Pas vdekjes së Neoptolemit,
Nga mbretëria i ra një pjesë Helenit
i cili këto vise i quajti Kaoni nga emri trojan Kaon
Dhe në këto kodra një pergam të ri
ndërtoi bashkë me një kështjellë trojane
Emrin e një fisi të quajtur kaokhon, e hasim për herë të parë te “Iliada”. Kaokhonët marrin pjesë në betejën greko-trojane përkrah trojanëve.
“Në breg të detit kanë zënë vend kerianët
dhe ata, peonët harklakuar, lelegët.
Fusha e Timbrës u ra në short liqeve,
myzëve krenarë e frigjëve kuajlëshues
edhe meonëve që luftojnë prej qerresh.”
(“Iliada”, kënga X, f.175,v.500-507)
Homeri, ndër karakteristikat që u jep fiseve që luftuan përkrah trojanëve, kaokhonët i konsideron si të gjakut apo të racës pellazge. Pra, kaonët i bie të jenë autoktonët ose vazhduesit e racës së ciklopëve. Është pikërisht fisi që ngrinte mure të trasha e që më vonë do të quheshin mure ciklopike. Dëshmitë homerike, nga njëra anë i renditin të një gjaku me fiset pellazge, nga ana tjetër i bashkojnë me fiset trojane. Kaokhonët u bashkuan me trojanët kundër akejve. Të jetë vallë përkatësia e gjakut dardano-ilir, apo janë lidhje të tjera të cilat bëjnë që fqinjët e akejve të lashtë, në skajin më perëndimor, të bashkohen me trojanët?
E dhëna tjetër i takon shekullit II para Krishtit (vitit 230), kohë kur u bë lidhja epirote, e përbërë nga kasiopejtë, thesprotët dhe kaonët. Sipas Mustilit, shteti i pavarur i prasaibëve kishte qendër Butrintin, themeluar nga kolonë grekë në shekullin VI para Krishtit. Në periudhën që përshkruan Homeri, kaonët i gjejmë fqinjë me pellazgët, në kufirin verior grek. Atëherë gjërat janë të sakta: në këtë territor dëshmohet jeta e fisit më të madh jugor, atij kaon, territor që më vonë u quajt Epir dhe që fillonte nga Triporti (Aulona e lashtë) deri në Ambraki. Përsëri nga Iliada marrim një informacion tjetër:
“Dhe ata që trojet i kishin në Orne dhe në Arterie të këndshme dhe në Lumë e në Siqion, ku Adresti sundoi i pari, në Iperesin e Gnoesë së egër” (“Iliada”, kap.II, var.703-707)
Mos ndoshta me Iperi të Gnoesë së egër Homeri na jep një dëshmi për një qytet me këtë emër, në Epir? Mos e ka pasur fjalën për Antigonenë e lashtë në jug të qytetit të Gjirokastrës dhe epiteti “i egër” i shkon më tepër kësaj qendre në thellësi të maleve. Për sa u përket emrave “Kaoni” dhe “Gonoe”, kemi të bëjmë me të njëjtin toponim , sado që bashkëtingëllorja “G” është me të njëjtin tingëllim si “K-ja” me tingëllim të butë.
Straboni i quan kaonët pellazgjikë. Në listën e detajuar të fiseve pellazgjike të përmendura prej tij, fiset epirote janë: thesprotët, kaonët, kasiopejtë, mollosët. (Straboni, kap.221.5-10) Më poshtë ai nënvizon: “Ilirët këtej kanë kufi me grekët Ambrakinë. Shumë i quajnë kombet epirote “pellazgjike”.
Në një vend tjetër ai thekson: “Epirotë janë dhe dhjetë fise të tjera: amfilokët, atamanët, aitikët, tymfejtë, orestët, parorejtë, atintanët, perrebejtë, enienët, euritanët”.
Perrebejtë banonin rreth Dodonës, “rrahur stuhish”. Pikërisht në vendbanimin e lashtë të kaonëve më vonë do të hasim labët. Tezën se labët apo albët janë skithas të shpërngulur në kohë të papërcaktuar nga Alpet e Kaukazit, (Dagestani i sotëm) e ka ngritur i pari Pukëvili, më vonë këtë mendim e kanë përkrahur dhe dijetarë të tjerë, si Spiro Konda.
Jam i mendimit se edhe legjenda e Prometeut, kryqëzimi i tij nga Zeusi në malet e Kaukazit, pas mbarimit të luftës mitike të geganëve me ciklopët (“Prometeu”, Eskili), është rezultat i jehonës së largët të asaj autoktonie. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe që, ndonëse ngjarjet vendosen në Mesdhe, ekzekutimi i Prometeut të bëhet në malet e Kaukazit!?… Kjo legjendë është e trashëguar te helenët, ndërsa vendi i ekzekutimit ka mbetur po ai, malet e Kaukazit.
Gjuhëtari ynë i shquar, E.Çabej, thrakishten dhe ilirishten i nxjerr si gjuhë me prejardhje të lashtë, gjuhë japitike. Ndërsa gjuhëtari Spiro Konda thotë: “Historia e pellazgut është historia e Peleut (Pelestini) që shtegtoi drejt Perëndimit, në kufi të 3000-vjeçarit para Krishtit”. Argumente të rëndësishme për trevën kaone do të gjejmë nga fusha e arkeologjisë. Ndërtimi i mureve mbrojtëse të vendbanimeve mbi terrenin natyror (pa themel) ka qenë karakteristikë e përbashkët e të gjitha mureve prehistorike.
Gurët e mbledhur në terren apo të shkëputur nga faqe mali janë vendosur të papunuar, “në muraturë të thatë”, pa ndonjë lidhje me llaç. Trashësia e mureve të tilla që i gjejmë në qendrat prehistorike kaone, është nga 3 deri në 5 metra. Tek muret e evidentuara si më të hershme nuk gjenden gjurmë të përpunimit me çekiç.
Kjo tregon që hekuri nuk kishte hyrë ende në përdorim për ndërtime muresh. Mure të tilla,me të drejtë janë quajtur “mure pellazgjike”. Ky do të jetë dhe kriteri dallues për të bërë diferencime me shtresat e mëvonshme të ndërtimeve të këtyre mureve, ngritur mbi ato të shtresave më të hershme, të quajtura “pellazgjike”. Mure të tilla, veç mureve rrethuese të Butrintit, i gjejmë në Kalivo dhe në Borsh. Arkeologët tanë këto gjurmë i datojnë në hapësirën kohore shekulli VI para Krishtit.
Pas këtij shekulli nuk gjenden gjurmë muresh të stilit pellazg. Gjurmët e tjera para kësaj kohe i përkasin jetesës në shpella apo, siç shprehen arkeologët dhe speleologët, i përkasin “kulturës së Trenit”. (rrethi i Korçës). Kjo periudhë ( gjer në shek. IV para Krishtit) bën ndarje kulturash dhe flet për ndryshime zakonesh dhe jetese të kësaj popullsie autoktone me popullsi tjetër , të cilën mund ta quajme “të ardhur” (“ardhas”, ardias).
Mund të identifikonim ilirët, të cilët erdhën në këto troje, duke u shtyrë drejt Europës Jugore, në kohë të pacaktuar, dhe u përzien me fiset autoktone, ndoshta edhe ngaqë, sipas disa studiuesve të kësaj treve, ata ishin të një degëzimi dhe e ruanin në kujtesë, brez pas brezi këtë afri. Ndryshime në zhvillimin ekonomiko-shoqëror, përmes materialeve arkeologjike,vihen re në të gjithë territorin e Shqipërisë së sotme. Inventarët e varreve bëjnë diferencime të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, midis anëtarëve të bashkësive me ato të një aristokracie fisnore.
Për sa u përket tumave që konsiderohen ilire (varret e përbashkëta), autori D.Kurti hedh idenë që përdorimi i tyre mbaron gjatë këtyre dy shekujve që përmendëm më lart. E kësaj periudhe datohet dhe tumula e gjetur në Apoloni. (N.Ceka) Po kështu, Prashniker i përshkruan muret e kështjellës së Margëlliçit dhe i daton si të shek. VI para Krishtit.
Sipas arkeologut Neritan Ceka, kjo është edhe periudha ku ndeshim fazën e zhvillimit të qendrave urbane dhe të grumbullimit të prodhuesve zejtarë në grupime ndërtesash pranë e pranë. Si kufij kronologjikë të këtij zhvillimi edhe ky autor përcakton shek IV para Krishtit. E paprovuar mbetet ideja nëse këta kufij kronologjikë lidhen me lindjen dhe lulëzimin e qyteteve ilire apo me ardhjen në këto treva të një popullsie ilire, me karakteristikat e saja. Kultura ilire gjendet e evidentuar edhe sot e kësaj dite në rrënojat e Amantias, Butrintit, Kalivos, Antigones, Badhrës… (Borsh).
Edhe qyteti antik i Triportit (Vlora e sotme) ka lindur si vendbanim në shek. VI para Krishtit. (V.Bereti,Iliria 77-78,f.280) Sipas arkeologut D.Kurti, “ Shpata e Midhes” i përket shek. XVI para Krishtit dhe është identike me kulturën mikene. Ajo hyn në tipologjinë e shpatave me brirë, por vetëm një gjetje nuk mjafton për të bërë përgjithësime. Lugina e lumit të Shushicës është treva e Kaonisë Veriore më në brendësi të detit. Qendrat më të vjetra prehistorike në këtë zonë janë: Amantia, (Ploça) Mavrova (Olympia) dhe Throni (Kanina).
Gjurmë varresh të periudhës para Krishtit gjenden duke ecur për në Jug, përgjatë rrjedhës së Shushicës. Këtu kemi dy kështjella të lashta: atë të Ceries, bashkëkohëse e kështjellës së Kaninës, dhe kështjellën e Boderit (Smokthinë). Po kështu, gjurmë varresh gjejmë në fshatrat Tërbaç, Vranisht (Uvrani), Ramicë.
Sipas arkeologut F.Prendi, në fshatrat Vajzë dhe Dukat gjenden varre tumulore që i përkasin kohës së bronzit dhe që janë të një moshe me ato të Baikait (Sarandë) dhe të Vodhinës (Gjirokastër).
*VOAL po boton “Kaonët dhe Kaonia” e cila vijon librin studimor “Në kërkim të rrënjëve” të shkrimtarit dhe diejtarit të shquar Sulejman Mato.
Komentet