Për herë të parë pas afro dy dekadash demokraci, në një nga ditët e fundit të majit të sivjetshëm, me iniciativën e Shtëpisë Botuese “Çabej” u organizua një mbrëmje përkujtimore kushtuar 30 vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit Mustafa Grëblleshi. Kjo ngjarje e vonuar jubilare, për çudinë e pjesëmarrësve elitarë, u përkujtua në një nga ambientet e ronitura të ish Hotel Dajtit, tanimë i shkretë e i braktisur nën hijet e një kohe të perënduar.
Në këtë sfond të trishtuar do të përkujtohej e nderohej figura e Mustafait, si njeri me germa të mëdha, si shkrimtar i talentuar, si mjeshtër i fjalës shqipe, si luftëtar i penës në mbrojtje të lirisë dhe të vërtetës. Ata që e njohën dhe patën fatin të jenë miq të tij do të shpalosnin vlerat e Mustafait, që koha nuk i mjegulloi, po përkundrazi e solli emrin dhe veprën e tij deri në ditët tona të nderuar e të qëndrueshëm.
Mustafai lindi e u formua në një familje patriotike dhe intelektuale, duke hyrë në letërsi si një nga përfaqësuesit autokton të trevës tiranase. Dihet që nga kjo trevë kanë dalë intelektualë vendas të fushave të ndryshme me kontribute të shquara që kishin kryer studime në universitetet e njohura të Evropës. Kurse në lëmin e letërsisë, përjashto trashëgiminë e pasur të poetëve bejtexhinj, tradita e mirëfilltë letrare e hershme është e kufizuar kryesisht në disa emra të njohur si poeti Murat Toptani, prozatori Naum Voilla, poeti e prozatori Hafiz Ibrahim Dalliu e ndonjë tjetër.
Duhet të presim fillimin e viteve 40 të shekullit të kaluar që të shfaqet një brez i ri letrarësh autokton tiranas, ku një nga përfaqësuesit e tij ishte dhe Mustafai. Në këtë brez do të përfshiheshin letrarë të rinj si Astrit Delvina, Ibrahim Hasanaj, Bardhyl Pogoni etj. Brezi i tyre do të kish si organ kryesor revistën “Bleta” që e drejtonte shoku i tyre Sergei Sherko.
Është interesant që Mustafai, edhe pse në moshë të re, kish hyrë në shoqëri të intelektualëve të njohur të kohës si Haki Stërmili, Vasfi Samimi, Gjergj Bubani, Stefan Shundi, Vangjel Koça, Fadil Llagami etj. të cilët e çmonin talentin dhe formimin e tij letrar e kulturor. Mustafai kish kryer gjimnazin e Tiranës dhe do të studionte për letërsi në Universitetin e Torinos.
Debutimi i tij në fushën e letërsisë ndodhi në fillim të viteve 40, në atmosferën e rëndë të pushtimit fashist, të cilin ai e priti me urrejtje jo vetëm duke marrë pjesë në demonstratat antifashiste, por edhe duke botuar në shtyp shkrime më frymë të theksuar kundër pushtuesve. Shkrimi i tij i parë, tregimi “Perëndimi i një shoku” daton në vitin 1940. Me këtë tregim ai nisi rrugën e vështirë të letërsisë, duke u aktivizuar në shtypin kryesor të kohës si “Njeriu”, “Tomori”, “Vatra”, “Bleta”, “Revista letrare” etj. që e bënë një emër të njohur.
Vlen të përmendet skica letrare alegorike “Një trëndafil”, e cila me figurën e saj nënkuptonte Shqipërinë e pushtuar, në atmosferën e së cilës lulja vyshket. Botimi i kësaj skice të guximshme, që tërhoqi vëmendjen e publikut, i solli telashe autorit, duke vënë në lëvizje autoritetet nga kuestura e deri te mëkëmbës mbretërorë. Ishte ky shkrimi i dytë me frymë antifashiste, pas një shkrimi që kish botuar më parë, ku vinte në lojë shqiptarët snobë që në vend të gjuhës amtare flisnin italisht, siç bënin dhe tregtarët që tabelat e dyqaneve i vinin në gjuhën e pushtuesve.
Pas këtyre incidenteve, autori u vu në ndjekje dhe u kërcënua zyrtarisht, ndaj shkoi për studime në Itali. Ndonëse i ri, 19 vjeç, ai shkruan dhe boton romanin e tij të parë “Gremina e dashurisë” (1943) që pati një mirëpritje jo të zakonshme nga lexuesi dhe publiku, kur ndërkaq iu vu punës së romanit të dytë “Muzgu i bregut tjetër” me temë antifashiste, që bënte fjalë për veprimtarinë atdhetare të studentëve shqiptarë në Itali, vepër kjo që mbeti në dorëshkrim.
Megjithatë, firma e shkrimtarit të ri ishte e pranishme në shtypin e kohës përmes tregimeve, reportazheve dhe artikujve kulturorë. Popullariteti i tij u rrit veçanërisht me skicat e tregimet humoristike dhe sarkastike që do të botonte me pseudonimin Liu i Cakut në dy rubrikat aq të njohura dhe tërheqëse, siç qenë “Muhabet tirançe” dhe “Shkel e shko”.
Në qendër të tyre ishte bota tiranase, me problemet e saj, me një galeri të tërë personazhesh, dhënë vërtetësisht, me humorin karakteristik të trevës së vendlindjes. Ata i takojnë shtresave dhe moshave të ndryshme, me psikologjinë e mentalitetin e tyre të veçantë, me emra tipikë tiranase të mjediseve nga vinin siç janë Hallë Remja dhe Cen Qytyku e deri te nëpunësit e beledies e doktor Hamdiu.
Por protagonisti që i bashkon ngjarjet dhe personazhet është Liu Cakut, mishërim i tiranasit tradicional.
Një nga vlerat e çmuara që paraqet rrëfimi i autorit në këto skica e tregime humoristike është gjuha, e folmja lokale, tironçja me leksikun dhe lokucionin e vetë plot tinguj dhe kolorit lokal. Pra, kemi të bëjmë me një letërsi të shkruar me nëndialekt krahinor, praktikë kjo e njohur dhe në letërsinë evropiane që përbën një dukuri dhe në historinë e letërsisë shqipe.
Nëpërmjet kësaj gjuhe krahinore, që bart emocione dhe humor krejt të veçantë shpërfaqen para lexuesit burrat dhe gratë tiranase, pleqtë dhe plakat në situata të ndryshme, që ruajnë dhe në ditët tona vlera të padiskutueshme jetësore dhe artistike. Në këto faqe humoristike të prozës së Mustafait ka mbetur e fiksuar Tirana e dikurshme.
Mustafai nuk mundi që këto perla të humorit tiranas t’i botojë në një libër më vete, por atë që nuk arriti ta bëjë autori, e realizoi Shtëpia botuese “Çabej” me librin “Muhabet tironçe me Liun e Cakut”, që mban në kopertinë një vizatim të piktorit Ibrahim Kodra enkas për të.
E njëjta shtëpi botuese kohët e fundit do t’i jepte lexuesit tonë edhe librin “Kujtime 1939-1944” që autori e kishte lënë në dorëshkrim. Por trashëgimia e tij letrare dhe publicistike ka mbetur akoma e panjohur. Një pjesë e saj është djegur nga autori, ndonëse ajo që ka mbetur, sidomos ditarët, publicistika, reportazhet e kohës ë luftës nga Greqia dhe Kosova duhet të botohet.
Mustafa Grëblleshi me Stefan Shundin
***
Unë dhe brezi im jemi njohur me letërsinë e Mustafait që adoleshentë në fillim të viteve 40 të shekullit të kaluar, veçanërisht me romanin “Gremina e dashurisë”. Prisnim që të takoheshim me vepra të tjera të tij, pas çlirimit, por kjo nuk ndodhi. Vërtetë, ai do të punonte në fillim në gazetën “Bashkimi”, por kjo qe e përkohshme, pasi në vitin 1947 ai u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg.
Më vonë, duke përfituar nga një amnisti e kohës, pasi bëri 18 muaj, ai u lirua. Me njollën e ish të burgosurit, Mustafai humbi emrin e shkrimtarit dhe u detyrua të punojë si mësues larg Tiranës, në fshatrat dhe qytetet e vogla jugut, deri sa pas shumë përpjekjesh u kthye në vendlindje për të punuar si bojaxhi vite me radhë. Në këtë punë, kur rastisi një herë në fillim të viteve 60 të lyeja shtëpinë, ndodhi papritur të njiheshim me njëri-tjetrin.
Njëri nga grupi i vogël i bojaxhinjve m’u afrua dhe m’u prezantua. Unë u habita dhe u emocionova. Nuk e kisha marrë me mend se do ta takoja në rrethana aspak të këndshme autorin e romanit “Gremina e dashurisë” që më kish lënë aq mbresa. Kjo do të ishte njohja që u pasua me takime të herë pas hershme në shtëpinë e shkrimtarit S. Spasse, ku mblidheshin intelektualë të brezit të vjetër si M. Kuteli, E. Çabej, M. Domi, N. Bulka etj. Mustafai do të vinte me Rushen, të shoqen, një grua e bukur, e mençur dhe e kulturuar. Ata qenë një çift simpatik, që gëzonin respektin e të gjithëve.
Mustafai do të më bënte për vete me natyrën e përzemërt, me formimin e tij intelektual, me kulturën solide letrare-artistike, i përkushtuar me shpirt pas letërsisë. Kish ndjeshmëri të lartë dhe vështrim të hollë e të mprehtë, jepte gjykime kompetente për autorë dhe vepra, ishte rob i artit dhe lexues i pasionuar, njihte disa gjuhë. Ishte një intelektual i vërtetë, sado që e kish pësuar nga jeta dhe ndjehej me vite i shpërfillur e i pavlerësuar.
Nuk mund të harroj portretin e tij. Një burrë i gjatë, i pashëm, simpatik, njeri i dashur dhe me humor, fytyrë qeshur e me zë të ngrohtë, punëtor i palodhur e sistematik, dinjitoz, modest e i matur në fjalë, por mbi të gjitha patriot dhe me shpirt të lirë.
Erdhi një ditë që u bëmë miq të vërtetë dhe në kushtet që ndodhej ai, ndjeja një detyrim shpirtëror dhe moral ndaj tij. Si mund t’i vija këtij njeriu me vlera në ndihmë me aq sa mundesha. Unë atëherë punoja si shef redaksie në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ai tregohej i matur aq sa nuk guxonte të sillte ndonjë dorëshkrim për botim, ndonëse e dija që shkruante, madje më kishte dhënë disa herë tregime për të lexuar, të cilat më kishin pëlqyer. Kjo më bëri të mendoja për botimin e tyre në një vëllim më vete. Por që të arrihej deri këtu, duhej përgatitur terreni duke kapërcyer problemin e burgimit.
Ç’është e vërteta, prej atëherë kishin kaluar më se dhjetë vjet dhe me sa isha interesuar ai vlerësohej dhe respektohej për punën dhe qëndrimin e tij korrekt. Bisedova me mikun tim të ngushtë Drago Siliqin, drejtorin e shtëpisë sonë botuese, i cili ngaqë e njihte që herët dhe e çmonte, u tregua entuziast, madje mori menjëherë të bisedonte me F. Paçramin, sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës, i cili kish qenë dhe bashkëstudent me Mustafain në Torino. Kështu u hap rruga dhe Mustafai sa s’fluturonte nga gëzimi, kur pas pak kohe dorëzoi në redaksi vëllimin me tregime “Albumi i një bojaxhiu”.
Unë, pasi e lexova dhe e përgëzova për tematikën origjinale të tregimeve dhe nivelin artisti, për gjuhën mjeshtërore dhe sidomos për individualizimin e personazheve, e redaktova përmbledhjen me tregime më një kënaqësi të veçantë.
Libri pastaj doli në qarkullim dhe u mirëprit në radhë të parë nga lexuesi tiranas, por dhe nga shtypi. Kritiku Dalan Shapllo botoi një artikull vlerësues. Nuk e harroj gëzimin e Mustafait dhe fjalët që më tha: “Më duket vetja si në ëndërr. Tani ndjehem shkrimtar i vërtetë. Më në fund e gjeta lexuesin e lexuesi më gjeti mua.” Në librin që më dhuroi do të më linte këtë dedikim: “Shokut Nasho Jorgaqi, shkaktar i botimit të këtij vëllimi, me mirënjohje dhe dashuri, M. Gërblleshi, Nëndor 1963”. Libri me tregime, i botuar pas plot 20 vjetësh që nga romani “Gremina e dashurisë” (1943) ishte një dëshmi e talentit dhe vitalitetit krijues të Mustafait.
Pas publikimit të librit, Mustafai filloi të botojë shkrime në gazetën “Drita” dhe skeçe e skica letrare në përmbledhjet letrare të Shtëpisë së Krijimtarisë Popullore. Gjithë këtë situatë Mustafai e përjetoi si një rilindje, ndjeu një përtëritje shpirtërore e krijuese. Ripunoi romanin “Gremina e dashurisë”, ndonëse s’kish ndonjë shpresë botimi, por mbi të gjitha u dha pas përkthimeve të letërsisë së huaj. Kështu, ne do t’i botonim librin me novela “Jeta lakuriq” të L. Pirandelos, dramën “Filomena Marturana” të E. De Filippos dhe një vëllim me përralla arabe të “Njëmijë e një netëve”, i cili u pasua më vonë me vëllime të tjera.
Mustafa Grëblleshi
Me gjithë vitet e vështira që kish kaluar, i shkëputur nga jeta normale letrare, ai i ruante vlerat e një shkrimtari me individualitet të spikatur. Ai ishte origjinal si nga lënda që trajtonte, ashtu dhe nga stili e shprehja artistike. Lexuesi do të gjente në tregimet e tij realitetin e Tiranës autoktone, njerëzit dhe mjedisin e saj, psikologjinë dhe humorin, të shprehurin në një shqipe të rrjedhshme, por dhe me nuancat dhe ngjyrat e të folmes tiranase që i jepte origjinalitet dhe bukuri.
Të 11 tregimet e vëllimit “Albumi i një bojaxhiu” përbëjnë një vepër kushtuar në radhë të parë kolegëve të tij bojaxhinj, jetës dhe punës së tyre, ku bëri pjesë dhe vetë ai. Autori ishte rrëfyes dhe personazh dhe kjo e bën rrëfimin e tij realist. Ai tregon për një jetë të vërtetë që e ka përjetuar në rrethana nga më të ndryshmet. Ndonëse autori ka mbetur në thellësi intelektual, ai nuk dallon nga shokët e punës, s’janë vetëm rrobat bojaxhiut që ka veshur, furça që mban në dorë, gjuha e zanatit, por dhe aftësia profesionale që e bashkon me shokët e punës.
Dhe ndonëse shokët e punës janë përgjithësisht tiranas, në mes tyre përfshihen dhe nga krahinat e tjera, të cilët i lidh puna, solidariteti, vlerat njerëzore.
Janë këto të fundit që zotërojnë në rrëfimin e autorit, pa u përzierë fare me politikën dhe kjo i bën ato disi të veçanta nga letërsia e kohës. Jam i bindur se autori nuk i ka bërë në mënyrë të qëllimshme, sado të trazuar e kishte jetën, por vetë këndvështrimi i tij është i sinqertë, i fokusuar në procesin e punës dhe marrëdhëniet njerëzore të bojaxhinjve. Kjo do të thotë që autori i përjetonte thellë vështirësitë dhe hallet aq të pranishme në jetën e tyre. Në radhë të parë ata janë punëtorë, mjeshtër të zanatit, shokë të mirë, edhe pse me biografi të ndryshme, madje dhe me probleme, të cilat ndihen, por nuk thuhen.
Autori i jep ata gati me emra e mbiemra të vërtetë si Tut Huqi, Shyqyri Fuga, Maksut Hasani etj., por dhe me nofka si Nero, Memeci, Kopraci, personazhe këto të individualizuar, të cilët i mbeten të paharruar në kujtesën e lexuesve. Ata janë natyra të larmishme, me halle e probleme të ndryshme, që secili ka historinë e vet dhe fatin e tij në jetë. Ajo që e bën tërheqëse rrëfimin e autorit është humori i natyrshëm, plot ngjyra e situata, pa të cilin nuk merret me mend përditshmëria e tyre.
S’është vetëm humori tiranas, por dhe i krahinave të tjera që është harmonizuar me mjeshtëri nga autori në kuadrin e ngjarjeve, situatave dhe episodeve të ndryshme që krijohen gjatë jetës dhe punës së tyre.
Ç’është e vërteta, nëpër faqet e tregimeve ndjehen nota të kujdesshme malli e nostalgjie për të kaluarën e jetës dhe punës së bojaxhinjve, që motivohet me moshën e nivelin e personazheve, por që e bën prozën e autorit më realiste dhe tërheqëse.
Rikthimi i Mustafait në fushën e letërsisë pas afro dy dekadash, do të ishte rikthim në jetën e tij të vërtetë, që do ta ringjallte shpirtërisht dhe artistikisht shkrimtarin e talentuar. Do të ishte ky dhe një gëzim për kolegët e vet të brezit të vjetër, për M. Kutelin, S. Spassen, N. Bulkën etj.
Por pa dyshim dhe për lexuesit e dikurshëm që nuk e kishin harruar shkrimtarin autentik tiranas, një nga pionierët e letërsisë së re të kësaj treve , që sado ta kishte fatin të ishte bërë kryeqendra e Shqipërisë dhe e kulturës së saj, çmonte dhe filizat e rinj të dikurshëm, një nga të cilët pati nderin të qe dhe shkrimtari, përkthyesi dhe publicisti Mustafa Grëblleshi.
Them kështu se jam i bindur që trashëgimia e tij letrare, si një krijimtari fisnike, i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë kohës.
Komentet