Kur harbonin kjoskat gjithandej dhe firmat piramidale ishin frymëzimi kryesor i ekonomisë një, pasdite duke kaluar urën mbi Lanë për të dalë te parku” Rinia” së bashku me mikun tim, publiçistin Ndue Malaj ndër të tjera i kam thënë: “Shqipëria do të futet në një gjendje tjetër, tepër të rëndë, pasi kjo valle e harbuar në marrëzi e ka një fund, dhe do ta ketë të dhimbshëm”. Kanë kaluar dy dekada dhe miku im Malaj ma kujtoi sot dhe kjo më nxiti t’i shkruaj këto radhë që vijojnë:
Në vitin 2005 Partia Socialiste kaloi në opozitë, pasi në 8 vite kishte ushtruar gjithë vjedhjen e mundshme përmes korrupsionit në tatime, dogana, OSHE dhe kudo ku mund të buronin përfitime përmes ushtrimit të qeverisjes e ndikimit të saj në të gjitha nivelet duke vendosur drejtues, të cilët në jetën e përditshme, nëse nuk do të shfaqeshin përmes partisë e klaneve, pak prej emrave të tyre do ishin bërë publik. Si humbën të tejngopur, dorëzuan qëverinë te simotra e tyre P D, e cila kishte premtue në fushatë se do dërgonte përpara drejtësisë këtë lukuni hajdutësh. Në fakt kjo nuk ndodhi, dhe jo nga vështërsia për t’i zbuluar vjedhjet e tyre, por kjo ishte formula e binjakeve, që ndërkohë ishin bërë edhe me një motër të vogël, por me uri të madhe LSI. Ndërsa qeveria e Patisë Demokratike, si ndërmori disa reforma fillimisht, erdhi duke u korruptuarr dhe duke futur në pjesë edhe LSI-në gara e zhytjes në korrupsion u bë më e egër, sa gjallonte paniku, si te hajdutët dhe te ata që përpiqeshin të merrnin një pagë në administrate pa u përzier në fëlliqësitë e tyre. Të gjithë ishin në lebeti e në makth duke u përpjekur t’ju ruheshin rreziqeve që mund t’u dilnin papritur nga lufta e etur e klanëve për para. Kryehajdutët në pozicione të ndryshme drejtimi vidhnin veç e veç dhe në bashkpunim, dhe dërgonin pjesën diku më lart te eprorët e tyre. Ndërsa ata që mbijetonin jashtë skemës korruptive, ishin edhe më të friksuar mos e pësonin në betëjen e çakejve, çka ishin kthyer në përsonazhe me gjendje të përzishme, të shkitshme, diçka si të endeshe nëpër ” Vjeshta e Gjeladin Beut” të Kutelit, te “Qorrfermani” dhe “Pallati i Ëndërrave” të Kadaresë, dhe “Metamorfoza” e “Procesi” të Franc Kafkës. Ndërthurja e gjendjeve të këtyre veprave, të kësaj trinie shkrimtarësh të mëdhenjë, përjetohej në qeverisjen dhe administratën e një vendi kaq të vogël?!
Edi Rama erdhi si kryeministër në 2013 duke propoganduar se po fillon një epoke të re, duke u ndarë përgjithmonë me këtë periudhë të marrëzishme. Pas 15 vitesh përvoje, nga Ministër Kulture, Kryetar Bashkie dhe vite si Kryetar i PS në opozitë, që po të merret në plan pozitiv, një kohë e bollshme për ta pëfitue mjeshtrinë e drejtimit dhe administrimit normal në krye të qeverisë dhe për të marrë në analizë dhe dalë në konluzione të pjekura për të shmangë faktorët që kishin shkaktuar në vazhdimsi për 23 vite dështime të herë pas hershme nga qeveritë parardhëse të majta e të djathta, duke zhytur e mbajtur Shqipërinë në kthetrat e korrupsionit dhe të ganstëreve që pollën nga skutat e errta, duke përzenë apo shmangur herë pas here intelektualët dinjitozë që kontribonin në strukturat e partive apo jashtë tyre dhe profesionistët më të zotë të të gjitha fushave që mund t’i prinin vendit mbështetur mbi një strategji të studjuar e përpunuar mirë për të futur institucionet ,shtetin dhe ekonominë në rrugën e qëndrueshme të përparimit dhe për t’i dhënë fytyrën e qartë një shteti që funksionon mbi parimet e vërteta demokratike. Po, a mund të pritej kjo ndarje nga korrupsioni me ardhjen e Rilindjes?! Edi Rama më parë se të vinte kryeministër, duke sunduar në krye të bashkisë, i kishte shërbyer zezonës me përkushtim duke hequr kjoskat që kishin ndotur Tiranën dhe duke mbjellur beton. Dihet se qysh herët në bashki e komuna ishte instalue vjedhja në mbarë Shqipërinë dhe Bashkia e Tiranës ishte kryetarja, natyrisht me bekimin e “parisë qëndrore ” kryeministrore, sepse në Tiranë do të kafshonin të gjithë majtas e djathtas, thue Tirana të jetë krijue vetëm për t’i dhënë frymë Tiranisë së parisë mbi shqiptarët, qysh me krijimin e shtetit shqiptar duke përzënë dhe eleminue disa nga mendjet me të ndritura të kombit, qysh heret dhe si mbërriti -44, diktatura komuniste e pozicionoi shqipërinë prerazi në lindje. Partia, më e ashpra e përendorise komuniste, fshiu nga faqja e dheut krejtësisht elitën shqiptare; duke mbërritur te pasnëntëdhjeta demokrato- socialiste, leseiste ku shqiptarët mbi rrënojat e diktaturës erdhën sërish duke humbur shpresat çdo vit e më shumë dhe pjesa që besonte te liria dhe qëndronte me kurajo pa u futur në vallen tyre, me kohën të tejlodhur ose largoheshin nga atdheu, ose të humbur ulnin kokën për të mbijetuar.
Edi Rama e kishte gjetur kalin gati nga familja e tij e hershme politike dhe besonte se ishte talenti madh dhe duhej të bëhej patjetër edhe udhëheqësi i lavdishëm. Në fund të fundit u votue për të sjellë ndryshim pozitiv siç edhe premtoi me ngulmim. Por me ardhjen e tij si kryeministër, menjëherë kryerilindasi u kthye në kryegangster shtetëror, me mbështetës mercenarë dhe organizata të egra e të fuqishme të krimit, bir besnik i oligarkëve dhe i së shkuarës diktatoriale, humbës i pamëshirë i çdo shprese për të rimkëmbur vendin. Përzgjodhi vetë dhe i afruan miqtë gjithfartë soji individësh për drejtues institucionesh me formim kryesor hajdutërinë, e një pjesë me shkollim e formim të rrejshëm, duke i shpërndarë gjithandej në struktura drejtuese, tamam siç i duhet opozitës për t’u ricikluar sërish, kur shkretimi të jetë thelluar dhe me dorzue fronin e sundimtarit te dora tjetër e besuar dhe ajo të vijnë prap si fitimtarë për t’i dhënë edhe një dorë marrëzisë shqiptare . Ky është ekuilibri i së keqes që ka funksionuar, duke bllokluar çdo mekanizëm që të lindë një forcë e re politike, për t’i shembur ata nga themeli .
Ata që tani janë në opozitë, mbajtën një krahinë hashashi, ku kutivuesit nuk i ndëshkonte ligji, çudi?!… Ndërsa të tjerët nëpër Shqipëri përjashto miqtë e segmenteve të ndryshme të pushtetit deri në fshatin më të largët gjurmoheshin, kapeshin e dënoheshin edhe për pesë rrënjë të kësaj bime. Ndërkohë Edi Rama paska mbajtur një pjesë nga programi i përpunuar në fshehtësi që nuk e shpalosi në fushatë për të mos emocionuar kapot e ardhshëm të hashashit dhe ndërtoi në mbarë Shqipërinë ekonominë e bimës së ndaluar dhe në mbyllje të këtij proçesi kriminal qeveritar, filloi të arrestojë e burgosi fukarenjtë që punuan te bosët si skllevër. Kapot u fuqizuan e njëkohshëm, krimi e ka rritur kontrollin dhe paratë, është bërë më i fuqishëm dhe më i rrezikshem.
Edi Rama dallon pa vështërsi që nuk ka kurrfarë idesh që të ndikojnë në zhvillim normal të vendit, edhe kur trajton probleme për ekonominë nuk thotë asgjë thelbësore, veçse bluan në të thatë . Një i paformuar në ekonomi por i ditur në korrupsion, ndaj duhet larguar me çdo kusht ky kryengritës, ndoshta i rremë 90 – tës, i kthyer në sundimtar.
Populli më i mjerë i Evropës pranon edhe sot në sytë e botës së qytetëruar t’i nënshtrohet kësaj oligarkie kriminale, me drogën e propogandës së përditshme dhe riciklimin 28 -vjeçar të një klase të degraduar duke i pranuar si të vetpastruar në hajdutërinë e tyre veç me kalimin në opozitë, sikur të kenë dorzuar vjedhjet në xhami apo në kishë, dhe të kenë marrë bekimin duke u larë nga mëkatet. Shqipëria për fat e ka një palcë që nuk ia hoqi as perëndoria osmane dhe as sundimorët e derisotëm, kjo u tregua edhe kohët e fundit nga populli i Kukësit, i cili u përball aty te trau i hajdutëve dhe fitoi, duke i futur pushtetarët në panik.
Në ndërgjegjen time ata janë heronjë. Ata e dridhën pallatin e sulltanit të mbramë shqiptarë dhe haremin e tij. Janë po ata që mbajtën peshën kryesore duke strehuan shqiptarët e Kosovës pa kërkuar kurrë asnjë meritë, asnjë shpërblim dhe duhet t’u jemi mirnjohës sepse ata u përballën me të paparashikueshmen dhe ia dolën me dinjitet të lartë e treguan se këtë do ta bënte çdo krahinë e Shqipërisë.
Edi Rama me ardhjen në krye të qëverisë mori dhe i përthithi në interes të klanit të tij burimet e përfitimeve që vinin nga korrupsioni i qeverive të mëparme, ndërkohë mbarte lidhjet oligarkike që nga drejtimi i Bashkisë per njembdhjete vite.
Konkurenca mbi ligjësitë e tregut veçse u rëndua nga shtimi i korrupsionit dhe u paksua qarkullimi në shtresat e biznesit të vogël. Administratorët e tij dolën prej fasadës dhe u shfaqën si batakqinj të mëdhenjë .
Rrëzimi nga pushteti pa ricikluar miqtë e tij të PD dhe LSI por duke krijuar një qeveri të përzgjedhur dhe të kaluar në veting e monitorim të plotë të ndërkombtarëve deri në kryerjen e reformës në drejtësi, me kohën do të krijonte mundësinë të zbulohen shumë vjedhje tronditëse dhe Shqipëria do niste të çlirohej.
Trinjakët vijnë nga gjendje të errëta dhe s’mund të mos i shërbejnë krimit pasi janë peng i tij ndaj duhet ndryshim thelbësor të cilin nuk mund ta kryej kjo kalbësirë politike e derisotme. Shqiptarët duhet të qartësohen se ekonomia ka falimentuar dhe, megjithëse janë larguar gjysma e popullsisë e cila ka ndihmuar e i ka dhënë shpresë pjesës tjetër në Atdhe, tashmë është futur në tjetër rrjedhë, ka krijue shtratin e vet, dhe kontributi i tyre është tkurrur dukshëm. Hapsira e shtuar e shqiptarëve të mbetur në Atdhe pas ikjeve të pandërprera; territore, burime ujore të bollshme, pyje, naftë, miniera, deti e plot burime e mundësi të tjera nuk kanë funksionuar për të rritur mirqënien e tyre, edhe sikur të largohen dhe gjysma e mbetur këtu prap nuk do të ketë përmirësim në rritjen e të ardhurave të popullsisë. Ata që e kanë qeverisur këtë vend kanë qënë, thjesht fare thjesht, hajdutë.
Dalja jonë prej diktaturës komuniste e bëri shoqërinë shqiptare edhe më qesharake, duke u mburrur kush më shumë e kush më pak se kemi qëndruar kundër diktaturës; edhe hajdutët, edhe mashtruesit edhe askushët, edhe lëpirësit edhe spihunët, duke i lënë në hije ata që kaluan në fakt ferrin dantesk në varrburgjet komuniste. U drodhën e spërdrodhën dhe nuk pranuan që herët ta çlironin shoqërinë nga e shkuara e krimeve të diktaturës, por u përdorë ajo lëndë e errët nga të dyja palët në parlament, në institucione, gjykata, prokurori për të kryer të njëtën punë të ndyrë në rrethana të tjera; mbajtën zvarrë të përndjekurit duke u përpjekur për t’i përçarë, ndërsa kjo shtresë në të gjithë ecurinë dhe zhvillimet e këtyre viteve nuk shfaqën kurrfarë ekstremizmi hakmarrës. Kushdo që hulumton me kujdes, do të kuptojë se e gjithë jeta e shoqërise është e kontrolluar nga ata që lëpiheshin e militonin brenda strukturave të diktaturës, për tu ngjitur në pemën e regjimit të atëhershëm, që nga Tirana deri në province.
E ndërkohë dhe përndoqën të tjerë që kundërshtuan demokraturën, përdorën administratën e tundën, e shkundën, e veshën, e grisën, e çveshën. Kryeinstitucioni ishte dhe mbeti partia. Pa parti pa punë, pa para, pa shpresë, pa jetë. Partia u bë ndërmarrja që prodhonte drejtorë përgjegjës, punonjës gjithfare, roje, profesorë, mësues,inxhinier, doganier, shkrimtar, intelektualë, gazetar, hajdut, drogshitës, vrasës. Duke ngatërruar tërë mekanizmin e jetës së mbarë shoqërisë, u kryen mijëra vrasje nëpër Shqipëri, që në një qëverisje normale nuk do kishin ndodhur kurrë. Në fund të fundit misioni i trinjakeve ka përfunduar me turp, duke i shkaktuar një dramë të rëndë Shqipërisë dhe nëse nuk do të rritet ndikimi i perëndimit dhe zgjimi i mendjeve normale shqiptare, ferri shqiptar do t’i shtojë rrathët e zbritjes, natyrisht çdo vonesë edhe parinë do ta çveshë e diskreditojë më tepër.
Pra: Klika e pasnëntëdhjetës mbajti pushtetin dhe eci drejt pasurimit duke shkelur me çizmet e rënda të tiranisë korruptive klanore mbi dinjitetin e popullit shqiptar.
Sot kjo klikë është në panik, pasi ka filluar t’i dalë nga kontrolli gjyqësori ndërkohë urrejtja popullore ka arritur kulmin. Çfarë do vijojë, do shpërbëhet tirania e Tiranës, apo nga ikjet, do shpërbëhet Shqipëria?!…
Komplimente Jak! Uroj dhe besoj shumica ndajne te njejtin mendim. Lutem kete radhe te gjendet zgjidhja e duhur. Ndryshe nga deri tani. Urime