VOAL

VOAL

555 vjet MA PARË, VDIQ GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU- Nga Fritz RADOVANI

January 7, 2023
blank

Komentet

blank

La Tribuna (1927) Leninizmi, fashizmi, militarizmi dhe Shqipëria në deklaratat e neobolshevikut imzot Fan Noli në Moskë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Dhjetor 2023

“La Tribuna” ka botuar, të martën e 15 nëntorit 1927, në ballinë, një shkrim rreth vizitës së Fan Nolit asokohe në “Kongresin e Miqve të BRSS-së në Moskë” dhe deklaratave të tij në shtypin rus, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

blank

Kongresi i Miqve të BRSS-së

Leninizmi, fashizmi, militarizmi dhe Shqipëria në deklaratat e neobolshevikut imzot Fan Noli

Moskë, nëntor.

Pasi përfunduan festimet jubilare të 10 vjetorit të bolshevizmit, Moska po përgatitej të mirëpriste një ngjarje të re dhe të papritur : “Kongresin e Miqve të BRSS-së”. Ideja i atribuohet delegacionit anglez, i cili erdhi në Moskë me rastin e festimeve jubilare. Qëllimi i Kongresit është “të shqyrtojë mjetet për mbrojtjen e Bashkimit Sovjetik kundër sulmeve të imperialistëve”.

Moska i kushton shumë rëndësi këtij fakti të ri. Para së gjithash — thuhet këtu — ky Kongres do të bëjë të mundur zhvillimin e një programi të tërë dhe hartimin e mjeteve më të mira për të ushtruar një veprim “të kombinuar” dhe “kolektiv” kundër imperializmit luftarak.

Ndër të tjera, ai do të lejojë njohjen e ndërsjellë dhe një afrim shumë të dobishëm ndërmjet përfaqësuesve të proletariatit të të gjitha vendeve, të bashkuar nga lidhja “shpirtërore” e parimeve të revolucionit të tetorit.

Kongresi i Miqve të BRSS-së në Moskë do të shërbejë — dhe ky duket të jetë rezultati kryesor i pritur — për të shkatërruar, midis punëtorëve të racave, kombësive dhe kontinenteve të ndryshme, ato barriera që do të ngrinte borgjezia dhe që reformistët do t’i përforconin, barriera që do të përbënin një pengesë shumë më të madhe për fitoren e revolucionit punëtor se sa topat dhe bajonetat e ushtrive borgjeze.

Moska parashikon një sukses të madh dhe beson se nga “Kongresi i Miqve të BRSS-së” duhet të nxjerrë një armë shumë e fuqishme, si për mbrojtjen e saj, ashtu edhe për qëllimet e revolucionit proletar botëror.

Entuziazmi me të cilin ideja do të ishte mirëpritur nga të gjitha delegacionet e shumta të huaja — të ardhura këtu me rastin e jubileut — do të siguronte rezultatet më të mira.

Ndër ata që folën në solemnitetin e 10-vjetorit të “Kongresit të Miqve të BRSS-së” përfshin edhe “Imzot Fan Nolin”, ish-Presidentin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Ai duket të jetë një nga miqtë dhe mbështetësit më aktivë dhe më “të bindur” jo vetëm të BRSS-së, por edhe të komunizmit sovjetik.

“Imzot” Fan Noli ka dhënë një intervistë për shtypin rus, e cila sqaron këndvështrimin e tij. Në të, pasi kishte thënë frazat e zakonshme në përdorim dhe të detyrës kur dikush është mysafir në një vend të huaj, ai foli për mundësinë e “Kongresit të Miqve të BRSS-së” dhe rezultatet e pashmangshme që ai do të duhet të japë. “Pjesëmarrësit e këtij Kongresi, pasi të kthehen në vendet e tyre, do të mund t’u tregojnë masave punëtore se cili është drejtimi i vërtetë i politikës së BRSS-së; dhe do të demaskojnë makinacionet kriminale të imperialistëve, me qëllim përgatitjen e një lufte të re”.

BRSS-ja duhet të përqëndrohet në “agjitacionin e anëtarëve të Kongresit” për të fituar simpati të reja.

Por më e rëndësishmja e deklaratave të tij bëhet për “fatin” e Shqipërisë.

“Imzot” Fan Noli tha : “Populli shqiptar ka simpati të madhe për BRSS-në. Ai e di se çlirimi i Shqipërisë është i mundur vetëm nëpërmjet federatës ballkanike të republikave punëtore-fshatare, sipas shembullit të BRSS-së. Por nuk është në interesin e Fuqive imperialiste të lejojnë formimin e një federate të fortë dhe të lirë ballkanike.

Prandaj imperialistët po i zmadhojnë me të gjitha mënyrat dallimet kombëtare në Ballkan. Nuk mund të flitet për perspektiva të ardhshme revolucionare në Shqipëri për sa kohë që pranë saj ekziston Italia fashiste apo Jugostavia militariste, sepse një fitore e lëvizjes revolucionare në Shqipëri do të provokojë padyshim ndërhyrjen e këtyre forcave reaksionare. Por pakënaqësia e përgjithshme e popullsisë së këtyre vendeve jep arsye për të llogaritur ekzistencën e shkurtër të regjimeve të tyre politike. Me eliminimin e kësaj pengese të jashtme, ideja e një federate ballkanike të shteteve punëtore dhe fshatare bëhet një realitet i gjallë.”

Nuk e dimë se sa e ka marrë dhe do ta marrë seriozisht Moska — që di të peshojë gjithçka — “bolshevizmin” e Fan Nolit; por “akrobacitë” e tij të lehta, sigurisht, duhet të kenë ngjallur habi, nëse jo admirim të përgjithshëm.

Në fakt, karriera e tij ishte e shpejtë : nga monsinjor në kryeministër, nga kryeministër në emigrant, nga emigrant në bolshevik, dhe më pas ? A do të ndalet këtu karriera e monsinjorit ? Lehtësisht po, nëse shpresa e tij e vetme është të rikthehet në pushtet si kryetar i Këshillit të “Komisarëve të Popullit”.

Është një çështje “parimesh”.

Por Fan Noli së pari pret fundin e Fashizmit.

Dhe thjesht pret. Është punë e tij.

PIETRO SESSA

blank

Dëshmia rrëqethëse e gjeneralit të njohur për dajën e Mirush Kabashit: Si i ekzekutuam dhe groposëm Skënder Çelën dhe Mark Toçin

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, dy të rinjve komunistë drejtues të Rinisë Antifashiste në qarkun e Durrësit në periudhën e pushtimit Italian të vendit dhe më pas me funksione drejtuese si kuadro në brigadat partizane, të cilët pas mbarimit të Luftës, drejtuan për disa kohë organizatën e Rinisë Antifashiste të qytetit bregdetar, hynë në konflikt me krerët kryesorë të Partisë Komuniste në Tiranë, ata ishin kundër diktatit që vinte nga “qendra”?! Si filloi eliminimi i tyre pasi ata nuk “reflektuan” edhe pas këshillave të Nako Spiros dhe Teodor Hebës, si dhe presioneve të Ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes, që e thirri në zyrë Skënderin dhe teksa rrotullonte revolverin në tavolinë në shenjë presioni, i kërkoi që të tërhiqej nga rruga e tij?! E gjithë historia e tyre tragjike që nga transferimi fillimisht në Konispol e Leskovik , dhe më pas duke i mobilizuar si ushtarë në Qarkun e Korçës, ku sipas dëshmisë së gjeneral-major, Baki Starja, më 26 dhjetor të vitit 1946, me urdhër të Koçi Xoxes, gjeneral-major Beqir Balluku dhe kolonel, Panajot Plaku, përkatësisht komandant dhe komisar të Divizionit të Korçës, i morën Skënderin dhe Markun të lidhur në “Chevrolet”-in e tyre dhe i dërguan në buzë të liqenit të Pogradecit, ku dhe i ekzekutuan me disa plumba në kokë! Dëshmia e Bajram Vulës në Kongresin e parë të PKSH-së, në 1949-ën, lidhur me vrasjen tragjike të tyre, duke treguar se me urdhër të Koci Xoxes, të nesërmen ai me Beqirin dhe Panajotin kishin shkuar përsëri në vendin e ekzekutimit, për t’i zhvarrosur dhe groposur më pas diku në një vend tjetër në anët të rrugës nacionale në Qafë-Plloçë…?!

Nga Dashnor Kaloçi

Ishte fund dhjetori i largët i vitit 1946. Një “Chevrolet” i vjetër çante mes për mes errësirën e natës nga qyteti i Korçës për në Pogradec, me destinacion në kallamishtet buzë liqenit. Në automjetin e zi, udhëtonin pesë njerëz: Panajot Plaku, Beqir Balluku, Bajram Vula dhe dy të tjerë që qëndronin të lidhur me pranga në portobagazhin e “Chevrolet”-it. Fare pranë buzës së ujit disa krisma armësh përzihen me zhurmën e dallgëve të liqenit dhe gjithçka mbulohet me një vello misteri…

 

Kush ishin ekzekutorët?

 

Kjo ngjarje misterioze do të zbardhej pjesërisht disa vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe e plotë vetëm pas shembjes të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe hapjes së arkivave. Në atë makinë udhëtonin “dy armiq të Partisë Komuniste”, si dhe tre ekzekutorët, që më vonë edhe ata do pësonin të njëjtin “fat” me viktimat e tyre të asaj nate të turbullt dhe pa hënë. Beqir Balluku, atëherë Komandant i Divizionit ushtarak të Korçës, vite më vonë ministër i mbrojtjes dhe zv/kryeministër (deri sa u pushkatua në vitin 1974, i akuzuar si kryetar i grupit puçist në ushtri). Panajot Plaku, Komisar i Divizionit dhe më vonë zv/ ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër pa Portofol, e anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së (i shpallur më vonë si kundërshtar politik i Enver Hoxhës, i cili mundi të shpëtoj nga hakmarrja e tij vetëm pasi u arratis jashtë Shqipërisë), dhe Bajram Vula, Komisar i Regjimentit II-të, të atij Divizioni.

blank

Kush ishin viktimat?

Dy personat e lidhur me tel ishin Skënder Çela, sekretar politik i celulës komuniste të fabrikës së Cigareve ”Stamles”, në periudhën e pushtimit Italian të vendit, si dhe Mark Toçi, një ndër organizatorët e të parave demonstrata antifashiste të gjimnazistëve të Shkodrës. Skënderi ishte njëri nga ata që luftoi me armë në dorë në 7 prill të vitit 1939 në Bestrovë të Vlorës ku asokohe kryente shkollën Tregtare. Një ndikim të madh në formimin e Skënderit dhe Markut kishte padyshim miqësia që ata kishin me Shefqet Bejën dhe Enver Sazanin dy eksponentë të lartë të Lëvizjes Antifashiste dhe më pas në Kryesinë e Këshillit të Frontit Demokratik e deputetë të Kuvendit Popullor, të cilët në vitin 1947 do të shpalleshin “armiq të popullit” dhe do të dënoheshin me vdekje, të akuzuar si krerët kryesorë të “Grupin të deputetëve”.

Në vitin 1943, Skënderi me Markun drejtonin grupimet antifashiste të rinisë punëtore të qytetit të Durrësit, kryesisht Fabrikën e Cigareve, “Stamles” dhe portit detar. Në sajë të atij aktiviteti, së bashku dhe me Drita Malilen dhe Hysen Ballhysën, u bënë katër eksponentët kryesor të Lëvizjes Antifashiste të rrethit të Durrësit.

Pas demonstratës të 1943-it, Skënderi me Markun u arrestuan nga autoritetet italiane duke u konsideruar si persona tepër të rrezikshëm dhe u nxorën para gjyqit dhe pas marrjes së dënimit ata u dërguan në burgun e Tiranës. Pasi vuajtën disa kohë në atë burg, ata mundën të lirohen që andej me ndërhyrjen e Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Pas daljes nga burgu ata nuk mund të ktheheshin më në qytetin e tyre dhe dolën në mal në radhët partizane. Skënder Çela u caktua në Batalionin Krujë-Ishëm dhe më vonë në Brigadën e 23-të Sulmuese që operonte në rrethin e Krujës, kurse Mark Toci, në Batalionin e tretë të Grupit të Pezës. Që nga ajo kohë e deri në mbarimin e Luftës që ata ishin në radhët partizane, kryen detyra të ndryshme si kuadro drejtues të atyre formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu. Akoma pa mbaruar mirë Lufta, nisur edhe nga fakti se ata kishim mbaruar Shkollën Tregtare, në nëntorin e 1944-ës, me kërkesën e përfaqësuesve të Durrësit, Marku dhe Skënderi thirren dhe vihen në shërbim të pushtetit lokal të sapo krijuar në qarkun e Durrësit. Kështu pa u shkëputur nga puna me rininë durrsake, Skënderi drejtonte Seksionin e Ekonomisë dhe të Punëve Botore, kurse Marku ato të Financës dhe Kulturës.

blank

Rebelimi dhe konfliktet me udhëheqjen e PKSH-së

blank

Gjatë asaj periudhe që ata të dy punuan në ato sektorë si dhe rininë antifashiste të qytetit bregdetar, iu lindën konflikte të ndryshme pasi ata nuk mund të pajtoheshin me shumë udhëzime që iu vinin nga “qendra” si dhe diktatin që ushtrohej ndaj tyre për zbatimin e urdhrave dhe detyrave që vinin nga Tirana. Këto konflikte me “qendrën” u acaruan së tepërmi, sidomos pas zgjedhjeve për në organet drejtuese të Rinisë Antifashiste të Durrësit, ku ata ishin të zgjedhur. Të gjitha këto dhe problemet e tjera që kishin dalë në organizatën e Rinisë Antifashiste të atij rrethi, iu bënë menjëherë prezent udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste nëpërmjet Adil Çarçanit (ish-kryeministër i më vonshëm shqiptar në vitet 1982-1990), në atë kohë Sekretari i Qarkorit të PKSH-së për Durrësin, i cili në mes të tjerash i shkruante Komitetit Qendror dhe Enver Hoxhës: ”Në pas drekën e ditës së zgjedhjeve, shoku Koço Pepo sekretar i Komitetit të nënprefekturës, ka lajmëruar Skënder Çelën dhe Mark Toçin, se në orën katër do të ishte mbledhja e komisionit të agjit-propit ku bënin pjesë. Skënder Çela duke mejtuar se mbledhja e komisionit mos gjoja qe caktuar për të sabotuar vajtjen e atij në zgjedhjet e rinisë, i inatosur karshi Koço Pepos, i gërthet me gjaknxehtësi, duke i thënë pikërisht këto fjalë.”E di unë more Koço Pepo që ti i bën të gjitha këto për të sabotuar që unë të mos shkoj në zgjedhjet e rinisë, por unë do të shkoj se më do rinia. E shkon në zgjedhje”….

Letrat e Adil Çarçanit dërguar Enverit për veprimtarinë “Katërshes”

Çfarë kërkonin Skënder Çela me Mark Toçin që e detyruan Adil Çarçanin të vinte në “korrent” udhëheqjen e lartë të Partisë Komuniste dhe personalisht, Enver Hoxhën?! Si idealistë që ishin, Skënderi me Markun nuk mund të pranonin diktatin që ushtrohej nga “lart”, pasi ata ishin kundër centralizimit të tejskajshëm që po vihej re si në parti ashtu dhe në organet e qeverisjes, gjë e cila i shtyri ata të kundërshtonin dhe denonconin manipulimet që po bëheshin në procesin e zgjedhjeve të organizatës së Rinisë Antifashiste të Durrësit. Lidhur me këtë, në ditarin e tij, mes të tjerash, Skënderi shkruante: “Ne filluam një luftë parimore, kurse nga qendra nuk ishin të këtij mendimi”. Kështu, në veprimtarinë e tyre, përveç Drita Maliles e Hysen Ballhysës, ata u mbështetën edhe nga një grup i madh të rinjsh durrsak, i cili u konsideruar si ”Grupi i 47 të rinjve”. Kështu në kundërshtim të plotë me të gjitha porositë e udhëzimet e qendrës në zgjedhjet e Rinisë Antifashiste, në mbledhjen e organizuar në kinemanë e qytetit, populli kërkoi që Skënder Çela të ishte president i Rinisë për Durrësin. Në kundërshtim me kandidaturat e sjella nga qendra u zgjodhën dhe Mark Toçi dhe Hysen Ballhysa në zgjedhjet për pushtetin lokal, megjithëse “grupi të katërshes“, ju bë presion i madh që të mos vinin kandidaturat. Nisur nga fakti se ata nuk po “reflektonin” dhe po nuk zbatonin udhëzimet e porositë e “qendrës”, ndaj tyre filluan presionet që ata të tërhiqeshin. Kështu Skënder Çela thirret në zyrën e general-leitnant Koçi Xoxes (në atë kohë mbante postin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe sekretarit organizativ të PKSH-së) , i cili i bëri shantazhe dhe presion që ai të tërhiqte kandidaturën ku ishte zgjedhur. Lidhur me këtë takim, sipas disa dëshmive, Skënder Çela do t’u tregonte në koefidencë familjarëve të tij: “Ndërsa Koçi Xoxe më fliste, në tavolinë rrotullonte një revolver”!

Në Durrës për “dy rebelët” dërgohen Nako Spiro dhe Teodor Heba

Nisur nga fakti se organizata e Rinisë Antifashiste të Qarkut të Durrësit “po dilte nga binarët”, udhëheqja e lartë e PKSH-së, vendosi që atje të dërgonte si të deleguar, Nako Spiron dhe Teodor Hebën, dy nga kuadrot durrsakë më të lartë që kishte udhëheqja se PKSH-së. Nako me Hebën, e parandjenjë rrezikun që po u kanosej Skënderit dhe Markut, dhe ju bënë thirrje atyre që të tërhiqeshin nga veprimet e tyre dhe gjenin një mundësi të largoheshin nga ato detyra që mbanin, duke e kërkuar vetë atë gjë. Madje, po të ishte e mundur ta linin dhe Durrësin dhe të largoheshin që andej, duke kërkuar të shkonin me studime të larta jashtë Shqipërisë. Por ata të vendosur në idealet e tyre nuk e pranuan as “ofertën“ e Nakos, edhe pse ajo ishte mjaft dashamirëse. Ata ishin të vendosur në luftën e tyre të pa kompromis kundër diktatit që zhvillohej nga lart në Partinë Komuniste. Më pas, kurë vota e lirë dhe vendimi i zgjedhjeve nuk u zbatua dhe në organet drejtuese u vendosën njerëz të diktuar nga lart, Skënderi e Marku, të pasuar nga Hyseni e Drita, shpallën publikisht daljen nga Partia komuniste. Ky ishte një aktë i pashembullt dhe që ndodhte për herë të parë në radhët e kësaj partie. Dalja e këtyre publikisht nga radhët e Partisë Komuniste Shqiptare, i solli jo pak probleme dhe telashe udhëheqjes së lartë në Tiranë, pasi ata kishin dhe gëzonin një popullaritet të jashtëzakonshëm në qytetin e tyre, sidomos në radhët e organizatës së Rinisë Antifashiste. Po çdo të bëhej me ta? Eliminimi i tyre nuk mund të bëhej shumë lehtë, kur dihej përkrahja e madhe që ata gëzonin në qarkun e Durrësit. Gjë e cila u duk qartë më pas kur ata duke mos qenë fare në listat elektorale të përpiluara nga qendra, populli i votoi pa qenë prezent në sallë dhe duke fituar bindshëm me kandidatët e qendrës në raportet 5 me 1.

Qendra demaskon “tradhtarët” Çela dhe Toçi

Pas gjithë këtyre që po ndodhnin me dy “rebelët” durrsakë, duket se “qendra” në Tiranë e humbi durimin dhe vendosi të hartonte skenarin për eliminimin e tyre fizik, por fillimisht ata duheshin demaskuar. Kështu në Durrës, sipas porosive dhe udhëzimeve konkrete të ardhura nga Tirana, Adil Çarçani, Kiço Kasapi, Eleni Terezi,(Pashko) udhëzuan të bëheshin mbledhjet e celulave ku ata u shpallën armiq. Në mbledhjen e celulës së Komitetit Ekzekutiv, Drita Malile që ishte mbështetësja kryesore e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, u ngrit hapur kundra Kiço Kasapit, kur ai u shpreh se: “Skënderi me Markun ishin armiq”. “Ne, na ka zgjedhur populli me votë të lirë dhe në mënyrë demokratike”, u shpreh e revoltuar ajo në atë mbledhje. Por, pas demaskimit që i’u bë atyre si element armiq dhe antiparti, filluan dhe arrestimet. Në fillim u arrestua Drita me Hysen Ballhysën, të cilët u mbajtën për gjashtë muaj në qelitë e Sigurimit të Shtetit, ku nuk munguan as torturat ndaj tyre. Ndërsa duke parë reputacionin e madh që kishin në popull Skënderi me Markun, ata nuk u arrestuan menjëherë, por i transferuan larg Durrësit, duke i dërguar në Konispol dhe Leskovik. Po a kishte dijeni Enver Hoxha lidhur me sa po ndodhte me Skënder Çelën dhe Mark Toçin dhe a mund të dënoheshin ata pa miratimin e tij?! Kjo gjë konfirmohet qartë nga disa dokumente arkivore, ku në një fletore shënimesh të Enver Hoxhës, gjendet një listë e shkruar me dorën e tij, ku janë të shënuar 41 kuadro të qarkut të Durrësit, listë e cila i përket vitit 1943 dhe aty Skënder Çela figuron i treti pas Kozma Nushit dhe Telat Nogës (Heronj të Popullit). Për Skënderin, Hoxha ka vënë shënimin, “nënpunës, i qartë dhe i vendosur”. Kurse Mark Toçi në këtë listë figuron i 23-ti me shënimin: “nënpunës, i qartë, ambicioz”. Ky dokument është shkruar nga Hoxha në vitin 1943. Në këtë dokument emri i Markut figuron i nënvizuar…?!

Skënderi me Markun, thirren për shërbimin ushtarak?!

Në gusht të 1946-ës, Markun dhe Skënderin i thërrasin për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, gjë e cila për vetë ligjet e asaj kohe ishte një veprim i pa rregullt, pasi ata të dy kishin qenë partizanë, madje kuadro, me detyra drejtuese dhe nuk mund të mobilizoheshin tashmë si ushtarë të thjeshtë?! Transferimi i tyre në Konispol dhe Leskovik nuk ishte i rastësishëm, pasi sipas skenarit që ishte hartuar nga “lart”, atyre u “jepej” mundësia për ndonjë arratisje të mundshme, ku ndonëse gjatë gjithë kohës ishin të survejuar. Duke parë se kjo arratisje nuk u realizua dhe Skënderi me Markun nuk po binin preh e atij kurthi që u ishte organizuar, atëhere “skenari” për eliminimin e tyre ndryshoi dhe ata dërgohen si rezervistë në Qarkun e Korçës. Kështu Skënderi dërgohet në Divizionin e tretë (regjimenti i dytë), kurse Marku në të tretin. Disa kohë më pas, Skënderi transferohet në qytetin e Pogradecit. Lidhur me këtë, Petraq Laku, i cili ka qenë bashkë në një regjiment me Markun, në dëshmitë e dhëna për familjarët e tij shumë vite më vonë, kujtonte se atë fund dhjetori ai takohej pothuajse për ditë me të. Markun në atë kohë e tërheqin nga regjimenti, duke e veçuar dhe e ngarkojnë si përgjegjës të bibliotekës së regjimentit në Korçë, gjë e cila bëhej ndoshta për ta pasur nën kontroll? Petraqi dhe Marku janë takuar deri në ditën e Krishtlindjeve më 25 dhjetor kur papritur kanë takuar dhe Skënderin me të cilin kishin katër muaj pa u parë. Petraqi la takim me Skënderin të nesërmen, por ai nuk u duk as dhe dy tre ditët e tjera?! Më 29 dhjetor nuk u duk as Marku në takim?! “Më 1 janar, kujtonte Petraqi, në Korçën e mbuluar nga bora takova një shok nga Tirana (Adem Fagu) dhe më tha se Mark Toçi së bashku me një shok të quajtur Skënder Çela janë arratisur…?! Kjo gjë m’u duk e pabesueshme se ata i kisha aq shumë shokë, sa nuk mund ta bënin një gjë të tillë pa e ditur dhe unë”!

Kongresi i parë: Akuzat bien mbi Xoxen

Po ç’kishte ndodhur me Skënder Çelën e Mark Toçin dhe si qëndron e vërteta rreth misterit të tyre? Kjo gjë do të zbardhej pjesërisht vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare. Kështu pas eliminimet që Enver Hoxha i bëri bashkëpunëtorit më të ngushtë të tij që nga koha e Luftës, Koci Xoxes, të gjitha krimet, vrasjet, torturat, internimet dhe reperkusionet që kishin ndodhur deri në atë kohë, ai (Enveri), do t’ia ngarkonte atij, ndonëse siç do të dëshmonte Xoxe në deponimet e tij, ai çdo gjë e kishte bërë me dijeninë dhe aprovimin e “Komandantit”. Po kështu u veprua dhe me misterin Çela- Toçi. Në një nga seancat e Kongresit të parë të PKSH-së, Bajram Vula do të dëshmonte: ”Në qershorin e 1946-ës, kam qenë në pushim kur është bërë revizionimi në parti, atëherë dolën 27 anëtar antiparti, armiq të partisë. Kur u bë thirrja në ushtri, erdhën dhe dy prej tyre Skënder Çela dhe Mark Toçi. Në këtë kohë me 26.12.1947 ka ardhur Koçi Xoxe në Korçë për të punuar konventën ekonomike me Jugosllavinë. Po në këtë periudhë ka ardhur dhe Beqiri me Panajotin dhe më thanë të shkojmë në komandë. Ka qenë ora 11.00 e natës. I morëm të dy ushtarakët dhe i vramë. Të nesërmen shkuam dhe i fshehëm. Unë i thashë shokut Panajot që t’ua bëjmë gjyqin, të mbledhim ushtarët dhe pastaj t’i vrasim në sy të ushtarëve. Kjo vepër është vepër kriminale sepse këta janë vrarë pa ligje. Koçi me shokët e tij nuk kanë zbatuar urdhrat e Partisë. Unë nuk kam qenë i qartë për gjyqet e popullit. Unë si komisar Regjimenti nuk ndihem të kem faj në këtë vepër, prandaj faji parë është i Koçi Xoxes, i dyti i Beqir Ballukut dhe i treti imi. Por nuk më lë të qetë ndërgjegjja se Koçi nuk i vrau vetë, po me anë tonë”.

Ky është diskutimi i Bajram Vulës i mbajtur në Kongresin e pare të PKSH-së, kurse në një deklaratë tjetër të bërë prej tij pas shembjes së regjimit komunist (në vitin 1993) për të afërmit e tyre, ai e shtjellon më tej këtë çështje, ku midis të tjerash shton:

Nata e krimit, dëshmojnë autorët

“Më bëri përshtypje se Panajot Plaku nuk e kishte marrë shoferin, por e ngiste vetë makinën. Kur hipa në makinë pashë mbrapa Skënder Çelën dhe Mark Toçin të lidhur me litar. Pasi ndaluam makinën diku në breg të liqenit në qendër të plazhit të sotëm, Beqiri dhe Panajoti me shpejtësi I nxorën nga makina dhe i qëlluan disa herë me revolver. I ndodhur në befasi në këtë skenë, protestova për veprimin të paligjshëm duke iu drejtuar Panajotit se; veprime të tilla duhet të bëhen vetëm me vendime gjyqi. Ndërsa në momentet e mbulimit të kufomës me rërë, Beqir Balluku, i ekzaltuar u përgjigj se kishte një urdhër nga gjeneral Koçi Xoxe. Të nesërmen në darkë rreth orës 23.00, nga frika se do të zbulohej vendi, i morëm kufomat dhe i varrosëm në një cep të rrugës automobilistike para se të arrish në Qafë – Plloç, vetëm se këtë herë në vend të Beqir Ballukut, erdhi Baki Starja. Unë dhe Bakiu hapëm një gropë dhe mbuluam kufomat, kurse Panajoti ndriçonte vendin me dritat e makinës”.

Kështu në atë fund të dhjetorit të 1946-ës, me urdhër të Koçi Xoxes, Skënder Çela dhe Mark Toçi u pushkatuan prej Beqir Ballukut, Panajot Plakut dhe Bajram Vulës në Pogradec.

Dëshmitë e fundit: Krimi zhvarroset

Ndërsa në një dëshmi tjetër që bën fjalë për këtë ngjarje të dhënë për familjarët e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, ish-shefi i Stërvitjes i Regjimentit të Pogradecit në atë kohë, Baki Starja, (më pas gjeneral-major), thuhet se: ”Më ka ardhur Panajot Plaku duke më thënë se: ‘Sot do të zhdukim kufomat e dy armiqve që i kemi vrarë mbrëmë, detyra është shumë sekret dhe duhet konspiracion i madh’. Nga mënyra se si m’u komunikua detyra, mendova se kishim të bënim me një detyrë shumë të rëndësishme, ku nuk përjashtohej mundësia që pas kryerjes së detyrës mund të më zhduknin dhe mua për të humbur gjurmët, prandaj mora me vete revolverin të mbushur plot me fishekë. Në vend ngjarje shkuam unë dhe Bajram Vula, ai me një lopatë xheniere më tregoi vendin ku ishin kufomat. Pas ç’varrosjes, unë njoha menjëherë Skënder Çelën se ishte rezervist në repartin tonë dhe një tjetër më të dobët dhe më të gjatë. Të dy kufomat që ishin goditur disa herë prapa koke me plumba, menjëherë i ngjitëm në “Chevrolet”-in e Panajotit, i cili nuk doli për asnjë çast nga makina. Makinën e ndaluam në Qafë – Plloç dhe duke shfrytëzuar një transhe të luftës italo-greke, bëmë varrosjen e kufomave. Panajoti rrinte përsëri në makinë duke na ndriçuar vendin me dritat e makinës. Unë e njihja personalisht Skënderin në regjiment, ku ngrinte probleme që ishin në kundërshtim me vijën e partisë… Mua nuk më është dukur asnjëherë e drejtë vrasja e tyre, pavarësisht se kisha rezervat e mija për ta”.

Hoxha eliminon autorët e krimit

Duke parë dëshmitë dhe dokumentet e mësipërme që hedhin dritë mbi misterin “Çela-Toçi”, duket qartë se udhëheqja e lartë e PKSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, shihnin tek ata dy djem të rinj komunistë idealistë, dy kundërshtarët politikë, që mund t’u sillnin”telashe” të mëdha sistemit autoritarist që ata po instalonin në Shqipëri, gjë e cila kishte filluar që nga periudha e Luftës. Vetë angazhimi i krerëve kryesorë të atij regjimi për eliminimin fizik të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, e konfirmon dhe e tregon më së miri këtë gjë. Një fakt tjetër që e bën më bindës këtë ngjarje, janë edhe një sërë dokumentesh të gjendura në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit, që hedhin dritë “mbi veprimtarinë tepër të rrezikshme të Skënder Çelës si iniciator i krijimit të Partisë Social Demokrate, i nxitur dhe përkrahur nga mësuesi i tij, që ai e kishte si idhull, Skënder Luarasi dhe miqtë e tij Shefqet Beja dhe Enver Sazani”. Nga të gjithë njerëzit e tij të ngushtë që Hoxha përdori për eliminimin fizik të Çelës dhe të Toçit, vetëm Adil Çarçani mundi t’i shpëtonte dorës së tij të hekurt. Kështu siç dihet tashmë, në periudha kohë të ndryshme ata patën një fat tragjik duke rënë viktima e idealit të tyre që përqafuan që në rininë e tyre, si: Nako Spiro, Koçi Xoxe, Panajot Plaku, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu etj. Kështu në vitin 1975 njëri nga ekzekutorët e Çelës e Toçit ish-nën-kryeministri dhe ministri i mbrojtjes Beqir Balluku do të shkonte po në mesnatë po në atë fshehtësi drejt vdekjes, por këtë radhë jo në rolin e ekzekutorit si dikur me Çelën e Toçin, por këtë radhë në atë të viktimës.

Në Qafë- Plloçë pak metra anës rrugës nacionale, koha ka mbuluar me mister eshtrat e Çelës e të Toçit. Me gjithë dashamirësin e njërit nga personazhet e kësaj ngjarjeje të largët Baki Starjes që shkoi disa herë aty, ato varre akoma nuk janë gjetur…?! Ndërsa edhe Baki Starja është ndarë prej kohësh nga kjo jetë, dy nipat e Skënder Çelës, Mirush Kabashi (aktori i madh) dhe Ylli Rusi, si dhe vëllai i Mark Toçit, (Vangjel Toçi), edhe pse u endën për shumë vite duke shpresuar të gjenin atje vend-groposjen e dy njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo gjë akoma nuk është bërë e mundur…?! Por në shenjë të kujtimit të tyre dhe asaj ngjarje që iu mori jetën, nga viti 2011, ata kanë ngritur një memorial të vogël, mbi të cilin herë pas here gjendet ndonjë tufë me lule…

blank

“Udhëheqësit e partisë duhen vrarë”, revolta e kapterit të policisë që e çoi në litar: Kur të jem roje, mendoj t’i vë zjarr Komitetit dhe të arratisem në Greqi

Drama e tragjedi pafund përmban historiku i Sigurimit të Shtetit i regjimit komunist. Mjaft prej tyre janë zbardhur së fundi në studimin e Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të Sigurimit “Zhdukur – Sigurimi në fjalët e veta, 19 degë Sigurimi, 3299 jetë, 1 histori”.

I mbështetur në prova e dokumete autentike dhe në “Historikun e Sigurimit të Shtetit”, për periudhën 1944-1990, studimi në fjalë sjellë një panoramë të veprimtarisë ogurzezë të ish-policisë sekrete që fuksionoi si një mekanizëm represiv me natyrë antinjerzore për gati gjysëm shekulli, ku përfshihen 19 degët e Sigurimit të Shtetit, të rretheve Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnje, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë. Gazeta boton sot një pjesë nga historitë e shumta të këtij botimi interesant të degëve të Sigurimit të rretheve Kolonjë dhe Lezhë…

KOLONJA

Historiku i Sigurimit të Shtetit në Kolonjë është një prej më të “pasurve” me ngjarje, “grupe armiqësore”, “tradhtarë” e “agjentë të zbulimit grek”, që përndiqen për një kohë të gjatë, nga më shumë se një bashkëpunëtor, madje edhe në rrugë të gjata, Ersekë-Tiranë.

Në disa raste përdoren “kombinacione”, term që Sigurimi e përdor kur ngre gracka dhe vë në provë ata që i cilëson të dyshimtë. Në një rast, është një paketë cigaresh me mbishkrim grek, që nis “përpunimin”, vënien në ndjekje të të dyshimtëve. Në raste të tjera, vijnë dëshmi se për ata që janë arrestuar në mënyrë sekrete, përhapet hala se janë me studime në Moskë, ose janë thirrur për punë në Tiranë.

Midis dëshmive, është edhe ai i ekzekutimit të tre të rinjve, në tentativë arratisjeje. Të vdekur në burgje, të vrarë në kufi, në disa raste jepen në historikun e Sigurimit Kolonjë, me lehtësinë e padurueshme të një suksesi. Numri i madh i ngjarjeve, i të arratisurve, i atyre që shpalleshin armiq a, që arrestoheshin si grupe të zbulimit grek, apo anglo-amerikan, lidhej edhe me shtrirjen e gjerë kufitare, të zonës së Kolonjës me Greqinë.

Edhe në Kolonjë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, fillimisht puna e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, pararendëses së Sigurimit të Shtetit, ishte drejtuar në evidentimin dhe eliminimin e atyre që cilësoheshin “kriminelë lufte”, më pas objekt i përndjekjes, u bënë të gjithë ata që refuzonin “parajsën shqiptare”. Në vitet 1949-1955, me gjithë goditjet dhe përndjekjet e që iu bënë armiqve të pushtetit nga Sigurimi, ky i fundit, pranon se rreth 60 veta, u arratisën nga rrethi i Kolonjës për në Greqi.

30 PUSHKATIME PAS LUFTE

Në kuadër të kapjes së “kriminelëve të luftës”, herë nëpër rrethe e, herë në radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare, ku kishin tentuar “të fshihnin gjurmët” dhe që e kishin kryer aktivitetin në rrethin e Kolonjës, pas lufte, Sigurimi pranon se u gjykuan dhe u dënuan 70 “kriminelë lufte”, prej të cilëve u pushkatuan 30, si “kriminelë”: Veli e Teki Meçe, Dalil e Seit Tare, Qazim Maluka, Izet Sako, Qemal e Emurilla Burimi, Beçe e Lilo Mino, Seit Dosti, Zini Isaj, Ahmet, Ibrahim e Enver Noku, Qani Kaleci, Zenel Xhomaqi, Syrja Kajmaku, Medi Baçi, Mydin Saliko, Sefer Meçe, etj.

ARRATISJA E “MALIT TË VASHËS”

Kur në gusht 1949, Jugu ishte në alarm për shkak të përplasjeve shqiptaro-greke në kufi, i arratisuri Safet Malushi, rikthehet nga Greqia në fshatin Taç të Kolonjës. Në shtëpi e pret babai, Mehmeti dhe vëllai, Ganiu, sekretar i Organizatës bazë të Partisë. Ndonëse sekretar partie, për dy ditë, Ganiu mbledh 17 veta, që donin të arratiseshin. Pak kohë para se ata të niseshin për të kaluar kufirin, Sigurimi i vënë në dijeni, mbërrin në vendgrumbullim. 8 vetë arrijnë të çajnë rrethimin mes armëve dhe të arratisen, e mes tyre Ganiu. Sigurimi arrestoi atë natë dhe të nesërmen, 9 vetë, dikë në shtëpi e dikë në rrugë, përfshirë babain e Ganiut, Mehmetin.

U vra në përpjekje vetëm një nga anëtarët e grupit, për të cilin nuk jepet emër, ndërsa 3, u tërhoqën në bashkëpunim, nga të cilët edhe “Këshilluesi”, ai që i nxori në pritë. Vihet në dukje se të arratisurit e këtij grupi, u bënë “diversantë”, ndërsa Gani Malushi që vepronte me Hamit Matjanin, u kap bashkë me të dhe u pushkatua. Mes emrave që bashkëpunonin me të arratisurit, doli edhe ai i P. K., të cilin Sigurimi e rekrutoi me pseudonimin “Mali i Vashës”. Veçse për ta, “Mali i Vashës”, doli zhgënjim. Pas dy-tri takimeve më operativin, ai u arratis në Greqi, duke u kthyer në problem të vazhdueshëm për Sigurimin.

GJURMA E GJAKUT

Më 1958, një grup shqiptarësh të arratisur që kishin rihyrë brenda kufirit shqiptar, përplasen me forca e Sigurimit dhe ka të një plagosur. Pasi njoftohet punëtori operativ, kërkohet të ndiqet “gjurma e gjakut”, që i çon deri në Postenan. Në fshat, Sigurimi kërkon ndihmën e bashkëpunëtorit të vet, Th. B., që mbante pseudonimin “Rrushi i ëmbël”. I biri i Thomait, Kristo ishte pjesë e organeve të Sigurimit, ndërsa dy djemtë e tjerë, ishin të angazhuar në ushtri dhe pushtet. I plagosuri, sipas Sigurimit, ishte P. K. dhe Th. B., bëri gjithçka për ta fshehur, ndërsa e kishte strehuar në bodrum. Th. B. doli të ndiqte gjurmën e gjakut bashkë me bashkëpunëtorin tjetër Th. V., infermieri që e mjekoi të plagosurin dhe sipas Sigurimit, “therën natën një këndez dhe me anën e pikave të gjakut të këndezit, e nxorën gjurmën e gjakut në drejtim të fshatit Termisht të Përmetit”.

“ARMIKU, ËSHTË BABAI I MIKUT”

Është viti 1951, kur tre të rinj nga Taçi i Ersekës, vendosin të arratisen, kur kuptojnë se pushteti nuk do të rrëzohet dhe se ata nuk mund të bëjnë asgjë, për ta shtyrë drejt rrëzimit. Fakri Demir Tafo, Qemal Dalip Kalo e Kalo Lamçe Isaj, gabojnë vetëm në bisedat që bëjnë me kushërinjtë e shokët. E dhëna e parë për të rinjtë, iu dha Sigurimit nga agjenti “Ziçishti”, që planin e tyre e mësoi nga i biri, me të cilin kishte biseduar një nga anëtarët e grupit, sepse e kishte kushëri të parë. Bashkëpunëtori, pasi largoi të birin nga grupi, njoftoi Sigurimin, që vuri në ndjekje të tyre agjentin “Telemaku”, i cili i nxori të rinjtë në pritë. Ditën e arratisjes, ndërsa të rinjtë u përplasën me forcat e Sigurimit, “Telemaku”, u largua nga prita. “Asgjësimi u bë si rezultat i kundërshtimit për t’u dorëzuar dhe këmbënguljes për t’u arratisur dhe me përdorimin e armëve, evitoi djegien e bashkëpunëtorit”, shkruhet në Historikun e Sigurimit Kolonjë.

“TRADHTIA E TË DYMBËDHJETËVE”

Sigurimi i Shtetit pretendon se në qershor të vitit 1957, nën emrin “Sillogu Vorio Epirot për Leskovikun”, u themelua një organizatë tradhtare, që përmes zbulimit të të dhënave me karakter ushtarak dhe akteve të terrorit, të arrinte në fund kryengritje antikomuniste në Shqipëri, në kuadër të komplotit të Teme Sejkos. 4 mbledhje në 2 vite dhe më shumë se 20 anëtarë, por Sigurimi, ende nuk kishte asnjë informacion sepse, siç shprehet, “ndikonte negativisht agjentura tradhtare e Sigurimit”. Nga 29 persona që u arrestuan si pjesë e këtij grupi, nga raportimet e “Ftoit”, “Bregut të Borshit”, “Mollës”, “Shegës së Malit”, “Hënës”, 12 prej tyre, ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit. Mes bashkëpunëtorëve të Sigurimit që dolën tradhtarë, ishin; K. B., Th. V., Dh. P., J. B., Z. P., oficer në Sarandë, Th. Th., J. R.. Nga këta të pushkatuar: Th. B., J. R. dhe K. K.. Sigurimi shënon në historik se në fillim, raportimet u morën me rezervë, pikërisht se përfshinin këta bashkëpunëtorë tradhtarë.

HISTORIA NDRYSHE

Çobani që sfidoi Sigurimin, Foto Basho, çoban vlleh tërhiqet në bashkëpunim nga Sigurimi i Shtetit, duke qenë se kishte lidhje të shumta në Greqi, me çobanë shëtitës. Shpesh, Sigurimi e çonte me detyrë në tokën greke dhe, për të mbuluar detyrat, i jepej kullotë për bagëtinë në afërsi të kufirit. Aktiviteti i tij jashtë vendit ishte jashtë kontrollit, por te Sigurimi, ai nuk kishte krijuar dyshime.

Në vitin 1956, Foto Bashos i jepet kullotë, si gjithnjë, pranë kufirit në malin e Gërmenjit, me gjithë fisin. Aty familjarizohet me “shokët” e kufirit dhe të Degës. Kjo i krijonte mundësinë të mos ndalohej, të shkonte në çdo vend pa u ndalur. “Ai e kishte bërë zakon të ftonte në stan dhe të gostiste me mish të pjekur, kuadro të ndryshme të rrethit. Një natë para se të arratisej, kishte thirrur për darkë, kryetarin e Degës, sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit”. Të gjithë vajtën për darkë. Të nesërmen, Foto Basho, arratiset nga Kolonja për në Greqi. Çobani u largua me 59 vllehë, 900 krerë bagëti dhe 40 kafshë ngarkesë.

“Këto të dhëna për ekzistencën e grupit të Korçës, agjenti ‘Dhoga e Shelgut’, mundi t’i mësonte brenda 20 ditëve të janarit. Bashkëpunëtori ‘Dhoga e shelgut’, kishte iniciativë të tepruar dhe shpesh vepronte pa i dhënë detyrë organet e Sigurimit”.

“Organet e Sigurimit në rreth, janë ndeshur gjatë kësaj periudhe me një veprimtari të gjerë të elementit armik, për t’u arratisur jashtë shtetit. Kjo është e lidhur me propagandën borgjeze e revizioniste, mbi gjoja jetën e mirë në vendet kapitaliste e revizioniste të Europës Lindore, duke i paraqitur këto vende, të ‘bollëkut’ dhe të ‘lirisë’, kurse vendit tonë, duke i vënë epitete të ndryshme, me anën e të cilave duan të errësojnë sukseset kolosale që ka arritur Shqipëria”.

Fshatrat kufitare me punë agjenturiale “Organet e Sigurimit, duke njohur qëllimet e armikut të jashtëm dhe atij të brendshëm në drejtim të banorëve të zonës kufitare, gjithmonë kanë organizuar punën agjenturiale, në përshtatje me specifikën dhe veçoritë që ka puna armiqësore në fshatrat e zonës kufitare. Aty kanë ngritur rrjetin e bashkëpunëtorëve më të dendur”. (faqe 213 e Historikut të Sigurimit, Kolonjë)

“Udhëheqësit e partisë e pushtetit duhen vrarë. Kur të jem roje, mendoj t’i vë zjarr Komitetit të Partisë dhe të arratisem në Greqi”, citim i kapterit të policisë, Naun Jorgji, në Kolonjë, më 1958, i vënë në ndjekje nga Sigurimi, si pjesë e grupeve armiqësore.

LEZHA

“Do të punoj me mish e me shpirt për organet e Sigurimit të Shtetit, për të zbuluar armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm dhe këtë e formulonte më në fund, se, do të punoj deri në vdekje”. Në fillimet e Degës së Sigurimit të Shtetit në Lezhë, kjo ishte deklarata që nënshkruanin bashkëpunëtorët. Historiku i Sigurimit të Lezhës, që e kishte nisur jetën me “miq personalë”, të cilët kishin dhënë prova besnikërie, me mbledhjen e informacioneve nga populli, në zyrtarizimin e vet, bashkëpunëtorët i numëronte me gishta, jo më shumë se 3-4.

Ndërsa ngazëllimit të fitores të luftës dhe shpresave, ia lë vendin, fuqizimi i një pushteti që zbulon grupe armiqësore, banda, kriminelë lufte dhe tradhtarë, duke e shtrirë rrjetin e informimit, sa mes barinjve, po aq mes kuadrove. Sigurimi pretendon në historikun e vet se, nga radhët e njerëzve të besuar, që bashkëpunonin me organet, u zgjodhën edhe njerëzit e mirë, të aftë për të depërtuar në radhët e kundërshtarëve, madje zgjidhnin ata njerëz që kishin kredit edhe në radhët e armikut.

“Ata arritën të mblidhnin informacione rreth lëvizjeve të kriminelëve të arratisur, strehimet, qëllimet armiqësore.

Të besuarit kishin një vend të volitshëm për të vëzhguar banditët, lidhjet e tyre i raportonin në seksion dhe më pas bëhej rrethimi dhe asgjësimi i tyre”.

Një grua në pritë

Sigurimi nuk kursehej jo vetëm ndaj armiqve që kishin dalë hapur, por as ndaj atyre që kishin dezertuar nga ushtria. K. M., kur dezertoi, nuk e mendonte se një bashkëfshatar do ta tradhtonte ndërsa ishte në gjumë.

“Krimineli flinte në mënyrë krejt të qetë, duke menduar se ishte i siguruar nga çdo e keqe. Shokët tanë, pa zhurmë e çarmatosën”, përshkruan Historiku i Sigurimit. Punonjësi operativ dhe Gjok Jaku, e panë ish-ushtarin si bashkëpunëtor të mundshëm. Pas dështimit të përpjekjeve për ta rekrutuar, “sepse ai tradhtoi” , atij iu ngrit pritë afër katundit Rrajë e Velës dhe u vra nga forcat e Mbrojtjes së Popullit.

Shpesh, ndërsa ndiqnin grupet kundërshtare, organet e Sigurimit zbulonin edhe “bazat” e tyre, ose ata që i ndihmonin. Disa prej tyre dënoheshin, të tjerë “tërhiqeshin në shërbim” ë vjeshtën e vitit 1950, ndërsa kthehej nga një pritë, Sigurimi diktoi se në kasollen e T. Gj., në Grykë Manati strehoheshin Ll. T., P. P. e Gj. P. “E tërheqin T. Gj. në shërbimin tonë. Me ndihmën e T. Gj., forcat tona kishin bërë prita banditëve të mësipërm”, pohon Sigurimi, dhe shton se “P. P., në 1950, e vrau T. Gj., duke lënë dhe një letër mbi trupin e saj me mbishkrimin: ‘Komiteti Shqipëria e Lirë’. Unë nuk zihem dhe as më vret dot Sigurimi shqiptar”.

“I GJITHË POPULLI ME FRONTIN”

Paralelisht me kryengritjen e Dedë Shabanit, kundër komunistëve në pushtet, ishin ngritur edhe shkodranët. Fondi i Bilo Bregut në Historikun e Sigurimit, vëren se kundër revoltës së Postribës, u bë mobilizim në qytetin e Lezhës me rreth 200 rekrutë, çka duket se u mësua nga antikomunistët. “Kleri dhe reaksioni u mundua që t’i pengojshin, që t’i zënin pritë në rrugë. Këtë informatë e mësoi B.p., ‘Narangora’ si dhe një qytetar rekrut, i cili denoncoi për pritën në Gjadër. Me qëllim ndihme, Seksioni i Mbrojtjes së Popullit, si dhe një pjesë e Forcave Mbrojtëse të Popullit, u nisën nëpër Zadrimë por në katundin Trashan, ranë në përpjekje dhe kriminelët u larguan”.

Në kuadër të masave të marra, Sektori i Mbrojtjes së Popullit, i vinte si detyrë kryesore vetes, zbulimin e vendqëndrimit të (kundërshtarëve) të cilësuar “kriminelë”, rrethimin dhe asgjësimin e tyre, me porosinë, siç pranohet nga vetë Sigurimi, që veprimet duhet të bëheshin të maskuar, natën dhe në kushte atmosferike jashtëzakonisht të vështira. “E rëndësishme në planin e operacioneve, ka qenë këmbëngulja, vullneti i lartë dhe i papërkulur i forcave tona, për t’i mposhtur këto vështirësi, qëndresa heroike e tyre, me ditë të tëra në rrethim, prita sekrete, në vëzhgim, etj.”.

NATËN DHE TË MASKUAR

“Natën dhe të maskuar”, nuk ishte vetëm rrekje e Sigurimit që në historikun e tij, të shpaloste trimëri apo vështirësi para eprorëve. Të arratisurit si kundërshtarë të regjimit, ndryshonin shpesh vend-qëndrim për shkak të raportimeve, apo domosdoshmërisë për të humbur gjurmë. Ndërsa, Sigurimi e pranon që ua kishte bërë jetën të paduruar dhe se nuk ishin asnjëherë të sigurt, as thellë në male, përmend rastin e një ekzekutimi në “natë e mjegull”! “Shokët e SEMP-it (Seksioni i Mbrojtjes së Popullit), duke vlerësuar të dhënat e popullit në ditët e para të dimrit të vitit 1946, u nisën për tërë natën, bashkë me një pjesë të Forcave Mbrojtëse së Popullit dhe shkojnë në katundin Gjadër e, mbasi studiojnë vendin mirë, rrethojnë shtëpinë e Dod Luk Topuzit, ku ishin strukur brenda katër kriminelët me në krye Ndue Jak Bajraktarin. Nga përpjekja, mbeti i vrarë Nikoll Ded Luka, djali i strehuesit, ndërsa kriminelët arritën të largoheshin”!

PUSHKATIME NË “ISHULL”

Ish-të përndjekurit e njohin si një ndër kryengritësit e parë antikomunistë në vend, Dedë Shabanin. Ai e pati nisur kryengritjen në malin e Kolajve, në fund janarin e 1945- s, i koordinuar me kryengritësit, Jup Kazazi dhe Hasan Isufi. Shabani arriti të merrte Shëngjinin në fillim, por dështoi për gjithë Lezhën, ndaj bashkë me njerëzit e tij, u vendos në katundin ishull Shëngjin. Të nesërmen, forcat e Batalionit të tretë të Brigadës së Parë, i rrethuan dhe i shpartalluan. Në këtë përpjekje, u kap krimineli Ded Shabani, së bashku me 16 mercenarë të tjerë, pushkatohet.

VRASJE NË KISHË

Sigurimit do t’i duheshin tre vjet, që të arrinte te Preng Përbrunga. Në këto tre vjet, ata mësojnë një pas një, strehuesit e tij. Për ta, asgjësimi i grupit të tij, ishte detyrë urgjente, edhe sepse “duhet të hiqej opinioni, që banda e Pjetër Përbrungës nuk kapet dot”. Vrasjes iu dha jehonë, çka sipas Sigurimit, ndikoi edhe te bashkëpunëtori i tyre në grupin e Preng Përbrungës. “Si rezultat i kësaj, B.p. ‘D.Z’ u aktivizua shumë. Kishte fituar besimin e banditëve Preng Përbrunga, Ndue Marka Biba, etj. B.p. informoi se banditët do të takoheshin; ‘ke kisha në maj të Kunarit’. Vendi u rrethua 4-5 ditë para. Shokët qëndruan herë me ushqim e herë pa ushqim. Pritnin nga dita në ditë… Çasti erdhi… Banditët erdhën sipas të dhënës informative. U lanë të futen në rreth dhe u hap zjarr. Të dy armiqtë, mbetën të vrarë”.gsh

blank

“Shkodra është koka e…”- Kujtimet e ish-të dënuarit politik: Kur i tregova shokut tim të liceut, që tashmë ishte partizan me pozitë, për ngjarjet në qytet, ai nuk u çudit aspak dhe më tha…

Nga SAMI REPISHTI

Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –

‘Nën hijen e Rozafës’

Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluam, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuam, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

Gjatë kësaj vale terrori, takova njenin nga shokët e grupeve antifashiste të ditëve të liceut, nji vlonjat. Ishte përgjegjës i rinisë së batalionit. U gëzova që e pashë. Ishte i lodhun nga marshet e vazhdueshme, por i kënaqun e entuziast. U përqafuem. E mora në shtëpi për darkë, që të kishte mundësi me u pastrue e, me pushue nji natë si duhet. Ai pranoi. Mbas darkës, vetëm në dhomën time të vogël, filluam bisedimin që u shndrrue në nji debat të nxehtë e megjithatë, të njerëzishëm. I tregova për ngjarjet në qytet. Nuk u çudit aspak. Më tha se; “kemi probleme me veriun” dhe se; “Shkodra është koka e reaksionit”.

Kur pyeta, si mendojshin me e mbajtë pushtetin kështu, me forcë e gjak dhe, si mendonte ai se; “bota do t’i duroje të gjitha këto”, ai më përgjigje: “Kemi nevojë vetëm për dy muaj, me dorë të lirë në pushtet…! Kemi nevojë për dy muaj, të ekzekutojmë planet që kemi përgatitë…! Ti fole për “botën”…! Në qoftë se anglo-amerikanët, nuk zbarkojnë sot në bregdetin shqiptar, me qëllim që “të ndjekin gjermanët” nga jugu, atëherë, të siguroj unë, se fitorja është e jona, definitivisht”!

E, tue vazhdue me këmbëngulje para shprehjes së çuditjes sime, ai shtoi: “Nuk flas në erë, me beso! Gjatë këtyne ditëve, kemi përpunuar plane konkrete, që do t’i zbatojmë që në minutën e parë. Masat e para drastike: arrestim, ekzekutim, çarmatim, mobilizim e organizim i vendit, si mbas modelit të ‘zonave të çliruara’, janë të gjitha pjesë të pandara të planit tonë strategjik. Ne, nuk do të devijojmë…edhe në qoftë se gabojmë”! Tue parashikue nji kundërshtim të mundshëm, ai vazhdoi: “Kemi edhe lista, listat e atyne që do të likuidohen, por…nuk është nevoja të them më shumë…! Këtë bisedim, e bëj vetëm me ty…”!

Buzëqeshi lehtë, sikur shijonte kënaqësinë e konfidencës që tregonte, me nji shok të vjetër. Mandej, ndezi ni cigare, e thithi me fuqi me shije të plotë, e tue nxjerrë tymin si shtëllunga nga goja e hunda njëkohësisht, ai shtoi: “Përgatitu për ditët vendimtare, të historisë së Shqipërisë. Ne kemi nji mision për të plotësuar: t’i japim historisë së popullit tonë, atë që ai kërkon…! Sot për sot, është pastrimi i terrenit nga pengesat aktive…”, e, tue më shikue drejt e në sy, shqiptoi, tue nda në rrokje të theksueme mirë, fjalën e fundit: “e-të-ardh-shme…”! – Si për shembull, – unë dhe shokët e mi, – plotësova unë me nji gjysëm zani.

Atij i ndryshoi fytyra: – Nuk besoj! – më tha. – Le të ndryshojmë bisedën…! E pyeta për jetën në mal, e vështirësitë e kalueme. Ai e priti me kënaqësi kureshtjen time, e filloi nji monolog që, herë mbas here, bahej dramatik, me elementë të pamohueshëm ekzagjerimi. Por unë, nuk ia shihja të teprueme. Ishte i ri, entuziast, idealist dhe qartësisht, i indoktrinuem. Ai kishte gjetë guximin e duhun, me rrokë pushkën e, me shërbye idealin që e frymëzonte. Kjo ishte thelbësore. Të tjerat?! Nuk ngrejshin peshë, mendojsha, aq ma shumë edhe për faktin se ai, shoku im i shkollës, kishte qenë gjithherë nji tip i shoqnueshëm me të tjerët.

Indoktrinimi, kishte deformue logjikën e tij. Prirja që e bante me përsëritë, si me urdhën, fjalë e frazeologji të marruna në mbledhjet e agjit-propit, e bajshin shpeshherë tregimin të gjatë, pothuajse të padurueshëm. Kur foli për gjendjen ndërkombëtare, ai iu referue koalicionit anglo-sovjeto-amerikan, si, nji “aleancë oportuniste” që në fillim, që i mungonte “sinqeriteti” dhe që eventualisht, do të përfundonte me nji konfrontim, “sidomos me Anglinë”. – Atëherë, ti pret nji luftë të tretë botnore? – i thashë. – Po! – përgjegji me bindje. “Por do ta provokojmë ne, kur të jemi gati…! Tani për tani, vazhdon aleanca…”! Ashtu më kishte thanë edhe kushërini, nji vjet ma parë! E ndigjojsha me vëmendje. Për mue, këto ishin ide të reja, që nuk isha ekspozue ma parë.

E pyeta si kishte ardhë në këtë përfundim sot, kur lufta akoma nuk kishte mbarue e, aleanca vazhdonte me funksionue me sukses. Ai më tha se, “I gjithë faji, bie mbi kurrizin e Çurçillit”! Nuk i besova veshëve të mi. – Si mund të flasësh në këtë mënyrë! – e ndërpreva unë. – Gjatë gjithë këtyne vjetëve, të gjithë kemi adhurue Çurçillin, sidomos mbas qëndresës heroike të Anglisë, në vjetin 1940…! Të kujtohet Londra, Coventry? – “Çurçilli është fashist”! – më tha në mënyrë të preme. – “Ai është pengesa kryesore e fitores, së proletariatit ndërkombëtar. Ai është i njohur për qëndrimin e tij antikomunist, që në vitet e Revolucionit të madh të Tetorit të 1917-ës…”!

Nuk i dijsha këto të dhana. Por, i fyem nga termi “fashist”, pyeta pse e akuzonte Çurçillin si të këtillë! – Çdonjeni që bëhet pengesë në luftën tonë, për fitoren finale të komunizmit në botë, për ne, është nji fashist. Dialogu u kthye në ballafaqim. Unë mbrojsha me gjaknxehtësi kontributin anglo-amerikan, në luftën kundër Gjermanisë e Japonisë, i shtymë ma shumë nga revoltimi, që sollën përcaktimet e tij. Ai pranonte rolin e Amerikës dhe kishte nji farë respekti për figurën e presidentit Ruzvelt, por, kishte formue nji urrejtje patologjike për Çurçill-in dhe “politikën djallëzore të Britanisë së Madhe”.

“Janë anglezët ata që insistojnë të zbarkojnë në Shqipëri”, – më tha, “ashtu siç kanë bërë në Greqi…! Por këtu tek ne, i pret pushka partizane…”! Nuk kishte mbetë vend, për diskutime të tjera. Ishte e qartë se, edhe unë, ndoshta gjysëm koshient, gjendesha në kampin e “kundërshtarëve” të regjimit të ri, që po i imponohej vendit tonë. Në kundërshtim me shokun tim, suaza e mendimeve të mia, e formueme jashtë propagandës këmbëngulëse të komunistëve, për afër dy vjet me radhë, që nga dita e ndamjes, kishte fitue nji dimension të ri, të pavarun, sigurisht të paplotësuem, por megjithatë, të aftë me më dhanë nji kënaqësi të brendshme, si dhe forcën logjike me mbrojt pikëpamjet e mia, para “botës së jashtme” e sidomos, para bashkëfolësve kundërshtare.

Hap mbas hapi, po ndërtojsha botën time ku, ngjarjet e ditës, vendëse e ndërkombëtare, shiheshin nga nji optikë e përcaktueme dhe e mbështetun në parime, që unë vetë kisha pranue lirisht, si bazë e strukturës sime mendore e intelektuale. Hap mbas hapi, po kalojsha periudhën e entuziazmit djaloshar e, hyjsha në botën e matun të pjekunisë.

Atë mbramje, e kuptova mirë! Historia e ditëve të mia, paraqitej si nji proces dekompozimi i shpresës së ngjallun gjatë “Luftes Nacional-Çlirimtare”, i mohimit të rolit demokratik të autoritetit të zgjedhun nga populli, ashtu si u premtue gjatë luftës dhe zëvendësohej me nji strukturë të re, ma të përqendrueme, ma të pashpirt, e ma të padrejtë se çdo tjetër formë shtetnore të njohun në vendin tim, deri atë ditë. Historia e ditëve te mia, paraqitej tashti, si historia e pandershmërisë “zyrtare”, e dëshpërimit të përgjithshëm dhe e frikës, mbretneshës absolute, mbi të gjithë, tue përfshi edhe sundimtarët.

                                                                    ***

Pushteti i ri, më “mobilizoi” si nëpunës në Seksionin e Rindërtimit. Fillova punën rutinore të zyrtarit, pa entuziazëm. Megjithatë, brenda pak ditësh, kuptova rëndësinë e funksionit që më ishte caktue. Me ardhjen e ndihmave të para “aleate” (UNRRA), punimet e rindërtimit të vendit të shkatërruem, morën vrull. Në këtë veprimtari të pandërpreme, u gjeta papritmas i angazhuem plotësisht, me dëshirën e madhe të kontributit vullnetar. Isha në zyrë që në orët e para të mëngjesit, e delsha në orët e para të natës. Nuk më imponohej. Ishte dëshira ime, me qenë sa ma shumë brenda “kantierit” të punës rindërtuese. Ekipi i zyrës sonë, përbëhej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtare” të rregullt.

Fryti i punës sonë dukej qartë. Pothuajse çdo javë rindërtohej nji urë e vogël, shtrohej nji rrugë e damtueme, ose përmirësohej nji ndërtesë qeveritare. Entuziazmi i punës rreth meje, më rrëmbeu. Isha pjesë e ndërmarrjes së përgjithshme, për rimëkambjen e vendit tim të shkatërruem. Frika e parë me zanë punë e, me fillue jetën si nji “i pjekun”, me përballue me forcat e mia, me ndërveprue me njerëz të rij e të panjohun, kaloi shpejt. Nuk ishte ma jeta e shkollës, me shokë e me shoqe, plot andrra, aspirata e dëshira me jetue gjithnji i ri. Por nuk u dëshprova! Këtu, u ndjeva se isha dikush, isha diçka. Nga mesi i prillit, 1945, nji demonstratë e madhe e popullit të organizuem, u zhvillue para ndërtesës së prefekturës, ku gjindej edhe zyra ime.

Pankarta me emnat e udhëheqësve jugosllave, sovjetike e shqiptare, mbushën sheshin. Shkrime të çuditshme që kërkojshin anëtarësinë e Shqipnisë në Organizatën e Kombeve të Bashkueme, dhe aneksimin e Triestes nga “Jugosllavia e Titos”, lexoheshin në shirita të gjatë pëlhure, që mbajshin nalt demonstruesit! Askush nuk merrte vesh qëllimin e kësaj demonstratë, me përjashtim të organizatorëve, që shiheshin në mes të turmës, tue dhanë instruksionet e duhuna. Masa e bindun shperthente me “Rroftë”, ose “Poshtë”, si mbas sinjalit të dhanun. Mbas dy orësh demonstrimi, gjatë të cilit folësit nga balkoni premtuen, se do të njoftojshin qeverinë qendrore dhe “autoritetet jugosllave”, mbi ndjenjat patriotike dhe indinjatën e madhe të popullsisë së qytetit të Shkodrës, demonstruesit u shpërndanë, përsëri me urdhën.

Pamja e mijëra qytetarëve të mbledhun me urdhën, që manifestojshin me urdhën e shpërndaheshin me urdhën, më bani nji përshtypje të thellë e të keqe, sa që fillova të shikoj me përçmim, ata që tërhiqeshin të fundit nga sheshi kryesor. Shfrytëzimi i fjalës “popull”, i vullnetit, dëshirës dhe aspiratave të tij, në nji mënyrë kaq banale, lëkundi besimi e ushqyem në aksiomën e mendimit tim se, duhet mendue, folë e veprue, “në emën të popullit”, nëqoftëse kërkohet justifikimi moral e ligjor, i veprimtarisë sonë politike e qytetare. Atë ditë, me trajtimin e popullit si kafshë pune e, manipulimin e tij të paturp. Unë pashë nën dritën e diellit, fytyrën groteske e të zbulueme të diktaturës së kuqe, që na imponohej dhe e urrejta me fuqi.

Pak kohë ma parë, vargje të gjata kosovarësh, të mobilizuem nga “Jugosllavia e Titos”, kishin kalue nëpër rrugët e qytetit tonë. I pashë në kolona pambarim, të lodhun e të këputun, nën mbikëqyrjen e armatosun jugosllave….në tokën shqiptare! Vetëm tri ditë ma vonë, ata që shpëtuen nga “ndëshkimi”, hynë në Shkodër tinëzisht e treguen masakrën e Tivarit. Ndërkaq, populli i Shkodrës, që për shekuj ka qenë i lidhun me luftën e Kosovës, kundër ekspansionizmit serb e malazez, detyrohej tani me demonstrue publikisht, me kërkesën që Trieste, t’i kalonte Jugosllavisë! Po Kosova, kujt i mbetej? Askush nuk përgjigjej! Kosovarët e masakruem u kthyen në “derrat kosovarë”! Çdo ditë e ma shumë, “pushteti i popullit”, forconte themelet e mbështetjen e vet, mbi nji organizim racional të aparatit tij shtypës dhe mbi nji politikë pa kompromis, të eliminimit fizik të kundërshtarëve, tashma të cilësuem si “armiq të popullit”!

Ekzekutimet në masë, me gjyq e pa gjyq, sidomos në zonat malore të veriut të vendit, u banë skena të përditshme. Çdo veprim zyrtar ishte nji sinjal ma shumë se, drejtimi i marrun nga “shteti” i ri, shpinte në diktaturë. Shtypi i vendit ishte qeveritar, kundërshtimi nuk lejohej, debati ishte i rrezikshëm e dialogu po çudiste, i zëvendsuem, dalëngadalë, nga fjalimet e gjata e monologët monotonë. Sa larg ishte atë ditë, atmosfera e nji gjallnie antidespotike që, lindi në shpirtët e rij, të ushqyeme me andrra mbinjerëzore, e gatishmëni me u hedhë në të pakufishmen, si maniakët e vrapit të vetë shkatërrimit!

Sa larg ishim ato ditë, nga ajo gjallni që sillte ideali i ndërtimit të nji vepre të re, te nji bote të re e të lirë, e që ikte nga dora çdo ditë e ma shumë! Në shoqninë e re që po lindte, sillej pa drejtim nji popull, pa puls jete, pa gatishmëni me u hedhë hovshëm, në nji bote të ndryshme nga ajo e përditshmja banale, që nuk premtonte, as andje, as dëshira…!

Shpresa, zoti i vetëm që ende mban miqësinë me njeriun, që çan errësirën e lejon lundrimin në detet pa brigje, ishte në pragun e vdekjes! Propaganda “komuniste” në Shqipni, gjatë luftës, kishte diçka nga imagjinata e poetit, si; “thirrje për udhëtim”, drejt nji bote ma të mirë e premtuese. “Bukë e paqe, edhe liri”! Cili nga ne nuk lëkundet, nga nji thirrje e këtillë? S’ka ma të vorfën! S’ka ma të shtypun! Jemi të gjithë të lirë! Talljet e cinikëve të pjekun, nga mosha e përvoja e vështirë, nuk ngrejshin peshë. Ata ishin grahmat e fundit, të nji shoqnie në shtratin e vdekjes. E reja po lindte e ndritshme, plot jetë, plot premtime dhe do të ishte e jona, krejtësisht e jona! Kjo mjaftonte!

Por sot, nuk ishte e jona! Këtu ishte vështirsia, me binde masat e hutueme nga grushti i hekurt mbi kokë, se vlera dhe dobishmënia e asaj që po jetohej ato ditë, e përditshmja banale, ishte mbytëse dhe e pashpresë. Marrëzina kolektive, monstruozitete individuale, histeri qeveritare; nji shoqni në transformim të plotë, delte me skenë e nji rendi shoqnuer, të ri e të papranueshëm. Ne me të Silës, që jepte shpirt dhe Karibdës, që kërcënonte me vdekje, nji popullsi e hedhun nga ngjarjet, sa këndej, aq andej, lundronte pa busull, ecte pa drejtim të caktuem, e hynte pa kuptue në tunelin e errët, ku nuk shihej drita e daljes. Stuhia që mbuloi vendin, nuk premtonte veçse shkatërrim.

                                                                        ***

Nji pasion për kundërshtim e veprimtari kundër “pushtetit”, rritej çdo ditë me nji shpejtësi, që nuk isha në gjendje me ndalue. Më dukej sikur koha më ndrydhte, sikur “nuk kishte kohë” me pritë. Mosha e re ngjallte ndjenjën e urgjencës, për përpjekje me ba të pamundunën, e ishte ba zot i mendjes sime, nji sundues absolut mbi çdo dëshirë tjetër, që forconte vullnetin për veprim.

Në ato ditë revoltimi, ideali zbulonte për mue nji fushe të pamatur veprimi, nji hapësine të pafund, të pakufij, tue mos lejue jetën e përditshme, me marrë formën e nji njisie të kufizueme, të vogël, pjesore. Revoltimi ngjallte të pafrenueme dëshirën me u zgjanue, me u shtri, me pushtue me krahë e me mendje pambarimin, tue i dhanë kështu jetës, përpjestime shumëfishe, e ndjenjën e pakrahasueshme të gëzimit, kënaqësisë, frymëzimit të lindun nga ajri i lehtë i idealit, që ngren nalt, e përherë ma nalt.

Para meje ngrihej çdo ditë ma e madhe, ma e naltë, ma kërcënuese, “ndërtesa” që më zente pamjen, më pengonte hapin, e përgatiste për mue murimin e përjetshëm, qelinë time fatale, si varri i Rozafës viktimë! Në brendinë time, ndijsha gjithashtu, nji rritje të pandalshme frymëzimi për përpjekje, ballafaqim e liri. Thirrja për aksion të rrezikshëm, më çlironte njikohësisht, edhe nga prangat që më coptojshin…! Njizet vjeçari që isha unë ato ditë, bante thirrje të ngrihesha në kambë, e në vend të vapës mbytëse që kishte sjellë rendi i ri i porsavendosun, të kërkojsha stuhinë, po të ishte nevoja, në turrin rrëmbyes të saj, të freskojsha gjoksin tim që digjej, e të vdissha i kënaqun, në vorbullën e ajrit të trazuem nga forca e epshit tim kërkues. O magjia e së pakufishmes! Vetëm nji puthje nga ti mbi ballin tim, arsyeton nji jetë të tanë, e veshë me rroba lavdie, vdekjen e paevitueshme që siguron fluturimi yt i guximshëm! Sepse, i ambël asht edhe vetë shkatërrimi i trupit që prek qiellin…!

Ky turr rrëmbyes bante shumë të vështirë ballafaqimin me njerëz të thjeshtë, fytyrat e të cilëve, akoma tregojshin shpresë për nji jetë të re, fjala e tyne shprehte këtë gjë, e gjesti i tyne ishte pamja konkrete, e nji besimi në premtime. Ata nuk shihshin rreth e rrotull detin e krimit, të shtypjes, të padrejtësisë, të urrejtjes ku ishte kredhë vendi. Nuk kisha guxim me i përballue haptas e sinqerisht, me folë ashtu si flet vllau me vlla, me ju tregue me gisht kobet e përditshme e, kokët që rrokulliseshin me shpejtësi, me i zgjue nga gjumi, me i lëkundë për krahu me fuqi, me bërtitë se; “çlirimi” i njenit vlla, nuk mund të bahej me gjakun e vllaut tjetër të pafajshëm, se ligjet e reja e, fjalët që tingëllojshin si kumbonë lirie, nuk do të sillshin lirinë e premtueme, nëqoftëse ndryshimi nuk do të bahej edhe në ndërgjegjen e “fitimtarit”.

Ky ndryshim nuk ishte ba, as që premtonte nji kthesë të këtillë për të ardhmen; kjo ishte edhe tragjedia e vendit tim. Kur dëshprimi e frika me shtrëngojshin me u strukë në dhomën time të vogël, i paaftë me folë, e me dëshirën e humbun për lexim, për orë të tana përpiqesha me kuptue domethënien e këtij procesi historik, që zhvillohej nën sytë e mi, si lumi që rrjedh pa pra.

Më kujtoheshin ditët e shkollës, ushqimi i së cilës më lejonte me shtri krahët në qiellin e fluturimit mendor: periudha e antikitetit grek e roman, Rilindja europiane, zgjimi mendor i kontinentit e fenomenët e tij, iluminizmi, idetë shoqnore të shekullit të kaluem, më sillshin në mendje diçka ma themelore se emnat e mbretënve sundimtare, diçka ma pak të zhurmshme, ma pak të këndueme në kangë e të brohoritun në publik. Më vinte në mend diçka ma vetjake, ma e thellë e, që buronte si zgjimi i ndërgjegjes tek çdo njeri, si liria që del nga brenda, si ndjenja e fuqishme e nevojës së secilit me qenë nji qenie e lirë, nji njeri! Memorie.al

blank

“Mit’hat Frashëri synonte që Çamëria t’i mbetej Shqipërisë, kurse Ismail Qemali s’ka patur asnjë shpresë, por më pas Mit’hati e pranoi…”- Ngjarjet e panjohura të shpalljes së pavarësisë më 1912

Nga Sejfi Vllamasi

Pjesa e dytë

Memorie.al / Nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, mbërrijnë delegatët e popullit dhe një shumicë patriotësh, prej brenda e jashtë Shqipërisë dhe, më 28 nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh, pas 450 vjet robërie, u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. U formua një qeveri nën kryesinë e Ismail Qemalit, në të cilën merrte pjesë edhe Preng Bibdod Pasha, si nën kryeministër dhe Esat pashë Toptani si ministër i Brendshëm. Kur Ismail Qemali mbërrin në Vlorë, Seit Qemali, Murat Tërbaçi, Alem Mehmeti dhe shumë patriotë të tjerë, si rezervistë, luftonin kundër ushtrisë greke në Llogara. Këta, me t’u informuar mbi qëllimin e ardhjes në Vlorë të Plakut, e ngritën flamurin kombëtar në ballë të luftës, para se të ngrehej në Vlorë.

Dorëzimi i Janinës dhe i Shkodrës

Mbas formimit të qeverisë në Vlorë, Ismail Qemali i ftoi të gjithë oficerët dhe patriotët shqiptarë, që ndodheshin ndër fronte të ndryshëm të Luftës Ballkanike, që të mos e vazhdonin më luftën e, të kthehen ndër shtëpitë e tyre. Mit’hat Frashëri ka qenë kundër këtij mendimi dhe ka shkuar dy herë nga Vlora në Janinë, për t’i inkurajuar rezervistët shqiptarë, ta vazhdonin luftën gjer në fund, mbasi ky mendonte se, sa më gjatë të qëndronte Janina në dorë të Turqisë, aq më tepër shans do të kishte Çamëria, t’i mbetej Shqipërisë, kurse Ismail Qemali, s’ka patur asnjë shpresë. Ky ka qenë një nga shkaqet e ndarjes të Mit’hat Frashërit nga Ismail Qemali. Më vonë Mit’hati, e ka pohuar se Ismail Qemali, ka pasur të drejtë. Janina rezistoi gjer më 6 mars 1913 dhe iu dorëzua ushtrisë greke.

Dorëzimi i Shkodrës

Lufta e Shkodrës vazhdonte me tërbim midis ushtrisë turke e vullnetarëve shqiptarë, nën komandën e Hasan Riza Pashës e më vonë të Esat Pashës, dhe të ushtrisë serbo-malazeze. Një pjesë e malësorëve të Malësisë së Madhe, të shtrënguar të emigronin në Mal të Zi, në kryengritjen e 1911-ës, kishte bërë kauzë të përbashkët me Malin e Zi dhe muarr pjesë në luftë kundra ushtrisë turke.

Komandanti i ushtrisë turke, Hasan Riza Pasha, një ushtar i dalluar i Shtatmadhorisë turke, ka qenë një ushtar i madh dhe i paisur me të gjitha cilësitë e njeriut të lartë e të mirë. Gjatë rrethimit të Shkodrës, Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Jak Serreqi dhe abati i Mirditës, dërgonin fshehtazi Mark Onbashin në Vlorë te Ismail Qemali, kështu që të dy palët, kanë qenë në kontakt të rregullt gjatë luftës.

Kur lufta vazhdonte në Shkodër, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, merrej me bisedime për caktimin e kufijve veriorë të Shqipërisë. Alush Lohja, mik personal i Hasan Riza Pashës, i thotë një ditë kapiten Xhemil Prizrenit, axhutant i Pashës: “Nga ana ime, t’i thuash këto fjalë Hasan Riza Pashës, mbasi unë vetë, nuk guxoj t’ia them. Pasi Turqia e humbi luftën, tash e tutje s’ka asnjë kuptim, të luftohet nën flamurin e Turqisë në Shkodër”!

Hasan Rizai, mbasi u informua mbi fjalët e Alush Lohjes, shkon në shtëpinë e këtij të fundit, i shoqëruar me dy oficerë xhonturq, njëri prej tyre komandant i Taraboshit dhe tjetri komandant i Bërdicës dhe te dera e shtëpisë, i thotë Alush Lohjes: “Më vjen keq të flasim me ndërmjetësi, duke qenë se jemi miq”. Alushi ia përsëriti fjalët në prezencën e dy oficerëve, të cilët nuk folën asnjë fjalë. Hasan Rizaj, këta të dy oficerët i kishte marrë me qëllim që ta dëgjonin me veshët e tyre, se ç’mendonte populli për luftën e Shkodrës.

Hasan Rizaj qysh atë ditë, bashkë me Alushin, merren vesh me Arkipeshkvin e Shkodrës, Jak Serreqin, për t’u nisur dy letra malësorëve, që ishin në bashkëpunim me ushtrinë malazeze, dhe një letër tjetër, nga ana e Klerit Katolik për partizanët e tyre, duke i ftuar ata, që të mbrojnë Shkodrën nën flamurin e Shqipërisë. Letrat nisen. Nga ana tjetër, Shtatmadhoria xhon-turke, qysh atë ditë vendos për vrasjen e Hasan Riza Pashës. Këtë vendim ia komunikojnë Esat Pashës, komandant i rezervistëve, dhe i propozojnë që pas vrasjes, së Hasan Rizajt, të emërohet si komandant, në vend të këtij të fundit.

Esati pranoi. Hasan Rizaj ftohet atë natë në shtëpi të Esatit, për një mbledhje ushtarake dhe, kur del mbas mbledhjes për të shkuar në shtëpi, qëllohet duke mbetur i plagosur rëndë. Qani Korça, polici që Pasha e mbante me vete, shkon menjëherë në shtëpi të Alush Lohjës dhe e lajmëron për ngjarjen. Kur Alushi mbërrin në shtëpinë e Pashës, këtë e gjen në minutat e fundit. Pasha e mbyll jetën e tij, me këto fjalë: “Këto dy dekorata (plumba) doja t’i merrja në luftë e jo kështu, dhe, mbasi vritem këtu, djemtë e këtij vendi, duhet të ma marrin gjakun”. Kështu Hasan Riza Pasha, që donte ta shpëtonte Shkodrën, duke luftuar nën flamurin shqiptar, vdes nga dora e xhonturqve, armiq të betuar të pavarësisë shqiptare dhe kjo vrasje bëhet me pëlqimin dhe kontributin e Esat Toptanit, më 3 janar 1913.

Mbasi Hasan Rizaj vdes, Alushi shkon në dhomën tjetër për të pritur ngushëllime, ku gjen Esatin bashkë me dy komandantët xhonturq të lartpërmendur dhe disa oficerë të tjerë, edhe këta xhonturq. Esati pas disa fjalëve të rastit, i thotë Alushit: “Ti je personi më i cilësuar, për me gjetë vrasësin e Hasan Rizajt, por mbas mendimit tim, vrasësi duhet të jetë Ndoc Deda i Shoshit, i cili ka qenë i shtyrë prej Malit të Zi, për të kryer vrasjen”.

Alushi i përgjigjet: – “Sa për mue, gjaku duhet të kërkohet nga personat që ndodhen në këtë dhomë”.  – Esati: “Sa të jem në Shkodër, jam miku yt”. – Alushi: “Me konditë që miku të jesë në shtëpinë time, sa mbas zakonit të vendit”. Të nesërmen Esati shkon në shtëpinë e Alush Lohjes dhe fiton miqësinë e tij, të njeriut më të zgjuar e, më guximtar të Shkodrës, me anën e të cilit më vonë, ka lozur role me rëndësi në krahinën e Shkodrës, për t’i vënë në zbatim planet e tij djallëzore.

Mbas një muaji tratativash, më 12 prill 1913, Shkodra, kështjella madhështore e Veriut, i dorëzohet ushtrisë malazeze me konditë që forcat ushtarake, t’i marrin me vete gjithë mjetet që zotëronin. Kjo ngjau në një kohë kur në Konferencën e Ambasadorëve, bisedohej që përveç Shkodrës, t’i jepej Shqipërisë edhe Gjakova. Por mbas dorëzimit të Shkodrës, pozita diplomatike e Austro-Hungarisë komprometohet dhe kështu u vu përpara dilemës: Shkodra apo Gjakova, duhej siguruar për Shqipërinë dhe natyrisht u preferua e para.

Ngritja e Esat Pashës

Esati, pasi ia dorëzoi Shkodrën ushtrisë malaziase, në bazë të një akordi që është botuar në kalendarin e 1918-ës në Shkodër, erdhi në Tiranë me ushtrinë e përbërë prej turqve e shqiptarëve. Kjo ushtri, në bazë të akordit, u prit me nderime prej ushtrisë serbe në Lesh. Esati, kur erdhi në Tiranë, ushtarëve shqiptarë ua la armët, duke i porositur që t’i mbajë gjithsecili në shtëpinë e vet, për t’i përdorur kur të vinte koha, që do të nevojitej për ta. Ushtria turke e mbetur në Tiranë, me një vapor turk, u imbarkua prej Durrësit për në Turqi.

Në këtë kohë, Esati shkon në Vlorë, ku në kabinetin e Ismail Qemalit, ishte caktuar ministër i Punëve të Brendshme. Pas pak ditësh, prapë u kthye në Tiranë, ku ftoi parinë e vendit dhe të Shqipërisë së Mesme, si; Zogun, Elez Jusufin, Dinë Hoxhën, Mersin Demën e Shaqir Demën, Selim Nokën, Dervish Biçakun, etj. Midis këtyre Esati, i bëri pritje të veçantë Zogut, në atë kohë 18 vjeç, të cilit i ishte rritur influenca, si për pjesëmarrjen e tij në luftën e Shkodrës, ashtu edhe për mbajtjen e krahinës së Matit, të pa okupuar nga ushtria serbe gjatë Luftës Ballkanike (Zogu, me një fuqi të përbërë prej matjanësh, deshi të merrte pjesë në luftën e Shkodrës, por në Kakarriq, ra në një pritje të ushtrisë malaziase dhe atje u shpartallua).

Zogu ishte mysafir në shtëpinë e Pashës

Në mbledhjen e delegatëve, Pasha, pasi i përmirëseardhi delegatët, u tha: “Siç ju do ta kini marrë vesh, Fuqitë e Mëdha, e njohën pavarësinë e Shqipërisë. Pra, përpara këtij fati të lumtur, gjithkush duhet të mendohet për mënyrën e sundimit të vendit tonë dhe për udhëheqësin e tij, për të cilin unë mendoj se, mbasi Shqipëria përbëhet prej një shumice myslimanësh, duhet ta ketë një udhëheqës mysliman. Për këtë gjë besoj se edhe zotëria juaj, do të jeni dakord me mua”. Si mbaroi këto fjalë (në shtëpinë e Selim pashë Toptanit), pa i dhënë rastin ndonjërit prej delegatëve për të dhënë përgjigjen e tyre, del jashtë.

Pra, pasi nuk u bë ndonjë kundërshtim nga kushdo qoftë, kuptohet vetiu, se mendimi i Esatit qe pranuar prej tyre me përjashtim të Zogut, i cili ndër ato ditë, kur Esati shkoi në Durrës për të përgatitur formimin e qeverisë së Shqipërisë së Mesme, përgatiti një telegram fallso, që gjoja i dërgohej Osman Balit nga ana e Esatit. Osman Bali në atë kohë, ka qenë komandant i fuqive të Pashës, në Tiranë.

Në telegram, urdhëronte Osman Balin t’i jepte Zogut armë e municion, të cilat i nevojiten fuqive të tij, që kishte prurë me vete. Esati u zemërua tepër përpara kësaj tradhtie. Por ky, pasi merrej me formimin e qeverisë së Shqipërisë së Mesme në atë kohë, nuk e pa oportune, të merrte masa kundër Zogut. Abdi, Murat dhe Refik Toptan,i nuk ishin dakord me mendimet dhe veprimet e Pashës. Zogu, duke përfituar nga preokupimet e Esatit, rrethoi Matin dhe e mbrojti derisa erdhi Vidi. Kështu që gjatë periudhës së Esatit, Mati mbeti i pavarur.

                                                                        ***

Esati, kur u kthye i pakënaqur, më 18 shtator 1913, nga Vlora, dërgon kushëririn e Abaz Kupit në Lesh, te Mano beg Lesha, me një letër me porosi, që delegatin t’ia çojë Preng Pashës në Kallmet. Esati, në letrën që i dërgonte Preng Pashës, i thoshte: “Si ministër i Brendshëm, erdha me punë në Durrës. Të punojmë bashkë, ose të paktën të më përkrahësh, se Princ Vidi asht shënue si Mbret dhe s’kemi se çfarë me ba”. Esati i lutej Preng Pashës, që delegatin në fjalë ta përcjellte deri në Shkodër, se ka për të dërguar letra. Ai kishte katër letra për Shkodër: për Myfti Adem Efendinë, Alush Lohjën, Sulçe Begun dhe Muharrem Kazazin.

Ibrahim Kumnova, sekretari i Preng Pashës, mundi ta hapte njërën letër, ku shkruhej: “Si ministër i Brendshëm, erdha të punoj në Durrës, se me Ismail Qemalin nuk punohet. Pra të vini e të bisedojmë, për një princ turk”. Preng Pasha, nga ndryshimi i përmbajtjes së letrave, që nuk konkordonin, u trondit, bashkë me Musa Shehun (nga Prizreni), Hysni Currin (nipi i Bajram Currit) dhe Dan Hasanin, që ishin prezentë. Bajram Curri, ndodhej në Kthellë. Preng Pasha, me shokët e tij të lartpërmendur, vendosën të dërgohej Dan Hasani te Esati, me një kartëvizitë të Preng Pashës, ku ky i thoshte Esatit: “Përgjigjen time, asht ngarkue me jua dhanë Dani”.

Dani Esatin e gjen në Tiranë, ku ka qenë bashkë me Fadil Pashë Toptanin dhe me Dervish Himën. Kur pasha mbetet vetëm, Dani ia jep Esatit kartiviztën e Preng Pashës dhe gojarisht i flet fjalët që i kish porositur Pasha: “Nuk e shoh të arsyeshme, që në Durrës të ngrihet një qeveri e re, pse bën një përshtypje të keqe në botën e jashtme në dëm të Shqipnisë, ashtu si me dasht të ngreh edhe unë një qeveri në Mirditë, sikur Gjeto Coku ëndërronte të ngrinte në Lesh, gjë që na diskrediton jashtë. Unë mendoj dhe ju ftoj juve, si ministri i Qeverisë së Vlorës, dhe unë si nën kryeministër, të mblidhemi së bashku, e të diskutojmë situatën, e në qoftë se Ismail Qemali ka të meta, e rrëzojmë me anën e rrugës legale”.

Esati i përgjigjet Danit, duke i thënë: “Unë me Ismail Qemalin, nuk punoj kurrë, prandaj ma bani Preng Pashën, që të paktën të rrijë asnjanës”, dhe shton: “Të ma biesh në Tiranë edhe Bajram Currin, i cili ndodhet në Kthellë. E në qoftë se nuk mund të vijë në Tiranë, le të vijë në Krujë, se shkoj dhe shihem vetë me të. Dhe Bajram Currit, t’i nap një mijë kuintalë drithë, për malësorët e Gjakovës”. Dani kthehet në Kallmet.

Mbas largimit të Ismail Qemalit nga Vlora, Preng Pasha me shokë, vendosën të dërgojnë një komision të përbërë prej sheh Musa Prizrenit dhe Dan Hasanit në Nicë (Francë), i cili në emër të Preng Pashës e Bajram Currit, t’i lutej të vijë në Lesh për të ngritur përsëri Qeverinë e Vlorës, mbasi Shkodra ishte e okupuar prej fuqive ndërkombëtare, dhe kështu me ecë kundër Esat Pashës. Por Ismail Qemali, u përgjigjet: “Djemtë e mij, Shqipëria me gjak humbet, prandaj gjakun duhet ta evitojmë. Më puthni Preng Pashën dhe Bajram Currin”.

***

Esati e formoi Qeverinë e Shqipërisë së Mesme, më 14 tetor 1913, me Ali Bej Zajmin (dibran), Isuf bej Dibrën, Azis Vrionin dhe stabilizoi një administratë të rregullt. Mbas formimit të qeverisë, Komisioni i Kontrollit i propozon Esatit, që të formojë një komision të përbërë prej gjithë parisë së vendit, që të shkojë në Gjermani, për t’ia paraqitur Princ Vidit fronin e Shqipërisë. Esati pranon propozimin e komisionit me dy kondita:

1) Të pranohet Durrësi si kryeqytet:

2) Në kabinetin që do të formohet, t’i rezervohej atij Ministria e Brendshme dhe ajo e Luftës.

Komisioni i Kontrollit i pranoi dhe komisioni i parisë së Shqipërisë shkon në Gjermani, ia paraqet Princ Vidit fronin e Shqipërisë, i cili si Mbreti i Shqipërisë, zbret në Durrës, më 17 mars 1914.

Formimi i kabinetit të Mbret Vidit dhe intrigat e Esat Toptanit

Mbreti Vid, ngarkon Turhan Pashën të formojë kabinetin. Ky ka qenë i rekomanduar nga Cari i Rusisë, mbasi ka qenë 25 vjet me radhë, ambasadori i Turqisë në Peterburg. Kishte fituar simpatinë e pallatit si folës i mirë e spiritual dhe si një njeri që zotëronte shumë gjuhë. Në kabinet, Ministria e Brendshme dhe ajo e Luftës, i ishte besuar Esat Toptanit dhe N/Kryeministria, Preng Pashës.

Vidi për herë të parë vizitoi Tiranën, ku iu bë një pritje madhështore. Në këtë kohë pëshpëritej aty-këtu në popull, se Vidi me rrethin e tij, po na prishin fenë, për shembull, se oficerëve u kanë vënë kapë në formë kapele. Pak ditë pas vizitës së Vidit në Tiranë, në muajin mars, filluan të pëshpëriteshin fjalët, se xhandarët grekë, kishin filluar lëvizjet në kufi, lajm i cili u vërtetua pas disa ditësh. Për këtë punë, Esati erdhi vetë në Tiranë, ku mblodhi popullin përpara kazermës “Skënderbej”, ia njoftoi agresionin grek dhe e porositi popullin që; “për hir të atdheut, të marrë armët për me luftue anmikun”.

Esati para se të vinte në Tiranë, takohet në Vorë, pas marrëveshjes që kishte bërë më parë, me Man Picarin, Myrto dhe Dervish bej Arbanën, të cilëve u thotë: “Unë jam i mendimit që Vidi, sado i zgjedhur nga Fuqitë e Mëdha, mbasi asht i huaj, nuk i di zakonet tona, me të cilat ne mbahemi. Veçanërisht, mbasi nuk asht mysliman, kur shumica e vendit tonë, përbëhet prej tyre, këto kohë të fundit, ai nuk po e respekton fenë tonë. Për shembull, do të keni vënë re, se edhe oficerëve u kanë vënë kapë. Për këto arsye, unë mendoj se duhet bërë diçka për me e rrëxue këtë e, në vendin e tij, të vihet një mysliman”.

Këta mbasi aprovuan mendimin e tij, i dhanë besën duke i thënë: “Na ke gati, që të veprojmë kurdoherë, mbas urdhrave tuaj”. Mbasi ranë dakord, Esati u tha: “Unë po shkoj në Tiranë, ku do të ftoj popullin për të marrë armët, për me luftue kundër grekëve, që siç e dini edhe ju, na kanë mësy nga kufiri i jugut, por këtë fuqi, kur të niset nga Tirana për në front, e që do të kalojë këndej, ta ndaloni qoftë edhe me armë dhe t’u thoni se nuk u lëmë, se ne do të çohemi kundër Vidit”.

Kjo fuqi vullnetare nacionaliste, rreth 500 vetash, e udhëhequr prej Refik Toptanit, Musa Beqirit (Musa Qazimit, myftiu i Tiranës) sheh Musa Dushkut, e tjerë, të gjithë këta prej Tirane, kur mbërrijnë te Ura e Limuthit në Vorë, hasi fuqinë kryengritëse të Man Picarit me shokë që ndodheshin në pritë, e i ndaluan vullnetarët të vazhdonin rrugën. Kundërshtimet e të dy palëve, mbërrijnë deri në një luftë të vogël. Vullnetarët u detyruan të kthehen, më 6 maj 1914.

Sulmet e grekëve kishin filluar dhe lufta vazhdonte me rreptësi midis të dy palëve. Esati bënte çmos, për ta nxitur popullin injorant kundër Vidit dhe municionet e destinuara për luftëtarët që luftonin kundër grekëve, në shumicën e rasteve nuk shkonin atje ku ishin për të vajtur, por ia shpërndante pasuesve të tij. Nga ana tjetër, Esati e sabotoi organizimin e një fuqie ushtarake të destinuar për në jug kundër grekëve. Vetëm një batalion i formuar prej rezervistësh u dërgua në Korçë nën komandën e major Ali Fehmi Kosturit. /Memorie.al         

blank

Faik Konica, shkrimtarit Guillaume Apollinaire: “Kam vetëm këtë gjë të përbashkët me Stendalin…” (Letra origjinale e 20 nëntorit 1904)

Faik Konica (1875 – 1942) – Stendhal (1783 – 1842)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Dhjetor 2023

Në veprën “Guillaume Apollinaire. Correspondance. I Lettres reçues. XI K-La.”, gjejmë një letër të Faik Konicës drejtuar Guillaume Apollinaire me 20 nëntor 1904, në të cilën atdhetari shqiptar i rrëfen asokohe ndër të tjera diçka që kishte të përbashkët me shkrimtarin e shquar francez Stendhal (Henri Beyle). Këtë letër, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Lincoln Cottage,

Garfield Road,

Chingford, (Essex)

20 nëntor 1904.

20 nëntor 1904.

Mik i shtrenjtë,

Ju detyrohem shumë për përkthimin në italisht. Është pak i përmbajtur dhe përmbledhës, por e plotësova dhe ia dërgova gazetës që duhet ta botojë.

A morët një vëllim të vogël për “Gjuhët” që sapo kam botuar ? Kam dashur, duke mos ju paralajmëruar fare, t’ju bëj një surprizë të vogël : E shihni që punoj, pavarësisht dembelizmit që shfaq ! – Këta formulime ishin padyshim shumë të gjatë për t’u shfaqur pa formën e një artikulli : prandaj m’u desh t’ia besoja një librari. Unë nuk isha i kënaqur me botimin, por ju e dini tiraninë e botuesve ! Në momentin e fundit, unë përvetësova një emër tjetër për këtë studim : kam, si Stendali, një monomani për maskimet; madje është e vetmja gjë, mjerisht ! që kam të përbashkët me këtë shkrimtar të madh. Esenë time ua dërgova disa kritikëve, shkrimtarëve dhe revistave. Meqë ra fjala, a vazhdon të shfaqet “l’Ermitage” ? dhe cila është adresa e këtij periodiku ? Do të doja të dërgoja një kopje.

Shkrimi juaj për Aladron dhe paraardhësin e tij shpirtëror bëri shumë bujë. Pati një jehonë deri në Amerikë.

Miku im Paul Nocquet ka filluar të jetë shumë i njohur në Shtetet e Bashkuara. Ai sapo ka bërë një bust të zonjushës Bell, vajzës së shpikësit të telefonit. Ai është i kërkuar në sallonet e miliarderëve. Sa shpata skerme kam thyer me të, në stërvitjet tona të skermës në Bruksel !

Më dërgoni lajme për shëndetin tuaj, mik i dashur, dhe më besoni në përkushtimin e të mirës tuaj.

Fk. B. Konica

P.s. Ndoshta së shpejti do të bëj një udhëtim në Aix, për të çuar atje zonjën F.B.K., e cila më ka kërkuar që t’ju dërgoj të falat e saj. Ajo ka zhvilluar një pasion të madh për gjuhën hinduite (hindu), dhe unë po shkruaj një gramatikë për të.

blank

Stamboul (1913)- Apeli i Eqrem Bej Vlorës, Hairedin Dibrës dhe Ahmet Daklit ndaj kombeve të qytetëruara për të shpëtuar shqiptarët nga serbët dhe grekët

Ahmet Dakli – Eqrem Bej Vlora

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Dhjetor 2023

“Stamboul” ka botuar, të martën e 30 shtatorit 1913, në ballinë, apelin e Eqrem Bej Vlorës, Hairedin Dibrës dhe Ahmet Daklit ndaj kombeve të qytetëruara për të shpëtuar asokohe shqiptarët nga serbët dhe grekët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një apel nga shqiptarët

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vlorë, 29 shtator.

Disa fisnikë shqiptarë, duke përfshirë Eqrem bej Vlorën, Hairedin Dibrën dhe Ahmet Daklin, në emër të njerëzimit, u kanë drejtuar një apel kombeve të qytetëruara duke u kërkuar atyre që të ndërhyjnë pranë Fuqive të Mëdha, që të mos lejojnë që popullsia shqiptare të asgjësohet nga serbët dhe grekët.

Veprat çnjerëzore, thuhet në apel, të kryera nga ata që duan të shfarosin shqiptarët, i kanë acaruar këta të fundit dhe i kanë detyruar që për t’i shpëtuar vuajtjes së tyre të tmerrshme, të kërkojnë vdekjen çlirimtare në fushën e betejës. — (A.C.)

blank

L’Union libérale (1913) Ky udhëheqës shqiptar vrau gruan e tij dhe kreu vetëvrasje në këtë vend turistik të Austrisë

Stacioni turistik i skive Semmering, në Austri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Dhjetor 2023

“L’Union libérale” ka botuar, të hënën e 2 qershorit 1913, në faqen n°4, një shkrim për një ngjarje të rëndë të ndodhur asokohe mes shqiptarësh në një vend turistik austriak, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Një udhëheqës shqiptar vrau gruan e tij dhe kreu vetëvrasje

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë (Austri), 1 qershor. — Një dramë e çuditshme ndodhi në një hotel të madh në Semmering, një vendpushim alpin, dy orë me tren nga Vjena.

Udhëheqësi shqiptar Mit’hat bej Delvina erdhi për t’u bashkuar me gruan dhe kunatën e tij, të cilat jetonin në hotel prej tre javësh. Ai darkoi me to dhe më pas i shoqëroi në dhomën e tyre.

Në atë moment, për një arsye të kotë, ai u grind me gruan e tij dhe nxori një revole dhe e vrau në sy të motrës. Përpara se kjo e fundit të merrte veten nga hutimi, ai qëlloi veten në kokë dhe ra i vdekur.

Delvina Beu është djali i udhëheqësit të famshëm shqiptar Sali Beut, i cili ishte për disa kohë guvernator i Calimnos (Kalymnos). Viktima ishte vajza e Ismail Pashës, një përkrahës i Abdul Hamidit, i cili u vra në rrugët e Kostandinopojës gjatë Revolucionit Xhonturk.

Veprimi i përgjakshëm i Delvina Beut i atribuohet një akti çmendurie. Delvina Beu pati qenë zënë rob nga italianët në Tripolitani (Libi), dhe pikërisht gjatë robërisë së tij, ai u sëmur nga neurastenia akute.

blank

ATDHETARI LUIGJ GURAKUQI HAPI SHKOLLEN NORMALE T’ ELBASANIT- Pergatiti Fritz RADOVANI

ELBASAN: 1 DHJETOR 1909

SHKOLLA NORMALE E ELBASANIT U HAP ME 1 DHJETOR 1909. DREJTORI I PARË I ASAJ SHKOLLĒ ASHT KENË ATDHETARI I MADH I POPULLIT SHQIPTAR LUIGJ GURAKUQI.

Mbas Kongresit të Manastirit me 14 – 22 Nandor 1908, u mbajt Kongresi i Elbasanit nga data 2 – 8 Shtator 1909, ku u vendos hapja e Shkollës së Parë të Mesme Pedagogjike në Gjuhën Shqipe, e njohun me emnin Normalja e Elbasanit. Kjo shkollë do të luente një rol vendimtarë per mësimin e Gjuhës Shqipe nder Trojet tona,
si dhe do të kishte per qellim kryesor piksynimin e paraqitun nga Atdhetari Luigj Gurakuqi, i cili me rasën e hapjes së saj tha: “…Shqipnia u lëkund e tana nga zani i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndersa djelmët tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipnisë e u derdhën këtu në Elbasan… Jo vetem nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para nder tregimet kombtare e nder luftat e Gjuhës, por ma fort nga Gegënia e Siperme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili, na rrnoftë përjetë, na erdhën mjaft nxanës sa mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnji kand të Shqipnisë që të mos të ketë këtu mbrenda perfaqësuesit e vet.”

Asht ajo kohë kur shkolla Normale e Elbasanit u rreshtue me shkollat e njohuna të Shkodres, dhe u ba prita ma e pakapercyeshme nga anmiqtë shekullor të Shqipes së shkrueme: turq, grek e sllav!

Ndersa sot ne nuk duhet të harrojmë Mësuesit e Nderuem Atdhetarë Shqiptarë, që per kontributin e Tyne në arsimimin e brezave të rijë me Gjuhën Shqipe, dhanë edhe jeten. E nuk janë aq pak sa kujtojnë disa!

Bie n’sy që sot edhe këte Vater të Kulturës sonë kombtare, po punohet me shkatrrue, me e lanë “pa Emen” dhe pa trashigimtarë, si shumë Vatra të tjera. Sikur kjo shkollë të ishte themelue nga një anadollak në pragun e Pavarsisë, dhe të kishte punue per me nxjerrë nga bankat e asaj shkollë mësues turq, a do të quhej “1
Dhjetori Dita e Mësonjësit ?!”

Në kushtet e sotme kur po punohet ditë e natë me e shperba Shqipninë, ndoshta edhe nuk i bjen nder mend kujt per “Diten e Mësuesit”, po duhet pasë parasyshë se “Dita e Mësonjësit” asht zgjedhë një datë pa kurrfarë kuptimi, vetem me qellim që me fshij nga Historia e Arësimit tonë disa atdhetarë dhe, datat e sakta të
Arësimit në Shqipninë e Veriut, mbasi gjithshka e tillë i duket Akademisë së Shkencave në Tiranë: “Gegnisht”!

Dhe ja një fakt që i verteton të gjitha ata që kam shkrue deri tashti:
Në se tek Monumenti i Vlonës së 1912 nuk asht vue as Don Nikoll Kaçorri dhe as Luigj Gurakuqi, simbas porosisë së anadollakut Ramiz Alia se: “Këta nuk duhet me qenë aty si Katolikë..!” Asht mirë ti botoni këta “amanete”, dhe të hiqni dorë nga genjeshtrat dhe rrenat sa vjeçare që pasohen me gjoja “mirkuptimet… e
tolerancat fetare”!

Veprime të tilla antikombtare vetem shkatrrojnë themelet e vume me aq kujdes e perkushtim nga Atdhetarët e Parë Shqiptarë, që Atyne kur ju asht paraqitë rasa per të miren e Atdheut dhe edukimit të brezave t’ rinjë nuk kanë kursye as gjanë ma të shtrenjtë: Jeten e Tyne!

Historia e Mësuesve Atdhetarë Shqiptarë ishte dhe asht e lavdishme nder shekuj, ashtu si asht kenë e asht Madhështia e Gjuhës Bekueme Shqipe!

blank
NDERTESA E SOTME E NORMALES S’ ELBASANIT.
Melbourne, 30 Nandor 2023.

blank

Shkodra drejt 29 nëntorit 1944 dhe në javët pas largimit gradual të trupave gjermane drejt Podgoricës dhe Bosnjës- Nga ROMEO GURAKUQI

(nje perpjekje per rindertim te ngjarjeve, disa konkluzione dhe fotot e para te Shkodres së pas 29 nentorit 1944 te realizuara nga oficeret britanike te SOE)

Pas çlirimit të Tiranës me 17 nëntor 1944, teatri i operacioneve ushtarake u drejtua nga qyteti më i madh i Shqipërisë, Shkodra dhe rrugëve të komunikimit me Malin e Zi. Reparti i parë i mbërritur në Shkodër nga Tirana me datën 18 nëntor nën drejtimin e Divisionpharrer Dott. Beck, solli me vete edhe vlerat monetare të Selisë Qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me pretekstin për t’i dorëzuar në degën e Shkodrës të së njëjtës bankë, por në fakt për t’i grabitur me vetëdije. Një kontigjent i madh i trupave gjermane gjithashtu nga Kavaja përmes Vorës u drejtua për në Shkodër ku mbërritën me datën 23 nëntor. Prapavijat e këtyre reparteve hodhën në erë urat, ndërkohë që asnjë ushtri e madhe nuk po i ndiqte ato ditë. Maska e respektit ndaj popullit shqiptar, pavarësisë e neutralitetit të shtetit të tyre, tanimë kishte rënë plotësisht përballë dëshpërimit dhe frikës për ditët e panjohura që i prisnin përpara repartet e degraduara të Rajhut. Edhe kolona që vinte nga Prizreni në drejtim të Shkodrës bëri të njëjtin veprim damtuer me datën 20 nëntor. Me 21 nëntor ato hodhën në erë edhe Urën e Vaut të Dejës. Me datën 24 nëntor, delegati Apostolik Nigris i drejtoi Gjeneralit gjerman von Leyser lutjen që 3 urat që qarkonin Shkodrën mbi lumejtë Kir, Drinasë dhe Bunë të mos prekeshin.

E njëjta lutje iu drejtua nga Nigris, Arqipeshkvi i Shkodrës dhe një përfaqësi e qytetit me datën 27 nëntor, Komandantit Vendor, Kolonelit Schuster. U premtua që urat nuk do të prekeshin me kusht që komunistët të mos sulmonin gjermanët në nisje.

U ra dakord edhe me partizanët që gjermanët të mos sulmoheshin dhe pakti u respektua edhe nga ata. Mirëpo gjermanët nuk e mbajtën fjalën e dhënë. Me gjakftohtësinë më të madhe, dy orë para largimit të tyre nga Shkodra, saktësisht në orën 02.10 të natës duke gdhirë 29 nëntori 1944, gjermanët hodhën në erë 3 urat që lidhin Shkodrën me pjesën tjetër të vendit.

Shumë nga qytetarët e Shkodrës i kishin larguar familjet jashtë qytetit. Familjet e Shkodres te strehuara në Shirokë, lagjen piktoreske rrëzë Taraboshit, kane percjellur ne kujtese rrefimin mbi gjëmimin e tmerrshëm asaj nate, kur bota përreth Malit të Taraboshit u duk se u përmbys në pak sekonda. Nuk kanë kuptuar asgjë derisa të nesërmen, nje kortezh me lundra kishte mbërritur në Shirokë për të përcjellur viktimën e fundit të pafajshme (nga nje familje e Shirokës me banim ne Shkoder, vrarë nga gjermanët në ikje prej qytetit) të një luftë që nuk kishte të bënte me shkodranët dhe shqiptaret.

Të gjithë këto ngjarje zhvilloheshin në Shkodër, ndërkohë që pak kilometra nga qyteti partizanët prisnin evakuimin e trupave gjermane. Përreth Shkodrës operonin Brigada VII e UNÇSH, e cila e kishte të vendosur shtabin e vet, pas evakuimit të shtabit gjerman, në Laç të Vaut të Dejës, ndërsa në zonën verilindore të Shkodrës, në Drisht, ishte vendosur shtabi i Brigadës XXII.
Krahas trupave partizane, në krahinë vepronin edhe patrullat britanike të LRDG.

Ishte parashikuar që me datë 17 nëntor 1944, në zonën ndërmjet Lezhës dhe Shkodrës, të dërgohej Kapiteni Dickinson. Misioni i tij do të ishte shqyrtimi i mundësisë së dorëzimit të gjermanëve në krahinën e fundit të Shqipërisë, e cila kishte mbetur nën kontrollin ushtarak të fuqisë së Boshtit të dërrmuar fashist.

Raporti i Dickinson është i rëndësishëm, mbasi na jep disa informacione të vlefshme rreth situatës në Shkodër dhe zonave rreth saj:
Së pari, nga raporti i tij kuptohet, se trupat gjermane të Regjimentit 522 ishin të gatshme të dorëzoheshin pranë trupave britanike të LRDG, por ato refuzonin kategorikisht të dorëzoheshin pranë partizanëve shqiptarë, për shkak se deri tani, përvoja kishte treguar se, UNÇSH kishte thyer ligjet e luftës dhe kishte ekzekutuar robërit, duke kryer në këtë mënyrë një krim të paramenduar lufte.
Së dyti, Dickinson raportonte, se brigadat partizane rreth qytetit të Shkodrës qëndronin në pritje të fillimit të evakuimit të gjermanëve, pa zhvilluar me këtë rast ndonjë betejë;
së treti, partizanët e konsideronin në total, a priori, popullsinë e Shkodrës një popullsi kolaboracioniste dhe kjo ishte përgatitja psikologjike armiqësore, që ata kanë pasur kur kanë hyrë më vonë në qytet, gjë që shpjegon edhe sjelljen tipike pushtuese të partizanëve ndaj popullsisë qytetare dhe krahinore shkodrane. Raprezaljet e filluara, që nga dita e parë e çlirimit nga pushtuesi, që për popullin duhej të ishte dita e lirisë, u shoqëruan me një pushtim bolshevik dhe vendosjen e një diktature të ushtrisë së kuqe shqiptare, nëpërmjet hyrjes armiqësore të partizanëve në kryeqendren kulturore të Gegnisë.
Së katërti, partizanët u përpoqën të izolojnë ushtarakët britanikë që orvateshin të merrnin informacion nga robërit gjermanë të luftës. Po ashtu, partizanët e ndaluan Dickinson-in, për marrjen e drejtpërdrejt të informacioneve në qytetin e Shkodrës, tashmë i evakuar nga gjermanët dhe i uzurpuar pa luftë, me invadim nga kodrat drejt pjesës qendrore, prej UNÇSH.

Në mëngjesin e datës 27 nëntor 1944, ditën e hënë, Dickinson kërkoi të kontaktonte me shtabin e Brigadës VII në Laç të Vaut të Dejës, me objektiv pyetjen e robërve gjermanë të luftës. Mirëpo ndërkohë, që ai shkoi t’i kontaktonte, i gjeti ata duke lëvizur drejt qytetit. Urat, njëra mbi Lumin Drin dhe tjetra mbi Lumin Buna, që mundësonin kalimin brenda qytetit, ishin hedhur në erë nga gjermanët dhe kështu ishte e pamundur për të kaluar lumin me mushka dhe me pajisjet që kishin në dispozicion. Për këtë arsye, Dickinson la patrullën e LRDG në Laç dhe shkoi tek partizanët në vendin e quajtur Ndërfushtë. Aty ai u takua me një përfaqësues të shtabit të Brigadës XXII partizane, i cili i shpjegoi për ndeshjen me gjermanët një natë më parë dhe për kapjen e katër robërve gjermanë. Ditën e martë, me datë, 28 nëntor 1944, Dickinson lëvizi drejt Drishtit, por ushtaraku britanik nuk arriti të vihej në kontakt me robërit gjermanë, të cilët donte t’i pyeste rreth situatës ushtarake të forcave të Regjimentit 522, Korpusit 21 Malor dhe fatit të pilotit britanik të rrëzuar në atë zonë. Ishte e qartë, se partizanët shqiptarë ndiqnin politikën e vrasjes së robërve gjermanë të luftës. Po ashtu, në shtabin e Brigadës XXII iu tha, se nuk kishte asnjë plan për 24 orët e ardhshme në lidhje me Shkodrën.

Qartazi, partizanët prisnin largimin e gjermanëve nga qyteti, që dukej se do të ndodhte nga ora në orë, por saktësisht partizanët nuk e kishin informacionin kur do të kryhej. Për këtë arsye, Dickinson u kthye në Laç të Vaut të Dejës dhe u bë gati për të sjellë trupat e patrullës së LRDG dhe stacionin e radios së komunikimit me shtabin, stacion që ndodhej në Drisht. Në këtë situatë, me
datë, 29 nëntor 1944, Dickinson informoi qendrën e tij në Bari, në lidhje me pikëpamjet e partizanëve dhe ngurrimin e tyre për të lejuar ushtarakun britanik të mblidhte informacionin, që ai kërkonte. Pak orë më vonë, mbërritën lajmet se Shkodra ishte evakuar prej armikut. Kështu pra, edhe Dickinson raporton, se gjermanët e evakuan qytetin e Shkodrës me datë, 29 nëntor 1944. Në darkën e datës 29 nëntor 1944, Dickinson u përpoq të shkonte të merrte informacionin e duhur dhe takoi njerëz në rrugën që vinte nga Shkodra, për ta konfirmuar lajmin. Ai vendosi, që të nesërmen me datë, 30 nëntor 1944, të shkonte në Shkodër për të bërë njohjen e gjendjes atje, për të shqyrtuar aerodromin dhe për të lokalizuar pilotin e RAF, gjurmët e të cilit ishin gjetur tre ditë më parë. Bisedat me banorët e Shkodrës tregonin, se para evakuimit kishte ndodhur një dezertim masiv i gjermanëve. Gjermanët tashmë ishin larguar nga Shqipëria dhe operacioni Aleat i nxjerrjes së gjermanëve jashtë vendit, i quajtur Operation “Frontier”, dukej se kishte përfunduar.

Sipas ushtarakëve britanikë në terren, partizanët hynë në Shkodër me datë, 29 nëntor 1944, kur forcat gjermane u tërhoqën në Mal të Zi.

Në Shkodër mbahet mend prej asaj kohe, një ngjarje, që ka ndodhur natën në kapërcyell të datës 28 nëntor duke gdhirë dita e re, 29 nëntor 1944, që lidhet me minimin e qytetit nga ana e forcave gjermane në ikje. Tetë ushtarë xhenierë italianë, ndërhynë në kohë duke ndaluar zjarrin të merrte përmasa të mëdha dhe shmangën kështu një shpërthim shkatërrimtar, që do të kishte qenë
një fatkeqësi e madhe për Shkodrën dhe popullsinë civile të saj. Nga rrëfimet e qytetarëve shkodranë, mbahet mend se gjermanët arritën të kapin dy nga xhenierët italianë dhe i groposën ata për së gjalli. Edhe pse një nga depot shpërtheu, qyteti gjithsesi shpëtoi i paprekur dhe evakuimi i forcave gjermane u bë pa luftë. Partizanët hynë në Shkodrën e evakuar nga gjermanët, në qytetin që përherë kishte qenë qendra e një opozitë të brendshme të fuqishme kundër diktaturave dhe do mbetej përherë e tillë. Siç duket, tërheqja e fundit e madhe gjermane nga Shkodra ka ndodhur me datë, 28 nëntor 1944. Kjo datë gjendet e shënuar në një dokument tjetër te SOE britanike dhe mendohet të ketë zgjatur deri në orën 02.00 a.m. të agimit të datës, 29 nëntor 1944. Ndërsa hyrja e partizanëve saktësisht ka ndodhur me datë, 29 nëntor 1944, gjatë paraditës, kur tashmë ishte siguruar që këmbë gjermani nuk ndodhej më në qytet. Nigris e shtyn edhe dy orë më tepër qendrimin e gjermanëve në Shkodër. Ai shkruan se gjermanët, pas shkatërrimeve që sollën në natën e fundit në qytet, e mbyllën në mënyrë të turpshme qëndrimin e tyre në orën 04.00 të mëngjesit të datës 29 nëntor 1944. Ikja e tyre u shoqërua me një lloj keqardhjeje prej vendasve, për sjelljen e tyre fundore prej armiqsh prepotentë dhe të pabesë.

Largimi nga qyteti nuk do të thotë, se në pjesën e rrugës që nga Shkodra në drejtim të Podgoricës, në pikat e vrojtimit dhe kontrollit, nuk ka pasur njësi të ushtrisë gjermane. Evakuimi i mëtejshëm nga Shqipëria tërësisht është zhvilluar pa luftime të mëdha, derisa trupat e fundit gjermane u larguan nga ky vend me datë, 4 dhjetor 1944.

Edhe Nigris tregon se repartet e fundit gjermane që u larguan nga Shkodra, bënë disa ditë për të kapërcyer kufirin, ndoshta në pritje që të arrinte në Podgoricë dhe të merrte rrugën për në Berane e gjithë kolona e projektuar, që më kot ishte orvatur për të hapur rrugën në linjën nga Nikshiqi në Trebinje. Kështu që trupat nga Shkodra mbetën mbrapa për të formuar një kolonë të vetme në ndjekje të trupave tashmë në marshim drejt Sarajevës, duke kaluar nga Plevnja.

Versionin britanik i ngjarjeve, që lidhen me evakuimin e Shkodrës nga gjermanët dhe hyrjen e partizanëve në qytet, në diten e zymtë dhe të ftohtë të 29 nëntorit 1944, e konfirmon edhe At Zef Pllumi, dëshmitar i kohës së fillimit të këtij salvimi mizor ndaj popullit shqiptar.

Ndërkohë, në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në Shkodër, Malësi e Madhe, Dukagjin, Postribë, Ana e Malit, Mirditë dhe Pukë, ekzistojnë edhe disa raporte të përgatitura nga Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën, ndër të cilët spikat ai i datës, 9 prill 1945, që përmbledh një periudhë të gjatë rrëfimi nga ditët pak para çlirimit dhe deri më datë, 31 mars 1945: Raporti bën krejtësisht të qartë atë çfarë ne konstatuam më sipër, bazuar në dokumentet britanike:

Çlirimi i qytetit të Shkodrës u bë pa luftë, kështu që forcat partizane nuk arritën të provojnë veten në një ndeshje me armë me forcat gjermane dhe me ato që konsideroheshin si bashkëpunëtorë të tyre. Ndaj, kjo bëri që forcat e opozitës nacionaliste të dilnin të padëmtuara nga qyteti dhe nga periferitë.

Brigadat partizane thjesht u derdhën në një qytet pa këmbë ushtari pushtues, në një qytet të cilin paraprakisht e paragjykonin, mbasi kishin një urrejtje të mbruajtur kundër qytetarisë, të cilën e konsideronin si çerdhe të reaksionit.

Kjo ndodhte pa e njohur aspak kulturën, që ai vend përfaqësonte dhe arsyet e kundërshtisë së tyre ndaj partizanëve komunistë. Populli i Shkodrës, siç kuptohet nga raporti, konsiderohej prej tyre, se mbarte “peshën e injorancës, mizerjes ekonomike, paragjykimesh dhe zakonesh, gjendje patriarkale dhe shpirt mercenarizmi”.

Ky ishte konceptimi i invaduesve, që erdhën në Shkodrën e madhe, të cilin nuk e kishin shkelur kurrë më parë dhe që ishte krejt ndryshe nga pikëpamja e zhvillimit, ekonomik, social, kulturor, botëkuptimit të komuniteteve përbërëse, në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë.

Mirëpo ata nuk kuptonin dot arsyet, pse popullsia e qytetit dhe qarkut kishte qëndruar indiferente ndaj luftës, si dhe nuk e dinin si funksiononte struktura sociale e shoqërisë dhe rendi i gjërave në këto anë. Ato nuk kuptonin fillimisht formacionin shpirtëror dhe kulturor, unitetin civil në diversitetin religjioz të Shkodrës qytetare. Populli i qytetit të Shkodrës, sikurse e provon edhe raporti i vetë drejtuesve komunistë krahinorë, u mbajt larg kontributit për lëvizjen.

Ardhja e UNÇSH u prit në përgjithësi në heshtje nga banorët e qytetit dhe fshatrave.

Pas hyrjes së trupave partizane në Shkodër, ajo opozitë e pakët e armatosur që ekzistonte, u zhvendos drejt zonave periferike më të mbrojtura, në Malësi të Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë etj.

Si kundërpërgjigje, Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën dhe komanda e ushtrisë, parashikoi dhe kreu si një masë të domosdoshme, një operacion në stil të gjerë, duke kaluar nga
njëra krahinë në tjetrën, duke çarmatosur dhunshëm popullin, duke kryer rrahje masive dhe vrasje të kujtdo, që u rezistoi dhe që ishte në listat e armiqve, sipas tyre. Operacioni ushtarak i hapi rrugën më pas operacionit politik dhe policor. Epiqendra e goditjes ka qenë Kisha Katolike dhe Arqipeshkvia e Shkodrës, e cila u mbajt nën vëzhgim, që në fillesë. Ushtria partizane rëndoi që në fillim me dhunën e saj mbi të gjitha shtresat e popullit dhe posaçërisht në këtë drejtim, Seksioni Ekonomik i Korpusit (Prapavija) veproi me dorë të lirë në çdo pikëpamje. Ushtria mbisundonte dhe pushteti u mbulua krejtësisht nga aktiviteti ushtarak. Ushtria zaptoi lokalet dhe bëri shkatërrime masive, të cilat pranohen edhe nga vetë drejtuesit komunistë. Shumë lokale në qytetin e Shkodrës u katandisën në një gjendje të atillë sa, sipas përcaktimeve, do të duheshin qindra, mijëra dhe miliona franga për t’i rikthyer në gjendjen e mëparshme. Kjo nuk ishte pasojë e luftës me gjermanët, por e pushtimit barbar komunist, plaçkitjeve dhe grabitjeve që forcat ushtarake partizane bënë ndaj pasurisë private të shkodranëve. Oficerët e ushtrisë partizane shkatërruan edhe një numër të konsiderueshëm makinerish dhe fabrikash. Në operacione, repartet e ushtrisë partizane u treguen të vendosura për dëmtim inatçuer ndaj të bukurës, të panjohurës, të të mirave publike dhe private, etj.. Sjellja e tyre ishte e rreptë dhe e egër. Ata më pas filluan një mobilizim pa asnjë kriter. Kështu, ushtria monopolizoi veprimin politik dhe ushtarak, duke eklipsuar punën e pushtetit civil ende të paformësuar. Zhvillimi i operacionit ushtarak në qarkun e Shkodrës, zhvendosi gjithë aktivitetin civil dhe rindërtues në plan të dytë. U desh edhe shumë kohë, derisa aktiviteti i ushtrisë dhe ai i pushtetit të zhvilloheshin të ndarë njëri nga tjetri, në Shkodër dhe në Qarkun e saj.

Kush janë “fitimtarët”, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri, që premtohej, por që nuk njihej nga shumica?- pyet profesor Sami Repishti. “Numri i tyre ishte i vogël, e kaluemja e tyne jo e qartë e në disa raste, shqetësuese, programi i tyne revolucionar, e metodat e përdorura deri tashti, ishin të ashpra e diktatoriale. E lirueme nga bota e dy regjimeve të urrejtun, shoqnia shqiptare priste me padurim nji periudhë paqeje e sigurie, që të shijonte lirinë e porsafitueme. Nji ndjenjë instinktive, e pashpjegueshme, por e pranueshme kudo dhe tek të gjithë, e frikës se po hyjshim në nji tunel, dritën e së cilit nuk e shihshim, ishte në mendjen e zemrën e shumicës së atyne që ecshin, vrapojshin e grumbulloheshin në sheshin qëndror të qytetit….. “marrja e
pushtetit” nuk u ba me dhunë, sepse nuk u kundërshtue.

Administrata e vendit, deri atë ditë në shërbim të “bashkëpunëtorëve të okupatorit”, u vue në shërbim të “autoritetit partizan”… Rrugët e qytetit filluen të mbushën me partizanë të brigadave të ardhuna nga jugu i vendit. Për mungesë vendi e organizimi, me mijëra u vendosën në shtëpi qytetarësh, që i ushqejshin edhe me bukë….. Nji botë e re shpalosej nga tregimet e tyne. Pothuejse të gjithë ishin “mobilizue” në katundet e tyne. Ruheshin nga “komandanti” e “komisari”. Të gjithë kishin “historira” me tregue e sidomos, për ekzekutimet masive në katundet malore. Nji ngjarje e shëmtueme në qendër të qytetit, ra si bomba e parë që zgjoi qytetarët, sinjali i parë i asaj që do të vinte ma vonë. Nji grup “bashkëpunëtorësh” me okupatorin, u ekzekutuen publikisht në sheshin kryesor… Në vendin e ngjarjes, pashë kufomat e përgjakuna, të rreshtueme njëna pranë tjetrës. Të gjithë ishin me rrobe civile. Rreth e rrotull tyne, grupe partizanësh hidhshin valle me nji ritëm që shoqnohej me kangën, e re për mue: “Lule Sofo, lule djalë!” Nji turmë qytetarësh të heshtun, vështronte me tmerr këtë masakër: ekzekutime publike, simbas modelit nazist, pa proces, pa gjyq, pa mbrojtje ligjore, pa të drejtë apeli. Ishte shija e parë e shoqnisë së re… Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetnor, i mbështetun mbi forcën e hekurit e zjarrit, ashtu sikur kisha dyshue dy vjetët e fundit”

Kjo ishte “dita e parë e lirisë” në Shkodër, në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe shpjegimi është i mjaftueshëm për të kuptuar përse në këto anë, ajo ngjarje, 29 nëntori 1944, nuk është pranuar si një ditë feste. Largimi i okupatorit të huaj që nuk prekte njërëz të pafajshëm deri në ditët e ç’akordimit të fundit, u shoqërua me ardhjen e një okupatori të brendshëm që përdorte dhunën pa dallim, prekte të gjithë dhe nuk respektonte lirinë dhe pronën e individit.

Dy oficerë britanikë, Tony Andrew dhe James Duncan (fotot e te cileve po i jap me poshte), që hynë në Shkodër pavarësisht përpjekjeve dhe presionit të ushtruar nga partizanët për të mos i lejuar ata, raportojnë se burgu i qytetit “po pëlcet nga numri i madh i të burgosurve politikë” dhe se trupat e të ekzekutuarve janë lënë shtrirë nëpër rrugët e qytetit.

Po ashtu Duncan shkruan, se “partizanë me uniformë shkojnë shtëpi më shtëpi, pa asnjë dallim dhe u kërkojnë para, ushqime, radio, rroba, si dhe u marrin qytetarëve makina shkrimi, mjete dhe makineri pune të ndryshme. Këto masa po shkatërrojnë privatësinë e familjeve, po rrisin koston e jetesës së tyre dhe nuk po lihen të qetë.”

Oficerët folën me qytetarë shkodranë të profesioneve të ndryshme si: një piktor, shegert dyqani, murgesha, punëtorë, tregtarë tekstilesh, drejtorë shkollash, pronarë hoteli, librashitës, rrobaqepës,
etj.. dhe të gjithë i thanë: “Ne nuk mund të vazhdojmë më kështu! Pse britanikët nuk vijnë këtu?”. Dhe ky mesazh u transmetua në Bari me datë, 11 janar 1945, por efekti i kësaj deklarate ishte vetëm heshtja e autoriteteve Aleate, arshivimi, deri sot, kur këto fakte të shkruara po i paraqites, tani pas 80 vitesh në tekstet e historisë së Shqipërisë, si një rekord dokumentar për të treguar të vërtetën.

Sot, nga lartësia e gjykimit historik, vërej se, duke filluar nga data, 29 nëntor 1944, në Shqipëri në përgjithësi dhe në Shqipërinë Veriore në veçanti, u instalua një regjim dhunues, që do t‘i kushtonte këtij vendi, humbjen e bijve dhe të bijave më të mira të tij, ndërsa kryeqendrës së Shqipërisë, Shkodrës, 29 nëntori do t’i sillte fillimin e shkatërrimit të plotë të institucioneve dhe
trashëgimisë kulturore, shkencore, edukative, fetare dhe qytetare, eliminimin gradual të primatit moral, kulturor, ekonomik dhe shpirtëror të qytetit në skenën shqiptare të krijuem prej shekujsh.

Në krye të këtij procesi urdhërdhënës ka qenë diktatori Enver Hoxha, i cili, me sa kuptohet, përveçse një ekstremist në politikë, mbartte në formimin e tij personal, një urrejtje të pafshehur për Gegninë.

Nderkohe, luftën për liri kundër okupatorit e kanë bërë djemtë e thjeshtë shqiptarë të rreshtuar në formacione luftarake.

Lufta ka marrë përmasa të mirëfillta çlirimtare gjatë rrjedhës së viteve 1943-1944.

Vepra e partizaneve te thjeshte, nacionalisteve antifashiste, ishte legjitime, e drejte, pjese veprimtarise se nje koalicioni te gjere kunder fashizmit, dhe si e tille ajo duhet nderuar.

Nga ana tjeter, shoqeria shqiptare pas 80 viteve duhet te jete aq e pjekur sa te denoje krimet ndaj popullsise se pafajshme qe rrodhen pas dates 29 nentor 1944.

Shqipëria e 29 nëntorit të vitit 1944 do jetë një Shqipëri me perspektivë krejtësisht të ndryshme nga ajo që u këput më 7 prill 1939, e ajo që u përpoq të rindërtohej në vjeshtën 1943: me strukturë sociale, kulturore dhe krahinore të përmbysur, me nënsisteme të shkatërruara, me një luftë civile në zhvillim e sipër, e cila do të vazhdonte gjatë gjithë vitit 1945 dhe në formë të ftohtë dhe të ashpër për shumë kohë më pas. Kjo luftë civile do ta mbisundonte dhe kapërthente idealin e lirisë dhe çlirimit, mbasi kaloi çdo limit të arsyes çlirimtare ndaj pushtuesit, përfshiu gjithë shoqërinë dhe vendosi nën terror pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut, e cila nga kjo periudhë e mbrapa, do të jetë e shkatërruar në strukturen e vet tradicionale, pa elitën pararendëse dhe në një pozicion krejtësisht të dhunuar politikisht, nën pushtetin e ri komunist të menaxhuar nga Beogradi fillimisht, dhe pas dhjetorit 1945, edhe nga Moska.

29 nentori eshte nje dite per reflektim te dyanshem, te arsyeshem, te drejte, te ndershem dhe rrefimtar:

Shqiperia europiane nuk ka me kohe te degjoje rrefime te njeanshme, te pandershme dhe te paverteta. Ajo ka nevoje per reflektim mbi parime, qe jane te pranuara gjithesisht ne boten e qyteteruar.

Nje reflektim me nderim per luftetaret e lirise, per te renet ne luften civile qe shkaterroi njesine antifashiste shqiptare dhe shoqerine a paanshme ne pritje, per eliten politike dhe intelektuale te vendit, qe vendosi ta kapercente kete kohe te rende, qe nuk ishte “fajesi” e Shqiperise, me kujdes dhe mbi parimet e mbajtjes se shtetit nacional ne kembe, por qe u martirizua perllogari te vendimarrjeve te nisura nga Shtabi Komunist Jugosllav.

blank

 

blank

Faik Konica shkrimtarit Guillaume Apollinaire: “Mashtruesit francezë me famë botërore gjenden të fshehur në periferi të Londrës…” (Letra origjinale e 10 tetorit 1904)

Faik Konica (1875 – 1942) — Guillaume Apollinaire (1880 – 1918)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Nëntor 2023

Në veprën “Guillaume Apollinaire. Correspondance. I Lettres reçues. XI K-La.”, gjejmë një letër të Faik Konicës drejtuar shkrimtarit francez me 10 tetor 1904, në të cilën atdhetari shqiptar i rrëfen asokohe një sekret të veçantë. Këtë letër, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Lincoln Cottage,

Garfield Road,

Chingford, (Essex)

Me 10 tetor 1904.

Mik i shtrenjtë,

E lexova me shumë interes artikullin tuaj për dy “princat e rremë të Shqipërisë” dhe do ta shfrytëzoj për një artikull të ardhshëm tek “Albania”. — Për sa i përket “Oxford (India) paper”, më thanë se shitej vetëm me shumicë (një numër i caktuar pakosh) : sa fletë do t’ju duheshin ? — Harrova që në letrat e mia të mëparshme t’ju tregoja për një histori vërtet të jashtëzakonshme, të cilën nuk do ta prisnit : Imagjinoni që ushtria angleze është në manovra dhe një muaj më parë, dy skuadrilje kalorësie erdhën për të ngritur çadrat dhe kampuar në lëndinat e Chingford. Ne dolëm për një shëtitje atje, pasi shumë njerëz shkuan atje nga të gjitha anët, dhe papritmas ne njohëm — a mendoni se kë ? Zonja Thérèse Humbert, personalisht, ju betohem ! dhe ishin me të : 1°/Romain Daurignac, 2°/Eve Humbert, 3°/Marie Daurignac, 4°/Frédéric Humbert. Nuk kishte asgjë për tu gabuar. Përballë një pasthirrme në frëngjisht nga gruaja ime, ata u zbuluan dhe një minutë më vonë ishin zhdukur. E kuptoni ? bota mendon se ata janë në burg, dhe ata janë fshehur të qetë në periferi të Londrës. Djalli e di se cilët personazhe duhet të kenë marrë pjesë në mashtrimet e tyre që “burgu” i tyre të ketë qenë kaq fiktiv.

Përzemërsisht,

F. B. Konica

blank

DW sjell versionin e historianëve gjermanë për Pavarësinë: Austro-Hungaria donte një shtet të fuqishëm shqiptar, por Franca dhe Rusia….

Konferenca e Londrës e vitit 1912 nuk e njohu qeverinë e Ismail Qemalit. Ajo vendosi që Shqipëria të bëhet principatë. Një libër sqaron sfondin.

Ishte një e hënë pasdite e dhjetorit të vitit 1912, kur ambasadorët e Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë, Francës dhe Italisë u mblodhën për një çaj në dhomën e punës së ministrit të Jashtëm anglez Edward Gray. Njëra nga temat kryesore të takimit, që në muajt e mëpasshëm do të përsëritej e do të hynte në histori nën emrin Konferenca e Londrës, ishte Shqipëria.Që vendi ballkanik, populli i të cilit gati tri javë më parë kishte shpallur pavarësinë, do të mëvetësohej kjo dihej. Por pyetja ishte, se cila do të ishte forma e këtij shteti, kufijtë e tij dhe kush do ta drejtonte këtë popull me shumicë myslimane? Historiani gjerman Hanns Christian Loehr, në ibrin e tij me titullin “Die Gründung Albaniens – Wilhelm zu Wied und die Balkandiplomatie der Grossmaechte 1912-1914” (Themelimi i Shqipërisë – Wilhelm Wiedi dhe diplomacia e fuqive të mëdha ndaj Ballkanit 1912-1914), botim i vitit 2010, i ka marrë nën lupë bisedat e asaj kohe.

 

Kufiri mes Serbinë ishte i panatyrshëm

 

Në librin e tij prej mbi 250 faqesh, Loehr analizon diplomacinë e fuqive të mëdha në prag të Luftës së Parë Botërore, duke marrë si shembull pikërisht krijimin e shtetit shqiptar. Me shtet shqiptar ai nuk nënkupton atë që nënkupton shumica e shqiptarëve, shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, por atë krijesë që doli si rezultat i kompromisit të Londrës në vitin 1913: Pra një principatë e pavarur nën udhëheqjen e princit gjerman Wilehlm zu Wied dhe e mbrojtur nga gjashtë fuqitë e mëdha.

Negociatat e asaj kohe për krijimin e shtetit shqiptar, sipas Loehr, marrin një rëndësi të veçantë në historinë evropiane dhe madje atë botërore. Sepse aty pasqyroheshin mosmarrëveshjet midis fuqive: Një shembull është arritja e kompromisit për kufijtë e Shqipërisë, si pasojë e të cilit 750 mijë shqiptarë u lanë jashtë territorit: “Kufiri me Serbinë, për shembull, ishte një kufi shumë i panatyrshëm dhe i padrejtë për popullin shqiptar, por meqenëse ishte rezultat i një kompromisi, ai bëri që të paktën edhe për dy vjet të ruhej paqja evropiane dhe të mos kishte luftë ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë”, tha Loehr asokohe në një intervistë për DW shqip.

Austro Hungaria pro shtetit shqiptar

Austro-Hungaria ishte pro një shteti të fuqishëm shqiptar ku të përfshiheshin të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Vjena në këtë mënyrë, donte të pengonte daljen e Serbisë (kësisoj edhe të Rusisë) në Detin Adriatik. Austro-Hungaria mbështetej nga Gjermania dhe Italia, ndërsa Rusia dhe Franca mbronin interesat e shteteve të tjera ballkanike: Serbi, Mali i Zi, Bullgari dhe Greqi, të cilat do të kishin preferuar ta ndanin mes tyre hapësirën shqiptare. Që kjo zgjidhje e dalë nga ky pazar interesash do të dështonte, dukej për shembull edhe në mënyrën se si ishte planifikuar ndërtimi institucioneve të shtetit të ri. “Aty ishte përcaktuar me hollësi edhe se si do të ndaheshin postet e drejtorëve të Bankës së Shqipërisë ndërmjet gjashtë fuqive. Përcaktime të tilla deri në detaje do të bëheshin shkak për grindje të herëpashershme”- tha Loehr.

Perandori gjerman Wilhelm II kundër krijimit të Shqipërisë

Fakti që princi i zgjedhur për të udhëhequr shqiptarët ishte gjerman nuk ishte patjetër shenjë e interesimit të veçantë të Gjermanisë për Shqipërinë. Wilhelm zu Wied, princi që u caktua të vihej në krye të principatës së re, u zgjodh në atë post meqë ishte protestant dhe gjerman, pra, mendohej të ishte i paanshëm. Por ai nuk kishte aspak përvojë me Shqipërinë duke u bërë kështu personifikim i këtij kompromisi të dobët. Fakti që ishte gjerman ishte pozitiv, sepse Gjermania nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Ballkan. Dhe më së miri kjo del në pah nga qendrimi i perandorit të atëhershëm: “Wilhelmi II nuk donte as që Wied-i të shkonte në Shqipëri, e as që të kishte një shtet shqiptar. Por ishin diplomatët ata që e manovruan atë në këtë drejtim duke iu referuar detyrimit që vinte nga aleanca me Vjenën”.

Dhe këtu del edhe shkaku se përse Loehr, i cili si historian është marrë kryesisht me rrëmbimet e veprave të artit në kohën e nazizmit, merr mundimin të bëjë një studim për Shqipërinë: “Duke parë politikën e jashtme të Gjermanisë, në shembullin e Shqipërisë, sheh se Perandori gjerman nuk kishte fare pushtet. Kështu duke shtruar pyetjen, se kush e mban përgjegjësinë për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, përgjigja është se një pjesë kryesore të përgjegjësisë nuk e mban Perandori, por kancelari i Perandorisë (Bethmann Hollweg)”, thotë ai në intervistë.

Skandabeg në vend të Skënderbeut

Pra, Loehr e ka vërtetuar atë që dëshironte. Pyetja që mbetet për ata që janë vërtet të interesuar të mësojnë diçka të re për historinë e Shqipërisë, është se çfarë mund të zbulojnë ata tek ky libër. Michael Schmidt-Neke është njëri nga historianët gjermanë, që është marrë më së shumti me historinë e Shqipërisë së asaj periudhe. Ai e ka lexuar librin e Loehrit dhe e ka recensuar atë në revistën shkencore Suedosteuropa-Mitteilungen (Njoftime nga Evropa Juglindore).

Në një intervistë për programin shqip të Deutsche Welle-s, Schmidt-Neke kritikon faktin, që autori u referohet vetëm burimeve gjermane e austriake. “Në libër mungojnë burimet nga fuqitë e tjera. Po ashtu injorohet tërësisht literatura shkencore e vendeve ballkanike, për të mos folur pastaj për literaturën shqiptare”, thotë Schmidt-Neke.

Schmidt-Neke gjithashtu konstaton me keqardhje, se për Wied-in flitet vetëm në shtatëdhjetë faqet e fundit, pra nuk është një libër i mirëfilltë për historinë e Shqipërisë në periudhën e Wied-it, ashtu siç premton titulli. Që autori pothuajse nuk ka fare njohuri nga Shqipëria, këtë nuk e dëshmon vetëm fakti që nuk ka përdorur burime nga literatura shqipe, por edhe që shumë emra personalitetesh shqiptare janë shkruar me gabime, si për shembull: Skandabeg, e jo Skanderbeg, siç thirret Skënderbeu nga gjermanët. Por sipas Schmidt-Nekes, Loehr tregohet naiv kur e riprodhon legjendën se një farë gjermani me emrin Otto Witte, i cili në vitin 1913 gjoja ishte shpallur mbret i Shqipërisë nga osmanët. “Burimi i vetëm i kësaj përralle është libri që ka shkruar vetë Witte”, thotë Schmidt-Neke.

Edhe pse libri i Hanns Christian Loehrit ka kaq mangësi, për historianët ai përmban shumë detaje interesante, histori diplomatike dhe kujtime për Gjermaninë nga një diplomat shqiptar që mund të sjellin një ndihmesë për të plotësuar panoramën e asaj kohe. Një i tillë është për shembull fakti që kishte shumë gjermanë, që u treguan të gatshëm të viheshin në mbrojtje të princ Wiedit, e që njëri syresh ishte poeti i njohur Georg Trackl. /DW


Send this to a friend