Fillimi nuk është vetëm gjysma e së tërës, por
skicon në vija të përgjithshme edhe fundin.
Polibi. (202-120 p.e.r)
Është vetëm një çast…pasi ke sqaruar gjithçka.. .pasi ke gjetur fjalinë e parë me të cilën mund të nisësh udhëtimin. Mirëpo fjalia e parë nuk është aq e lehtë të gjendet. Ajo kërkon mundim, pasi, siç konstaton dhe Polibi, ka lidhje më fjalinë mbyllëse.
Çasti i nisjes së një tregimi, novele, romani i ngjan çastit të makinistit kur i jep gaz makinës, në prag të një udhëtimi të largët. Në ato çaste ai ka parasysh vetëm vendmbërritjen, edhe shkrimtari kur nis të shkruajë ka parasysh vetëm vendmbërritjen. Për ta bërë më të qartë rëndësinë e fillimit do të jap disa shembuj:
Ja si e nis romanin Servantes romanin “Don Kishoti i Mançës” (1547-1616)”Në një fshat të Mangës, që s’dua t’ia kujtoj emrin, rronte pak kohë më parë një sojli nga ata me shtijëzë në sallën e armëve, me mburojë të vjetër, me kalë thatanik e me langua të gjahut….“Një fillim intrigues për të mësuar diçka më shumë rreth figurës së këtij sojliu, interesant si karakter, por edhe për bëmat që do e pasojnë…,
Kryevepra botërore e shekullit të kaluar: “Vëllezërit Karamazovë” e F. Dostojevskit (shkruar rreth 150 vjet më parë) nis me këto radhë:
” Tek po nis jetëshkrimin e heroit rim, Aleksei Fjodoroviç Karamazovit, kam ndier një mëdyshje, e quaj heroin tim Aleksej Fjodoroviçin, por e di edhe vetë që ai nuk është ndonjë njeri i shquar, prandaj parashikoj të më bëjnë edhe pyetje të këtilla: Ç’e bën të veçantë Aleksei Fjodoroviçin tuaj, që e zgjodhët për hero? Kush e njeh, si e njeh? Përse, i dashur lexues, u dashka të humbas kohën me studimin e ndodhive dhe fakteve të jetës së tij? Pyetja e fundit është më fatalja, sepse ka vetëm një përgjigje: “mbase do ta shihni vetë, si ta keni lexuar romanin”. Mirë, po sikur, edhe pasi ta kenë lexuar romanin, të mos e pranojnë veçantinë e Aleksej Fjodoroviçit tim? Them kështu , me keqardhje, e di mirë se nuk do t’ia mbush mendjen lexuesit për këtë. Ai është edhe veprimtar, veçse një veprimtar i papërcaktuar, i pa qartësuar. Por, më duket se në kohën tonë është krejt pa vend të kërkosh qartësi. Vetëm diçka është jashtë çdo lloj dyshimi: Ai është njëri i çuditshëm, madje një ekzemplar i rrallë…”
Nga një mëdyshje e tillë qysh në nisje të këtij romani dyvëllimësh, e thjeshtë dhe intriguese, lexuesi do të ngulmojë ta njohë me çdo kusht figurën e Aleksej Fjodoroviçit, këtij “ekzemplari të rrallë”, të cilin gjeniu i letrave kërkon ta përshkruajë me gjithë hollësitë e veta…Dhe vërtet kështu ndodh: Pasi e mbaron së lexuari këtë roman të jashtëzakonshëm nis e mendon se Aleksei është një ekzemplar i rrallë i letërsisë botërore. Zhbirimet psikologjike, veprimet, situatat tendosëse që do të pasojnë do ta zhytin me orë e ditë të tëra lexuesin nëpër faqet e këtij romani epope.
Që në fjalët e para, thotë shkrimtari. M. Kundera, qëllimi im ishte t’u jepja këtyre reflektimeve një ton ironik, provokues. Fjalia e parë mund të jetë dhe e ftohtë, por, pa atë fjali të parë s’mund të rrjedhë gurgullima e mëtejshme e fjalive të tjera dhe s’mund të marrë rrugë një vepër letrare. Fjalia e parë mund të jetë dhe i paqëlluar, dhe pa emocion, si tingulli i violinës së një orkestre pas së cilës nisin shpërgjumjen instrumentet e tjerë. Kur mbaron së lexuari një roman, e më pas i kthehesh fjalisë së parë, vetëm atëherë mund ta kuptosh rëndësinë e fjalisë nismëtare, e cila përcakton jo vetëm ritmin dhe tonalitetin, por dhe kreshendon, kohën dhe muzikalitetin që do të duhet për të mbërritur gjer te bubullimat e para dramatike të veprës. Romani “Fshatarët “i H.Balzak nis rrëfimin me një letër drejtuar Zotit Natan për të cilin sqaron qysh në fjalinë e parë se është një shkrimtar që me fantazitë e tij kënaq lexuesin:
“Ty i dashur Natan që me fantazitë e tua kënaq lexuesin me ëndrra të këndshme, do të të bëj të më thuash nëse shekulli ynë do të mundë t’u lërë ndonjëherë si trashëgim të tilla ëndrra Natanëve dhe Blondëve të vitit 1933.”Rëndom romanet nisin me prezantimin e personazhit, ose me përcaktimin e vendit dhe kohës së ndodhisë. Te romani “Këshilli i Egjyptit” Leonardo Shasha e nis fjalinë e parë me një përshkrim i cili më vonë do të ketë kuptim : “Murgut Benediktin i ra libri nga e prera e fletëve me tufë puplash shumëngjyrëshe…” Libri me fletë puplash shumëngjyrëshe dhe lupa ngjyrë ari me skelet gurësh të çmuar që shkëlqesia e tij Abdullah Mohamet ben Oliman mban në duar, tregon qysh në hyrje se kamera është vendosur në shtresat e larta , dhe se librin e mban në duar një shkëlqesi.
Ja disa fillime te tregimet e Borgesit: “Ngjarja zë fill në Kembrixh, në shkurt të vitit 1965. Në atë kohë nuk bëra asnjë përpjekje për ta mbajtur shënim,sepse,… duke qenë i vëmendshëm, do të doja ta harroja.” (Tjetri)
“Rrëfimi im do t’i qëndrojë besnik së vërtetës ose, gjithsesi, asaj që kujtesa ime ruan si të vërtetë, gjë që është e njëjta gjë. (Ulrika) “Pak para se të jepja provimin e fundit në Universitetin e Teksasit, në ostin, më erdhi lajmi se im ungj, Eduin Arneti, kishte vdekur nga aneurizmi në skajin më fundor të Amerikës. “
(Ka edhe gjëra të tjera.)
“Historia ime rrëfen për dy burra, apo, më saktë, për një episod që përfshin dy burra.” (Mita) “Jam druvar. Emri im s’ka rëndësi. Kasollja ku jam lindur unë …”
Personazhi prezanton veten qysh në fjalinë e parë, kështu hapet tregimi i shkrimtarit polak, nobelist, I.Singer, personazhi i tregimit thotë:
“Unë jam Gimple budallai. Por, mua s ’më duket vetja budalla… Përkundrazi. Por kështu më thërret njerëzia”,prej kësaj fjalie lexuesi sigurisht do të intrigohet për të njohur në realitet njeriun që të terët e quanin budalla.
Rëndom shkrimtarët e nisin veprën me kohën në të cilën zhvillohet ngjarja, si: “Të ftohtit ia mbërriti një mëngjes nëntori, me një qiell të gënjeshtërt, varur pezull mbi një qiell të rremë.”I .Kalvino.
Ja dhe një fillim tjetër romani , i po këtij autori, ku personazhi prezantohet qysh në fjalinë e parë: ”Një mëngjes shkurti 1960, në Milano, arkitekti 49 vjeçar Antonio Dorigo, i telefonoi zonjës Ermelinda ;
”-Tonini jam, mirëdita zo…”
-Ah! Ju qenkeni? U bë kaq kohë që s’jeni dukur këtej…”
“ Në të ngrysur Florenci me çupëzën u varën teposhtë deri te shtëpiza…”Verë” (J.Cortazar )“Kjo ndodhi në një ditë me shi…” “Ishte muzg…” “Po mbaronin ditët e fundit të vitit…”Në mbrëmjen e krishtlindjeve të vitit 19..”etj. etj.
Nga letërsia jonë do të japim dy shembuj: . Ja si nis romani i vëllimshëm: “Dimri i vetmisë së madhe” i I.Kadaresë: “Në fillim të marsit, pas një ere të stuhishme, furia e së cilës ua kalonte gjithë sqotave dimërore, mijëra njerëz hipën mbi çatira dhe tarraca për të rregulluar, përveç të tjerash, antenat e T. V-ve,të shtrembëruara ose të rrëzuara prej saj…”
Ne, që i kemi përjetuar me shqetësim të veçantë ato vite duke jetuar me moton “të jetojmë si në rrethim…” na kujtohet se si, e vetmja lidhje me botën, ishin antenat mbi tarraca dhe çati, për të cilat përkujdeseshim të gjithë në fshehtësi.
Fraza e parë e një romani të vëllimshëm bashkëkohor, me një vizon të tillë të erës që kishte rrëzuar antenat, është jo vetëm simbol i gjetur me mjeshtëri, por edhe intrigues për leximin me endje të kësaj vepre letrare.
Me një fillim intrigues nis edhe romani i F.Lubonjës “Ridënimi”.Autori , duke e ditur se ka në dorë një roman që synon të përshkruajë jetën e një intelektuali në burgun e Spacit e hap veprën me një udhëtim imagjinar brenda atyre telave me gjemba.
“Shpatet gjithë shkëmbinj e shkarazima të maleve të Spaçit në verë bëheshin krejt të kuqërreme nga rrahjet përvëluese të diellit e u thelloheshin edhe më shumë të çarat e plasaritjet e shkaktuara nga ngricat e dimrit…” Ashtu si në filma, autori e vendos kamerën në largësi, lart, në shpatet e maleve të djegura nga dielli i nxehtë i verës, pak nga pak, do ta afrojë atë, duke e futur nëpër qeli e gjyqe …Do zhbirojë në psikologjinë e qëndresës morale të heronjve dhe në deformimin moral të viktimave. Çehovi është ndër shkrimtarët më interesantë për veçantinë e fillimeve të tregimeve të tij, ai nis gjithmonë me një stil të qetë, bisedor, tregimet e tij të duhet sikur nuk kanë fillim , ka raste që nisin me dialog ose një batutë personazhi. Shkrimtari nobelist, Saramago, bën gjithmonë fillime të befta , si në rastin e tregimit “Apolog i lopës luftëtare” “Nuk po sajoj asgjë, e nis rrëfimin autori, E bëj këtë deklaratë, sepse që tani përfytyroj të qeshurat e zellshme dhe dyshuese të atyre njerëzve, për të cilët e pazakonshmja është sinonim i gënjeshtrës.”
Stili bisedor është ndër më të suksesshmit në letërsi, ky është mendimi im, veçse dhe kjo mënyrë hapjeje ka truket e veta.”Nuk mund të vazhdoj ta shtyj. Prej kohësh kam menduar të tregoj një histori me zana.”Zhapiu” (Saramago) Një fillim i tillë është njësoj si t’i thuash lexuesit, më dëgjo me vëmendje ngjarjen që unë e ruaj në memorje .
Një libër është dialogu që nis shkrimtari me lexuesin e vet, dhe intonacioni që i imponon zërit të tij, si dhe imazhet e ndryshueshme që lë në kujtesë,-Borges thotë: “Një libër është një bosht marrëdhëniesh të panumërta.”
Në një nga letrat që Çehovi i drejtonte një letrareje të re ai e këshillonte: “Nëse do të shkruash një roman duhet ta qëndisësh frazën si të qëndisësh në kanavace. Një tjetër këshillë e tij ishte të tregohej kujdes për anën muzikale të frazës. Këtu qëndron arti, thoshte ai, te përpunimi i frazës, të mos lejohet që “të përdoret në një frazë, pothuajse radhazi e njëjta fjalë”.
Të gjitha format e panumërta të rrëfimeve, vërtiten rreth dramës së një personazhi të cilin autori e vendos në optikën e lexuesit. Nuk ka shkrimtar të madh botëror , qysh nga Homeri e më pas, Eskili, Sofokliu, Euripidi, e më pas: Shekspiri, Servantes, etj,etj. të cilët me penën e tyre të mos kenë gdhendur një personazh i cili , do të bëhej historik, si të gjithë personazhet historikë që kanë jetuar në këtë botë.
Një vepër letrare mund të ketë dhe personazhe të tjerë , por vetëm një mbart idenë dhe bëhet strumbullari ku vërtiten të gjithë personazhet e tjerë.
Raste për ilustrim mund të sjellim me shumicë, le ta nisim me “Iliadën” nga ku zë fill letërsia botërore, kujtojmë figurat letrare të Akilit, Odisesë, Agamemnonit, Patroklit,Hektorit, Paridit, Antigonës, etj. E më pas kujtojmë figura letrare të tilla , si, Prometeu, Hamleti, Mbreti Lir, Makbethi, Otello, Jul Cezar, Don Kishoti i Mançës , Ana Karenina, Martin Iden, Madam Bavari, Gavroshi e qindra e qindra personazhe letrarë të cilët janë shndërruar në pjesë e historisë botërore. Figura letrare sado e besueshme që të jetë, është një figurë imagjinare, ajo mbetet një krijim imagjinate i materializuar . Në gjininë e prozës klasike s’ mund të ketë krijim letrar pa një figurë letrare të realizuar përmes gjuhës së autorit, e cila i jepet lexuesit për ta gjallëruar me imagjinatën e vet.
Gjuha që përdor autori në përshkrimin e figurës letrare tregon aftësinë që ka fjala për të ndërtuar ngjarje dhe personazhe realë dhe të besueshëm, nganjëherë dhe më të besueshëm se njerëzit që hasim në jetën e përditshme.
Elementët e prozës janë të njëjtë, si ato të tregimit dhe ato të romanit, krahasimin do ta bënim me një paralelizëm nga fusha muzikore, nëse novela i ngjan një uverture, romani i ngjan një simfonie, në ndërtimin e të cilës ka shumë motive në zhvillim të cilat s’ mund të realizohen pa pjesëmarrjen e të gjitha instrumenteve muzikorë.
Nga letërsia e huaj kujtoj disa figura letrare të cilat më janë ngulitur në mend gjatë leximeve të kohës së fëmijërisë dhe më vonë: “Afërdita përsëri në fshat” S.Spase, “Lumi i vdekur” J.Xoxa, “Hasta la vista” P.Marko, “Njeriu me top” D.Agolli, “Gjenerali…” dhe “Kronikë në Gur” I. Kadare.”Shembja e Idhujve.”S.Drini, etj. Nga librat që kam lexuar në vitet e fëmijërisë, kur nuk kishim televizor që të na ngacmonte fantazinë, më janë ngulitur në mend personazhe të tillë, si: Xha Gorioi, Konti i monte Kristos, Hekelbëer Fini dhe Tom Sojeri, Aksinja dhe Pavël Melehovi (“Doni i Qetë”) Don Kishoti dhe Sanço Pança, (Servantes) Ana Karenina, (Tolstoi) Peçorini, (Lermontov) Oniegini, (Pushkin) Gavroshi (Hugo) Koloneli Shaber, Zonjusha Fifi, (tregime franceze) ”Ushtari i mirë Shvejk (J.Hashek), Martin Iden”(Xh. London) , më vonë, kapiten Mihali , Zorba, Manoli, ( N.Kazanzaqis ) etj, etj. Letërsia e shekullit që kaloi u përfaqësua me emra shkrimtarësh të mëdhenj në gjininë e romanit, dhe larmi në eksperimentimin e romanit ide, romanit monolog ,romanit historik, biografikë, romanit rozë, romanit policor, fantastiko –shkencor, modern e postmodern.
Eksperimentimet në këtë zhanër janë të shumta, sot botohen çdo vit mijëra romane ku asnjeri nuk i ngjan tjetrit, e ku figura- personazh përbën thelbin e tyre letrar.
Në lidhje me stilin
Stili është një lloj mënyre, ose forcë që
quhet origjinalitet.
G.Leopardi
Stili i një vepre letrare përfaqëson shumë më tepër se renditja e fjalëve për t’i dhënë jetë imazhit dhe qartësisë së shprehjes. Shkrimtarët e rinj ose dhe ata me një përvojë të pakët në punën e tyre krijuese, në mungesën e një shkolle letrare, e ndjejnë të nevojshme të njohin eksperiencën e krijuesve të mëdhenj, dhe kjo, edhe për faktin që shkrimtari duhet të dijë edhe çfarë nuk duhet shkruar, pasi jo çdo ngjarje mund të jetë e rëndësishme për t’u hedhur në letër. Shkrimtarët me përvojë e dinë mirë se ,për të qenë i zgjedhur duhet të zgjedhësh një ngjarje të veçantë që do të zgjojë interesin e lexuesit,po t’i shtosh kësaj dhe origjinalitetin e rrëfimit letrar , por dhe diçka tjetër, jo pa rëndësi, sa kjo e veçantë, kjo vogëlsirë në dukje , lidhet me universalitetin e mendimit njerëzor duke u bërë pronë e një lexuesi të thjeshtë. E veçanta që synon të sjellë një autor shfaqet në tematikë dhe mënyrën e rrëfimit origjinal, e veçanta mund të jetë një ngjarje jetësore, por edhe një trill, ose një fantazi, si ajo e Pinokut e lindjes së një fëmije prej druri me hundë të gjatë. Efekti krijohet pikërisht nga ky organizim i veçantë i mendimit.
”Ka diçka që zgjon përshtypje. Ç’të jetë?” -pyet shkrimtari Naipol? Dhe po vet përgjigjet :”Asgjë tjetër veç shprehjes, renditjes së fjalëve, stilit.” “Alegoria e sendërton dukurinë në koncept dhe konceptin në figurë, -thotë Goëthe,- por , në mënyrë që koncepti-figurë të jetë konsideruar gjithnjë i kufizuar dhe i plotë në figurë.” Më tutje vazhdon: “Eshtë shumë ndryshe që poeti, (kjo vlen dhe për prozatorin) ta kërkojë të veçantën në funksion të universales…Në këtë rast e veçanta vlen si shembull, si emblemë universale… Kush e kap këtë të gjallë, kap njëkohësisht universalen.” (Goëthe)
E veçanta që synon të sjellë një autor shfaqet në tematikë dhe mënyrën e rrëfimit origjinal, mund të jetë një ngjarje jetësore, por edhe një trill, ose një fantazi, si në rastin e personazhit letrar, Pinok, fëmijës me hundë të gjatë i lindur prej drurit. Por jo gjithmonë imagjinata është e suksesshme, sidomos kur teprohet, ka rrezik që fantazisë së tij të mos i besojë as vet autori.
Stili ka lidhje me temperamentin e shkrimtarit, me karakterin, kulturën dhe cilësitë e tjera që rrjedhin prej qenësisë së tij. “Stili, është një lloj mënyre, ose forcë që quhet origjinalitet.” thotë G. Leopardi. Brenda stilit shfaqen elementët e humorit, mprehtësisë vëzhguese, guximit krijues dhe inteligjencës së një shkrimtari..
Te stili shfaqen dhe disa dobësi të karakterit të autorit, bie fjala, nëse një shkrimtar është narcist, i dashuruar me veten, kjo veti do të shfaqet tek personazhi-autor i vetës së parë, nëse një shkrimtar mbart në vetvete elementë të cinizmit, të snobizmit, të diktatit, të makutërisë, të urrejtjes, të mungesës së humorit, të mungesës së respektit ndaj seksit femër, ose ndjenja të tjera raciste, sigurisht, këto elementë, në një mënyrë ose një tjetër, do të shfaqen në krijimtarinë e tij. Fantazia është një tjetër cilësi e stilit të një shkrimtari, kur ajo është në funksion të veprës. Nëse një shkrimtar i jep krahë fantazisë, ndërton personazhe, situata dhe ngjarje që janë jashtë besueshmërisë, kjo gjë do ta dobësonte vërtetësinë letrare. “Stili është vetë njeriu” thotë “ Byfon, që nënkupton gjithë vetitë pozitive dhe negative të cilat ndikojnë në krijimtarinë e një shkrimtari. Nga kjo pikëpamje, stilin nuk mund ta përcaktojmë si formë, por si subkoshiencë e cila udhëheq në mënyrë të fshehtë duke ndikuar gjer në tematikat e preferuara të një autori.
Papërsosshmëria
Shkrimi i një vepre nuk është një punë e mbaruar qysh me dorën e parë, eksperienca e shkrimtarëve të mëdhenj ka treguar se si ata e kanë përpunuar një vepër dhe dyzet herë. Përpunimi është karakteristikë e shkrimtarëve që nuk kënaqen më punën e tyre, por i kthehen dhe i rikthehen përpunimit të frazës dhe të kapitujve, “shkruaj e shkurto, shkruaj e shkurto” fjali, fraza, e hera-herës kapituj të tërë. Papërsosshmëria nuk ia ul aspak vlerat një vepre letrare, duke menduar se përkryerja ka shumë forma zhvillimi. ”Papërsosshmëria është relative, herë- herë është dhe një truk .”- thotë shkrimtari Umberto Eco. Ndërsa trajtimi i një subjekti që nuk hyn në konkordancë me lexuesin, ose me një lexues më të gjerë, ia paracakton fatin vetvetes qysh në nisje. Letrarët e rinj nuk duhet të pretendojnë që në nismën e tyre të jetojnë me idenë e trajtimit të temave të mëdha, por, gjithsesi, as të mos bëhen pre e temave të vogla, të cilat nuk zgjojnë ndonjë interes për lexuesin, aq më tepër po të mendosh se në kuadër të globalizmit, letërsia po merr dita –ditës terren për t’iu drejtuar një mase që i kapërcen kufijtë shtetërorë.
Figurat letrare në të shumtën e herës shndërrohen në persona historikë, kjo ndodh sidomos te shkrimtarët e shquar ,bie fjala, një princ që quhet Hamlet apo një mbret që quhet Lir, një bukuroshe që quhet Dezdemonë apo një arap që quhet Otello, një kalosiak që quhet don Kishot, apo një fshatar që quhet Sanço Panço, një student që quhet Raskolnikov apo një fajdexhi që quhet Gorio, një ushtar i mirë që quhet Shvejk apo një kolonel që quhet Shaber, një kapiten grek që quhet Mihal apo një punëtor shëtitës maqedonas që quhet Zorba, të futen në historinë e njerëzve të njohur të njerëzimit dhe të mos dalin më kurrë prej kësaj historie.
Kjo është merita e letërsisë dhe ky është funksioni i saj .”Për sa i përket botës së librave, thotë Umberto Eco, pohojmë se Sherlok Holmsi ishte beqar, kësulëkuqen e hëngri ujku, por pastaj e shpëtoi një gjuetar, Ana Karenina vrau veten.” Nëse për figurat historike analistët vënë në dyshim fakte e të dhëna, i nxijnë apo i zbardhin ato sipas rastit, për sa i përket figurave letrare, të krijuara nga mendja njerëzore, sipas ngjashmërive, ose modeleve jetësorë , ato do të mbeten të tilla, përjetësisht.
Gjuha si instrument logjik
dhe krijuese imazhesh
Të kombinosh një emër me një folje do të thotë të hedhësh hapin e parë drejt rrëfimit. Vendosja e foljes në fjali në vendin e duhur, ja diçka tjetër që duhet t’i kushtojë rëndësi një krijues i vëmendshëm. Folja në një fjali tregon veprim ose gjendje , si e tillë duhet të vendoset në vendin ku fraza merr energji dhe rrjedh lirshëm. Gjuha është një instrument logjik, njëkohësisht një krijuese imazhesh. Në një vepër letrare operohet me mjete gjuhësore dhe stilistikore. Eshtë konstatuar qysh herët se gjuhët e vogla dhe të rrudhura , si gjuha shqipe, janë të pasura në sinonime dhe në idioma, ndërkohë që gjuhët e zhvilluara shkojnë drejt standartizimit, duke humbur gjatë udhës elementë stilistikorë.
Pasuria gjuhësore krijon mundësi për vepra letrare me vlera të veçanta, sigurisht kur shfrytëzohet kjo përparësi gjuhësore. Autori duhet të jetë fare i qartë në të që do të thotë,dhe gjuha e tij duhet ta përçojë mendimin lirshëm, nëpër fjali e paragrafë..Një ligjërim konfuz do ta bënte dhe veprën konfuze, plot pengesa, e ngërçe që do ta mërzisin lexuesin, e kundërta ndodh me ata shkrimtarë të cilët e përdorin gjuhën letrare me korrektesë. Për letrarët e rinj këshillohet të mos përdorin fraza të gjata, me fjali të varura dhe të ndërkallura.
Një fjali e qartë përftohet nga koherenca e foljeve, dhe vendosja e tyre në vendin e duhur. Përdorimi me korrektesë i foljeve , në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, e bën fjalinë të ketë qartësi dhe ritëm dhe e bën mendimin të rrjedhë sipas një logjike të qartë.
Ndryshe nga disa gjuhë të tjera, shqipja dallohet për nuanca të shumta kohore të foljeve. Ajo që për të huajt quhet “vështirësi gjuhësore” , për shkrimtarët shqiptarë përbën një përparësi.
Foljet në dëftore përdoren në fjalinë kryesore, pasi ato shënojnë veprime që kanë ndodhë realisht, nëse nuk pasohen nga fjali të tjera të ndërvarura që i kushtëzojnë ose që i vënë në dyshim këto veprime.
Dëshirorja u përgjigjet dëshirave të personazheve, ndërsa kushtorja që vjen pas fjalisë së parë tregon një lloj implikimi, ose kushti si në rastin: “Arbeni vendosi të nisej qysh të hënën pa vrarë mendjen nëse do t’ia dilte të kalonte matanë detit.” Lidhjet midis fjalive janë “kohore” ,”logjike” ose lidhje “hapsinore” që nënkupton një lidhje të lirë, pa kohë e me një lidhje poetike.
Le të përmendim mënyrën habitore të foljeve, e cila mungon në disa gjuhë të tjera, ndërkohë që gjuha shqipe e ka të gjallë e në përdorim të përditshëm , me nuanca plot ekspresivitet. Kur përdorim foljen “qenkam” (në të tanishme) ose “qenkisha” (në të pakryerën) “Paskam qenë” (në të kryerën) dhe “paskisha qenë” (në të tejkryerën) shkrimtari ka mundësi të shpreh nuancat që përftohen nga përdorimi i saj, në masën e caktuar dhe në kohën e caktuar. Bie fjala , fjalia “E paskishte ndihmuar një miku i tij duke e pajisur me një pasaportë irlandeze.” Mund ta shprehnim dhe me folje në të kryerën “E ndihmoi një miku i tij…” Mirëpo, përdorimi i habitores krijon një nuancë më të emocionale. Mundësi të shumta paraqet dhe mënyra dëftore, me kohët e saj: “Mendoj, mendoja, mendova, kam menduar, kisha menduar, pata menduar”
Një shkrimtar i mirë dallohet nga përdorimi i saktë i nuancës së veprimit ose të gjendjes shpirtërore të personazhit. Për të përdorur një dyshim autorit i vijnë në ndihmë nuancat e foljeve: ” bëri sikur, u shti, gjoja, kinse.” Përdorimi me vend i nuancës stilistikore bazohet në dallimin ndërmjet qenësisë dhe dukjes së asaj për të cilën flitet. Në rastet të tjera,si : parashikoj, parandiej, ma merr mendja...si dhe në rastet kur autori mban qëndrim ndaj ngjarjes, si: besoj se, mendoj se, kam përshtypjen se , kam idenë që…etj” evidentohet pikëpamja e autorit, sa i përket vërtetësisë së faktit apo ngjarjes, të cilin ia përcjell sinqerisht lexuesit. Sado e pasur të jetë fjalia me imazhe letrare, përdorimi i keq i kohëve foljore krijon ngërçe që e bëjnë konfuz ligjërimin letrar.
Ka autorë që përdorin kohën e ardhshme në vend të kohës së kryer, ose kohën e pakryer në vend të të kryerës së thjeshtë, si në rastet: “Ai do të kthehej në atdhe dhe do të shikonte mjerimin që ekzistonte në vend.” Në fjalinë tjetër vazhdon me një folje në të kryerën “Atje ai pa me sytë e vet prapambetjen e madhe që kishte pllakosur në vend…”etj. etj. Ja një rast tjetër: “Ç’të bënim më në atë qytet të shtrenjtë? Të nesërmen do të merrnim (morëm) trenin për në Frankfurt.” Kjo ndodh me përkthimet, ku përkthyesit kërkojnë t’i qëndrojnë besnik materialit origjinal dhe përdorin fjali të zgjatura duke vështirësuar kuptimin dhe për shkak të përdorimit jo të rregullt të kohëve të foljeve, si në rastin:
”Mbas pak do të dalin daktilografistët nga zyra e noterit, burri i madam Lënotrës do të heqë zharg këmbën nëpër shkallë, do të ndihen zërat e motorrave…Mishela s’duhet të vonojë, veç në mos pastë humbur a në mos u hallavittë rrugës, me atë dreq zakoni që ka për t’u ndalur para vitrinave. I teket të dëgjojë ndonjë këngë të Mekorlenit. Kërkon pak midis tokicave me letra dhe fletore.”
Kur flasim për një kohë të pacaktuar, ose kemi dyshim për ditët që ka zgjatur një proces mund të përdoret dhe koha e ardhshme ,si në rastin :” Përgjigja do të zgjaste ndofta një javë…” Më saktë do të ishte :“Përgjigja zgjati një javë…” Në një frazë të zgjatur me fjali të varura, përdoret paskajorja në vend të pjesore ose e pakryera e lidhores në vend të së ardhshmes. Shembuj të kësaj natyre mund të japim me shumicë, por po e lëmë me kaq. Ja, dhe në këtë fjali folja mund të jepej në të pakryerën e lidhores “Shembuj të tillë mund të jepnim me shumicë.
Intriga
Thurja e intrigës duhet t’i nënshtrohet
imagjinatës dramatike. Pessoa
Kuptimi i parë i kësaj fjale, sipas fjalorit është: ” Një veprim që bëhet me qëllim të keq prapa krahëve të dikujt.” Kuptimi i saj letrar është: “Një varg veprimesh të ndërlikuara e ngjarjesh të ngatërruara, me kthesa të papritura, që zbulojnë interesat, qëllimet e kundërta të personazheve të një vepre letrare.(intrigë e thjeshtë, intrigë e dramës, e romanit, e tregimit.) Kjo nënkupton që personazhet letrare të zbulohen vetëm përmes ngjarjeve, krijimi i një personazhi zhvillohet gjatë rrjedhës së ngjarjeve të njëpasnjëshme, ku krijohen mundësi për të shprehur ndjenja, prirje dhe interesa shoqërore dhe personale. Koncepti “intrigë” kuptohet brenda variacioneve të veprës letrare, e cila mund të ketë një karakter psikologjik, ose filozofik. Nganjëherë kombinimet e këtyre ngjarjeve të çuditshme janë pa lidhje të forta, por kjo nuk do të thotë që rrëfimit i mungon organizimi.
“Një shkrimtar mund të lidhë një intrigë duke e vënë në shërbim të idesë” thotë Borges.
“Thurja e intrigës duhet t’i nënshtrohet provës së imagjinatës dramatike.” thotë Pessoa.
Në se krijimin ne do ta krahasojmë me një ëndërr që do të thotë , një përzierje e elementëve jetësorë me elementë fantastikë, ai i ngjet një ëndrre të kontrolluar dhe të vullnetshme.” thotë Sartri.
Intriga luan rolin e motorit që vë në lëvizje një mjet komunikacioni. Qysh në krijimet e para të njerëzimit, i shohim personazhet të vërtiten rreth një boshti të një intrige letrare, përmes “një vargu veprimesh të ndërlikuara e ngjarjesh të ngatërruara, me kthesa të papritura.”
Le të kujtojmë aventurat e legjendarit Odise, gjatë kthimit të tij në Itakë, të papriturat , rreziqet në tokë e në det, të cilat do t’i kalojë në sajë të guximit dhe inteligjencës së tij. Te “Odiseja” intriga letrare del në formën e vet klasike , në zhvillim linear, heroi vendoset në prova të shumta, në çaste të papritura , në çaste lufte dhe paqeje,sipas variacioneve;provë -sukses-shpërblim, provë-dështim-ndëshkim. Qysh në fillim të rrëfimit lexuesi nuk di nëse ai do të dal] fitimtar apo jo. Skenat zhvillohen para mureve të Trojës në det, në mal, te shpella e Ciklopit, në Had, në takim me të vdekurit, në Feakë, gjatë kthimit, e më pas mbyllet cikli i kësaj peripecie 20 vjeçare, kthimi në origjinë… T’i shpëtosh magjistares Circe, të shpëtosh midis ngushticës thithëse të Skyllës dhe Haribdës, t’i shpëtosh zërave melodiozë të Sirenave,t’i shpëtosh Ciklopit me një sy,etj.
Një roman me intrigë ngrihet mbi tensionit dhe pritjet e asaj, se “çfarë do të ndodhë“ Personazhi ndodhet para provave të njëpasnjëshme, ne nuk dimë si do të përfundojë, i jetojmë ngjarjet në ankth, së bashku me heroin e romanit . Interesimi i lexuesit përqendrohet në atë, se çfarë do të ndodhë më pas.
Gjatë një darke festive befas vritet dikush. Të gjithë mbeten të shtangur. Si ndodhi? Kush u vra? Kush e vrau? Lexuesi bëhet kureshtar për të marrë vesh shtjellimin e më pastajmë të ngjarjeve. Kështu ndodh me letërsinë policore, kështu ndodh me ca filma horror, kështu ndodh dhe në filmat rozë…Gruaja bëhet xheloze, i shoqi e mohon…Si do të zhvillohen ngjarjet më tutje..? Eshtë gjetur një i vrarë në një banesë, gruaja lajmëron policinë. Vjen hetuesi… Te lexuesi krijohet tensioni i ngjarjes. Kush ta ketë vrarë…? Hetuesi dyshon te e shoqja e tij. Tregime të tilla i hasim me shumicë në filmat që pushtojnë ekranet tona. Në kuptimin klasik do të merrnim si shembull romanin “Don Kishoti i Mançës”, ku jepet me mjaft humor drama e një personazhi fantast i cili na argëton me aventurat e tij kalorsiake. Drama e “sojliut me shtijëzë dhe me një kalë gërdallë” është drama e gjithë njerëzimit modern. Romanet me intrigë janë kryesisht policorë dhe romane me mister ose me aventura, si në rastin e poemës “Odisea“Në romanet policore intriga shfaqet kureshtja shfaqet qysh në fjalinë e parë.
Në qytetin X ka ndodhur një krim. Hetimi i këtij krimi kthehet në mënyrë ciklike te e njëjta ngjarje duke u përqendruar në detaje dhe hollësi hera-herës dhe të panevojshme. Në rastin e parë nuk ka mister, interesi i lexuesit përqendrohet te zbulimi i vrasësit..Romanet me mister kanë tjetër zhvillim, vija lineare e këtyre romaneve zhvillohet mbi faktet shkak-pasojë, fiksioni zhvillohet mbi lidhje varësie. Në këto romane ka shumë ndërkallje, dhe hamendje, të cilat e mbajnë të lidhur interesin e lexuesit të ngjarjet e mëtejshme.
Historitë e ndërkallura në këto lloj romanesh mbajnë gjallë dinamikën e ngjarjeve, ndërkohë që vendin e personazheve e zënë histori që kanë të bëjnë me ngjarjen. Këto lloj romanesh, edhe pse u mungojnë mendimet dhe vëzhgimet e autorit, janë tepër tërheqës. Intriga nuk duhet ngatërruar me keqkuptimet ose trillet që fusin autorët herë pas here për të mbajtur lexuesin në gjendje pritjeje. Intriga lidhet drejtpërdrejt me konfliktin e personazheve kryesorë dhe me idenë e veprës, ndërsa ngatërresat, dyshimet, trillet dhe hamendjet, janë pjesë e konfliktit dhe e preferencave të një autori.
Komentet