Me respekt të lartë dhe perulje të thellë nderuam sakrificën e tre vëllezërve Bytyqi dhe gjithë atyre që dhanë jetën për Lirinë e Kosovës.
Qindra shqiptaro amerikanë toskë e gegë si dy mollë në një degë ka thënë Naim Shqiperia, u mblodhën së bashku për të festuar 11 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në New York.
Ky organizim madhështor ishte në bashkërendim me shumë shoqata dhe organizata nga Diaspora në New York sponsorizuar nga Keshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut Mark Gjonaj, Sal Rusi dhe familja, RSA, UFT, REBNY, 32BJ, SEIU për të mbështetur kauzën e Familjes Bytyqi dhe për të sjellë para drejtësisë kriminelët serbë që masakruan dhe vranë vëllezërit Bytyqi të cilëve ende s’ju janë gjendur eshtrat…
Mjediset komode të Hilton në Westchester gumëzhinin nga zërat burrërorë të shqiptarëve nga Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare, ndërsa qielli nga dritaret e xhamta dukej thellësisht blu si ngjyra e veshjeve te zanave të bukura shqiptare me ca yje të florinjta rreth qafave si zambak në harmoni të plotë me Flamurin e Kosovës. Është Flamuri i shtetit më të ri në botë.
Për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosoves u vranë 13.000 njerëz, 1400 fëmijë, 20000 vajza dhe gra u përdhunuan, 700000 njerëz u nxorën nga shtëpitë e tyre, 10000 shtëpi u shkatërruan dhe 1200 akoma mungojnë.
Mbrëmja u moderua plot kulturë nga një çift artistësh të talentuar dhe të njohur si Besa dhe Shpend Xani.
Pjesëmarrësit të gjithë u çuan në këmbë kur në sallë marshuan me flamujt e Kosovës dhe të Amerikës oficerët e policisë së New Yorkut drejt skenës kryesore të cilët janë të organizuar në shoqatën “Illyria”. Hyrja e tyre me uniformën e policisë amerikane dhe me ngritjen e Flamurit të shtetit të Kosovës ishte një moment solemn për të gjithë bashkëkombasit dhe amerikanët që ishin në sallë.
Dy hymnet amerikane dhe shqiptare u intepretuan mjeshtërisht nga tenori i shquar Riad Ymeri.
Fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes e mbajti z.Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut. Fjalimi i tij ishte një fjalim mbresëlënës, tejet patriotik dhe kombëtar, ishte nje fjalim që mbronte me zemrën e një shqiptari të vërtetë çdo pëllëmbë toke të Kosovës. Fjala e tij u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, sepse tashmë z.Gjonaj është një politikan karizmatik, popullor i zgjedhur direkt nga vota e zgjedhësve të tij në Bronx, New York. Ai me plot dashuri iu uroi gjithë pjesëmarrësve të shumtë për Pavarësinë e Kosovës.
Z.Gjonaj falënderoi të gjithë stafin organizues të cilët punuan vullnetarisht për të realizuar aktivitetin kushtuar 11 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë manifestim për 11 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovë përshëndeti me plot krenari të ligjshme Gjeneral Gani Shehu, kryetar i shoqatës “Atlantiku” ish ushtari me armë në dorë që luftoi si trimat kundër kuçedres serbe. Ai tha midis të tjerash se Kosova është toka jonë, është toka ku u derdh gjaku lumë për mbrojtjen e saj.
Batalioni “Atlantiku” në Amerikë i mblodhi të rinjtë të cilët nuk jetonin në Kosovë, por i thërriste vendlindja, i thërriste Kombi. Z.Shehu iu uroi të gjithë të pranishmëve festën e Pavarësisë së Kosovës.

Nga përshëndetja e Ambasadores Teuta Sahtaqija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në New York
Ambasadorja Teuta Sahatqija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në New York, i shprehu mirënjohjen më të thellë Diasporës e cila ishte krah i fortë që përmes protestave para UN, në çdo vend e shtet e qytet denonconte gjendjen alarmante të shkeljes së të drejtave elementare njerëzore, të genocidit që po merrte krah në Kosovë.
Ajo tha:
E nderuara Ambasadore Vlora Çiitaku
I nderuari Ansambleisti i Qytetit të New York-ut, Z. Mark Gjonaj
Të nderuar Kryetar dhe anëtarë të Shoqatave Shqiptare në New York e SHBA
Shumë e respektuar familja Bytyqi,
Motra e vëllezër,
Më lejoni që në emrër të Institucioneve të Republikës së Kosovës, të Misionit në NY dhe emrin tim t’ju falënderoj për organizim të këtij eventi dhe t’ju uroj 11-të vjetorin e shtetësisë së Kosovës.
Jam e privilegjuar të kem mundësinë që së bashku me ju të festoj këtë ditë të rëndësishme për të gjithë ne.
Kosova nuk do të ishte sot shtet sovran e i pavarur pa ndihmën e Diasporës. Ishit ju zëri i Kosovës, kur Kosova nuk kishte zë. Ishit ju që mbanit gjallë familjet kur Kosova e përjetonte aparteidin e egër, ishit ju ata që dërguat armë, dhe që erdhët të luftoni për clirimin e Kosovës. Ju protestuat para OKB-s në NY e në Washington. Ju lobuat në çdo instance për ta bërë të njohur botës se çka ndodhte në një vend të vogël e të largët. Falë jush filloi bombardimi i Serbisë dhe Liria për Kosovën u arrit.
Kosova doli nga lufta si tokë e djegur, rreth 14,000 të vrarë, 20,000 të abuzuar, 1640 ende të pagjetur, por e lire dhe plot shpresa për të ardhmen.
11 vite më parë, më 17 shkurt 2008 ishte një ditë shumë e ftohtë, -17 gradë. E gjithë Kosova ishte në rrugë duke dëgjuar Shpalljen e Deklaraës së Pavarësisë. Ndonëse secili përjetonte gëzimin e papërshkruar për secilin prej nesh, natyra donte që përmes të ftohtit të madh, të na përkujtonte se Pavarësia nuk është arritur lehtë. Donte të na përkujtonte për vështirësitë, sakrificat, gjakun e mundin që është investuar për të arritur Lirinë.
Iliri, Mehmeti e Agroni nuk ishin atë ditë të ftohtë shkurti me ne që të festonin realizimin e ëndrrës së tyre. Por sakrifica e vëllezërve Bytyqi na ndriçon përherë rrugën drejtë Lirisë si një fanar i ndritur.
Znj Bahrije dhe Z.Ahmet, ju e keni dhimbjen e madhe, por edhe krenarinë që lindët dhe rritët këta trima liridashës. Ne i përkulemi përherë veprës së tyre!
Falë tyre dhe vajzave e djemve që u ngritën në këmbë, Kosova nuk është më tokë e djegur. Ajo është një vend i rindërtuar, me sy nga e ardhmja duke mos e harruar kurrë të kaluarën.
Drejtësia për vëllezërit Bytyqi është drejtësi për luftën, drejtësi për lirinë, drejtësi për shtetsinë e Kosovës.
Për ne është nder dhe detyrë të kujdesemi e ta avancojmë shtetin e ri të Kosovës.
E gëzofshim së bashku 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe pritshim shumë përvjetore te tjera të suksesshme.
Pjesemarresit u argetuan nga artistet e njohur si Arben Krasniqi, Artan Kola, Besim Muriqi, Entela Ilirjani, Donika Ukshini, Riad Ymeri, Sebahete Berlajolli.
TV “Alba Life” me bashkëpunëtorët Iliriana Lulgjuraj dhe Klaudio Mucollari filmoi gjithë aktivitetin si dhe mori disa intervista për publikun të cilat do t’i sjellë së shpejti në ekranet televizive.
Gëzuar Pavarësinë Kosovë!
Westchester County, New York
16 shkurt, 2019





Komentet