Historia e Zef Zanonit
Burgjet, thonë, janë mbushë me kundravajtës ligjësh, të cilët presin, t’u këputet gjyqi i dënimit. Ndër ta âshtë edhe një italjan nga Bolonja, një farë Zef Zanonit. Ky rrezikzí, lás enësh e ndihmës kuzhinjerit në një vaporr, – kështu e cilson letra e njohtimit që kishte me vete, – ky Zef Zanoni pra, në gushtin e vjetit të kaluem gjindej si për kalim në Cetinë të Malit të Zí. Prej andej kishte dá me shkue n’Austrí; edhe kështu kishte marrë rrugën, kambë, gjithkun, për në Tivár. Rrugë e gjâ nuk dinte; kend edhe me pyetë nuk pyeti; kështu që mendësh së veta u nis kinse për Austrí, tue i a mbajtë gjithkun kahë teposhtja, kahë jugu! Prej Tivarit, mendja e tij, për me shkue n’Austrí, i a mbajti kahë Ulqini; edhe mandej, vijon rrugën gjithënjë tue ecë gjatë krahut të djathtë të Buenës. Këtu tash kujtohet edhe ai i shkreti, se kishte gabue rrugë. Dyshon; por kend me pyetë, nuk mundet, pse nuk di një fjalë shqip. Gjindja kahë kalojshin rrugës e këqyrshin njëherë si shtrembët atë njeri të panjohtun e të dyshimët, i a lëshojshin sýt; por çajshin secili në punë të vet. Me frikë e si i tretun njëmend, por eci njashtu sa eci, deri që u gjet para malit të Taraboshit. Çuditet e sjellë sýt andej e këndej, për me pá, ku ishte; kur qe, heton nalt ndër kreshtat e malit njerëz të vèshunë në të zí, si ushtarë, plot. Por, ndërsa ishte habitë tue këqyrë gjithkahë për rreth, tre xhandarë të turkut i bâjn rrethin; e zanë, e lidhin edhe e venë para. Tash, po, i ngrati Zanon, tash e mori vesht mirë, ku gjindej; tash po, e kuptoi shqipen pa dijtë kurrnjë fjalë shqip! Njashtu lidhë më pranga e dërguenë në qytetin ma t’afërmin, që i diftuenë, se ishte Shkodra. Aty policia, nëpër një dragoman e shqyrtoi mirë e mirë, kush ishte e çka lypte andej pari.
Në fillim gjyqtari i tha:
-Tashma, lum Zotnija, të kemi në dorë. Nuk ké kahë na ikë. Prandej, âshtë kot, me na u mëshehë e me u mundue kinse me na bishtnue. Të kemi zanë me dorë në tê. Për tý tash âshtë fort ma mirë, të na rrëfejsh të drejtën!
I shuemi Zanon, gjithënjë në të mbarë, i diftoi kush ishte edhe ç’rrezik kishte pasë me tretë rrugë. Gjyqtarit por, filluenë me i këcye nervat. S’i u mbushte mendja kurrsi për çka donte me i thanë i pandehuni. Prandej i u suell e i a bani paksi ma me të keq: – Lum Zotnia, s’ké pse na rrén. Ti jé një detektiv, ti jé një polic! Tý dikush të ka çue. Kallëzo prandej, të drejtën, si janë punët.
– Qe, pra, unë i shkreti plasa tue Ju thanë: – i a prêt Zanoni fatkeq. Unë s’jam kurrgjâ tjetër, veçse një ndihmës kuzhinjerit vaporresh!
– Jo, jo ! Kuj do me i kallëzue? Ti jé një oficjer ushtriet!
– Unë, oficjer?… Unë i mjeri, jam një shërbtuer, a ma mirë një lâs enësh vaporrit. Në mos e besofshi, këndonje në letrën e njohtimit, që keni aty mbi tavolinë.
-Nuk i zâ besë çka shkruen ajo letër. Uh, sa letra njohtimit shkruhen sod për ata që duen me krye këso shërbimesh policësh!.. Po të thom, pra, edhe një herë: Ti jé sigurisht një ofi cjer!
– Unë oficjer? – i a pret gjithnjë i shkreti Zanon – po mue, çka më bani oficjer? Jo, Zotní, s’keni pse më mbetni mbë qafë. Unë, si Ju thashë, jam një shërbtuer vaporresh, një ndihmës i kuzhinjerit!
– Kuj do me i a shitë!… Ani ti, një shërbtuer vaporresh! Ti, një ndihmës kuzhinjerit!… Kinse një lás enësh, që siellet, kohën e luftës, edhe shtýhet kambë-kambë deri te rranzat e Taraboshit, tue e këqyrë e tue e shqyrtue prej së gjitha anësh, për me e hetue, ku janë e ku s’janë ledhet, ku âshtë forcue e ku s’âshtë forcue ma së fortit; edhe tue e matë pëllambë për pëllambë malin gjithkahë për rreth!…
Zanoni i shkretë, i cili në jetë të vet as emnin s’i a ka ndie këtij mali, pyetë gjyqtarin: – Me lêje, po çka âshtë ky Taraboshi? Po si tash? Ti, a do me luejtë me né? Tý të kanë zanë shì tu rranzët e Taraboshit; e tash vjen e na shtîhesh këtu kinse s’di çka âshtë e ku âshtë Taraboshi! – i a pret krejt nervoz gjyqtari.
Gjyqtari gjithnjë atë të veten: “Ti jé një oficjer!” E Zanoni prap njato fjalë se njato: “Jam një shërbtuer i thjeshtë, e kurrgjâ ma tepër, se një ndihmës kuzhinjerit, një lás enësh!” Së mbramit ata të gjyqit, i a fi lluenë me e rrahë më shkopîj, për me i a xjerrë gojet për dhuni, çka dojshin, që ai t’u a rrëfente.
I rrahuni për fund, prej dhimbash së shkopijvet, u tha:
– E po mirë, pra; mbasi ju kështu po dueni; qe se unë kenkam oficjer, e detektiv e polic e çka të dueni!
– Mirë. Tash jé tue folë si kush. Rrëfe tash, çka jé përnjëmend. A jé ti një oficjer italjan?
– Po, po; jam një oficjer italjan. – A thue jé ti ndoshta ndonjë pjesëtár i shtetit madhuer?
– Po, jam.
– A jé një spiû?
– Po, po; jam një spiû.
– Të lumtë! Tash ké folë të drejtën! – i a ban gjyqtari, edhe e përcjellë me dokumenta në gjyqin ushtarak.
Kur njatje ma vonë, mbasi kje lirue prej burgut, kje pyetë Zanoni, si kishte mujtë me e bâ veten para gjyqit oficjer e detektiv, pa kenë? Ai përgjegji: “E bana veten oficjer e gjithçka, n’uzdajë, se po i zbus pak gjyqtarët e s’po më rrahin ma”.
– E pra, – i thojshin – ti fort ma mirë kishe bâ, me pasë qëndrue edhe pak e mos me e pasë lëshue menjëherë!
– Mirë; por unë s’kjeshë i zoti të qëndroj ma gjatë prej shkopijsh që më krisshin shpinës.
Ndërkaq gjyqi ushtarak, tue u bazue mbi dëshmítë e tija, e dënoi qyqarin për dekë! Lajmi u përhap e muer dheun. Ambasata e Austrís në Stambollë u interesue për punë të tij edhe ndërhyni; por i kje përgjegjë, se gjyqi ishte bâ rregullisht edhe, se dënimi ishte i bazuem mbi fakte të patrandshme. Ndërkaq, konsulli i Italís në Shkodër, ta marrmen vesht gjyqin e dënimin e të shuemit Zanon, u çue peshë, protestoi, i duel zot aq sa për fund e qiti kryekëput të pafaj. Në këtê ndërkohë por, u mbyll rruga e Shën Gjinit, edhe Zanoni mbet se mbet në burg. Porse i kje dhanë të burgosunit lirí me u përpjekë me kêdo. Ai nuk âshtë aspak i shtrënguem nga rregullat e të burgosunvet tjerë; Merr e jep, kur të duej e sa të duej me konsullin e vet; i cili ndërkaq i ka çue ndihmë së hollash, ashtu edhe petka e shtroje e mbloje edhe nuk e len me hjekë keq për kurrgjâ.
E hane, 7 kallënduer 1913. Sintomet ase shenjet e largta!
Çudë, këso ditësh janë tue u ndie ma fort se kurr aty-këtu do fjalë, kinse lufta nuk e ka të gjatë. E jo pse pra, di kush gjâ n’atë punë, por, qe: Pa kurrnjë shenj a arsye, dalin këso fjalësh, as s’dihet kush i qet. Populli ndashti, kahë i ka ardhë shpirti në fyt prej mërziet, tue ndie dita me ditë pushkë e top e mitraloz, populli vetë duket se i qet. Lodhë prej ûjet dhe prej mungesës së gjithçkahes, shkon tue qitë për fushë këso lajmesh optimiste, të cilat rrena vetë ai i pari që i ka qitë, siellet e i beson!… Përmbi të gjithë por, redifët e Esat Pashës, këta me të zi, ç’presin me u kthye ndër shtëpia të veta! Këso fjalësh thonë shpesh tue bisedue njeni me tjetrin. M’anën tjetër por, të nisunit e tyne prej këndej, do me thanë, me i u hjekë mbrojtjes së qytetit një numër i mirë ushtarësh: 15 mijë pushkë! Kështu u fol një herë; por sod nuk shihet gjâ kun. Ata të Dibrës sidomos, janë mërzitë edhe bâjn zhurmë ma tepër se tjerët, për me u kthye ndër shtëpia të veta. Edhe komanda, friket mos të përhapin pakënaqësí e pështjellime ndër shokë, i kanë shpërdá kokrra-kokrra, andej e këndej, ndër të gjitha qendrat e qendresës. Shumë edhe kësi redifësh kanë blé në pazár opangë e këpucë të reja. Shenj i mirë: Do me thanë, se shpejt e kanë menden me u nisë. Ndonjeni asish ma pasanikësh ka blé edhe kalin e shalës, me e pasun gati për kur të nisen. Mirë; por disa kësi ushtarësh s’ardhunë prej së poshtmit të Shqipnís kanë shkue tue blé deri kukulla e ringexhinge, facoleta të mëndafshta, shishe me erna të mira, sigurisht, për me u a çue gravet e fëmijëvet të vet. Shi prej kësaj pune shkodranët kanë shkue tue e qitë fjalën, se tashma ushtarët janë tue u bâ gati me u kthye ndër shtëpia të veta!… Po, sigurisht kukullat e facoletat e mëndafshta e lavandat atyne ndër llogore, çka u lypen? Shenja tjera mandej, se shpejt po mbaron lufta, prap mund të xieren edhe prej do punëve të vogla njëmend, por që tash çojn kandár edhe fort. Kështu f.v. Hasan Rizaja kurr s’ka ndëgjue me u fotografue. Tinës veç, ne e pastë marrë kush me aparat; pse për ndryshe, të ka mbetë mbë qafë, me i a pasë përmendë kush punën e fotografísë. Mirë; por çudí javën që shkoi Hasani âshtë fotografue një herë, vetëm; mandej bashkë me Esat Pashën, edhe së mbramit në një grup, bashkë me pjesëtarët e shtetit madhuer. Posë kësaj, i ka çue fjalë një fotografi stit të qytetit, që t’i ruente e t’i mbante gati nja 60 xhama, për me marrë fotografínë e llogorevet e të forcimevet, ndërtue rreth Shkodrës, mbas planit e drejtimit të tij. Llogoret e forcimet e qytetit! Këto, për zemrën e Kryekomandantit janë gjâja ma e çmueshmja e ma shêjta. Përposë ushtarëvet, njeri i gjallë nuk i a ka pá këto strategjí luftarake. Deri më sod s’ka kenë kush burrë me iu avitë. Për ma tepër, as në gojë me i a zanë kush, s’i ka anda. E tash Hasan Beu vetë ka shkue e âshtë fotografue, edhe rri tue u a shpërdá atyne miqve të vet, si kujtim, me kushtesë autografe! Këtê gjâ të vogël njëmend në veti, gjindja e kanë marrë si shenj të sigurtë, kinse Kryekomandanti âshtë në të nisun për dikahë! Mandej, edhe një shenj tjetër. Sod tellalli ka shkue tue shpallë rrugavet kryesore të qytetit një lajm të çuditshëm. Thonte: “Kushdo që ka pasë ndonjë dam e rrezik prej gjylevet a shrapnelavet t’anmikut, ndër njerëz a ndërtesa a në çkado, të gjithë ftohen, që të shkojn me i shkrue në zyren e gjyqit ushtarak.”
Mund të merret me mendë, sa fort u gëzue populli n’ato fjalë: I morën përnjëmend. E shkojshin tue i a bâ rrugës njeni tjetrit:
– Ej, a e ndjeve tellallin?… Shenj i mirë.
– Shenj i mirë; pse?
– Paj, tash, kur thirren ata që kanë pasë dame prej luftet, do me thanë, me u a shpërblye. Me kaq do me thanë edhe, se lufta âshtë kahë mbaron.
– Atëherë, me çka po thue ti, mbas gjaset, Malit të Zí po i tokueka me i lá këto dame!
– Âshtë e dijtunë; po kush tjetër ka për t’i lá? Më thotë mendja, se Hasan Rizaja, kur të vîjë dita, para se me u nisë me shkue në punë të vet, tash po ban listën e damevet; ka me e vulosë edhe ka për ta lanë mbi tavolinën e zyres së prefekturës. Kështuqë malazezët, ta marrmen në dorëzim qytetin, kanë për t’a gjetë atë listë mbë tavolinë!… Posi; mirë ka mendue Hasan Rizaja, me i a diftue anmikut, sa të hîjë mbrendë, damet që i ka bâ qytetit e popullit të pafaj! Ndërkaq por, ushtria e ballit të luftës ban atë punën e vet: Shkojn tue i a hjekë duersh njeni-tjetrit tash një kodër, tash një llogore e tash dý pëllambë vend. Po, por gjasë a shenj mbarimit nuk duket kun. Ushtria anmike rrin tue këqyrë njena-tjetrën. Ushtarët flasin njeni me tjetrin, përshëndeten bashkë dhe shkojn gati tue u miqasue; Kaq afër janë!
Një Gjeneral i Malit të Zí u ka thanë kjartë një ditë ushtarëvet turq:
-Hasan Rizaja i paska ndërtue këto llogore e i paska rregullue për mbrojtjen e qytetit, a s’me kenë një Japonez; edhe âshtë tue qëndrue, përzet, jo ndryshe, por si luâ!
Kur i a kallëzuenë ma vonë Kryekomandantit këtê fjalë t’anmikut, disi i a pat anda, edhe i a bani:
– Po po, mirë paska thanë. Ta kam rrethue Shkodrën e ta kam bâ, a s’me kenë një Port Artur! Sado që s’kam pasë kohë mjaft, më ka dalë me ndërtue llogore të mira, të gjana e të forta aq, sa me shkue në dash edhe më karrocë! Deri ushtarët e të dyja palëvet rrijn tue marrë e tue dhanë shoq me shoq, si t’ishin tashma miq e kumbarë.
Një ushtár malazias i banka zâ një prej ditësh xhandarit të rojes turke, edhe i thanka, si tue qeshë :
– Eja këtu e të rrijm bashkë; pse po t’a qes një kafe me sheqer! Edhe njëmend, s’ishte kjo një nderë e vogël, mbasi kafe kemi endè; por s’kemi sheqer!
E dielle, 12 kallënduer 1913. Gjithçka pikë e gjak!
Një tregtari të madh në pazár i kjénë zanë e marrë 7 arkë me voj gurit, të cilat i kishte mbajtë mëshehë e nuk i kishte diftue me kohë, simbas urdhënit të qeverís. I a morën, po dihet, të gjitha, pa pare, pa pullë. Për ma tepër, e shtienë edhe në burg.
Porsa u përhap lajmi i këtij voj-gurit të gjetun, ngánë gjindja e e rrethuenë bashkín e qytetit, për të lypë secili nga një pikë; kahë dit kishin fi llue me mbetë pa tê. Ka dalë fjala, kinse qeveria ka në depo edhe nja 100 arkë vojit gurit. Po, por këto i ruen për dy mullìjtë e zjarmit, me blue për ushtrí, mbasi ata mullìjtë tjerë të qytetit, për mungesë t’ujit, nuk punojn. N’ato arkët e sekuestrueme që thamë, aty nuk përzihet qeveria; I a ka lanë krejt popullit. Mirë; por kuj me i a vû në zemër ma përpara ato 14 teneqe të shkreta? Për me pasë pjesë n’ato 7 arkë, prap edhe këtu qeveria ka krijue pengime e vû vështirsí. Kështu, kryetar i lagjes apor policia do të lëshojë një dëshmí, për me vërtetue, se blesi përnjëmend ka mbetë pa pikën e vojit gurit. Një grimë dyshim me pasë mbi këto dý qyshke, zakonisht dahet njeri pa gjâ; jó që, çka kjofshin 7 arkë voj gurit së sekuestruem për një popull sa mija vetësh! Mungesa e dritës së natës âshtë njëmend e madhe. Një pikë voj-gurit shkojn gjindja e e ndrojn me çka mund të kenë ma tepër; deri me grunë e me ushqime. Po, pse madje edhe drita âshtë e nevojshme, e pa tê nuk rrihet. Kështu që, hera-herë, sado me kërkue, sado me dhanë, nuk gjindet me u ble pika e vojit të gurit. Mirë, se ata që e kanë endè ndonjë pikë apor mund t’i çelin shteg vetit tue i mshâ pares; por skamnorët e shkretë, lene se s’kanë me se me i blé sendet e nevojshme të jetesës, por as me çka me i ndrue nuk kanë ato sende që lypen medoemos për me rrënue gjallë. E gjithnjë, tue e pá të dhemb në shpírt, gjithatë morí njerit, që ngasin si të dëspruemë njandej kahë mbramja te furrëtari, për me e blé atë racjon të shkretë, me pare në dorë, të cilat Zoti e di, si i a ka bâ me i bashkue. Sa ma vonë që të shkojë, aq ma fort secili vjen e ngushtohet në zemër të vet, kahë dro se po mbarohet buka e mos të dahet pa gjâ. Një natë një grueje së shkretë, mbasi kishte ndênjë kushdi sa orë tue pritë rendin aty para furrëtarit, i rá të fi kët e u rrëzue. Diku tjetër një furrëtari i u dha, – edhe ai s’bani mirë! – me diftue të madhe, se buka tashma ishte he-he tue u mbarue! A e ndjeu a s’e ndjeu populli atë fjalë, pse u lëshuenë si të dëspruemë, më short me mbytë shoqi-shoqin, friket mos me mbetë pa gjâ. N’atë pështjellim një vajze, shtýj shtýj gjithkahë, diçka i rá edhe kësaj. Për krahësh e morën e e larguenë andej, gjallë porsa me frymë. Konsullaten e Italís, dita me ditë e mësýejn një numër i madh shkodranësh, për me lypë ndihmë. Përparandej diçka i dahej popullit, por vetëm ne e merkuere. Tash por, ka shkue puna tue u shpeshtue; një herë grumbulloheshin edhe ne e shtune; tash, edhe ma shpesh gati për ditë. Dit-dit kapet numri i lypsavet deri në 1.000. N’atë grup skamnorësh të bje me pá gjithfarësh; deri grá me jepanxhe a me binish. Shihen aty asish e asosh sidomos, të cilëvet u vjen marre me e shtrî dorën. Nuk kanë lypë kurr në jetën e vet; por tash, ngushtica e madhe i ka çue n’atë shkallë.
– Si âshtë puna jote, morè burrë, i thom një ditë njenit – për ditë të shoh këtu. E pra…
– Çka me kenë, Zotní – m’a priti. – Po desim unit e s’ka tjetër. Mbaruemë me të tana. Urdhënoni e eni, Zotní e shihni, çka hám në familje; Një grimë bukë krundesh, ngjye në një pikë voj e ufullë. Qe, darka e dreka jonë! Edhe, së mbramit nuk kjáj gjithaq për vete e për grue. Ránë fëmija, këta ma këputën shpirtin!
E Ejte, 16 Kallënduer 1913. Barra e grunit, 100 lira të verdha
Mos me u besue! Megjithkëta gjindemi para një fakti autentik!… Kur atë ditë nade u hap zani në qytet, se konsulli i Anglís, Z. Kolë Suma, kaq e kishte blé prej një myslimani shkodran barrën e drithit, të gjithë u prenë. Në të cilën punë nuk di njeri, a me u çuditë ma fort për shkallën e naltë të shtrêjtësís, kulmin, ku ishte kapë n’atë perjudhë ziet buka: Një lirë të verdhë, oka e grunit apor n’anën tjetër me t’u neveritë shpirti i tregtarit, i cili tue pritë ditën ma të ngushtën, rri gati me ta pí gjakun. Kuj s’i theri zemra atë ditë prej së rrethuemësh, kur u përgojue ky skandal? Kush mund të shpresonte, se mund ta blente aq shtrêjtë okën e drithit, edhe po t’ishte gjetë shitësi i urrejtun; i cili, i vërbuem prej shkëlqimit t’arit, tue qitë mbas shpinet shpírt e burrní, nderë e ndërgjegje, shtýhej deri m’atë shkallë? Ngushtica mund të bâjë gjithçka. Kush gjindet keq s’këqyrë, veçse a mund të hasë kun në çka i nevojitet. Prandej, nuk do të na çudisin sod nanat e shkreta t’atëhershme, të cilat, tue lanë te shtëpia fëmijët e njomë tue kjá për bukë, ngasin si të çmenduna, me dupat e arit të fytit te tregtari, veç për me raditë sa për ndonjë ditë një kafshatë bukë për fëmijët e unshëm. A ndihej, se diku kishte dalë me u shitë një gjâ ushqimore? Të gjithë, i madh e i vogël, rrâjshin aty. Të shumtën e herës ishte ndashti një sasí fort e vogël; mos me pasë çka me i a vû në zemër gjithatij mori blesësh. Ndodhte edhe shpesh ndër këso rasash, kahë gjâja qitë në të shitun s’ishte veç një pakicë, prandej pa mbërritë gjindja te qëndra ku shitej, shpërdahej fjala, se kishte mbarue!… Ku jé atbotë idhnimi e disprimi e nama. Si era ngasin gjindja andej e këndej, tue i rá rrugës kryq e tërthuer; sigurisht, për me lypë e me i rá mbrapa kun te ndonjë mik a i njohtun për ndonjë send nevojet së parë. Pse madje, nevoja e madhe të ban; për ndryshe, kuj i shkohet sod me i a zanë derën për këso punësh? Secili ankohet e kján, se âshtë keq për veti. E di mirë, se të gjithë shtýjn sod për nesër; e se, për me ta dá tý atë gjâsend që i lypë, ai do t’i a hjekë vetit e të vetvet; për ndryshe ai s’ka ku merr. E sa për ashtu, âshtë paurtí e mizorí të shkojsh me i a zanë sýt mikut e t’afërmit për këso nderësh, që e di se nuk mund t’i bâjë tý sod, për pa e lanë keq vetin.
Kulmi i ûnit. – Krahasim mes rrethimit të Shkodrës të vjetit 1912-13 me atë të vjetit 1474.
E këtu po na ka anda ta krahasojm kulmin e ûnit të këtij rrethimi me atê të rrethimit të qytetit të vjetit 1474 si e difton shkrimtari i përmendun D. Marin Barleci (këndo Bardheci), një Prift Shkodran, i cili ndodhej aso here i ngujuem bashkë me popull mbrendë në kështjellin e Rozafatit. Në një latinishte elegante shkruen në librin DE OSIDIONE ET EXPUGNATIONE SCODRENSI: « Na qet larg puna posë se ka keq edhe zemra, po deshmë me i diftue këtu, sa ngusht u a çoi atëherë qytetarëvet skami e sidomos uni; aq ma, sa të nxitunë prej nevojet, fi lluenë me hangër deri sendet ma të ndýtat e të neveritshmet. Kështuqë, mbërrijtë me u ushqye deri me mish kalit e me mish qêjsh e mìjsh fushash; edhe me hangër deri zorrët e rropullít a përmbrendëshat e tyne. E lëkurat e këtyne bagtive merrshin e i ziejshin nd’ujë, sa me i zbutë pak, aporse piqshin, tue qitë ndonjë pikë ùfullë, kinse me i goditë. Kam frikë, se nuk kishte me ma zanë besë kush, të dojshem me kallzue, sa shtrêjt u shitte deri një mì sa grima, edhe sa kushtojshin suxhukët e mbùshunë me rropullít a me zorrët e qêjvet. Se ma, s’po e përmendi, sa mbërrini me kushtue atëherë një pikë venë a voj, apor një fi je ùfullë e preme. Vetëm një hurm këso lanjesh shitej aq shtrêjt, sa mos me u xanë besë. Të ngushtuemë të krishtenët prej gjithkësaj zie, sadoqë, si i thonë një fjale, u kishte ardhë shpirti me dalë, prap se prap ishin gati ma parë me vuejtë këto të vështira, këto ngushtica- përse njëmend, a ka gjâ ma të keqe se me të mungue e me i dëshrue po shì njato sendet ma të domosdoshme e ma të nevojëshmet që natyra t’i lypë, edhe këto, sado me pakicë, mos me mujtë me i pasë? – Të ngujuemët kishin qitë edhe e kishin dá me hjekë gjithçka ma parë se me i u shtrue e me hý nën zgjedhën e një anmiku kaq mizor.
Kështuqë, as farë ushqimi së ndýtë që t’u viellte prej vet ature, as furia e tmerrshme e unit, vojtë deri në kulm, as ngushtica e etit të mënishem nuk kjénë të zojat me u a prishë menden këtyne burrave të dheut, për me rá në dorë. Ndërkaq, po mbushej gati vjeti, qëse qyteti ndodhej prej së gjitha anësh i rrethuem.
Llogoret ndër shtëpia.
Për nevojë, secili për vete, shumkush kishte vojtë e goditë diku n’ahër a në ndonjë sobë përdhese, një kinse skutë a llogore të vogël, për t’u strukë mbrendë kohën e bombardimevet të qytetit. Përmbi tavanet e odavet përsipri shtrojshin, kush thasë me dhé, kush denga me lesh, apor dyshekë e jorgana një mbë një, e çmos, veç, mendja e tyne, si me i a thye atë hovin e parë gjyles. E ngitshin gjindja në pikë të vrapit, posaçe porsa ndiejshin tue fi shkullue predhat fl akruese të topit të Boksit, për me u strukë ndën ato mbroje qesharake, gati të sigurtë se aty nuk ishin në rrezik! Të shkretët! Mjaft, të kishin shkue me vrojtë në ndonjë shtëpí s’afërmish, çka mund të bante gjylja ku shkrepte. Aty e kishin pá edhe ata vetë, sa e kotë ishte shpresa, që ata kishin mbështetë përmbi ato mbroje të mbrazta!… T’i kishin pá ata të mjerë, çka pritte me bâ, si i shpartallonte predha e 21-shit sidomos, që gjuente prej Boksit; si i grimconte e i bante fi je-fi je trupat e trenat e dërrasat, si t’kishin kenë shtupa e cokla e kalbsina!… sigurisht që ata nuk do t’ishin rrezikue me hî, me mendë në krye, nën ato podrume a llogore qesharake, tue i a çelë kështu vetit vorrin për së gjallit! Por, u a kishte tretë Zoti, duhet me thanë; u ishte mbushë mendja, se pështimi i tyne ishin ato podrume që kishin ndërtue ata vetë në shtëpí. Prej plumbavet të mitralozavet, e vërtetë, diçka mund t’ishin të mbrojtun; por, prej predhavet të topavet të kalibrit të madh?… Kështu, p.sh. gjylja bombarduese shkrepi përmbi shtëpínë e një farë Gjaçinto Simini, italjan me fi s e mësues ndër shkollat italjane të Shkodrës. Shtëpínë, âshtë e dijtunë, e trandi e e bani zhubul që prej themelit. Por tmerri që u hini familjevet për rreth në rrugën e Gurazezvet e të Gurakuqvet kje fort e madhe. Mos me u zanë besë! U hetuenë n’atë rasë të kobshme, aty-këtu ndër banesat për çark, në largësí deri 40, 50 a ma shumë metrash copat e trupit të viktimavet, krahë e kambë e rrashta njerëzish, shpërdá m’atë hov nëpër oborr e kopshtije të lagjevet rreth e për çark.
Rrugavet të qytetit.
Prej unit e prej së hjekunit keq janë ligshtue gjindja e bâ… me i kapë për hundet, u del shpirti! Thithë e terë në fëtyrë, shkojn rrugës tue u marrë kambësh. Ma e shumta ecin rranzë murit; sigurisht, për me pasë ku me u mbajtë në rasën se s’munden ma. As me u ndalë, nuk ndalen ma rrugës, me kuvendë shoq me shoq, si përpara. Miq pra, t’afërm pra, të njòhtunë e shokë; por qe, nuk u bje në mendë me shtrue kuvend rrugës kahë kalojn. Çán shpejt e shpejt secili për aty ku ka punë. Shum-shum, një përshëndetje sa me thanë, tue ulë kryet. Kaq vetëm, kahë s’i bâhet kuj sod me u ndalë, zhytë secili ndër ato mendimet e kujdeset e mjerimet e veta. Mandej e dijn edhe, se shoqi nuk e ka një fjalë të mirë me i a thanë. Të zeza veç, ankime e váj; kësosh, nuk ka tjetër. Prandej, pse me shkue tue mbledhë e tue grumbullue edhe të këqiat e tjerëvet, si mos me pasë mjaft ato të vetat? Veç ngushtica e madhe; pse, për ndryshe nuk âshtë urtí të shihet këso ditësh të zeza ndokush, shuma e atyne të shkretëve, që do të kthejshin te shtëpia me duer thatë, si kishin ardhë! Ndodhte kajherë edhe, që dikush mbytte një lopë edhe u çonte fjalë miqvet e t’afërmvet, se e kishte, për me e shitë; mbasi ai për vete s’kishte si me e ndalë krejt; Ku, pse dronte se po e paditë kush e po i a merr qeveria pa faleminderës; ku edhe, pse kishte frikë, mos t’i prishej, mbasi që as krypë sa i lypej për me e bâ pastërm, nuk kishte ku me e marrë. Gjithë puna do të bâhej shpejt e shpejt. Mbrenda një ore a aty pari, prehej bagtia, peshohej e shpërdahej si tinëz ndërmjet blesëvet; gjithmonë por, me rrezik se po të diktojn: Si me i a pasë vjedhë kuj!
Kërtollat!
Sa për punën e asaj huaje së luftës, qi thámë se Hasan Rizaja lypi prej qytetarëvet, megjithëse disa u shpupurishnë e fi lluenë me i bâ fjalë, fundi por, të tanëve iu desh me e pague. Diku me të mirë, diku me të keq, shkuenë e i çuenë në zyren e prefekturës shumën e atyne liravet turkut, që komisjoni u a kishte shenjue me lá. Ndër duqane tashma nuk gjên njeri kurrgjâ, të thuesh, çka me blé. Mungojn sendet ma të parat e ma të nevojshmet për rrënesë. Ka hupë sheqeri, ka hupë kafja, ka hupë voji. Se me barishte e kësosh s’i gjên kun një fi je për farë. Ndonjë krye laknet kajherë në të rrallë, këta të bje me e pá; por mbajtë sa s’thotë Zoti! As kërtolla nuk të sheh kun syni me blé, me dhanë sa të duesh. Tashti Z. Kryekomandanti i operacjonit, Hasan Rizaja, si thámë, ka krye këndimet në Gjermaní. Atje ka kenë mësue e s’mund të rrijë pa hangër kërtolla, nemose ndonjëherë në të rrallë. I a do goja; por s’ka ku i merr. Për këtê mungesë shpesh ankohet me kuzhinjerin e vet. Edhe ky kuzhinjeri i Hasan Beut s’ka lanë vend pa kërkue, për me i a gjetë do patate Zotnísë; por kurrkun s’âshtë kenë i zoti me hasë më to. Një ditë vojt te Hotel “Europa”. Këtu i a hante mendja, se sigurisht do të kishte gjetë një pakicë, nemose sa për një hae kërtolla. I zoti i hotelit, një Austriak, e vërtetë, diku i kishte edhe do kërtolla; por pak, fort pak, me të zi sa për veti. Prandej, me fjalë po; por fundi, e nisi pa gjâ kuzhinjerin e Hasanit. I rá në vesh Kryekomandanti se, me dashë, mund të gjindeshin do kërtolla, sa me hjekë mallin e tyne. I a çoi te dera hoteljerit në fjalë, jo kuzhinjerin e vet, por shì adjutantin e vet. Oficjeri një ditë nade i vojt hoteljerit në shtëpí edhe i lypi një hae kërtolla për Hasan Rizán. Për me i a xjerrë ma me mjeshtrí atë pjatë kërtollash, i qiti shkakun, se i duheshin, për me goditë një llapë ase një bar për varrë. Edhe kështu Hasan Beu atë natë pati fatin me pasë për darkë një çiní kërtolla; edhe, sa për një herë, e hoq mallin me to! Ndërkaq, u hap zani, se shì atë mbrame në Parrucë kishte dekë unit një mysliman!
E hane, kallënduer 1913. Kanë nisë me ardhë prap miq në Shkodër
Ky, qi thámë se ka dekë prej unit në Parrucë, nuk ka kenë i vendit, por një asish së ardhunësh prej rrethesh, i cili, marrë e keqja atje në katundin e vet, ka ngá e âshtë strukë këtu në qytet, kinse me gjetë shpëtim. E, si ky fatzí, ké, të thuesh, me qinda e me mija, që kanë ardhë e janë grumbullue këtu në Shkodër, tue i a bâ këso dore vetit e qytetasvet rrënesën edhe ma të vështirë. Pjesa myslimane zanë vend, kush ma fort andej kahë Bërdica, kush rreth kodravet të Tepes. Me njatë piç së hollash, ase me njatë strajcë të vogël miellit, që kanë mujtë me marrë me vete tue ikë diçka tash shtýjn edhe ndonjë ditë, njashtu ndihmo Zot, hangër e pa hangër. Por mandej, kur t’u mbarohet edhe ata që kanë marrë me vete, do t’i shtrohen fatit të zí, me dekë unit, njashtu si thámë, se i a bani ai katundari në Parrucë. Qeveria, e cila nuk i ka rá fort veshit e s’ka çá kryet për këta qyqarë, viktimat e shplakës s’ûsë, ka çue me i thirrë nja 100 kësish në Bashkí, u ka dá secilit nga një biljetë, me të cilën dorë kanë tagër me marrë disa kile grunë, që mund të shkojn mandej me i blue diku në një mullì të caktuem. U erdhi fryma të shkretëvet një herë; por as kjo s’kje gjâ. Ata atë grimë njëmend u a dhánë, por ai grunë kishte kenë i mykun, kishte fi llue me marrë erë. Prej lagshtinet, drithët kishte fi llue me bîjtë. Furrat e qytetit ndërkaq një mbas një dita me ditë shkojn tue u mbyllë; s’ka ma miell!… Ngasin në Bashkí, ankohen për këtê mungesë. U premtojn, u thonë të duken ditën mbas, por njashtu se njashtu edhe ne e nesret i përcjellin pa gjâ; me premtime veç, e me fjalë të mira. Ndër rrethe t’ushtarëvet, posaçe ndër ata të rekrutavet t’Esat Pashës, ka nisë dita me ditë me u shtue tharmi i mërzís e i pakënaqsís: Duen me u kthye tashma ndër shtëpia të veta, një orë e ma parë. Mun ka dalë zani, se andej kahë Bërdica një kompaní kësish bashibuzukësh, po nja 300 vetë, mbramë, për mot të lig, kanë lanë llogoret, kanë lëshue pritat, që u kjénë shenjue prej komandet me i ruejtë, edhe kanë ikë! Oficjerët të gjithë janë kapë e janë shtie në burg për punë të tyne. Por, me gjithkëta, akti në veti i ka pështjellue e i ka qitë në mendim të gjithë tjerët. Ka bâ përshtypje të madhe përgjithësisht në mbarë ushtrín, posaçe ndër redifë. Në këtê turbullim, që mund të mbarojë keq, Hasan Rizaja i a ka gjetë: Merr e u dán secilit ushtár nga një mixhíd të bardhë për krye. Edhe kështu e fashitë e e zhdavaritë atë pakënaqësí ushtarësh, nemose sa për një herë!
E dielle, 26 kallënduer 1913. Një grimë dritë në gjithkëte terr
Se si, nuk dihet; por këso ditësh ka hý në qytet një numër fletorjet italjane e datës 3 të këtij mueji. Një numër fletorjet për gjysmë e shkyeme; por ku mund të këndohej kjartë lajmi, se Austria kinse i paska çue urdhën Malit të Zí, mos me hý në Shkodër. Kështu po e prallojnë. Por, përposë njatij që e ka në dorë atë numër gazetet; kush tjetër nuk di gjâ të sigurtë n’atë punë. I kanë dhanë, thonë, pronarit një napoljon ár, për me e pasë në dorë atë numër fl etorjet, edhe me i a mbajtë, jo ma tepër se 20 minuta; d.m.th. nga një frang ár për minut. S’ka ma mirë se i a kanë pague; por i zoti, prej friket, nuk i a ka dorzue njerit të gjallë…. Prap sod u mbyllën edhe dý furra tjera; pse s’patën ma miell. Mbretnon tashma në fund e në krye të qytetit skami e zia e bukës. Qeveria ata thasët e vet, nuk i lëshon, pse e ka menden gjithmonë te një qëndresë e gjatë. Disprimi i popullit ka mbërrijtë tashma në kulm. Konsullit t’Italísë sidomos s’i a lëshojn lypsat derën. Gjithëfarë lypsash. Ndër ta edhe asish që kanë marre me e shtrî dorën e me lypë në rrugë të madhe apor edhe asish, të cilëvet s’u duket gjâ ajo ndihmë e vogël, që u dán të gjithëve kavazi te dera. Shumica janë grá. Shkruejnë edhe letra lutjet, kush shqip, kush italisht apor edhe serbisht. Njena b.f. ankohet, se gjindet fort ngusht, pse nuk ka kush i bje mbrapa. Por, sa për një shteg, kishin me i mjaftue nja 3 a 4 frang. “Më ndihmoni, Z. Konsull; Ju paça rá në dorë. Posë Zotit në qiell, s’ka kush më vjen në ndihmë! Po Ju lus, jo ndryshe, por si Zotin e tokës, mos të më përciellni pa gjâ. Gjindem s’ka ma keq!” Një grue tjetrë, nana e 4 fëmijëvet, i shkruen: “Për në kjoftë, se Ju jeni babë fëmijësh, mund ta merrni me mendë vetë, sa keq ka zemra e një nane së shkretë, kur fëmija i lypin bukë, edhe ajo e mjera s’ka çka u jep!”. Prap, një grue e ré i shkruen : “Kurr s’e dij veten ma ngusht. Jam një grue e ndershme, edhe s’më ban zemra kurr me e shitë shpirtin e nderën, për një kafshatë bukë. Ju lutem, ngjitmani dorën me ndonjë send, për në dashi me më pá të shpëtueme dhe jo të shnderueme për bukë të gojës!” Ajo tjetra i a ban shkurt : “Z. Konsull, gjindem s’ka ma zí. Jam kahë des unit. Mos dashi me më pá tue dhanë shpírt, mue bashkë me fëmijë, atëherë pra, ngjitmani dorën me ndonjë send!” Mandej ajo tjetra qet kushtrimin tue thanë: “Z. Konsull, gjindem s’ka ma keq. Më shpëtoni prej deket e prej turpit. Se të jém gjallë, kurr s’kam për të Ju a harrue. Kam me Ju urue e kam me Ju bekue gjithmonë; edhe lutjet e mia para të Naltit Zot kanë për të Ju marrë mbrapa kudo që të gjindeni!” Ndoshta, mund të thotë njeri, se ndër kësosh frazesh dërmuese i a kanë teprue lypsat, për me i a prekë bamirsit zemrën ma fort. E vërtetë; por jo, jo. Si janë punët sod për sod, mund t’u besohet atyne shkresave. Ato grá të shkreta, edhe në paçin shtue e smadhue gjâ, prap nuk i janë largue aq fort së vërtetës e realitetit.
Edhe ne e paçin kalue pak masën, tue e prû gjêjen familjare tepër tragjike, nuk u a merr kush për të keq e ndoshta i falë Zoti.
E prende, 31 kallënduer 1912. Vrasja e shemtueme e Hasan Rizás!
Pa pritë, pa kujtue u hap mbramë lajmi, se kanë vrá Kryekomandantin e operacjonit, Hasan Rizá Pashën. Përshtypje s’ka ma të madhe ka bâ në popull e n’ushtrí ky lajm. Dikuj-dikuj i âshtë dhimbë fort. Shumica ka rá në mendim kahë s’dijn, si do të bâhet puna e luftës mbas tashit. Ka madje edhe asish, që e mendojn punën e luftës ndryshe. Shkojn tue thanë: “Ndoshta, tash ka me kenë edhe ma mirë. Kushedi çka tash po ban Zoti!” Gjithkuj gati i a ka pasë marrë mendja, se Hasan Beu do t’ishte i pari që do t’a merrte barashkën. Kishin para sýsh, ku e kishte çue qytetin: Në grykë të vorrit! Hasanit i ishte dashë me e drashtë këtê ditë. I ishte dashë me e parapá. Po, por i ka besue tepër vetit. Edhe njëmend, ai kje vrá po shì njatëherë, kur s’pranoi ngjat vetit as roje as shokë. Mbramë Hasani i shuem hangri darkë te Esat Pasha. Dy Kryekomandarët i kishin shtëpiat vis à vis, këtu e njaty. Fíll mbas buket Hasan Rizaja, ku nja dý orë para mjesnatet, u çue e muer me u kthye në shtëpí të vet. Esati desh me i dhanë me vete nja 5 a 6 ushtarë, me e përcjellë, por ai nuk i pranoi. -E po mirë, pra; – i tha Esati – atëherë, mbasi Ju s’po i pranoni, unë po Ju jap me veti një ofi cjer, Adjutantin tem. Hasani, mbasi u fal me Esatin, u ul poshtë e duel në rrugë krah për krah me ofi cjerin e rí. Nata, prej motit së vrantë, ishte e terrshme, mos me pá, me t’i shtie gishtat në sý. Kandil e gjâ nuk shihej kun, pse qeveria këqyrë me e kursye vojin e gurit dhe e ruen vetëm për me blue dy mullìjt e qytetit.
Mbërrijtë gati te dera e palacinës, Hasani u suell e i u fal nderës ofi cjerit, që e kishte përcjellë, tue i thanë:
– Tash mund të ktheheni; pse, qe tek jam në shtëpí. Nuk i kishte bâ ma se tre hapa, mbasi u dá nga Adjutanti i Esatit, kur, pa pritë, pa kujtue, po i dalin para tre burra, si trí hije.
Hasani n’atë terr nuk mund t’i njohti; veç u tha:
-Kush jeni ju? Kahë jeni nisë me shkue? Ata tre nuk i përgjegjën kurrsi. As Hasan Rizaja nuk u çudit aspak për këte punë.
Tha vetë me vete: “Kushedi, do të jenë shqiptarë a grek prej krahinës së Jugut!” Edhe çau përtej; por, sa i dolën këta tre të panjohtunë mbas shpinet, u ndienë trí të shtieme pushket. U rrëxue e rá mbë tokë Hasani i shkretë. N’atë ndërkohë i vrami diçka e foli një fjalë; por, s’di kush gjâ me kallëxue, çka tha. Tue kenë terr, n’atë pështjellim dorëvrasët ikën e u zhdukën. Të varruemin në të shpejtë e kapën e e çuenë në shtëpí të vet. Trí pushkë kishin qitë mbë tê. Ato të parat, njena i kishte rá shpatullës, e tue i përshkue dý brîj, i a kishte shporue mushkënín. Ajo tjetra i kishte rá n’ijë e në bark. Varra e parë ishte e randë; por këjo e dyta ishte fort ma e rrezikshme. Kirurgët ta vizituemen, thánë, se nuk kishte shpëtim. Çdo provë a operacjon, që mund të bâhej në tê, nuk do t’i kishte vleftë për tjetër pacjentit, tashma në fíll të mordës, veçse me i a shtue dhimbat edhe ma zí. E njashtu njëmend ndodhi. I plagosuni qëndroi gjallë kun nja 5 orë. Në 2 mbas mjesnatet mbaroi për këtê jetë. Kur kje gati ndër ato të grahmet e fundit, si e pau veten se nuk e kishte të gjatë, solli sýt për rreth edhe me buzën në gaz, bani kinse po i përshëndetë me dorë ofi cjerët, të cilët, të mjeruemë, i a kishin rrethue shtratin. U mundue, njashtu si mujt, me u falë nderës për sa ata kishin bâ bashkë me tê, për mbrojtjen e qytetit. Mandej, tue e dá ndër të pranishëm Esat Pashën, i bani shêj, t’avitej një grimë. Këtij, me një fi je zanit, i tha: “Familjen po ta porosis, mos ma qit në harresë. E djalin sidomos, këtê po ta lâ me m’i rá mbrapa. Edhe Ju lutem, kur të m’i çoni lajmin se kam dekë, mos i diftoni, se më kanë vrá tradhtisht; por thoni, se kam mbetë në báll të luftës. Ndoshta, kur të marrin vesht, se kam dekë kështu, nuk kanë me më kjá aqë fort!”.
I tha këto fjalë; edhe prap diçka u duk se desh me thanë, por erdh tue u ligshtue. Së mbramit, sjellë kahë ofi cjerët:
-Betonju, – u tha – këtu përpara meje, se do t’i delni zot atdheut, e se s’do ta lëshoni, pa derdhë ma të mbramen pikë gjakut. Të gjithë oficjerët atëherë, qiri në kambë, mbasi u betuenë para si, vû dorën e djathtë në báll, i u përshëndetnë përmallshëm e përvajshëm Kryekomandantit të vet të dashun, i cili ishte tue u dá për gjithmonë prej sish. Atëherë edhe Hasan Rizaja nuk foli tjetër. Mbylli gojën, si ai që nuk ka ma çka me thanë; ndenjë sa grima buzëqeshët, deri që hija e dekës i a hoq për gjithmonë atë fije jetet, që kishte mbetë endè mbi fëtyrën e qetë të tij.
Vrasja misterjoze e Hasan Rizás në shtypin e qeverís turke.
Marrim dhe e botojm tekstualisht këtu çka boton: “Ishkodra Mudafeasi”2 (Mbrojtja e Shkodrës). – Blê II, faqe 351. Shkruen: “Hasan Riza beu, kohën e rrethimit ishte instalue në zonën ushtarake të Kirit; nga lindja, për fund të kodravet të Bardhanjorëvet. Aty kryekomandanti kishte barakën e vet. Ai donte të gjindej, gjithmonë afër zhvillimit të luftimevet edhe në vendin ma delikat të situatës. Me datën 27 kallënduer 1913, tue kenë se atij i ishte prishë stomaku, për me bâ një grimë pushim, kthei në rezidencën e vet që e kishte në Fushë të Çelës. Ndër këto dit pushimit ai bluente me mende të vet formimin e një kryengritjeje nga banorët e rrethevet katolike kundra anmiqvet sllavë që e kishin rrethue.
2 Libri historik kje botue në Stambollë vjetin 1933 nga dy Gjeneralat, që ndodheshin kohën e rrethimit: Gjeneral (Ferikë) Abdurraman Nafi z e Gjon (Mirliva) Kiramettin. Si njeni si tjetri këta dy Gjenerala atëherë kishin gradat ushtarake, kapitana të parë. Ishin për ma tepër ndër kryetarët e shtatmadhorís.
Hasan Riza Beu e parashikonte rrezikun e fitimit të serbomalazezvet edhe pasojat fatale, që do të ndodhshin për vendin tânë. Shqiptarët myslimanë ai i kishte në dorë. Tashti, tue kenë se katolikët e rrethevet ishin bashkue në fillim me anmiqtë, prandej, tash ishte një punë e nevojshme, e fort me randësi, që t’u shkoqëshin këta nga malazezët, e që të çoheshin peshë. Në këte kuptim e për këte qëllim e kishte edhe Esat Pashën prej vetit. Hasan Riza Beu, në takim me disa të parë intelektualë katolikë, këtyne ia kishte shprehë kjartë rrezikun e madh, që do të kishte pasë mbarë Shqipnia, po të kishte fi tue luftën sllavi. “Qeveria Otomane, – u thonte Rizaja, – kështu e këndej, çdo sakrifi cë âshtë tue e bâ për dobí të Shqipnís!”. Kleri katolik, tue kenë të bindunë fjalëvet të Rizá Beut, filluenë të punojn n’atë drejtim. Arqipeshkvi i Shkodrës, para se t’i a hinte punës zyrtarisht, n’êmën të Shqipnís kërkonte sigurime personale prej Hasan Beut. Për një marrëveshtje t’atillë ishte edhe dëshiri i austriakëvet. Ndër kondita tjera që i vente Hasan Rizás Arqipeshkvi, ishte kjo: të piqeshin një herë bashkë edhe të studjoheshin planet e mënyrën e veprimevet të kryengritjes.” Në këte rasë do t’i jepej një sigurim popullit, se qeveria otomane ishte tue punue kështu për të mirën e dobín e Shqipnís; edhe si shenj dokumentár, Kryekomandanti do të ngrehte fl amurin e Shqipnís në kështjellin e vjetër të Rozafatit, nën fl amurin e Turkís. Hasan Riza Beu i pranonte këto propozime t’Argjipeshkvit, me të vetmin kusht, që malsorët katolikë shqiptarë të rrokshin armët kundra serbo-malazezësh. Detajet e veprimevet u lánë me u bisedue për një ditë tjetër në mjedis së kryekomandantit e të delegatit t’Argjipeshkvit. Ky përfaqesues i Argjipeshkvit ishte një ndër kryetarë Françeskaj (Gjergj Fishta). Takimi do të bâhej në një barakë të veçantë ndër kodrat e Dervish Tepes, mbasi ishte vendi ma i përshtatshëm për këso bisedimesh. Me 30 kallënduer pra, 1913, ditën e ejte, n’orën 15.30 do të vinte i naltpërmenduni përfaqesuesi i Françeskanëvet, P. Gjergj Fishta, në shtëpínë e Esat Pashës. Mendimi i Hasan Riza beut ishte, që kryengritja kundra serbvet të fi llonte në jugun e Zadrimës, në katundin e Nenshatit, simbas instrukcjonevet të dërgueme prej si nga Shkodra. Mirë; por Hasan Riza Beu, tue bâ inspekcjone ndër pozicjonet e ndryshme ushtarake të frontit, u vonue do; edhe atë mbrame kthei në shtëpí pak mbas kohet së caktueme. Ndërkaq, i a arrijti adjutanti i Esat Pashës, nëntogeri Mesud Efendia në shtëpínë e Hasan Rizá Beut, edhe i tha, se kryekleriku (P. Fishta) e kishte pritë në shtëpí t’Esat Pashës. Edhe tash Pasha e kishte çue me e pyetë kryekomandantin, a do të vinte ai. Esati, bashkë me Fratin, në shtëpí të tij, të Hasan Rizás; apor do t’i pritte ai atje në shtëpí të vet. N’ato fjalë Hasan Riza Beu u çue në kambë edhe i tha Kap. Abdurrahman Nafizit, se atëherë do të delte, e mbas një ore do të kthente. Edhe njëmend, bashkë me Mesud Ef. u nisën, për në konakun e Esat Pashës, i cili ishte, shum me thanë, nja 150 metra larg. Hasan Riza Beu nuk e kishte zakon të dali vetem prej shtëpiet. Për kundra ai atë natë doli, pa i bâ me dijtë as adjutantit të vet, as tjerëvet, që ishin katin e poshtëm të shtëpísë. Ndërshej dy shtëpiavet të kryekomandarëvet ishte një shesh mjaft i madh. Para derës s’oborrit të Rizá Beut qëndronte në roje një ushtár nga rezervistat shqiptarë. Riza Beu mbante gjithmonë njenin kësish rezervistash me qëllim që mos t’i paksonte ushtarët aktivë nga rradhet e luftarëvet të frontit. Ishte pikërisht ora 18.45 kur Hasan Riza Beu duel prej shtëpiet s’Esat Pashë Toptanit. Në mjes së dý banesave krisën dý pushkë, si fl akë për fl akë. Fíll mbas, s’kaloi shum, u ndie edhe një e shtieme pushket tjetër. Ata që ishin në shtëpínë e Hasan Rizás, ndie krismen, menjëherë dolën jashtë, edhe pa tjetër mësyen kahë shtëpia e Esatit. Nata ishte tepër e errtë. Nga mungesa e dritavet të rrugës, ishte e pamundun me pá njeni-tjetrin. Ma në fund, mbasi shkuenë tue takue, Hasan Beu u gjet i plagosun, shtrîe për dhé, në kokërr të shpinës, dorën në revolver, të cilin e kishte pasë xjerrë prej kllefit, por nuk kishte pasë fuqí t’i jepte gishtit. Mejherë e bartën e e çuen në shtëpí, edhe pa vonesë i a fi lluenë kurat nga ana e mjekëvet kirurgë. Hasan Pasha, ma të parën fjalë, tha: “Tue ardhë rrugës, më dolën përpara tre vetë, të cilët unë, prej territ të fortë, nuk mund t’i njohta. Mbasi më kaluen fort afër, e më këqyerën një herë mirë në fëtyrë, njeni sish më gjou dý heresh rresht; mbasi rashë më gjûj, më gjou edhe një herë. Ai i treti nuk qiti. Mandej, se kahë ikën, nuk dij gjâ, pse s’i pashë!”. I varruemi mënjë mundohej me u a mbajtë nalt moralin shokëvet të vet; me gjithë dhimbat që kishte në shtat dhe shqetsimin e madh që kishte në zemër, gjithnjë bante gaz me shokë ofi cjera, të plagosunë në luftë ma parë. Mbas një cope i a behi për vizitë Esat Toptani. Porsa e pau Riza Beu Esat Pashën i tha: “Urdhëno, Pasha Hazretleri!” – Edhe menjëherë bani shêj, t’i bijshin kafen. Esati nuk ndenjë shum, edhe u çue me dalë. Nësa ishte tue kalue nëpër salon, një major, nga ata që ndodheshin aty, i a nisi me i folë me zâ të naltë e me u hangër me Esatin për shkak të kësaj vrasjeje. Porsa e mori vesht Hasan Beu këtê grindje, u çoi fjalë: “Detyra e secilit ushtár âshtë sod për sod me mendue për nderën e dinjëtetin e ushtrís. Sa për personin tem, nuk duhet të bâhet fjalë. Unë, në deksha, do të kthej te Zoti; në shpëtofsha, kam për të shkue me báll hapët nëpër popull!” Alush Lohes nga Shkodra, i cili kishte ardhë me e vizitue, mbasi e kishte mik të shtrêjtë, i tha: « Alush Aga. Kështu e paçë fat. Ti këtê gjak mos e len!”. Hasan Rizá Beu pat marrë dý plagë. Ai diq, pa njohtue, kush do t’i a zente vendin. N’orën 2 mbas mjesnatet dha shpírt. Me datën 30 kallënduer, simbas propozimit të Ministrit të Luftës së Mbretnís Otomane, Hasan Rizaja u dekorue Gjeneral brigadet (Mirliva). Titulli Pashë i u dha, si u muer vesht, mbas dekës së tij. Libri që kemi në dorë, në faqe 357, ndër tjera shkruen: “Deri që kemi dalë prej Shkodret, opinjoni publik i përgjithshëm ishte, se Esat Pasha kishte shtie me e vrá me dorë t’Osman Balit e të një të quejtuni Teufik.” Po ai libër në faqen 366, mbi sa i përket përgjegjësísë së dëtyrës, shkruen: “Për tê (Hasan Rizá Beun) jeta nuk kishte kurrfarë randsiet.” “Në luftën e Myselimit, që u bâ me 29 tetuer 1912, për me kontrollue ma mirë lamën e luftës edhe për me e ba edhe ma të gjallë e të zjarrtë, duel vetë personalisht në maje të kodrës; ai vetë muer në dorë drejtimin e artilerís kundra anmikut…” Hasan Riza Pasha, përsa i përket fatit të fortesës së Shkodrës, ishte kësi mendimi. D.m.th. se ai do të kishte dhanë n’atë rasë këte vendim: “10 dit para se të mbarojë ushqimi, ato 3 ditët e mbrame, t’u jepej ushtarëvet racjon i plotë; ta ngopin barkun mirë!… Të katërten ditë do të niseshin ushtarët e do të merrshin rrugën, që âshtë ndërmjet Taraboshit e Buenës. Tue marrë drejtimin për në Tivár, me mësýe limanin e Spiçit, që âshtë 60 km. prej Shkodret. S’andejmit me u shtýe deri në kufí t’Austrís. Kështu, tue e mbështetë shpinën në kufi nin e kësaj mbretnie, me zanë vend në tokën e Malit të Zí, ku do të formohej një front i rí i luftës. Për fund, shtonte Hasan Riza Pasha, – kur të na mbarojë krejt ushqimi, kemi me u hjedhë në tokën e Austrís!”. Mandej, në faqen 372 auktorët e librit të naltpërmendun shkruejn: “Për Esat Pashë Toptanin kishte mbarue çdo shpresë, kur muer fuqín në dorë Partia “Bashkim e Përparim”, e cila partí e urrente fort Esatin; kurse një simpatí të veçantë për Hasan Rizá Pashën, e në vend që me kenë anmiqtë kryesorë të tij, një nga kryetarët e klerit katolik pat thanë tekstuelisht këto fjalë: “Kish t’a lejonte qeveria otomane e ta bâjshin Hasan Rizá Pashën Princ të Shqipnís!”. Tashti Esat Pasha e kishte menden me u bâ vetë sundues i Shqipnís. Edhe, për me i a arrijtë këtij qëllimi, ky mendonte, të vente sa ma parë një amnistí me serbo-malazezët. Mirë; por, deri sa t’ishte gjallë Hasan Rizaja, ai (Esati) nuk mund ta bante një marrëveshje me anmiq. Prandej e kishte vendosë me e zhdukë ma parë Hasan Rizá Pashën, për me e zotnue situatën simbas dëshirit të vet.
Komentet