


Ç’ këshill i jepni popullit shqiptar e sidomos rinisë? At Zef Pllumi: E porosis per tri gjana: Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni; ky asht mesazhi qi e ka dhanë Sh’Pali përpara mejet, e para Sh’ Palit e ka dhanë Krishti vetë! Kjo asht porosia e kjo pershndetja per të gjithë popullin shqiptar.
R.SH. – Vatikan
Sot më 25 shtator bie përvjetori i kalimit të françeskanit shqiptar At Zef Pllumit në amshim. Ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit na la faqe të mrekullueshme të historisë së Ungjillit të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare.
At Zef Pllumi ndërroi jetë më 25 shtator 2007 në spitalin romak “Gemelli”, por në mendje e në zemra tona si dhe të atyre që e kanë njohur nga afër, ky personalitet i Kishës dhe i Kombit Shqiptar, është i paharrueshёm. Me rastin e përvjetorit të kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej me shumë dashamirësi At Zef Pllumi.
Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht At Zefi, që përjetoi populli shqiptar, Kisha, kleri e Vendi mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë e tij të leximit të së kaluarës e të së sotmes dhe të dialogut e të afërsisë që kishte me gjithkënd.
“Tashma asht ngulít gjanësisht në vetëdijen e shqiptarëve ideja se të gjithë kishim nevojë për nji rrëfim paqsor dhe të vërtetë të kohës së komunizmit, si ai që na la At Zef Pllumi tek kryevepra e tij «Rrno vetëm për me tregue». Janë shkrue shumë vepra për at’ periudhë, prej shkrimtarësh të ndryshëm, por ajo e fratit françeskan qëndron si për nga pikëpamja artistike ashtu edhe nga ajo historike në nji plan ma naltë se tjerat. Rrëfimi i tij zhdrivillon rranjët e nji tragjedie kombtare që nisi në vitin 1944, nji luftë që për ne niste atëherë kur e gjithë Europa fitonte paqen e shumëandrrueme”.
Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta tokësore, At Zef Pllumin e kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve. At Zef Pllumi ende sot mungon, u mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, i mungon botës së kulturës dhe shoqërisë shqiptare për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi. Ai u konsiderua me të drejtë si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë.
Jeta dhe veprimtaria e At Zef janë histori jete, feje, qëndrese, shprese, pra, histori vëllazërimi, dokument historik, dëshmi e dokument me vlera të mëdha kombëtare që na mundëson të shohim imtësisht atë çka ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit të diktaturës ateiste komuniste.
Personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore e kombëtare, të cilat diti t’i ruaj për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste dhe t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje.
*****
Veprimtaria meshtarake
At Zefi, i mirënjohur për veprimtarinë e tij meshtarake, sidomos në Tiranë e në Shkodër, për persekutimin e tmerrshëm nga ana e regjimit komunist e për veprimtarinë e tij të shquar letrare, lindi më 7 prill 1924 në Mal të Rrencit, pranë Lezhës. Ishte tepër i vogël, kur zgjodhi rrugën e jetës rregulltare françeskane. Vijoi, kështu, mësimet ndër fretën, deri më 1942, kur kreu liceun ”Illyricum” në Shkodër. Taman kur përgatitej për të vijuar jashtë shteti studimet filozofike e teologjike, iu desh t’i ndërronte universitetet evropiane me një universitet tjetër: atë të burgut. U arrestua për herë të parë më 14 dhjetor të vitit 1947. Në fillim të vitit 1948 u dënua me tri vjet burgim, që i vuajti në Shkodër, Beden të Kavajës, Orman Pojan të Maliqit. Sapo u lirua, u kthye ndërmjet sivëllezërve te kuvendi françeskan i Arrës së Madhe. Në vitet 1958-1967 shërbeu si famullitar në Malësitë e Dukagjinit. Në shtator të 1967 –tës u arrestua rishtas dhe u dënua me 25 vjet burgim. Këtë herë iu desh të rrinte tepër gjatë në universitetin e burgut, duke lëvizur nga Spaçi, në Kryporet e Vlorës, në Ballsh, Fier, Zejmen e Shën Vasil të Sarandës. U lirua në prill të vitit 1989, për të rifilluar më 1990 misionin e tij meshtarak në Tiranë e në Shkodër.
Rilidhi, jo pa vështirësi të të gjitha natyrave, fillin e jetës, të këputur brutalisht. Tani në biografinë e tij u dukën emrat e vendeve, që duhet t’i kishte shkelur në të ri: Itali, Belgjikë, Francë, Gjermani, Poloni, Kroaci, SHBA… Shkollë e re kjo, për fratin e vjetër! E nisi edhe veprimtaria e tij letrare, që e radhit ndërmjet shkrimtarëve më në zë të ditëve tona, me një sërë veprash. Kujtojmë “Rrrno vetëm për të tregue” , vepër me tre vëllime (V. I T. 1995/ v. II T. 1997; v. III T. 2001), “Antipoezi për shekullin XX, Poemë antiepike”, (T. 2001); “Françeskanët e mëdhaj shqiptarë” (T. 2001); “Siç thonim dje – përmbledhje publiçistikash” (T. 2001); Para njëmijë vjetëve – skenarë filmi (T. 2003) dhe vepra e fundit “Frati i Pashallarëve”, (Sh. 2004).
Disa prej këtyre veprave, ndonëse të bazuara mbi përvojën e burgjeve, e kanë kaluar tejet cakun e kujtimeve. Kanë marrë karakterin e veprave të mirëfillta letrare, që pasurojnë fondin aq të varfër të letërsisë shqiptare, e cila që prej më se një gjysmë shekulli ka prodhuar kryesisht vepra të indoktrinuara. E vepra të tilla nuk i thonë më asgjë lexuesit. Kështu At Pllumi, që shkruan në dialektin gegë, sot është përfaqësuesi më i shquar i shkollës letrare të Veriut, që megjithatë nuk ka dekë.
Shkrimet e At Zefit
Por At Zefi njihet edhe për veprimtari të tjera: firmë publicistike, që duket rishtas në shtypin e kohës (u botua në gazetën “Bota shqiptare” të Romës, shkrimi i tij publicistik “Demokracia shqiptare me dy diktatorë”) ai pati marrë mbi vete një vepër tjetër të lumnueshme: ribotimin e revistës famëmadhe të Françeskanëve “Hylli i Dritës”. Dhe ia doli mbanesh jo vetëm ta botonte, por edhe t’i jepte shkëlqimin e parë, në një kohë kur shtypi shqiptar përgjithësisht, s’premton asgjë të mirë. Por “Hylli” i lavdishëm, u detyrua të mbyllej rishtas për mungesë fondesh, për t’u hapur s’e di se kur….. Gjithsesi Pater Zefi vijoi të botonte, ndonëse sytë nuk duanin t’i bindeshin më. Por, si shkruan ai për vete në fund të një autobiografie të shkurtër, për të “thonë se âsht i marrë e nuk rrin me dekë rahat”. Fjalë filozofike që përmbledhin simbolikisht atë mendësi, e cila nuk e lë një shoqëri (shqiptarin) të ecën përpara.
Edhe ne të redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, sot Vatican News, ruajmë jo pak kujtime personale të paharrueshme të takimeve e bisedave që kemi pasur me At Zef Pllumin, gjatë qëndrimeve të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave tona në Shkodër e në Shqipëri.
Sot në përvjetorin e kalimit në amshim të françeskanit At Zef Pllumi, ju propozojme disa fragmente nga intervista që realizuam në janar të vitit 2007 me At Zef Pllumin për programin shqip të Radio Vatikanit, me rastin e marrjes së çmimit “Penda e artë” për veprën “Rrno vetëm për me tregue” në dhjetor të vitit 2006. Kjo vepër, pohon mes tjerash At Zefi, “rrëfen të vërtetën e fakteve pa inate, me ma të madhen paanësi, tuj tregue faktet pa i gjykue..”. ‘Rrno vetëm për me tregue’ ashtë “një mendim i ndryshëm prej të gjithë historianëve tjerë të Shqypnisë qi kanë shkrue deri me sot”. Po ta dëgjojmë At Zef Pllumin në mikrofonin e dom David Gjugjës:
At Zef Pllumin në mikrofonin e dom David Gjugjës
***
Si ngjet me shumicën e njerëzve të Kishës që vijnë në Romë për çështje të ndryshme, edhe At Zef Pllumi erdhi më 20 maj 2004 të takonte redaksinë shqipe të Radio Vatikanit. I ftuar nga dom David Gjugja për një intervistë, At Pllumi iu përgjigj me kënaqësi ftesës dhe bisedoi gjatë e shtruar para mikrofonit të përgjegjësit të Programit shqip pranë Radios së Papës. Po propozojmë sot transmetimin e kësaj interviste, në të cilën preken çështje nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me Kishën e me shoqërinë e djeshme e të sotme shqiptare.
Dom Davidi: – Jam shumë i emocinuem, shumë i kënaqun, që kam para vedit këtu, në studiot e Radio-Vatikanit, një prej atyne figurave të mëdha, që janë dëshmi e gjallë, hallkë lidhëse, apo ma mirë me thane, hallkë e pakëputun e traditës mijëvjeçare të krishtenimit në Shqipní, hallkë vendimtare e Kishës, e meshtarëve dhe e rregulltarëve, që dishmon për mbijetesën e Kishës katolike në Shqipëri, e cila pas aq shumë vuajtjesh e përndjekjesh sistematike e të tmerrshme, mâ në fund ia doli me fitue mbi fuqitë djallëzore të komunizmit të Enver Hoxhës e të shokëve të tij. E kam fjalën për Pater Zef Pllumin, françeskan shqiptar.
At Zef, po fillojmë me përshëndetjen tonë të zakonshme: mirëse ju pruni Zoti!
At Zefi: – Mirë se u gjeta!
Dom Davidi: – Si jeni?
At Zefi: – Jam shum mirë. Po thom mirë, se jam 80 vjeç e shokët e mij s’kanë mërrijtë me i bâ kaq vjet. Pleqnia kurr nuk asht e mirë, por, mbasi jam në gjendje me folë e me mendue, prap se prap ia di Zotit për nderë e thom se jam shum mirë.
Dom Davidi: – Pater Zef, ju jeni një dhantí prej Zotit për né, sepse, sikur thatë edhe ju vetë, jeni këtu për me tregue atê që ka ndodhë; e jo vetëm të këqijat, por sidomos për të na tregue edhe një herë se fuqia e dashunisë së Zotit, fuqia e Krishtit të ngjallun, ka ngadhënjye mbi anmikun e Kishës, të popullit, të vendit…..
At Zefi: – Po, sigurisht. Ajo asht puna mâ e mirë dhe detyra qi kena na, pleqt, për me mujtë e me e kallëxue, në mënyrë qi të tjerët qi vijnë mbas nesh, të bâjnë si të duen vetë, por t’i dijnë punët, të cilat na i kemi kalue, të mirat e të këqijat; kemë lumninë qi kem pasë, kemë vuejtjet qi kem pasë e edhe shkatërrimin, termekun e madh të komunizmit, qi shembi tokën tonë.
Dom Davidi: – E, mos të harrojmë, kemë sidomos qëndrimin burrnor, në saje të të cilit u ruejtën vlerat njerëzore, kombëtare, shpirtnore, fetare. Ju keni shkrue disa libra, si libri me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”; keni rrëfye me hollësi prekëse vuejtjet e tmerret e kohës e, sikur thashë mâ përpara, keni vû në pah fuqinë e Zotit, që ju ka mbajtë gjallë ju e ka mbajtë gjallë fenë në zemrat e shumë besimtarëve. Cila âsht porosia kryesore që keni dishrue me na transmetue ne, lexuesve, përmes kujtimeve tueja?
At Zefi: – Çdo jetë, sado bukur qi të kalojë e sado e kandshme qi të jetë, nuk ka veshtrim pa vuejtje. Por ka vuejtje mbi vuejtje. Moshës sonë i rá mbi krye nji vuejtje e jashtzakonshme, diktatura komuniste. Megjithatë, nuk kje një gjâ e papritun në popullin shqiptar. At Fulv Kordinjano ka shkrue në revistën “I Jesuiti” në vitin 1920 se ‘kur popullit shqiptar t’i vijë koha me u vû në kontakt me kulturën përendimore, ky popull ka me përqafue o jakobinizmin antiklerikal, ose komunizmin ateist’. Edhe ashtu ndodhi. Prandej të parët tonë pak a shumë na kanë pregatitë gjatë formimit shpirtnor qi na kanë dhanë kur ishim të rí, nuk na kanë lanë të papregatitun. Ishin të pregatitun ata për vedi, e na pregatitën edhe né, në mënyrë qi të mund t’i rezistojshim një persekucjoni antikatolik, persekucjonit fetar në Shqipni.
Dom Davidi: – Pater Zef, gjithë këto paralajmime, veç Kordinjanos, i kanë bâ edhe meshtarë të tjerë, priftën e rregulltarë jezuitë e françeskanë, të cilët e parafolën ketë të zezë, ketë rrebesh kaq të rrebtë: Ju mendoni se populli shqiptar do të kishte mujtë me e shmangë komunizmin, apo duhet ta konsiderojmë si pasojë të ndikimit të disa faktorëve, që e sollën këtë lloj regjimi në mënyrë të pashmangshme?
At Zefi: – Ishte rrjedhë e logjikë historike. Nuk mund të shmangej. Për me hi prej një mbrapambetje, nuk po thom feudale, se do të ishte tepër e përparueme, por prej një mbrapambetje shekullore, në shekullin XX, qi ishte mâ i përparuemi i shekujve, duhej një hap jo i zakonshëm përpara. Hapi duhej të ishte revolucionar, sepse revolucionet i pershpejtojnë punët. Gjithkund, veç te na jo! Te na revolucioni, në vend qi me i pershpejtue punët, me i kapercye epokat historike me një hap të vetëm, i zmbrapi epokat. Na ktheu mbrapshtë. Sepse hapi mund të bâhet para, por mund të bâhet edhe mbrapa. Mjerisht ashtu ndodhi në Shqipni.
Dom Davidi: – E megjithatë, në atë periudhë kur paralajmohej e kur çfaqej komunizmi, kur e qitëte kryet kadalë-kadalë, kemë pasë njerëz, personalitete me nivel ndërkombëtar, botnor, me një mendje të mprehtë, me një largpamësi të jashtzakonshme, apo jo?
At Zefi: – Asokohet mund të thom se në Shqipni intelektualët mâ të mëdhaj ishin klerikë katolikë. Nuk asht nevoja me i përmendë. Mjafton me kujtue se çdo famullitar – çdo famullitar, ishte shumë mâ i pregatitun se një profesor i soçëm. Klerikët katolikë kishin po atë kulturë, qi kishte Evropa, kryesisht Evropa qëndrore, Austria. E kultura austriake ishte shumë e balancueme. Ndërsa mbas Luftës I Botnore, studentët shqiptarë nisën me shkue e me studiue edhe në Francë e në Italí, ku sundojshin idetë antiklerikale e antifetare, që kishin mbî nga Revolucioni Freng. Qysh këtu nisi të parashikohej ardhja e komunizmit në Shqipní. E kjo, jo pse studentët shqiptarë në përendim ishin djelm të këqij; jo, ishin djelm të mirë, por me ato gjykimet e tyne djaloshare, kur kthejshin në Shqipní e e shihshin vendin aq të mbrapambetun, mendojshin me i kalue epokat me nji hap; por a kapërcehen epokat me nji hap?!
Dom Davidi: – Jo, nuk âsht e mujtun, sepse kush e bân hapin tepër të gjatë, në një shteg me gropa…
At Zefi: – … bjen mrendë. E ashtu edhe ndodhi. Ata kishin vullndet të mirë, por nuk e kuptuen çka ishte në të vërtetë komunizmi. Komunizmi asht idé e bukur në teori, asht dishira me i bâ gjith njerëzit të barabartë, të bashkuem. Ide shumë të bukura. Por vjen puna qi partitë e sidomos përfaqësuesit e naltë të tyne, kanë ide krejtësisht të tjera. E kështu, peshkaqejt e mëdhaj, që drejtojshin komunizmin, i gllabëruen të gjithë peshqit e vogjël, pikërisht ata qi luftuen e diqën për nji të ardhme vertetë të lumtun të njerëzimit, siç ishte djelmnia komuniste e asaj kohe.
* * *
Dom Davidi: – Pater Zef, tue ju falënderue për ketë bisedë atnore, vëllaznore, të përzemërt, më duhet t’ju kthej mbrapa e t’ju lutem të na pikturoni kuadrin e situatës shoqnore-politike-kishtare që i parapriu komunizmit dhe e bâni të mujtun fitoren e tij në Shqipni e në gjysën e botës…. Pse, për shembull, Imzot Noli dështoi si qeveritar….?
At Zefi: – Imzot Noli dështoi si qeveritar, pse nuk ishte njeri i politikës. Mjerisht në Shqipni nuk ka pasë kurr njerëz të politikës. I vetmi qi mund të thomi se kishte pregatitje politike, ishte Luigj Gurakuqi, i vetmi njeri i vërtetë i politikës qi ka pasë Shqipnia. Të tjerët ishin përfaqësues të një politike së huej. Turkhan Pasha, Ismail Qemal Vlora ishin poltikanë të njoftun, por përfaqësues të perandorisë turke, të një kohe së kalueme; prandej nuk mund ta përfaqësojshin Shqipninë si vend i lirë, indipendent, i pamvarun. Asht e vërtetë se u takoi atyne me e çpallë e me e bâ, por nuk mund të përfaqësojshin një klasë politike ose nji grup politik të pregatitun, me idè krejtësisht shqiptare. Një klasë apo një grup i tillë nuk ekzistonte. E ndër ta ishte edhe Fan Noli, qi ishte i aftë për pendë, por jo për politikë.
Dom Davidi: – Don me thânë edhe pamvarësia, çlirimi nga pushtimi shumshekullor turk, e gjet popullin të papregatitun, në kllapí…
At Zefi: – Shikjo, e ka thane tjetër kush para mejet, e ka thanë Faik Konica, qi Shqipninë e krijuen idealistat, patriotë e idealista; politikanët e shkatërruen….
Dom Davidi: – e populli e vuen…
At Zefi: – Sigurisht!
Dom Davidi: – Kur ju shikjon njeriu kështu, veshë me zhgun të Shën Françeskut, Shejtit që i solli lulëzimin pranveror Kishës universale në një çast aq kritik të historisë së saj, e kam fjalën për Kishën botnore, i kujtoni medoemos historinë mijavjeçare të krishtenimit në Shqipni. Dihet se feja e krishtenë ndër shqiptarë nisë qysh kur Shën Pali e Shën Andreu shkelën në këto treva, tue i hapë kështu rrugën një tradite të lumnueshme, tepër të lashtë. Thue mund të mendojmë se shqiptarët, pikërisht në çastet mâ kritike të historisë së tyne, i ranë mohit këtij burimi, u larguen prej tij, për të rravgue larg, apo edhe në ketë rasë qemë viktima të politikës së atyne që janë mâ të mëdhaj se na, e kam fjalën për perandoritë që sunduen botën , për perandorinë romake, bizantine e ottomane.
At Zefi: – Eeee… mjerisht këtu qindron e keqja historike e popullit tonë, pse përpara jemë kenë si gjith popujt tjerë, por kur u ndá Perandoria Romake, na u gjetëm të dám dysh mbrenda kësaj Perandorie. Veriu me Romën, pra me okçidentin, ndërsá Durrsi, që kje kufini krysor i vijës së Theodosit e pjesa tjetër, i mbetën Perandorisë Bizantine. Populli – i cili asokohe nuk ishte endè popull shqiptar, siç i thomë sot, asokohe fise ilire, prej kah kemë rrjedhë, u gjet në nji situacion aq të vështirë historik sa mâ s’ka, situatë lufte, që nuk pushoi kurr mbrenda kufijve tonë. Luftat i luftojshin të mëdhajt ndërmjet vetit, po shqelmat e tyne i hajshim na, i báte ky popull. E kështu u formue kultura e mosbesimit. Shqiptari e hupi shpresën në njanën e në tjetrën palë. Nisi mos me i besue mâ kurrkuj. E kështu edhe kultura pësoi dame të pariparueshme, sepse lufta bjen me vedi gjithmonë rrenim, bjen shkatërrim, e jo vetëm shkatërrim material, por edhe moral, e sidomos kulturor.
Dom Davidi: – Ç’kuptim kanë për ju përndjekjet, martirizimi? Sa vjet keni kalue ndër burgje e kampe përqëndrimi?
At Zefi: – Sa vjet? Vjet thue? Kam kalue tanë jetën…. qysh në riní, d.m.th. qysh kur kam kenë 20 vjeç, sepse pikërisht kur ishem në ketë moshë, në Shqipní hynë komunistat. Filloi atëherë jeta e burgut, e vijoi derisa u bâna 65 vjeç, kur u lirova. Por nuk asht se kam vuejtë vetëm unë: vuejtjet e mia janë një pjesë fort e vogël e vuejtjeve të mëdhá, të papërshkrueshme të mbarë popullit shqiptar. Burgjet e kampet e përqëndrimit janë kenë si dordoleci në arë, për me trembë sorrat; njashtu janë kenë kampet e burgjet, ku janë grumbullue njerëz pa faj pa mëkat, thjeshtë për mos me e lanë rahat pjesën e ashtuquejtun të lirë të populli, por me i thanë: “Kqyr, a e sheh sa keq asht ai? Njashtu ta bâj edhe ty, në kje se të shkon mendja me hapë gojën e me çilë zanin, e aq mâ keq, në kje se të shkon mendja me kalue edhe në veprim. Por populli ka vuejtë në njëmijë mënyra, sepse ka burg mbi burg. Tanë populli, mbrendë e jashtë, ishte në burg.
Dom Davidi: – E cila asht domethânja e martirizimit – e vuejtjes me e pa kuptim? Sepse në sa në vetvete asht krejt pa kuptim, nuk asht aspak pa kuptim për ata që kanë pësue për hatër të Krishtit a të etjes për liri e demokraci njerëzore e shoqnore….
At Zefi: – Shikjo, e thaçë edhe nji herë qi jeta nuk ka veshtrim pa vuejtje. Edhe ai qi mendon se asht mirë, mirë, mirë, krejt mirë, edhe në kjoftë se s’i mungon asgja materiale, asht vetë jeta që nuk e lên rahat, sepse ka vuejtjet e grindjet e veta të mbrendshme. Njeriut i shamatohen trutë mbrenda vedit, jo mâ kur krijon familje e kur asht në shoqni me të tjerë. Vuejtja asht e pashmangshme në jetë, por varet si i konsideron vuajtjet, si i bán vuejtjet, kuj ia kushton vuejtjet…. na i quejmë flijim, se vuejtjet janë flije. Në kjoftë se na këto flije ia kushtojmë Zotit edhe i bájmë për hater të Tij e i ktehjmë në flije shpirtnore, atëherë báhen shumë mâ kollaj e kthehen në shpëtimtare si për atë qi vuen e, ishalla edhe për të tjerët. Mue, gjatë jetës së burgut, më kanë takue shum rasa kur, ndër tortura, s’kishem çka me bâ tjetër, veç me i lypë ndihmë Zotit, me e lutë, tue thanë: “Aman, më pështo!”. E më ka ndodhë në një rasë që ai, i cili po më torturonte, më tha: “Çka je kah i lot buzët? Po lutesh, a?” . “Po – i përgjegja – tue lutë Zotin jam! Jam tue iu lutë qi ta shndrisin menden mos me më rrahë mâ”. Edhe ai stepej përpara kësaj gjendje, përpara buzëve që lëvizshin pa fjalë… përpara uratës së shqiptohej pa zâ. Vuejtje ishte, por mvaret… Dikush disprohet e des mbrendë e barabar prej vuejtjes nuk pështon, dikush tjetër e bán për hater të Zotit. E kjo na ka ndodhë në përgjithësi né, të gjithë klerikëve katolikë. Jemë kenë të formuem kështu!
Dom Davidi: – Ju në librat “Rrno vetëm për me tregue”, e në libra tjerë, i përshkrueni pikërisht këto vuejtje, tue dënue të keqen por, e kjo t, bân me të vërtetë përshtypje, tue mos urrye askend, madje tue i falë autorët…
At Zefi: – Kur i kam shkrue këto libra, nuk kam dashtë me bâ letërsi. I kam shkrue që mos të harrohet, mos të harrohet – po e përsëris – çka kemi hjekë, jo vetëm na, por gjithë populli shqiptar. Në kje se Vëllimi I kujton krysisht vuejtjet e klerit katolik e të nji pjese të intelektualëve, Vëllimi II asht për të gjithë Shqipninë, e cila quhej e lirë, por e lirë nuk ishte. Në sa Pjesa III përfshin vuejtjet e burgut jo vetëm të mijat, por të shumkuj, madje mâ shumë të tjerëve.
Qellimi i tyne asht kryesisht historik, për me kundërshtue historinë krejt rrenacake, krejt gënjeshtare qi asht shkrue gjatë këtyne 50-vjetëve. E mjerisht, mjerisht, tue kenë se burgjet e vuejtjet ishin të panjoftuna, jo prej shumkuj, por gati prej gjithkuj, njerëzit i kanë besue asaj historisë idilike, qi asht shkrue, aq sa po të kallxoj nji gjâsend. Më ka takue, mbas ’90-ës e këndej, me ndeshë nji vajzë në tren, në sa udhëtojshe nëpër Itali. Ishte prej Lancianos. Babën e kishte tregtar të madh. Jo thjeshtë tregtar, por mâ tepër industrialist. Më thotë vajza, në sa treni përshkonte udhët e Italisë: “Në kohëne komunizmit mediat aq të mirë e paraqitshin gjendjen e Shqipnisë, sa si baba i em, ashtu edhe unë e tanë familja, bâmë kërkesë me shkue në Shqipni. Shyqyr që s’na kenka dhânë leja se vetëm tash e kuptuem ku e paskemi pasë ndër mend me u mbytë. Vetëm tash, pra, e morëm vesht cila ishte e vërteta”. Prandej i kam shkrue këto libra. Jo se kam pasë qellim me denue kend, pse kurrkend nuk kam dënue; asht kenë nji fatkeqësi e madhe e popullit shqiptar. Madje fatkeqësi mund ta qyejmë edhe për ata që kanë pasë detyrën e torturuesit, për ata që kanë martirizue vëllazënt e vet shqiptarë. Nuk më duket zanat fort i kandshëm ai i njeriut që rjep lëkura njerëzore. Prandej nuk kam urrye kurr e kurrkend…
Dom Davidi: – Ka pasë një ças vendimtar për Kishën – e âsht ai i përpjekjeve të komunistave për krijimin e Kishës kombëtare, për shkëputjen e Kishës katolike nga Selia e Shën Pjetrit.Ç’ju kujtojnë këto çase e cili ishte reagimi i Kishës?
At Zefi: – I kujtoj ato çase, si të kishin ndodhë dje. Edhe Enver Hoxha i ka përmendë ndër fjalimet e veta… takimet që ka kërkue qysh në fillim me Monsinjor Gjinin, me Monsinjor Prennushin… i kujtoj, sepse mundohej me bashkëpunue, në se mund t’ia delte me e realizue këtë bashkëpunim. Por, a mund të ketë bashkëpunim ndërmjet fesë e ateizmit? Kjo asht krejt e pamujtun. Kleri katolik nuk mund të pranonte me u bâ vegël e hueja, aq mâ tepër kur ishte fjala me u bâ vegël në duert e anmiqve të fesë. Ky asht qendrimi i përhershëm i Kishës katolike. U bane shumë përpjekje, shumë bisedime, që vazhduen me vjet e vjet, por kleri katolik nuk lëshoi kurr pê. U mërrijt te ajo, qi mandej u quejt Kishë nacionale, qi u trumbetue aq tepër prej propagandës komuniste e prej atyne qi nuk i dinë punët e mbrendshme. E verteta asht se kje nji marrveshtje e mbrendshme qi të firmohej ai statut vetëm sa për sy e faqe, për mediat, por në të vertetë marrëdhanjet me Vatikanin siguroheshin nëpermjet vetë organeve shtetnore… Ipeshkvit të vetëm qi kishte mbetë në Shqipni, Imzot Bernardin Shllakut, i erdh letra prej qeverisë, por nuk ndigjoi me e firmue; e jo vetëm ai, por as klerikët tjerë nuk ndigjuen me vú firmë, pa u sigurue mâ pare për marrëdhanjet me Vatikanin…. E kjenë sigurue, mandej firmosen.
Dom Davidi: – Don me thanë këtu kemi një lloj kompromisi për me shpëtue si njenën pale, ashtu edhe tjetrën….
At Zefi: – Po, njënën e tjetrën palë. Marrëveshtja ishte e mshehtë, siç janë gjatë historisë shumë marrëveshtje sekrete. Madje komunistët u penduen që e bânë këtë marrëveshtje me Kishën katolike, sepse qysh në atë ditë, për 15 vjet rresht, Kisha katolike, qi kishte mërrijtë në grahmat e fundit, filloi me u pëtrî, me e marrë vedin me forca të veta, don me thanë me forcat e popullit besimtar. Kurr nuk asht ndihmue Kisha prej popullit të vorfën, sa në periudhën prej vjetës 1950 deri në vjetën 1967. Ata 17 vjet Kisha erdh tue e marrë vedin, u rindërtue edhe me kler, pamvarësisht se ishte i mbyllun e i ndaluem seminari, fidanishta e meshtarëve. Prap se prap Zoti i dha fuqi përparimit, i dha guxim Kishës me ecë përpara në kohnat mâ të vështira që ka mujtë me pasë Kisha, e kjo punë i terboi edhe mâ tepër komunistat dhe vendosën shkatërrimin e plotë të fesë.
Dom Davidi: – E perskutimi komunist filloi të sulmonte njerëzit mâ të spikatun, prijësit, barijtë, trunin….
At Zefi: – Ashtu filloi persekutimi. Fillimi i persekutimeve gjithmonë kapë në fillim krenat, fillon prej nalt, për t’u ulë poshtë. Mandej, prej ’67-tës e mbrapa, kur u ndalue krejtësisht feja e Kisha në Shqipni, atëherë nis me marrë mbarë, aq sa mund të thomi se nuk pështoi kurrkush prej klerit katolik pa hy në burg. Mund të kenë pështue dy-tre vetë, e edhe ata sepse ishin të sëmuet, pse nuk paraqtshin kurrfarë rreziku imagjinar për qeverinë, po sa për të tjerët, të gjithë kemi kalue nëpër burgje….
Dom Davidi: – E çka mendoni ju se mund të mësojnë brezat e ri prej gjithë këtij rrebeshi, që të mos shkojë dâm e mira e të mos përsëritet mâ kurr e keqja…. ?
At Zefi: – Tashti termeqet nuk mund t’i parashohë kurrkush se kah vijnë e tek vijnë e sa ballsh kanë me kenë, kur të vijnë…. këto i ka jeta… por do të mësojmë prej tyne se si me i bájtë me durim e me vendosmëni. Ka randësí sidomos mos me i luejtë kurr parimet. Mjerisht – tue kenë njerëz – ndoshta gabime të vogla, të parandësishme, edhe mund të bâhen, por pa damtue idenë.
Dom Davidi: – Si thotë fjala e urtë: “Me mëkatnue asht njerëzore, me qindrue në mëkat asht djallëzore.
At Zefi: – Tashti: a asht kenë kleri katolik në naltësinë e duhun; a ka pasë ndonji qi nuk mujt me qindrue – e sot ketë po mundohen me e gjetë, tue vû gishtin ku munden e tue thanë jo kje ky e jo kje ai. Puna asht se jo të gjith njerëzit munden me kenë heroj e me dekë si heroj. Mund të jetë bâ edhe ndonji gabim. Por duhet të kemi parasysh qi edhe Krishtit, qi asht Zot, në shoqninë prej 12 vetësh qi pati, nji i ka dalë trathtar. Por tue kqyrë proporcionet prej 200 vetësh, qi përbajshin klerin katolik, ndonji qi ka gabue nuk çon peshë aspak. Ndërsa fesë nuk i rá mohit kurrkush. Ndoshta ndokush gaboi, ndoshta nënshkroi ndoj gjâ send, që sot dënohet, por, ka pasë thanë Nastradini: ai qi nuk asht rrxue prej fikut, mos të vijë me më pá”. Ata qi mund të kenë nënshkrue, e kanë bâ ketë prej torturave të padurueshme, shumë mâ të zeza se ramja prej fikut….
* * *
Dom Davidi: – Tue kujtue gjithë atë veprimtari për “Fé e Atdhé” që zhvilloi kleri, e sidomos zhguni françeskan, nuk mund të mos kemi dishirë ta ndigjojmë, shkurtimisht, mendimin tuej për kontributin e Kishës katolike në fushën e kulturës e, sidomos, në atë të zgjimit të vetëdijes kombëtare….
At Zefi: – Tashti me folë për françeskanët e për verpimtarinë e tyne, duhet me e pa këtë veprimtari në tanë botën, sepse Urdhni i themluem prej Sh’Françeskut, me idé thellësisht popullore, gjindet kudo në botë. Urdhni ka si idé kryesore vorfninë, tue zhdukë kështu atë që sot kishte me kenë pasioni themelor: dishirin për pasuní. Ideja e pasunisë zhduket. Vendin e saj e xên ndjenja mâ fisnike që ka njoftë ndonjiherë njeriut: dashunia. Dashunia për Zotin në radhë të parë. E kur të kesh dashuni për Zotin, do të kesh edhe për të gjitha kreatyrët tjera, pa dallim. Si je mësue me dashtë Zotin, nisë e ndien dashuni edhe për lule, për shpend, për shtasë… e aq mâ tepër për njeriun. Kjo âsht karakteristika kryesore e françeskanizmit në botë. Mirë po, tue punue për me e edukue njeriun me ketë dashuni, nuk kem dallue as trima as frikacakë, as pasanikë as të vorfën, as të dijshëm as të padijshëm. Prej këndej edhe dashunia për Atdhé e binomi “Fé-Atdhé”, që don me thânë me punue për Zotin e për popullin. Â’ kenë nji kohë kur françeskanët shqiptarë janë kenë aq të paktë, aq të paktë, sa nuk ia kanë mërrijtë me i përhapë idetë e dashunisë së Zotit. Kanë ardhë, atëherë, misionarë të huej, qi kanë pasë një karakteristikë të veçantë: janë bâ të popullit, ku kanë shkue; janë mishnue me popull, për me e çue te Zoti, e ka ardhë prej vedit qi edhe ata kanë punue për ketë popull, për me i dhanë kulturë, dashuni, gjithçka kanë mujtë.
Dom Davidi: – Cili ka qenë roli i revistave të mirënjoftuna “Hylli i Dritës” e “L.E.K.A.”, në këtë përpjekje për të rrezatue dashuni e kulturë. Mjerisht sot nuk i kemi mâ këto dy revista, me tipare të ndryshme, por me qellime të njajta, të cilat do të jepshin të njajtën ndihmesë edhe sot, kur ka aq shumë nevojë pikërisht për dashuni e për kulturë…
At Zefi: – Kleri katolik, tue mendue për Zotin, ka mendue për popullin, ka punue me e marrë e me e çue te Zoti. Vështirësia mâ e madhe si për klerin shqiptar, ashtu edhe për misionarët e huej, ka kenë se populli ishte tepër i padijshëm, i pashkollë. E ky popull i padijshem e i pakurrfarë shkollet kishte vetëm kulturën gojore të veten e dhantitë natyrore, qi ia kishte falë Zoti. Ta pret mendja se malet e fushat, qi nuk e kanë lodhë fort menden, mund të epshin edhe xheni të mëdhaj, siç edhe dhanë në të vërtetë. Prandej edhe kleri i dha randësi të madhe shkollave. Thonë se shkolla e parë në Shqipni kje hapë me 1887. Po shkollat shqipe na i gjejmë ç’prej vjetës 1680, madje të organizueme si s’ka mâ mirë prej misionarëve. Në sa në shkollën françeskane dihet mirë se mësohej në gjuhë shqipe qysh me 1861. Nuk quheshin shkolla kombëtare, pse mbaheshin prej klerit katolik, por në të vertetë ishin kombëtare, e këtë e tregon fakti se kjenë ato që formuen njerëzit e kombit. E edhe tashti, kleri katolik duhet me i dhânë randësinë mâ të madhen kulturës, sepse kultura asht nji gjâ e perbashkët për të gjitha besimet e për të gjitha shtresat e kështu, tue kulturue popullin, e çojmë mâ afër Zotit, pikërisht me anë të kulturës. Për njatë qëllim u zhvillue shtypi, u çilën shkollat, u botuen libra e revista… Deri me 1944, kur erdhën komunistat, Kisha katolike ka pasë njaqë shkolla, sa ka pasë shteti shqiptar. Atëherë kleri katolik kishte peshë politike e randësi të madhe.
Dom Davidi: – Po e përsëris prap pyetjen: ç’ vend kishin ndërmjet këtyre përpjekjeve “Hylli i Dritës” e “L.E.K.A.”?
At Zefi: – Tashti secili ka punue në të njajtin drejtim, por me mundësitë e veta. Kur flasim për revistat e klerit katolik, duhet të kujtojmë se e para revistë kulturore âsht “Elçija e Zemrës së Krishtit”, qi doli shumë mâ parë se “Hylli i Dritës”- 50-vjet përpara, por ishte revistë fetare, me përmbajtje vetëm fetare e shpirtënore, ndërsa e para revistë kulturore kje “Hylli i Dritës”.
Dom Davidi: – Me një fjalë “Hylli i Dritës” ka luejtë rolin e Doktrinës Shoqnore të Kishës, që sot Papa Gjon Pali II e nënvizon me forcë…
At Zefi: – Nuk asht se na i kena prî Papës, por Kisha katolike kulturën e ka pasë gjithmonë në qëndër të vemendjes. Ka luftue me anë të kulturës, qysh në kohën e të krishtenëve të parë, për me vijue në kohë të mjesme… tashti koha e mjesme akuzohet si koha mâ obskurantiste e historisë. Por kjo asht krejtësisht e pavertetë. Në atë kohë janë filozofët mâ të mëdhaj, katedralet mâ të mëdhá, mâ të bukurat, mërrijtën kulmet të tana artet e shkencat humane. Në sa shkencat ekzakte përparuen mâ vonë, por nuk duhet harrue se në Hanë e në Mars njerëzit po shkojnë tue u nisë shi nga ato kalkulime qi kjenë bâ qysh në atë kohë.
* * *
Dom Davidi: – Pater Zef, folëm pak për Kishën, pak për kulturën, pak për françeskanizmin. Ju keni punue e punoni për të ardhmen e vendit e të Kishës. Posaçërisht me dërgimin e të rinjve jashtë për të studiue, me shpresën se do të kthehen në Atdhé e të punojnë për të mirën e popullit. Ç’mendoni për politikën shqiptare e për politikanët? Mendoni se kemi politikanë të vërtetë, me nivel?
At Zefi: – Kjo âsht e meta mâ e madhae e historisë së këtij populli. Të thashë edhe përpara: na jemë çpallë shtet në vedi, pa i pasë njerëzit që ta drejtojnë, pse zakonisht shtete i drejton politika, popujt i drejtojnë njerëzit e politikës; janë ata që e japin drejtimin, porse njerëzit e politkës janë pak a shum të pregatitun, duhet të jenë kështu. Ndërsa në Shqipni asht krijue mendimi feudal se ai që ka politikën, ka gjithçkafen në dorë, se politika asht burim fitimit. Shqiptari endè s’e ka kuptue se politika asht shërbim e jo fitim. Vetëm kur të vijnë ata njerëz që kanë me e kuptue se politika asht shërbim, atëherë, po, mund të shpresojmë…. Ti merre fjalën ministër. Po ta përkthejmë, don me thanë shërbëtuer; po te na ka kuptimin sundimtar, që don me thanë gërryes. Asht i pari mendim që duhet ndërrue. Nuk asht aspak e lehtë, por kadalë –kadalë… Tashti po bâhen 100 vjet që jemë të pamvarun – 100 vjetori i Pamvarsisë do të kremtohet në vjetën 2012 – por endè s’kemë mërrijtë me formue shtet! Kjo âsht fatkeqësia mâ e madhe e këtij populli. Mbas njiqind vjetësh, alá s’ka shtet të vërtetë. Jemi pa dritë, pa rrugë, jemi pa ujë, pa gjithçka.
Dom Davidi: – Pater Zef, e Kisha, në këtë situatë të vështirë shoqërore, ekonomike e politike, me gjithë mungesën e infrastrukturave, mundohet me bâ çka mund të bâhet, apo jo?
At Zefi: – Kam pasë dhânë nji intervistë në revistën “Jezus” para disa vjetsh. Me njata mendime qi kam kenë atëherë, me njato jam edhe sot. Më pat pvetë ai kryeredaktori i revistës e më pat thanë: “Po Kisha katolike si asht në Shqipní? I thaçë: “Ajo anije s’ka zbarkue në brigjet tona”. Si – tha – po unë kam ato, statistikat. Janë ma se njiqind priftën, njiqind mungesha. – Po, more, po – i thashë –janë, janë… Ka, si priftën, ashtu edhe mungesha – por nuk e di a janë mâ tepër degë e Kryqit të Kuq, apo njerëz të Kishës, qyshsè kanë hapë ambulanca e merren mâ teper me punë qi i takojnë Kryqit të Kuq. Na në Shqipni kemi nevojë mâ tepër për mend, për trû, ata vijnë e na bâjnë injicjone, po injicjonet nuk na i shëndoshin trutë. Kisha misjonin e vet e kryen ndër shkolla nëpërmjet kulturës e jo tue dá pako, ndihma ushqimore…. Nuk po thom se asht gjâ e keqe; asht gjâ e mirë, por qi ndihmon vetëm trupin, në sa menden e shpirtin pak i ndihmon. Mjerisht edhe sot na kemi nji fatkeqësi të madhe se s’kemi klerin shqiptar të mjaftueshëm. Ashti ai qi e din se ku i dhemb e ku i djeg shqiptarit, qi ia njeh të metat e të mirat. Mjerisht klerikët e vjetër shqiptarë u shuen, ose nuk janë mâ në gjendje për punë. Mosha bân punën e vet. Kështu Kisha mbet në duer të të ardhunve. E ata që erdhen, erdhen me ‘i farë mendimi se po krijojnë Kishën. Menduen se këtu ishte vend-bosh. Harruen se Kisha në ketë vend asht qysh në kohë të Sh’Palit. Menduen se po vijnë si misionarë me hjedhë themelet e Kishës së re. Këtu asht e meta e Kishës katolike në Shqipní të soçme, e cila nuk ka marrë para syshë kurrgjâ çka asht kenë e prandej edhe asht pa themele.
Dom Davidi: – Sidokjoftë, shenjat premtuese nuk mungojnë, e nuk mund të mohohet se asht bâ një punë e madhe…..
At Zefi: – Âsht bâ punë e madhe; sidomos janë bâ kishat, kuvendet, ndertesat, e edhe shkolla janë hapë, por jo aq shum sa duhet, sepse edhe populli katolik, në krahasim me çka asht kenë, asht shumue, pse asht shumue populli në përgjithësi. Atëherë a’ kenë folë për një qind mijë katolikë, sot sigurisht katolikët nuk janë nën 500 mijë. Por në kjoftë se atëherë janë kenë njëqind shkolla, sot duhen me kenë 500. Pra kjo asht e meta kryesore e Kishës katolike në Shqipni: nuk i përgjigjet nevojave të kohës, sidomos në çashtjen e kulturës. Për kah kishat, janë mâ të mira se ç’janë kenë, kuvendet e famullitë janë mâ të mira se ç’janë kenë, por janë të gjitha punë materiale.
Dom Davidi: – Nji prej sfidave që duhet të përballojë sot Kisha në Shqipni, asht edhe takimi ndërmjet zonave të ndryshme, banorëve që lëvizin nga krahinat e ndryshme, që dynden drejt zonave fushore, sidomos drejt qytetve…… kjo zhvendosje mund të krijojë shqetësime, por mund të jetë edhe pasuri, po të shfrytëzohet si duhet….
At Zefi: – Asht pasuni e paçmueshme, persè qytetet përtrihen me gjak të ri, me një gjak shumë të fuqishem, në kjoftë se ka kush i edukon, kush i drejton. Por në kjoftë se ne, klerikët, nuk i vêmë detyrë vedit me i marrë këta njerëz e me i çue te Zoti, ka me dalë tjetërkush qi, për së shpejti, ka me i çue te djalli. Prandej duhet me gjetë metodën, se si me i çue këta njerëz te Zoti. Kisha vetëm nuk mund t’ia dalin. Sot janë mediat….
Dom Davidi: – Ju keni mendimet tueja për metodat: doni, për shembull, të krijoni një radio me vlerë, qi të punojë pikërisht për edukimin e krishtenë, por kjo deri tash ka mbetë vetëm dishirë… të cilën urojmë ta realizoni sa mâ shpejt…
At Zefi: – Ishalla ka me u realizue. Mjetet m’i kanë dhurue qysh në vjetin 1991-92. Sigurisht qi ato janë plakë, se këto mjetet po dalin përherë e mâ të reja. Por sidokjoftë, munden me shërbye si bazë. Mjerisht ai plan i emi nuk u kuptue pse – si i thonë nji fjale – si të kruen dora jote, nuk të kruen e kurrkuja – misioinarët nuk i dinë nevojat e verteta: janë misionarë të mirë – nuk mund të flas keq për kurrnji – kanë punue përtej fuqive të veta e me flijime të mëdha, por gjithsesi nuk e dinë se ku na dhemb e ku na djeg.
Dom Davidi: – Ju mendoni gjithnjë për kohën tuej, kur Kishën e drejtojshin personalitete të fuqishme shqiptare. Ju i keni njoftë, madje keni jetue e bashkëpunue me disa prej tyne, tue kenë i zgjedhun me punue në arkivin françeskan prej vetë Pater Palit, provinçalit të parë shqiptar të Provinçës së Zojës Nunciatë. E dimë se arkivi i vjetër u grabit prej komunistave, por dimë edhe se sot fretënt kanë një arkiv e një bibliotekë të pasun, krijue e ruejtë falë zellit e kujdesit të fretënve mergimtarë: Pater Daniel Gjeçajt, Pater Jak Marlekajt e Pater Paulin Margjokajt, të cilët punuen me pasion për të vû në vend gjithçka ishte shkatërrue. E gjithë këto vlera ruhen tashti në Bibliotekën e re të fretënve në Gjuhadol…
At Zefi: – Kam kenë i ri fort, kur kam punue në arkiv, tue kenë se në atë kohë të vështirë, nuk kishte asnji tjetër qi mund të punonte. Kjo më ka ndihmue me njoftë për së afërmi vepra të mëdha të françeskanëve e të Kishës katolike. Mjerisht pjesa ma e madhe asht zhdukë faret; pjesa qi ka teprue, asht në dorë të shtetit. S’ka gja! Mjaft qi mos të hupin e të jenë të hapuna për studime, pse arkivat e bibliotekat janë për të gjith njerëzit, për ata që duen me dijtë të vërtetën si a’ kenë, pamvarsisht se në arkiva e vërteta nuk del kurr. Në arkiv gjen gjithçka, por jo të vertetën. Historia mund të shkrueht ma mirë tue u nisë nga letrat personale, jo nga letrat zyrtare, se kur shkruen njeri nji letër zyrtare, mundohet me e mshehë të vertetën, ose, së paku, me e ndryshue. Në arkiv, pra, gjen gjithçka, të mira e të këqija, gjen paditë e njanit e të tjetrit, gjen rrena sa të duesh, por nuk don me thanë se tue shfrytëzue arkivin, shkrove nji histori të vertetë. Megjithatë arkivat janë të randësishme për me njoftë jetën e kalueme të popullit shqiptar, të klerit, të Kishës, Unë kam pasë fatin me njoftë shum personalitete të mëdhá të katoliçizmit në Shqipni: Pater Anton Harapin, Pater Pal Dodën, Pater Frano Kirin…. kam njoftë edhe Pater Gjergjin, ndonëse krejt i vogël; kam njoftë edhe të afërm të tij. Jam përpjekë me shkrue diçka për ta. Kam shkrue “Françeskanët e mëdhaj”. Vepra qi kanë bâ fretent e mërguem, Pater Daniel Gjeçaj, Pater Jak Marlekaj, Pater Paulin Margjokaj, asht nji vepër heroike, krye krejet pse nuk u asht ligshtue zemra, nuk e kanë hupë besimin në ditën e kthimit të Kishës, të Urdhnit, kanë jetue gjithnji me shpresë, ashtu si thotë Bibla për Abramin “Contra spem, speravit” – “”Kundra shpresës – shpresuen!”. Pra vijuen me pune me bindjen se feja s’ka me mbarue kurr. Kështu ruejtën për të nesërmen – don me thanë për të soçmen , së cilës ata i kanë thanë e nesermja – gjithë këtë pasuni. Por të soçmes nuk ia mërrijën. Kështu, falë shpresës dhe punës së tyne, na sot kemi nji arkiv të mirë, që tue mbledhë libra, filma, fotokopje ka me vijue e me u pasunue përherë e mâ teper…
Dom Davidi: – Përmendët mâ parë arkivin shtetnor. E di se në këtë arkiv ka shumë dokumente të rrëmbyeme prej arkivave të jezuitëve, të fretënve, prej zyrave famullitare…; mandej vepra të randësishme, që mbahen ndrŷ e që, mendoj, se meritojnë me pá dritën….
At Zefi: – Kjo nuk më duket gjâ e keqe, sepse me mbajtë nji arkiv, duhet me pasë kushte teknike, sot për sot të jashtzakonshme, pse letra asht letër e pergamena-pergamenë: prishen vedit; koha bân punën e vet, mikrobet të veten… Unë jam sjellë shum nëpër arkiva, jam interesue teper për me dijtë çka ka aty e per me xjerrë edhe ndoj send prej tyne. Kam pá, prandej, se shteti ka krijue kushte me të vertetë të mira. Kështu nuk kishem me dishrue që të dalin prej atij vend. Mendoj, veç, se duhet t’i jepet mundësia me i konsultue, me i studiue e me i fotografue të gjith atyne, qi kanë nevojë për këtë material. E kjo, thjeshtë sepse na, si Kishë e si provinçë, nuk kemi mërrijtë alá me krijue konditat që ka shteti për me ruejtë letrat e pergamenat.
Dom Davidi: – Me që e kemi fjalën për arkivin, në arkiv të shtetit ruhen edhe Kodikët, që kanë vlerë të jashtzakonshme. Mund t’i quej letërnjoftim për popullin shqiptar, për Kishën shqiptare, të cilën e radhisin ndërmjet kishave mâ të mëdhá, mâ të vjetra, mâ fisnike. Si i vlerësoni Ju këta kodikë: Kodikun e Beratit e të tjerët, ku gjinden fragmente të ungjijve ndër mâ të vjetrit.
At Zefi: – Unë i kam pasë studiue në kohën kur studiojshe teologjinë . I kam pasë njoftë të tanë: Codex Aureus, Codex Rubles; Codex Anthimi, Codex Beratensis… Këta janë kenë të ruejtuna në nji Kishë në Berat. Sot i ka në dorë shteti. E unë mendoj se asht tepër mirë qi i ka shteti, përse ka mundësi me i ruejtë, në sa ndër né do të ishin damtue, siç paten fillue me u damtue.
Dom Davidi: – Sigurisht ruejtja asht punë e mirë, por nuk mund të mos e quejmë fatkeqësi që këto Kodikë të mbeten të panjoftun për nxanësit e shkollave, sepse askush s’e ka marrë mundim me i përfshi në programet e tekstet shkollore…Në sa do të ishte mirë që pikërisht me to të niste studimi i traditës kulturore shqiptare….
At Zefi: – Këtu asht e meta e madhe edhe e Kishës. Nuk i ka kushtue kujdes kulturës, sa i ka kushtue infrastrukturës. Shkollat qi janë hapë sot prej klerit katolik, janë hapë me programe shtetnore e me tekste shtetnore. Atje alá vazhdojnë idetë komuniste, materialiste… Gjithçkafja asht e rreme. Prandej shkollat qi të hapë Kisha katolike kishte me u dashtë të jenë shkolla të veçanta, ku të mësohet kultura e vërtetë. Tekstet duhet të bâhen të reja, të gjitha. Na duhet një kulturë me të vërtetë evropiane. Edhe s’kishe me i thanë mâ shkolla klerikale, por Euroshkolla, që të bâhet mësim si kudo në Evropë.
Dom Davidi: – Po kalojmë te një argument tjetër, jo mâ me pak randësi: si i vlerëson populli shqiptar martirët e vet. Kam parasysh këtë ças një thanje të shkrimtarit francez Albert Camus, drejtue martirëve të vendit të vet: “Martirë, miqtë e mi. Duhet të zgjedhim: me u harrue, me u përqeshë, me u bâ objekt tallje… ose me u kthye në vegla, për t’u kujtue….”
At Zefi: – Martirë ka gjithfarësh: ka martirë të së mirës e të së keqes. Na kemë Skanderbeun e Ballaban Pashen, të dy kanë kenë shqiptarë, e shqiptar ka kenë edhe Haxhi Qamili. Dikush vjen e na thotë se Skanderbeu asht martir, por për një tjetër martir asht Ballabani e madje edhe Haxhi Qamili. Atë e zgjedh njeriu vetë. Randësi ka me zgjedhë figura të deja, për me ecë përpara. E figurat mâ të dejat janë martirët e Kombit, të kulturës të fesë. A dishrojmë me kenë të harruem? Sigurisht këtë nuk e dishrojmë; të përqeshun, të tallun? As këtë jo e jo. Vegla – për hir të kujtimit? Këtë kishem me e dishrue. Kishem me dishrue të ishin vegla në duert e të mirëve, por të mirët nuk përdorojnë vegla, pse ketë e quejnë servilizëm, korrupsion….As të tallun nuk dishroj me kenë, por prap se prap edhe i talluni mbetë gjallë e del sado vonë ndoj’ kritik me ia vû nderën në vend. Ma e keqja asht me kenë i harruem, qi don me thanë me kenë i hjedhun. Vêne oroe në praktikë: don me xânë kos? Dom me xânë brumin për bukë? Ta dish se as kosi as buka nuk xêhen pa tharm. Këtë kishem me dishrue un per martirët: me kenë tharmi i së ardhmes!
Dom Davidi: – Ju, klerikët keni qenë e jeni krypa e tokës sonë, drita e njerëzve tonë, rojtarët e së mirës, që s’mund ta zhdukë askush nga zemrat, që ka me vijue me ekzistue gjithmonë edhe në orët mâ të errëa të historisë së popullit, të cilin ju e keni zgjue e e keni mbajtë me shpresë, e keni mësue me iu shmangë rrugëve ku nuk duhet të ecë. Ç’ këshill i jepni popullit shqiptar e sidomos rinisë?
At Zefi: – E porosis per tri gjana: Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni; ky asht mesazhi qi e ka dhanë Sh’Pali përpara mejet, e para Sh’ Palit e ka dhanë Krishti vetë! Kjo asht porosia e kjo pershndetja per të gjithë popullin shqiptar./Radio Vatikani
https://www.vaticannews.va/sq/bota/news/2023-09/at-zef-pllumi-ofm-ne-pervjetorin-e-vdekjes.html
Nga ANA XHEKA
-Arrestimi dhe burgosja e notares durrsake, Jolanda Gila, që nuk pranoi të bëhej spiune e Sigurimit-
Memorie.al / Ka mbushur 70 vjeç, por në pamje të parë duket se ka më pak vite mbi supe. Vlerësimi që i japin të tjerët kur e shohin, e zbavit së tepërmi dhe asnjëherë nuk e tregon moshën e saj të vërtetë. Problemet e shumta që i ka bërë “dhuratë” jeta, si torturat dhe rrahjet në hetuesinë e Durrësit, për të pranuar akuzën “për agjitacion e propagandë”, vuajtjet në burgun e Kosovës në Lushnjë, pamundësia për t’u martuar dhe për t’u bërë nënë, apo vdekja e prindërve, i ka sfiduar nga kujtimet e të qenit kampione kombëtare e notit. Fëmija i vetëm i familjes Gila, Jolanda, provoi gjatë gjithë jetës kamxhikun dhe përkëdhelinë e fatit; mentaliteti i kohës e privoi nga martesa dhe kënaqësia e të qenit nënë, për shkak se ishte ndër të parat femra që guxoi të dilte me rroba banje, duke u marrë me not.
Refuzimi i kërkesës së saj për t’i shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit, i kushtoi një ndjekje dhe persekutim të ashpër nga ky institucion, deri në sajimin e akuzës famëkeqe për “agjitacion e propagandë”, akuzë e cila i kushtoi 4 vite heqje lirie.
Znj. Jolanda, kur e keni filluar për herë të parë aktivitetin si notare?
E kam filluar në moshën 13-vjeçare, së bashku me vajzën e xhaxhait tim, Luçi Gila. Trajner ishte djali i hallës sime, Kristaq Bekridheli, arsye kjo që e bindi tim atë të më lejonte të merresha me not. Ishim grupi i parë i notareve të aktivizuara në Sport-Klubin “Ylli i Kuq”. Fillova me stilin “bretkosë” dhe menjëherë mora pjesë në kampionatin ballkanik, që u zhvillua pas disa muajsh në Durrës. Noti ishte dhe mbetet pasioni im. E ushtrova deri në vitin 1964.
Në vitin 1951, përfundova “Teknikumin e Fizkulturës” dhe njëkohësisht u emërova mësuese fizkulture në shkollën 8-vjeçare “29 Nëntori” në Durrës. Rezultati im më i mirë ka qenë në vitin 1954, në kampionatin kombëtar, stafeta 4 herë 100, ku theva rekord. Karrierën time të sportit, e mbylla në vitin 1965 në kampionatin kombëtar të zhvilluar në pishinën e Korçës, ku sërish vendosa rekord në 200 metra.
Ju jeni dënuar me 6 vjet heqje lirie, nën akuzën: “për agjitacion e propagandë”. Si filloi ky persekutim ndaj jush?
Qenia ime aktive në Durrës, nuk kishte kaluar pa rënë në sy nga krerët e ish-Sigurimit në qytet. Në vitin 1952-1953, më thërrasin në ish-Degën e Brendshme. Më thërret në zyrë Jashar Kasimati dhe pasi më bën disa elozhe e, më përmend faktin se isha mbesa e dëshmorit Jorgji Mali, më thotë: “A e di përse të kemi thirrur? Duam që ti, paralelisht me profesionin e mësueses së fizkulturës, të bashkëpunosh me ne”.
Menjëherë reagoi ndërgjegjja ime dhe i dhashë një përgjigje të thjeshtë, kundërshtuese: Nuk e bëj dot. “Do të të lemë tri ditë kohë të mendohesh, para se të na përgjigjesh, – vijoi Kasimati, – por mendohu mirë”. Pas tri ditësh, paraqitem sërish në ish-Degën e Brendshme dhe i jap të njëjtën përgjigje negative.
Në këto kushte, ma kërkojnë përgjigjen me shkrim dhe pasi e dhashë këtë, filloi ndjekja dhe gjuetia ndaj meje, në të gjitha format, deri sa arritën të ngrenë ndaj meje, akuzën për agjitacion dhe propagandë. Hijet lëvizëse të spiunëve më ndiqnin në të gjitha seancat dhe orët e mia mësimore, rrugës kur shkoja dhe vija në shkollë dhe kudo tjetër.
Për çfarë u akuzuat konkretisht dhe si?
Gjithçka ishte përgatitur me shumë kujdes. Ata kishin instruktuar njerëzit, që do dëshmonin kundër meje. Kishin dërguar në shtëpinë time, një prej atyre që unë i quaja shoqe, me motivacionin për të marrë një model fustani dhe e kishin fotografuar në hyrje të banesës. Në këtë mënyrë, do ta përdornin në gjykatë, për të thënë se dëshmia e saj, ishte e vërtetë dhe ajo kishte qenë në shtëpinë time. Unë kisha në shtëpi një bllok me fjalë dhe shprehje të ndryshme të gjuhës italiane, të mbledhura nga libra të ndryshëm, ku nuk bënin përjashtim edhe fraza marksiste-leniniste.
Italishten e dija shumë mirë, pasi nëna ime ishte rritur në Itali dhe në shtëpinë tonë, kishte jetuar së bashku me ne për shumë vite një italian, mik i babait. Pasi ishte përgatitur gjithçka me kujdes, pikërisht më 8 tetor 1979, në prag të Kongresit të Gruas që do të zhvillohej në Durrës, unë u arrestova.
Kjo ndodhi kur isha te një shoqja ime, kur kisha vetëm pak kohë që isha pushuar nga puna, me motivacionin se kisha kënduar diku këngë italiane. Rreth pasdites im atë, më tha se duhet të paraqitesha në Këshillin Popullor të lagjes, sepse kishte një përgjigje pozitive, për kërkesën time për punë.
Sapo shkova në Këshillin e lagjes, më dhanë në dorë një zarf dhe pa më lënë ta hap, më thanë: Prit se dikush ka diçka për të folur me ty. Pas disa minutash, erdhën disa civilë dhe më kërkuan të hip në “Gaz”-in e Degës, duke më thënë se pyetjet, do të m’i bënin në Degën e Brendshme. Rrugës, hetuesi Ilmi R., më komunikoi arrestin, më akuzën e “agjitacionit e propagandës”.
Si e mori vesh familja arrestimin tuaj dhe kur u dënuat?
Atë ditë, nuk munda ta lajmëroj familjen. Kur e morën vesh, prindërit u sëmurën, sepse unë isha fëmija i vetëm. Pronat e tim ati, ishin shtetëzuar, por pas arrestimit tim, ata i priste internimi. Fakti që nëna ime ishte motra e një dëshmori, e shpëtoi babanë nga internimi, kurse unë i rezistova rrahjeve dhe torturave nga më të dhunshmet, në hetuesinë e Durrësit. Më lidhnin duart me pranga dhe më rrihnin, derisa më binte të fikët. Pastaj më hidhnin sërish ujë dhe kërkonin që ta pranoja akuzën.
Dy herë rresht pas mesnate, më sillnin në qeli të burgosura të tjera, që kishin marrë përsipër të bënin rolin e provokatores dhe të spiunes, për të marrë informacion nga unë, për lidhjet që ata dyshonin se unë kisha me njerëz të tjerë dhe ndikimin tim mbi ta. Në kushtet e një gjendjeje të dalldisur timen, ish-hetuesi Ilmi R., mori dorën time dhe firmosi, duke shkruar ai vetë në fletën e proces-verbalit, sipas të cilit unë e pranoja akuzën.
Kështu, në vitin 1980, dola në gjyq dhe u dënova me 6 vjet heqje lirie, duke shpëtuar nga akuza e dytë, sipas së cilës, paraqisja rrezikshmëri shoqërore. Dënimin e vuajta në burgun e Kosovës në Lushnjë, së bashku me 250 të burgosura të tjera, një pjesë e të cilave, ishin të huaja.
Si e kujtoni momentin, kur dolët nga burgu?
Në vitin 1983, përfitova nga një amnisti dhe nga sjellja e mirë në burg. Atë ditë nuk do ta harroj kurrë. Të gjithë banorët e fshatit Kosovë, e kishin marrë vesh dhe kishin rrethuar gardhin tonë. Unë dëgjova dikë që bërtiste nga gëzimi dhe nuk dija ç’kishte. Dola dhe mora vesh, se kishte dalë një amnisti ligjore. Në oborr, të gjithë pyesnin me zë të lartë, se cila kategori përfitonte. Pas pak vjen një nga rojet dhe më thotë: “Edhe ti Jolanda përfiton”.
Nuk u besoja veshëve. Më është dukur pambarimisht e gjatë, rruga deri në Durrës. Te stacioni i trenit, kishte shumë njerëz që prisnin të afërmit e tyre. Mes turmës dallova nënën, që ishte plakur dhe kërrusur. Sapo e takova, mes ngashërimit, pyes për tim atë dhe mësoj që më kishte vdekur, gjatë viteve të mia të burgimit. Ndërsa nëna ishte në pikë të hallit. Bënte punë të ndryshme dore, për të mbijetuar. Pas më shumë se 10 vjetësh, ne morëm pronat tona, por atëherë dha shpirt edhe nëna ime, duke më lënë krejt të vetme.
Karriera sportive e Jolandës
“Vitet kur merresha me sport, i kujtoj si më të lumturat e jetës sime. Atë periudhë e kujtoj me nostalgji, si një skenar të gjallë filmi”, shprehet Jolanda. Ish-rekordmenia kombëtare e notit thotë se shpeshherë, e pushton një ndjenjë keqardhjeje, kur mendon për kushtet në të cilat stërviteshin dhe zhvilloheshin garat, në vitet ’60-të.
“Për pishina shërbenin sipërfaqe uji në det, të rrethuara nga varkat me flamurë mbi to. Kjo ishte e gjithë infrastruktura jonë atëherë dhe me gjithë vështirësitë, arrinim të realizonim kampionate kombëtare”, thotë Jolanda, duke shtuar dhe mentalitetin e atëhershëm për femrat, që dilnin me rroba banjoje në publik.
Jeta pas viteve ’90-të
Jolandën, pas kaq vitesh e sheh të veshur me pantallona, që kujdeset për ngjyrën apo modelin e flokëve. Motivimin për të sfiduar vetminë, e gjen në shumë elemente të tjera, që për shumëkënd janë të parëndësishme. Ajo përjeton lindjen e diellit në mëngjes, shijon kafen e parë, çdo mirëmëngjesi që merr nga fqinjët. Shëtitjet në qytet janë pasioni i saj, pa lënë mënjanë edhe vizitat e shpeshta në qytete të tjera të Shqipërisë.
Sa herë që gjen mundësinë, me një dëshirë që nuk i shteron, tregon për kohën e lumtur, kur ishte në grupin e notareve të para të Durrësit, kur paralelisht me notin, u afirmua si një nga sopranot e operës së parë “Era e lirë”, luajtur në Pallatin e Kulturës, “Aleksandër Moisiu”. Memorie.al
Pjesa e njëzetë e katërt
Memorie.al /Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Të nesërmen në mëngjes, aty nga ora tetë, më thirrën. Unë u tregova hartimin që pata bërë gjatë natës, nën ato pak rreze të zbehta drite që më vinin nga vrima e hapur përmbi derë. O Zot, çfarë po ndodhte me ne! Çfarë po shikonin këta sytë tanë e, çfarë po krijonte kjo mendja jonë e burgut! Pasi u njohën me historinë që pata sajuar, ata përsëri mbetën të pakënaqur. Kështu që përsëri filluan të njëjtat metoda, që paskëtaj u bënë të përditshme. Unë u kisha premtuar se, do të sillesha si një nxënës i bindur, po për mua ishte tepër e vështirë të futesha në binarët e historive që ata kishin në kokë. Ishim kryekëput në fushat e imagjinatës.
Dhe ata i kuptonin vështirësitë që hasja, prandaj çdo ditë më hapnin horizont nëpërmjet pyetjeve, që njëkohësisht më përcaktonin se kur dhe me kë duhej ta ndërtoja ngjarjen. Kjo ndodhte nga që tashmë ata ishin mbështetur tek një farë skenari, që kishin bërë më parë me Mynyrin. Ai ishte burgosur disa muaj më herët dhe ato që kish sistemuar bashkërisht me hetuesit, duhej të ishin themelitë për ndërtesën, ku duhej të vija edhe unë gurët e mi. Por a mund të arrinte përfytyrimi im në ato çfarë kishte shkruar Mynyri, në skenarin e tij për veprimtarinë tonë të përbashkët?! Hetuesit më kërkuan të shkruaja se qysh ishte rekrutuar Mynyri dhe çfarë dija unë për këtë në periudhën që banonim bashkë në ndërtesën e inxhinierëve dhe teknikëve beqarë, në Kuçovë. E kuptova mire, se duhej t’i përshtatesha tregimeve të kolegut tim, por si?!
Ja që edhe pasi pranoje, nuk ishte më e lehtë, se duheshin pajuar hamendjet e dy fatzinjve, që shkruanin në dy biruca veç e veç. Ishe kjo arsyeja se përse hetuesia jonë, vazhdoi muaj të tërë. Ishte kjo arsyeja që unë thirresha në dy tre seanca hetimi çdo ditë, në të cilat si kryetar i grupit, i emëruar nga hetuesia vetë, duhej të bëja lidhjen me gjithë këta të pandehur. Dhe me mua ata zhvilluan jo pak, por përmbi treqind seanca të tilla! Tërbimi, rrahjet, torturat, fyerjet e tyre, bëheshin më të papërmbajtura: “Pse nuk po e thua të vërtetën ashtu si ka ngjarë?! Akoma fshihesh”?!
Ishte një tragjikomedi që vazhdonte me muaj. Pyetjet e tilla ata rrallë herë i plotësonin me fijen e perit që më lëshonin, e unë duhet ta kapja që të nisja ta zhdridhja. Vetëm tek tuk ata më thoshin: -“Përse nuk e thua kështu si na e ka treguar Mynyri”? Dhe hapnin e më lexonin copëza nga krijimtaria e kobshme e Mynyr Arapit, e sajuar me siguri nën dhunë të tmerrshme dhe ajo. Atëhere unë gjeja vetëm pak “lesh” për të tjerrë, se isha i bindur se rruga përsëri do të më mbyllej. – Më falni, – u thosha, – kujtesa ime nuk po më ndihmon. Tani po kujtohem se është pikërisht ashtu si shkruan Mynyri!
Ne po luanim një lodër teatrale të shëmtuar, me dy palë të kundërta apo, si i thonë, antagoniste. Unë rrija në birucë e mundohesha nëpërmjet fillit të famshëm të perit, që më jepnin ata, të kuptoja se me kë dhe se si e deshin të zhvilluar ngjarjen. E dija, ama, se çdo ditë, do të dëgjoja shprehjet e tyre të pakënaqësisë, çdo ditë do të dëgjoja fyerje, çdo ditë koka ime do të përplasej pas murit. E dija që Rustem Ajazi, do të më tregonte koburen, do të niste të numëronte fishekët e karikatorit, para fytyrës sime. Prandaj u mësova me këtë ecuri, e kjo përveçse e dhimbshme, u bë edhe e mërzitshme.
Dhe kështu nëpërmjet seancave të përditshme, të zgjatura, ata duke më dhënë “fill” dhe unë duke tjerrë, duke më hedhur vazhdimisht poshtë ato që kisha shkruar më parë, po arrinim aty ku kërkonin të dilnin, mjeshtrit e hetuesisë stalinianë. Ata shpesh herë m’i grisnin ato që kisha shkruar dhe më vërsuleshin të inatosur, që nuk po reagoja si kolegët e mi, të arrestuar. Por unë e kuptoja, se e vërteta nuk ishte kjo. Kështu vetëm për të arritur në atë shtjellim që i kish bërë Mynyri, pikënisjes së aventurës së tij, se si “ishte rekrutuar ai agjent i sovjetikëve”, m’u desh një periudhë prej tri javë shkrimesh, me versione të ndryshme, që gjithnjë afroheshin drejt asaj që kërkohej.
Unë dhe tani nuk e kam shumë të qartë, mënyrën si e përfundova këtë kapitull të skenarit, për të cilën u deshën shumë faqe të shkruara e të grisura. Nga vetë kërkesa që më bënë hetuesit, m’u dha spuntoja, se si Mynyri na qenkej rekrutuar prej rusëve. Ata më urdhëruan:- “Tani na rrëfe: si u rekrutua Mynyri nga rusët në Kuçovë, kur jetonit në fjetoren e beqarëve”? Pasi m’u dha ky element, unë krijova një variant, që akti i rekrutimit, u krye në mensën ku hanim bukë, ku disa herë duhej të paskësh ardhur edhe Mynyri. Në këtë mjedis mense, ishte gjendur edhe një sovjetik, që e pat rekrutuar Mynyrin në praninë time. Kjo nuk u pranua dhe unë u detyrova “ta rikujtoj” më mirë ngjarjen, se e kisha harruar! Bëra disa herë ndryshime e korrigjime, por nuk dilja nga kufiri i mensës. Pas seancash të gjata, duke parë që unë kisha ngecur e nuk dija fare të sajoja, ata m’u zbrazën të pakënaqur: – “Pse nuk na thua të vërtetën, atë që ndodhi me atë femrën ruse në shtëpi”?
“Fill” i ri!
Mynyri do të kish krijuar ndonjë variant, që ish rekrutuar mbi bazën e marrëdhënieve me një femër ruse. Mora letër e laps dhe kërkova të vete në birucë. E kisha vështirë futjen e femrës, por e qullosa: sikur qe bërë një festë ditëlindje, në mensën ku hanin bukë inxhinierët beqare. Aty erdhi edhe Mynyri. Në vallëzim e sipër, ai zuri dashuri me gruan e një specialisti sovjetik. U shkëputën tok nga mbrëmja e vajtën në dhomën ku banonte Mynyri, dhomë që ai nuk e kishte larg nga mensa. Të nesërmen, ata, si gjithnjë, u zemëruan dhe m’i grisën fletët në sytë e mi dhe më dhanë racionin e përditshëm të torturave.- “Maskara! Përse na gënjen e, nuk na thua të vërtetën që ngjarja ka ndodhur në shtëpinë ku banonte ajo”?! Atëherë u detyrova “ta shpie” çiftin në shtëpinë e saj dhe aty fill, pa pritur të shoqin e saj. Edhe ky variant nuk ishte në përputhje me ato që u kish përgatitur Mynyri. Kur po më shpinin në birucë, thosha me vete: -“Or, Mynyr, më dërgo një mesazh se si e ke katranosur rekrutimin tënd, se vdiqa! Plagët më rrjedhin gjak e unë nuk e gjej dot”!
Me gjithë jetën e ndyrë të birucës, me gjithë merakun e pandërprerë për fatin e familjes, unë do të qeshja me këtë tragjikomedi, që nuk po merrte fund. Po të mos ishin torturat! Oh, jo, torturat e përjashtonin fare humorin! Si përfundim, ngjarjen nuk e zhvilluam në mensë, se aventura nuk paskej ndodhur fare atje. Bile, as në festën e ditëlindjes. Dashnorët, kishin qenë në shtëpinë e saj, kur befas kishte ardhur dhe i kishte zënë i shoqi. Mynyri në panik e sipër, paskej hapur dritaren e banjës dhe qenkej hedhur prapa shtëpisë, që të largohej. Por ai, rusi, e kishte parë dhe e kishte njohur. Kështu që rusët vajtën e gjetën Mynyrin, e kishin thirrur në një zyrë e i paskeshin thënë: – “Mynyr, prano të bashkëpunosh me ne, ose ne do të raportojmë në komitet të Partisë. Do të tregojmë atje, që ti ke përdhunuar një grua sovjetike – (në vitin 1960!) – dhe ata do të të burgosin si antisovjetik”!
Ky version fare fëminor, hetuesisë i kishte pëlqyer. Imagjinata e ime, mes kërcënimesh e rrahjesh, me “ndihmën” e hetuesve punoi shumë mirë. Gradualisht arritëm ta sajojmë me këtë histori, tërësisht të ndryshme nga ajo që nisa unë. Të gjitha fletët e shkruara prej meje, për tri javë rresht, ishin grisur me t’i paraqitur dhe në fund u ruajt versioni final, i tillë që kushdo që e lexon, arrin përfundimin se deponimet, janë përputhur shumë saktë. Kjo ishte puna e fëlliqur që bënte hetuesia, për të fshehur metodat e saja të poshtra. Kjo ishte arsyeja se përse prokurorët, nuk morën pjesë asnjëherë gjatë gjithë seancave tona. Kjo i lejonte hetuesit kriminelë, të kishin duart e lira për të bërë kombinimet, që në fund, çdo gjë ata, ta kishin në rregull, paçka se në proçesin që u takonte atyre, i shkelën ligjet në mënyrë flagrante.
Sipas ligjeve në fuqi, për çdo seancë hetimi, duhej të mbahej protokolli, e të firmosej nga deponuesi, hetuesit dhe prokurori i posaçëm. Në të gjitha seancat tona, asnjëherë nuk u veprua kështu. Pasi përfundoi përqasja e deponimeve, ne i shkruam ato në letër të pastër dhe na urdhëruan që t’i lexonim para mikrofonit, që ata t’i ruanin edhe të inçizuara, pranimet e fajësisë sonë. Siç mësova më vonë, pas gjyqit dhe dënimit tonë, edhe ky version ishte përfundimtari, por nuk paskej qenë i vetmi. Në fillim Mynyri dhe më pas Enrikoja, kishin ndërtuar variante të tjera.
Meqenëse këta të dy në vitet ’80-të, kishin qenë bashkë në Itali, për marrje eksperience në qendrën elektronike të përpunimit të materialit seizmik, pranë AGIP-it, e kishin ndërtuar historinë në Romë. Mynyri kishte pranuar, se ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete italiane. Ai mendoi se ky do të ishte rasti më i besueshëm, për t’u futur në dosje të deponimeve. I frymëzuar nga filma të ndryshëm, Mynyri e pat paraqitur ngjarjen sikur, po flinin në hotel bashkë me Enrikon; në një kohë u kishin hapur derën dhe u kishin hyrë papritmas ca individë me armë në duar, u kishin thënë: “Mos lëvizni”?. Të panjohurit u kishin ngjeshur të dyve lecka në hundë, nga ato me lëndë që të venë në gjumë. Kur hapi sytë, ai pa që ndodhej në ambasadën sovjetike. Shtjellimi i mëtejshëm shpinte aty ku sovjetikët i kishin thënë: “Ose prano të punosh për ne, ose do të raportojmë, që ti ke ardhur vetë në ambasadën tonë e, je lidhur me ne, e kështu ty të pret burgu ose vdekja, zgjidh e merr”! Si përfundim, Mynyri kish pranuar.
Por asnjë në këtë dëshmi, nuk shtronte pyetjen, jo vetëm se nga e morën vesh në atë qytet të madh, se ku rrinin specialistët shqiptarë, por edhe se si këta dy burra trupmëdhenj, i nxorën të mbajtur përmbi supe dhe si ndodhte që hotelierët, nuk panë se ç’bëhej në hotelin e tyre?! Por këto nuk kishin rëndësi, sepse as prokuroria e as gjykata, nuk do të bënte pyetje të tilla logjike. Për këto organe, rëndësi kish që ti vetë po pranoje dhe po jepje një histori, ku ishe në faj. Ndërsa kur filluan proçesin hetimor me Enriko Veizin, këtij ia kërkuan dëshminë, mbështetur mbi fantazinë e shokut të tij: “Na trego se çfarë ndodhi me ty dhe Mynyrin atë natë në hotel, me sovjetikët”?
Enrikoja e kuptoi menjëherë se duhej krijuar një histori me sovjetikë dhe me hotel. Dhe ngjarjen e shtjelloi kështu: “Po flinim me Mynyrin në dhomën që kishim zënë në hotel. Hapet dera dhe na hyjnë dy femra të veshura me këmishë nate; njëra i vajti Mynyrit dhe tjetra erdhi tek mua. Na thanë në fund, se ishin sovjetike, që më parë patën vendosur në dhomë kamera të fshehta dhe tashmë ne ishim të fotografuar. Na dhanë ultimatumin që; ose të pranonim të punonim për to, ose ato do t’i nisnin fotografitë në Shqipëri, duke u treguar autoriteteve tona, se ne kishim shkelur rregullat, duke fjetur me femra ruse. Si rezultat, unë pranova të vihem në shërbim të sovjetikëve…”!
Histori më naive se këto, as që mund të imagjinohen. Në mes të Italisë, me kamera të fshehta, në një hotel privat! Mynyri, si vlonjat prej një familje ushtarakësh, zgjodhi variantin e kobures, e të vënies në gjumë, ndërsa Enrikoja i shkretë, si një artist i shquar i karikaturës shqiptare, nga figurat më të njohura të këtij zhanri, fitues edhe i çmimeve ndërkombëtare, me një imagjinatë artistike-liberale, si djalë i pashëm, e ndërtoi skenarin me femra. Vjetërsia e këtyre episodeve tragjikomike, nuk duhet të shkaktojë asnjë buzëqeshje, se koha nuk i shëron dot tërësisht plagët. Për të ardhur deri tek sajimi i këtyre historive, Mynyr Arapi, kish kaluar nëpër seanca të llahtarshme të terrorit psikologjik dhe të dhunës së ashpër fizike. Enriko Veizit, i kishin shkulur dhëmbët pa asnjë miligram lëndë anestetike dhe kish pësuar tortura antinjerëzore, nga kuadrot e hetuesisë së Fierit, që dhunën e bënin më shumë si pasion se si detyrë.
Këto kujtime besoj se mjaftojnë për të shuar çdo shkëndijë zbavitëse, që mund të ketë shkaktuar ndonjëra nga faqet e këtij libri. Le t’i rikthehemi skenarit. Asnjë nga versionet fillestare, nuk mbeti më në këmbë, sepse ngjarja e Italisë, ishte tepër vonë dhe nuk lejonte hapësirë për veprimtari të gjerë e me pasoja dëmprurëse të grupit tonë, që ishte llogaritur të delte shumë i urryer. Ai duhej patjetër të lidhej me aktivitetin e personave armiq, që kishin penetruar deri në Byronë Politikë, por që tani ishin planifikuar për t’u arrestuar. E rëndësishme për hetuesit, ishte se fitoren ata e arritën, meqë ne të burgosurit, e pranuam fajësinë tonë. Pastaj të tjerat mund të ri takoheshin, duke hequr diçka tjetër.
Kështu Enrikon, ata e detyruan të ndryshojë kohën nga vitet ’80-të, në vitet ’60-të, menjëherë pasi ai kishte mbaruar studimet e larta në Tiranë. Midis të tjerash, i ndjeri Enriko, na e tregonte se momentin e “rekrutimit”, si pjesëtar të këtij grupi, meqenëse nga hetuesia i kërkohej ta lidhte me mua e me Mynyrin, e kishte paraqitur sikur një ditë, ne e kishim lajmëruar që nga Fieri, ku punonte, të vinte në Kuçovë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Kërkimeve. Kish treguar se në orën e caktuar, ai ish futur në një nga sallat ku ne ishim mbledhur mbi njëzet vetë. Në këtë moment, unë që drejtoja këtë mbledhje armiqsh, ua prezantova Enrikon, si një pjesëtar të ri të grupit tonë sabotator, sikur ky grup të paskej qenë një klub sportiv dhe sikur unë t’i njihja njerëzit me një futbollist të ri, që tani e tutje do të luante në ekipin tonë!
Enriko Veizi, e kish hartuar këtë tregim edhe me përtesë, edhe me një ndjenjë humori të hidhur, që ia zhvillonte arti i karikaturave dhe që mund ta paguante shtrenjtë, kur ata ta vinin re ironinë, dhe t’ia grisnin. Por ata as e vunë re dhe as ia grisën, dhe nëse nuk gabohem, kështu ka mbetur përfundimisht në deponimet e tij, që janë edhe sot në arkivat gjyqësore. I gjithë proçesi hetimor nga fillimi e deri në fund ishte vetëm një gënjeshtër pa mbarim. Hartimet tona të natës ata na i hidhnin poshtë jo se nuk ishin të vërteta, por sepse nuk ishin gënjeshtra që hynin mirë në punë. Unë nuk di cilën të tregoj më parë e nuk ia vlen se do të duheshin radhë vëllimet, po t’i rreshtoja të tëra ato.
Përmbi kokat e hetuesve
Në një nga seancat e pasdites, kur po vazhdonte hetimi, hapet dera dhe hyn në dhomë një njeri, të cilin nuk e njihja, megjithëse m’u duk si fytyrë e parë diku. Në ato çaste, nuk munda të përqendrohesha e të mundoja kujtesën time, për ta gjetur se ku e kisha hasur, por më vonë në birucë, m’u kujtua se këtë fytyrë e kisha parë të ulur në divan, atë ditë që ministri i Brendshëm, më thirri në zyrën e tij, në Tiranë. Krye-hetues Rustemi, i cili e shoqëronte, me urdhëroi të ngrihesha në këmbë për ta respektuar këtë autoritet që vinte nga kryeqyteti dhe ma bëri të njohur: -“Shoku është kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme i Republikës! Kryetari i madh i hetuesisë, ishte i veshur me rroba të mira, por më ka mbetur në kujtesë një detaj banal; kish mbathur një palë këpucë ushtarake me qafa dhe pantallonat i kishte të mbledhura sipër në to. Dukej sikur o kishte ardhur, o po shkonte në një fushë me baltë. Fytyra e tij ishte e qeshur dhe çuditërisht kish një pamje mirëdashëse.
Kryehetuesi m’u drejtua duke më thënë midis të tjerash, se ishte një gjë e mirë për mua e për familjen time, që më në fund kisha pranuar dhe pas kësaj, tok me shokët e hetuesisë në rreth, do të bëja mirë të shtjelloja të gjitha ngjarjet, të gjitha nyjet e aktivitetit armiqësor të grupit tonë. Njeriu, duke patur iluzionin e trashëguar se në këtë jetë, në fund të fundit, e vërteta gjithmonë del në breg, se ajo zhytet, por nuk mbytet, mendova se njeriu që kisha përpara, mund të ishte i mashtruar. Këta hetues që më rrihnin nga mëngjesi në darkë, do të dilnin të dështuar, se nuk kishin hetuar asgjë, se ata nuk kishin lëvizur asnjë metër jashtë këtyre bodrumeve dhe se nuk më kishin gjetur asnjë faj, po qe se unë nga frika e drurit, nuk do të kisha pranuar vetë, se e kam bërë. Këtë duhet t’ia tregoja krye-hetuesit. Mendova se sidoqoftë, ishte mirë që ai burrë i sjellshëm, ta dinte se ç’bëhej këtu. Unë ndofta nuk do të gjeja një rast më të mirë se ky, për të dalë nga kjo pëlhurë merimangash.
– Zoti kryetar i Hetuesisë së Republikës, – i thashë. – Unë pranova fajësinë time, nën torturat e presionet e grupit hetimor. Nuk i kam bërë me të vërtetë ato akte të ulëta, edhe pse i kam pranuar. Unë kurrë nuk kam menduar e vepruar kundër popullit e vendit tim, kurrë nuk jam marrë me ato gjëra që kam shkruar në letër. Ajo që mund t’ju japin të lexoni, është imagjinatë e pastër, në favor të disa personave, që përgatitën arrestimin tim. Unë do të vazhdoja akoma ta denoncoja procesin e ndyrë dhe punën kriminale, që bënin rrogëtarët e krye hetuesit, por ai me të dëgjuar fjalët e mia, u bë si i xhindosur dhe me zë të lartë e të prerë, iu drejtua hetuesve me këto fjalë, që unë nuk do t’i harroj kurrë:
– “Urdhëroj që ndaj të arrestuarit Xhaçka, të përdoren të gjitha llojet më të rënda të torturave që kemi, derisa ai të pranojë e të mos i kundërshtojë me akuzat tona”! I pakënaqur tërësisht nga qëndrimi im, pasi dha këtë urdhër, ai doli duke shfryrë nga dhoma ku bëheshin hetimet. Hetuesit, të tërbuar nga rrëfimi me të cilin unë tentova të dërgoi të vërtetën në sferat e larta, duke e ndjerë veten si të shkelur në besë, më urdhëruan ta shkruaja në letër, tërë atë që i kisha thënë kryetarit të tyre, pra të mohoja me shkrim ato që kisha pranuar më parë. Menjëherë pas kësaj filluan torturat, me një egërsi të jashtëzakonshme, me një zell më të madh se më parë, sikur para tyre nuk kishin një njeri të vërtetë me mish e kocka, por një imitim të tij plastik, një pupac. Kjo torturë vazhdoi me orë të tëra, orë që nuk kishin fund. Përpjekja e parë për të mbrojtur të vërtetën më doli më keq. Dhe duhet të ishte e kotë. Memorie.al
Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Nuk di cilin tjetër, por mua më thirrën në hetuesinë speciale, në Tiranë. Më bënë të ditur që në një orë të caktuar, të paraqitesha në hyrje të Burgut të Ri. Vendi ku më thërrisnin, m’u duk ogurzi. Megjithatë tronditja që pata kur ma thanë, nuk ishte asgjë para asaj që ndjeva e pashë, kur hyra brenda në ndërtesën e rëndë e të frikshme të Burgut të Ri të Tiranës. Më futën nga dera e madhe e hekurt dhe më shoqëruan nëpër korridoret e katit dytë të burgut. Aty kalova nëpër disa dyer të tjera prej hekuri, të montuara përgjatë korridorit, në një distancë prej disa metrash nga njëra – tjetra. Secila nga këto porta, ruhej prej një ushtari. Zymtësia e atyshme më futi një ndjenjë tmerri, që përfshiu tërë qenien time.
Në një zyrë me dritare të përforcuara me hekura të trashë më pritën dy hetues, emrat e të cilëve nuk i mësova kurrë. Njëri prej tyre, me një trup të madh, linte të dukej që ishte ai përgjegjësi, ndërsa tjetri ishte me një shtat të imët dhe pak si ezmer. Më thanë të ulesha. Me ndjenjën e pafajësisë, duke menduar sidoqoftë se nuk quhesha unë subjekti fajtor dhe e shumta se do të më pyesnin, për të qartësuar disa probleme debatesh teknike me specialistët e burgosur, u drejtova tek një karrige e lirë, që ishte në afërsi të dritares dhe bëra të ulem pranë tavolinës së hetuesit. Ai ndërhyri menjëherë dhe më tha se duhej ta lija atë karrige, sepse ajo nuk ishte për mua. Më tregoi me gisht një karrige tjetër, përballë tavolinës, pranë faqes së murit.
Ajo i ngjante një bangoje shkolle, tepër e vogël për një njeri me fizik si imi. Ishte prej dërrase dhe e mbërthyer në dysheme.
Ishte hera e parë që në jetën time, hyja në një ambient hetuesisë, që m’u duk aspak i këndshëm. Nga kjo dhe nga mënyra se si mi drejtonin pyetjet, e kuptova se afërsisht, edhe unë isha në pozitat e një gjysëm të akuzuari. Për ta, me sa dukej, kushdo që merrej me nxjerrjen e naftës, bënte pjesë në kontingjentet e armikut. Pyetjet shkuan gjatë, afro tri orë. Thelbi, ishin planifikimet e fryra e të pabazuara të kërkimeve dhe të nivelit të nxjerrjes së naftës, hartuar kryesisht nga autoritetet shtetërore dhe partiake, për të cilat unë kisha shfaqur kundërshtime, qëndrim i drejtë ky, që unë e mbrojta dhe aty.
I quajta dhe në hetuesi; plane jo të bazuar mirë teknikisht, sidomos për punimet dhe vlerësimet jo të sakta të rezervave të naftës e gazit, në shtratimin e Sarandës. Këto të vërteta ishin dhe të argumentuara shkencërisht, por të hynin të dridhurat, tek i shikoje ata njerëz, ndërsa i shkruanin me kujdes në letër dhe të kërkonin në fund, të nënshkruaje të gjitha përgjigjet. Vetëm pas kësaj, më liruan. E theksoj edhe një herë, se gjatë gjithë kohës, nuk më ofruan asnjë cigare apo gotë ujë, e nuk shkëmbyen me mua asnjë fjalë të lire, jashtë pyetësorëve, si për kohën e shëndetin, që sado formale janë, do të tregonin se ata nuk kishin të bënin me një të akuzuar.
U ktheva në shtëpinë time në Fier, i shtypur nga pesha e atij ambienti të rëndë. Më dukej se ende e kisha gojën të tharë nga ajo seancë pyetjesh, për të cilat, më së shumti, kërkonin përgjigje, që të nxirrnin në atë përfundim, që u interesonte atyre. Këtë e bënin më kollaj kur, për shembull, futej në lojë përplasja ime me ndonjë nga specialistët e burgosur: Le të kishte qenë ai një debat tekniko profesional! Ata gjallëroheshin, duke e shtyrë ngjarjen drejt kuptimit politik, e duke i dhënë pozicionit të grupit, një ngjyrë sabotazhi. Tërë kohën atë ditë, me ishte dukur vetja zog i zënë në leqe. Dhe kjo nuk mbaroi me kaq. Më thirrën te Burgu i Ri edhe tri herë të tjera. Orë të tëra, i njëjti mjedis, e njëjta mungesë totale e mirësjelljes, thuajse armiqësi e plotë.
Ishte një hetim i mirëfilltë, me të vetmin ndryshim, që nga shtëpia sillesha pa pranga në duar dhe prapë pa ato, kthehesha në Fier. Nga një pikëvështrim, dukej e arsyeshme që unë të pyetesha, ngaqë përmendesha në fjalimin e Hoxhës. Por unë atje, për belanë time, përmendesha shumë pozitivisht, gjë që në sytë e këtyre njerëzve kjo hollësi, nuk po shquhej aspak. Kjo linte të kuptohej se; ose paranojaku i madh Enver Hoxha, ndërkohë, kish ndryshuar mendje, ose këta “qen gjahu”, gjuajnë në lista vetëm pas emrave, e jo pas cilësorëve?! Por shumë shpejt e kuptova, që paskësh qenë hamendja e parë.
Për këtë u binda pas një viti, kur tashmë gjyqi i grupit, që Enver Hoxha vendosi ta sakrifikojë, qe zhvilluar. Më thirrën të paraqitesha në zyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, Nimet Canit, që kish ardhur në atë post, pas vetëvrasjes së Pirro Gushos. Ai më priti mjaft ftohtë. Më ftoi të ulesha dhe hyri drejt e në temë, ashtu i ngrysur siç ishte. – Shiko, – më tha, – për ty, nga gjyqi i grupit të sabotatorëve, kanë dalë dhjetë pikëpyetje. Edhe ti akuzohesh, se nuk ke vepruar sipas orientimeve dhe mësimeve të Partisë, në fushën e kërkimeve të naftës.
Përmbledhtazi, ai m’i parashtroi, ato që më ngarkoheshin mua. Mbasi i dëgjova me kujdes, e ndjeva se ato nuk qëndronin fare. Ishin të thëna pa përgjegjësi, e sidomos të paargumentuara në fakte. Dukej hapur që ishin interpretime keqdashëse, nga njerëzit që ishin marrë me këtë punë, në grupin e ekspertizës dhe nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Për nja dy puse që përmendeshin aty, se ishin shpuar larg vend-burimeve ekzistuese, unë i thashë se kish ngatërrim periudhash dhe se ato puse, ishin shpuar para se të dilnin orientimet e Partisë, për politikën e shpimeve.
Po kështu përmendeshin edhe disa puse të Shpuar me një sasi e nivel punimesh seizmike të pamjaftueshme, për të cilat dhe unë në Këshillin Shkencor, kisha qenë dakord që të bëheshin. U mundova t’i argumentoja, se në terrene ku janë shpuar këto puse, nuk mund të futej seizmika dhe ne kishim edhe shumë puse të tjerë të shpuar në të tilla kushte, që kishin qenë jo vetëm pozitive, por ishin bërë pikënisje, për të zbuluar vend-burime të reja. Pra, ato duheshin gjykuar në bashkësi, e jo të shkëputura, sepse pa ato puse negative, nuk do të ishin zbuluar këto vend-burime që kishim aktualisht.
– Më vjen keq, shoku Sekretar i Parë, – i thashë me urtësi. -Partia e ka vlerësuar lart, rezultatin e puseve të shpuara me atë nivel seizmik të pamjaftueshëm. Si është e mundur, që tani juve ua raportojnë këtë punë si të keqe, deri dhe të dëmshme e gati sabotuese?! Aq më tepër, shoku Nimet, po të duam të bëjmë krahasim me vitet para ’67-ës. Në ato kohëra, ne nuk kishim orientime të Partisë, për si, e sa duhet të shpojmë në gëlqeror, si e sa në ranore dhe si duhet të ishte kompleksi. Por ne, si specialistë, duke vlerësuar të gjitha mundësitë reale të vendit dhe terrenit, patëm gjykuar midis nesh, nëse duhej shpuar apo jo pusi.
Dhe këto janë bërë me diskutime të gjera në kolektiva dhe janë miratuar në ministri. Pra, ky nuk është veprim i vetëm një njeriu, ose i vetëm disa njerëzve. Ato janë përfundim i të gjithë specialistëve, që merren me këtë punë. Këtu juve ju kanë raportuar gjëra, për të cilat unë nuk mund të jem përgjegjës, sepse në ato vite, nuk punoja në Institut, nuk isha anëtar i Këshillit Shkencor dhe nuk kisha asnjë lidhje e asnjë dijeni, për këto puse. Si mund të ngarkohem me përgjegjësi?! Ai me shikonte i hutuar, se si unë po bëja mbrojtjen e punës sime.
– I them këto, shoku Sekretar i Parë, – vazhdova me këmbëngulje, -se ato vërejtje, jo vetëm që nuk qëndrojnë, por janë marrë të shkëputura, të njëanshme e disa janë fare absurde. Natyrisht e ndjeja të zorshme, t’i thoja copë Nimet Canit, se ato ishin orientime të gabuara, të bëra nga njerëz jo kompetentë. Sidomos pas atyre ngjarjeve rrëqethëse të 5 marsit 1975, ne naftëtarit nuk mund të thoshim, se fajtorë për këtë, ishte vetë udhëheqja e shtetit, që nuk pranoi kurrë nevojën e blerjes jashtë, të pajisjeve seizmike të përparuara, por na linte të punonim me një teknologji, fare të prapambetur sovjetike.
“Unë nuk të kam thirrur këtu për të diskutuar, qëndrojnë apo jo këto çështje, – ma ktheu sekretari Nimet Cani. – Unë u besoj këtyre letrave që kam përpara dhe të thirra që të të paralajmëroj, të punosh me kujdes dhe të zbatosh seriozisht porositë dhe mësimet e shokut Enver, për naftën. Ne të vlerësojmë, si një specialist mjaft të mirë, që punon shumë. Ti ke kontribuar në zbulimin e vend-burimeve të reja, prandaj ne kemi besim, se do të punosh më mirë, duke i patur shumë qartë në kokë, vërejtjet që të bëra në fillim të bisedës tonë”.
Mësova së të tilla shkundje, u ishin bërë edhe specialistëve e drejtuesve të tjerë të naftës. Edhe ata qenë thirrur në organe të ndryshme, u ishin vënë në dukje vërejtjet për ta dhe u ishin bërë të qarta paralajmërimet. Që të gjithë ishin porositur, të mos ia tregojnë njeriut tjetër paralajmërimet që kishin marrë. Unë, për vete, u shqetësova shumë. Nga kjo kohë, pagjumësia për mua u bë e zakonshme. Tashmë u binda plotësisht, se në vendin tonë, jeta dhe fati i njeriut, nuk mund të ishte e sigurt për asnjë vit, për asnjë ditë, bile as edhe për një orë. Në varësi të interesave të elitës partiake, shumë shpejt, e bardha mund të bëhej e zezë dhe anasjelltas.
Një luftë e madhe e brendshme zhvillohej në veten time, e shpesh shtroja pyetjen, se; çfarë duhet të bëja në këto kushte, kur e dija që, zyrtarisht, kisha tashmë një dosje të hapur, nga ana e Sigurimit. Tri, ishin mundësitë, të bëja çmos të largohesha nga kjo punë, gjë të cilën kisha vite që e kërkoja dhe nuk ma lejonin, t’i jepja fund jetës, për të mos u krijuar fëmijëve vështirësi për të ardhmen, gjë jo e përditshme, tepër e rëndë dhe me rezultate të pasigurta politike dhe e treta që mbetej, ishte të punoja kokulur, natyrisht jo vetëm me ndërgjegje si dhe më parë, por me një kujdes të veçantë në zbatimin e orientimeve, sado të paqëllimshme e antishkencore, të ishin ato.
Kjo rrugëzgjidhja e tretë që bëmë ne, pjesa më e madhe e inteligjencës në naftë, ishte njëkohësisht edhe më e paparashikueshmja, më e pasigurta dhe përvoja kish treguar, po tregonte dhe do të tregonte, se kish ngjyrat e një llotarie, mbi të cilën ti vetë, nuk ndikon aspak. Njerëzit vazhdonin të shihnin personalitete, drejtorë, ministra, anëtarë të Byrosë Politike të PPSh-së, që merreshin me këtë sektor nevralgjik të ekonomisë, të cilëve u hapeshin dyert e veturave me respekt, udhëtonin me avionë drejt kryeqyteteve të botës, por kurrë nuk ua panë grykën e ftohtë të revolverit, që nuk iu nda nga zverqet.
Gjyqi i lartë afro një vit pas asaj dite marsi, në përfundim, dënoi për motive politike, me vdekje, dy gjeologë, Koço Plakun dhe Milto Gjikopullin. Të tjerët morën dënime, nga pesëmbëdhjetë, deri në njëzetepesë vjet, në burgjet politike. Tërmeti i fuqishëm që ra në industrinë e naftës, e kishte epiqendrën e tij në Institutin e Studimeve Shkencore të Naftës. Përveç specialistëve të dënuar në këtë gjyq, mjaft specialistë të tjerë, u internuan ose u dërguan të punojnë në sektorët e naftës, si punëtorë të thjeshtë, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit, si kandidatë për t’u arrestuar, në rastin më të parë, në shprehjen më të vogël të pakënaqësisë.
Terrori psikologjik tek ne që mbetëm jashtë të padënuar, u bë i padurueshëm. E këtë ne bile nuk ia rrëfenim dot as njeri, – tjetrit. Hijet e mosbesimit, na kishin mbuluar të gjithëve. Gabimet që mund të bënim, siç mund të bëje në punë çdo qenie njerëzore, vetë në kokat tona, përktheheshin në krime. Siç kam përmendur dhe më lart, në industrinë e naftës, me logjikën e mbrapshtë të diktaturës, këto lloj krimesh, mund t’i gjeje muaj për muaj. Teknikisht, pranohet e njihet në të gjithë botën, se në kërkime, përveç puseve pozitive, që në vendet e përparuara të Europës dhe kontinentin amerikan, ishin mesatarisht në vlerat e trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë përqindëshit, janë negativët, si rastet më të shpeshta, të këtij grupi pusesh.
Ishte e lehtë, pra që të merrje në analizë disa nga këto puse, t’u gjeje atyre ndonjë kleçkë teknike dhe ja, akuzat për sabotime, i kishe gati. Megjithëse qe diskutuar e pranuar nga të gjithë, se puset negative janë teknikisht të nevojshëm që të shpohen, më pas njerëzit që e dinin mirë këtë probabilitet praktik, urdhëronin ekspertizat e mundësisë së sabotimit, vetë Enver Hoxha, kur fliste për naftën në Byronë Poltike, apo në Sekretariat të Komitetit Qendror të Partisë, theksonte se ai, pranonte që tek ne, të kish një raport një me tre, apo një me katër, mes puseve pozitivë me negativët dhe duke patur parasysh kushtet konkrete të vendit tonë, nxiste gjeologët, që të projektonin me guxim.
Ne praktikisht, qëndronim më lart se Evropa dhe kontinenti amerikan: ndërsa ata pozitivet, i kishin trembëdhjetë përqind, ne kishim arritur mrekullisht, tek shifra mesatare e tetëmbëdhjetë përqindëshit! Por ja që prijësi “legjendar” i shtetit shqiptar, kërkonte që ne të kishim për pozitivet, tregues më të lartë akoma, deri njëzetepesë përqind! Në një kohë që me një ndërtim gjeologjik si të vendit tonë, vendet e përparuara, pothuajse nuk do të merreshin, nuk do të kërkonin fare. Pa le pastaj, që ne dispononim një teknikë e teknologji të punimeve seizmike, shumë më të prapambetur se të vendeve të tjera. Ato, deri në thellësi 2000-4000 m. jepnin një informacion shpesh herë të dobët. Ne duhej të shponim puse me thellësi deri 4500 m dhe në disa raste, edhe më thellë. Kështu që gjeologët shqiptarë, viheshin nga partia para një kërkese absurde.
Por Enver Hoxha, me kërkesat e tij të marra, nuk na garantoi kurrë, se do të na çlironte nga “qentë e tij nuhatës” të sabotimeve, operativët e Sigurimit të Shtetit. Sikur edhe në njëqind puse, një, vetëm një, ta kishim negativ, ata do të kërkonin dorën armiqësore dhe atje! Udhëheqja e partisë, i dinte mirë ato mungesa e vështirësi. Thirrja për të projektuar me guxim, nuk pushoi kurrë, por pabesia ishte kaq e qartë, sa kjo thirrje, shndërrohej thjesht një fjalë në erë. Ata nuk deshën të kuptonin dhe as pranonin të bisedonin, se puse negativë dhe në punën më perfekte që mund të bëhet, përsëri në kërkimet e fushave të reja, gjithmonë ka patur e do të ketë. Sigurimi dhe hetuesia, kishin kërkesa më të avancuara se shefi i tyre, Enver Hoxha. Ata dinin vetëm një refren:
– Po të zbatohen drejt mësimet e partisë dhe të shokut Enver, të gjithë puset do të dalin pozitivë! Ky ishte një absurditet edhe më i madh nga ai i Hoxhës, por pikërisht ky, ishte edhe thelbi i pagjumësive tona shumëvjeçare. Për të qenë më i qartë, se çfarë përfaqësonin këto orientime të Partisë, përveç asaj që theksova më lart, lidhur me përgatitjen me kompleks dhe me guxim, si dhe për raportet e larta që kërkoheshin për puset pozitivë, ne na u vunë edhe detyra të tjera. Kështu na u kërkua, që mbi tetëdhjetë përqind e puseve të kërkimit, të ishin brenda kuadratit perspektiv, i cili përbënte një sipërfaqe vetëm prej njëzetë, herë dyzet kilometra. Ndërsa metrazhi orientohej të shpërndahej, gjashtëdhjetë përqind për gëlqerorët dhe tridhjete e pesë përqind, për ranorët.
Këto ishin vetëm pranga, në orientimin e kërkimeve gjeologjike, se po të shpoje jashtë kuadratit një pus më shumë, megjithëse ai mund t’i kishte të gjitha treguesit për t’u provuar, ti futeshe në rrethin e kuq të Sigurimit. Për ranorët, ne objektivisht nuk kishim rajone për një metrazh të tillë, kështu që duhej të shpoje më shumë puse, se sa nevojiteshin teknikisht, vetëm e vetëm për të ruajtur raportin, që të mos përfundoje nën hekura. Unë, personalisht, kam bërë një luftë të madhe, për mos vendosjen e shifrave të tilla si të detyrueshme, se nuk kishin baza shkencore, ag sa dhe kur më thirrën në qeveri, këmbëngula për të mos i miratuar ato. Por zëri i im nuk u dëgjua. Kryeministri, madje më bëri thirrje: “Dorëzoju, Xhaçka, dhe pranoi shifrat që të thonë”! Por unë me ndërgjegje të plotë profesionale, iu përgjigja: – Jo, shoku Mehmet, nuk dorëzohem!
Një tjetër aspekt formal dhe i neveritshëm i këtyre orientimeve, ishte përfshirja e punëtorëve në studimet projektuese dhe marrja e mendimit të brigadave, për shpimin e puseve të rinj të kërkimit. Na detyruan që të futnim si pjesëtarë në grupet e studimit të projektimeve, jo vetëm gjeologë të ndërmarrjeve të cilët, hajd se edhe mund të ndihmonin në proces, por edhe punëtorë! Ky ishte një formalizëm burokratik, aspak frytdhënës. Sipas trumbetimit demagogjik, të qenies së klasës punëtore në udhëheqje të shtetit të saj, pusi më parë se të miratohej në instancat shkencore e administrative, duhej të dërgohej në një brigadë shpimi dhe të argumentohej, se; përse duhej shpuar ky pus kërkimi, në struktura të tjera.
Miratimin duhet ta fillonin punëtorët, mekanikët, kryesondatorët, që ishin shpesh duarartë në punërat e tyre, por që nuk ishin aspak në gjendje, të gjykonin nëse duhej shpuar apo jo pusi i kërkimit. Sepse, nuk kishin as njohuritë më elementare të shkencës së gjeologjisë e gjeofizikës! Po të mos binte dakord brigada e shpimit, askush nuk mund të guxonte ta miratonte atë pus. Dhe ajo që bëhej më e rëndë, po të dilte pusi negativ, llogaria duhej dhënë përsëri para brigadës, që e shpoi atë pus dhe që më parë e pat miratuar. Memorie.al
Nga Drini Pilkati
Sapo kisha bërë një shkrim përkujtimor në gazetën Tirana Observer, mbi 50-vjetorin e vrasjes së dajës tim të paharruar, “Heroit Kombëtar” Myslym Keta, nga miqtë e shumtë që kam, mora shume mesazhe ngushëllimi dhe falenderimi, për kujtimin e përvjetorit të këtij heroi popullor të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Me mesazhet e tyre, ata më sillnin edhe kujtimet e prindërve të tyre, që kishin luftuar dhe punuar së bashku me Lymin, duke më konfirmuar dhe dyshimet e tyre të hershme mbi humbjen e tij. Midis tyre ishte edhe Burhan Tabaku, një profesor matematike, me të cilin kishim punuar se bashku për shumë vite në rrethin e vështirë të Pukës. Bashkë me mesazhin e ngushëllimit dhe falënderimit për ketë shkrim përkujtimor, ai me dërgon edhe foton e një skulpture madhështore që ishte pikërisht ajo e dajës tim, Myslym Ketës, të cilën vëllai i tij, Besimi, e kishte realizuar që në vitin 1968.
Nuk kisha pasur asnjë informacion për këtë skulpturë dhe për ketë u gëzova pa masë, por së bashku me gëzimin, ishte e zakonshme që sytë e mi të fillonin edhe të lotonin. Në mendjen time filluan të vinin kujtimet e asaj ditë (25 shkurt 1966), kur në shtëpinë time atë mëngjes, erdhi gjeneral-leitnant Abaz Fejzo, Komandant i Repartit të Tankeve, i cili pasi më përqafoi, më mori me vete poshtë pallatit. Familjet tona banonin në “Rrugën e Durrësit”, pikërisht në pallatin e Merlikës. Abazi ishte me trup pak të shkurtër, por atë e plotësonte fare mire, me energjinë e një ushtaraku. Poshtë priste një “Gaz” i ri ushtarak, (tip 69) dhe brenda në sediljen e dytë, ishte ulur djali i vogël i dajës, Ceni.
Unë isha akoma me lot në sy, pasi kisha humbur jo vetëm dajën, por edhe idhullin tim, ndërsa Cenin e pashë pak të tulatur. Dukej se nuk dinte gjë seç kishte ndodhur, nënkuptohet që nuk kishte mbushur ende 8 vjeç dhe reagimet e tij, do të ishin të tilla. Ndërsa unë isha gati 12 vjeç, prandaj i dhashë forca vetes, për t’u përmbajtur. Fshiva menjëherë lotët dhe i vura dorën Cenit në qafë, si për t’i dhënë kurajo, por me nënqeshjen e tij të zakonshme, ishte ai që dha kurajo mua. Si për çudi lotët e mi mbaruan, sikur të ishin mbyllur me ndonjë rubinet dhe mbaj mend vetëm, që nuk dija çfarë t’i thoja. Shoferi filloj të na merrte me të mirë dhe na bëri disa xhiro nëpër Tiranë, pastaj na kthehu në shtëpitë tona. Me vonë mora vesh se kjo ishte koha kur në Sheshin “Skënderbej” po bëhej ceremonia madhështore e varrimit të dajës.
Kjo ishte arsyeja që unë nuk mora pjesë në varrimin e tij, por me pas nga njerëzit që kishin ardhur për ngushëllim, mora vesh se populli i Tiranës, qytetarë, fshatarë dhe malësorë nga e gjithë Shqipëria i kishin bërë dajës një varrim me të vërtetë madhështor dhe spontan. Myslym Keta, ishte për ta “Tribuni i Vegjëlisë” pasi këto fjalë të arta të Nolit, tingëllonin shumë bukur edhe për këtë hero mbarëkombëtar. Diktatori Enver Hoxha, nuk kishte dashur që homazhet të bëheshin në sallën e Kuvendit Popullor, siç i takonte atij, por me urdhrin e Abdyl Këllezit, që në atë kohe ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, homazhet u bënë në sallën e madhe të saj. Edhe babai im, ishte zëvendëskryetar i parë i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, prandaj i takonte atij dy here, të organizonte homazhet dhe varrimin, e para si kunati i tij dhe e dyta si bashkë titullar i këtij institucioni. Trupin e Myslymit të pajetë, e vendosen tek varrezat e Shish Tufinës, që kishte pak kohë që ishin inauguruar, në parcelën e parë buzë rrugës, ku më pas u bë edhe parcela e familjes Keta.
Kjo pasi diktatori, nuk kishte pranuar që Lymi të varrosej tek Varrezat e Dëshmorëve, me justifikimin se nuk kishte rënë në Luftë. Ky justifikim ishte shume qesharak, pasi Myslym Keta, ishte konsideruar simbol i trimërisë shqiptare. Për pasojë të kësaj konsideratë, në muajin prill të vitit 1947, ai ishte propozuar nga Rinia Antifashistë ballkanike, në kongresin e saj në Beograd, për titullin me të lartë që ekzistonte, atë të “Heroit të Kombeve”. Për nga kontributi ata kishin zgjedhur dy të rinj; një nga Shqipëria dhe një nga Polonia dhe të dy se bashku, vetë Tito, i kishte ftuar në tribunën e këtij evenimenti. Dashje pa dashje, këtë gjë në atë kohë, nuk mund ta kundërshtonte dot Enver Hoxha dhe për pasojë ky propozim, u bë realitet tre muaj më vonë. Kështu në 7 korrik, në moshën 22-vjeçare, Myslym Keta u shpall nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë si i pari “Hero Kombëtar”, për së gjalli.
Isha ndarë me dajën tre ditë para se ai të humbte jetën, e cila ishte dhe humbja me tragjike dhe e mistershme për familjen tonë. E kisha bërë zakon që mbasi të dilja nga shkolla tetëvjeçare, “Avni Rustemi”, të kaloja njëherë me ndonjë shok nga Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore (ish-Lidhja e Shkrimtarëve), për të takuar dajën. E dija që rrinte shpesh aty me shokët e tij, prandaj kisha qejf që të mburresha pak me të edhe para shokëve të mi. Ishte gati fundi i pranverës dhe ishte e pazakonshme që pikërisht atë fund shkurti, të bënte një kohë e bukur me diell, por ishte pikërisht fati im, që atë ditë më takon të shoh dajën për herë të fundit. Ishte në mes të shokëve, para derës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dhe unë e dallova menjëherë që nga Kinema “Republika”, pasi ishte një kokë më i gjatë se shokët e tij. Trupi i tij i gjatë, hijeshonte nga kostumi i oficerit tankist, me xhaketën e gjatë jeshile të errët dhe pantallonat e çelura, i rrinte aq bukur në trup, sikur të ishte prodhuar apostafat për të. Në gjoks i ndriçonte një stemë në formë ylli me pesë cepa dhe sipër tij një shirit kuq e zi, e cila ishte stema e Heroit Kombëtar.
Daja!, – i them shokut dhe vrapoj për ta takuar dhe pas meje vrapon edhe shoku im. Sapo afrohem i thërras: O daj! Kuptova që edhe ai më kishte parë, pasi diçka po u thoshte shokëve për mua dhe ata njëherësh e kthejnë kokën nga unë, duke qeshur. Pa nguruar, ai mu afrua duke me fërkuar kokën dhe duke qeshur më tha: “Çfarë bon ti ktu mer daj, shko në shpi me honger drekë, se osht bo vonë, kur të kthehet daja nga shërbimi do ta sjell stemën që m’ke kërku”. Me thënë të drejtën, kisha kohë që e kisha bërë bozë me të, pasi sa herë që e takoja, ia kërkoja atë stemë, por ai nuk mërzitej kurrë. Vonë pas vrasjes mora vesh se ajo ishte medalja e Heroit Kombëtar, e cila për mua ishte bërë një peng i vërtetë.
Foto e statujës së dajës, të cilën Burhani ma kishte dërguar, ishte peshqeshi më i bukur dhe i shtrenjtë që ai mund të më kishte bërë. Ishte shumë e çuditshme, që pikërisht në momentin që unë po e rikujtoja atë në librin tim, dajë Lymi m’u shfaq përsëri para meje i gjallë edhe mbas 50 vjetësh, por kësaj radhe si një kollos i vërtetë. Kjo për mua përbënte tashmë edhe një episod të ri dhe shumë të rëndësishëm, pasi do të më mbylltë edhe më bukur librin tim.
Isha në shtëpinë time në Itali dhe nuk po me zinte vendi, deri sa të kthehesha në Tiranë. Isha në përfundim të librit, të cilin ia kisha dedikuar pikërisht dajës dhe babait tim dhe në të përmblidhja kujtimet e shokëve të tyre, më të afërt dhe ato me sekretet, të cilat në periudhën e diktaturës, nuk ishin thënë dhe shkruar asnjëherë. Me këtë mendim të ngulitur në mendje, pas pak kohe arrita në Tiranë. Duhej të takoja patjetër Burhanin dhe vëllain e tij, Besimin, pasi doja të dija gjithçka për skulpturën dhe fatin e saj. Burhani me kishte thënë se, bashkë me Besimin, po mundoheshin të mblidhnin të gjitha veprat artistike të tij, midis tyre edhe skulpturën e heroit Myslym Keta. Për këtë vepër Besimi, ishte mërzitur pa masë, pasi nuk e shihte prej shumë kohësh dhe kishte pasur gjithnjë dyshime që vepra e tij më e bukur, ishte zhdukur pa lenë gjurme nga diktatura komuniste.
Menjëherë të nesërmen mora në telefon Burhanin dhe pas dy ditësh u takuam të tre se bashku, tek bari i Kompleksit Sportiv “Ali Demi”. M’u duk shumë e çuditshme, që paralel me vrasjen e dajës edhe statuja e tij pas dy vitesh’ të kishte të njëjtin fat…! Ishin dy mistere dhe midis tyre të parin, pas shumë lodhjesh, tashmë kam arritur ta zbardh, por ky i dyti, më çorientoi fare. Kjo tregonte se sa poshtë kishte rënë diktatura komuniste dhe Enver Hoxha, i cili nuk ishte ngopur me eliminimin e tij, por kishte realizuar edhe planet, për asgjësimin pa gjurmë të statujës se tij. Besimi ishte një burrë shumë i mençur, i qetë, tamam një historian i vërtetë, pasi kishte punuar shumë kohë edhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ai më tregonte me shumë interes, gjithçka që unë kërkoja të dija për historinë e skulpturës, duke më shpjeguar me durim edhe detajin më të vogël. U desh edhe një ditë tjetër, për të plotësuar historinë e humbjes së kësaj skulpture, nga diktatura komunistë.
Dëshmia e skulptorit, Besim Tabaku:
“Në vitet 1958-‘62 mbarova Liceun Artistik dhe në vijim u paraqita në konkursin që organizohej për vazhdimin e studimeve të larta, atë të Arteve Figurative në Tiranë. Konkurrimin e mbarova me sukses dhe për ketë arsye, në vitin 1963, filloj studimet në vitin e parë të këtij instituti. Atëherë praktikë ne bënim në shkollën “Mihal Grameno”, në fund të rrugës me të njëjtin emër. Në këtë rruge banonte edhe heroi Myslym Keta, të cilin e njihja nga afër, pasi ishte shokë fëmijërie me daj Liun (Ali Kubatin), që ishte çun i xhajës i nonës time. Që në rinin e hershme, ata shoqëroheshin shumë shpesh bashkë, pasi Liu asokohe, banonte në krahun tjetër të lumit të Lanës, (pas gjimnazit “Ismail Qemali”), e cila ndodhej rreth 300 metra në vijë ajrore, nga shtëpia e nondajes së Lymit, ku ai kalonte pjesën më të madhe të kohës së tij. Edhe gjatë Luftës, u kishte takuar të luftonin përsëri bashkë, fillimisht në Batalionin e Dajtit, Brigadën 3 të Sulmuese dhe kompaninë e I-rë të saj, ku Lymi ishte komandant dhe Liu, komisar.
Këtë shoqëri ata e kanë ruajtur me rigorozitet edhe pas luftës dhe shtëpia e Liut, ishte shtëpia e dytë për Lymin. Siç me tregonte baba, Lymi ishte i përditshëm në shtëpinë tonë dhe ishte bërë beniamini i të gjithëve, pasi në atë kohë ne jetonim të gjithë së bashku. Kishte shumë raste që kur shkoja atëherë për në shkollë, të ndërrohesha shpesh rrugës me Lymin, kur ai çdo mëngjes, nisej për në ministri. Më kishte magjepsur gjithmonë pamja e hijshme e këtij burri të gjatë, tamam një gjigant i vërtetë, i barabartë me famën e tij që kishte krijuar në Shqipëri dhe Ballkan. Daj Liu, na kishte treguar për trimëritë e shumta dhe se e kishin dekoruar me titullin e lartë të “Heroit Kombëtar”. Megjithatë, daj Liu më thoshte, se ai ishte tepër i thjeshtë dhe modest me të gjithë dhe këtë e kisha provuar vetë, kur kalonte në rrugën “Mihal Grameno”, pasi përshëndetej me të gjithë, pa dallim edhe me romët e Tabakhones.
Rreth vitit 1965, e kam parë për herë të fundit Lymin në ekspozitën e Galerisë së Arteve Figurative, që ishte organizuar tek Pallati i Princeshave (sot godina e Institutit të Përndjekurve Politikë). Aty ishte ekspozuar një bust i “Heroit të Popullit” Kajo Karafili dhe shumë punime të tjera me temë nga Lufta. Ishte aty që e pashë për herë të fundit Lymin, i cili po shihte me vëmendje skulpturën e Kajos dhe i pakënaqur po tundte kokën, duke i thënë shokëve të tij, se skulptura nuk i ngjante atij. Por ishte edhe momenti i parë që e pashë me vëmendje edhe nga afër dhe në veçanti tiparet e tij burrërore, të cilat m’u ngulitën thellë në mendje. Në vitin 1967, mbarova Institutin e Arteve Figurative dhe fillova të bëja punët e para, por afirmimi në ketë fushë, ishte shumë i vështirë, pasi në Tiranë kishte shumë skulptorë me famë, midis tyre; Odhise Paskali, Hektor Dule, Kristaq Rama, Shaban Haderi dhe shumë të tjerë. Kisha pasur edhe fatin e madh të mbaroja një punë të Shaban Hadërit (“Heronjtë e Vigut”) i cili në atë kohë ishte i sëmurë dhe pati shumë besim tek unë, që mund t’ia mbaroja me sukses.
Në vitin 1969, ishte ekspozita e parë që unë do të merrja pjesë dhe për këtë, vajta në Lidhjen e Shkrimtarëve, për t’u konsultuar për projektin e skulptures, që unë do të prezantoja aty. Ishte 25-vjetori i çlirimit dhe punimet duhet të ishin kryesisht nga Lufta Nacionalçlirimtare. Atje takova Foto Stamon, ish-sekretar i Lidhjes së Arteve Figurative. Pasi u konsultova me të për punën e ardhshme, ishte ai që më tha: “O Besim, pse nuk bën Heroin Myslym Keta, pasi e ke pasur edhe tirancin tënd dhe kam besim se ti do ta qash”. Fjala e tij më ngrohu aq shumë, saqë sa hap e mbyll sytë, i dhashë menjëherë atij një përgjigje pozitive, duke i shtuar se: Lymi ka qenë shoku më i ngushtë i daj Liut (Ali Kubatit) dhe gjithë familjes tonë. I shpjegova atij se e njihja fare mire, çdo detaj të fizionomisë së tij, pasi e kam parë gati çdo ditë, kur shkoja në vitin e parë të Institutit të Arteve Figurative, pasi banonte pikërisht në atë rrugë.
Fjala e ime i bëri atij shumë përshtypje dhe pasi më rrahu shpatullat, Foto më tha: “Me këto që më the o Besim, kemi bindjen se ti do ta qash me të vërtetë, statujën e Myslym Ketës, hajde suksese”, dhe më dha dorën për t’u ndarë. Sapo u largova, mendja me shkoi menjëherë tek viti 1965, kur e pashë herën e fundit shumë nga afër Myslym Ketën të gjallë, tek shihte portretin e ekspozuar të Kajo Karafilit. Kishte qenë i pakënaqur nga ngjashmëria me fytyrën që ai mbante mend. Kishte pasur të drejtë, pasi e kishte shok në njësitet guerile, por kjo gjë nuk do të ngjante me mua, pasi unë e kisha akoma të gjallë në sytë e mi. Kisha qenë i frymëzuar për të bërë statujën e Myslym Ketës, që në gjallje të tij, por nuk e pata mundësinë, ndërsa tani mbas vdekjes, kisha bindjen e plotë, se nuk me mungonte asgjë për ta realizuar ekzaktësisht. Për t’u siguruar më shumë, u paraqita tek familja e tij, ku u takova me gruan. I thashë se jam nipi i Li Kubatit dhe ajo më vuri në dispozicion edhe shume foto të tij.
Zgjodha midis tyre, ato foto që me interesonin, në këndvështrimin tim si skulptor. Vendosa ta bëj Lymin ushtarak, pasi ishte edhe 25-vjetori i krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Shtabit të saj në konferencën e Labinotit. Myslymi ishte tankist dhe duhet të realizoja një statuje të lartë dhe veshjen e posaçme, prandaj i mora edhe një xhup Edip Ohrit, komandantit të Aviacionit, që ishte dhëndër i daj Liut. Xhupat e tyre, ishin njëlloj me ato të tankistëve. Nuk kisha studio ku ta punoja, por ketë ma zgjidhi skulptori Shaban Haderi, i cili më vuri në dispozicion studion e tij. Mbarova modelimin, e derdha në allçi dhe si imitacion, i dhashë ngjyrën e bronzit si dorën e fundit.
Të nesërmen në mëngjes e çova atë në sallën e Pallatit të Kulturës, në katin e parë, ku pas dy ditësh do të hapej ekspozita. Rreth skulpturës se Lymit, kalonin shpesh punëtorët e ndriçimeve dhe unë i shihja që silleshin me kureshtje rreth saj, pasi isha duke e pastruar. Nuk ua merrte mendja që e kisha realizuar unë, pasi isha shumë i ri, por vetëm dëgjova fjalët që qarkullonin midis tyre: Ky skulptori e paska qa Lymin, paska dalë më bukur se Enveri. Fjalët e punëtorëve të mirëmbajtjes, ishin ato të popullit të thjeshtë, pasi Lymi për ta përfaqësonte tamam njeriun më popullor dhe ndjenja që u krijonte atyre, ishte tjetër nga Enveri. Ishte e natyrshme që komplimentet e tyre, ma bënë shumë qejfin, por e lashë me aq, pasi nuk doja që ta dinin se e kisha realizuar unë.
Në kolonën tjetër të ekspozitës, përkrah saj, ishte vendosur skulptura e Enver Hoxhës, të cilën e kishte realizuar shumë bukur edhe Odhise Paskali. Ishte i veshur me uniformen partizane, që kishte pasur në konferencën e Labinotit. Pas pak erdhi komisioni i vlerësimit artistik, me kryetar Kristaq Ramën, i cili ishte në atë kohë autoriteti më i lartë shtetëror në këtë fushë. Vetë Kristaqi më thotë se: “E paske qarë me të vërtetë Lymin dhe kjo është një vepër për medalje”. Më pas komisioni u largua duke më bërë komplimentet e tyre. Përveç komisionit artistik, punimet tona në ekspozita, duhet të vlerësoheshin nga një komision tjetër, por kësaj radhe, politik. Zakonisht këtë e bënte një udhëheqës i lartë i shtetit dhe në rastin tonë Beqir Balluku, i cili atë kohe ishte Ministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Byrosë Politike. Atë paradite dola nga salla shumë i kënaqur dhe i bindur nga vlerësimet e njerëzve me kompetent në këtë fushë.
Ishte puna ime e parë zyrtare, e cilado të kishte aprovimin e gjerë të publikut dhe udhëheqësve të lartë. Mbas dite vonë, shkoi të takoj Foton, i cili deshi, s’deshi, me gjysëm zëri, më tregoi të vërtetën: “Ka ngelur një mundësi e vetme për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, vetëm pasi ta presësh statujën e Lymit në Torst (Bust), por ti, bëj si të duash”. Statujat e Enverit dhe Myslymit, ishin gati njëlloj të larta, rreth 2.20 cm dhe siç me tregoi Foto, pasi i kishte parë nga afër, Beqir Balluku ishte shprehur se: “Të dy statujat janë realizuar bukur, por komandanti i luftës, ka qenë vetëm një, Enver Hoxha dhe ne nuk duam që populli të ngatërrohet për këtë. Prandaj statuja e Lymit duhet të pritet si bust, që të mund të ekspozohet këtu”.
Kaq kishte thënë dhe kishte dalë nga salla, pak si i skuqur nga fytyra. Edhe Kristaqi i kishte thënë Fotos se: Ishte hera e parë që një vepër kaq e realizuar dhe e pëlqyer nga komisioni, mund të mos prezantohej në ketë ekspozitë. E kuptova që Foto ishte i imponuar për këtë propozim, pasi nuk është e mundur që një skulptor kaq i njohur, ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë nuk munda t’i them me asgjë, sepse fjalët më ngelën në grykë. U skuqa i tëri dhe ndjeva që nga sytë me dolën vetëm lot. Gjithçka filloj të më rrotullohej përreth, vetëm se mbaj mend që dola i hutuar nga salla e ekspozicionit dhe shkova direkt në shtëpi. Atë mbrëmje ketë ngjarje, ja tregova gjithë familjes, e cila bëri çmos që unë të qetësohesha. Të nesërmen që në mëngjes, baba më tha se kishte shkuar të bisedonte me Daj Liun për këtë dhe se ai i kishte thënë se: “Burrat nuk shkojnë në këtë ekspozitë”. Dhe unë të njëjtën gjë bëra.
Pasi mbaroi ekspozita, takova shokët e kursit, ishin ata që me konfirmuan se në krah të statujës se Enver Hoxhës, nuk ishte më statuja e Myslym Ketës dhe kjo nuk më habiti. Në vend të saj, ishte vendosur një statujë njëlloj e lartë, e një piloti anonim, të cilën e kishte realizuar shumë bukur, skulptori Andrea Mano. Ata më dhanë edhe foton e mëposhtme nga ekspozita, të cilin e kishin hequr nga stenda, që ishte afishuar në institutin e artëve. Ditën e Ekspozitës në sallën e Pallatit të Kulturës, kishte ardhur vetë Enver Hoxha, së bashku me udhëheqësit e tjerë të lartë, si; Mehmet Shehu, Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu. Kishin ndalur më shumë tek statuja e pilotit anonim, si për modesti dhe për të treguar që i pëlqente më shumë, siç shihet edhe në foto. Më pas ata i ishin afruar statujës së Enver Hoxhës që kishte realizuar shumë bukur Odhise Paskali, i cili prej saj mori edhe çmimin e Republikës”.
Siç i kishin treguar shokët Besimit, Enveri e kishte kontrolluar me shumë rreptësi skulpturën e vet dhe se fundi kishte ngelur i kënaqur. Por më i kënaquri në këtë revistë qeveritare, kishte qenë Beqir Balluku, i cili kishte pasur aftësinë që të largonte me kohë statujën e Myslym Ketës nga ekspozita. Me këtë veprim, kishte evituar dëshirimin e Enver Hoxhës, pasi statuja e Myslym Ketës, tashmë për atë nuk kishte më asnjë rëndësi, pasi ishte i vdekur, madje ishte tradhtuar, pikërisht prej tyre, që dy vjet më parë. Tashmë Beqiri flinte i qetë dhe i bindur, pasi përfundimisht sipas tij, populli nuk do të kishte më as më të voglin dyshim, se udhëheqësi i vetëm i Luftës Nacionalçlirimtare kishte qenë vetëm Enver Hoxha.
Kjo ishte gjëja me qesharake që kam parë dhe dëgjuar deri sot dhe nuk mund të ishte ndonjë argument, për të eliminuar veprën artistike të Besimit. Madje, kjo shtonte edhe me shumë dyshimet për eliminimin misterioz të Lymit. Me gjithë mundin, djersën dhe talentin e këtij artisti të ri, vepra e tij e parë, nuk kishte hyrë në diskutimin e shtypit të kohës, edhe pse ajo ishte konsideruar më e realizuara nga komisioni i vlerësimit artistik. Ky inskenim i shëmtuar, nuk mund t’i humbte rëndësinë dhe popullaritetin një heroi popullor, por ishte vetëm dëmi më i madh që mund t’i bëhet një krijuesi të ri. Në një ekspozitë kaq të rëndësishme, vepra e tij nuk e kishte fituar qytetarinë e Tiranës.
Vazhdimi i rrëfimit të Besim Tabakut:
“Të pasnesërmen e asaj dite, shkoj në Institutin e Arteve Figurative, ku rastësisht në sallon ndërrohem me Kristaq Ramën, i cili ato kohe jepte edhe leksione. Sapo u afruam ballë për ballë, ai me mori mënjanë, duke më thënë me zë të ulët se: “Qenke djalë me karakter…”! M’u dukën shumë të guximshme dhe të çuditshme këto fjalë, të cilat me dhanë më shumë kurajo, pasi Kristaqi, përveç një artisti tepër të njohur, në atë kohë ishte autoriteti me i lartë shtetëror në ketë fushë, por edhe nënkryetar i Kuvendit Popullor. Fjalët e tij me dhanë aq kurajo, saqë fillova ta pyes atë se: “Ku ndodhet tani statuja e Myslym Ketës dhe çfarë do të behet me të”?!
Por ai duke qeshur mu përgjigj: “Mos ki merak se është njëlloj siç e ke lënë, por je me fat, se puna jote nuk shkoi kot, pasi ia kemi shitur shtrenjtë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila e ka blerë për ta vendosur tek reparti i Tankeve në Zall-Herr”. Fjalët e fundit të Kristaqit, ma ngrohën shumë zemrën, pasi më liruan nga një ankth kaq i madh. Siç e kuptova, mbas gjithë këtyre veprimeve të shëmtuara, për shokun e tij të luftës, koshienca e kishte thirrur Beqirin, për të justifikuar fajin e bërë më parë. Edhe kur e kishin vendosur statujën në repartin e Tankeve, si realizues i kësaj vepre, mua nuk më kishin thirrur për të marrë pjesë. E kishin vlerësuar 2.500 lekë të reja, të cilat për mua ishin shumë në atë kohë, por në krahasim me djersën dhe emocionet e mia, ato nuk patën vlerën e duhur. Fakti ishte se ato para. i prisha për pak kohë, për të blerë rroba dhe m’u dukën sikur i bëra rrush e kumbulla.
I vetmi mendim që më vinte në mendje, ishte statuja e Myslym Ketës, e cila tashmë nuk ishte me e imja. Ishte mbyllur në një vend që ishte e vështirë të hyje edhe pse isha autori i saj, aq më tepër për popullin e thjeshtë. Meqë unë e kisha mbajtur qëndrimin tim, kjo më bënte të dyshoja në jetëgjatësinë e punës time. Të njëjtin dyshim, kisha edhe për ekzistencën e statujës së Myslym Ketës, aq me tepër mbas viteve 1980, kur u dënua “Grupi i Tiranës”, ku dajë Liu dhe vëllai i tij, daj Bibi (Ibrahim Kubati) ishin pjesë e atij “grupi armiqësor”. Kisha gjithmonë dyshim për ekzistencën e statujës së Myslym Ketës, por nuk e kisha mundësinë ta vërtetoja, pasi ishte e pamundur të hyjë në këtë repart. Kjo ishte e vërtetë, pasi statuja e Myslym Ketës, ishte zhdukur pa lënë asnjë gjurmë dhe së bashku me të, edhe kryevepra ime. Këtë e vërtetova, kur shkova të kontrolloj tek reparti i tankeve kohët e fundit, por nuk më lanë të hyjë brenda. Për këtë pyeta punëtorët që po dilnin nga Reparti, të cilën më konfirmuan dyshimin tim për statujën e Lymit, duke më thënë se; nuk ishte aty dhe nuk e kishin parë asnjëherë”!
Përveç një varri në Shtish Tufinë, i cili është rrethuar në mënyrë barbare nga fshatarë të pandërgjegjshëm, sot ekziston vetëm një përkujtimore për “Heroin Kombëtar” Myslym Keta, të cilën vetëm populli i Pukës, ia dedikoj këtij Heroi. Edhe ketë foto ma ka dhënë Burhan Tabaku, të cilën e kishte fotografuar në Rrape të Pukës, ku sipas diktaturës komuniste, humbi jetën Myslym Keta. Kjo përmendore, pati mundësinë t’i shpëtojë barbarizmave të periudhës së pas viteve ’90-të, vetëm pse ndodhej në këtë fshat, në të cilin gjatë Luftës, ishte bërë beteja më e madhe me gjermanët. Disa barbarë i kishin vjedhur dhe shitur për hekur edhe zinxhirët e një tanku, të cilat ishin vendosur aty në shenjë simbolike, nga shokët e tij. Lapidari rrezikonte të humbtë përfundimisht.
Vetëm në sajë të një mikut tim, Mehmet Kadana, banor i këtij fshati, për mungesë fondesh, lapidari është restauruar pjesërisht, sa për të mbetur akoma i gjallë aty. Këtë ai e kishte bërë për nder të këtij Heroi të madh, timin dhe djalit të tij, Hysen Keta, i cili gjatë diktaturës komunistë, i kishte shpëtuar edhe të vëllanë nga burgu. Kjo është një formë mirënjohje e shoqërisë dhe popullit të Pukës edhe për mua, i cili me respektonte pa masë, si nipi i Myslym Ketës edhe pse babai im, Sabri Pilkati, ishte i burgosur politik nga diktatura komuniste. Më kujtohet që edhe një rapsod popullor i këtij rrethi malor, i quajtur Frrok Haxhia, i kishte dedikuar edhe një këngë Myslym Ketës. Ky është një borxh moral që Mehmet Kadana, Frrok Haxhia dhe i gjithë populli i këtij qyteti, më ka vënë para koshiencës time, por shpresoj gjithmonë që të kem mundësinë tua rikthej, së paku me shkrimet e mia përkujtimore. Memorie.al
Mund të ishte e 23 në masakrën ‘e bombës në Ambasadën sovjetike më 26 shkurt 1951.
Me zonjēn Didi banojmë prej vitesh në një banesë në Shallvare.
Mbas pak kohësh që kishim hyrë ne banesë e gjej ne apartamentin tonë duke biseduar me nënën time.
E pyeta nënēn?
-Kush ēshtë kjo grua fisnike?
-Është Didi Biçaku bijë e patriotit Qamil Biçaku, mbesë e Aqif Pashë Elbasanit, gruaja e agr. Maliqit diplomuar në Vjenë.
Me shume pa punë ne kohë te diktaturës.
Nē takimin e 26 shkurtit të 2011 per përkujtimin e 22 viktimave akuzuar për ‘bombēn e hedhur në Ambasadēn Socjetike foli zonja Didi.
Fjala e saj ishte tronditēse, sepse ishte e vetmja dëshmitare okulare që shoqëroi deri në kamionin ku do të shkonte drejt pushkatimit te vetmen femēr ndērmjet 21 martirëve Sebiha Kasimatin.
Zonja DiDi Biçaku tregoi: “Jam arrestuar mē 23-02-1951 mbas mesnate ‘në emër te popullit’.
Më futën në një kaush ku gjej Sabihanë e cila dridhej nga i ftohti. I dhashë pallton time që e mori me vete ne ditēn e pushkatimit. Pas pak na mblodhēn në një sallë ku
Mehmet Shehu thërriste:- Jeni armiq!
Mbi 150 vetē të arrestuar kryqi ishte vënë mbi emrat e 22 personave. Si Gestapo qe ne rradhe i merrte çdo te pestin .E kryqi ishte vënë te emri i Sabihasë sepse diktatori e njihte që nga Liceu i Korçës. Para nisjes së kamionit ishim lidhura së bashku. Na zgjidhēn.Sabihaja mbeti në kamion unë poshtë. Doja te mos ndahesha nga Sabihaja. Kur kamioni u nis një polic më thotë: ku doje të shkoje në uren e Beshirit(vendi i ekzekutimit).
Mbas katër muajsh hetuesije me liruan Mbas lirimit nuk mund të isha mësuese. Punova në ndèrtim ku arrita kategorinē e gjashtë. Mē vonē nê rrobaqepsi.”
Lufta e klasave kishte gjetur objektivin e vet nē familjen patriotike Bicaku.
Didi, kështu e thërrisnin, mund të ishte e 23-ta.
Numuri i te pushkatuarve qe 22.
Vetëm pak gjë e ka ndarë nga vdekja.
Didi i kujtoni ato dite tmerri dhe si ajo mund te jene edhe të tjerë.
Dëshmitë e tyre duhen marrë sa nuk është vonë.
Dhe une e kam marë këtë deshmi nē shkurt 2011 për ta ribotuar sot, me shkurtime, në ditën e ndarjes nga jeta te Didi Biçakut.
Dr. Orhan Sakiqi.
Nga SKIFTER KËLLIÇI
Ishte fund janari dhe fillim shkurti i vitit 1979, kur në përbërje të Brigadës së Parë Sulmuese, unë isha një nga rezervistët që do të sfiliteshim ditë e net me radhë pyjeve e maleve të vendit, në dëborë e në dimrin e ashpër që nga Tirana, në Dajt, Bizë e deri në Fushë-Studën kufitare me Maqedoninë…
Në atë marshim absurd, humbën jetën 4 vetë e dhjetëra të tjerë u plagosën… Ndërsa përballja me Mehmet Shehun, pas shkatërrimit të Brigadës së Parë në këtë marshim, mua e 1500 rezervistëve në atë takim, na ka lënë një shije të hidhur që dekadat nuk mund ta zbehin….
LAJMËRIMI
Ishte 14 janari i vitit 1979, kur në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku punoja si redaktor gjuhësor, mua dhe disa shokëve të tjerë, na erdhi papritur njoftimi nga Dega Ushtarake e Tiranës se duhej të paraqiteshim pas tri ditësh në Repartin 1105, komanda e të cilit ndodhej diku pranë Fabrikës së Qelqit në Tiranë. Të them të drejtën, meqë nuk kisha mbushur ende një vit që kisha nisur të punoja në këtë institucion, ishte hera e parë që më vinte një lajmërim i tillë. Dhe duhet thënë se nuk e prita me dëshirë, sido që e dija se në ditët e zborit, në më të shumtën e rasteve bëhej gallatë.
Ndaj atë ditë, sipas njoftimit të ardhur nga Dega Ushtarake, bashkë me shokë të tjerë, u ndodha që me mëngjes në zyrat e shtabit. Nuk bënte ftohtë dhe po rrëfenim qyfyre, derisa një ndër ushtarakët e komandës, që nuk dinim se ç’detyrë kishte, se gradat në ushtri ishin hequr me vakt e me kohë sipas shembullit të ushtrisë kinezë, na mblodhi dhe na dha ‘lajmin e gëzuar’ se ne do të kishim nderin që, duke vazhduar traditat e Brigadës së Parë, do të bënim një marshim të gjatë dhe të vështirë, nga Tirana deri në Fushë-Studën kufitare. Ndërsa ai fliste unë, vëllai im, Luani, e plot shokë përreth, vrisnim mendjen se si do t’ia dilnim mbanë këtij marshimi që e merrnim me mend se do të ishte i vështirë e sfilitës
ANKTHI
Vëllai im vuante herë pas herë nga kriza stomaku, sidomos po të ftohej, por, kur guxoi të hapte gojën, ushtaraku ia preu fjalën rreptas dhe me kaq ne u kthyem nëpër shtëpitë tona. Të themi të drejtën ishim tepër të shqetësuar për atë që na priste. Aq është e vërtetë, sa një ushtarak i lartë, mik i familjes sonë, u habit kur mori vesh që në këtë marshim do të merrja pjesë unë e vëllai dhe bashkë me ne, plot e plot rezervistë që ishim rreth tek të dyzetat.
Madje kishte nga ata që ishin edhe më të moçëm, kur partizanët e kësaj brigade si dhe të tërë partizanët që kishin marrë pjesë në njësitet partizane, ishin përgjithësisht nga 17 deri 30 vjeç dhe shumë rrallë edhe më të mëdhenj me moshë. Ky ushtarak, miku jonë, bisedoi me ata të Degës Ushtarake që, meqenëse nga një familje ishim dy vetë në listën e pjesëtarëve të këtij marshimi, të paktën të mbetej vetëm njeri. Dhe, ndonëse kishte atje një mik të fortë, nuk ia doli mbanë, sepse porosia e kryeministrit Mehmet Shehu ishte që të mos bëhej asnjë lëshim, sikur të ishim në kushte lufte…
PROLOG
Më 24 janar u ndodhëm përsëri në repartin 1105, por këtë radhë për të marrë rrobat ushtarake. Secili kishte një palë këpucë të reja, kapotë të përdorur, ashtu si edhe pantallonat, gjimnastorka, pra, një farë xhakete, benevrekët, çuditërisht prej doku, kur të tëra ato duhej të ishin të leshta. Pa pelerina e pa kokore, për doreza as që bëhej fjalë, do të degdiseshim drejt maleve, me rreth 2000 metra lartësi. Po kujt t’i qaheshim, kur kryeministri nuk donte t’ia dinte për asgjë, veç faktit që ne do të ndërmerrnim këtë marshim për të kënaqur trillet e tij? Sidoqoftë, një shok yni, ushtarak, se ku gjeti nja dy pelerina e dy kokore e kështu ne të dy vëllezërit, ishim ku e ku më të përgatitur se marshuesit e tjerë, që po shkonin në këtë aventurë… Tri ditë para të cilit nuk vura brisk në faqe.
E HËNË, 29 JANAR 1979
Dita e parë e marshimit, nisi dhe shthurja! Kështu, pra, me një mjekër ta parruar, që kurrë nuk më kishte ndodhur në jetën time, e cila do të rritej edhe më shumë gjatë ditëve të ankthshme, ngjarjet e të cilave do t’i rendis më poshtë, unë dhe im vëlla në orën 7.00, sipas lajmërimit nga Dega Ushtarake, u ndodhëm këtë radhë në një nga pikat e hapjes, së repartit 1105, ku ndodheshin dhe depot. Pas rrobave ushtarake, të cilat tashmë i kishim veshur, do të pajiseshim edhe me pushkë,(oficerët me pistoletë), e me pajime te tjera. Me vete kishim marrë ushqime për dy ditë, se, sipas rregullores ushtarake në të tilla stërvitje, hynim në forcë ditën e tretë.
Merret me mend se nënat, gratë e motrat e marshuesve kishin përgatitur, me gjithë kushtet e vështira, sa më shumë ushqime. Dhe kishin të drejtë. Po harronin se, sa do të domosdoshme, ato ushqime do të rëndonin në shpatullat tona gjatë marshimit që do të fillonte pas disa orësh. Sipas mundësive, secili ishte përpjekur që të vishej sa më trashë, edhe kjo një masë e domosdoshme, në kushtet e dimrit. Po t’u shtonim atyre edhe pushkët, lopatat xheniere, e mbi të gjitha, helmetat, kuptohet se çfarë peshe rëndonte mbi supet tona. Po, për fat, nga lart erdhi urdhri që helmetat t’i kthenim mbrapsht. Një e mirë kjo në të keqen e madhe.
NISJA PER MARSHIM
Nisja ishte parashikuar në orën 11.00 të mesditës, por, siç ndodh në të tilla raste, ajo u shty rreth orës tre pasdite. Nga pika jonë e hapjes morën me hov përpara dy kompani… Ne nuk dinim se sa ishte numri i pjesëmarrësve në këtë marshim, ku bënin pjesë rezervistë nga institutet e projektimit, të shtëpive botuese, të RTVSH-së, Uzinës “Enver”, Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, të Ndërmarrjes “Misto Mame”, etj., sepse çuditërisht, ndonëse atij iu dha shumë pompozitet, forcat pjesëmarrëse as nuk u rreshtuan të tëra, as nuk u përshëndetën para nisjes nga askush.
Mbi të gjitha, askush nga oficerët nuk na tregoi as atë ditë, as edhe më parë, se cili ishte qëllimi i këtij marshimi, si do të zhvillohej ai, nga do të kalohej, ç’detyra do të kishim sipas njësive të brigadës, cili ishte itinerari i marshimit, ku do të ndaleshim, ku do të flinim… Ne dinim vetëm se nga Tirana do të kalonim në Bizë e që andej në Fushë-Studën, emër që e dëgjonim për herë të parë. Ne po niseshim, pra, kuturu, të dalë ku të dalë! Dhe me këtë moto u zhvillua ky marshim i turpshëm që do të kishte pasoja tragjike.
RRUGËTIMI
Megjithatë, gjithçka filloi me gaz. Pasi kaluam kodrat pas Uzinës “Enver”, arritëm te kodrat e Liqenit të Tiranës, që andej, nga rruga e Elbasanit, u futëm përmes disa rrugicash, te lagjja “Ali Demi” dhe arritëm kështu tek tunelet e repartit instrumental të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”, ku do të bëhej një pushim i shkurtër. Deri këtu gjithçka shkoi në përgjithësi mirë, ndonëse, ngaqë disa ditë më parë kishte rënë shi, fushëtira kudo ishte njomur e nga hapat tanë, shndërrohej në baltë.
Që aty, meqë koha qe e butë, të veshur trashë, siç ishim, nisëm të djersinim e të kishim etje… Aty mora vesh se në këtë marshim numri i pjesëmarrësve ishte rreth 1500 vetë… Dhe e tërë kjo masë e stërmadhe njerëzish nën rrobën ushtarake, nisi tani rrugëtimin nga kodrat e Shkozës, një fshat i vogël, drejt malit të Dajtit. Ndërkohë, kishte rënë mbrëmja. Duke kaluar nëpërmjet monopatesh, dolëm në rrugën automobilistike. Oficerë të repartit që na shoqëronin, na rrinin pranë që marshimi të bëhej me rregull. Mirëpo nëpër terr, kur dëgjoheshin trokëllimat e thata të këpucëve tona të rënda, dalëngadalë nisi pështjellimi. Togat, kompanitë zunë të bëheshin lëmsh me njëra-tjetrën… Oficerët e repartit sikur na u zhdukën nga sytë… Oficerët rezervistë nuk arrinin të frenonin forcat që dyndnin përpara, duke lenë të zhytur në gjysmë-errësirë Tiranën e prushitur nga dritëzat që flakërinin në sytë tanë.
NATË E VËSHTIRË
Në të kthyer të rrugës së asfaltuar, që të shpie prapa Dajtit, para syve tanë, tashmë nën dritën e hënës që u shfaq befas në qiell, u shpalos pamja e prapme e këtij mali. Një pamje e frikshme krejt e kundërt me pamjen e Dajtit nga kryeqyteti, kur ky mal të shëmbëllen me një gamile të shtrirë, (mali me kurrizin e tij) dhe maja, si koka e kësaj gamileje. Kurse ne as që na lejohej jo më të shtriheshim, por as të qëndronim.
Vazhduam kështu deri sa arritëm në afërsi të Qafë Mollës, fshatit të parë pas Dajtit, kur kishte kaluar mesnata. Unë me shokë të batalionit të tretë, ishim shkëputur nga kompanitë e tjera. Ishim të kapitur e të qullur djersë, sepse çuditërisht, ndonëse ndodheshim mbi 1000 metra mbi nivelin e Tiranës, ende nuk bënte ftohtë. Befas nëpër terr sytë na pikasën një shtëpi të vetmuar anës rrugës automobilistike, thuajse e rrënuar dhe e pabanuar.
Bashkë me vëllanë tim e shokë të tjerë u futëm brenda. Dritaret e dhomave nuk kishin xhama, por ne aq na bënte. Pas më shumë se 10 orësh marshimi, kur nuk kishim pasur veçse dy pushime,(mbase ishte dhënë urdhër edhe për pushime te tjera, po kush e mori vesh në atë zallamahi që përfshiu marshimin), ne u shtrimë si mundëm, që të paktën të bënim një sy gjumë. E dinim ndërkohë që shokët e batalionit tonë, që ishte i treti, ishin diku vërdallë dhe se edhe ata po pushonin. Megjithatë, gjumi nuk na zuri. Ç’është e vërteta edhe kishim një çikë frikë. Ç’do të na thoshin komandantët kur të merrnim vesh se ishim shkëputur nga trupat?
E MARTË, 30 JANAR 1979
Mëngjes. Ne nuk mundëm të flinim edhe për një arsye tjetër. Pas mesnate, të shtrirë ashtu siç ishim, nisëm të ndienim të ftohtë, që sa vinte shtohej. Ndaj, pa aguar mirë, u ngritëm dhe bëmë drejt rrugës për t’u bashkuar me shokët me të cilët kishim humbur lidhjet. Dhe bëmë mirë, se ndërkohë disa oficerë po na kërkonin nga të mundnin dhe po të na kishin pikasur, të shtrirë sa gjerë e gjatë në shtëpinë e braktisur, mund të na gjente belaja me ta. Por, nuk ishim vetëm ne që “ishim shkëputur nga grigja”.
Në përgjithësi, tërë rezervistët e batalionit të tretë ishin shpërndarë si të mundnin. U mblodhëm të tërë dhe një oficer madhor na qortoi rëndë. Madje ai e cilësoi batalionin tonë, “batalioni i zi”, i cili po njolloste traditat e mira të Brigadës së Parë. Dhe të themi atë që është për të thënë, ai kishte të drejtë. Ne, sado pa përvojë, në këtë pikë e kishim shkelur. Thuajse që të gjithë. Ndaj heshtëm. Bile, disa nga ne premtuan se këto nuk do të përsëriteshin. Por nuk ndodhi kështu. Shthurja do të vazhdonte edhe më shumë gjatë marshimit. Por këtë radhë jo më për fajin tonë.
NGJITJA DREJT BIZËS
Mëngjesi i saj dite qe mjaft i bukur. Lamë pas Qafë Mollën, një fshat me shtëpi të veçuara dhe morëm drejt lindjes. Sipas itinerarit kaluam rrugën automobilistike dhe iu qepëm një kodre të thiktë, e cila më pas do të na nxirrte përsëri në rrugë. Siç duket, për të kursyer kohë. Por qe një ngjitje tepër sfilitëse, se kishim mbi shpatulla çantën e shpinës me ushqime, pushkët e pajimet ushtarake e mbi të gjitha, nuk ishim fare të përgatitur fizikisht për një aksion të tillë.
E të mendosh se ende nuk kishim arritur në zonën e dëborës, ku marshimi do të ishte ku e ku edhe më i vështirë. Duke marshuar pastaj përsëri përgjatë rrugës automobilistike, lamë pas Malin me Gropa. Diku nga e majta ishte Fekeni, një tjetër fshat, ku ishte vendosur një repart i vogël ushtarak e pastaj niste një fushëtirë e blertë. Marshuesit përsëri nisën të hallakaten e të ndaheshim nga njeri-tjetri. Kur kërkonim që pushimi të zgjatej ca më shumë, oficerët nuk na linin.
PRAGMBRËMJE E VËSHTIRË
Dhe ja, kur mesdita ishte thyer, nisi të shfaqej edhe dëbora. Shtresa e saj, ende e hollë, i ngjante një pëlhure të stërmadhe dhe të shqyer mbi kurrizin e copëzuar malor. Të vinte keq kur shihje atë dëborë të brishtë që dukej se do të tretej nën rrezet e diellit. Por ne ende nuk e dinim se sa mizore dhe e pabesë do të na shfaqej ajo disa kilometra më pas, kur po arrinim në zonën e Malësisë së Martaneshit, siç thashë më sipër, rreth 2000 metra mbi nivelin e detit.
E kjo do të bëhej edhe më kërcënuese, kur hijet e para mbrëmësore do të ndereshin mbi shpate e maleve e doemos, edhe mbi ne që vazhdonim këtë marshim. Atëherë kur nuk ishin bërë veçse disa kilometra rrugë, këmbët tona nisën të shkelnin mbi dëborë. Ndërkohë qielli po terratisej nga re të dendura, duke paralajmëruar keqësimin e motit dhe temperatura po ulej. Veç kësaj, nga malet zuri të frynte një erë cingëruese që na mavijoste fytyrat. Për më tepër, ca nga makinat që kishin kaluar gjatë ditës, ca dhe nga këmbët tona që shkelnin mbi dëborë, rruga filloi të bëhej e dystë, e lëmuar dhe mbi të gjitha, e rrëshqitshme, si të ishte pistë patinazhi. Dhe befas, u dëgjua një klithmë. Morëm vesh se ishte rrëzuar një zboristi dhe kishte thyer një krah.
Atëherë vazhduam marshimin duke lidhur krahët e njeri-tjetrit, që kështu të mos rrëzoheshim. Megjihatë, më pas një tjetër zborist ra nga një urë e vogël në një përrua dhe për fat të mirë dëmtoi vetëm supin. Më së fundi, kur kishte rënë mbrëmja arritëm në Martanesh. Përmes territ të dendur mezi shquanim disa shtëpi të kredhura në heshtje…Mbase ata që banonin kishin rënë të flinin ose nuk dëgjonin zërat tanë. Nuk dinim si do ta kalonim atë natë të gjatë ftohëse. Më pas mësuam se sipas udhëzimeve të eprorëve tanë, ne duhej të ndiznim zjarre partizane dhe kështu të pritnim mëngjesin e së nesërmes. Drurët do të na I sillnin me makina ushtarake.
Por ne nuk pamë asnjë makinë të na sillte dru. Kështu disa zboristë që kishin marrë me vete copa të mëdha plastmase të rrasura në çantat e shpinës, ashtu siç ishin të dërmuar nga lodhja, u shtrinë në dëborë dhe u mbuluan me to. Por, pa kaluar disa minuta, një nga komandantët iu kanos me zë të lartë: “Shpejt më këmbë…A nuk e kuptoni se në gjumë do të ngrini dhe do të vdisni!”. Dhe ata ashtu bënë. Vrisnim mendjen se si do ta kalonim atë natë polare. Dikush më tha se ca më tutje ishte një tunel I vogël. Unë im vëlla, Luani dhe dy shokë të tjerë, u sulëm andej nga ky tunel shpresëdhënës. Sapo u futëm brenda tij, na rrahu fytyrat një ajër disi I ngrohtë dhe na u duk se gjetëm shpëtim. Shpresë e kotë, se kur u shtrimë, ndjeva se si në shpina po më ftohej. Vura dorën poshtë dhe gishtat më prekën një rrëke uji që rridhte ngadalë nëpër atë tunel. Kështu që nuk mundëm të flinim.
U përpoqëm të ndiznim në zjarr, por ishte e pamundur, se pse na duhej një sëpatë që të copëtonim një trung të madh mbetur kushedi se si brenda tunelit, kur im vëlla kishte vetëm një brisk të vogël. Në atë gjendje shumë të rëndë, kur i ftohti po shtohej, pritëm të zbardhte dita agimin. Na u duk se pritëm një ditë të tërë. Atëherë dolëm nga tuneli dhe pamë se pranë një ngrehine ishte ndezur një zjarr i madh. U afruam rreth tij si të tjerë dhe ndjemë të nxehtit të na përplasej në faqet tona të rreshkura. Aty morëm vesh se komanda kishte dhënë urdhër që zboristët ta kolonin natën në sallën e kinemasë së Martaneshit. Ata kishim kaluar natën të ulur në karriget e kinemasë ose të shtrirë në dyshemenë e ftohtë prej çimentoje të saj. Por të paktën brenda katër mureve, mbuluar me tavan ,kurse për ne dhe të tjerë që ishin hallakatur diku për të gjetur si ne ndonjë vend sa për të mbuluar kokën, komandantët tanë ,as që e kishin bërë qejfin qeder
Atëherë pasi kishim ngrënë për dy ditë ushqimet tona, ata të komandës, na dhanë bukë që thuajse kishte ngrirë, djathë kaçkavall dhe nga dy kutia me sardele për çdo njërin nga ne. Ndërkohë, qielli ishte mbuluar me re të murrme, që edhe ato dukeshin si të ngrira, si ne duke na krijuar një gjendje të trazuar shpirtërore, si të parandienim se më të keqen kishim përpara.. Kudo rreth e qark na rrethonte dëbora…Nisëm kështu marshimin, sërishmi marshim nëpër rrugën me dëborë, ku rridhnin rrëke ujërash gurgulluese, për të arritur në Fushë Studion. \
Çuditërisht, në vend të urisë kisha etje. Pija herë pas here ujë nga këto rrëke dhe më dukej se lehtësohesha. Tutje rrugës shtriheshin pyje pishash që dukeshin të vetmuara me dege ku rëndonte dëbora. Ato më shëmbëllenin si balerina të ngrira dhe majat e tyre si kokëza që sikur i luteshin qiellit t’u shkrinte dëborën nga krahët… Kur pushonim bashke me vëllanë nga i cili nuk ndahesha, ndjenim që tabanët e këmbëve na dhembnin. Kjo për fajin tonë, sepse nuk i kishim lidhur mirë pecet në këmbë, ashtu siç na kishin porositur oficerët. Vëllai im, që vuante nga stomaku nisi të villte dh mezi mbahej më këmbë. Normalisht, ai nuk duhej të ecte por ne deri atëherë dhe më vonë nuk pamë ndonjë ambulancë që të vihej në shërbim të zboristëve që mund të sëmureshin. Kështu duke e mbajtur nga krahët, unë nga një anë dhe një shok nga ana tjetër, bëmë përpara. Anës rrugës nisëm të shihnin kodrina hirplote që në muzgun që po na mbulonte na shëmbëllenin si shtëpiza dhe na lindte dëshira që të futeshim shpejt në to për t’u ngrohur…
Por, ato nuk ishin veçse mirazhe, si në tregime të Xhek Londonit. Në horizont si yll polar pamë të ndriste një llambë elektrike. Aty duhej të arrinim . Porsa po i afroheshim saj llambe, ajo sërishmi na largohej. Ishin iluzione optike.. Kaluam kështu disa orë tashmë nëpër terr dhe arritëm aty ku shndriste kjo llambë, varur mbi hyrjen e një tuneli me diametër më të lartë se shtati i një njeriu, kishim arritur kështu më së fundi në Fushë-Studën. Nga tuneli thuajse i zhytur në errësirë spërndritnin cigare të ndezura dhe dëgjoheshin zërat e tyre të zvargur. Në atë mjedis të akulluar duhej të kalonim dhe një natë tjetër. Befas nëpër errësirë nisa të shquaj siluetën e një shtëpie alpine, me çati të pjerrët ku zakonisht banojnë rojtaret e pyjeve. Mora vesh se në dhomat e saj ishin vendosur vajza zboriste dhe sipër ndihmësmjeke. Takova një nga mjekët dhe i thashë gati me lutje përgjëruese nëse mund të kaloja natën bashkë me vëllanë tim të sëmurë që mezi mbahej më këmbë në dhomën me ndihmës mjekë. Rastisi të ishte tifoz futbolli dhe më njohu si komentator dhe pranoi.
Vizitoi me këtë rast dhe vëllanë që pas të vjellave ndjehej më mirë. Pas pak u ndodhëm në një dhomë të madhe në mes të së cilës ngrihej një fuçi e mbushur dinga plot me prush. Ndjemë se po na shkriheshin gjymtyrët e ngurtësuar. Gjeja e parë që bëmë ishte të hiqnim pecet nga këmbët të hanim pecet e qullosura nga ujët dhe dëbora që kishin depërtuar nga këpucët. Pastaj, vumë çantat e shpinës si nënkresë palltot ushtarake si mbulesë dhe bëmë gjumë si rrallë herë në jetën tonë. U zgjuam në mëngjes dhe pamë një diell të ndritshëm, që më kujtoi vargjet e eposit të kreshnikëve, “Fort po shndrit ai diell, por pak po nxen”. Por, sidoqoftë ndjeheshim të përtërirë. Kurse shokët tanë kishin kaluar një natë të llahtarshme në tunel pa mundur të mbyllnin sytë. Morëm vesh se në Fushë Studion do ta kalonim ditën dhe natën dhe të nesërmen me një mësymje, për të cilin ata të komandës nuk na kishin sqaruar, do të mbyllnim marshimin. Po si do ta ngrysnim natën, kur toka ishte mbuluar me një shtresë dëbore rreth një metër Me lopatat që ishim pajisur nisëm të gërmonim dëborën derisa hasëm në tokë.
Krijuam një sipërfaqe katrore në tokë dhe mure prej dëbore që të na mbronte nga erërat që mund të frynin gjatë natës, si të na kishin armiq. Ndezëm një zjarr të madh me degë pemësh që kishte përreth dhe aty kaluam atë natë gjatë duke vështruar herë pas here qiellin ku llamburitnin yjet që na dukeshin se na vështronin me përgjërim, sikur të na qanin hallin për mynxyrën që na kishte goditur. Mu kujtua romani “Edhe yjet rrinë e vështrojnë” i Kronint, që e kisha lexuar dikur netëve pranë sobës së ngrohtë. Askush nga ne nuk vuri gjumë në sy. Dhe ishte nata e katërt. Në mëngjes panë se këpucët që i kishim hequr për të ngrohur këmbët në zjarr, kishin ngrirë dhe nuk i mbathnim dot. Për të qeshur dhe për të qarë. I vumë pranë zjarrit që po shuhej, i mbathëm dhe dolëm nga “streha” ku kishim kaluar tërë natën. Asnjë nga komandantët tanë nuk pamë të na afrohej dhe të na pyesnim si po ndjeheshim.
MËSYMJA..
Po çfarë mësymje dhe kundër kujt? Pyeta një oficer që e njihja, po ai ngriti supat…Që të mos zgjatem, aty nga mesdita na urdhëruan të viheshim në vijë të drejtë në fushën e gjerë, me sa mbaj mend dëgjuam një krismë pistolete dhe u sulëm teposhtë… Vazhduam kështu arritëm në një fushë të sheshtë. Aty na urdhëruan të pushonim dhe pastaj të ngjiteshim sërishmi për të arritur aty ku ishim nisur. Ashtu bëmë…ndonëse ngjitja ishte shumë e vështirë. U ndodhëm kështu në Fushë-Studën. Atëherë, morëm vesh se marshimi kishte përfunduar me këtë sulm i magjinar.
Nga Veli Haklaj
-“Qytetarja Emine Kolimja (Gishti), banore e lagjes ‘Hazinedare’, Elbasan, i ankohej Prefekturës, se çdo natë u shkonin ndër shpija, fuqia civile, me ç’nderue dhe për me vjedhë”-
Objekt i këtij punimi, që do të publikohet për lexuesin, është pasqyrimi i disa aspekteve të realitetit të përjetuar në Qarkun e Elbasanit, gjatë periudhës së pushtimit gjerman. Në fokus të punimit, do të jenë raportet e qytetarëve me organet e pushtetit civil dhe ushtarak në këtë qark, si dhe problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive të ‘Ballit Kombëtar’, që vepronin në Qarkun e Elbasanit dhe strukturave të pushtetit qendror dhe lokal. Do të pasqyrohet informacion me interes dhe për ballafaqime ushtarake mes fuqive të armatosura që vepronin në këtë qark. Në këtë punim, në varësi të çështjeve që trajtohen, ka të dhëna me interes dhe për qarqet e tjera kufitare me Qarkun e Elbasanit.
Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, me të dhëna të shumta autentike për struktura, organizata dhe persona, për implikimet e tyre negative apo pozitive. Hartat ilustruese janë marrë nga libri Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.
Fuqitë e Ballit Kombëtar, marrin përsipër atributet e autoritetit qeveritar
Më 25 janar 1944, Qark-Komanda e Elbasanit i raportoi Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë mbi ndërhyrjet e komandantit të fuqive të ‘Ballit Kombëtar’ në Librazhd, Isak Alla, në kontrollet e makinave që kalonin për në Korçë, duke zbuar patrullën e xhandarmërisë. Qark-Komanda e Elbasanit, theksonte se; “Isak Alla njihej mirë si person plaçkitës dhe, si i tillë, fuqija e tij e ai vetë në atë qytet, kishin bamun shumë plaçkitje manifature e sende të ndryshme, përpos 2 mijë frangave Shoqnisë ‘Saide’ dhe aq të tjera një farë Mir Gjikës, tregtar”.
Nga këto veprime, tregtarët të dëshpëruar ishin shtrënguar të mbyllnin dyqanet. Ndërkohë, edhe Rrethi i Shijakut, raportonte se fuqia e ‘Ballit Kombatar’ e atjeshme, ishte duke bërë; “kontrolle shtëpijash tue tërhjekë dhe konfiskue çdo material, pa dijeninë dhe bashkëpunimin me xhandarmërinë e vendit”. Nisur nga këto ngjarje që raportoheshin, Qark-Komanda e Elbasanit, kërkonte nga autoritetet qendrore, që t’u njoftohej se cili do të ishte qëndrimi i xhndarmërisë në raste të tilla. Për ngjarjet e mësipërme, më 3 shkurt 1944, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, njoftoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Situatë më e rënduar në këtë drejtim, paraqitej në Rrethin e Peqinit.
Më 12 shkurt 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, se një fuqi e Organizatës së “Ballit Kombëtar”, e destinuar në Peqin, e kishte veshur veten me të gjitha atributet dhe kompetencat që do të ushtronte autoriteti qeveritar, aq sa xhandarmëria e atjeshme dhe organet e tjera shtetërore, nuk ishin aspak në gjendje të ushtronin detyrat e tyre dhe për këtë, gjendeshin të ofenduara e të diskredituara para popullit. Faktikisht, Komanda e “Ballit Kombëtar”, në Peqin, kishte marrë përsipër të gjitha shërbimet e rendit publik, administrativ dhe gjyqësor, funksione këto që ia kishin bërë të ditur popullit, me shpallje publike nëpër mure. Me shpallje të tilla të publikuara, Komanda e “Ballit Kombëtar” në Peqin, i kishte lënë të lirë popullit shitblerjen e artikujve të monopolizuar, gjë që vlerësohej se i shkaktonte dëm të madh arkës së shtetit. Megjithëse xhandarmëria vazhdonte të qarkullonte në shërbime për sigurimin publik, por nuk ishte aspak e lirë të kapnin një fajtor, sepse do të gjendeshin të penguar menjëherë nga një fuqi tjetër, “Ballit Kombëtar”, që “arreston faj e pa faj persona të dyshimtë, rrahë, torturon, plaçkit, përvetëson të holla e sende të tjera dhe mandej i lirojnë, kështu që çdo fajtor nuk ka si paguan para drejtësisë veprën e tij, por në një mënyrë ose në një tjetër mbetet i lirë”.
Në përfundim të këtij komunikimi zyrtar, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, i lutej Ministrisë së Punëve të Brendshme; “që të provokohet një ndërhyrje dhe një rregullim i kësaj gjendjeje që asht në dëm të madh të prestigjit qeveritar, mundësisht me largimin s’andejmi të njerëzve drejtues të organizatës në fjalë, të cilët si shihet i shërbejnë vetëm interesave dhe ambicieve të tyne, se sa qëllimit të lartë për të cilin duhet të veprojnë”. Por situata në Rrethin e Peqinit, vijonte të ishte problematike. Më 25 mars 1944, nënprefekti i Peqinit, Riza Ferri, informoi Prefekturën e Elbasanit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, se Komiteti Krahinor i “Ballit Kombëtar” kishte transportuar sasi të konsiderueshme ushqimesh në drejtime të ndryshme, gjë kjo që kishte vazhduar me kohe, gjithnjë duke gjurmuar tregjet më të favorshme, pa marrë fare parasysh se ku çohet. Nënprefektura e Peqinit, në mungesë të forcave të xhandarmërisë, s’kishte mundur t’i ndalonte dhe as që mund t’i ndalonte, sepse s’kishte fare postbllok. Sipas nënprefektit Ferri, Komiteti i Vlorës ishte kujtuar shumë vonë (të kërkonte sasinë e nozullimeve për popullatën e Vlorës), mbasi vazhdimisht e pa pushuar kishte vazhduar transporti i drithit nga agjentët e autorizuar nga Komanda e “Ballit Kombëtar”. Edhe në informacionin e datës 2 mars 1944, Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, informoi Prefekturën e Elbasanit, mbi pengimin që vullnetarët e Komandës Nacionaliste i bënin Armës së Xhandarmërisë.
Megjithëse titullari i asaj Prefekture, në çdo rast kishte këshilluar komandantët e vullnetarëve, për t’i dhënë ndihmën e tyre Armës së Xhandarmërisë, por kishte ndodhë dhe vazhdonte të ndodhte e kundërta, aq sa autoritetet drejtuese të Xhandarmërisë së Elbasanit, kishin qenë të shtrënguara të urdhëronin xhandarmërinë, për procedim e rreshtim të civilëve që kishin guxuar apo do të guxonin të ndërhynin në detyrat e xhandarmërisë. Në informacionin për Prefekturën e Elbasanit, theksohej se; “Kjo Fuqi Civile, nuk bën asgjë këtu në qytet në të mirën e shërbimit dhe si mbas informatave që kemi nga Komanda Gjermane, edhe përsa i takon veprimit të jashtëm ushtarak, nuk janë treguar në lartësinë e duhur”! Nisur nga situata e krijuar, Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, i lutej prefektit që të urdhëronte ku duhet për shpejtimin e dërgimit në Elbasan, të Fuqive të Armës së Xhandarmërisë, “që kështu t’u jepet fund dallavereve bashibozuke”. Për këto zhvillime, u vunë në dijeni edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë.
Ankime të qytetarëve për veprime abuzive
Më 28 mars 1944, zejtarë të ndryshëm të Elbasanit, i drejtuan një lutje Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ankoheshin për mos likuidim llogarish nga ana e “Ballit Kombëtar”. Ndërkohë grabitjet e segmenteve të “Ballit Kombëtar” vazhdonin në forma të ndryshme. Fetah Kazadej dhe Arif Çerema, banues në Elbasan, vinin në dijeni Ministrinë e Punëve të Brendshme, se prej tre muajsh më parë kishin filluar të furnizonin Komandën e “Ballit Kombëtar” të Elbasanit, me mish që kapnin një shumë prej gjashtëdhjetë mijë frangash. Në këtë kohë, nevojat kishin qenë të mëdha dhe të dy qytetarët theksonin se kishin qenë të detyruar nga nevoja e rrethanave, të plotësonin kërkimin e bërë prej Komandës së “Ballit”. Në kohën e porosisë, si edhe më vonë, i ishin adresuar Komandës së “Ballit Kombëtar”, por e drejta e tyre nuk ishte likuiduar.
Nisur nga sa më sipër, ata e konsideronin të natyrshme dhe të drejtë që këto të drejta të padiskutueshme, t’u njiheshin dhe të hollat që përfaqësonin sende të marrura për interes të shtetit, t‘u paguheshin prej fondeve që do të shihej e arsyeshme nga Komanda e “Ballit Kombëtar”. Sidoqoftë, për likuidimin e të drejtës së tyre qytetarët Kazadej dhe Çerema, e linin në fuqinë e Ministrisë së Brendshme, për të përcaktuar autoritetin që do t’i paguante. Më 4 prill 1944, qytetarja Emine Kolimja (Gishti), banore e lagjes “Hazinedare”, Elbasan, i drejton një letër Prefekturës së Elbasanit, ku i parashtron se; qysh me ardhjen e fuqisë civile të armatosur, nuk shkonte natë, pa u shkuar në shtëpi fuqia civile, jo vetëm në shtëpinë e ankueses, por në çdo shtëpi të lagjes “Hazinedare”, orar mbas orari, biles shumë herë u kishte takuar rasti të çoheshin nga gjumi, në mes të natës. Sipas ankueses, “qëllimi i tyre ndër shtëpia, është vetëm për me ç’nderue dhe për me vjedhë”. Meqenëse sjelljet e personave civilë që hynin me zor ndër shtëpia po u shkaktonte prishjen e qetësisë dhe frikësimin e gjithë lagjes, Emine Kolimja i lutej autoriteteve të Prefekturës që të kishin “mirësinë me dhanë urdhrat e duhuna Komandës ku ata m’varen, që të ndalohen të përmendurit në hymjen e shtëpijave që po bëjnë”.
Një ditë më pas, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, i përcolli letrën e qytetares Emine Kolimja Zyrës Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke theksuar se “të tilla sjellje shnderuese, vjedhje, vrasje e hymje me zor natën ndër shtëpia janë bë përditë dhe përsëriten nga fuqia e Xhafer Balit”.
Në informacionin e Prefekturës së Elbasanit, theksohet se civilët e armatosur që merreshin me të tilla sjellje ishin të komanduar prej Xhafer Balit që figuronte edhe si kapiten i Armës së Xhandarmërisë. Sipas informacioneve të sigurta, Xh. Bali nuk bënte pjesë në “Ballin Kombëtar”, veçse paraqitej si i tillë, duke pasë kontakt të ngushtë me komandat e ndryshme gjermane të Elbasanit dhe nuk linte “gjë pa krijuar kundër qytetarëve e personave të ndershëm, me qëllim dallavere personale”.
Më tej, prefekti Shehu shkruan se “këtij bukuroshi, kjo prefekturë me anën e fuqisë së Armës së Xhandarmërisë, do t’i tregonte vendin që meritonte, porse përkrahja e ekzagjerueme që i bâhet nga komandanti gjerman Langer, na ndalon nga çdo veprim legal, që duhet të marrim si kundër Xhafer Balit, ashtu edhe kundër fuqisë civile të armatosur, dipenduese prej tij”. Duke u nisur nga interesi i përgjithshëm për rregullin publik, prefekti Shehu, i kërkonte Ministrisë së Brendshme, që Xhafer Bali të mos qëndronte më në Elbasan dhe të dispononte urgjent masat e nevojshme për largimin e tij prej këtij qyteti, pasi vazhdimi i qëndrimit të tij në Elbasan, konsiderohej “në kundërshtim të plotë me interesin e vendit, e sidomos për prestigjin qeveritar”.
Por veprimet abuzive të pasuesve të Xhafer Balit, vijuan dhe më pas. Më 14 prill 1944, Muzafere Ypi, e shoqja e Bexhet Ypit, nga Elbasani, i drejtoi një letër Prefekturës së Elbasanit, ku ankohet kundër adjutantit të Xhafer Balit, pse i kërkonte kësaj kontributin, që i ishte caktuar të shoqit të saj. Në letrën e zj. Ypi, theksohet se; një nga komandantët e “Ballit Kombëtar”, z. Jorgji Mema, e kishte thirrë që të paraqitej në banesën e tij private, në një hotel të këtij qyteti, për të paguar kontributin që i ishte caktuar të shoqit, si shumë banorëve të tjerë të qytetit të Elbasanit. Zj. Ypi nuk kishte kundërshtuar për kontributin e caktuar burrit të saj, por ankohej pranë Prefekturës së Elbasanit, se për pagimin e kontributit thirrej ajo, një grua, kurse duhej të thirrej burri i saj, që ishte prezent, nga ana e Komitetit të “Ballit Kombëtar”. Zj. Ypi i lutej Prefekturës, që të demarshoj ku duhet që ta lenin të qetë në shtëpinë e saj, “mbasi në këtë rast, kontributet u janë caktue burrave dhe jo grave”. Brenda ditës, letra e Muzafere Ypit, iu përcoll nga Prefektura e Elbasanit Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shtohej se; “të tilla vepra, kanë lidhje me dallaveret personale të të quejtunit Jorgji Mema, që është mosketjer i Xhafer Balit”.
Ankime ndaj veprimeve të Rinisë së Ballit Kombëtar
Më 6 prill 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Ministrinë e Brendshme, mbi formimin e një Komande Rinie në Elbasan, nën varësinë e të quajturit Shyqyri Biçaku (djali i Dervish Bej Biçakut). Sipas këtij informacioni rezervat, “kjo komandë kishte mbledhur në gjirin e saj persona të rinj, të degjeneruar, që me gjithë moshën e tyre të vogël, kishin ndryshuar shumë herë opinion”. Si prototipa të tyre, paraqiteshin Cen Graceni dhe Shefqet Ibrahimi, komunistë të rrezikshëm, që në kohët e fundit, kishin pasë vrarë Koço Nikon, me urdhër të Partisë Komuniste dhe që më parë kishin qenë shpërndarës traktesh. Gjithashtu, ishin inkuadruar në këtë komandë edhe Ali Abazi, ish-agjent kuesture në Berat, ku kishte pasë abandonue detyrën dhe për disa muaj rresht, kishte bërë pjesë në çeta partizane komuniste, si edhe Qamil Arapi, më parë komunist e më vonë spiun i Gestapos, e që për grabitje të hollash në popull, në emër të Komandës Gjermane, kërkohej nga strukturat e xhandarmërisë së Elbasanit, për procedim.
Për personat e përmendur që kishin qenë më parë komunistë, Prefektura e Elbasanit, i kishte dhënë komandantit të kësaj Rinie dhe instruksione që t’i shfrytëzonte për të treguar elementin komunist të qytetit dhe, nëse komandanti nuk do të ishte në gjendje që të përfitonte prej tyre, kishte kërkuar që ata persona, t’i dorëzoheshin xhandarmërisë që me masat e saj administrative do të mund të zbulonte prej tyre, deri dhe persona me interes shumë të madh për rregullin publik. Në informacionin e Prefekturës së Elbasanit, nënvizohej se duke qenë se personat që bënin pjesë në komandën e lartpërmendur, ishin kush më pak e kush më shumë, të kategorisë së përmendur më sipër, nuk kishte mundësi në asnjë mënyrë, që të pritej prej tyre shërbim serioz dhe i ndershëm, e “sidomos kur ata vepronin në emër të Rinisë Nacionaliste, kështu që për çdo natë bëhen përkufizime nëpër banesa, merren njerëz të pafajshëm, mbahen në burg dhe mandej lirohen”. Shpesh herë kishte ndodhë që kishin “marrë edhe vajza njëzetë vjeçare natën dhe, siç kanë qenë me teshat e fjetjes, i kanë mbajtur deri në mëngjes e mandej i kanë liruar”.
Për të gjitha këto vepra që bënin, Komanda e Rinisë as që pranonte edhe një këshillë të vetme nga autoriteti lokal dhe jo më që të vinte në dijeni autoritetin. Për të gjitha këto, Prefektura e Elbasanit, kishte njoftuar edhe Komandën Gjermane.
Në informacion theksohet se; djemtë e Dervish Bej Biçakut, kishin dalë në skenë me urdhërin e atit të tyre dhe vepronin pikërisht sipas udhëzimeve të Xhafer Balit, i cili qëndronte në Elbasan, në përkrahje të Komandës Gjermane dhe për të siguruar interesat e tij materiale, në kurriz të popullit: “1) se vepron në emër të “Ballit Kombëtar”, por “Balli Kombëtar” nuk e njeh; 2) se vepron në emër të nacionalizmit e prandaj gjoja edhe në favor të qeverisë, por qeveria as që e njeh fare, tue veprue ashtu si e do interesi i tij”. Si në komunikimin e një dite më parë (5 prill), prefekti Shehu i lutej Ministrisë së Brendshme, të bënte çmos për largimin e Xhafer Balit prej Elbasanit, meqë qëndresa dhe vepra e tij konsideroheshin në kundërshtim të plotë me politikën qeveritare dhe ndodhja e autoriteteve të Prefekturës aty, në vend që të paraqiste qeverinë me dinjitet, bëhej qesharake për ditë e më tepër, para opinionit publik të Elbasanit.
Veprime të konsideruara të paligjshme u kryen nga të vetëquajturit “Rinia Balliste” dhe ndaj bashkëshortes dhe vajzave të arsimtarit të nderuar Aleksandër Xhuvani. Për ngjarjet e ndodhura, ai, duke shmangur autoritetet e pushtetit lokal, iu drejtua më 6 maj 1944, me një letër drejtpërdrejtë ministrit të Punëve të Brendshme, Xhafer Deva. Nisur nga rëndësia e informacionit që përcjell, por dhe në respekt të Prof. Dr. Xhuvanit, letrën e Tij, po e japim të plotë në vijim, duke ruajtur gjuhën e dokumentit.
Zoti Ministër,
Po marr lejen t’i kallëzoj Zotnisë s’uej, nji ngjarje që ka ndodhë n’Elbasan në familjen t’eme:
Më 26 të muejit që kaloi, kishin vojtë në shtëpinë t’eme n’Elbasan, disa djelm t’armatosun dhe kishin kërkua të zanë dy gocat e mija, Iolandën dhe Semiranin, të kallzueme si komuniste. Këta ishin dërgue prej Reshatit, të birit të Dervish Beut, që ka përvehtësue titullin e Kumandantit të vetëquajtunës “Rinisë balliste” t’Elbasanit. Vajzat nuk i kishin gjetë aty, por iu kishin kanosë me të shame e të brituna, grues s’ime, për të dorëzue vajzat që i donte kumandanti i tyne, se për ndryshe, mund ta pushkatojshin dhe atë. Tre muej ma parë, Xhafë Bali me të tjerë katundarë t’armatosun, erdhën natën në shtëpinë t’eme n’Elbasan dhe zunë gruen me vajzën dhe i burgosën dhe mbas dhetë ditësh i lëshuen. Tash prapë vijnë vijnë njerëzit e të vetëquajturës “Rini balliste”, njerëz privatë, pa ndonjë cilësi zyrtare, gjind rropulli e gërdhajë dhe i marrin fytyrën grues, tue e kërcnue e tue e shamë.
Zoti Ministër, gjithë nënshtetasit janë të detyruem t’u shtrohen ligjeve, t’u binden urdhnavet të Qeverisë, të gjykohën drejtësisht prej saj, në qofshin fajtorë, e t’i ndihin në veprën e saj të mëkëmbjes e të rindërtimit të Shtetit. Por asht nji dhun’ e madhe kundra prestigjit e fuqisë qeveritare, që disa djelmosha, lapërdharë e bixhozçi, të zëvendësojnë pushtetin qeveritar, të burgosin e të marrin nëpër këmbë prindë e familje, pse fëmijët e tyne kallzohen prej spiujsh të poshtër, si komunista. Ndër ata që gërthitshin e shajshin gruen t’eme, u njoftën njifarë Haxhi Ymeri e Sulë Kadeshi dhe veç të tjerave, i kishin thanë: “jeni Serbë e Grekë”.
Zoti Ministër, si nënshtetas pa njollë e si arsimtar i vjetër, që ma tepër se askush tjetër kam dhanë ndihmesën t’eme të vogël, me shumë vepra shkollore, për naltësimin e arsimit kombëtar, si në kohë të robnisë turke, si në kohë të lirisë së kombit, unë protestoj për këtë dhunë që m’asht ba prej njerëzish të shkarzyem moralisht, që duen të shfryjnë pasionet e tyne e të marrin nëpër këmbë njerëz të ndershëm e puntorë, që nuk kanë qenë parazitë, por e kanë fitue bukën me djersën e ballit.
Ju lutem, z. Ministër, që të jepet urdhën për t’u hetue çâshtja e të mirren masa ndëshkimore kundra atyne rrugaçave, që kanë randue familjen t’eme, e kundra të vetëquejtunit kumandant të tyne, që quhet Reshat Bej Biçaku.
Tiranë, 6/V/1944
Me nderime të posaçme
(Aleksandër Xhuvani)
(firma)
Tre ditë më pas, më 9 maj 1944, Ministri i Punëve të Brendshme, i drejtoi një shkresë rezervat në formë urdhri Prefekturës së Elbasani, duke i bashkëngjitur dhe kopjen e parashtresës së z. Aleksandër Xhuvanit. Në shkresën e ministrit të Brendshëm theksohet: “Tuej marrë parasysh veprimet e një veterani t’Arsimit Kombëtar, i cili, pa ndie lodhje e debulesë për mbarëvajtjen e arsimit, ka punue me të gjitha fuqitë e tij për rimëkëmbjen e Shqypnisë sonë, e cila, në pikëpamje të arsimit, ishte krejtësisht poshtë në krahasim me shtetet e tjera, e sot në pleqësi e sipër, në vend që të ketë nder e mbrojtje, jo vetëm se nuk përkrahet prej rinisë por, çka asht ma tepër, po prej kësaj dishirohet që të shtypet e përse, kjo nuk mund të dihet. Na vjen shumë keq kur dëgjojmë veprime të tilla, që kryhen prej organeve të ‘Ballit’, pse kështu traditat shekullore të fisit tonë, merren nëpër kambë e hudhen mbas shpine, gja që e kemi pasë ma të shenjtë.
Asht e tepërt të shkojmë ma gjatë, mund ta kuptojnë vetë ajo prefekturë rëndësinë e çështjes. Prandaj, për sa na është parashtruem, kërkojmë që të bâni hetime dhe të na shpjegoni imtësisht rrjedhimin e atyne ngjarjeve e njëkohësisht ju porosisim që t’i ndaloni në mënyrë kategorike ato lloj veprimesh të Ballit t’atyshëm, mbasi në këtë mes diskretitohet dhe Qeveria Shqyptare”. Në përgjigje të këtij urdhri të ministrit, më 15 maj 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, se me marrjen në dorëzim të urdhrit të sipërm, titullari i kësaj prefecture, thirri menjëherë në zyrë Reshit Biçakun, të vetëquajtunin komandant të Rinisë së ‘Ballit’ në Elbasan dhe i kërkoj shpjegime për sa ankohet në lutjen e vet z. Aleksandër Xhuvani, por i përmenduni z. Reshat Biçaku, mohoi kategorikisht që ai të kishte dërguar djem të armatosur në shtëpinë e lutësit, për të zënë gocat e tij dhe kishte deklaruar se këto veprime të paligjshme, mund të jenë bërë prej ndonjë personi tjetër, nga të vetëquajturit komandanta të ‘Ballit’. Megjithëkëtë, prefekti e këshilloi të përmendurin, që të mos përsëriteshin më të tilla veprime, prej cilitdo që vepronte në këtë mënyrë.
Në përgjigjen e tij, prefekti Shehu, sqaron se Prefektura e Elbasanit, deri atë ditë nuk ishte vu në korrent prej të interesuarve, për veprimet ilegale të rëndueme mbi familjen e z. Aleksandër Xhuvani, me qëllim që të dispononte kundër autorëve, “në mos masat e duhuna (për shkak të rrethanave të kohës), të paktën të bënte këshillimet e duhuna dhe të raportonte atë ministri, siç ka raportuar me shkresa të ndryshme ngjarje të tilla analoge”. Me këtë rast, prefekti Shehu, shtonte se Prefektura e Elbasanit, nuk kishte munguar kurrë që t’i raportonte Ministrisë së Brendshme (citohen pesë shkresa), për veprime të tilla të jashtëligjshme, të shkaktuara në këtë qytet prej të famshmit Xhafer Bali, i cili për veprat e tij, mbiquhej prej autoriteteve të Elbasanit “Isa Toska nr. 2”, si dhe për mosketjerët e tij, Jorgji Mema e shokë, por kundër të cilëve, siç dihej, nuk kishin pasë mundur me marrë masat ligjore, për shkak të rrethanave të kohës dhe as që mund të vepronin në bazë të dispozitave ligjore, për deri sa vazhdonte kjo gjendje. Memorie.al
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet