Pas disa vitesh hetimet autoritetet italiane kanë goditur një nga rrjetet më të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të dograve me bazë në Durrës. Nga hetimet ka rezultuar se drejtuesi i kësaj organizate është Xhevdet Troplini i njohur me pseudonimin Poja, një emër jo i panjohur dhe për autoritetet shqiptare. Por ndryshe nga pala italiane, policia shqiptare i ka lënë dorë të lirë Troplinit, madje ai është akuzuar nga kreu i PD, Sali Berisha se ka punuar në fushatë për të siguruar vota për Partinë Socialiste. Sipas hetimeve të anti-mafias italiane, Troplini e kontrollonte trafikun e drogës nëpërmjet nipit të tij Elvis Doci dhe njerëzve të tij të afërt.
Syri TV
Autoritetet italiane nuk kanë asnjë dyshim se Xhevdet Troplini, i njohur si Poja, është kreu i një organizate të fuqishme kriminale që trafikon lëndë të forta narkotike nga Amerika Latine në drejtim të Europës.
60-vjeçari shqiptar ka ngritur në dekadën e fundit një perandori biznesi në zonën e Hamallajt të Durrësit dhe ai nuk është prekur aspak nga policia dhe institucionet ligjzbatuese të kontrolluara nga kryeministri Edi Rama.
Mes Pojës dhe eksponentëve të Partisë Socialiste të Edi Ramës ka dyshime të forta se ekziston një marrëdhënie okulte, ku policia i siguron paprekshmëri, në këmbim të sigurimit të votave për Partinë Socialiste në pushtet.
Në një vendim arrestimesh, të miratuar në Shkurt 2025 nga Gjykata e Barit dhe që u ekzekutua pjesërisht vetëm gjatë ditës së sotme në Shqipëri dhe Itali, emri i Xhevdet Troplinit përmendet si kreu i organizatës kriminale.
Antimafia e Barit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme SPAK deklaruan se kanë pasur nën hetim disa shtetas shqiptarë dhe italianë, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.
Mes tyre përmenden dy personazhe, Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, nip i Xhevdet Troplinit dhe Adi Çoba, një shqiptar rezident në Itali dhe me biznese në Durrës.
Në fashikujt e Antimafias së Barit thuhet ndër të tjera: “….Kanë dalë në pah marrëdhënie të tjera të rëndësishme për financimin e ngarkesave me heroinë dhe kokainë që do të importoheshin në Itali midis Adi Çoba dhe shtetasit shqiptar Elvis Doci, i njohur si Visi i Pojës, një anëtar kryesor i grupit të kryesuar nga xhaxhai i tij, Xhevdet Troplini, i njohur si Poja, të cilët merren me trafik ndërkombëtar të drogës, me operacione në Gjermani, Itali dhe Shqipëri”.
Në dosje e gjykatës italiane thuhet gjithashtu se raportet kriminale mes Elvis Doçit ose Visit të Pojës dhe Adi Çobës për llogari të organizatës së Xhevdet Troplinit janë përmendur para prokurorëve të SPAK-ut në Shqipëri edhe nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Grupi kriminal i Pojës është akuzuar publikisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, se ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare, të zhvilluara në 11 Maj 2025, duke blerë vota apo duke intimiduar qytetarët e Durrësit, në favor të Partisë Socialiste të Edi Ramës.
Vendimi i gjykatës së Barit është miratuar në 21 Shkurt 2025. Por ai u zbatua vetëm këtë të mërkurë, rreth dy javë pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.