T’shtunden n’mbramje, ditën e gjashtë,
i lodhun Hyji u kthye në shpi,
lau duert e u ul n’verandë, aty jashtë
e pa me vëmendje Kryeveprën e Tij.
Punue gjithë javën kishte si rrallëherë
pa pushue aspak, nadje deri n’mbramje;
tash, dhe pse i lodhun, dukej shend e verë
e gjithë sa kishte bâ po kqyrte me ândje.
T’hanën, sa piu kafen, i ke përvesh punës
mbi plane e skica që i pat’ mendue gjatë,
e, meqë terri i pat’ ardhë n’maje t’hundës,
n’fillim krijoi Dritën, ndau Ditë e Natë.
T’martën, pa zbardh mirë, krijoi Tokë e Qiell,
t’nesërmen pushoi pak, bani bar e pyje,
t’enjten, i frymzuem, krijoi Hanë e Diell,
zbukuroi dhe Qiellin, e mbushi me Yje.
Por t’ prenden gjith bota iu duk djerr e shkret,
e gjallnoi me peshq, me kafshë, shpend e gjâ,
t’shtunden krijoi njierin n’shembëlltyrë të Vet,
mbas tij krijoi gruen, për qejf e belâ.
Po atë ditë, pa e zgjatë, krijoi plot njerz t’tjerë,
të bardhë e të kuq, të verdhë e zezakë,
të marrë e të meçëm, të pasun e t’mjerë,
tullaca e qose, me mjekrra e mustakë.
“Tashti, -iu tha Hyji, -dy fjalë mirë ndigjoni,
varnie vath në vesh e s’due diskutim;
sonte, deri vonë, bani qejf, festoni,
por t’dielën, ju e Unë, e kena pushim…”
Por nuk ke e thanun me pushue rehat
e gjithë çka i porositi duket se shkoi kot,
se ndjeu prej poshtë, pa u ulë mirë në shtrat,
nsa e thirrnin n’kupë t’qiellit: “O Zot! O Zot!”
I përmbajti nervat e doli në ballkon
me pa çka kishin që s’po e linin t’qetë,
i njofti fill, por syve s’po u beson
se si ma t’urtit i kishte zgjedhë Ai vetë!
“Me na falë, o Hyj, se t’prishëm pushimin,
erdhëm për me t’thanë, ndoshta ke harrue,
rregullue mâ s’miri e ke gjithë njerzimin,
por ne, t’zgjedhunve të Tu, gra s’na ke caktue!”
Pak nga pak dhe Hyjit erdh’ iu tret zemrimi,
diçka i erdhi n’mend e qeshi nën mustak
“S’paskan faj të shkretët, faji asht i Imi,
por ka m’prishën gjumin, nji rreng e kanë hak”.
“Shkuesi as njohje s’asht nevojë me ba
e ma gjatë -u tha -s’po due me ju sjellë,
njiqind hapa para po ju ve tri gra,
kush t’jetë ma i shkathi ka t’drejtën me zgjedhë”.
Sapo dha sinjalin, të treve iu dha vrapi,
por të tre njilloj Ai s’i kishte bâ,
njani ke hollak, ngau e dy gra kapi,
tjetri mori t’tretën,…i fundit mbet’ pa gjâ.
Ikën t’gjithë hareshëm, veç ky mbeti n’shesh.
“Vërtet, Hyj,-i tha -kshtu don me m’denue?!”
Por Ai buzagaz lehtë i foli n’vesh:
“Ty me gratë e shokëve t’ka mbetë me u rregullue”.
Je i madh Ndrek Zalli