Kaloi viti që kur i filloi punimet Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së, por, ai llogaritet ende i papërfunduar. Arsyeja është se Kryesia e LDK-së, për ndryshim nga Kuvendet paraprake formale, kishte propozuar organizim dhe zhvillim ndryshe, si:
1) Ndryshimin e statutit të LDK-së;
2) Debat të shpenguar kuvendor;
3) Heqja e kushtit idiotesk 50+1 % të votave për kandidim për kryetar;
4) Konkurrencë të ndershme zgjedhore;
5) Votim i fshehtë demokratik, madje, për të gjitha nivelet e strukturave partiake.
Të 5 (pesë) premtimet e cituara, u heshtën, u anashkaluan lehtësisht, kryesisht, nga klani brenda Kryesisë të LDK-së!
E gjithë kjo u mbulua me tymnajën se, kinse, “po rrezikohet ndarja e LDK-së, andaj, Isa Mustafës duhet t`i zgjatet afati për një mandat të tretë!”
Realisht, frika u sajua, jo për ta ruajtur unitetin, por, për ta vazhduar status-quonë, për ta ruajtur klanin, me të gjitha pozicionet dhe privilegjet e tyre individuale e grupore. Përndryshe, mandati mund t`i vazhdohej kryetarit Mustafa, pa konkurrencë, edhe pse nuk përfqëson kurrëfarë uniteti. Përkundrazi, godet inatçëm dhe pa zgjedhur mjete, cilindo që aspiron reforma, demokraci brenda-partiake dhe ngritje të LDK-së!
Bërthama e klanit, si xhandarë, drejtuan “Kuvendin”, duke lexuar e recituar vendimet e marra paraprakisht. Zërat e vetmuar kundërshtues, që bënin thirrje “të mos bëhen skllevër të shekullit digjital, por, ta refuzojnë metodën moniste kuvendore”, u duartrokitën nga një pjesë e delegatëve. Megjithatë, votimi, pothuajse, – en bloc -, bëhej sipas skenarit të kryetarit me klanin e tij. Ndërkohë, dalja nga ajo sallë “zgjedhore”, ngjasonte si largimi nga varrezat, pas përcjelljes të kortezhit funeral, sepse zhgënjimi ishte i skajshëm.
Rrjedhimisht, Kuvendi i 9-të “Zgjedhor” i LDK-së, ende nuk ka përfunduar.
Partia e Vjosës imagjinare apo faktike?!
Me entusiazëm e bujshëm po reklamohet “partia” e Vjosë Osmanit, “Lidhja e Re Demokratike”, edhe pse ajo nuk e ka konfirmuar diç të tillë. Më të zëshmit janë aleatët e LDK-së, PAN-i, më sakt, miqtë e klanit Mustafa, por, armiq të dëshmuar të LDK-së.
Nuk dua ta besoj që Vjosë Osmani të jetë aq qumështore, për ta ndërmarrë një aventurë të tillë, e cila, gjithësesi, do ta dëmtonte LDK-në. Edhe pse në Kuvendin e 6-të Zgjedhor, fajsia ishte proporcionale me përqindjen e fituar të votave, pra, LDK-ja më shumë se sa LDD-ja, pasi përzgjedhja e Këshillit të Përgjithshëm ishte nepotike e selektive, pjesë e fajsisë u bë edhe LDD-ja, ngaqë faktorizoi ndarjen. E ardhmja u përket qendresëtarve dhe jo ikanakëve.
Padyshim se vendimi i klanit Mustafa, për përjashtimin e Vjosës nga pozitat vendimmarrëse të LDK-së, më e votuara dhe më e merituara e partisë, kulmon batakçillëqet e një klani uzurpator përgjatë një dekade. Si i tillë, vendimi është kriminal dhe me elemente të bollshme të rrugaçërisë. Kjo është një goditje e paprecedent, paparaprijës, që i bëhet anëtarësisë, elektoratit të LDK-së dhe të demokracisë.
Megjithatë, Vjosë Osmani duhet ta përballojë dinjitetshëm marrëzinë brutale të një klani të mundur moralisht, të zgjyrosur dhe keqas të përlloqur, sepse nuk është e vetme. Ajo gëzon respektin dhe dashurinë e dlirë të pjesës absolute të anëtarësisë, elektoratit të LDK-së dhe të shqiptarëve të kudondodhur. Andaj, Vjosë Osmani, duhet të jetë e përgjegjshme ndaj LDK-së, në veçanti, të djathtës të Kosovës dhe shqiptarëve, në përgjithësi. Ajo, më shumë se askush tjetër, simbolizon e përfaqëson rugovizmin krenar, me një kurajo unike e fisnike, përballë lukunisë uzurpatore klaniste të partisë, dikur famoze, të Presidentit Rugova.
Vjosë Osmani dhe reformatorët e saj, brezi i Republikës, u shpërfaqen në skenën politike të Kosovës, duke përzgjedhur partinë e Rugovës, me synimin për reformimin e LDK-së, ngaqë devijimet nga fryma rugoviane ishin të dukshme. Orientimi atdhetar dhe demokratik i këtij brezi, shqetësoi gardën klanore të partisë, e cila, duke u shërbyer me llafollogji demokratike, veprimet i bënë, tërësisht, moniste. Për të mbetur, përjetësisht, në strukturën më të lartë të partisë, përdorën metodën staliniste zgjedhore: pa debat, pa konkurrencë, pa votim të fshehtë demokratik!
Vjosë Osmani është “kurban”, viktimë e mbrojtjes të vizionit, “amanetit”, porosisë të Presidentit Rugova: “Kosova duhet mbrojtur, duke mos lejuar aventurierë, njerëz të liq, të ngrihen në pozita të larta, ngaqë janë të rrezikshëm për Kosovën”, (perifrazim i lirë i citatit). Më konkretisht, fjala ishte për Hashimin me shokë. Dhe, Vjosa refuzoi Hashimin-president si dhe koalicionin me partinë e tij të krimit dhe hajnisë zyrtare, PDK-në. Anëtarsia e LDK-së aprovoi, miratoi veprimin e saj, si të drejtë e dinjtoz.
Refuzimi i votës për Mustafën dhe Hotin kryeministër, nuk kishte të bënte fare me emrat e tyre, por ishte kundër pazareve të pista me PDK-në dhe, së fundi, me PAN-in. Këtë të vërtetë sipërore e dinë edhe anëtarësia, Këshilli i Përgjithshëm, Kryesia e LDK-së dhe klani i kryetarit Mustafa. “Nuk kanë qenë kundërshtimet ndaj partisë, por ndaj koalicioneve të gabuara, që fondamentin e kanë pasur në krim e korrupsion. LDK-e e ka ditur për qendrimet e mia, para se të më kandidojë për kryeministre”, – sqaron e sinqerta mendore dhe e dlira shpirtërore – Vjosë Osmani.
Denoncimi i paligjshmërisë të strukturave partiake, jo vetëm të LDK-së, por, edhe të të gjitha strukturave vendimmarrëse të subjekteve tjera partiake në Kosovë, nga rugovistja Vjosë Osmani, shkollare amerikane, u prit me nervozizëm të skajshëm nga të gjithë uzurpatorët e spektrit politik. Krerët e subjekteve politike, me klanet e tyre, duhej të reflektonin ndryshe, me arsyeshmëri dhe logjikë të ftohtë, sepse ligjësimi i të paligjshmëve është nevojë akute dhe në dobi të Kosovës. Të jesh i paligjshëm në strukturë udhëheqëse të partisë, është njësoj sikur të jesh me diplomë të falsifikuar në një zyrë.
Klani i mundur nga Vjosa, nuk u pajtua me humbjen morale, që rrezikonte edhe atë pushtetare. Andaj, vendosi hakmarrjen mizore, madje, kriminale përjashtuese, duke lënduar zemrat e miliona shqiptarëve dhe shuajti shpresën e madhe të tyre për ndryshim. Përjashtimi u bë në kundërshti të plotë me vullnetin e anëtarësisë, madje, edhe të vetë strukturave të partisë, pavarësisht se kryetari, me klanin e tij, u thirrën, rrejshëm, në emër të tyre.
Përjashtimi i Vjosë Osmanit nga Kryesia, dëshmoi falsitetin e klanit, brenda Kryesisë të LDK-së, se, kinse, “në këtë parti tolerohet mendimi ndryshe!” Bilëz, edhe PAN-istët e reklamojnë “demokracinë brenda-partiake të LDK-së”, qëllimshëm, për ta cytur e trimëruar klanin Mustafa të godasë kundërshtarët e tij, të cilët, njëherësh, janë aktiv edhe kundër PAN-istëve.
Goditja politike e Vjosës, tashmë, e dëshmuar si mbrojtëse e vendosur e vizionit të Presidentit urtak Ibrahim Rugova, është një mesazh, sa i qartë, aq edhe i vrazhdët, edhe për kuadrot tjerë rugovistë, se “kush tenton ta prishë aleancën konspirative me PDK-në, do ta pësojë njësoj si Vjosa!” Ka mbetur i shkruar një zotim i hershëm i kryetarit Mustafa: “Do ta krijojmë një LDK-e të re!” Dhe, këtë e bëri realitet, pasi nga rugovizmi ka mbetur vetëm emëri, si logjistikë manipulative.
Inskenimet dhe shpifjet kundr Vjosë Osmanit, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të orkestruara nga klani i kryetarit Mustafa. Shpifja më cinike është se “Vjosa i humbi zgjedhjet!” Dhe kjo është thënë, së pari, pikërisht nga ata, që, vërtet, i humbën zgjedhjet! Në prag të zgjedhjeve qendrore, dy nga nënkryetarët e LDK-së bojkotuan një mbledhje, ku do të zgjidhej Kryesia e ngushtë e LDK-së dhe kandidati-ja për kryministër-e. Ky bojkot u lexua nga elektorati se kryeklanorët duan ruajtjen e pozitave partiake, madje, me çdo kusht dhe nuk ka ndryshim. Që këtej, votat e LDK-së rrodhën për partinë tjetër.
Nënkryetari tjetër i LDK-së, Haki Rugova, ishte shumë konstruktiv, pa pretendime dhe i gatshëm për ndryshimin. Të kësaj mendjeje kanë qenë edhe shumica e kryetarëve të komunave dhe, pothuajse, të gjithë kryetarët e Degëve, sepse shtohej shansi për t`i rifituar dhe fituar zgjedhjet lokale. Si pinjoll i Familjes Institucion Rugova, dëshmoi fisnikëri dhe përgjgegjësi karshi LDK-së dhe Kosovës.
Për hirë të së vërtetës, duhet pranuar, se edhe krytari Isa Mustafa ishte i interesuar për të bërë disa ndryshime, gjithësesi, të kontrolluara. Hapin e parë e bëri, por, u pengua, deri në stopim, nga disa klanorë të tij fanatikë, në mbrojtje të interesave të tyre përsonale.
Një shpifje tjetër, po aq e poshtër, fort e ndjeshme, e bërë me porosi të klanit dhe e lansuar nga një gazetar oborrtar, ishte se “Vjosa Osmani është kundër bijave e bijëve të viktimave të SHIK-ut”! Ndoca syrësh e demantuan gazetarin dhe dëshmuan me votën e dhënë pro Vjosës, kundër përjashtimit të saj. Gabuan pse nuk reaguan në grup, për abuzim me emrat e tyre dhe nuk bënë padi grupore për gazetarin shpifës. Banaliteti i kësaj shpifje demantohet me qendrimin e prerë të Vjosës, për t`u mos u koalicionuar me ata që shtuan jetimët e Kosovës, edhe pas dëbimit të soldateskës vrastare serbo-sllave, nga NATO-pakti.
Një vërejtje-porosi vlen të bëhet në adresë të Vjosës: Meritat e saj duhet t`i ndjajë me bashkëmendimtarët, reformatorët dinjitozë, të cilët e shoqëruan në veprimtarinë e saj fushatore dhe përtej. Ata ishin dhe duhet të mbetën një ansambël unik e simpatik dhe tejet mbresëlënës. Me ata duhet vazhduar e ngulmuar për reformimin e LDK-së dhe ndryshimin e Kosovës.
Maskat ranë. Në të gjitha kombinaturat, klani Mustafa pësoi fiasko, sepse për një dekadë radhazi mbanë në pushtet PDK-në, me aleatët e saj natyralë, me kartelë krimi dhe korrupsioni. Klani nuk arriti ta fshehë as prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, me porosinë-urdhër të Hashimit.
Emërimi i koordinatorit aktual, për dialog me Serbinë, është një përzgjedhje e drejtëpërdrejtë e Hashimit, në kundërshti të plotë të LDK-së dhe të popullit të Kosovës. Pas afro një dekade, bashkohet, sërishmi, “trojka” konspirative e Zajednicës, Demarkacionit, zgjedhjes të Hashimit-president dhe pisllëqeve tjera! Arsyeja e gjithë kësaj maskarade: shantazhimi me dosjet e hartuara nga SHIK-u, ndër vite, për disa klanistë të LDK-së.
Rrugëdalja për ta shpëtuar LDK-në nga qorrsokaku aktual
Tashmë dihet se Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së, nuk ka përfunduar. Andaj, duhet vazhduar, pavarësisht se ka laluar një vit. Është humbur shansi të reflektohet, kur Kuvendi u kthye në një maskaradë zgjedhore; kur delegati nga Dega e LDK-së në Gjermani bënte thirrje të stopohet falsifikimi i turpshëm. Edhe pse ai duartrokitej, votohej Isa! Hipokrizia nuk ka brirë! Megjithatë, assesi nuk duhet të pajtohemi me degradimin e mëtejmë të LDK-së.
Po flitet se Vjosë Osmani ka bërë përgaditjen për themelimin e 20 Degëve, për hapjen e partisë së re! Vetëm gjysma e tyre të jetë e vërtetë, atëherë pse të mos kërkohet vazhdimi dhe përfundimi i Kuvendit të 9-të Zgjedhor, për t`i ligjësuar strukturat e paligjshme të LDK-së. Me ligjësimin e strukturave partiake, LDK-ja do të përfitonte shumë:
1) Elektorati rugovian, i zhgënjyer në klanin brenda Kryesisë aktuale, i lidhur fort me PAN-in kriminal, do t`i kthehej partisë zëmadhe e krenare të Presidentit Rugova, LDK-së luftëbërëse, themeluese dhe ndërtuese të shtetit të Kosovës;
2) Përçarja dhe ndarja e LDK-së, do të pamundësohej, sepse me zbatimin e tri parimeve bazë të demokracisë: debatit të shpenguar brenda-partiak; konkurrencës të ndershme zgjedhore; votimit të fshehtë, do të prodhonte vetëm kuadro legjitim të strukturave të partisë, që nga delegatët kuvendorë, lokalë e qendrorë, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë Qendrore, Kryesinë e ngushtë e deri tek kryetari, me aplikimin zgjedhor 1 (një) anëtar, një votë. Nëpër këtë sitë do të duhej të kalonin, me kundër-kandidatë, edhe deputetët dhe kryetarët e komunave.
Gjithçka duhet të fillojë me ndryshimin e statutit akrual të LDK-së, i imponuar nga klanorët, për interesat e tyre personale e grupore, duke rrënuar, vetëdijshëm, partinë zulmëmadhe të kryezotit dhe hyjnorit Rugovë. Për këtë nismë ndryshimi, duhet angazhim jo vetëm i reformatorëve, por, edhe i të gjithë rugovistëve të mirëfilltë, fort të lënduar për LDK-në e përtokur, të cilët aspirojnë ta nxjerrin nga qorrsokaku aktual.
Vjosa me reformatorët e saj kanë fisnikëri dhe jo smirë. Ligjësimi i kuadrove, përmes votës së fshehtë demokratike, nuk presupozon largimin e kuadrove aktual nga strukturat drejtuese. Përkundrazi, meritorët forcojnë pozicionet e tyre. Ndarja në breza, të vjetër dhe të rinj, është artificiale e përçarëse, nuk afron, përkundër, largon e dëmton.
Vërtet, shumica e gardës drejtuese ekzistuese, kanë qenë kuadro të Presidentit Rugova. Por, privatizimi i partisë, pa konkurs e tender fare, ka ndodhur. Shpronësimi është domosdo dhe duhet bërë. Përndryshe, zhgënjimi i anëtarësisë është domëthënës. Megjithatë, pajtimi është e vetmja alternativë. Dhe, kjo duhet bërë para zgjedhjeve të pritshme qendrore.
Komentet