Bometri diplomatik
Ky cilësim iracional dhe i gabuar historikisht, politikisht dhe ligjërisht i presidentit të sapoinaugurar serb Aleksandar Vuçiq, imponon këtë pyetje të pashmangshme për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar, po sikur presidenti Bujar Nishani të kishte deklaruar nga presidenca ose nga parlamenti i Shqipërisë, se “Shumadia e Serbisë është krahinë e Shqipërisë”, a do të kishte reaguar Beogradi zyrtar? A do të kishin reaguar të të gjithë serbët brenda dhe jashtë Serbisë? A do të kishte reaguar BE-ja? A do të kishte reaguar OKB-ja? A do të kishte reaguar OSBE-ja? A do të kishte reaguar NATO-ja? A do të kishte reaguar Moska? A do të kishte reaguar Pekini? A do të kishte reaguar Uashingtoni ? – Përgjigjja është 100 herë PO, sepse një kërkesë e tillë verbale, do të konsiderohej si përpjekje për ndërhyrje në çështje të brendshme të një shteti sovran, siç është Serbia. Në këtë rast të supozuar, do të shkeleshin parimet, normat dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare; objektivat dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe rregullat dhe normat e sistemit juridik pozitiv ndërkombëtar, që garantojnë marrëdhëniet ndërshtetërore, sigurinë, paqen, bashkëpunimin dhe sovranitetin e shteteve si subjekte juridike ndërkombëtare.
-E në rastin konkret të paprecedencë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u betua se “Kosovën, do ta rikthejë në Serbi”, ashtu siç parashikon Kushtetuta e Serbisë (2006), pse nuk reagoi askush nga faktorët e theksuar relevantë ndërkombëtarë e as nga Shqipëria (as Presidenti, as Krykuvendari e as Kyreministri) dhe nga partitë politike shqiptare? – Pse nuk proteston askush as në Prishtinë, as në Tiranë e as në diasporë, kur Kosova ende është në rrezik nga ripushtimi i Serbisë kolonialiste dhe neokolonialiste?
Ndryshe qarqet politike zyrtare të Beogradit (presidenti, kryeministri, nënministri dhe ministrat e tjerë të qeverisë së Serbisë) nuk do të “krrokasnin” përditë si korbat e zinj para botës, me kërcënimet e tyre, se “Kosova është Serbi” sipas kushtetutës ekzistuese në fuqi (2006). Ky është treguesi më i saktë paralajmërues, se Serbia po mobilizohet me të gjitha forcat dhe mjetet politike, propagandistike, diplomatike, juridike dhe ushtarake duke bashkëpunuar me Rusinë, që një ditë të afërt të ndërhyjë në Kosovë si agresor, ashtu sikurse veproi regjimi pushtues i Slobodan Milosheviqit 1989-1999. Ndaj, as Prishtina e as Tirana nuk duhet të “zihen në gjumë” sikurse këtu e 28 vite më parë. Përkudrazi, edhe Prishtina, edhe Tirana, duhet të pezullojnë çdo kontakt me Beogradin zyrtar derisa Serbia dhe Presidenti i saj i ri, Aleksandar Vuçiq nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.- Si mund të ketë bashkëpunim normal (politik, diplomatik, ekonomik e tregtar) me Serbinë, kur lidershipi i saj serb me Aleksandar Vuçiq në krye dhe Kushtetuta e Serbisë (2006) Kosovën e konsiderojnë “territor të Serbisë”!?
Derisa Kosova figuron në Kushtetutën e Serbisë (2006), ky është rrezik dhe kërcënim potencial për sigurinë dhe për paqen evropiane dhe ndërkombëtare!
Më 31 maj 2017, në seancën solemne të Kuvendit të Serbisë, presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dha betimin e tij, por me përmbajtje të vjetër përsa i përket Kosovës së Shqipërisë Etnike.
Që në fillim, duhet t’ia përkujtojmë presidentit të ri Aleksandar Vuçiq, se me rastin e “leximit” të betimit të tij, ashtu sikurse ish-presidenti i tij Tomsilav Nikoliq theu një rrenë të madhe, se gjoja “Kosova është Serbi”. Urime reprizimi i gënjeshtrës shekullore, por Kosovën shqiptare mund ta shihni vetëm ëndërr, asgjë më shumë, sepse gjatë 100 viteve të shkuara Kosova ishte vetëm një koloni e Serbisë, jo kurrfarë territori legjitimim e as legal.
Logjika e shëndoshë e thotë, sikur Kosova dhe pjesët e tjera të Shqipërisë Lindore (Nish-Kurshumli, Bllacë, Presheva, Bujanoci, Medvegja…) të kishin qenë territore serbe, mirëfilli Serbia nuk do të kishte pasur asnjë arsye, që t’i kryente disa gjenocide ndaj shqiptarëve (1878-1999), me qëllim që t’i pushtonte territoret indigjene të Shqipërisë Etnike. Për realizimin e një strategjie të këtillë serbomadhe në dëm të territoreve dhe të popullsisë shqiptare, Serbia me Slobodan Milosheviqin, me Vojsilav Sheshelin, me Tomislav Nikoliqin, me Aleksandar Vuçiqin, me Ivica Daçiqin, me Zhelko Razhnjatoviiqn-Arkanin…, e me qindra e mijëra kriminelë të tjerë serbë kryen gjenocidin e fundit në Kosovë (1989-1999).
Mirëpo, këtë çetniko-fashistët barbarë serbë e “paguan shtrenjtë”, sepse e humbën përgjithmonë ish-koloninë e tyre 100-vjeçare-Kosovën (1912-1999), e cila, tanimë është shtet i pavarur dhe sovran, të cilën e kanë njohur 114 shtete të Kombeve të Bashkuara (shkurt 17 2008-2017).
Mirëpo, me gjithë krijimin e këtij realiteti të ri në Ballkan, Beogradi zyrtar, as Kisha Ortodokse Serbe me eksponenët e tyre miitantë etnocentristë dhe nacionalshovinistë kursesi të pajtohen me humbjen e luftës së tyre gjenocidale në Kosovë (1999), sërish po vazhdojnë me strategjinë e vjetër plitike të regjimit të Slobodan Milosheviqit, që me çdo kusht Kosovën ta rikthejnë nën saçin e skuqur kolonialist të Serbisë së Madhe.
Kontraversat e Presidentit të ri serb Vuçiq
-Skurse “mesija” e tij Slobodan Milosheviqi, ka futur Kosovën në Kushtetutën e Serbisë (2006), duke e konsideruar si pjesë të pandashme territoriale të saj. Ndërkaq, në anën tjetër, kërkon dialog paqësor me shqiptarët e Kosovës;
–Betohet se, si president i ri, do ta rikthejë Kosovën në sovranintetin e Serbisë, në anën tjetër kërkon bisedime me palën shqiptare kinëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
–Tha se “Serbia ka zgjedhur rrugën që ushtarakisht të jetë neutrale”, në anën tjetër, armatoset deri në dhëmbë me arsenal ushtarak dhe me aeroplanë “migë” të Rusisë së Vladimir Putinit.
–Premtoi se “do ta mbrojë integritetin e Serbisë, dhe do të pranojë bisedime me shqiptarët e Kosovës, sepse në këtë mënyrë i mbrojmë serbët në Kosovë dhe e ruajmë paqen”, në anën tjetër ka okupuar pjesën veriore të Republikës së Kosovës, duke i dëbuar nga shtëpitë dhe nga banesat e tyre me forcë dhe me terror mbi 50 mijë shqiptarë.
-Vuçiqi rikujtoi sintagmën e vjetër politike fallso se :”- Dëshirojmë të jemi zot në shtëpinë tonë, të kemi të pajisur mirë armatën tonë-ushtrinë serbe.
Presidenti i ri serb, do të jetë “zot në shtëpinë e tij”, duke e mbrojtur me një ushtri të fortë të Serbisë.
– Çfarë nonsensi ky, po nëse Vuçiq me serbët e tij, “janë zot në shtëpinë e vet”, atëherë, pse duhet të jenë të mbrojtur nga ushtria e tyre aq madhe dhe e fuqishme, kur ai thotë se Serbia, tanimë, është shtet neutral në kuptimin ushtarak?!
Presidenti Vuçiq si Tito dhe si Milosheviqi
Me rastin e betimit të tij si president i Serbisë para deputetëve të Kuvendit të Serbisë, më 31 maj 2017, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera ripërsëriti sloganin serbo-jugosllav të idhujve të tij, TITO dhe Milosheviq: “Tudje necemo, svoje ne damo”(“Të huajën nuk e duam, tonën se japim”.
-Vështruar në retrospektivën historiko-politike të marrëdhënive të këqia serbojugollave-shqipatre (1912-2017) kjo parullë fallso ishte dhe, edhe sot ka ngelur si “mollë sherri” mes shqiptarëve dhe serbomëdhnjeve, sepse është ndërrim teze për shkak se serbët pushtues ende ndodhen në tokën e huaj shqiptare, kursesi nuk mund të jenë zotërues të Shqipërisë Etnike dhe të shqiptarëve.
Prandaj, edhe presideni i ri serb Vuçiq, duhet të mos jetojë me “ringjalljen” e këtyre tezave të “tredhura” se gjoja “ serbët janë në shtëpinë e vet”, kurse shqiptarët në “janë shtëpinë e huaj”. Kjo tezë pseudohistorike dhe gënjeshtër manipuluese politiko-propagandistike, kurrë nuk do bëhet realitet në Kosovë e as në viset e tjera të banuara me shqiptarë nën Serbi (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).
Serbia kurrë nuk do të integrohet në BE derisa Kosovën ta kosniderojë dhe trajtojë si pjesë të saj. Gjithashtu, lidershipi shqiptar i Kosovës, duhet të pezullojë çdo formë bisedimesh me Beogradin zyrtar për Kosovën, sepse Kosova nuk është pjesë territoriale, as administrative e as shtetërore e Republikës së Serbisë, edhe Kushtetuta dhe presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, thonë se “Kosova është territor i Serbisë”!
“Vula” e betimit e Vuçiqit, e kobshme për Serbinë dhe për Ballkanin!
Pjesa hyrëse e këtij betimi jo vetëm se është absurde, por edhe e dënueshme sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare, sepse Serbia nuk ka kurrfarë të drejte, që Kosovën ta sanksionojë në Kushtetutën e vitit 2006, si pjesë territoriale të saj, e as presidenti i ri serb Vuçiq, të “betohet” para serbëve, se Kosovën, do ta “rikthejë nën Serbi” mbase Kosova është shtet i pavarur dhe sovran i shqiptarëve dhe I Shqipërisë Etnike. Derisa Serbia dhe serbët vazhdojnë “këngën e vjetër” të miteve të tyre mesjetare, se “Kosova është serbe”, varret do të ngelin të hapura jo vetëm në Kosovër, por në të gjitha territoret shqiptare, të pushtuara nga elemnti kolonialist sllav.
Ndërkaq, pjesa përmbyllëse e këtij betimi të Vuçiqit, logjikisht është e pranueshme, sepse vërtet, ka ardhur koha e fundit që serbët të kuptojnë dhe të rivetëdijësohen se me viktima, me varre, me gjenocide, me luftëra të padrejta për t’I shfarosur shqiptarët dhe për t’ua pushtuar dhe kolonizuar territoret e tyre, dot nuk mund të krijohet kurrfarë pajtimi me shqiptarët në Ballkan. Përkundrazi, varret do të ngelin të hapura, ndërsa lindjet dhe paqja, do të ngelin vetëm utopi e shkretë e presidentit të ri të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të pushtuesve kolonialistë serbë.
Nuk do të ketë pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan derisa Serbia nuk e njeh Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. Gjithashu, Prishtina zyrtare, duhet të pezullojë çdo dialogim me Serbinë derisa presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kuvendi dhe qeveria e Serbisë, të mos e heqin Kosovën nga Kushtetuta e Republikës së Serbisë (2006). Këtë ekemi kërkuar që nga viti 2006, kur Kuvendi i Serbisë e miratoi Kushtetutën e theksuar, ku Kosova figuron “si pjesë përbërëse territorial e Republikës së Serbisë”.
Nëse presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dëshiron të jetojë i qetë dhe “zot” në shtëpinë e tij në Serbi, jo kursesi “zot” në shtëpinë e shqiptarëve në Kosovë e gjetkë, të kroatëve apo të myslimanëve boshnjakë, atëherë, pikësëpari, duhet ta njohë Republikën e Kosovës (17 shkurt 2008), si dhe t’i normalizojë marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë dhe me myslimanët boshnjakë të Bosnjës, duke revizionuar strategjinë hitleriane lebensraum të Serbisë së Madhe të Ilia Garashaninit (1844); strategjinë e “tokës së djegur” të Slobodan Milosheviqit dhe doktrinën e rrezikshme të ish-akademikut, shkrimtarit dhe babait të kombit serb, Dobrica Qosiq: “ Të gjithë serbët kanë të drejtë të jetojnë në një shtet të përbashkët, kufijtë e të cilit bazohen në dogmën e instiktit territorial, aty ku është një varr serb, është Serbia”.
Nëse nuk varrosen këto stratregji paranoide dhe fashistoide të Serbisë, lidershipi politik i Beogradit me presidentin Aleksandar Vuçiq në krye, do ta ketë të pamundur, që ta realizojë doktrinën e tij parashikuese për t’u integruar në BE, në NATO, si dhe për t’u pajtuar me shtetet fqinje në Ballkan.
Duke qenë se jetojmë në vlugun e bashkëpunimit, të paqes dhe të demokracisë evropiane të shekullit XXI, liderët politikë dhe shtetarërt serbë, duhet të mendojnë seriozisht dhe të veprojnë urgjentisht, që Serbia të heqë dorë dhe të përshëndetet përgjithmonë nga opcioni i luftës me fqinjtë, me qëllim të zgjerimit koheziv dhe permanent të kufijve të Serbisë së Madhe për të pasur dalje në Detin Adriatik.
Ky opcion i gabuar, Serbisë i kushtuar shumë shtrenjtë (duke i humbur të gjitha betejat dhe luftërat agresive pushtuese), që nga luftërat ballkanike (1912-1913), kur në emër të çlirimit të territoreve të saj, së bashku me Malin e Zi pushtoi, kolonizoi dhe aneksoi territoret autktone të Shqipërisë Etnike.
Kjo është tragjedia ballkanike, që edhe sot në shekullin XXI, elita intelektuale dhe politike serbe nuk do të ballafaqohet me të, në mënyrë që të lirohej nga obsesioni dhe paranoja kolektive e “instiktit primordial”, i cili në mungesë të vetëdijes gjithnacionale serbe, ishte faktori kryesor i shpërthimit të tri luftërave gjenocidale të Serbisë kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës(1990-1999).
Sa më sipër, si presidenti i ri Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe e gjithë Serbia dhe serbët, duhet të mbajnë parasysh faktin se Kosova kurrë nuk ka qenë serbe, dhe kurrë nuk do bëhet serbe e as e Serbisë, por vetëm e shqiptarëve dhe e Shqipërisë Etnike. Kjo është e drejta natyrore, historike, kombëtare dhe ndërkombëtare e Kosovës shqiptare. Ndryshe, kush cenon këto të drejta, është në luftë të hapur me shqiptarët. Kjo vlen edhe për ata shqipfolës filoserbë, që me “kombin kosovar” dhe me “gjuhën kosovarsishte”, janë bërë aleatë të Serbisë kolonialiste për zhbërjen e kombit shqiptar dhe të gjuhës shqipe.
Komentet