Për të shmangur rrjedhojat prej mungesës së plotë të komunikimit me publikun, çka i hap rrugëveprimi informimit talebanesk, kur diskrecioni politik midis aleatëve e ka humbur logjikën dhe vihen në rrezik institucionet e siguria kombëtare, iu lutem institucioneve të Kosovës, për keq a për mirë, siç e kërkon një shtet demokratik, të mbajnë lidhje dhe të informojnë publikun, sepse informimi në kohën e duhur ndihmon për të shmangur rreziqet ndaj shtetit dhe Republikës së Kosovës.
******
Tani po hap temën kur Presidentja e Republikës së Kosovës, e vuri aq në shqetësim Cim Pekën, i cili ishte gati t’i bënte thirrje Edi Ramës t’i dilte rishtas në mbrojtje Vjosa Osmanit, kësaj here jo nga Gjykata Speciale, me Prokurorë «sikarë», por nga qeveria Kurti 3, e cila «po e linçon Presidenten e Republikës» dhe «po e dënon me pushkatim».
E intervistuara Vjosa Osmani e denoncoi Qeverinë Kurti 3 me të cilën ishte shkrirë si sheqeri në ujë për pesë vjet e gjysëm duke deklaruar publikisht e insinuar eksplicitivisht se po linçohet e po kërcënohet me pushkatim nga qeveria që ajo e « ka ruajtur si sytë e ballit» «e tash paramendojeni çfarë do t’iu bëjnë të tjerëve», i qan hallin Vjosa Osmani Cim Pekës.
Sikur të qe e vërtetë për rastin në fjalë dhe për çdo rast duhej të vinim duart në kokë. Sepse në Hagë po gjykohen njerëz prej mbi pesë vitesh pasi në Kosovë janë ende të pazbardhura të gjitha vrasjet politike e tash institucioni i kreut të shtetit po «linçohet» e po kërcënohet me «pushkatim»!
Ky alarm si një narracion i telenovelave turke, e furnizoi me karburant, me gjithë krizën në Lindjen e Afërme, makinerinë dizinformuese të Lirim Mehmetajt me shokë, për të demonizuar kryeministrin, kur në fakt Vjosa Osmani për pesë vjet e ka rujt si sytë e tash po don me ia nxjerrë sytë e ballit Albinit me gjithë qeveri!
Përse po e anatemon tani Vjosa qeverinë Kurti, përse po e paraqet si rrezik për popullin që e votoi?
Cilat ishin faktet ku mbështetej Vjosa Osmani? Kur për pesë vjet e gjysëm ajo me Albinin kanë shku si buka me t’lynin»
Cilat ishin provat?
Kur s’ka prova mbetet mllefi i Vjosa Osmanit se VV-Guxo nuk e kandiduan për një mandat të dytë.
Për kolltukun e saj Vjosa Osmanit nuk ia ndiu as për shtetin, as për Republikën, as për Sovranin e Kosovës që e kishte shpallur verdiktin më 28 Dhjetor, duke vendosur se cilët ishin fitimtarët e cilët humbësit e atyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të dytat brenda 10 muajsh, ata që populli i besoi dhe ata që nuk i besoi. Në zgjedhjet e 28 Dhjetorit Albini doli politikani më i votuar në historinë e Kosovës së pasluftës me mbi 400 mijë votues, duke e tejkaluar Vjosa Osmanin e zgjedhjeve të 2021.
Vjosa Osmani nuk deshi t’ia dinte për verdiktin dhe prej mllefit të kolltukut e pa ia ndjerë hiç për pasojat e shtetit të Kosovës, shpalli dekretin e shpërndarjes së Parlamentit dhe thirri partitë për të vendosur datën e zgjedhjeve, duke krijuar dyshimin se ky ishte një akt antikushtetues dhe Coup d’Etat, dmth grusht shteti, sipas të paktën dy prej konstitucionalistëve të rëndësishëm të Kosovës, dy ish Kryetarë të Gjykatës Kushtetuese.
Veprimi i shpërndarjes së parlamentit nga Vjosa Osmanit ngjalli zhgënjim kudo ndër shqiptarë, por nga qeveria Kurti nuk u shpërfaq asnjë zemrim, asnjë pendim, asnjë reagim. Ndërsa Vjosa zjente, qeveria Kurti u tregua shumë korrekte me të, kur kaloi në kuvend Amandamentet nga Gjykata Kushtetuese të vitit 2011 për zgjedhjen e institucionit të presidentit me votim popullor, kur e kujtuara aq e vonuar ishte Vjosa Osmani, me përgjegjshmëri vonese direkte të Presidentes të Republikës, që do të na e shmangte këtë situatë dramatike të shtetit, që të kalojë nga zgjedhjet në zgjedhje dhe kur vendimi i shumicës, pra i Sovranit s’ka asnjë vlerë.
Vjosa Osmani me mllefin e saj se qeveria Kurti nuk e kandidoi për mandatin e dytë krijoi publikisht një konspiracion dhe vuri në lëvizje organet e sigurisë se jeta e saj ishte në rrezik prej statusit në rrjetin social të Halil Gecit, një Rugovisti, një patriot i Kosovës nga Familja Geci, i cili shkroi se «në Turqi për grusht shteti pushkatohesh», të cilin ai e korigjoi dhe publikisht u shpreh se natyrisht nuk kishte asgjë me Presidenten e Kosovës, se ai e ka mbështetur koalicionin, se e kishte mbvshtetur Vjosa Osmanin, porse ai nuk pranonte të shkelej Kushtetuta e Kosovës.
Nuk jam absolutisht për statuse të tilla, jam totalisht kundër, aq më keq kur i shërbejnë vorbullave, por e vërteta është se pretendimet e Vjosa Osmanit për linçim e pushkatim janë të pabaza, Vjosa Osmani nuk është e kërcënuar nga Qeveria Kurti, aleati i saj, ky alarmn ngjan vetëm si një furtunë në gotë për të shpërqendruar vemendjen nga ajo që paralajmërojnë konstitucionalistët se Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën dhe ka kryer një grusht shteti.
Pikërisht kur Presidentja e Republikës së Kosovës ka vënë në lëvizje shtetin për ta marrë në mbrojtje Vjosa Osmanin nga një status në rretin social i Rugovistit Halil Geci, ky institucion nuk ka mbajtur asnjë qendrim ndaj sulmeve e kërcënimeve të hapura të Aleksandar Vulin, ish nënkryeministër i Serbisë, ish shefi i BIA-s serbe e tje, i quajtur «njeriu i Moskës» kundër kryeministrit dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Mllefi dhe hakmarrja e Vjosa Osmanit drejtuar edhe kundër Lëvizjes Guxo, si ndërsim fushatash hipokrite largimi, me pretekstin e «linçimit e pushkatimit», janë farsë dhe anekdodë, fatkeqësi kush bie viktimë.
E vërteta që e pamë të gjithë live është se Vjosa Osmani prej grykësisë për kolltukun e karierën e saj personale, jo vetëm dogji aleancën që e zgjodhi Presidente të Republikës, por prej babëzisë së saj ajo goditi direkt interesin kombëtar dhe shtetin e Republikën e Kosovës, kur po na e thonë edhe Aleatët tanë Amerikanë se “zgjedhjet e reja në Kosovë nuk janë në interes të askujt” dhe natyrisht kjo solli disfatën politike më eklatante të Vjosa Osmanit që shumë zor se harrohet. Që nuk duhet të harrohet.
Edward Joseph: Zgjedhjet e reja në Kosovë nuk janë në interes të askujt