nga libri ÇDO PERËNDIM MË VDES NGA PAK, – Amazon -2016
TË YJTAT THEKË
GJER PËRDHE
Pa shkruar mbeti strofa e fundit,
muza m’u sos,
shtrihem të fle.
Sa i butë dysheku me Kashtën e Kumtrit,
të yjtat thekë gjer përdhe.
Pa prerë mbetën vargjet me ferra,
i gricur do vdes,
s’kam durim.
Në mbifshin mbi mua hithra e gjemba,
lermëni të fle gjer në harrim.
Të gjelbra metafora mbolla tërë jetën,
me rritëm shiu kur dheun ngop paq,
trak-truk, – takat,
krap-krup, – një ketër,
trendafil’ i vyshkur gonxhen ngre lart…
Pse po vonon dashuri e fundit?
Muza m’u sos;
u shtriva të fle.
Sa i gjërë ky dyshek me Kashtën e Kumtrit,
të yjtat thekë gjer përdhe!
2013
PERËNDIM MARROK
Perëndimi vjen me bujë,
spërkat jod e kripë,
diellin e zhyt në ujë,
uji ngopet me dritë.
Gjersa dielli shuhet fare,
kalëron dallgë, e vjen,
e përnatëshmja shtojzovalle,
në fund të botës më gjen.
Le gjurmën e zbathur në breg,
flokët me le t’ia shprish,
firoma buzën ia prek,
e paputhur, marroke, ik.
Sërish më ndjell së largu,
penduar e me trishtim:
“Do vij edhe e m’plakur,
gjersa mos ketë perëndim.”
2013
FANTAZINË ARRATIS
Cigaren e thith – e fundit për sonte,
Tymi fashitet n’ajri.
Fantazinë arratis e, përtej kësaj bote,
Pa gjumë të shoh edhe ty.
Nuk po e gjej në ç’qytet jeton,
Fëmijë sa ke e cilin ke burrë.
Vij e ulem me ty në ballkon,
Ndërkohë, detin e turbullon një lumë…
Nder dorën e prek të tuat flokë,
Buzë, gushë, gjoks e gjunjë.
Dëgjoj psherëtimën: “Tani është vonë,
Të desha, të desha, pa bujë.”
Cigarja fiket e rrathët shpërprishen,
Stuhi është stuhi, apo fllad?
Flokët e palmave me erë do krihen,
Gjersa të tretet nata e gjatë…
2011
MENDJENGRITUR
Mendjengritur jam sërish,
kësaj here do shkoj më larg.
Të ngjashmet, me ty, (ta dish!,)
më ndjellin e s’di kë të mbaj.
Për hatër të njërës, në fshat,
me ka a, me kalë, mbrehem.
Bujk bëhem prap,
me vlagën në brazdë të tretem.
Në u ktheftë vela nga bora,
uji atje është akull.
Një çobankë gramozi, e gjora,
e vyshku pritja, e m’plaku.
Në bëfsha, tëposhtë, ku dielli,
lind e nuk perëndon.
I vdekur po zbrita nga qielli,
beduinia më vajton.
Në ardhsh, pa u ndjerë, pas meje,
xheloze me kë unë fle.
Nën velenxë prej mjegulle a reje,
të ngjashmet me ty do t’i fsheh.
***
…Ta di se ik e kthehem,
më mirë shtroj mendjen me ty.
Vjeshtave t’ua mbledhim gjethet,
dimrat t’i vuajmë të dy…
2013
QË TI MOS MBETESH IMAZH
Mos u trishto; s’ jam i vetmi burrë,
humbas e tretem edhe unë mes vargjesh.
Poetët janë stuhi e bujë,
dashuri e ujvarë pragjesh.
Mos u trishto; më gjen në çdo stinë,
përzjej barin me vesë e yllëzime.
Fshehurazi teje thurr ndonjë trill,
poetët dashurojnë edhe me trillime…
Mos u trishto; në ik larg teje,
s’jam i vetmi që jap fjalën e kthimit.
Kur shkrepëtin hyj mes dy reve,
jam gjethe që s’kalbem, sado i gjatë dimri.
Mos u trishto; ka rrugë prej ajri,
rrugë prej uji, me akull e borë.
Por unë, (s’kam frikë!), i grah e një kali,
mjafton të mbrrij edhe natën vonë.
Mos u trishto; udhëve që kam grahur,
dashurinë s’ma ftohu erë e acar.
Më shumë, se cilëndo, ty të kam dashur,
prandaj të prek, mos më mbetesh imazh.
2012
MANTELI
MË I BUKUR NË BOTË
S’përgjova diellin kur u fsheh pas malit,
muzgu më nxit për rrugë.
Jam meteor i djegur prej mallit,
përzjehem me dhe, zhavorr e gurë.
Pllaq-plluq, pllaq-plluq, mes lumit ndal,
pse është nemitur këng’ e fërfërimës?…
Përpëlitet zemra në guaskë – metal,
zhgënjim-përzhitur nga stina e brymës…
Zhgënjim-përzhitur do ik sërish larg,
por klithma e mëllenjës më shkund.
Shoh muzgun e mbrëmjes që zbret mbi fshat,
më të bukur mantel s’kisha parë kund!
2009
TË NDERSHËM
E PENDUAR
Patjetër e ti më kujton,
sa herë të kujtoj e unë.
E ndershme ish miqësia jonë,
paçka se s’u bëmë grua e burrë.
Të kujtoj kur zverdhet gjeth’i parë,
sa herë përzjehen e shtrydhen retë.
Flokët e tua me ujë shiu larë,
sytë ngjyrë det.
Shpesh dëgjoj të qeshurën e çiltër,
hapin tënd e thëthiu veshi im.
Faqkat e skuqura t’i prekja në dimër,
të drojtur ishim në çdo stinë.
Kujtoj kurmin tënd të ajthëm,
nusen e virgjër me aromë vjeshte.
Oh, sa të çiltër e të pafajshëm,
siç janë e vargjet e kësaj vjershe!..
1977
PRES TË FRYJË JUGA
Pres të fryjë Juga,
t’ua zhveshë ndryshkun drurëve,
t’i thajë fustankat me fruda,
të t’i shoh kupat e gjunjëve.
Pse më përgjon fshehur,
i drojtur jam e unë.
Pas dimrit të gjatë, e të heshtur,
një pranverë do kemi më shumë.
Prit të fryjë Juga,
Marsi nuk ka besë.
Mos vish fustankën me fruda,
gjersa akullin e borën ta tretë….
1972
TEMPULLI I DASHURISË
Mos më përgjo kur jam në gjumë,
fryma ime i mban iso pyllit.
Por ti mërzitesh e kur një rrudhë,
më gdhend kryqe mes ballit e në cep të syrit.
Mos përgjo rrjedhën e lumit të fshehtë,
lumenjtë e dashurisë në gjoks kumbojn’.
S’plaket dashuria në shtratin e vjetër,
as frikë nuk ka në shkrepëtin e gjëmon.
Mos më prek me gishta të trembur,
s’ është kjo nata e ëndrrës së keqe.
Flokët rriten e mbeten pa krehur,
atje, ku s’të përkëdhel kush e flet me veten.
Në gjumë të trazuar mos dëgjo ç’them,
Tempulli i Dashurisë mban portën hapur.
Më mbaj për dore e unë s’do bredh,
as me ndonjërën që sa ti më ka dashur.
2014
Komentet