-Në 50 vjetorin e mjekut Rexhep Golaj –
Në dalje të Gjakovës, në magjistralen Gjakove-Prishtinë, në një lagje të re dhe të bukur ndërtesa ndoshta më e frekuentuar është Klinika “Golaj-Med 3”, një klinikë dentare ku punon mjeku i njohur Rexhep Golaj. E frekuentuar padyshim për shkak të cilësisë, të standarteve bashkëkohore të punës, të komunikimit përfekt me pacientët, të cilët janë vendas, por edhe nga Shqipëria si dhe bashkëatdhetarët tanë nga shumë vende të Evropës që ja mësyjnë sidomos verës, por edhe në stinët e tjera, duke preferuar shërbimet e mrekullueshme të familjes Golaj.Them të familjes Golaj sepse së bashku me doktor Rexhepin, i cili e drejton këtë klinikë, këtu punojnë bashkë me të edhe bashkëshortja Drita si dhe djali Herolindi.
Rexhep Golaj u lind me 08 tetor 1966 në fshatin Sheremet të komunës së Gjakovës. Rexhepi është fëmija i parë nga tetë fëmijët e Sofës e Ahmetit,ndërsa,pas vetes kishte edhe 4 motra dhe tre vëllezër. Rexhep Golaj lindi në një familje të njohur me tradita të larta të bujarisë,fisnikërisë e atdhedashurisë. Familja Golaj ishte një familje e madhe,me prejardhje nga fshati Golaj i Hasit të Shqipërisë,ku një pjesë e asaj familje,në vitin 1912 shpërngulet në Hasin e Kosovës , duke u vendosur në fshatin Lipavec te Komunës së Gjakovës.
Në vitin 1973 Rexhepi regjistrohet në klasën e I-rë të shkollës fillore në fshatin e lindjes Sheremet,ku e mbaron filloren në vitin 1981. Në shkollën e mesme,gjimnazi “Hajdar Dushi”në Gjakovë regjistrohet ne vitin 1981/82 drejtimi i Biologjisë dhe e mbaron në vitin 1985.Pastaj regjistrohet në fakultetin e mjekësisë,drejtimi i stomatologjisë, në vitin 1987.Për arsye të kryerjes së shërbimit ushtarak,për shkaqe të situatës politike në Kosovë,diplomon ne mjekësi me 5prill 1998. Pikërisht kjo kohë përkon me fazën e luftës në Kosovë,dhe i radhitur në anën e çlirimtarëve të lirisë jep kontribut të çmuar në ndihmë të qytetarëve dhe çlirimtarëve në shërbimin e stomatologjise .

Pas përplasjeve të mëdha që solli lufta,dr.Rexhep Golaj,pas kthimit nga Zvicra në vëndlindje,hap klinikën private ”Golaj Med 3” në Gjakovë,ku fillon punën se bashku me bashkëshorten Dritën me shume vështirësi të pasluftës.Por falë dijes e aftësive të fituara,i etur për punë,sfidon veten dhe triumfon mbi çdo vështirësi të kohës. Në vitin 2002 regjistrohet në QKUK të Prishtinës për të specializuar ortodoncinë ,të cilën e mbaron në vitin 2005.

Dr. Rexhep Golaj,sot konsiderohet njëri ndër mjekët më të kërkuar e të respektuar të Gjakovës e jo vetëm, Jo rrallë,edhe nga shtetet e jashtme,qytetarët bëjnë termine afatgjata për të punuar në nevojat e tyre stomatologjike , respektivisht ortodontike. Dr.Rexhep Golaj,ka ndërtuar identitetin e vet me punë e dije,me durim e guxim,me kulturë e profesionalizëm të lartë.
Ai ka krijuar një familje të admiruar,të pajisur me dije për të përballuar vështirësitë e jetës Nga fëmijët e tij,djali i madh Herolindi , ka mbaruar Universitetine Mjekësisë, profili i Stomatologjisë dhe se shpejti do te fillojë specializimin per Kirurgji Orale. Vajza Florinda është në vitin e fundit të studimeve po ashtu në drejtimin e Stomatologjisë. Miftari ndjek vitin e 2-të të studimeve ne Universitetin e Vjenes në Austri , drejtimi Inxhinier i Ndertimtarisë.Dorentina , nusja e Herolindit është studente e vitit te 2-të në drejtimin tashme traditë e familjes ,Stomatologji.

Rexhep Golaj është dhëndrri i poetit të njohur gjakovar Tahir Bezhani, të cilin e konsideron një shok dhe mik të mirë, sikurse e vlerëson edhe vetë poeti, i cili dëshmon në mënyrë intime se ka fituar një tjetër djalë, pos dy të tij, pas martesës së Rexhepit me vajzën e tij Dritën, me të cilën po mbush gati tre dekada martesë të lumtur dhe histori të suksesshme të bashkëpunimit profesional.
50 vjet nuk janë pak, por Rexhep Golaj është si një djalosh, i cili e fillon ditën me pasion dhe energji të shtuar, me kërkime për teknologji të reja të kohës,me pretendimin që çdo ditë e re ta ketë frymën adekuate të shërbimit cilësor ndaj klientit, që koha ta ketë vulën e saj në brendin e punës së tij duke u bërë kësisoj plotësisht i aftë të konkurojë me çdo vend dhe teknologji të Evropës dhe perëndimit.

Duke pasur në konsideratë një rrugëtim me sakrifica por edhe suksese,nga një prind plot me vizion familjar e shoqëror,padyshim se shërben si një shembull sesi krijohet jeta e dinjitetshme me punën e guximin,shembull ky,që mund t’i shërbejë kudo si thesar për arritjen e sukseseve kudo që synon. Një praktikë pozitive, një model rrezatues i arritjeve që vijnë në çdo rast dhe në çdo kohë nga puna dhe vetëm nga puna, nga kthjelltësia e qellimit, nga motivet e pastra dhe parimet e ndershme të formimit dhe ngadhnjimit në jetën individuale, familjare dhe shoqërore, të përcjella me dinjitet tek fëmijët, në ndjekje të gjurmëve të arta të traditës familjare.
Golaj është një emër i njohur në Kosovë, Shqipëri e më tej në rajon për inisiativa të suksesshme private në fusha të ndryshme, por emri, veprimtaria dhe sukseset e dr.Rexhep Golajt janë kurora e lavdisë! Të kërkuar dhe merituar! Sikurse e merituar buzëqeshja e Rexhepit, e familjarëve të tij, e kolegëve dhe miqve të tij, të bledhur në sallën e bukur të Hotel “Dukagjini” të Pejës, për të festuar ditelindjen e tij të 50-të!
Në vend të urimit, për të cilin ndjehem borxhli, shkon ky shkrim modest ndaj këtij njeriu të punës dhe shkenctarit të dhëmbëve të bukur, të këtij krijuesi të buzëqeshjes dhe kthimit të besimit ndonjëherë të munguar prej derteve të jetës! Të cilit shumëkush i është borxhli sepse ka treguar përkushtim dhe ka sjellë shpresë në funksionimin më të mirë të shendetit dental dhe kësosj edhe atij fizik në tërësi.
Edhe 100 dr. Rexhep Golaj!
Komentet