Tej detit, larg, i zymtë mbet De Rada,
Bastuni i tij, që brodhi horë më horë;
Nën tinguj fjetën të tijat flokë të bardha
Dhe mjekra e tij e bardhë si dëborë
Lëkur’ e rreshkur i ra mbi kraharorë.
Iu mbyllën sytë e buhavitur.
Për ku po nisej gjaku arbëror,
Për ku i djegur, i zhuritur?
Që bushtra erë të mbërrinte gjer te shtrati?
Ja, Milosaua mbet te lum’ i Vodhit,
Po gjaku i tij në këngë e rreshta
Një shekull krejt kulloi e rrodhi.
U ftoh në vatër heshtur hiri i fundit,
Palltua e rëndë rri varur në peronë,
Buçet e rreh stuhia rreth katundit,
Maki po hesht e San Demetër Koronë.
Në xhep e mykur një copë buk’ e thatë,
E zhveshur krejt e ftohta dysheme
Dhe miu breu ndofta atë natë
Një copë nga “Pa fanmi Skanderbe».
Ai thërret, atdheu i përgjigjet
Me bubullimë valësh, përmbi shur;
Ai thërret, në flakë lindja digjet,
Në brigjet tona hapet si flamur.
Dhe niset mes dallgëve të vijë
Dhe zgjat gishtrinjtë, tutje erën prek,
Se tokë e huaj shtrat nuk mund t’i rrijë,
Se tokë e huaj eshtërat i djeg.
Komentet