VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

70 VJETORI I VRASJES PABESISHT TË DIJETARIT DON NIKOLLË GAZULLI – Nga Fritz RADOVANI: Pjesa VI

By | March 21, 2016

Komentet

Media franceze (1936) – Vizita te Musolini e trashëgimtarit të dinastisë së Matit

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Qershor 2019

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të mërkurën e 1 prillit 1936, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me vizitën e mbretit Zog në Romë, me ftesë të Musolinit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Shqipëri

Me ftesë të z. Musolini, mbretit Zog do të shkojë në Romë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Na telegrafojnë nga Tirana :

 

Në qarqet jozyrtare të kryeqytetit, thuhet se me ftesë të z. Musolini, mbreti Zog do të shkojë së shpejti në Romë.

 

Vizita e trashëgimtarit të dinastisë së Matit në kryeqytetin italian do të mundësonte disa shfaqje të mëdha miqësie italo-shqiptare.

 

Ne e dimë se kohët e fundit disa marrëveshje ekonomike dhe financiare janë nënshkruar mes dy vendeve në kufi me Adriatikun.

 

Këto marrëveshje, të përfunduara me kënaqësi nga të dyja palët, do të kenë një rëndësi të madhe për zhvillimin e marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë.

Marin Mema: Gulagu shqiptar. Një histori e frikshme: Burgu i Spaçit

Marin Mema: Gulagu shqiptar. Një histori e frikshme

 

MARK KAKARRIQI DHE SHKODRA E TIJ – Nga Fritz RADOVANI

 

                                       MARK  KAKARRIQI

(1884 – 1942)

24 QERSHOR 1942 vdiq i helmuem shkodrani Mark KAKARRIQI, një nder figurat ma të spikatuna Atdhetare Shqiptare, i formuem me kulturë europjane Perëndimore, që me perkushtim të posaçem e vuni në sherbim t’ Atdheut dhe Shkodres së Tij të shtrenjtë.

Ishte fillimi i Shek. XX kur mendoj per kanalizimin e lumit Buna, evitimin e permbytjeve të saja dhe lundrimin e anijeve deri në Pazarin e Vjeter të Shkodres, tue e lidhë qytetin me detin Adriatik dhe tregtinë europjane, gja që u kundershtue nga tregtarët fanatikë…

Prania e Markut në Vjenë në 1911 ishte një fat i madh per njohjen e pikpamjeve të asaj kohë të inteligjencës shkodrane nga Austro Hungaria, dhe perpjekjeve Shqiptare në të gjithë Veriun per Pamvarsi nga Perandoria Otomane, tue fillue nga ngritja e Flamurit prej Dedë Gjo’ Lulit në Bratilë me 1911 e deri tek Shpallja e Pamvarsisë së 1912, ku vetë Mark Kakarriqi ishte i pranishem dhe ndihmoi per atë çeshtje aq të madhe Atdhetare, ndonse, Emni i nderuem i Tij nuk zehet me gojë nga fanatikët anadollakë të historisë…

Mark Kakarriqi ishte në Durrës në Nandorin e 1912, me Don Nikoll Kaçorrin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin dhe antarët tjerë të mbledhun per Pamvarsinë, e prej Markut u sigurue anija.., per me shkue në Vlonë, pa u rrezikue nga grekët.

Mark Kakarriqi nuk ishte vetem tregtar, po ishte artist, dhe në oborrin e shtëpisë së Tij, tek shatrivani kujtoj një statujë të Veneres, që e patne çue në Shtëpinë e Kulturës…

Në shtëpinë e Tij, Marku kishte një pikturë të Rembrandit, të bleme në Rusi në 1917, që rusët kur i rane n’ erë se asht në Shqipni, në 1945 erdhen dhe e grabitën me forcë.

Perherë të parë në Shkoder Marku solli një grup artistësh të Operes “Scala” së Milanos…

Nuk besoj se harrohen lulet e bukra t’ oborrit të shtëpisë së (pionjerit) Mark Kakarriqit, apo palmat e vendeve të pushimit, tue mos harrue blijt’ e aromen e tyne në Fushën e Çeles, ku shkodranët ndalonin ecjen me mbushë gjoksin me atë erë të mbrekullueshme. 

Në Rrëmaji Marku ka vorrin e Tij prej mermeri, ku Jakomoni e çoi në të 52 vjet, kur Marku kje Kryetar Bashkije i Shkodres. Ndersa, komunistët e dënuen të vdekun më 1946.

Emni i Mark Kakarriqit, do të daltohet në gurt’ e Rozafës per shekuj të shekujve…

            Melbourne, 22 Qershor 2019.

Rajmond Sejko tregon përndjekjen nën diktaturën komuniste (video)

Rajmond Sejko – i mbijetuari i regjimit komunist

Një ish-i përndjekur politik i komunizmit që sot jeton në Nju Jork mundi të shohë për herë të parë dokumente që dikur ishin pjesë e arkivit të Sigurimit të Shtetit. Ai është Rajmond Sejko, i biri i një ish-zyrtari të lartë të Marinës, që u ekzekutua nga Enver Hoxha në vitin 1961. I ati, Teme Sejko, akuzohej si drejtues i një grupi pro-sovjetik që planifikonte grusht shteti kundër Hoxhës dhe si i lidhur me Flotën e Gjashtë amerikane. Ekzekutimi i tij i dhunshëm solli tragjedi të tjera për familjen. I vëllai i Rajmondit u pushkatua ndërsa e ëma kreu vetvrasje. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Nju Jork, ku zoti Rajmond Sejko mori në dorëzim dokumentet e dosjes së tij.

“Asnjëherë nuk e kisha menduar se një ditë do t’i kisha këtu në dorë, dhe sidomos fletoret që ka shkruar mamaja”, thotë zoti Sejko.

Rajmond Sejko, i mbijetuari i vetëm i një familjeje që e ndoqi tragjedia, mori në dorëzim nga Autoriteti i Dosjeve qindra faqe dokumente. Mes tyre janë shumë fletore me shënime që ka lënë e ëma, Shpresa Sejko.

“Në këto ditare që ka mbajtur në këto fletore, ajo ka shpjeguar në mënyrë të detajuar tragjedinë që i ka ndodhur kësaj familjeje dhe në një farë mënyre ka paralajmëruar aktin e saj që ka ndërmarrë, duke u vetvrarë,” thotë Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Autoriteti i Dosjeve thotë se ua lehtëson ish-të përndjekurve të komunizmit dhe të afërmve të tyre njohjen me dokumentet që ndodhen në arkivin e ish-Sigurimit. Kohët e fundit anëtarë të tij ishin në SHBA si pjesë e një bashkëpunimi me komunitetin shqiptaro-amerikan për mbledhjen e dëshmive.

Zëri i Amerikës po ndihmon në mbledhjen e këtyre dëshmive.

Rajmond Sejko, i cili ka vuajtur tetë vjet në burgun e Spaçit, ishte njëri ndër dëshmitarët. Në vitin 1974, 13 vjet pas ekzekutimit të të atit, Teme Sejko, i vëllai i tij Sokoli u pushkatua nën akuzën e sajuar se ishte përpjekur të digjte kombinatin e tekstileve në Berat. Ai ishte 24 vjeç.

“Ishte një llahtari e vërtetë në shtëpi ato ditët e para. Ishte tmerr,” tregon Rajmond Sejko. “Ai duhej të sakrifikohej që të trembeshin rinia e Beratit për të treguar se ‘ja ç’bën armiku i popullit. Kemi kërkuar për të gjetur varrin e vëllait dhe nuk e kemi gjetur dot.”

Gati një vit pas humbjes së të birit, nëna e Rajmondit vrau veten në Berat. Ajo kishte lënë shumë fletore me shënime, por i kishte shpërndarë nëpër njerëz që njihte.

Rajmondi kujton një ditë kur e shoqëruan në degën e punëve të brendshme:

“Tek dhoma e pritjes më lanë shumë orë. Aty kam parë që njerëzit sillnin fletore. Nuk e dija që ishin fletoret e sime mëje.”

Në maj të vitit 1975, Rajmondi u dënua për agjitacion e propagandë dhe vuajti tetë vjet në burgun e Spaçit.

“Nuk e kuptoj, akoma nuk e kuptoj. Çfarë i bëmë ne atij regjimi që të na bënte të tëra këto gjëra, këtë nuk e kuptoj. Nuk e kuptoj, çfarë kishin me tim vëlla. Mbaruan punë me tim atë, bënë si deshën me të, çfarë kishin me tim vëlla. Nuk e imagjinoj dot se çfarë kishin me mua,” thotë zoti Sejko.

Për ata që ende kanë nostalgji për regjimin e Hoxhës, Rajmond Sejko ka një përgjigje:

“Ai u ishte imponuar shqiptarëve si perëndi, sepse hoqi kishat dhe xhamitë që shqiptarët të mos kishin ku faleshin por të faleshin vetëm për atë. Janë fëmijët e atyre që nuk kishin asnjë klasë shkollë dhe u bënë gjeneralë. Për veten e tyre ata kishin privilegje pa fund. Privilegjet i humbën, tani janë më të pasur. Tani kanë pasuri shumë më tepër, makina shumë më tepër dhe tani prapë kërkojnë atë.”

Rajmond Sejko mbeti i gjallë nga ferri komunist dhe sot jeton në Shtetet e Bashkuara. Ata që u mbijetuan tragjedive të tilla, zakonisht nuk ka shumë ngushëllime në jetë. Për Rajmondin ka të paktën një: fletoret me shënimet e nënës që ai i mban tani si një kujtim dhe dëshmi e çmuar.

Rrëfen Bedri Çoku: Klithmat e nëndheshme që tronditën Shqipërinë. Si u pushkatuan në kampin e Spaçit; Koprenca, Kokomani dhe Lezha

Klithmat e nëndheshme që tronditën Shqipërinë…

Nga Bedri Çoku                         

 (Fjala e mbajtur me rastin e përvjetorit të tre të pushkatuarve të kampit – burg të Spaçit, Xhelal Koprenca, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezha, organizuar nga Ambasada e Republikës së Austrisë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit, ISKK.)

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndodhemi pranë kampit-burg – skëterrë, të diktaturës komuniste shqiptare, ku burra dhe djem të rinj, nga raca më e mirë e kombit tonë, atdhetarë e demokratë, u dergjën me dekada duke punuar me përdhunë, si skllevër, brenda këtij mali të pashpirt, të urryer e të zhgërryer, si vetë fytyra e diktaturës së egër komuniste, u treten eshtrat me dhjetëra prej tyre. Megjithatë, edhe pse nën trysnin e një diktature të pashembullt të historisë njerëzore, në këtë truall kaq të vogël, si një hinkë e përçudnuar e natyrës, kanë ndodhur ngjarje të tilla, për të cilat çdo popull i pushtuar nga një regjim sadistë, sllavo-komunist, do të ndjehej krenar për racën e vet.

Bëhet fjalë për ngjarje madhore, shumë domethënëse për politikën shqiptare, para dhe paskomuniste : E para, Kryengritja e Famshme e të burgosurve politikë të Spaçit, e cila filloi më 21 Maj të vitit 1973, dhe përfundoi në mënyrë tragjike më 23 Maj, me pushkatimin 4 djemve të rinj , Skënder Daja, 23 vjeç, Pal Zefi, 29 vjeç, Hajri Pashaj, 29 vjeç, dhe Dervish Bejko, 27 vjeç, si dhe me arrestimin e 80 të burgosur të tjerë, nga të cilët 61 u ridënuan me burgime të rënda. Të përkthyera në vite+burg i kalojnë njëmijë e treqind vjet. Por jo vetëm kaq… Një ngjarje tjetër, po në Spaç, po kaq tragjike erdhi si rrjedhim e një thepisjeje të madhe të ngjarjeve politike – ekonomike të Shqipërisë më 1978 -79, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve politike + ekonomike me Republikën Popullore të Kinës. Me këtë rast Shqipëria, përfundimisht u vetëizolua. Të vetëdijshëm, intelektualët që vuanin në këtë kamp-skllevërish, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike, vendosën, bashkërisht, të shkruanin një letër- protestë, drejtuar Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh-së, ku bëhej thirrje anëtarëve të saj që të distancoheshin nga rruga ku po i gremiste Enver Hoxha. Këta intelektuale, dhe të tjerë solidarë me ta, u arrestuan të ndarë dy grupe: Një grup me pikëpamje të djathta, përfaqësuar nga i burgosuri historik, Xhela Koprenca dhe grupi i të majtëve, kryesuar nga të burgosurit Vangjel Lezha dhe Fadil Kokomani….të dy ish – gazetarë të shtypit të asaj kohe. Nga këto dy grupe u pushkatuan tre të burgosur politikë, Xhela Koprenca, Vangjel Lezha dhe Fadil Kokomani. Ndërsa të tjerët me ridënime shumë të rënda. Mjaftojnë këto dy ngjarje të rralla në historinë e burgjeve komuniste që historianët tanë, veçmas nga INTERESAT e tyre POLITIKE, nisur thjesht nga interesi kombëtarë, të kishin rrokur këto dy ngjarje sa heroike, aq tragjike për kohën, kur u zhvilluan, me siguri që sot burgu i Spaçit, nuk do të ishte ky qe shohim i rrënuar dhe pa asnjë objekt mbresëlënës, por do të ishte një burg – Muze, i Kujtesës Kombëtare, nga të rrallët në kontinentin tonë. I dhimbshëm është fakti se, nga organet shtetërore apo personalitetet e shtetit, gjatë këtyre tri dekadave, nuk është përmendur asnjëherë, zyrtarisht, apo të jetë organizuar ndonjë konferencë përkujtimore për vlerat dhe rëndësinë e këtyre ngjarjeve, në këtë kamp-burg, i përzgjedhur nga qeveria diktatoriale kinse për t’i shfrytëzuar të dënuarit politikë, jo vetëm për të nxjerr nga nëntoka bakër e pirit, nga një minierë primitive, me rreziqe të panumërta për jetën e tyre, por nëpërmjet dhunës fizike e morale mbi ta, dhe trajtimit çnjerëzor në mënyrën e të ushqyerit, shpresonin që brenda disa vjetësh, këta të burgosur politikë, të mos ishin në gjendje më të komandonin veten e tyre fizikisht e mendërisht. Ndaj, ngaqë ishin të vetëdijshëm për ketë, çdo ditë në rrezik për jetën e tyre, të burgosurit në hyrje të galerisë, përqafoheshin dhe uronin njeri tjetrin : “ Zoti të ndihmoftë të dalësh gjallë!

I vetizoluar dhe i vetëshpallur shtet i diktaturës së proletariatit, klika kriminale, që drejtonte vendin, e molepsur nga megalomania e kreut të shtetit, pretendonte se ideologjikisht përfaqësonte kreun botëror të udhëheqjes marksiste-leniniste, për të përmbysur regjimet antipopullore imperialiste e revizioniste, pikërisht në një kohë kur, shtetet evropiane të të dy kampeve kundërshtare, ai i komunisteve me në krye Bashkimin Sovjetik dhe shtetet kapitaliste evropiane, me në krye SHBA, ishin gati të nënshkruanin në Helsinki paktin e famshëm historikë, të Sigurimit e Bashkëpunimit Evropian, sot institucioni OSBE-së. Marrëzia e kësaj klike shqiptare, e kriminalizuar me bashkëkombësit e vet, për të ruajtur me çdo kusht pushtetin, shpallte me mburrje mospjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë Pakt Ndërshtetëror, duke organizuar e goditur, ndërkohë, grupe armiqësorë të sajuar, brenda radhëve të veta, si grupe, që kërkonin të minonin pushtetin popullor për t’u bashkuar me imperializmin amerikanë e social-imperializmin sovjetik. Kujtoni grupet armiqësore në art e letërsi, në ushtri grupin e gjeneralëve me në krye Ministrin e Mbrojtjes, në ekonomi grupin e Abdyl Këllezit, ministër i ekonomisë, dhe vriste cilindo që klika kriminale e mendonte se i rrezikonte pushtetin. Prandaj, ngritja krye e të burgosurve politikë të Spaçit, nga mënyra si u zhvillua në kohën e regjimit diktatorial, merr vlera të veçanta e të rëndësishme në historinë e popullit tonë. Thashë, e dhimbshme edhe për faktin sepse deri më sot, asnjë historian apo grup historianësh nuk është marrë me studimin e këtyre ngjarjeve, në mënyrë që të përcaktohen shkencërisht vlerat dhe përmasat e vërteta historike. Pa pretenduar se jam i aftë për të vlerësuar ngjarjet që duhet të hyjnë apo jo në aureolën e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, apo ndërkombëtare, gjithsesi, si pjesëmarrës direkt në Revoltën e Famshme të 21 majit të vitit 1973, kam të drejtën të them se, nëse do kishin ndodhur këto që përmenda më lartë, pa asnjë dyshim që , datat e këtyre dy ngjarjeve në burgun famëzi të Spaçit, do të ishin futur në Protokollin e Ngjarjeve Përkujtimore të Kombit Shqiptarë.   

E konsideroj nder dhe vlerësim të madh ardhjen e ambasadorëve të nderuar e të rëndësishëm për vendin tonë, pikërisht këtu, në vendin ku burrat dhe të rinjtë antikomunistë dhe demokratët shqiptarë, atdhedashës, vuajtjen në këtë katakomb dantesk, por, pikërisht pse ishin të tillë ata djem e burra vendosën për të sulmuar shtetin më të egër të diktaturës komuniste në botë. E them me krenari që ishte lulja e djelmërisë shqiptare, ishin bijë apo trashëgimtarë familjesh të mirënjohura të historisë së kombit tonë. Po përmend nipin e shkodranit të famshëm, Hodo Sokolit, që luftoi kundra grabitësve të trojeve shqiptare, me malazezët, Sami Dangëllia, ky Mandela i Botës, që e nisi kalvarin e vuajtjeve në burgun e Burrelit, më 1944 dhe u lirua me arkivol nga burgu i Shën Vlashit, pasi kishte bërë dyzetë e një vjet burg, pa që i lirë asnjë ditë. Shteti kriminal nuk dëshironte të mbijetonte një i burgosur, Kampion Bote, në Shqipëri, ndaj e la tri ditë e tri net, me stomak të plasur, pa e çuar në spitalin e Sarandës, jo më shumë se 12 kilometra larg. Ishte viti 1987. Me të drejtë “Zëri i Amerikës” në atë kohë, e shpalli Sami Dangëllinë Kampionin e botës, me 41 vjet burg. Por kush është kujtuar për këto ngjarje ekstremisht kriminale në Shqipërinë pluraliste? Apo për pesë mijë varret e paditura, ku dergjen eshtrat e njerëzve që donin Shqipërinë të lirë e demokratike, ku familjarët e tyre, nipërit e mbesat, miqtë dhe dashamirët mund të çonin një lule mbi varret e dashurve?

Them se Revolta e famshme e të Burgosurve Politike të Spaçit, ishte një ngritjekrye edhe për faktin e thjeshtë se ata nuk patëm pushkë e topa, por, për tri ditë e tri net, arritën ta mundnin pushtetin komunist. Për këtë është dëshmitarë i gjithë populli i Mirditës. U çliruan gati 2000 metro katrorë të mëmëdheut nga klika komuniste. U shporrëm kriminelët nga banesat e tyre, për tri ditë e tri net. U ngrit Flamuri Kombëtar, pa yllin e kuq, simbolin e internacionalizmit proletar, mbi dy krerët e shqiponjes, i cili u valëvit krenar në majën më të lartë të hapësirës së çliruar nga demokratët antikomunistë. Vërtet që nuk patën pushkë e raketa, por ama përdorën grushte, dru dhe hekura që goditëm pa mëshirë ata që po i përdornin si skllevër. Nuk patën strategë ushtarakë, por patën shpirtin e tyre të pa epur dhe dëshirën e madhe për ta mposhtur diktaturën. Ata bashkuan të gjitha krahinat e Shqipërisë me “Këshillin Krahinor” që e formuan gjatë zhvillimit të kryengritjes. Qenë të parët në Shqipëri që krijuan “Faltoren e Parë të mëkatarëve”, të cilët, për interesa të ngushta personale, kishin dëmtuar dhe dëmtonin bashkëvuajtësit e tyre, u falën nga Këshilli Krahinorë dhe, iu dha mundësia për t’u bashkuar me kryengritësit, duke shfaqur, me këtë rast, në mënyrë demonstrative, urrejtjen e tyre kundra regjimit. Ata çliruam veten, por nxitën edhe popullin të çlirohej si ata. Kryengritja e tyre mori dhenë edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Agjenci të ndryshme nëpër botë e përhapën si rrufe lajmin për aktin e guximshëm të burgosurve politikë në Kampin shfarosës të Spaçit. Ata lëshuam thirrje për të gjitha fuqitë e mëdha të botës, nëpërmjet spikerëve që hipnin mbi tarracën e pallatit dhe lexonin me zë të lartë promemoriet që lëshonte shtabi i kryengritjes: I bënë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik, Kinës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, si dhe të gjitha vendeve të fuqishme të Evropës e të Globit, për t’i ndihmuar të çliroheshim nga diktatura komuniste. Parullat tyre me zë të lartë ishin: Poshtë…komunizmi”…”Poshtë…diktatura komuniste!”..“Rroftë…Amerika!”…“Rroftë Evropa Demokratike”…”Rroftë Bashkimi dhe Sigurimi Evropian”…”Ja vdekje, ja liri”…

Të gjitha këto që po i dëgjoni sot nga unë, mund t’i gjeni në arkivat e Shtetit shqiptar, sepse ngjarja e famshme është e filmuar dhe incizuar besnikërisht nga klika në fuqi. Vetëm vullneti dhe dëshira e mirë duhet për të zbuluar e thënë të vërtetën. Askush nuk e vuri në dyshim, në atë kohë, tronditjen e madhe që i shkaktoi shtetit të diktaturës, Kryengritja e të Burgosurve Politikë të Spaçit…

Faleminderit!

KUR SHOKËT TË “VRISNIN” PAS SHPINE… Nga Bedri ÇOKU

Aqif Selimi, 83- vjeçar, ish – agjutant dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mustafa Gjinishit, në një emision televiziv, ne Elbasan , tregonte se, në operacionin e dimrit, pas shpartallimit të forcave partizane nga gjermanët, Shtabi i Përgjithshëm i Nç. dha urdhër që të gjithë partizanët e çetave të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, (me leje), për t’u rikthyer në një kohë të pacaktuar, vetem kur do ta shikonte të përshtatshme Shtabi i Përgjithshëm, në ilegalitet. Unë, thotë Aqif Selimi, isha gjithë kohën prapa Mustafa Gjinishit, i cili komunikonte me të gjitha forcat ushtarake kundra pushtuesve. Me ballistët, zogistët, me këshilltarët anglezë dhe kryesisht me Shtabin e Përgjithshëm të Nacional-çlirimtares. Ai nuk ishte komunist, ishte atdhetar dhe luftonte për çlirimin e vendit nga okupatorët. Në konferencën e Labinotit bëri atë që, deri sot nuk ka guxuar njeri nga pjesëmarrësit që ta tregojë. Për shkak të ndërhyrjes së Mustafajt, gjatë kohes qe zhvillohej konferenca, ajo u ndërpre gati një çerek ore. Ndodhi, ndërkohë që Ymer Nishani, po lexonte rezolutën me tre pika, e cila thoshte se:
1) Shqipëria shpallet Republikë.
2) Ndalohet kthimi i Mbretit Zog në Shqipëri.
3) Shqipëria njeh kufijtë e vitit 1939…
Mustafai thërret nga mesi i sallës:
– Stop!… Stop!
Gjithcka ne Salle u mpih…
Ai i drejtohet Enver Hoxhës, me gisht :
– Po ty kush ta ka dhënë të drejtën që ta shesësh Shqipërinë, mor’ tradhtar,… të pranosh kufijtë e saj të përgjysmuar, e?
Ndërkohë, ndërhyn Mehmet Shehu kundra Mustafait, duke e akuzuar per “shovinist”!… Ky nxjerr koburen dhe i përgjigjet menjëherë…
Edhe Mehmeti nxjerr të tijën me shpejtësi. Ishin trima te dy…
– Ti, kriminel, mbylle gojën!- i thotë Mustafai… Sepse je i dënuar me vdekje, për vrasjen e 80 myzeqarëve të pafajshëm… Por çfarë t’u bëj këtyre unë …
Dhe drejtohet nga Mugosha, Meladin Popoviçi dhe Myslim Peza…
Ndërhyjnë të gjithë për të zbutur gjakrat.,,
Ndërkohë, Mustafai priti që ta përkrahnin delegatët e tjere, sidomos Koço Tashko dhe Sejfulla Malëshova. I kishte shumë miq. Por ata nuk u ndjenë…
Mustafa Gjinishi u largua nga konferenca i zemëruar, gati me të gjithë…
Knferenca miratoi vendimet e shpallura, sipas interesit të serbëve që e kishin organizuar atë…
Ai priti sa mbaroi konferenca dhe iu derdh Myslim Pezës, tek i cili kishte mbështetje dhe besim të madh, :
– A u binde tani… se ata të gjithë janë kundra Shqipërisë…. se po realizojnë endrrën serbe për të zhvatur Kosovën?
Nga shënimet në bllokun e Mustafait, kam lexuar me sytë e mi, tregon Aqif Selimi se Myslim Peza ishte në një mendje me Mustafa Gjinishin, por ai asnjëherë nuk e mbështeti patriotin e flaktë për çështjen e shqiptarizmës.
Edhe kur, pas ca ditësh, Mustafanë e lajmëruan se transferohej për në Veri, gjoja me shërbim të posaçëm, ai e paralajmëroi Myslim Pezën, duke e bërë me dije se, transferimi i tij për në Veri po bëhej për qëllime të errëta…
– Po të gjeti gjë ty, i tha Myslimi, unë do ta çoj gjakun deri në gju të kalit… Këtë duhet ta dinë mirë te gjithe, edhe Enveri me serbët në Shtab…
Megjithatë, Mustafai e respektoi vendimin e Shtabit të Luftës, u nis në Veri. Si gjithmonë, unë nuk i ndahesha atij asnjë sekondë, tregon 83 vjecari. E kisha porosinë edhe nga Myslim Peza që ta ruaja Mustafanë. Sepse , thoshte ai:
“ E kemi si ujin e pakët ndër shqiptarët që luftojnë për trojet tona”…
Ndodheshim në Dibër, për organizimin e forcave partizane “ qe do të marshonin për clirimin e Kosovës.”… Papritur Mustafanë e thërrasin për të marrë pjesë në mbledhjen e komitetit, me kuadrot e lartë të çetave dhe brigadave. Ishte 20 Shtatori i vitit 1944. Sapo mbërritëm në Maqellarë. Mes kuadrove të grumbulluar, ndodhej edhe Hysni Kapo, i cili e ftoi, dashamiresisht, Mustafanë të jepte mendimin e tij lidhur me dikutimin që po bëhej rreth personalitetit të Titos dhe fitores së popujve sllavë kundra nazifashistëve…
Mustafai, i cili i kishte dëgjuar një copë herë diskutantët, flakë i kuq në fytyrë tha:
– Po si nuk ju vjen keq për popullin shqiptar, që ka 5 vjet në luftë kundra okupatorëve për çlirimin dhe bashkimin e vendit, ndërsa juve u hapet barku më shumë për fitoren e pansllavizmit në botë… ??!!
Të gjithë ulën kokën, pa guxuar t’i përgjigjej njeri …

Pas pak aty, mu afër nesh, kaluan si në paradë Enver Hoxha me Mehmet Shehun, me gjasë po shkonin për të marrë pjesë në organizimin e brigadës së katërt. Pas tyre u nisën edhe të tjerë…
Me kujtohet si tani që, menjëherë, pas Mustafait u nisën Ndreko Rino me Liri Gegën. Ai para, ata pas. Pa u futur ende mirë në pyll, u degjua një breshëri automatiku dhe, fill pas asaj breshërie, një partizan 17- vjeçar, duke dalë nga pylli zbrazi automatikun në ajër për të dhënë alarmin. Së pari ai iu drejtua Ndreko Rinës dhe Liri Gegës, që gjasme po dilnin dhe ata nga pylli, duke u thënë se Mustafan e vranë. Vrapova edhe une sapo dëgjova krismat, por ishte vonë. Mustafai dergjej i pajetë në tokë. Ne trupin e tij ishte zbrazur një karikatore e tërë me fisheke. E degjova kur Liri Gega, gjithë indiferentizëm e ironike, pyeti djaloshin partizan:
– More djalosh, a e pe mirë, Mustafai vdiq, apo vdiq krejt, ë?
Dhe vazhdoi rrugën qetë – qetë për ku qe nisur, me Ndreko Rinën.

Le Temps (1927) – Marrëveshja e qeverisë shqiptare me Vatikanin për të plotësuar aspiratat e popullsisë katolike të veriut

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Qershor 2019

 

“Le Temps” ka botuar, të martën e 27 dhjetorit 1927, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Vatikanit me qëllim plotësimin e aspiratave të popullsisë katolike të veriut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Vatikani dhe Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 26 dhjetor.

 

  1. Vrioni, ministri i jashtëm shqiptar, kryetar i misionit shqiptar për të përfunduar një marrëveshje me Vatikanin, bëri deklaratën e mëposhtme për gazetarët :

 

Misioni shqiptar ka fuqinë e plotë për të nënshkruar marrëveshjen për të cilën pikat e saj kryesore janë miratuar tashmë nga qeveria.

 

Në lidhje me emërimin e peshkopëve, duhet të theksojmë se në vendin tonë të gjitha fetë tolerohen. Shqipëria është në thelb laike, por të gjitha fetë mbrohen dhe garantohen me Kushtetutë.

 

Selia e Shenjtë do të jetë në gjendje të zhvillojë aktivitetin e saj brenda kufijve të përcaktuar nga ligjet e shtetit. Aspiratat e popullsisë katolike të veriut do të realizohen.

SHQIPNIA DHE HUMNERA – Nga Fritz RADOVANI

1997 Nana Tereza në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, heren e fundit në Shqipni lutej:

“O Zot, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!..” E Besoj, edhe sot lutet!

1912 – 1913 “Shqipnia duhej “eliminue” praktikisht si rrezik, pa kenë nevoja për pushtimin e saj ushtarak”. Ky ishte dhe asht piksynimi sllav shekullor…

2019 “Shqipnia” e “Ballkanit Perëndimor” po drejtohet nga Edi Rama, Ilir Meta, Lul Basha, Gramoz Ruçi dhe… A doni ma? – I keni naltë tue u mendue per “Popullin”…

Per marrveshjet “demokratike” dhe klimen politike… Pa vetimë e bumbullima sllave…

Gjithshka si na kanë mësue “vllezrit turq”… Dhe, shteti ligjor i Greqisë… Italia mike e atyne viteve, “mos qofshin harrue… e 1939”.., kur na trumhasi Mretin e, na la pa te !!

Mbas shiut filloi breshni! Jalta e 1945 na siguroi “Shtetin, zgjedhjet e lira, Kushtetuten, demokracinë, barazinë, dialogun me sllav, pushkatimet pa gjyq, dhunen, varfninë, vrasje e varrosje me gropa pa Emna, kampet e shfarosjes, krimin e organizuem nga shteti, plaçkitjen, korrupsionin, mafien shtetnore, spijunimin e mikut, shkatrrimin e Besës dhe Burrnisë, e mandej, per familjen Shqiptare e Ateizmin..,mundet me ua shpjegue ma mirë se unë, “shoku” ose “shokët” që sot drejtojnë shtetin e kalbun… Të cilit, nuk dij sesi me ia vue emnin, mbasi vetem “shqiptar” ai nuk asht. Emni i “shtetit” hajdut që kerkohet perditë nder arkiva të ruejtuna nga “Akademia e antishkencave anadollake” e Toptanëve të Esatit të shkretë, që s’ po e lanë rahat as aty mjedis ushtarve sllav, që i siguruen  jeten.

Madje, aty afer i zhgrehun në vaj… U pat varrosë edhe nipi, fukaraja i thesarit Tiranës…

Eh, moj Nexhmije…Ti mos vdeksh kurr per pa pa me sy tek ai kafazi nalt, çka keni ba … mbi këte Popull rrezikzi e të mjeruem qyshë se pat ra nder duert tua prej tiranësh…

Nuk mjaftuen 47 vjetë që me provue sejcila shtëpi trokitjet e sigurimit tuej, arrestimet e loçkave të zemres dhe, kampet e shfarosjes apo varrosjet tek “qerrshija” e Burrelit…

Po, u deshten 30 vjet të tjera me provue edhe ringjalljen e katilave shpirtzezë e vrasës të Shqiptarëve, tue fillue me Enverin tand, Ramizin, Haxhiun e të tjerë, që “emnat e tyne” mos kjofshin permendë nder Trojet Shqiptare persa të jetë jeta e Kombit Shqiptar, tue fillue nga Ata Bjeshkët e Atyne Katolikve të Lulzim Bashës dhe, deri tek brigjet e Detit Jon, ku kerkon me kullotë bagtitë Edi Rama me dekoruesit e tij grekë…E “vllaznit turq”! 

Rinia Shqiptare po shperndahet nepër Botë… Gjuha Shqipe e Maleve po shkallmohet !

Populli Shqiptar asht ba si Dallndyshat e Filip Shirokës së harruem…E s’ kthehet ma !!

              Melbourne, 19 Qershor 2019.

246 vjetori i fundit të skllavërisë në SHBA

Emancipation Proclamation

Më 19 qershor 1865, burra dhe gra të skllavëruara në Teksas më në fund mësuan se ishin të lirë, më shumë se dy vjet pasi Presidenti Abraham Lincoln nënshkroi Proklamatën e Emancipimit, e cila liroi të gjithë skllevërit në shtetet rebele të Amerikës. Çdo vit më 19 qershor, afrikano-amerikanët në mbarë vendin organizojnë aktivitete për të përkujtuar ditën kur iu dha fund skllavërisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jesusemen Oni sjell hollësitë.

Përkujtimi i ditës që shënoi fundin e periudhës 246 vjeçare të skllavërisë në Shtetet e Bashkuara është shndërruar në një traditë verore që shoqërohet me muzikë, parada dhe shfaqje të ndryshme.

“Më 19 qershor të vitit 1865, gjenerali i Ushtrisë së Unionit, Gordon Granger, i cili ishte përgjegjës për distriktin e emancipimit, përfshirë Teksasin, zbarkoi në gjirin e Galvestonit në Teksas dhe lexoi njoftimin, duke deklaruar se nga ai moment, afrikanët e skllavëruar ishin të lirë”, thotë Greg Carr nga Universiteti Howard. HoHow

Juneteenth ose Dita e Lirisë, që shënohet më 19 qershor, tani është festë shtetërore në 45 shtete amerikane. Për shumë afrikano-amerikanë, është një ditë e reflektimit mbi sukseset dhe përpjekjet e vazhdueshme në luftën për barazi racore.

“Kjo na ndihmon të kuptojmë dhe shpjegojmë se si Amerika ka arritur aty ku është sot. Unë do të preferoja që Amerika kurrë të mos ishte një shoqëri skllavopronare. Fakti është se ajo ishte e tillë, dhe efektet e skllavërisë janë akoma duke u ndjerë në shoqërinë amerikane. Pra, ne e dimë prej nga kemi ardhur, dhe shpresojmë se po mësojmë se si të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës”, thotë Andra Gillespie nga Universiteti Emory.

Ndërkohë që festimet përfshijnë koncerte dhe tubime familjare, ndoshta më e rëndësishmja është ruajtja e trashëgimisë, thotë Floyd Cooper, autor i librit me ilustrime, “Juneteenth for Mazie”.

“Historia po vazhdon të shkruhet edhe në këto ditë. Brezat e vjetër të familjeve po pasojnë historitë e kësaj dite tek brezi i ri. Historitë e familjeve tona, trashëgimia e afrikano-amerikanëve, përvoja afrikano-amerikane po kalon tek brezi i ri përmes tregimit të historive familjare”.

Nevoja për të vazhduar atë trashëgimi nxiti zonjën Kizzie Calhoun të merrte me vete djalin e saj në paradën e Ditës së Lirisë në San Antonio.

“Ne kemi ngecur në atë që po përpiqemi të arrijmë në të ardhmen, por duhet të kthehemi tek e kaluara për të kujtuar se nga kemi ardhur, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në përpjekjet tona për ndërtimin e të ardhmes”.

Dita e Lirisë këtë vit përkon me seancën e parë dëgjimore të kongresit në një dekadë mbi reparacionet për skllavërinë. Mbështetësit e kësaj nisme po i bëjnë thrrje ligjvënësve që të ofrojnë kompensim për pasardhësit e skllevërve.

“Kjo qeveri, ky popull, nëse do ta quanim veten amerikanë, duhet të përballet me faktin se kjo shkelje themelore ndaj afrikanëve në këtë vend duhet të trajtohet në një farë mënyre”, thotë aktivisti Greg Carr.

Ndërsa afrikano-amerikanët vazhdojnë të peshojnë ndikimin e skllavërisë mbi ta, Juneteenth ose Dita e Lirisë është një thirrje ndaj të gjithëve për të festuar hapat e vendit drejt lirisë për të gjithë.

Më 18 qershor 1815 u zhvillua beteja e Vaterlosë (Waterloo)

VOAL – Beteja e Waterloos (e quajtur fillimisht nga Prusianët si beteja e Belle-Aleancës dhe nga francezët si beteja e Mont Saint-Jean) ishte një betejë që u zhvillua gjatë luftës së koalicionit të Shtatë, më 18 qershor 1815, midis ushtrisë Francez të udhëhequr nga Napoleon Bonaparte dhe trupave prusiane të Marshall Gebhard Leberecht von Bluecher, aleate me trupat britanike të Dukës së Wellingtonit.

Fakti që termi “Waterloo” ka hyrë në përdorimin e gjuhës së përbashkët si sinonim i humbjes sensacionale (të pësosh një Waterloo do të thotë të pësosh një disfatë) shënon përmasën historike të ngjarjes: kjo ishte një çështje e betejës së fundit të Napoleonit,sanksiononte humbjen e tij përfundimtare, të cilën do të ndiqte mërgimi i tij në Sant’Elena.

Vendi dhe ngjarja historike

Në të vërtetë, nuk ishte qyteti i Waterloos – ku ishte selia e Dukës së Wellingtonit – por fshati Mont Saint-Jean, i cili në atë kohë ishte pjesë e Mbretërisë së Bashkuar të Holandës. Përleshja filloi në orën një të pasdites, kur Korparmata I e ushtrisë franceze ishte gati për të nisur një sulm ndaj La Haie Sainte dhe Mont Saint-Jean: por në atë kohë 30 mijë burra prusianë që i përkisnin Korparamatës IV të Trupave të Ushtrisë, të udhëhequr nga Marshalli von Bluecher.

Arsyet për humbjen

Njësitë franceze u paraprinë nga këmbësoria e lehtë, e cila ishte hapur në mënyrë të tillë që të shqetësonte armikun me të shtëna precize.

Çdo ndarje e Napoleonit u zhvendos me tetë batalione, të pozicionuar njëra pas tjetrës: një formacion jo shumë efektiv, sepse lejohej të xhironte vetëm dyqind burra, ata në radhën e parë të batalionit të parë.

Midis rangjeve angleze, në vend të kësaj, batalionet u vendosën pranë njëra tjetrës, me dy rreshta pushkësh: në këtë mënyrë këmbësorisë britanike ishin në gjendje të qëllonin pa probleme, kështu që mbi francezët zjarri erdhi nga shumë pjesë.

Në batalionet franceze, në fakt, një stuhi plumbash ra (një ndër dy ushtarë, rreshtuar njëiri pas tjetrit, mund të hapnin zjarrit një herë në dhjetë sekonda). Ndonëse artileria e fuqishme franceze do të kishte pasur mundësinë të shkaktojë shqetësim në rradhët e baterive të Wellingtonit, kjo ngjarje nuk ndodhi sepse britanikët ishin rreshtuar prapa kreshtës së kodrës, në mënyrë që të mos shihej nga bateritë e armiqve: ata dolën hapur vetëm kur francezët u gjetën disa qindra metra larg.

Shtyllat e Napoleonit, tashmë të përballura me humbje mjaft të përgjakshme, nuk arritën të mbeteshin kompakte (ndoshta duke bërë kështu ata do të kishin pasur sukses në ndërprerjen e linjave angleze gjithsesi), gjithashtu sepse ishin të përbërë mbi të gjithë nga rekrutët e rinj pa përvojë, ose nga shumë burra të shtyrë në moshë, dhe për këtë arsye jo të pajisur me nivelet e nevojshme fizike që do të kishin shërbyer për të vazhduar betejën me fitore.

Pavarësisht disa fitoreve të vogla pranë një grope zhavorri, trupat e Napoleonit u përfshinë nga paniku dhe pësuan sulmet e Brigadës së Bashkimit të Ponsonby-t, që pasoi pak pas asaj të kalorësisë së Somerset. Në anën transalpine u hodhën gjithashtu Grayskët e Skotit (të quajtur kështu për shkak të ngjyrës së kuajve të tyre), të cilat megjithatë shkuan më tej se sa ishte e nevojshme: një tepërim që kushtoi shumë dhe kjo shkaktoi vdekjen e të paktën gjysmës së tyre.

Faza e dytë e betejës së Waterloo

Në mes të katër dhe pesë pasdite u zhvillua ngjarja e dytë e cila përfundimisht ndryshoi fatin e betejës: udhëhequr nga Marshalli Ney, 5000 francezë ndërmorën sulmin. Një gabim i madh nga ana e Ney, i cili kishte gabuar një lëvizje të trupave angleze si një sinjal të tërheqjes: në vend të kësaj, ata që po largoheshin nga fusha e betejës ishin vetëm ushtarët e plagosur që po grumbulloheshin nga karrocat e municioneve.

Sulmi i lëshuar nga Nei kishte, rrjedhimisht, pasoja katastrofike.

Pas valës së parë prej 5 mijë kalorësve, ishte rradha e një tjetri 10 mijë, por meshkujt e Wellingtonit u rreshtuan në kuadrate për të sprapsur sulmet, në mënyrë që rreshti më i jashtëm i çdo kuadrati të përbëhej nga njerëz që gjunjëzoheshin me qëllim që të gjuanin me pushkë kuajt. Ndërsa nga rreshtat më të brendshëm u qëllua në burra.

Ishte falë këtij pozicioni strategjik që këmbësoria britanike arriti të mbrojë veten nga kalorësia kundërshtare, gjithashtu sepse kuajt instinktivisht refuzuan të shkelin mbi burrat: kjo nënkuptonte se kalorësit nuk mund të drejtonin drejtpërdrejt kundër armiqve që i shtypnin ato dhe kështu francezët u detyruan për të galopuar rreth britanikëve duke qëlluar me armë.

 

Kur kuajt francezë ishin pothuajse të lodhur, hyri në luftime kalorësia britanike e Uxbridge, duke rifituar pjesën më të madhe të artilerisë që kishte përfunduar në duart e francezëve dhe se armiqtë nuk kishin akoma kohë të dilnin jashtë shërbimit. Shanset e Ney për të fituar në këtë pikë u reduktuan, por pavarësisht kësaj Napoleoni nuk ishte ende jashtë lojës: ai mund të llogarisë, në fakt, në një duzinë batalionësh të grenadiers të Gardës që ishin pjesë e rezervës strategjike të Armatës, dhe se ata ishin të përbërë nga veteranë të zgjedhur të cilësisë.

Fundi i betejës

Ndërsa tamburet e Gardës u rrokullisën, Napoleoni dhe njerëzit e tij arritën në 660 metra nga linjat e kundërta, me artileria anglezë që priste, e fshehur në fushat e misrit.

Përleshja përfundoi me një thirrje që bëri jehonë në ushtrinë franceze: “La garde recule”, që do të thotë “Garda sulmon”. Ndërkohë që ushtria franceze ngurroi për pak momente, Wellington hodhi kapelen e tij në ajër: një sinjal që menjëherë u perceptua nga 40,000 anglezë, të cilët u larguan nga Mont Saint-Jean në drejtim të fushës ku ishin armiqtë, formacioni i të cilëve u shpërbë përfundimisht.

 

Na ishte njëherë një lëvizje opozitare! – Nga Florim Zeqa

Në shkrimin autorial “Thyerja e shpresave të qytetarëve, produkt i politikanëve të papërgjegjshëm!”, të datës 18.03.2019, më qëllim e tërhoqa një parale mes Ibrahim Rugovës dhe Albin Kurtit.

“Edhe pse dy personalitete të kundërta, Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti janë të vetmit liderë në historinë më të re të Kosovës që nuk u tërhoqën për as një milimetër nga qëndrimet e tyre politike dhe kombëtare.
I pari, Ibrahim Rugova (i dëshmuar në qeverisjen e vendit) edhe përkundër pengesave të shumta, deri në frymën e tij të fundit nuk e hoqi nga goja pavarësimin e Kosovës nga Serbia. Kurse i dyti, Albin Kurti (i pa dëshmuar akoma në qeverisjen qendrore) nuk heqë dorë nga mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetin të shtetit të njohur ndërkombëtarisht.
Ashtu sikurse Ibrahim Rugovën, edhe Albin Kurtin konsistenca në qendrime dhe vendosmëria në arritjen e qëllimeve politike, i bën të dallohen prej politikanëve tjerë jo vetëm në Kosovë, por në mbarë trojet etnike shqiptare”.

Vizioni pragmatik rugovian

Presidenti historik Ibrahim Rugova asnjëherë nuk kërkonte rishpallje të pavarësisë, por vetëm njohje ndërkombëtare të saj.
Pasi ai e dinte mirë së në historinë e krijimit të shteteve ekziston vetëm një datë dhe një ditë e shpalljës së pavarësisë, jo dy apo tri sosh!
Kosova një herë ka shpallë pavarësinë e saj më 2 korrik 1990-të, edhe pse në rrethana të okupimit klasik, ka historinë e funksionimit të shtetësisë së saj, ka edhe kushtetutën e saj të shpallur e miratuar nga deputetët shqiptar më 7 shtator 1990 në Kaçanik.
Pse nuk ndodhi njohja ndërkombëtare e Republikës së Kosovës para 17 shkurtit 2008 ?
Sepse presidenti historik, arkitekti i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova nuk ishte i gatshëm të pranonte kompromiset e dhimbshme e as ndryshimin e përmbajtjës së elementeve shtetërore që solli 17 shkurti; duke filluar nga simbolet antikombëtare, përmajtjen multietnike të shtetit e deri të një kushtetutë e hartuar jo mbi vullnetin dhe nevojat e popullit, por në bazë të një pakoje që avancon pakicat (serbe) në dëm të popullatës shumicë (shqiptare) në vend.
Kjo që solli 17 shkurti 2008, është në kundërshtim të plotë më vullnetin plebishitar të popullit të Kosovës të shprehur në referendumin popullor të 26-30 shtator 1991.
Rikonfirmim i referendumit gjithëpopullor, 2 korrikut e 7 shtatorit 1990, ishte edhe lufta çlirimtare, gjaku i derdhur për liri dhe çlirim kombëtar.
Ikja nga këto data, është ikje nga themelet e shtetit të Kosovës, pavarësisht si do të quhet Republika e Thaçit apo e Kurtit nesër!
Sikure personat fizik (njerëzit) që kanë një datë të lindjes, ashtu edhe subjektet juridike (shtetet) kanë një ditë të lindjës dhe krijimit të tyre.
Në kujtesën historike të popullit, Republika apo shteti i Kosovës daton që nga 2 korriku 1990-të.

Parimet e shëndosha dhe oshilimet e Albin Kurtit

Albin Kurtin edhe sot, edhe nesër dhe përghithmonë, do të dëshiroja ta shihja të vendosur në vizionin e tij për shtetin e Kosovës në frymën kombëtare.
Mirëpo, më oshilimet e fundit, Albin Kurti na shfaqet krejt ndryshe çfarë jemi mësuar ta shihnim deri më tani.

Republika e Thaçit, siq i pëlqen Kurtit ta quaj përiudhën pas 17 shkurti 2008, erdhi si rezultat i një lidershipi të papërgjegjëshëm, që pranoj të tjetërsohet lufta çlirimtare dhe vullneti i popullatës shumicë të Kosovës për hatër të atyre ndërkombëtarëve që nuk e duan një shtet të dytë shqiptar në Ballkan.
Kosova “multietnike” e Thaçit jo vetëm që nuk është vullnet i popullatës shumicë shqiptare në këtë vend, është një shkelje e rëndë e gjakut të dëshmorëve e martirëve dhe sakrificave të panumërta të popullit.
Të gjithë e dimë së ndryshimi i kësaj “status quo”-je është nëvojë imediate, do të thoja urgjente. Në ketë pikë dakordohem plotësisht më zotin Kurti, një ditë më shumë për këtë qeveri është një ditë më pak për Kosovën.
Sikur opzita të ishte unike, e keqja do të ndalej shumë më herët, dhe pasojat e keq-qeverisjes do të ishin më të vogla.
“Pakoja e Ahtisarit” mbi të cilën u shpall pavarësia e 17 shkurtit 2008, na ka shkaktuar probleme zinxhirore duke filluar nga decentralizimi etnik, trashëgimia kulturore e deri të Asociacioni i komunave serbe.

Reformim apo revizionim konceptesh ideologjike

Ideja e Albin Kurtit për një “Republikë” të tretë, daton nga korriku i vitit 2013!
Edhe pse shpallja e një “pavarësie të tretë” apo “Republike të Tretë”, për të mos thënë fatale, do të ishte me shumë pasoja për vendin.
Pas “Republikës së Hashimit”, “Republika e Kurtit” do të ishte prezentimi më qesharak para botës demokratike dhe jo serioz ndaj qytetarëve të Kosovës.
Kush e di, pas Republikës së tretë mund të vije e katërta, e pesta,…e kështu më radhë derisa në Kosovën e vogël të mos mbetët asnjë shqiptarë!
Sikurse sot “shaminë”, idenë e Albin Kurtitë për Republikë të tretë e pata kundërshtuar më 24.07.2013 përmes shkrimit autorial “Jo Republikë të tretë, zoti Kurti!”
Andaj, edhe sot pas gjashtë viteve, i kërkojë Albin Kurtit që t’na sqarojë cili ishte projekti i “Republikës së tretë”!?
Deri para hyrjes së Vetëvendosjes në Parlamentin e Kosovës, ideologjia kryesore e Vetëvendosjes ka qënë bashkimi kombëtar i Shqipërisë me Kosovën.
Shijimi nga afër i aromës së pushtetit, bëri që Lëvizja Vetëvendosje të harrojë jo vetëm idenë e bashkimit kombëtar, e ndërroj komplet fizionominë dhe kahjen e veprimeve të saj.
Sikur Lëvizja Vetëvendosje të mos bëhej pjesë e sistemit (pranimit të “Pakos së Ahtisarit” dhe kushteve të lojes parlamentare ), jam i sigurtë se do ta kishim një forcë të fuqishme politike opozitare, të gatshme jo vetëm për të protestuar, por edhe për t’u ballafaquar me sfidat e kohës nëpër të cilën po kalojmë si dhe për të sjellur ndryshimin e shumëpritur.

Të qartësohen kauzat e Albin Kurtit

Albin Kurti duhet të dëshmohet për këtë para qytetarëve të vendit.
Tërheqja e mandateve të deputetëve të LVV-së nga Parlamenti i Kosovës, dhe largimi nga të gjitha koalicionet qeverisëse komunale, do të krijonte besueshmëri qytetare dhe kredibiltet politik për subjektin që drejton z. Kurti.
Ndryshe, nuk ka logjikë dhe nuk mund t’i besojnë qytetarët kauzave për pushtet të Albin Kurtit.
Për shkak se, dëmi që i shkaktoi LVV-ja kryeqytetit me kandidaturën e Shpend Ahmetit është i madh dhe i pa llogaritshëm.
Dorëheqjen e Shpend Jahtit në komunën e Prishtinës, duhet ta kërkojë në radhë të parë lideri i LVV-së, zoti Albin Kurti, për të larë borxhin moral para qytetarëve për dëmin që i shkaktoi kryeqytetit me kandidaturën e Shpend Ahmetit. Për shkak se dyshohet se Shpend Ahmeti ka paluar dhjetëra miliona gjatë këtyre dy mandateve në komunën e Prishtinës duke shitur leje ndërtimore dhe duke bërë pazar tokat komunale me mafio-oligarkët ekonomik.
Ky nuk është i vetmi milionerë, produkt i VV-së, ka edhe milionerë të tjerë në radhët e VV-së, që u pasuruan nga aferat korruptive si anëtarë të PDK-së, të cilat kaluan në VV për “larjen” e mëkateve.
Nëse vërtetë Albin Kurti dëshrion të mbajë fjalën, për burgosjen dhe dënimin e politikanëve të inkriminuar, duhet të filloj nga shtëpia e tij (LVV) për burgosjen dhe konfiskimin e pasurive të figurave të inkriminuara, ish pjestarëve të SHIK-ut famëkeq, që krijuan biznese tejët profitabile si anëtarë të PDK-së.
Vetëm në këtë mënyrë Albin Kurti mund t’i bind qytetarët e zakonshëm për kauzën e drejtësisë që aq shumë i referohet në fjalimet e tij të sinkronizuara me patriotizëm folklorik.
“Përgjërimi” dy herë radhazi brenda pak muajëve i Albin Kurtit ndaj Isa Mustafës, suportit më të madh të Hashim Thaçit në këto 10 vjetët e fundit dhe nënshkruesit të dytë të “Zajednicës” (me 25 Gusht 2015 në Bruksel), përveqse befasi e papritur për qytetarët, ishte ogurëzi për ndryshimet pozitive në vend.
Kjo e dëshmon faktin se Albin Kurti nuk ka mungesë të kujtesës, por ka mungesë sinqeriteti.
Le t’iu tregojë Albin Kurti qytetarëve të vendit, cila ishte kauza e tij kur e gjuante me vezë në Parlament ish kryeministrin Isa Mustafa, ishte për shtet apo për pushtet!?
Le t’na tregojë Albin Kurti, se çfarë paska ndryshuar tek Isa Mustafa, dhe se takimet me Isa Mustafen, janë kauzë për shtet apo pushtet!?
Pranimi publik i shamive nga Albin Kurti, gjegjësisht anëtarësimi publik i Labinotë Demi-Murtezi në radhët e LVV-së, me ç’rast Albin Kurti e prezantoi Labinoten më shami si letrare dge albanologe që ka përfunduar Letersinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, paraqet rrëshqitjen më drastike të Albin Kurtit nga rrafshi kombëtar në atë fetar.
Mos zgjedhja e mjeteve për arritjen e qëllimit politik për marrjen e pushtetit, do të jetë tepër e kushtueshme për personalitetin e Albin Kurtit. Jam i sigurtë se më të shëndetshme për LVV-në dhe Albin Kurtin do të ishin votat shqiptare sesa votat e shamive apo sekteve tjera fetare.
Kjo nuk paraqet reformim të LVV-së, por reformim të “shamive” nga Gëzim Kelmendi tek Isa Mustafa, e prej Isa Mustafës tek trimat e Vetëvendosjes së Albin Kurtit!

Me këtë po dëshmohet katërçipërisht se klasa aktuale politike standard të veprimeve të tyre e kanë gënjeshtrën dhe mashtrimin, vjedhjen dhe abuzimin e votes së qytetarëve.
Partitë politike në përgjithësi janë shndërruar në korporata fitimprurëse për liderët e tyre, ndërsa janë bërë shkelëse dhe abuzuese te besimit të qytetarëve.
Duke u ngritur në karrierë politike dhe pasuruar nga mashtrimet dhe kauzat e rrejshme, klasa aktuale aktuale (pushtet dhe opozitë) modelin e abuzimit e kanë ngritur në standard të politikës ditore.

Na ishtë një herë një levizje opozitare (Lëvizja Vetëvendosje) jashtë Parlamentit të Kosovës, e dashur dhe e respektuar, e cila reflektonte shpresë e besim tek qytetarët dhe tmerr për pushtetarët.

“BASHKJETESA PAQSORE” E TRADHTARIT ME HERONJ – Nga Fritz RADOVANI

 

MARY EDITH DURHAM

(1863 – 1944)

Ah MARY, MAry, nga Vorri do t’ ikshe ba me dijtë shka ngjet sot në Shqipni…

Sesi e shikon syni i një Mikeshës së huej Popullin Shqiptar dhe Shqipninë e Kastriotit, e tregon libri i së Nderuemes Mary Edith Durham me titull “Brenga e Ballkanit”. Ajo na tregon që në ditët e para që shkeli në Token Shqiptare se i perket Maleve e Bjeshkëve…

Rrethimi i Shkodres ka fillue me 20 Tetor 1912 dhe asht mbyllë me 23 Prill 1913. Kjo luftë asht kenë nder ma të mnershmet e kohës moderne, ku per mbrojtjen e Shkodres askush nuk ka kursye as jeten e vet dhe, as të trashigimtarëve të shtrenjtë të Rozafës heroike.

Edhe Kisha Kathedrale u kthye në streh per sigurimin e jetës së Popullit trishtuem…

Vetem gjyle fluturonin në qiellin e zymtë të Shkodres së rrethueme nga malazezët vrasës.

Me 10 Nandor 1912 në këte luftë u fut edhe Serbia. Në ndihmë të Hasan Rizasë erdhi Esat Pashë Toptani. Si drejtues lufte Hasan Rizaja ishte i pergatitun. Me 29 Dhjetor 1912 u zhvillue edhe sulmi i fundit serbo malazez, ku Shqiptarët treguen veten të pathyeshem.

Shkodra u mbrojt nga Shqiptarët. Hasan Riza Pasha e pau se Shkodra nuk shkelet, dhe u deklaroi Shkodranve se, krahas flamurit turk, në Kala Rozafat duhet ngritë edhe Flamuri Shqiptar, që të kuptohet lidhja e Shkodres me Vlonen, dhe malazezët të pranojnë edhe ata Pavarsinë e Shqipnisë me Shkodren e Lirë… U caktue edhe data 31 Janar 1913 per me ngritë Flamurin në Rozafë si, dhe një sulm i forcave të Garnizonit Shkodres kunder serbo – malazezëve. Po, plani deshtoi! Hasan Riza Pashen e vrane sa doli prej Esat Toptanit…

Koha provoi se Komandanti turk kje ma besnik se Esat Pasha i Toptanve të Tiranës!

Mis Durham shkruente: “Osman Bali dhe Mehmet Kavaja, dy sherbëtorë të Esat Pashës, lavdoheshin ma vonë per vepren që kishin ba!” Komanden e mori Esat Pasha dhe pa kalue 6 muej, filloi marrveshjet me malazezë per dorzimin e Shkodres… Me 23 Prill 1913 Esati nenshkroi dorzimin e Shkodres mretit Nikolla, dhe ai vetë u terhoq… Shkodra ju shit anmikut shekullor e tradhtueme nga Esat Pashë Toptani… Që mbas 106 vjetësh po na del edhe ky “hero” perbrijë Haxhi Qamilit, Enver Hoxhes, Ramiz Alisë… Kam frikë se “historianët e prof” tanë dikush po na i drogon! Kjo pra asht “bashkjetesa paqsore”!

Siper Vorrezave t’ Heronjve, per me rritë lulet e “rilindjes, duhet me.., hjedhë pleh”…

            Melbourne, 17 Qershor 2019.