Romancieri ndien se gjërat rreth tij nisin të
murmuritin dhe atë murmuritje e shpie deri të fjala.
Myshel Butor.
Gjer më sot nuk më ka takuar rasti të lexoj ndonjë libër metodologjik për prozatorët e rinj, nëse do të përjashtonim si pa interes librin “Poetika e prozës” e Tzvetan Todorovskit.. Mësimi më i mirë që mund t’u jepet prozatorëve të rinj është: Të lexojnë sa më shumë vepra të autoreve të mëdhenj dhe të mësojnë nga teknika e të rrëfyerit. Letrarët e rinj i kanë modelet botërore: Tolstoin, Dostojkevskin, Balzakun, Çehovin, Heminguein, Twenin, Svajkun, Kafkën, dhe më bashkëkohorët: Markes, Alende, Borges e dhjetëra shkrimtarë të tjerë nobelistë. Letrarët e rinj kanë se çfarë të përfitojnë dhe dhe shkrimtarët tanë: Kadare, Marko, Spase, Agolli, Xoxa, Xhuvani, Andoni ,Drini, Laço, Koreshi, Çuli, Kongoli , Balanca, ,Çela ,Myftari, Kosta, Blushi, Morava ,Sinani etj., dhe shkrimtarët e tjerë shqiptarë Qosja, Pashku, N. dhe Z.Rahmani, H. Sulejmani,L. Starova, M. Kraja, K. Mehmeti etj., Duke studiuar teknikën e tyre do të gjejnë gjithçka u duhet si përvojë, për krijimtarinë e tyre.
Këshilla më e mirë për një shkrimtar të ri është ajo e tregimtarit të madh rus Çehov: “Shkruaj dhe shkurto.Shkruaj dhe shkurto”. Çehovi e quante ‘lakonizmin”, “motër të talentit”. Arti i të shkruarit, thotë Çehovi, është arti i të shkurtuarit. Mjeshtri i madh i tregimit të shkurtër e konsideronte novelën, “si një anije luftarake në të cilën nuk duhet të ketë asgjë të tepërt”. Është ë njohur këshilla që ai u jepte dramaturgëve të rinj: “Në qoftë se është varur një pushkë në mur, ajo duhet të shkrepet patjetër gjer në fund të dramës“. Më këtë ai do të thotë se asnjë detaj nuk duhet të jetë kot, por në shërbim të idesë dhe të veprimit. Romancierët e rinj Çehovi i këshillonte: “Shkruajeni për një vit të tërë, pastaj shkurtojeni për gjysmë viti, dhe së fundi botojeni…Romani përfshin shumë familje dhe një territor të tërë. Por, në qendër të tij janë dy figura kryesore; një mashkull dhe një femër,rreth të cilëve shtrihen linjat e veprës.” Në çastet e krijimtarisë, shkrimtari i ri nuk duhet të bëhet censor i vetvetes. Ai duhet ta ndiejë vetën mbret, i cili, me syrin e fantazisë, rrok dhe pasqyron gjithçka i duhet, mirëpo, pas kësaj vjen procesi i reflektimit të asaj çfarë është shkruar . Në këtë punë askush nuk mund të të ndihmojë. Si shkrimi ashtu dhe shkurtimi janë pjesë e punës laboratorike të vetë shkrimtarit.
Një shprehje japoneze thotë: “Gdhendësi i mirë e përdor thikën pa majë të mprehtë.”
“Tregimtari apo romancieri duhet të shkruajë në mbështetje të njohjes së vet dhe në mbështetje të përvojës së vet”,- ka thënë shkrimtari Henri James, shto këtu edhe njohjen saktësisht të gjërave. Nëse do të kërkonim një përkufizim për një vepër letrare , tregimi, novela dhe romani, pavarësisht nga përmasat, janë përshtypje interesante vetjake e të pandërprera për jetën. Shkrimtari shkruan në bazë të përshtypjeve të tija mbi jetën, kozmosi i tij shpesh është vendlindja e vet. I. Kadare, në romanin “Kronikë në gur” sjell përshtypjet e fëmijërisë, të deformuara artistikisht, nga qyteti i vet i lindjes.. Jakov Xoxa, në romanet e veta sjell përshtypjet vetjake nga Myzeqeja. Edhe Ali Abdihoxha, ngjarjet e trilogjisë “Një vjeshtë me stuhi”, i zhvillon në qytetin e Elbasanit. Ky qytet është kozmosi letrar edhe i shkrimtarëve Dh. Shuteriqi, Dh,Xhuvani, F. Kongoli, M. Vyshka etj. Në një intervistë të para ca kohëve, shkrimtari i njohur Teodor Laço, tha: “Të gjithë tregimet e mia i zhvilloj në Dardhë ose kam parasysh katundin tim, Dardhën…”
“Në romanet apo tregimet e veta,- thotë Dostojevski,-shkrimtari përpiqet t’i marrë tipat nga shoqëria dhe t’i paraqitë figurativisht dhe artistikisht, tipa që shumë rrallë ndeshen në tërësinë e tyre edhe në realitet, e ndërkaq të thuash janë më realë se realiteti. (Idioti. faqe 197. vëll. II.) Në lidhje me figurat e dyta të veprave letrare, ai thoshte: “Njerëzit e rëndomtë janë përherë dhe më të shumtën , hallka të domosdoshme në zinxhirin e ngjarjeve të përditshme jetësore. T’i lësh mënjanë do të thotë të shkelësh vërtetësinë.”Shkaqet e veprimeve njerëzore zakonisht janë më të ndërlikuara e më të llojllojshme sesa i shpjegojnë njerëzit e thjeshtë. Në jetën e përditshme, rrallëherë pasqyrohen qartë , me vërtetësi dhe në kompleksitetin e vet. Pikërisht këtu fillon puna psikologjike dhe pasionante e shkrimtarit.
Floberi thoshte se, historia e një morri, ashtu si edhe historia e Aleksandrit të Madh, kanë të njëjtën vlerë dhe interes për letërsinë.” Këtu qëndron vlera e zbulimit të disa të vërtetave të thjeshta, të cilat mund t’i këqyrë vetëm syri i shkrimtarit.
Letërsia e bën njeriun të sodisë me një pamje superiore botën e pasioneve dhe me këtë qetëson ndërgjegjen e turbulluar. Pikëvrojtimi ka rëndësi të dorës së parë. Përgjithësisht shkrimtarët merren me përshkrimin e ndërgjegjes njerëzore e cila, sipas Dostojevskit, shumë pak ka evoluar gjatë historisë. “Ndërgjegjja njerëzore,-thoshte ai,-është shprehi e përgjithshme njerëzore e 7 mijë vjetëve më parë.. .Kur ta kemi hequr këtë, atëherë le të jetojmë si zotat”. (“Vëllezërit Karamazovë” Il.f 490)
Te Dostojevski rrëfimet e disa karaktereve të rëndomtë bëhen elementë që pretendojnë për zotërim në strukturën e romaneve të tija.
“Shkrimtari në një vepër nuk bën gjë tjetër, veçse parodizon jetën dhe njëkohësisht i beson me naivitet asaj”,- thotë Borges. Shkollat e ndryshme letrare, rrymat e ndryshme artistike, si: dadaizmi, futurizmi, surealizmi etj., e kanë vënë në pikëpyetje përdorimin tradicional të gjuhës. Ato eksperimentojnë me fjalët simbol apo më fjalët si tingull duke krijuar shpesh fragmente të tëra me tollovi mendimesh dhe emocionesh.
Për ilustrim , po sjell si shembull një fragment nga romani “Uliksi ” i Xhojsit (1882-1941):
“Po pse më parë nuk ka bërë kurrë diçka të tillë të kërkojë mëngjesin në shtrat me dy vezë që kur ishim në hotelin “Citi Arms” kur shtirej si i sëmurë, me zërin e një njeriu që vuante dhe mbahej me të madh, si një pasha për t’u bërë interesant me zonjushën Riordan një lëneshë plakë dhe ai besonte se e gëzonte mbrojtjen e saj dhe ajo nuk na la një grosh të gjitha i mbajti për vete e shpirtin e saj çingunia e dreqit.”
Në këtë frazë kaq të gjatë nuk do të gjesh as pika, as presje. Këtu rregullat e përdorimit të gjuhës tradicionale si dhe të logjikës se mendimit prishen nën idenë e ligjërimit, sipas asaj që nga kritika është quajtur, “përroi i ndërgjegjes”.
Tregimi dhe e vërteta
Kurrë nuk duhet të gënjeni! Arti ka një veçanti
të madhe; nuk e duron gënjeshtrën. Mund të
gënjesh në dashuri, në politikë, në mjekësi,
mund të gënjesh tërë dynjanë bile edhe zotin,
por në art nuk mund të gënjesh dot.
- P. Çehov
“Gjithë vepra e shkrimtarit i ka themelet dhe programin e saj në këtë jetë të fshehtë të tij.-thotë I.Kadare.- Disa minuta të saja janë në gjendje të ushqejnë muaj e ndoshta vite të tëra pune. Gjatë kësaj dehjeje, përpara trurit të shkrimtarit gjithçka ngjan e mundshme. Bota humbet ngrirjen e saj dhe kthehet në gjendjen e parë, të zbutur, kështu që format e saja duken lehtësisht të modelueshme.”
Tradita e të rrëfyerit është e lashtë sa vet njerëzimi, ndërsa tregimi i shkruar është një krijesë e shekujve të fundit. Ishte viti 1837, kur Nathanail Hauthorne vendosi të hedhë në letër rrëfenjën e parë: “Një përrallë e pa thënë”.Pesë vite më vonë, (1842) poeti i njohur amerikan E.Allan Poe do të botonte esenë e parë.
Pas kësaj, tregimi i shkurtër merr udhë. Për vet mundësitë e tij të jashtë zakonta , ai bëhet zotërues në letërsitë e shumë popujve .
Shkrimtarë të mëdhenj si Çehovi, Dostojevski, Heminguej, Turgeniev, Kafka, etj, do ta lëvrojnë me sukses këtë gjini duke na dhënë kryevepra letrare.
Edhe shkrimtarë shqiptarë, ndër të cilët fillimisht Migjenie Kuteli, Spase, më vonë Shuteriqi Laço, Agolli, Kadare, Kondo, Prifti, Kosta, Koreshi, Andoni, Balanca ,Blushi, Çuli, Çela, Myftari, Shehu, Lubonja, Stani, Balliu etj.,do të krijonin traditën e tregimit shqiptar.
Në vitin 1998 u botua një antologji e tregimit më autorë të mëdhenj, botërorë, titulluar:”Arti i rrëfimit”. Juria e caktuar me këtë rast zgjodhi si tregimtarin me një ndikim të jashtëzakonshëm, A.P.Çehov.
Në Amerikë sot ka mbi 600 universitete që diplomojnë studentë në degën e krijimit dhe që u kërkohet të shkruajnë disa tregime si punë diplome.
Karakteristikë e tregimit të shkurtër është përqendrimi në një fabul, në një personazh, në një rrethanë të caktuar, duke ndërthurur stilin, formën dhe gjuhën në një unitet të vetëm. Tregimi e merr lëndën e parë nga jeta e përditshme, mirëpo , nëse poezia bën fluturime , tregimi e ka të nevojshëm, në mos të domosdoshëm, lëndën jetësore dhe personazhet realë.
Në lidhje me përparësitë e gjinisë së tregimit ndaj poezisë tregimtari K. Mehmeti shkruan :Unë i takoj atyre që besojnë se poezia është pranvera e shpirtit, ndërsa proza i përfshin të gjitha stinët e tjera të jetës. ..Proza kërkon sinqeritet të plotë, ajo nxjerr në sipërfaqe të gjitha aftësitë dhe të metat e atij që e thur.”
Në letërsinë tonë është lëvruar me sukses tregimi realist me variacione të shumta, edhe si ese filozofike (M. Zeqo) edhe si letërsi imagjinare,(Kadare) edhe e llojit poetik (Koreshi) edhe e llojit policor…Tregim me ngjarje të jashtëzakonshme, tregim poetik, tregim simbolik, (A. Pashku) tregim-ëndërr. etj.
Letrarëve që dëshirojnë t’i hyjnë lëvrimit të tregimit do t’u kujtojmë sërish porosinë e Çehovit, i cili gjatë jetës së fij ka shkruar mbi 500 tregime me tema jetësore, sipas parimit :”Zoti im, mos me lejo të gjykoj dhe të flas për atë që nuk njoh dhe nuk e kuptoj.”
Në shënimet e veta ai shkruan: “Është e çuditshme, por tani kam maninë e shkurtësisë. Çdo gjë që lexoj, e imja qoftë apo e ndonjë tjetri, nuk më duket aq e shkurtër sa duhet.” Në procesin letrar të gjithëve na ndodh të zgjatemi me pasazhe të panevojshme e në mënyrë të pakontrolluar nga askush..Në letërsi, -thotë Çehovi, – nuk mund të gjendet një polici më efikase se kritika dhe ndërgjegjja personale e shkrimtarit.
Nga eksperienca ime po tregoj diçka që besoj se mund t’u vlejë Te tregimi “Memeja” unë nuk kam sajuar asgjë, veç emrit të hallë Havasë, (Memesë) Ajo ishte një grua si burrë, jetonte e vetmuar në një shtëpi me mure të plasaritura, në krye të fshatit. Një mëngjes dimri shtëpia e hallës ra dhe e zuri brenda. Shkuam dhe e gjetëm duke dhënë shpirt. Në çastet e fundit na la amanet t’i thernim nëntë dhitë për shpirt të saj dhe: të mos mallkonte njeri: “Të zëntë shtëpia si Havanë!” Këtë përjetim e ruaja si një kujtim që nuk i përkiste letërsisë. Pati një çast që më vetëtiu në mendje. “Po. Mund të dalë një tregim i mirë.” Të gjithë krijuesve iu ndodh të ruajnë në memorje mbresa personale, qysh nga fëmijëria. Kjo gjë kërkon një reflektim të herë pas hershëm, për të gjykuar ftohtë, se cilat janë ato ngjarje që i duhen letërsisë. Nga eksperienca ime gjykoj se, aq sa ka rëndësi mënyra e të treguarit aq ka rëndësi dhe gjetja e një fabule, ndaj, nga prozatori kërkohet inteligjencë dhe vëmendje të vazhdueshme në përzgjedhjen dhe seleksionimin e tyre.
Nobelisti , Mario Llosa, në fjalën e tij të rastit tha: “Të shkruarit e tregimeve nuk është një punë e lehtë. Kur ato ishin për t’ materializuar në fjalë projektet fishkeshin në letër dhe idetë e metaforat dështonin.”. Floberi na mëson se talenti është disiplinë e panënë shtruar, ndërsa Folkneri na mëson se forma e shkrimit dhe struktura ose e ngre ose i varfëron temat.”
Vepra e shkrimtarit i ka rrënjët tek një e fshehtë që, vetëm ai e ndien, vetëm ai e di dhe vetëm ai digjet nga dëshira për ta përshkruar. E fshehta e brendshme na jep jo vetë ngasjen e parë, por ndikon në mënyrën e të treguarit. Shkrimtari gjithmonë është në garë me jetën dhe të vërtetën. Ai ecën paralelisht me të , ndonëse është në rolin e zbuluesit. “Nëse shkrimtari ka hyrë në urgjencën e problemit të tij,-thotë Zh.P.Sarter, -të jeni të sigurt se do të propozojë një zgjidhje në trinitetin krijues të veprës së tij, domethënë, në turbullirën e lëvizjes së tij krijuese.”
Sipas studiuesit francez, R.Garodi Letërsia nuk është një imitacion i jetës dhe as fotografim i saj, shkrimtari e nënshtron këtë realitet, sipas natyrës së tij të brendshme.
Censorët e letërsisë së ” realizmit socialist”, këto parime artistike dikur i quanin të frikshme, duke i etiketuar “ide dekadente.” Shkrimtari i real-soc. nuk duhet të ndërtonte një realitet imagjinar, kjo bëri që disa romane të atyre viteve të ishin pasqyra natyraliste të atij realiteti.
Në studimin “Letërsi e pa interpretuar”, Floresha Dado analizon tre raste shkrimtarësh shqiptarë të cilët e kanë parë realitetin nga kënde të ndryshme. fenomeni Trebeshina si një disident i mirëfilltë, Kadare, “as si një disidencë e drejtpërdrejtë as si një shërbyes i regjimit.” dhe Agolli: ”Mbështetës i politikës së partisë në pushteti vetëdijshëm për rolin e idealeve socialiste në zhvillimin e vendit.”
Për këto probleme kemi harxhuar shumë kohë nëpër plenume dhe mbledhje të gjata. Pas plenumit të qershorit, të vitit 1973, shkrimtarë të rinj, të cilët punonin në organet e Lidhjes së Shkrimtarëve, si: Viktor Qurku, Faik Balanca, Moikom Zeqo, Thanas Dino … (këtu hyj dhe unë) u përzunë nga puna. ca nga ne ishim me fat, pasi , pati autorë që u syrgjynosën burgjeve, si: Pjetër Arbnori, Minush Jero, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja e Fatos Lubonja .Me motivim politik u burgosën më vonë edhe Bedri Myftari, Visar Zhiti, Pano Taçi, Jorgo Bllaci, Zyhdi Morava, Ahmet Golemi, Bashkim Shehu ,Hysen Tabaku, etj., të cilët u futën nëpër galera me vite të tëra. Por pati edhe poetë të tjerë, dhe më fatkeq. si: Trifon Xhagjika e Avzi Nelaj, Vilson Blloshmi e Genc Leka, të cilët u pushkatuan.
Letërsia është një punë laboratorike, ku autori kërkon probabilitetin jetësor, ndërsa të vërtetës duhet t’i thotë: “Ik dhe mos u kthe!” Shkrimtari Myshel Butor thotë: Romancieri i ndien gjërat si nisin të murmuritin rreth tij dhe atë murmuritje e shpie gjer tek fjala…Frymëzimi i tij është bota në procesin e ndryshimit.”
Romani, gjinia më e vështirë
Çdo libër që ia vlen për ta lexuar është
krijuar nga shpirti. B.Shou.
Romani është një meditim mbi ekzistencën, parë
kjo përmes personazheve imagjinare. Forma e tij
është liria e pakufishme. M.Kundera
Romani është gjinia më komplekse,më e plotë dhe më e vështirë e letërsisë. Në një roman ndërthuren të gjitha llojet e gjinive letrare:poezia, drama, eseja, tregimi, novela, peizazhi, njohja psikologjike, morali, politika, filozofia dhe panorama e gjerë jetësore e kohës.
Sipas studiuesit Markeviç, romani me variacionet e mëdha hap hapësira pafundme. Në klasifikimet që mund t’i bëhen këtij zhanri kemi:
Roman i një personazhi( roman i një karakteri)
Roman i hapësirës (raum roman)
Roman realist (i kushtëzuar në hapësirë dhe në kohë)
Roman eksperimental (si shembull mund të sjellim Uliksin” e Xhojsit.)
Roman monologjik-asociativ (tregimtari monologon më botën vetjake)
Roman “rrjedha e vetëdijes”
Roman monolog,
Roman në vargje…
Romani magjik(romanet e nobelistit argjentinas, Markes)
Roman epope ( në kohët e sotme nuk përdoret më.)
Nëse dikush mendon të shkruajë një roman historik, ai duhet të këtë këshillat që u thoshte Herceni kolegëve të vet: “E kaluara nuk është monografi historike, por refleks i historisë mbi njeriun… “Mbase kjo shprehje vlen edhe për ata shkrimtarë që shkruajnë letërsi mbi figura historike. Sipas Lukianit , gjuha letrare e një vepre historike, nuk duhet të dalldiset vend e pa vend, ndryshe ka shumë rrezik të dalë nga udha e drejtë dhe të kridhet në vallen e furishme poetike. .
Për sa u përket shkrimtarëve që imitojnë autorë të tjerë unë do t’u përgjigjesha më fjalët e piktorit, Camille Corot, i cili thoshte:“Kur ndjek dikë, je gjithmonë prapa.”
Në fillimet e veta, çdo prozator ka një idhull që e ndjek, por kjo kohë nuk zgjat shumë. Imitimet mund të jenë jo vetëm në konceptim , ato mund të prekin edhe stilin, i cili, duhet të jetë sa më origjinal dhe i veçantë, nga një prozator te tjetri, pasi, stili është vetë njeriu.
Po kështu, sipas mënyrës së të treguarit, mund të bëjmë disa klasifikime:
Tregimtari autor, i pa konkretizuar si fytyrë
Tregimtari i gjithëdijshëm
Tregimtari me njohje të kufizuar të realitetit të paraqitur
Tregimtari vrojtues, i cili vrojton, interpreton.
Tregimtari vrojtues, por neutral, i cili vetëm regjistron.
Tregimtari i cili kalon në vetëdijen e disa individëve
Tregimtari i cili zhvillon narracion retrospektiv.
Tregimtari si subjekt, i cili zhvillon në vepër monolog të brendshëm.
Tregimtari- vetvetja, personazh vetë autori, i cili sundon “gjithëdijën” e tregimtarit autor (këtu hyjnë të gjitha romanet e Dostojevskit).
Me zhvillimin e madh të kinematografisë, këto vite zhvillimi të hovshëm mori romani i ngjarjeve dhe situatave, por i konvertuar tashmë edhe në skenarë filmash, të llojeve të ndryshme,si filma me aventura jetësore, me aventura kozmike, (njerëz që zbresin në tokë nga kozmosi) me ngjarje të tjera të pazakonta, filma me fantazma. Po kështu , këto lloj romanesh u konvertuan edhe në telenovela, të cilat kanë mbushur dhe mbushin çdo ditë kanalet televizive në gjithë botën. Megjithatë, edhe romani i këtij lloji nuk ka pësuar ende rënie të theksuar, edhe ai ka pasur një lloj lulëzimi.
Sot në botë ka shumë shkrimtarë që shkruajnë romane, të tilla të cilat do t’i quanim “romane të konsumit”. Letërsia jonë nuk e ka pasur në traditë një roman të tillë, romani shqiptar i dhjetëvjeçarëve të fundit ka ecur në traditën më të mirë të letërsisë paraardhëse , duke lëvruar kryesisht romanin realist të karaktereve.
Sido që të plazmohet romani , ai ka disa parime të përgjithshme të cilat nuk duhet të anashkalohen prej askujt. Së pari, ai nuk duhet të jetë poetik (kupto këtu, të mos futen shumë elementë që i përkasin gjinisë së poezisë). Gjithashtu, personazhet nuk duhet të jenë bardhë e zi, ata duhet të jenë natyralë, me cilësi pozitive dhe negative. Personazhet duhet të jenë të gjallë dhe realistë.
Në roman duhet të zërë vend të dukshëm vëzhgimi psikologjik, po kështu , komikja dhe seriozja të jenë në harmoni. Mbi të gjitha, tema ose mesazhi duhet t’i përgjigjet lexuesit.
Këto janë vetëm disa parime të përgjithshme, të cilat asnjë shkrimtar gjatë punës krijuese nuk i ka në vëmendje. Kujdesin për ruajtjen e raporteve shkrimtari e ndjek me intuitë.
Romani i karaktereve ndjek zhvillimin linear të figurës përmes vëzhgimeve të shumta të autorit ose përmes personazhit kryesor. Krijimtaria e një ndër shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit që kaloi, Fjodor Dostojevskit, është e mbushur me rrëfime karakteresh, të cilët bëhen elementë që pretendojnë për zotërim në strukturën e romanit.
Romani “Ana Karenina” i Leon Tolstoit është i ndërtuar mbi dy tregime paralele, ai ndjek një vijë lineare, sikur ecën mbi dy shina, mbi karakteret e dy personazheve të vendosur në një njësi koherente. Ky quhet një roman karakteri me ndërtime paralele. Ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kohës së sotme është nobelisti Markes, i cili, me krijimtarinë e tij të pasur, është quajtur nga kritika krijuesi i” “romanit magjik”. Ky lloj romani ka ecur në gjurmët e romanit të shkrimtarëve të mëdhenj të Amerikës Latine.
Ja një fragment i nxjerrë nga romani “100 vjet vetmi “:
“Pak kohë më pas, kur mjeshtri po merrte masat e arkivolit, përmes dritares ata panë rënien e një shiu të ndritshëm e të imët lulesh të verdha. Ato ranë nëpër gjithë qytetin, në një stuhi të qetë, mbuluan çatitë, bllokuan dyert dhe mbyten kafshët që fjetën përjashta. Aq shumë lule ranë nga qielli, saqë në mëngjes rrugët ishin të shtruara me një jastëk kompakt dhe ata duhej ta pastronin, kështu që ceremonia mortore mbaroi.”
Kemi të bëjmë me një përshkrim të nxjerrë, si nga një ëndërr, pasi vetëm në ëndrra njeriu mund të shikojë realitete të tilla, në çastet e vdekjes së njeriut më të dashur, kur merren masat e ndërtimit të arkivolit, përmes dritares vërehet rënia e “një shiu të ndritshëm e të imët, lulesh të verdha, të cilat bien mbi të gjithë qytetin.
Këto lloj përshkrime kanë të bëjnë me surrealizmin aq të kritikuar tek ne nga ideologjia në fuqi, por, pa dyshim, edhe surealizmi ka dhënë shpesh kryevepra letrare, në letërsitë e të gjithë popujve, kur është përdorur më sukses.
Ja si e quan Borges këtë lloj letërsie:
“Transformim i së zakonshmes dhe i së përditshmes në një mrekulli jo reale.. magjike, lulëzuese…Le të shpresojmë, të përjetshme.”
Tipi letrar
Eshtë një ajkë e nxjerrë nga qumështi, është
diçka e ngjeshur, e shtrydhur.
M.Gorki
Duke shfletuar blloqet e shënimeve shkruar në vite, gjeta këtë shënim pa autor: “Nga të gjitha kënaqësitë e krijimit, kënaqësia më e madhe është ajo e trillimit.” Kjo ide, tashmë, ndoshta më shumë se në çastin që e kam shkruar, më duket e pranueshme. Po të mos kishte qenë aventura e bukur e trillimit, e zotërimit të lojës me figurën, ndoshta ideja e krijimit do të ishte e mundimshme dhe tepër e mërzitshme.
” Të trillosh,-thotë Maksim Gorki,- do të thotë të nxjerrësh nga tërësia e një realiteti të dhënë idenë e tij kryesore dhe ta trupëzosh në një figurë. Kjo na jep neve realizmin“(“Artikuj dhe pamflete” f .126) Më poshtë ai shton “…Por në qoftë se kuptimit të asaj që kemi nxjerrë nga realiteti i shtojmë… të dëshirueshmen dhe të mundshmen, duke e plotësuar edhe me shumë figurën, atëherë kemi një lloj romantizimi, që përbën bazën e mitit dhe që është shumë i dobishëm sepse na nxit të mbajmë një qëndrim revolucionar ndaj realitetit, një qëndrim që e ndryshon botën praktikisht.”
Në dekadat që kaluam, gjithë vendet socialiste i shndërruan në dogmë dhe udhëheqje për veprim citatet e krijuesit të realizmit socialist, M.Gorkit . Ishte pikërisht ky lloj angazhimi i shkrimtarëve për të ndryshuar gjoja botën, që krijuan tipa sa realë aq edhe artificialë, në emër të qëndrimit revolucionar, për t’u veshur personazheve elementë: “të mundshëm dhe të dëshirueshëm…!?” Kërkesa të tilla e larguan letërsinë tonë nga realizmi i vërtetë. Gorki shkrimtar i kuptonte ndryshe gjërat, po kështu edhe tipin letrar”Ç’është tipi te një shkrimtar i njohur , te një shkrimtar i vjetër, të klasikët tanë?” pyet ai. Dhe po vetë përgjigjet: “Është një ajkë e nxjerrë nga qumështi, është diçka e ngjeshur, e shtrydhur.”
Te “Ftesë në studio”, Kadareja thotë: “Sipas asaj që kam shkruar në “Koncert…” (te një personazh gruaje mund të gjejmë sytë e njërës, por lotët e një tjetre etj. etj.) ka rrezik që lexuesi t’i përfytyrojë personazhet letrarë si krishna të vërteta me duar, këmbë e sekse të pafundmë. Në të vërtetë, gjithçka është shumë më e ndërlikuar…Nuk janë vetëm pamjet (fytyra, sytë etj.), por gjithçka tjetër që në mendjen e shkrimtarit zhvendoset. Gjithçka që ai ka njohur në këtë botë bluhet në mokrrat e ateliesë së tij për të krijuar atë miell të veçantë prej të cilit do të mbruhen veprat e tija. Në atë miell janë shkrirë dhe flijuar të gjithë e, në radhë të parë, ai vetë.”
Nga këto thënie kuptohet qartë që tipi letrar, ndonëse është një aliazh fytyrash, përsëri ka diçka nga karakteri i vetë shkrimtarit. Në atë tip janë shkrirë dhe flijuar shumë persona ( realë ose imagjinarë), por personi i vërtetë që vetëflijohet është vetë shkrimtari.
Nga romani shqiptar ne kemi shumë shembuj pozitivë, ku shkrimtarë, si; Petro Marko, Jakov Xoxa, Sterjo Spase, Dritëro Agolli , Kolë Jakova, Dhimitër Xhuvani, Teodor Laço, Skënder Drini, Vath Koreshi , Naum Prifiti, Diana Çuli, Kiço Blushi ,Faik Balanca e sidomos I.Kadare , na kanë dhënë tipa të cilët kanë mbetur edhe sot e kësaj dite në mendjet tona, si persona që i kemi njohur në jetën e përditshme.
Shkrimtari i madh rus Dostojevski, në romanet e veta, ndonëse në bazë të krijimit të figurës kishte trillimin, na ka dhënë shumë tipa realë, të cilët mund të themi se kanë qenë më realë se vetë personat realë.
Nobelisti Ivo Andriç, ka qenë mjeshtër i karaktereve, duke mos ia lëshuar frenat fantazisë, ai tipizon duke kontrolluar hollësirat historike. Në romanet e tija e sidomos në tregimet e shkurtra ai na ka dhënë tipa të tillë ballkanas që na mbeten gjatë në mend, si figura e Mustafa Maxharit etj. Po kështu, janë të paharruara figurat e Kapedan Mihalit (“Ja vdekje ja liri “) dhe Zorbës (“Zorba”) të shkrimtarit grek Niko Kazanzaqis.
Në letërsi çdo kohë ka novatorizmin e saj. Ajo që dje ishte novatorë, për pasardhësit shndërrohet në traditë. Paralelisht me letërsinë ecën edhe estetika, si një “estetikë lëvizëse” . Mbivlerësimi i një lloj letërsie, i një vepre, i një shkrimtari, mbivlerësimi i një lloj tradite, i një lloj romani, i një lloj mënyre të shkruari, shndërrohet në bumerang për një autor. Shtyllat mbi të cilat ngrihen veprat e mira letrare janë idetë dhe personazhet.
Në dekadat e kaluara u ndërtuan hierarki shkrimtarësh dhe veprash, në përshtatje me politikën vetizoluese. Kësaj platforme i shërbeu me zell edhe kritika letrare e kohës. Si rezultat i saj , në këto vite pati një lulëzim të frenuar individësh si dhe një vlerësim hierakik i paragjykuar. Kjo gjë vazhdon të ndodhë edhe sot. Në letërsinë tonë nuk ka pasur varfëri karakteresh letrare, por lulëzim karakteresh të tipit “optimizëm me çdo kusht“.
Dhjetëvjeçari i fundit ka krijuar hapësira dhe ka afruar për shkrimtarët, probleme dhe personazhe të denja për një letërsi të madhe. Të rinjtë letrarë duhet ta kuptojnë mirë këtë avantazh të madh që ata kanë në krahasim me brezat e shkrimtarëve paraardhës. Koha e rinisë është koha më e favorshme për të krijuar vepra të rëndësishme letrare. F.Dostojevski kohën e rinisë e quante “kohë e lumtur”. “Atëherë isha më i zgjuar dhe më i mprehtë se kurrë dhe i kuptoja të gjitha ato që vlejnë të kuptohen në jetë, se isha i lumtur..” Mirëpo,para se të hidhni në letër fjalinë e parë të një tregimi , të një novele ose romani, duhet të verifikoni, nëse se jeni vërtet të prekur dhe emocionalë në çastin e krijimit…”Atëherë sinqeriteti i emocionit tuaj do të kalojë tek të tjerët.”
Komentet