” – (Céation littéraire et magazine de l’écit) dhe zinte tri (50, 51, 52) të formatit të mesëm, të saj!
Dy lexuese, dy hanëme, dy bukuroshe parisiene, tregimi “L’insomnie” (titulli i përshtatur, në gjuhën e tyre!), i la pa Gjumë, nga meraku i “sevdasë” dhe “dashurisë” në autorin!
*
…shumë vjet më vonë, në një natë krejt tjetër, gjallë e dendur kujtoi atë natë dhe provoi të qiste diçka në letër.
… des nombreuses années plus tard, lors d’une nuit totalement autre, vivant et résolu, il se souvint de cette nuit et il tenta d’en sortir quelque chose sur le papier.
Këto janë fjalët e fundit, në shqip dhe në frëngjisht, që “solemnisht” përmbyllin rrëfimin e tregimit “Një natë e pagjumë”, respektivisht të “L’insomnie”.
*
Ky mister dashurie, zbërthen, gris perden e heshtjes, zbardhet, zbulohet, bëhet i përbotshëm, si për të përligjur thënien e Gabriel Garcia Markez – “Tëra bota ka tri jetë: një jetë private, një jetë publike dhe një jetë sekrete…”!
Kaq.
(Haj kuku, kuku për mu, baba dek’, kali çorru’! – insert nga kënga e trashëgimisë së folklorit tonë të lashtë, që, edhe sot e kësaj dite, këndohet ndër ne, në çaste sikleti e mërzie!
(Diku në Francë, shtator 2020).
———————–
Letër miqësore!
I dashuri dhe fort i çmuari Nijazi, mbas shumë përpjekjesh, që këtë rrëfim të qes në letër, sa më mirë, (më shumë për hatër tënd, si autor ideje!), në çastin kur kujtova se ia arrita, deri diku qëllimit, të them atë që synoja të them, (më të mirën për ty!), tekstin e suprimova, e zhbëra, gabimisht e shleva!
Kjo që po e lexon, shok profesor, nuk është tjetër, pos kopje e zbehtë, surrogat i asaj që kisha qitë e letër para humbjes, avarisë! Sidoqoftë, i dashuri profesor, asgjë nga kjo, as një shkronjë nuk do ta bej publike, pa e marrë, gjykimin, vlerësimin tënd. Pres nga ti. Shumë më shumë, se që e meritoj!
Të paça me shëndet, jetë të gjatë e faqe të bardhë, profesor!
Me miqësi e respekt të pa luhatur!
À Gaillard, le 14.10.2020
Kur e lexova, edhe një herë, sot në mëngjes, nuk me kënaqi, hiç, sikur asgjë të mos kisha thënë, ia shtova këta pesë gjashtë rreshta, (më ngjyre të kuqe!). E pashë të udhë, e ndjeva si obligim dhe, për respekt ndaj teje, ta dërgoj tekstin edhe njëherë. Shiko, Nijazi i nderuar, shtoje ndonjë fjalë, arsyetimi, ndihmoje mikun, evitoje dështimin! Aman!
15.10.2020
Komentet