Më 2010 u mor vendimi katastrofik, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e Pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe morëm përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër, (në atë rast) ne do ta kishim shumë më vështirë”
Marrëdhëniet serbo-shqiptare e anasjelltas kanë qenë gjithmonë të acaruara. Shkalla e acarimit është matur me qëndrimin dhe veprimet e personaliteteve që kanë përfaqësuar elitat kombëtare të të dyja kombeve. Aktualisht këto marrëdhënie janë në tehpikun e një humnere apo të një rrugëtimi të mundimshëm mes luftës dhe paqes, mes armiqësisë e paqetimit, mes urrejtjes e respektimit të interesave reciproke…
Në këtë përballje që po vazhdon tash një shekull e gjysmë, shqiptarët vazhdimisht kanë dalë humbës në territore e në jetë njerëzish. Kjo për shumë shkaqe, por të shumtën e rasteve për shkak të keqorganizimit, të mungesës së elitave të qëndrueshme apo sajimit të tyre, të mungesës së vetëdijes kolektive dhe, natyrisht, yllësive gjeopolitike.
Në përballjen aktuale Serbinë po e përfaqëson kryetari i saj, Aleksandar Vuçiq. Ky është një personalitet me shumë ndikim dhe me pushtet të pakufishëm. Përmes mendimit të tij politik, përmes veprimtarive të tij të përditshme, mund të konkludohet se Vuçiqi pasqyron, në mënyrën më origjinale, tërësinë e moralit, vendosmërisë, dinakërisë dhe aftësive të prijësve serbë që nga Garashinini e këtej.
Prandaj edhe është objekt i kësaj analize.
Ngadalë, por sigurt drejt pushtetit absolut
Aleksandër Vuçiq (1970) angazhimin politik e filloi në kulmin e luftërave në ish-Jugosllavi, si gazetar i radios së Karaxhiqit në Bosnjë, dhe me aderimin, më 1993, në partinë e Sheshelit (Partia Radikale Serbe, PRS), një parti që mëtonte të jetë trashëgimtare e partisë së Nikolla Pashiqit (1845 – 1926).
Më 1994, Vuçiqi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, duke u bërë njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt e më besnikë të Vojislav Sheshelit, i dënuar për krime lufte.
Vuçiqi, me retorikën e tij të egër, përpiqej t’ia kalonte atit të tij shpirtëror, Sheshelit; ende mbahet mend deklarata e tij në Parlament, më 20 korrik 1995, kur u zotua se: “Për një serb të vrarë do t’i vrasim 100 myslimanë (boshnjakë)!“
Në vitin 1998, Vuçiqi u emërua ministër për informata në Qeverinë serbe të unitetit kombëtar. Gjatë bombardimeve ai ishte zëdhënës autentik i politikës shfarosëse serbe në Kosovë.
Gazetari anglez, Robert Fisk, në një shkrim në “Independent”, 14 maj 2016, e përshkruan kështu Vozhdin e gjatë:
“Në Beograd…, më 18 qershor 1998, u shfaq një i ri i sjellshëm, por i rrezikshëm; i referohesha sherrisht ‘fytyrës së tij të pafajshme, buzëve të trasha dhe buzëqeshjes së shpejtë’ derisa ai tentonte të na bindte ne, gazetarëve, se krejt çka donte diktatori Slobodan Milosheviq në Kosovë ishte paqja, dialogu dhe të drejtat e njeriut për të gjithë, përfshirë edhe 90 për qind të popullatës shqiptare. Për autonominë e Kosovës që ia kishin rrënuar nëntë vjet më parë nuk e thoshte asnjë fjalë”.
Më 2008, për shkak të mospajtimeve me liderin e tyre, Sheshelin famëkeq, derisa ky ishte “me pushime“ në Hagë, T. Nikoliq dhe A. Vuçiq, u ndanë nga partia radikale dhe formuan Partinë Progresiste Serbe (Srpska Napredna Stranka), duke i dhënë kështu partisë radikale një grusht dërrmues.
Se si ‘u mor kalaja nga brenda’ Shesheli e shpjegon pas daljes nga burgu, në një tubim me besnikët e tij:
“Gjatë kohës sa isha në Hagë, aktivistët e PRS-së, për të evituar shpenzimet, komunikonin brenda një rrjeti qarkor telefonik. Ndërkohë, Vuçiqi kishte blerë një aparat, rreth 30.000 euro, dhe i përgjonte të gjithë, përfshirë këtu edhe Tomislav Nikoliqin, madje edhe kur ky fliste me të huajt, prandaj e dinte saktësisht se çka po ndodhte në parti. [1]
Partia progresiste nuk ndryshonte shumë në përmbajtje nga partia e Sheshelit, por me një fjalor të zbutur e bënte ideologjinë politike të radikalëve serbë më të pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare.
Ky kërcim akrobatik në verbin e Vuçiqit dukej kështu;
“Kur shqiptarët e shpallën pavarësinë, kam qenë i trishtuar, por kurrë nuk kam parë asi guximi si te djemtë përpara ambasadës së djegur amerikane.“ (2008)[2]
Është fjala për tubimin e madh protestues që u mbajt në Beograd me t’u shpallur Pavarësia e Kosovës, me ç’rast, në sytë e policisë, u sulmuan ose u dogjën disa ambasada të shteteve perëndimore në Beograd, e sidomos Ambasada amerikane, ku edhe u vra një person.
Pas disa muajsh, po i njëjti person, me emrin Aleksandar Vuçiq shprehej kështu:
“Kushdo që mund të thotë se gjendja në Serbi është ideale e ne t’i kemi marrëdhëniet ‘thikë e gjak’ me SHBA-në, unë i them se s’ka lidhje me kokën. Marrëdhëniet e mira me amerikanët janë e vetmja rrugë për ta shpëtuar Serbinë… Në këtë vend janë disa budallenj që thonë se mund të qeverisësh pa pasur mbështetjen e SHBA-së… Amerikanët kanë verëra të shkëlqyera. Më kanë dhuruar disa ‘chafer merlo’ (2008)“[3]
Në saje të këtij ‘reformimi’, Partia Progresiste serbe i fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, ndërsa më 29 shtator 2012, Aleksandër Vuçiqi u zgjodh kryetar i saj.
Në korrik të vitit 2012, Vozhdi i gjatë u emërua nënkryetar i Qeverisë, ministër i Mbrojtjes dhe njëherësh sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Me një fjalë, një kupolë e të gjitha shërbimeve sekrete serbe dhe një trampolinë drejt majës së gjithë pushtetit.
Në zgjedhjet e vitit 2014, Vuçiqi u emërua kryeministër i Serbisë, ndërsa më 2 prill 2017 ai u zgjodh kryetar i saj.
Gradualisht, Vuçiqi e shtriu pushtetin e tij absolut gjithandej në Serbi, së pari, me përjashtime të rralla, i disiplinoi mediat dhe orientoi tehun e tyre mercenar kundër opozitës, kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve, dhe natyrisht kundër Perëndimit. Falë mediave ai e komprometoi keq dhe pastaj e eliminoi politikisht edhe shefin e tij, Tomislav Nikoliq, ani se ky i fundit e konsideronte si djalin e vet.
Me të marrë në duar të gjithë frenjtë e pushtetit, Vuçiqi i kushtoi një rëndësi të madhe komunikimit me Perëndimin dhe nuk la gur pa lëvizur për të krijuar atje një imazh tjetër për veten dhe për Serbinë. Në këtë funksion emëroi si kryeministër Ana Bërnabiq, lesbike e deklaruar, e cila madje nuk ishte as anëtare e partisë së tij.
Vozhdi, SHBA-ja dhe luftërat në ish-Jugosllavi
Gjatë gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, Vuçiqi ishte dora e djathtë e Sheshelit dhe mbështetës i vendosur i krerëve serbë në Kroaci e Bosnjë kur ata, me ndihmën e ushtrisë federale, zbatonin ideologjinë serbomadhe dhe strategjinë e saj të spastrimeve etnike masive.
Për shkak të këtyre veprimeve dhe të kësaj vetëdijeje gati kolektive te serbët, Papa Pali i Dytë i pati thënë Klintonit:
Duhet t’i bombardoni serbët…
Më 20 mars 1995, në qytetin e pushtuar kroat të Glinës, Vucic e ndezte turmën:
“Vëllezër serbë, motra serbe, ju përshëndes juve që ngritët flakadanin e lirisë në tokat serbe.
Kurrë Krajina serbe dhe Glina nuk do të jenë Kroaci. Kurrë Banija nuk do të bëhet Kroaci… Nëse radikalët serbë fitojnë zgjedhjet, ju e dini se do të jetoni në Serbinë e madhe.“[4]
Në këtë vijë, sipas Vuçiqit: “Radovan Karaxhiqi pasqyron simbolin e luftës së popullit serb për liri. Radovani dhe Ratko (Mladiq) janë trima dhe patriotë të shquar në luftën atdhetare… Nuk do t’i dorëzojmë as njërin as tjetrin.. Nëse i takojmë diku, do të pimë kafe me ta. Serbisë ia duan të keqen më të madhe ata që detyrojnë Mladiqin dhe Karaxhiqin të dorëzohen në Gjykatën e Hagës. Akuzat kundër gjeneralit Mladiq janë gënjeshtra e manipulime që kanë për qëllim satanizimin e tij… Shtëpia ime, si dhe çdo shtëpi e familjes së gjerë Vuçiqi do të jetë shtëpi-strehë e sigurt për gjeneralin Ratko Mladiq…“[5]
Dënimi i serbëve për krime gjithandej në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë nga Tribunali i Hagës e sidomos për gjenocidin në Srebrenicë, nuk u pranua asnjëherë nga krerët e Serbisë.
Në këtë pikë, Vozhdi i gjatë ishte më i vendosuri:
“Histeria që po krijohet përmes Srebrenicës është një fushatë antiserbe, ndërkohë që heshtën vuajtjet e serbëve, viktimat dhe fatkeqësitë e tyre… Qëllimi i kësaj fushate që po bëhet kundër popullit dhe shtetit serb është arrestimi i Ratko Mladiqit dhe suprimimi formal i Republikës serbe.“[6]
Për shkak të qëndrimit të pandryshueshëm të krerëve serbë për këtë çështje madhore, më 29 nëntor 2018, Parlamenti Evropian, në rezolutën për Serbinë, nënvizoi “se pranimi i gjenocidit në Srebrenicë është një etapë fondamentale në procesin e aderimit të Serbisë në BE“.[7]
Vozhdi i gjatë vazhdimisht villte helm e vrer kundër Perëndimit dhe Amerikës sidomos: “Ashtu siç zgjerohej fronti antifashist në Luftën e Dytë Botërore, po ashtu do të zgjerohet edhe fronti i rezistencës kundër amerikanëve dhe idesë së tyre naziste-imperialiste.“ (1999)[8]
“Kemi vuajtur nën bombat amerikane, ndërsa tani po vuajmë edhe më shumë nga gjoja ndihmat dhe mbështetja e tyre ekonomike“. (2001) [9]
“Amerikanët po duan të zaptojnë dhe të pushtojnë çdo gjë, kudo duan ta kenë nga një Gjingjiç“ (2003, këtë e tha vetëm disa javë para se ai të vritej, shënim i autorit) [10]
“Krerët e DOS-it (partitë politike që erdhën në pushtet pas rënies së Milosheviqit) në mënyrë kusare e banditeske po përpiqen ta arrestojnë dhe ta dorëzojnë Slobodan Milosheviqin, të shkatërrojnë emrin e kombit serb, krenarinë, nderin dhe shtetin e popullit serb… Është e mjerë dhe e ngratë ajo qeveri që i dorëzon serbët vetëm për të përmbushur urdhrat e SHBA-së dhe Gjykatës së Hagës…“[11]
“Bashkësia ndërkombëtare po do t’ia fusë popullit serb banderin në anus dhe pret prej nesh që t’i themi se po ndihemi shumë mirë…“ (2005) [12]
Sipas Sheshelit, shefit të tij të dikurshëm:
“Vuçiqi ka ngjitur parulla me foton e Ratko Mladiqit nëpër rrugët e Beogradit, duke i vënë ato mbi treguesit e rrugës ‘Zoran Gjingjiq’.
Ai madje edhe në Kuvendin e Serbisë ka futur banderola me emrin Sigurna kuça za Ratka Mladiqa (Shtëpi e sigurt për Ratko Mladiqin)…
Ka punuar shumë me vetveten dhe është bërë ekspert për manipulimin e mediave. Me premtimet e zbrazëta ka fituar shumë simpati dhe ky është një fakt.“
Vozhdi i gjatë për Kosovën
Në diskursin politik të Vuçiqit Kosova është A-ia dhe Kryefjala e tij. Platforma më e qartë për Kosovën e Vozhdit të gjatë dhe bashkëmendimtarëve të tij është botuar në gazetën e Partisë radikale serbe “Velika Srbija“ (Serbia e madhe), më 14 tetor 1995. Vuçiqi ishte anëtar i redaksisë dhe i këshillit botues.
Platforma me titull “Si do ta zgjidhnin çështjen e Kosovës e Metohisë radikalët serbë“, ka 5.540 fjalë dhe është nënshkruar nga udhëheqja e PRS-së, kryetari, zëvendëskryetari, sekretari i përgjithshëm, Vuçiqi, të katër nënkryetarët si dhe nga 81 deputetë të PRS-së.
Në këtë analizë, kjo platformë do të citohet gjerësisht, sepse është njëri prej projekteve serbe më të rrezikshme dhe, për më keq, nuk përmendet asnjëherë prej pushtetarëve shqiptarë, madje as në rastet, si në një darkë me përfaqësuesit e BE-së, kur Vuçiqi pati akuzuar rëndë njërin prej qyqarëve të Kosovës dhe ky i fundit, për turpin dhe për të zezën tonë e të Kosovës, nuk e hapi gojën!
Fillimisht, në Platformë konstatohet se:
“Pa Kosovë e Metohi nuk ka as shtet serb. Mu për këtë ruajtja e Kosovës e Metohisë, si pjesë përbërëse dhe integrale e Serbisë, për nga rëndësia, është e barabartë me vetë ekzistencën e kombit serb…“
Në këtë frymë nënshkruesit zotohen për suprimimin e “…federatës ekzistuese dhe formave të autonomisë territoriale, sepse ato janë provuar si dështime për popullin serb, prandaj zgjidhja më e mirë duhet të jetë krijimi i një shteti unitar serb, në përbërjen e të cilit do të hynin Republika e Krainës Serbe, Republika Serbe, Republika e Serbisë dhe Republika e Malit të Zi.“
Pakicave u njihet “… e drejta për përdorimin e gjuhës së vet në jurisprudencë, e drejta për arsimin fillor në gjuhën e vet amtare, për shprehjen e ndjenjave fetare, marrjen me veprimtari kulturore e të ngjashme. Ndërkaq, ushtrimi i këtyre të drejtave nënkupton, para së gjithash, detyrimin e anëtarëve të pakicave për sjellje luajale ndaj shtetit, qytetarë të të cilit janë.“
Sipas Platformës, në atë kohë ishin rreth 400 mijë shqiptarë që duhej ndjekur nga Kosova, sepse qenkëshin ardhacakë. Ndaj tyre “… duhet të zbatohen standarde të dyfishta: për ata që njihen si ekstremistë duhet paraparë përzënia e menjëhershme, ndërkaq të tjerëve duhet t’u vihet si kusht zotërimi i të gjitha dokumenteve, madje edhe për nevojat më të zakonshme, për sigurimin e të cilave, si parakusht do të ishte dëshmia e shtetësisë, të cilën ata nuk e kanë si edhe pasja e listës së atdheut. Lista e atdheut do të zbatohej për të gjithë shtetasit e Serbisë, si mjet i detyrueshëm, me të cilën do të vërtetohej se kanë shtetësinë e Republikës së Serbisë. Në kopertinë, lista e atdheut do të kishte stemën e Serbisë: shqiponjën e bardhë dykrenore të Nemanjiçëve, mburojën me kryq dhe katër S-të.“ (Samo sloga srbina spashava! që do të thotë: vetëm uniteti serbët i shpëton).
“ Duhet penguar me të gjitha mënyrat kthimi i shqiptarëve të punësuar në botën e jashtme, e posaçërisht kthimi i atyre, që në periudhën 1990/93 kanë shkuar në mënyrë masive jashtë (vlerësohet se kanë shkuar rreth 300 mijë pjesëtarë të popullsisë më aktive).“
“Të gjitha pronat serbe që janë shitur apo që u takojnë në ndonjë mënyrë tjetër shqiptarëve, shtëpitë dhe apartamentet, sidomos ato të periudhës 1966/1987, (gjatë kohës së pushtetit ballisto-komunist në Kosovë), si edhe ato që fashistët i përvetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet t’u kthehen pronarëve të mëparshëm ose pasardhësve të tyre.“
T’u hiqet shtetësia serbe dhe t’u ndalohet kthimi të gjithë shqiptarëve shtetas të Jugosllavisë, të cilët banojnë jashtë shtetit e që, atje veprojnë nga pozita separatiste.
“Përmes ndërtimit të autostradave (qëllimisht me korsi të ndara deri në 1 km, për shkak të ‘konfiguracionit të terrenit’ dhe sheshimit të një brezi të gjerë buzë rrugës) mes për mes mjediseve rurale shqiptare me dendësinë më të madhe të popullsisë, dhe ndërtimit të objekteve të tjera, si kazerma, poligone, magazina, etj., si dhe dhënia e trojeve dhe hapësira për kolonitë e të ardhurve, në këtë mënyrë do të imtësohet hapësira etnike shqiptare, me çka ata do të humbin “thellësinë” e territorit, që është element cenues i rëndësishëm i ndjenjës së tyre të sigurisë.
Qëllim i gjithë kësaj është krijimi i vetvetishëm ‘i lëkurës etnike të leopardit’, me çka, më vonë, me shtrirjen e enklavave serbe, ato shqiptare do të zvogëloheshin dhe do të zhdukeshin“.
“Me ndryshimin e kushteve të tregtisë, përmes firmave private, mund të shkaktohen mungesa artificiale mallrash, që nuk do të gjenden as në ato shtetërore, me çka do të krijohet ndjenja e pasigurisë dhe e ankthit.
Furnizimi me rrymë elektrike (ndërprerjet e shpeshta të saj me qëllim, si dhe sabotimet e vërteta në ato pjesë të rrjetit që furnizon enklavat shqiptare), në veçanti, u duhet ndërprerë ujin, që është problem i mprehtë në Kosmet, në këtë mënyrë do t’ua bëjmë jetën e padurueshme. Qëllimi i gjithë kësaj është që të bëhet ndarja (veçimi i plotë) e popullsisë, jo vetëm për nga aspekti i hapësirës, por për të bërë izolimin e plotë të shqiptarëve nga enklavat e tjera të banuara prej tyre…“
“…duhet vështirësuar funksionimi i sektorit privat të shqiptarëve me anë të veprimeve të rrepta administrative dhe të kontrollit të përhershëm të tregtisë, me çka do të vihej njëfarë kontrolli mbi financimin e partive të tyre politike.“
“Duhen vështirësuar kontaktet me firmat dhe ndërmarrjet private në Serbi, për të mos lejuar që kapitali shqiptar të krijojë monopol dhe të ndikojë në proceset ekonomike në Serbi.
Me anën e dispozitave përkatëse përfshirë dhe politikat tatimore, të mbikëqyret sektori i ndërtimeve pa leje, prej nga mund të fitohen mjete të mëdha financiare për investime në programin e kolonizimit dhe krijimit të vendbanimeve të posaçme“.
“Shkaktimi dhe demaskimi i aferave të ndryshme, në saje të të cilave do të ndiqeshin firmat e mëdha private dhe pronarët e tyre. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar trafikut me drogë, duke përfituar nga rastet e zbuluara për të dënuar një rreth të gjerë njerëzish me dënime të ashpra. Rastet e zbuluara të përdoren për komprometimin e individëve të shquar…“
“Dhënia e lejeve të caktuara, dokumenteve nga organet shtetërore (me përjashtim të pasaportave) duhet të ndërlikohet deri në maksimum, ndërkaq dënimet për mungesën e tyre duhet të jenë të ashpra. Shqiptarët kanë aversion të posaçëm ndaj sjelljeve të këtilla, sepse rrjedhin nga një mjedis ku drejtpërsëdrejti aplikohet e drejta zakonore. Ata nuk e durojnë sidomos ndërhyrjen administrative në atë që ata e konsiderojnë si çështje të veten intime. Madje, duhet kërkuar edhe “leje për lopën” (leje për posedimin e kafshëve).
Duhet ndikuar që shkuarja e shqiptarëve jashtë të bëhet e zakonshme, ndërkaq kthimi të vështirësohet me procedura të koklavitura në kufi…“
“Veprimtaria gjithëpërfshirëse (e shërbimeve serbe, shën. i autorit) brenda organizatave shqiptare doemos do të shkaktojë pakënaqësi te shqiptarët, gjë që është parakusht për ta rritur gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në organizata të ndryshme, prej atyre jashtëligjore e deri në ato terroriste. Për këtë arsye, është e udhës që të infiltrohen individë nga Sigurimi i Shtetit, të cilët, në momente të përshtatshme do të inicionin formimin e organizatave të tilla, në mënyrë që pastaj të ndikohet në veprimtarinë e tyre, në mos edhe në udhëheqjen e tyre…“
“Me këso komplotesh mund të shkohet madje edhe në kryerjen e aksioneve, me çka kontribuohet në arritjen e satisfaksionit kolektiv të masave shqiptare, por edhe rënies së tendosjeve, ndërsa shtetit kjo do t’i shërbejë si shkas për veprime shumë më të ashpra ndaj të gjitha organizatave të tjera, e kjo sjellë deri tek tendosjet ndërnacionale dhe thellimi i mëtejmë i jetës së tyre paralele“.
“Në këtë kuptim, është i nevojshëm ekzistimi i shumë grupeve të tilla, ndonjë prej të cilave policia dhe Sigurimi i Shtetit, kohë pas kohe, do ta shkatërronin, deri sa ato të konsolidohen sërish, të tjerat e vazhdojnë punën dhe kjo i kontribuon krijimit të mendësisë se këto veprimtari janë në funksion të çlirimit“.
“Eliminimi i individëve të shquar (atyre aktivë, por edhe potencialë) të cilët luajnë ose mund të luajnë rol vendimtar në jetën politike, me afera të fryra publike dhe me “fatkeqësi të rastit”, si (fatkeqësi trafiku, vrasje nga xhelozia, infektime të individëve me virusin e SIDA-s, gjatë qëndrimit në botën e jashtme, të tillëve për të cilët dihet se kanë prirje për ekskursione dashurie, infektime që ‘zbulohen’ gjatë kontrollit në kufi, pas të cilit zbatohet vënia në karantinë.
Me përpunim të përshtatshëm medial, mund të krijohet një atmosferë e tillë, e cila do të nxitë kontrollin medikal të popullsisë shqiptare, në mënyrë që të konstatohet artificialisht se ekziston një përqindje e madhe e të sëmurëve nga SIDA, prej nga rrjedh nevoja e izolimit të një numri sa më të madh njerëzish; në mënyrë që të krijohet përshtypja në opinion se shqiptarët janë komb infektues“.
Veprimtaria informativo-propagandistike
“Duhen krijuar programe të posaçme televizive e radiofonike në gjuhën shqiptare, përmbajtja e të cilave do të orientohej drejt rrënimit të mendësisë së tyre patriarkalo-fisnore, me anën e paraqitjes së përmbajtjeve më dekadente nga Perëndimi, ndaj të cilave shfaqin prirje popujt primitivë. Enklavat serbe do të mbroheshin nga programet e tilla, para së gjithash me pengesa gjuhësore (radioja), si edhe me anën e aplikimit të televizionit kabllor, në vendbanimet e reja dhe në ndërtesa.
Ndaj botës është e domosdoshme të formohet një mekanizëm i fuqishëm propagandistik, në përputhje me përvojat e njohura.
Të parashikohen madje edhe botime të fshehta të nëndheshme, me përmbajtje që do të përhapnin për ta ide fatale e mistike dhe gjoja kritike për “regjimin serb“.
“Të gjitha shkollat dhe akademitë ushtarake e policore, të gjitha entet ushtarake, që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me komandimin në disa fusha ushtarake, si edhe një varg institucionesh të tjera shtetërore, si bie fjala, ministri të tëra, duhet të transferohen në rajonin e Kosovës e Metohisë, në mënyrë që të krijohen kushtet për vendosjen e dhjetëra e mijëra oficerëve, policëve, nëpunësve e anëtarëve të familjeve të tyre, dhe të infrastrukturës së plotë. Të gjithë serbëve, që dëshirojnë të jetojnë në ato hapësira tonat, duhet t’u sigurohet falas tokë bujqësore në pronësi të përhershme, si dhe troje për ngritjen e shtëpive familjare dhe të ndërmarrjeve ekonomike. Të gjithë atyre, që transferojnë atje përfaqësitë tregtare dhe ndërmarrjet prodhuese, në të cilat punësojnë së paku 10 veta, do t’u ofrojmë një prej lehtësive kyç: lirimin nga pagesa e tatimit, më së paku për dhjetë vjet. Pse Kosova e Metohia të mos jenë zona jashtë doganore?“
“Oficerëve të pensionuar, nënoficerëve, policëve dhe nëpunësve shtetërorë, si zgjidhje e përhershme e çështjes së tyre të banimit, t’u ofrohen banesa maksimalisht komfore në territorin e Kosovës e Metohisë. Të sigurohet brezi kufitar në gjerësi prej 50 km (minimumi) përgjatë kufirit me Shqipërinë. Të mos lejohet cenimi i kufirit nga hapësira e Shqipërisë së tashme, ndërsa marrëdhëniet me të do të zhvillohen në harmoni me mundësitë dhe interesat e të dyja palëve.
Zona kufitare me Shqipërinë do të mundë të popullohej vetëm me serbë, ndërsa toka tjetër do të ishte në pronësi të Ushtrisë së Jugosllavisë“.
2) Shkollimi
“Në shkollat shtetërore në Kosovë e Metohi, sistemi shkollor duhet të mbështetet në përmbajtjen dhe vlerat e artit dhe kulturës serbe, evropiane dhe botërore dhe duhet të shtjellohet në gjuhën serbe. Perspektiva e hapur e jetës dhe e zhvillimit të lirë në Serbi është mjaft tërheqëse që këtë sistem ta pranojnë edhe anëtarët e pakicave kombëtare. Shkollat në gjuhët e bashkësive minoritare duhen trajtuar si private dhe gjatë punësimit duhet kërkuar verifikimi i mësimdhënies sipas plan programeve zyrtare. Në këtë mënyrë do të bëhej seleksionimi normal në përputhje me vlerat dhe strukturën e shoqërisë serbe. Mësimi në Universitetin e Prishtinës, pas rrënimit të parashtetit shqiptar, ka përjetuar kthesë rrënjësore dhe është në rrugë e sipër për të arritur rezultate kapitale, dhe me këtë ta përcaktojë qartë fatin e Kosovës e Metohisë dhe të shtetit serb në tërësi. Ky nivel i arritur duhet stabilizuar edhe më tej, duke vazhduar me projektet dhe programet e reja. Kushtet e studimit në gjuhën serbe në Universitetin e Prishtinës duhen bërë më të përshtatshme se kudo tjetër në Serbi“.
“Duhet mbajtur dhe thelluar edhe më tej sistemi i tanishëm paralel e ilegal i shkollimit të shqiptarëve, sepse në këtë mënyrë, në të ardhmen, me diploma jolegale, atyre u mbyllen dyert e çdo angazhimi dhe integrimi në shoqëri si dhe mundësitë për gjetjen e vendeve adekuate të punës. Veç kësaj, vazhdimi i mëtejmë i shkollimit paralel dhe ilegal i shqiptarëve ka edhe një rëndësi tjetër: nuk është arsimim i detyrueshëm si ai shtetëror, prandaj bie shkalla mesatare e mësimit dhe zvogëlohet aftësia e tyre kolektive për t’i rezistuar manipulimit nga jashtë dhe nga brenda“.
“Të gjitha këto veprimtari duhet të bashkërendohen në mënyrë të tillë që ta nxisin sa më shumë derdhjen e popullsisë shqiptare në botën e jashtme, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Duhet të përdoren mënyra të nduarnduarta të trysnisë, të krijimit të ndjenjës së pasigurisë për të nxitur shpërngulje sa më të madhe të shqiptarëve“.
“Policia, si organ i rëndësishëm i pushtetit, është përgjegjëse për mbetjen e Kosovës e Metohisë në pronësi të përhershme të shtetit serb“.
“Bisedimet dhe marrëveshjet me përfaqësuesit e shqiptarëve të mos fillohen, para miratimit të ligjit mbi shtetësinë dhe konstatimit të numrit të atyre që e njohin dhe e pranojnë Serbinë si shtet të vetin.“
“Ndaj atyre shqiptarëve që përcaktohen për të qenë shtetas të Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, duhet të sillemi me tolerancë dhe t’i trajtojmë drejt, por, inkorporimi i tyre në organet shoqërore, politike dhe shtetërore, duhet bërë sipas masës së integrimit dhe të identifikimit të tyre të vërtetë me shtetin serb dhe me ligjet e tij.“[13]
Sigurisht për shkak të planeve të tilla, të shumta, të serbëve për Kosovën dhe për krimet e tyre në Bosnje e Hercegovinë, Margareth Thaçer pati kërkuar: “Ndalini serbët menjëherë dhe përgjithmonë!“[14]
Ndërkaq, Jacque Chirac, gjatë një dreke, në qershor të vitit 1995, ishte edhe më i drejtpërdrejtë:
“Serbët janë popull pa ligje dhe pa fe, këta janë popull banditësh dhe terroristësh.“
Kur lexuesi mendon thellë arsyen pse njerëz kaq larg prej serbëve dhe Serbisë, kaq të pa rrezikuar prej saj, shprehin këso mendimesh të pamëshirshme për ta, besoj se shkakun duhet kërkuar te rrëfime që nuk i mban as toka;
– për grabitësin që ta merr kafshatën nga goja dhe të tjerëve u thotë, është imja;
– për pushtuesin që ta burgosë fëmijën tënd dhe e tretë burgjeve pafund, e të tjerëve u thotë, ma ka rrezikuar ekzistencën time;
– për xhandarin që ta merr tokën e shtëpinë, dhe të tjerëve u thotë, gjithmonë kanë qenë te miat;
– për shtetin që të nxjerr nga shkolla, nga bibliotekat, nga universiteti që i kanë themeluar me mund prindërit tu, e ty të thotë nuk i meriton se je i egër;
– për oficerin që me urdhër shteti me krejt njësinë e tij t’i përdhunon gruan, fëmijët dhe të tjerëve u thotë ia kanë bërë vetës;
– për ushtrinë që t’i vret njerëzit tu në shtëpi dhe i djeg brenda ose ua merr kufomat dhe, për t’i fshehur gjurmët, i djegë në furrat e xeheroreve ose hap varreza masive dhe mbi të ndërton kisha e pista aeroportesh dhe ti nuk e ke as një varr për ta derdhur, në ditë trishtimi, një truç lot mbi të…
“Dialogu” me Kosovën dhe për Kosovën
Që nga viti 2013 e këtej, Vuçiqi u bë faktor vendimmarrës në ‘dialogun’ e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Edhe në këtë pikë qëndrimet e tij më herët ishin radikale:
“Vetëm pasi të jenë kthyer ushtria dhe policia jonë në Kosovë e Metohi ne do të mundë të negociojmë me të huajt dhe me shqiptarët.“ (2003)[15]
“Askush nuk ka të drejtë të heqë dorë as nga një livadh apo arë e vetme serbe… E vetmja mënyrë për ta ruajtur Kosovën është të na mbështesin Rusia dhe Putini.“ (2005)[16]
“Evropa dhe Amerika po na grabisin Kosmetin, Serbia as që duhet të mendojë për integrimet evropiane.“ (2007).[17]
Ndërkaq katër vjet më vonë, Vozhdi përdorte një fjalor disi tjetër :
“Kosova është e rëndësishme për ne, por ne duhet të mendojmë për investimet, partia progresiste nuk do të heqë dorë nga rruga evropiane.“ (2011)[18]
Me ardhjen e tij de facto në krye të delegacionit të Serbisë, Vuçiq e dinamizoi dialogun dhe arriti që, në prill të vitit 2013, të nënshkruhet nga Thaçi-Daçiq Marrëveshja e Parë e Parimeve, përmes së cilës, në kundërshtim me Kushtetutën, në Kosovë formohej një entitet juridik, një etnik, pra bëhej federalizimi i vendit.
Kjo Marrëveshje, që cenon rrezikshëm rendin kushtetues dhe integritetin e vendit, u përthellua përmes marrëveshjes për Asociacionin, më 25 gusht 2015, nënshkruar nga Vuçiqi dhe Mustafa. Nëse Marrëveshja e vitit 2013 e federalizonte vendin në favor të një pakice prej 5% të popullsisë, Marrëveshja për Asociacionin, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (23 dhjetor 2015), krijon nga Kosova“…një formë konfederate ku njësitë territoriale bashkëpunojnë në nivel horizontal në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave. Asnjë formë e vetëqeverisjes lokale apo edhe e vetëqeverisjes rajonale nuk njeh një marrëdhënie të tillë horizontale me autoritetet qendrore…“
Kjo Marrëveshje dhe ajo për demarkacionin e sollën vendin buzë greminës së luftës civile, që filloi me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në ato rrethana, si e vetmja mënyrë e mbetur për ta shpëtuar Kosovën nga copëtimi.
Paralelisht me këto fitore në tryezën e bisedimeve, Vozhdi i gjatë e ndryshoi kahun “dialogut“. Ai gradualisht dialogun me Kosovën dhe për Kosovën arriti ta kthejë në negociata të Serbisë me shqiptarët: në negociata për territore të Kosovës. Ai, ashtu si Gjingjiqi, është i prerë se zvarritja e kësaj çështjeje “po i thith gjakun sistemit, sepse po i kushton shtetit 1 miliard e 300 milionë euro në vit.“ [19]
Suksesi më i madh i Vuçiqit në politikën e jashtme ishte sidomos fakti se ai arriti ta fusë në kurth kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në mënyrë që edhe ky të bëhet avokat i vënies në pikëpyetje të kufijve të Kosovës dhe të vendimit të GjND-së:
“Më 2010 u mor vendimi katastrofal, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe marrim përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër…“[20]
Njohësit e mirë të historisë moderne serbe e dinë se të paktën qe një gjysmë shekulli e këtej, Serbia ka këmbëngulur që për ndarjen e Kosovës të mos flasë me parinë e saj, por me pushtetarët në Shqipëri.
Kjo i përshtatet Beogradit shumë më tepër, sepse së pari nuk do të ketë nevojë ta njohë Kosovën, së dyti krerët serbë e dinë se shumë më lehtë do të merren vesh për këtë çështje me politikanë të atjeshëm se sa me ata të Prishtinës. Shkaqet janë të njohura: çdo politikan nga Kosova e din se futja në këtë lojë do të thotë të fusë në rrezik kokën e tij dhe të familjes, ndërsa ata në Shqipëri janë mësuar t’i bien kryq e tërthorazi Rubikonit pa u lag dhe pa therrë në këmbë.
Edi Rama: ora e mësimit të serbishtes
Mirëpo Edi Rama, pavarësisht se është një sharlatan ‘par excellence’, e hetoi se sa patate e valë është kjo temë, prandaj këtë punë të pistë ia la në dorë Hashim Thaçit, kokë turku që e di mirë se e presin prangat, prandaj është i gatshëm në çdo akt që do ta kursente nga burgu.
Vozhdi i gjatë është treguar mjeshtër në raport me shqiptarët, Thaçin duke e shantazhuar me dosje të trasha, ndërsa Ramën duke ia kashagitur mendjemadhësinë. Ja një dialog publik në Beograd (31 gusht 2015), që flet shumë.
Rama: “Kemi folur për unionin ekonomik, që realisht ta zgjerojmë tregun…, për rrugën Nish-Prishtinë-Durrës…, ajo rrugë duhet të jetë pa barriera tarifore…“
Vuçiqi: Edi është politikan botëror, ndërsa unë jam lokal, i ngarkuar vetëm për Serbinë.“[21]
Lojën “me tre çibrita“ që ka bërë Vuçiqi me Thaçin dhe Ramën në dëm të territoreve të Kosovës ai ia shpërfaq publikut me humor:
“Bisedimet që kisha në Davos me Hashim Thaçin dhe Edi Ramën nuk ishin të lehta… Me rëndësi është që të mos e humbim atë që nuk guxojmë ta humbim, dhe të humbim vetëm atë që jemi të detyruar… ose atë që nuk na takon.“[22]
Në allishverishet me Serbinë, si duket, Edi Rama ka shkuar edhe më larg. Sepse në mbledhjen, më shumë se teatrale, të të dyja qeverive në Pejë, më 26 nëntor 2018, ai shpalosi idenë se: “Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike dhe afatgjatë. Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë.“
Për marren e tyre, askush nga të pranishmit nuk i kërkoi sqarime Edi Ramës, se cili institucion shtetëror dhe kur kishte vendosur për këtë orientim strategjik të politikës shqiptare? Për më tepër kur dihet se marrëdhëniet në mes dy vendeve vuajnë në çdo pikëpamje nga pabarazia dhe mungesa e reciprocitetit elementar.
Këtë lojë të tejdukshme me liderët e pagdhendur shqiptarë, Vozhdi i gjatë e arriti edhe falë rrethanave të reja gjeopolitike, duke luajtur me mjeshtri kartën shumëfytyrëshe në marrëdhëniet e acaruara të Perëndimit me Rusinë, një imitim i politikës dikur të leverdishme të Titos.
Telashet me ndërkombëtarët, kur përpiqej t’ua shiste goglat për arra, Vuçiqi i shpjegon në mënyrë prozaike “… e pyeta shefin e diplomacisë gjermane si të dalë para serbëve dhe t’u them se nuk ka asgjë prej Kosove dhe se këtë ma kanë thënë miqtë tanë? Dhe të gjithë serbët të marrin fërteret dhe të më mëshojnë kokës?“[23]
Gazetari i njohur Andrej Ivanji shpjegon mirë taktikën e Vozhdit : “Thelbi i politikës së Vuçiqit është që Perëndimit dhe rajonit t’ua përcjellë të njëjtin mesazh: në njërën dorë kam shkrepsen dhe këtij rajoni jostabil mund t’i vë zjarrin kur të dua; njëkohësisht në dorën tjetër kam aparatin zjarrfikës dhe jam i gatshëm që zjarrin që kam ndezur vetë ta fik lehtësisht. Ju takon juve të zgjidhni.“[24]
Gjatë një manovre ushtarake, jo larg kufirit me Kosovën, në Pasuljanske livade (Livadhet e Pasulit), Vozhdi rrahte gjoksin se: “Asnjë vend në rajon nuk mund të krahasohet me ushtrinë e Serbisë… ne dhe hungarezët jemi si baraz. Të tjerët janë larg prapa nesh.“[25]
Njëri prej analistëve më të mirë të rajonit, Vladimir Gligorov, kërcënimin e Vozhdit e deshifron saktësisht: “Ushtria është mjeti, ushtria e pajisur mirë është mjet më bindës, e qëllimi cili është, të mbrohet vendi. Por nga kush saktësisht? Në mënyrë që përmes kërcënimit t’i kushtëzojmë të tjerët për të bërë lëshime? Cilët saktësisht. Nëse nuk ka përgjigje në pyetjen për qëllimin, atëherë fjala është për para të hedhura kot…“[26]
Kur strategjia për copëtimin e Kosovës u kundërshtua me këmbëngulje gjithandej ndër shqiptarë po edhe nga shumë serbë, më 24 shtator 2018, para Këshillit të përgjithshëm të Partisë së tij, Vozhdi i gjatë vajtoi:
“Politika ime që Serbia të ruajë shumëçka në Kosovë ka pësuar disfatë. Serbët duan t’i humbin të gjitha. Më shumë preferojnë të qajnë për diçka që do të mbetet larg se sa për diçka që e kanë në duar.“[27]
Dhe vazhdon të vajtojë:
“Patëm rastin të fitojmë më shumë se zakonisht, por serbët thanë se këtë nuk e duan.“[28]
Por kjo është vetëm lojë, nga ato që i thoshte D. Qosiq se “…rrena është interes shtetëror serb…“, sepse burime të besueshme pohojnë se Thaçi-Vuçiq, me dijen e Ramës, që në muajin shtator 2018 kanë ravijëzuar një marrëveshje për copëtimin e Kosovës. Vetëm po presin momentin e volitshëm që, nëse ia arrijnë, t’ia imponojnë popullit të Kosovës copëtimin e vendit, duke vënë kështu shqiptarët para një akti të kryer tradhtie.
Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ditë më parë, në një intervistë pohoi: “Nëse para dhjetë vjetësh do të vepronim kështu do të ishim në gjendje shumë më të mirë. Jam i bindur se deri tash problemi i Kosovës do të ishte zgjidhur.“[29]
Burime të besueshme pohojnë se katër vjetët e fundit Serbia për veprime që lidhen me zgjidhjen e çështjes së Kosovës ka shpenzuar rreth 600 milionë euro. Kjo nuk ka të bëjë fare me financimin e strukturave të saj apo të popullsisë serbe në Kosovë. Se a bëjnë pjesë në këtë shumë edhe 39 milionë euro që shpenzoi Serbia për pengimin e Kosovës të bëhet pjesë e Interpolit, nuk e di, sikundër që nuk e di se ku ka përfunduar ajo shumë kolosale parash; në xhepa të disa shqiptarëve, në xhepa të disa ‘ndërkombëtarëve’ apo në xhepat e të dyja palëve bashkë. Ajo që dihet është se çështja e Kosovës, që ishte një kapitull i mbyllur, sërish u nxor në pazarin e madh si çështje e pazgjidhur.
Hashim Thaçi: Mirësevini, bukë e territor sa te doni…
Edhe Hashim Thaçi, në takatin e tij, ka kontribuar në këtë drejtim, sepse me paratë e buxhetit skamnor të Kosovës, ka paguar lobistë për t’u mbështetur nga qendrat vendimmarrëse marrëveshja e tij me Vuçiqin.
Veç kësaj, ai ka harxhuar shuma kolosale të parave të taksapaguesve për të botuar jashtë librat e tij për marre, ku, paturpësisht, sakrificat e disa brezave për liri përpiqet t’i përvetësojë si kusar.
Keqpërdorimi i serbëve të Kosovës
Serbët e Kosovës qe një shekull e gjysmë janë objekt i yshtjes, dezinformimit dhe manipulimit të paskrupullt nga Beogradi. Kjo veprimtari diversive kundër tyre është intensifikuar sidomos këto katër dekadat e fundit.
Zakonisht votat e serbëve të Kosovës përdoren për sajimin e strukturave të cilat veprojnë jo sipas interesave të serbëve lokalë, por sipas diktatit të Beogradit, siç është e ashtuquajtura Listë Serbe.
Se si përdoren votat më së miri e shpjegon gazetari kosovar, Darko Dimitrijeviq: “… në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Kosovë, në Osojan (vendbanim serb, afër Istogut) kanë votuar 38 zgjedhës, ndërsa 1.700 nga Kraljeva, Kragujevci etj. (qytete në Serbi, ku banojnë shumë serbë me origjinë nga Kosova), prej tyre 60% janë të vdekur. E kam parë listën me sytë e mi.“[30]
Prej ardhjes në pushtet, Vozhdi i gjatë u drejtohet, gati për çdo ditë, serbëve të Kosovës me mesazhe kundërthënëse e keqdashëse. Dhe nuk është ndalur me kaq, sepse në kulmin e bisedimeve të fshehta për copëtimin e Kosovës, kur Vuçiqit iu kundërvu vendosmërisht edhe njëri prej liderëve më të spikatur serbo-kosovar, Oliver Ivanoviq, këtë e vranë mizorisht para zyrës së vet. Burime serioze konfirmojnë se këtë vrasje, dhe jo vetëm këtë, e kanë kryer strukturat mafioze të lidhura me shtetin serb.
Paraprakisht, Ivanoviqi ishte demonizuar nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vozhdit dhe mediave që ky i kontrollon plotësisht, duke u shpallur njeri i lig e vegël e Prishtinës.
Prandaj, disa ditë para se të vritej, Ivanoviqi kishte takuar Vuçiqin dhe krerët e BIA-s (shërbimi sekret serb) dhe kishte kërkuar ndihmën e tyre për shkak se e kërcënonte me jetë, nënkryetari i partisë së Vuçiqit në Kosovë (Lista Serbe), mafiozi famëkeq, Milan Radoiçiq.
Një vit para se të vritej, Oliver Ivanoviq, u deklaroi mediave se “…fushata që po bëhet për zgjedhjet lokale në Kosovë, thënë më së buti është e çuditshme dhe se tash serbët po frikësohen prej serbëve më shumë se që janë frikësuar nga shqiptarët radikalë në vitet 1999, 2004 dhe 2008.“[31]
Në tubimin e fundit javor në Beograd (12 janar 2019), ku po marrin pjesë nga disa dhjetëra mijëra kundërshtarë të regjimit, Rada Trajkoviq, njëra prej liderëve të njohur të serbëve të Kosovës deklaroi:
“Na e vranë Oliverin, më të mirin prej nesh. Kanë menduar se vrasja e Oliverit do të promovonte si krejt të pamundur bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve, në mënyrë që përkufizimi (ndarja territoriale) të imponohet si ardhmëri. Ai edhe i vdekur i sfidoi, sepse në rrugëtimin e tij të fundit e përcollën edhe fqinjët e tij shqiptarë, të cilët shprehën keqardhje për vrasjen e fqinjit të tyre, dhe kështu plani i Vuçiqit dhe Thaçit (për ndarjen e Kosovës, shënim i autorit) u bë një plan i parealizueshëm“.
“Ne, serbët (e Kosovës) nuk po kërkojmë shumë. Po kërkojmë që serbët të mos frikësohen prej serbëve. E prej që Vuçiqi ka ardhur në pushtet, ne (serbët) po frikësohemi prej serbëve.“[32]
Vozhdi i gjatë ua fut frikën në palcë serbëve të Kosovës edhe duke gënjyer sy ndër sy. Në kohën e acarimit të gjendjes pas aplikimit të taksave doganore, ai në një tubim me serbët e Kosovës deklaroi: “Kemi informata për lëvizjen e trupave shqiptare nga baza e Belvedereve dhe Vrella… Ndoshta po shkojnë për të kontrolluar Liqenin (e Gazivodës), për t’i treguar muskujt dhe për të penguar ndonjë import mallrash“.
Ndërkaq zëdhënësi i KFOR-it deklaronte krejt të kundërtën: “…Nuk po ndodh asgjë. Nuk ka pasur kurrfarë lëvizjeje të trupave të FSK-së drejt veriut… nuk ka asnjë arsye për shqetësim.“[33]
Për këtë klimë të krijuar artificialisht flet me shqetësim edhe ish-ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, përndryshe banor i Leposaviqit: “Ajo që s’më pëlqen është pompimi medial që shpërndahet live. Tërë ditën emetohen emisione speciale, në të cilat të intervistuar të ndryshëm me përgjigjet, demagogjinë dhe rrenat e tyre i shqetësojnë serbët në Kosovë. Nuk e di pse krejt kjo. Kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, por nuk kishte emetime mediale live. Duhet informuar qytetarët, por jo kështu…“[34]
Pas vendimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, Vuçiqi luante teatër me serbët e Kosovës, thua se ata nuk e dinë se KFOR-i nuk lejon të rrezikohet prej askujt siguria e tyre:
“Mos u shqetësoni. Në çdo përpjekje për sulm ndaj jush, Serbia do të ketë forcë për t’ju mbrojtur… Ne mbrapa nuk mundemi më, s’kemi ku. Mos mendoni se do ta pranojmë dhe me mirësjellje të kënaqemi me vetëshkatërrimin tonë.“[35]
Në këtë lojë të madhe, Vozhdi i gjatë ka mobilizuar sidomos mediat serbe. Vitin që lamë pas, ta zëmë, vetëm në tabloidët mercenarë “Informer“ e “Srpski telegraf“ në kryetitujt e faqeve të para 265 herë paralajmërohen luftërat dhe konfliktet kundër kroatëve e shqiptarëve në radhë të parë.“[36]
Në njërën anë Vuçiqi ndez zjarrin dhe menjëherë pastaj merr rolin e zjarrfikësit. Shembulli më i mirë është treni laran rus, që Kosova e ndali në kufi:
“Një pjesë e mirë e serbëve hidhërohen pse nuk e çuam trenin deri në Mitrovicë. Ne mund ta bënim këtë, por do të kishte të vdekur në të dyja anët… “ [37]
Kjo politike e tejdukshme meskine dhe e paskrupullt, që ka për synim të realizojë objektiva strategjike serbomëdha, ka irrituar edhe shumë serbë. Fjalët që do të duhej t’ia thoshin në takimet e tyre të shpeshta Vozhdit të gjatë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa ose Edi Rama, ia tha regjisori, çedomir Petroviq, serb me prejardhje nga Prishtina, deri tash mbështetës i Vozhdit të gjatë, i cili, në një letër që ia drejtoi, para disa javësh, kryetarit të tij, i thotë troç:
“Besimi im në ju ishte pjellë e dëshirës sime dëshpëruese që të shfaqet dikush pas kaq vitesh dhe me ndryshimin e vet ta ndryshojë edhe Serbinë.
Na mashtruat dhe na zhgënjyet. Kemi humbur në mënyrë të pakthyeshme shumë vjet, falë politikës tuaj të gabueshme e të luhatshme duke shtyrë kohën, e cila kurrsesi nuk punonte për ne“.
“Kemi kryer krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Forcat policore serbe gjatë viteve 1998 e 1999 kanë kryer masakra, shkatërrime, helmime, të puseve të ujit, përdhunime, plaçkitje, vrasje të civilëve… Ushtria dhe policia.. të kontrolluara nga maja e shtetit kanë dëbuar nga Kosova 700 mijë shqiptarë të Kosovës.
Milosheviqi ka urdhëruar që të gjitha kufomat në Kosovë që do të mund të ishin objekt interesimi për Gjykatën e Hagës duhej të fshiheshin.
Në furrat e Trepçës janë djegur 1500 kufoma.
Nga thellësitë e Danubit të ftohtë janë dalë në sipërfaqe frigoriferët me trupa të grave dhe fëmijëve shqiptarë.
Gjithandej nëpër Serbi, në poligonet e policisë ka varreza masive.“[38]
Në vend se me fakte të tilla t’ia mbyllte gojën Vozhdit dhe Daçiqit, kur këta, duke ia treguar këndin e dosjeve të trasha me paudhësi, i kanë kërkuar copëtimin e Kosovës, Hashim Thaçi, i zënë pisk vetëm ka pëshpëritur : “… hesht se na dëgjojnë të tjerët… !“[39]
Komunikimi diabolik, herë prush e herë akull
Prej që ka ardhur në pushtet, gati për çdo ditë, Vuçiqi komunikon intensivisht me opinionin, përmes intervistave dhe deklaratave të ndryshme. Kryetemë ishte dhe vazhdon të jetë Kosova. Për të Kosova është : “…ankth i natës, është brenga më e madhe, me të cilën bie dhe zgjohem, ani se flej pak. Kosova është brenga ime më e madhe, sepse e di se sa shumë jemi përpjekur për ta ruajtur stabilitetin…“[40]
“Kosova ma han shpirtin. Pa zgjidhjen e këtij problemi çdo gjë që kam arritur nuk do të jetë e qëndrueshme. Kriza e parë do të na mbysë.“[41]
Në këtë temë me kërrabëzën e verbit, Vuçiqi përthur luftën, paqen, shpresën, lutjen, kërcënimin, inatin, zhgënjimin… Tamam teatër:
Deklaratave të pamend të parisë së Kosovës për Nishin etj., ai u përgjigjet me ironi: “Mirë, ata janë të fortë e të mëdhenj, ne, serbët, të vegjël e të pafuqishëm. Ndoshta do të mbërrijnë deri të Smederevska Palanka (qytet afër Beogradit), ta shohim…“[42]
Sipas Snjezhana Milivojeviq, eksperte e mediave, “…Vuçiq është një orator mesatar… ai përhap frikë rreth vetës… dhe dëshiron të krijojë bindjen se ai natë e ditë kujdeset për Serbinë… Sillet si pater familias i krejt kombit, kujdeset jo vetëm për njërin por për të gjithë serbët… Mendoj se ai ka një ide të fiksuar se ai duhet të jetë shpëtimtari i Serbisë… për të është tmerrësisht e rëndësishme që mu ai ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe ashtu të hyjë në histori…“[43]
Në një analizë të gjatë, të publikuar në NSPM (Nova srpska politicka misao) me titull “Silovanje Srbije“ (Përdhunimi i Serbisë) dhe nëntitull “Aleksandër Vuçiq në faqet e para të gazetave të përditshme“ konstatohet se:
“Si mediet e tjera, edhe gazetat e përditshme pandërprerë dhe me këmbëngulje formësojnë fotografinë e kryetarit si hero dhe martir, prijës dhe shpëtimtar i kombit, të gatshëm në sakrifica për të mirën e vendit dhe të popullit si model i lehtëpranueshëm për opinionin e brendshëm.“[44]
Shpeshherë edhe kur gjendja është krejt e qetë, Vozhdi ankohet pa asnjë shkak: “Jemi në gjendje të rëndë, po rrëmihin me këmbë e me duar… “ Me ata që rrëmihin ai mendon në Perëndimin, në shqiptarët dhe në opozitën.
Ose: “Shtrohet pyetja si do t’ia bëjmë nëse shpërthen ndonjë konflikt, prandaj vazhdimisht kam kërkuar ta gjejmë një kompromis. Ishte kjo lufta ime e Davidit me Golijatin, i cili quhet krejt Perëndimi me shqiptarët. Po luftoj që të fitojmë diçka për Serbinë dhe popullin serb, nuk isha afër asaj që të fitojmë diçka, por disa filluan të na dëgjojnë… Për shqiptarët Amerika është edhe nënë edhe baba, të tjerët janë halla dhe teze, Anglia, Franca, Gjermania.“
“Ne po përpiqemi, kemi mbështetjen e Kinës, Rusisë dhe disa vendeve. Por a mjafton kjo? Pozita jonë është e vështirë, po përpiqemi të mbahemi në fushë, që të paktën të kemi remi.“[45]
Përderisa me të huajt Vuçiqi përdor një fjalor shumë të përzgjedhur, me opozitën ai sillet si karrocier, duke i quajtur liderët e saj me të gjithë emrat: kafshë, hajdutë, tradhtarë, të pabesë, plaçkitës e çka mos tjetër. Njohësit e mirë të gjendjes në Serbi pajtohen se mediat, por edhe klima politike në Serbi nuk dallojnë shumë nga ajo e viteve të luftës (1991 – 1999).
Si pasojë e kësaj gjendjeje, ka dy muaj që në Beograd ka manifestime të rregullta. Shëtitësit, apo manifestuesit, që po shtohen vazhdimisht ditë më parë iu drejtuan Vozhdit me një letër të hapur.
“Po të drejtohemi drejtpërdrejt Ty, sepse ti je redaktori i të gjitha mediave. Sepse ti dëshiron të kesh njerëz-objekte e jo qytetarë.
Të gjithë ata që guxojnë ta thonë mendimin e tyre, trajtohen si armiq dhe duhet kredhur në baltën e “tabloidëve“… Dikur armiq ishin Slavko Quruvija e Oliver Ivanoviq, ndërsa tash të gjithë jemi bërë armiq dhe objekt i sulmeve tuaja.“[46]
Më 25 nëntor 2018 në një tubim përkujtues, në Vojvodinë, Vozhdi i gjatë u drejtohet kundërshtarëve sidomos:
“E keni kuptuar se Serbia sot është nën presion nga anë të ndryshme, dhe zogj të ndryshëm të zinj kanë mësyrë të çukatin çdo gjë që munden nëpër Serbinë tonë të bukur, por Serbia e di se ani se nuk jemi më të mëdhenjtë as në mesin e të mëdhenjve askush nuk ka mundur ta gjunjëzojë e nuk do t’ia arrijnë as ata që po përpiqen sot…“[47]
Në forumin e liderëve të Ballkanit me BE-në, në Tiranë, më 28 maj 2015, Vuçiqi iu drejtua përfaqësuesit të BE-së pa dorashka, lërini përrallat se: “Jemi lodhur me seminare, neve na duhen paratë…“[48]
Vozhdi i gjatë është ekspert për shndërrimin e tezave. Para se zyrtarizohej formimi i ushtrisë së Kosovës, ai takoi ambasadorët e Kinës dhe Rusisë në Beograd dhe i alarmoi se “Sjellja e Prishtinës mund të çojë deri te katastrofa, qëllimi i tyre është përzënia e popullit serb…“
“Serbia me asgjë nuk po shkakton destabilizim, por me provokacionet e përhershme do të vihemi para një situate pa rrugëdalje (deri të domosdoshme) për të mbrojtur popullin serb në Kosovë e Metohi. Serbia nuk guxon të lejojë ndjekjen e popullit të vet…“ [49]
Ndërsa vetëm pas dy ditësh :
“Shpresoj se do ta ruajmë paqen, Serbia do të japë çdo gjë nga vetja. Jam i bindur se do të kemi paqe, që s’do të ketë luftë, por nuk do të lejojmë përzënien e njerëzve tanë prej aty ku ata jetojnë… Gjithnjë do të bisedojmë për t’i zgjidhur problemet në mënyrë paqësore…“[50]
“Ata janë shumë të fortë dhe Serbia nuk është ajo që (mund) t’ia ndërrojë mendjen SHBA-së. Ne s’kemi çka të bëjmë tjetër, me shpatulla për muri jemi, duhet të ruhemi dhe të mbrohemi…“[51]
Vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës i shqetësoi së tepërmi autoritetet dhe opinionin serb gjithandej. Dhe nuk është çudi, sepse në shumicën e luftërave që i ka bërë Serbia, ajo zakonisht është përballur me civil ose me çeta të keqorganizuara e pa armë.
Lufta në Kroaci dhe BeH e ka dëshmuar se kudo ku ushtria serbe kishte përballë njësi ushtarake të udhëhequra nga oficerë profesionistë edhe sado të pakta në numër, megjithatë e ka humbur çdo betejë. Një shembull i mirë është Korpusi i pestë i Ushtrisë boshnjake i udhëhequr nga gjenerali Dudakoviq, i cili u ka shkaktuar forcave serbe humbje të pariparueshme.
Prandaj Vozhdi i gjatë flet me kaq shqetësim:
“Kosova e Metohia është makth i madh për ne, sidomos për shkak të potezit të Prishtinës për formimin e ushtrisë, që nuk mbështetet as në të drejtën (ndërkombëtare) e as në Rezolutën 1244. Është detyrë e Kforit që ta shformojë ushtrinë. Por ata nuk do ta bëjnë këtë, do të thonë se çdo gjë ka ndryshuar prej që (shqiptarët) e kanë shpallur Pavarësinë.“
“Mos e poshtroni Serbinë dhe popullin serb, sepse këtë nuk do ta lejojnë as Serbia e as populli serb.“[52]
“Shqiptarët dhe sponsorët e tyre amerikanë kishin vetëm një qëllim – ta shkelin Serbinë në kuptimin politik dhe të nëpërkëmbin vlerat e saj, në mënyrë që Serbia të mos mund të ngritet…“[53]
“Mirëpo Serbia ka fytyrë, krenari, dinjitet, shtetësi dhe popullin e saj krenar. Jam krenar me popullin tonë në Kosovë e Metohi, në ata njerëz që, si përgjigje ndaj atyre që kanë renditur gjithandej flamurin amerikan, ngritën flamurin e Serbisë nëpër rrugë dhe nëpër shtëpitë e tyre… e jo si ata që s’kanë me se të krenohen por shpalosin flamurin e huaj për të treguar se sa të fortë janë…“[54]
Duke analizuar makiavelizmin e Vozhdit të gjatë, m’u kujtua për dreq, një thënie e Martin Luterit, e shkruar këtu 500 vjet më parë për serbët, për të cilët kishte një urrejtje të madhe, ndoshta sepse mund të ketë takuar ndokund Vuçiqin e parë…:
“Serbët janë populli më i lig i të gjithë popujve, ai është popull i malokëve dhe i hajdutëve…“[55]
Një ditë pasi kishin marrë ai dhe Thaçi letrën nga presidenti amerikan, Vuçiqi paralajmëron opinionin se: “Zgjidhja në raportet Beograd-Prishtinë nuk është afër. Druaj se do të ketë zgjidhje të keqe për ne…“ dhe se për këtë letër do të fliste me Putinin.[56]
Kulmi i këngës së përvajshme të Vozhdit të gjatë, gjithsesi ishte fjalimi tij në Këshillin e Sigurimit, më 17 dhjetor 2018:
“Numrat tregojnë se serbët nuk kanë kryer pastrime etnike, sepse dikur në Kosovë ishin 220.000, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 106.000…
I kemi përgjëruar të mos kandidojnë për anëtar të Interpolit, UNESCO-s, ENTSO-E. Ata llogarisnin në mbështetjen e SHBA-së dhe shumë shteteve evropiane, duke shpresuar se do të fitojnë. Në rundin e parë kishin më pak se 50% të votave. E pastaj filluan ta akuzojnë Serbinë, sikur ishte faji ynë…“
“Me taksat e tyre ata kanë rrezikuar krejt popullsinë serbe në Kosovë…, a mund ta merrni me mend që dikush, në shekullin XXI, ndalon dhe pengon qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve… ? “
Ne i kemi respektuar të gjitha që burojnë nga marrëveshja, ndërsa (shqiptarët) qe 2070 ditë nuk e kanë zbatuar dhe as që ka ndërmend të zbatojnë detyrimin për formimin e Bashkësisë së komunave serbe.“
“Dëshiroj të them se Serbia ka bërë shumë përpjekje e derdhur shumë mund që të vendoset paqja e stabiliteti gjithandej në Ballkanin Perëndimor. Kemi bërë çdo gjë që të përmbahemi e të mos përgjigjemi në provokime të ndryshme që vinin nga Prishtina…
Më duhet të them se jam tepër i shqetësuar, madje nga pak edhe i frikësuar për të ardhmen jo vetëm të popullit tim dhe shtetit tonë, Serbisë, por për krejt rajonin…“
“Duhet të jemi ne fajtor në mënyrë që dikush ta arsyetojë politikën e vet të gabuar.“[57]
Në këtë fjalim pervers Vozhdit të gjatë do t’ia kishte zili edhe mentori i tij i ndjerë, Dobrica Qosiq, i cili thoshte se “Serbët shumë herë gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra…“
Vuçiq, sa herë ka nevojë për ta zhvendosur vëmendjen e atyre që e dëgjojnë u kthehet dyshuesve në llogoret e tij politike, por të shumtën e rasteve opozitës, siç bën edhe në kongresin e partisë socialiste të Daçiqit:
“T’i pyes sot anëtarët tuaj e të mitë dhe funksionarët (partiakë), cili është kompromisi (për Kosovën) me të cilin ju do të ishit të kënaqur, askush nga ju nuk do të më përgjigjeni. Ne, serbët kënaqemi vetëm kur e fitojmë maksimumin.“
“Lërini përrallat e tuajve e të mive se krejt (Kosova) ishte e jona. Asgjë nuk ishte e jona. E kanë vënë kufirin në mes Serbisë qendrore dhe Kosovës në Jarinjë dhe në Bërnjak. Krejt ua kanë dhënë. Më 2010, ua kanë dhënë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se deklarata e tyre (e Pavarësisë) nuk ishte akt ilegal. Ky është turpi më i madh që i ia kemi bërë vetës. Dhe sot kjo është e vetmja gjë rreth të cilës po përpiqen ekspertët tanë dhe nuk po mund ta mbrojmë.“
Dhe, ashtu si në Gazivodë, edhe kësaj radhe glorifikon kasapin e Ballkanit :
“E di se gjithnjë do ta duani më shumë Milosheviqin se mua, ndoshta edhe më shumë se Daçiqin, por sot rezultatet janë më të mira se atëherë, pra edhe për këtë çështje (të Kosovës).“[58]
Në një letër të peshkopit të Kosovës, Teodosije, përmes së cilës kleriku i lartë kundërshtonte ndarjen e Kosovës, Vuçiq përgjigjet me hungërim:
“Nuk doni përkufizim me shqiptarët? S’ka problem, thoni njerëzve që të jenë të gatshëm ta mbrojmë Vranjën (qytet në kufi me Kosovën Lindore) për 40 vjet. A vërtet mendoni se qysh tash njerëzit tanë nuk po shpërngulen prej atje?“[59]
Vozhdi nuk vajton vetëm për Kosovën, por edhe për Malin e Zi: “Ne e kemi humbur Kosovën më 2008, sepse i kishim në pushtet dy persona që garonin në Beograd se cili do të pëlqehet më shumë nga të huajt… Edhe më 2006 kishim pushtetarë të paaftë kur e humbëm Malin e Zi…“[60]
Prandaj ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Drmanoviq, shpreh shqetësimin se:
“…Vuçiqi po i acaron marrëdhëniet me fqinjët… Acarimi i marrëdhënieve gati me të gjithë fqinjët nuk i sjell asgjë të mirë as vetë Serbisë.“[61]
Ndërsa ambasadori i Sllovenisë në NATO, Kacin, dikur europarlamentar i ngarkuar për Ballkanin deklaroi:
“Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, krejt do të varet nga ajo se a do të përcaktohet A. Vuçiqi për të ardhmen e Serbisë apo të gjitha vendet e rajonit do të mbeten peng i kthimit të tij në të kaluarën dhe në mitologji.“[62]
Ish-ministri kroat i Punëve të Jashtme, Davor Stier, në një analizë serioze për politikën serbe rezonon kështu :
“Ajo u përshtatet rrethanave të reja, por në substancë mbetet në gjurmët e Naçertanies së Garashaninit të shekullit XIX.“
Stier shpreh shqetësimin e tij të ligjshëm për qëllimet strategjike të Serbisë për ta shtrirë ndikimin në hapësirat e ish-You-së si dhe për sjelljen e papërgjegjshme të disa shteteve evropiane : “…kjo alternativë e logjikës së sferave të interesit ka bërë që për disa kryeqytete të BE-së më e kapshme është të mbështesin apo të tolerojnë Vuçiqin sesa të lejojnë që këto hapësira t’ua lënë lojtarëve më të mëdhenj, Moskës ose Ankarasë…“[63]
Përfundim
Vozhdi i gjatë, nganjëherë di edhe të befasojë me gjoja çiltërinë e tij, siç është rasti kur, më 29 dhjetor 2013, denoncoi krimin e shëmtuar të shërbimeve serbe, të cilat më, 14 dhjetor 1998, në Pejë, në kafenë “Panda“, që frekuentohej ekskluzivisht nga serbët, vranë mizorisht 6 të rinj serbë dhe plagosën shumë të tjerë. Me qëllim që të fajësonin shqiptarët.
Por ai nuk ndërmori asnjë hap për t’u zbardhur ky krim i shëmtuar dhe për t’i nxjerrë kriminelët para drejtësisë, përkundër premtimeve që, disa herë, u kishte dhënë familjeve të viktimave.
Në të njëjtën mënyrë është sjellë edhe me vrasjen mizore të vëllezërve Bytyqi (korrik 1999), sepse përkundër kërkesave të vazhdueshme të Washingtonit, kriminelët, megjithatë ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë…
Pavarësisht aftësive dribluese, energjisë dhe këmbënguljes, Vuçiq, megjithatë mbetët një politikan tipik ballkanik:
“E dua shumë gruan dhe për asgjë në botë nuk do ta ndërroja. Thjesht e adhuroj. Si person është e matur dhe e përmbajtur. Asnjëherë nuk më pyet se ku po shkoj dhe kur do të kthehem. Ajo nuk shkon askund pa fëmijët dhe burrin e saj. Me shoqet shkon për kafe kur unë konsideroj se është fjala për një datë të përshtatshme… “ [64]
Megjithatë, katër vjet më vonë ai e la këtë grua dhe e mori një tjetër, më të re. Por, fundja, kjo është çështje e tij private.
Ajo që nuk është çështje e tij private, sepse dëmton themelshëm interesat jetike të një populli, është se Vuçiq, falë mirëfunksionimit të organeve shtetërore serbe, shërbimeve sekrete sidomos, këmbënguljes së tij (Ai ia ka arritur që edhe një Angela Merkel ta bindë për t’i shikuar hartat, thoshte këshilltarja e tij, natyrisht, hartat për copëtimin e Kosovës…) pa përjashtuar këtu edhe lumin e parave, arriti që çështjen e Kosovës, që megjithatë ishte një çështje e mbyllur, ta nxjerrë sërish në tavolinën ndërkombëtare si çështje të hapur.
E nxori në një kohë kur rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar shumë dhe, mjerisht në disfavor të shqiptarëve.
Vuçiqi ia arriti kësaj, falë pushtetarëve të pagdhendur e të pamoralshëm të Kosovës, që është dëshmia më e qartë se sa të rrezikshme janë elitat e sajuara. Por edhe falë faktit se Shqipëria, fatkeqësisht, edhe pas një shekulli shtet, nuk arrin t’i mbrojë as interesat e veta strategjike e të mos flasim për interesat e kombit shqiptar.
Pallavrat e Edi Ramës se copëtimi i Kosovës do të mundësojë bashkimin kombëtar është një demagogji e shëmtuar që nuk do të duhej t’i lejonte vetës as Shukri Xhelili i ‘famshëm’…
Por të jemi me këmbë në tokë. Ky shtetrrënim i Kosovës para së gjithash është meritë e Hashim Thaçit, sepse ky, për të shpëtuar lëkurën e tij, në negociatat me Serbinë, luajti dhe po vazhdon të luajë rolin e Kalit të Trojës.
Thaçi përmes lidhjeve të tij, përfshirë dhe një mantenutë të kahershme, dhe me paratë e buxhetit të Kosovës, ka lobuar gjithandej që aleatët e Kosovës ta pranojnë si të mirëqenë Marrëveshjen e tij me Vuçiqin. Rezultat i kësaj veprimtarie duhet të jetë edhe letra e Boltonit drejtuar qeverisë së Kosovës, ku, në mënyrë ultimative kërkohet prej saj t’i heqë taksat kaherë të meritueshme doganore ndaj Serbisë.
Në të njëjtën mënyrë nesër do t’i kërkohet qeverisë heqja dorë nga qëndrimi kundër ndarjes së vendit e pastaj, edhe miratimin e nënshkrimit të Marrëveshjes Thaçi-Rama-Vuçiq për copëtimin e Kosovës.
Të njëjtën gjë Thaçi e ka bërë edhe gjatë negociatave për demarkacionin me Malin e Zi, kur, përmes kanaleve të tij, kërkoi nga BE që Kosovën ta kushtëzojë me liberalizimin e vizave derisa populli ta pranojë demarkacionin e imponuar./xhafershatri.info
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Aty
Aty
Aty
Aty
Aty
“Kako bi srpski radikali razresili Kosovsko Metohijske pitanje“, ‘Velika Srbija’, tetor 1995
NYT, 04. 05. 1994
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Aty
Aty
https://www.espreso.rs/autor/313/sasa-m-stajic
https://www.espreso.rs/autor/313/sasa-m-stajic
https://www.youtube.com/watch?v=ttXM8pVHhWc, minuti 10 :50
Pravda, 14 janar 2018
B92, 1 mars 2018.
Andrej Ivanji, intervistë te ‘Avangarda’, 28. 11. 2018
Blic, 10.11.2018
Vladimir Gligorov, Beta, 8. 01. 2019
B92, 15.10.2018. | 13:57
Blic, 6. 12. 2018
Blic, 9 janar 2019
VOAL- Granit Xhaka njoftoi vendimin e gjykatës së Lucernës në Instagram në rastin e tij në lidhje me certifikatat e falsifikuara të blera gjatë pandemisë COVID-19.Kapiteni i ekipit kombëtar zviceran u dënua me një dekret penal me një gjobë me kusht prej 50 këstesh ditore prej 3 000 frangash, për një total prej 150 000 frangash. Vepra penale për të cilën akuzohet është marrja me mashtrim e certifikatave të rreme, në rastin e 34-vjeçarit, dy certifikata vaksinimi.“Dënimin nuk do ta vuaj nëse nuk kryej ndonjë krim tjetër gjatë kësaj periudhe. Kam paguar shpenzimet gjyqësore”, shkroi lojtari në rrjetet sociale.Xhaka pranoi faktet para ndeshjeve të fundit të ekipit kombëtar, pasi Blick bëri publike procedurat e prokurorit të Lucernës.“E pranoj dënimin dhe marr përgjegjësinë”, përfundoi kapiteni i ekipit kombëtar në postimin e tij. Pasojat sportive të këtij dënimi mbeten të pasigurta për momentin, megjithëse duket e mundshme që Xhaka të kthehet në skuadër në grumbullimin e ardhshëm stërvitor, siç rekomandohet nga Murat Yakin.ASF deklaroi se “mbi këtë bazë, ne do të jemi në gjendje të vazhdojmë diskutimet e njoftuara për të përcaktuar se si të ecim përpara në të ardhmen”. rsi
Historia politike dhe shoqërore e shqiptarëve dëshmon se përçarja e brendshme nuk ka qenë vetëm pasojë e rrethanave të jashtme, por shpesh edhe produkt i rivaliteteve, ambicieve dhe konflikteve të brendshme.
Në periudha kur shqiptarët nuk dispononin me shtetësi të konsoliduar, sovranitet të plotë apo institucione të qëndrueshme, lufta për ndikim dhe pushtet shpesh zhvillohej brenda vetë bashkësisë.
Ky paradoks historik meriton vëmendje të veçantë: si është e mundur që një shoqëri e privuar nga liria politike të prodhojë njëkohësisht rivalitete të theksuara për dominim të brendshëm?
Edhe në kushtet e robërisë, kur logjika e mbijetesës kolektive do të kërkonte solidaritet, bashkëpunim dhe koordinim, shpesh janë shfaqur konflikte, mosbesim, kurthe dhe antagonizma ndërmjet individëve apo grupeve.
Kjo tregon se përçarja nuk mund të shpjegohet vetëm si rezultat i presionit të jashtëm. Ajo lidhet edhe me kulturën politike, dobësinë institucionale, mungesën e besimit reciprok dhe prirjen për ta parë tjetrin si rival, e jo si partner në një projekt të përbashkët.
Pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: çfarë mund të presim nga të tjerët, nëse vetë ne prodhojmë mekanizma që na dobësojnë?
Formula “unë të munda ty, ti më munde mua” përmbledh në mënyrë simbolike një logjikë konfliktuale në të cilën fitorja individuale mund të shndërrohet në humbje kolektive.
Nëse energjia shoqërore shpenzohet për eliminimin e kundërshtarit të brendshëm, atëherë dobësohet aftësia për të ndërtuar institucione, për të mbrojtur interesin publik dhe për të krijuar kohezion shoqëror.
Në historinë institucionale të Kosovës gjenden edhe shembuj të kundërt, ku rivaliteti politik është kapërcyer në funksion të krijimit dhe avancimit të institucioneve.
Pas zgjedhjeve të vitit 2001, Ibrahim Rugova dhe forca politike që ai drejtonte pranuan një formulë bashkëqeverisjeje me rivalët kryesorë politikë: Rugova u zgjodh president, ndërsa Bajram Rexhepi nga PDK-ja mori postin e kryeministrit; në qeverisje u përfshinë LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe përfaqësues të komuniteteve.
Ky kompromis institucional u arrit në një periudhë kur Kosova kishte nevojë për funksionalizimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet dhe për krijimin e një baze më të gjerë të bashkëpunimit politik.
Një shembull i ngjashëm u paraqit edhe në kohën e presidentit Fatmir Sejdiu. Pas zgjedhjeve të vitit 2007, PDK-ja dhe LDK-ja, ndonëse rivale politike, arritën marrëveshje koalicioni.
Në janar të vitit 2008 Sejdiu u rizgjodh president, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i qeverisë së koalicionit PDK–LDK. Kjo marrëveshje përkoi me një periudhë vendimtare të zhvillimit institucional dhe politik të Kosovës.
Këta shembuj tregojnë se kompromisi politik nuk nënkupton domosdoshmërisht heqje dorë nga identiteti partiak apo nga bindjet politike. Në rrethana të caktuara, ai mund të jetë instrument i përgjegjësisë institucionale, sidomos kur funksionimi i institucioneve dhe proceset me rëndësi të përgjithshme kërkojnë bashkëpunim ndërmjet kundërshtarëve politikë.
Nga kjo perspektivë, problemi nuk qëndron te ekzistenca e dallimeve. Dallimet janë pjesë normale e çdo shoqërie pluraliste. Problemi lind kur konkurrenca shndërrohet në armiqësi, kur mospajtimi kthehet në hakmarrje dhe kur interesi personal ose grupor vendoset sistematikisht mbi interesin e përgjithshëm.
Një shoqëri e qëndrueshme nuk ndërtohet mbi mungesën e kundërshtimeve, por mbi aftësinë për t’i menaxhuar ato përmes normave, institucioneve dhe kulturës së dialogut.
Prandaj, uniteti nuk duhet kuptuar si uniformitet mendimi, por si gatishmëri për të mbrojtur interesat themelore të përbashkëta edhe në kushtet e dallimeve politike, ideologjike apo personale.
Në këtë kuptim, hilet, inatet dhe përçarjet nuk janë thjesht dobësi morale. Ato mund të shndërrohen në faktorë strukturorë të dobësimit shoqëror dhe politik. Sa më i ulët të jetë niveli i besimit ndërmjet njerëzve, aq më e vështirë bëhet ndërtimi i bashkëpunimit, i institucioneve funksionale dhe i përgjegjësisë kolektive.
Prandaj, sfida kryesore nuk është të mposhtim njëri-tjetrin, por të tejkalojmë logjikën e vetëdëmtimit. Nëse çdo fitore ndaj tjetrit prodhon dobësim të përbashkët, atëherë ajo nuk është fitore reale.
Shoqëritë përparojnë kur konkurrenca shndërrohet në zhvillim, kur dallimet kanalizohen përmes institucioneve dhe kur identiteti i përbashkët nuk përdoret si slogan, por si përgjegjësi.
Në fund, pyetja mbetet e thjeshtë, por thelbësore: Çfarë vlere ka që unë të të mund ty dhe ti të më mundësh mua, nëse në fund të dy humbim atë që duhet ta ndërtojmë së bashku?
Atë ditë isha i angazhuar me një projekt radiofonik dhe nuk isha i lirë. Por duhet të jem i sinqertë: edhe sikur të kisha qenë i lirë, do të kisha hezituar të shkoja. Me disa parulla, disa simbole dhe me një pjesë të atmosferës ndoshta do të isha ndier në siklet, edhe pse në atë shesh me siguri ndodheshin shumë prej miqve dhe mikeshave të mia shqiptare.
———
Një letër opinionit shqiptar nga Ueli Leuenberger, iniciator dhe ish-drejtor i Universitetit Popullor Shqiptar (UPA) në Gjenevë si dhe ish-deputet në parlamentin e Zvicrës. Prej gati një gjysmë shekulli Leuenberger është mbështetësi më i madh në Zvicër i përpjekjeve për liri të shqiptarëve të Kosovës. Ai po ashtu ka qenë zëri më prominent në mbrojtjen e komunitetit shqiptar në Zvicër sa herë që ka pasur tendenca diskriminimi. Në këtë artikull ai reflekton mbi aktgjykimin e fundit në Hagë dhe kauzën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës për liri, por, në këtë kontekst, Leuenberger ka edhe disa pyetje për miqtë e tij shqiptarë.
Nga Ueli Leuenberger
Ngjarjet që nga 16 shtatori nuk më lënë të qetë. Më prekin dhe më shtyjnë të mendoj.
Të dielën, disa miq më dhanë një bluzë të zezë me mbishkrimin “Jo në emrin TIM!” dhe me emblemën e UÇK-së. Më ftuan të merrja pjesë në manifestimin në Sheshin e Kombeve, para selisë së OKB-së në Gjenevë.
Atë ditë isha i angazhuar me një projekt radiofonik dhe nuk munda të lirohesha. Por duhet të jem i sinqertë: edhe sikur të kisha qenë i lirë, do të kisha hezituar të shkoja. Me disa parulla, disa simbole dhe me një pjesë të atmosferës ndoshta do të isha ndier në siklet, edhe pse në atë shesh me siguri ndodheshin shumë prej miqve dhe mikeshave të mia shqiptare.
Ky shqetësim më detyron të reflektoj.
Po i ndaj këtu mendimet e mia pa pretenduar se zotëroj të vërtetën dhe, mbi të gjitha, pa dashur t’u jap mësime kosovarëve. Flas si dikush që për shumë vite e ka shoqëruar luftën e tyre, i ka mbrojtur të drejtat e tyre gjatë viteve të errëta, ka mbështetur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe ka krijuar lidhje të thella me shumë familje kosovare.
Dua që në fillim të them diçka pa asnjë mëdyshje: kurrë nuk kam dyshuar në legjitimitetin e luftës së shqiptarëve të Kosovës kundër shtypjes së regjimit të Millosheviqit, as në rolin thelbësor që UÇK-ja luajti në çlirimin e Kosovës.
Pikërisht për shkak se kjo bindje imja mbetet e pandryshuar, ajo që po ndodh sot më prek kaq shumë.
E kuptoj thirrjen: “Jo në emrin tim”
E kuptoj një pjesë të madhe të zemërimit ndaj Dhomave të Specializuara.
Kjo gjykatë ka një ndërtim të pazakontë: është krijuar brenda rendit juridik të Kosovës, por selinë e ka në Hagë dhe funksionon me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë. E kuptoj se shumë kosovarë e përjetojnë këtë si një kundërthënie dhe thonë: “Jo në emrin tim”.
Por kjo veçanti mund të kuptohet vetëm duke iu kthyer mënyrës se si u krijua kjo gjykatë.
Dhomat e Specializuara nuk iu imponuan Kosovës thjesht nga jashtë. Ato u bënë të mundshme në vitin 2015 nëpërmjet një ndryshimi kushtetues dhe një ligji të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Pra, zyrtarisht janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ndonëse ndodhen në Hagë dhe funksionojnë me personel gjyqësor ndërkombëtar.
Por duhet kujtuar edhe konteksti politik në të cilin u mor ky vendim. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ushtruan presion shumë të madh që Kosova ta krijonte këtë gjykatë. Hashim Thaçi, ish-kryeministër dhe në atë kohë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Isa Mustafës, u angazhua gjithashtu për krijimin e gjykatës dhe për bindjen e deputetëve të shumicës. Një votim i parë dështoi në qershor 2015; më 3 gusht Kuvendi miratoi ndryshimin e nevojshëm kushtetues.
Ky kontekst shpjegon një pjesë të mosbesimit që vazhdon edhe sot. Disa politikanë dhe deputetë kosovarë e kundërshtuan krijimin e kësaj gjykate; të tjerë e pranuan atë nën një presion të konsiderueshëm ndërkombëtar.
Prandaj e kuptoj pse shumë kosovarë e konsiderojnë këtë gjykatë si një institucion jashtëzakonisht të veçantë dhe pse ekzistenca e saj vazhdon të shkaktojë reagime kaq të forta.
Edhe më shumë e kuptoj ndjenjën e tyre kur shohin pabarazinë në ndjekjen e krimeve.
Duhet të vazhdojmë të kërkojmë me vendosmërinë më të madhe që përgjegjësit për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë – dhe më gjerë për krimet e luftërave në ish-Jugosllavi që ende mund të ndiqen penalisht – të kërkohen dhe të dalin para drejtësisë.
Shumë krime kanë mbetur pa u ndëshkuar. Shumë viktima dhe familje ende presin të vërtetën dhe drejtësinë.
Por pikërisht sepse nuk e pranoj këtë pandëshkueshmëri, nuk mund të pranoj që ajo të përdoret për të justifikuar një pandëshkueshmëri tjetër.
Edhe viktimat e krimeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së kanë të drejtë për të vërtetën dhe drejtësinë, qofshin ato shqiptare, serbe, rome apo të një përkatësie tjetër.
Një padrejtësi e pandrequr nuk mund të justifikojë një padrejtësi tjetër.
Ta marrësh seriozisht një aktgjykim nuk do të thotë ta konsiderosh përfundimtar
E di se shumë prej miqve të mi e konsiderojnë thellësisht të padrejtë aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Nuk u kërkoj ta pranojnë atë pa kritikë.
U kërkoj vetëm këtë: para se të arrijmë në përfundimin se ky është një dënim i UÇK-së, i luftës çlirimtare apo i popullit të Kosovës, le t’i shqyrtojmë faktet e konstatuara, dëshmitë, provat, argumentet e prokurorisë dhe të mbrojtjes, si dhe arsyetimin e gjyqtarëve.
Këtë jam përpjekur të bëj për shumë orë.
Por nuk dua të bie as në skajin tjetër dhe të konsideroj se gjithçka është vërtetuar përfundimisht vetëm sepse një gjykatë e shkallës së parë ka marrë një vendim.
Procedura gjyqësore parashikon pikërisht mundësinë e apelit. Të dënuarit kanë të drejtë ta kundërshtojnë aktgjykimin, vlerësimin e provave dhe përfundimet juridike të gjyqtarëve. Edhe argumentet e tyre duhet të dëgjohen me të njëjtin seriozitet.
Procedura e apelit do të mundësojë shqyrtimin e kritikave ndaj aktgjykimit të shkallës së parë. Atëherë do të shohim nëse aktgjykimi i qëndron këtij shqyrtimi, nëse konfirmohet apo nëse duhet korrigjuar në pika të caktuara.
Për mua, respektimi i shtetit të së drejtës do të thotë t’i marrim seriozisht të dyja: një aktgjykim të dhënë nga një gjykatë, por po aq seriozisht edhe të drejtën për ta kundërshtuar atë dhe mundësinë që edhe një gjykatë e shkallës së parë të ketë gabuar.
Prandaj nuk i kërkoj askujt ta konsiderojë aktgjykimin e sotëm si të vërtetën përfundimtare. Por po aq pak besoj se ai duhet hedhur poshtë vetëm sepse të dënuarit janë ish-drejtues të UÇK-së.
Nuk i kam pranuar kurrë automatikisht akuzat kundër UÇK-së
Ky qëndrim imi nuk është i ri.
Në atë kohë i kisha kundërshtuar fuqishëm disa akuza të ngritura nga Carla Del Ponte dhe të rimarra më vonë në raportin e Dick Martyt, veçanërisht ato për një trafik të pretenduar organesh.
Dua të jem i qartë: pasi e kisha ndjekur nga afër këtë çështje dhe isha njohur me informacionet që kisha në dispozicion, unë nuk besoja në akuzën për trafik organesh. Elementet që njihja nuk më dukeshin mjaft bindëse për ta konsideruar këtë akuzë të vërtetuar.
Kur Dick Marty publikoi raportin e tij, unë isha ende anëtar i parlamentit zviceran. Në këtë çështje kishim qëndrime të kundërta.
Kjo nuk e hiqte aspak respektin e madh që kisha për një pjesë të rëndësishme të punës së tij, veçanërisht për hetimet e tij të guximshme mbi burgjet sekrete dhe transferimet jashtëgjyqësore të organizuara nga Shtetet e Bashkuara pas 11 shtatorit 2001.
Mund ta respektosh punën e një njeriu dhe njëkohësisht të mendosh se ai ka gabuar në një çështje të caktuar.
Kriteri im atëherë ishte i njëjti që përpiqem të zbatoj sot: të mos i besoj një akuze vetëm sepse drejtohet kundër UÇK-së, por as të mos e hedh poshtë vetëm sepse drejtohet kundër UÇK-së.
Duhet të shqyrtohen faktet dhe provat.
Të gjykosh njerëz nuk do të thotë të gjykosh një çlirim
Mbetem i bindur për legjitimitetin e luftës së shqiptarëve të Kosovës kundër shtypjes dhe për lirinë e tyre. Dhe rolin historik të UÇK-së në çlirimin e Kosovës e konsideroj thelbësor.
Por kjo bindje nuk i jep përgjigje çështjes së përgjegjësisë individuale të secilit prej pjesëtarëve të saj.
Duhet të jemi në gjendje t’i mbajmë së bashku dy pohime pa e përjashtuar njëri-tjetrin: Lufta çlirimtare e Kosovës ishte legjitime dhe UÇK-ja luajti në të një rol vendimtar.
Ky legjitimitet nuk i dha askujt të drejtën të kryente krime.
Nëse, në përfundim të një procedure të drejtë, vërtetohet se disa pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, pranimi i këtij fakti nuk i fshin masakrat, dëbimet dhe terrorin që përjetoi popullsia shqiptare, as rolin historik të UÇK-së në çlirimin e Kosovës.
Por, nga ana tjetër, pjesëmarrja në një luftë të drejtë nuk mund t’i japë askujt imunitet për të gjitha veprimet e tij.
Pikërisht ky dallim më duket sot thelbësor.
Një insistim i jashtëzakonshëm për unitet
Që nga aktgjykimi shoh diçka që shkon shumë përtej solidaritetit me katër burra.
Pas muajsh, madje vitesh, përçarjesh të thella politike në Kosovë, papritur shfaqet një çështje që i bashkon sërish njerëzit rreth një “ne”-je të përbashkët.
Për një çast nuk je më Vetëvendosje, PDK, LDK apo AAK. Je kosovar, shqiptar, trashëgimtar i çlirimit.
Nuk është e nevojshme të imagjinojmë një organizim qendror pas këtij fenomeni. Një mobilizim mund të jetë njëkohësisht i organizuar politikisht dhe thellësisht spontan.
Ndoshta ai i përgjigjet edhe një nevoje kolektive për të rigjetur një unitet që politika e përditshme nuk e ofron më.
Mund ta kuptoj forcën dhe madje lehtësimin që kjo mund të sjellë.
Por çdo unitet ka edhe anën tjetër: çfarë vendi i mbetet atij që nuk e gjen veten plotësisht në rrëfimin kolektiv?
Një brez që nuk e ka përjetuar luftën
Një gjë tjetër më bie në sy në pamjet e manifestimeve në Kosovë dhe në diasporë.
Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve të sotëm ishin fëmijë gjatë luftës ose ende nuk kishin lindur. Ata nuk morën pjesë në luftë. As nuk e përjetuan personalisht mobilizimin e jashtëzakonshëm të solidaritetit që i parapriu dhe e shoqëroi atë.
Në Zvicër, kjo histori fillon shumë më herët se në vitin 1998.
Që nga vitet 1960, punëtorë kosovarë erdhën të punonin këtu. Shumë prej tyre hoqën dorë nga shumë gjëra për t’ua dërguar një pjesë të konsiderueshme të pagës familjeve të tyre në Kosovë.
Pas heqjes së autonomisë dhe shkatërrimit të institucioneve kosovare nga regjimi i Millosheviqit, ndihmës familjare iu shtua financimi i strukturave paralele: shkollave, shëndetësisë, ndihmës sociale dhe organizimit politik.
Më vonë, shumë vazhduan t’i ndihmonin familjet e tyre dhe njëkohësisht morën pjesë në mbledhje të ndryshme fondesh në mbështetje të UÇK-së.
Pastaj erdhi lufta.
Pastaj rindërtimi.
Dhe gjithmonë familjet.
Sakrificat e bëra gjatë disa dekadave kanë qenë të jashtëzakonshme.
“Kur Kosova të jetë e lirë, do të kthehemi”
Për një kohë të gjatë, shumë njerëz mendonin kështu.
Pastaj Kosova u çlirua dhe u bë e pavarur.
Por ndërkohë fëmijët shkonin në shkollë në Zvicër. Kryenin zanatin apo studimet. Familjet kishin ndërtuar këtu një jetë.
Kthimi ishte bërë politikisht i mundur, por nga pikëpamja e jetës personale gjithnjë e më i vështirë.
Për shumë njerëz, ëndrra e kthimit u shua në heshtje.
Kjo histori mund të ketë lënë ndjenja të ndërlikuara: lidhjen me vendin e lënë pas, përgjegjësinë ndaj familjes, besnikërinë ndaj sakrificave të brezave të mëparshëm dhe nganjëherë edhe konflikte të besnikërisë.
Fëmijët e punëtorëve kanë ecur përpara
Sot shoh një brez të ri, shumë pjesëtarë të të cilit kanë bërë rrugë të jashtëzakonshme: mjekë, juristë, mësues, studiues, sipërmarrës, drejtorë, punonjës socialë, aktivistë shoqatash, politikanë e politikane të zgjedhur.
Suksesin e tyre ia detyrojnë punës së tyre.
Por shumë prej tyre e dinë gjithashtu se çfarë u detyrohen sakrificave të prindërve.
Pas një diplome universitare mund të qëndrojnë tridhjetë vjet punë të një babai apo një nëne, privime, heqje dorë nga pushimet dhe para të dërguara çdo muaj në Kosovë.
Suksesi është individual. Historia e tij është shpesh familjare.
Dhe nga kjo histori mund të lindë një detyrim i thjeshtë i brendshëm: “Nuk duhet të harroj”.
Një lloj “kompensimi” brezash?
Atëherë pyes veten – dhe këtë e shtroj si pyetje, jo si shpjegim për atë që mendojnë të gjithë të rinjtë kosovarë – nëse një pjesë e mobilizimit të sotëm nuk ka edhe një dimension brezash.
Gjyshi ka dërguar një pjesë të pagës së tij në Kosovë.
Babai ose nëna ka protestuar, ka mbledhur para, ka mbështetur strukturat paralele, familjen dhe nganjëherë UÇK-në.
Një xhaxha, një dajë, një fqinj apo dikush nga fshati mund të ketë luftuar në radhët e UÇK-së.
I riu i sotëm ka lindur shumë vonë për të marrë vetë pjesë në këtë histori.
Dhe papritur shfaqet një kauzë që i përket plotësisht së tashmes së tij: të mbrojë ata që ai i konsideron çlirimtarët e Kosovës.
Atëherë bluza e UÇK-së mund të nënkuptojë shumë më tepër sesa një qëndrim ndaj një procesi gjyqësor:
“Edhe unë jam këtu. Nuk kam harruar. Edhe unë i përkas kësaj historie”.
Nuk pretendoj se e di çfarë ndien çdo i ri që proteston. Kjo do të ishte arrogante.
Po formuloj vetëm një hipotezë, nisur nga ajo që kam vëzhguar prej shumë vitesh në diasporë. Dhe nëse kjo hipotezë përmban një pjesë të së vërtetës, ajo më shtyn më shumë ta kuptoj këtë brez sesa ta gjykoj.
Një pyetje e veçantë për të majtën zvicerane
Shoh gjithashtu shumë politikanë të zgjedhur dhe aktivistë me prejardhje kosovare, të angazhuar në partitë zvicerane – sidomos te socialdemokratët dhe të gjelbrit – që marrin pjesë në këto manifestime, ndonjëherë edhe si organizatorë.
Ky angazhim has në një moskuptim pothuajse të përgjithshëm mes miqve të mi të majtë dhe, më gjerësisht, në botën politike zvicerane.
Besoj se mund t’i kuptoj të dyja qëndrimet.
Një aktivist kosovaro-zviceran mund të mendojë: “Pikërisht sepse jam i majtë, i mbroj popujt e shtypur dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje”.
Shoku i tij zviceran mund të mendojë: “Pikërisht sepse jam i majtë, i mbroj të drejtat universale të njeriut dhe drejtësinë për të gjitha viktimat, dhe jam i kujdesshëm ndaj heroizimit ushtarak dhe nacionalizmit”.
Të njëjtat vlera mund të çojnë kështu në përfundime shumë të ndryshme.
Një shqetësim të ngjashëm e kam përjetuar që në vitin 1999
Me gjithë dallimet e domosdoshme, kjo më kujton debatet rreth ndërhyrjes së NATO-s.
Nuk isha bërë as përkrahës i NATO-s, as përkrahës i luftës.
Por pas nesh ishin Bosnja dhe Srebrenica. Në Kosovë situata po përkeqësohej.
Pyetja ime atëherë ishte e thjeshtë: çfarë do të ndodhë nëse nuk bëjmë asgjë?
Një pjesë e miqve të mi të majtë nuk e kuptonte qëndrimin tim. Më pyesnin se si mund ta mbështesja një ndërhyrje të NATO-s. Nganjëherë kritikohesha ashpër, edhe nga njerëz që i kisha të afërt. Këto kritika më lëndonin.
Unë i pyesja se si mund të qëndronim spektatorë përballë asaj që po u ndodhte kosovarëve.
Sot konteksti është krejtësisht tjetër. Por përsëri përballem me një vështirësi morale të ngjashme: çfarë bëjmë kur dy parime që i konsiderojmë të rëndësishme përplasen me njëri-tjetrin?
Në vitin 1999: antimilitarizmi dhe mbrojtja e një popullsie të kërcënuar.
Sot: solidariteti me një luftë çlirimtare dhe drejtësia për të gjitha viktimat, përfshirë viktimat e krimeve të kryera nga disa pjesëtarë të asaj lufte.
Ajo që më shqetëson: fëmijët me uniforma
Në disa manifestime shoh fëmijë të vegjël me uniforma që imitojnë ato të UÇK-së.
Ata natyrisht nuk janë fëmijë-ushtarë dhe nuk po bëj asnjë krahasim të tillë.
Pyetja ime ka të bëjë me transmetimin e kujtesës.
Një ish-luftëtar që vesh uniformën e tij tregon një pjesë të historisë së vet.
Një fëmijë që vesh atë uniformë, përkundrazi, merr një histori që vetë nuk e ka përjetuar.
Është e natyrshme që familjet t’ua transmetojnë fëmijëve kujtesën e çlirimit. Çdo shoqëri e bën këtë.
Por besoj se duhet t’u lëmë gjithashtu lirinë që, duke u rritur, ta ndërtojnë vetë marrëdhënien e tyre me këtë histori dhe t’i zgjedhin vetë referencat dhe heronjtë e tyre.
Duhet ta transmetojmë kujtesën.
Por a duhet medoemos ta transmetojmë edhe uniformën?
Flamuri shqiptar nuk është çështja
Dua edhe këtu të shmang një keqkuptim.
Prania e flamurit shqiptar në këto manifestime shpreh bashkimin e shqiptarëve nën një flamur të përbashkët. Prej kohësh ai është një simbol i përbashkët për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe diasporës.
Ajo që më bën të mendoj është diçka tjetër: paraqitjet hartografike të një “Shqipërie etnike”, që përfshijnë Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe territore që sot u përkasin shteteve fqinje.
E di shumë mirë se një simbol i tillë mund të shprehë një përkatësi historike ose kulturore pa qenë domosdoshmërisht një program politik për ndryshimin e kufijve.
Pyetja ime fillon vetëm aty ku harta shndërrohet në një pretendim territorial të bazuar mbi përkatësinë etnike.
Sepse atëherë lind një problem parimor.
Nëse përkatësia etnike mjafton për të pretenduar politikisht një territor me shumicë shqiptare, si mund ta refuzojmë të njëjtin arsyetim kur përdoret nga komunitete të tjera në Ballkan?
Dhe, mbi të gjitha: çfarë ndodh me pakicat?
Historia e rajonit tonë na ka treguar mjaftueshëm rreziqet e idesë se çdo territor duhet t’i përkasë ekskluzivisht një populli.
Termometri im i vërtetë demokratik
Nuk është numri i bluzave të UÇK-së.
Nuk është numri i protestuesve.
Për mua, matësi i vërtetë është hapësira që i lihet atij që nuk e vesh atë bluzë.
A mund të thotë një i ri kosovar:
“UÇK-ja i përket historisë sonë dhe unë e njoh rolin e saj në çlirimin tonë, por ajo nuk përbën domosdoshmërisht identitetin tim personal”?
A mund të thotë:
“Jam krenar për çlirimin tonë dhe njëkohësisht dua të di edhe për krimet që mund të jenë kryer nga njerëz të palës sonë”?
A mundet një politikan i zgjedhur me prejardhje kosovare të protestojë nën slloganin “Jo në emrin tim” dhe njëkohësisht të thotë se viktimat e krimeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së kanë të drejtë për drejtësi?
Dhe ai që vendos të mos protestojë, a mbetet po aq shqiptar, po aq kosovar?
Nëse po, atëherë kemi një shoqëri të aftë të debatojë lirshëm për historinë e vet.
Nëse fjali të tilla bëhen të vështira, apo edhe të pamundura për t’u thënë, atëherë duhet të pyesim veten pse.
Besnikëria kritike
Besoj thellësisht se mund të jesh besnik pa qenë i pakushtëzuar.
Mund ta dua vëllanë tim dhe t’i them se gabon.
Mund ta dua vendin tim dhe ta kritikoj qeverinë e tij.
Mund t’i nderoj ata që kontribuuan në çlirimin e një populli dhe njëkohësisht t’i njoh viktimat e krimeve të kryera nga disa prej tyre.
Do të dëshiroja që brezi i ri ta shndërronte besnikërinë e jashtëzakonshme të trashëguar nga prindërit në një besnikëri kritike.
Kjo nuk do të ishte tradhti ndaj trashëgimisë së tyre.
Mund të ishte përmbushja e saj demokratike.
Pse nuk e vesha bluzën
Po kthehem te bluza e zezë: “Jo në emrin tim!”
E kuptoj thirrjen. I kuptoj ata që e veshin. Dhe më prek fakti që miqtë e mi dëshironin të isha me ta.
Por nuk mund ta vishja thjesht bluzën dhe t’i bashkohesha turmës sikur të mos ndieja asnjë kundërthënie.
Jo sepse do të kisha ndryshuar mendim për çlirimin e Kosovës.
Jo sepse do ta mohoja rolin e UÇK-së.
Në këto dy pika bindja ime mbetet e pandryshuar.
Hezitimi im vjen nga diçka tjetër.
Pas burrave që janë gjykuar, dua të jem në gjendje të shoh edhe viktimat, fatin e të cilave po e shqyrton drejtësia.
Pas UÇK-së heroike të kujtesës kolektive, shoh edhe një organizatë historike të përbërë nga njerëz: burra dhe gra të aftë për guxim dhe sakrifica të jashtëzakonshme, pa përjashtuar kjo, në parim, përgjegjësinë individuale të disave.
Pas fëmijës me uniformë, shoh një fëmijë të cilit duhet t’ia lëmë lirinë që një ditë t’i zgjedhë vetë heronjtë e tij.
Dhe pas një harte që i përcakton territoret sipas përkatësisë etnike, shoh menjëherë ata që rrezikojnë të bëhen pakicë në territorin “e gabuar”.
Ndoshta edhe kjo është miqësi
Nuk i kam mbështetur kosovarët sepse i përkisnin “kampit të duhur”.
I kam mbështetur sepse të drejtat e tyre po shkileshin.
Në vitin 1999, një pjesë e miqve të mi politikë nuk e kuptonte qëndrimin tim.
Sot, ndoshta disa prej miqve të mi kosovarë do ta kenë të vështirë ta kuptojnë qëndrimin që shpreh këtu.
Por pyetja ime themelore mbetet e njëjtë: Kush zhduket nga fusha jonë e shikimit kur përpiqemi të ruajmë koherencën e kampit tonë?
Në vitin 1999 refuzoja që kosovarët të zhdukeshin nga fusha jonë e shikimit pas kundërshtimit që mund të kisha në të kaluarën ndaj NATO-s dhe luftës.
Sot refuzoj që viktima të tjera të zhduken pas solidaritetit tonë me luftën çlirimtare të Kosovës.
Kjo nuk e zvogëlon aspak këtë solidaritet.
Thjesht i vendos atij një kërkesë universale: të drejtat që kemi mbrojtur për kosovarët duhet të vlejnë edhe për të tjerët.
Nuk i kam të gjitha përgjigjet.
Pikërisht për këtë dua të flas me miqtë e mi.
Si ta nderojmë çlirimin pa krijuar një histori pa hije?
Si ta transmetojmë kujtesën pa transmetuar luftën?
Si t’u jemi mirënjohës prindërve tanë pa qenë të detyruar të trashëgojmë të gjitha besnikëritë e tyre?
Si të kërkojmë me gjithë forcën tonë drejtësi për krimet e kryera nga forcat serbe dhe njëkohësisht t’ua njohim të njëjtën të drejtë për drejtësi viktimave të krimeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së?
Si ta mbrojmë me bindje rolin historik të UÇK-së në çlirimin e Kosovës dhe njëkohësisht të pranojmë që përgjegjësia e mundshme penale e individëve të shqyrtohet nga drejtësia?
Dhe si ta ndërtojmë Kosovën, për të cilën kaq shumë njerëz kanë vuajtur, punuar, luftuar dhe sakrifikuar një pjesë të jetës së tyre, si një shoqëri mjaftueshëm të sigurt në vetvete për ta parë të gjithë historinë e saj?
Nëse sot i shtroj këto pyetje, kjo nuk ndodh sepse jam larguar nga Kosova.
Ndoshta është pikërisht e kundërta.
Pas gjithë këtyre viteve, ende ndihem aq pranë saj sa ajo që ndodh atje të mos më lërë të qetë.
“Një poezi e mbetur si përshëndetje: “Kapellbrücke” e Ndue Sinishtajt
Ka krijime poetike që lindin nga një çast i caktuar, por që, me kalimin e kohës, fitojnë një domethënie të re. Rrethanat ndryshojnë, njerëzit largohen, ndërsa fjala e shkruar mbetet dhe, në dritën e ngjarjeve të mëvonshme, fillon të na flasë ndryshe. E tillë është sot poezia “Kapellbrücke (1367)” e poetit Ndue Sinishtaj, shkruar si një përshëndetje për prof. Basil Schader-in me rastin e daljes së tij në pension dhe e rikthyer tash, pas ndarjes së tij nga jeta më 10 maj 2026, si një homazh poetik për kujtimin dhe veprën e tij.
Në mars të vitit 2017, në Cyrih, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” në Zvicër, organizoi një mbrëmje festive në të cilën një vend të posaçëm zuri nderimi i prof. Basil Schader-it me rastin e pensionimit të tij. Ishte një shenjë mirënjohjeje për kontributin shumëvjeçar të një studiuesi zviceran që një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së vet shkencore, pedagogjike dhe njerëzore ia kushtoi gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare.
Me atë rast, nga Lucerna poeti Ndue Sinishtaj dërgoi poezinë “Kapellbrücke”. Ajo ishte atëherë një përshëndetje për një mik që po përmbyllte një etapë të jetës së tij profesionale. Sot, pas nëntë vjetësh, kur prof. Schader nuk është më fizikisht mes nesh, të njëjtat vargje marrin një tjetër peshë semantike dhe emocionale. Poezia që dikur uronte përfundimin e një etape profesionale, sot lexohet si dëshmi e kujtesës dhe e mirënjohjes ndaj një jete dhe vepre të përfunduar.
Në shenjë kujtimi dhe mirënjohjeje për prof. Basil Schader-in, i cili u nda nga jeta më 10 maj 2026 po e sjellim përsëri poezinë e Ndue Sinishtajt, ashtu siç na u dërgua për mbrëmjen e LAPSH-it mbajtur në Cyrih në vitin 2017.
KAPELLBRÜCKE
(1367)
Die Ellbogen gestüzt auf die Alten Balken, bewundere ich den kühlen Balsam des Sees.
Die Morgendämmerung erwacht.
Fern ein stummen Möve scheint ein Reiskorn auf riesigem Silberpapier. Meine Nacht wird hell.
Der Klang zerfällt in Splitter, Die Laterne wird ausgelöscht. Ein Schwan bittet mich um ein Frühstück.
Erbarme dich meiner Leere, Herr‘!
Das Tam-Tam der Brust verein seinem Rhythmus mit dem metallenem Ton der Schuhabsätze.
Ich bin ein glühender Span.
Im Spinngewebe zittern die Tautropfen. Die Leere überkommt uns. Und die Bilder sagen:
Die Zeit stürzt dahin. Und ich grüsse DICH v. Luzern, BASIL…
Auguri pensionimi! GËZUAR, Albanophil!
Ndue Sinishtaj
Në shqip
KAPELLBRÜCKE
(1367)
Me bërrylat mbështetur mbi trarët e vjetër, admiroj balsamin e freskët të liqenit.
Agimi zgjohet.
Larg, një pulëbardhë e heshtur
duket si një kokërr orizi mbi një fletë të stërmadhe argjendi. Nata ime zbardhet.
Tingulli copëtohet në thërrime, feneri shuhet. Një mjellmë më lutet për pak mëngjes.
Ki mëshirë për zbrazëtinë time, o Zot!
Rrahjet e kraharorit ndërthurin ritmin e tyre me tingullin metalik të takave të këpucëve.
Jam një ashkël e përflakur.
Në rrjetën e merimangës dridhen pikat e vesës. Zbrazëtia na pushton. Dhe pamjet thonë:
Koha vërshon tutje. Dhe unë të përshëndes TY nga Lucerna, BASIL…
Urime pensionimin! GËZUAR, Albanofil!
Ndue Sinishtaj
Duke lexuar poezinë
Poezia “Kapellbrücke (1367)” është e shkurtër në shtrirje, por e ngjeshur me përfytyrime, simbole dhe mendim poetik. Duke marrë si pikënisje urën historike Kapellbrücke të Lucernit, Ndue Sinishtaj ndërton një meditim mbi kohën, kalueshmërinë e jetës, zbrazëtinë, dritën dhe lidhjen njerëzore.
Që në titull krijohet përballja ndërmjet dy përmasave të kohës: kohës së gjatë historike, që përfaqëson ura shekullore, dhe kohës së shkurtër të jetës njerëzore. Poeti mbështet bërrylat mbi “trarët e vjetër” dhe sodit liqenin. Prekja e drurit të vjetër krijon pothuajse një kontakt fizik me të kaluarën.
Përballë tij ndodhet uji dhe mbi të lind agimi. Kështu shfaqen tri elemente themelore: druri i vjetër, uji dhe drita. Druri mbart kujtesën, uji sugjeron rrjedhjen, ndërsa drita përtëritjen.
Liqeni përjetohet si një “balsam i freskët”. Natyra nuk është vetëm diçka që soditet; ajo qetëson dhe hyn në marrëdhënie me gjendjen shpirtërore të poetit.
Një nga figurat më të bukura të poezisë është pulëbardha e largët, e cila duket si “një kokërr orizi mbi një fletë gjigante argjendi”. Sipërfaqja e liqenit shndërrohet në argjend, ndërsa shpendi në një pikë të vogël të bardhë. Përballë hapësirës së madhe të natyrës, qenia e gjallë duket fare e vogël.
Më pas vjen vargu:
“Meine Nacht wird hell.” – “Nata ime bëhet dritë.”
Fjala ime është domethënëse. Nuk është vetëm nata mbi Luzern që po merr fund. Ndryshimi i peizazhit të jashtëm bëhet edhe ndryshim i brendshëm. Agimi i natyrës shndërrohet në një lloj agimi shpirtëror.
Por në mes të bukurisë shfaqet papritur një thirrje:
“Erbarme dich meiner Leere, Herr!” – “Ki mëshirë për zbrazëtinë time, o Zot!”
Këtu poezia fiton një përmasë të thellë ekzistenciale. Pas qetësisë së liqenit dhe bukurisë së agimit qëndron një njeri i vetëdijshëm për zbrazëtinë, vetminë dhe përkohshmërinë e qenies.
Më tej, rrahjet e zemrës – ndërthurin ritmin e tyre – bashkohen me tingullin metalik të hapave mbi urë. Për një çast, ritmi i njeriut dhe ritmi i botës së jashtme bëhen një.
Pastaj poeti thotë:
“Ich bin ein glühender Span.” – “Jam një ashkël e përflakur.”
Është një figurë e fuqishme e njeriut. Ashkla është e vogël dhe zjarri i saj nuk zgjat përgjithmonë. Megjithatë, për aq kohë sa digjet, ajo jep dritë dhe nxehtësi. Përballë urës që ka përshkuar shekuj, jeta e individit është vetëm një çast – por një çast që ndien, krijon dhe lë gjurmë.
Afër fundit shfaqen pikat e vesës që dridhen në rrjetën e merimangës. Edhe ato janë të bukura pikërisht sepse janë të përkohshme: shkëlqejnë në mëngjes dhe më pas zhduken.
Në këtë pikë, zbrazëtia nuk është më vetëm e poetit:
“Die Leere überkommt uns.” – “Zbrazëtia na pushton.”
Nga “zbrazëtia ime” kalohet te “ne”. Përvoja individuale shndërrohet në një përvojë njerëzore.
Pastaj:
“Und die Bilder sagen…” – “Dhe tablotë thonë…”
Në Kapellbrücke ky varg merr një kuptim të veçantë, sepse tablotë janë pjesë e vetë kujtesës historike të urës. Ato bëhen sikur dëshmitare të brezave që kanë kaluar. Dhe ato thonë:
“Die Zeit stürzt dahin.”
Shprehja është më e fuqishme se një “koha kalon” e zakonshme. Koha rend me vrull, ikën dhe nuk kthehet.
Në rrethanën për të cilën u dërgua poezia në vitin 2017 – pensionimi i prof. Basil Schader-it – ky varg merr një domethënie të veçantë. Pensionimi shënonte fundin e një etape dhe fillimin e një tjetre.
Sot, pas ndarjes së prof. Schader-it nga jeta, vargu tingëllon edhe më prekshëm. Pa e ndryshuar kuptimin që kishte poezia kur u shkrua, koha i ka shtuar asaj një shtresë të re kuptimore.
Megjithatë, poezia nuk përfundon me zbrazëtinë dhe as me ikjen e kohës. Ajo përfundon me përshëndetjen:
“Und ich grüsse DICH v. Luzern, BASIL…”
Dhe me urimin:
“GËZUAR, Albanophil!”
Fjala “Albanophil” – “albanofil” merr një peshë të veçantë. Ajo është një përshëndetje për afërsinë dhe angazhimin e Basil Schader-it me gjuhën, arsimin dhe kulturën shqiptare.
Në këtë pikë mund të shihet edhe një simbolikë tjetër e bukur. Kapellbrücke është një urë reale, por në poezinë e Sinishtajt ajo mund të lexohet edhe si urë ndërmjet njerëzve dhe kulturave: ndërmjet Luzernit dhe botës shqiptare, ndërmjet gjermanishtes dhe shqipes, ndërmjet poetit dhe njeriut të cilit ai i drejton përshëndetjen.
Një peshë të veçantë përkujtimore këtij botimi ia jep edhe fakti se sot nuk është më mes nesh as autori i poezisë, Ndue Sinishtaj; kështu, “Kapellbrücke” mbetet jo vetëm si përshëndetja e dikurshme e poetit për prof. Basil Schader-in, por edhe si një dëshmi e qëndrueshme e miqësisë, mirënjohjes dhe kujtesës që fjala e shkruar arrin të ruajë përtej jetës së autorit dhe të njeriut të cilit i drejtohet.
Përkeqësohet situata e Granit Xhakës, pas skandalit që ka shpërthyer për falsifikimin e certifikatës së vaksinimit për COVID19. Mesfushori, i cili është lënë jashtë grumbullimit të Zvicrës pasi u bë publik hetimi që po zhvillohet për të në Lucernë, tashmë rrezikon edhe një përjashtim nga të gjitha aktivitete me klub dhe përfaqësuese nga FIFA.
Gjatë hetimeve ka dalë në pah se Granit Xhaka ka falsifikuar certifikatat për vaksinimin dhe i ka përdorur në një rast edhe për të udhëtuar drejt SHBA me Arsenalin, duke mashtruar kësisoj autoritetet doganore amerikane.
Një situatë e cila padyshim përbën një shkelje shumë të rëndë, që përballet me pasoja penale e ndoshta edhe sportive.
FIFA po ndjek çështjen me vëmendje dhe nëse vërtetohet penalisht kjo shkelje e Xhakës, atëherë nuk është çudi që të ndërhyjë për të dënuar mesfushorin.
Vendimet e FIFA-s janë globale e kjo do të thotë se nëse ajo vendos të pezullojë Xhakën për një periudhë të caktuar, ai nuk mund të zbresë në fushë as me Zvicrën e as me Sandërlendin derisa të shlyejë atë dënim.
Alma Hani, mësuesja që mbjell dashurinë për gjuhën shqipe te fëmijët e diasporës në Gjermani
Gjuha shqipe është ura që lidh brezat e diasporës me rrënjët dhe atdheun. Këtij misioni fisnik i është përkushtuar me dashuri dhe përkushtim edhe mësuesja Alma Hani, e cila, pas një rrugëtimi të gjatë në arsim dhe një përvoje të çmuar me fëmijët shqiptarë në diasporë, tashmë ka hapur një kapitull të ri të veprimtarisë së saj në Gjermani.
Këtë shtator në Seligenstadt, ajo ka nisur mësimdhënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë, me synimin që ata jo vetëm ta mësojnë gjuhën e të parëve, por edhe ta duan, ta ruajnë dhe ta përcjellin atë brez pas brezi. Përmes mësimit të shqipes, fëmijët afrohen njëkohësisht me kulturën, historinë dhe identitetin e tyre kombëtar.
Me këtë rast, zhvilluam një bisedë me mësuesen Alma Hani për të njohur më nga afër rrugëtimin e saj nga Berati në Greqi e më pas në Gjermani, përvojën e saj si mësuese, si dhe përkushtimin ndaj ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës shqipe te brezat e rinj të diasporës.
NM : Zonja Hani, si lindi dëshira juaj për t’ua mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë në Gjermani?
Alma Hani : Dëshira për t’ua mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë në Gjermani lindi natyrshëm nga dashuria dhe përkushtimi im ndaj gjuhës shqipe dhe profesionit të mësueses. Për mua, mësimdhënia nuk është thjesht një profesion, por një mision dhe një përgjegjësi ndaj brezave të rinj.
Rrugëtimin tim si mësuese e kam nisur në Berat, për ta vazhduar më pas në Greqi, ku pata mundësinë të punoja për disa vite me fëmijët e diasporës shqiptare. Kjo përvojë më bëri të kuptoj edhe më shumë se sa e rëndësishme është që fëmijët që rriten larg atdheut të kenë mundësi ta dëgjojnë, ta flasin, ta lexojnë dhe ta shkruajnë gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre.
Prandaj, kur erdha në Gjermani, dëshira ime ishte që këtë rrugëtim ta vazhdoja edhe këtu. Dua që fëmijët shqiptarë të ndihen krenarë për gjuhën e tyre, të njohin kulturën dhe historinë shqiptare dhe, mbi të gjitha, të ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre.
Besoj se gjuha ruhet dhe jeton atje ku flitet, shkruhet dhe u përcillet brezave të rinj. Prandaj, çdo fëmijë që ulet në bankën e klasës së gjuhës shqipe është për mua një arsye më shumë për ta vazhduar këtë mision me dashuri dhe përkushtim.
NM: Çfarë emocionesh përjetuat ditën kur klasa e gjuhës shqipe në Seligenstadt hapi dyert për nxënësit e parë?
Alma Hani : Ishte një ditë shumë e veçantë dhe plot emocione për mua. Të shihja fëmijët të hynin në klasë për herë të parë, me kureshtjen dhe entuziazmin e tyre, më dha një ndjenjë të madhe gëzimi dhe krenarie.
Në atë moment ndjeva edhe përgjegjësinë që kisha përpara, por mbi të gjitha një kënaqësi të madhe që po hapej një tjetër derë për fëmijët shqiptarë që të mësojnë gjuhën e tyre.
Më emocionoi veçanërisht fakti që kjo klasë po niste nga e para dhe se ishim bashkë në atë ditë të parë. Për mua, nuk ishte thjesht fillimi i një viti shkollor, por fillimi i një rrugëtimi të ri me fëmijët drejt gjuhës, kulturës dhe rrënjëve të tyre shqiptare.
NM : Sa interes kanë treguar prindërit dhe fëmijët shqiptarë për mësimin e gjuhës amtare?
Alma Hani : Interesi ka qenë shumë i mirë dhe kjo më ka gëzuar shumë. Prindërit e kuptojnë se fëmijët, duke u rritur në një mjedis gjermanishtfolës, kanë nevojë për mbështetje që ta ruajnë shqipen. Edhe fëmijët, kur e gjejnë mënyrën e duhur të mësimit, fillojnë ta duan gjuhën dhe të ndihen krenarë për të.
NM : Sa nxënës e kanë nisur mësimin dhe cilat grupmosha përfshin klasa?
Alma Hani : Mësimin e kanë nisur 22 nxënës të grupmoshave të ndryshme, nga fëmijët më të vegjël deri te ata më të rritur. Kjo e bën klasën pak më të veçantë, sepse kemi nivele të ndryshme të njohjes së shqipes. Por pikërisht kjo është edhe një sfidë që më motivon të gjej mënyra të ndryshme që secili fëmijë të përfshihet dhe të përparojë.
NM : Cilat janë vështirësitë më të mëdha që hasin fëmijët e lindur ose të rritur në Gjermani gjatë mësimit të shqipes?
Alma Hani :Vështirësia kryesore është se shumica e fëmijëve kanë lindur dhe janë rritur në Gjermani, ndaj gjermanishtja është gjuha që përdorin çdo ditë. Edhe prindërit, në shumë raste, janë brezi i dytë i diasporës dhe shqipja nuk është përdorur gjithmonë në mënyrë të vazhdueshme në familje.
Një tjetër veçori është se fëmijët vijnë nga familje me prejardhje nga treva të ndryshme shqiptare. Ata sjellin me vete mënyra të ndryshme të të folurit, dialekte dhe shprehje që i kanë dëgjuar në familje. Kjo është shumë e bukur nga ana kulturore, por ndonjëherë krijon edhe vështirësi kur duhet të mësojnë gjuhën standarde shqipe, sidomos në lexim dhe në shkrim.
Prandaj, puna me ta kërkon shumë durim dhe një qasje të përshtatur për secilin fëmijë. Për mua është e rëndësishme që, përveç gjuhës standarde, ata të kuptojnë se pasuria e shqipes vjen edhe nga të gjitha trevat ku ajo flitet. Në
fund të fundit, pavarësisht nga vendi apo treva nga vijnë familjet e tyre, gjuha shqipe është ajo që na bashkon.
NM : Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me prindërit për ta ruajtur gjuhën shqipe brenda familjes?
Alma Hani :Bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm. Mësuesi mund të bëjë shumë gjatë orës së mësimit, por fëmija e mëson dhe e ruan gjuhën mbi të gjitha në familje. Prandaj, prindërit janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Edhe gjërat e vogla kanë shumë vlerë: të flasin shqip me fëmijët, t’i nxisin të lexojnë, të bisedojnë me gjyshërit dhe të mos kenë frikë nga gabimet. Kur shkolla dhe familja punojnë së bashku, fëmija e ndien se shqipja është e rëndësishme dhe bëhet pjesë e natyrshme e jetës së tij.
NM : Çfarë mbështetjeje keni marrë nga LAPSH-i i Hessenit dhe nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt?
Alma Hani: Kam ndier mbështetje dhe frymë bashkëpunimi në këtë nismë. LAPSH-i i Hessenit luan një rol të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Landin e Hessenit dhe për ne mësuesit është me vlerë të ndihemi pjesë e këtij kontributi.
Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja e institucioneve tona diplomatike, përfshirë Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt. Ajo tregon se ruajtja e gjuhës dhe e kulturës shqiptare në diasporë kërkon bashkëpunimin e mësuesve, prindërve, shoqatave dhe institucioneve.
NM : Nga përvoja juaj, a ekziston rreziku që brezat e rinj të diasporës ta humbasin gradualisht gjuhën shqipe?
Alma Hani: Po, mendoj se ky rrezik ekziston, sidomos për fëmijët që lindin dhe rriten jashtë trojeve shqiptare. Kur një fëmijë jeton çdo ditë në një mjedis ku përdoret një gjuhë tjetër, është e natyrshme që ajo gjuhë të bëhet më e fortë në komunikimin e përditshëm. Por unë nuk do ta shihja këtë si diçka të pashmangshme. Nëse familja flet shqip, nëse fëmija ka mundësi të mësojë në shkollën shqipe dhe nëse ai e ndien gjuhën si pjesë të identitetit të tij, atëherë shqipja mund të ruhet.
Pikërisht për këtë arsye besoj se puna jonë si mësues është kaq e rëndësishme. Ne nuk u mësojmë fëmijëve vetëm shkronjat dhe rregullat e gjuhës, por përpiqemi t’u japim edhe dashurinë për të. Sepse një gjuhë që e do, dëshiron edhe ta ruash.
NM : Çfarë do t’u thoshit prindërve shqiptarë në Gjermani që ende nuk i kanë regjistruar fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe?
Alma Hani :Do t’u thosha të mos e shohin mësimin e shqipes thjesht si një orë shtesë në javë. Është një mundësi që fëmijët të njohin gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre, të komunikojnë më lehtë me familjarët dhe të ruajnë një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Fëmijët rriten shumë shpejt dhe ajo që nuk mësohet sot, nesër mund të jetë më e vështirë. Prandaj, do t’i ftoja prindërit t’ua japin fëmijëve këtë mundësi.
NM : Kur një fëmijë në diasporë arrin të lexojë e të shkruajë shqip, çfarë do të thotë kjo për ju personalisht si mësuese?
Alma Hani: Për mua është një nga kënaqësitë më të mëdha të kësaj pune. Ndoshta për dikë tjetër mund të duket si një gjë e vogël, por për një fëmijë që rritet në Gjermani, të arrijë të lexojë dhe të shkruajë shqip është një arritje shumë e rëndësishme. Në ato momente ndiej se puna dhe përkushtimi im kanë dhënë një rezultat. Është një emocion që më jep forcë për të vazhduar.
NM :Nëse do ta përmblidhnit me një fjali misionin tuaj, çfarë dëshironi t’u lini brezave të rinj shqiptarë që po rriten larg atdheut?
Alma Hani: Do të doja t’u lija dashurinë për gjuhën shqipe, sepse përmes saj ata ruajnë rrënjët, njohin origjinën e tyre dhe mbajnë gjallë lidhjen me vendin dhe kulturën prej nga vijnë.
NM: Çfarë ndjeni kur dëgjoni një fëmijë të lindur në Gjermani të lexojë, të shkruajë dhe të flasë bukur shqip?
Alma Hani : Është një emocion që nuk përshkruhet lehtë me fjalë. Ndihem e lumtur, krenare dhe, mbi të gjitha, e prekur. Sepse pas atij leximi, pas atyre fjalëve shqip, shoh shumë më tepër se një fëmijë që ka mësuar të lexojë apo të flasë. Shoh një lidhje që po ruhet me familjen, me gjyshërit, me rrënjët dhe me kulturën e tij.
Në ato momente them me vete se ia vlen çdo përpjekje. Nëse një fëmijë i lindur larg trojeve shqiptare arrin ta dojë dhe ta flasë bukur shqipen, atëherë gjuha jonë vazhdon të jetojë edhe larg atdheut.
Në fund, dua t’ju them nga zemra: shumë faleminderit për këtë intervistë, por mbi të gjitha për gjithçka që keni qenë dhe vazhdoni të jeni në rrugëtimin tim si mësuese e gjuhës shqipe.
Jeni një nga njerëzit më të çmuar që kam takuar në këtë rrugëtim dhe një këshilluese e jashtëzakonshme, nga e cila kam mësuar dhe kam marrë gjithmonë mbështetje, kurajë dhe besim.
Gjuha shqipe na bashkoi që në vitin 2013, në Seminarin Mbarëkombëtar në Ulqin, dhe që nga ajo kohë kjo gjuhë e bukur na ka mbajtur të lidhura në një mision të përbashkët: ta duam, ta mësojmë dhe ta përcjellim shqipen te brezi i ri.
Për mua, kjo njohje nuk mbeti thjesht një takim në një seminar. Me kalimin e viteve u kthye në një marrëdhënie të çmuar profesionale dhe njerëzore, në një udhërrëfim që e vlerësoj shumë.
Ju falënderoj për çdo këshillë, për çdo fjalë inkurajuese dhe për besimin që më keni dhënë. Jam mirënjohëse që rrugët tona u bashkuan pikërisht përmes gjuhës shqipe.
NM: E dashur Alma, ju falënderoj për këto fjalë të ngrohta dhe për këtë bisedë të sinqertë. Jam mirënjohëse që gjuha shqipe na bashkoi dhe që, pas kaq vitesh, vazhdojmë të ndajmë të njëjtën dashuri për të. Ju uroj shëndet, mbarësi dhe shumë suksese në këtë mision fisnik.
Le të vazhdojë shqipja të tingëllojë në zërat e fëmijëve tanë kudo që ata jetojnë, sepse në çdo fjalë shqip që mëson një fëmijë larg atdheut vazhdon të jetojë një pjesë e trashëgimisë sonë.
Granit Xhaka ka pranuar publikisht se gjatë pandemisë COVID-19 kishte siguruar një certifikatë vaksinimi, e cila nuk pasqyronte vaksinimin real. Kapiteni i kombëtares së Zvicrës e bëri këtë të ditur të hënën përmes një deklarate në Instagram, duke e cilësuar veprimin e tij si “një gabim”.
“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht”, shkroi Xhaka.
Mesfushori shpjegoi se në atë periudhë kishte pasur dyshime dhe shqetësime të mëdha në lidhje me vaksinën kundër COVID-19.
“Në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, në atë kohë isha personalisht shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i pushtuar nga frika dhe pasiguria”, vijon deklarata.
Xhaka pranoi se, në vend që të kërkonte përgjigje përmes rrugëve zyrtare, kishte zgjedhur të siguronte një certifikatë vaksinimi.
“Sot e shoh qartë se kjo rrugë nuk ishte e duhura. Ishte një gabim. Më vjen keq. Marr përgjegjësinë për këtë vendim, do të përballem me sqarimin e plotë të çështjes dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, deklaroi kapiteni zviceran.
Ndërkohë, Prokuroria e Lucernës po heton çështjen dhe Xhaka pritet të merret në pyetje në fillim të tetorit.
Pasojat kanë prekur edhe kombëtaren zvicerane. Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se Xhaka nuk do të bashkohet me grumbullimin dhe do të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme të Nations League në shtator dhe tetor. sn
VOAL- Siç raportohet nga Blick, zyra e prokurorit të Lucernës ka hapur procedurë penale kundër kapitenit të Zvicrës Granit Xhaka për posedim të mundshëm të një certifikate COVID të lëshuar në mënyrë të parregullt nga një mjek nën hetim në vitin 2023. Autoritetet aktualisht po hetojnë nëse mesfushori mund të ketë qenë i përfshirë në falsifikim dokumentesh, dhe ai tashmë i ka mohuar akuzat përmes zëdhënësit të tij.Nuk është vërtetuar zyrtarisht fajësia, por lojtari do t’i nënshtrohet një seance dëgjimore në fillim të tetorit. rsi
Ka takime që ndodhin rastësisht, por që të shtyjnë të ndalesh e të dëgjosh një histori. Një i tillë ishte edhe takimi im me Arta Kryeziun, në Gjenevë, gjatë veprimtarisë përkujtimore kushtuar viktimave dhe personave të pagjetur të luftës në Kosovë.
Shqiptare e ardhur nga Kosova në Zvicër, ndërmjetëse ndërkulturore dhe aktiviste e palodhur e komunitetit shqiptaro-zviceran, Arta Kryeziu prej më shumë se dy dekadash e ka lidhur jetën e saj në mërgim me angazhimin qytetar, integrimin dhe ruajtjen e kujtesës. Që nga themelimi i shoqatës Jardin des disparus në vitin 2000, ajo ka qenë pjesë e kësaj nisme dhe një zë i pranishëm në veprimtaritë që mbajnë gjallë kujtimin për viktimat dhe personat ende të pagjetur.
Por pas aktivistes dhe ndërmjetëses ndërkulturore qëndron edhe historia e një gruaje kosovare që dikur erdhi si fëmijë në Zvicër, ndërtoi jetën e saj në një vend të ri dhe, njëkohësisht, nuk i shkëputi lidhjet me vendlindjen dhe komunitetin e saj.
Në këtë intervistë me Arta Kryeziun flasim për rrugëtimin e saj nga Kosova në Zvicër, sfidat e emigrimit dhe integrimit, angazhimin në komunitetin shqiptar të Gjenevës, rolin e diasporës dhe, mbi të gjitha, për një plagë që vazhdon të mbetet e hapur: fatin e personave të pagjetur të Kosovës dhe përgjegjësinë tonë për të mos i lënë në harresë.
NM: Kush është Arta Kryeziu dhe si nisi rrugëtimi juaj nga Kosova drejt Zvicrës?
Arta Kryeziu: Jam Arta Kryeziu, nënë e tri vajzave. Me profesion jam punëtore sociale dhe ndërmjetësuese ndërkulturore.
Rrugëtimi im drejt Zvicrës nisi në vitet ’90, kur u detyrova të largohesha nga Prishtina, në një periudhë shumë të vështirë për familjen time dhe për Kosovën. Ishte koha kur prindërit e mi u larguan nga puna, si shumë shqiptarë të tjerë të Kosovës.
Jam rritur në një familje ku atdhedashuria është kultivuar brez pas brezi, ku vlerat, përgjegjësia dhe angazhimi i pakursyer për çështjen kombëtare kanë qenë gjithmonë të pranishme.
Edhe angazhimi im buron pikërisht nga ky edukim dhe nga shembulli që kam pasur në familje. Nga stërgjyshi e deri te babai im i ndjerë, kjo frymë është përcjellë ndër breza dhe ka ndikuar thellësisht në formimin tim.
Besoj se kjo trashëgimi më ka bërë gruan dhe aktivisten që jam sot. Përpiqem që edhe unë ta përcjell këtë frymë te brezat e rinj dhe, në mënyrë të veçantë, te tri vajzat e mia. Dua që ato të shohin tek unë shembullin e një gruaje që, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të jetës, nuk është ndalur, por ka vazhduar me përkushtim rrugën dhe vlerat e trashëguara nga të parët e saj.
NM: Si i kujtoni vitet e para në Zvicër dhe cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat u përballët si emigrante kosovare?
Arta Kryeziu : Dy vitet e para në Gjenevë kanë qenë shumë sfiduese për mua. E kisha të vështirë ta pranoja faktin se kishim lënë Prishtinën dhe, mbi të gjitha, gjyshen me të cilën isha jashtëzakonisht e lidhur. Jetoja me shpresën se shumë shpejt do të ktheheshim.
Në fillim madje refuzoja ta mësoja frëngjishten, si një formë mospranimi të realitetit të ri. Por, me përkeqësimin e situatës në Kosovë, kuptova se jeta jonë do të ndërtohej në Gjenevë dhe se gjuha ishte çelësi i integrimit.
Rrugëtimi nuk ishte i lehtë, sepse shpesh jam ndier e konsideruar si e huaj. Megjithatë, duke ruajtur vlerat familjare dhe kombëtare dhe duke përqafuar njëkohësisht vlerat e shoqërisë zvicerane, arrita të ndërtoj identitetin tim mes dy kulturave. Sot, pikërisht ky identitet më bën të ndihem krenare dhe e vlerësuar.
NM: Sot jeni ndërmjetëse ndërkulturore në Gjenevë. Çfarë do të thotë për ju kjo punë dhe sa ju ka ndihmuar përvoja juaj personale si emigrante për t’i kuptuar njerëzit që mbështesni?
Arta Kryeziu: Përvoja ime si emigrante më ka ndihmuar shumë në punën si ndërmjetëse ndërkulturore. Duke qenë se edhe vetë kam kaluar nëpër sfida të ngjashme, e kam më të lehtë t’i kuptoj përjetimet e njerëzve, të krijoj empati dhe të kuptoj kodet e ndryshme kulturore.
Roli im nuk është t’u jap palëve zgjidhjen, por t’i dëgjoj, t’i orientoj dhe t’i shoqëroj drejt një zgjidhjeje që ata vetë e ndërtojnë. Për mua, ndërmjetësimi ndërkulturor kërkon njohjen dhe respektimin e kulturave të ndryshme, por para së gjithash njohjen e thellë të kulturës dhe identitetit tënd
NM: Si e shihni sot integrimin e komunitetit shqiptar në Gjenevë dhe në shoqërinë zvicerane? Çfarë kemi arritur dhe ku mbeten ende sfida?
Arta Kryeziu: Ne shqiptarët po i tejkalojmë gjithnjë e më shumë paragjykimet dhe po integrohemi mirë në shoqërinë zvicerane. Por besoj se integrimi duhet të bëhet me hapa të sigurt, sepse të integrohesh nuk do të thotë të harrosh prejardhjen, kulturën dhe identitetin tënd. Sa më të forta t’i kemi rrënjët, aq më të sigurt ecim përpara.
Një nga sfidat tona kryesore mbetet përcjellja e gjuhës, kulturës dhe vlerave tona te brezat e rinj, pa i penguar ata të ndërtojnë të pavarur jetën e tyre në shoqërinë zvicerane. Duke krijuar mirëkuptim dhe respekt ndërmjet brezave, mund të kemi një integrim të shëndetshëm, pa humbur atë që jemi.
NM: Ju jeni pjesë e shoqatës Jardin des disparus që nga themelimi i saj në vitin 2000. Si nisi ky angazhim dhe çfarë ju ka bërë t’i qëndroni besnike kësaj kauze për më shumë se 25 vjet?
Arta Kryeziu: Angazhimi im në Jardin des disparus – Kopshti i të Zhdukurve nisi përmes babait tim, i cili, së bashku me veprimtarë të tjerë, ishte i përfshirë që nga themelimi i shoqatës. Duke e shoqëruar vazhdimisht në aktivitete, edhe unë u bëra pjesë e saj, fillimisht si anëtare e komitetit dhe më pas edhe si bashkëkryetare.
Ajo që më ka mbajtur të lidhur me këtë kauzë për më shumë se 25 vjet është fakti se fati i shumë personave të zhdukur ende nuk është zbardhur. Familjet kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre dhe ne kemi përgjegjësi që zëri i tyre të vazhdojë të dëgjohet.
Sot përpiqemi që përmes shoqatës të jemi një urë lidhëse mes Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare. Po punojmë gjithashtu në mbledhjen dhe plotësimin e dokumentacionit për personat e zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës. Për mua, ky angazhim do të vazhdojë për aq kohë sa familjet presin përgjigje.
NM: Çfarë përfaqëson për ju Jardin des disparus dhe çfarë mesazhi përcjell ekzistenca e tij këtu në Gjenevë?
Arta Kryeziu: Jardin des disparus – Kopshti i të Zhdukurve është për mua një vend kujtese, solidariteti dhe shprese. Ai u krijua më 7 tetor 2000 nga familje të personave të zhdukur nga vende të ndryshme të botës. Në inaugurimin e tij u mbollën pesë pemë, nga një për secilin kontinent, me dhe të sjellë nga vende të ndryshme. Mes tyre ishte edhe dheu i sjellë nga Kosova.
Nuk është rastësi që ky vend ndodhet në Meyrin, një komunë ku bashkëjetojnë mbi 140 kombësi dhe ku shumë njerëz kanë gjetur strehim pasi janë detyruar të largohen nga vendet e tyre.
Ky kopsht na kujton se zhdukja me forcë nuk njeh kufij apo kombësi. Ai mban gjallë kujtesën për të zhdukurit dhe përcjell një mesazh të fuqishëm: familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe ne nuk duhet të reshtim së kërkuari zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
NM: U njohëm pikërisht në një veprimtari kushtuar viktimave dhe personave të pagjetur. Çfarë ndjeni ju personalisht sa herë merrni pjesë në një tubim të tillë?
Arta Kryeziu: Sa herë marr pjesë në një tubim të tillë, ndiej dhimbje, përgjegjësi, por edhe nevojën për të mos heshtur. Çështja e personave tanë të zhdukur duhet të jetë mbi bindjet politike, dallimet dhe egot personale.
Kjo është një kauzë që duhet të na bashkojë. Vetëm duke i bashkuar forcat dhe duke e mbajtur këtë çështje si prioritet të përbashkët, mund ta bëjmë zërin e familjeve më të fuqishëm dhe të kontribuojmë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
NM: Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa familje të shumta ende presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre. Çfarë mendoni se u detyrohemi këtyre familjeve?
Arta Kryeziu: Ne që sot gëzojmë lirinë, u detyrohemi dëshmorëve, të zhdukurve dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për vendin tonë.
Familjeve të personave të pagjetur u detyrohemi respekt, solidaritet dhe, mbi të gjitha, përpjekje të pandërprera për të vërtetën dhe drejtësinë. Dhimbja e tyre nuk duhet të harrohet dhe pritja e tyre nuk mund të mbetet pa përgjigje
NM: Si mund ta ruajmë kujtesën për viktimat dhe të pagjeturit pa kultivuar urrejtje, por njëkohësisht pa lejuar që e kaluara të harrohet?
Arta Kryeziu: Besoj se urrejtja ushqehet pikërisht aty ku e vërteta mohohet dhe e kaluara harrohet.
Prandaj, sa më mirë ta njohim dhe ta kujtojmë historinë tonë, edhe kur ajo na rikthen dhimbjen dhe traumat, aq më shumë krijojmë hapësirë për të vërtetën dhe drejtësinë, e jo për urrejtjen.
Të ruash kujtesën nuk do të thotë të kultivosh hakmarrjen. Do të thotë të nderosh viktimat, të kërkosh drejtësi dhe të mos lejosh që ajo që ka ndodhur të mohohet apo të harrohet.
NM: Ju keni qenë vazhdimisht e pranishme në jetën e komunitetit shqiptaro-zviceran. Si ka ndryshuar diaspora shqiptare në Gjenevë gjatë këtyre viteve dhe çfarë roli duhet të ketë ajo sot?
Arta Kryeziu: Kam qenë pjesë e jetës së komunitetit shqiptar në Gjenevë që në moshë të re, fillimisht përkrah prindërve të mi Hevzi dhe Besime Kryeziu dhe më pas përmes shoqatave e organizimeve të ndryshme shqiptare. Përmes tyre, diaspora jonë ka bërë shumë për ruajtjen e kujtesës, promovimin e kulturës, gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Sot mendoj se ky aktivitet është zbehur disi. Ndoshta sepse lufta ka përfunduar dhe komuniteti ynë është integruar më shumë në shoqërinë zvicerane. Por nuk duhet të harrojmë se integrimi i mirëfilltë është më i lehtë kur je i rrënjosur dhe në paqe me identitetin tënd.
Sfida jonë më e madhe sot janë brezat e rinj. Duhet t’u përcjellim gjuhën, historinë dhe kulturën tonë, duke i ndihmuar njëkohësisht të jenë pjesë aktive e shoqërisë zvicerane. Për këtë duhet të bashkohemi përtej dallimeve politike apo fetare dhe, mbi të gjitha, ta fuqizojmë shkollën shqipe.
Sepse gjuha është një nga urat më të forta që i lidh fëmijët tanë me rrënjët e tyre.
NM: Çfarë do t’u thoshit të rinjve shqiptarë të lindur apo të rritur në Zvicër, të cilët Kosovën dhe historinë e saj e njohin kryesisht përmes rrëfimeve të prindërve dhe gjyshërve?
Arta Kryeziu: Të rinjve shqiptarë do t’u thosha: “Rrënjësohuni, nëse doni të integroheni mirë.”
Njiheni gjuhën, historinë dhe kulturën tuaj, kultivoni vlerat shqiptare dhe ndërthurini ato me vlerat e shoqërisë zvicerane. Kështu do të ndërtoni një identitet të plotë dhe do të vlerësoheni edhe më shumë në vendin ku jetoni.
Një mesazh kam edhe për gjyshërit: kaloni sa më shumë kohë me nipërit dhe mbesat tuaja. Ju jeni kujtesa, rrëfimi dhe dëshmia e së kaluarës. Përmes dashurisë dhe historive tuaja, ua transmetoni brezave të rinj atë që asnjë libër nuk mund t’ua përcjellë në të njëjtën mënyrë.
Sepse rrënjët ruhen jo vetëm duke treguar se nga vijmë, por duke ua bërë të rinjve ta ndiejnë se asaj historie i përkasin edhe ata.
NM: Pas gjithë këtij rrugëtimi, çfarë është Kosova për Arta Kryeziun sot, çfarë është Zvicra dhe cili është mesazhi që dëshironi t’ua përcillni shqiptarëve të diasporës?
Arta Kryeziu: Pas gjithë këtij rrugëtimi, për mua Kosova janë rrënjët, familja është trungu, ndërsa Zvicra janë degët ku kemi ndërtuar jetën tonë. Shoqatat, komuniteti dhe angazhimi ynë janë gjethet që e mbajnë këtë pemë të gjallë.
Mesazhi im për shqiptarët e diasporës është që të mos i harrojmë kurrë rrënjët tona, por njëkohësisht të japim më të mirën nga vetja në vendin ku jetojmë. Të jemi të bashkuar, sepse vetëm një pemë me rrënjë të forta, trung të qëndrueshëm dhe degë të shëndosha mund të japë fryte.
Le të jemi ne dhe brezat që vijnë frytet e kësaj peme të përbashkët.
Nexhmije Mehmetaj: Faleminderit që ndatë me ne jo vetëm rrugëtimin tuaj personal nga Kosova në Zvicër, por edhe përvojën, angazhimin dhe përkushtimin tuaj shumëvjeçar ndaj komunitetit, ruajtjes së identitetit dhe kujtesës për personat e pagjetur
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Jardin des Disparus”, organizoi një program të veçantë përkujtimor me ekspozitë, diskutime dhe shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija”. Në qendër të veprimtarisë ishte thirrja për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe e drejta e familjeve për të ditur të vërtetën.
Gjenevë, 30 gusht 2026 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Jardin des Disparus” (Kopshti i të Zhdukurve), organizoi një sërë aktivitetesh përkujtimore kushtuar viktimave të zhdukjeve me forcë dhe familjeve që prej vitesh vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
Përmes artit, dëshmive dhe diskutimeve, veprimtaria solli në vëmendje jo vetëm plagën ende të hapur të personave të zhdukur në Kosovë, por edhe dimensionin ndërkombëtar të zhdukjeve me forcë dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve për të vërtetën dhe drejtësinë.
Ekspozita “Ende duke pritur?” hap programin përkujtimor
Programi nisi në orën 11:00, në Ferme de la Golette në Meyrin, me ekspozitën e artistit Artan Korenica, të titulluar “Ende duke pritur?”. Vetë titulli i ekspozitës përcolli një nga mesazhet qendrore të ditës: pritjen e gjatë dhe të dhimbshme të familjeve që ende nuk kanë marrë përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.
Në hapje të aktivitetit, fjalën kryesore e mbajti Konsullja e Përgjithshme Floreta Kabashi, e cila rikujtoi se, edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, çështja e personave të zhdukur vazhdon të mbetet një plagë e hapur.
Njëzet e shtatë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, dhe tërheqjes së forcave serbe, fati i më shumë se 1,500 personave në Kosovë vazhdon të mbetet i pazbardhur, theksoi Kabashi.
Ajo rikujtoi se Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me Rezolutën 65/209 të vitit 2010 dhe shënohet që nga viti 2011.
Ambasadori Mentor Latifi: Për familjet, pritja vazhdon
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, vuri në pah dhimbjen dhe pritjen e familjeve, të cilat edhe pas afro tri dekadash vazhdojnë të kërkojnë përgjigje.
Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës kjo çështje vazhdon të jetë një kapitull i hapur, u shpreh Latifi.
Ai theksoi se ky kapitull nuk mund të konsiderohet i mbyllur derisa të gjendet edhe personi i fundit, duke nënvizuar përgjegjësinë institucionale dhe njerëzore për vazhdimin e kërkimeve dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Jardin des Disparus”, një vend kujtese për familjet nga e gjithë bota
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua edhe historisë dhe misionit të shoqatës zvicerane “Jardin des Disparus”.
Jenny Bettancourt paraqiti një historik të kësaj nisme, e cila u përurua më 7 tetor 2000 në Parc de la Golette, me mbështetjen e Komunës së Meyrin-it.
“Kopshti i të Zhdukurve” është konceptuar si një hapësirë kujtese kushtuar viktimave të zhdukjeve me forcë në mbarë botën, pavarësisht prejardhjes apo kombësisë së tyre. Ai u ofron familjeve dhe të afërmve një vend simbolik ku mund të kujtojnë të dashurit e tyre, veçanërisht atyre që nuk kanë një varr ku të vendosin një lule apo të bëjnë homazhe.
Në një komunë si Meyrin-i, ku bashkëjetojnë rreth 140 kombësi, kjo hapësirë ka marrë një domethënie të veçantë. Shumë banorë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën dhe Ballkanin, bartin histori familjare të lidhura me zhdukjet me forcë. Nder ta edhe shqiptarë nga Kosova.
Në vitin 2000 aty u vendos një stelë përkujtimore e projektuar nga Jenny Bettancourt, ndërsa më vonë hapësira u plotësua me skulpturën “Pikëpyetje” të artistes Anne Blanchet – një simbolikë që përkon me pyetjen që mijëra familje në mbarë botën vazhdojnë ta bëjnë: Ku janë të dashurit tanë?
Me një fjalë rasti të pranishmeve iu drejtua edhe Linda Rexhaj Maliqi, në emër të Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, duke përcjellë gjithashtu në gjuhën shqipe mesazhin e znj. Bettancourt,
Vlerësohet kontributi i shqiptarëve në Gjenevë
Gjatë aktivitetit u veçua edhe kontributi i Arta Kryeziut, anëtare e “Jardin des Disparus” që nga themelimi i shoqatës. E shkolluar dhe e integruar në Gjenevë, Kryeziu ndër vite ka kontribuar në veprimtarinë e shoqatës, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen e saj të fortë me Kosovën.
U vlerësua gjithashtu angazhimi i Xhevrie Osmanit, kryetare e Komunës së Meyrin-it, për kontributin e saj në shoqërinë zvicerane dhe për afërsinë e bashkëpunimin me komunitetin shqiptar.
Tryezë diskutimi për fatin e personave të zhdukur
Programi vazhdoi në orën 18:00 me një tryezë diskutimi, në të cilën morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile. U drejtua nga z. Valon Kurteshi.
Përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Agron Limani dhe Kushtrim Gara, paraqitën një pasqyrë të punës së zhvilluar dhe të përpjekjeve që vazhdojnë për kërkimin, identifikimin dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta në Kosovë.
Ndërkaq, Catherine Haus, drejtuese e shoqatës “Jardin des Disparus”, foli për misionin dhe veprimtarinë e organizatës, si dhe për përpjekjet e saj që çështjen e personave të zhdukur ta adresojë edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Haus foli gjithashtu për kontributin e shqiptarëve në këtë shoqatë dhe për bashkëpunimin e krijuar me Kosovën. Ajo rikujtoi se një delegacion i organizatës ka vizituar Kosovën, ndërsa në kuadër të angazhimit të saj janë shpërndarë edhe formularë për dokumentimin e rasteve të personave të zhdukur, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale.
Dokumentari “Ferdonija” përmbylli aktivitetin
Në orën 20:00, programi u përmbyll me shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija”, duke e mbyllur simbolikisht një ditë të mbushur me kujtesë, dëshmi dhe thirrje për drejtësi.
Aktiviteti u mbështet fuqishëm edhe nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës (KSHGJ), i drejtuar nga kryetari Nasuf Nuhiu, duke dëshmuar angazhimin e diasporës shqiptare në ruajtjen e kujtesës dhe në mbështetjen e kauzës së personave të zhdukur.
Veprimtaria e 30 gushtit në Gjenevë përcolli një mesazh të qartë: koha nuk e shuan të drejtën e familjeve për të ditur të vërtetën. Përderisa fati i personave të zhdukur mbetet i pazbardhur, pritja e familjeve vazhdon dhe bashkë me të edhe detyrimi për të kërkuar përgjigje, drejtësi dhe përgjegjësi.
Sepse pas çdo numri qëndron një emër, një familje dhe një histori që ende pret një përgjigje.
Lajmi i mirëpritur se ish-kongresisti i mirënjohur dhe kryetari shumëvjeçar i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, z. Joseph DioGuardi bashkë me zonjën e tij Cloyes DioGuardi do të vizitojnë vendin tonë me ç`rast nga kryeministri Kurti ata do të marrin edhe pasaportën e Republikës së Kosovës, pas shkrimit të publikuar më 11 dhe 22 prill të këtij viti, më frymëzoi edhe më tepër, të përsërisë dhe njëherë publikisht kërkesën time të sinqertë që ky atdhetar i madh dhe kontributdhënës i jashtëzakonshëm i çështjes kombëtare shqiptare, në shenj nderimi ndaj gjithë veprimtarisë së tij shumëvjeçare dhe nevojës imediate që ka aktualisht vendi ynë i brishtë, për emërimin e një personaliteti konsensual për të parin e shtetit, sapo ta marr në dorë pasaportën e Dardanisë, pa humbur asnjë minutë kohë më shumë, veterani i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare z.Josepch DioGuardi të zgjidhet me aklamacion në Kuvend dhe të dekorohet me ceremoni zyrtare në postin e merituar të presidentit të Republikës së Kosovës!
Shqiptaro arbëreshi i shquar Joseph DioGuardi u lind më 20 shtator të vitit 1940 në Bronks të Nju Jorkut dhe erdhi në jetë si fëmijë i një babai shqiptar, familja e të cilit kishte emigruar herët nga Shqipëria në fshatin Greçi afër Napolit që njihet si fshati më i vjetër shqipfolës në Itali, prej nga i ati Joni në vitin 1929 u vendos në Amerikë ku u lind, shkollua dhe më 1962 edhe diplomoi me rezultate të shkëlqyera z.Josepch DioGuardi.
Joseph DioGuardi ishte anëtari i parë shqiptaro-amerikan me të drejtë vote në Kongresin e SHBA-ve, i cili në vitin 1989 themeloi edhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civil League), organizatën e parë të këtij lloji në SHBA dhe pa asnjë dyshim, ai vijon të mbetet edhe aktualisht avokati më i mirë i popullit shqiptare të Kosovës në SHBA,
Ndërsa Shirley Cloyes DioGuardi, bashkëshortja e Joseph DioGuardi-t, përveçse dallohet si “Këshilltare për Çështjet e Ballkanit”, ajo e ka ndihmuar dhe vijon ta ndihmojë z.DioGuardi edhe në udhëheqjen e suksesshme të kësaj organizate famëmadhe shqiptare.
Z. DioGuardi me punë të palodhur e angazhim të pareshtur, mbledhjen e vazhdueshme të dëshmive autentike mbi represionin kriminal serb, që asokohe kishte arritur përmasa të tmerrshme dhe ushtrohej në përditshmëri ndaj shqiptarëve të pambrojtur, si dhe organizimin e seancave të veçanta dëgjimore në Kongresin amerikan, arriti përfundimisht ta shfaqte me sukses, të vërtetën reale dhe të krijonte perceptimin e qartë politik, shoqëror e mediatik te opinioni i gjerë amerikan mbi padrejtësitë që kryheshin sistematikisht ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, FYROM, Mal të Zi dhe Kosovën Lindore.
DioGuardi,që atëherë me shumë punë e përkushtim arriti ta bënte me sukses edhe sensibilizimin e institucioneve më të larta shtetërore amerikane mbi shkeljet drastike të të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve kudo në Ballkan.
Ishte viti 1987 kur Joseph DioGuardi si i pari shqiptaro-amerikan i zgjedhur në Kongresin Amerikan, përmes një Rezolute të sponsorizuar prej tij personalisht në Kongres, arriti të fuste në rendin e ditës, dhe ndikonte në organizimin e seancës së parë të Kongresit të SHBA-ve për Kosovën, ku po ashtu, për herë të parë, u shpalosën edhe në Kongresin amerikan, të gjitha barbaritë serbe të kasapit Millosheviq, që ushtroheshin dhe kryheshin sistematikisht kundër shqiptarëve të pambrojtur, në Kosovën e okupuar prej Serbisë fashiste.
Siç dihet edhe nga historia jonë e afërt,në fundin e shekullit XX e veçanërisht në vitet 1987-1998-1989, çështja shqiptare në Ballkan u përball me sfidat më të mëdha politike, që kishte njohur vendi asokohe, duke quar Kosovën dhe popullin e saj deri buzë greminës ekzistenciale, vënë në pikëpyetje mbijetesën kombëtare dhe rrezikuar humbjen e territoreve edhe të pothuajse gjysmës tjetër të popullit shqiptar, që mbahej ende me forcë nën thundrën e egër të pushtimit serbosllav.
Andaj veçanërisht në ato momente të rënda që kalonte Kosova, ishte fat i madh për shqiptarët, që kishin zërin e tyre në Kongres, një zë i fort dhe kumbues e thellësisht autokton, i burrit më besnik arbëresh që në momentet më të vështira do ti vinte në ndihmë pa kursim Dardanisë së shumëvuajtur për çlirimin, pavarësinë, krijimin e shtetit të lirë të Kosovës, si dhe garantimin e fatit të kombit shqiptar-në shekullin e ri, siç do shprehej edhe vet z. DioGuardi!
Në kohën kur Joseph DioGuardi filloi aktivitetin e tij politik, nga 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, siç dëshmonte ai vet, vetëm 12 përfaqësues dinin fare pak për gjendjen e rëndë që asokohe mbretëronte në Kosovën e pushtuar nga Serbia fashiste.
Dhe siç do ta shpjegonte z.DioGuardi edhe në një intervistë të dhënë në vitin 2000, përveç kongresmenit Tom Lantos, dhe 12-të përfaqësuesit amerikan që dinin pak për Kosovën, asokohe nuk ishin në dijeni se Kosova popullohej nga shumica dërrmuese shqiptare.
Madje as ata 12-të dhe asnjë nga kongresistët tjerë amerikan, ato vite të vështira që kalonin shqiptarët nën okupimin serb, nuk ishin të informuar në detaje për keqtrajtimin e rëndë dhe shtypjen e pashembullt, që ndaj shqiptarëve autokton të Kosovës, ushtroheshin çdo ditë nga Serbia okupatore.
Ishte z.Joesph DioGuardi, ai i cili pikërisht në gjendjen më të trishtueshme të okupimit klasik nëpër të cilën po kalonte Kosova nën robërinë e Serbisë fashiste, i vuri në dijeni Kongresin dhe institucionet tjera shtetërore të SHBA-ve mbi të gjitha sa ndodhnin mbi kurrizin e shqiptarëve të pambrojtur në Kosovën e pushtuar.
Kështu që lajmi në kohët më të vështira të okupimit klasik nga Serbia fashiste, se shqiptarët kishin zërin e tyre autokton në Kongresin amerikan, ishte një rilindje e dytë, veçanërisht për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës.
Aktiviteti dhe kontributi i pareshtur, i z. DioGuardi, bëri bujë të madhe atëherë e vazhdon të jehojë edhe sot me shumë përkushtim e dinjitet të lart, ndaj të vetmin opsion të padiskutueshëm për tejkalimin e problemit aktual të presidentit në vendin tonë, unë përsëri e shoh zgjedhjen e z.Josepch DioGuardit si personalitetin më të merituar për të parin e shtetit të Kosovës.
DioGuardi është njëri prej politikbërësve më aktiv mbarëshqiptar, që në vazhdimësi ka bërë shumë për çështjen kombëtare, dhe ai edhe sot vijon të mbetet avokati më i mirë i popullit shqiptare të Kosovës në SHBA.
J. Dioguardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi mbeten liderët më të fuqishëm dhe udhëheqësit e lobit më të suksesshëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbrojtës të flaktë dhe zëdhënës fascinues e të paepur të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, FYROM, Mal të Zi dhe Çamëri.
Josepch dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe për realizimin e pavarësisë së Kosovës të ardhmen e sigurt të shtetit të lirë- Dardan, si dhe garantimin e fatit të mbarë kombit shqiptar-në shekullin e ri, siç do shprehej edhe vet z. DioGuardi!
Ai duke shërbyer në institucionet politike dhe shtetërore amerikane ka kontribuuar aq shumë për çështjen shqiptare dhe jetësimin e pavarësisë së Kosovës, sa nuk ka edhe një shembull tjetër as të përafërt, në trojet shqiptare dhe jashtë tyre, kudo në botë.
Një personalitet i shquar e me përvojë të bujshme politike dhe një biografi të pastër kombëtare që ishte edhe senator i shtetit të Nju Jorkut, i cili falë mbështetjes së Presidentëve Ronald Reagan, Gerald Ford, Gjorgj Bushit të vjetër etj, arriti të zhvillonte një karrierë të shquar diplomatiko-politike, të cilën e shfrytëzoi me mjeshtri të pashembullt për ti dal zot, në ditët më të vështira, popullit shqiptar dhe çështjes kombëtare.
DioGuardi kontaktoi presidentët amerikanë, sekretarët e tyre të shtetit, anëtarët kryesorë të Kongresit të SHBA-ve, republikanë e demokratë, dhe përfaqësues e udhëheqës të lartë ndërkombëtar kudo në botë, për të mbështetur sa më gjithanshëm shqiptarët nën okupimin serbosllav dhe avancuar fuqimisht çështjen e Kosovës dhe pavarësisë së saj.
Në bashkëpunim të ngushtë me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA-së, Josepch DioGuardi paraqiti dhjetëra rezoluta mbi çështjen kombëtare shqiptare.
Kurse në maj të vitit 1990 bashkë me Tom Lantos-in vizitoi edhe Kosovën duke u bërë dy zyrtarët e parë të lartë amerikanë që në vendin e ngjarjes mësuan situatën tmerruese politike, duke e parë me sytë e vet, nga afër.
Në gusht të vitit 1990, z.DioGuardi ishte bashkë me z. Bob Doll në Kosovë, ndërsa më 1998 bashkë me DANA ROCHBACHER vizituan Kosovën për tu informuar nga dora e parë, mbi krizën e trishtueshme humanitare të shkaktuar nga Serbia në Kosovë, etj,.
Josepch DioGuardi u bë njëri ndër zërat më të fuqishëm pro-shqiptar në Kongresin Amerikan dhe ngriti nivelin e informimit deri në ato përmasa, sa që arriti të garantojë mbështetje gjithnjë e më të madhe edhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA-ve, të cilët u ngritën në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe mbështetjen me fakte të pavarësisë së Kosovës.
Me prezantimin permanent të rezolutave për Kosovën në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve dhe Kongresin Amerikan, Joseph DioGuardi hapi një etapë të re, të panjohur deri atëherë në historinë e shqiptarëve, për avancimin e çështjes kombëtare dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, akte të cilat e bëjnë z. DioGuardi avokatin më të suksesshëm në mbrojtjen publike të çështjes mbarëkombëtare të shqiptarëve dhe shembullin më madhështor pozitiv i cili do të mbahet mend nga historia jonë kombëtare në të gjitha trojeve tona etnike, për të arriturat e shqiptarëve në dy shekujt e fundit.
Kontributi i tij i vazhdueshëm për mese 4 dekada në politikën e SHBA-ve dhe angazhimet e pareshtura në arenën ndërkombëtare, e bëjnë z. DioGuardi personalitet të veçantë dhe kandidat të pakonkurencë për president të Kosovës.
Ai përveç kontributit të jashtëzakonshëm në të gjitha kohët për Kosovën dhe shqiptarët edhe pas emërimit të tij për president të vendit tonë dhe përfaqësimit zyrtar të Republikës së Kosovës, në diplomacinë ndërkombëtare, Joseph DioGuardi do ta gëzojë edhe mbështetjen e plotë amerikane dhe përkrahjen e pakursyer të miqve të shumtë e më të fuqishëm ndërkombëtar të SHBA-ve dhe shteteve më të mëdha të demokracisë botërore.
Kështu që Qeveria dhe institucionet tona shtetërore, në shenj nderimi e respekti dhe meritave të pakontestueshme që ky burrë ka për kontributin madhor të dhënë ndër dekada për Kosovën, përveç pajisjes së z. DioGuardi me pasaportë e të gjitha dokumentet e nevojshme personale duhet ta shpallin zyrtarisht shtetas rezident dhe President të Republikës së Kosovës.
Dhe deputetët e të gjitha partive shqiptare pa dallim, që në seancën e parë konstituive të Kuvendit menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit e zëvendëskryetarëve të Kuvendit, para se të votohet Qeveria, ta votojnë me aklamacion z. Josepch DioGuardi për president të Kosovës, si njeriun më meritor, në mënyrë që nga aktiviteti i tij, shumëvjeçar patriotik, tani ta dëshmojë veten edhe në aktivitet të suksesshëm politik e diplomatik për shqiptarët dhe Kosovën, në SHBA, Evropë e më gjerë, pa kontributin e të cilit, Kosova, me siguri nuk do të ishte kjo që është sot, e ndoshta as vend i lirë dhe shtet i pavarur.
Derisa jemi dëshmitar që zgjedhja e presidentit nga kasta aktuale politike në Kosovë, është kthyer në luftë të hapur ndërpartiake dhe garë intrigash e prapaskenash më obstruktive për futjen e përçarjeve ndërmjet shqiptarëve dhe rrezikimin ekzistencial të shtetit të krijuar me aq shumë gjak e mund, votimi i z.DioGuardi për president, do të rivendoste edhe qëndrueshmërinë e munguar politike, shuan potencialet për destabilizim të vendit dhe shkaktimin e kaosit e përtëritjen e konflikteve të brendshme, si dhe menjanon rikthimin e ndikimit të Serbisë në vendin tonë.
Ndryshe në Kosovë nuk mund të krijohet unitet as të ecet përpara me ata që për më tepër se një vit, luajtën me shtetin, krijuan ngërçe të pareshtura politike dhe shkaktuan bllokada të vazhdueshme institucionale.
Prandaj, u bëj thirrje publike edhe njëherë të gjitha partive shqiptare që ti lënë anash mërit e zënkat politike dhe të mos humbin më shumë kohë me njerëz të konsumuar partiak, të cilët nuk i njeh askush jashtë vendit, kur dihet mirëfilli se shtetit tonë të vogël, e të pa pranuar nga të gjitha vendet e BE-së si shtet i pavarur dhe ende të pa anëtarësuar në OKB e shumë organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare, me mungesë të theksuar të miqve të sinqertë në politikën e jashtme, u duhet një figurë e shquar dhe me përvojë të gjatë e mbështetje të fuqishme të SHBA-ve, si z, DioGuardi, i cili, aktualisht është i pazëvendësueshëm dhe zgjidhja më e mirë për përfaqësimin e shtetit të Kosovës, që do të pranohej brenda e jashtë vendit, ka në krah edhe mbështetjen e SHBA-ve dhe mirëpritet me respekt të madh veçanërisht në arenën ndërkombëtare!
Kështu që zgjedhja e një personaliteti prestigjioz si z.Joseph DioGuardi për president të Kosovës, është pothuajse e domosdoshme, është nevojë e kohës dhe zgjidhja më e mirë e mundshme për vendin tonë të vogël, të cilin besoj se do ta votonin të gjitha partitë politike shqiptare pa përjashtim, përveç dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës “listë serbe” dhe surrogateve të saj, që mjerisht përveçse shfrytëzojnë mospajtimet e partive shqiptare, defilojnë lirshëm dhe manovrojnë me mjeshtri perfide e madje edhe ndikojnë në vendimmarrjet politike të vendit tonë të brishtë.
Vetëm zgjedhja e z. Joseph DioGuardi për president të Kosovës, përfundimisht do ta mënjanonte përsëritjen e ngërçeve të mëtejme politike dhe shkuarjen e serishme në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat u pa për të satën herë, se nuk sjellin zgjidhje , emërim që do ta zgjidhte edhe problemin aktual, do ti shuante tensionet e brendshme politike dhe zbuste insinuatat e stërzgjatura ndërpartiake, pasi që tanimë dihet publikisht se zgjedhjet e reja, mund të prodhojnë rezultat të ngjashëm apo të përafërt të votimeve me ato paraprake dhe vetëm sa do të vijonte riciklimi i krizave, edhe pas përfundimit të cirkut të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Po hyjmë në muajin e tretë të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Këto protesta nuk lindën rastësisht dhe as brenda natës. Ato janë produkt i një pakënaqësie të akumuluar prej vitesh, e cila buron nga vështirësitë ekonomike, emigrimi masiv, perceptimi i përhapur për korrupsionin, rritja e kostos së jetesës dhe debatet e vazhdueshme rreth mënyrës së administrimit të pasurive publike.
Çështje si Aeroporti i Vlorës, zhvillimet në Zvërnec dhe projekte të tjera të mëdha kanë ushqyer më tej mosbesimin e një pjese të qytetarëve ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Protestat janë shtrirë në disa qytete të Shqipërisë dhe janë mbështetur edhe nga pjesëtarë të diasporës në Perëndim. Ato tregojnë se pakënaqësia ekziston dhe se një numër qytetarësh kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe ndryshim në mënyrën e qeverisjes.
Megjithatë, deri tani, këto protesta nuk kanë arritur të krijojnë presionin e nevojshëm politik për të ndryshuar balancat e pushtetit.
Arsyeja kryesore është mungesa e organizimit dhe e një drejtimi të qartë. Historia politike ka dëshmuar se protestat spontane mund të tërheqin vëmendjen, por rrallëherë arrijnë rezultate të qëndrueshme pa një program politik, pa objektiva të përcaktuara dhe pa përfaqësues që marrin përgjegjësi për drejtimin e tyre.
As opozita nuk ka arritur të shndërrohet në një qendër gravitacioni për këtë pakënaqësi.
Ajo duket më shumë si vëzhguese sesa si organizatore, duke krijuar përshtypjen se pret të përfitojë nga dobësimi i qeverisë pa marrë përsipër barrën e udhëheqjes së protestave.
Kjo ka krijuar një boshllëk që protestuesit nuk kanë mundur ta plotësojnë.
Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik, por stabiliteti nuk mund të mbështetet vetëm mbi forcën e pushtetit. Ai ndërtohet mbi besimin e qytetarëve tek institucionet, mbi drejtësinë e barabartë për të gjithë, mbi luftën kundër korrupsionit dhe mbi një ekonomi që u jep njerëzve shpresë për të ardhmen. Kur këto elemente dobësohen, pakënaqësia shndërrohet në protestë.
Po aq e rëndësishme është që çdo protestë të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe demokratike. Çdo përshkallëzim i situatës do të dëmtonte, para së gjithash, vetë qytetarët dhe interesat e Shqipërisë. Në një rajon ku sfidat gjeopolitike mbeten të ndjeshme, stabiliteti institucional është një vlerë që duhet ruajtur.
Nëse protestat synojnë të sjellin ndryshim të vërtetë, ato duhet të ofrojnë jo vetëm kundërshtim ndaj qeverisë, por edhe një vizion për të ardhmen. Qytetarët nuk kërkojnë vetëm të dëgjojnë se çfarë nuk shkon; ata duan të dinë edhe se si mund të përmirësohet gjendja.
Për sa kohë që protestat mbeten të fragmentuara, pa drejtim dhe pa një alternativë politike të besueshme, ato do të shërbejnë si shprehje e pakënaqësisë qytetare, por jo si një forcë e aftë për të ndryshuar realisht rrjedhën e zhvillimeve politike në vend.
Komentet