BYROJA KOMBËTARE E HETIMIT – BKH është një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori i BKH rekomandohet nga një komision i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, ndërsa emërimi bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori ka mandat 5 vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë. Pas përfundimit të mandatit, Drejtori ka të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i korrespondon atij funksioni.
Drejtori mund të vijë nga radhët e Policisë së Shtetit, policisë gjyqësore, apo hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo prokurorëve. Kandidati duhet të ketë reputacion të njohur si person me integritet dhe i njohur për një punë me standardet më të larta profesionale. Drejtori i BKH lirohet nga detyra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë kur:
i përfundon mandati; jep dorëheqjen; mbush moshën e pensionit.
Ndërsa mund të shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazuar në rekomandimet e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kur:
a) dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale;
b) për shkelje të Kushtetutës apo për shkelje të rëndë të ligjit gjatë kryerjes së detyrës;
c) për shkelje të rënda dhe shumë të rënda të disiplinës gjatë ushtrimit të funksioneve;
ç) kur dalin fakte të reja që janë verifikuar dhe janë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara për emërimin e tij/saj.
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit pezullohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në rekomandimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, nëse drejtori bëhet subjekt i një hetimi penal. Pezullimi vazhdon për aq kohë sa do egzistojnë shkaqet e këtij pezullimi.
MONITORIMI NDËRKOMBËTAR, 2 VJEÇAR – Një Komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e BE dhe SHBA në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2 vjeçare duke nisur prej momentit të themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit do vëzhgojë në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të BKH, si dhe miraton materialet e trajnimit të Hetuesve dhe Drejtorit të BKH.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është një strukturë kushtetuese e themeluar me nenin 148/dh të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përveç rregullimit kushtetues kjo si strukturë gjen një rregullim më të detajuar me ligjin nr. 95/2016, datë 6.10.2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Çdo qytetar ose biznes që është në dijeni të fakteve ose rrethanave që përbëjnë prova në lidhje me veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ose në lidhje me çdo vepër penale të kryer nga funksionarët e lartë të shtetit, mund të bëjë kallëzime në Byronë Kombëtare të Hetimit ose Prokurorinë e Posaçme;
Çdo qytetar apo biznes mund të kërkojë nga organet e SPAK informacione në lidhje me kompetencat/përgjegjësitë e SPAK, të shtjelluara më lart në bazë të ligjit “Për të drejtën e informimit” për sa kohë ato nuk cenojnë sekretin e hetimit ose të drejtat e palëve të përfshira në proces.
Komentet