VOAL

VOAL

Rekrutët në ushtrinë grekë me shqiponjë “tundin” Greqinë

January 23, 2017

Komentet

Sllovenia propozon si Komisionere për Zgjerimin ish-spiunen e UDB-së jugosllave

Komisioni i ri Europian po merr jetë mes polemikave dhe kundërshtive të forta. Ursula von der Leyen, që do të mbajë rolin e presidentes dhe për 5 vite të tjera, prezantoi emrat e nominuar për kabinetin e saj të dytë që do të përbëhet nga 6 nënpresidentë ekzekutivë dhe 20 komisionerë.

Zgjerimi, që prek drejtpërdrejtë jo vetëm Shqipërinë, por mbarë Ballkanin Perëndimor, është dikasteri që ka trazuar disi ujërat në Europë.

“Duhet theksuar se Qeveria e Sllovenisë ka sugjeruar Marta Kos si anëtare të Kolegjit. Procedura e emërimit e cila përfshin konsultimin e Parlamentit kombëtar për një opinion jodetyrues është në vazhdim. Ajo do të jetë Komisionere për Zgjerimin – gjithashtu përgjegjëse për fqinjësinë tonë lindore. Ajo do të punojë në mbështetjen e Ukrainës – dhe vazhdimin e punës për rindërtimin dhe mbështetjen e vendeve kandidate për t’i përgatitur për anëtarësim”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.

Opozita në Slloveni nuk mbështetë emrin e zonjës Kos dhe nuk pranon që të zhvillojë një seancë dëgjimore në komisionin përkatës parlamentar. Kjo vjen pasi Lubjana ndërroi në çastet e fundit kandidatin e tyre, për t’i mundësuar gjermanes Von der Leyen, që të arrinte kuotën e barazisë gjinore në Komision.

Kundërshtia e fortë e opozitës ndaj emrit të Marta Kos, lidhet edhe me dyshimet se ajo ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë.

Kaja Kallas konfirmohet si shefe e Bashkimit Europian për politiëk të jashtme dhe siguri, ndërsa për herë të parë, Brukseli do të ketë dhe në komisioner për Mbrojtjen dhe Hapësirën. Andrius Kubilius, siç njoftoi presidentja von der Leyen, do të punojë në zhvillimin e ushtrisë europiane dhe kapaciteteve investuese në industrinë e mbrojtjes.sn

BE analizon agjendën e reformave të vendeve të Ballkanit para pagesave të para

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është zgjedhur në krye të këtij institucioni edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, do t’i mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel, më 19 shtator.

Me këtë takim, ajo do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e këtij plani, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së.

Sipas burimeve në BE, takimi i von der Leyenit me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e këtij plani.

Secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së.

Këtë e kanë bërë tashmë pesë vende të rajonit, ndërsa Bosnje e Hercegovina është e vetmja, e cila, për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende.

Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian.

Pritjet në BE kanë qenë që, në mes të shtatorit, Komisioni Evropian t’i miratonte këto agjenda të vendeve të rajonit. Pritej që kjo të ndodhte edhe para takimit të 19 shtatorit, por procesi është shtyrë për muajin tetor.

Si arsye jozyrtare përmendet fakti se Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende planin e saj. Dhe, marrë parasysh se në këtë vend së shpejti do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, këtë nuk pritet ta bëjë deri në tetor.

Këto vonesa mund të ndikojnë, pastaj, që të mos realizohet qëllimi i Presidencës hungareze të BE-së, që pagesat e para për vendet më të avancuara, të bëhen para fundit të këtij viti.

Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë, Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.

Por, gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.

Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.

Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.

Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.

Përfituese të këtyre mjeteve janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.

Plani ka po ashtu qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk e ka në asnjë mënyrë qëllim që të krijojë një alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin e këtyre vendeve në BE më të lehtë.

Në BE vazhdojnë të rikujtojnë se për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga Plani i Rritjes, vendet e rajonit duhet t’i përmbushin disa kushte, prej të cilave ato kryesoret kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe sigurimin e procedurave për kontrollin financiar sipas standardeve evropiane.

Për Kosovën dhe Serbinë, si kusht specifik përmendet edhe përparimi në rrugën drejt normalizimit të raporteve – gjë që përfshin angazhimin e tyre konstruktiv në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Nëse nuk do të ketë përparim në normalizimin e raporteve, sipas diplomatëve në BE, vendet që do të identifikohen si jokonstruktive, do të mund të kenë pasoja edhe përmes bllokimit të pagesave nga Plani i Rritjes.

Kosova, aktualisht, është nën disa masa ndëshkuese të BE-së – për shkak të tensioneve në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe – të cilat përfshijnë ndaljen e pagesave nga Instrumentet e Para- Anëtarësimit të BE-së (IPA).

Plani i Rritjes është i veçantë dhe nuk është i përfshirë në IPA.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si paketë prej 6 miliardë eurosh, është konsideruar si plani më ambicioz i saj për këtë rajon.

Shuma prej afro 900 milionë eurosh për Kosovën do të jetë, po ashtu, shuma më e madhe që ajo përfiton nga BE-ja në një paketë të veçantë.

Synimi i Turqisë për t’u bërë fuqi e madhe detare alarmon fqinjët e saj

VOA/Dorian Jones

Turqia po ndërmerr hapa për një rritje masive të marinës së saj për ta bërë atë një nga fuqitë detare më të mëdha në Evropë. Rritja po alarmon disa nga fqinjët e saj. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll Dorian Jones, Ankaraja këmbëngul se kjo është thjesht për arsye mbrojtëse dhe përmbushjen angazhimeve në rritje rajonale të Turqisë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan së fundmi inauguroi një nëndetëse të re të ushtrisë së Turqisë.

Së bashku me një helikopterë-mbajtëse, fregata të reja dhe mbi dhjetëra luftanije të tjera në ndërtim e sipër, kjo është pjesë e përpjekjes së Erdoganit për ta bërë marinën turke ndër më të mëdhatë në Evropë.

“Kjo i shërben agjendës politike të Erdoganit për të ushtruar ndikim jashtë shtetit nga Katari në Somali e deri në Libi, në mënyrë që t’i përshtatet vizionit të tij. Për marinën, kjo do të thotë një rol më të madh në mbrojtjen e vendit, jo vetëm mbrojtjen territoriale, por mbrojtjen e interesave jashtë vendit”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has, Serhat Guvenc.

Turqia ka baza ushtarake në Katar, Libi dhe Somali, me të cilat ka nënshkruar marrëveshje detare.

Ankaraja thotë se zgjerimi i pranisë së saj detare është pjesë e trajtimit të kërcënimeve rajonale në rritje dhe ndihmës në përmbushjen e angazhimeve të saj në NATO.

“Të gjitha qendrat e konfliktit janë përreth Turqisë, në Detin e Zi, në Mesdhe dhe në Detin e Kuq. Kështu që modernizimi i tanishëm turk është i dobishëm për NATO-n dhe sigurinë e aleatëve perëndimorë. Kjo gjithashtu rrit sigurinë e naftës dhe lirinë e lundrimit”, thotë këshilltari presidencial Mesut Casin.

Por fuqia detare në rritje e Turqisë po shkakton shqetësim tek fqinji i saj, Greqia, e cila ka një sërë mosmarrëveshjesh territoriale me Ankaranë në Detin Egje dhe Detin Mesdhe.

Edhe Izraeli po shpreh shqetësim për zgjerimin detar të Turqisë dhe dislokimin e dronëve ushtarakë në Qipron veriore, të kontrolluar nga Turqia.

“Unë mendoj se një pjesë e këtij angazhimi më të madh të marinës turke dhe rritja e pranisë ushtarake në Qipron Veriore, përfshirë bazën e dronëve, do të përdoren edhe kundër Izraelit. Kjo nuk do të thotë se do të ketë një konfrontim të drejtpërdrejtë, por tani ushtria izraelite duhet ta marrë parasysh këtë zgjerim ushtarak”, thotë Gallia Lindenstrauss nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Edhe Greqia po modernizon marinën e saj, duke përmendur kërcënimin turk.

Analistët turq thonë se Ankaraja është e shqetësuar për praninë në rritje detare të Izraelit në Mesdheun Lindor.

“Ky është një rreth vicioz. Turqia ndërtoi një marinë të re në përgjigje të këtyre kërcënimeve dhe tani fqinjët e saj thonë se po përballen me kërcënime nga zgjerimi i forcave detare të Turqisë. Kjo është një garë armatimi dhe për fat të keq garat e armatimit nuk përfundojnë mirë”, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Serhat Guvenc.

Kantieret turke po punojnë me kapacitet të plotë për të përmbushur kërkesat në rritje të forcave detare të vendit, të cilat analistët thonë se ka të ngjarë të shtojnë frikën dhe dyshimet e fqinjëve të saj mbi qëllimet e Ankarasë.

I sanksionuar nga SHBA dhe besnik i Moskës, Vulin “sfidon” BE-në: Serbia mos të integrohet nëse duhet të njohë Kosovën

Zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin tha se Serbia është në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por se Beogradi nuk po vendos për shpejtësinë e saj.

“Nëse përballemi me njohjen e Kosovës, detyrimin për të mundësuar martesat e të njëjtit seks apo pjesëmarrjen në konfliktin me Rusinë dhe Kinën, as që duhet të shkojmë në atë rrugë”, tha Vulin në një intervistë për Vecernje Novosti.

Ai theksoi se “derisa të na thonë këtë, na takon neve t’i përmbahemi neutralitetit tonë ushtarak, reformave që na përshtaten dhe të përpiqemi ta forcojmë Serbinë”.

I pyetur nëse Serbia me blerjen e avionëve francezë “Rafal” ka bërë kthesën më të madhe drejt Perëndimit deri më tani, Vulin tha se ky ishte një vendim pragmatik dhe jo politik dhe se Serbia do të mbrojë qiejt e saj.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin, gjatë takimit të tyre të fundit në Rusi, nuk përmendi “Rafalet”, “por përmendi shkëmbimin tregtar, marrëveshjen e gazit dhe mbështetjen e Rusisë për çdo luftë serbe”.

Vuçiq bisedon për Kosovën me ambasadorin e BE-së në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ku ka kërkuar që shtetet e bllokut të “kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës”.

“I bëra thirrje BE-së dhe shteteve anëtare që në mënyrë urgjente, përmes angazhimit konkret, të kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës, që kërcënon sigurinë e popullit serb dhe stabilitetit në mbarë rajonin”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Zyrtarët në Serbi kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për “sulme ndaj serbëve” në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Vuçiq ka deklaruar se për situatën e serbëve kërkohet reagim nga komuniteti ndërkombëtar.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u ngritën pasi autoritetet kosovare në fund të gushtit mbyllën pesë institucione paralele serbe, të cilat Prishtina i konsideron të paligjshme dhe jokushtetuese.

Serbia i ka cilësuar këto veprime si “akte kriminale” që synojnë “persekutimin e serbëve”.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë thënë se veprimet e Kosovës në veri janë të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Në Kosovë ekzistojnë komuna, sipërmarrje publike, kopshte fëmijësh, shkolla fillore e të mesme, dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt prej Qeverisë së Serbisë, dhe gjenden nëpër qytetet ku jetojnë serbët.

Sipas ligjeve të Kosovës, këto institucione janë ilegale.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për mbyllje të strukturave paralele serbe prej vitit 2013, mirëpo ajo nuk është zbatuar plotësisht. REL

Vulin diskuton për Kosovën me sekretarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua më 9 shtator në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, Sergei Shoigu, njoftoi Qeveria e Serbisë.

Sipas njoftimit, Vulin e falenderoi Shoigun për ftesën për pjesëmarrje në takimin e anëtarëve të BRICS-it dhe vendeve partnere, që do të mbahet në Shën Petersburg, nën organizimin e Këshillit të Sigurisë të Rusië.

Samiti i vendeve të BRICS-it (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Republika e Afrikës së Jugut) mbahet nga 22 deri më 24 tetor në qytetin rus të Kazanit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi ditë më parë se do të marrë vendimin për ftesën e dërguar nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, për pjesëmarrje në samitin e BRICS-it më 10 ose 15 tetor.

Në takimin midis Vulinit dhe Shoigut, sipas njoftimit, u diskutua për “një gamë të gjerë temash me interes të përbashkët për Serbinë dhe Federatën Ruse”.

Një nga temat ishte edhe situata në Kosovë, dhe Vulin tha në takim se ajo është “në prag të konfliktit”, duke falenderuar Rusinë për respektimin e integritetit territorial të Serbisë.

Javën e kaluar, disa pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë u mbyllën për shkak të bllokadave të vendosura në anën serbe të kufirit. Bllokadat u organizuan fillimisht si përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet paralele serbe në veri të Kosovës. Por, më 7 shtator pikat kufitare u hapën.

Vulin u takua më 4 shtator me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor (EEF) në Vlladivostok.

Para këtij takimi, Bashkimi Evropian tha për mediat në Serbi se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit”.

Vulin në deklarimet e tij shpesh kritikon Perëndimin dhe konsiderohet si një nga mbështetësit më të fortë të Kremlinit në mesin e elitës qeverisëse serbe.

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka futur atë në listën e sanksioneve në mes të vitit 2023 për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë dhe nën dyshime për korrupsion kur ishte në krye të agjencisë së inteligjencës serbe, BIA.

Vulin u emërua zëvendëskryeministër në Qeverinë serbe në fillim të majit.

Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që refuzon t’iu bashkohet me sanksionet ndërkombëtare kundër Kremlinit, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës./REL

Analistët: Ndryshimi i ligjit të shtetësisë rrezikon seriozisht pavarësinë e Malit të Zi

Podgorica, Mali i Zi

 

VOA/Ali Salaj

Analistët në Mal të Zi vlerësojnë se ndryshimet e kërkuara në ligjin e shtetësisë synojnë ndryshimin e mundshëm të strukturës së popullsisë për të ndikuar rezultatet zgjedhjeve te ardhshme.

Analistët në Malin e Zi vlerësojnë se ndryshimet e kërkuara në “Ligjin e shtetësisë” malazeze, e cila do të mundësonte shtetësinë e dyfishtë do të përbënte një kërcënim serioz për pavarësinë dhe rendin juridik të Malit të Zi.

Analisti dhe publicisti i njohur Muzafer Beli Çaushi tha se kjo është një kërkesë e pushtetit të ri që ka për qëllim ndryshimin e mundshëm të strukturës së popullësisë në këtë vend.

“Çështja e dyshtetësisë në Malin e Zi është aktualizuar veçanërisht prej ardhjes së pushtetit të ri. Kjo është një kërkesë e partive pro-serbe që kanë për qëllim ndryshimin e strukturës demografike të popullësisë në këtë vend”, thotë zoti Beli Çaushi.

Edhe analisti Ismet Kallaba beson se ky ligj ka për qëllim ndryshimin e numrit të votuesve , që dukshëm do të ndikonte në zgjedhjet e ardhshme në Malin e Zi.

“Nisma për ndryshimin e Ligjit të shtetësisë ka të bëjë me qëllime politike. Serbia ka shfrytëzuar në dy palë zgjedhje ligjin për dy shtetësinë duke i shfrytëzuar serbët që jetojnë në republikën Serbe apo edhe në Kosovë për të ndikuar në zgjedhje. Mendoj që ky është qëllimi i nismës dhe paralajmërimit për ndryshimin e Ligjit të shtetësisë,” tha zoti Kallaba.

Analisti Kallaba shkon edhe më tej në vlerësim e tij duke theksuar se e drejta e votës, përfshinë edhe të drejtën për referendum gjë e cila rrezikon shtetësinë e Malit të Zi.

“Shikuar nga njëri aspekt, e drejta e votës mund të thuhet se përfshinë edhe të drejtën e referendumit. Megjithatë kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe mendoj se ndryshimi i këtij ligji do të kishte pasoja për të ardhmen e Malit të Zi dhe për pavarësinë e tij,” tha analisti Kallaba.

Analisti Beli Çaushi tha se duke ditur se kush dominon në pushtetin aktual, të gjitha këto nisma kanë për qëllim minimin e shtetësisë dhe pavarësinë e Malit të Zi.

“Në pushtet gjenden ato forca politike që haptazi dhe pa asnjë ngurrim kërkojnë dhe mbështesin një status tjetër politik të Malit të Zi. Ata janë për ndryshimin e shtetësisë dhe të pavarësisë së malit të Zi dhe mundësisht krijimin e një realitetit të ri në rajon”, tha analisti Beli Çaushi.

Analistët nënvizojnë se Ligji për shtetësi të dyfisht është pjesë e fushatës së posaçme të partive pro-ruse dhe pro-serbe, që viteve të fundit kanë shtuar luftën politike kundër Podgoricës për ta shfuqizuar mundësisht shtetin e Malit të Zi dhe kombin malazez.

Vuçiq bisedon me ambasadorin rus në Beograd për “gjendjen e vështirë” në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e priti në një takim ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko, të cilin e njoftoi për “gjendjen e vështirë” të serbëve në Kosovë.

Vuçiq shkroi në Instagram pas takimit më 6 shtator se “i thashë gjithashtu se sa e vështirë është pozita e popullit serb [në Kosovë]”, duke shtuar se “më duket se kemi gjetur mirëkuptim nga ana e palës ruse për këtë”.

Bocan Harchenko ka thënë se Rusia është “e vetëdijshme për gjendjen e vështirë në Kosovë”, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

“Kosova do të jetë një nga çështjet më prioritet gjatë të ashtuquajturit sesion ministror në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në tetor pritet një seancë e Këshillit të Sigurimit dhe gjithashtu do të ofrojë mundësi që Rusia ta paraqesë qëndrimin e saj parimor, bazuar në Rezolutën 1244, për mbrojtjen e serbëve që jetojnë në Kosovë”, tha Bocan Harchenko.

Rusia është ndër aleatet më të mëdha të Serbisë dhe Beogradi gëzon mbështetjen e saj të fuqishme në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Takimi i Vuçiqit me ambasadorin rus në Beograd u mbajt në ditën kur shoqata serbe bllokuan pikat kalimtare në pjesën serbe të kufirit me Kosovën, në shenjë proteste kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në Kosovë.

Ndërkohë, Vuçiq dhe Bocan Harchenko biseduan edhe për ftesën që presidenti serb e mori nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin për të marrë pjesë në samitin e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut), i cili mbahet nga 22 deri më 24 tetor në qytetin rus Kazan.

Vuçiq ka thënë se do ta marrë një vendim për ftesën në mbledhjen e BRICS më 10 ose 15 tetor.

Serbia është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk dëshiron t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Pas takimit me Vuçiqin në Loznicë në perëndim të Serbisë, Bocan Harchenko u tha gazetarëve se Moska e “vlerëson shumë qëndrimin parimor dhe të palëkundur të presidentit të Serbisë për bashkëpunimin me Rusinë, si dhe në lidhje me sanksionet” që Bashkimi Evropian i kërkon Serbisë t’i vendosë kundër saj.

“Sigurisht, sanksionet nuk janë pranuar dhe nuk do të pranohen nga Serbia, gjë që na jep mundësinë të ecim përpara hap pas hapi, në kushte të vështira të deritanishme, në zhvillimin e marrëdhënieve tona”, tha Bocan Harchenko. REL

Serbia konfirmon kërkimet në një varrezë të mundshme masive pranë Novi Pazarit

Vendndodhja e deponisë “Gollo Bërdo” afër fshatit Kozhle në jugperëndim të Serbisë.

 

Iva Martinoviq, Bekim Bislimi

“Besoj se nga mesi i shtatorit duhet të kemi një datë për fillimin e gërmimit apo vlerësimit të lokacionit”, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur.

Deponia e plehrave afër fshatit Kozhle në jugperëndim të Serbisë është një nga lokacionet që, sipas autoriteteve të Kosovës, mund t’i fshehë krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/99.

Komisioni për të Pagjeturit i Qeverisë së Serbisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se kanë filluar përgatitjet për pastrimin e vendit dhe ndërtimin e një rruge hyrëse, pas së cilës gjë është planifikuar kërkimi i deponisë “Gollo Bërdo”.

Gërmimet do të kryhen me kërkesë të Kosovës, e cila e ka informuar palën serbe për mundësinë që në këtë vend të jenë varrosur eshtra të civilëve të vrarë shqiptarë, të cilët figurojnë si të zhdukur për më shumë se dy dekada.

Gara thotë për Radion Evropa e Lirë se informacionet për këtë lokacion janë siguruar nga dëshmitarë të ndryshëm dhe se përgatitjet në terren kanë filluar më 26 gusht.

Këtë lokacion, në fund të gushtit, e vizituan edhe për përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, bashkë me zyrtarë nga Kosova dhe nga Serbia.

“Ky aktivitet është zhvilluar në përputhje me përkushtimin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet përkatëse – duke u ofruar ndihmën e ekspertëve të mjekësisë ligjore – në zbardhjen e fatit të më shumë se 1.600 personave të zhdukur nga konflikti në Kosovë”, thuhet në një deklaratë të EULEX-it dhënë Radios Evropa e Lirë.

Gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë u vranë më shumë se 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Në territorin e Serbisë, që nga fillimi i viteve 2000, janë zbuluar pesë varreza masive me gati njëmijë trupa.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

Zhbllokim i gërmimeve?

Për gërmimet e lokacionit afër Novi Pazarit u ra dakord nga Grupet Punuese për Persona të Zhdukur të Kosovës dhe të Serbisë në takimet në Gjenevë në fund të janarit dhe fillim të korrikut të këtij viti.

Takimet u zhvilluan pas një bllokimi trevjeçar, ndërsa palët akuzuan njëra-tjetrën për mosbashkëpunim.

Gara thotë se në takime ka propozuar që të hetohen rreth 20 lokacione në Serbi, që dyshohet se janë varreza masive apo individuale të atyre që janë zhdukur gjatë luftës.

Megjithatë, pala serbe kërkoi që t’i jepej përparësi lokacionit pranë deponisë së plehrave në lokacionin malor në Kozhle, shton ai.

Në Komisionin e Qeverisë së Serbisë për të Pagjeturit thonë se “kanë vepruar në përputhje me të gjitha kërkesat e Prishtinës, përveç lokacioneve për të cilat është rëndë dakord në mbledhjen e fundit të Grupit Punues, e që do të jenë në planin e punës për vitin e ardhshëm”.

“Deri më tani janë bërë kërkime në terren në 15 lokacione në Serbinë qendrore, të cilat nuk kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore”, thotë Komisioni në Serbi, duke akuzuar autoritetet kosovare se kanë refuzuar t’i kontrollojnë ato vende në Kosovë që i ka kërkuar Beogradi.

Prishtina i hedh poshtë akuzat. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se në territorin e vendit janë hetuar 2.700 lokacione.

Vazhdojnë akuzat e ndërsjella

Dy palët vazhdojnë të shkëmbejnë akuza edhe pas njoftimit për kërkimet në një lokacion të ri në Serbi.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha më 3 shtator në Novi Pazar se Beogradi është i gatshëm të hetojë çdo vend dhe se Prishtina është përgjegjëse për mungesën e përparimit në kërkimin e të zhdukurve.

“Të gjitha lokacionet që dikush mendon se duhet të kontrollohen, janë të disponueshme dhe do të jenë të disponueshme. Sigurisht që duhet të ketë argumente se përse flitet për ato lokacione ose përse dyshohen”, tha Vuçeviq në përgjigje të pyetjeve të REL-it.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është e përkushtuar që të verifikojë çdo informacion që kontribuon në zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.

Ai tha se shpreson se përgatitja për gërmime afër Novi Pazarit “nuk është një përpjekje e re e Serbisë për t’i shmangur lokacionet e tjera të shënuara”.

“Nuk ka kufoma, nuk ka krime – kjo ishte strategjia e Serbisë për t’i fshehur krimet e bëra ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kjo strategji po zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të [Sllobodan] Millosheviqit në Beograd”, tha Kurti më 29 gusht.

Takimet e fundit në Gjenevë u mbajtën pa udhëheqësit e komisioneve përkatëse të Kosovës dhe Serbisë, andaj autoritetet në Prishtinë nuk i konsiderojnë si të rregullta.

Tash e dy vjet, Kosova kërkon nga pala serbe ta zëvendësojë udhëheqësin e delegacionit, Velko Odalloviq, pasi ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë, e cila në vitet 1990 drejtohej nga presidenti i atëhershëm, Sllobodan Millosheviq.

Ajo e akuzon Odalloviqin për pjesëmarrje në strukturat përgjegjëse për luftën dhe për persekutimin e shqiptarëve nga Kosova.

Pala serbe i hedh poshtë akuzat dhe e refuzon këtë kërkesë të Kosovës.

Çfarë ka bërë Serbia deri më tani?

Gërmimet e fundit në Serbi janë kryer në vitin 2022, në vendin e minierës Shtaval, afër Sjenicës, në jugperëndim të këtij vendi.

As në këtë lokacion, as në Kozarevë te Novi Pazari nuk janë gjetur mbetje mortore, thonë në Komisionin serb për të Pagjeturit.

Varreza e fundit masive u zbulua në vitin 2020 në vendin e ish-minierës Kizhevak, afër Rashkës, në jug të Serbisë.

Ajo ishte varreza e pestë masive që u zbulua në territorin e Serbisë që nga viti 2001.

Kosova kërkon kërkime të reja në varret e gjetura

Në takimet në Gjenevë, delegacioni i Kosovës kërkoi rihetim të lokacioneve ku u gjetën varreza masive në fillim të viteve 2000, përkatësisht në Batajnicë, Petrovo Sello dhe Peruqac.

“Për ne prioritet i lartë mbetet lokacioni në Batajnicë. Në bazë të analizave që i kemi bërë dhe në bazë të pamjeve satelitore që i kemi siguruar, inkurajojmë kthimin në këtë lokacion, për shkak të mundësisë së gjetjes dhe zhvarrimit të më shumë se 50 viktimave të luftës”, thotë Gara.

Edhe Natasha Kandiq nga Fondi joqeveritar i Beogradit për të Drejtën Humanitare thotë se mund të ketë më shumë trupa në këto lokacione.

“Ka të dhëna që tregojnë se jo vetëm varreza pranë liqenit Peruqac, por edhe vetë liqeni duhet të zbrazet, sepse ka pretendime shumë të fuqishme se disa trupa janë gjetur me gurë në qafë, që do të thotë se ka mundësi që të jenë fundosur”, thotë Kandiq për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se përveçse në Peruqac dhe në Batajnicë, edhe në Petrovo Sello “mund të ketë mbetje të tjera”.

Në fillim të shtatorit, Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi dhe nga Prishtina botoi vëllimin e dytë të librit “Libri Kosovar i Kujtesës – Dinjiteti për të Pagjeturit”, i cili bazohet në 1.636 rrëfime për të pagjeturit nga viti 1998 deri në vitin 2000.

“Libri është një përpjekje për t’i ndalur manipulimet dhe për të thënë: shikoni, lexoni se si u zhdukën këta njerëz, kush i pa për herë të fundit, ku janë ata që ishin me ta e që gjithashtu u zhdukën, ndërsa më vonë u zhvarrosën dhe u identifikuan, në cilat lokacione u gjetën… Kjo është diçka që mund të ndihmojë”, thotë Kandiq.

A do të hapen arkivat e luftës?

Kosova, gjithashtu, kërkon nga Serbia që t’i hapë arkivat e njësive të ushtrisë dhe policisë përgjegjëse për krimet kundër popullatës shqiptare.

Gara thotë se hapja e tyre do të ndihmonte në saktësimin e vendeve për gërmime.

Nga Komisioni për të Pagjeturit në Beograd përsërisin qëndrimin e mëhershëm se Serbia ka ndarë me Kosovën mbi 2.000 dokumente dhe se “në bazë të tyre, një numër i madh i mbetjeve të personave të kombësisë shqiptare është zhvarrosur në Kosovë”.

Ata shtojnë se në këmbim, nuk kanë marrë asnjë informacion nga Kosova që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga komuniteti serb dhe të tjerë joshqiptarë, prej të cilëve, sipas të dhënave të këtij komisionit, janë rreth 570.

Hoti nga Komisioni në Kosovë i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se dokumentet e dorëzuara nga pala serbe, nuk kanë ndonjë rëndësi thelbësore.

Çka obligon Deklarata për të Zhdukurit?

Komisioni i Qeverisë së Serbisë thotë se në takimin në Gjenevë, Beogradi ka propozuar formimin e një grupi të posaçëm që do të merrej me arkivat e institucioneve vendase, “duke i respektuar masat e fshehtësisë së të dhënave”.

Kosova dhe Serbia u zotuan për qasje të plotë në informacione, duke përfshirë ato me status konfidencial, me Deklaratën për Personat e Zhdukur, e cila u miratua në maj të vitit 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se kjo deklaratë, e cila u miratua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “nuk është ende në fuqi”.

“Deklarata insiston në hapjen e sirtarëve të fshehtë dhe dihet saktësisht se kush çfarë informacionesh ka. Në Serbi, ata janë gjeneralët dhe ata që përbënin udhëheqjen më të lartë politike dhe ushtarake. Në Kosovë janë komandantët e shtabeve vendore”, thotë Kandiq.

Ajo shton s Deklarata duhet të fillojë të zbatohet.

“Por, duket se ka një marrëveshje politike si nga pala kosovare, ashtu edhe nga ajo serbe, për të bërë sa më pak dhe për të bërë sa më shumë akuza”, thotë Kandiq.

Kush ishte përgjegjës për lëvizjen e trupave?

Për krime në Kosovë, përfshirë lëvizjen e trupave dhe varrosjen e tyre në varre të fshehta, në gjykatën në Hagë u dënua ish-shefi i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, me 27 vjet burg.

Në aktgjykim thuhet se transporti është kryer si pjesë e një operacioni të koordinuar për largimin e dëshmive të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.

Dënimi i Gjorgjeviqit më vonë u reduktua në 18 vjet dhe ai po e vuan atë në një burg në Gjermani.

Para gjykatave në Serbi, deri më tash, askush nuk është mbajtur përgjegjës për lëvizjen dhe fshehjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Zyrtari serb i sanksionuar nga SHBA e siguron presidentin rus se Beogradi është aleat që nuk do t’u bashkohet sanksioneve perëndimore

VOA

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, i tha të mërkurën Presidentit rus Vladimir Putin se vendi ballkanik është një aleat i Rusisë, që kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Moskës apo të anëtarësohet në NATO, ndërsa u ankua për trysninë perëndimore dhe situatën në Kosovë dhe në Bosnjë.

Komentet e Aleksandar Vulinit, ish shef i Shërbimit të fshehtë serb i cili është nën sanksionet amerikane, pasqyrojnë marrëdhëniet e ngushta të vazhdueshme midis Beogradit dhe Moskës, pavarësisht synimeve të shpallura të Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Është një nder i madh për mua që kam privilegjin të flas me ju”, i tha ai Presidentit Putin. “Ju lutem më besoni kur them se është një inkurajim i madh për të gjithë serbët, kudo që jetojnë”.

Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë edhe pse e ka dënuar agresionin e Moskës. Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka thënë se vendosja e sanksioneve nuk është në interesin kombëtar të Serbisë.

“Serbia nuk është vetëm një partner strategjik i Rusisë, Serbia është gjithashtu aleate e Rusisë”, tha Vulin. “Kjo është arsyeja pse trysnia e Perëndimit ndaj nesh është e madhe”.

Takimi i Vulinit me Presidentin Putin në qytetin e largët lindor të Rusisë, Vladivostok, ndodhi pak pasi presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi Serbinë gjatë së cilës Beogradi nënshkroi një marrëveshje për të blerë avionë ushtarak francezë Rafale, një lëvizje që u pa si një largim i mundshëm nga Moska.

Kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi më herët gjithashtu Beogradin për nënshkrimin e një marrëveshje të BE-së me Serbinë për lëndët e para të nevojshme në tranzicionin e gjelbër.

Takimi u zhvillua në kuadër të një forumi ekonomik të projektuar për të tërhequr investime të huaja. Duke përshëndetur Vulinin, Presidenti Putin shfaqi shpresën se zëvendëskryeministri i Serbisë do të jetë në gjendje “të shikojë nga afër dhe të vlerësojë mundësitë e bashkëpunimit me një rajon kaq të madh dhe premtues” si Lindja e Largët e Rusisë.

Zyrtari serb e siguroi Presidentin Putin se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Serbia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiçi është një Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s, e cila kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Federatës Ruse dhe e cila kurrë nuk do të lejojë që territori i saj të përdoret për çfarëdo veprimi anti-rus”, tha ai.

“Serbia nuk është bërë dhe nuk do të bëhet pjesë e histerisë anti-ruse,” tha Vulin, i cili u ankua për situatën në Kosovë dhe Bosnjë. Ai tha se Prishtina po përpiqet te “ndryshojë situatën në terren, të shkelë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të kryej spastrim etnik të serbëve”. Zyrtari serb akuzoi Bashkimin Evropian për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke nënvizuar sic tha, dështimin e BE-së “për të zbatuar vendimin e saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ai tha se Republika Serbe në Bosnjë është “burim shqetësimi” meqë sipas tij, “ka trysni për zhvlerësimin” e entitetit serb dhe për të rrënuar Marrëveshjen e Dejtonit, që i dha fund luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë.

“Kjo nuk është e mundur nëse doni paqe dhe qëndrueshmëri”, tha ai duke e falënderuar Rusinë për qëndrimin e saj kundër Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.

Shtetet e Bashkuara sanksionuan Aleksandar Vulinin në muajin korrik të vitit 2023, duke e akuzuar atë për përfshirje në trafikun e armëve, narkotikëve dhe keqpërdorim të posteve publike dhe ndihmë për shtrirjen e ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit.

Vulini ka marrë dy medalje nderi nga Rusia.

Sanksionet amerikane kundër individëve dhe kompanive në Ballkan janë krijuar për të kundërshtuar përpjekjet për të dëmtuar paqen dhe qëndrueshmërinë në rajonin e paqëndrueshëm dhe ndikimin “keqdashës” të Rusisë.

Perëndimi ka shtuar përpjekjet për të tërhequr rajonin e trazuar në gjirin e tij, nga frika se Rusia mund të nxisë trazira për të tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Ballkani përjetoi luftëra të shumta në vitet 1990 dhe tensionet vazhdojnë të jenë ende të larta.

Zhvendosja e serbëve në Sanxhak- Çanak: Ja ku i morëm informacionet Zhvendosja e serbëve në Sanxhak/ Çanak: Ja ku i morëm informacionet

Nenad Çanak, ish-kryetar i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, ka konfirmuar se ka marrë informacione , nga disa burime për zhvendosjen e mundshme të serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak, së bashku me Sonja Biserkon, themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Ai në një intervistë për gazetën beogradase “Danas”  theksoi se indikacionet e tyre bazohen në elemente konkrete, siç është ndërtimi i objekteve të caktuara në Sanxhak, intensiteti i lartë i përgatitjeve, si dhe shfuqizimi i universitetit në veri të Kosovës, që mund të jetë sinjal për zhvendosjen e planifikuar, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse keni elementë që përputhen, përkatësisht ndërtimin e objekteve të caktuara në Sanxhak, nëse keni përgatitje me intensitet të lartë, heqjen e universitetit në veri të Kosovës dhe zhvendosjen, atëherë është e qartë se ku të çon. Që të mos kishte befasi më vonë, ne ndjemë se Kurti duhet të informohet me kohë. Aq më tepër që ka aksione të Qeverisë së Kosovës në veri dhe rrumbullakim të pavarësisë, që bëhet pa kurrfarë koordinimi me bashkësinë ndërkombëtare dhe autoritetet në Serbi. Besuam se veprime të tilla mund të shkaktojnë një përshkallëzim të ri”, tha Çanak, transmeton Klankosova.tv.

Çanak shprehu pakënaqësinë që autoritetet në Serbi nuk janë të interesuara të diskutojnë këtë informacion. Sipas tij partitë opozitare po injorohen dhe se autoritetet shpeshherë nuk u përgjigjen paralajmërimeve që u janë dërguar.

Ai kujtoi se një situatë e ngjashme ekzistonte më herët kur paralajmëroi për emigrimin e kroatëve nga Vojvodina, i cili më vonë rezultoi në një eksod masiv.

Në një takim që pati kryeministri Albin Kurti ditë më parë me themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserkon dhe politikanin serb, Nenad Çanak u njoftua se Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, transmeton Klankosova.tv.

Turqia arreston një kosovar, e akuzon për bashkëpunim me inteligjencën izraelite

Policia turke ka arrestuar një shtetas të Kosovës, i cili akuzohet se ka transferuar para tek operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu. Autoritetet e Kosovës thanë se janë informuar zyrtarisht nga Turqia për këtë rast.

I arrestuari në Stamboll është identifikuar si Liridon Rexhepi nga Kosova. Ai kishte hyrë në Turqi më 25 gusht, u ndalua të premten e kaluar dhe të martën zyrtarisht u arrestua, tha Anadolu.

Agjencia turke po ashtu tha se, Rexhepi, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar se ka bërë transferime të parave.

Sipas Anadolu, agjencia turke e inteligjencës dyshon se Rexhepi ka lehtësuar transferet financiare nga shtetet e Evropës Lindore, kryesisht nga Kosova, për tek agjentët e Mossadit në Turqi.

Paratë e transferuara nga Rexhepi raportohet të jenë përdorur për mbledhje të informacioneve në Siri, për kryerjen e operacioneve psikologjike kundër palestinezëve dhe koordinimin e operacioneve që lidhen me dronët.

Raportohet se Rexhepi përdori shërbime për transferimin e parave për në Turqi. Kur arriti në këtë shtet, paratë u shpërndanë tek operativët në terren, të cilët në këmbim, i dërguan këto para tek asetet në Siri, shpesh duke përdorur kriptovaluta për t’i realizuar këto transfere.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë një konference për media në Prishtinë më 3 shtator, tha se institucioni që ajo drejton ka pranuar pyetje nga Turqia lidhur me këtë rast.

“Në këtë drejtim, na kanë dërguar edhe pyetje me shkrim për rastin në fjalë”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se nuk mund të japë shumë informacione, sepse rasti është i ndjeshëm. Megjithatë, MD-ja, shtoi ajo, do të dalë me një deklarim, ku do të përfshihen informacionet që mund të ndahen me publikun për këtë rast.

Haxhiu, po ashtu, tha se bashkëpunimi juridik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë është i mirë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me këtë rast, por ende nuk ka marrë përgjigje. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme i ka thënë REL-it se pyetjet për këtë çështje duhet t’i adresohen MPJD-së.

Që nga janari, autoritetet turke kanë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe hetues privatë, nën akuzat se kanë mbledhur të dhëna për individë, kryesisht për palestinezë që jetojnë në Turqi, dhe ato të dhëna ia kanë dërguar inteligjencës izraelite.

Izraeli nuk i ka komentuar arrestimet e bëra në Turqi.

Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë një prej kritikëve më të zëshëm të veprimeve të ushtrisë izraelite, dhe e ka lavdëruar Hamasin, duke thënë se është një grup çlirimtar.

Në maj, Turqia ndaloi të gjithë tregtinë me Izraelin dhe ka aplikuar që të bëhet pjesë e një rasti të gjenocidit kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. REL


Send this to a friend